• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë

December 24, 2025 by s p

Eneida Jaçaj/

Çdo përvojë, ndjenjë, dhimbje, guxim, sakrificë, ndryshon dhe ndërton karakterin e njeriut në kohë. Realiteti i gjithësecilit nga ne, është i ndryshëm, me një perceptim individual i të menduarit, ndjesisë, i ndikuar nga këndvështrimi konceptual, si pasojë e ngjarjeve të ndryshme jetësore, që formojnë përjetime të vogla përballë një botëkuptimi më të gjerë. Çfarë përfitonte njeriu nëse pranon realitetin e tij në rradhë të parë brenda vetes, dhe më pas ta bërtasë me zë të lartë atë që e shqetëson dhe i mban peng ekzistencën e tij? A do të ishte më i çliruar nga “demonët” brenda vetes, që e mbajnë si të lidhur me zinxhir? A do të ndihej më i lirë nëse do ta pranonte veten ashtu siç është, me ato ngjarje e ndodhi që i kanë ndryshuar rrjedhën e të menduarit dhe të përjetuarit? A do të përfitojë apo do të humbë nëse e pranon veten mes asaj që është dhe asaj që do të ëndërronte të ishte? A do të çlirohej nga ankthi duke dialoguar dhe komunikuar me veten e të tjerët, për atë që e shqetëson, duke pranuar se jeta është një shfaqje kalimtare dhe asgjë nuk është e përjetshme? Njeriu shpesh herë gjendet para një dileme; të bëhet ai që është, të jetë ai që ka dhe ajo që njeriu përfaqëson në sytë e të tjerëve. Cila nga këto do ta bënte të ndihej më i lumtur dhe i çliruar?

Janë pikëpyetje që dalin nga dy veprat e mëdha të shkrimtarit psikanalist, me origjinë amerikano-hebre, Irvin D. Yalom, Profesor i Psikiatrisë në Universitetin e Standfordit në SHBA, përkatësisht kryevepra “Kur qau Niçja” dhe vepra “Kura e Shopenhaurit”. Këto dy vepra kanë në qendër të tyre të përbashktën; psikoterapinë moderne që kanë në thelb dialogun-komunikimin, seancat dëgjimore në grup, ku autori i vendos personazhet e tij në situata të ndryshme bashkëbisedimi, të cilat të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe filozofinë e jetës, por është edhe një çlirim i shpirtit nga brengat, etj. Këtë psiko-filozofi e kanë trashëguar më pas psikiatër të rinj, por të modifikuar, siç është Arthur Janov, i cili njihet për Primal Scream Therapy, në vitet 60’-‘70, një lloj psikoterapie që i ndihmon njerëzit të largojnë të gjitha traumat, dhimbjet, mllefet, duke bërtitur; është një formë çlirimi e shpirtit nga të gjitha vuajtjet e jetës, që të çon drejt lirindjes. Kjo metodë terapie mund ta ketë zanafillën shumë më herët, ku sipas një legjende, gratë mblidheshin pranë një pusi dhe bërtisnin me të madhe, zëri i tyre gjemonte si shkrepëtima në qiell të hapur, pasi “pusi” ishte i vetmi vend ku zëri i tyre dëgjohej; në familje dhe në shoqëri, gratë ishin kokëulura dhe skllave të një shoqërie maskiliste, të cilat nuk kishin asnjë lloj të drejte, por vetëm detyra.

Autori, në të dyja veprat në fjalë, në mënyrë të qëllimtë, sjell emra të mëdhenj të mendimit filozofik dhe psikologjik, në të dyja veprat; Arthur Shopenhahuer, filozof gjerman i njohur për filozofinë e tij pesimiste, por që brenda ka doza realizmi; Fridrih Niçe, një nga filozofët më të shquar gjermanë të shekullit të 19-të. Niçe ka përvetësuar vepra të Shopenhauerit, kanë të dy pothuajse një mendim filozofik pesimist, ndoshta edhe si pasojë e doktrinës se si janë rritur apo edhe sëmundjes që Niçe kishte, ku shpesh herë nën ndikimin e saj, qasja e tij për jetën ka arritur majat e absurditetit; ata njihen si filozofët më të vështirë për t’u kuptuar; si dhe psikanalisti i famshëm, Sigmund Frojd, i cili i ka ardhur shpeshherë në ndihmë shoqërisë.

Kryevepra “Kur qau Niçja” është një dramë dashurie, ku filozofi i madh europian, në kulmin e dëshpërimit të tij, kërkon të bëjë vetëvrasje, pasi ishte i paaftë të gjente një kurë të posaçme, që do ta shpëtonte nga dhimbja e refuzimit të dashurisë. Lu Salome, e cila e ndiente veten fajtore, kërkon Zhozef Brojerin, një nga themeluesit e psikoanalizës, që ta shpëtojë nga vetëvrasja. Brojer përdor kurën eksperimentale të dialogut, bashkëbisedimit, e vetmja mënyrë që e bëri të çlirohet nga ajo e keqe e madhe, që e mundonte prej kohësh. Nga ana tjetër, edhe Brojeri kishte të njëjtin shqetësim, nga i cili ishte mbyllur në vetvete dhe nuk pranonte ta fliste me askënd. Kështu, ata përfundojnë pacientë të njëri-tjetrit, dhe shpëtojnë veten e tyre nga e keqja e madhe. Në dialogjet e zhvilluara mes tyre, Niçja ofronte aspektin filozofik, ndërsa Brojeri atë psikanalitik. Pra, sipas kësaj filozofie, njeriu duhet të pranojë realitetin e tij, duhet të pranojë veten ashtu siç është, dhe të flasë me një mik apo mikeshë për atë që e shqetëson, duke e bërë të ndihet i çliruar, i lirë, në botën e tij.

Personazhi tjetër është Filip Sleiti, ish-pacient i Xhuliusit. Ky i fundit nuk arriti dot ta shëronte Filipin, i cili gjeti shpëtim te kura e Shopenhauerit. Të dy kanë nevojë për njëri-tjetrin. Filipit i duhet Xhuliusi për miratimin e hapave të tij si këshillues filozofik, ndërsa Xhuliusit mësimet e Shopenhauerit. Filipi i bashkohet terapisë në grup, por ai e di shumë mirë se anëtarët e grupit kanë nevojë për filozofinë e Shopenhauerit. Në një bashkëbisedim mes Filpit dhe Xhuliusit, Filipi përdor thëninen e Spinozës, “aspekti i përjetësisë”; ai sugjeronte që ngjarje të përditshme shqetësuese, bëhen më pak të tilla nëse shikohen nga aspekti i përjetësisë. Filipi, gjatë jetës së tij, ishte një “Kazanova”, i obsesionuar pas epshit, ndaj femrave të bukura, të cilat i nënshtronte për aq sa i duheshin dhe më pas i flakte tutje. Ai ishte shumë i varur ndaj këtij obsesioni, saqë kishte prishur miqësira.

Por cila ishte kura e Shopenhauer që e shëroi Filipin? Dëshirat kanë një vullnet të jashtëzakonshëm, kur ato bëhen të zjarrta dhe fiksuese, për ta çuar njeriun drejt veseve të këqija. Janë pikërisht këto dëshira me përmasa katastrofike, që e mbajnë të mbërthyer gjithë jetën e njeriut, mendjen, trupin, në humnerën e të pavetëdijshmes dhe alogjikës. Shopenhauer propozon se njeriu që të shpëtojë nga veset e këqija, duhet të heqë komplet dorë nga dëshirat. Pra, sipas filozofit gjerman, është vullneti që shkakton të gjitha vuajtjet në botë kur ne kërkojmë të kënaqim dëshirat tona. Ai u shty nga vullneti për të kërkuar fundin e vetmisë dhe dëshpërimit të tij përmes marrëdhënieve trupore. Kështu, ky formulim i Shopenhauerit pati efekt te Filipi, i cili u shërua plotësisht duke pranuar të izolohet nga shoqëria dhe pikërisht nga obsesioni seksual. Ndoshta nuk do të ishte rruga më e drejtë që njeriu të izolohej nga shoqëria siç bëri Filipi, pasi ne kemi nevojë për njëri-tjetrin, për të folur e komunikuar, por njeriu mund të përdorë një taktikë tjetër, duke e bindur arsyen se kjo dëshirë nuk do ta çojë në rrugën e duhur, por, përkundrazi, do hapë probleme duke bërë që jeta e njeriut të vërtitet rreth atij vesi të sëmurë, duke humbur kuptimin e saj.

Për mendimin tim, njeriu nuk duhet të heqë dorë nga dëshirat, por duhet t’i kontrollojë ato, nëse bëhen shkak për lindjen e veseve të këqija, që të mbajnë mbërthyer dhe të nxjerrin komplet nga rrjedha e duhur e jetës. Do të mbështesja më së shumti thënien e Sokratit, “Njih veten”, ku njeriu duhet të punojë fort për t’ia njohur vetes ato vese, ato dëshira që e ndrydhin, duke i kaluar në ekspertizën e gjykimit kritik dhe reflektiv, dhe duke i mbajtur nën kontroll. Secili nga ne ka pika të dobëta që bëhen shkak i sjelljes jo të mirë, duke na kufizuar objektivin personal dhe profesional. Pra, filozofia dhe psikologjia, kur ndërveprojnë së bashku, i sjellin shoqërisë zgjidhje afatgjata, të duhura, duke rregulluar sjelljen e njeriut. Edhe dy ekstremet, asnjëherë nuk janë të mira, pasi kthehen në vese. Duhet të gjendet mesi i artë, siç thotë Aristoteli. Një shembull i thjeshtë, nëse ushqehesh pa kufizime dhe pa orare, do të kthehet në një ves që dëmton shëndetin, si rrjedhojë, nuk do të jemi në formën e duhur për t’i shërbyer familjes dhe profesionit. Këto dy vepra gjithsesi janë një thesar për fushën e psikologjisë dhe filozofisë. Secili nga ne mund të nxjerrë mësime të vlefshme dhe të përjetojë dialogun brilant mes bashkëbiseduesve, që të mbërthen aq fort dhe të duket sikur edhe ti bëhesh njësh me ta në biseda.

Filed Under: ESSE

“Metamorfoza”

December 23, 2025 by s p

Virgjil Kule/

Franz Kafka e nis librin e tij “Metamorfoza” me një rrufe në qiell të hapur. Pa asnjë parapërgatitje për tensionin dramatik që do të vijojë, pra pa pikë mëshire për brishtësinë e lexuesit, ai shpalos gjëmën: Gregor Samsa, sapo zgjohet nga gjumi, e sheh veten të shndërruar në një insekt gjigant.

Lexuesi kapet në befasi. Me përdhunë, Kafka e detyron atë të përjetojë tmerrin e Gregor Samsës. Duarbosh, pa armët e arsyetimit dhe të logjikës, lexuesi nis edhe ai përballjen e vet me absurdin e ekzistencës.

Tronditja thellohet kur mëson se Gregori është më i shqetësuar për humbjen e punës sesa për trupin e tij të përçudnuar. Fillimisht keqardhëse, edhe familja e tij ndryshon kurs: mërzitet, bezdiset dhe, në heshtje, mban një qëndrim armiqësor. Kafka zbulon kështu një të vërtetë të hidhur: shoqëria njerëzore vlerëson më shumë dobishmërinë socio-materiale të dikujt sesa vlerat e tij humane. Për sa kohë Gregori sillte të ardhura dhe ndihmonte familjen, ai respektohej prej saj. Në çastin që e humbi këtë aftësi, vlera e tij nisi të pësonte rënie — një rënie të ngadaltë, të dhimbshme dhe të pashmangshme.

Gjuha e Kafkës është e thjeshtë: nuk ka as teprime poetike dhe as dialogë dramatikë. Ka vetëm tonin e ftohtë të vëzhguesit.

Por kjo narrativë, në dukje e rrafshët, përshkohet nga një segment i gjatë emocional dëshpërimi. Dhoma e Gregorit zvogëlohet, bëhet më e errët dhe më e boshatisur — pasqyrim i vendit të tij të mpakur në botë. Motra, Grete, dikur tepër e lidhur shpirtërisht me të, fillon të lodhet nga kujdesi. Dashuria e saj zbehet. Stermundimi në përkujdesje, ankthi për fatin e vëllait dhe, sidomos, presioni shoqëror, dalëngadalë zëvendësojnë dhembshurinë. Ndërkohë, dëgjojmë Kafkën që na pëshpërit në vesh: Kujdes, i dashur lexues — shmangia sociale, tjetërsimi, është më shkatërrues se çdo urrejtje e shprehur hapur.

Në të vërtetë, Gregori e kishte ndjerë tjetërsimin shumë kohë para se të shndërrohej në insekt. Ai jetonte për të punuar dhe punonte për të mbijetuar në një ekzistencë të mjerë. Shndërrimi i tij fizik nxori në pah, e bëri të dukshme diçka që deri atëherë nuk shihej: ai kishte qenë një hije mes njerëzve — i papikasur, i pazëshëm dhe krejtësisht i vetmuar emocionalisht.

Me një gjakftohtësi drithëruese, Kafka na shpalos këtë dukuri të zakonshme të jetës së miliona njerëzve, të cilët detyrohen të luajnë role që nuk u përshtaten, të bllokuar palëvizshëm në kurthin e pritshmërive dhe të vlerësimit thjesht mbi bazën e dobisë materiale që sjellin.

A ishte mallkim shndërrimi i Gregorit në insekt nga ata që shtypen me këmbë pa u vënë re, apo një mjet grotesk i autorit për zbulimin e një të vërtete? Mjeshtërisht, Kafka paraqiti lakuriq diçka që bota nuk e shfaqte hapur: përbuzjen ndaj ekzistencës së Gregorit dhe të miliona të tjerëve si ai.

Nëse Gregor Samsa do të jetonte në kohën tonë — i stërlodhur nga stresi, i sfilitur nga përgjegjësitë familjare e shoqërore, i tejshqetësuar për të krijuar dhe ruajtur një nivel të pranueshëm jetese, i tejtrembur nga të papriturat që mund t’i ndodhnin, i zhgënjyer nga mosmirënjohja, i zvetënuar nga të qenit përjetësisht anonim — a do të ishte ndryshe nga insekti i Kafkës?

Ku është kufiri ndarës midis pozicioneve sociale, ku në njërën anë shoqëria të sheh si të dobishëm, dhe në anën tjetër si të bezdisshëm?

Filed Under: ESSE

Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit

December 23, 2025 by s p

Albert Vataj/

Në reflektimin e Umberto Eco-s për librin dhe aktin e zotërimit të tij, nuk kemi të bëjmë thjesht me një justifikim elegant të bibliomanisë, por me një filozofi të thellë të dijes, kohës dhe marrëdhënies së njeriut me mendimin e akumuluar. Eco e çliron librin nga tirania e përdorimit të menjëhershëm dhe nga morali utilitar që kërkon domosdoshmërisht përmbushje të menjëhershme: ta lexosh librin sapo e blen, ta shterosh dhe më pas ta zëvendësosh. Kjo logjikë, sipas tij, nuk është vetëm e varfër intelektualisht, por thelbësisht konsumiste, sepse e redukton librin në një objekt që vlen vetëm për aq kohë sa “përdoret”.

Krahasimi që ai bën me takëmet, gotat, kaçavidat apo kokat e shpimit është thellësisht domethënës. Askush nuk ndihet fajtor që ka më shumë mjete sesa përdor çdo ditë; përkundrazi, prania e tyre garanton gatishmëri, siguri dhe liri veprimi. Po kështu, biblioteka personale nuk është një listë detyrimesh leximi, por një rezervuar potencialesh mendore, një territor ku mendimi mund të gjejë strehë, ushqim dhe shërim në momentin e duhur.

Metafora e librave si “ilaçe” është ndër më të fuqishmet që Eco ka artikuluar ndonjëherë. Ajo e zhvendos librin nga sfera e argëtimit apo e detyrës kulturore, në atë të kujdesit për shpirtin dhe mendjen. Ashtu si në një kabinet mjekësie, ku ilaçet nuk merren të gjitha njëherësh e as rastësisht, por sipas nevojës, simptomës dhe çastit, edhe librat presin momentin e tyre. Disa janë për plagët e vjetra, disa për ethet e së tashmes, disa për parandalim, disa për shok apo për zgjerim horizontesh. Vlera e tyre nuk qëndron në faktin nëse janë lexuar apo jo, por në gatishmërinë e tyre për t’u bërë të domosdoshëm në një çast të caktuar të jetës.

Në këtë këndvështrim, librat e palexuar nuk janë dështim, por premtim. Ata janë dëshmi e përulësisë intelektuale, e pranimit se dija është gjithmonë më e madhe se koha jonë, se jeta jonë nuk do të mjaftojë kurrë për t’i përvetësuar të gjitha, dhe se kjo nuk është tragjedi, por pasuri. Biblioteka e pasur, e mbushur me libra të lexuar dhe të palexuar, bëhet kështu një hartë e vetëdijes sonë për kufijtë, një dialog i hapur me atë që nuk dimë ende.

Në kontrast të fortë me këtë qëndrim, Eco vendos figurën e lexuesit-konsumator: Ai që blen një libër, e lexon, dhe e heq qafe, si të ishte një send i përdorur, pa kujtesë, pa vazhdimësi, pa rrënjë. Ky akt nuk është neutral; ai shpreh një raport të cunguar me kulturën, ku libri nuk është më depo e mendimit, por një produkt me afat përdorimi. Në këtë logjikë, nuk ka bibliotekë, ka vetëm qarkullim mallrash.

Ndërsa për ata që i duan librat, siç e thotë Eco, libri është gjithçka tjetër veçse një mall. Ai është shenjë përkatësie, instrument lirie, dëshmi e një marrëdhënieje afatgjatë me dijen dhe me veten. Librat nuk na posedojnë sepse i kemi lexuar; ata na rrethojnë, na sfidojnë dhe na presin. Dhe pikërisht në këtë pritje qëndron dinjiteti i tyre më i madh: të jenë aty, të shumtë, të heshtur, gati të flasin kur ne të jemi gati t’i dëgjojmë.

Filed Under: ESSE

“Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”

December 22, 2025 by s p

Arben Iliazi/

Luftrat janë një magji e zezë, që shkaktojnë karma të këqia ngaqë përplasen në ujërat e qeta të jetës, duke prodhuar rrathë me valë, që zgjerohen gjithnjë e më shumë dhe e shndërrojnë njeriun në një fantazmë zoologjike, ku çdo gjë ndodh pa dijeninë e tij. Ky është pak a shumë lajtmotivi i romanit të ri të Luan Ramës “Murgu i Malit të Shenjtë”, botim i Shtëpisë Botuese “Albas”, ku shpaloset me realizëm historia e një ushtari të luftës italo-greke të internuar në Ustikë. Odisea Mihalis është një kretan që beson se ka ardhur në këtë botë për të qenë i lumtur me familjen. Por fati ia përzien letrat. Odiseada e tij fillon në malin e Gramozit ku, i plagosur rëndë, shpëton nga vdekja e sigurt, falë përkujdesjes së një fshatari shqiptar të Këlcyrës, por kapet nga italianët dhe internohet në Ustikë.

Fuqitë e tij shpirtërore e mbajnë gjallë për disa vjet, derisa arrin të rikthehet në “Itakën” e tij, te gruaja e tij e dashur. Por Lea, pas një pritjeje të gjatë dëshpëruese dhe të pashpresë, duke menduar se i shoqi ka vdekur, ka vënë kurorë me një burrë tjetër, duke vepruar në një dimension astral. Romani merret me njeriun brendësor, me goditjet që shkaktojnë demonët e luftës. Në konfliktin bazë të romanit triumfojnë këta demonë dhe bëhen përherë e më të fuqishëm.

Odisea, megjithëse i magjepsur pas gruas së tij me një dashuri gati hyjnore, që e mban gjallë pas gjithë kalvarit të vuajtjeve, nuk i përdredh ligjet e jetës sipas qëllimeve të tij, kur përballet me njeriun që është bërë bashkëshort i saj, dhe gëzon dhe pronën e tij.

Këtu nuk bëhet fjalë për një vepër absurde, por për një vepër që shtron problemin absurd. Kur e sheh që ushqimi shpirtëror mbaron dhe shpirti shkretohet, duke u kthyer në një gërmadhë lufte, kur sheh që nuk ka më jetë brenda tij, Odisea i përkushtohet zotit, duke u dorëzuar murg në Malin e Shenjtë.

Sfondi historiko shoqëror, ngjarjet e kohës ku e ka marrë temën romani, janë të pasura dhe të ngjeshura, me një densitet të jashtëzakonshëm. Autori më shumë se me heroikën e luftës, merret me pasojat e luftës.

Romani shquhet për vërtetësinë e detajeve dhe efektet dramatike, duke përdorur në mënyrë shumë funksionale retrospektivën e largët përmes vargjeve epike të poemës homerike “Odisea “, një nga kryeveprat e para të letërsisë botërore. Odisea në këtë roman është një figurë mjaft reale dhe tokësore. Pyetja që lind është: A mund të ishte Lea një Penelopë?

Parimet nuk janë gjithmonë të mjaftueshme. Rasti është një forcë e egër, të cilit duhet t’i besojmë sa më pak që është e mundur.

Kush është i thirrur të kryejë vepra të caktuara dhe të rëndësishme, i ndjek idealet e tij së brendëshmi dhe dhe në mënyrë instiktive, i gatshëm të presë, siç presin bletët ndërtimin e zgjoit. Ky roman mendoj se është jo vetëm një nga realizimet më të mira të shkrimtarit Luan Rama, por edhe një nga arritjet më të mira të prozës sonë të gjatë, me ngjarje dinamike dhe me situata të mprehta dramatike, një letërsi që mund të përkthehet lehtë në film. Nuk është çudi që vetë shkrimtari t’i hyjë aventurës së përshtatjes, meqë i njeh mirë rregullat e skenarit. Edhe gjuha e përdorur është mjaft e pasur, e bukur, individualizuese. Autori ka përdorur një stil të pangarkuar, të thjeshtë, të vetvetishëm.

Filed Under: ESSE

Njëqind vjet vetmi!

December 21, 2025 by s p

Virgjil Kule/

Romani i Gabriel García Márquez trajton pothuajse gjithçka: dashurinë, vdekjen, luftën, pushtetin, kujtesën, familjen, fatin, kolonializmin, revolucionin, vetminë, pasionin. Është po aq argëtues, epik dhe historik, sa edhe tragjik, intim dhe mitik. Dhe është shkruar me një stil të tillë që e bën lexuesin të ndihet si një lundrues i qetë në një lumë të gjerë, të cilit mezi i dallohet drejtimi i rrjedhës.

García Márquez është mjeshtër i gjetjes së drejtpeshimeve të përkryera. Elementet e magjisë i shërbejnë thellimit në të vërtetat mbi pushtetin, kujtesën kolektive dhe, në përgjithësi, natyrën njerëzore.

García Márquez na mëson se rrëfenjat e fuqishme nuk i shmangen realitetit, por e shohin atë përmes tejqyrës së miteve dhe magjisë, ku realiteti, aty për aty, në çastin që ndodh, shndërrohet në legjendë.

Rrëfimi i Gabos të rrëmben dhe të vë përfund jo thjesht sepse përmban mesazhe të fshehta, por sepse ai sjell të vërtetën hijshëm, historinë magjishëm dhe dhimbjen me solemnitet. Ai krijoi personazhe që ngjajnë më realë sesa njerëzit që takojmë.

Njëqind vitet e tij përfshijnë krejt kohën e jetëve.

Dhe këtë e bën duke rrëfyer për flutura dhe për shiun, për fantazmat dhe revolucionarët, për dashurinë dhe vetminë — me një stil aq mjeshtëror, sa ata që e kanë për detyrë të lexojnë mes rreshtave u rrekën më kot të zbulonin kode sekrete aty ku Gabo thjesht shpaloste të vërtetën, në mënyrën e tij të papërsëritshme.

May be an image of text that says "García GabmetCarciaMarquez Gabrel Garcíal larquez Márquez One Hundred Years of Solitude One HandredYears Hndred Years ofSolitude olitude Harper & Row"

See insights and ads

Boost post

Like

Comment

Share

Comment as Gazeta Dielli – Faqja Zyrtare

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT