• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ëndrra që dha ndjesi force – Liria

October 1, 2017 by dgreca

   
3Pellumb Lamaj
-duke lexuar poezinë e Pëllumb Lamaj/

Nga Violeta Mirakaj/

 Para disa muajve, në Maj të këtij viti botova shkrimin – Mbresa nga Dokumentari historik,  përkujtimi i revoltave të Spaçit dhe të Qafë Barit i realizuar nga Pëllumb Lamaj, “ Spaçi, Simboli i Rezistencës Anti-Komuniste, në Shqipëri.” Po më vonë,  P. Lamaj ,së bashku me një grup patriotësh për gati një dekadë nderojnë udhëheqësin e Ballit Kombëtar,  Mithat Frashërin. Ata duke evokuar jetën dhe veprën prej patrioti si shërbëtor i Kombit; evokojnë kontributin e madh të tij në kulturë, shërbimin ndaj popullit shqiptar. Në këtë veprimtari prej shqiptari atdhetar, M. Frashëri luajti  rolin e avokatit të madh në mbrojtje të popullsisë Çame, një dihmesë të pakufishme në ngjarjet e Pavarësisë etj…. mesazhi është i qartë: -Të respektohet historia, figurat e saj

Në vazhdim të kësaj veprimtarie më ngacmuan kureshtjen disa poezi të Pëllumb Lamaj, poezi të shkruara gjatë periudhës së burgut politik dhe pas saj; si dhe ca shqipërime poetike nga italishtja dhe anglishtja. Pa pretenduar të bëj një analizë, ndoshta në të ardhmenn kur të dalë me një një vëllimi të plotë poetik, po sjell në këtë shkrim shpirtin poetik si dhe mesazhet që të ngacmojnë në këto vargje poetike.                            

Dy nga poezitë e para të shkruar në birucat në Spaç , 1979, janë “Qelia”si dhe “Statujë e Lirisë”. Tek e para mbrenda katër strofave, katërvargjesh; shpirti i brishtë i djaloshit rrëfen me realizëm, me natyralizëm jetën, shpirtin e një të riu të burgosur…. Brenda katër muresh/ rrethuar nga terri/ zvarritem pa rreshtur/ s’po di nga lind Dielli…….Brenda katër muresh / kruspull nga të ftohtit/ pres të vijë mesnata/ T’i drejtohem Zotit…. Çdo strofë fillon me vargun “Brenda katër muresh”, kjo përsëritje është një funksion poetik i gjetur, efikas që jep të gjallë fizikisht ekzistencën e një vendi, ku dhe ti si lexues ndjen sikur po të merret fryma, sikur dhe ti je i kufizuar në atë metër katror të birucës. Edhe se i detyruar, i ngujuar në errësirën e thellë, djaloshi vlonjat mediton, imagjinata e tij fluturon te Statuja e Lirisë, në New York…. Liria është e shenjtë. Shpirtin e lirisë asnjë lloj diktature dhe pengese nuk mund t’ia shuajë. Vargjet që mendon duket sikur i lan nga shpirti pluhurin nga jeta e përditshme. Vargjet e poezisë “Statujë e Lirisë” fitojnë një vlerë simbolike, pasi mëshirojnë idenë e madhe të lirisë, por na bën dhe le të kuptojë idenë e qëndresës.                          

“Ah, Statujë, Statujë e Lirisë/ Sa kurora rinie vyshkur mbi ball/ jehona dashurie që kurrë nuk u dhuruan/ sa kafka martirësh mbetur pa varr/ Është Kjo statujë që poetit i ngacmon imagjinatën , po dhe i jep forcë, besim dhe shpresë.                                                                                        

“Ah Statujë, Statujë e Lirisë/ E vetmja dritë, i vetmi zjarr/ E vetmja shpresë ku ëndrrat udhëtojnë/ Trazuar me klithma, kulluar në gjak” Ëndrra amerikane simbolizon vendosmërinë, djersën e punës, lotët, gëzimin, dhimbjen, shpresën dhe domosdo suksesin. Ajo i përket njerëzimit dhe sidomos emigrantëve, të cilët i shton një dimension më tepër bukurisë, kreativitetit, fuqisë dhe statusit të Amerikës me kaq shumë nivele. Duke personifikuar,dashurinë për jetën, simbolin e lirisë, P. Lamaj i jep krahë mendimit duke u ndalur se liria nuk arrihet lehtë…..po detajet kafka martirësh japin sakrificat dhe përpjekjet për një jetë të lirë. Nëpërmjet figurave themelore kuptimore, apo ndryshe semantike, si metafora, metonimia, sinekdota ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shprehjen dhe kumbimin e etjes për liri… përdorimi i elipsit në fjalët ball, zjarr, gjak, varr; si dhe denduria e përdorimit të një elementi gjuhësor ndikon drejtpërdrejtë në stilin e poetit dhe është një faktor stilformues. Ritmi, struktura tingullore sigurojnë ritmin e njëmbëdhjetë rrokshit në poezi, dhe këtë e plotëson më mirë renditja e theksave dhe intonacioni i vargut… Pikëvështrimi i rrëfimit poetik, i ndjesisë artistike bëhet nga pozicioni i poetit që ndodhet si i burgosur politik. Dhe në këtë këndvështrim ajo ka forcë, po gërshetohet dhe me një shpirt të paqetë… Ah Statujë, Statujë e lirisë…Këtu ai nuk ka parasysh vetëm veten por dhe lexuesin atë kontigjent të rinj dhe të vjetër që ëndërronin për të qenë të lirë…pra, njerëz  me shpresa të penguara dhe dashuri të penguara…                                                          

Kjo poezi të kujton dhe të bën ta krahasosh  me poezinë e Emma Lazarus, kushtuar Statujes së Lirisë.                                                                                               Jo si kalorës prej bronzi i famës greke,/ Pushtues, këmbë hapur nga bregu në breg/ këtu e larë nga deti, në prag muzgu do të qëndrojë/ Një grua e fuqishme me pishtar, flaka e të cilit/ është rrufe e pritur, dhe emri saj/ Nënë e të ikurve. Me pishtarin në dorë………….Qan ajo me buzë t heshtura/ “Më jep të lodhurit, të pikëlluarit e tu,/ Njerëzit që duan të marrin frymë të lirë/ Të pashpresët që mbushin brigjet tuaja/ Dërgo të pastrehët të hedhurit nga stuhia/ Unë ngre dritën pranë derës së artë…                                                                                    

 …Po pena e Lamaj nuk  mund të lë pa ironizuar deri në sarkazëm kur shprehet se “ Eh Statujë, Statujë e Lirisë/ e vetmja shpresë që na mban gjallë/ Por dhe po ikëm pa u takuar/ Besomë, do vijnë të të puthin vrasësit tanë….                                                                                     

 Trishtimi është i pandarë në krijimet e Lamaj, është trishtimi i djaloshit që i privohet gjithçka, i privohet dashuria e zemrës, vajza e rinisë…      Po në Spaç, në vitin 1983 shprehet se:- ai trishtimin e flak mbi telat me gjemba/ dhe sytë e lodhur drejt qiellit në përhumbjen e nje reje rebele…nuk ka rrugë tjetër… trëndafilin e kuq nuk mund t’ia çoj…. dhe ky pikëllim është njerëzor…                                                               

Shpresa asnjëherë nuk mungoi, shpresa ishte e pranishme si reagim ndaj trysnisë së pandërprerë, si jashtë dhe brenda telave me gjemba. Jeta vazhdon po askush nuk kthehet më po ashtu si ka qenë më parë, siç nuk kthehet kurrë një orë e jetuar më parë. Vitet, vuajtjet, mungesat, privimet bëjnë të vetën do lenë gjurmë fizike dhe shpirtërore….. po kurrë s’do të të heqë dorë nga Liria…                          

Në krijimin “Rebeli” shkruan- “ Je ekstremist më tha një ditë në poet/ duhet t’i thurrësh vargje edhe natyrës, dashurisë/ unë qesha e prapë qesh me këtë mjeran/ A ka dashuri më të madhe se t’i këndosh Lirisë…..            Në poezi ashtu si në jetë, poeti nuk e duron dot hipokrizine, dyfytyrësinë, jetën prej kameleoni. Ngjarjet e pas viteve ’90, ndryshimet e sistemit dhe të jetës në Shqipëri nxorrën në pah karaktere dhe situata nga më të çuditshme. Ja si shkruan në vitin 1992.  “Kameleonët”………Të parët që ngritët dy gishtat lart ishit ju/ Sekretarë të partisë, shkrimtarë të realizmit socialist/E pështytë, me këmbë e shkelët paçavuren e keqe/ shoh, u gdhitë pishtarë të demokracisë. Në disa nga poezitë dhe vargjet e tij ndesh nje pakënaqësi , një zhgënjim, po kjo më tepër tingëllon si një akuzë për të cilën kërkon diçka ndryshe, të ndershme…                                                    “ Nëse kthehem një ditë” …shprehet –Ju këndova të rënëve të zgjoja të gjallët/ Medet, të gjallët kishin vdekur me kohë/ Ju rashë sireave të zgjoja naufragjet/ Veç hijen e lagësht dallova në sfond.                                                                                                    

Pakënaqësia ndaj jetës, nga rrethanat e caktuara shpreh apo përsërit thënien :- I huaji mbetet i huaj…këtë e shohim.në poezinë “Mallkimi i Vjetër”.                                                                                                               

Vargjet poetike, poezia për P.Lamaj në ditët e vështira si dhe në gjithë jetën e tij ishte një ushqim, ishte një përkrahje shpirtërore dhe kulturore dhe këtë e gjeti dhe në krijimet në gjuhën italiane dhe angleze…sipas rastit ato që mund t’i binin në dorë si shprehet dhe vetë i përkthen në gjuhën shqipe…si “Jehonë” e CH. Rosseti, (Spaç, 1984) “Filozofia e dashurisë” e Percy Shelly  (Spaç, 1985); apo “Koha” G. D’Anunzio, “Pafundësi”të G. Leopardi, 1986, Spaç; Nga Fides “Selvija” si dhe nga G. Ungareti.etj….

Poezia e Pëllumb Lamaj vjen me një kthjelltësi mendimi, është realist; pikërisht jeta e tij me sfidimet e saj si në Shqipëri në burgjet komuniste dhe jashtë saj i ofron tema si ajo e Lirisë, ndonëse i takon brezit të humbur me rini të djegur.                                                                                              

Zbuloi se mënyra më e mirë për të mbajt larg frikën ishte të ëndërronte për diçka që i jepte një ndjesi force…. dhe ajo ishte Liria

Violeta Mirakaj                                                                                   New York/ 1 Tetor 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: Ëndrra, Pellumb Lamas, që dha ndjesi force – Liria, Violeta Mirakaj

Dhëndëri i Demokracisë

September 13, 2017 by dgreca


hajdari
Nga Ylli XHAFERRI / Publikim me shkas/

Gjëma kishte ndodhur. Dielli qe fikur. Në fërgëllimën e fundme të shuarjes së kandilit të jetës, marrë mizorisht nga një krismë mbas shpine, pushkë cubash të pamëshirshëm, ai pa botën të përmbysej, ylberet të gremiseshin si lisa të djegur rrufeje, qielli të ngrysej, mali i Dejës të shembej me rrapëllimë, pa kullën e tij që iu thye një tra, por që përsëri mrekullisht mbahej në këmbë, karakoll burrërie dhe shqiptarie prej kushedi sa shekujsh, para sa e sa bajlozëve, por dhe gjaku të shprishur brenda vetë shqiptarëve të keqpërdorur nga politika diktatoriale. 1 azemiNë cepat e buzëve të ngrira, që kurrë më nuk do të lëshonin frymën e ngrohtë të jetës dhe buzëqeshjen e çiltër për nënën dhe babën, në dorën e tharë ku kishte mbetur ndehur dhe e padjegur shamia e beqarisë, në këmbën uloke ku vallja ishte ngurosur mizorisht nga hijet e së keqes, në sytë e bukur që po ia shkelte nata e zezë ku si medaljon ishin ndryrë në mënyrë të patretshme tiparet e bukura të vajzës që sapo ishte veshur nuse dhe priste dorën ledhatare të burrit, ato sy të vëmendshëm që kurrë më nuk do ta shihnin Macukullin, djepin dhe tanimë varrin e përjetshëm, krahinën që rrethohej nga patkoi i maleve të lartë, në ato buzë të pangopura me puthje dhe jetë, ishin mpiksur vargjet e një balade elegjiake me motiv të vjetër, ku nëna matjane vajtonte djalin: …Udhës më shkoi ke gjurr’ e ftohtë, aty na u ul ujë me m’pi, aty na e zu i ziu gjarpën, aty na e zu n’ballë e n’qafë… Dy ftesa të bardha dasme, dy pëllumba paqeje në xhepin e djalit, dy puthje të ftohura, dy ëndrra për fëmijë, dy bekime, dy urime, ishin mjeti i vetëm që e bënë të njohur.

Quhej Isuf Ali Uka. Ftesat në xhep ishin të dasmës së tij që kishte marrë valë, por tashmë kthyer në mort. Mjekët dhe infermieret e spitalit të Tiranës kishin derdhur lot të nxehtë dhimbjeje përpara asaj tragjedie para së cilës vetë “Hamleti” do të dukej si një komedi bajate. Trupi i ftohur i djalit si një statujë pafajësie ishte dëshmia më e qartë e mizorisë, e masakrës së shtetit ndaj qytetarëve të tij të pambrojtur, e së djeshmes që luftonte për të mos u bërë e shkuar, por të mbetej kthetër e së keqes për të sotmen, kurth e lak i zi për të ardhmen. Ai trup rinor ngrirë në morg, fliste shumë. Obelisk për barbarinë. Përse, vallë! Përse duhej shuar ajo jetë? Përse duhej prerë në mes ai gëzim njerëzor me këngë e valle? Kush u trembej dasmave, e kërkonte ti kthente në mort, ku të këndonin qyqet dhe vajtimoret? Përse! Përse, vallë? Krimi i vetëm që kishte bërë Isuf Uka, ishte dëshira dhe dashuria për jetën, arma e vetme që kishte me vete në momentin fatal ishin ftesat për dasmën dhe gëzimin e tij rinor, për harmoni dhe bashkëjetesë, për ardhmëri dhe lumturi, për tu bërë bashkëshort i mirë, prind shembullor, qytetar i denjë, atdhetar i flaktë. Faji i vetëm për të cilën qe vrarë ishte solidariteti njerëzor, nderimi për të vdekurin, për të protestuar dhe dënuar krimin shtetëror, për të përcjellë mikun e rrallë në banesën e përjetshme… Në kullën e tij sapo kishin nisur dajret. Kishte çelur pranvera…Bilbilat kishin filluar këngën. Graria, farefisi, djemtë dhe vajzat e mëhallës luanin me gëzimin. Edhe ecja u kthehej në valle. Kulla e Ukajve kishte gaz. Vallet e rënda të burrave dridhnin vendin. Kot nuk thoshin, Ukajve u kishte hije dasma. Vargje këngësh përcillte era larg: …Kënoi zogu gem më gem vallë ku bahet ki dizen ke Isufi në kët ven do ta bajmë ç’i t’mahet men me aheng e me dizen… Sapo ishin nisur petkat e nuses, bashkë me lodrat që përcillnin gëzimin larg drejtë kullës së mikut. Isufit, zemra veç këngë e gaz i zgjonte. Të dielën martohej…

Por si një korb i zi, si një re sterrë erdhi lajmi i hidhur për vrasjen e deputetit, Azem Hajdari. Gëzimi i dasmës së vet sikur e turpëronte, vuante ndershmërisht dhimbjen e humbjes së luftëtarit për demokraci me të cilin kishte kujtime të shumta takimesh. Vendi nuk po mundej ta mbante. Ai këndonte, gazmohej, lumturohej, kur diku qahej, kishte dhimbje, vaj. Fëmijë kishin mbetur jetimër. Kurrësesi nuk ia bënte zemra të braktiste kujtimin e mikut, nderi e thërriste në homazhet për të. Prandaj nuk kishte munguar për të marrë rrugën drejtë Tiranës.

Thjeshtë që të kryente një rit njerëzor, të hidhte një grusht dhe mbi varrin e “Heroit të Demokracisë”, të nderonte veprën e tij…Mbase njëra nga ftesat që iu gjet në xhep ishte bërë gati për tu nisur për vetë Azemin. Meqë nuk ia dha dot në gjallje, për ta çuar pengun deri në fund, Isufi e kishte marrë ftesën me vete. Kur të prekte arkivolin, t’ia bënte me dije dëshirën e flaktë për ta pasur si krushk të parë në dasmën e nisur atje në Macukullin e largët. Rrugës vetiu këndonte me vete këngën e grave të fisit të Ukajve për nisjen e krushqve: …Kur më shkuet për tutje, fushat ishin, lule s’kishin, krojnat ishin, uji nuk kishin… Ishte i lumtur, por me një shpirt të trazuar. E keqja rendte pas tij me kosë në dorë. Ishte bërë damtore për fatet e njerëzve të thjeshtë. Buronte nga vetë shteti…Shtëpia e nuses ishte afër, një gjurmë pushke larg, saqë dëgjoheshin lodrat dhe hareja. Po bëhej prova e vellos. Nusja shndriste si e përborur nga krahneza, si e ngjyer me pah lulekumbullash. Nuset e reja dhe vajzat e pafejuara i këndonin jo fare pa zili bukurisë së saj shpërthyese. Dyfish i gëzuar ndjehej, dyfish i gjallë bëhej nga dashuria për njeriun e zgjedhur për jetën. Iu bë zemra lodër e mal teksa dëgjoi këngët në kullën e mikut: Plasi toka bini dardha, lin lin e bardha t’bardhën deshta, t’bardhën mora, lin lin e holla… Por erdhi e premtja e zezë. Këngët u kthyen në kuje. Gjërat rrodhën mbrapsht. Lumi i Matit rridhte një ujë të zi e të turbullt që nisi ta kthente drejtë burimit, pikat e shiut të shkonin drejtë qiellit, këngët të mbyteshin në vaj, ngjyrat e ylberit të ktheheshin në thëngjij të shuar, vetëm lotët rigonin si përrenj të egër mbi fytyrën e gdhendur si mbi granit të familjes Uka. Bilbilat kishin heshtur përgjithmonë. Isufi vinte mbi supet e njerëzve. Ukajve edhe vdekja u kishte hije. Nuk i shkonte ajo ecje. Për më tepër pranë shtëpisë ku nusja para pasqyrës provonte vellot e bardha. Kortezhi ecte heshtur. Malet u rëndonin mbi gjokse. Ishte koha kur rejat e fisit do t’i këndonin Isufit, dhëndër:.. Aliu, babai i Isufit, si një copëz shkëmbi nga Krasta qëndronte në odën e burrave. Jepte dhe ndërronte duhan. Idhësina i mbyste zemrën. Djali dhëndërr me nuse të pamarre. Por jeta e kishte mësuar të duronte. Si monument graniti përballte hobetë e fatit…Isufi mbeti dhëndëri i përjetshëm. Dhëndëri i demokracisë. Vepra e tij u nderua nga Presidenti Topi me Medaljen “Martir i Demokracisë”. Ai nuk ka kurrë mort, jeton në qëndresën epike të babës, në lotët e pa tharë të nënës, vazhdimësinë e vëllezërve, dashurinë e nipërve dhe mbesave, kujtimin e miqve, mirënjohjen e të gjithëve, demokracinë shqiptare që përparon dhe zhvillohet: Isuf, përjetë andej s’do të mbesësh, njerëzit e dashur nuk do t’i harrosh, yll do të bëhesh dhe mes rrezesh rishmëz do të zbresësh t’i përqafosh.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dhendri i Demokracise, Ylli Xhaferri

Ku duhet të jem unë?

September 12, 2017 by dgreca

1-reshat-kripa

Nga Reshat  Kripa/I kam kaluar të tetëdhjetat. Tashti nuk më mbetet gjë tjetër veçse të ëndërroj. Qysh kur isha fëmi ëndërroja për një botë më të mirë, për një botë ku të sundonte mirësia dhe mendimi i lirë. Ndonse  në moshë të njomë, vala më rrëmbeu dhe më hodhi në rreshtat e atyre që dikur quheshin “të mundurit”. Fati e solli që të isha në ndikimin e tyre. Atëherë kuptova se historia e vendit tim nuk ishte ajo që kisha mësuar në bangat e shkollës  por një tjetër, që ishte e kundërta e asaj që më kishin treguar mësuesit e mi të atëhershëm. Nëpër kalvarin në të cilin kalova, përveç dhunës dhe shtypjes mizore, mësova se vendi ynë kishte edhe një histori tjetër që sunduesit e atëhershëm e kishin mohuar krejtësisht.

Qysh prej asaj kohe, siç e theksova edhe më lart, endërroja të vinte një ditë kur t’i shprehja lirisht mendimet e mia, kur historia e vërtetë e vendit tim  të mësohej nga të gjithë shqiptarët. Prisja që të vinte dita kur thirrjet për një Shqipëri perëndimore të ndiheshin në vendin tonë, kur thirrjet për demokraci dhe liri të buçisnin me të gjithë fuqinë e këtij populli. Për këtë ditë luftuan të rinjë e asaj kohe. Për këtë ditë luftoi ajo pjesë e popullsisë shqiptare që nuk mund të pajtohej me parimet totalitare.

Kjo ditë erdhi. Një komb i tërë u ngrit në këmbë me thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo “E duam Shqipërinë si Amerika”.  Kishim vite që ëndërronim për këtë Shqipëri. Për këtë ishin sakrifikuar me mijra martirë. Ata më stoikët kishin sakrifikuar edhe jetën e tyre. Të tjerë kishin pranuar më mirë prangat e burgut apo telat me gjemba të kampeve të internimit se sa lirinë e dhunuar. Shumë të tjerë prisnin se kur do të vinte dita që të mos bëheshin hipokritë dhe servilë të një pushteti mesjetar barbar.

Dhe dita erdhi,  por si erdhi? A ishte ashtu siç e përfytyroja unë? Në ditët e para besoja shumë. U hodha me vrull në rradhët e atyre që u ngritën kundër tiranisë. Por vërejta një gjë. Midis tyre një pjesë e mirë ishin nga ata, zërat e të cilëve ishin ngjirur nga thirrjet për sistemin e përmbysur dhe duart u kishin zënë kallo nga duartrokitjet për diktatorin. Megjithatë u rreshtova edhe unë përkrah tyre. U rreshtova sepse isha i mendimit se kushdo ka të drejtë të reflektojë për të kaluarën e tij. Kushdo ka të drejtë ta hedhë poshtë të keqen e së kaluarës dhe të fillojë një jetë të re.  Ndaj u bashkova me ta. Së bashku me mua me ta u bashkuan edhe shumë të tjerë të shtresës sime.

Kaluan 27 vjet nga  përmbysja  e  madhe. Hedh vështrimin  në  spektrin  politik  shqiptar.

Siç e kam theksuar edhe më lart, qysh në  ditët  e  para  të  përmbysjes  së madhe u rreshtova në një pozicion të caktuar. Me të majtën i kisha këputur marrëdhëniet qysh në rininë time, ndaj u pozicionova në të djathtën.  Por deri më sot nuk kam mundur të bindem se kush është e djathtë dhe kush e majtë e vërtetë. Një gjë e tillë vjen nga shkaku se shoh disa ‘kapërxime pindarike” të politikanëve. Shoh të majtë që, pa pritur e pa kujtuar, kalojnë djathtas dhe anasjelltas. Shoh ministra dhe deputetë të së djathtës që kalojnë në ministra dhe deputetë me të majtën dhe anasjelltas. Kjo gjë ndodh në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare. Trafik politikanësh. Ndaj edhe unë nuk e di se kë të zgjedh. Hedh vështrimin por, për fat të keq, nuk shoh asnjë forcë politike që do t’i përshtatej pikpamjeve të mia, karakterit tim.

Megjithatë kam bindjet e mia. Ato më mbajnë gjallë. Këto bindje i shpreh herë pas here nëpër faqet e shtypit të shkruar dhe atij online. Sot jemi në shekullin e internetit dhe faqet e tij janë gjithmonë të hapura për të shprehur mendimet. Kështu  bëj edhe unë. Nëpërmjet medias online jam njohur me shumë intelektualë që punojnë në heshtje, që duan të qëndrojnë larg lavdeve hipokrite te shoqërisë së sotme. Mendoj se këta janë e ardhmja e atdheut. Këta janë ata që do e çojnë vendin në një demokraci të vërtetë europiane.

Një fenomen i habitshëm filloi të shfaqet në skenën politike shqiptare. Pas gati tre dekadash të kthimit të sistemit, një ekzemplar i sistemit të përmbysur, propozohet për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë. Fjala ështrë për një ish-ministër, një ish-sekretar i parë rrethi që mban mbi shpatullat e tij vrasjen e katër marrtirëve në Shkodër më 2 prill 1991, që u bë organizatori i bandave rebele në 1997-ën, që në vitin 1998 iku me bisht ndër shalë në Greqi duke u veshur si grua. Është fjala për Gramoz Ruçin. Këtë propozim e bënë një parti që pretendon se është shkëputur nga mentaliteti komunist, megjithëse si datë themelimi të saj ka ditën e kongresit të fundit të ish- Partisë së Punës. Këtë propozim e bënë Edi Rama që e quan veten një reformist perëndimor dhe që ka shëtitur shumë shtete europiane. Por Gramoz Ruçi nuk është hera e parë që propozohet në një detyrë kaq të lartë. A nuk ka qenë ai Kryetar i Grupit Paralamentar të Partisë Socialiste? Në rast se do të vazhdohet me këtë ritëm nuk dihet se ku do të përfundojë.

Ky fenomen nuk është i vetmi në Shqipëri. Shokët e tij sot i gjen deputetë që kryesojnë madje edhe komisionet e Kuvendit. I gjen në qeveri. I gjen në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe prokurorisë, I gjen në partitë politikë. I gjen kudo  madje, në shumë raste, të nderuar edhe me tituj dhe dekorata për ”meritat” e së kaluarës. Në komisionet e  krijuara për vetingun apo reformën në drejtësi bëjnë pjesë edhe disa nga këto monstra dhe janë pikërisht këta që do të kryejnë këto reforma.

Kjo nuk ndodh me ato figura që i përkasin shtresës së atyre që u sakrifikuan për këtë vend. Në mesin e tyre ka politikanë të njohur, mjek dhe poetë të shquar, inxhinierë dhe pedagogë të afirmuar.  Ndihet një tendencë e theksuar e kalimit në heshtje të së kaluarës. Synohet që ajo të harrohet, sikur nuk ka ndodhur asgjë, sikur nuk ka patur mijra të pushkatuar, të burgosur dhe të internuar.

Një veprim të tillë nuk mund ta pranonin ata që i kanë hequr mbi shpatullat e tyre tmerret e atij sistemi. Ata u ngritën në protestë. Midis tyre, natyrisht, isha edhe unë. Me ta u bashkua edhe Partia Demokratike. Protestuesit nuk kishin synim të digjnin apo të thyenin xhama. Nuk kishin shkopinj dhe hunj për të qëlluar organet e rendit si organizatorët e 21 janarit 2011 që dogjën dhe shkatërruan gjithçka. Megjithatë organet e rendit, për turpin e tyre, u munduan ta pengojnë këtë protestë duke u munduar t’i largojnë sa më larg nga salla ku ishte mbledhur kuvendi që do të zgjidhte kryetarin dhe duke mos ndaluar qarkullimin e automjeteve në rrugën ku zhvillohej protesta.

Megjithatë protestuesit folën. Nuk kishte protokoll të caktuar. Oratorët dilnin njeri pas tjetrit pasi donin të shprehnin atë që u thonte zemra. Ata i bënë thirrje partive politike që të hedhin poshtë propozimin monstruoz. I bënnë thirrje opozitës dhe në mënyrë të veçantë Partisë Demokratike të bllokonte kutinë e votimit dhe të mos e lejonte atë. Në fund, me mbarimin e punimeve të kuvendit, Kryetari i Partisë Demokratike  dhe disa deputetë të saj u bashkuan me protestuesit. Folën deputetët. Foli edhe kryteari. Të gjithë u deklaruan kundër zgjedhjes së individit të sipërpërmendur në krye të kuvendit.

Isha kurioz të dija se çfarë qëndrimi kishin mbajtur deputetët e djathtë në kuvend. Të them të drejtën u zhgënjeva kur pashë lajmet në televizion. Prisja që deputetët demokratë të mos i lejonin ata të shumicës të votonin. Prisja në mënyrë të veçantë që deputetët demokratë, përfaqësues të shtresës tonë, të dilnin para kutisë së votimit për të penguar votimin.  Prisja që deputetët demokratë të bojkotonin votimin, ashtu siç bënë deputetët homologë të LSI-së. Por kjo nuk ndodhi. Për më tepër, demokratët morën pjesë në votim dhe, çuditërisht, dy prej tye që nuk ka rëndësi se kush janë, votuan pro kandidaturës së Gramoz Ruçit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, nëpërmjet një deklarate, tha se votimi ishte i manipuluar. Nuk dua ta hedh poshtë këtë pohim por dua t’i drejtoj një pyetje:

  • Kur kishit vendosur të votonit përse nuk dërguat përfaqësuesit tuaj  në  komisionin  e

numërimit të votave për të penguar këtë manipulim?

Por zhgënjimin më të madh e pësova kur pashë krytarin e partisë time të uronte dhe shtrëngonte dorën Gramoz Ruçit kur ne protestonim kundër tij dhe kur vetë ai,  kur mbaroi kuvendi, në fjalën e mbajtur në protestë u deklarua kundër. Pashë një antagonizëm në këto dy veprime të tij. Një veprim të tillë nuk e bëri as ish-kreu i PD-së dhe ish-kryeministri Berisha.    Kjo gjë më solli para syve edhe shumë raste të tjera të tilla të Partisë Demokratike. Këto janë për shembull lënia në harresë e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Mbi dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist”  apo raste të tjera që i kam përshkruar edhe në shkrimin tim të fundit më datën 26 gusht 2017, botuar në gazetën “Panorama”. Atë shkrim e bëra për t’i treguar partisë time rrugën që duhet të ndjekë në drejtim të të përndjekurve politikë. E bëra pasi konstatoj se shumë prej tyre po largohen pikërisht për këtë arsye.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, sipas Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, pjesmarrja në votime ishte 46,72%, ndërsa kanë votuar për PD-në 28,81% e pjesëmarrësve domethënë 13,46% e listës së votuesve në Shqipëri. Unë jam i bindur se pjesa dërmuese e atyre 53,28% që nuk morën pjesë në votim janë të djathtë të zhgënjyer. Kjo gjë duhet korigjuar sa më parë dhe një nga pikat që duhet parë seriozisht është shkëputja nga mentaliteti i së kaluarës që vihet re herë pas here në PD.

Duke qenë në dilemë për sa  më sipër më lind pyetja:

  • A jam në pozitat e duhura? Ku duhet të jem unë?

Në konditat e sotme e kam shumë të  vështirë  të  kthej  përgjigje.  Vetëm  një  gjë  dua  të

them. Siç e theksova në fillim të këtij shkrim tani i kam kaluar të tetëdhjetat. E di që nuk do të mund  ta arrijë ditën e ëndërruar. Por një gjë e kam të qartë, do largohem nga kjo botë po me atë bindje që kisha në rininë time.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: ku duhet të jem unë?, reshat kripa

Natyrë njerëzore

September 8, 2017 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/

Në periudhen kur Skënderbeu luftoi, Arbëria ishte plotësisht e Krishterë, dhe ai bëri gjithçka a sa mundi për ta ruajtur në harmoni këtë përbërje, por jeta nuk e ndihmoi dhe vdekja nuk e fali. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu vdiq, lufta dhe qëllimi i tij dështuan. Arbërit ikën, duke u bërë arbëreshë në Itali e arvanitas në Greqi, sepse ata që mbetën u ndëshkuan me dëbime në krahina më të largëta të perandorisë osmane; në trojet e fshatrat e tyre u vendosën banorë të ardhur osmanllinj; të tjerët u nënshtruan, morën kryesisht, jo të gjithë, fenë e pushtuesit duke përqafuar islamizmin me forcë a përfitime, madje ndërruan edhe emrin nga Arbëri në Shqipëri nën ndikimin e shumicës. Dhe hesperidium>perëndim>vdekje per ‘ta u be ‘ri-lindje’. 

Vdekja është e përherëshme, çka do të thotë se jeta është ndërprerje e e përkohëshme vdekjes. Realiteti është bota që krijojmë. Kur dikush ikën e kemi të vështirë të pranojmë se ka shkuar në tjetër realitet. Prandaj, të besosh në Zot, është njësoj si të besosh në UFO ose në ekzistencën e një planeti tjetër të banuar. Jeta është kaq e gjerë; vdekja harrohet; e keqja kryesisht sundon, dhe njeriu i mirë beson se është ne gjendje ta ndryshojë.  Por pas përpjekjesh, shumë prej tyre të dështuara, çdo gjë zbehet, humbet besimin e shpresën se kjo botë mund të ndreqet,  dhe ai i lë gjërat të rrjedhin në drejtimin e vet, të marrin udhën e fatit, jeta vazhdon me shumë pak ndryshime sesa kishte dashur. Për të ngushëlluar veten, në mendje, ai krijon parajsën ku mund të bëjë çdo gjë të mirë, në formë simbolesh, që nuk e lanë ta bënte në Tokë. Por për çfarë apo kujt i vlejnë të mirat kur “parajsa”, tjetër jetë në qiell, është e ndarë nga kjo botë?

Trashëgimi mund të quhet shprehje e pa fat, kur ajo sjell vetëm fatkeqësi, kur çdo brez i dorëzon brezit pasardhës një vend edhe më të shkatërruar. Dhe tjetri që vjen, i zemëruar ndërton sa për të qenë; i mjerë është njeriu në këtë gjendje natyrore, ku mbijetesa e vetes është qëllimi më i lartë; ai është i justifikuar për të dëmtuar cilindo që mendon se kërcënon mbijetesën e tij dhe nuk ka asnjë që ta ndalë, as autoritet, as ligje, përveç ligjit të xhunglës, ku kapriçot e natyrës njerëzore lejojnë orekset e momentit dhe sjelljet e shfrenuara të përcaktojnë drejtimin e jetës dhe të ardhmen e gjithë vendit. 

Prandaj, thonë disa, një dorë e fortë duhet; dhe kështu lind mbretëria, tirania e diktatura. Forma të tilla regjimi, janë ato që të tjerët i kanë përmbysur, ndërsa ne, mbyllur në salla konferencash, piramida, pallate kongresesh duartrokisnim a dridheshim nga frika, dhe prisnim të tjerët, të huajt, të na hiqnin prangat nga duart e këmbët dhe ne të vërsuleshim të lirë si kafsha të mbjellave, si lumë i fryrë i rrëmbyer që përmbyt çdo trashëgimi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Natyrë njerëzore

Festa e Shenjtëreshës Shqiptare

September 4, 2017 by dgreca

1 Tereza5 shtatori, i përçdovjetshëm, në Kosovë, është festa e Shenjtëreshës Shqiptare, që pashmangshmërisht lidhet me Tempullin e Saj, i ndërtuar në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja e kushtuar personit të saj të shenjtë, është ‘vizatuar’ të jetë Katedra e Mësimit; një vendtakim i dashurisë për ata që dashurinë e kanë mision të jetës, një vendmësim për ata që ajo u ka munguar e u mungon akoma. Do të jetë Katedër e Nënës së urtë, Nënë Lokes plotë dashuri, duar të mëshirshme e përqafim pranimi. Do të jetë Katedër për bijtë e bijat e saja që i do pamasë, me atë dashuri me të cilën qe mbrumur jeta e saj. Do të jetë Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër./ 

Nga Don Fatmir KOLIQI/ 

Gonxhe Bojaxhiu, bija e Dranës dhe e Kolës, e njohur për një gjysmë shekulli si Nënë Tereza, tashmë shenjtëreshë, “njihet” nga të gjithë, ndërsa personi i saj ka marrë përmasa botërore. Me shenjtërinë e saj magnetike, thjeshtësinë prekëse, dashurinë ledhatuese, njerëzinë  shumëdimensonale, ajo është bërë ikona e kohës sonë. Kjo grua, “patulake gjigante”, është person që tërheq e grish për ta njohur atë gjithnjë e më shumë. Arsyeja qëndron te e përhershmja cilësi e saj: personi dhe jeta e saj e hirshëm me veshje hyjnore.

Gjithnjë, para 5 shtatorit, që është festa liturgjike e asaj, kjo tërheqje bëhet edhe më e fuqishme, thuajse e parezistueshme: shndërrohet në grishje për ta ritakuar, për të mësuar prej saj dhe për ta imituar personin e saj.

5 shtatori, është festa e Shenjtëreshës Shqiptare.

5 shtatori, është dita e lindjes së saj për përjetësi, si dhe festa jonë për Nënën. Pjesëmarrja në këtë festë nuk duhet të jetë vetëm ditë pushimi e shlodhje fizike, porse mbi të gjitha, një ditë e shenjtë në kuptimin e plotë të fjalës, ditë e ripërtëritjes, freskisë shpirtërore, për të përjetuar e mishëruar atë që Nëna e ka jetuar me mendje e me zemër, me vepra e me gjeste, gjatë jetës së saj tokësore. Me një fjalë: është festë për të frymuar shpirtin terezian.

5 shtatori, është edhe një ditë ndërkombëtare e bamirësisë e shpallur nga Kombet e Bashkuara, dhe nga Parlamenti i Kosovës, e inspiruar nga Nëna jonë Tereze dhe e identifikuar me të. Ne, populli i saj, e përjetojmë këtë ditë feste për ta bërë ditën tonë të dashurisë dhe të bamirësisë: ditë për vlerat e brumit të identitetit tonë, që i kanë dhanë shpirt qenies sonë mijëravjeçare.

5 shtatori, është një ditë feste për ta njohur Shenjtëreshën, për ta takuar Nënë Terezën dhe për t’u inspiruar prej personit të saj. Të njohësh, në kuptimin biblik – të krishterë, është e barasvlershme me: të pranosh, të identifikohesh, të përthithësh shpirtin veprues të saj. Me fjalë të tjera: ta mishërosh shpirtin terezian. Kjo, jo vetëm pse është një bijë e krishterimit tonë të lashtë, vlerë e kombit tonë, por sepse ajo është vlerë e tejkohshme për çdonjërin prej nesh. Ajo, është figura e një bote që njerëzimi e ëndërron. Sepse ajo është si gurrë e pashtershme, nga i cili buron uji i kulluar e i freskët, që shuan etjen shpirtërore në çdo stinë. Ajo, përfaqëson vlerat për të cilat ndjejmë etje dhe uri të përhershme. Së fundmi, pikërisht sepse personi i saj është derdhje e ngjeshur e një bote të pathënë, të ngujuar ndër shekuj, e pa shfaqur tek vëllezërit tanë dhe motrat tona, për shkak të “këmishave të ngushta e frymëzënëse” që i janë ofruar e imponuar. Ajo, është liria jonë e kërkuar, dashuria jonë e parealizuar dhe paqja jonë e pa përjetuar.

5 shtatori, i përçdovjetshëm, në Kosovë, pashmangshmërisht lidhet me tempullin e Shën Nënë Terezës që është ndërtuar në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja kushtuar personit të saj të shenjtë, është ‘vizatuar’ të jetë Katedra e Mësimit; një vendtakim i dashurisë për ata që dashurinë e kanë mision të jetës, një vendmësim për ata që ajo u ka munguar e u mungon akoma. Do të jetë Katedër e Nënës së urtë, Nënë Lokes plotë dashuri, duar të mëshirshme e përqafim pranimi. Do të jetë Katedër për bijtë e bijat e saja që i do pamasë, me atë dashuri me të cilën qe mbrumur jeta e saj. Do të jetë Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër.

5 shtatori, është festë për Gruan e tejkohshme.

5 shtatori, është festë e lutjes së shqiptarëve drejtuar Shenjtëreshës së tyre.

Na mëso, o Shenjtëresha jonë, ta duami njëri-tjetrin me atë fuqi dashurie që ti e deshe çdo njeri, ata të varfër ndër më të varfër, të mënjanuarit, të lënët, të përjashtuarit… të padashurit. Ne, bijtë e të bijat e tua, kemi nevojë për përvojën dhe fuqinë tendë, sepse s’mund të rrojmë pa e dashur të afërmin tonë, vëllanë dhe motrën, me të cilët ndajmë jetën e përditshme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Don Fatmir KOLIQI, Festa e, Shenjtëreshës Shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 316
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA PËRKUJTON PATRIOTIN ZEF BALAJ NË 4 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI
  • ATË QË KA MONOPOL GJENIU NUK MUND T’IA MARRË DOT NJERIU!
  • Idriz Balani, një nga mjeshtrat e skulpturës monumentale
  • HUNGARIA DHE ZËRA TË SHKRIMTARËVE TË SAJ NOBELISTË. FAJIN E KA…DHE LETËRSIA?!
  • Vatra Chicago ofron një mundësi të shkëlqyer për talentet shqiptare në futboll
  • President Franklin D. Roosevelt 1882-1945, Presidenti që e ktheu filatelinë në instrument solidariteti gjatë Luftës së Dytë Botërore
  • Diaspora midis unitetit dhe instrumentalizimit politik
  • KANUNORE E FEDERATËS VATRA 1926
  • Posta nga Haga – Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, 12.04.2026
  • Bedri Dedja (20 nëntor 1930 – 13 prill 2004)
  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT