• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mirë se vjen moj Çika e HOTIT!

August 22, 2017 by dgreca

1 Kaltrina-HotiNga Zeqir Lushaj/*

-Cikli me poezi “Dashuria… nuk ka mbiemër”, që vijon më poshtë është nxjerr nga libri më i ri i autores shqiptare-amerikane zonjës Kaltrina Hoti, me titull “MOS E PREK” që do të publikohet seshpejti, brenda kesaj vere dhe në serinë e botimeve të saja do të jetë i 7-ti liber, nderkohe që ka në perfundim e siper edhe një roman. Ishte dëshira e saj që ta prezantonte sëpari ardhjen e re të fjales së saj poetike  nepermes revistes ZemraShqiptare. Pra mbas një Cikli komentesh me teme atdhetare, nen okelion: ”Mirëmengjes Bashkimi Kombetar”, Cikel i mirepritur nga lexuesit tanë dhe që do vazhdojë akoma, Çika e Hotit don të dalë para tyre edhe në zhanrin e saj shumë të preferaur e të levruar ka kohë, me të dashuren e saj të kahmotshme poezi.

…!

Në fund të këtij Cikli që do ndiqni, me poshtë, në vijim të tij, mund të mesoni edhe diçka (pak) më shumë per zonjen Hoti, poeten e piktoren e suksesshme, bashkpunetoren tonë të mirëpritur,  të ciles edhe në emer të redaksisë së revistes ZSh, të lexuesve e simaptizanteve i urojmë arritje të reja…, dhe i themi sinqerisht:

-Mirë se vjen moj  Çika e HOTIT!-

***

Dashuria… Nuk Ka Mbiemer

Nesër është sot

sot

në mes të rrezeve të diellit

u zgjova

e shkriva zjarrin e ngrirë

nga buza

ngjyrën e kuqe e rrjedha

u mundova ta robëroj

vetëm një rreze

nga lëkura ime

papritmas Hëna trokiti

u mbështet në gjirin tim

zjarri i diellit më takon mua

i mbylla sytë

ëndrrën e mbrëmjes Hënës ia dhurova

————–

Unaza e Nuses

O tokë e kuqe

sa e bardhë je

sa shumë eshtra mban në gji

edhe qielli shpesh mrrolet

derdhet i tëri mbi ty

me lot i lan

për pak freski 

më thirre sot

të ulem pran ahut të moshuar

më the

pushoje  kokën në baltën time

merre nga unë jehonën e fundit

nuk mundem veten ta peshoj

një unazë të nuses nuk mund ta mbuloj

po

E dëgjova zërin e saj të shtrydhur

shpëtim

shpëtim o Perëndi

dhe pastaj më mbylli në qetësin e saj

po

E dëgjova

vdekja si i pëshpërit

mbylli sytë bijë e malit

para se ta marrin shpirtin

dua zemrën me ta puth

të mos ndjesh dhimbje

rininë e pa jetuar do ta strehoj

në vreshtat e rrushit

puthjen e ëndërruar era do ta marrë

kur të lodhet trimi i dheut

aroma e zemrës tënde do ta ngushëlloj

mbylli sytë

të shndërroj në Zanë të Malit

 

E dëgjova jehonën e fundit

fjala më mbeti në fyt

o tokë e kuqe bëhu shtrat

mbuloja fytyrën

ajo e zbrazi zemrën.

————-

Është rreze e ditës

mëngjesi nuk i takon ditës

është pëshpëritja e natës së kaluar

mundohet

të na zgjon nga vetvetja

errësira nuk i takon natës

është rreze e ditës

mundohet

ta puthë shpirtin e pa prekur

kur frikohemi ta thërrasim

jehonën e emrit të emëruar

nga drita e jetës

———

Pa mbiemër

vjen pa pritur

troket pa tingull

të bënë frymë të lehtë

që kërkon pran melodisë të zemrës

të pushon

nuk e din kur fillon

nuk e din a ka fund

derdhesh nëpër valët e saj

dhe pret të bëhesh puthje e kërkuar

dashuria…  nuk ka mbiemër

———- 

Pa titull 

të dua

fjala më e gjatë në hijen e jetës.

—————-

Mos e prek

mali është nga gurët e bekuar

unë jam mal

që duket si gur

por nëse më prek jam akull

nuk të ftohi

shpërthejë zjarr

nuk të djegi

por të ngri

shpirti i thatë shndërrohet

në skulpturë nga shiu

kur e prek shkrihet

dhe njeriu u zhduk pa gjurmë.

—————-

Mësoni (pak) më shumë per Kaltrina VB Hotin

-…Dy poezi të botuara në një Antologji të poezisë botërore “Serenity” të publikuara nga Eber & Wein Publishing (ku janë poezitë e poetëve më me famë botërore duke filluar nga Edgar Allan Poe), prezantojnë edhe poeten shqiptare Kaltrina VB Hoti. Me shumë sukses në gjuhën angleze mban çertifikatën “Çertifikata e World poetry movement “.-

E lindur më  26 qershor 1967 në Hot – Plavë.   Shkollën fillore e kreu në Prishtinë “Hasan Prishtina”   dhe shkollën e mesme të mjekësisë në “Xhevdet Doda”. Në vitin parë të fakultetit të mjekësisë e lenë folenë me të gjitha ëndrrat dhe merr rrugën e kurbetit. Në 1997 në New York mbaroi International Correspondence School-Diploma  Interior Decorating.  2009-2011 Kaltrina e kishte radio programin e saj  “Taking to Nancy and Chuck”.  Në 2011 vendos të marr një hap në krijimtarinë e artit të pikturës. Për dy vite ajo studion te piktori i njohur  Chuck DeHaan.

Kaltrina deri më tani në gjuhën angleze ka botuar: “Voices”, poezi 2011, “Touch of Italian attitude in your kitchen “, Monografi e artit të kuzhinës 2014,  “Come dance with me through words of thoughts”, poezi 2013, “Dancing on the rain”, poezi 2016. Kaltrina është anëtare në Akademinë e piktorëve “FineArtAmerica”. Dy poezi të botuara në një Antologji të poezisë botërore “Serenity” të publikuara nga Eber & Wein Publishing ( ku janë poezitë e poetëve më me famë botërore duke filluar nga Edgar Allan Poe) prezantojnë edhe poeten shqiptare Kaltrina VB Hoti. Me shumë sukses në gjuhën angleze mban certifikatën “Certifikata e World poetry movement “.

Kaltrina VB Hoti bashkë me mësuesin e saj të pikturës Chuck DeHaan kanë botuar librin shkollor me piktura “Western coloring book “ 2009. Ndërsa në gjuhën shqipe; “Ta mora vargun”, poezi, 2016 Tetovë,  “Preke ëndrrën”, poezi, 2016 Tetovë. “Puthja sekret” është libri i tretë poetik.

Kaltrina jeton në New York  ku vazhdon me laps dhe brushë të shënoj kohën  e kaluar dhe të përcjell eksperiencën e saj të kurbetit  edhe nëpërmes të vargjeve dhe abstraktit në pikturë.

—————————-

  • Redaksia e Diellit falenderon z. Zeqir Lushaj qe e ndau shkrimin me lexuesit e Diellit

Filed Under: ESSE Tagged With: Çika e HOTIT!, Katrina VB Hoti, Mire se vjen, Zeqir lushaj

Metaforë që vallëzon me erën nëpërmjet valëve të shpirtit

August 21, 2017 by dgreca

1 Mos e Prek Kaltrina

Një vështrim mbi librin më të ri të Kaltrina VB Hoti “Mos e prek”/

Shkruan Safet Hyseni/

Duke lexuar librin më të ri të shkrimtares, Kaltrina Hoti s’ke si të mos nxitohesh e të thuash, se arti dhe mendimi mund të bëhen bashkudhëtar të denjë në një ide hyjnore, siç është atdhedashuria. Në këtë libër të ri, ku avancon stilin e të shkruarit, shpirti i pastër e zemra që rreh për atdhe kanë futur në valle prozën dhe poezinë me aq mjeshtëri dhe art ku lexuesi përveç kënaqësisë, merr dhe përgjegjësinë për të hyjnizuar dashurinë ndaj atdheut. “Porta jonë sot është lehtë të ndërtohet, është aty para syve tonë, vetëm duhet t’i mbledhim  fjalët e para dhe t’i bashkojmë me dëshirën e vjetër, me duart e sotme që nuk kërkojnë shpatë as mbrojtëse”, thotë ajo në Porta Etnike.

Paraqitja e tillë, me sa duket, është edhe qëllimi i hedhjes së kësaj proze për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi ndaj dritës dhe frymës, ndaj natyrës dhe atdheut, ndaj gjuhës dhe dashurisë… Duke lexuar prozën e autores përveç kënaqësisë që përjeton nga arti, lehtë e kupton se të  shkruash nuk është hapi i parë i një shkrimtari, as të meditosh.., por së pari duhet ta mundësh të keqen brenda vetes që të ndërgjegjësosh, kënaqësh e mrekullosh lexuesin dhe me këtë të ndihesh i dobishëm në vazhdimësi. Jo vetëm kjo, por edhe mënyra se si autorja e shkruan prozën dëshmon se; poezinë dhe prozën i ndan një qime floku kur thjeshtësia e burimit; shpirti, që me këtë rast është tejet i bardhë, zemra ajo që rreh shpejt për të ruajt rrugët e dashurisë si dhe qendra e përpunimit të idesë truri, bashkërendisin ndjenjën dhe çiltërsinë në letër të bardhë. “Sot, dua të të them, o miku im. Dashuria është fuqi më vete. Është e butë e të grith. E nxehtë, mund të digjesh!” Citat nga proza “Dashuria është fuqi me vete që mund ta marrësh edhe si poezi.

Libri i titulluar “Mos e prek” është vazhdimësia e pesë librave të tjerë në gjuhën shqipe, që autorja na i ka sjell, por që dallon për cilësinë e prozës së shkurtër, idenë e kësaj proze, veshjen me art, gjetjen e fjalës me peshë dhe metaforës popullore. Për dallim nga librat tjerë, kësaj radhe ajo na befason me cilësinë e prozës së shkurtër, shtjellimin e saj dhe ruajtjen e temës së dashurisë në 27 titujt, që japin dhe marrin nga njëra-tjetra për të na mrekulluar ideja atdhetare, kuvendi i fjalës, tryeza e fisnikërisë, dashuria si madhështi e tokës ku ka lindur, si dhe shkëlqimi i artit në brendësi. Në këto tregime të shkurtra filozofike shkrimtarja ka depërtuar në thellësi të mendimit popullor, mendim i emancipuar në shekuj, për të na bindur për vlerat e trashëguara nga lashtësia të bartura me shumë kujdes në kuvende që nga Teuta e deri në ditët e sotme. Këto vlera, ajo na i radhit me shumë kujdes e dashuri për të na bindur se janë dritë në udhën tonë, udhë e përbashkët. Me këtë rast më duhet të them se gurra e pashterur popullore ka hasur në një mendje atdhetare me një profil të veçantë krijues që na bënë ta lexojmë e rilexojmë për botëkuptimin e ri për të ardhmen që mbështetet vetëm tek dituria, kultura dhe arti. Se, Atdheu dhe dashuria për vendin, gjuhën, kulturën traditën janë edhe tek shpirti i shqiptarit të mërguar e hasim nëpër prozat e saja; “Një gjuhë flasim”, “Sa bukur tingëllon gjuha ime” nga të cilat lexuesi përmbush mungesën si pjesë e jetës në mërgim. Duke filluar më prozën “Porta etnike” që është një mendim tejet i lartësuar, ku në mënyrë simbolike autorja na fton që me dashuri, sinqeritet e shpirt të pastër, çdo ditë të vendojmë nga një gur për të ngrit atë “portë” që do jetë liri e përgjithshme e një populli të kufizuar nga të gjitha anët me vetveten.  Prozat; “Sa e njohim veten?”, “Fjala e gjallë”, “Pritja”, Heshtja”, “Miku im” por jo vetëm këto, janë që shquhen për metaforën dhe fuqinë e fjalës.

Për autoren e librit “Mos e prek” mund të thuhet shumë, por më e mira është se po të  fillosh ta lexosh ajo të nënshtron dhe të bënë ta ndjekësh në çdo fjalë e varg për të thithë më të mirën e njerëzores.  Qëllimi i saj si duket është të krijoj te çdonjëri ndjenjën e qytetërimin e të dashurisë ndaj njeriut, rrethit, natyrës, kombit. Është aftësia e saj që të bënë ta shikosh ndryshe botën, të gjesh rrugë për ta ndryshuar në të mirë të njerëzimit. Dihet se shkrimtari kur shkruan ka një shkak, ai gjithsesi me lojën e fjalëve dhe arsyetimin a vargut donë të emancipojë mendimin, shoqërinë, gjuhën, kombin.  Qëllimi i tij është që egërsia që ekziston tek çdo njëri të zbutet për një ardhmëri më të mirë, e me këtë rast, ajo thirret në tryezën e lashtë, kullën, besën, fjalën që t’i gdhendim me laps e t’iu japim ngjyrën me brushë, se kjo është mënyra më ë mirë për të zënë diturin. Një popull i ditur rrugën e bashkimit e gjen vetë, pa asnjë plumb shprehet autorja.

Poezia në këtë libër është e ndarë në tre cikle. Për dallim nga veprat tjera, ku ajo ka arrit të krijojë stilin e vetë të lirë dhe ku luan magjishëm me bukurin e fjalës dhe fuqinë e saj në këtë vepër që është një kombinim i prozës dhe poezisë dëshmon për talentin e pakufishëm në pushtimin e hapësirave të shumta. Ajo me fjalën e bukur dhe mënyrën se si e përcjellë bënë joshjen e lexuesit deri në thellësi të shpirtit, kthjellim dhe përvetësim të të mirave që ofron atdheu, për ndërtimin e identitetit dhe ushqimin që duhet të ketë në tryezën e madhe të dashurisë njerëzore. Të shkruash poezinë si Kaltrina nuk është lehtë, duhet të kesh përjetuar dashurinë, mërgimin, vuajtjen, robërinë…

Poezitë janë të ndara në tre cikle por që komunikojnë bukur dhe pandalshëm me njëra tjetrën nëpërmes dashurisë, fuqisë së fjalës, ngjyrës… ku ajo me shumë kujdes i ruan, kështu që kapërcimi nga njëri cikël në tjetrin as që hetohet. Stili i ri i lehtë, i thellë në mendim të le përshtypjen se krijohet në një univers tjetër sa joshës aq dhe i dobishëm bardhësi shpirti, dashuri zemre dhe kthjellim mendimi. Poezitë rrjedhin si një ujëvarë ku vetëm me shikim shkuma e saj të freskon edhe në largësi. E gjitha kjo valëzon nëpër tre ciklet ku sërish kemi atë lojën e fjalës me mendimin atdhe, dashuri, identitet, lojë në kërkim të lirisë së plot. Trinom që bëjnë jetë së bashku në tryezën e jetës, por që ia bëjnë më sy përjetësisë. Në këtë vepër, autorja ka avancuar mendimin rreth atdheut si shtrat i jetës, dashurisë si sublime e shpirtit dhe identitetit si domosdoshmëri për të përjetësuar e plotësuar detyrimet ndaj së parës dhe për të jetuar të dytën. E para jeta e dyta përjetësia.

Kaltrina në këtë vepër është duke përjetësuar origjinalin me mesazhin se të shkruash sot, do të thotë të lexosh nesër, origjinaliteti i saj është ruajt nga veprat e para por tani udhëton drejt një stili që unë do e quaj “kaltrinizëm”. Këtë e them në kombinimin e prozës me poezinë, mënyrën e komunikimit poet me poet, ku ajo ruan kulturën por duke u thirr në vlerat e lashta të një populli të lashtë. Në këtë komunikim ajo nuk i frikohet konkurrencës në art, arti s’ka korniza, përparësi e saj është përvetësimi i kulturave të ndryshme, brusha, ngjyrat që shumë lehtë i bart tek vargu. Mesazhi  është autokton, i marr nga tryeza e kuvendit te Arbrit, i kuptueshëm, por veçantia është se ajo në mënyrën tejet të kulturuar thotë larg, larg kopshtit të huaj kur ju keni një kopsht që edhe dy jetë me pas nuk mund t’ia vjelni të mirat, do mahnitej nga ngjyrat dhe do dehej me aromën. Është kjo simbolikë e rrallë e një mundimtareje të madhe, kur dihet se poetët janë paraprijës të asaj që do vije më vonë, apo të asaj që ne duhet ta sjellim si hyjnore. Hyjnorja e saj në këtë vepër është atdheu dhe dashuria, por siç thotë autorja; së pari kërkojnë një identitet të ndërtuar bukur.  Identitet që të respektosh e ngritësh “Portën etnike” që është në ciklin e parë të titulluar; “Nesër është sot”. Do mjaftonin vetëm pak vargje nga kjo poezi që të detyrojnë t’i rilexosh disa herë. “Neve na bashkon kënga dhe zëri i lahutës/vargu i poetit/nderi dhe lutja për Dodonën/piktura dhe loti i fëmijës”; goditje malli, dashurie për ta bërë Lirin nuse.

Ky cikël, sa abstrakt i emëruar ka një qëllim dhe një nxitim që nuk lejon e sotmja të mungoj, por e nesërmja të na detyrojë në drejtim të së ardhmes. Mes fjalës në varg ajo komunikon me bujarin, fisnikërinë, fjalën si peng, besën dhe simbolet e atdheut për të ndërtuar atë Portë e cila neve na mungon. E gjithë kjo ka një lidhshmëria në fuqinë e fjalës, besën, shpirtin e pastër dhe zemrën që rreh për dashuri në ciklin e dytë “Kur nata palohet”. Në këtë cikël autorja i jep dimensionin shpirtëror dashurisë si ne imagjinatë, ashtu dhe në përjetim. Dashuria është një emër që rrjedh nga shpirti e komunikon me zemër, ajo nuk ka mbiemër. “vjen pa pritur/troket pa tingull/të bënë frymë të lehtë/që kërkon pran melodisë së zemrës të pushon,/nuk e din kur fillon,/nuk e din a ka fund,/derdhesh nëpër valët e saj/dhe pret të bëhesh puthje e kërkuar/dashuria… /nuk ka mbiemër”, vargje të poezisë “Pa mbiemër”. Në ciklin e tretë “Mos e prek” kemi disa perla që dëshmojnë për talentin e saj dhe ajo çka është dhe do mbetet vlerë identiteti i artit dhe ai i trashëguari i një populli të lashtë siç janë shqiptarët. Mjaftojnë vetëm vargjet e pozisë “Unë jam jetë” për t’u futur në atë kopshtë që të shijosh e vjelësh gjithë frutat e jetës. Unë jam jetë! /po…/jam lodhë nga kjo hije /largohu o fjalë e kalbur /derisa bota rrotullohet /ne i shkelim leckat e fjalëve të dhunuara /nuk jam femër e mbuluar /as popull i vuajtur /nuk jam i shkelur /jam ujë /që rrjedhe nga muret e kullave/dritë/që e shndërit të pa parën /natë /që ruan legjendën e përsëritur /baltë /që krijojë skulpturën e të ardhmes /gjethe /që jep jetë /qiell/që hapet me dorën e të bukurës /lot /që sjellë shpresë/buzëqeshje /që kërkon amsh /dashuri /që flenë në retë e bardha /jam shqiptar, bëhem botë/jam shqiptare, dashuroj botën/unë jam jetë!

Poezia është art që flet me ndjenjën dhe atë që të mungon. Poezia lexohet për ta shijuar, por kur ajo të jep frymë e shkëlqim në sy, dita rrjedh me buzëqeshje.

Poezia është fjala e bukur e një ndjenje që ka humbur turpin. Ajo është metaforë e menduar në qetësinë e mendjes dhe dallgët e shpirtit. Vargu i Kaltrinës të bënë të ndihesh i lehtë dhe i lumtur.

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kaltrina VB Hoti “Mos e prek”, Safet Hyseni

ARDHJA E MESIAS OSE SKËNDERBEJ NË TROJET ARBËRORE

August 17, 2017 by dgreca

2 skenderbe

  Nga Gëzim Llojdia/

Premiera e një libri shpirtëror për Skënderben është  një riprojektim i spektalit vjeshtor.D.m.th.Gjethurinat që mbulojnë rrugicën time,kopshtet që i përmbyt lakuriqësia. Hëna  një drapër.Rrëzuar e kokëposhtë,  paralajmëron ardhjen e një ndryshimi moti.Emërtimi ynë është stinë.Kuptimi i kësaj stine është shfaqja e  simboleve të saj më parë.Por gjithsesi ora e ardhjes së saj ose ikjes,çuditërisht u fshihen syve ,por fshehin kështu edhe  kuptimin e tyre.

Skënderbej-Kështu gjëndet i shkruar emri i kryeheroit shqiptar.Ka vijuar në këtë formë të shkruhet: Skënderbe . Besohet se do të shkruhet pikërisht  kështu :Skënderbe.    

Rrjedhoja.Skënderbej është  emër i muslimanizuar.

Ndërtimi i emrit.Përbërësit e këtij emri janë:emri Iskënder.Cka do të thotë  në mos gabojmë Aleksander.Dhe titulli -bej.

Kujtime-Rishfaqet Ekrem B.Vlora.Arsyeja.Shqyrtimi i titullit bej.Kjo ka ndodhur në një periodë të caktuar të shek.XIV.Titulli bej,saktëson ai, ka prejardhje –tataro-turke.Fillimisht kuptimin princ. E.Vlora, saktëson se osmanët ua dhanë këtë titull,që në fillim të pushtimeve të tyre (1450),mëkëmbësve të sulltanit,në qëndrat administrative ushtarake ,civile…

Skënderbeu e mori këtë titull.Arsyet:Për trimëri në luftimet e zhvilluara në Azinë e Vogël dhe në Ballkan.

Emri:Skënderbej.Në ç’orbitale shekulli vërtitet, ekzistenca?

Diku thellësi shekujsh.Shek.XV.Dikur ky emër na zgjon hapësirat.Dikur-burim i pashtershëm.Dikur,ky emër, i njohur nëpër të gjitha kronikat e kohës.Dikur ka qënë një pozicion ushtarak në një nga ushtritë më të llahtarshme të perandorisë,armatës së pathyeshme të jeniçerëve.

Një emër.Bashkëjeton.Me një titull.Jetë.600 vjetë.Vendosur dhunshëm.Dhimbshëm pa dëshirën e vet.

Gjëndet fakti.Skënderbeu,ka qënë bektashi.

Me bindjen e vet.

Në shekullin e XV.Skënderbeu.Flasin kronikat e kohëve.

Dikur.Nga kohëshekulli XV.Në perandorinë osmane ka hyrë emri Skënderbe.Në trupat jeniçere Skënderbeu ka patur pozicionin e komandantit në armatën e trupave të shënuar.

Emri :Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Emri i krishter :Gjergj Kastrioti.Ai musliman: Skënderbej.

Historia e ngritjeve dhe zbritjeve.Kur njëri prej këtyre emrave regjistronte përndritjen.Tjetri munxosej.D.m.th e robëronte errësira.Ngrihej emri tjetër. D.m.th e kishte përzënë  errësirën S’kishte më kohë të treste dhimbjen.Ndërkaq pllakosje muzgjesh  binin përmbi  emrin tjetër.Kyçej goja përdhunshëm emrit tjetër.Që të limitojmë ,të gjykojmë. Cdo orbitale kohe vendoste emrin e vet.

ZË NJË HISTORI EMRASH

1-Gjergj Kastrioti.Konsiderohet emri i parë i vendosur nga fjala atërore në kullën arbërore.Ky emër u përdor dhe jetoi përveçse në copëzën e parë të jetës rreth moshës 9 vjeçare,për periudhën tjetër humbi,u zhduk pa gjetur më parë arsyet,pra ka të bëjë me errësirën,që i ra dhe e përpiu,pas kohës 9 vjeçare.

2-Skënderbej .Është emri i dytë.Është emri musliman,që e njohën turqitë në kohën e ardhjes në kryeqëndrën e perandorisë,Adrianopojë.Kreu operacione luftimi në Azinë e Vogël dhe në Ballkan.

3-Bashkëudhëtar-emrash:Gjergj Kastrioti-Skënderbej.Një shumicë kohe kanë udhëtuar të dy emrat.Emri i krishter,zgjoi ëndërrat në fillesë.Emri musliman shoqëroi një copë udhë perandorie.Turpërisht,osmanët i fshehën emrin.Më tej.Kronikat shkruheshin me trajtën:Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Rrallë :Gjergj Kastrioti.Akoma më rrallë Skënderbej Kastrioti.

Shkruesit.Emrin e parë e gjenë të shkruar në të shumtën e kronikave përtej Adriatikut, dhe ato të kohës shqiptare.Sidomos  priftërinjt katolikët e cilësonin kështu. Kuptohet edhe sëra e shqiptarëve shkrues.Emri i dytë.Është përdorur vetëm nga A.Tomorri,klerik bektashi shqiptar.

Skënderbe,pothuajse përbën palcën e kronikave të gjithë kohërave.

   Pika e  Rëndesës.Shpirti.Ka të dhëna ,që flasin. Skënderbeu ka patur një ngritje  në epet e sipërme të shpirtit.Madje mundet të jetë afruar edhe pikës së rëndesës shpirtërore.Skënderbeu këtë përvojë shpirti e mori në kohën e qëndrimit në perandorinë osmane.Por koha e saj mundet të llogaritet kur ai aderoi në bektashizëm.Një rrugë shpirti. Bashkëshoqëroi trupat jeniçere të formëzuara nga fryma e bekuar e Haxhi Bektashit.

1-Skënderbeu e braktisi këtë armatë natën e vitit 1443.Atje për ku ishe nisur :Mirëvafshë!Duke i dhënë një herë, për të fundit herë lamtumirë, fytyrës së trupave special.Këtyre vijëzueseve, të perandorisë krahëgjerë.

Besimi në fe..Myhib,grada që  përvetësoi. Aderoi në  këtë tarikat.Mbeti në Adrianopojë,copëra vitesh të mbertura pas.

Bej.Titull.Perandoria osmane  i dha Skënderbeut.

Edhe njëherë për emërtimin :Skënderbeu i krishterë.

Aktulisht,po gjenë citime të këtilla,qoftë nëpër mediumet apo në botimet e shumta:Skënderbeu ikrishter.Një emër musliman,që u fut në kronikat e mëvonshme të krishtera.Rikthimi në Arbëri. Rrethimet rrëmintare.Gjunjëzimi, që i bëri perandorisë.E megjithëatë ende vijohet të shkruhet kjo fjalë, që tingëllon e çuditshme:Skënderbeu i krishterë.Emri Skënderbe ishte vendosur në kohën e gjatë ku u rrit dhe përfundoi në rradhët e jeniçerëve.Por me largimin,aktin që ndërmori Skënderbeu një mbrëmje të vitit 1443, vendosi lidhje me vendet e krishtera përtej detit,që synonin rrëzimin e perandorisë osmane,që atë kohë mbante dhe ndërkaq luante edhe rolin e lidershipit të botëror islamik.Skënderbeu  ngriti murre qëndrese për krishterimin.Por njëkohësisht kjo shërbente mbrojtje dhe pavarësi për vendin e tij.Prej kësaj krishterimi përfitoi për ta afruar në gjirin e vet.Lidhjet,dekorata e Papa Piut,ikja atje pas vdekjes së tij të fëmijëve të vet,varrosja në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë,dëshmojnë realisht se ky kryehero  ndonëse ruante një emër musliman dhe një titull bej ai vdiq si i krishterë.Ky realitet,njihet sot.

Kështu,që nga historia thënia më e saktësuar për emrin e këtij kryeheroi do të shkruhej : GjergjKastrioti–Skënderbeu. Bashkëudhëtisht ky emër ka qëndruar në kronikat e të shumtave në kohëra ,si mërmërima  e pafundësisë pranverore.

Në të vërtet emri Skënderbe e mbylli epopen  e vet atë natë të uruar,kur ai braktisi armatën jeniçere në kronikën e vitit 1443.Ndonëse ky emër nuk u harrua ,ai ashtu u përdor edhe kur ai ishte mbrojtësi më i madh i krishterimit.Thirrej Skënderbe. Edhe në botime të huaja,ndërkaq ai përdoret dhe do të përdoret.Më realiste do të ishte përdorimi: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.Ky emër do tu shkonte më tepër shtat të gjitha periudhave, që përshkoi kryeheroi i kombit.Jashtë këtij emri asgjë nuk harrohet.Ai i përfshinë brenda të gjitha.Edhe të krishterin,edhe bektashiun.Simbolika e tij është gati e thjeshtë . Është ripërcjellja e një emri të çuditshëm ,ku ndërthurren krishterimi dhe bektashizmi:Gjergj Kastërioti-Skënderbeu.

Njihet ndërkaq fakti se emri atëror rrojti fare pak.Të paktën u fol ashtu në 9 vite të jetës në Arbëri.Dritësimi i tij ishte kaq,por më tepër kapi përmasa pas shumë kohësh.Ky emër u shua,u nxor me përdhunë nga drita duke e zhbënë në errësirë në kohën e perandorisë ku ai jetonte atje.Megjithëse ai i braktisi trupat speciale dhe erdhi në viset e veta,ai thirrej Skënderbe.Edhe në mjaft kronika ai thirrej po kështu :Skënderbe.Ashtu,siç ishte thirur në Adrianopojë. Është e çuditshme historia e këtij emri.Ai mbart figurën e një njeriu, që kishte luftuar për perandorinë,por një ditë u rikthye në viset e veta duke bërë rezistencën më të madhe, duke e gjunjëzuar perandorin në këtë copëz të Europës juglindore.Por ishin qëllimet fisnike .Përzurjen ose më shkoqur shporrjen nga këto vise të këmbës pushtuese osmane.Mbajtja larg e kombit të vet nga perandoria osmane.Qëllimi i kësaj të fundit lexohej mbajtja nën errësirë,pasuri dhe rrojtja me gjakun e tyre.Kjo do të deshifronte në një kuptim tjetër  :asgjë e përbashkëtë me islamin nuk buronte që andej,megjithëse turqitë mbanin lidershipin botëror.

Jeta e Skënderbeut.Jeta e një kryeheroi.Është vazhdimësia e pandërprerë e një jetë tërmetore.Me dy pjesë.Njëra në Adrianopojë,jeniçerë,komandant në këto trupa.Princ dhe udhëheqës i një populli në një hark kohe ku ruhet brenda ¼ e shekullit.

Urat nga ku kanë kaluar botimet, që kanë dashur të sjellin,Skënderbeun. Shtjellojnë përveçëse trimërisë, rrethimeve, ndihmën krishterimit,rrëzimet e perandorisë përpara Krujës,por një pjesë e jetës, që ka fërfëllitur  në Adrianopoj mbetet e strukur,në vite të jeniçerllëkut. Mungojnë faktet për adoleshencën,jeniçerllëkun në Adrianopojë.Këtë urë ,do të shënoja.Një soj ure tip pasarel,gjysëm të varur e të këputur .

 Kujtime të gjymtuara,rrjeshta të humbur.Fjalë të njëjta.Pra u rrëmbye,u rrit në perandori,ishte jenicerë,u dallua për trimëri.Pikërisht këtu në këtë kohë ka ngecje të mullirit në vend.Detaje të harruara se ishte bektashi,apo ishte harresë e qëllimshme?

Ekzistenca e një fakti .Ndërkaq  është një pikë.Besimi, që adhuroi. Skënderbeu veproi si të gjithë jeniceret.U pranua aty,por ngjiti një shkallinë të tij,u bë myhib.

Bektashizmi ishte  tarikat i fuqishëm dritësor, që ringriti me trupën speciale perandorinë me kulme të larta,por ky tarikat ishte ai, që i filloi krisjen më tej çarjen e pandalshme,armiqësinë e hapur  perandorisë osmane.

Arshiva ka të regjistruar humbje ,që do të quhen të rënda,ndonëse për osmanët,është një defter me kapak të zinj.Ikja e Skënderbeut,hapi gropa të mëdha në trupën speciale osmane.Korpusi special,qëse treti dot ikjen e tij,apo xhindosja e sulltanit në Adrianopojë.Dhimbja e vdekjes, që zuri korpusin e bekuar ,apo pritja e ëndërruar e kokës së Skënderbeut në Adrianopojë,që s’arriti kurrë.

Ardhja e Skënderbeut në Arbëri si ardhja e Mesia

Në të vërtet, do ta cilësoja ardhjen e Skënderbeut në Arbëri si ardhjen e Mesia.

Dhe çuditërisht duke qënë se llogjika nuk ka depërtuar kaq thellë,askush nuk e ka thënë se ky njeri me këto cilësi ishte një shenjtor i vërtetë.Deshifroni sado pak Naimin.Shfaqjen. Mënyrën e rikthimit.Ditën kur u rishfaq Skënderbeu në Krujë.C’frymë,nxorrën mushkritë e një populli,që sytë i kishte drejtuar nga qielli.

Naimi djalëthi i frashëllinjëve ka thënë,për atë ditë :Kruj’ o qytet i bekuar !/Prite prite Skënderbenë,/Po vjen si pëllumb i shkruar/

Të shpëtojë mëmëdhenë……………………………………..

Posaçërisht, ardhë Skënderbeu.Naimi i ndërtoi vargjet për një  episod ardhje.Por kjo ardhje është tjetër lloji.E shumëdëshiruar ardhje !Me shënjat paralajmërues,që solli koha.

Në tokën shqiptare vinte Mesia-Skënderbe.Gjurma e thelluar ardhje.C’ndyshim përbënte ,Kruja nga qytetet e shënuar ,apo të zgjedhur?N.F,do ti vendoste këtij qyteti shkëmbor epitetin “i bekuar “.Kjo nuk do ti shërbente rimës.Këtë lloj gjetje zakonisht e kanë bërë kritikët e letërsisë.N.F në ç’fardo rasti ta gjykosh do të zbulosh se kur ka hedhur një fjalë, por jo për nga rastësia,një arsye më tepër e ka patur.Ky qytet ishte i bekuar ,por jo sepse aty rikthehej një djalth i tij, që do të bëhej princ,për ta udhëhequr në luftra të gjata,të pamëshirshme ,duke e ndalur dorën perandorisë në këto vise.Ky qytet ishte i bekuar  posaçërisht ngase njeriu, që zbriste  i ardhur ndryshe,do të shfaqej.Madje edhe qytetet, që marrin bekime,nuk mund të kenë këtë emër ngase presin aty njerëz të zakonshëm.Kruja ishte qytet i bekuar,sepse ishte e zgjedhur për ta mbajtur Skënderbenë,një njeri me përmasa të mëdha,ku e zakonshmja ishte fshirë përgjithmonë. E jashtëzakonshmja ishte veshur.Por fati i këtij qyteti malor ishte lidhur me dy kulme.D.m.th Kruja e priti në lindje.Kruja e mbajti në vitet e qëndresës kundër perandorisë otomane.

Në çfardo kuptimi,që ta marrësh këtë lloj gjetje ,që poeti N.F ka gdhendur fjalën “i bekuar”, është me tepër kuptim.

N.F.ka përdorur një arsenal fjalësh, që shfaqen si një det i thellë.Mirëpo zhbirimi i saj është punë e mundishme për kritikët,që i bënë  rikonjicionin  vetëm cektinës detare.

Vetëm me një kthjelltësi të admirueshme,mund të zbulosh perlat e fshehura në këtë thellësi deti.Vetëm me dy rrjeshta ,poeti NF.shprehë një dimesion tepër të gjerrë për figurën e kryeheroit tonë.Pra kur N.F thotë:Krujë o qytet i bekuar/Prite prite Skënderben………. ai do të thotë,Krujë e bekuar.Po nga kush ? Nga Zoti.Pra Krujë  e bekuar nga Zoti.Si një qytet ,që je zgjedhur të marrësh bekimin,do të presësh Skënderbenë.Mirëpo kjo atmosferë nuk ka qënë e till,kur priti në lindje Gjergjin.Ai nuk ishte një shenjtor.Bekimi,do të fillonte si proçedurë,kur të zbrite atje Skënderbeu.Koha,që e solli e kishte lartësuar shpirtërisht Skënderben.Kurse në kësi lloj ardhje kishte një qëllim të mirfilltë.Qëllimi i Perëndisë mbetet ti shpëtoj popujtë,edhe në ato raste,kur sundimet e padrejta paraqiten me emërtesa fetare dhe flasin në emër të saj.Rikthimi i Skënderbeut ndryshonte nga ardhja e parë. Ardhja e parë ishte në një kullë princërore,ardhja në jetë. Vendi,ose streha që priti në ardhjen e parë të dritës Skënderbe. Ardhja e dytë  e pritshme shfaqet  një ardhje qiellore.Ai nuk ishte ai foshnja i verbuar nga dielli i tokës tonë.N.F  ka ndërtuar këtë ardhje.Tjetër sua.Zbriste një pëllumb i shkruar.Brenda këtij deti gjejmë.Dy fjalë me  një kuptim.Edhe pëllumb,edhe i shkruar.Pëllumbat janë shpirtëra qiellor.Kur janë të shkruar.D.m.th janë të shënuar.Pra janë shkruar.Ky rast i përmbledh të dyja kuptimet.

Në pikëzim të vesës,ai mbrinte si një pëllumb i shkruar.Pra ai ishte qiellor.I bardhë dhe zbriste prej andej.Sepse sundimtarët e këtij lloji,vërtet jetojnë në tokë,por shpirtin e kanë të ngërthyer në qiell.Për të kuptuar Naimin,do të citoja :ç’përfaqëson pëllumbi i shkruar.Mesazhsjellësit e një lajmi historik.Thuhet se shenjtorët përdorin pëllumbat për habere të gëzueshme.Madje ata u rrinë shenjtorëve në supe ,përmbi kokë,duke guitur tërë kohën. Ndërkohë thuhet se shënjtorët kanë një komunikim me pëllumbat.Me këta shpesë tejet të çuditshëm të urtë e misterioz.

Kohësjellësit.Koha kohën priste.Pritja për ardhjen e Skënderbeut kë nuk mundoi.Dita ,ditën e priste.Nata,ditën e priste syhapur.Ora,orën e priste.Minuta,minutin e priste. Sekonda, sekondën e priste.Ardhë Mesai shqiptar. Skënderbeu,krahëshkruar.

Zjente bota,tundej dheu,/U ngrit gjithë Shqipëria/Duke thën :Erth Skënderbeu/Erdhi vetë Perëndia………………….…………..

Kështu e zbuloi poeti N.F,ardhjen e Mesia –Skënderbeu,në tokat e arbërit.

Ka fakte ndërkaq .Thonë se njerëzit e zakonshëm nuk bëjnë dot gjërra të jashtëzakonshme.Dhe e kuptueshëm është kjo fjalë.Cfarë mundej të kryenin shqiptarët përpara ardhjes së Skënderbeut ?Veprimi më i madh i tyre në atë kohë mundej të quhej një rebelim i armatosur.Por pesha e saj fashitej me kokëprerjen.Ndonjë vrasje koshadhesh.Por reprazaljet mposhtnin qëndresën. Ndonjë rrëzim taksambledhësi.Por më tepër rritej fatura e tyre. Ndonjë pusi karvanësh.Por …etj,etj…

Por një qëndresë kaq e lavdishme ,heroike,sjell një gjykim ndryshe.Nga një llogari gjëndet koha :¼ e shekullit.Këtu hyri koha e Skënderbeut,brenda guackës të shekullit XV.Njihet ndërkohë fakti tronditës.Parashikimi i zymtë.Vdiq SkënderbeuPor Arbërisë së gjorë,i ra zija e pushtimit.Në Konstadinapojë ishte thënë : Arbërin,viset e saj do ti rishihni kur të firojnë ditët e Skënderbeut.Ngjau pikërisht kështu. Turku e vuri me pak mundime në sundimin me kohëra,që llogaritën qindravjeçarë.Jo ngase nuk u shfaqën burra,apo mungoi rezistenca.I biri i Skënderbeut  dëshmoi se rridhte nga gjaku i Kastëriotëve.Por peshën e të atit nuk e mbante dot përmbi supe.Dora e tij u priu në qëndresë shqiptarëve.Por erdhi një moment dhe qëndresa ngeci.Cfarë skeme kishte rivënë perandoria në funksionim?Atje në Konstandinapojë ishte fare e kthjelltë se qëndresa do të lexonte kohën e Skënderbeut,plus diçka më shumë.Mbi këtë skemë turqitë u orvatën disa herë ta thyenin.Por e kuptuan se rrënia e saj ishte vetëm çështje kohe.Duhet të qartësojmë diçka.Perandoria osmane hyri në veprim kundër forcave të Skënderbeut me të gjithë arsenalin e saj,që përfshinë,atë ushtarak,ekonomik,politik,fetar.Por edhe djallëzore.Magjilidhës të rrezikshëm provuan metoda nga më djallëzore,poshtë murreve të Krujë.A u thye Skënderbeu ?A ra kështjella ndonjëherë brenda atij harku ?

Ajo,që ishte shkruar ishte qartësuar.Këtu peshën e një vargu naimjan ende se kemi kuptuar:Po vjen si pëllumb i shkruar….po zbret nga sipër,për të larguar retë,për të zmbrapsur perandorinë.E shkruara qëndron përmbi metodat djallëzore, mbetet mesazhi i saj.Gjërrat,që sjell Zoti, i konfirmon vetën koha.Koha tregoi se në ¼ e shekullit shqiptarët,ishin të papërballueshëm.Perandoria më e madhe ra në dëshpërim të thellë. Periudha të errta,kërcënime,dekrete të zinj,cikluan sulltanët, por territorret e Arbërit mbetën të tyre.Flisnin një emër:Skënderbe.Cuditërisht ky raport ,ndryshoi në motin e shuarjes së Skënderbeut.Në të vërtet ,përmasat e këtij rrëzimi ishin të dhimbshme.Në përmasat,që e kërkonte koha ,kishte kushte për të ngritur një pyetje:Ku ishin ata burra,ku ishin ata luan,ku ishin ata shtetas rebelë ?A e përsëritën dot kohën e Skënderbeut?.Dhe të mos harrojmë historinë.Kujtesa na thërret se Shqipëria ishte e fundit, që ju shkëput  kthetrave rëndonjëse të perandorisë osmane.Perandoria ishte rrëzuar në të vërtet,por me rrëzimin e saj kërkonte ta shurdhonte në mënyrë definitive edhe Shqipërinë.

Skënderbeu mund të thuhet se ishte një shenjtor.

Këtë e lexojnë kalkulimet e bëra.Të gjitha lëvizjet e tij.Fati i parathënë, luftrat, qëndresa,mënçuria, trimëria, pamja fizike,fuqia që posedonte shqyrtojnë se ai ishte një njeri përtej horizontit të njeriut të zakonshëm.Dimesionet e tij mund të renditen pa frikë tek njerëzit e jashtëzakonshëm,ose të ardhur .Pse tmerroheshin turqitë nga emri Skënderbe.Një njeri i zakonshëm nuk do të ngjallte dot kaq shumë tmerr perandorisë , ngase sepse ata e dinin ku ishte edukuar Skënderbeu.C’frymë mistike kishte gëlltitur në vite.Nëpër peragmente të zverdhur flitet se në rrethimet e Krujës i bënë edhe magjira.Një njeri i zakonshëm, përveçse do të ishte një pikë e vetmuar,do të ishte rrëzuar përpara hordhive me këto sulme,presione shpirti,frikëra e armata,jo një herë por qindra herë.Ashtu si në të vërtet u rrëzuan ata, që ngritën krye pas shuarjes së Skënderbeut.Por Skënderbeun nuk e rrëzuan dot.Cili ishte çelësi, që mbajti kyçur qëndresën shqiptare ?Fuqia e Skënderbeut.Ajo gjëndej brenda zemrës  së zemrës.Ishte burim i pashtershëm energjie.Ishte dritëza,që dikur ai kishte thithur në kohën ,që aderoi në bektashizëm.Aq e madhe ishte kjo forcë sa udhërrëfenjësi i vet Alijel Aala Baba  i ka thënë sulltan Muratit II,se rikthimi i Skënderbeut në Adrianopojë ishte gjë që s’bëhej.Udhërrëfenjësi ishte fetar i thellë dhe e njihte pikën e horizontit  shpirtëror të Skënderbeut.Kështu ai ja tha me ndershmëri sulltanit ,por ky i fundit i hidhëruar e dogji të gjallë,udhërrëfenjësin  e Skënderbeut,në një xhami aty nga viti 1445.Bektashinjtë thonë se  udhërrëfenjësi është ai,që i njeh lëvizjet sizmike të një shpirti.Pikërisht këto lëvizje shpirti kur u harmonizuan me ato të vendit të tij,kapërcyen përmasat e të zakonshmes.E gjithë kjo histori, që vërtitëm lexon përveçse një udhëheqës,apo princ të vërtetë,këtu nuk gabohet po të përmendet se ishte një njeri i ardhur,diku mes të shenjtëve .

Filed Under: ESSE Tagged With: Ardhja e Mesias, Gezim Llojdia, Skenderbej ne tokat arberore

Zoti nuk të djeg….

August 15, 2017 by dgreca

1Kaltrina Hoti

Nga Kaltrina HOTI/

Njerëzimi çdo herë është zhvilluar duke ngrit institucione. Disa institucione kanë vlerën e përparimit, zhvillimit të cilat bazohen për një jetë më të mirë.  Shkolla është i pari institucion pas familjes që të tregon rrugët nga duhet të ecësh. Dua të them se ky institucion sa më i organizuar dhe sa më kombëtar që të jetë, populli apo kombi që i takon do të jetë më i përparuar, më i zhvilluar, më human apo thënë  shkurt; më njerëzor. Është institucion që të përgatitë për jetë. Në shkollë merret edukimi, emancipimi, zhvillimi, profesionalizmi që degëzohen dhe krijohen institucionet tjera me vlera për njerëzimin. Populli i arsimuar nuk lejon t’i flasësh për vdekjen,  nuk duron që predikimet për vdekjen siç po ndodh sot nëpër shumë vendbanime shqiptare t’i futen nëpër institucione. Jeta është e shkurtër dhe duhet vepruar, rrëmbyer shpejt dhe jo të flitet për jetën e bukur përtej varrit apo për zjarrin e Zotit se Zoti nuk të djeg. Ai  popull që lejon të flasim për vdekjen, do vdesë ngadalë duke u bërë popull pa ngjyra, pa simbole dhe do bije në prehrin e lakmitarëve. Këtë shqiptarët nuk do e lejojnë edhe pse sot na llomotisin ca imam që direktivat i marrin nga Beogradi, Athina e Ankara për të na ndryshuar ngjyrat, simbolet, traditën, kulturën etj… Këto parazitë të popullit që me mashtrime thithin ekonomitë familjare duan që ne të ndryshojmë ngjyrën (identitetin se e din se jeta është këtu, e jo atje ku na drejtojnë)  duke u martuar me kushërinjtë, duke shndërruar femrën në një robëreshë, për të krijuar edhe ca sheik me hareme se ashtu iu ka folur “Zoti i tyre në vesh” që të marrin vajzat e hallave, tezeve, mbesat … Ata flasin për jetën pas vdekjes dhe atë e bëjnë në emër të Zotit ndërsa këtu në këtë jetë bëjnë krime me jetën e të tjerëve. Tash në kohë të fundit janë duke sulmuar ngjyrat e popullit, simbolet siç është flamuri me shqiponjën i cili iu priu shumë betejave për liri. Ata lugetër përtej mesjetar duke na preferuar ca ngjyra turko arabe që nuk kanë asgjë të përbashkët me ne bëjnë punën e djallit. Ata nuk e din apo nuk duan ta din se ngjyra e kuqe të bënë të humbesh në dhimbje, të bënë ta puthësh tokën si amanet, të bënë që ta përballosh me shumë mall çdo sfidë. Ata nuk e din se të gjitha ndjenjat e qenies shqiptare dhe e gjithë fuqia e këtij kombi është strehuar në fuqinë e kësaj ngjyre. Dielli dhe hëna e plotë jo ajo drapër, janë simbolet e dritës e të jetës së popullit tonë që nga lashtësia. Ne e dimë udhën se si t’i ruajmë, si t’i zhvillojmë… është udha e dritës, e arsimit, e institucionit e ligjeve. Ngjyra e kuqe që u bë shtrat i shqiponjës ka udhëtuar nëpër dallgët e jetës, nëpër udhët e dashurisë e humanizmit, na falë qetësi e na përforcon besën… andaj na e preferojmë dhe bëjmë lutje mbi këtë ngjyrë. Lutja me e mirë e ekzistencës së një populli është betimi, ne në fushën e kësaj ngjyre betohemi dhe tokës i japim po këtë ngjyrë. Kujdes!  Çdo komb ka ngjyrën dhe simbolin ku jep fjalën, besën dhe betimin. Kjo ngjyrë një ditë do ua pres hovin atyre që sot me shumë mjeshtëri e shfrytëzojnë varfrin e popullit për të na varfëruar më shumë dhe janë degëzuar e betuar nëpër shërbime të huaja do. Kjo ngjyrë do iu thotë stop se ky vend ka gjuhë dhe ka Zot, dhe një Zot. Ata do mbeten në arkivin e turpit, ashtu siç mbeten hoxhët dhe priftërinjtë e serbit më parë  se po afron “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kaltrina Hoti, Zoti nuk të djeg....

Nuk vuaj nga sindroma e të të shpëtuarve

August 15, 2017 by dgreca

Shkruan: Shpend Sollaku Noè/

Shpend sollaku Noé x Dielli

Krimin e padrejtësinë e kam luftuar qysh fëmijë/

Rebelimi im i parë?

Kur isha në klasë të parë jam arratisur prej dritares së katit të dytë të shkollës së vjetër «Kongresi i Lushnjes», pasi mësuesja D.G. më kish dënuar tʼë ndihmoja fëmijën e dikujt që kish ndikuar në dënimin e tim eti – një monarkist i lindur.Ai nxënës nuk e meritonte, jo vetëm si bir i njërit prej atyre që na lanë për rreth tetë vjet pa baba, por edhe sepse vetë ishte kokëderr, medjemadh dhe i trashë, nga ata që gjyshat tanë u thoshin «nuk ha pyka».

Nuk numërohen përjashtimet nga shkolla që kam pësuar, po aq edhe kërcënimet për të më vënë pas hekurash. Fati im i mirë, por edhe dinakëria, ka qenë se kam ditur gjithmonë të zgjedh shokë besnikë; nuk kam folur kurrë rëndë kur kemi qenë më shumë se dy vetë, sidomos në prani të tyre që mund të më dilnin dëshmitarë në gjyq.

Kështu kam shpëtuar i padënuar, por me punëra të rënda për 5 vjet nëpër bonifikime e në tunelet e Sazanit. Kur bijtë e tyre, me nota shumë më të dobëta se të miat, shkonin në universitet, mua më çuan në Sazan- tre vjet ushtri, edhe pse kisha mbaruar gjimnazin me dhjeta dhe kisha patur një aktivitet të rëndësishëm artistik e letrar deri në rang kombëtar, duke filluar në moshë mjaft të njomë. (Në moshën 7 vjeçare kisha rene tashme ne sy dhe kam qenë i ftuar nga Lushnja në Radio Tirana.  Katërmbëdhjetëvjecar kisha filluar të botoj në organet kombëtare…

Unë e di çʼkam hequr për të mos humbur të ardhmen. Për tʼu shpëtuar atyre dhe bjerrjes së vetvetes.

Luftova shumë, ashtu si munda, dhe jam krenar që e kam berë. U vura pothuaj gjithmonë kundër interesave të mija, kundër edhe një pjese të mirë të rrethit miqësor, kundër edhe një pjese të fisit e të krushqisë. Dhe këtë e bëra në emër të progresit, të antikomunizmit, të demokracisë, të jetës sipas kritereve perëndimore.

Lufta ime nuk ka qenë asnjëherë për hakmarrje, por lufte principesh. Edhe pse më shkatërruan jetën; edhe pse vazhdoj akoma tʼi vuaj pasojat e persekutimit të tyre, edhe pse e di që kam për të vuajtur deri në shuarjen fizike.

Nuk kam bërë asnjë ditë burg. Nuk kam bërë asnjë ditë internim. E pastaj?

Duhet të ndihem në faj për këtë?

Aspak, përkundrazi, falenderoj zotin dhe them: Sa mirë që shpëtova, kështu kam mundur tʼi luftoj për një kohë më të gjatë, për gjithë jetën, të cilën shpresoj ta kem përtej kufirit të frymëmarrjes.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: e të të shpëtuarve, Nuk vuaj nga sindroma, Shpend Sollaku Noe'

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 307
  • 308
  • 309
  • 310
  • 311
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT