• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Parada Shqiptare”, në Asti, bashkoi patriotët shqiptarë në Itali

September 27, 2022 by s p

Ditën e shtunë, me 24 shtator në Asti, u mbajt “Parada Shqiptare”, e para e këtij lloji në Itali, e organizuar nga Shoqata “Asso Albania Asti-Piemonte” në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Astit.

Në këtë manifestim ishin të ftuar shumë shoqata vullnetare shqiptare nga e gjithë Italia. Edhe pse në një ditë me shi, pjesa më e madhe e të ftuarve ishte në Asti, ku për një moment u shëndërrua në një Shqipëri të vogël kuq e zi.

Komuniteti shqiptar në Parma ishte ftuar dhe u përfaqësua nëpërmjet organizatave “Shkolla Shqipe Scanderbeg dhe Forum Donne Indipendenti. Ndërkohë morën pjesë edhe përfaqësues të Komunitetit shqiptar në Modena, Reggio Emilia dhe Piacenza.

Pika e parë e takimit ishte në Qendrën Kulturore “Margarita Xhepa” ku vizituam dhe pamë ambientet kaq bukur ndërtuar e mirëmbajtur nga vullnetarët dhe familjet shqiptare, klasat e shkollës shqipe, librarinë, sallën e baletit, kuzhinën dhe oborrin mikpritës. Në “Shtëpinë e Shqiptarit” në Asti na pritën, presidenti i Shoqatës “Asso Albania Piemonte – Asti”, z. Marjan Bjeshkëza, koordinatorja e qendrës, drejtuesi artistik i qendrës dhe organizatori i “Paradës Shqiptare” në Asti 2022 z. Hasan Bulçari, stafi përfaqësues dhe vullnetarë.

Ambientet gumëzhinin nga zërat e të rinjve dhe fëmijëve të familjes së madhe shqiptare në Asti, ngjyra e motive shqiptare, muzikë dhe shije të vendit tonë, Shqipërisë. Më e bukura e këtij realiteti qëndron në integrimin dhe bashkëjetesën me qytetin dhe vendasit.

Më pas të gjithë u drejtuam në qendrën e qytetit dhe në një paradë madhështore të udhëhequr nga Kryetari i Bashkisë së qytetit të Astit dhe përfaqësuesit shqiptar e si një lum ngjyrash e tingujsh u derdh mes për mes shtëpive dhe shesheve astixhiane.

Imagjinoni një zemër të madhe shqiptare që rrihte nën ritmin e daulles, muzikës patriotike dhe flamurit kuq e zi… Emocione që nuk do të harrohen kurrë e sidomos nga të rinjtë e fëmijët të cilët ngjanin si shqiponja të lira e krenare.

Asgjë nuk e ndali dot “Paradën Shqiptare” në Asti që përfundoi rrugëtimin e saj në oborrin e Qendrës Kulturore “Margarita Xhepa”. Aty na pritnin pjata të ngrohta shqiptare dhe jo vetëm. Ndërkohë, në pritje të fillimit të koncertit, patëm mundësi të shkëmbenim përshëndetje me të gjithë shqiptarët, të ardhur nga të katër anët e Italisë.

Koncerti i mblodhi të gjithë të ftuarit pranë skenës të përgatitur enkas për këtë rast me artistë shqiptarë.

Një koncert shumë i pasur artistik ku Komunitetin Shqiptar të Parmës e përfaqësoi:

Monika Bekolli në flaut me pjesët: Dua më shumë Shqipërinë dhe me një Kolazh Muzikë Arbëreshë

Musart (Fatma Mema) me këngën Party Musart.

Deana Paja e vetë përgatitur me koreografinë e Olta Shehut “Valle Dasme Shqiptare”.

Falënderojmë organizatorët e “Parada Shqiptare” në Asti 2022 për ftesën dhe organizimin e përpiktë!

Falënderojmë Agjencinë “Kodra Tour” në Reggio Emilia për udhëtimin e qetë dhe gatishmërinë e plotë!

Falënderojmë dhuruesit që garantuan udhëtimin dhe drekën për të gjithë!

Falënderojmë vullnetarët dhe familjet shqiptare për pjesëmarrjen!

Faleminderit për shërbimin fotografik z.Patriot Demaj!

Forum Donne Indipendenti

Shkolla Shqipe Scanderbeg në Parma

Albumi dhe kronika u përgatitën nga E.Lashi

Asti, 24.09.2022

Filed Under: Emigracion

Shqipëria vendi që ka për industri, demagogjinë

September 24, 2022 by s p

Ilir Levonja*/

Viti 2020, një togë policore mësynte këtu aty për gjoja sekuestriminin e pasurisë së paligjshme. Një bjonde, po me flokë të verdha ama, me syze të errta, kapele bejsbolli, njoftonte programin një ditë më herët. Show ishte i garantuar. Kjo në dukje luftonte krimin megjithëse si metodë ishte po aq e paligjshme sa objektet në fjalë. Megjithatë karakteristika e shqiptarëve është të fërkojnë duart. Për ligjin kujtohen kur u bie për pjesë. 

Viti 2022, toga të policisë së përmbarimit mbyllin shkolla private me preteksin se nuk kanë plotësuar kushtet. Po të nisesh me të njëjtat kritere që gjoja i kërkon ministria e arsimit, shkollat shtetërore duhet të mbyllen në masën 90%. Megjithëse viti shkollor 2022-2023 ka filluar, akoma ke shkolla publike, pra shtetërore që nuk janë hapur. Nga ana tjetër godinat e shkollave, kanë qënë një minerë përfitimi fondesh pafund. Kush vjen nga bota e arsimit e di fare mirë se nuk kalonte një fillim viti pa u bërë punime në shkollë. Diku kish rënë suvaja, diku nuk funksiononin banjot, diku prishur parvazët e shkallëve, diku rrethimi etj. Mjafton dy sekuenca të shohësh nga kjo shkolla Turgut Ozal, janë ambjente farmaceutike. Njëqind herë më të mira se shkollat e Edi Ramë. Dhe në këtë konteks, jo rasësisht ka rënë numri i studentëve. Dhe jo rastësisht po mbyllen Fizika dhe Kimia. Megjithatë, sado të përpiqeni ta mbuloni budallallëkun qeveritar, janë qokat karshi Erdoganit. Ju dha spital rajonal në Fier, ju dha dy avionë, ju ndërtoi ca pallate në Laç etj. Erdogani i ka shpallur luftë një teologu me emrin Fetullah Gylen. I trëmbet si dreqi filozofisë së tij, shkollave të tia ku bën pjesë edhe gjimnazi në fjalë. Fetullah Gyleni dhe shkollat e tia veprojnë sot edhe në Amerikë. Nëse do ishin terroristë Amerika do ua kishte treguar vendin. Nuk e bën. E bëri Shqipëria e arnautit Edi Rama. Dhe mirë ai, po si nuk ju vjen turp ju ajka e mësimdhënies që rrini dhe nuk flisni. 

Viti 2022, bota iraniane është sot në një luftë frontale me klanet e pushtetit. Arsyeja, policia morale vrau një shtetase 22 vjeçare për faktin se nga shamia e kokës i kishte rënë mbi ballë një cullufe floku. Shumë habiten kur dëgjojnë se çfarë është policia morale. Një absurditet social i dështimit të një klani pushtetarëh. Asaj fryme maskiliste që sundon vetëm me dhunë. Në Shqipëri ka pasur tentiva për shaminë e kokës, kjo nga fryma erdoganiste aq sa ka arritur deri në fushata synetllëqesh. Prekjen e laicitetit të shkollës me gjoja zgjedhjet për programe fetare, turqishten etj. Madje ka frymëzime se për t’i shpëtuar sllavizmit shqiptarët duhet të konvertohen 100% në myslimanë etj. 

Viti 2022, policia morale e shtetit shqiptar arreston në flagrancë një mjek. Me gjoja agjent të infiltruar etj. Për shkak të një rryshfeti 20 mijë lekësh të reja, apo dyqind mijë, pompoziteti për të treguar forcën. Se në këto 10 vjet qeverisje nuk pamë e dëgjuma sikur një agjent të infiltruar në botën e drogës, të ndërtimeve pa leje, apo pallateve të larta ku gjithë media europiane shkruan se po pastrohen paratë e karteleve të drogës. Nuk pamë një agjent të infiltruar në korrupsionin galopant të lëvrimit të fondeve për minerën e gjoja përpunimit të mbetjeve urbane, plehrave. 

Tani që arrestuat një mjek edhe krimi kibernetik u izolua. Madje grusht bashkuar me Edi Ramën dhe të shkojmë prapë tek godina e re e ambasadës ruse, të vendosim tabelën Ukraina e lirë. Nuk ke çfarë i bën, kjo është Shqipëria vendi që ka për industri, madje tepër të fuqishme, demagogjinë.

Titulli origjinal i autorit: Policia morale e Edi Ramës.

Filed Under: Emigracion

ITShKSh promotor i “Javës Kulturore Shqiptare në SHBA”

September 19, 2022 by s p

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, gjatë javës së ardhshme, konkretisht në datat 20 – 26 shtator 2022, organizon manifestimin “Java Kulturore Shqiptare në SHBA” me një sërë aktivitetesh kulturore e shkencore dhe me promovimin e botimeve ekskluzive. 

Kështu, më 20 shtator 2022 (e martë), ora 7 PM do të ketë vizitë dhe prezantim të aktiviteteve të ITSHKSH-së në Shoqatën Atdhetare DIBRA në Staten Island të Nju Jorkut. Më 21 shtator 2022 (e mërkurë), ora 7 PM, vizitë dhe prezantim i aktiviteteve të ITSHKSH-së në Qendrën Kulturore Shqiptare-Amerikane në Riverdale të Nju Xhersit. 

Më 22 shtator 2022 (e enjte), ora 7 PM, në selinë e Federatës Panshqiptare VATRA në Bronks të Nju Jorkut, do të bëhet promovimi i veprave: “Shkupi, vetë historia e Kosovës” – S. Asani, M. Prishtina, A. Ramaj; “Bisedime mbi -Historin bujqësore të Shqipnis-“ Eqrem bej Vlora; “Adresat e reja të një kujtese” – Skender Asani dhe “Propozime për drejtshkrimin” I-II.

Më 23 shtator 2022 (e premte), ora 2 PM, në Qendrën Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island, do të promovohet libri i ri: “Xhamitë dhe teqetë në Shkup (dokumente, fotografi dhe dëshmi)” nga Skender Asani dhe Nora Maliqi Zylali.

Më 25 shtator 2022 (e diel), ora 1 PM, në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, do të bëhet promovimi: Revistës “Drita e Gonxhes – I -”, dhe veprat “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza” – S. Asani, N. Maliqi-Zylali, A. Ramaj; “Gonxhe Bojaxhiu–Nëna Tereze: ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit” (“Gonxhe Bojaxhiu-Mother Teresa:‘I loved the other with the love of God”-Anton N. Berisha; “Letra të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze” – Anton N. Berisha, dhe “Raportimet e gazetave zvicerane për Nënë Terezën” – Zef Noka.

Më 26 shtator 2022 (e hënë), ora 10 AM, do të vizitohet Seton Hall University – Departamenti i Religjioneve, me të cilin Instituti ynë ka nisur bashkëpunimin gjatë këtij viti.

Ekipi i ITShKSh-së përbëhet nga drejtori Skender Asani, studiuesit Sefer Tahiri, Zeqirija Ibrahimi e Sevdail Demiri, si dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit, Izmit Nura. 

Gjatë këtyre ditëve do të vizitohen edhe qendra të tjera kulturore, shkencore dhe diplomatike në Nju Jork, me ç’rast për herë të parë do të ndahen edhe mirënjohje të veçanta me përçimin e simbolikës së paqes dhe dashurisë së shkupjanes Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë.  

Filed Under: Emigracion

Dhimitër Leka i Himarës që Jeronim De Rada i dedikoi “Këngët e Milosaos”

September 15, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të elitës arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada që ndryshe nga paraardhësit e vet jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Në botimin e parë të librit De Rada ve si epigraf vargjet e poetit grek Pindari: “Muzat, më ndihmuan mua – që me një varg të ri të shndritshëm – ta përshtat ritmin dorik”. Epigrafi jepet në greqishten klasike. Libri i kushtohet Demetrio Lecca dhe ka këtë shënim: “Shkëlqesisë së Tij, Gjeneral Brigadier, Komendator, Zotit Dhimitër Leka, këto këngë, që të jenë dëshmi e lidhjeve shpirtërore me zakonet e lashta ndër njerëzit e shpërndarë të Epirit (Shqipërisë)”.

Po kush ishte Demetrio Lecca/Dhimitër Leka?

Ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare nga Dhërmiu i Himarës, të vendosur në Napoli në fund të shekullit të XVIII. Dhimitër Leka lindi në 24 prill 1779 në Dhërmi dhe vdiq në -Napoli, më 21 prill 1862. Ai bëri një karrierë të shkëlqyer ushtarake duke arritur gradën e gjeneral brigadierit në oborrin e Mbretit të Napolit. Dhimitër Leka u varros në Kishën Ortodokse të Napolit dhe aty gjendet varri sarkofag i tij sëbashku me bustin e gdhendur në basoreliev, vepra të porositura nga i biri i tij Achille Leka. Mnbishkrimi është në italisht : DHIMITËR LEKËS, EPIROT, TENENT GJENERAL I USHTRISË NAPOLITANE, I URDHËRIT TË SHËN GJERGJIT TË BASHKIMIT, DHE SHËN SALVADORE TË GREQISË SHËN ANËS SË RUSISË DHE SHËN MIKELIT TË BAVARISË KALORËS I KRYQIT TË LARTË, LINDUR NË DRIMADHES MË 28 PRILL 1779 VDEKUR NË NAPOLI MË 21 PRILL 1862 _______

ATIT TRIM DHE TË NDERSHËM, AKIL LEKA I NGRE NË KUJTIM.

Në gurrën popullore shqiptare ai përkujtohet nga disa vargje që i ka botuar i ndjeri Llambro Ruci në librin e vet “Zera e Akrokeraunëve”.

Ç‘u hap mandati në drekë,

Hajmedet o Dhimitër LEKË,

Hajmedet se ç’të ka gjetë,

gjëndërali i Bregdetë,

kapetan i mirë me fletë,

në stere edhe ndë detë.

Filed Under: Emigracion

NEW CASTLE NEWS (1930) / RRËFIMI I ANNA CATTELL, MËSUESES AMERIKANE NË SHKOLLËN E VETME PËR VAJZA NË SHQIPËRI : MBRESAT MBI TAKIMIN ME MBRETIN ZOG DHE ZAKONET E DASMAVE SHQIPTARE.

September 12, 2022 by s p


Burimi : New Castle News, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°32
Burimi : New Castle News, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°32

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Shtator 2022

“New Castle News” ka botuar, të mërkurën e 2 korrikut 1930, në faqen n°32, rrëfimin e Anna Cattell, mësueses amerikane në shkollën e vetme për vajza në Shqipëri, në lidhje me mbresat e saj mbi takimin me Mbretin Zog dhe zakonet e dasmave shqiptare, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Mësuesja amerikane zbulon Shqipërinë Graustarke moderne

Burimi : New Castle News, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°32
Burimi : New Castle News, e mërkurë, 2 korrik 1930, faqe n°32

Nga Sally Frank

Korrespondente special e Shërbimit Ndërkombëtar të Lajmeve

Los Anxhelos – Kaliforni, 2 qershor – Historitë e përrallave të Graustark-ut (referencë për librin “Graustark : The Story of a Love Behind a Throne”) u zbehën në të parëndësishme krahas atyre të vërteta të rrëfyera nga zonjusha Anna Cattell, mësuese nga Los Anxhelosi në shkollën shqiptare – Graustarku i sotëm.

“Shqiptar” është emri vendas i vendit që bota e njeh si “Albania”.

Imagjinoni një mbretëri rreth dyfishin e madhësisë së Nju Xhersit pa hekurudha apo rrjet kanalizimesh modern.

Kjo ishte fotografia që pa zonjusha Cattell teksa doli në breg të Durrësit, porti detar i Shqipërisë.

Zonjusha Cattell pranoi një ofertë për të dhënë mësim në të vetmen shkollë për vajza në monarkinë e vogël.

“Ajo botë e çuditshme më pushtoi më në fund,” tha zonjusha Cattell.

“Ishte kënaqësi në fillim. Gjithçka ishte kaq ndryshe — kaq joreale; Rojet me uniforma të librit me tregime më shoqëronin kudo që shkoja, për të më mbrojtur nga banditët — ose më keq — nga ujqërit e malit. Ndonjëherë pyesja veten nëse nuk ishte e gjitha një ëndërr.”

“Zgjimi im erdhi në ditën e prezantimit tim te mbreti. Imagjinoni sikletin tim kur më duhej të shkoja në pallat, e veshur e gjitha me rrobat e mia më të mira, në mjetin e vetëm transportues të shkollës, një kamion dërgesash të cilësisë së vjetër.”

Pasi përshkoi një lumë me rrjedhje të shpejtë dhe udhëtoi shumë kilometra rrugë malore të përdredhura me kamionin e saj, zonjusha Cattell nuk kishte dëshirë të takonte askënd, e lëre më një mbret, tha ajo.

“Por kur u gjenda në prani të Mbretit Zog I të Shqipërisë, i harrova menjëherë vështirësitë dhe u qetësova plotësisht. Sepse Zogu, i lindur si i zakonshëm, është çdo pëllëmbë mbret.

“Zogu shërbeu si president i Shqipërisë pasi vendi u çlirua nga 500 vjet sundim turk, nga lufta ballkanike në 1912.”

“Më pas, për shkak të popullaritetit të tij universal, ai më vonë u kurorëzua mbret gjatë restaurimit të monarkisë.”

Mbreti dëshiron të fusë zakonet perëndimore në vendin e tij. Ai është përgjegjës për themelimin e shkollës ku ajo (zonjusha Cattell) dha mësim dhe ku katër motrat e tij të pamartuara dhe dy mbesat ishin nxënëse.

Zogu po përpiqet të heqë edhe ferexhenë. — deklaroi zonjusha Cattell. Në Shqipëri, të rejat e pamartuara mbajnë çarçaf të bardhë, duke lënë të hapur vetëm sytë. Gratë e martuara veshin ferexhenë që mbulon kështu të gjithë fytyrën e tyre.

Ky është një zakon që u shfaq në Shqipëri gjatë 500 viteve të sundimit turk dhe për ta dekurajuar atë, mbreti nuk e lejon nënën, motrat ose asnjë anëtare femër të oborrit në asnjë moment të vishet me ferexhe.

“Martesa është e rëndësishme në Shqipëri ashtu siç është në Amerikë”, tha Zonja Cattell, “Të gjitha martesat rregullohen nga nënat dhe shumë shpesh çifti i lidhur e sheh njëri-tjetrin vetëm një ose dy herë para ceremonisë.”

“Vajzat zakonisht martohen sipas radhës — më e madhja e para dhe më e reja e fundit. Nëse vajza e madhe nuk dëshiron të martohet, motra e saj më e vogël duhet të marrë leje nga vajza e madhe përpara se të martohet.”

“Më pëlqen një vajzë amerikane që pret të vendosë të martohet.”

“Dasmat shqiptare bëhen gjithmonë të dielën dhe festimet zakonisht fillojnë rreth një javë para dasmës. Të shtunën, gratë e ftuara e veshin nusen me rroba të vjetra dhe e lyejnë fytyrën e saj për ta bërë atë sa më të frikshme. Në mesnatë ajo duhet të shkojë e vetme në një pus të vjetër atje për të pritur fatin e saj.”

“I ftuari organizon një sërë marifetesh për të luajtur njërin prej tyre, njërin kur shkon atje dhe e gjithë performanca është mjaft e mundimshme për vajzën.”

“Pastaj, të dielën, ajo vesh fustanin e saj të nusërisë, i cili është i qëndisur në mënyrë të mrekullueshme me shumë mantele për ta mbajtur atë, dhe e çojnë atë me sy të lidhur nëpër rrugë deri në kishë”.

Shqiptarët kanë një pikëpamje mjaft cinike për dashurinë dhe martesën, pasi zonjusha Cattell thotë se asnjë pajë nusesh nuk është e plotë pa një mëndafsh të hollë të bardhë për ta mbështjellë veten dhe burrin e saj në momentin e vdekjes.

“Me sa duket ata mendojnë se martesa është fillimi i fundit,” tha zonjusha Cattell.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Aurenc Bebja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 187
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!
  • PERSONALITETE TË MËRGATËS SHQIPTARE NË MICHIGAN VIZITUAN KISHËN ORTODOKSE SHQIPTARE TË SHËN THOMAIT
  • VATRA CHICAGO ORGANIZOI “ALBANIAN BOOKFEST 2026”
  • U FESTUA NË NEW YORK 115 VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • ROLI I KONTIT LEOPOLD BERCHTOLD NË ÇËSHTJEN SHQIPTARE
  • Pashk Përvathi, poeti i peizazhit, virtuozi i ngjyrave të thella dhe dritës së vezullimtë të natyrës
  • Hormuzi – “Çil e mbyll”
  • Repertori i Mjeshtrit të Këngës Hajro Ceka bashkon Kombin
  • Vetëdija jonë kombëtare…
  • Kontributi për kulturën arbëreshe – thesar edhe për brezat që vijnë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT