• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Preokupimi i sinqertë i prindit amerikan

September 20, 2018 by dgreca

1 Libri albana

(Duke lexuar librin e Ben Sasse “The Vanishing American adult”)./

1 Albana L

Nga Albana M. Lifschin/

Duke folur për rritjen e brezit të ri, grekët e lashtë dhe romakët dallonin midis atyre që “piqen mirë si rrushi dhe bëjnë verë të mirë dhe atyre që moshohen keq dhe përfundojnë në uthull”.
Libri ka për qëllim që të ngjallë debate të nevojshme për të bërë lidhjen midis mënyrës se si po rriten fëmijët e sotëm amerikan dhe të ardhmes së Amerikës.
Autori pohon se “ne sot jetojmë krizën e daljes nga mosha e adoleshencës dhe hyrjes në maturi, e cila s’ka paralel në historinë e Amerikës; Në këtë libër Ben Sasse ndan shqetësimin e tij si prind dhe si patriot. Vite më parë, Ben Sass(Senator i Nebraskës) ka qenë president i Midwestern College në Nebraska, pozicion që e mundësoi atë t’i studionte nga afër fenomenet e moshës së re, dhe konkludoi se nëqoftëse të rinjtë e sotëm nuk do të edukohen me një synim të caktuar si “gjeneratë që do të drejtojë vendin”, ky do të qe kërcënim real për mënyrën e jetesës amerikane.
Dalja nga adoleshenca dhe hyrja në moshë të pjekur përmban në vetvete përgjegjësi vetiake dhe shoqërore. Sipas statistikave, 30% e studentëve në kolegjet amerikane e lënë atë që në vitin e parë të studimeve. Vetëm 40 për qind e tyre diplomohen. Një e treta e të rinjve të moshave 18-34 vjeç jetojnë me prindërit. Shumica e fëmijëve mbi moshën 13 vjeç harxhojnë më shumë se 60 % të kohës duke konsumuar median në internet.
Dikur, shumë nga fëmijët që dilnin nga adoleshenca, bëheshin ekonomikisht të pavarur e krijonin familjet e tyre. Sot kjo gjeneratë duket e vonuar, ose e ka “kapërcyer” pa e përjetuar atë. Autori vëren se gjenerata e re e amerikanëve ka nevojë të maturohet, të mësojë për Amerikën, për të veçantën e këtij vendi; të mësojë se liritë që gëzojnë sot nuk duhen marrë si të mirëqëna një herë e përgjithmonë, por duhet punuar për t’i ruajtur e trashëguar ato; të mësojë për historinë dhe kushtetutën amerikane që mbahet e shenjtë nga prindërit e tyre. Presidenti Ronald Reagan ka thënë:“Liria nuk na përket thjesht si trashëgimi. Për mbrojtjen e saj duhet luftuar vazhdimisht, nga çdo gjeneratë, sepse ajo i vjen popullit vetëm njëherë. Ata që e kanë njohur lirinë dhe pastaj e humbasin, nuk kanë për ta parë më”.
Mënyra se si rriten fëmijët e sotëm, thekson autori, lidhet me statusin e të ardhmes së vendit. Ne jetojmë në Amerikën e adoleshencës së përjetshme. Fëmijët tanë nuk e dijnë tashmë se ç’është një i rritur(adult) dhe si mund të bëhesh i tillë. Shumë syresh as nuk e shohin të arsyeshme se përse duhet ta dijnë. “Por më shumë problematike eshte se kjo vjen ngase ne prindërit kemi harruar që kjo është detyra jonë.
Adoleshentët i karakterizon pasiviteti. Sot Amerika gëzon një superbollëk që nuk e ka patur asnjëherë në historinë e saj. Eshtë vështirë t’i zgjosh fëmijët nga plogështia që u shkakton bollëku. Gjenerata e prindërve dinte të bënte dallimin midis luksit dhe nevojës. Njeriu jeton edhe pa luks. Kurse fëmijët e sotëm nuk e njohin dallimin midis “I need” dhe “I want”. Bollëku i jashtëzakonshëm i Amerikës ka ushqyer një pasivitet të dukshëm. Pasiviteti sot karakterizon jo vetëm moshën e adoleshencës por edhe ata që janë më të rinj e po ashtu edhe ata që kanë hyrë në moshë të pjekur. Njerëzit janë mësuar që në foshnjërine e tyre që t’i kenë të gjitha të gatshme para tyre, duke mos lëvizur asnjë gisht për to.
Ideali amerikan që puna është një komponent i nevojshëm për t’u formuar si njeri i pjekur, përmbledh në vetvete edhe përgjegjsinë. Shumica e amerikanëve kanë lindur me një ndjenjë të brendëshmë shpirtërore për ta investuar kohën në mënyrë produktive. Amerika e ruan etikën e vjetër të punës, madje edhe kur përpjekja për mbijetesë nuk është më e nevojshme. Njihet proverbi : “Duke ndenjur kot, ne vjedhim vetveten”. Këto mësime që janë marrë e kultivuar nga gjyshërit e prindërit, egziston rreziku të harrohen nga brezi i sotëm i adoleshentëve. “Puna- këshillonte Albert Ajnshtajni nipin e tij –është e vetmja gjë që i jep jetës kuptim”. Autori sjell shëmbuj interesantë nga jeta dhe figurat e rëndësishme të historisë së Amerikës, si edhe e njerëzve të zakonshëm.
Teodor Ruzvelti , ish presidenti i SHBA, pati një vegjëli e rini të vështirë për shkak të shëndetit të lig. Me punë dhe vullnet të madh ai e shndëroi veten në një njeri të fuqishëm fizikisht. Me forcën e vullnetit djali jo vetëm u përmirësua, por shkoi edhe me tej. Ai mori mësime boksi në mënyrë që t’i dilte vetes për zot e të mos i trëmbej askuj. Më vonë, student në kolegjin e Harvardit, Tedi Ruzvelt u shqua në një kampionat boksi duke fituar admirimin e spektatorëve “ Në botë nuk vlen asgjë, nëse nuk është arritur përmes veshtirësive” thoshte Ted Ruzvelti Edhe kur u bë president i SHBA , ai luante futboll e bënte boks. Në filmin amerikan “Shawshank Redemtion”, ka një skenë domethënëse, kur te burgosurve iu kërkua të dilnin vullnetarë për një punë të vështirë. Dolën 100 të burgosur. Ata punuan shumë mbi çati dhe puna u shpërblye me një shishe birrë për secilin. Personazhi i filmit i luajtur nga Morgan Freeman thotë: “ Ne pimë birrën duke patur diellin mbi kokë dhe u ndjemë si njerëz të lirë”
Autori konkludon që fëmijët bëhen të pjekur e të përgjegjshëm për të ardhmen ,jo përmes pekuleve,përkëdheljeve, por nëpermjet njohjes së punës e vëshirësive të saj. – Për të rinjtë e sotëm amerikanë, dalja nga adoleshenca dhe hyrja në moshën kur kultivohet pjekuria dhe përgjegjsitë, tingëllon si një shaka, ndryshe nga e kaluara kur kufiri midis këtyre dy fazave ishte krejt i qartë.
Të preokupuar për edukimin e fëmijëve me ndjenjën e punës, Ben Sass sëbashku me bashkëshorten vendosen ta dërgonin vajzën e tyre 14 vjeçe në fermë, për një muaj. E lanë atje, në familjen e një fermeri duke e këshilluar të punonte shumë e pa u ankuar,e t’i bënte krenar prindërit. Vajza u mor me të gjitha llojet e punëve, që nga pastrimi i grazhdit , ushqimi i lopëve e deri tek përvoja e pjelljes së bagëtisë. Vajza i dërgonte nënës së saj mesazhe çdo ditë dhe shprehej e emocionuar nga çdo gjë të re që mësonte. Disa prej tyre nëna e saj i përcillte në fb tek të njohurit e saj. Vajza adoleshente po kalonte një përvojë të re dhe ndihej e gëzuar. Vajza u kontaktua nga Wall Street Journal dhe u bë një shkrim për të. Ndërkohë që prindërit po mendonin se si ta shpërndanin këtë eksperiencë, për t’u përqafuar edhe nga prindër të tjerë, ja behën njerëzit e ligjit duke u thënë prindërve që ata kishin thyer ligjin e punës sipas të cilit për moshën e vajzës nuk lejohej të punonte. (Disa shtete dhe ligji federal e bëjnë shumë të vështirë për adoleshentët (15 , 16, 17 vjeç) edukimin e ndjenjës së punës, ndërkohë që fëmijët e fermerit rriten në fermë dhe punojnë së bashku me prindërit). Rritja e një brezi të vlefshëm e jo të llastuar, e një brezi që nuk i trembet vështirësive, ky duhej të jetë preokupimi i prindërve të sotëm .

Filed Under: ESSE Tagged With: Albana M. Lifschin, i prindit amerikan, Preokupimi i sinqertë

Lamtumirë Makensen Bungo!

September 16, 2018 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/
3 Bungo MakensenMe hidhërim e mora lajmin e vdekjes nga miku i Tij i ngushtë Eduard Dilo, se Shkrimtari i persekutuar Makensen Bungo ndërroi jetë, më 15 shtator 2018 në New York në moshën 92 vjec. Makensen Bungo u burgos, torturua dhe punoi skllavërisht në kënetën e Maliqit në kampin e egër të Vlocishtit.

Me të ndjerin Makensen Bungo kemi biseduar gjatë herë pas here në telefon, ndërsa në lidhje me shkrimet me e-mailet komunikonim me të birin e tij Dritanin.  Ajo që do të më bënte përshtypje gjatë bisedave të ndryshme ishte qetësia e Tij në diskutim, kultura e gjithanshme dhe kujtimet e paçmuara të jetës së tij. Pasi doli nga burgu Makenseni dha mesim ne disa zona te thella, midis tyre dhe ne qytetin tim te lindjes Tepelenen (fshatrat e thella të saj) i cili i kujtonte me mall dhe dashuri mikpritjen, bujarinë, dashurinë për mësimin dhe veçaanërisht respektin që kishin për figurën e mësuesit.

Midis shkrimeve e kam për nder që më autorizoi të shkruaja parathënien e librit në punim “Vargje në mote”

Vargje në mote që deshifrojnë hieroglifet e heshtjes së akullt

Nga parathenia e librit “Vargje ne mote” me autor Makensen Bungo ish i persekutuar politik

Mes dallgësh lundra ime/ Ndeshet, lufton/ Mes dallgësh drejt bregdetit/ Përpara shkon…

Marrë nga poezia “Kjo lundra ime” Elbasan, 1945

Janë vargje që janë shkëputur nga poezia “Lundra ime” vargje që ngrehin dallgë detesh dhe behen urë për të cur përpara.  Autori me peshën e viteve mbi supe lëmon mallin, prek dhimbjen e largët që s’mund të shërohet kurrë.

Plagët i bëri vargje me palcë frymëzimi që do të përkunden si foshnjë e porsalindur, si foshnjë që i lidh fati me të parët tanë. Këto plagë duhet të kurohen prej dashurive tona të rifituara, nga korja e fortë e heshtjes!…

Ndërsa në poezinë “Natë”, në kuptimin metaforik jep gjendjen sociale, ngjyrën e errët të saj si nata dhe ja si shprehet: Natë/ kurrë nuk sheh një fijëz drite/ Valle sa do zgjasë kjo natë?… Elbasan 1957 ,

Pena e autorit Bungo duket sikur mban pranë një shami përlotjesh, dhimbjesh.

Nëpërmjet antitezave që të mbajnë të tensionuar gjatë leximit ai shkruan për jetën dhe vdekjen si në fragmentin nga një “Poemë e djegur”:

Une e dua jetën/ Por jeta më tmerron/ unë s’e dua vdekjen/ por vdekja më ngushëllon!…

Burgosja dhe internimi, autorin, blerimin e jetës ia kthyen në zi, sa vetëm vdekja e ngushëllon edhe pse nuk e pranon atë, ngase jeta për të është treguar e pamëshirshme…

Duke vazhduar leximin e librit duket sikur shkon nëpër mote, mote të trazuara në vargje dhe të njomura nga vesa e lotit të një burri plot dhimbje, por dhe lot i bukur si plisi i bardhë i Isa Boletinit.

Pena e autorit ka skalitur si një skulptor i vërtetë shekullin dhe e mbron atë nga murrana e vdekjes.

Metaforat e bukura pëshpërisin në veshët e lexuesve paqësisht me sqep pëllumbi, ai nuk tutet nga plagët, as nga mbyllja në llumin e kënetës ku e internuan për një kohë të gjatë, pasi dhe aty u mundua të gjejë një fijëz shprese, çka më kujton një thënie të Çurçillit se: “Pesimisti shikon për vështirësi në çdo oportunitet, ndërsa optimisti gjen oportunitet në çdo vështirësi”.

Edhe pse shkrimtari është në një moshe madhore ai nuk është si një mërgimtar i zakonshëm, por brenda vetes ka gjetur një udhëz dielli, për t’i bashkuar të dy vendet aq të dashura të poetit, vendlindjen e tij Elbasanin dhe atdheun e dyte Amerikën.

Ai ndjen dhimbje ndërsa kujton shtëpinë e tij të rënuar në Elbasan nëpërmjet poezisë

“Shtëpinë time do shkoj ta shoh” : Gjysmë prishur e vetmuar/ hyjnë laraskat kakarisin/ shtëpi njerëzish të mërguar/…përcillet mesazhi zemërplasur i poetit të ikur në dhera të largëta.

Ai me nostalgji prej një shpirti mësuesi kujton kolegët dhe shkollën duke vargëzuar:

“Do të shkoj në shkollën fillore/ ku mësova abc-n/ të kujtoj mësuesit e mi/ dhe pse sot kam marrë dhenë”/

Janë kujtime që mbyten në lotët e shpresës, plot krenari në kopshtin e Normales së Elbasanit, ku autori bën homazh për ata mësues që u pushkatuan nga diktatura për kundërshti ideologjish.  Ai vargjet i vë në gojën e kumrisë duke iu lutur:

“Moj kumri, moj kumri/ Që të pashë unë këtu sot/ Këto vargje Elbasanit/ Çoja ti, unë s’ja çoj dot!”…

Janë amanete që nuk thinjen në mote, ngase poeti si një pëllumb i bardhë fluturon i lirë në moshën madhore, i dalë prej kafazit të betonuar, aty ku e mbyllën dhe e dënuan poetin…

Lexuesi duket sikur zgjohet prej valëve të oqeanit ku dhimbshëm dhe bukur dëgjohen era e Krastës së vendlindjes së tij, që autori është përkëdhelur shpesh nga flladi i saj.

Këto vargje të kujtojnë librin e Petro Markos, “Intervistë me vetveten”

(Retë dhe gurët) i cili shkruan:  “Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut”…

Poeti Bungo është zhuritur, përcëlluar e djegur nga furtunat e moteve si një pemë, por thellë shpirtit, rrënjët nuk ja dogjën dot, ato qëndruan të forta dhe u zgjatën deri në Amerikën e largët, tokën e premtuar, atje ku poeti po kalon moshën e vjeshtës aristokrate.  Libri “Vargje në mote” përcjellë kumte dashurie, kujtime të hidhura dhe të embla, është një bisedë poetike dhe me bashkatdhetaret e tij në Shqipërinë që ka kohë që e ka lënë fizikisht.

Poezitë me metaforën e shqetësuar,  janë si furtuna përmbi male që herë puthen me retë e bardha e herë i ndëshkojnë duke i larguar tutje…ndoshta për t’i rrëmbyer Krasta që s’ka të pushuar në sezone të veçanta.

Shumë prej poezive të librit janë si flakëza qiriri të Naimit, që mundohen të ndriçojnë terrin që kanë lënë shekujt.

Ato janë pikturë e gjallë e kulturës sonë, ngacmuar nga syri i mprehtë i një ish të burgosuri, që kaloi dekada të tëra në vuajtje, në plagë të pashërueshme, në shekullin e kaluar, ndërsa në këtë shekull sjellë përjetimet e tij, për mos t’u harruar kurrë nga kafshimet e “pseudohistorianëve”.  Poezitë e tij janë si fishekzjarre, që hidhen në një qiell gjysmë të shurdhët, sepse gjysma e zogjve janë trembur nga suferinat e çmendura “çuditërisht” me emra njerëzish si Katrinë, Irenë etj…

Mjaft mbresëlenëse janë poezitë kushtuar Kosovës me përkushtimin: “atyre që diktatura i dënoi se folën për Kosovën” dhe një prej tyre ishte vetë poeti i cili shkruan:

“Nga larg Kosovës/ kur rininë ia fallen/ korbat i dergjën në burgje/ i mbytën në internime”/!…

E korbat kanë ngjyrën e zezë, vetëm klithin, ndjellin zi, ndaj dhe krahasimi për ata që mbollën tmerr në tokën shqiptare është mëse i gjetur.  Shumë patriotëve shpirtndezur për Mëmëdheun deshën t’u verbonin dritën e syve, atë dritë që përhapte si rrufe në pragje besën shqiptare dhe ngrohte pragjet që kishin trungje ngricash nga kohët e acarta…

Nuk e di, por duke e lexuar Bungon, autor me moshë të vjeter, se ç’me krijohet një ndjesi, që edhe pse nuk e kam takuar kurrë,  më bëhet se shoh një Shën poet në qiellin e universit, një ndër banorët që fjala i peshon rëndë si floriri.  Dhe ne si lexues kemi shumë nevojë për kryefjalën e oxhakut, për këta dëshmitarë okularë të historisë sonë të kafshuar gjer në fyt.  Megjithatë edhe pse jeta u tregua e ashpër karshi tij, mençurisht ai gjen manushaqen gjithë aromë të shpirtit, dhe si një urtak jep këshillën për dashurinë e dy buzëve të ndezura, bërë kuq si qershi, që vajza mos të ndruhet për t’ja dhënë puthjen e parë djalit që i lutet:  “Falja o vajzë/ falja puthjen e parë/ se rinia ikën shpejt/ dhe s’kthehet me kurrë, falja”!…

Apo në poezinë: “Pranverë” autori shprehet: Një mëngjes herët/ një dallandyshe trokiti lehtas në dritaren time/ u ngrita dhe e pyeta/: Pse ke ardhur kaq shpejt/? Ajo më lëshoi në dorë një manushaqe/ dhe hapi krahët e fluturoi/.

Shkrimtarit Bungo i jep një frymezim të ëmbël dhe mbeska e tij e vogël, Niki, e cila është lindur në Amerikë dhe ja si i shkruan asaj në poezinë: “ Bisedë me mbesën time”

“Erdha të marr për shetitje/ por ti flike o e bukura jonë, Si një ëngjëll nëpër përralla/ që tregojnë në vendin tone”!

Gjithashtu Babagjyshi poet e mëkon ëngjëllin e tij me dashurinë për vendin e të parëve dhe ja se si: “Kur të rritesh, shko ta shohësh, Eshtë Atdheu i gjakut tënd/ Oh, sa shume ti do krenohesh/ S’ka më të bukur se ai vend”!

Gjuha e rrëfimit të autorit Bengo rrjedh si  gurgullima e çezmës në portën e Kalasë së qytetit të tij të lindjes, një gjuhë e pastër si bora e bjeshkëve, me baza nga Normalja e Elbasanit, shkollë e famshme shqiptare…

Përdorimi i një figuracioni artistik të bukur e bën më të ndjeshëm konceptimin dhe mënyrën e rrëfimit në të gjitha poezitë e librit: “Vargje në mote” .  Eshtë një libër që më ka këndellur në gjithë qënien time.

Pasi ke përfunduar librin ke ndjesinë se ke bërë një udhëtim të gjatë, që me magjinë e fjalës së tij duket sikur ka shpirtëzuar dhe sendet, të cilat kanë marrë butësinë e kadifenjtë të syve njerëzorë, të atyre syve që poeti i ndjeu me pakicë gjatë jetës së tij aq të vështirë. Gjithësesi jepet tipizimi i realitetit shqiptar, duam apo s’duam ne, pasi në fund të fundit është në shërbim vetëm të së vërtetës, e cila vjen një ditë dhe mposht llumin e gënjeshtrës.  Shkrimtarit Bungo i dhemb shpirti për çdo copë tokë shqiptare, ndaj ai  nuk mund të rri indiferent karshi vendit të tij Shqipërisë, të cilës ia bën trupin copë e çikë, siç ndodhi me çamërinë dhe ja se ç’shkruane në poezinë: “Kënga çame”.

“Kënga came/ flakë baroti/ Skuqur gjakut për liri/ Nëpër shekuj vetëtimash/ Të këndon ty Çamëri”!…

Autori duke ardhur në një moshë të thyer në emigrim e ka merak ikjen e qetë nga kjo botë, ai do me çdo kusht që të prehet i qetë në Mëmëdhe ndaj në poezinë: “ Amaneti i mërgimtarit” shkruan:  “Kur një ditë do mplakem fare/ Dhe të luaj s’do kem fuqi/ Mos më lini këtu të shuhem/ N’vend të huaj jabanxhi”!…

Libri mbyllet me poezinë “Epitaf”, që nuk është si në Greqinë e lashtë me një mbishkrim të gjatë, ose të shkurtër si me Spartanët, por autori në fjalë nuk do që t’i shkruhet asgjë, “Vetëm në një gur të thjeshtë t’i vendoset emri, sa t’thonë, paska ikur i ndjeri”!

Është epitaf amanet qysh në gjallje, duke treguar thjeshtësinë gjer në palcë të autorit dhe njëkohësisht pena e tij jep shpirtin patriot që është një zjarrishte shqiptari.

Autori është një pelegrin, veshur me metaforën e dhimbjes dhe vargun si pike loti.

Pena e tij me mjeshtëri duket sikur ka zbërthyer në mote hieroglifet e heshtjes së akullt, dhe ne shohim një dritëz në fund të tunelit, ndërkohë në qiell, kumbon kambana e artë e shpresës.

Ai na dhuron të gjithëv një buqete me sythe shpirti për t’i mbjelle në zemra shqiptarësh të porsalindur, të cilët duhet të njohin mirë historine tonë të gjymtuar në mote.

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Zylo, Lamtumire, Makensen Bungo

“SHTEGTIME NËPËR KOHË” I SHKRIMTARIT REMZI GJIKA, FORMIMI PERSONALITETIT

September 15, 2018 by dgreca

Shkruan:Qatip MARA-Nju Jork/

1 Shtegtimi

     Shkrimtari Remzi Gjika  në vazhdim të botimeve të kaluara në vitin 2018 ka botuar librin “Shtegtime nëpër kohë” (Monografi me esse e refleksione), i cili ka vlera njohëse të jetës individuale,familjare,shoqërore me një larmi konceptesh filozofike,historike,sociologjike,psikologjike,pedagogjike të sfidave ndaj jetës së vështirë. Me përshkrime artistike letrare e kulturë gjuhësore amtare pasqyron kronikat e ngjarjeve të jetës nga fëminia  deri në ditët e sotme.

1 Remzi Gjini

Ne Foto: Remzi Gjika me nipin/

  Lexuesi në librin “Shtegtime nëpër Kohë” do gjejë një përvojë të pasur të formimit e farkëtimit të personalitetit e karakterit të individit në familje,fis, e shoqëri. Me koncepte të sakta historike,psiko-pedagogjike autori Remzi Gjika analizon e përgjithëson rrugën e sigurtë për tu edukuar në punë e nëpërmjet punës.I lindur në fshatin piktoresk Tërbaç me larmi relievi të ashpër me forma gjeometrike, të kodrave,maleve e Qafave me rrëpira e gremina,autori në fëmini ka përceptuar bukurinë e lartësive të maleve që “takonin tavanin” e qiellit. Në çdo faqe të librit vetvetiu lexuesi mediton e shëtit me mendje e emocione njerëzore në jetën e mundimshme të disa brezave , stërgjyshërit,gjyshërit,prindërit dhe trashëgimtarët e tyre, fëmijë,nipër e mbesa ,të cilët bashkë me qumshtin e gjirit të nënës kanë marrë edukatën e punës,të njohjes së traditave të të parëve të tyre.1 Qatip MaraNe Foto:Qatip Mara(majtas) dhe Remzi Gjika/

Me shtëpi të gdhëndura mbi shkëmbinj,të ndërtuara me gurë e mbuluara me pllaka guri, fisi Gjikaj në Tërbaçin e ashpër u mbijetoi shekujve me vullnet e karakter të fortë duke siguruar prodhime buqësore e blegtorale. Në shtëpitë e tyre ishin rritur djem e vajza trime,të guximshëm për tu ndeshur me vështirsitë e jetës. Djem e vajza të punës të këngës por edhe të pushkës për liri e pavarësi.

Dhe fisi Gjikaj  së bashku me fiset e tjera tërbaçiote në shtegtimet nëpër kohë ka derdhur djersë në punë dhe gjakun në luftrat për liri. Autori Remzi Gjika ndjehet krenar i fisit Gjika, i Tërbaçit dhe Labërisë. Ai e quan veten me fat që ka lindur në shtëpinë e gjyshit e prindërve në Tërbaçin piktoresk me oksigjenin e bollshëm e erën trendelinës. Atje në vendlindje kishte mësuar alfabetin e gjuhës shqipe në klasën e parë fillore. Vëllai madh Thanas Gjika  ishte kujdestari e frymëzuesi diturisë. Megjithëse ishte i vogël e në Tërbaç jetoi pak vite të fëmijërisë,autori Remzi Gjika ka ruajtur në kujtesë jo vetëm imazhet e përgjithshme të fshatit,por jep informacione për  jetën e gjyshërve, të cilët ishin të përkushtuar për familjen. Fisi Gjikaj e vlerësonte familjen si themeli edukimit të fëmijëve. Në shtegtimet nëpër kohë brezat Gjikaj krenohen me njeri tjetrin, Gjyshërit krenoheshin me stërgjyshërit por meraku tyre ishte edukimi pasardhësve me motivin e dashurisë për atdheun,punën e diturinë.

Djaloshi vogël Remzi Gjika pasi kishte mbaruar klasën e parë në vendlindje Tërbaç,klasën e dytë e kishte vazhduar në fshatin Vajzë,ku prindërit e tij të dashur shtegtonin në kullota bagëtinë.Klasën e tretë dhe në vazhdim edhe shkollën fillore në fshatin e bukur,afër Vlorës Peshkëpi, ku prindërit e tij kishin vendosur të banonin.

Familja e madhe e prindërve të përkushtuar Haxhi –Aspri Gjika me 10 frymë përballonte vështirësitë ekonomike,sepse vetëm babai familjes punonte. Prindërit pranonin çdo vuajtje por vetëm donin të arsimonin fëmijët me shkollë,sepse diturinë e vlerësonin si pasuri të patundshme e të pakonfiskueshme. Djali madh Thanas Gjika sapo kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera shkollën 7-vjeçare kishte fituar nga shteti bursë për të vazhduar shkollën e mesme mjeksore në Tiranë ,të cilën e kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera e më vonë shkëlqen në studimet universitare në fakultetin e mjeksisë. Kur fëmija i parë në familje shkëlqen në mësime e sjellje bëhet model edhe për fëmijët e tjerë. Edhe adoleshenti Remzi Gjika pasi kishte mbaruar shkollën 7-vjeçare në Drashovicë kishte kërkuar të vazhdonte shkollën pedagogjike. Endrra e tij ishte të punonte mësues. Me fantazinë e tij dhe me humor improvizonte në shtëpinë e prindërve  me vëllezërit më të vegjël e motrën orë mësimi duke e gjallëruar jetën në familjen e prindërve.

Dhe endra e tij do  realizohej me një të drejtë studimi në shkollën pedagogjike  me gjysëm burse, kur prindërit e tij do sakrifikonin  çdo gjë për të arsimuar djalin Remzi Gjika. Me valixhen e rëndë prej druri ishte nisur nga familja me përgjegjësinë për të përvetësuar dituri që vetëm me dije të formonte personalietin e karakterin e tij.

Adoleshenti pedagogjikas Remzi Gjika përballë horizonteve të reja në Tiranë do studionte me pasion për të fituar dituri,duke përvetësuar konceptet shkencore të lëndëve të shkollës pedagogjike. Ai përshkruan bukur jetën e re konviktore,shoqërin e miqësinë konviktore,por kishte ndjerë shqetësimin që shkolla pedagogjike ishte 2 vjeçare dhe nuk të jepte diplomë për mësues,por një dëftesë.

Me qetësinë e maturinë që e karakterizon e me synime të qarta në bashkbisedim me shokë të ngushtë kishte projektuar të vazhdonte paralelisht me shkollën pedagogjike 2 vjeçare edhe programin plotësues të shkollës pedagogjike 4 vjeçare. Me heshtje pa u ekspozuar në shkollë kishte filluar të studjonte lëndët që do të jepte provime në shkollën pedagogjike 4-vjeçare.Me ndihmën e vëllait student në mjekësi,kujdesari   tij shpirtëror Thanas Gjika kishte siguruar librat mësimor.

Me kursime raciononte shpenzime minimale për të realizuar objektivin që për 2 vite të mbaronte shkollën e mesme 4 vjeçare. I rritur me edukatën e gjyshit e prindërve përpinte me sy faqet e librave mësimor duke depozituar në kujtesën afatëgjatë përmbatjen e koncepteve të arithmetikës racionale e lëndëve të tjera që do të jepte provime në shkollën 4 vjeçare duke mos neglizhuar aspak mësimet ditore në shkollën pedagogjike 2 vjeçare. Vemendja e tij e përqëndruar në çdo orë mësimi nuk linte shtigje dyshimi se vazhdonte edhe studimet me korespodencë në shkollën tjetër. Kjo tregonte karakterin e tij të fortë,vullnetin e këmbënguljen për të arritur të merrte me rezultate të larta diplomën për mësues fillore. Mes shqetësimeve të shumta të merakut që kishte për prindërit që po sakrifikonin për arsimimin e tij,adoleshenti Remzi Gjika ishte pjekur parakohe duke u angazhuar me të gjitha forcat mendore e shpirtërore të diplomohej mësues që sa më shpejtë tu shkonte me ndihma financiare familjes së prindërve të dashur duke punuar mësues.

Në konspiracion me shokë të ngushtë ,sapo kishin dhënë provimet e shkollës pedagogjike 2 vjeçare,kishin shkuar në konviktin e shkollës pedagogjike 4 vjeçare për strehim disa kohë që të jepnin provimet plotësuese për diplomën e mësuesisë.    Kishte përballuar një mbingrkesë të madhe mendore me lëndët e reja që në mënyrë autodidakte u përvetësonte me cilësi përmbajtjen shkencore. Ndonëse populli thotë nuk mbahen dy kunguj nën sqetull,por adoleshenti  Remzi Gjika me suksese realizoi stdudimin në dy shkolla duke farkëtuar personalitetin e karakterin e tij me dije të qëndrueshme për mision e shënjtë të mësuesit si misionar dritëdhënës.

Prindërit e tij ishin lumturuar me rezultatet e birit të dashur Remzi Gjika, të cilin  do ta kishin mbështetje financiare për të arsimuar edhe të tjerët. Dhe dita e  shumëpritur që  ta shikonin djalin mësues në vendlindje kishte ardhur me vështirësi. Fillimisht mësuesi adoleshent Remzi Gjika kur sapo kishte mbushur moshën 15 vjeçare ishte emëruar në fshatin Lubonjë  Vlorë. Kishte punuar me pasion me nxënësit lubonjas të klasës dytë fillore. Udhëtonte çdo ditë në këmbë nga fshati Peshkëpi në Lubonjë duke zbatuar me korektësi disipinën në punë.

Pasi kishte mbyllur me suksese vitin shkollor,ishte trasferuar në Peshkëpi. Midis vëllezërve,motrave,fisit Gjika e gjithë bashkfshatarëve peshkëpiot mësuesi pasionuar Remzi Gjika  u vetkualifikua duke zbatuar në orët e mësimit metodat e mësimdhënjes e të mësimnxënjes. Edhe pse diferenca e moshës me nxënësit ishte e vogël,mësuesi ri Remzi Gjika me punë të përkushtuar kishte fituar respektin.

Autoriteti tij buronte nga pasurimi dijeve në vazhdimësi,nga karakteri i formuar në vështirësitë e jetës duke shtegëtuar në kohë. Personaliteti tij rritej çdo ditë nëpërmjet punës pedagogjike dhe veprimtaritë kulturore artisitike të shtëpisë së kluturës të fshatit peshkëpi që ishte qendra e kooperativës së bashkuar.

Komunikimi tij me thjeshtësi,fjalë embel mbillte dashuri njerëzore te nxënësit e tij e gjithë bashkfshatarët, të cilët krenoheshin më mësuesin e përkushtuar Remzi Gjika.

Ndonëse në moshën e rinisë kolegët e tjerë argëtoheshin  me shoqëri e dashuri,

mësuesi përkushtuar Remzi Gjika ishte angazhuar në ndihmë të prindërve,ai ishte modeli i fëmijës-prind për të kontribuar në rritjen e arsimin e vëllezërve të tjerë. Këto janë vlera të rralla të karakterit të fortë që sakrifikon më shumë nga vetja për të  kontribuar për familjen e prindërve të dashur,të vëllezërve e motrave që zinxhir në vazhdimësi sidojnë vëshirësit e jetës të një familje me shumë frymë.

Në trekëndshin barabrinjës temperament,karakter,personalitet ,mësuesi Remzi Gjika kishte të harmonizuar dijet,motivin, vullnetin,këmbënguljen e pasionin për  të përballuar vështirësitë me frymë të guximshme,me ndershmëri  duke u bërë parakohe prindi dytë për vëllezërit e motrat e tij.

Personaliteti tij rrezatonte  dashuri për jetën,për  familjen e prindërve ,për shoqërinë e miqësinë. Me qetësi e maturi kishte ndërtuar marrëdhënje korrekte me të gjithë,duke mbajtur qëndrime parimore, pa hiporizi,pa mashtrime duke respektuar lirinë e sejcilit. Duke trashëguar edukatën e gjyshit,të prindërve të dashur kaliti në kudhrën e punës karakterin e fortë me ndërgjegjen e vetëdijshme që reflekton duke mos shfajësuar gabimet apo dështimet.

Me sedër e ambicje pozitive për të vazhduar arsimin e lartë kishte zgjedhur altternativën  e shkollës së lartë pashkëputje nga puna,me korespodencë duke e vlerësuar realitetin e  vështirësive ekonomike të familjes së prindërve me domosdoshmërinë e rrogës së tij në ndihmë të prindërve,të vëllezërve.Autori Remzi Gjika thekson: “Vazhdimin e shkollës se lartë e kisha endërr, doja të ecja me kohën.Ditën nuk kishte mundësi të vazhdoja fakultetin, për shkak të detyrimeve familjare që kisha.E vetmia zgjidhje ishte të vazhdoja me korespondencë në ndonjë degë që preferoja.Mundësitë atëhere ishin dhe kërkesa ime për të ndjekur shkencat filologjike, u aprovua.Pa vonuar, mora programin dhe fillova nga përgatitja për sezonin e parë.Dega,ishte Gjuhë Letërsi-Histori në Tiranë, ajo degë që më pëlqente shumë.

Në shtëpi kthehesha, sa mbaronte mësimi dhe filloja të lexoja.Kisha shumë dëshirë, gjërat më tërhiqnin si letërsia dhe histori-gjeografia.Në atë kohë nuk kishte drita dhe përdorja një llambë vajguri të cilën e vija te koka e krevatit dhe lexoja deri vonë.Kishte shumë raste që më zinte gjumi dhe vinte nëna dhe fikte llambën nga frika se,  mos më binte natën mbi kokë.”

Përsëri me vullnet e këmbëngulje në mënyrë autodidakte ,duke punuar mësues vazhdoi me korspodencë e mbaroi shkollën e lartë  me rezultate të larta. Ishin të gëzuar prindërit që djalin Remzi Gjika e kishin mbështetje financiare e shpirtërore,por kjo u ndërpre nga shërbimi detyrushëm ushtarak  që e largoi nga puna, nga prindërit të cilët do ta ndjenin shumë mungesën e djalit të përkushtuar Remzi Gjika. Ndonëse shërbimi ushatarak ishte caktuar në sektorin e vështirë në detë,në marinën 4 vjeçare,kohë e barabartë me një universitet,mësuesi Remzi Gjika  ishte angazhuar me motivin për ti shërbyer atdheut.

Në jetën ushtarake të marinës ai zbatoi me ndërgjegje të lartë  disiplinën ushtarake duke u kualifikuar si specialit për radiollokacion të  nëndetses. Në kabinën e radiollokacionit kishte shërbyer në kushte të vështira  në temperature mbi 40 gradë,me shumë tensione sepse gjatë lundrimit me nëndetëse jepeshin komanda luftarake .

Autori Remzi Gjika përshkruan  se :  “Lundrimet sa me kënaqësi i prisnim, po me aq lodhje mbylleshin.Për mua, ato mbetën vite të bukura të rinise e të jetës, që ndikuan shumë në karaktërin tim.Aty u kalita fizikisht, u poqa dhe u formova më shumë për jetën”

Pas shërbimit ushtarak ishte pritur me shumë gëzime  e mall nga prindërit,motrat e vëllezërit. Kishte rifilluar  punën mësues në Peshkëpi duke punuar me pasion  me nxënësit. Kishte vazhduar me shkëputje nga puna shkollën e lartë të filozofisë duke rritur kualifikimet shkencore. Në këto vite kishte krijuar  familjen me bashkshorten mësuesen Violeta Salati Gjika, me të cilën lindën,rritën dhe edukuan tre fëmijë të dashur, djmetë Eri,Arbëri dhe vajza Reviola.

Duke kryer edhe detyra shteterore në drejtim të arsimit ishte ndeshur me intriga e kurthe ,por me karakterin e fortë kishte sfiduar çdo vështirësi. Personalileti tij ishte krijuar me dije shkencore, me punë të përkushtuar e ndershmëri të karakterit që rrezatonte dashamirësi.

Me ndryshimet e sistemit politik si shumë të tjerë,autori Remzi Gjika provoi rrugën e mundimshme të emigracionit. Me familjen e tij e tre fëmijë kishte nisur kalvarin e vuajtje në Athinë,por asnjëherë nuk kishte humbur shpresën se do të realizonte objektivin e arsimit të fëmijve të tij të shtrenjtë. Ndonëse lodhjet fizike të emigracionit ishin të rënda,me optimizëm kishin edukuar te fëmijët dashurinë për dijet,për shkollën.

Pasi u kthye nga emigracioni raskapitës  autori librit Remzi Gjika kishte filluar punë në drejtorinë arsimore të qarkut Vlorë. Me përvojën e tij dhe aftësitë intelektuale punoi me përkushtim deri sa plotësoi moshën e pensionit. Ndërkohë  kishte filluar kkrijimtarinë në prozë me tregime e romane e studime historike, të cilat ishin pritur me interes nga publiku.

Prekupimi kryesor i prindërve Violeta Remzi Gjika kishte qënë formimi karakterit e personalitetit të adoleshntëve fëmijë ,me rrugën e diturisë. Kishin përballuar shumë  vuajtje e vështirësi,por kishin korrur frytet e punës së përkushtuar familjare ,formimin e personalitetit të Erit,Arbërit dhe Reviola, të cilët duke trashëguar edukatën e gjyshërve dhe të prindërve u bënë të aftë të jetojnë me zotësi.

Eri e ka krijuar familjen në Kanada,Arbëri në Hollandë,dhe vajza e talentuar Reviola në Spanjë. Me familjet e tyre  fëmijët ju dhuruan nipër e ,mbesa për prindërit Violeta Remzi Gjika, të cilët të gëzuar udhëtonin me gëzim në Kanada te djali Eri,herë në Hollandë të djali Arbëri, dhe herë në Spanjë te vajza Reviola.

Kur po u gëzoheshin ecurisë të jetës së fëmijës erdhi befasissht ngjarja tragjike e humbjes së jetës së bashkshortes,për të cilën autori shkruan:

“Jeta, për fat të  keq, nuk shkon ashtu si e dëshëron.Një  ngjarje tragjike në  27 maj 2016, tronditi rëndë  familjen tonë .Një  aksident tragjik, që  ndodhi në Krujë  në  një autobuz, që  mori flakë  papritur, u shkrumbua nëna e dashur e fëmijëve të  mi, Violeta, shoqia  e jetës sime, prej 42  vjetësh, sa kishte festuar 65 vjetorin e lindjes.Kjo ngjarje e pabesueshme, që mori dhenë , nuk la njeri pa tronditur e pikëlluar, veçanërisht fëmijët, që  u shokuan nga kjo rrufe e papritur në  mes të  ditës me diell”.  Në vitin 2016 kur shkova për herë të parë në Vlorë me një zemrë të tjetrit,e takova në Bar Rossi  shokun,mikun e vëllan e vendlindjes sime Remzi Gjika,me të cilën kam shumë kujtime të rinisë,si koleg dhe mik në vizitat reciproke te familjet e prindërve tanë,që rritën me shumë sakrifica shumë fëmijë, duke përballuar vështirësitë e jetës. Prindërit e vëllait Remzi Gjika ishin shumë të dashur. Ata rritën fëmijë të edukuar të cilët u bënë intelektual të talentuar.Kisha fatin që kisha fjetur në shtëpinë e tyre në kodrën e fshatit  të vjetër Peshkëpi. Midis tyre e ndjeva veten si në shtëpinë time.

        Jeta na ndau në drejtime të ndryshme. Kur u takova te Bar Rossi me vëllan Remzi Gjika ndjeva emocione dhimbje për humbjen tragjike të bashshortes Leta, e cila ishte kolegia ime në shkollën e Selenicës.Kishte shumë kulturë komunikuese me kolegë,nxënës e prindër. Vëllai dashur Remzi Gjika i plagosur nga dhimbja e madhe,humbja e shokut të jetës j,kishte ardhur në takim për të shprehur gëzimin e tij që po jetoja jetën e dytë me  zemër të huaj. Ai më jepte vazhdimisht kurajo në vitet e vështira në spitale dhe shpesh shikoheshim në camer duke u çmallur. Kur shkova në shtëpi për ngushëllim, hyra në shtëpinë e tij e ndjeva drithërimin shpirtëror që mungonte ajo që i kishte zbukuruar mjediset e dhomave të hyrjes dhe më lëndonin përfytyrimet e skenës tragjike që kisha parë në lajmet televizive nga Nju Jorku pamjet e tmerrit të aksidentit të autobuzit që udhëtonin të gëzuar  me kolektivin për destinacionin turisitik,por për  bashkshorten  e vëllait  Remzi Gjika ishte udhëtimi largimit nga jeta, i cili me dhimbje të shumëfishtë e kurajo të forte e kishte përcjelllë  bashkshorten në banesëm e fundit duke e ngurtësuar dhimbjen  në zemër me dashurinë e tre fëmijve të shtrenjtë që rriti e edukoi e paharruar Leta. Aty në shtëpi më shumë sundoi heshtja se sa biseda,se edhe fjalët ishin të ngrira nga dhimbja.

 Autori Remzi Gjika është prezantuar denjësisht para lexuesit  jo vetëm me  librin “Shtegëtim nëpër kohë” ,por edhe me botime të tjera artistike si :

  1. “Porta e mundimeve “  tregime  2015,
  2. “Në rrugën pa kthim” roman 2015,
  3. “Labi dhe Deti” tregmie 2015,
  4. “Gjikajt e Tërbaçit në rrugën e jetës e Lirisë”.monografi 2017
  5. “Shtegtime nëpër kohë” ,monografi 2018

 Pas humbjes së bashkshortes  autori Remzi Gjika për të shmangur vetminë  udhëtonte drejt familjeve të fëmijëve , ku çmallej edhe me nipër e mbesa e qendronte disa kohë sipas stinëve të vitit. Sigurisht për çdo  burrë gruaja në moshën tonë është e  nevojshme e domosdoshme.sepse burri nuk i shërben dot vetes së tij. Mungesa e gruas është dënimi i  padrejtë se nuk përballohet vetmia. Në  labëri njeriun e keq e mallkonin me shprehjen : “Të pafsha pa grua në pleqëri!”.  Por miku e vëllai im Remzi Gjika është njeri shumë i mirë,me vlera të larta intelektuale,me personalitet të konsoliduar me dije e punë të përkushtuar. Zoti i mori bashkshorten me aksidentin tragjik duke e plagosur rëndë zemrën e tij. Përsëri Zoti mendoi dhe atje tek plasaritjet e zemrës të plagosur të autorit Remzi Gjika ka mbirë shpresën për të jetuar me një bashkshorte tjetër, e cila është zonja e nderuar  intelektuale  Teuta Bano.

U gëzova shumë mësova se jetojnë bashkë me vëllan e vendlindjes sime  Remzi Gjika. Ju uroj jetë të gjatë  me lumturi!

Qatip Mara

New York   14.09.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: Qatip Mara, Remzi Gjika, Shtegtime ne kote

Mbi të vërtetën

September 13, 2018 by dgreca

… Një njeri partiak, politikan, urren dhe e përbuz sinqeritetin…/

3 Astrit-Lulushi-286x300-2

Nga Astrit Lulushi/

E vërteta është diçka që njihet si e saktë, në përputhje me realitetin, e provuar nga përvoja. Por disa nuk kanë respekt për të vërtetën. Ata shpesh e injorojnë, e zbukurojnë, i vijnë rrotull dhe e mohojnë atë. Ka që gënjejnë thjesht për të kënaqur, për të provokuar emocione, për të provuar një çështje. Por mbi të gjitha, e konsiderojnë të padenjë vendin e tyre të pafat, e ngrejnë atë në qiell, e lëvdojnë pamasë, dhe pastaj e shajnë, e shkelin, e turpërojnë, e shkatërrojnë, e konsiderojnë si njeriun që është duke vdekur por të afërmit që i qëndrojnë mbi kokë e mashtrojnë, duke mos i treguar të vërtetën rreth gjëndjes shëndetësore në të cilën ndodhet. Kur janë vetëm, secili gjithmonë përpiqet të tregohet më i zgjuar, ndërsa kolektivisht ata bëjnë shumë gabime dhe priren drejt dështimeve të hidhura. Një njeri partiak, politikan, urren dhe e përbuz sinqeritetin. Një gjë fsheh në thellësi të zemrës dhe flet për një gjë tjetër. Gjendja e tij reflekton mungesën e besimit të shoqërisë në vetvet. Receta është gjithmonë njësoj.  Vetëm emrat dhe retorika ndryshojnë…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Mbi të vërtetën

PASIONI PËR KËNGËN DHE VENDLINDJEN

September 7, 2018 by dgreca

Kopertina

Haxhi Zeneli, ME KËNGË NGA VENDLINDJA NË AMERIKË/

Shkruan: Dr.Nail  Draga*/

     Angazhimi i diasporës shqiptare paraqet faqe të  ndritur në historinë e popullit shqiptarë. Ata krahas obligimeve të tyre nuk kanë kursyer për çështjen kombëtare shqiptare, ku rasti i Kosovës paraqet momentin me transparent në ketë dimension. Jo vetëm qe ndihmuan me mjete financiare, por u angazhuan drejtpërdrejt edhe në luftë përmes batalionit “Atlantiku”.  Ishte kjo një dëshmi e patriotizmit kombëtar e trashëguar brez pas brezi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por, përfaqësues shqiptarë në diasporë kanë arritur edhe rezultate të tjera profesionale duke u bërë shëmbull për të tjerët, ku me punë e pasion arriten rezultate për lakmi.

Në gamën e aktivitetit kulturor ekziston një numër i konsideruar personash dhe shoqatash të ndryshme të cilat më plot dashuri dhe pasion ruajnë dhe kultivojnë muzikën populllore shqiptare. Dëshmi konkrete janë takimet familjare por edhe festivalet e ndryshme. Duhet cekur me këtë rast Ansamblin “Bashkimi Kombëtar” i cili mbledh rreth vetës një numër të konsideruar muzikantësh, këngëtarësh dhe valltaresh. Në gamën e tyre personave qe kanë bërë emër në diasporë është edhe bashkëvendasi ynë Haxhi Zeneli nga Ana e Malit-Ulqin i cili tash 30 vite jeton dhe vepron në Nju Jork të SHBA-ve.

I larguar nga vendlindja e tij jo me dëshirë por në sajë të rrethanave jo të favorshme shoqërore te kohës  u vendos në Nju Jork- SHBA(1985), ku me vete përveç rrobave personale kishte marrë një kasetë me këngë popullore shkodrane. Ishte pasioni për këngën dhe ndjenja se ato këngë do ia heqnin mallin për nënën e tij, vëllëzërit,  vendlindjen dhe këngën shqiptare.

Pas një pune disa vjeçare ai opinionit të gjerë i prezantohet me librin ME KËNGË NGA  VENDLINDJA  NË AMERIKË,  duke sjellur informacione me vlerë për trashegiminë kulturore  në vendlindje dhe mjedisit ku jeton.

Autori dëshmon në vetën e parë si dëshmitarë okularë për disa çështje të trajtuara, por po ashtu ka konsultuar individ të ndryshëm si dhe një literaturë selektive. Të dhënat në këtë botim janë me interes sidomos për brezin e ri të cilët nuk kanë përjetuar masat represive nga pushteti  jugosllav i kohës, e sidomos pas ngjarjeve të marsitt  të vitit 1981 në Kosovë, kur u legalizu fushata antishqiptare. Ishte kjo kohë e mbijetesës dhe e sfidave të mëdha për shqiptarët në Mal të Zi në përgjithësi e në Anë të Malit në veçanti. Ishte koha kur në emër të gjoja separatizmit shqiptar sulmohej çdo gjë ku as  kultura muzikore nuk bënte përjashtim.

Të dhënat e ofruara në këtë botim janë homazh për disa persona të cilët ishin ikonat e muzikës popullore në Anë të Malit e më gjerë  të cilët nuk janë ma në mesin tonë si  Faik Nuzi, Sylo Xhafa, Paulina Mirdita, Nuo Frani etj., të cilët kanë qenë bartësit e muzikës dhe folklorit tonë popullor që ishte në shërbim të identitetit tonë kombëtar. Autori  po ashtu na ofron të dhëna me interes  për personat e angazhuar në artin muzikor, pastaj përmbajtjen e  programit të  koncertëve  si dhe fotografitë e shumta  që nxisin kureshtje të lexuesi. Duhet cekur gjithashtu  edhe angazhimin e  autorit në diasporë kryesisht ne Nju Jork me grupe të ndryshme muzikore, që  dëshmon pasionin e tij  për muziken popullore në mënyrë të vazhdueshme.

Në pjesën e dytë të këtij botimi autori na ofron  prezantimin tekstual të disa këngeve popullore, që më të drejt themi se paraqet një arkiv të veçantë.

Pasi të lexohet ky libër jam i bindur së lexuesit në vendlindje e sidomos ata  në diasporë do të nxiten për të dhënë   kontributin e tyre për  ndodhi  e ngjarje të ndryshme duke pasuruar  çështjet e trajtuara të cilat sa janë personale janë edhe kolektive nga aspekti i identitetit tonë kombëtar, si në vendlindje dhe në diasporë.

Një veprim i tillë do të ishte me vlerë për çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë, identitetin dhe mbijetesën tonë kombëtare!

Çështjet e tilla duhet të theksohen dhe të shënohen sidomos për brezin e ri që nuk i kanë përjetuar, sepse e kaluara nuk ishte e lehtë, se ka qenë vështirë të mbijetohet në rrethana të tilla shoqërore. Sepse ishte  pikërisht  pushteti monist i kohës që i pengonin këngët tona dhe organizimi kulturor  si në vend dhe në diasporë.

Dhe nga një presion i tillë direkt e indirekt shumë të rinjë dhe familjet e tyre u detyruan të emigrojnë në botën e jashtme, duke u larguar nga vendlindja e tyre. Madje ky libër mbanë edhe mesazhin e vendlindjes, sepse ajo është pjesë e pa ndarë e diasporës sonë, që dëshmohet edhe përmes këtij botimi.

Libri në fjalë ka vlera jo vetëm kulturore por edhe kombëtare, andaj si i tillë do të jetë i mirë se ardhur për opinionin  e gjerë. Urojmë qe bashkëvendasit tanë në diasporë të na dhurojnë në të ardhmën botime të ndryshme  duke mbetur përjetësisht pjesë e vendlindjes edhe në vendet ku kanë emigruar.

Nuk ka dilemë se  autori i librit ka kryer një mision të rëndësishëm sa personal poaq edhe moral, duke i dhuruar vendlindjes dhe bashkëvandasve të tij në diasporë një botim i cili pasqyron të kaluarën dhe të tashmën nga dimensioni kulturor, andaj duke qenë libri i parë me një tematikë të tillë  patjetër do të përdorët  si referencë e domosdoshme nga studiuesit e ndryshëm kur do të trajtojnë  çështje të tilla për krahinën etnografike të Anës së Malit  në veçanti apo Ulqinin në përgjithësi.

*(Lexuar më rastin e përurimit të librit më 28.8.2018)

* Haxhi Zeneli, ME KËNGË NGA VENDLINDJA NË AMERIKË, Botoi:Art Club, Ulqin,2017

Filed Under: ESSE Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Haxhi Zeneli, ME KËNGË NGA VENDLINDJA NË AMERIKË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 277
  • 278
  • 279
  • 280
  • 281
  • …
  • 606
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT