• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kush është Zonja e parë e Amerikës, Melania Trump

November 9, 2016 by dgreca

1-melani-trumpUASHINGTON- Publiku nuk ka dëgjuar shumë nga Melania Trump gjatë fushatës zgjedhore presidenciale amerikane.Ajo mbeti e tërhequr gjatë fushatës, por si një ish-modele, ajo ishte gjithashtu një magnet i papërmbajtshëm për vështrimet e njerëzve.1-melanPor, kush është në të vërtetë kjo grua, e cila do të jetë  Zonja e Parë e Amerikës? Rrallë ka ndodhur që amerikanët të dinë kaq pak për zonjën e parë të ardhshme siç ka ndodhur me rastin e gruas së Donald Trump, Melanisë.Në të shumtën e rasteve e njohin atë si ish-modelja, një zeshkane e bukur, 1,80 metra e gjatë me mollëza të fryra.Melania, e cili është gruaja e tretë e një multimiliarderi, është e njohur për veshjet shik dhe shëtitjet me limuzinë me shofer personal.Por, është gjithashtu Melania, e cila ka mbetur e fshehur, madje edhe në fushatën më të trazuar nga të gjitha fushatat presidenciale në historinë moderne amerikane.Një arsye pse dihet kaq pak për gruan 46-vjeçare nga Sllovenia është se ajo është dëgjuar pak gjatë fushatës dhe një herë që doli ishte një katastrofë për marrëdhëniet me publikun.Kjo ishte në Konventën Republikane në korrik, kur ajo lexoi një fjalim, ku të gjitha pjesët ishin marrë, pothuajse fjalë për fjalë, nga një fjalim i dhënë nga Michelle Obamës, gruas së  presidentit Barack Obama.Pas kësaj, shumë pak është parë apo dëgjuar nga Melania, me përjashtim të disa debateve televizive mes Trump dhe Hillary Clinton.Ajo u detyrua disa herë të komentojë mbi titujt e gazetave rreth bashkëshortit të saj, si për shembull rasti i videos së vitit 2005, ku Trump bënte komente seksiste për gratë.Në kohën e këtyre komenteve dhe videos, Melania dhe Donald ishin të martuar.Por, Melania kurrë nuk i ka treguar publikut nëse këto komente kanë lënduar atë personalisht. Ajo rrallë tregon emocionet e saj, të tilla si të qeshurat e shfrenuara apo zemërimet.

Besnikëria është ajo çka Melania Trump ka treguar në pjesëm më të madhe të fushatës. Ajo shpesh është shfaqur si robot sidomos në javët e fundit të fushatës, kur ajo përsëri mbajti një fjalim zgjedhor, i pari pas fjalimit katastrofë të mbajtur në Konventën e Partisë Republikane në korrik. Si përmbledhje e fjalimit të saj ishte thjesht përsëritje e slloganeve të Donald Trump, parulla të tilla si “Le ta bëjmë Amerikën sërish të madhe” dhe “Kjo nuk është një fushatë normale. Kjo është një lëvizje.”

Ajo rrallë i ka shfaqur njerezve ndonjë ngjarje të shkurtër personale apo ndonjë anekdotë për bashkëshortin për ta vendosur atë në një fokus më të mirë.

E pyetur se si ishte të jetoje me një njeri si Donald Trump, ajo përgjigjet se “ai është shumë i zgjuar dhe simpatik. Ne kemi një energji të madhe mes nesh. Ne jemi të dy shumë të pavarur … Unë mund t’i them atij se kur nuk pajtohem me të. Nganjëherë ai më dëgjon, ndonjëherë jo”.Vërejtjet e saj janë të rafinuara, elegante, por rrallë spontane apo gazmore.

“E rritur mirë dhe e rezervuar”, këto ishin atributet që ish-shokët e shkollës së saj përmendën për rrjetin televiziv të lajmeve CNN, kur u pyetën lidhur me  periudhën kur Melania u rrit në qytetin slloven të Sevnicës. Ajo lindi më 26 prill 1970, si Melanija Knavs, në atë që dikur ishte vendi komunist i Jugosllavisë. Ajo më vonë ndryshoi emrin në Melania Knauss.Një fotograf e zbuloi atë kur ishte 16 – 17 vjeçe, askush nuk e di me siguri. Disa gjëra në biografinë e saj janë të mjegullta dhe kontradiktore. Ajo ka deklaruar se kishte një diplomë universitare. Por, gazetarët kanë zbuluar se ajo kishte ndërprerë studimet për arkitekturë dhe dizajn, në mënyrë që të udhëtonte për në Milano dhe Paris.

Në vitin 1996 ajo erdhi në Nju Jork duke punuar për fotografë të njohur dhe të jetë kryetitull në faqet e revistave të tilla si “Harper’s Bazar”, “Vanity Fair”, “GQ” si dhe të jetë modelja e botimeve vjetore të rrobave të banjos për “Sports Illustrated”.Në vitin 1998, në një festë mode në Nju Jork, ajo u takua me Donald Trump.Në vitin 2005  u bë një martesë magjepsëse në Palm Beach, Florida. Raportet e medias thanë se fustani i saj Dior kishte kushtuar 100 000 dollarë. Në vitin 2006 ajo lindi djalin, Barron, dhe në të njëjtin vit fitoi shtetësinë amerikane.Melania Trump ka thënë se “ka qenë një nënë me kohë të plotë për djalin e saj, pa pasur nevojë për një dado”. Gjatë fushatës zgjedhore, Donald Trump në mënyrë të përsëritur e ka quajtur bashkëshorten e tij “një nënë e mrekullueshme.”Në të njëjtën kohë kur kryente detyrat e mëmësisë, Melania ofronte produkte bukurie dhe një koleksion bizhuteri përmes një portali online shitjesh. Thuhet se flet rrjedhshëm pesë gjuhë të huaj, ku anglishtja ka një theks të fortë. Me Melaninë amerikanët do të kenë për herë të parë një zonjë të parë të lindur në një vend komunist, dhe vetëm e dyta, pas Louisa Adams (nga 1775-1852, gruaja e presidentit të dytë të Shteteve të Bashkuara, John Adams), që nuk ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.E pyetur se çfarë lloj roli mund të kishte ajo në Shtëpinë e Bardhë, Melania tha se “do të ishte një avokate për gratë dhe fëmijët”.“Kultura jonë është bërë shumë e dhunshme”,  tha ajo në një fjalim javën e kaluar. Vërejtja ishte më befasuesja e dhënë gjatë fushatës, duke qenë se bashkëshorti i saj ishte akuzuar se ka fyer të gjitha grupet etnike dhe racore.Kjo tregon dilemën që ajo mban përbrenda, e drejtë apo jo.Melania Trump është treguar e matur, të paktën deri më tani, lidhur me ato se çka bën dhe thotë bashkëshorti, dhe kjo për shkak se dihet shumë pak rreth saj.(Nilke Rama)

 

Filed Under: ESSE Tagged With: e Amerikes, Melania Trump, Zonja e Pare

ATA KURRE MOS U HARROFSHIN !

November 5, 2016 by dgreca

Për 38 martirët e klerit katolik shqiptar/sami-repishti-c1200x600-2-300x136Nga Sami Repishti, Ph.D.*/1-shkoder

5 nandor 2016. Ridgefield, CT. SHBA.-  Simbas njoftimit formal të Argjipeshkvisë Shkodër-Pult sot, në qytetin e Shkodrës mbahet ceremonia e Lumnimit të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar, viktima të pafajshme të terrorit komunist në Shqipëri. I përjetëshëm qoftë kujtimi  – dhe mirënjohja e jonë!

Sot, nga Amerika e lirë, unë bashkëfestoj simbolikisht këte ceremoni që çmon vlerën e sakrificës supreme. Sot, bashkëfestoj fitoren mbi të Keqën, hirin e këtyne 38 martirëve, pjesëtarë të bashkësisë dinjitoze të vuejtjes së pameritueme, dëshmitarë të mesazhit çlirimtar, të qëndisun me duer sot të palëvizëshme e të shueme nga kryqëzimi i pakufishëm, “martir먴që kthyen dinjitetin për ne, të gjithë ne, në atdheun tonë të përbashkët shqiptar, tue premtue shpresën e pavdekshme të demokracisë e të lirisë së plotë për të gjithë familjen njerëzore…nji dhe të pandame !

”Ata kurrë mos o harrojshin!” (Atë Gjergj Fishta, O.F.M.)

******

“Nuk ndërtohet mbi boshllek!” shkruen nji shkrimtar françez. Duhen themele të shëndosha për nji ndertesë të fortë e permanente siç ashtë Kisha Katolike Apostolike Romane Shqiptare. Sot, themi se këto themele janë të vadituna me gjak dëshmorësh e martirësh të pa faj për ma shumë se 45 vjet me rradhë.

“Nuk ndërtohet parrizi me muratorët e ferrit!” shkruen nji shkrimtar shqiptar. Duhen duer të pastra dhe të dedikueme për nji “mision”, ashtu siç ishin duert e martirëve të Klerit Katolik Shqiptar!

Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, e pasunueme me ngjarjet tragjike të periudhës së diktaturës së kuqe ka trasformue tragjedinë në nji “angazhim” solemn e koshient të ruejtjes dhe përparimit të pranisë katolike në Shqipëri me sensin e përgjegjsisë së plotë. Plagët akoma të hapuna e kërkojnë; na duhet të respektojmë!

Tradita historike e krishtënimit në Shqipëri, si feja e parë në vendin tonë, buron nga dy drejtime: nga Roma në formën e ritit katolik apostolik roman, dhe nga Konstantipoli në formën e ritit bizantin. Shqipëria u bekue nga shenjtët Pal dhe Andre. Megjithëse nuk dimë datën e saktë, krishtënimi hyni në Shqipëri para Koncilit të Sardikës (343-344), sepse në Sinodin Shenjtë morën pjesë edhe ipeshkvijtë e Epirus Nova dhe Dardanisë (Kosovës).

Me ardhjen e invazioneve sllave e barbare, e ma vonë atyne otomane, gjithçka u shkatërrue! Shqiptarët e Veriut i u veshën maleve  ku ruejtën të gjallë katolicizmin e Romës; ata të Jugut vershuen Greqinë, dhe ma vonë Italinë e Jugut. Me 1089, u formue qendra metropolitane e Tivarit, dhe në shekullin XIII , gjatë sundimit venecian,u formue Argjipeshkvia e Durrësit. Që në vitin 1220, kur Shën Françesku i Asizit themeloi qendrën e parë të Urdhënit të tij, e për shekuj me rradhë, kujdesi i katolikëve shqiptarë u la në duert e fretënve françeskanë.

Katoliçizmi mori hov me Gjergj Kastriotin-Skenderbeu dhe me lidhJet e tia të ngushta me Vatikanin. Me 1457, Papa Kalisti III i shkruente heroit shqiptar: “Nuk ka njeri në botë që të mos dij ndërmarrjet e jueja heroike, dhe  që me fjalët ma të nalta nuk ju ngren në qiell, dhe nuk flet për ju si kampioni dhe mbrojtësi bujar i krishtënimit”. Struktura e “shtetit” të Skënderbeut ka qenë efektivisht struktura e Kishës katolike në Shqipëri: çdo kishë ka qenë nji qendër mbledhjesh, organizimi dhe përkrahje; çdo famullltar ka qenë nji udhëheqës lokal dhe nji propagandist i rezistencës. Çdo ipeshkëv ka qenë nji drejtues krahinor dhe Argjipeshkvi Pal Engjëlli i Durrësit ka kryesue veprimtaritë diplomatike të kohës, shkruen Imzot Fan S.Noli.

Papa Klementi XI (1700-1721) me origjinë arbëreshe, u tregue i gatshëm me ndihmue katolikët shqiptarë. Me kërkesën e tij, Sinodi i parë kishtar shqiptar u mbajt afër Lezhës, në vitin 1703. Në vitin 1856, u hap Kolegji Papnor, dhe ma vonë Seminari i Jezuitëve në Shkodër; u themelue nji shtëpi botuese. Po në këte datë, u rrit puna e organizueme e klerikëve katolikë për faljen e gjaqeve në Malësitë tona, dhe zhdukjen e vesit të mbrapshtë të hakmarrjes.

Me Kongresin e Berlinit (1878) qyteti i Tivarit u okupue nga malazezët (që formuen shtetin e tyne!) dhe Argjipeshkvia e Tivarit, që deri në atë kohë ishte kryeqendra edhe për katolikët e Shqipërisë së Veriut, në mbështetje të nji Konkordati me Malin e Zi (1886), hoqi dorë nga drejtimi i punëve kishtare në Shqipëri. Po atë vit, Selia e Shenjtë, caktoi Shkodrën si kryeqendër, me ipeshkvitë tjera si degë (me përjashtim të Durrësit).

Nji veprim i këtill i Vatikanit tregonte sensibilitetin e kësaj Qendre Ndërkombëtare për ndjenjat kombëtare të shqiptarëve- shembull që shohim sot të përsëritun këtu në Shqipëri, me emnimin e argjipeshkvit dhe tre ipeshkvijve (1993). Nji seri klerikësh shqiptarë u emnuen barij të besimtarëve katolikë shqiptarë. Kjo konfirmoi gjithashtu në mënyrë simbolike, njohjen e bashkësisë katolike si nji entitet kombëtar i dalluem. Që nga viti 1938, Shqipëria e Veriut ka qenë nën juridiksionin e Propaganda Fide-s; Shqipëria e Jugur nën atë të Kongregacionit Oriental.

Që nga fillimi deri në ditët tona, kleri dhe besimtarët katolikë shqiptarë kanë vazhdue traditën e tynë të lavdishme të përpjekjeve për çlirim kombëtar. Në luftën me armë, ata janë gjetë gjithmonë në ball të ma shumë se 48 kryengritjeve të mëdha kundër perandorisë otomane. Në luftën me penë, ata kanë qenë për afër katër shekuj dritë-dhanësit e vetëm në natën e errët e të gjatë të pushtimit otoman. Që nga Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi e Gjeçovi me shokë, e deri te “shkolla e Shkodrës” me shoqënitë Agimi, Përparimi, Hylli i Dritës, Leka etj. me Fishtën, Mjedën, Koliqin e me plejaden e madhe të shokëve të tyne, vëllaznit e motrat tona katolike shqiptare kanë qenë ndër mendjet ma të ndrituna të kombit tonë, pararoja e zhvillimit tonë kulturor të vonuem nga rrethana jashtë kontrollit tonë, dhe themeluesët e shoqënive të para kulturore, artistike, qendrave arsimore e bamirëse në të gjithë Shqipërinë e Veriut dhe Kosovën – zona të popullueme nga ata. Tue folë për Shkodrën, Madre Superiore e Urdhënit të Motrave Stigmatine shkruente: “…U vendos të hapet nji shkollë dhe nji konvikt në Shkodër. Kur u hap shkolla, në vjetin 1920, vajzat ortodokse, myslimane, hebreje e katolikët erdhën nga Korça, Tirana, Elbasani, Tivari, Cetinja, Shkodra për rregjistrim. Ishte fillimi i nji pune ma intensive për përgatitjen e mësueseve të kualifikueme shqiptare….”.

Në malet e egra të Shqipërisë veriore, kleri katolik zbuti pezmin që grumullonte hakmarrja, u pajtuen gjaqet u afruen miqt, u shpëtuen familje të tana. Në qytetet e vorfëna të Shqipërisë u hapën klinika, u mbushën spitalet me “Motra”, u themeluen strehimoret për jetimë, për të vorfën, për pleq. Kushdo që jetoi ato ditë dëshmon për besimin e madh që vuni populli i jonë në duert e “Motrave” të mëshirës së krishtenë. Kjo ishte e kaluemja e lavdishme!

(Asht nji ironi e fatit të dhimbshëm kur mendon njeriu që në vitin 1944, Vatikani dërgoi ndihma për Shqipërinë, dhe vetë diktatori E.Hoxha falënderoi delegatin apostolik Msgr. Nigris.)

Në nandor 1944, pa pritmas, perdja e hekurtë ra; në Shqipëri filloi tragjedia që zgjati plot 45 vjet….pa mëshirë, pa pushim!

*****

Sot, në këte ditë përkujtimore dhe kryenaltësie për Lumnimin e 38 Martirëve të Klerit Katolik Shqiptar, unë jam kredhë në mendime që më sjellin kujtimet e paharrueshme të së kaluemes së errët, dhe njikohësisht heroike e fisnike, nën terrorin komunist: emna, fytyra, gjeste që nuk harrohen! Natyrisht, diçka duhet ba!

Duhet të përpiqemi të mos lejojmë ramjen në “gropën e zezë të harresës” që thithë viktimën pa shpresë dalje.

Para së gjithash, duhet krijue atmosfera e pastër, vëllaznore e bashkëpunimit që pengpn sulmet e ndërsjella në mes të viktimës së komunizmit e “mohuesve” – meturina toksike të komunizmit – që na ndajnë kaq shumë.

Duhet gjetë fjalori i përbashkët që tragjedia e jonë meriton. E sidomos, duhet çmue si meriton përpjekja e secilit, e sakrifica e çdonjenit nga ne- tue theksue sidomos rastin e sakrificës supreme. Këtu vlen të theksohet vendi i nderit që zen kleri katolik shqiptar. Kjo ashtë nji e dhanun që duhet pranue a priori nga të gjithë njerëzit vullnetmirë. Kjo ashtë bindja e ime sot. ka qenë dje, dhe do të jetë edhe nesër!

Duhet thye heshtja! Kjo heshtje e thellë më tmeron! Sepse, nuk gjej nji përgjigje që ngushëllon: si mund të luftohet ecja e këtij fenomeni që eventualisht lejon përsëritjen e konfliktit, e që  reflekton imazhin e nji vendi në turbullim kercënues.

Fatmirësisht, sot, dokumenti i Vatikanit “Nostra Aetate” (Në ditët tona) flet për unitetin e njerëzimit. Sot, Vatikani flet “për nji bashkësi e cila përbahet nga të gjithë popujt”. ”Katolik” don të thotë “universal”. Sot, Vatikani pranon se Shpirti Shenjtë “…punon efektivisht edhe jashtë strukturës që ne shohim e që na quejmë Kishë”. Koncili i II i Vatikanit pranon se besimet monoteisie (Judaizmi e Islamizmi) në botën tonë “ janë sisteme adhurimi dhe sisteme etike njikohësisht, të cilat theksojnë randësinë e së mirës dhe damin e së keqes”. Njikohësisht, Islamizmi thekson mësimet e Kuranit se besimtarët hebraikë dhe të krishtenë janë “popujt e Librit” dhe gëzojnë mëshirën e Zotit, dhe mbrojtjen e autoritetit islam. Kjo ashtë “fryma e re “ që duhet të na ushqejë të gjithëve sot.

Në vitin 1984, në New York, SHBA., unë shkruejshe për Buletinin Katolik Shqiptar (San Francisco,) : “ …si besimtar i lindun mysliman, jam i bindun se feja në Shqipëri, me përdorë nji metaforë të famëshme, mbetet si guri që mbijeton zhdukjen e muratorit që e gëdhen; dhe, se do të vijë dita kur ky gur solid dhe i përherëshëm do të çfaqet përsëri, në mënyrë misterioze dhe të fuqishme, dhe do të paraqitet si mjeti udhëtues që transporton zemrat dhe shpirtët tonë të mbushun me devocion, drejt nji kahu të shpresës së pa shueme, nji besimi frymëzues, nji dashunie hyjnore të domosdoshme”. Ashtu ngjau!

Ky duhet të jetë mesazhi i pa kompromis që popullsia e heshtun e Shqipërisë duhet të sjellë për popujt e  botës sonë sot.  I ndjeri Imzot Rrok MIrdita, Argjipeshkëv Metropolitan i Tiranës dhe i Durrësit, shkruente, në 2010:

“…të nxirrja nga harresa historinë e gjatë dhe për nji çast të kujtohesha se ajo që rregjimi ishte përpjekë me zhdukë, nuk ishte zhdukur, donte të thoshte se nuk bahej historia e re në Shqipëri pa i bërë llogaritë me dëshmitarët e gjallë.(Theksi im.SR) Takimi im me këto dëshmitarë ishte hir i madh, hir që bahej angazhim”. (Për një Shqipëri me Zotin dhe për njeriun” Tiranë, 2010,v.1 ,f.39)

Unë kam qenë nji nga legjoni i madh i viktimave të gjalla, dhe përvoja e ime më detyron me marrë nji “angazhim” cilësi e vjetër që nga ditët e profetënve biblikë, dhe i ri aq sa edhe ditët tona që jetojmë në këte vend martir, e në këte kohë plot  shqetësime, “angazhim” që transformohet në një imperativ kategorik moral. Bashkëvuejtësi i im Atë Zef Pllumi e përcaktoi: ”Rrno, vetëm për me tregue”.

Vetëm për me tregue! Me tregue vuejtjet e vështira të “hetuesisë” në qelitë e errëta te ish-Sigurimit të Shtetit, (“monstra më e madhe që ka pjellë gjer më sot kombi shqiptar” I.Kadare) vitet e gjata në burgjet e errëta mesjetare, stinët e pandërpreme në punë të detyrueshme, dimën e verë, në moçale e në punime betoni nën kamxhikun e policëve idiotë dhe çizmen e ndytë të oficerëve kriminelë,  sadistë për natyrë e specialistë për torturë të mësueme në kurset e nëndheshme, larg nga drita e diellit, larg nga sytë e botës….që flinte gjumin e randë të frikës e të lodhjes së pakufishme…!

Vetëm me tregue! Unë shoh veten si dëshmitar okular i epokave që kam jetue. Si i këtill duhet të flas haptas sepse heshtja ashtë e pa pranueshme. Me folë, don të thotë me thanë të vërtetën që, pa qenë absolute për arsye të kontekstit që e përmban, ashtë shprehja e nji dëshmitari me të gjithë vlerën që ajo mund të ketë…. Zoti e deshi të njoh mjaft prej viktimave në burgje e kampe: “aristokratin” me sjellje e mendim, Dom Mikel Koliqin, kardinalin e ardhshëm, i heshtun, kryenaltë për vuejtjen që e mbuloi; Atë Frano Kirin, “burrë si motit”, i pa frikë, i pa përkulshëm; Atë Donat Kurtin, i përvuejtun, punëtor si bleta, që në msheftësi përkthente shqip Testamentin e Ri nga frengjishtja- e konsultohej me mue për gjetjen e fjalës ma të përshtatshme-, të gjithë kohën me libër ose me lutje; Atë Aleks Baçlin, gjithëherë buzëqeshun , ma të shumëten i vetëm, me nji biz në dorë tue gëdhenë bustin e nji fetari në dru të fortë, e jo ma të madhe se nji kokër gruni. Kur e pyetshe ai përgjigjej: ”Ka qenë nji murg që skulptoi bustin e Papës në nji kokër orizi”. E, natyrisht, At Çiprian Nikën që njoha shkurtimisht në qelitë e ish-Sigurimit, vetëm për pakë ditë…e që u pushkatue pa faj! Dom Ndoc Sumën, i plakun e i hutuem që u arrestue në mëngjez, u denue mbas dreke me 20 vjet burgim e që betohej: “Pasha Krishtin nuk di pse më kanë arrestue…!” Lista ashtë e gjatë.

Martirizimi i klerit shqiptar, e sidomos klerit katolik shqiptar, nuk mund të jetë i pa qellimshëm. Por, sakrificat e tyne do të njohin  vlerësimin e plotë, e mirënjohjen e përjetëshme vetëm atëherë kur parimet që ata mbrojtën me çmimin e jetës së tyne do të pasunojnë mendimin tonë, dhe do të udhëheqin veprat e bashkatdhetarëve të tyne në të ardhmen.

Nga qelitë e errëta të torturës, dhe nga kampet e vdekjes së rregjimit komunist në Shqipërinë time të martirizueme, nji botë e re përpiqet me lindë, nji brezni e re  po rritet me i dhanë formë nji të ardhmje ma të mirë për vete dhe për fëmijtë e tyne- si dhe për prindët që sot vuejnë nga pesha e fajit të heshtjes….! Feja tradicionale po tregon se nuk ashtë “vjetrue”, dhe se mendimi shkencor nuk ka pasë sukses me na kurue nga dëshprimi ekzistencial.

Nga forma elementare e besimit të njeriut të thjeshtë, nepërmjet vuejtjes, unë mendoj se vëllaznit e motrat shqiptare po hyjnë në fazën e “burrënimit shpirtënor”.

Nji hap cilësor në rrugën e drejtë ashtë hjedhë! Le të festojmë…!

*City University of New York

Filed Under: ESSE Tagged With: 38 martirët, ATA KURRE MOS U HARROFSHIN !, Sami repishti

FIGURA TË SHQUARA TË ÇAMËRISË

October 27, 2016 by dgreca

Çamëri pushoje vajnë, Se s’të lënë djeltë çamë, E gjithë këta shqiptarë …/

2-idajet-jahajNga IDAJET JAHAJ/

1-piro-i-epiritTë flasësh për figurat e shquara të Çamërisë, si për çdo vis tjetër të Atdheut, është një temë ë vështirë. Sepse këto figura janë kaq të shumta, kaq të ndritshme, sa nuk mund t’i rrokësh dot me një kumtesë të shkurtër apo informacion. Duhen libra të tërë për këtë qëllim. Dhe libra për Çamërinë janë bërë, jo me dhjetra, po me qindra. Por gjithmonë ka edhe punime e këndshikime të veçanta, që e thellojnë apo e koncentrojnë më shumë njohjene historisë dhe figurave të saj.Njëri prej këtyre këndshikimeve është edhe kjo kumtesë e shkurtër.  Është përgatitur edhe një libër gjithpërfshirës për këtë qëllim. Synimi është që informacioni për figurat e shquara të përhapet si objekt më vete në masat e gjera., deri edhe tek nxënësit e shkollave e brezat e rinj. Pra, jo vetëm si punim akademik, i cili përqëndrohet te pak njerëz, por një punim me karakter masiv, popullor e për të gjitha viset e Atdheut.Kemi evidentuar rreth 60 figura të Çamërisë martire. Sa pika e nyje njohëse ka për to!  Kuriozitete e të dhëna të shumta që të emocionojnë e frymëzojnë.

Ja disa prej tyre:

“Ptolemejte ishin Çamë” – shkruan Sami Frashëri ne “Fjalorin” e tij të madh historio-grafik për Shqipërinë. Ptolemejtë ishin pasardhësit e Aleksandrit të Madh, të cilët i vendosi zotër në Aleksandri. Aty ata ndërtuan bibliotekën e famshme me librat e antikitetit, të cilën e dogjën vandalët evropianë të Kryqëzatave më vonë.Dihet nga të gjithë se strategu i lashtësisë – Pirro, – ka lindur në Ledhëz të Çamërisë.Kuriozitetet vazhdojnë në shekuj. Vetë themeluesi i Egjiptit, Mehmet Ali Pashë Misiri, kishte lindur në një zonë të Korçës, por rininë e vetë e kaloi në Çamërinë jugore.Kështu toka çame ka qenë farishtja e rritjes dhe e përndritjes të sa e sa yjeve të kombit tonë. Folklori çam e ka poetizuar:

Qysh ka qenë mëmëdheja ?

Iskanderi si rrufeja …

Filipjadha nga Janina

        Që ka pjellë aq-ë trima …

1-hoxha_tahsini_3000_vjetet_023

Çami i famshëm Hoxha Tahsini ishte rektori i parë i universitetit të Stambollit, në vitet 80-të të shek. 19-të. Por ai nuk shkëlqeu më tepër për këtë, se sa për faktin e madh që ai u bë fanari i parë i Rilindjes Kombëtare, rrezet e të cilës i përhapi në çdo kënd të tokës shqiptare. E quajtën edhe “Koperniku i Lindjes”, por populli i këndoi:

        Gjithë rilindasit radhë

Nga Tahsini morën farë …dora_distriaRilindësja Dora d’Istria flist me dashuri për Pargën e bukur çame. Bile, diku thotë se “Kam lindur në Pargë!”Çami i famshëm Abedin Pashë Dino është vlerësuar nga historio – grafia e kohës si njëri nga 50 valinjtë më të shquar të perandorisë së atë|hershme. Dhe ky patriot vdiq me emrin e Shqipërisë në gojë.E kështu yjet e Çamërisë hijeshojnë në shekuj e dekada.  Sidomos në kapërcim të shek. XIX e në dekadat e para të shek. XX, – këta yje u dendësuan shumë. Sepse ishte çështja e lirisë së mëmëdheut, e cila rrezikohej nga bishat shovene ballkanase dhe duart gjakatare të drejtuesve të Fuqive të Mëdha të Evropës. Kujtojmë: Sheh Sabri Preveza, në kapërcim të shekullit, u bë përhapësi i madh i librit shqip në krejt jugun shqiptar, deri në Vlorë e Berat. Shquajnë në Folklor emrat e Osman Takës me vallen e tij, e Çelo Mezanit me këngën e tij; shkëlqejnë dyert e mëdha Çame në kulturën e patriotizmin shqiptar e sakrificat për liri. Shkëlqejnë poetët Muhamet Kuçuku e Ali Dine, ashtu sikurse i riu çam – internacionalisti Thimio Gogozoto, i cili ra dëshmor në luftën e Spanjës, në vitin 1936, bashkë me të tjerë trima nga Kosova e qytete të tjera. Shkëlqeu Ali Demi, dëshmor – hero në Kaninë të Vlorës, në luftën Nacionalçlirimtare.Figurat e shquara të artit: shkrimtari Mitrush Kuteli nga Pogradeci e piktori Kolë Idromeno nga Shkodra ishin me origjinë nga Çamëria …

1-bilal_xhaferri

Qielli i Çamërisë martire është i përflakur nga këta yje, martirë e heronj. Ata janë e do mbeten farët e neonët e çështjes shqiptare edhe paskëtaj, në shekuj. Një folklor i madhërishëm i popullit çam i ka përjetësuar në vargje këta trima e veprimtarë. Poeti e prozatori brilant Bilal Xhaferri e sa e sa të tjerë në fushën e artit e kulturës, – janë qëndistarë të etnisë sonë në jugun e thellë shqiptar.Çështja çame nuk vdes. Ajo është çështje e gjithë popullit shqiptar. Në vitin 1913, pas coptimit të trojeve tona nga Fuqit e Mëdha Evropiane, populli vajtoi fatin e pjesëve që mbetën jashtë:

Qaj Kosovë e Çamëri,

   Që kini mbetur ne botë;

Ca greqi, ca në Serbi,

  Jini këputur si zogjtë…

S’ është e mirë ajo zoi

   Që jini ndarë me shokë.

Me ne do kini bashki’

            Esht’ e shkruar në Evropë !…Por sot, kur liria e Kosovës vezullon në qiellin Shqiptar, në gjirin e mëmës Shqipëri, vargjet e kësaj kënge vijojnë me mallëngjim:

Qaj Metvegjë e Çamëri,

    Që kini mbetur në botë …

Por, për Çamërinë e djegur, të shkulur, të vrarë, të mohuar nga shovenët e Jugut, kënga elegjiake e popullit vazhdon: Pa shikoni varret tanë:

Atje te trojet-ë çamë,

   Për një pikëz ujë qajnë.

         Në varret e të parëve tanë

     Lulet e barit janë tharë;

   Aty lule duhen mbjellë,

         Kombi ujë duhet të hedhë;

                                                                     Në buzët e detit Jon ,

                                                                     Ku gjaku i shqipes kullon …

Figurat e Çamërisë janë të shumta edhe më pas, gjatë shek. XX e në ditët tona. Ja njëri prej tyre: Skënder Beqiri, – martir i gjallë i çështjes çame. Ai është këtu mes nesh. Po afron shekullin me moshën e tij dhe ka bërë një vepër të rrallë: me fotot e tij, në fototekën e tij , ka një Çamëri e një   Vlorë të tërë brenda në shtëpinë e tij. Për këtë e kanë cilësuar edhe “Marubi i Çamërisë e i Vlorës”. Dhe ja një fjalë e tij- prej rilindasi të gjallë: “Do vdes, po jo nga tjetër gjë, por nga derti etnik i coptimit të trojeve tona, që akoma janë jashtë trungut të mëmës”.

Por kënga thotë:

Çamëri pushoje vajnë,

        Se s’të lënë djeltë çamë,

            E gjithë këta shqiptarë …

 Një nga këta djem të sotëm çamë është edhe Festim Lato, vëllai i poetit të njohur- Xhemil Lato. Festimi banon në Holandë, por me përpjekjet e tij, me idealizmit të tij të zjarrtë, – ka organizuar, ka sponsorizuar me dhjetra aktivitete, takime, tubime, botime librash patriotikë, për çështjen çame. . Ai djalë, rreth të dyzetave, ka arritur ta çojë zërin e Çamërisë deri tek drejtuesit e atij shteti, deri në organizmat e tjera të larta të Evropës, organet e Drejtësisë së  çështjeve nacionale, siç është çështja çame …midis tyre – edhe të drejtën më themelore – atë të kthimit të trojeve e pronave të këtyre shqiptarëve të shkulur me genocid afro tre çerek shekulli më parë. Pra, yllësia çame, si e çdo visi tjetër të atdheut, vazhdon, përpiqet, ndriçon, dhe ekziston e plotë shpresa se kjo Evropë, që e coptoi më 1913, po kjo – me moralin e demokracisë që përfaqson, do ta kthejë në vend çështjen e drejtë të kësaj pjese të kombit tonë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Cameri, figura te shquara, Idajet Jahaj

PUSHIMET

October 27, 2016 by dgreca

 

1-astrit_lulushiNga Astrit Lulushi/

Jam dakord; duke mos ndjekur rregullat, kam bërë “gabim”./

Dhe ata e quajtën “Eureca!” Por cfare gjetën ishte problem. Megjithatë, kur vazhduan ai u tha: “Ai që është pa mëkat, le të jetë i pari për të hedhur gurin kundër saj.” (Gjoni 8: 7)

Studimet e fundit tregojnë se pushime të shkurtra sporadike ndihmojnë njerëzit të jenë më produktivë dhe kjo konsiderohet si prirje e shekullit të 21-të.

Einstein ia atribuon shumë prej zbulimeve të tij pushimeve me violinën e tij, të cilat ai besonte se e ndihmuan të lidhë idetë në mënyra krejt ndryshme.

Në një intervistë në vitin 1926, Henry Ford shpjegon se pse ai kaloi punëtorët e tij nga një punë 48-orëshe 6-ditë në javë në një punë 5-ditëshe 40-orë në javë, por me të njëjtat pagat: “Shlodhja është përbërëse e domosdoshme për një rritje të tregut të konsumit, sepse njerëzit që punojnë duhet të kenë mjaft kohë të lirë për të gjetur dhe përdorur produkte konsumi, duke përfshirë automobila.”

Duket se trupi i njeriut është projektuar për të punuar në ritme, jo për orë pafund, dhe pushimet janë shpesh po aq të rëndësishme sa edhe puna që bën.

Kërkimet e diskutuara në librin “Creativity and Mind” tregojnë se pushimet e shpeshta rrisin ndjeshëm aftësitë për zgjidhjen e problemeve. Duke punuar papushim për katër ose pesë njeriu kufizon shanset për të bërë lidhje të reja nervore në tru, të cilat nxisin mendimin dhe krijimtarinë.

Rregullat duhet të respektohen, por disa edhe duhet të tolerohen kur janë provuar shkencërisht si shkatërruese të produktivitetit.

Për të zgjidhur një problem duhet shkuar në rrënjët e tij dhe kur problemi rritet me keqdashje, rrënjët janë harruar.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Pushime

23 TETOR- DITËLINDJA- GJERGJ FISHTA – ÁTË NË LETRAT SHQIPE

October 22, 2016 by dgreca

– në diten e lindje se tij/

1-gjergj-fishta-276x300
nga Visar Zhiti/

1 Visar

Përpara emrit Gjergj Fishta gjithsesi na vjen për mbarë të shtojmë atë fjalëzën e shkurtër dhe parake “Átë”, se vërtet At Gjergj Fishta ka diçka të përhershme prej áti, jo vetëm si klerik dhe atë në letërsinë shqipe, por në vetëdijën e shqiptarit. Ai është përcjellës i amaneteve, i kumteve që vërshojnë nga goja e kombit, nga buzët e plagëve të shekujve dhe u bë dhe vetë zë i madh, i ngritur në lartësitë e një epike madhështore, me fuqinë e Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili), legjendë moderne ndërkohë, me rrënjë shkëmbi, plot dije dhe urti, me dhëmbje dhe dufe, dhe befas shndërrohet në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, me një gjuhë të begatë dhe onomatopeike dimrash e lumenjsh. Por Átë Gjergji ka dhe zëmërim perëndish, që nga dashuria e kthen atë në satir(ik), ndoshta është satiristi më i mirë në Ballkan i kohës së tij. Dhe pikërisht këtu, kur ai është qortues, sikur bëhet i pakohë, madje ngjan fare aktual, sikur sapo e shkroi një satirë të tij dhe kjo e bën të ndjehet i gjallë vazhdimisht.
Átë Gjergj Fishta është dhe veprimtar, patriot i flaktë, edhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, politikan i atdheut, deputet, akademik i kulturës italiane, duke e parë si kolonë të kulturës europiane. Ai ka qenë i propozuar dhe për çmimin “Nobel”.
At Gjergj Fishat është një fenomen në kuptimin metaforik, por dhe të zakonshëm, ai u bë shumë i njohur qysh në gjallje, deri dhe anekdodik. Kur dikush, p.sh, ka nisur të recitojë diçka prej tij, menjëherë të tjerë kanë ditur ta vazhdojnë, madje dukej sikur krijohej kori antik, ti thoshe një varg, tjetri vargun tjetër, kështu ka ndodhur me të, nëpër popull, në teatër, por dhe në autobuz, në pllaja, në kuvende burrash, por dhe në burg.
Heshtja e dhunshme që e mbuloi gjatë diktaturës, e shoqëruar me denigrime e fyrje si askush, nuk e trandën monumentin e tij, ai, siç thoshin latinët, e sprovoi veten duke mposhtur jo dy vdekjet, por më shumë se aq. Vepra e At Gjergj Fishtës është qendresë dhe kushtrim lirie, dinjitet kombëtar dhe shkëmb. Pejsazhi më i fuqishëm i shpirtit shqiptar. Së bashku me pararendësin e tij Naim Frashëri, që ai e adhuronte, të dy së bashku ata sikur bëjnë dy kokat e shqiponjës në Flamurin tonë.

* * *
23 Tetor ështe datelindja e tij. Natyrisht kritika letrare, studiuesit, shkrimtarët dhe jo vetëm ata, personalitete të venditi e kanë thënë e do të thonë fjalën për të, gurra fishtiane nuk shterr, por për ta përkujtuar ne, kemi zgjedhur një veprim ndryshe, jo studim a vlerësime, por po pranojmë antologjinë e njërit prej lexuesve të tij më pasionantë, Zef Skanjeti, që vazhdimisht e hap Veprën e At Gjergj Fishtës, mrekullohet prej saj dhe dëshiron t’i japë lexuesit pjesë, që sipas tij, janë dhe aktuale, nga njëra anë për rëndësinë e kumtit e dritën udhërrëfyese dhe nga na tjetër si dukuri, pengesa, që duhen qëlluar me shigjetat e mprehta fishtiane.
Thjesht për të ndjerë se sa i madh është, pazgjidhshmëritsht me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Përzgjedhje nga Zef Skanjeti për gazetën:

SHQYPNISË
(1909)
T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!
I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,
Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue
Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri
Kje Lumi vetë, qi mue m’dergoi ksi hiri
Për nën qiell tande t’kthielltë un me u perftue.
Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,
Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri.
Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana
E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,
Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:
Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshuemit.

GJUHA SHQYPE
Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli fllad i erës,
qi lmon gjijt e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjama e rrfés zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu a gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po a e ambël fjala e saj,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhe ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’ameshimit.
……………………………………..
SHQIPNIA E LIRË
(1921)
Do t’valvitet m’Kaçanik
M’Kaçanik, po, do t’valvitet
Kuq e zi Flamuri i shqyptarvet,
Përse toka shqyp ku flitet,
Ajo vetë asht, q’i prej t’parvet
Trashigim na e kemi pasë:
Mbrendë i huej, jo ma s’do t’shklasë,
Posë atëherë kur vjen për mik.
Jo, jo: sot na ktu sundojmë;
Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall Lirin’ na nuk e lshojmë
S’njohim mbret as krajl të huej.
Zoti n’qiell e na mbi tokë:
Me gjithkënd vllazen e shokë,
Por se i cili m’cak të vet.

DREDHA E DJALLIT
Tek satirat në “Anzat e Parnasit”, përveç tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirfilltë si “Dredha e Djallit”, ku paralajmeron ardhjen e dreqit te kuq (komunizmit) ne Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet perpara se ai te triumfonte në Rusi, më 1917 (Shënim nga Z. S.)
……………………………………
E shka t’lânë kta kater ujq,
Qi i kercnohen shoqi-shojt,
Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,
Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.
Edhe m’duket se per né,
Mor’ Shqyptarë, ky djáll i zi
Sa mâ para ka me lé,
Pse na dreqnit kem’ kojshi…
Qe, pra, tash se per ç’arsye
Punë n’Shqypni s’jet pa u shperthye,
Due me thânë, pa u partallisun
Çdo pûnë mbarë qi t’jete nisun
E kjo nâmë, ase kjo rrfé,
Ka me ngjatun, thom, nder né
Dersá menden na t’a rrisim
E me dije mos t’a shndrisim;
Dredha e djallit, pse s’âsht tjeter
Si e kam kndue nder libra t’vjeter
Veç padija dhe krenija,
Qi shkojn njitë si trupi e hija.

MOMI
(1902 )
(MOMI – I biri i Nates e i Gjumit, vellai i marrisë, hy prozhmimesh)
…Kushdo fjalet nuk matë ku vrasin,
Ate e ndjeke perhere rreziku;
Pse shqyptaret nje fjale e flasin:
Ç’ ka t’ ban goja, s’ t’ ban anmiku…
…………………………………………….
M’ kambe kryekungujt prej si u vune,
Duel padija n’ krye te vendit;
Njerzt e kenun u poshtnuene,
Mbeten t’urtit jashte kuvendit.
Duel me faqe t’ bardhe tradhtari,
Shpirt e fis qe ka kuleten;
U ndeshkue pa dhimbe shqyptari,
Qi per fis jep gjane e jeten.
Shqypnise zani atehere i humbi,
T’ huejt mbi qafe i a vune thembren,
E e mbloj skami, terri e gjumi,
Djemte e vet ia lnuren zemren.
E shqyptaret, jo veç s’e nisen
Per keto pune perjashta Momin,
Por ma fort madje e konisen,
Msue gjithmone me nderue llomin…

KOHA E ARIT NE SHQYPNI
(1907)
…Sot ma shpejt nje thes me pleshta
Ti ban bashke se dy shqyptarë.
Sa jane fise permbi dhe
Me bashkim kta n’drite kane dale:
Ka çite dreqi pushke mbi ne
Mos me u ba dy vete m’nji fjale.
…Sepse ktu kujton seicili
Se ka mend edhe me shitun:
Thue se mendja e holle e kshilli
Vijne prej vedit n’krye t’u rritun.
JO, heu paça ! S’jane mendte fieri
Per me u rrite neper morriza:
S’a ba i dijshem kush pa hiri,
Ndeje peshtete e tu njehe miza…

NEN HAJAT TE PARRIZIT (1914)
(Duke u nisur veçanerisht nga kjo “bisede”, shënim Z.S.)
Skanderbegu : A thue ka gjase se Shqypnija ka me pase nje Mbret te vetin?
Djalli : Nji? Njiqind ti thuej! Ne Shqypni moj faqja e bardhe, hiqet zi me gjete se kush me ndigjue, ketu asht halli; pse per me urdhnue gjen sa te duesh; çdo çaush beledijet n’ Shqypni kishte me dashte me u ba Mbret, veç per mos me ndigjue…
Shen Pjetri : …Por per inat te djallit e te shqyptarve Zoti ka me e mbajte Shqypnine ne kambe me nder e me lumni…
…
Skanderbegu : Si jane pra shqyptaret e Shqypnija?
Djalli : Si jane?… Si i don anmiku…

PALOKE CUCA
(Poeme satirike, 1922)
Fragment
Ah, ju grekomanë – do stramastikë qelbsina,
Motit si sot, ju te pabesë gjithmonë,
Me bark n’ Tiranë e kryet kthellë te Athina,
Rrashten të fortë si rrumi nen kumbonë
Që, sikur orli lëshon permbi stervina,
U lshuet ju mbi financa t’Shtetit tonë
E llapazana t’sterholluem tuj kenë,
Krejt mendsh i muert muhamedanë e t’kshtenë*.
……
*- të katolikë
( Sqarim- me “grekomanë” nuk nënkuptohen ortodoksët.)

“KORRUPSIONI”
— nga “Gomari i Babatasit”
Kush zhelan-kush sallahan,
Po yrysh lshue t’gjith m’pilaf,
Ta kanë qitë, po, Shqipnin n’grusht,
E toçë brryl mastikë e n’musht,
T’kanë ba zyret monopol
Ç’prej Koplikut m’Konispol,
Franka ar tue grrye me spol,
Do ministra-e Kryeministra,
Tjert prefekta-e nënprefekta,
Kta n’Botore ata n’Foshnjore,
Disa antarë-disa gjygjtarë:
Kush me da tokën e Shqipnisë…
Ju rrugaça e sallahana,
Vagabonda, shakllabana,
Rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi,
Qi të mjerës moj Shqypni
Kthellë hi i keni në mushkni,
Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
Po der kur, bre batakçi!
Bre coftina kalbë mbi dhe!
Der kur ju tu’ u tallë npër ne,
Do t’na qelbni fis e atdhe?…..
Për do “gazetarë”
…
Edhe kshtu po qep e shkep,
Me nji shqipe per gazep
E si t’ishin ne kllapi,
Pa kqyre cak, pa mbajte hulli,
Pa pase shkrimi as kambe as krye,
N’ mereqep kartat kane zhye,
E t’ kane pjelle-me nder me thane-
Njata artikuj qe ty dhane
S’ t asht der sot me u vu me i kndue.
Se ata, besa – m’ndigjo mue-
Nuk i kane shkrimet zanat:
S’ jane per pendë, por jane per shat.
Jo, po, kshtu asht mor t’u ngjate jeta!
Per me shkrue zotni n’gazeta
Duhet shkruesi t’ jete ma parë
Njeri i ndershem e atdhetar,
T’ jete fisnik, zemer-bujar,
Jo intrigant e ngatrrestar
Edhe kenë mos t’ket hafije
Mandej duhet qe t’ kete dije-
Dije t’hàpt n’ekonomi,
N’histori e ne tregti,
N’politike e ne drejtsi;
Edhe t’dije shk’ asht shkolla e msimi
Shk’ asht lirija e qytetnimi,
T’ jete shqiptar ne shkrim e n’goje,
Fjala n’pende mos t’i ngurroje:
Mbare e mbare punte t’i kallzoje
Me t’ ngushtue me kndue perdhuni
Shka nder shtylla ai rresht vuni,
Tashti, pra nji sallahan,
Vagabond e shakllaban,
Njeri idiote e laraman,
Qe mendon se per taman
Te tane bote rri n’ “sahan”,
Çka mund t’ shkruej, po t’pyes une ty
Ky qi as byk nuk ka ne krye,
Jo ma tru?…

SHKODËR, (RI)VARRIMI I GJERGJ FISHTËS
(nga libri “Thesaret e frikës” i poetit Visar Zhiti)
shkruar gegerisht

N’varrin e shembun dhe t’harruem u gjetën
copra kocash, mbetun nga mëkati i pakalbun.
Çka mund t’bahet me to, o At’, veçse skeleti i dorës,
që mbi dhė ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve
e nan dhė eposin e gjallë të t’vdekunve? Baj kryq
dhe dora m’zhvishet, bien mishi, m’bahet skelet
si dora jote e kombit. E mbushim me zanin tand si
shpatën me millin. Se e gdhendëm drunin e fatit tonë.
Ranë bujashka fjalësh n’varrin që s’do të vdesi ma.

Filed Under: ESSE Tagged With: GJERGJ FISHTA – ÁTË, NË LETRAT SHQIPE, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 341
  • 342
  • 343
  • 344
  • 345
  • …
  • 618
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT