• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË LETËR E PANJOHUR E SHKRIMTARES MUSINE KOKALARI …

March 28, 2021 by dgreca

– Ese mbi dy shpirtra të letërsisë dhe kulturës/

NGA URAN BUTKA/*

Qysh në vitin 1992, si një brengë pamundësie të mëparshme, hulumtova nëpër arkiva veprat e shkrimet e Musine Kokalarit, gazetën e saj “Zëri i Lirisë”, dokumentet arkivore mbi fatin e saj tragjik dhe shkrova esenë “Mesazi i Musine Kokalarit” si edhe një skenar filmi dokumentar për Të. Meqenëse këto sprova  ishin të paplota dhe joshteruese, jam marrë në vazhdimësi, çdo herë duke gjetur diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende te pazbuluar tërësisht. 

Në Arkivin e Shtetit zbulova këto ditë një letër të panjohur të Musine Kokalarit drejtuar mikut dhe dijetarit Sotir Kolea. Në arkiv ruhen gjithashtu disa letra të shkrimtares Musine Kokalari me personalitetet kulturore të botës shqiptare e të huaj, që hedhin dritë mbi personalitetin e saj intelektual të jashtëzakonshëm për atë kohë, procesin e saj krijues, vetëdijën e shkrimit dhe  veprimtarinë e saj jetësore, kulturore e politike. Më i spikatur është letërkëmbimi me Midhat Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Ernest Koliqin, Eqrem Çabej, Xhuzepe Skiro, Angelo Leoti etj, letërkëmbim  tashmë i botuar.

Sotir Kolea ishte studiues, leksikograf, autor i një fjalori disagjuhësh me bazë shqipen, autor i “Një tufë proverbash”, publicist dhe botues i gazetës ”L’Albanie” në vitin 1914 në Zvicër, si edhe veprimtar i spikatur i çështjes sonë kombëtare, drejtor i Bibliotekës Kombëtare gjatë viteve 1928-1937. Pas kësaj kohe, ai u vendos në Elbasan, qendër  e arsimit dhe e studimeve shqiptare. Pikërisht atje ia dërgonte letrat Musineja dhe i kërkonte gjykin kritik për veprat e saj të para, meqenëse mungonte një kritikë e vërtetë, siç shkruante ajo: “Në Shqipëri nuk gjen kënaqësi ose  nxitje, se nuk ka  një kritikë në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Shkrimtarja e parë shqiptare ishte e ndërgjegjshme për udhën që kish zënë, origjinalitetin, por edhe vështirësitë në drejtimin letrar të saj dhe botimet, duke u nisur që nga libri i parë (1944) ”Siç më thotë nënua plakë”, ku botën ajo e vëshron me sytë e mendësinë nënos plakë, ndërsa te libri me përralla”Rreth vatrës” (1944), rrëfimi përrallor vjen nga gjyshja plakë, por bota këqyret dhe jepet me syrin dhe  mendësinë e fëmijës edhe për fëmijën. Musineja, siç e pohon edhe vetë, del nga vetja e zbret në moshën e fëmijëve, komunikon e dialogon thjeshtë me ta si një fëmijë, ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë që flasin e shkruajnë së lartmi nga mosha e përvoja e tyre letrare dhe mbeten të ftohtë e të huaj. Ndonëse disa shkrimtarë të njohur të asaj kohe kishin shkelur ne këtë taban, si Mitrush Kuteli me “Tregime të moçme shqiptare”,  Ali Asllani me “Hanko Halla”, apo Ernest Koliqi me “Hija e maleve”  etj., por ndryshe nga ata, vepra e të cilëve është mirëfilli letrare,  apo ndryshe nga “Përrallat” e Sotir Kolesë, që ishin mirëfilli nga goja e popullit, Musineja ndjek udhën e vet origjinale, ndërmjet narativës popullore dhe autorësisë së saj letrare.

“Mendimi im ka qenë që t’u jap të vegjëlve një libër, që të mos i  lodhë dhe vehten e tyre të mos e gjejnë në një botë të huaj. Në një botë shqiptare, në një vatër, ku edhe të mëdhënjtë të thonë se vërtet kështu kemi rrojtur. Kur e kam shkruar, nuk kam qenë unë, po një Musine e vogël dhe si e tillë- me mendime të thjeshta dhe gjuhën pyetje-përgjigje…Më duket që kam mundur të hyj në shpirtin e të vegjëlve”- përsiat Musineja.

 “Po ju dërgoj “Dasmën gjirokastrite”, – i shkruante ajo Kolesë në një letër të mëparshme, – por jo të gjithë, mbasi ende nuk ka mbaruar. Puna ecën ngadalë në shtypshkronjë. U rri në kokë punëtorëve, por megjithëkëtë ka disa gabime. Të shohim sesi do ta gjeni ju”…

Letra e sapozbuluar, mban datën 8.02.1945, është e panjohur dhe e papërfshirë në botimet e Musinesë. Ajo e shkruan këtë letër në çastin më të mjeruar të jetës së saj. Dikush mund të mendojë se koha më e tmershme e jetës së saj ishte ishte ajo e burgut të Burrelit, më pas e internimit të gjatë dhe e sëmudjes së rëndë të kancerit, që i mori përfundimisht jetën. Por jo, këto periudha të vuajtjes së parrëfyer të jetës së saj ajo i kishte përballuar me dinjitet, me forcën e karakterit, të  vetmisë  dhe të lirisë së brendshme.

 “Shpirti ka nevojë për vetminë për të qenë i lirë” shkruan ajo. “Ne e kërkojmë lirinë jashtë vetes, ndërkohë që ajo është brenda nesh”.

Në letrën që po shqyrtojmë, gjejmë momentin më të keq shpirtëror të jetës së saj, “e goditur rëndë, e mbuluar me zinë dhe në dallgën më të madhe të jetës”.

Sapo regjimi komunist i kishte pushkatuar pa gjyq vëllezërit e saj, Muntazin dhe Vesim Kokalarin. “Plumbat që shtrinë përdhe Muntazin dhe Vesimin të vdekur, na kanë goditur edhe ne,  na lënë kufoma  të gjalla për jetë, për të vuajtur gjithnjë  sa të jemi në jetë” – shkruan hidhur ajo në këtë letër.

Musineja ishte nga një familje e njohur e Gjirokastrës. Vajzë e vetme e juristit të njohur Reshat Kokalari, motër e vëllezërve Muntaz, Vesim dhe Hamit Kokalari, veprimtarë të shquar të kulturës shqiptare, themelues të librarisë “Venus” dhe të shtëpisë botuese “Mesagjeritë shqiptare”, themeluar më 1942, që botonte dhe përhapte  vepra të vyera nga literatura botërore e shqipe, si “Hamleti” e “Makbethi” të Shekspirit, “Rubairat” e O. Khajamit, “20 vjet ngatërresa ballkanike” të Durhamit, “Ivanhoe” të Skottit, “Kosova-djepi i Shqiptarizmit”, të Hamit Kokalarit, librat e Musinesë e të tjera. 

Vetë Musineja ishte një intelektuale, që  ishte ushqyer me ideologjinë kombëtare të Rilindësve tanë të mëdhenj, e quante veten nxënëse të Sami Frashërit,  kishte idhull Naimin dhe Mid’hat Frashërin, ndërkohë qe kishte kulturë perëndimore, ishte demokrate dhe kundërshtare e çdo ideilogjie e praktike totalitare. 

“Në odën time të vogël, shkruan ajo në ditarin e saj, përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë…Unë jam nxënësja e tyre…” 

Kryetari i komunistëve, Enver Hoxha, i cili e kishte kushërirë të dytë Musinenë, nuk e kurseu jo vetëm atë, por tërë fisin e Kokalarëve. Më 12 nëntor 1944 terrori i kuq me urdhër të tij dhe  zbatuar nga Kristo Themelko, pushkatoi pa gjyq e pa faj pranë hotel “Bristol”,11 personalitete të shqura të Tiranës, ndërmjet tyre vëllezerit e saj Muntaz Kokalari dhe Vesim Kokalari. Po ashtu u pushkatuan pa gjyq Syrja dhe Emin Kokalari, Hivziu vdiq në burg dhe Isai  në internim. Muniri vrau veten. Musineja u burgos dhe u internua. Bijtë dhe nipërit e tyre u hodhën rrugëve, u internuan dhe u persekutuan pafundësisht.

     Arsyen e këtij persekutimi familjar na i rrëfen Muntaz Kokalari, vëllai i Musinesë, tek një letër më 9.11.1944, që e kishte shkruar për znj.Makbule tri ditë para pushkatimi të tij: 

   “ Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur….Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: thjesht për motive personale.Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, kumarxhi e gënjeshtar, që i do njerëzit nën vete; edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Ne intelektualët gjirokastritë ia dimë të gjitha sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë..”

Dhe i asgjësoi. 

Musinenë e vrau shpirtërisht persekutimi absurd e kriminal i familjes së saj. “Ky qe fati im , më i hidhur se vdekja “ –i   shkruante ajo S.Kolesë.

Njëherësh, edhe  fati hidhur i ndërprerjes së dhimbshme të krijimtarisë së saj. “Sot mora nga shtypi librin e parë dhe po jua dërgoj. Ta kini për vete si kujtim të punës sime më të mirë, që pandeh se kam bërë, dhe të fundit. E mbani për vete, mbasi nuk e nxjerr në shitje. E para, se është dasmë dhe në zi’ duket qesharake; e dyta, se nuk dua më as të punoj, as të shkruaj”.

Është fjala për librin “Sa u tund jeta” (Dasma gjirokastrite, ku shkrimtarja paraqet saktësisht antropologjinë, ritet, zakonet, veshjet, dialogët, këngët e vallet, lotët dhe gëzimet e dasmës shqiptare, rezultat i një punë të gjatë, pasionante e të palodhshme ndaj folklorit – por në funksion të tekstit letrar) ), libër që M. Kokalari ia dërgonte të porsabotuar Sotir Kolesë si një kujtim të mbramë në një kohë zije, por që e konsideronte edhe si punën e saj më të mirë, që për fat të keq ishte edhe botimi i saj i fundit, sepse nuk mund të shkruante më. Kjo ishte për shkrimtaren e re, më e rëndë se vdekja.

“Përse të punosh? Përse të shkruash? Përse të jetosh?” –klithte shkrimtarja Kokalari, në dëshpërimin e saj të pafund.

Ky dëshpërim, por edhe revoltë njerëzore dhe intelektuale  e përfshin edhe atin e saj shpirtëror, Sotir Kolenë, të nderuarin atë, -siç i thoshte ajo. Në letrën e përgjigjes së Sotirit ( dorëshkrimi gjendet në Arkivin e Ministrisë së brendshme, Fondi 140, dosja 2912,viti 1945, letër e pabotuar më parë), gjejmë dhimbjen e lotët e Kolesë per humbjen vëllezërve të saj Muntaz dhe Vesim Kokalari, për të cilët “kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne, për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bij që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur”, por gjejmë edhe  papajtueshmërinë e tij ndaj persekutimit “me kaqë egërsim”.

Ai i shkruan Musinesë: “Shuplaka e fatit’ që shkrepi mbi ju, zonjëzë dhe mbi der’ të juaj është aq e tmerrshme sa ndofta as emër nuk ka të posaqëm në gjuhën tënë, në gjuhën e një kombi që për të gjat’ shekujve, ka pas’ qënë rrahur dhe pjekur’ e djegur’ ndër cen e rrëbjera. As fjalë ngushëllimi nuk kam ku t’i gjenj se helëm i zi, që ju shtrydhi zemrën juve dhe të juajve, është nga ata që nuk kan të zbutur me fjal as me lotë. Bashkë me ju dhe me miqt të mirë të derës’ së juaj, kam qarë së largu dy miqtë e çmuar që hikën’ e na lanë në lulen’ e moshës; kam qarë të dy të rinjtë që nuk qenë vetëm lavdijë për të vehtët, po qenë së bashku dhe shpresa për ne për të paskëtajmen, se kombi ka nevojë për bijë që qenë Mumtazi dhe Vesimi, me zëmër për së mbari, me gjykim të matur dhe mendje të pjekur. Zemërës së juaja dhe Zotit Hamit ju qoftë ngushëllimi të kryerët të detyrave të ra dhe të rënda që her’ e prap’ e sotëme ju shtroj mbi gjithë të tjerat edhe faqe pindërvet dhe faqe të miturve dhe nënave të tyre, që jeta nëpërkëmbi me kaqë egërsim”.

Gjithsesi, i urti Kolea, edhe ai në prag të vdekjes, i jep kurajë, forcë dhe uzdajë Musinesë, për ta vazhduar jetën dhe punën e saj, se puna është ilaçi i gjithçkaje, por edhe detyrë ndaj vetes, njerëzimit, kombit dhe botës.

“Një gurrë ngushullimi gjithë aq të vërtetë do t’ ju falinj puna, kjo detyra e shenjtë edhe faqe vehtesë edhe faqe botësë, që është prejt’ e zemrës, shëndet i trupit dhe pus’ i harrimit për troces të jetës; detyrë faqe vehtes jo vetëm sa rreh zemëra po dhe më pas, se jeta zgjatet pak a shumë edhe përtej varrit, detyra faqe hjerësvet, që ka njeriu te të vetët dhe faqe atyre që kanë qenë më parë, detyra faqe miqve dhe faqe njerëzimit, detyra faqe kombit, atdheut edhe botës”.

*E dergio per Diellin autori.E falenderojme.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Letra e Panjohur, Musine Kokalari, Uran Butka

Liria e fjalës lidhet me të vërtetën!

March 10, 2021 by dgreca

Portali Gazeta Diaspora Shqiptare e Pandeli Majkos, kreut të ministrisë së përçarjes të diasporës – Nga Elida Buçpapaj/

Liria e fjalës lidhet me të vërtetën!

E vërteta është shpesh e hidhur e sidomos veshët e politikës nuk duan ta dëgjojnë!

“Nëse liri do të thotë diçka, do të thotë të kesh të drejtën t’ju tregosh njerëzve atë që nuk kanë qejf ta dëgjojnë”.

Kështu e përkufizon pak a shumë lirinë e shprehjes George Orwell.

“Nëse liria e fjalës hiqet, atëherë si shurdh memecë mund të na udhëheqin, si dele në thertore.”

Kështu e përkufizon lirinë e fjalës  Xhorxh Washington.

Mbrojtësi i flaktë i lirisë së mendimit Volteri, figurë emblematike e iluminizmit që ka frymëzuar lirinë, sekularizmin dhe demokracinë në të dyja anë i Atlantikut, thotë “Unë mund të mos pajtohem me ty, por unë mbroj deri në vdekje të drejtën tënde për ta thënë atë.”

Despotët, diktatorët e burgosin të parën fjalën e lirë, sepse kur kanë burgosur lirinë e fjalës e kanë burgosur të gjithë shoqërinë!

Ndryshe nga regjimet totalitariste, në civilizimin Perëndimor liria e fjalës është e garantuar me ligj dhe kushtetutë si e drejtë themelore e njeriut.

Amendamenti i parë i Kushtetutës Amerikane, përveçse garanton lirinë e shprehjes, e ndalon Kongresin të kufizojë shtypin ose të drejtat e individëve për të folur lirshëm. 

Pra liria e fjalës që njihet si “pushteti i katërt”, në italisht (quarto potere), gjermanisht (Vierte Gewalt), spanjisht (Cuarto poder)  frëngjisht (Quatrième pouvoir)  është detyrimisht e pavarur nga politika, detyrimisht e pavarur nga tre pushtetet e tjera, që janë legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori.

Kusht themelor i fjalës të lirë është të ekzistojë larg çdo konteksti politik, në kuptimin se qeveria e një vendi demokratik nuk ka të drejtë kushtetuese dhe e ka të ndaluar me ligj të krijojë një gazetë që të mbulojë domenin e informimit të publikut.

Në diktaturën totalitariste enveriste Zëri i Popullit ishte direkt organ i KQPPSH.

Në mënyrë aksiomatike, në diktaturën totalitariste të Edi Ramës portali Gazeta “Diaspora Shqiptare” është organ i qeverisjes të korruptuar. 

Gazeta “Diaspora Shqiptare” është organ i ministrisë të përçarjes të Pandeli Majkos, ministrit më puthador të Edi Ramës.

Ku ve këmbën Pandeli Majko, mbjell përçarje, injorancë dhe shkelje të ligjit.

Perëndimi financon me destinacion të zhvillojë demokracinë në Shqipëri, qeveria e korruptuar e Edi Ramës i financon paratë në Perëndim si pare e zezë për ta bërë diasporën një kopje të shëmtuar e asaj që ndodh në Shqipëri.

Gazeta Diaspora Shqiptare është një portal politik, partiak, aspak profesional, që ka qëllim trushplarjen e diasporësshqiptare nëpër botë! 

Sikur Radio Tirana e kohës të diktaturës Hoxhiste që shpërndante helmin përmes valëve të radios totalisht nën kontrollin e shtetit totalitarist.

Ju kujtohet fotografia e Edi Ramës me presidentin Obama !

Një shqiptaro-amerikan u dënua sepse kishte paguar rreth 80 mijë $ për fushatën presidenciale, me qëllim që Edi Rama të bënte foto me presidentin Amerikan, por paratë kishin ardhur nga jashtë dhe kështu ishte shkelur ligji amerikan dhe personi u dënua dy vjet burg, por Edi Rama ngeli i palagur.

E, pra, ky është stili i ndyrë që kanë sjellë qeveritarët e Edi Ramës në diasporë.

Ne 3 milionë shqiptarë nëpër botë jemi qytetarë të lirë të Perëndimit e prandaj duhet t’i themi “jo” pisllikut që vjen nga qeveria e Edi Ramës!

Ne që jetojmë në Perëndim e dimë se si funksionon demokracia,

prandaj nuk duhet të pranojmë kurrë të kthehemi në marioneta të një qeverisje që e ka kapur sistemin e popullin e ka nënshtruar përmes diktaturës të varfërisë e padrejtësisë.

Diaspora nuk duhet të pranojë një portal që del nga zyrat e Pandeli Majkos, sepse kështu shkelet Kushtetuta e vendeve demokratike ku jetojmë në BE, SHBA, Kanada etj.

Asnjë qeveri demokratike nuk e gëzon atë të drejtë të nxjerrë në qarkullim asnjë lloj gazete për informimin publik veç gazetës zyrtare!

Edi Rama ka arritur deri aty sa ka televizionin e tij ERTV, por kur është në fjalë diaspora, jemi ne 3 milionë shqiptarë, që nuk duhet ta lejojmë të zgjasë duart e tij të gjata e të dhunojë fjalën e lirë!

A mund të ekzistojë e lirë fjala nën prangat e qeverisë të Tiranës dhe ministrisë të përçarjes të Pandeli Majkos ? 

Jo kurrë! 

“Kushdo që do të përmbysë lirinë e një kombi e fillon duke nënshtruar lirinë e fjalës”, thotë Polymath, dijetari Benjamin Franklin, një nga Etërit Themelues të SHBA.


Filed Under: Emigracion Tagged With: Elida Buçpapaj, Gazeta e Diaspores, Lira e Fjales, Pandeli majko

PAGËZIMI: IKONA E LUMTURISË SË AMSHUAR

March 7, 2021 by dgreca

Nga Don Robert Kola/

Apostujt dhe pasardhësit e tyre mbahen nga Kisha edhe si “mësues të hirit.”[1] Natyra dhe hiri janë si dy faqe që përbëjnë një fytyrë të vetme në jetë. Nëse mohohet njëra faqe, fytyra gjithmonë dëmtohet. Në Kishë, si dje si sot, ngatërrimi rreth hirit dhe natyrës është përplasja më tronditëse. Duke shkërmoqur herezinë e Pelagijes, e cila shquante veprimin natyror mbi hirin, Shën Augustini i drejtohet me këto fjalë: “Në këtë qëndron rrënja e tmerrshme e gabimit tuaj: ju synoni që të dalloni dhuratën e Krishtit në shembullin e tij, ndërsa dhurata është vetë Personi.”[2]

Mjafton të hidhet një shikim për rreth nesh dhe do të hetojmë së kur hiri ndahet nga Personi i Krishtit, gjithë mësimi, katekeza, edukimi, shpërfaq vetëm moralizim dhe disiplinë.

Shën Gregori i Nazianzenit, si rrallë midis etërve të Kishës, u shqua si mësues i hirit. Me të drejtë ai quhet nga tradita e Kishës: “Teolog.” Këtë titull Kisha e përdori vetëm për Shën Gjonin Ungjilltar dhe Shën Simonin i quajtur Teolgu i Ri. Shën Gregori po ashtu mbahet edhe si “poeti i Trinisë së Shenjtë.” 

Vëzhgimet e tij teologjike i thuri sidomos gjatë homelive, në kremtimet liturgjike të mistereve, në bashkësinë e besimtarëve që e udhëhiqte si bari. Nga vatra e liturgjisë mori dritën dhe lartësimin e shikimit në njohjen e Krishtit të Ngjallur. Po në këtë dritë i përflaku edhe besimtarët. 

Këtu po shkëpus vetëm pak rreshta nga një homeli e tij të mbajtur në festën e “Dritave” apo të  “Shndritjes,” siç quhet në traditën lindore festa e Pagëzimit të Krishtit. 

Shën Gregori duke kundruar misterin e Pagëzimit të Krishtit, në të cilin shquhet edhe misteri i ynë i lindjes së re, rreth tij, veçon:

Pagëzimi ose shndritja është shkëlqim i shpirtit.

Është ndërrim i jetës.

Është pyetje drejtuar Hyjit nga ana e ndërgjegjes sonë. (khrs. 1Pj 3, 21)

Kjo shndritje është ndihmë ndaj ligështisë sonë.

Kjo shndritje është zhveshje nga mishi ynë.

Është besnikëri ndaj Shpirtit të Shenjtë.

Është bashkim me Fjalën.

Është ringritje e përngjasimit tonë, sipas shëmbëllimit të Hyjit.

Është larje e mëkateve.

Është shpërndarje e errësirës.

Pagëzimi është mjet i cili udhëheq tek Hyji.

Është shtegtim së bashku me Krishtin.

Është mbajtësja e fesë.

Është përsosje e mendjes

Është çelësi i mbretërisë.

Është ndërrimi i jetës.

Është zhdukja e skllavërisë sonë.

Është lartësimi i qenies sonë të brishtë.[3]

Në sakramentin e Pagëzimit, Shën Gregori vëren dhuratën dhe hirin më të mrekullueshëm që ofron Hyji. Dhurata e pagëzimit është aq e lartë sa nuk mund të shprehet ndryshe, pos si ajo që mbahet më e “Shenjta e shenjtëve” apo si “Kënga e këngëve.” Rreth saj ai thoshte: “Pagëzimi është hiri më i bukuri dhe më i madhërishmi nga dhuratat e Hyjit. Ashtu siç thuhet për ato gjëra që përmbajnë një kuptim të lartë, si fjala vjen: “Shenjta e shenjtëve” apo “Kënga e këngëve”, ashtu edhe pagëzimi është shndritja më e shenjta ndër të gjitha të tjerat që qëndrojnë mes nesh.

Thirret me emërime të ndryshme, ashtu si edhe vetë Krishti i cili e dhuron këtë të mirë. Edhe dhurata e tij, po ashtu, thirret me emra të ndryshëm, qoftë për gëzimin e madh që na shkakton, kur e pranojmë, qoftë për të mirat e shumëllojshme që vijnë prej tij dhe nxisin kënaqësinë e thurjes së shumë emërtimeve, ndaj kësaj dhurate. 

Ne e quajmë dhuratë, hir, pagëzim, lyerje, shndritje, veshje e pashkatërrueshmërisë, larje e rilindjes, vulë. Pra, gjithë ajo çka është e çmueshme: dhuratë, sepse është dhuruar falas; hir, sepse jepet pranë asaj që mbesim borxhli; pagëzim, sepse mëkati është varrosur në ujë; lyerje, sepse është e shenjtë dhe jepet falas; shndritje, sepse është e shkëlqyer; veshje, sepse është veli që mbulon marrëzinë tonë; larje, sepse pastron; vulë, sepse është roja dhe shenja e  Atij që sundon mbi ne. 

Pagëzimit, së bashku me ne, i gëzohet edhe qielli. Edhe engjëjt kremtojnë, pasi janë të ngjashëm me natyrën e shkëlqimit të tij. Pagëzimi është ikona e lumturisë së amshimit.“[4]

Duhet theksuar, jo dhe pa dhimbje, që në teologjinë perëndimore (nisur nga shek. VIII), filloi të zbehet teologjia mistagogjike, pasojë e të cilës, ndër të tjera, ishte dhe humbja e kuptimit që kishte simboli: në Perëndim duke u nisur nga kjo periudhë, simboli filloi thjesht të mbahej vetëm si një shenjë (signum) dhe në traditën latine përkthehej si “indicia.”[5] Kuptimi semantik i shenjës do të ndikojë dhe në kuptimin e përmbajtjes teologjike të sakramentit. Duke qenë se “logjika e shenjës kërkon saktësimin e përfshirjes të një realiteti, ndërsa ajo e simbolit kërkon të përfshijë shumësinë e kuptimeve,”[6] ndikoi që në traditën perëndimore teologjia e sakramentit të përqendrohet vetëm rreth natyrës së saktësimit të tij. Të kujtojmë vetëm diskutimet rreth saktësimit të formës dhe materies së sakramentit, duke lënë në harresë gjithë poliseminë e kuptimit që ofron simboli. “Shenja kërkon të përkufizojë dhe të përmbyllë një njëmendësi, ndërsa simboli hap horizonte të pambarueshme, përfshin nduar-nduarshmërinë e kuptimeve dhe ka natyrë polisemike […] Asnjë koment nuk mund të përfshijë dhe të përmbyllë kuptimin e shumëfishtë që përvijon simboli i pagëzimit i pranuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë, apo të gostisë eukaristike në të cilën Jezusi thotë: “Ky është korpi im që do të flijohet për ju, merrni e hani.”[7]

Kisha ka ruajtur edhe në traditën tonë perëndimorë në Ritualin romak të Pagëzimit, disa prej tropareve më të lashta të Kishës, në të cilat këndohet dhe madhërohet aq thellë dhe bukur hiri i Pagëzimit. Në njërin prej tropareve, Kisha i këndon gurrës së Pagëzimit:

Kjo është gurra e jetës që mbarë botën ujit

e që buron prej varrës së Krishtit.

Shpresoni në Mbretërinë e qiellit

ju që u rilindët nga ky burim.[8]

Sa thellë e dëshmoi këtë edhe martiri, Vinçenc Prennushi, i cili duke i kënduar dhuratës së fesë, në një poezi të veten, shquan gjithë dritën e saj që nuk fiket as në salvime të tmerrshme. Poeti dhe martiri,  ndër të tjera, i këndon hirit që pranoi në pagëzim: 

N’ ditë t’ Pagzimit me i’ petk bore

M’ a mloi shtatin kuer kjeçë fmi,

E me ‘i rreze, qi kurr s’ shkimet

M’u ba drit n’ t’ tana salvimet.[9]

Simboli është “epifani e një misteri”[10] dhe “i përket universit të parabolës,”[11] kundrimi dhe përsiatja përmes mendësisë së simbolit nuk lejon “kurrë të fiket zjarri i vatrës mistike të jetës.”[12]

Pra, pagëzimi është hir, është shndritje shpirtërore; me këtë akt hapen rrugët e lidhjes së drejtpërdrejtë me dashurinë e Hyjit dhe të Bitit të tij, Krishtit: Dashuria jote le të jetë ngushëllimi im, sipas premtimit që i bëre shërbëtorit tënd (76); hapen mundësitë e njësimit me Të, të baninimit në shtëpinë e tij, siç thuhet në Psalmin: 

“Lum ai që banon në shtëpinë tënde: 

i këndon pa fund lavdet për ty” (Ps 84, 5)

ose

E mira ime është të rri pranë Hyjit;

në Zotin tim unë e kam strehimin (Ps 73,28).

Me pagëzim zë fill jeta drejt dashurisë së mirëfilltë ndaj Krijuesit: Hyj, sipas dashurisë sate, ma jep jetën. (159); Aibëhet mirëfilli tenda jonë e shpëtimit, jo vetëm gjatë jetës sonë tokësore, po edhe në botën e përjetshme.

Pra, me pagëzim shënohemi si të shenjtë, si thoshte Nëna jonë Tereze: “Duhet të bëhemi të shenjtë jo pse duam të ndihemi të shenjtë, po pse Krishti duhet ta jetojë jetën e vet në mënyrë të plotë në ne […] Shenjtëria është bashkimi me Zotin, në lutje e në aksion”.


[1] SHËN ATANAZI, Letrat Pashkore, në Liturgjia e Orëve II, Qendra Don Bosko, Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006, f. 287.

[2] S. AGUSTINUS, Contra Iulianum. Opus imperfectum, 1002.

[3] GREGORIO DI NANIANZO, Tutte le Orazioni, përkth., në it., C. Moreschini, Bompiani, Il Pensiero Occidentale, Milano 2002, f. 923.

[4] GREGORIO DI NANIANZO, Tutte le Orazioni, f. 924.

[5] A. M. ORSELLI, Controversia iconoclastica e crisi del simbolismo in occidente fra VII e IX secolo, në: Culto delle immagini e crisi iconoclasta, Quaderni di synaxis, EdiOfts 1986, f. 116.

[6] M. SCOUARNEC, I simboli cristiani, Milano 2000, f. 13

[7] Po aty, f. 13.

RENDI I PAGËZIMIT PËR FEMIJËT DHE RENDI I KREZMIMIT, Boton: Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, f. 92.

[9] AT VINÇENC PRENNUSHI, Gjeth e lule, Botime Françeskane, Shkodër 2006, f. 140.

[10] G. DURAND, L’uomo religioso e i suoi simboli, në: Le origine e il problema dell’homo religiosus, Vol., 1, në përkujdesje të J. Ries, JacaBook, Milano 1989, f. 84.

[11] Po aty., f. 84.

[12] J. HUIZINGA, L’autunno del Medio Evo, Firenze 1966, f. 287.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Don Robert Kola, Pagezimi

Biden Revokon Urdhërin e Trumpit që Bllokonte Karten Jeshile ( Green Cards)

February 26, 2021 by dgreca

Shkruan: Avokat HASAN METUKU-NEW YORK/ Biden Revokon Urdhërin e Trumpit që Bllokonte Karten Jeshile ( Green Cards)Që nga marrja e detyrës, Presidenti Biden ka lëshuar disa urdhra ekzekutivë dhe direktiva që synojnë heqjen e kufizimeve për emigrantët të vendosura gjatë katër viteve të fundit.UASHINGTON – Presidenti Biden rihapi vendin të Mërkurën për njerëzit që kërkojnë karta jeshile, duke i dhënë fund ndalimit të imigracionit të ligjshëm që Presidenti Donald J. Trump vendosi pranverën e kaluar, duke cituar atë që Ai tha se ishte nevoja për të mbrojtur vendet e punës amerikane gjatë pandemisë.Në një proklamatë, Z. Biden tha se ndalimi nuk “përparonte interesat e Shteteve të Bashkuara”, duke sfiduar pretendimet e Z. Trump se mënyra për të mbrojtur ekonominë Amerikane gjatë krizës shëndetësore ishte mbyllja e vendit nga pjesa tjetër e Botes. “Përkundrazi,” tha Z. Biden për ndalimin e imigrimit të paraardhësit të tij, “kjo dëmton Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë parandalimin e anëtarëve të caktuar të familjes së qytetarëve të Shteteve të Bashkuara dhe banorëve të ligjshëm të përhershëm që të bashkohen me familjet e tyre këtu. Ai gjithashtu dëmton industritë në Shtetet e Bashkuara që përdorin talentet nga e gjithë bota. “Veprimi i presidentit ishte shembulli i fundit i përpjekjeve të tij për të zbrapsur sulmin e zotit Trump mbi sistemin e emigracionit të vendit. Që nga marrja e detyrës, Z. Biden ka lëshuar disa urdhra ekzekutivë dhe direktiva që synojnë heqjen e kufizimeve për emigrantët të vendosura gjatë katër viteve të fundit.Në Prill, ndërsa kriza e koronavirusit u përkeqësua, Z. Trump urdhëroi një “ndalim” në lëshimin e kartave jeshile, një nga mënyrat kryesore që të huajt të mund të marrin leje për të jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara.Në atë kohë, Z. Trump e përshkroi veprimin e tij si një mënyrë për të mbrojtur Amerikanët, miliona prej të cilëve humbën vendet e tyre të punës pasi kërcënimi i koronavirusit mbylli ekonominë.Duke ndalur imigracionin, ne do të ndihmojmë të vendosim amerikanët e papunë të parët në radhë për punë ndërsa Amerika rihapet. Aq e rëndësishme ”, tha zoti Trump. “Do të ishte e gabuar dhe e padrejtë që amerikanët e pushuar nga virusi të zëvendësohen me punë të re emigrantësh të dërguar nga jashtë. Ne së pari duhet të kujdesemi për punëtorin amerikan. ”Kritikët e Z. Trump e akuzuan atë për përdorimin e pandemisë si një justifikim për të çuar më tej axhendën e tij për kufizimin e ashpër të imigracionit. Dhe shumë studiues vunë në dukje se studimet në mënyrë të përsëritur kishin hedhur dyshime në idenë se emigracioni ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për vendet e punës në Amerikë, sepse shumë emigrantë marrin punë që Amerikanët nuk i duan.Z. Biden i bëri jehonë kësaj ndjenje. Në proklamatën e tij, ai shkroi se gjeti “që hyrja e pakufizuar në Shtetet e Bashkuara” të njerëzve që kërkonin karta jeshile “nuk ishte e dëmshme për interesat e Shteteve të Bashkuara”.Të huajt që përpiqen të lëvizin në Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë të bëhen “banorë të përhershëm të ligjshëm” – i njohur ndryshe si marrja e një kartoni jeshil – i cili u lejon atyre të jetojnë në vend dhe përfundimisht të kërkojnë shtetësinë.Proklamata e Z. Trump nuk bllokoi qytetarët amerikanë që të përpiqen të sjellin bashkëshortët ose fëmijët e tyre në Shtetet e Bashkuara. Por ndaloi të huajt e tjerë, duke përfshirë të afërmit e mbajtësve të kartave jeshile dhe ata që kërkojnë karta jeshile bazuar në një ofertë pune.Një analizë nga Instituti i Politikave të Migracionit në atë kohë vlerësoi se politika mund të prekë deri në 660,000 njerëz.Z. Biden është zotuar të kthejë politikat e imigracionit të Shteteve të Bashkuara në ato që ishin para se Z. Trump të bëhej president. Ai ka rritur numrin e refugjatëve që mund të vendosen në vend dhe ai ka ndërmarrë hapa për të proceduar pretendimet e azilkërkuesve që presin në kampe të varfra në kufirin me Meksikën.Por Z. Biden gjithashtu ka propozuar një rishikim më të gjerë të ligjeve të emigracionit të vendit, duke përmbushur një premtim fushate që ai bëri për të dërguar legjislacion në Kongres në ditën e parë të presidencës së tij.Në legjislacionin e tij, presidenti do të sigurojë një rrugë tetë-vjeçare drejt shtetësisë për shumicën e 11 milion emigrantëve të padokumentuar që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Legjislacioni është propozuar në Dhomë dhe Senat nga aleatët demokratë të Z. Biden, por është e paqartë nëse mund të fitojë mbështetjen e mjaftueshme të Republikanëve për të kaluar Senatin. – New York Times

Filed Under: Emigracion Tagged With: Avokat Hasan Metuku, Carta Jeshile

FONDACIONI ARSIMOR I VATRES-APLIKIME PER BURSE PER VITIN AKADEMIK 2021-22

January 21, 2021 by dgreca

NGA DR. PASHKO CAMAJ- Kryetari i Fondacionit Arsimor të Vatrës-/

Fondacioni Arsimor i Vatres aktualisht po pranon aplikime për bursë për vitin akademik 2021-2022. Vatra ka siguruar mbështetje financiare në formën e bursave për qindra studentë shqiptarë amerikanë për gjashtdhjetë vite. Vatra do të japë disa bursa në shumën prej 500 – 1000 dollarë për studentët meritorë.

KRITERET P TOR T AP APLIKUAR:

  1. Aplikanti duhet të regjistrohet si student me kohë të plotë në një kolegj / universitet gjatë vitit akademik 2021-2022.
  2. Aplikanti duhet të jetë me origjinë shqiptare. Përparësia do t’u jepet anëtarëve të Vatrës dhe fëmijëve / nipërve të tyre.
  3. Marrësit e mëparshëm të bursave Vatra kanë të drejtë të ri-aplikojnë për një total prej dy vitesh akademike. Jo më shumë se dy çmime bursash do të jepen për të njëjtin aplikant.

DOKUMENTE TE NEVOJSHME

1. Formulari i aplikimit për bursë (shih shënimin më poshtë)

2. Një transkript zyrtar (i vulosur) nga shkolla juaj (kopjet nuk do të pranohen).

3. Dy letra rekomandimi nga individë që ju njohin të paktën një vit. Një nga rekomandimet duhet të shkruhet nga një profesor, mësues i shkollës së mesme ose këshilltar udhëzues. Letrat duhet të jenë të vulosura dhe të nënshkruara.

4. Një përmbledhje (jo më shumë se një faqe e gjatë) me një seksion mbi aktivitetet jashtëshkollore. (8 ½ x 11).

5. Një deklaratë personale mbi temën e asaj që shpresoni të arrini në fushën tuaj të studimit, të mos kalojë një faqe (8 ½ x 11, me një hapësirë ​​të vetme).

KRITERET E VLERSIMIT

1. Të dhënat akademike

2. Aktivitete jashtëshkollore

3. Letrat e rekomandimit

4. Deklarata personale

Aplikimet e vonuara nuk do të merren parasysh.

AFATI DHE PARAQITJA

Të gjitha dokumentet e kërkuara duhet të merren deri të Premten, 19 Mars, 2021. Marrësit e çmimeve do të njoftohen përmes postës elektronike deri të Premten, 23 Prill 2021.

Aplikantët e interesuar, ju lutemi dërgoni një email ose shkruani tek Pashko R. Camaj, Dr.PH, Kryetari i Fondacionit Arsimor të Vatrës në adresën e mëposhtme:

• Email: Prcmaj@gmail.com

• Ju lutem dërgoni zarfin me dokumentet e kërkuara në adresën: VATRA

(Për Vatra Education Fund)

 2437 Southern Boulevard, 

Bronx, New York, 10455-6501

**** 

VATRA’S EDUCATIONAL FOUNDATION

Vatra’s Educational Foundation is currently accepting scholarship applications for the 2021-2022 academic year. Vatra has provided financial support in the form of scholarships to hundreds of Albanian American students for over fifty years. Vatra will be awarding several scholarships in the amount of $500-$1,000 to deserving students. 

CRITERIA TO APPLY:

  1. The applicant must be enrolled as a full-time student at a college/university during the 2021-2022 academic year.  
  2. The applicant must be of Albanian descent. Priority will be given to members of Vatra and their children/grandchildren.
  3. Previous Vatra scholarship recipients are eligible to re-apply for a total of two academic years. No more than two scholarship awards will be granted to the same applicant.

NECESSARY DOCUMENTS

  1. Scholarship Application Form (see note below)
  2. An official (sealed) transcript from your school (copies will not be accepted).
  3. Two letters of recommendation by individuals who have known you for at least one year. One of the recommendations must be written by either a professor, high school teacher, or guidance counselor. The letters must be sealed and signed. 
  4. A résumé (no more than one page long) with a section on extracurricular activities. (8 ½ x 11).
  5. A personal statement on the topic of what you hope to accomplish in your field of study, not to exceed one page (8 ½ x 11, single-spaced). 
  6.  

EVALUATION CRITERIA

  1. Academic records 
  2. Extracurricular activities
  3. Recommendation letters
  4. Personal statement

Late applications will not be considered.

DEADLINE AND SUBMISSION

All required documents must be received by Friday, March19, 2021.  Awards recipients will be notified via email byFriday, April 23, 2021. 

Interested applicants, please send an e-mailor write to Pashko R. Camaj, Dr.PH, Chair of Vatra’s Educational Foundation at the following address:

  • Email: Prcmaj@gmail.com
  • Or write to ma at: Vatra Education Fund: 2437 Southern Boulevard, Bronx, New York, 10455-6501

Filed Under: Emigracion Tagged With: dr. Pashko Camaj, VATRA’S EDUCATIONAL FOUNDATION

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT