• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtohet veprimtari i shquar i arsimit shqip Ahmet Gashi

July 1, 2022 by s p

Bardhyl Selimi/

Shpesh edhe veprimtari “të vogla” si kjo që u organizua sot në sallën e kinemasë së Laprakës, Tiranë, tingëllojnë më fort se ato “zyrtare”. Familja e profesorit të nderuar Ahmet Latif Gashi, veprimtarit arsimor, atdhetar dhe shkencor, emrin e të cilit e mbajnë tashmë dy shkolla, një në Tiranë dhe një në Prishtinë, organizoi një takim me mësues dhe miq që kanë ndihmuar në dhënien e titullit “Nderi i Kombit” gjeografit të parë shqiptar, ish drejtorit të Normales së Elbasanit dhe nëndrejtorit të Institutit “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, më vonë drejtor I Normales së Prishtinës (1944) “Sami Frashëri”,  e pjesëmarrësit të tre kongreseve arsimorë në vitet 1920, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës dhe më herët në atë për çlirimin e Prishtinës më 1912.

Përveç një pjesë të kolektivit të mësuesve, ishin edhe ish nxënës të profesorit në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, profesorë dhe publicistë nga Kosova, pasardhës të mësuesve që shkuan të jepnin mësim në Kosovë gjatë viteve 1941-1944.

Djali i profesorit shpërndau, në emër të familjes, “Mirënjohje” personale dhe i njohu të pranishmit me disa nga momentet kryesore të jetës së të atit. Drejtori, Luigj Marku, përshëndeti në emër të kolektivit të mësuesve. Ish ministri i arsimit të Kosovës (2000-2004), prof. Rexhep Osmani, foli për bashkëpunimin midis dy shteteve tona për unifikimin e sistemit arsimor. Profesor Jusuf Osmani, ish drejtor I Arkivit të Kosovës dhuroi kompletin prej shtatë vëllimesh të veprës së tij “Muhaxhirët e Nishit, 1877-1878”. Ish mësuesi n ga Shtimja, Banush Imeri, dhuroi librat e tij të fundit kushtuar ish mësueve të parë të shkollës shqipe në vendlindjen e tij, bashkëshortëve Shpendi, që përfaqësoheshin sot nga e mbesa. Zoti Behadin Rexhepi solli shumë kopje të numrit të parë të revistës “Zëri I Gjimnazistit”, botuar nga gjimnazi “Ahmet Gashi” në Prishtinë. Përshëndeti, në emër të ish nxënësve, zoti Bedri Alimehmeti, kurse doktori I shkencave filozofike, Laurant Bica, evidentoi, ndër të tjera, kryeveprën e prof. Gashit, Hartën Etnike të Shqipërisë, për të cilën, në kohën e mbretërsië, autoritetet e Beogradit I ofruan shuma të mëdha parash vetëm mos ta botonte.

Veprimtaria u zhvillua e qetë, pa pompozitet, pa praninë e gazetarëve apo të ndonjë përfaqësuesi të shtetit, por, me siguri, jehona e saj do përhapet shpejt në mbarë vendin, nga ata që ishin të pranishëm.

Filed Under: Analiza, Emigracion

EMËRTIMET E VENDBANIMEVE,  VLERA ETNO-KULTURORE  TË ÇDO MJEDISI

July 1, 2022 by s p

Dr.Nail  Draga/

(Përkitazi me emërtimet dhe regjistrin e vendbanimeve në  Komunën e Ulqinit)

Për vendbanimet si kategori e veçantë socio-gjeografike ka definime të ndryshme, varësisht prej qasjes studimore dhe profileve shkencore, por është pranuar pothuaj nga të gjithë se Vendbanimet janë njësi e veçantë antropogjeografike, të cilat kanë emrin, territorin dhe numrin e banorëve.

Ne lidhje më këtë çështje ka mendime dhe pikëpamje të ndryshme, por më këtë rast do të cekim vetëm dy. Kështu psh., M.Macura si vendbanim ka definuar “ çdo vend të banuar me emër të veçantë pa marrë parasysh se a janë të banuar në momentin e regjistrimit”.Ndërsa nga ana tjetër  statistika zyrtare ka pranuar definimin gjeografik te vendbanimëve  së “vendbanimi është njësi e veçantë territoriale-antropogjeografike me emër të veçantë pa marrë parasysh numrin e shtëpive”.

Nga ajo që u tha më lartë del se vendbanimet,  veçohen me hapësirën e tyre territoriale, numrin e shtëpive dhe të banorëve në një vend të caktuar, paraqesin dukuri komplekse, që trajtohen nga disciplinat e ndryshme shkencore.

Vendbanimet pa banorë 

Gjatë diskutimit në këtë takim në mes tjerash u trajtuan edhe vendbanimet të cilët tash janë pa banorë. Një dukuri e tillë ka filluar të jetë e pranishme sidomos në këto dy dekadat e fundit që dëshmohet edhe rezultatete e regjistrimit të popullsisë(1991, 2003, 2011). Pasi, trendi i emigrimit të popullsisë  është bërë dukuri bashkëkohore nga një dukuri e tillë nuk bën përjashtim as  disa vendbanime në komunën e Ulqinit. Por, ishte konstatim i përgjithshëm se ndonëse këto vendbanime për këtë kohë janë pa banorë, ata nuk duhet të fshihen nga regjistri i vendbanimeve, sepse ish banorët aty kanë shtëpiat  dhe pronat e tyre. Një qendrim i tillë ishte me vend sepse  në të ardhmën mund të të ndodhë që të ketë rikthim të ish banorëve, apo vendosjes së të tjerëve në to. Por, pasi, ata vazhdojnë të jenë pronarë legjitim, çështje kjo e cila nuk mund të eliminohet me asnjë vendim administrativ, u vendos qe të jenë pjesë e regjistrit të përgjithshëm të vendbanimeve, në komunën e Ulqinit.

Duke marrë parasysh së në Statutin ekomunës së Ulqinit ekzistonin të evidentuara 39 vendbanime, në cilësinë e këshilltarit të FORCËS, në seancën e Kuvendit të komunës paraqita propozimin me datën   13.4.2011, duke i shtuar numrit ekzistues edhe katër vendbanime tjera që ishin: Selita, Gjonza, Kravari i Poshtëm dhe Rashtisha e Poshtme. Propozimi im pas arsyetimit u miratua njëzëri  nga këshilltarët dhe më pas u bë pjesë e Statutit të Komunës së Ulqinit, përkatësisht neni nr.8(Fletorja Zyrtare e MZ nr.16/11). 

Por, pasi ditë më parë nga shëbimi i Kuvendit arriti akti për Vendimin për caktimin e emrave të vendbanimeve në territorin e Komunës së Ulqinit, në lidhje me këtë çështje  Këshilli për propozimin e emërtimeve të rrugëve, shesheve dhe institucioneve në Komunën e Ulqinit,  mbajti mbledhje me datën 30.5.2016. Pas një diskutimi konstruktiv nga pjesëmarrësit me shumicë të votave, u miratu propozimi qe regjistrit ekzistues ti shtohen edhe shtatë vendbanime të tjera: Amulli i Poshtëm, Bore, Gaçi, Suma, Kodra e Dakajve, Zenelaj dhe Zheji. 

Ndërsa në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Ulqinit të mbajtur një ditë më pas, pra me 31.5.2016, gjatë diskutimit  për këtë pikë të rendit të ditës, duke arsyetuar propozimin e Këshillit, ceka se asnjë regjistër nuk është i përkryer andaj çdo propozim, apo vërejtje është e mirësesardhur, andaj ftova këshilltarët të marrin pjesë në diskutim për këtë çështje. Në diskutim morën pjesë disa këshilltarë, duke paraqitur pikëpamjet e tyre si për numrin e po ashtu edhe për drejtshkrimin e emërtimeve në gjuhën shqipe dhe ate malazeze. Kështu nga këshiltarët u propozu që regjistrit ti shtohet edhe vendbanimi i LULAJVE, që u miratu njëzërit nga këshilltarët duke qenë vendbanimi i 51 në regjistrin e vendbanimeve në Komunën e Ulqinit. Madje, duhet thënë se një vendbanim i tillë në Anë të Malit, ka vlera të veçanta etno-kulturore dhe historike, pothuaj si asnjë vendbanim tjetër në këtë krahinë.

Forma e folur dhe forma e shkruar e emërtimeve

Duke marrë parasysh së emërtimet e toponimeve(emërvendeve) paraqesin vlera gjuhësore dhe historike, duhet të kemi kujdes në shënimin e tyre në formën origjinale ashtu si i shqipton popullata vendore. Por, duke marrë parasysh formën e shkruar të tyre  deri më tash në tabelat rrugore, duhet bërë çmos që ato gabime të mos përseritën edhe në të ardhmen. Kështu p.sh. kemi të shkruar Rashtisha e Epërme, që nuk përkon me realitetin, sepse popullata vendore e quan Rashtisha e Naltë, apo e Sipërme, e jo e Epërme! Në mënyrë identike është shkruar  edhe Kllezna e Epërme, ne vend të Kllezna e Naltë, apo e Sipërme.

C:\Users\123456\Desktop\Foto KN.jpg

Tabelat në vendbanimet  Rashtisha e Naltë dhe Kllezna e Naltë  e shkruar gabimisht  si e Epërme(!?)

Dukuria e përkthimit të emërtimeve

Përkthimi i toponimeve, nuk është dukuri e re dhe e panjohur edhe në ketë mjedis, që dëshmohet me deformime dhe kalka të  ndryshme qe janë të panevojshme. Sepse është dukuri e njohur dhe e pranueshme në vendet demokratike, që toponimet shënohen në formën e folur sipas popullsisë vendore. Por, në komunën e Ulqinit kemi dubleta si Mali i Bardhë-Bijela Gora, Mali i Brisë-Briska Gora, apo forma e dubletës Katërkollë-Vladimir, Millë-Mide etj. Por, me i çuditshëm është përkthim i emrit personal, ku Gjergji na del Gjorgje, rasti Shën Gjergjit në Sveti Djordje, apo Shën Kolli në Sveti Nikolla. Një dukuri e tillë është për çdo kritikë, sepse për raste të tilla, forma me e pranuar është ajo e transkripsionit, duke qenë më afër emërtimit përkatës, duke çmuar formën burimore në të folur dhe në të shkruar. Në rastin konkret nuk paraqet problem transkripsioni i shkronjave sepse të tillat ekzistojnë edhe në gjuhën sllave, por problemi është i natyrës jashtëgjuhësore i diktuar nga faktori politik dekada me radhë, duke deformuar emërtimet përkatëse, përmes kalkave apo dubletave të panevojshme.

Emërtimet ndërkombëtare nuk përkthehën

Rasti i tillë është për hulumtim që dëshmon  në formën me praktike asimilimin, sepse emrat askund nuk përkthen apo deformohen, por shkruhen ashtu si janë në përdorim nga popullata përkatëse. Sepse nuk përkthehet  fjala vjen San Francisko, San Marino, San Remo, San Diego, San Jose, Sankt Peterburg sipas dëshirës së individëve apo administratorëve të ndryshëm por shënohen si të tillë, dhe nuk paraqesin pengesë për komunikim. Madje një veprim i tillë është obligim ndërkombëtar sipas rezolutës së OKB, në lidhje me standardizimin e emërtimeve gjeografike(Gjenevë 1967). Sepse emërtimi i standarizuar është ai emërtim i cili është pranuar nga organet kompetente dhe ashtu në mënyrë unike shfrytëzohet në atë hapësirë gjuhësore.

Eshtë çështje tjetër qasja subjektive, apo veprimi i qellimshëm, për të deformuar toponimin përkatës i cili i takon arealit gjuhësor dhe kulturor të një popullsie tjetër ku raste të tilla në ish-Jugosllavi ka pasur mjaft, ku as Mali i Zi nuk ka mundur të jetë përjashtim. Sepse forma e shkruar në harta apo në aktet e administartës lokale paraqet gjendjen praktike të barazisë gjuhësore e me këtë edhe kombëtare të popullsisë përkatëse në një mjedis të caktuar. Në lidhje me këtë çështje viset dhe vendbanimet shqiptare në Mal të Zi, paraqesin rast tipik për hulumtim jo vetëm gjuhësor, sepse përmes tyre paraqitet në mënyrë praktike pozita, dhe statusi i shqiptarëve në këtë mjedis.

Forma e folur dhe e shkruar 

Edhe pse kemi të bëjmë me një territor  relativisht të vogël sikurse është Ana e Malit ka ndryshime gjuhësore lokale, sepse varësisht prej vendbanimit ka forma të ndryshme të folurit, andaj del se kemi formën e folur dhe formën e shkruar te emërtimit te vendbanimit.Kështu për lartë thuhet naltë përkatësisht forma lokale nelt, por edhe sipër. Ndërsa në këtë aspekt  në Krajë thuhet Ana e Sipërme dhe Ana e Poshtme, qe varët kryesisht nga aspekti relevior i kësaj krahine..

Duhet të konsultohet popullsia vendore

Ne lidhje me përcaktimin e territorit dhe të emërtimit të vendbanimeve popullsinë vendore del  se  nuk e ka konsultuar kush, nga ata qe kanë vendosur në vendosjën e emërtimeve në tabelat rrugore.Andaj, në këtë aspekt ndërmarrja e rrgëve e cila ka ndërtuar rrugën dhe ka vendosur tabelat rrugore e ka obligim të bëjë përmirësimin e tyre, sikurse i emërton popullsia vendore.Në lidhje me këtë çështje dua të ceki se administrata lokale e Ulqinit në lidhje me vendbanimet  . Lisna dhe Bore vazhdimisht i ka paraqitur si një vendbanim si Lisna-Bore, që nuk përkon me gjendjen reale, sepse janë dy vendbanime të ndryshme. 

Madje shikuar historikisht vendbanimi LISËN është më i vjetër, ndërsa BORE shumë i ri i banuar dhe me një shpërndarje hapësinore më të gjerë. Këtu si duket si kriter administrativ është marrë komuna kadastrale, andaj me këtë rast në regjistër i kemi evidentuar si dy vendbanime të veçanta: LISËN dhe BORE, duke bërë eliminimin e një padrejtësie disa vjeçare.

Dr.Nail  Draga

Filed Under: Emigracion Tagged With: Nail Draga

KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

June 28, 2022 by s p

Fortifikime të rëndësishëme prehistorike në rrugë-kalimin Lisus-Skodrion-Dardani nëpërmjet luginës së Drinit janë edhe ato të Ganjollës dhe Pecës, të cilat arkeologët tanë i vendosin në kohën protourbane, parë nga ne si ndërtime pellazgjike. Ndjekim pohimet interesante të arkeologut Bashkim Lahit, i cili në vitin 1988 ka udhëhequr një ekspeditë arkeologjike në Ganjollë:

“…Rrënojat e vendbanimit të Ganjollës ruhen në pjesën e sipërme të një kodre shkëmbore 355 m.mbi nivelin e detit në verilindje të qytetit të  Shkodrës, 8 km në të majtë të rrugës Shkodër-Pukë… Në gërmim u fiksua një shtresë 0,40-1,10 m, që përmbante fragmente qeramike të përdorimit të përditshëm të shek. II-I p.e.s., të përziera me fragmente qeramike të përiudhës së bronzit të hershëm…M.Korkuti pohon se fortifikimi i Ganjollës përfaqëson një nga vendbanimet më të hershme të fazës Tren në pellgun e Shkodrës…S.Islami e cilëson kalanë e Ganjollës si vendstrehim që u shfrytëzua gjatë periudhës së kalimit nga fundi i epokës së bronzit në fillimet e asaj të hekurit. I këtij mendimi është pak a shumë dhe Gj.Karaiskaj…Fortifikimi është ndërtuar sipas sistemit katërkëndësh pseudoizodomik. Themeli i murit përbëhet nga gurë të mëdhenj gëlqerorë, të rrafshuar në pjesën e sipërme dhe, më rrallë, nga shkëmbinj natyrorë…Muri verior është ngritur direkt mbi tabanin shkëmbor, pa themel…muri ruan gjatësi 140 m, lartësi 1,70 m dhe gjërësi që luhatet 4-5 m…Tipologjia e fortifikimit flet qartë për një ndërtim prehistorik. Në anën jugore nuk ka mure por mbrojtja i besohet shpatit të pjerrët shkëmbor… Fragmentet e pakta të qeramikës së bronzit të hershëm, gjetur larg murit, brenda sipërfaqes së banuar, duket se janë elementë të pamjaftueshëm për të dhënë një datim më të kufizuar…Ky lloj dekori (i qeramikës) është gjetur në disa vendbanime nga Dalmacia në Malin e Zi dhe është datuar në fazën e vonë të eneolitit Dalmatin që, sipas kronologjisë sonë, do t’i përgjigjej fillimeve të periudhës së bronzit të hershëm.” 

        Kronologjia e Ganjollës, fillimi i periudhës së bronzit të  hershëm, tipologjia e fortifikimit, gjërësia e madhe e mureve, 4 m, etj, e vendosin atë në një rradhë me fortifikimet e tjera pellazgjike në Iliri, të njëkohëshme me ndërtimet pellazgjike të qytetërimit Kreto-Mikenas.

        Fortifikimi prehistorik i Ganjollës në një kombinim inteligjent me fortifikimin prehistorik të Pecës, siguronin segmentin më të vështirë të rrugës për në Dardani, kordonin malor të rrugës që ndiqte rrjedhën e Drinit, duke lidhur pjesën hyrëse nga ultësira e Lisit dhe Skodrionit me pjesën dalëse në rrafshnaltën e dardanisë, në bashkimin e dy Drinave dhe vazhdimin në luginën e Drinit të Bardhë.

        Arkeologu Luan Përzhita që ka kryer një ekspeditë arkeologjike në vitin 1986 në kalanë e Pecës na informon: “Në pikëtakimin e dy lumenjve Drin i Bardhë dhe Lumë, në një gjuhëz kodrinore me zgjatim nga V-L përballë kullës së Lumës ngrihet kështjella e Pecës, e njohur nga vendasit me toponimet: “Kodra e Pecës”, “Guri i Kalasë” dhe “Çuka e Kalasë”, kufizohet nga tri anët (veri, jug, perëndim) me ujërat e liqenit të Fierzës, kurse në pjesën lindore me fshatin Përbreg nëpërmjet disa kodrinave të buta. Kalaja ngrihet mbi një terren shkëmbor me një pozitë shumë të rëndësishme strategjiko-ushtarake që siguronte kalimin për në zonat fushore dardane, nëpërmjet trasesë së rrugës Lisus-Naisus…Ana veriore e kalasë ka një mbrojtje të sigurtë natyrore nga rrëpirat shkëmbore që zbresin thikë mbi Drinin e Bardhë…shpesh si bazament për ndërtimet janë shfrytëzuar masivet shkëmbore...”

        Luan Përzhita vë re tek kalaja e Pecës atë veçori që karakterizon pjesën më të madhe të fortifikimeve tona prehistorike, të cilat e kanë vazhduar rrugëtimin në histori deri në antikitetin e vonë dhe mesjetë: …vendbanimi i Pecës u rifortifikua më mirë në fillim të shek. IV të e.s… Në të njëjtën rrugë kanë kaluar fortifikimi i Krujës, Çukës së Ajtojt 

       Por ai gjithashtu na tregon se në Pecë, çuditërisht, adhurohej, e ashtuquajtura perëndi greke, Hermesi, hyjnia lajmëtare e Zeusit dhe mbrojtëse e udhëtarëve dhe tregtarëve. Kujtojmë këtu se Hermesi adhurohej edhe në Dardani, të cilën e tregon gjetja në Ulpianë e një shtatore e vogël prej bronzi e Hermesit. Me këtë ai identifikon kalanë e Pecës më fortifikimin antik të Gabuleut: “…Zbulimi në afërsi të Pecës, në fshatin Brut, i një figurine prej bronzi të Mërkurit (Hermesit), hyjnisë mbrojtëse të udhëtarëve dhe tregtarëve…vjen në ndihmë të identifikimit të Gabuleut me Pecën…dhe përputhja e plotë e largësisë së Gabuleut prej 30 m.p. me Therandën e vërteton këtë…”

Description: C:\Users\Besniku\Downloads\l_c4f544b2ee1e3758a5ada17c29461049 (1).jpg

Trakt muri pellazgjik në Kalanë e Pecës – Kukës. 

        Por një rrugëkalim tjetër i rëndësishëm, që ka ekzistuar qysh nga prehistoria, antikiteti, mesjeta dhe deri në ditët e sotme, dhe që ka lidhur Epidamnin me Dardaninë, ka qënë ai i luginës së lumit Mat dhe lumit të Tiranës, i cili kalonte në antikitet edhe ai nëpër territoret e Taulantëve, Parthinëve, Pirustëve dhe Penestëve, i cili në mesjetë njihet edhe si rruga e Arbrit. Fortifikimet që mbronin këtë rrugëkalim mendohet se kanë qënë Zgërdheshi në Krujë,  Xibri në Mat dhe Grazhdani në Dibër. Madje arkeologjia e jonë, për nga rezultatet e kërkimeve, flet për një kulturë të njëjtë me shtrirje Mat-Glasinac, e cila lidh dhe njëjtëson kulturën pellazgjike të Ilirisë së Jugut me Ilirët e Bosnjë-Hercegovinës, apo Daorsët dhe Autariatët antikë. 

        Këtë rrugëkalim arkeologu i shquar Selim Islami e përshkruan: “Kalaja e Xibrit në Mat zinte një pikë kyçe në rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore, nëpër shkallë të Tujanit – Qafë-Murriz-Dibër-Maqedoni.”   Po të vëresh me kujdes traktet e mureve të Xibrit në Mat dhe të Pecës në Kukës menjëherë të shkon mendja, se ato të Xibrit janë të ngjashëm me muret pellazge të Gajtanit, ndërsa ato të Pecës me muret pellazgjike të akropolit të Zgërdheshit. Të kësaj natyre janë edhe gurët në traktin e mureve të Grazhdanit në Dibër. Këto të dhëna i rreshtojnë këto dy fortifikime në ndërtimet pellazgjike.         

Description: DESTINACIONI “KALAJA E XIBRIT”/ FOTO: Ja çfarë mund të vizitosh në Shkodër  – AlpeNews

Trakt muri pellazgjik në kalanë e Xibrit në Mat.

        Një pikë strategjike në rrugëkalimin e Drinit, që lidhte bregdetin me Dardaninë, ka qënë edhe Prizreni. Fortifikimi mesjetar i kalasë së Prizrenit nuk na thotë gjë në këtë drejtim. Por arkeologët e Kosovës, kohët e fundit, mbështetur në gjetjet arkeologjike brenda mureve të kalasë, janë të mendimit se fortifikimi i përket periudhës së bronzit të vonë. Meqënëse gërmimet e deritanishme nuk kanë arritur të gjejnë trakte muresh prehistorikë, kjo mbetet një hipotezë. Ndoshta, fortifikimi i Prizrenit hyn tek ato fortifikime, të cilat pushtimet skithe, apo më vonë romakët, hunët, avarët dhe sllavët, ja kanë shkatërruar muret deri në themel, prandaj edhe nuk gjenden mbetje të tyre.

Description: C:\Users\Besniku\Desktop\KALA  ILIRE\download (7).jpg

Gurë pellazgjikë në kalanë e Grazhdanit – Dibër    

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Origjina e shqiptarëve në katakombet e historisë botërore”)

Filed Under: Emigracion

DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS

June 25, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO/

Nuk dijmë se si e kur do të mbarojë lufta. Përfundimet e saj do të ndikojnë jo vetëm, siç është e natyrshme, mbi barazpeshat ndërkombëtare por edhe – gjë që është më pak e natyrshme – mbi ato të brëndëshmet e demokracive evropiane. Italia është, së bashku me Francën (e cila zotëron institucione më të qëndrueshme), më në dukje. Për praninë, më të shumtë si numër e më të zhurmëshëm, të armiqve të asaj që e quajnë perandoria e së keqes (Shtetet e Bashkuara). Nëse një demokraci nuk është një fuqi e madhe, nëse nuk mund të formatojë kontekstin ndërkombëtar, atëherë është ai kontekst që kushtëzon barazpeshat e saj të brëndëshme.

Për shëmbull, mbas luftës së Dytë botërore Shtetet e Bashkuara farkëtuan, në dritën e vlerave dhe interesave të tyre, në shemëri me Bashkimin Sovjetik, rendin ndërkombëtar. Demokracitë evropiane u përshtatën duke fituar qëndrueshmëri, siguri e mirëqënie. Ka mundësi që lufta në Ukrainë të vazhdojë gjatë. Por një ditë armët, së paku për pak, do të heshtin. E do të bëhet një llogari e parë. Janë tri mundësi. E para është që Ukraina, edhe pa rimarrë të gjithë territoret që Rusia ka pushtuar, të dalë fituese. Për të qënë ende një Shtet sovran që i ka qëndruar me sukses planit të Putinit për t’a fshirë nga harta gjeografike, për të treguar aftësi për të thyer projektin rish-perandorak rus. Mundësia e dytë është që Ukraina, edhe se ekziston ende, sëpaku me emër, do të jetë katandisur në një kandil, makar pa dalje më në det, e paracaktuar të mbijetojë në sajë të ndihmave perëndimore. Rusia do të njihej fitimtare. Moldavia, Polonia e Vëndet balltike do të kishin arsye të dridheshin. 

Mundësia e tretë është një vënd numuro, një gjëndje pa fitues të qartë. Do të rridhte një armëpushim i paracaktuar, shpejt a vonë, të thyhej. Nomenklatura ruse nuk do të mund të lejonte për shumë kohë të mos ishte fituese e sigurtë. Përse vallë gjiganti do të duhet të durojë idenë se nuk arriti të kthejë në një qull ata që i quan insekte të parëndësishëm?

Të mbajmë parasysh dy mundësitë dhe pasqyrimet e tyre mbi Italinë. Një fitore e Ukrainës do të fuqizonte qëndrimet politike të atllantistëve. Një fitore ruse do t’i dobësonte rëndë. Jo të gjithë ata që shpresojnë në një mundje të Ukrainës janë detyrimisht putinianë. Por të gjithë janë kundër-amerikanë. Mendojnë se një fitore e Ukrainës do të ishte një fitore e NATO-s dhe e Shteteve të Bashkuara. Ëndërrojnë një Evropë që, të përzënë amerikanët, të merret vesh me Rusinë. Është një grup i ndryshëm, i përbërë nga paqësorë pak a shumë imagjinarë, putinianë, sektorë të botës katolike e të tjerë ende. Kundërshtia për NATO-n është faktori përbashkues.

Nëse do të fitojë Ukraina, atllantistët, Partia demokratike, Vëllezërit e Italisë e ndoshta – nëse do të dalë – një fuqi e qëndrës, do të përforcoheshin. Nëse do të fitojë Rusia do të jenë kundër-atllantistët të përforcohen, edhe brënda PD e Vëllezërve t’Italisë. Ndoshta vetë drejtuesit  e atyre partive do të kundërshtoheshin për zgjedhjen e tyre atllantike nga kundërshtarët e brëndshëm përkatës. Në kohët e mesme e të gjata, pamja evropiane që do të rridhte nga fitorja e njërit apo tjetrit ndërluftues do të ndikonte mbi barazpeshat politike italiane.

Në ndarjet mbi luftën dallohen në kundërdritë dëshira të ndryshme mbi t’ardhmen e demokracisë. Është e vërtetë se dy ballërat, atllantist e kundër-atllantist, janë të ndarë edhe në brëndësinë e tyre. Por në mënyrë paradoksale, balli kundër-atllantist është brëndësisht më i lidhur. Ndërmjet atyre që tek ne synojnë në dobësimin e rolit të Shteteve të Bashkuara n’Evropë – njëlloj si Mélenchoni e Le Peni në Francë – janë të përhapura parapëlqimet për një shoqëri të mbyllur, fuqimisht të kontrolluar nga Shteti, janë të pakët miqtë e shoqërisë së hapur (të nismave të individëve), si të tilla më të pajtueshme me karakteret deri më sot zotërues në bashkësinë evroatllantike. Një shoqëri e mbyllur, edhe se formalisht demokratike, nuk do të kishte vështirësi për t’u marrë vesh me Rusinë e Putinit.

Në ballin atllantik ka më shumë ndryshueshmëri. Do të shohim nëse shestimi i zgjedhjes atllantike me suksesin zgjedhor në Italinë e Veriut do t’a shtyjë FdI për të braktisur parapëlqimin e së shkuarës drejt disa idealeve shtetëroro-korporativë, pak të pajtueshëm me kërkesat e një shoqërie të lirë e të hapur. Do të shohim nëse rish-atllantizmi i PD do të japë ndihmesën për të zvogëluar hapësirën, brënda e për rreth partisë (shiko CGIL), e qëndrimeve pak të pajtueshme me ato kërkesa. Por mbas këtyre saktësimeve, nuk duket e papranueshme që politika italiane të shtyhet në një drejtim apo në një tjetër simbas përfundimit të luftës. 

Është pastaj mundësia e tretë: lufta vazhdon gjatë dhe ndiqet nga një ngërç e nga pamundësia për të njëmendësuar një fitues të qartë. Në një rast të tillë, përballimi ndërmjet atllantistëve dhe kundër-atllantistëve të shtëpisë sonë nuk do të ndalohej. Pasiguria mbi gjëndjen ndërkombëtare do të derdhej mbi ne duke rritur pasigurinë mbi t’ardhmen e demokracisë sonë.

Nëse do t’ishin vetëm “Idetë e mira” e jo edhe “armët e mira” për të  fituar luftërat, e nëse do t’ishin vetëm idetë e mira për të zhvendosur në një kah apo në një tjetër barazpeshat në brëndësi të një demokracie, do të duhej thënë se kush parapëlqen shoqërinë e hapur, pra aleancën perëndimore është më në dobi sepse zotëron idetë më të mira. Kundëramerikanët i drejtohen historisë  (me H të madhe), për t’i shpjeguar opinionit publik përsenë e natyrës së ndërlikuar të gjëndjes së Ukrainës e përse një humbje e mirëfilltë ruse nuk është e urueshme. Flasin për historinë në të njëjtën mënyrë sikurse flet Putini, si për një rreth të pamëshirshëm e të pandryshueshëm. Por historia e kuptuar kështu nuk ekziston. Ekzistojnë proçeset historike të thurur me vazhdimësi e pavazhdimësi. Ajo e Ukrainës nuk është një luftë civile, sepse ukrainasit ekzistojnë, janë një komb i pavarur e kështu duan të qëndrojnë. Meqë kombet formohen gjithmonë kundër një armiku, Putini ka arritur të fuqizojë kahun e njinjisisë kombëtare të Ukrainës, është vetëmundur, ka  kontribuar, nga 2014 deri sot të shtrembërojë vetë idenë e tij, simbas së cilës”Ukraina nuk ekziston”.

Ka shumë argumenta të mirë për të hedhur poshtë tezat e armiqve të aleancës perëndimore për Ukrainën në shtëpinë tonë, e për të thënë se, për të njëjtat arsye ka ndonjë shkak optimizmi mbi luftën. Armët ruse vështirësisht do t’arrijnë të shkatërrojnë një identitet kolektiv që gjaku dhe zitë kanë përforcuar kaq fuqishëm.

“Corriere della Sera”, 22 qershor 2022    Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Emigracion Tagged With: Eugjen Merlika

NJË YLL MË SHUMË

June 24, 2022 by s p

Faton Bislimi/

“Enough is Enough!” Mjaft është mjaft! Këto ishin fjalët që i paraprinë fjalisë më domethënëse të pesëmbëdhjetë viteve më parë, në mes të Tiranës, nga Presidenti George W. Bush. “Kosova do të jetë e pavarur,” ishte fjalia e artë, mandej.Para Bush, ishte Clinton ai që udhëhoqi NATO-n në luftën e parë në historinë e Aleancës Veriatlantike, dhe atë, pikërisht për clirimin e Kosovës më 1999.Para Clinton, ishte Bush i Vjetër, George H. W. Bush, babai i Bushit të pavarësisë, ai i cili qysh më 1992 i kishte dërguar Jugosllavisë së asaj kohe mesazhin e famshëm të njohur si “Kërcënimi i Kërshëndellave,” me anë të së cilit, Bushi e kishte paralajmëruar Beogradin se në rast të një ndërhyrje ushtarake jugosllave apo serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, Amerika do përgjigjej me vendosshmëri!E, tek krejt këta burrështetas, mesazhi për Kosovën tonë, për popullin tonë shqiptar në Ballkan dhe kërkesat e drejta të tij, ishte sjellë me argument e fakte nga i madhi Joe DioGuardi fillimisht si kongresist në fund të viteve të 1980-ta, dhe në vazhdimësi mandej nga ai e Shirley Cloyes DioGuardi si dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.Por, mund të shkojmë edhe më herët në histori. Para Bushit, mund të kthehemi edhe deri tek Presidenti Wilson, pa vendosshmërinë e së cilit as kjo trohë Shqipëri që u krijua më 1912, nuk do të kishte mbijetuar. Kurse, sot, kemi Presidentin Biden, i cili që nga koha kur ishte senator në vitet e 1990-ta u bë mik i madh e i pathyeshëm i kombit tonë, e vecanërisht i Kosovës!Tash, sa Komisionerë e Presidentë të EC-së ose zyrtarë të lartë të BE-së mund t’i numëroni që me të vërtetë dhe pa asnjë shibël e kanë përkrahë kaq sistematikisht dhe historikisht Kosovën?! Tutje, nëse kthehemi pak në histori, a ishin SHBA-të apo fuqitë evropiane të kohës që vizatuan kufijë në harta për interesa të sllavëve kryesisht e kundër interesave shqiptare?Edhe, a beson ndokush që pa lideshipin e SHBA-ve, BE-ja do kishte mund ndonjëherë të siguronte intervenimin e NATO-s për të cliruar Kosovën nga regjimi gjenocidial i Milosheviqit? Pa vendosshmërinë e SHBA-ve, a thua a do të kishte mundur BE-ja të siguronte marrëveshjen e Ahtisaarit, të pranueshme për shqiptarët? Pa insistimin e SHBA-ve, a thua a do kishte lëvizë BE-ja nga ideja e “normalizimit të marrëdhënjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë” në procesin e dialogut tek “njohja reciproke,” si rezultat përfundimtar i dialogut dhe marrëveshjes gjithëpërfshirëse?!Edhe sot, BE aty ku SHBA s’mund të kenë vendimmarrje direkte, pra, për një cështje të brendëshme të BE-së sic është udhëtimi pa viza në vendet e Schengenit për Kosovarët, BE përsëri na la anash. Na injoroi!Përtej kësaj, a nuk duhet më normale që përkushtimi ynë si Kosovë duhet të jetë për lidhje edhe më speciale e formale me SHBA-të sesa BE-në? Fundja, kujt i besojmë më shumë, Washingtonit apo Brukselit? A ke vend më pro-amerikan se Kosova e komb më pro-amerikan se shqiptarët?Besoj se ka ardhë koha për një platëformë të re kombëtare politike. Ka ardhë koha për një vizion pragmatik për të ardhmen. Ka ardhë koha për t’i dhënë fund pretendimeve të rrejshme e për të kthyer fokusin tek të vërtetat historike. Mund të mos jetë e lehtë, por është e mundëshme: një yll më shumë!Enough is enough, EU!

Filed Under: Emigracion Tagged With: Faton Bislimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • 77
  • …
  • 180
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT