• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ËSHTË I MUNDUR NJË GRUSHT SHTETI KUNDËR PUTINIT?

March 6, 2022 by s p

Nga PAOLO VALENTINO

Mësymja kundër Ukrainës do t’i ketë kushtuar deri tani Rusisë më shumë se dhjetëmijë të vdekur. “Kemi patur një numër humbjesh të llahtarëshme: në vetëm një javë kemi humbur të njëjtin numër të ushtarëve të misionit në Siri për tetë vite” vënë në dukje për Corrieren burime ushtarake ruse.

Po të vërtetohet, do të bëhej fjalë për një shifër të tmerrshme, që flet shumë për vështirësitë e hasura nga ushtria e Kremlinit, megjithë epërsinë mbytëse në mjete e në njerëz. 

Por mbi të gjitha është një shifër që shumfishon problemet e Vladimir Putinit, në lidhje me bastet e jetës. Atë që mund t’a shuguronte si rimëkëmbësin e Rusisë së Shenjtë, Carin që ka bashkuar Botën Ruse, siç ëndërron. Ose mund t’i japë një goditje ganduese prestigjit dhe autoritetit të tij, deri n’atë pikë sa të bëjë t’i lëkundet pushteti.

Lajmet nga terreni thonë se komandat ruse kanë ndryshuar taktikë e që tani vija e sulmit po bëhet më mizore, më pak e kujdesëshme për çmimet qytetare të bombardimeve. “Putini don një fitore ushtarake dhe e don shpejt, përparësia është bërë pushtimi i Kievit”, thonë burimet, simbas të cilëve regime change, ndryshimi i regjimit me përzënien e Zhelenskit, i vënë si synim në fillim, nuk është më i dëshirueshëm nga Kremlini. Përkundrazi, “Një fitore ushtarake do të lejonte detyrimin e kushteve të një marrëveshjeje me qeverinë e sotme.”

A është i qëndrueshëm Vladimir Putini, mbi bazamentin deri tani të paprekshëm e të paprekur, mbi të cilin  prej më shumë se dy dhjetëvjeçarësh “mbretëron” mbi Vëndin me njëmbëdhjetë orë të ndryshme. Apo edhe për të do të vlejë ligji i pashkruar nga autokratë e diktatorë, fati i të cilëve shpesh ndërthuret me aventurat ushtarake?

Përgjigja e parë e shumë analistëve dhe sipërmarrësve është që Putini është ende në kontroll të plotë të të gjitha levave të pushtetit, e veç asaj ka një bazë të fuqishme të opinionit publik që i miraton vendimet edhe në sajë të forcës e depërtimit të propagandës së tij. “Ka një pushtet të plotë – thotë një biznesmen italian prej shumë vitesh në Rusi – dhe edhe se gjëndja po i shtyn disa nga oligarkët të shprehin pakënaqësi, këta zëra nuk kanë  asnjë mbështetje politike ose ushtarake”.

Sigurisht e bën të fortë edhe njëfarë mosbesimi i thellë që përshkon një pjesë të popullsisë ruse, sa i përket mundësisë së një ndryshimi: “Bombardimi i Kievit është një goditje për shumë rusë, që atje kanë t’afërmit e miqtë. Por shumica nuk proteston, ka një pandjesi të thellë sepse janë të bindur se nuk vlen gjë, se gjithshka është e vendosur nga Putini dhe nga pesë o gjashtë shumë të besuarit e tij që e përkrahin”

Por askush nuk mohon krikëllimat, fërgëllimat, shënjat që diçka po lëviz brënda një Vëndi që zbret dalngadalë drejt një faze pasigurie, ashpërsie ekonomike e veçimi  nga bota. Janë 6000 arrestimet e forcave te sigurisë në pak ditë të manifestimeve të vetvetishme. Është dridhja e peticioneve e letrave të hapura, samizadt-et bashkëkohorë kundër luftës, që lulëzojnë nga një cep në tjetrin të Vëndit, për të gjitha ato ajo e kundërshtarit Lev Schlossberg, që ka mbledhur 700.000 firma. Janë qëndrimet paqësore dë disa oligarkëve. Si Fridman e Deripashka, të 300 të zgjedhurve vendorë që kërkojnë të bisedohet, të personazheve të sportit e të artit, të tre komunistëve të Dumës që kanë thënë se kanë votuar “po” për njohjen e dy Republikave të Donbasit “n’emër të paqes e jo të luftës”. Ose dhjetramijrat e postimeve mbi mediat sociale, që ftojnë të pushohet agresioni. Dhe janë lulet, mijra buqeta të depozituara në ambasadën e Ukrainës në Moskë.

“Un besoj se Putini mund të bjerë, por jo tashti, duhet kohë”, thotë Valerij Solovej, politolog e historian, që ka drejtuar Departamentin e Çështjeve Institucionale, të famshmin MGIMO, Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Moskës, më parë se të largohej nga puna për opinionet e tij të pavarura. Simbas studjuesit, “gjëndja është e paracaktuar të rëndohet, lufta n’Ukrainë godet ndërgjegjen tonë dhe nivelin tonë të jetesës e do të ketë pasoja shoqërore dhe ekonomike, që mund të shpërthejnë në kriza politike”. Solovej e quan pakënaqësinë e elitave, oligarkive, dhe sipërmarrësve, një faktor i rëndësishëm e vendimtar: “Në lëtë çast nuk janë të gatshëm të flasin me zë të lartë, por nëse shmangia vazhdon  do të mundeshin të bashkoheshn, kanë lidhje me disa grupe politike dhe së bashku mund të ushtrojnë një trysni tepër të fuqishme mbi Putinin. Por kjo nuk mund të ndodhë para vjeshtës, regjimi është i fuqishëm  dhe shtrëngon vidhat e shtypjes, ka treguar se nuk është i gatshëm të durojë asnjë kundërshti”

Është edhe çështje besnikërie e aparateve të sigurisë, mbi të cilët Putini mban një zotërim të plotë e të pakontrolluar: “Ai do t’ishte në rrezik nëse elitat do të përceptonin se nuk ka më mbështetjen e shërbimeve dhe në të njëjtën kohë të vërtetoheshin protesta masive të popullsisë së pakënaqur”, thotë Abbaz Galljanov, një analist që ka bërë speechwriter për Putinin e tani punon si këshilltar politik i pavarur. Dhe shton: “Nëse do t’a shihnin mjaft të dobësuar e po të bindeshin se mund t’a bëjnë pa rrezik, atëherë elitat do të mund të tradhëtonin Putinin. Por nuk është për nesër”.

Siç na mëson historia, kur Rusia hyn në një smutnoe vremja, në një periudhë të turbullt, janë bujarët ata që përfundojnë së hequri qafe Carin.

“Corriere della Sera”, 2 mars 2022    Përktheu Eugjen Merlika     

Filed Under: Emigracion

Kryetari Glauk Konjufca: Fjalët janë tokësore, e sakrifica e Jasharajve është e përtejme

March 5, 2022 by s p



5 Marsi
Jam përpjekur deri sot me qindra herë të shkruaja për 5 Marsin, por nuk kam mundur. Jo pse nuk ia kam filluar, jo pse s’kam provuar, por pse nuk ia kam dalë kurrë.
Sido që filloja, ngado që ia nisja, kahdo që vazhdoja, fjalëve iu ndodhte një ngërç i pashmangshëm, i pashpjegueshëm, një tjetërsim i predestinuar. Asnjë renditje e tyre nuk më bindtte që mund ta përfshinte të plotë aktin e flijimit të Jasharajve.
Dhe aty e kuptova që fjalët janë tokësore, e sakrifica e Jasharajve është e përtejme.
Në tokë vlejnë ligjet fizike të vdekatarëve e 5 Marsi i takon një dimensioni tjetër.
Asnjë fjalë, asnjë mendim, asnjë shprehje, hiç asnjë këngë, kurrnjëfarë arti apo vepre çfarëdoqoftë – nuk është e aftë ta prek palcën e kësaj sakrifice.
Asnjë falënderim nuk mund ta shterë flijimin të cilit duam t’i falemi.
Nuk ka përkulje që të mund të jetë aq e thellë sa ta përçojë pietetin meritor.
Nuk ka mirënjohje aq të lartë sa  t’ia jep hakun rënies së tyre heroike.
Kjo ndodh meqë 5 Marsi është akti suprem i lirisë sonë kombëtare.

Ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët me të cilën filloi shekulli XX ishte pavarësia e Shqipërisë, kurse ngjarja më e rëndësishme me të cilën u mbyll ky qindvjeçar ishte çlirimi i Kosovës.
E ngjarja më e rëndësishme brenda çlirimit padyshim që është rënia heroike dhe sakrifica kolosale e Jasharajve me në krye Komandantin legjendar, Adem Jashari.
Çlirimi është liri de fakto. Kurse pavarësia është liri de jure.
Të jesh çlirimtar do të thotë të jesh i gatshëm deri në fund brenda të drejtës.
Më 5 Mars të vitit 1998 krejt kombi shqiptar dhe fati ynë varej në idealin Jasharajve.
Kulla e tyre u shndërrua në shtëpinë e kombit.
Kurse flijimi i tyre u kthye në frymë të çlirimit.
Deri më 5 Mars e kemi dëshiruar lirinë.
Pas 5 Marsit liria na ka përshkuar neve.
Ajo është bërë princip i shpirtit tonë kolektiv.
Deri më 5 Mars kemi menduar se heronjtë janë individë.
Pas 5 Marsit dëshmor u bë krejt populli.
Deri më 5 Mars çlirimi ishte përpjekje dhe mundësi.
Pas 5 Marsit çlirimi u bë imperativ.
Rënia e Jasharajve e bëri ushtri UÇK-në.
Ajo popullin e ktheu në një bashkësi e cila jetën nuk e kupton si diçka që mund të shpëtohet, por si më të çmuarën që duhet të jepet. 
Deri më 5 Mars donim të fitojmë.
Pas 5 Marsit nuk mund të humbnim më.
Sepse krejt populli u bë UÇK. 
Por historia e vështirë e popullit tonë na mëson se asnjë akt, sado i lartë të jetë, nuk fillon si pikënisje absolute nga asgjëja.

Adem e Hamëz Jashari me në krye Bacën Shaban, e gjithë familja ishin të mishëruar me lavdinë dhe guximin e Skënderbeut dhe vizionin e Hasan Prishtinës.

Ata ishin të brumosur me përpjekjen e gjatë e të pamposhtur të popullit tonë për t’u çliruar nga sundimi i huaj.

Ata familjarisht e sublimojnë në mënyrë ideale gatishmërinë më të lartë në kombin tonë për të mos kursyer asgjë për lirinë.

Lufta jonë çlirimtare, Ushtria e Lavdishme Çlirimtare e Kosovës, dëshmorët e martirët tanë që e dhanë jetën për lirinë tonë, janë vlera jonë më e shenjtë kombëtare.

Sepse ajo është gjaku dhe shpirti i atdheut.
Janë krejt çka jemi dhe krejt çka kemi.
Lavdi Jasharajve heroikë!
Lavdi dëshmorëve të rënë!
Lavdi të gjithë atyre që e dhanë jetën për lirinë e kombit tonë!

Filed Under: Emigracion

ADEM JASHARI NË KOSOVËN E PASLUFTËS

March 5, 2022 by s p

Nga Jusuf BUXHOVI/

Opinioni kosovar prej kohësh është i mbërthyer brenda kllapave: presidenti historik dhe komandanti legjendar. Realiteti brenda të cilave sot jeton qytetari ynë në vazhdimësi bën trysni mbi ndërgjegjen e tij historike sa epitetet e tilla duken si eufemizma që mbulojnë një gjendje irracionale të jetës shoqërore të këtij aktualiteti tonë. Sa më shumë kohë që shkon dhe sa më shumë që konsolidohet një proces historik gjithnjë e më shumë vjen duke u kristalizuar ndërgjegjja historike, e cila shtron shumë imperativë jo vetëm nga individë dhe grupime shoqërore, por edhe nga qytetari i zakonshëm, të bëjë një ridimensionim të këtij procesi historik. Kush është në të vërtetë komandanti legjendar Adem Jashari në këtë kostelacion të ndryshueshëm mental, cila është përmasa e tij reale dhe vendi në këtë proces historik? Dy janë pozicionet reale: a)Madhështia e sakrificës, dhe b)Roli i tij në formacionet së pari politike e së fundi ushtarake. Adem Jashari, si prijatar i gjithë familjes Jashari, së bashku më të vëllain, Hamzën, për shkak të një sakrifice të jashtëzakonshme, që tejkalon modelin e Oso Kukës, ofron shembullin e sakrificës sublime për një ide, idenë e shtetit të Kosovës dhe lirisë së popullit të Kosovës. Në këtë sakrificë kaq të dhembshme sa është shndërruar në një metaforë që përfshin sakrificën kolektive pa çmim, për një ideal. Përmasa e kësaj sakrifice ka bërë që emri i Adem Jasharit, që nënkupton të gjithë familjen, të marrë një referencialitet jo vetëm politik, por edhe shpirtëror. Nuk është i rastit lindja edhe sloganit të njohur, me rastin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur: “Bac, u krye!”, e cila më vonë pëson modifikime të ndryshme, por gjithnjë duke ruajtur në thelb atë mesazhin kryesor se sakrifica është me vend apo edhe se ajo po shpërdoret. Mirëpo, esenca e mesazhit mbetet e pandryshuar: ideali për të cilin u bë sakrifica duhet të jetë i përhershëm dhe se është figura e tij duke u mitizuar është ngritur në piedestalin e lirisë prej nga sheh gjithçka dhe që na qorton. Mirëpo, figura e Adem Jasharit, duke qenë se është reale, se ka një histori, e cila ka pësuar transformime të ndryshme, na detyron ta trajtojmë këtë histori të personalitetit brenda një kornize reale aq sa edhe historike. Adem Jashari, Hamzë Jashari dhe e gjithë familja Jashari që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta ka qenë e angazhuar në procesin politik të shtetndërtimit, të cilës i ka prirë LDK-ja. Madje në këtë angazhim shtetndërtues kjo familje është dalluar për seriozitetin e angazhimit, qoftë kur është fjala për organizimet e aktivitetit në nivel politik, por edhe në nivele të tjera, siç është kontributi i Rifat Jasharit rreth Fondit të Republikës së Kosovës, i cili më vonë në mënyrë pezhorative u quajt si “Fondi i Tre përqindëshit”, që realisht i mbante gjallë segmentet kryesore të jetës institucionale në Kosovën e atëhershme. Mirëpo, aktiviteti i tij nuk përmbyllet vetëm në aktivitetet rreth përditshmërisë politike në jetësimin e një projekti ideal, sepse përfundimi i këtij procesi kërkonte edhe angazhime të formave të tjera. U pa qartë se pa një veprim ushtarak nuk mund të jetësohet deri në fund projekti historik i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Me kohë, duke evoluar proceset, edhe lëvizja shqiptare në Kosovë për pavarësi ndryshoi modalitetet e veprimit, duke e hetuar qartazi se pavarësia nuk mund të realizohet vetëm me metoda paqësore. LDK-ja madje që vitet e hershme e kishte të ashtuquajturin planin “B”, domethënë organizimin ushtarak. Opinionit tonë nuk i është shumë e njohur një marrëveshje midis dy shteteve, atij shqiptar me atë kosovar për një bashkëpunim ushtarak, problematikë kjo që shtrohet te vepra “Kosova” në pesë vëllime si dhe në botimin anglisht. Prandaj Adem Jashari është ndër prijatarët e zbatimit të marrëveshjes mes dy presidentëve, Ramiz Alisë dhe dr. Ibrahim Rugovës, për përgatitjen e formacioneve ushtarake dhe shndërrimin e tyre në formacione operative që në rrethana të caktuara do të futen në territorin e Kosovës dhe do të merren me organizimin e luftës në të gjitha nivelet. Të gjithë e dimë përbërjen e formacionit të djemve të rinj që ushtruan në Surrel, midis të cilëve shquhen Adem Jashari, Sali Çekaj, Zahir Pajaziti dhe shume emra të tjerë që me të drejtë trajtohen si nismëtarë të organizmit ushtarak në territorin e Kosovës. Cili ka qenë roli i Adem Jasharit dhe i këtij formacioni ushtarak mbetet që më vonë të trajtohet nga historiografia ushtarake, e cila do të merret me shqyrtimin e strategjive dhe doktrinave ushtarake që do të zbatoheshin në rast të fillimit të luftës në Kosovë, gjë që e cila edhe ndodhi. Mirëpo, një gjë është e qartë: lufta në Kosovë momentin e vet të fillimit e ka në sulmin e policisë dhe ushtrisë serbe mbi familjen Jashari dhe me sakrificën e Jasharajve. Roli i Adem Jasharit në këtë luftë është trajtuar në mënyra të ndryshme. Rënia e tij jo në ditët kur ndodhi sakrifica e madhe, por pak kohë më vonë, filloi të mistifikohet dhe vetë personaliteti i tij të vishet me një vel mistik sa që për një kohë të shkurtër nga realiteti historik kalon në legjendë. E vërteta është se Adem Jashari e filloi luftën, por jo bashkë me formacionet ushtarake, si ato të Labinotit e as të tjera, që u formuan paralelisht, me synimin që ta zënë një hapësirë boshe e krijuar atëherë nga paqartësitë edhe te subjektet tona institucionale, por edhe nga vetë defensiva e faktorit ndërkombëtar në raport me zhvillimet e reja. Në këtë konstelacion figura e Adem Jasharit na del tejet komplekse. Në njërën anë, ai vishet me një vello legjende, duke ia mbyllur një histori të jetës dhe të veprës, dhe në anën tjetër, megjithatë, si personalitet i mistifikuar apo pa këto elemente, ai mbetet një nyje kyçe në zhvillimet ushtarake. Është e vërtetë se ai i ka takuar vetëm një formacioni ushtarak, grupacionit që në vijën institucionale është dërguar të ushtrojë në poligone të ndryshe ushtarake me qëllim që të krijohet një kuadër i përgatitur për ta organizuar dhe zhvilluar një luftë çlirimtare. Si i tillë ai ishte dhe duhej të mbetej një ndërlidhës, personalitet që si pak kush do të mundësonte të lidhej politika me luftën. Dihet mirëfilli për një dhjetëvjeçar është zhvilluar një politikë dhe një proces shtetndërtimi, ku në sipërfaqe ka qenë parimi i politikës pa luftë. Pas disa viteve në sipërfaqe del koncepti tjetër, prapë i çalë, i luftës pa politikë. Këto mangësi sot po i vuan shteti i ri sepse në momentet kyçe të historisë nuk arriti të bëjë një unifikim, një front të përbashkët lufte dhe një përfaqësim politik. Ky vakum, të cilin është përpjekur ta përmbush personaliteti i Adem Jasharit, por që mbeti i parealizuar për shkak të ngjarjeve në të cilat rolin kryesor e pati Adem Jashari dhe familja e tij. Po të përmbushej ky vakum institucional sot as do të kishte nevojë për gjykata speciale e as për status dualiteti të shtetit, sovraniteti i të cilit jo vetëm se është i brishtë, por cenohet në të gjitha mënyrat. Vetëm me Adem Jasharin, si personalitet pa aureolë mitike e legjendare, Kosova do të kishte atë homogjenitetin e domosdoshëm politiko-ushtarak, të cilin nuk e ka dhe për të cilin sot po paguan një tagër të rëndë. Vepra dhe jeta e Adem Jasharit nga pozicioni i sotëm shtron nevojën për një rishqyrtim të pozicionit që domethënë heqjen e aureolave të tymit mbi të dhe kthimin e meritave reale historike. Nëse vitet e nëntëdhjeta, deri në shpërthim të luftës, janë shquar më një homogjenizim nacional para rrezikut të mundshëm të një konflikti më të gjerë që do të pasonte pas dekompozimit të ish federatës jugosllave, me fillimin e luftës ky lloj homogjeniteti ra, u bë fragmentimi i forcave politike dhe i popullatës në përgjithësi, duke e kaluar popullatën nëpër Kalvarin e një përndjekje që e quajtën biblike, periudha e pasluftës kaloi në përpjekjen për monopolizim të institucioneve në fillim parashtetërore e pas shpalljes së pavarësisë edhe shtetërore. Prandaj ky despotizëm që po e karakterizon gjendjen e këtij shteti është pasojë edhe e mjegullimit të rolit të personaliteteve të caktuara që na i dha ajo periudhë e vrullshme. U harrua sakrifica e madhe e Jasharëve, Deliajve, Ahmetajve dhe e Reçakut, që ishte uvertura për një ndërhyrje ushtarake të Perëndimit në emër të shpëtimit të një populli nga gjenocidi. E vërteta është se Adem Jashari dhe familja e tij, bashke me shume familje të tjera të njohura të Kosovës, ranë në emër të shtetit, në emër të përfundimit të një procesi historik të filluar nga shumë breza para nesh për një shtet që dikur quhej Dardani dhe që ishte epiqendër e zhvillimeve botërore. Kështu, Adem Jashari mbetet shembull i sakrifikimit për shtetin. Edhe të gjithë luftëtarët e tjerë që dhanë këtë e vetë e dhanë pikërisht për këtë shtet, që duhet të jetë shenjtëri. Klasa e sotme politike e ka harruar mesazhin e përjetshëm të sakrificës së Jasharëve dhe të familjeve të tjera, duke e shndërruar këtë shtet në një monedhë për kusuritje për shkak të ambicieve vetjake, në një projekt që nuk po i dihet fundi. Me tradhtinë ndaj amanetit të Jasharëve nuk po tradhtohet vetëm mesazhi i një sakrifice, por edhe një investim ndërkombëtar. Miqtë tanë ndërkombëtarë, falë të cilëve na sot e kemi këtë shtet, janë shumë të dëshpëruar me ne, me mungesën e logjikës së shtetformimit, me personalizimin e pushtetit, me monopolizimin e institucioneve. Dhe që të gjitha këto janë larg praktikave demokratike të botës . Ky vend nuk ka nevojë për praktika revolucionare, nuk ka nevojë për ikonografi dhe stoli revolucionare, të cilat nxjerrin në pah një gjë: monopolin mbi të vërtetën e aq më tepër monopolin mbi pushtetin institucional të të gjitha niveleve. Sukseset në jetë nuk maten me disfata po me fitore. Është koha që kjo mendësi sllave të hiqet nga të menduarit tonë për historinë dhe filozofia jonë historike. Ridimensionimi i një procesi historik dhe i figurave përfaqësuese të saj shtron një nevojë të paevitueshme: kthimin e dëshmorëve dhe gjithë atyre që kanë luftuar për shtetin e Kosovës nga prona partiake në pronë të përgjithshme se ata janë personalitete që dolën prej popullit dhe duhet t’i kthehet popullit, të jenë pronë e të gjitha partive e jo instrumente për luftën për pushtet. Vetëm kështu mund të kemi histori reale dhe një të ardhme jokonfliktuale. Herëdokur do t’iu jepet llogari brezave që vijnë për veprimtarinë e sotme. Njeriu e jeton jetën që të dalë faqebardhë para brezave që vijnë.

Filed Under: Emigracion

Paqja është synimi i fesë

February 24, 2022 by s p

Imam Gazi Aga/

Paqja eshte synimi i fese. Ne paqe ka vec miresi. Profeti Muhamed a.s. gjithmone paqen ka synuar. Ne paqe ka jete, ka dashuri, ka fe, ka kulture. Pavaresisht kostos, njerezimi gjithmone duhet te punoje per paqen.Sipas Bediuzamanit lufta me arme ka mbaruar, sepse Islami nuk lejon lufte ku vdesin te pafajshem dhe sot nuk mund te kete nje lufte ku nuk vdesin te pafajshem.Ajo qe nisi ne Ukraine mund te rezultoje ne katastrofen me te madhe te dekadave te fundit per Ukrainen, vete Rusine, Europen dhe Ballkanin. Eshte e lehte te flasesh per lufte nga Facebooku por ara qe e perjetojne jane femijet, grate dhe te moshuarit. Edhe vete ushtaret e te gjithe vendeve nuk jane te lumtur nga lufta. Ajo qe ndodhi ne Siri dhe Afganistan nuk la te lumtur me pas, por vec tragjedi.I lutem Zotit per urtesi dhe vetepermbajtje.I lutem Zotit per civilet, te dobetit dhe te pafajshmit.I lutem Zotit per paqe dhe ndalim te luftes.*Sot ngritem flamurin e Kosoves ne Waterbury, Connecticut. Kujtuam civilet qe u vrane. Kujtuam nje brez te tere qe lindi ne male. Kujtuam civilet e vrare. Kujtuam grate e dhunuara. Kujtuam paqedashesit shqiptar ne Kosove. Kujtuam dhuraten e madhe te pavaresise dhe paqes.I kujtuam dhe falenderuam Zotin per gjithcka i dha popullit shqiptar.

Filed Under: Emigracion

Manifestimi i “17 Shkurtit” – Pavarësisë së Kosovës, nga shkolla Shqipe në Bavari të Gjermanisë

February 20, 2022 by s p

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Mësimi dhe ruajtja e gjuhës shqipe në Diasporë është obligim për ne

Më 19 shkurt, në Republikën e Bavarisë në Gjermani, përmes platformës onilne u mbajt manifestimi për Pavarësinë e Kosovës- “17 Shkurti”, të përgatitur nga nxënësit e shkollës shqipe në Bavari, nën përkujdesjen e mësimdhënësve, të cilët sollën një atmosferë të mrekullueshëm festive. 

Një imazh që përmban dysheme, mjedis i brendshëm

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Manifestimi filloi me himnin Kombëtar dhe atë Kosovës, me urimin e nxënësve, “Urime Kosovë Republika”! Vazhdoi me falën përshëndetëse të kryetarit të LAPSh-it Milazim Ukaj, i cili përshëndeti përfaqësuesit institucional, nxënësit, mësimdhënëset dhe prindërit, si dhe i inkurajoi për punën dhe vullnetin e tyre për ruajtjen e gjuhës amtare dhe më pas foli për ditën e shenjtë, heroizmit e popullit që bëri për Pavarësinë e Kosovës, luftës së saj për liri, që ne sot e gëzojmë.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe sportit të Republikës së Shqipërisë, znj. Nina Guga pos tjerash tha: Diaspora shqiptare, kudo që është, është një dhe e pandarë e cila është një pasuri e kombit tonë! Mbështetja jonë institucionale për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe të ndërgjegjësimit i prindërve shqiptarë, kanë rendësi në shërbim të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe kombëtar. Ajo cilësoi angazhimin e mësimdhënëseve, që ua ofrojnë nxënësve në diasporë konsiston me ruajtjen e gjuhësh shqipe, po ashtu foli dhe për bashkëpunimin e ngushtë në mes dy qeverive; të Tiranës dhe të Prishtinës! Foli për komisionet dhe hartimin e teksteve të përbashkëta, ku më 2021 është hartuar teksti i përbashkët nga dy vendet tona, libri i nivelit të parë, për gjuhë, kulturë e histori, që përfshin grupmoshat nga klasa e parë deri në të tretën, si dhe më parë kemi hartuar Abetaren e përbashkët dhe korrikulen, ku ju njoftoj se nga viti i ardhshëm, për dy vendet tona do të kemi abetaren e përbashkët me moto “Një Komb një Gjuhë”, tha ajo.Një imazh që përmban mur, person, mjedis i brendshëm

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

 Zëvendësministri i MASHT i Republikës së Kosovës z. Dukagjin Pupovci, pasi pasqyroi rëndësinë e shtetit të Pavarur të Kosovës dhe rrugëtimin e tj deri te Pavarësia, ndër të tjera tha: është mirë të kujtojmë se Kosova para 23 vitesh, ishte në prag të luftës së përgjakshme, që do të rezultonte me mijëra viktima, e ku jemi sot! Ajo që na ka munguar dje, sot është liria parakushti themelor, që të zhvillohemi si shtet. Ndër të tjera shtoi, se mërgata jonë ka pasë rol të rëndësishëm në rrugën për liri, si dhe ka edhe sot rëndësi duke i kontribuar zhvillimit të vendit. Përveç investimeve që sjellni në atdhe, ju jeni edhe ambasadorë në vendet ku jetoni! Përmes jush shtetet ku jetoni i njohin shqiptarët dhe i ndërtojnë lidhjet me shqiptarët. Prandaj, çdo sukses i juaj është edhe sukses i yni, për këtë ju inkurajoj që t’i shkolloni fëmijët tuaj, sepse kështu do t’ju hapen perspektivat për jetë dhe do të jetë mundësia për t’u avansuar edhe për çështjen kombëtare.Një imazh që përmban dritare, person, burrë, mjedis i brendshëm

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Në botën globale integrimi është i domosdoshmëri, por kultivimi i identitetit kombëtar, në veçanti të mësuarit e gjuhës amtare është një vlerë e shtuar dhe obligim. Duke njohur kontributin e LAPSh-it në Bavari, ju përgëzoj për punën e mirë që bëni, tha ai.

Ndërsa Konsulli i Republikës së Shqipërisë në Mynih, Dr. Dashnor Ibraj, pasi foli për luftën e parreshtur për liri të Kosovës dhe ndihmesën e miqve ndërkombëtarë, u ndal edhe te bashkëpunimi i ngushtë i dy konsullatave shqiptare në Mynih që kanë me LAPSh-in. Ai tha se kemi arritur që gjuhën shqipe ta fusim në listën e gjuhëve të huaja në Republikën Bavareze! Por ajo që është më kryesorja që kjo republikë gjuhën shqipe e ka njohur zyrtarisht ashtu si gjuhët tjera, që dhe na e ka sjellur një sfidë dhe angazhim më të madh, nga që kërkohet një angazhim i madh jo vetëm nga LAPSh-i, por edhe nga institucionet tona, e dy përfaqësitë tona konsullore. Por një sukses i kryesisë dhe mësimdhënësve është se gjatë dy viteve të fundit, përkundër pengesave, për shkak pandemisë, kanë qenë të angazhuar që përmes platformës onile kanë zhvilluar mësimin edhe pse tërë angazhimi dhe punës është vullnetare. Gjë që e them dhe e kam thënë disa herë se ata që janë patriotët e kohës moderne janë pikërisht mësimdhënëset, që janë ë angazhuar dhe duke hequr një pjesë të kohës së tyre, krejt në baza vullnetare, duke mbajtur gjallë gjuhën kulturën shqiptare dhe për t’i dhënë mundësi brezave të ardhshëm, që ta kultivojmë.

Të ftuar ishin edhe përfaqësuesit e konsullatës së Republikës së Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, por për shkaqe të agjendës së tyre të ngjeshur nuk patën mundësi të jenë të pranishëm. Kurse përfaqësuesit i Fondacionit “Besa”, Rexhep Nikçi foli në emër të këtij fondacion, i cili që nga fillimi e ka ndihmuar dhe ka qenë sponsor i shkollës shqipe në Bavari. Ndërsa fjala iu dha edhe kryetarit të KKAD-së dhe Koordinator i shkollave shqipe në Zvicër Dr. Vaxhid Sejdiu, i cili falënderoi dy institucionet tona dhe kërkoi që të bashkëpunojmë ngushtë për ta realizuar vizionin dhe misionin e mësimdhënësve për shkollën shqipe në mërgatën shqiptare, gjë që kërkesave tona, instuticionet e dy shteteve tona na u kanë përgjigjur pozitivisht. Pra, misioni i gjeneratave të reja është që ta ruajnë gjuhën identitetin kombëtar, për të cilin janë sakrifikuar gjenerata, që ne sot e gëzojmë të lirë.

Programi filloi me Vallen “Kosovare”, të vallëzuar nga nxënësit e shkollës shqipe Freising, ndërsa me poezinë “Plis Kosovë” recitoi Telora Dakaj, për të vazhduar me recitalin “17 Shkurti”, të recituar nga nxënësit e shkollës shqipe në Bavari: Lorena Idrizi, Lajla Halilaj, Art Gjocaj, Florin Rexhepi, Aulona Qeriqi, Aleksandera Duka, Leotrim Jakupi, Leonis Zylfiu, Alejna Zylfiu, Benet Ukaj, Fijona Thaçi, Arnila Zogaj dhe Tiara Dakaj.

Nxënësja Ermira Rexhepi, me këngën “ Mora Fjalë”, dha emocione, kurse me poezinë “Pavarësia e Kosovës” recituan: Larisa e Alea Spahija, Fatime e Rajane Musliu dhe Ermira Rexhepi dhe, me poezinë “ Kosovë” recituan nxënësit Emanuel e Luisa Canaj të shkollës së Degendorfit. Me poezinë “Atdheu”, të recituar nga nxënësja Lena Gerbeshi nga Shkolla Starnberg, e me poezinë “Krahët e shqipes”, recitoi Ulpiana Brajshori nga shkolla Freising dhe, me poezinë “Ç’ka Kosova që po ushton”, recitoi Idri Ymeri nga shkolla e Kolbermorit.

Me poezinë “Flamuri” recitoi Jara Maliqi, kurse me poezinë “Kuq e Zi”, recituan Arti edhe Andi Mustafa, nga shkolla Holzkirchen. Nga shkolla shqipe e Nyrnbergut, me poezinë “Shqiponja” , recitoi Larto Tafa, kurse me poezinë “ Poemi Kosovar” recitoi nxënësja Gjeljana Idrizi nga Shkolla Stambergut. Me poezinë e Asdrenit “Shko Dallendyshe” recitoi Erblina Krasniqi nga Shkolla Garhing, e me poezinë për “Adem Jasharin” përformoi Ezana Hoxha nga shkolla e Abensbergut. Me këngën “Xhamadani vija-vija” dhe me vallen “Vallja e Hamzë Jasharit”, përformuan nxënësit e shkollës së Nyrnbergut dhe të Abensbergut.

Në përmbyllje të programit, Koordinatori i LApsh-it Mustafë Krasniqi, pos tjerash tha se nga ky eveniment festues, u bëri thirrje institucioneve të dy shteteve shqiptare dhe prindërve mërgimtarë, që t`i bashkojmë forcat për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar, te fëmijët tanë në Diasporë. Në emër të LAPSH-it të mësimdhënësve, nxënësve dhe të prindërve, iu drejtua gjithë bashkëkombësve, shoqatave, bizneseve dhe institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, që së të bashkuar, të bëhen pjesë e ndikimit te prindërit, që t’i sjellin fëmijët në shkollën shqipe, me qëllim që ta realizojmë këtë detyrë kombëtare, nga fakti se Numri i atyre fëmijëve, që duhet ta vijojnë mësimin plotësues në gjuhën amtare, është tepër simbolike!
Për ne ,atdheu është larg, por zemrat dhe mendjet tona janë aty! Prandaj kërkojmë që të ndërgjegjësohemi dhe të kërkojmë nga institucionet tona, të mos e harrojnë Diasporën, në mënyrë që brezat e ardhshëm ta ruajnë gjuhën dhe identitetin e tyre.

Po ashtu i përgëzoi mësimdhënësit dhe nxënësit për angazhimin e tyre, që ky manifestim doli kaq i bukur ky manifestim, grupin punues dhe kryesisht nënkryetarin, Selim Hotit dhe Sekretarin e LAPSH-it Avdi Kolukaj, që pa punën e tyre dhe të Moderatores Drenusha Istogu dhe grupit teknik, të Elena Markja dhe Milazim Ukaj nuk do ta kishim realizuar me sukses këtë manifestim aq të mrekullueshëm, tha Krasniqi.

Një imazh që përmban mjedis i brendshëm

Përshkrim i gjeneruar automatikisht

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 80
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT