• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Francesk Radi-Këngë që le jehonë përjetësie….

April 17, 2017 by dgreca

Esse-In Memoriam of Francesk Radi/
1 Fracesk Radinga Raimonda MOISIU/

 Francesk Radi ishte njeri i përzëmërt, fisnik dhe tejet modest, talent me shpirtin e lirë të një artisti të shkëlqyer,  gjithmonë në kërkim të së bukurës, nën fuqinë e  tingujve të  kitarës në shtegëtimin pafund të pasionit dashuror  të refleksioneve muzikore dhe artit për muzikën.

Artisti, i cili  theu tabutë e kohës së realizmit socialist  që jetonim, dhe këndoi me shpirtin e lirizmit të tij  dhe ëndrrave të trazuara, mëkatare  e rebele, artisti antikomformist me përplasjen dhe botëkuptimin e botës shpirtërore,  të pasur e ndjesore, me moralin dhe mjerimin e shoqërisë brenda asaj  bote që na rrethonte. Për Frankon, muzika ishte e vetmja fuqi talenti,  shpirti dhe delikatese, sikundër janë përgjithësisht artistët e mirëfilltë, me madhështinë e një vitaliteti, përkushtimi e vullneti të hekurt, artisti që shkriu shpirtin dhe dëshirën, pasionin dhe dashurinë për artin, kulturën e muzikën, vetëm për një duartrokitje, për pak buzëqeshje dhe dinjitet, përballë misterit të rregjimit të kohës, për të bërë  historinë. Dhe ia doli! Franko bëri historinë!

Francesk Radi, që në moshë të re shpërtheu duke kompozuar me tinguj kitare,  në kërkim të identitetit unik të tij, dhe befas “bëri jehonë” në vitet ‘70-ë të shekullit të kaluar me vidioklipet e dy këngëve “Adresa”, dhe “Bicikleta”, aty ku edhe nisi rrugëtimi virtuoz i krijimtarisë  artistike dhe muzikore e tij.  Muzika, ndjenja, stili dhe moda e ritmit muzikor  të kompozuara prej Francesk Radi-it, dallohej lehtë për vizionin se cfarë është muzika që del nga një shpirti dhe mendim i lirë i artistit, për të jetuar në harmoni me natyrën e njerëzit, mes të bukurës e së përditshmes njerëzore. 

Francesk Radi, një muzikant i apasionuar, i talentuar dhe plot frymëzim ka hulumtuar  zhanre të ndryshme në fushën e muzikës,  duke përfshirë bashkimin e elementeve të ndryshme të  ritmeve të muzikës së ndaluar dhe persekutimit shpirtëror, social e kulturor të kohës,  nëpërmjet baladave  romantike e lirike, të ëmbla dhe sentimantale, Brenda tyre ka shumë ndjenjë e melodi harmonike e melankolike, trishtim, dhimbje e dashuri: “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”,  “Kemi dasëm “o”…”, ritmet

e elementeve të  hard-rock, te “ Rroku i burgut”,  të kombinuar me shpirtin e lirë e të trazuar  të një  “Zemër e lodhur”,  “Ky fat na ra..”, etj. Melodia e tyre kapej shumë shpejt nga publiku, fërshëllehej dhe këndohej nga rinia dhe  kanë mbetur në kujtesën e publikut. Këngët e Frankos, e këtij artisti modest e të mrekullueshëm,  patën një arritje të suksesshme personale dhe kulturore për mijra  fansat  e tij, dhe e kanë kapërcyer me kohë, të paturit e një ndikimi të madh mbi to.  Këngët e tij të para; “Adresa”, dhe “Bicikleta”, arritën kulmin duke u shëndrruar në hit i madh i kohës kur u kompozuan, në cdo notë e tinguj kitare,  antitezë e fortë me  artin e muzikës që kërkohej nga konflikti i luftës së klasave.

Sot për sot, Francesk Radi mbetet një nga artistët dhe këngëtarët më  të rëndësishëm dhe me emër, dhe shumë i dashur, i cili fitoi popullaritet në lartësitë e lavdisë e përjetësisë  me këngët e tij më të mira  ndër vite, që  kanë  pushtuar zemrat dhe kanë  emocionuar  mijra herë,  artdashësit dhe fansat e tij, vecmas me timbrin e zërit të tij të spikatur. Me portetin e një artisti, stilin e tij të veshjes dhe  flokëve të gjata, modën që spikati në rininë e tij, ritmet e muzikës së ndaluar, Franko  sfidoi imazhin e një artisti  që kërkohej nga rregjimi komunist i kohës, edhe kur e cuan në barakën prej druri në Fushë-Arrës, por si një qytetar i rrallë, bashkëshort e baba i mrekullueshëm, artist i pakrahasueshëm, ikonë e artit muzikor ndër vite, ky Celentano shqiptar, nuk u ndal kurrë për të  realizuar pasionin e tij për muzikën. Një nga fotoportretet e fiksuara nga aparati i ekspertit dhe studiuesit të njohur të fotografisë, Qerim Vrionit,-e tregon artistin Francesk Radi në shtator të viti 2009-ë. Gjatë atij takimi artistësh, studiuesi i shquar shqiptaro-amerikan, Qerim Vrioni, i bëri një fotografi këtij artisti të madh, në studion e tij, portret, i cili është nga më të mirët e portretit të Francesk Radit. Më duhet të sjell në vëmendje se në ekranin e kompjuterit të artistit, është portreti i Bethovenit, analogji e ndjeshme tejet njerëzore dhe e spikatur  në formë e në funksion me portretin e Frankos sonë.

Me mëncuri, dashuri, modesti  dhe krenari, vital e unik, Francesk Radi  vazhdoi të kompozonte  duke adaptuar vlerat më të mira muzikore dhe të krenarisë së tij, me vlerat më të mira të lahutës, ciftelisë dhe krenarisë malësore, sfidoi frikën dhe arriti triumfin mbi të, duke  mbetur përjetësisht një vlerë e traditës, historisë dhe trashëgimisë kulturore e muzikore.

Pra pak kohësh u shua kantautori, kompozitori, kitaristi i famshëm dhe këngëtari i njohur Francesk Radi, frymëzimi i kohës së rinisë të brezit tonë dhe brezat që vijnë, i cili me këngët e tij, la  jehonë përjetësie. Humbëm një Artist të madh, një aset të cmuar, vlerë njohëse dhe emër i vlerësuar, një artist që dha aq shumë nga forca e talentit  muzikor dhe mëncurisë së artistit, në fushën e muzikës, artit e kulturës shqiptare.

Francesk Radi i përkët elitës së shquar e brezit të artë të artistëve shqiptarë, një ikonë e paharruar.

Pushofsh në Paqen e Amëshuar, Franko!

Raimonda MOISIU

Flaming Island

Jacksonville, Florida

Prill 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: -Këngë që le, Francesk Radi, jehonë përjetësie, Raimonda Moisiu

Jetë e iluzion

April 17, 2017 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Liria është iluzion për të krijuar realitet të rremë. Njeriu jeton i ndërvarur, nga lindja në vdekje. I sapo lindur ai ka nevojë fizike për ndihmën e të tjerëve, kur rritet, i ngarkohet të punojë kundrejt pagesës për ta bërë të ndërvarur edhe ekonomikisht. Cdo njeri që nuk ndjek këtë rrugë mënjanohet si skarcitet shoqëror. Liria në thelb nuk ekziston.

Por njeriu beson dhe merr udhën drejt saj, edhe pse ankohet se është lindur për një periudhë të shkurtër kohe, të cilën e shpenzon aq shpejt sa ajo merr fund në momentin kur mendon se është bërë gati për ‘të. ‘Jeta është e shkurtër, arti është i gjatë’, thoshte Aristoteli, që ndonjë mund ta kuptojë thjesht se jeta mbaron, arti jeton. Duke folur mbi Natyrën që e kishte bërë njeriun  ‘jetëshkurtër’, ndërsa disa kafshë të jetonin deri 5 deri 10 herë më shumë, Filozofi thoshte se jeta e njeriut është mjaft e gjatë nëse lë pas, ose e kalon duke bërë, vepra të mira. 

Përfshirja, përmbledhja politike e shoqërore është ‘kompleksitet’. Ajo që i shtynë institucionet në cdo qytetërim të bëhen politikisht komplekse është mënyra hierarkike e tyre. Një kooperativë fshatrash – bashkim fisesh – nuk mund të quhet qytetërim pasi nuk është shoqërisht e politikisht përmbledhës. Kur një mijë vjet më vonë, arrihet që familja mbretërore të jetojë në pallat, ruajtur nga ushtarë profesionistë, e ndarë nga masa prej klanesh, dhe nga një kastë klerikësh që kujdeset për fenë, atëherë mund të thuhet se  është krijuar kushti politik e shoqëror ‘kompleks’ – qytetërimi. 

Historikish, asnjë shoqëri fisesh, sado e zhvilluar, kurrë nuk është quajtur qytetërim – ashtu si një poet sot nuk mund të quhet disident sepse thotë që në kohën e diktaturës i lexonte vargjet e tij para një salle të zbrazët, pa audiencë. “Por heshtja publike, leximi pa zë, i poezive nën diktaturë,” thotë shkrimtari Faruk Myrtaj, “është më shumë disidencë se pagesa për të mbetur famoz edhe asokohe.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Jetë e iluzion

«Poema e mallkuar» ….

April 17, 2017 by dgreca

1-Faslli-haliti (2)

FASLLI  HALITI- Viz. S.kamberi «Artist i Popullit»/

NGA DITAR  (i konvalesencës ideologjike)me rastin e 15 Prillit ditës  Deportimit tim në Kooperativën Bujqësore të Fier-Sheganit/

THIRRJE NGA ZBORI/

 Prill 1973 /    

Sot jam në zbor në Kolonjë të Lushnjës. Pas stërvitjes, në kohën e pushimit, mënjanohem nga zboristët. Kaloj nëpër mend gjithçka që më ndodhi. Kujtoj atë ditë me shi të egër, gri, erën e ftohtë që e bënte shiun të ngrinte si shtresë e hollë transparentë akulli në fytyrat e njerëzve pa ҫadër; kujtoj çastin kur këmbët më ҫuan në postë për të marrë gazetën «Shkëndija» të cilën e prisja me ankth pasi më kishin thënë që në të do të botohej kritika e «Dhjetë letrarëve gjimnazistë»; kujtoj tronditjen kur pashë titullin e asaj kritike aktakuzë në gazetën “Shkëndija” : «Dielli dhe një poemë që spekullon me të»; çastin kur drejtori i shkollës më pa të tronditur. Ҫ’të ka ndodhur?, më pyeti drejtori. Kur pa gazetën në duart e mia të hapur te faqja ku ishte butuar kritika, e ndjeu që unë isha jo vetëm i tronditur, por edhe tepër i tmerruar,  nuk mund të bëja dot mësim në atë gjendje të kërcënuese,  drejtori më tha mos u fut në mësim, ik qetësohu, i zëvendësoj unë orët e tua.  E falënderova drejtorin i cili më vlerësonte si mësues e si krijues dhe vazhdova të kujtoj   ardhjen e shokëve në shtëpi, vajtjen në Tiranë pas kritikës, takimin me Kadarenë, fjalët inkurajuese të tij; takimin me Rrap Gjermenin, dinakëritë katunareske të tij me pak diplomaci të pështirë; takimin me shokun Ramiz Alia, diskutimin intelektual me të për poemën dhe kritikën gati një orë e ca; mbledhjen e parë në Lushnjë, në sallën e shtëpisë së kulturës; diskutimet e shokëve që mbrojtën krijimtarinë time, diskutimin në Tiranë në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve…

Befas, kujtimet m’i ndërpreu lajmi se më kërkonin në postbllokun e repartit. Pashë që aty priste një veturë bojë qumështi. Del drejtori i Shtëpisë së Kulturës V. Bardhi. Më thotë se më kërkonin në Komitet të Partisë. U trondita. Domethënë telashet s’kanë mbaruar. Ato vazhdojnë. Ç’të kenë. Ç’kërkojnë nga unë. Unë  gjithçka e kam të shkruar, të botuar në gazetat qëndrore letrare, periodike, nëpër revista.

Hipi në veturë. Jam i tronditur. Para sysh më dalin fëmijët: Doni, Manjola… Përfytyrimin ma prish ndalja e vaturës. Do qëndrojmë pak këtu, thotë drejtori i shtëpisë së kulturës.

-Pse, e pyes?

-Do presim pak Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme! Kryetarin e Degës? Po, përsëriti drejtori i kulturës, ka shkuar gjer në Bubullimë. Ka një mbledhje. Më tha që ta prisnim këtu. Nuk vonohet. Për pesë minuta makina vete dhe vjen.

Më iku gjaku në fillim. U ndava nga drejtori. Veja dhe vija në buzë kanalit ndanë xhadesë. Çfarë s’mendoja. Të gjitha i mendoja: arrestimin, gjyqin, burgun… Gjithçka. Çdo gjë mund të ndodhte. Ata  që kishin shpifur sikur gjoja unë kërkoja vilë, çdo gjë mund të trillonin. Duke menduar kështu e mora veten. në djall të vete, thashë me vete. Kaq e pata, thashë me vete. Kisha dëgjuar se arrestimet kështu bëheshin: të merrnin me makinë dhe… Kështu kishin arrestua shkrimtarin Kapllan Resuli duke e marrë në veturë, gjoja për ta ҫuar në shtëpi, meqë u ra rruga. Ndjeva shtrëngimin e prangave në duar. Si qenka puna mendova. U mësoka njeriu. Ndërkaq vetura u duk në fund të kthesës së Bubullimës.

Tani unë isha qetësuar plotësisht. Mbase isha mpirë. S’mund të them asgjë me siguri. Një gjë mbaj mend, që makinën nuk e shikoja fare, nuk ia hidhja fare sytë sepse s’doja ta shihja arrestuesen, prangosësen time të zezë edhe pse ishte në ngjyrë ajke. Dëgjova shoferin të thoshte:

-Kryetari i Degës më tha të ikim në Lushnjë, pasi mbledhja mund të zgjaste.

Tani fillova të shqetësohesha përsëri. Më shqetësonte befasia dhe kurthi. Me siguri që ky ishte kurth. Mbase më arrestonin në të hyrë të qytetit. Sigurimi kishte tekat, deliret e tij. Ai luante me viktimën si macja me miun. M’u duk sikur mora formën e miut, sikur m’u hollua, m’u zgjat turiri, sikur u mbulova me push të zi miushi. Lemeri. Të transformohesh në një brejtës të zi. Frika të transformon gjithsesi. Metamorfozat e saja janë nga më të lemerishmet. Ndërkaq vetura ndalet para gjimnazit. Në oborrin e shkollës na priste sekretar i Komitetit të Partisë për ideologjinë Siku Velo, me disa nxënës të veshur e të qethur si kinezë. Pllakat gri në oborrin e shkollës ishin larë, ndriҫonin me një dritë të hirtë, të përzishme. Gjithandej pastërti, rregull. Sekretari më jep dorën. E pyes, pse më kishin thirrur. Do bëjmë një mbledhje këtu në gjimnaz, më thotë ish drejtori im i gjimnazit i lartësuar në postin e sekretarit ideologjik të Komitetit të Partisë. Pse, a nuk e bëmë një mbledhje me krijuesit në shtëpinë e kulturës, i them. Apo jo shoku sekretar. E bëmë vërtetë, po këtë mbledhje nuk e organizojmë ne.

-Po kush e organizon.?

-Anëtari i Byrosë Politike, ai e theksoi togfjalëshin  anëtar i Byrosë Politike, Shoku Rita Marko.

-Ashtu?

-Po! Kërkon të dëgjojë gjykimin e nxënësve për poemën. Përsëri u tremba. Pikërisht Rita Marko ishte ai që kishte demaskuar e kërcënuar poetin Bilal Xaferri, aq mizorish sa e detyroi atë të arratisej. U zbardha  në fytyrë. Ashtu do të sillej edhe me mua ai kërcënueshëm. Tronditja më vinte edhe nga një frikë po kaq mizore që ishin shpifja dhe dëshmitë e rreme. Gjersa më kishin akuzuar me shkrim në gazetë gjoja, sikur kërkoja «vilë», ose akuzohesha me shkrim sikur bëja thirrje të ngriheshim «… në kundërvënie ndaj  Pushtetit Popullor?» , gjithçka mund të pritej. Kaloi gati një orë. Mbledhja nuk po fillonte. Kurth, thashë me vete. Me siguri e kanë lënë të më arrestojnë këtu në oborrin e shkollës midis nxënësve, në prani të atyre që kishin bërë «kritikën». Kisha dëgjuar se bënin dhe arrestime demonstrative, publike, teatrale. Do fillojmë apo jo, i them me nervozizëm sekretarit të komitetit duke përfituar nga që njiheshim nga afër, po vete ora 20-të, i thashë. Nuk  është në dorën tonë kjo mbledje, por në dorën e Byroistit, përsëriti sekretari i Komitetit të Partisë.

Ai s’iu përgjigj nervozizmit tim. U tregua i qetë. Toleroi. E thashë një herë që njiheshim nga afër. Më kishte pasur koleg në gjimnaz. Shkonim mirë. Por nga ana tjetër ai e dinte që unë kisha një dell marrie. Sidomos  kur më nervozonin, nuk pyesja për vija të bardha apo vija të kuqe. Pastaj ai e kuptonte gjendjen time të dëshpëruar. Ruaju ariut të plagosur thotë ajo fjala e urtë. Erdhi dikush nga komiteti dhe tha se mbledhja nuk bëhet sonte. U la për nesër. Sepse Byroisti Rita Markos i kishte dalë një punë urgjente në Tiranë dhe iku me ngut. Mbledhja u la për të nesërmen mbas dite në orën 17.00.

Përsëri u trondita. Përsëri dyshova për kurth. Më vajti mendja te arrestimet që po bëheshin ato ditë. Flitej  shumë për arrestime shkrimtarësh, artistësh. Kishi arrestuar këngëtarin Sherif Merdani. Njerëzit që ia donin zërin, qanin njëherësh këngëtarin dhe këngën e tij. Në shtëpi nuk dinin gjë. Ata më dinin në zbor. Sa u futa në korridore, Manjo, vajza, m’u hodh në qafë, pastaj m’u hodh djali, Doni. Plaka, 80-vjeҫare dhe Nirvana, gruaja më pyetën me shqetësim, pse isha vonuar.

E bisedova gjithçka me gruan. Atë natë pothuaj nuk fjetëm. Në kokë më rrinte dyshimi:

-Po sikur të më arresgtonin të nesërmen në mbledhje në mënyrë demonstrative. Sa do të gëzoheshin Spiro, Murati, Gazmendi, Hasani, Koli e të tillët.

Çdo gjë mund të ndodhte.

***

(Fragment nga eseja «Poema e mallkuar»

shkrimtarit dhe regjisorit Tahsin Xh. Dimiraj)

«Atë mesnatë në fund të Marsit 1973, ndërsa fshesarët, si në një poezi të tij, «Kolegët e mi fshesarë», nisin punën për pastrimin e rrugëve të qytetit, ndërkaq Partia në Lushnjë, e kishte fshirë dhe e kishte vërvitur tutje si një “plehrë” poetin, dhe krijuesit e artistët lushnjarë shkonin të këputur në shtëpitë e tyre, pasi kishin diskutuar për të tretën herë poemën e ’’mallkuar’’ blasfemuese të socializmit,  «Dielli dhe rrëkerat»,  të poetit të tyre Faslli Haliti. 

«Ah,  jo,  or jo,  as atje nuk zë mënd ti,  or jo…! », i tha sekretari i parë poetit.

Kjo shprehje e Sekretarit, e kishte ther në shpirt poetin aq sa ai më thoshte shpesh: Më tthuaj Tahsin,  a jam njeri i mbrapshtë, a jam i pa korrigjueshëm dhe, sido që të më quash ti, shiko po nuk u çlirova nga ankthi, siç u çlirua ai personazhi i Zhak Preverit që,  pasi u dënua me varje, u çlirua në çast nga ankthi i dënimit me varje, tha:  Ky qenka dënimi me varje dhe hëngri një krep me shije dhe  e ndezi një cigare dhe e thithi me kënaqësi. Pastaj poeti  do të më thoshte në intimitet: Tahsin, ajo thënie e Sekretarit të Parë është një zezonë për mua, me të ai më paralajmëroi se konvaleshenca ime idelogjike në kooperativë do të jetë e gjatë,  shumë e gjatë dhe rehabilitimi im nuk do të jetë kurrë i plotë. Dëgjova që i kërcitën dhëmbët dhe iu mbush goja me xixa, sikur të donte t’i vinte zjarrin vetes ose…

       Tahsin Xh. Demiraj

Filed Under: ESSE Tagged With: Faslli Haliti, Tahsin Demiri, Thirrje nga Zbori

Loja, shembja e qiellit

April 13, 2017 by dgreca

Nga Eric Naulleau/*

2 Shehu Bashkim

Sa herë është rrotulluar Toka rreth Diellit qysh nga ngjarjet që rrëfehen te Loja, shembja e qiellit? Kufomat e balsamosura si e Leninit, apo ajo e Gjergj Dimitrovit, kanë përfunduar të ngatërruara me ato të faraonëve egjiptianë, Muri i Berlinit është bërë bashkëkohës me qytetet e inkasve, perandoria sovjetike s’është veçse një pluhur i hollë i kuq mes faqeve të një libri historie. Dhe vetëm shkrimtarët e mëdhenj, si Bashkim Shehu, ende mund ta nxjerrin nga hiçi që e ka gëlltitur Shqipërinë komuniste, atë regjim ku mjekët e kishin të ndaluar t’u thoshin pacientëve se kishin kancer “që të mos demoralizoheshin, çka binte ndesh me ndërtimin e socializmit”, atë tirani të aftë për ta ndjekur kundërshtarin imagjinar, madje edhe pas vdekjes së tij: “ai u përjashtua nga Partia si armik, gjashtë vjet pas vdekjes, a thua konspironte në botën e përtejme dhe në bashkëpunim me të vdekur të tjerë”.

Ky roman merr trajtën e kujtimeve të Aleks Krastës, ish-bashkëvuajtës i rrëfyesit (edhe njëri, edhe tjetri, dyzime të tejdukshme të autorit), “dhjetëra faqe të shkruara ethshëm, rrëmbyeshëm, një pjesë e madhe shënime fragmentare, me një shtjellim të ndërlikuar, madje herë-herë të rrëmujshëm”. Një tekst limit “me përjetime në kufijtë e së pamundurës”. Ëndrra të njëpasnjëshme, ku peripecitë u binden ligjve të gjendjes së jashtëzakonshme nokturne, domethënë pa u shqetësuar për kronologjinë dhe aq më pak për identitetet e qëndrueshme – një vajzë shndërrohet brenda çastit në një dyzetvjeçare, mbesa i zë vendin emtës ashtu si zëvendësimi i beftë i personazheve në një film të Méliès-it, tre aktorë të ndryshëm luajnë njëri pas tjetrit rolin e një prifti të ngarkuar që të dëgjojë rrëfimet në prag të vdekjes. Episodet ndjekin njëri-tjetrin dhe përsëriten të deformuar: Aleksi arrestohet nga policia politike në po atë tren që, kohë më parë, vidhte udhëtarët nën urdhrat e Xhimit, përvoja e tij seksuale me një të çmendur përfundon në një guvë të nëndheshme, ku e kishte çuar më parë një ëndërr që pasonte varrimin e të atit dhe ku do ta shpien sërishmi disa orë të kaluara në një klub nate. “Njohje nëpërmjet humnerave”, thoshte Henri Michaux. Gjumëprishur, personazhi kryesor, rrëfyesi dhe lexuesi nuk arrijnë të çlirohen nga çarçafët e lagur të rrëfimit, ashtu si të dyshuarit që nuk dinë se për çfarë krimi akuzohen, që t’i lënë më së fundi rehat: “s’kuptonte ç’po ndodhte, i bëhej si një ëndërr e keqe, nga e cila nuk zgjohej dot. Përveçse po të trillonte, të shpikte gjëra të paqena dhe të thurte me to një ëndërr për të dalë nga kjo ëndërr ku ndodhej”.

Autobiografi e tërthortë, vite burgu pas vdekjes së babait përmendur kalimthi, variacion mbi Kontin e Montekristos (hakmarrja e Aleks Krastës është po aq makiavelike sa ajo e Edmond Dantesit dhe roli i at Shtjefnit është jo më pak vendimtar se ai i abatit Faria), arritja e romanit Loja, shembja e qiellit buron gjithashtu nga një temë që rrallëherë është paraqitur me kaq vlefshmëri letrare: përvetësimi i trashëgimisë së katolicizmit nga diktaturat komuniste. Luigji, thjesht ingranazh i makinës shtypëse totalitare, nuk mjaftohet me të bërtiturën “tani Zoti jemi ne” dhe me uzurpimin e identitetit të një prifti, por, si trashëgimtar i Inkuizicionit, shfrytëzon të gjitha trajtat e fajësisë, që mund të ndiejnë kundërshtarët hipotetikë, duke filluar nga ajo që lidhet me mëkatin e zanafillës. Ashtu, sikurse çdo qenie njerëzore, vjen në botë e shenjuar me këtë damkë, çdo qytetar shqiptar ka mëkatuar ndaj Partisë në mendime, në veprime apo në fjalë, prandaj dhe në fundit të fundit, herët a vonë do ta pohojë. Ndërkaq, Aleks Krasta ndihet fajtor gjithkund dhe në çdo rrethanë, një ndjenjë që evoluon vazhdimisht gjatë romanit, por që nuk i shqitet nga shpirti: “tashmë i çliruar nga fajësia dhe, pastaj, ca nga ca, njëherësh me urrejtjen e tij ndaj atyre që po ia prishnin qetësinë babait në varr, dhe që më vonë do t’i quante pushteti i armiqve të popullit, i trazuar me këtë urrejtje, zu të ndihej fajtor për babanë, i cili gjithsesi njësohej në mendjen e tij me atë çka ai më vonë do ta quante pushteti i armiqve të popullit, dhe për shkak të gjërave që mund të kishte bërë i ati duke u shërbyer atyre”. Nuk është aspak për t’u habitur nëse në Shqipërinë e Enver Hoxhës psikanaliza ishte e ndaluar si pseudoshkencë borgjeze, arsye që nuk arrinte ta fshihte akuzën për konkurrencë hileqare.

Një diktaturë mund të shembet, si ndodhi në Shqipëri më 1991-shin, të burgosurit politikë mund të dalin nga burgu, sikurse u ndodhi atë vit Aleks Krastës dhe Bashkim Shehut, po burgu nuk del kurrë prej tyre. I pari, madje gjer në Milano, jeton në një botë që është “shndërruar në një karusel vegimesh që iknin pareshtur”, i dyti jeton me kujtimin e shokëve të tij të burgosur: “Sa herë më kthehet në mendje ajo pamje, më bëhet se ende janë atje, nën shiun e imët, sado që disa prej tyre i kam takuar pasi dolën së andejmi”. Që të dy në romanin që do të lexoni, “jeta e tij ishte për të njëfarë libri, për të cilin kërkonte ngulmueshëm, shqetësueshëm, një kuptim, apo më saktë një domethënie”. Në një tjetër hapësirë, në një tjetër kohë. Përgjithmonë.

Që të kuptosh një delir, nuk ka mënyrë tjetër përveçse të bësh tënden logjikën e tij; që të rigjesh një vend të zhdukur në një të çarë të thellë të Historisë, nuk ka mundësi tjetër përveç që ta lësh veten të bjerë në hon – Loja, shembja e qiellit të kujton ëndrrat e këqija të një speleologu që rrotullohet pareshtur në një shtrat një mijë lega nën Tokë, larg Diellit.

***

* Romani  “Loja, shembja e qiellit” i shkrimtarit Bashkim Shehu sapo qarkulloi në gjuhën franceze, me siglën Les Editions des Quatre Vivants, me përkthim të Michel Aubry dhe parathënie të Eric Naulleau.Romani “Loja, shembja e qiellit” u botua në shqip nga Botimet Toena në vitin 2013 dhe po gjatë këtij viti u vlerësua me çmimet: “At Zef Pllumi” dhe “Autori më i mirë i vitit”.

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Bashkim Shehu, Eric Naulleau, Loja

Mes letërsisë dhe gazetarisë

March 30, 2017 by dgreca

Ese- publicistika letrare e „Mjeshtres së Madhe“Vilhelme Vrana Haxhiraj/kopertina pa koment-01Nga Gëzim Llojdia*/ “E vendosur midis letërsisë dhe gazetarisë së mirëfilltë, publicistika letrare mbetet lëvrimi më specifik e më interesant”,- thotë studiuesja, Akademikja Floresha Dado. Dhe ajo vijon…” njëkohësisht edhe më problemori është lidhja apo përshtatja, për sa i përket ruajtjes së kufijve me letërsinë, nga njëra anë, dhe me llojet e tjera gazetareske, nga ana tjetër. Dihet se letërsia, si arti i fjalës, ka poetikën e vet, që në themel ka parimet estetike të ndërtimit të një vepre letrare, që e dallojnë atë nga gjithë format e tjera të krijimtarisë fjalore. Në literaturën teorike është pranuar lidhja midis poetikës së letërsisë dhe poetikës së publicistikës letrare. Kjo vlen për të njohur si ngjashmëritë, ashtu edhe tiparet dalluese midis tyre. Kjo vlen edhe për të patur përfytyrime të sakta mbi strukturën përmbajtësore dhe estetike të llojeve të publicistikës letrare. Kjo vlen për ta afruar atë me letërsinë, brenda dimensioneve që nuk cënojnë identitetin e saj, por gjithashtu, edhe thelbin social, mënyrën specifike të shprehjes së mendimit në këto lloje publicistike “,- thotë  studiuesja F.Dado.

2.Pas prezantimit të vëllimit të parë me Ese-publicistikë “Pa Titull” të autores Vilhelme Vranari Haxhiraj, me 320 faqe, gjithsej 69 krijime të të dy gjinive (ese- publicistikë), autorja partaqitet sot para lexuesit me një vëllim të dytë po të këtyre gjinive. Libri Titullohet “Pa koment” . Shtëpia botuese, që i solli në dritë këto dy  botime, është Shtëpia Botuese „Nacional“,Tiranë 2011, me redaktor: Mujë Buçpapaj.

3.Do të shqyrtojmë përveçse disa ese, publicistikë apo studime  prej brendisë së librit që nxori pena e kësaj autoreje, por edhe situata dhe kthjellime historike apo ndijime shpirtërore, që përjeton nën dalldinë e zërit ëmbëltor të penës së Vranarit. Cila është kostua vallë? Ka derdhur me një kosto jo të vogël qindra vargje, mijëra fjalë, që janë produkt i këtij deti shpirti të pafund njëkohësisht të paanë të kësaj autoreje brilante me shumë botë dhe me një këndvështrim krejt të ri .

4.Ky botim që ta ka ënda ta rilexosh, shfaq e shpalos qysh në fillim befasi në mënyrën e trajtimit të temave si dhe në mënyrën e të shkruarit. Pra  tek ky libër ka një mënyrë tjetër kompozimi që të bënë për vete. Tre shkrime që prekin gjenezën tonë, apo ku kërkohen rrënjët e historisë sonë të sa e lashtë dhe po aq e patjetërsueshme, të cilat titullohen:  “Shqipëria kombi më i lashtë në Evropë,” ose “Arbëreshët e Italisë & Arvanitët e Greqisë janë degë që kërkojnë rrënjët e tyre iliro-arbërore” si dhe replikën me znj. L.C.

Vranari në të vërtetë ka një penë që buron. Për çudi pena e saj nuk mbetet asnjëherë e zbrazët. Më duket se gjen një varg tepër të pasur, por i thellë. Të tre temat kanë gërvishtur palcën kombëtare. Ka ende mjegullinaja të kalitura mes errësisrës në hapësirën ballkanike për çështjen e gjenezës iliro- pellazge të shqiptarëve të sotëm. Vranari futet e sigurt ngase për një arsye të thjeshtë. Nuk ka pasur kurrfarë mungesë hapësire në të njohurit e saj, lidhur me këtë temë, të cilën e ka trajtuar qysh nga viti 1975, kur ende  shqiptarët vuanin brenda një rrethimi me tela, në kushtet e një shteti diktaturë, jo të cilësuar apo deklaruar nga historianët, por të ndërtuar me kushtetutë. Teza e paperëndueshme (sepse vazhdon të punohet për të dhe do të vazhdojë të kërkohet deri sa e vërteta të flasë për mohimin e padrejtë të shekujve) për çështjen e lashtësisë së një kombi, i cili kërkon shumë punë edhe më shumë botime sidomos të rretheve akademike shqiptare. Sepse në mungesë të të cilëve shpesh herë pseudo-historianët, i janë përkushtuar dhe i përkushtohen me studime të kafeneve apo reportazheve të medieve. Kurse Vranari në këtë botim sjell fakte duke bërë citimin nëpër dokumentet bazë, që vërtetojnë këto teza. Ndoshta njohurit e shumta, studimi rigoroz, të shkuarit e vazhdueshëm, tema e mbrojtur prej saj, “Autoktonia e Shqipërisë Jugore” etje, i ka në dhënë ndihmesë për të krijuar disa shkrime  të cilat nuk bëhen as të mërzitshme dhe nuk përsërisin as studiuesit e tjerë të kësaj fushe. Kjo tregon mrekullisht, stilin e veçantë të kësaj autoreje. Këtu do të ndalem, tek ky fakt. Të gjithë kanë orë shpirti, por ora  poetike dhe brumi i kësaj autoreje e ndjen ardhjen e shpirtit, është ora e kuptimit të gjuhës së fjalëve të pathëna, për të cilat autorja i mëshon mendimit logjik, arsyes dhe të vërtetës historiko-shkencore  me dokumente.

Në këtë kuadër ka shumë shkrime kushtuar Kosovës. Janë ose mbresa të çasteve kulminante të historisë së saj e shkruar me gjak të pastër shqiptari, ose shkrime historike. Të shkruar në përvjetor ose në raste tubimi për çështjen Kosovës. Këtu zbulohet jo vetëm mjeshtria në të shkruar, por edhe gjetja e faktorëve që shpunë në një Kosovë të pavarur. Autorja në krijimtarinë e saj përmend shpesh heroin Kombëtar Gjergj Kastrioti ,që ishte dhëndër në fshatin e saj Kaninë. Historia e shkëlqyer e të cilit i ngriti emrin kombit tonë.

Mirëpo le të bëhemi pak koshient. Dikur ka ekzistuar një kohë apo një shekull në historinë tonë të ndritur. Diku aty, nga shekulli i XV. Atëherë rrobat e të tjerëve pas krahëve tanë, ishin në duart tona. Ç’masë do të merrnim ne, do të vishnim ata, apo? D.m.th “sizmografi”,që përcaktonte lëvizjet e kohës, lëkundjet tronditëse të planetit, ishte shqiptar. Ndërkaq, shumë nga kancelarit e evropiane, sot e kanë harruar këtë. Shqipërisë i lënë vend përtej, jashtë kësaj porte. Historia pas saj ka ngelur në terrin e enigmës, e mbuluar nga pluhuri i shekujve. Përse vallë?!

5.Vranari është një mjeshtre e përkryer e gdhendjes së portreteve sidomos disa figurave për të cilat errësira e sistemit të kaluar kishte pluskuar gjithë kohën. Një ndër to, është figura e Prof.Dr filozofit Isuf Luzaj. Mbetur enigmë. E panjohur, e harruar. Flitej tej e këtej. Në thelb nuk njihej, ende nuk njihet kaq mirë. Ndriçimi i këtij personaliteti nuk bëhet me gjuhët e zjarrta të diellit. Por shkoqur autorja na rrëfen si u njoh me portretin akademik. “Përshkroja sheshin e Flamurit , shkruan Vranari,mes librave në lulishten e e Vlorës më kapi syri Isuf Luzaj.Ishte libri i tij”Gloria e çmendjes”… Autorja na sjell në kujtesën tonë të trishtë se ju përkushtua studimit të veprës së tij, veprës së një filozofi të një mendimtari të urtë me përmasa botërore. Etimologjia e fjalës filozofi, jepet në greqisht, me dashuri për urtësinë. Është një art i të jetuarit, një moral që konsiston në të sjellurit në mënyrë të arsyeshme, për të evituar çdo sjellje të pamatur, për të pritur çdo ngjarje me qetësi dhe urtësinë ta vësh në shërbim të së mirës.

I kësaj rruge mbetet edhe Prof. Dr.  Luzaj. Mirëpo duke qenë se kam studiuar tarikatin bektashi, dua të shprehem se ky personalitet  i  përket kësaj udhe ndriçimi shpirtëror. Urtësia ka përshkuar si vijë bektashizmin. Njerëzit e mëdhenj i përshkon urtësia. Ky ishte ndriçimi më i madh në errësirat e largëta. Vranari sjell edhe një përkushtim, një poemë në vargje për Dr. Luzaj. Më tej zgjerohet në trajtimin dhe  në zbërthimin e kësaj figure të një filozofi shqiptar me përmasa botërore.

6.Pastaj vjen gruaja, qeliza e shoqërisë njerëzore, vlerat dhe pozicionimi i saj. Mbi të gjitha si një udhërrëfyese, qëndron shenjtorja Nënë Tereza, dhe mjaftë shkrime produktive që i përkasin kësaj gjinie zënë vend në librin : “ Pa titull” të  shkrimtares vlonjate V.H.Vranari. Analiza, komente ,letërkëmbime sjellin në vëmendje femrën shqiptare të një kohe tjetër, pikërisht në vitet e demokracisë. Ka penelata të ngrohta zemre, si një piktore, për figurën e shenjtores Gonxhe Bojaxhi. Ka fakte historike. Poezi zemre e shkruajtur nga Nënë Tereza, që shërben për sot dhe nesër si një himn jete. Letërkëmbimet për shkrimet kushtuar asaj, sjellin një risi të re në këtë gjini. Dhe autorja vazhdon… tema të larmishme që e shqetësojnë atë dhe gjithë shoqërinë tonë.

7.Jo më pak vend zenë figurat historike . Vilhelme Haxhiraj ka një shikim gjithmonë nga drita, për ta parë të vërtetën në sy. Vetëm drita e udhëheq këdo drejt realitetit dhe mirësisë. Kahu i saj, agimet e paperëndueshme dhe perëndimet e përflakura që premtojnë agun e bukur të së nesërmes… Figurat historike në thelb, ruajnë dritëzën si bardhësi në portretet e tyre. Gdhendjet për figurën e shquar të Ismail Qemalit mbeten të papërsëritshme. Sjellja  e fakteve dhe dokumentave mbetet  palca për publicistikën dhe esetë e shkruara. Vranari i përdor drejt faktet në shërbim të personaliteteve. Kjo është mjeshtri në artin e të shkruarit, ngjarje, që kanë vepruar shekuj më parë, sillen me vërtetësinë e një krijuesi, të një shkrimtareje të afirmuar në letrat shqipe. Ashtu si shumë krijues të mirëfilltë të letrave shqipe të cilët lëvrojnë herë pas here publicistikën edhe Vranari ka arshivuar shumë ngjarje e dokumenta, ndërkohë që “pika e vlimit” ka aritur gradacionin e sipërm , krijuesja Vranari-Haxhiraj  ka  derdhur gjithë këtë përvojë në një botim me vlera ese-publicistikë.

8.Figurat  e shquara të letrave apo të artit dramatik përshkohen nga një ëmbëlsi, që nuk duket por që kuptohen shkarazi. Xhevahir Spahiu, Odhise Grillo, Adriatik Kallulli, Drita Kripa dhe aktorja Margarita Xhepa…Po ndalem te Drita Pelingu (Kripa), lindi, erdhi në jetë nëpër kohë në saj të një talenti më vital, që kaloi në një mjedis, që zhbirohet kompleksiteti. E lindur në Vlorë, atje ku deti llapashit dallgët, herë butë e ëmbël dhe herë gjithë zhurmë e ashpërsi, përmes talentit të vet, ajo portretizon, ndërton njeriun, qenien e vet në kohë dhe hapësirë duke synuar të shpalosi botën e saj. Do të sqarojë dhe ta lexojë, të shpalosë veten, shpirtin dhe zemrën e vet. Lindi, 80  e ca vite  më parë, në Vlorë dhe u shkollua, në familjen tregtare të Kripajve një familje shqiptarësh të mirë e atdhetar. Kur ka mbritur në kryeqytet thelbësore ishte pastërtia e zërit, thellësia përmes arsyes, që mund të zotohet vetëm nga pushteti i talentit, dhunti e artistit. Në publicistikën e Vranarit janë kapur detaje për njerëzit e shquar të letrave dhe të skenës shqiptare.

9.Ç’letër apo pergament kaq gjigant ruan kështu mesazhet e paprishura, që ne hedhim çdo ditë në eter? Mesazhet sot kanë një urë të madhe digitale komunikimi. Autorja  e librave ese- publicistikë :“Pa titull“dhe “Pa koment”,  ka përdorur edhe  gjuhën e folur të mesazheve,  që u ka dërguar apo i kanë dërguar lexuesit pas çdo shkrimi të publikuar më parë në tabloidët shqiptarë. Madje mesazhet  përbëjnë pjesën më të lexueshme. Janë spontanë dhe magjikë për t’u lexuar me një frymë. Mbartin mjaftë ngarkesë emocionale, atdhetare, përcjellin mall të zhuritur emigrimi.

Publicistika e V.V. Haxhiraj e përfshirë në në dy vëllime me 320 & 368 faqe libri është një arritje në këtë gjini. V.V. Haxhiraj  futet  fuqishëm edhe në këtë gjini duke treguar jo vetëm talent por vullnet dhe si gjithmonë mbetet e paepur për të përshkruar rrugë të reja. Publicistika e V.V. Haxhiraj në këto dy botime tregoi se kjo gjini nuk është thjeshtë një kronikë ngjarjesh, por art më vete. Publicistika e V.V. Haxhiraj tregoi me këtë botim probleme të mjeshtërisë së saj , të formave të pasqyrimit dhe të mjeteve shprehëse që karakterizon esenë dhe publicistikën  e vet, që në themel ka parimet estetike të ndërtimit të një vepre letrare, që e dallojnë atë nga gjithë format e tjera të krijimtarisë fjalore. Në literaturën teorike është pranuar lidhja midis poetikës së letërsisë dhe poetikës së publicistikës letrare. Kjo vlen për të njohur si ngjashmëritë, ashtu edhe tiparet dalluese midis tyre. Kjo vlen edhe për të patur përfytyrime të sakta mbi strukturën përmbajtësore dhe estetike të llojeve të publicistikës letrare. Kjo vlen për ta afruar atë me letërsinë, brenda dimensioneve që nuk cënojnë identitetin e saj, por gjithashtu, edhe thelbin social, mënyrën specifike të shprehjes së mendimit në këto lloje publicistike modern dhe e adhurueshme  për një lexim të këndshëm, ku, edhe ke se çfarë mëson.

Dhe tani para lexuesit autorja Vilhelme Vrana Haxhiraj vjen me botimin e saj më të ri me ese-publicistikë me titull „ Pa Koment“, jo më pak intrigues dhe po aq i bukur si libri i parë. Në të janë përfshirë – tituj me ese dhe publicistikë, ku autorja trajton sa e sa probleme sociale-politike e juridike që shqetësojnë atë dhe gjithë shoqërinë. Leximi i këtij libri për cilindo do të jetë jo vetëm kënaqësi dhe shlodhje , por temat e përfshira në këtë libër, të bëjnë të mendohesh dhe të pyesësh ndërgjegjen: „Përse ndodh kështu vallë?! „

Urimet më të mira autores  për vepra të tilla të arrira!

*Gëzim Llojdia  ( studiues, publicist, drejtor i Bibliotekës së Universitetit „Pavarësia „Vlorë)

Filed Under: ESSE Tagged With: dhe gazetarisë, Gezim Llojdia, Mes letërsisë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 318
  • 319
  • 320
  • 321
  • 322
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT