Kush është Zonja e parë e Amerikës, Melania Trump
UASHINGTON- Publiku nuk ka dëgjuar shumë nga Melania Trump gjatë fushatës zgjedhore presidenciale amerikane.Ajo mbeti e tërhequr gjatë fushatës, por si një ish-modele, ajo ishte gjithashtu një magnet i papërmbajtshëm për vështrimet e njerëzve.
Por, kush është në të vërtetë kjo grua, e cila do të jetë Zonja e Parë e Amerikës? Rrallë ka ndodhur që amerikanët të dinë kaq pak për zonjën e parë të ardhshme siç ka ndodhur me rastin e gruas së Donald Trump, Melanisë.Në të shumtën e rasteve e njohin atë si ish-modelja, një zeshkane e bukur, 1,80 metra e gjatë me mollëza të fryra.Melania, e cili është gruaja e tretë e një multimiliarderi, është e njohur për veshjet shik dhe shëtitjet me limuzinë me shofer personal.Por, është gjithashtu Melania, e cila ka mbetur e fshehur, madje edhe në fushatën më të trazuar nga të gjitha fushatat presidenciale në historinë moderne amerikane.Një arsye pse dihet kaq pak për gruan 46-vjeçare nga Sllovenia është se ajo është dëgjuar pak gjatë fushatës dhe një herë që doli ishte një katastrofë për marrëdhëniet me publikun.Kjo ishte në Konventën Republikane në korrik, kur ajo lexoi një fjalim, ku të gjitha pjesët ishin marrë, pothuajse fjalë për fjalë, nga një fjalim i dhënë nga Michelle Obamës, gruas së presidentit Barack Obama.Pas kësaj, shumë pak është parë apo dëgjuar nga Melania, me përjashtim të disa debateve televizive mes Trump dhe Hillary Clinton.Ajo u detyrua disa herë të komentojë mbi titujt e gazetave rreth bashkëshortit të saj, si për shembull rasti i videos së vitit 2005, ku Trump bënte komente seksiste për gratë.Në kohën e këtyre komenteve dhe videos, Melania dhe Donald ishin të martuar.Por, Melania kurrë nuk i ka treguar publikut nëse këto komente kanë lënduar atë personalisht. Ajo rrallë tregon emocionet e saj, të tilla si të qeshurat e shfrenuara apo zemërimet.
Besnikëria është ajo çka Melania Trump ka treguar në pjesëm më të madhe të fushatës. Ajo shpesh është shfaqur si robot sidomos në javët e fundit të fushatës, kur ajo përsëri mbajti një fjalim zgjedhor, i pari pas fjalimit katastrofë të mbajtur në Konventën e Partisë Republikane në korrik. Si përmbledhje e fjalimit të saj ishte thjesht përsëritje e slloganeve të Donald Trump, parulla të tilla si “Le ta bëjmë Amerikën sërish të madhe” dhe “Kjo nuk është një fushatë normale. Kjo është një lëvizje.”
Ajo rrallë i ka shfaqur njerezve ndonjë ngjarje të shkurtër personale apo ndonjë anekdotë për bashkëshortin për ta vendosur atë në një fokus më të mirë.
E pyetur se si ishte të jetoje me një njeri si Donald Trump, ajo përgjigjet se “ai është shumë i zgjuar dhe simpatik. Ne kemi një energji të madhe mes nesh. Ne jemi të dy shumë të pavarur … Unë mund t’i them atij se kur nuk pajtohem me të. Nganjëherë ai më dëgjon, ndonjëherë jo”.Vërejtjet e saj janë të rafinuara, elegante, por rrallë spontane apo gazmore.
“E rritur mirë dhe e rezervuar”, këto ishin atributet që ish-shokët e shkollës së saj përmendën për rrjetin televiziv të lajmeve CNN, kur u pyetën lidhur me periudhën kur Melania u rrit në qytetin slloven të Sevnicës. Ajo lindi më 26 prill 1970, si Melanija Knavs, në atë që dikur ishte vendi komunist i Jugosllavisë. Ajo më vonë ndryshoi emrin në Melania Knauss.Një fotograf e zbuloi atë kur ishte 16 – 17 vjeçe, askush nuk e di me siguri. Disa gjëra në biografinë e saj janë të mjegullta dhe kontradiktore. Ajo ka deklaruar se kishte një diplomë universitare. Por, gazetarët kanë zbuluar se ajo kishte ndërprerë studimet për arkitekturë dhe dizajn, në mënyrë që të udhëtonte për në Milano dhe Paris.
Në vitin 1996 ajo erdhi në Nju Jork duke punuar për fotografë të njohur dhe të jetë kryetitull në faqet e revistave të tilla si “Harper’s Bazar”, “Vanity Fair”, “GQ” si dhe të jetë modelja e botimeve vjetore të rrobave të banjos për “Sports Illustrated”.Në vitin 1998, në një festë mode në Nju Jork, ajo u takua me Donald Trump.Në vitin 2005 u bë një martesë magjepsëse në Palm Beach, Florida. Raportet e medias thanë se fustani i saj Dior kishte kushtuar 100 000 dollarë. Në vitin 2006 ajo lindi djalin, Barron, dhe në të njëjtin vit fitoi shtetësinë amerikane.Melania Trump ka thënë se “ka qenë një nënë me kohë të plotë për djalin e saj, pa pasur nevojë për një dado”. Gjatë fushatës zgjedhore, Donald Trump në mënyrë të përsëritur e ka quajtur bashkëshorten e tij “një nënë e mrekullueshme.”Në të njëjtën kohë kur kryente detyrat e mëmësisë, Melania ofronte produkte bukurie dhe një koleksion bizhuteri përmes një portali online shitjesh. Thuhet se flet rrjedhshëm pesë gjuhë të huaj, ku anglishtja ka një theks të fortë. Me Melaninë amerikanët do të kenë për herë të parë një zonjë të parë të lindur në një vend komunist, dhe vetëm e dyta, pas Louisa Adams (nga 1775-1852, gruaja e presidentit të dytë të Shteteve të Bashkuara, John Adams), që nuk ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.E pyetur se çfarë lloj roli mund të kishte ajo në Shtëpinë e Bardhë, Melania tha se “do të ishte një avokate për gratë dhe fëmijët”.“Kultura jonë është bërë shumë e dhunshme”, tha ajo në një fjalim javën e kaluar. Vërejtja ishte më befasuesja e dhënë gjatë fushatës, duke qenë se bashkëshorti i saj ishte akuzuar se ka fyer të gjitha grupet etnike dhe racore.Kjo tregon dilemën që ajo mban përbrenda, e drejtë apo jo.Melania Trump është treguar e matur, të paktën deri më tani, lidhur me ato se çka bën dhe thotë bashkëshorti, dhe kjo për shkak se dihet shumë pak rreth saj.(Nilke Rama)
ATA KURRE MOS U HARROFSHIN !
Për 38 martirët e klerit katolik shqiptar/
Nga Sami Repishti, Ph.D.*/
5 nandor 2016. Ridgefield, CT. SHBA.- Simbas njoftimit formal të Argjipeshkvisë Shkodër-Pult sot, në qytetin e Shkodrës mbahet ceremonia e Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, viktima të pafajshme të terrorit komunist në Shqipëri. I përjetëshëm qoftë kujtimi – dhe mirënjohja e jonë!
Sot, nga Amerika e lirë, unë bashkëfestoj simbolikisht këte ceremoni që çmon vlerën e sakrificës supreme. Sot, bashkëfestoj fitoren mbi të Keqën, hirin e këtyne 38 martirëve, pjesëtarë të bashkësisë dinjitoze të vuejtjes së pameritueme, dëshmitarë të mesazhit çlirimtar, të qëndisun me duer sot të palëvizëshme e të shueme nga kryqëzimi i pakufishëm, “martir먴që kthyen dinjitetin për ne, të gjithë ne, në atdheun tonë të përbashkët shqiptar, tue premtue shpresën e pavdekshme të demokracisë e të lirisë së plotë për të gjithë familjen njerëzore…nji dhe të pandame !
”Ata kurrë mos o harrojshin!” (Atë Gjergj Fishta, O.F.M.)
******
“Nuk ndërtohet mbi boshllek!” shkruen nji shkrimtar françez. Duhen themele të shëndosha për nji ndertesë të fortë e permanente siç ashtë Kisha Katolike Apostolike Romane Shqiptare. Sot, themi se këto themele janë të vadituna me gjak dëshmorësh e martirësh të pa faj për ma shumë se 45 vjet me rradhë.
“Nuk ndërtohet parrizi me muratorët e ferrit!” shkruen nji shkrimtar shqiptar. Duhen duer të pastra dhe të dedikueme për nji “mision”, ashtu siç ishin duert e martirëve të Klerit Katolik Shqiptar!
Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, e pasunueme me ngjarjet tragjike të periudhës së diktaturës së kuqe ka trasformue tragjedinë në nji “angazhim” solemn e koshient të ruejtjes dhe përparimit të pranisë katolike në Shqipëri me sensin e përgjegjsisë së plotë. Plagët akoma të hapuna e kërkojnë; na duhet të respektojmë!
Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, si feja e parë në vendin tonë, buron nga dy drejtime: nga Roma në formën e ritit katolik apostolik roman, dhe nga Konstantipoli në formën e ritit bizantin. Shqipëria u bekue nga shenjtët Pal dhe Andre. Megjithëse nuk dimë datën e saktë, krishtënimi hyni në Shqipëri para Koncilit të Sardikës (343-344), sepse në Sinodin Shenjtë morën pjesë edhe ipeshkvijtë e Epirus Nova dhe Dardanisë (Kosovës).
Me ardhjen e invazioneve sllave e barbare, e ma vonë atyne otomane, gjithçka u shkatërrue! Shqiptarët e Veriut i u veshën maleve ku ruejtën të gjallë katolicizmin e Romës; ata të Jugut vershuen Greqinë, dhe ma vonë Italinë e Jugut. Me 1089, u formue qendra metropolitane e Tivarit, dhe në shekullin XIII , gjatë sundimit venecian,u formue Argjipeshkvia e Durrësit. Që në vitin 1220, kur Shën Françesku i Asizit themeloi qendrën e parë të Urdhënit të tij, e për shekuj me rradhë, kujdesi i katolikëve shqiptarë u la në duert e fretënve françeskanë.
Katoliçizmi mori hov me Gjergj Kastriotin-Skenderbeu dhe me lidhJet e tia të ngushta me Vatikanin. Me 1457, Papa Kalisti III i shkruente heroit shqiptar: “Nuk ka njeri në botë që të mos dij ndërmarrjet e jueja heroike, dhe që me fjalët ma të nalta nuk ju ngren në qiell, dhe nuk flet për ju si kampioni dhe mbrojtësi bujar i krishtënimit”. Struktura e “shtetit” të Skënderbeut ka qenë efektivisht struktura e Kishës katolike në Shqipëri: çdo kishë ka qenë nji qendër mbledhjesh, organizimi dhe përkrahje; çdo famullltar ka qenë nji udhëheqës lokal dhe nji propagandist i rezistencës. Çdo ipeshkëv ka qenë nji drejtues krahinor dhe Argjipeshkvi Pal Engjëlli i Durrësit ka kryesue veprimtaritë diplomatike të kohës, shkruen Imzot Fan S.Noli.
Papa Klementi XI (1700-1721) me origjinë arbëreshe, u tregue i gatshëm me ndihmue katolikët shqiptarë. Me kërkesën e tij, Sinodi i parë kishtar shqiptar u mbajt afër Lezhës, në vitin 1703. Në vitin 1856, u hap Kolegji Papnor, dhe ma vonë Seminari i Jezuitëve në Shkodër; u themelue nji shtëpi botuese. Po në këte datë, u rrit puna e organizueme e klerikëve katolikë për faljen e gjaqeve në Malësitë tona, dhe zhdukjen e vesit të mbrapshtë të hakmarrjes.
Me Kongresin e Berlinit (1878) qyteti i Tivarit u okupue nga malazezët (që formuen shtetin e tyne!) dhe Argjipeshkvia e Tivarit, që deri në atë kohë ishte kryeqendra edhe për katolikët e Shqipërisë së Veriut, në mbështetje të nji Konkordati me Malin e Zi (1886), hoqi dorë nga drejtimi i punëve kishtare në Shqipëri. Po atë vit, Selia e Shenjtë, caktoi Shkodrën si kryeqendër, me ipeshkvitë tjera si degë (me përjashtim të Durrësit).
Nji veprim i këtill i Vatikanit tregonte sensibilitetin e kësaj Qendre Ndërkombëtare për ndjenjat kombëtare të shqiptarëve- shembull që shohim sot të përsëritun këtu në Shqipëri, me emnimin e argjipeshkvit dhe tre ipeshkvijve (1993). Nji seri klerikësh shqiptarë u emnuen barij të besimtarëve katolikë shqiptarë. Kjo konfirmoi gjithashtu në mënyrë simbolike, njohjen e bashkësisë katolike si nji entitet kombëtar i dalluem. Që nga viti 1938, Shqipëria e Veriut ka qenë nën juridiksionin e Propaganda Fide-s; Shqipëria e Jugur nën atë të Kongregacionit Oriental.
Që nga fillimi deri në ditët tona, kleri dhe besimtarët katolikë shqiptarë kanë vazhdue traditën e tynë të lavdishme të përpjekjeve për çlirim kombëtar. Në luftën me armë, ata janë gjetë gjithmonë në ball të ma shumë se 48 kryengritjeve të mëdha kundër perandorisë otomane. Në luftën me penë, ata kanë qenë për afër katër shekuj dritë-dhanësit e vetëm në natën e errët e të gjatë të pushtimit otoman. Që nga Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi e Gjeçovi me shokë, e deri te “shkolla e Shkodrës” me shoqënitë Agimi, Përparimi, Hylli i Dritës, Leka etj. me Fishtën, Mjedën, Koliqin e me plejaden e madhe të shokëve të tyne, vëllaznit e motrat tona katolike shqiptare kanë qenë ndër mendjet ma të ndrituna të kombit tonë, pararoja e zhvillimit tonë kulturor të vonuem nga rrethana jashtë kontrollit tonë, dhe themeluesët e shoqënive të para kulturore, artistike, qendrave arsimore e bamirëse në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën – zona të popullueme nga ata. Tue folë për Shkodrën, Madre Superiore e Urdhënit të Motrave Stigmatine shkruente: “…U vendos të hapet nji shkollë dhe nji konvikt në Shkodër. Kur u hap shkolla, në vjetin 1920, vajzat ortodokse, myslimane, hebreje e katolikët erdhën nga Korça, Tirana, Elbasani, Tivari, Cetinja, Shkodra për rregjistrim. Ishte fillimi i nji pune ma intensive për përgatitjen e mësueseve të kualifikueme shqiptare….”.
Në malet e egra të Shqipërisë veriore, kleri katolik zbuti pezmin që grumullonte hakmarrja, u pajtuen gjaqet u afruen miqt, u shpëtuen familje të tana. Në qytetet e vorfëna të Shqipërisë u hapën klinika, u mbushën spitalet me “Motra”, u themeluen strehimoret për jetimë, për të vorfën, për pleq. Kushdo që jetoi ato ditë dëshmon për besimin e madh që vuni populli i jonë në duert e “Motrave” të mëshirës së krishtenë. Kjo ishte e kaluemja e lavdishme!
(Asht nji ironi e fatit të dhimbshëm kur mendon njeriu që në vitin 1944, Vatikani dërgoi ndihma për Shqipërinë, dhe vetë diktatori E.Hoxha falënderoi delegatin apostolik Msgr. Nigris.)
Në nandor 1944, pa pritmas, perdja e hekurtë ra; në Shqipëri filloi tragjedia që zgjati plot 45 vjet….pa mëshirë, pa pushim!
*****
Sot, në këte ditë përkujtimore dhe kryenaltësie për Lumnimin e 38 Martirëve të Klerit Katolik Shqiptar, unë jam kredhë në mendime që më sjellin kujtimet e paharrueshme të së kaluemes së errët, dhe njikohësisht heroike e fisnike, nën terrorin komunist: emna, fytyra, gjeste që nuk harrohen! Natyrisht, diçka duhet ba!
Duhet të përpiqemi të mos lejojmë ramjen në “gropën e zezë të harresës” që thithë viktimën pa shpresë dalje.
Para së gjithash, duhet krijue atmosfera e pastër, vëllaznore e bashkëpunimit që pengpn sulmet e ndërsjella në mes të viktimës së komunizmit e “mohuesve” – meturina toksike të komunizmit – që na ndajnë kaq shumë.
Duhet gjetë fjalori i përbashkët që tragjedia e jonë meriton. E sidomos, duhet çmue si meriton përpjekja e secilit, e sakrifica e çdonjenit nga ne- tue theksue sidomos rastin e sakrificës supreme. Këtu vlen të theksohet vendi i nderit që zen kleri katolik shqiptar. Kjo ashtë nji e dhanun që duhet pranue a priori nga të gjithë njerëzit vullnetmirë. Kjo ashtë bindja e ime sot. ka qenë dje, dhe do të jetë edhe nesër!
Duhet thye heshtja! Kjo heshtje e thellë më tmeron! Sepse, nuk gjej nji përgjigje që ngushëllon: si mund të luftohet ecja e këtij fenomeni që eventualisht lejon përsëritjen e konfliktit, e që reflekton imazhin e nji vendi në turbullim kercënues.
Fatmirësisht, sot, dokumenti i Vatikanit “Nostra Aetate” (Në ditët tona) flet për unitetin e njerëzimit. Sot, Vatikani flet “për nji bashkësi e cila përbahet nga të gjithë popujt”. ”Katolik” don të thotë “universal”. Sot, Vatikani pranon se Shpirti Shenjtë “…punon efektivisht edhe jashtë strukturës që ne shohim e që na quejmë Kishë”. Koncili i II i Vatikanit pranon se besimet monoteisie (Judaizmi e Islamizmi) në botën tonë “ janë sisteme adhurimi dhe sisteme etike njikohësisht, të cilat theksojnë randësinë e së mirës dhe damin e së keqes”. Njikohësisht, Islamizmi thekson mësimet e Kuranit se besimtarët hebraikë dhe të krishtenë janë “popujt e Librit” dhe gëzojnë mëshirën e Zotit, dhe mbrojtjen e autoritetit islam. Kjo ashtë “fryma e re “ që duhet të na ushqejë të gjithëve sot.
Në vitin 1984, në New York, SHBA., unë shkruejshe për Buletinin Katolik Shqiptar (San Francisco,) : “ …si besimtar i lindun mysliman, jam i bindun se feja në Shqipëri, me përdorë nji metaforë të famëshme, mbetet si guri që mbijeton zhdukjen e muratorit që e gëdhen; dhe, se do të vijë dita kur ky gur solid dhe i përherëshëm do të çfaqet përsëri, në mënyrë misterioze dhe të fuqishme, dhe do të paraqitet si mjeti udhëtues që transporton zemrat dhe shpirtët tonë të mbushun me devocion, drejt nji kahu të shpresës së pa shueme, nji besimi frymëzues, nji dashunie hyjnore të domosdoshme”. Ashtu ngjau!
Ky duhet të jetë mesazhi i pa kompromis që popullsia e heshtun e Shqipërisë duhet të sjellë për popujt e botës sonë sot. I ndjeri Imzot Rrok MIrdita, Argjipeshkëv Metropolitan i Tiranës dhe i Durrësit, shkruente, në 2010:
“…të nxirrja nga harresa historinë e gjatë dhe për nji çast të kujtohesha se ajo që rregjimi ishte përpjekë me zhdukë, nuk ishte zhdukur, donte të thoshte se nuk bahej historia e re në Shqipëri pa i bërë llogaritë me dëshmitarët e gjallë.(Theksi im.SR) Takimi im me këto dëshmitarë ishte hir i madh, hir që bahej angazhim”. (Për një Shqipëri me Zotin dhe për njeriun” Tiranë, 2010,v.1 ,f.39)
Unë kam qenë nji nga legjoni i madh i viktimave të gjalla, dhe përvoja e ime më detyron me marrë nji “angazhim” cilësi e vjetër që nga ditët e profetënve biblikë, dhe i ri aq sa edhe ditët tona që jetojmë në këte vend martir, e në këte kohë plot shqetësime, “angazhim” që transformohet në një imperativ kategorik moral. Bashkëvuejtësi i im Atë Zef Pllumi e përcaktoi: ”Rrno, vetëm për me tregue”.
Vetëm për me tregue! Me tregue vuejtjet e vështira të “hetuesisë” në qelitë e errëta te ish-Sigurimit të Shtetit, (“monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar” I.Kadare) vitet e gjata në burgjet e errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë, në moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe çizmen e ndytë të oficerëve kriminelë, sadistë për natyrë e specialistë për torturë të mësueme në kurset e nëndheshme, larg nga drita e diellit, larg nga sytë e botës….që flinte gjumin e randë të frikës e të lodhjes së pakufishme…!
Vetëm me tregue! Unë shoh veten si dëshmitar okular i epokave që kam jetue. Si i këtill duhet të flas haptas sepse heshtja ashtë e pa pranueshme. Me folë, don të thotë me thanë të vërtetën që, pa qenë absolute për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë…. Zoti e deshi të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe: “aristokratin” me sjellje e mendim, Dom Mikel Koliqin, kardinalin e ardhshëm, i heshtun, kryenaltë për vuejtjen që e mbuloi; Atë Frano Kirin, “burrë si motit”, i pa frikë, i pa përkulshëm; Atë Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si bleta, që në msheftësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frengjishtja- e konsultohej me mue për gjetjen e fjalës ma të përshtatshme-, të gjithë kohën me libër ose me lutje; Atë Aleks Baçlin, gjithëherë buzëqeshun , ma të shumëten i vetëm, me nji biz në dorë tue gëdhenë bustin e nji fetari në dru të fortë, e jo ma të madhe se nji kokër gruni. Kur e pyetshe ai përgjigjej: ”Ka qenë nji murg që skulptoi bustin e Papës në nji kokër orizi”. E, natyrisht, At Çiprian Nikën që njoha shkurtimisht në qelitë e ish-Sigurimit, vetëm për pakë ditë…e që u pushkatue pa faj! Dom Ndoc Sumën, i plakun e i hutuem që u arrestue në mëngjez, u denue mbas dreke me 20 vjet burgim e që betohej: “Pasha Krishtin nuk di pse më kanë arrestue…!” Lista ashtë e gjatë.
Martirizimi i klerit shqiptar, e sidomos klerit katolik shqiptar, nuk mund të jetë i pa qellimshëm. Por, sakrificat e tyne do të njohin vlerësimin e plotë, e mirënjohjen e përjetëshme vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne do të pasunojnë mendimin tonë, dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të ardhmen.
Nga qelitë e errëta të torturës, dhe nga kampet e vdekjes së rregjimit komunist në Shqipërinë time të martirizueme, nji botë e re përpiqet me lindë, nji brezni e re po rritet me i dhanë formë nji të ardhmje ma të mirë për vete dhe për fëmijtë e tyne- si dhe për prindët që sot vuejnë nga pesha e fajit të heshtjes….! Feja tradicionale po tregon se nuk ashtë “vjetrue”, dhe se mendimi shkencor nuk ka pasë sukses me na kurue nga dëshprimi ekzistencial.
Nga forma elementare e besimit të njeriut të thjeshtë, nepërmjet vuejtjes, unë mendoj se vëllaznit e motrat shqiptare po hyjnë në fazën e “burrënimit shpirtënor”.
Nji hap cilësor në rrugën e drejtë ashtë hjedhë! Le të festojmë…!
*City University of New York
FIGURA TË SHQUARA TË ÇAMËRISË
Çamëri pushoje vajnë, Se s’të lënë djeltë çamë, E gjithë këta shqiptarë …/
Të flasësh për figurat e shquara të Çamërisë, si për çdo vis tjetër të Atdheut, është një temë ë vështirë. Sepse këto figura janë kaq të shumta, kaq të ndritshme, sa nuk mund t’i rrokësh dot me një kumtesë të shkurtër apo informacion. Duhen libra të tërë për këtë qëllim. Dhe libra për Çamërinë janë bërë, jo me dhjetra, po me qindra. Por gjithmonë ka edhe punime e këndshikime të veçanta, që e thellojnë apo e koncentrojnë më shumë njohjene historisë dhe figurave të saj.Njëri prej këtyre këndshikimeve është edhe kjo kumtesë e shkurtër. Është përgatitur edhe një libër gjithpërfshirës për këtë qëllim. Synimi është që informacioni për figurat e shquara të përhapet si objekt më vete në masat e gjera., deri edhe tek nxënësit e shkollave e brezat e rinj. Pra, jo vetëm si punim akademik, i cili përqëndrohet te pak njerëz, por një punim me karakter masiv, popullor e për të gjitha viset e Atdheut.Kemi evidentuar rreth 60 figura të Çamërisë martire. Sa pika e nyje njohëse ka për to! Kuriozitete e të dhëna të shumta që të emocionojnë e frymëzojnë.
Ja disa prej tyre:
“Ptolemejte ishin Çamë” – shkruan Sami Frashëri ne “Fjalorin” e tij të madh historio-grafik për Shqipërinë. Ptolemejtë ishin pasardhësit e Aleksandrit të Madh, të cilët i vendosi zotër në Aleksandri. Aty ata ndërtuan bibliotekën e famshme me librat e antikitetit, të cilën e dogjën vandalët evropianë të Kryqëzatave më vonë.Dihet nga të gjithë se strategu i lashtësisë – Pirro, – ka lindur në Ledhëz të Çamërisë.Kuriozitetet vazhdojnë në shekuj. Vetë themeluesi i Egjiptit, Mehmet Ali Pashë Misiri, kishte lindur në një zonë të Korçës, por rininë e vetë e kaloi në Çamërinë jugore.Kështu toka çame ka qenë farishtja e rritjes dhe e përndritjes të sa e sa yjeve të kombit tonë. Folklori çam e ka poetizuar:
Qysh ka qenë mëmëdheja ?
Iskanderi si rrufeja …
Filipjadha nga Janina
Që ka pjellë aq-ë trima …
Çami i famshëm Hoxha Tahsini ishte rektori i parë i universitetit të Stambollit, në vitet 80-të të shek. 19-të. Por ai nuk shkëlqeu më tepër për këtë, se sa për faktin e madh që ai u bë fanari i parë i Rilindjes Kombëtare, rrezet e të cilës i përhapi në çdo kënd të tokës shqiptare. E quajtën edhe “Koperniku i Lindjes”, por populli i këndoi:
Gjithë rilindasit radhë
Nga Tahsini morën farë …
Rilindësja Dora d’Istria flist me dashuri për Pargën e bukur çame. Bile, diku thotë se “Kam lindur në Pargë!”Çami i famshëm Abedin Pashë Dino është vlerësuar nga historio – grafia e kohës si njëri nga 50 valinjtë më të shquar të perandorisë së atë|hershme. Dhe ky patriot vdiq me emrin e Shqipërisë në gojë.E kështu yjet e Çamërisë hijeshojnë në shekuj e dekada. Sidomos në kapërcim të shek. XIX e në dekadat e para të shek. XX, – këta yje u dendësuan shumë. Sepse ishte çështja e lirisë së mëmëdheut, e cila rrezikohej nga bishat shovene ballkanase dhe duart gjakatare të drejtuesve të Fuqive të Mëdha të Evropës. Kujtojmë: Sheh Sabri Preveza, në kapërcim të shekullit, u bë përhapësi i madh i librit shqip në krejt jugun shqiptar, deri në Vlorë e Berat. Shquajnë në Folklor emrat e Osman Takës me vallen e tij, e Çelo Mezanit me këngën e tij; shkëlqejnë dyert e mëdha Çame në kulturën e patriotizmin shqiptar e sakrificat për liri. Shkëlqejnë poetët Muhamet Kuçuku e Ali Dine, ashtu sikurse i riu çam – internacionalisti Thimio Gogozoto, i cili ra dëshmor në luftën e Spanjës, në vitin 1936, bashkë me të tjerë trima nga Kosova e qytete të tjera. Shkëlqeu Ali Demi, dëshmor – hero në Kaninë të Vlorës, në luftën Nacionalçlirimtare.Figurat e shquara të artit: shkrimtari Mitrush Kuteli nga Pogradeci e piktori Kolë Idromeno nga Shkodra ishin me origjinë nga Çamëria …
Qielli i Çamërisë martire është i përflakur nga këta yje, martirë e heronj. Ata janë e do mbeten farët e neonët e çështjes shqiptare edhe paskëtaj, në shekuj. Një folklor i madhërishëm i popullit çam i ka përjetësuar në vargje këta trima e veprimtarë. Poeti e prozatori brilant Bilal Xhaferri e sa e sa të tjerë në fushën e artit e kulturës, – janë qëndistarë të etnisë sonë në jugun e thellë shqiptar.Çështja çame nuk vdes. Ajo është çështje e gjithë popullit shqiptar. Në vitin 1913, pas coptimit të trojeve tona nga Fuqit e Mëdha Evropiane, populli vajtoi fatin e pjesëve që mbetën jashtë:
Qaj Kosovë e Çamëri,
Që kini mbetur ne botë;
Ca greqi, ca në Serbi,
Jini këputur si zogjtë…
S’ është e mirë ajo zoi
Që jini ndarë me shokë.
Me ne do kini bashki’
Esht’ e shkruar në Evropë !…Por sot, kur liria e Kosovës vezullon në qiellin Shqiptar, në gjirin e mëmës Shqipëri, vargjet e kësaj kënge vijojnë me mallëngjim:
Qaj Metvegjë e Çamëri,
Që kini mbetur në botë …
Por, për Çamërinë e djegur, të shkulur, të vrarë, të mohuar nga shovenët e Jugut, kënga elegjiake e popullit vazhdon: Pa shikoni varret tanë:
Atje te trojet-ë çamë,
Për një pikëz ujë qajnë.
Në varret e të parëve tanë
Lulet e barit janë tharë;
Aty lule duhen mbjellë,
Kombi ujë duhet të hedhë;
Në buzët e detit Jon ,
Ku gjaku i shqipes kullon …
Figurat e Çamërisë janë të shumta edhe më pas, gjatë shek. XX e në ditët tona. Ja njëri prej tyre: Skënder Beqiri, – martir i gjallë i çështjes çame. Ai është këtu mes nesh. Po afron shekullin me moshën e tij dhe ka bërë një vepër të rrallë: me fotot e tij, në fototekën e tij , ka një Çamëri e një Vlorë të tërë brenda në shtëpinë e tij. Për këtë e kanë cilësuar edhe “Marubi i Çamërisë e i Vlorës”. Dhe ja një fjalë e tij- prej rilindasi të gjallë: “Do vdes, po jo nga tjetër gjë, por nga derti etnik i coptimit të trojeve tona, që akoma janë jashtë trungut të mëmës”.
Por kënga thotë:
Çamëri pushoje vajnë,
Se s’të lënë djeltë çamë,
E gjithë këta shqiptarë …
Një nga këta djem të sotëm çamë është edhe Festim Lato, vëllai i poetit të njohur- Xhemil Lato. Festimi banon në Holandë, por me përpjekjet e tij, me idealizmit të tij të zjarrtë, – ka organizuar, ka sponsorizuar me dhjetra aktivitete, takime, tubime, botime librash patriotikë, për çështjen çame. . Ai djalë, rreth të dyzetave, ka arritur ta çojë zërin e Çamërisë deri tek drejtuesit e atij shteti, deri në organizmat e tjera të larta të Evropës, organet e Drejtësisë së çështjeve nacionale, siç është çështja çame …midis tyre – edhe të drejtën më themelore – atë të kthimit të trojeve e pronave të këtyre shqiptarëve të shkulur me genocid afro tre çerek shekulli më parë. Pra, yllësia çame, si e çdo visi tjetër të atdheut, vazhdon, përpiqet, ndriçon, dhe ekziston e plotë shpresa se kjo Evropë, që e coptoi më 1913, po kjo – me moralin e demokracisë që përfaqson, do ta kthejë në vend çështjen e drejtë të kësaj pjese të kombit tonë.
PUSHIMET
Jam dakord; duke mos ndjekur rregullat, kam bërë “gabim”./
Dhe ata e quajtën “Eureca!” Por cfare gjetën ishte problem. Megjithatë, kur vazhduan ai u tha: “Ai që është pa mëkat, le të jetë i pari për të hedhur gurin kundër saj.” (Gjoni 8: 7)
Studimet e fundit tregojnë se pushime të shkurtra sporadike ndihmojnë njerëzit të jenë më produktivë dhe kjo konsiderohet si prirje e shekullit të 21-të.
Einstein ia atribuon shumë prej zbulimeve të tij pushimeve me violinën e tij, të cilat ai besonte se e ndihmuan të lidhë idetë në mënyra krejt ndryshme.
Në një intervistë në vitin 1926, Henry Ford shpjegon se pse ai kaloi punëtorët e tij nga një punë 48-orëshe 6-ditë në javë në një punë 5-ditëshe 40-orë në javë, por me të njëjtat pagat: “Shlodhja është përbërëse e domosdoshme për një rritje të tregut të konsumit, sepse njerëzit që punojnë duhet të kenë mjaft kohë të lirë për të gjetur dhe përdorur produkte konsumi, duke përfshirë automobila.”
Duket se trupi i njeriut është projektuar për të punuar në ritme, jo për orë pafund, dhe pushimet janë shpesh po aq të rëndësishme sa edhe puna që bën.
Kërkimet e diskutuara në librin “Creativity and Mind” tregojnë se pushimet e shpeshta rrisin ndjeshëm aftësitë për zgjidhjen e problemeve. Duke punuar papushim për katër ose pesë njeriu kufizon shanset për të bërë lidhje të reja nervore në tru, të cilat nxisin mendimin dhe krijimtarinë.
Rregullat duhet të respektohen, por disa edhe duhet të tolerohen kur janë provuar shkencërisht si shkatërruese të produktivitetit.
Për të zgjidhur një problem duhet shkuar në rrënjët e tij dhe kur problemi rritet me keqdashje, rrënjët janë harruar.
- « Previous Page
- 1
- …
- 330
- 331
- 332
- 333
- 334
- …
- 607
- Next Page »




