• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR NGJYRAT MARRIN JETË….

February 27, 2018 by dgreca

KUR NGJYRAT MARRIN JETË… NË TË PAKONCEPTUESHMEN “KARAKTER SHPIRTI”/

1 FreitagDUKE SHKRUAJTUR PËR PIKTORIN E TALENTUAR GAZMEND FREITAG/

Kur flasim për një pikturë duhet të nënkuptojmë gjithë atë shpirt, atë sy estetik që depërton në magjinë apo trokitjen e një vrapimi ku deti, fluturimi, apo portreti i një njeriu merr ngjyrë vizional. Gjenomi i një pikture ravizohet si pikë referimi dhe në shpirtin e një piktori të talentuar siç është Gazmend FREITAG.

Çdo pikturë e tij sjell një evolim, një njohje të vetvetes ku duhet ndalur, në çfarë prizmi apo karakteri të një portreti duhen sintetizuar shungëllimat e përmasave të ngjyrave që nesër ato të lulëzojnë si skalitje të një shije të hollë. Veprat e tij kalojnë nga një metamorfozë të një kulture të hershme qoftë kjo dhe fetare deri në identitetin dhe nxjerrjen në pah të një tentativë për psikologji të portretit. Të bie në sy ngulmimi dhe mbivendosja e ngjyrave përkundrejt njëra – tjetres duke krijuar një vallzim me elemente ndiesore.

Ajo çka të tërheq në pikturat e Gazmendit është stili i veçantë, i rafinuar që ruan koherencën me një penelatë si e mbivendosur sipas gjendjes shpirtërore të portretit që ai sjell. Të bien në sy ngjyrat e pasura, drita me nuanca gri apo blu, dekorimi i plotë që vjen njëherazi si plan vendosje i pikave apo dekoreve që krijojnë një opus orgjinal me motive jetësore. Pra duke u futur në botën apo shpirtin e karaktereve ai shpalos të bukurën si një kod ngjyrash, si konvercion i emocioneve apo grishjen e një çasti magjik…
RUDINA MËRKURI

Filed Under: ESSE Tagged With: Gazmend Freitag, KUR NGJYRAT, MARRIN JETË, Rudina Merkuri

RASTËSISHT ME XHON LENON

February 25, 2018 by dgreca

«Njeriu në përgjithësi dhe krijuesi në veçanti asnjëherë nuk janë njëdimensionalë…» (Ibrahim Kodra)/

1-xhevair-lleshi-zyre

Skicë nga Xhevair Lleshi/

Në Stamboll nuk është e lehtë të përballesh me rastësitë, edhe pse është viti 1977. E tillë qe edhe ajo ditë plot diell në një nga kafet e sheshit Tahsim. Njerëz që hyjnë e dalin me ngut. Salla plot. Askujt s’i vete në mendje se aty është një piktor me emër e me plot letra në çantën e madhe, që dukej si i harruar në një kënd të këndshëm të kafenesë. Dhe kur kanë mbaruar klientët e parë, vijnë të dytët, pushojnë, hidhen në veprim, qeshin, lëvizin, ndërsa mendimet rrjedhin vetiu dhe atje mes tyre një shpërthim zërash. Dikush, një djalë me syze, këndon. Magjike. Nuk zë zot vend. Maestro Kodra rrëmben letrën  e trashë, lapsat me majë të trashë hapur mbi tryezë. Nuk e njeh artistin, ndonëse nga larg, ku është ai, vijnë pëshpërima përplot drithërimë: Hero i madh! Si askush tjetër! Bllokohet kafeneja. Do ta paguaj! Ç’më bëre! Qofsh i përjetshëm! S’do të harrojmë kurrë! Maestro Kodra e hodhi skicën menjëherë. Mrekulli. Sa pak do të jenë si ty! Dhe sa me fat qenkam sot! Edhe kafeneja! Ta kem parë, thua? Po, me siguri! Një nga djemtë e tavolinës ku bënte vokalica dhe lëshonte zëra të shkëputur e puthi në buzë. Jam i lumtur, bërtet djali. Të zotëroj si burrë. Ndihem zot!…

Maestro Kodra ka nxjerrë fletën e dytë dhe vizaton mrekullisht shpejt. E bukur! Ky do të ishte një artist i madh! Çfarë lëvizjeje! Të dritësonte me sy, me aq shkëlqim dhe ngacmim. Unë nuk të njoh. Unë të kam zbuluar vetëm tani. Një lëvizje e çmendur. Edhe vijat e skicës konfigurojnë po atë lëvizje. Për herë të parë, belbëzon Kodra, nuk po kap thelbin e përmbushur në dëshirë, njohja është patjetër një armë. Dritëhijet, duhen dhënë shpejt. Asnjëherë s’kam qenë skllav i instinktit, kam bërë punën sipas natyrës. Dua që me krijimin tim të dëfrejnë. Ai edhe punonte, me nxitim sigurisht, edhe fliste si me vete, me zë. Një tingull i ëmbël, drithërimë e lehtë dhe padyshim një mungesë e madhe. Një vizatim i thjeshtë por me shijen e instinktit, thjesht sa për të shuar urinë e krijimit. Dhe m’u shfaq ky artist, që me siguri do të jetë emër i madh. Dhjetëra vajza e djem vraponin nëpër kafene, flisnin, potere, kumt i një fati të ri, diçka që mund ta klasifikosh edhe si mbretërore, pa mish e pa verë, mund të zgjidhje ç’të mundje, seks me teprí, po sidomos lëvizja, eleganca, zërat harmoniozë, grinta me aq nerv, buzëqeshje të bardha e pa një rrudhë, shkëlqim ngashënjyes. Jo, për asgjë, nuk mund ta vësh dorën në zjarr. Ç’të të them tjetër, more djalë, do ta mbyll tani, jam edhe unë në afsh, jam si një tronditje e pamendueshme, si të jem i sëmurë. E di, kam ethe të mëdha kur jam në punë. Të vizatuarit më fal kënaqësi të rrallë, i thoshte vetes Maestro Kodra. Ç’tjetër mund t’ia forcojë jetës kuptimin?…

Dëgjoi që po këndonin. Pastaj zërat sërish u fashuan. Nuk po e shihte dot. Rrëmujë e vërtetë artistike. Erdhi aty pranë kamerieri dhe i solli një ujë. Pastaj kanellë. Sa bukur, tha. E di kush është? Turma po largohej me ngut të madh. Sërish brohorima. Fluturonin foto dhe shami të bardha. Gjuhë e kuptueshme, gjeste në ajër, të shtyra, ca ikona që fluturonin andej këtej, aromë e bukur dhe me aq seks. Mund t’ia vije fajin seksit, mund të ekzagjeroje pëshpërimën, mund të shfreje habí plot frymëzim, mund të krenoheshe edhe me djersën dhe pastaj, shkrepën mijëra blice dhe një gaz i ngjyruar. E pa edhe kur po hynte në holl atë fytyrë të bukur që ngrihej përplot madhështi. Edhe syzet e djaloshit nuk reshtnin së qeshuri, vajza e djem që e puthnin, kakofoni lëvizjeje, dhuntia e përmbajtur që e fal natyra, pamje tërësisht befasuese… Është Xhon Lenon! Nuk e njeh? Maestro Kodra ngriu. Sa mirë që i besoi instinktit. Spikaste një dozë e madhe frymëzimi me një ëndje triumfuese. S’mund të mos e vinte buzën në gaz. Faleminderit, Xhon Lenon, s’do të harroj kurrë këtë rastësi dhe këto dy vizatime. Kamerieri i fotografoi. Fotografoi edhe Maestro Kodrën, aty në kafenenë Tahsim në një ditë të nxehtë e plot dritë!Vuri dorën në zemër dhe iu bë se po falënderonte edhe instinktin.

Tiranë, më 24.02.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: ME XHON LENON, RASTËSISHT, Xhevair Lleshi

JETA, DASHURIA DHE VDEKJA NЁ FAQET E NJЁ LIBRI

February 25, 2018 by dgreca

(Mbresa e pёrsiatje rreth vёllimit “Letra grues seme tё vdekun” tё GJOVALIN GJADRIT)/

1 Gjovalin Gjadri.JPG

Shkruar nga Eugjen Merlika/

“Lumturia ёshtё gjumi i dashurisё ; dhimbja ёshtё zgjimi”-M.me BASTA (1770 – 1836), shkrimtare franceze/

Kohёt e fundit shtёpia botuese “Onufri” I dha lexuesve njё botim, me tё vёrtetё dinjitoz, tё njё libri sa origjinal pёr nga pёrmbajtja, po aq tё pёrsosur nga stili i tё shkruarit. Ai titullohet “Letra grues seme tё vdekun”. Autori nuk ёshtё njё shkrimtar profesionist, por njёri ndёr njerёzit mё tё nderuar tё shkencёs shqiptare, njёri ndёr ingjinjerёt mё tё talentuar qё lindёn nё truallin e Shqipёrisё, i ndjeri Gjovalin Gjadri. E veçanta e kёtij libri , veç faktit se pёrbёn njё bisedё tё pёrfytyruar nёpёrmjet letrash, tё njё çifti tё ri shqiptar tё viteve 30, sa joshёs e i rrallё nё vlerat e tij njerёzore, aq i pafat nё fundin tepёr tё parakohshёm tё ndarjes nga jeta tokёsore tё gruas sё re, ёshtё njё shqipёrim, mbasi origjinali ka qenё shkruar nё gjermanisht e botuar nga shtypshkronja Gutenberg nё majin e vitit 1943.

Ёshtё meritё e spikatur e prof. Ardian Ndrecёs, qё me njё pёrkushtim sa tё ngrohtё njerёzor aq edhe shkencor, ka larguar pluhurin e kohёs dhe tё harresёs nga ai margaritar i rrallё i letrave shqiptare, duke i a rikthyer lexuesve nё njё shqipёrim qё, pa pikё dyshimi, mendoj se hyn nё fondin e artё tё llojit nё letёrsinё tonё.

Lexuesi i pёrciptё mund t’a veshё nё fillim me njё tis dyshimi e mosbesimi idenё se dy shqiptarё tё shkolluar tё viteve tridhjetё duhej tё bisedonin me njёri tjetrin nё njё gjuhё tё huaj, por kur tё mёsojnё se Leonidi dhe Mirejla, personazhet e veprёs, kishin kryer edhe shkollat e mesme e universitetin nё Austri, por kishin ndёrtuar folenё e tyre tё pёrbashkёt nё njё fshat tё Tiranёs, do tё bashkёndajё dhimbjen e tragjedisё sё tyre e do tё ndihet krenar qё i pёrket njё populli qё ka nxjerrё nga gjiri i tij tё tillё njerёz.

Letra e parё, me katёr faqet e saj, ёshtё njё shpalosje e saktё dhe e pёrmbledhur e gjithё tragjedisё, e cila ёshtё strumbullari rreth tё cilit ftillohen mendimet, ndjenjat, ndiesitё qё pёrshkruhen nё letrat e tjera. Do tё mjaftonte vetёm ajo letёr pёr tё dhёnё tё plota pёrmasat e rrёnojёs, nё tё cilёn ёshtё kthyer jeta e njё njeriu mbas goditjes shkatёrruese tё vdekjes sё gruas sё adhuruar. Ajo fillon me njё datё tё thjeshtё : 3 shtator 1941. Ajo datё nё krye tё letrёs mё solli ndёrmёnd njё kёngё shumё tё bukur tё njё kompozitori amerikan, Bobi Darling, me titull : “Kthehu nё shtator”, tё dёgjuar disa dhjetra vite mё parё. Ashtu si letra e parё e librit dhe ajo kёngё kishte nё thelbin e saj dy nga idetё mё tё pёrjetёshme e nё kundёshti me njёra tjetrёn, dashurinё dhe vdekjen.

Rrjeshtat e parё zbulojnё nё gjithё kobin e saj tragjedinё dhe e zhysin lexuesin menjёherё nё atё mjedis dhimbjeje e cfilitjeje shpirtёrore nё tё cilin pёrpёlitet shkruesi i tyre :

“E dashuna jeme ! Sot me 3 shtator janё mbushё shtatё vjetё qysh se jemi martue e ti nuk jeton ma. Ti ke vdekё e votra jonё asht shqimё, nuk kemi me zanё vend bashkё rreth saj pёr me u ngrohё, nuk kemi me u ulё bashkё nё tryezё pёr me hangёr, e s’kemi me kremtue ma pёrvjetorin e martesёs sonё. Un s’kam me puthё ma duert tueja tё dashuna, me vdekjen tande kam bjerrё çdo gja tё mirё dhe tё bukur…..”(faqe 27)

Mjaftojnё vetёm kёta pak rradhё pёr tё pёrcjellё nё gjithё shtrirjen dhe thellёsitё e tyre, pasojat e njё tragjedije qё ka goditur pa mёshirё jetёt e dy njerёzve qё ishin lidhur ndёrmjet vetit me magjinё e dashurisё sё parё qё i ngjante “njё bime tё pranverёs qё pёreronte çdo gjё me shpresёn e saj, madje dhe gёrmadhёn nё tё cilёn ishte kacavjerrё”, nёse mё lejohet tё huazoj kёtё fjali tё Flaubert-it. Shtatё vite bashkёjetese nё krahёt e njё dashurie sublime, tё aftё pёr tё kapёcyer pengesa tё pa marrura me mёnd, janё shtrati i ngrohtё nё tё cilin janё pёrkundur jo vetёm regёtimat e zemrave dhe drithёrimat e trupave, por edhe ёndёrrat, shpresat, projektet e s’ardhmes. Ajo dashuri shёmbёllente me njё lis tё lartё e tё gjelbёruar qё shikonte qiellin e nё tё cilin zogjtё ndёrtonin foletё. Papritmas sёmundja e pashёrueshme e Mirejlёs e goditi atё si njё rrufe, duke ngjitur nё qiell shpirtin e pastёr si ujёt e burimit tё nёnёs 27 vjeçare, por duke zhytur nё dёshpёrimin asgjёsues zemrёn e mёndjen e Leonidit.

Si lisi mbas gjuajtjes sё rrufesё Leonidi ёshtё tjetёrsuar. Zhuritja e brёndёshme shpirtёrore pёrcakton tё tjera masa tё gjykimit mbi botёn qё e rrethon, nga e cila nuk pret mё asgjё, sepse dёshpёrimi ka marrё formёn e njё zemёrate qё nuk kursen asnjё nga elementёt me tё cilёt ka qenё e lidhur jeta e gruas sё adhuruar, sidomos nё muajt e fundit qё kur u shfaqёn shenjat e para tё sёmundjes qё e pёrpiu. Kёtu zё fill proçesi i brёndshёm i gjykimit tё gjithshkaje, edhe tё vetё qenёsisё pёr tё cilёn tashmё e ka humbur interesin. Jeta pёr tё ka qenё sinonim i dashurisё sё Mirejlёs, se nё tё ai ka gjetur gruan ideale, vajzёn e cilёsive tё rralla, bijёn fisnike tё njё shtёpie tё madhe, tё pavarur nё mendime, me njё personalitet tё jashtzakonshёm tё formuar nё shkollat mё tё mira tё Vjenёs sё qytetёruar, bijёn e dhёmshur qё vuan nё heshtje ndarjen nga prindёt, por qё nuk nguron tё thyejё normat e njё morali qё bie ndesh me ndjenjat dhe konceptet e saj themelore tё krijimit tё familjes, tepёr tё guximёshme e bashkёkohore pёr Shqipёrinё e viteve tridhjetё, nё tё cilёn mendёsia lindore e trashёguar nga pushtimi i gjatё osman isht ende shumё e fuqishme.

“Ti ke shkapёrcye nji humnerё pesёqindvjeçare e tue ba ketё ke dalё nё krah tё nji tradite ma tё vjetёr, historikisht ma tё epёrme” (faqe 120) shkruan Leonidi nё letrёn e tij tё fundit. Ёshtё dёshmi e vlerёsimit moral dhe intelektual, por edhe qytetar tё baskёshortes, e stimёs sё tij, njё tjetёr element themelor nё qёndrueshmёrinё dhe jetёgjatёsinё e njё ndjenje tё fuqishme mes dy tё dashuruarish. Dashuria e tyre nuk ka nё themel vetёm hijeshitё e fytyrave e tё trupave, qё bёjnё tё shkёndijohen zemrat me shikimin e parё, por mbi tё gjitha respektin e ndёrsjelltё pёr cilёsitё e virtutet e njёri tjetrit. “Ti m’a ke mbushё jetёn plot, un isha shumё krenar pёr ty…” (faqe 28) shprehet me çiltёrsi Leonidi.

Tani qё Mirejla nuk ёshtё mё dhe ajo botё e tij vetiake, me tё gjithё pёrbёrёsit e saj zotёrues qё pёrcaktonin lumturinё, ajo ёndёrr e ndёrprerё papritmas, shkallmohen me pasojat e pёrfytyrueshme nё gjёndjen e tij shpirtёrore. Tani, pёr njё trill tё fatit, ai afrohet me armiken qё i ka rrёmbyer stolinё e vetme tё jetёs sё tij, me vdekjen, tek e cila shpreson tё rigjejё lumturinё e humbur, nёpёrmjet takimit nё pёrjetёsi me tё dashurёn e zemrёs. Problem i lashtё sa bota, tё cilin ingjinjeri i ri e pёrballon me qetёsinё stoike tё shkencёtarit qё i bёn llogaritё me veten, nё vetminё e honit tё llahtarshёm qё ka brёnda : “Due me vdekё e me u varrosё sё bashkut me ty. Kur tё vijё vjeshta, tragjedia e dashunisё sonё do tё gjejё plotninё e saj. Atёherё due me u prehё nёn dhe me ty e s’bashkut me festue pёrvjetorin e tetё tё martesёs sonё. Ky asht synimi i jem, nuk lakmoj tjetёr tashma.” (faqe 30)

            Ky duket se ёshtё vendimi qё, nё çastin e marrjes, nuk mban parasysh dy faktorё tё tjerё qё lidhen me jetёn e tij, qoftё edhe me gёrmadhёn nё tё cilёn ёshtё kthyer, Zotin dhe fёmijёn. Ideja e Zotit ёshtё e pranishme nё dёshirёn e Mirejlёs, edhe se myslimane, pёr tё festuar Krishtlindjen, ardhjen nё Tokё tё fёmijёs hyjnore, ashtu si ka bёrё nё vitet e studimeve tё saj nё Austri. Por marrёdhёniet e autorit me Zotin, si nё shumicёn e pёrvojave njerёzore i nёnshtrohen luhatjeve, madje edhe njё farё largimi, kur ne nuk jemi nё gjёndje tё kuptojmё thelbin e mesazhit tё tij, por e kushtёzojmё atё me kёrkesat e pёrditёshme tё jetёs sonё. Bёhet akoma mё e vёshtirё ajo bashkёlidhje kur vihemi pёrballё fatkeqёsish tё mёdha qё na ndajnё nga njerёzit tanё tё dashur.

“Sa ma i madh asht dёshpёrimi i jem aq ma fort dyshoj nё ekzistencёn e tij, pse nё fund tё fundit besimin tek Zoti ia atribuoj thjesht nji cilёsisё sё ulёt tё njeriut, frikёs sё tij.” (faqe 59-60) Ёshtё shprehje e njё mungese tё thellё tё besimit, tё tillё qё pranon edhe dhimbjen njerёzore, edhe flijimin edhe mundimet nё kёtё jetё, mbasi jemi nё njё provё tё vazhdueshme me tё cilёn çdo ditё duhet tё pёrballemi. Kёtu personazhi i afrohet mosbesimit, madje me arsyen e tij tё mjegulluar cek ateizmin, sepse nuk ka forcёn tё futet nё misterin e Hyjnisё, mbasi pranon ai :”Bota pёr mue asht rroposё. Me ty kam humbё çdo mbёshtetje qendёr ekuilibri.” (faqe 60)

Nё dalldinё e mendimeve qё kanё pushtuar trurin e tij tё stёrlodhur nga pёrsiatjet mbi marrёzinё e fatit qё i mohon praninё e njeriut mё tё dashur, Leonidi nuk gjen tjetёr rrugё pёr tё ruajtur lidhjen e pёr tё ushqyer shpresёn e njё ribashkimi me gruan qё, pёr nji vullnet epror, e braktisi nё vetminё e tij me njё fёmijё tre vjeçe. Ёshtё pikёrisht ai fёmijё dora e Zotit, qё u fal bashkёshortёve, para katastrofёs sё tyre, krijesёn qё lidh e pёrjetёson dashurinё e tyre. Por n’ata çaste Leonidi nuk e pёrcepton atё mrekulli, ёshtё rrёmbyer i gjithi nga dёshira pёr tё ripasur gruan e tij e, rёndom mendon si njeri i zakonshёm, nё thjeshtёsinё e tij, se kjo dёshirё mund tё sendёrtohet vetёm me vdekjen e tij. Por Zoti ёshtё pranё tij edhё nё kёta çaste tepёr tё dhimbёshme i shfaqet nё mendimet e tij tё trazuara : “Un s’due me tё humbё ty dhe prej dashunisё pёr ty mundohem me kёrkue nji shteg pёr me gjetё Zotin.” (faqe 62)

Shtegun pёr tek Zoti i a tregon vetё Mirejla duke i kujtuar bredhin e Krishtlindjeve qё n’atё vit nuk mundi tё stolisej nё shtёpinё e tyre. Nё qerthullin e ndёrlikuar tё cfilitjeve shpirtёrore qё i mpakin arsyen dhe vullnetin, depёrton drita e Zotit edhe se luhatja psiko emocionale, pasojё e mungesёs sё njё besimi tё thellё, vazhdon gjatё gjithё rrёfimit tё tij tek e dashura e vdekur, ajo dritё ndalon njё vendim fatal kundrejt vetes, qё do t’a bёnte tё pashpresё t’ardhmen e tij se do t’a ngarkonte me mёkatin e vetёvrasjes e tё braktisjes sё fёmijёs, gjё qё do tё asgjёsonte çdo shpresё pёr t’u ritakuar me tё zgjedhurёn e zemrёs nё njё tjetёr jetё. Fёmija ёshtё spiranca e shpёtimit, krijesa e gjallё qё i kujton çdo ditё bashkёshorten, me ngjajshmёrinё e tipareve tё pёrcjellura tek djali. Kaq e madhe ёshtё amullia e ideve nё tё cilёn e ka zhytur dёshpёrimi, sa qё Leonidi pohon se : “Nё idhnimin tem kam lanё mbas doret djalin dhe edukimin e tij. Qysh tash s’e due as gjysmёn e asaj qё e doja ma parё. Ai e ka humbё babёn e vet pёr sё gjallit. Kur ndonjiherё lёviz tek un nji ndjenjё atnore dhe nji shenj ngushёllimi ban me u ndie, kjo zgjat pёr nji çast e dashun ! Sa hap e mbyll sytё shkon si vetima dhe un fundosem rishtas nё terrin tem tё pangushullueshёm.” (faqe 63)

Ёshtё njё pjesё e rrёfimit tё Leonidit pёrpara Mirejlёs sё tij. Ёshtё pjesa mё e dhimbёshme, mё dramatike e rrёfimit tё tij, i cili bёn tё dridhet nga dhimbja edhe shpirtin e sё dashurёs, qё nga lartёsia e qiellit shoqёron çdo ditё djalin e saj. Me siguri, nёpёrmjet rrugёve tё panjohura i pёrcjell tё dashurit njё qortim, sepse tashmё jeta e djalit kёrkon zotimin e plotё tё babait nё drejtim tё saj. Para kёsaj domosdoshmёrie edhe dёshpёrimi asgjёsues duhet tё bjerё nё plan tё dytё. Ёshtё ligji i parё i Kodit tё Krijimit me vlerat e tij universale qё detyron atё qёndrim, sepse rritja e fёmijёs qё bart gjakun e nёnёs duhet tё bёhet pёrparёsi e interesave jetёsore tё babait i cili, me humbjen e gruas, ka detyrimin moral e ligjor tё vazhdojё jetёn nёpёrmjet  kujdesit pёr fёmijёn qё mbetet e vetmja vazhdimёsi e ёndrrёs sё zhuritur nga rrufeja, mbasi ёshtё fruti i prekshёm i asaj ёndrre.

Leonidi i pllakosur nga dёshpёrimi vazhdon jetёn pёr inerci, por fёmija bёhet me kohё thelbi i saj, qёllimi madhor qё e mban tё lidhur me kujtimet e dhimbёshme por edhe me ёndrrёn e shpresёs se djali njё ditё do tё ketё familjen e tij, duke ripёrtёrirё jetёn familjare tё prindёrve tё tij, njё lloj ringjallje tokёsore, prelud i ribashkimit nё parajsёn qiellore.

Arrin njё çast nё kalvarin e dhimbjeve shpirtёrore t’autorit, nё tё cilin duket se ai po futet nё hullinё e vazhdimёsisё sё jetёs, kur dёshpёrimi i le vendin njё analize tё ftohtё. Duket se ai del nga vetvetja, nga gjёma e tij, e vesh petkun e qytetarit e intelektualit qё priret nga gjykimi i Vendit tё vet, i historisё sё tij, i vendimeve tё popullit tё tij ndёr shekuj. Nё kёtё shqyrtim tё problemeve tё mёdha historike tё popullit tё tij ai mundohet tё inkuadrojё edhe tragjedinё e jetёs sё tij, duke u munduar tё gjejё njё lidhje shkak pasojё nё ndryshimin e besimeve fetare ndёrmjet tij dhe Mirejlёs, qё pёrcakton edhe qёndrimin e familjes sё saj myslimane kundrejt vendimit tё saj pёr t’u martuar me njё katolik. Madje nё kёtё kuadёr gjen vend edhe pushtimi italian i Shqipёrisё, krejtёsisht i dёnueshёm mbasi asgjёson lirinё e popullit tё tyre, por edhe ka si pasojё njё vendim sa tё padrejtё aq dhe tё paligjёsueshёm, atё tё marrjes sё shtёpisё sё tyre nga autoritetet pushtuese.

“Ti e kupton se un, nё dhimbjen teme, e kёrkoj shkakun e vuejtjes sonё mbrapa nё shekuj, e ti e rrokё me mend se un jam i mendimit qi lumtunia e jonё nuk do tё ishte shkatrrue nёse popullit tonё nuk do t’i mungonte nji bazё e njejtё shpirtnore….”(faqe 120) Veshja e fatkeqёsisё sё tij familjare faktorit fetar, nёpёrmjet qёndrimit pedant tё familjes, edhe se ka nё tё elemente vёrtetёsie, nuk mё duket plotёsisht i ligjёsuar. Nёse sёmundja e mallkuar do tё ishte shfaqur disa vite mё vonё, kur shkenca kishte zbuluar antibiotikёt, tragjedia do tё ishte shmangur dhe jeta e çiftit do tё kishte vazhduar si ajo e tё gjithё tё tjerёve qё u pёrballuan mё vonё me traumёn komuniste. Ndoshta nё atё drejtim nuk do tё kishte pasur pasoja tё rёnda, sepse ingjinjeri i talentuar gjeti edhe nё regjimin komunist, nё sajё tё punёs sё tij tё vyer, njё jetё normale. Sidoqoftё revolta e autorit kundrejt dukurisё sё ndikimit tё ndryshimit fetar nё krijimin e familjeve shqiptare, duke shkaktuar shumё drama nё shoqёrinё e shekullit tё shkuar, ёshtё pozitive dhe plotёsisht e ligjёsuar, edhe se pёrfundimet e tij mbi rolin e bejlerёve nё historinё e Vendit tё tij mё duken tё tepruara e tё papёrgjithёsueshme.

Megjithatё lexuesi i vёmendshёm, edhe se mund tё mos jetё i njё mёndjeje me autorin nё disa prej pёrfundimeve tё tij, duhet tё njёjtёsohet me dramёn e tmerrshme qё jeton personazhi, nё tё cilёn mёndja nuk mund tё jetё gjithmonё tёrёsisht e kthjelltё. Por ai nuk mund tё mos mrekullohet pёr fuqinё e qёndrueshmёrinё morale tё tij, qё e mbyll bisedёn e pёrfytyrueshme me gjysmёn tjetёr tё zemrёs me njё premtim, jo tё zakonshёm pёr shumicёn e burrave :

“….. tё kam premtue dashuni dhe tё jam betue me t’ndejt besnik. S’due me e hangёr fjalёn. Due me ju bindё dashunisё dhe karakterit tem. Tё vdekunit duen qetёsi dhe paqё. S’due me ua prishё qetёsinё e s’due me e shqetsue paqen tande. Due me e shkue jetёn ndershmёnisht, tue dashunue tё bukurёn dhe tue dashtё tё mirёn.

            Due me tё nderue tue mbajt zi. Due me tё qa me zemёr tё pastёr, pse lotёt e mij kanё me u terё vetёm kur tё shtrihem nё vorr afёr teje.” (faqe 124)

            Ka diçka sipёrnjerёzore nё kёtё premtim, nuk ёshtё retorika e zakonshme e shprehjes sё njё dashurie tё madhe tё goditur nga vdekja e papritur, ёshtё njё njimendёsim me vlerat madhore hyjnore e njerёzore. Ёshtё ngadhnjimi i jetёs mbi vdekjen, i sё mirёs mbi tё keqen, i detyrёs sё bashkёshortit e prindit mbi çfarёdo egoizmi e individualizmi.

Aq mё shumё merr pёrmasa madhёshtore ky premtim, kur dihet se u vu nё jetё gjatё viteve tё gjata, nё tё cilёt autori jetoi me dhimbjen nё zemёr, por me shpirtin tё qetё, me vullnetin e plotё pёr tё rritur djalin, duke e edukuar me parimet e tij e me dashurinё e nёnёs e, veç asaj, i dha Vendit tё tij ndihmesёn madhore nё profesionin e tij, nё pёrmasa t’admirueshme. Kur i ka ardhur çasti i fundit, nё bilancin e vetvetes ka qenё nё paqe, sepse nё ballafaqimin me Zotin e me tё dashurёn ёshtё paraqitur si prind, bashkёshort, qytetar e njeri shёmbullor.

Kam bindjen se pjesa tjetёr e jetёs, mbas vdekjes tokёsore tё tij, ёshtё njё lumturi e pafund, sё bashku me gruan e tij nё botёn e sё vёrtetёs, ku virtutet gjejnё shpёrblimin e tyre nёn dritёn dhe mirёsinё e pёrjetёshme tё Krijuesit tё gjithёsisё.

Si lexues, sё fundi, dua tё shpreh njё vlerёsim tё madh e tё sinqertё pёr prof. Ardian Ndrecёn, pёr punёn tejet cilёsore nё pёrkthimin e veprёs dhe njё falёnderim po aq tё sinqertё atij dhe shtёpisё botuese “Onufri” pёr ndihmesёn nё pasurimin shpirtёror tё shqiptarёve, nёpёrmjet botimit tё kёsaj perle tё rrallё tё traditёs sonё kulturore.    

  

Filed Under: ESSE Tagged With: DASHURIA DHE VDEKJA, Eugjen Merlika, jeta, NЁ FAQET E NJЁ LIBRI

Romë e Rrymë

February 23, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/Washington/
Fjalët janë vetëm emra për gjërat që ekzistojnë pavarësisht nga fjalët. Ky është kuptimi i sipërfaqshëm që njerëzit i japin fjalës, thotë Saussure. Sepse në thellësi, shumica e fjalëve u referohen emrave që janë koncepte abstrakte.

Emri Romë, pêr shembull, besohet se ka ardhur nga themeluesi i qytetit dhe mbreti i parë, Romulus. Megjithatë, ka mundësi që emri Romulus të rrjedhë nga vetë Roma. Po Roma nga erdhi? Që në shekullin e 4, ka pasur teori teori alternative. Disa hipoteza janë avancuar duke u përqendruar në rrënjët gjuhësore të cilat megjithatë mbeten të pasigurta:
* nga Rumoni ose Rumeni, emri arkaik i lumit Tiber, i cili nga ana tjetër, ka të njëjtin rrënjë si greqishtja “rho” dhe të dyja mund të shpjegohen me shqipen “rrymë” e “rrjedhë”.
* nga fjala etruske “ruma” (shq. “rrufisje”), me referencë të mundshme për ulkonjën nga kanë thithur binjakët Romulus dhe Remus, ose për formën e kodrave Palatine dhe Aventine;
* nga një greqishte e vjetër “rhomë”, që do të thotë rrënim, rrëmim, shkatërrim.

Historitë e traditës që vijnnë nga romakët e lashtë shpjegojnë origjinën më të hershme të qytetit të tyre në kuptim të legjendës dhe mitit. Më i njohuri nga këto mite është historia e Romulus dhe Remus, binjakët që u mikluan nga një ulkonjë. Ata vendosën të ndërtonin një qytet, por pas një grindjeje, Romuli vrau vëllanë dhe qyteti mori emrin e tij. Sipas analistëve romakë, kjo ndodhi më 21 prill 753 pes. Por që legjenda të pajtohej me një traditë të dyfishtë – sipas së cilës Aenias i refugjatëve të Trojës gjeti strehim në Itali dhe nëpërmjet djalit të tij Iulus, krijoi dinastinë Julio-Claudian – poeti romak Virgil, krijoi Aeneidën, në shekullin e parë pes.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Romë e Rrymë

SHQIPTARËT, SKËNDERBEU DHE VIVALDI

February 21, 2018 by dgreca

1-skenderbeu1 Vivaldi2

Nga Xhevair Lleshi/

Venecia e ndritshme dhe kompozitori i madh! Shqiptarët me Vivaldin kishin gërshetuar rrugët e tyre në kohën kur ai ishte në kulmin e sukseseve të krijimtarisë së tij, meqë gjeti kohë t’i kushtonte një vepër muzikore heroit të fqinjëve matanë Adriatikut, Skënderbeut. Madje disa historianë të muzikës flasin edhe për një vepër tjetër frymëzuar nga luftërat e Skënderbeut, e që qëllon të jetë Pranvera, pra njëra nga pjesët e veprës më të njohur të tij, Le quattro stagioni. Padyshim që shqiptarët dhe Skënderbeu ishin me fat që Vivaldi u kujtua për ta, sepse dyshoj që në atë kohë të kishte ndonjë instrument tjetër në trojet arbërore, përveç ndoshta lahutës e ndonjë fyelli. Vivaldi për pak kohë shkoi edhe në Romë për të luajtur në sallonet private të Papa Benediktit XIII, ndërsa më vonë ai u shpërngul në Vjenë. Fillimisht thuhet se atje pati sukses, por megjithatë vite më pas vdiq në mjerim e varfëri, në moshën 63 vjeç. Fatkeqësisht ai mbeti në harresë për një kohë të gjatë, madje gjer në vitet 1920-të kur rastësisht u rigjetën veprat e tij…

Se ka dhe pjekuri të krijimtarisë, dhe kjo është natyrshëm freski, si pranvera dhe Skënderbeu, edhe pse kjo qëlloi të jetë fatale për Vivaldin si artist. Kur interpretohej pjesa Pranvera që nënkuptonte Skënderbeun, pikërisht kjo përpjekje e vazhdueshme që bënte për të ruajtur freskinë e shpëtoi nga pllakati që krijon një hero i madh evropian si Skënderbeu, duke e sjellë figurën racionale në natyrshmërinë e karakterit, por gjithnjë me një besueshmëri emocionale. Dhe të mbetet në mend çdo notë muzikore, çdo tingull, sepse kompozitori po ngjizte diçka të rrallë, fenomenale, duke u bërë në një farë mënyre shpëtimtar i tij. Ai e zhveshi Skënderbeun nga shtampa, i dha individualitet, natyrshmëri, e bëri të afërt, njerëzor thjesht me tingujt muzikorë. Mos vallë e dua thjesht për këtë? Jo, kurrë!…

 

Tiranë, më 20.02.2018

Filed Under: ESSE Tagged With: shqiptaret, Skenderbeu, Vivaldi, Xhevair Lleshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 292
  • 293
  • 294
  • 295
  • 296
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT