• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

«VAJET E PRANVERES MASHTRUESE » – ROMAN NITROGLICERINE I BAJAME HOXHES

November 15, 2017 by dgreca

  • rimarrje shënimesh nga Shpend Sollaku Noé/

1 Shpendi  «Vajet e pranverës mashtruese», që sapo mbarova së rilexuari, promovohet në Bruksel nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë,  më 24 Nëntor.

1 Bajame Hoxha1-BajameHoxha2

Ky libër është një roman-report me temën delikate e njëherësh të mprehtë të persekutimit nën regjimin totalitar shqiptar. Ai nuk është i zakonshmi botim i të të përndjekurve, ku, edhe personazhe antikomunistë  ndonjëherë të rëndësishëm, bien në banalitetin e të të treguarit në nivel amatorial të fakteve të përgjithshme.

BH (Bajame Çeliku) paraqitet dhe arrin të qëndrojë deri në faqen e fundit si një bombë me hidrogjen (BH); në përcjelljen e fakteve dhe emrave pa dorashkat e atij që i trëmbet përcëllimit të opinionit apo kongjijve fshehur nën hirin e hakmarrjes së autorëve të krimit.

Ajo nuk ka nevojë të kërkojë bodigardë për të mbijetuar në xhunglën e botimeve shqiptare. Libri i saj është aq i paepur, saqë ta sulmosh do të thotë tʼi bësh reklamën më të madhe dhe tʼi urosh jetëgjatësinë.

Pa iu dridhur pena, BH përshkruan situata e njerëz të vërtetë, me gjakfohtësinë e një historiani, me zhdërvjelltësinë e një gazetari, me ndjeshmërine e një poeti, me sigurinë që ia jep një punë këmbëngulëse shumëvjecare.

Historia e letërsisë shqiptare ka për tʼiu kthyer leximit të këtij libri, e jo vetëm statistikisht.

«Vajet e pranverës mashtruese» është Nudo Historie më e saktë sesa një thes me libra historianësh të përciptë e oportunistë, më e vërtetë sesa mijra faqe arkivash të manipuluar, më letrar se dhjetra botime të tjera të dokumentuara me këtë temë.

Urime, BH, dhuratë më të mirë nuk mund të na bëje neve, të uriturve për të vërteta të lakuriqta.

Prano, të lutem, këtë dhuratëzë – mini ese, në pamundësi të ardhjes time, edhe pse shumë të dëshiruar, më 24 Nëntor, në Bruksel, GC De Maalbeek, Hoornstraat 97, 1040 Etterbeek.

Filed Under: ESSE Tagged With: Bajame Hoxha, shpend sallaku, Vajet e Pranveres Mashtruse

Prania e papranishme e Lasgush Poradecit

November 14, 2017 by dgreca

*-“Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shteti”, shkruan Ismail Kadare te “Ftesë në studio” (1990) kur flet për Lasgushin, “Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht… Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit”.

1 vjollca-1

Shkruan:Vjollcë Berisha/Universiteti i Tetoves/

Qyteti i vogël, liqeni dhe poeti kishin një emër. Atë emër që ky i fundit qe ngutur për ta veshur me t’u kthyer nga studimet në Austri, si për ta mbyllur rrethin, si për ta vënë vulën në secilin cep të vendit të lindjes shumë-shumë më përpara se të emëroheshin rrugë e të ngriteshin shtatore siç ndodh gjithmonë me qytetet e poetëve kombëtarë të një vendi. Atë emër me të cilin do të identifikohej e tërë poezia moderne shqipe, atë emër të cilin më tepër se gjysmëshekulli mëtonin ta shurdhonin, duke e lënë në harresë. Lasgush Poradeci, Llazar Gusho, Gjeniu i anijes, Shtërgu i fundit, Nositi, klasiku i poezisë, latuesi deri në përsosmëri i fjalës… erdhi në letrat shqipe si zë mahnitës, si vazhdimësi e natyrshme e një kulture letrare që e mëkoi, erdhi duke iu jashtëshkruar letërsisë sonë të traditës, poezisë së bukur të De Radës e Naimit dhe tërë magmës së letërsisë sonë gojore, ku vete e ngjyen pak bukën akëcili poet kombëtar.  Erdhi përkrah Nolit, Mjedës, Asdrenit, Fishtës, Migjenit, erdhi plot me letërsi thithur nga autorë të njohur evropianë, shumë prej të cilëve më pastaj i solli edhe në shqip, si: Brehtin, Emineskun, Hajnen, Majakovskin, Jeseninin etj. Vëllimet e tij me poezi “Vallja e yjeve” – 1933 dhe “Ylli i zemrës” – 1937 (kjo e fundit botuar një vit pas “Vargjeve të lira” të Migjenit dhe në të njëjtin vit me “Lahutën” e Fishtës dhe “Psalmet e murgut” të Asdrenit) qenë ngjarje për letërsinë e vogël shqipe, qenë veprat që bënë kthesë në poezinë tonë, me të cilat Lusgushi, poeti modern shqiptar, përfaqëson një paradigmë të përsosmërisë tekniko-formale dhe të parimit të estetizimit gjuhësor në poezi.

Vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe vendosja e regjimit komunist në Shqipëri, sidomos deri në fillim të viteve ’60, kur në skenën letrare u shfaqën krijuesit novatorë Kadare, Agolli, Arapi e të tjerë që e mbajtën në supe letërsinë e sotme shqipe, qenë vitet e djerrinës letrare, vitet e rrudhjes së letërsisë shqipe në një pamflet, vitet kur shumë më tepër se për bukurinë e fjalës, poetët duhej të kujdeseshin për mesazhin politik që do ta përcillnin, dukuri kjo që ia hiqte përhiroren e shenjtërisë fjalës dhe shndërronte në një mjet të thjeshtë komunikimi pa hijeshi. Ishte koha ku kishin mbirë poetët e malierit, ata që kishin mbajtur pushkën në njërin krah e penën në tjetrin, ata që tani po kalonin nga fronti i luftës në atë të punës, në përpjekje për ta ngritur shtetin e ri socialist, ata që artin e shihnin art jo vetëm kur i shërben vetvetes, por kur i shërben një qëllimi të jashtëm, ata që vetëm për një vit kishin shkruar e botuar gjashtëdhjetë vjersha me temë traktori, e sa të tjera për gruan në prodhim, për shtrimin e asfaltit, për hidrocentralet, për hapjen e shkollave, ata që e kishin ndjekur zhvillimin e vendit si kronistë të vërtetë, shumë prej tyre me talent që linte për të dëshiruar, po edhe nga ata që e kishin hequr mënjanë talentin si kurorën dhe e ruanin për ditë të tjera. Sot ngutja politike, plenumet partiake ku dënoheshin dhe ngriteshin penat kërkonin tjetër gjë. Kjo kërkesë dhe kjo përgjigje e poetëve të cilët Kadareja, në mbledhjen e 11 korrikut 1961, në debatin për novatorizëm, i quajti poetë luleshqerrash, shënjoi dy dekada letërsi shterpë dhe shkëputje nga rrjedha natyrore e saj, nga tradita jo e pakët, nga folklori, nga poezia që kishte filluar tre shekuj më parë me Lekë Matrëngën.

Në këtë djerrinë, kishte zëra që ishin ulur, tërhequr mënjanë, apo që kishin heshtur përgjithmonë, pa mundur të njësoheshin me kërkesën letrare të kohës, pa mundur të flijonin artin e tyre në emër të njohjes, në emër të zënies së një vendi në hierarkinë e vlerave letrare socialiste. Një nga ata, ndoshta më tipiku, më vuvi, qe pikërisht Lasgushi, klasiku i gjallë i poezisë shqipe, bardi i poezisë sonë moderne, poeti që i kishte kënduar atdheut në formën fizike e metafizike të saj, poeti i ndjenjave të thella dhe i vizioneve harmonike, jo rrallë me përmasa kozmike. Po ç’ishte kjo heshtje lasgushiane? Mënjanim politik? Pre smire nga njerëz meskinë? Apo vetëmënjanim? Mosdëshirë për të kohuar në “kohëra të këqija për lirikën”, siç do të thoshte një poet tjetër i kësaj ane të liqenit zemërak?

Ndoshta të gjitha nga pak. Nëse u referohemi kujtimeve të njerëzve që e kanë njohur, që kanë biseduar gjatë me të, siç janë, bie fjala, Petraq Kolevica, Ismail Kadare e Moikom Zeqo, mund lehtësisht të konstatojmë që regjimi e heshtte Lasgushin, e shtynte drejt një harrimi pa bujë, drejt një shfaqjeje të ëndërrt të tij, aq sa shumë gjimnazistë të kohës nuk e dinin në ishte gjallë apo kishte vdekur. Po edhe Lasgushi, nga ana e tij, qe tërhequr herë në shtëpinë përdhese të Tiranës e herë në kullën e tij në Pogradec, në qytetin ku i kalonte pushimet edhe vetë sekretari i parë i Partisë, Enver Hoxha, antipod i Lasgushit për nga prania, pasi sa më i gjithëpranishëm diktatori, aq më i munguar e i pabujë Poeti.

“Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shteti”, shkruan Ismail Kadare te “Ftesë në studio” (1990) kur flet për Lasgushin, “Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske. Prej vitesh, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht… Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit”.

Por edhe Lasgushi nga ana e tij sikur kishte mbyllur të gjitha shtigjet me botën e jashtme. Ndoshta kjo është arsyeja që e besojmë se e ka pasur me gjithë mend kur e ka pyetur Kadarenë: “Në ç’regjim jetojmë?” dhe kur ky i fundit është befasuar nga kjo pyetje dhe ka shfaqur shenja mosbesimi për këtë harrim, Lasgushi është përgjigjur: “E kisha harruar vërtet, poetit i lejohet çdo gjë”.

Ishte e vërtetë që për të poeti nuk qe vetëm ushqyesi i gjuhës, krijuesi i botëve të vogla, universeve të panumërta, por edhe i gjithëdijshmi i kohëve, përgjegjësi i të gjitha gjërave që ndodhin në kohën e tij, prandaj tek po fliste për dënimin e Vinçenc Prenushit, bie fjala, përdorte foljen në vetën e parë, thoshte: “Kur e dënuam me 80 vjet burg Vinçenc Prenushin, ai ishte 76 vjeç”. Thoshte kështu, pasi besonte që poeti ishte përgjegjës për çdo gjë.

Me gjithë këtë barrë të madhe që ia ngarkonte poetit, Lasgushi mëtonte të ishte poet dhe vetëm poet, pra poet absolut, si të gjithë poetët pasromantikë. Në parimet e tij estetike arti s’ishte për konsum të gjerë, artin ia blatonte një pakice, një elite të zgjedhur njerëzish.

Edhe poezia e tij, siç ka ndodhur me një mori poetësh gjenialë në botë, për nga sasia është modeste (dy vëllimet e tij kanë pak më shumë se njëqind poezi gjithsej), por e llojllojshme për nga përmbajtja, mbresëlënëse për nga fuqia e shprehjes, leksiku poetik dhe muzikaliteti që ka. Sado që dy vëllimet poetike të Lasgushit kanë qenë në qendër studimi nga studiues të ndryshëm, kryesisht pas rënies së komunizmit në Shqipëri (Kosova e kishte studiuar deri diku edhe më parë), prapëseprapë autorët kanonikë që të jetojnë apo të mbijetojnë në luftën e egër për të qenë apo mbetur pjesë e kanonit të një letërsie kanë nevojë për rileximet që janë konfirmuese ose përjashtuese nga kanoni. Megjithëse distanca kohore që na ndan nga vepra lasgushiane është e mjaftueshme për ta radhitur atë në vlerat kanonike letrare shqiptare, prapëseprapë ka hapësirë të rileximeve nga aspekti formalist, strukturalist i tekstit të Lasgushit, për të cilin fjala qe polisemike dhe mund të aktualizojë valenca të ndryshme të polisemisë.

Tek ai jo vetëm fjala, por edhe interpunksioni merr një vlerë të veçantë. Siç mund të vihet lehtë re edhe pikat e heshtjes janë të ngarkuara stilistikisht, madje shpesh janë ambivalente në poezinë lasgushiane. E tërë kjo s’ka kaluar pa u vënë re nga studiuesit, por edhe s’duhet të kalojë pa u vënë re, pasi sikurse e thotë dhe poeti i njohur Aleksandër Bllok: “Struktura shpirtërore e poetit shprehet kudo, madje edhe tek pikësimi”.

Zënia e vendit nga ana e poezisë bërtitëse, deklarative të pasluftës ka shkaktuar edhe vonesa të konsiderueshme në leximin e gjithanshëm të poezisë lasgushiane, të kësaj poezie të sistemuar në cikle që komunikojnë semantikisht me njëra-tjetrën dhe krijojnë ligjet e veçanta poetike brenda yjësive të cilave u përkasin, të cilat cikle dua t’i përmend për hir të auditorit të sontëm të nderuar, por që nuk janë të gjithë të fushës së letrave:

Vallja e yjeve (1933): Zog i qiejve; Vallja e qiellit;Vallja e dheut; Vallja e yjeve; Vallja e përjetësisë; Vallja e vdekjes; Kur nuk ndjehesh fare mire.

Ylli i zemrës (1937): Zemra e qiellit; Zemra e dheut; Zemra e jetës; Zemra e përjetësisë; Zemra e vdekjes; Kush më njohu dhembshurinë.

Mund të vihen re bredhjet nga një vatër kuptimore në tjetrën pa e ndërruar shënjuesin, gjë që flet për thellësinë e mendimit lasgushian, kulturën letrare të tij, talentin krijues dhe mbi të gjitha njohjen e teknikave moderne të vjershërimit. Lasgushi s’ishte indiferent karshi erozionit që i kanosej gjuhës shqipe dhe shfaqjes së saj më sublime – verbit poetik, që duhej ta shquanin bukuria, harmonia e pastërtia. Nisur nga këto parime estetike, shumë nga poezitë e tij kanë zënë vende meritore në antologjitë e poezisë sonë kombëtare dhe lexohen me ëndje nga lexues profesionistë dhe lexues të tjerë. Disa nga poezitë më të pëlqyera e më të njohura të Lasgushit janë: Naim Frashërit (shkruar në 75 variante), Kënga pleqërishte, Kroi i fshatit tonë, Vallja e luleve, por edhe vjershat e triptikut të njohur poetik-filozofik: Lundra dhe flamuri, Gjeniu i anijes dhe Vdekja e Nositit.

Liqeni zemërak (dashuria e veçantë e jetës së tij), ylli (që merr disa kuptime poetike dhe krijon mundësi leximi të reja, figurë që shfaqet si nyje lidhëse midis njësive specifike strukturore-poetike që mëtojnë të bëhen një), malli (që del në disa kuptime, e ajo më tipikja është kur fjala mall te Lasgushi shënjon dashurinë, e dashuria për të është shuma e të gjitha ndjesive të mira: përjetimit, mungesës, pranisë…), vasha (së cilës herë i thotë mike, herë motër e herë e njëson me ndjenjën, e quan mall edhe atë), atdheu (gjakim i përhershëm fizik e metafizik i tij) etj. janë pikat e forta figurative mbi të cilat qëndron e palëkundur lirika e veçantë, lirika e thellë, plot muzikalitet e Lasgush Poradecit.

Është i bukur dhe kërshërindjellës fakti se në kohën e harrimit, në kohën kur Lasgushi shëtitej si fantazmë nëpër Pogradec, në brigjet e “liqenit zemërak” me kapotën e gjatë, me borsalinën e zezë mbi krye, i shoqëruar nga miku i tij i dashur Cuci, për të cilin thoshte që e ka emrin më të bukur ndër emrat qenorë, diçka krejt çuditshëm e kishte trazuar heshtjen që e mbështillte atë, një histori dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, një dashuri e fundme, ardhur si me shenja proteste ndaj harrimit të tij të gjatë. Është kjo historia që la një ditar të vogël pas vetes, nja 50-60 faqe prozë të shkruara nga dora e Lasgushit dhe të titulluar Vizitat e zonjushës Ana G ne kullën time.

Në tregimin e shkruar në dy variante dhe të botuar më pastaj si libër i mëvetësishëm, në vitin 1999, me titull “Ikja e Shtërgut”, Ismail Kadare flet për receptimin e kësaj historie nga njerëzit dhe nga ai vetë. E quan protestë të poetit, madje edhe të vetmen gjë të bukur që kishte ndodhur viteve të fundit në Shqipërinë komuniste:

“Një lidhje dashurie në moshën tetëdhjetëvjeçare, në qytetin e vogël provincial, ku godina e komitetit të partisë ngjante më e madhe se kudo… Kjo ishte njëlloj si të dëgjoje kambana katedralesh të zhdukura të shekullit të trembëdhjetë.”

S’do mend që në atë qytet të vogël me emër të trefishtë do të ndodhte mrekullia. Në atë qytet ku te të gjitha sheshet e rrugët komuniste: rruga “1 Maji”, shëtitorja “Enver Hoxha” , sheshi “Fitorja e socializmit” dëgjoheshin pa bujë hapat e një kolosi letrar, që herë-herë harronte se në ç’regjim po jetonte, njeriut që qe mësuar me vdekjen e vet shumë më përpara se vdekja e njëmendtë t’i trokiste në derë.

U varros, sipas dëshirës, atje në Pogradec. Ishte 12  nëntor 1987, si sot. I munguari i madh po vuloste përjetë praninë. Ai që kishte kërcënuar si Dielli Zeusin tek Iliada se do të zbriste në ferr të shndriste për të vdekurit, pasi nuk e meritonin të gjallët praninë e tij, sot po shkëlqen me gjithë fuqinë e tij në zenitin e poezisë sonë të bukur shqipe.

(Fjalë e mbajtur me rastin e shënimit të 30-vjetorit të vdekjes së poetit. Akademia përkujtimore u organizua nga klubi letrar “Metafora” në Tetovë-dergoi per Diellin autorja. Faleminderit!)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Lasgush Poradeci, Prania e papranishme, Vjollce Berisha

Mirupafshim, Prishtinë !

November 14, 2017 by dgreca

eglantina

NGA EGLANTINA MANDIA /

Prej kohësh e kam pritur takimin me Prishtinën, si një ëndërr apo zhgjëndërr. ai ka qenë pjesë e pandarë e vetvetes. Ka gjëra që nuk shpjegohen asnjëherë, rrënjët i kanë në themelet e honeve të thella të shpirtit njerëzor, si në bazamentin e një ndërtese, që ngre katet një e nga një.

Vite e vite të shkuara, u nisëm nga brigjet e liqenit të Shkodrës, një delegacion nga Lidhja e Shkrimtarëve; Dritëro Agolli, Shefqet Musarai, Zija Çela, Helena Kadare dhe unë.E kaloja për herë të parë në jetë kufirin me Malin e Zi.

Liqeni kishte atë ngjyrën e plumbtë, ngjyrën e fjetur të përgjumur të ujërave në fund të vjeshtës, kur nisin shirat. Shavarët e shelgjet përkulnin ballin. Zogjtë e vonuar iknin të trembur në shtegtime të largëta.

E ne qëndronim në kufijtë e TOKËS, të lashtë përtej lashtësive.

Në anën tjetër të kufirit prisnin, Shkrimtari i njohur kosovar Nazmi Rahmani dhe poeti i ri Sabri Hamiti. Shiu na pengonte të shihnim fytyrat. Ai binte aq i dendur, si të donte ta bënte më të gjatë hapësirën e shkurtër, ku hidhnim hapat drejt njëri-tjetrit. Ishte e pamundur të fiksoje njeriun në atë rrjetë të dendur shiu. Fytyrat rrëshqisnin nëpër ujë si shtatore të ngujuara. Vetëm kur u afruam fare pranë, kur kaluam KUFIRIN dhe shtrënguam duart e njëri-tjetrit, mbushur me një ndjenjë plot dhimbje e dashuri të thellë vëllazërore, vetëm atëherë menduam se do të qemë edhe ne po aq të zbehtë, të lagur nga shiu e të malluar, të dy palët të sforcuar në buzëqeshjen tonë të ngrirë nga akujt e Jutbinës, mot stërmoti.

Ajkuna ishte dhimbja e madhe e ndrydhur në kullat e Jutbinës. Ajkuna ishte pritja e gjatë pa mbarim. Priste Mujin, priste të birin. Ajo e donte kreshnikun dhe kishte frikë për të birin. Diçka janë të afërta këto Ajkunat e Lugjeve të Verdha. E bora e madhe rëndonte ahet e çetinat për t’i thyer. Njeriu ngrinte në atë akullnajë. Ishte me të vërtetë dimër i madh, si dimri i Jutbinës i Shqipërisë e i botës. Kosova vlonte në luftë. Këto mendime më shoqëruan gjithë ditën deri në mbrëmje, kur befasoi Prishtina me formën e zgjatur në hapësirë, dhe reklamat e HOTEL GRAND PRISHTINA.

Këto po mendoja atë mëngjes (që, për çudi, kish të njëjtën datë, 27 tetor 2017), kur vraponim plot gëzim në një udhëtim privat me motrën time Edith dhe dy mbesat, Shqipe e Liri, në autobusin urban PRISHTINË-TIRANË.

Katër orë rrugë në autostradat tona moderne, pa kaluar fare male të larta të thepisura dhe kufij me pasaporta…

Kjo qe mrekullia vetë.

Prishtina me afër se Shkodra dikur!?

Më kish marre malli sa s’thuhet për miken time të shtrenjtë, Sanije Gashin, së cilës iu luta të na rezervonte dy dhoma në GRAND.

Sanija me takt, si përherë, tha se nuk ish GRANDI si dikur.

Unë nuk e harroja se reklamat vetëtitëse së largu të atij hoteli, ishin grishja e parë e Prishtinës, për ne të përtej largësive, ku na ndante vetëm një vijë e hollë kufiri, si të qenë telat me gjemba të një kampi të madh përqendrimi.

Ishte dhimbje e jashtëzakonshme të copëtoje jetën e një Kombi në atë farë feje.

Po ne të katërta ishim shumë të gëzuara që po shkonim në një ditë të bukur me diell, me urban, në Prishtinë.

Prishtinasit e donin shumë diellin, apo gjeneralin e mirë diell, siç e quante motra ime, Edi. “Gjenerali” na qëndroi besnik i mirë, në ditët e Prishtinës. Na ngrohu shpirtin e zemrën.

Prishtinën asnjëherë nuk mund ta shohësh të tërën, ngaqë ka konfiguracion kodrinor. Veçse Diellin e gjen kudo. Që nga Arbëria, Dardania, Kodra e Diellit.

Sanije Gashi, Zonja e Madhe e Kulturës Shqiptare, ishte edhe ndryshimi më i bukur, i atij takimi të përmalluar.

Kultura unifikon.

Rrugët shkurtojnë distancat, që të mos ketë më ndarje me lot në sy.

Koha ka punuar për ne, që pamë tmerret e luftës gjenocide dhe mbijetesën e pavdekësisë, të një shpirti më të thellë se oqeanet e detet, ku morën njerëzia arratinë nga sytë këmbët.

Takimi u bë në hotel grand Prishtina.

Sanija erdhi së bashku me vajzat e saj, Rina e Nera, vajza të thjeshta, plot finesë, mençuri e hijeshi. Dy BUKURI TË RRALLA. Vajza sa moderne aq edhe tradicionale, bashkëpunëtore e botuese të Revistës më cilësore në Ballkan, “TEUTA”

Çdo prind do të ishte krenar, po edhe miq të vërtetë, përjetësisht, do ta mbanin ballin lart.

Motra e mbesat e mia u miqësuan menjëherë dhe e ndien veten si në shtëpinë e tyre.

Prishtina i rrëmbeu në krahët e saj të butë gjithë dhembshuri.

E ne dolëm nëpër rrugë, si të qemë takuar prej vitesh.

Asnjëra nuk po e besonte se në orën 7 të mëngjesit të asaj dite ishim në stacionin urban të autobusit Tiranë-Prishtinë, e në orën 2 po hynim në shëtitoren e Prishtinës.

E bukur është Prishtina, sidomos në mesnatë, veçanërisht kur lulëzon bliri. Po edhe të dielave, herët, kur nuk ka qarkullim, kur mund të bësh një shëtitje për qejfin tënd, mbushur me imazhe dielli e zëra fëmijësh të gëzuar e çamarroke është ajo shëtitore-ai shesh rrethuar me restorante, prindër të rinj të kujdesshëm prapa makinave lodra, sheqerxhinjve, gështenjapjekësve, akulloreve e librarive.

Në Prishtinë lexohet e blihen librat, veçanërisht ata që tregojnë të vërtetën lakuriqe të jetës.

Shiten edhe librat e Sanijes, në dy gjuhët, shqip dhe anglisht. “Histori të tmerrit,1998-1999, Dosje krimesh të luftës, rrëfime të grave”, dhe “MONOGRAFI UNIKE – PRISHTINA”.

Për këta libra Sanija mori titullin e lartë, Zonja e Madhe e Kulturës Shqiptare, për të cilin as që ka dëshirë të flasë.

Ajo beson si çdo krijues serioz, që libri e bën rrugën vet, jeton krejtësisht i pavarur nga autori.

Rrugëtimi ynë vijoi edhe të nesërmen. Dielli nuk na u nda për asnjë çast. Që nga Memoriali i Heroinave, Universiteti, Biblioteka, ku dhuruam edhe ne, ardhacaket, ca libra.

Nuk e dinim dhe as e merrnim me mend, kur bëmë ca foto tek Memoriali i Heroinave, që Sanija ish bërë një zë i fuqishëm i atyre që heshtnin, ajo pati ngritur zërin për një shtatore (një pllakë përkujtimore në shenjë nderimi për gratë e përvuajtura, që përjetuan Luftën 1998-99.)

Të paktën një herë në vit, të përkulemi para dhimbjes së GRUAS, për t’i dhënë një fllad shpirtit të lënduar, me pak imazhe dielli!

Edhe ne u larguam nga Prishtina, mbushur shpirtin me imazhe dielli, falur miqësisht nga Prishtina. Kjo qe edhe:  “LAMTUMIRA PA LAMTUMIRË”.

MIRUPAFSHIM, PRISHTINË!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eglantina Mandia, Mirupafshim, Prishtine

SHQIPTARET NE FUNERALIN E VETVETES

November 12, 2017 by dgreca

Kopertina e romanit Il funerale senza fine«Il funerale senza fine» – remake në italisht e një romani të Visar Zhitit/Shpend Sollaku Noénga Shpend Sollaku Noé/

Një kolonë e gjatë njerëzish me shtyllë kurrizore të thyer, që marrshon e ngathët në funeralin e vetvetes. Secili ka veshur, në vend të palltos, arkivolin e vet.Miliona që tërheqin këmbët zvarrë, që marrin frymë sikur të mos u lëviznin fare mushkritë, që u rreh zemra pa tiktake, me një elektrokardigramë të sheshtë. Sytë e tyre prej zombi nuk shohin asgjë pak metra më tutje. Qielli nuk ka nevojë më për një yll që sjell ditën. Dielli i zi që u është shuar ka lënë pas vetëm toka buzëplasaritura. Netët kanë zëvendësuar edhe ditët: sa më te errëta, aq më të shëndetshme.

Janë këto përshtypjet që krijon lexuesi kur merr në dorë në italisht librin e Visar Zhitit «Il funerale senza fine», të porsabotuar nga «Rubettino». Eshte një remake e botimit në shqip, të vitit 2003, të «Funerali i pafundmë». Mbi kopertinën të marrë nga një akuarel i Atjon Zhitit, ky libër quhet roman. Lexuesi apo ekspertet mund ta quajnë edhe poemë, për nga mënyra sesi është shkruar. Edhe nëshkruesit të këtyre rreshtave i duket më shumë si poemë – nje poemë e madhe groteske, në kufijtë e të pabesueshmes, por që arrin të qëndrojë vertikalisht si një e vërtetë e pakundërshtueshme.

Nëse Vizar Zhiti e ka quajtur roman do të thotë që ka arësyet e veta; nëse unë e quaj një poemë madhore, edhe unë kam aresyet e mia. Pasi nisem jo vetëm nga forma e përzgjedhur për të shprehur idenë qendrore, por edhe nga leksiku, dendësia e imazheve metaforike dhe mendimi i ngjeshur – tipare tipike këto të një poeme. Prandaj edhe këtu, si në një poezi apo edhe në një shkrim pubblicistk, Zhiti mbetet poet i shquar.

Elio Miracco – përkthyesi i këtij libri, i ka italianizuar kapitujt e tij qoftë nga ana gjuhësore, qoftë edhe në përshtatjen sa më afër lexuesit në gjuhën italiane. Si rezultat i kësaj pune të shkëlqyer, në 160 faqet e këtij libri nuk ndihesh më në Shqipëri, por në një vend çfarëdo, në një botë çfarëdo, të cilën mungesa e gjatë e lirisë e ka trasformuar nga një diçka e prekshme në një funeral që vazhdon edhe sot, për fat të keq. Një funeral apolidësh ku duhet kërkuar ndër fosilet profili i atdheut.

Filed Under: ESSE Tagged With: E VETVETES, NE FUNERALIN, Shpend Sollaku Noe', shqiptaret

BIBIONE – DIVJAKË, BINJAKË KAQ TË NDRYSHËM ME PAK HEMINGUEJ

November 10, 2017 by dgreca

Shkrimtari Shpend Sollaku Noé në Bibione

Report nga Shpend Sollaku Noé/

1-Nga e majta në të djathtë - pista ciclabile. udhëza për këmbësorë, gjelbërim, zona e lojrave, zonë e çadrave, zona e lirë për ecje në breg , deti.

Ne Foto:Nga emajta në të djathtë,pista-ciclabile, udhëza për këmbësorë-gjelbërim,zonae lojrave, zonë e çadrave, zona e lirë për ecje në breget.

2 zone e Lire

Ne Foto:Zonë e lirë për ata që nuk duan të paguajnë çadrën e diellit/

3 Laguna pylli në Bibione

Ne Foto: -Laguna pas pyllit në Bibione/

4 Laguna e Karavastasë

Ne Foto:Laguna e Karavastasë/

5-Porti

Ne Foto:Porti i vogël për motoskafë në pas pishnajës së Bibiones./

6-Djerrinë e Divjakës

Ne Foto:Djerrinë para godinave të brezit të parë në plazhin e Divjakës/

7-plazhi i qenve të të pasurve

Ne Foto:”Plazhi i qenve të të pasurve” /

8 Zone e ndaluar për qentë

Ne Foto:Zone e ndaluar për qentë/

9 -Heminguej dhe Adriana Ivancich

Ne Foto: Heminguej dhe Adriana  Ivancich/

10-Çfarë ka mbetur sot prej vilës Ivancich

Ne Foto: Cfarë ka mbetur sot prej vilës Ivancich /

… Edhe kombet, si njerëzit që e përbëjnë, kanë periudha që vuajnë nga depresioni. Trishtimi i përgjithshëm, pakëqësia e gjithanshme, sundimi i mendimit negativ, pesimizmi për të ardhmen u mpijnë trurin, u paralizojnë gjymtyrët, u pengojnë ecjen. Edhe kur janë të ndërgjegjshëm për vlerat e tyre. Kështu ndodh edhe me zona të caktuara të vendit, ashtu si edhe me pjesë të popullsisë të një kombi. Që rrezikojnë të kridhen nën rërërat e lëvizshme të historisë.

Këto mendime përzhitën trurin gjatë ndejtjes timë të fundit në plazhin e Divjakës. Duke qenë se e ndiej si truall mbi të cilin kam kaluar ditë, javë e muaj të rëndësishëm qysh prej fëmijërisë time, ky plazh nuk ka për tʼu bërë ndonjëherë i huaj për mua. Edhe kur jam me qindra kilometra larg, diku andej nga veriu i Italisë, në binjaken e Divjakës time: Bibione.

Binjakë identikë qysh prej lindjes

Nga njëllojshmëria e tipareve, Bibione e Divjaka ngjajnë vërtetë si binjakër identikë. Edhe kthimi i tyre në toka të banuara ka pak a shumë të njëtën moshë. Përpara tyre shtrihet i njëjti det: Adriatiku. Të njëjta janë llojet e dallgëve, pasi edhe nëndeti është njëlloj i butë, me thellësinë që rritet gradualisht; rëra është puthuaj e njëjtë, e pastër, e butë, me monotoniket dunëza që i binden vetëm penelit të llastuar të erës.

Dikur me detin buzë pyllit, plazhi i Divjakës ka filluar tʼi ngjajë përditë e më shumë binjakut të Adriatikut të veriut, me zgjerimin e bregut të saj në mënyrë të konsiderueshme. Në Divjakë ky largim i detit prej pyllit ka ndodhur në ndoshta si një dukuri natyrale, edhe pse gojët e liga ngulin këmbë që përshpejtimi i këtij largimi ka ardhur prej shmangies së derdhjes së Shkumbinit në veri të kësaj perle. Rezultati?  Në plazhin e Divjakës duhet tʼi bëjnë llogaritë me cektëtzimin dhe shtyrjen rekord të bregdetit – rreth  100 m në vit!

Edhe Bibione ka pranë derdhjen e një lumi – quhet Tagliamento – por ai është sistemuar në mënyrë shkencore, që mos ndikojë në cilësinë e ujrave dhe të nëndetit në plazhin në të djathtë të tij.

Nga kjo pikëpamje, binjaku Bibione ka luftuar për tʼi zhvatur detit ca më shumë hapësirë, me ndjekjen e një politike të qartë e të vazhdueshme të dunëzimit dhe më vonë të pyllëzimit të hapësirave të zhvatura detit. Atje fillohet kujdesi që nga krijimi i dunëzave të para menjëherë pas bregut, tek bimësimi me barishtet pioniere e deri në dunat e konsoliduara dhe më vonë të mbuluara prej shkurreve e më pas të pemëve: i ashtuquajturi zëvendësim i habitateve.

Divjaka, ndërkaq, pavarësisht nga shkaqet që e krijuan, e ka tashmë këtë hapësirë jetësore, për të ndërtuar një plazh të madh por jo të mbytur prej çimentos.

Kaq pak banorë – aq shumë pasuri

2600 banorë ka Bibione. Por ky plazh është i aftë tʼu krijojë kushte të mrekullueshme shplodhjeje e dëfrimi rreth 6 (gjashtë) milionë pushuesve në  një sezon veror. Kjo ka bërë që bibionasit jo vetë të mbahen me turizmin, por edhe të pasurohen.

7282 banorë ka qyteti i Divjakës. Në plazh numërohen me pëllëmbat e dorës: rreth njëqind?  Sa pushues tërheq ky plazh në vit? Disa mijëra? Sa ua ka ndryshuar mirëqenien divjakasve?

Edhe Divjaka mund ta shtojë shumë numrin e pushuesve në plazhin dhe rrethinat e saj, por për këtë duhet ndjekur një politikë rigoroze për zhvillimin e një turizmi modern, por jo të bazuar në shumëfishimin e vëllimit të çbetonit të derdhur në të, ashtu siç përpiqen tʼi imponohen asaj në disa projekte faraonike.

Si e ka zgjidhur binjaku Bibione ruajtjen e tipareve të natyrës përreth dhe brenda plazhit të tij?

Hapësira ranore, siç e kam përmendur më sipër, jo vetëm që ka mbetur e paprekshme prej betonit, por synohet të shtohet akoma më tej. Plazhi është i ndarë nga pjesa e banuar e këtij qytetthi nga një pistë ciclabile (rrugë vetëm për biçikleta). Pranë saj është rruga e këmbësorëve (pedonalia). Trafiku i njerëzve këtu është zgjidhur me bicikleta, private apo me abonim e qera. Pista ciclabile e përshkuan këtë zonë përqark: buzëdetit, anës apo nëpërmes pyllit, në buzë të lagunës.

Sepse edhe nga kjo pikëpamje, pishnaja dhe laguna, Bibione e Divjaka mbeten binjakë.

Pishnaja e përshkon Bibionen duke nisur që prej mbarimit të plazhit. Kurorat e pemëve arrijnë të mbulojnë shpesh edhe ndërtimet jo shumë të larta, ngritur në zonën e duhur, pas një plani të studiuar deri në imtësi: përgjithësisht hotele, vila, kampe për fëmije e të rinj, të shëndetshëm e të sëmurë… Pushuesve u janë garantuar ndihma e shpejtë, farmacitë, tregjet si edhe ruajtja e efektshme e rendit. Pylli vazhdon edhe në buzë të lagunës.

Laguna? Si ajo e Divjakës. Edhe kanali që e lidh atë me detin ngjan si ai i plazhit tonë. Nga kjo pikëpamje besoj se Karavastaja madje është akoma më e bukur, më e larmishme me strugat dhe godullat e saj, ku dëfreheshim aq shumë duke zënë ngjalat me kanistër gjatë fëmijërisë. Po ashtu mund të them me plot gojën se nëse bimësia në Bibione duket sikur është pothuaj ajo e Divjakës, fauna e asaj copëze të bregdetit shqiptar ndoshta është akoma më e pasur. Në Bibione, p.sh., nuk i gjen pelikanët.

Për çfarë është shfrytëzuar laguna në afërsi të Bibiones?

Për peshkim, po, por jo për atë të industrializuar. Këtu zotëron akoma grepi e parangallët si edhe minirrjetat. Është ndërtuar vërtetë një portth në të cilin hyhet nëpermjet kanalit; por peshkarexhat janë bkarka të vogla. Ai lloj peshkimi duhet vetëm tʼu sigurojë peshk të freskët pushuesve të Bibiones. Nën këtë prizëm janë konceptuar edhe shërbimet e tjera.

Me zgjerimin e kanalit jugor, edhe ne lagunën e Karavastasë mund të ndërtohet një bankinë për mjete të vogla peshkimi e turizmi, por gjithmonë duke respektuar normat ambientale të një Parku Kombëtar si ai i yni.

Jo vetëm plazh me pagesë

Plazhe të tilla si Bibione kanë edhe një çmim për tʼu paguar. Kostojnë çadrat dhe shtretërit portativë, që një pjesë e hoteleve apo bareve i përfshijnë në tarifat për klientët e tyre sipas prenotimeve. Një pjesë tjetër e plazhistëve duhet të paguajë bileta kundrejt një çmimi që ndryshon sipas sezoneve. Janë parashikuar edhe plazhe për ata që marrin me vete kafshë të ndryshme, sidomos qentë.

Siç shihet në fotot, zona e çadrave është e ndarë në mënyrë të dukshme nga zona e lirë në të cilën edhe mund të zhvillohen lojra të ndryshme. Kjo zonë shkon deri në brezin e gjelbër që e ndan këtë të fundit nga rruga e këmbësorëve. Po ashtu, që nga bregu i detit deri në rreshtin e parë të çadrave, edhe në kohë batice, rëra e lirë për qarkullimin e këmbësorëve duhet të ketë një largësi të paktën prej 30 metrash. Kjo largësi arrin në kohë sbatice deri në 60-70m. Askush nuk mund të qarkullojë në atë zonë me mjete të motorizuara, qoftë edhe policia. Vetëm ndihma e shpejtë, dhe ajo me auto të veçanta.

Megjithatë në Bibione janë të shumta zonat e lira, ku mund të bëhet plazh edhe pa paguar as çadrën as vendin. Edhe ne atë zonë, sidoqoftë, është siguruar pastrimi i territorit, që fillon me diferencimin e mbeturinave nga qytetarët në kosha të veçantë dhe përfundon me punonjësit e paguar nga bashkia. Kjo zonë fillon me plazhin Pluto, në të cilin mund edhe të mbash qentë pa dhe me pagesë.

Jo vetëm plazh, por edhe Heminguej.

Çʼlidhje ka i famshmi Ernest H. me këtë zonë?

Romani «Across the River and Into the Trees» – «Përtej lumit e midis pemësh»  është shkruar prej Heminguejit diku afër Bibiones, në San Michele al Tagliamento, komunë nga e cila varet ky plazh. Në atë periudhë të krijimtarisë shkrimtari amerikan vinte këtu për të pushuar por, dhe sidomos, për të shkruajtur. Vendi ku prehej e shkruante ishte Vila Ivanchic, pronë siç kuptohet, e Ivançiçëve. Protagonistja e romanit të mësipërm, Renata, ngjan si dy pika uji me të dashurën e shkrimtarit – konteshën Adriana Ivancich. Heminguej, deri sa vdiq në vitin 1961, ia kishte ndaluar përthimin këtij romani posaçërisht për të mbrojtur Adrianën nga gjuhët e liga të provincës veneciane. Romani u botua në italisht në vitin 1965 dhe bëri bujë të madhe që para se të dilte në shitje. Vetë Adriana Ivancich u detyrua të botonte shumë më vonë, në vitin 1980, një libër me kujtime – «Kulla e bardhë» («La torre bianca»), duke deklaruar që ishte ajo vetë Renata e romanit «Përtej lumit e midis pemësh», duke treguar edhe shumë detaje rreth marëdhënieve të saj me shkrimtarin amerikan. Deklarimet e hapura nuk i rralluan aspak presionet rreth saj, derisa i krijuan një kolaps nervor që e shpuri në vetvrasje në vitin 1983.

Jo vetëm për këtë fakt Heminguej lidhet me Bibionen. Në lagunën pas këtij plazhi shkrimatri i madh vinte shpesh të peshkonte. Janë këto dy fakte sidomos që shrytëzohen për qëllime fitimi nga agjensitë turistike por edhe organet komunale apo edhe privatë të ndryshëm. Komuna e San Michele-s organizon shpesh festa promocionale në atë çfarë ka mbetur në vilën Ivancich. Skafistë të ndryshëm ofrojnë lundrim në vendet e peshkimit hemingueiane; restorante e bare servirin birrën apo verën lokale që ai pëlqente, dikush përfiton të bëhet ciceron për të të shoqëruar nëpër shtigjet ku Ernesti i madh shëtiste.

Ernestët që kanë frekuentuar Divjakën

Nuk janë të paktë edhe personazhet e mëdhenj shqiptarë që kanë frekuentuar apo që do ta frekuentojnë Divjakën dhe zonën përreth Karavastasë. Pavarësisht se ata kanë ardhur nga periudha të ndritura apo të errëta të historisë shqiptare, gjurmët në të i kanë lënë. Turisti mund të vijë në Divjakë edhe për të parë pelikanët, por edhe për të njohur historinë e asaj zone. Mund edhe të rikujtohen ngjarje të hidhura, si zonat e ndaluara për popullin, por edhe mund të shkohet ku zinte peshk Kadri Roshi apo ku pikturonte Sadik Kaceli apo Besim Golemi. Mund të ngrihen nëpër shtigjet e pyllit edhe kasollëza që ritregojnë përrallat vendase – tërheqje kjo e këndshme jo vetëm për femijët. Mund të shijohen pjatat si ato që i pëlqenin filan shkrimtari apo piktori, pija që i pëlqente filan shkencëtari, mund të shoqërohën turistët në gërmimet arkeologjike në afërsirat. Pasi jo të gjithë shkojnë në zonë të tilla vetëm për tʼu bërë biftekë mbi rërë për gjithë ditën. Turisti tashmë kërkon edhe të tjera tërheqje jashtëplazhore. Dhe për tʼi krijuar ato kushte duhet përkushtim e fantazi, por, dhe sidomos, këmbëngulje dhe fonde. Dhe mbi të gjitha – pastërti dhe respekt maksimal i natyrës ashtu si i ka hije një harku aq të madh natyror siç është ai i Divjakë – Karavastasë.

Pasi kësaj zone natyra nuk i ka kursyer asgjë; ajo, po ashtu si Bibione, është pronare e lindjes dhe e përëndimit të diellit; ajo është flladi i parfumuar nga rrëshira dhe jodi; ajo është dhe shëndeti dhe dëfrimi, është qielli i kthjellët, i mbushur si askund me yje… edhe pse sot miti i saj është kredhur në baltë, është mbuluar nga gjëmbaçët, në pritje për tʼi ardhur njerëzit e duhur.

Nëse gjithçka do shkojë për së mbari, herët a vonë, edhe këtu do të mbërrijnë Adrianat dhe Heminguejt. Për ringjalljen e mitit.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: BIBIONE - DIVJAKË, BINJAKË KAQ TË NDRYSHËM, heminguej, Shpend Sollaku Noe'

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 302
  • 303
  • 304
  • 305
  • 306
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT