FJALË TË PATHËNA PËR SALI TAHIR BAJRAKTARIN E SHIPSHANIT
Ai – në ato vite shkollore – bani emër, la emër, e mbeti emër i mirë, aq sa portretin e tij dhe fakte nga jeta e veprimtaria e tij i sjellin në mendje e i përcjellin në biseda dhe breza pasardhës të “Harrifultzëve”. Dikush flet për një foto të tij në shtypin e kohës. Një tjetër tregon se për pak sa nuk i mbeti emri në histori si atetantor ndaj një personaliteti tejet të njohur. Rrëfejnë dhe për qëndresën e tij vetjake e në grup shkollarësh qëndrestarë ndaj pushtimit fashist të 7 prillit 1939. E rrëfejnë…gjithandej, shumkush.
Sali Tahir Bajraktari në 73 vite moshe i përjetoi shumë regjime përgjatë nji shekulli: të Zogut repblikan e mbretnor, të Nolit kryengritës e pushtet jetëshkurtë, të fashizmit Italian, të nazizmit Gjerman, të Komunizmit tipik alla-shqiptar, të Demokracisë të pambrrime e, në disa prej tyne, u godit shpesh e fort po gjithnji qëndroi në kambë, gjithmonë në ecje, përherë përballës deri në sfida. Ai kishte një jetë të atillë me qëndrime e lartësime që ka me i folë dhe të nesërmes, po erdhi një farë kohe me ashpërsi komuniste të luftës së klasave, me diferencime politike e tri internime ndaj tij e familjes së tij të madhe, po nuk i munguan në derë e udhë ata që e njohën për mirë dhe e deshën përnjimend, paçka se fjala e mirë publike ceremoniale, plotërisht, e gdhendur, e thuktë, duket se iu tha nga poeti bashkvendas, Selim Aliaj, vetëm në tubimin përcjellës për në banesën e tij të fundit, në agun me diell e me ngrica të vitit të lodhur nga dështimi i regjimit komunist e në rizgjim demokratik – më 1991.
Sali Tahir Bajraktari i Shipshanit ishte djalosh malësor rreth 16 vjeçar kur mori rrugën nga kulla e tij trojenike në Kasaj të Tropojës, nga Qafë Morina kult mitik- historik-legjendar, për në kryeqytetin shqiptar, në shkollën teknike amerikane “Harry Fultz”, një shkollë e atillë që edhe pse po ban gati një shekull nga hapja e saj nuk po mundet t’i dalin rivale astenji shkollë shqiptare e derisotme, si për nga mësimdhania, baza material, përgaditja profesionale e nxanësve, etj.
Tirana e shpallur kryeqytet në Kongresin e Lushnjës më 1920 dhe Sali Tahir Bajraktari, i datëlindjes 1919, i ardhun nga “Nënprefektura e Kosovës” (siç thirrej atëherit “Malësia e Gjakovës”), përkitazi, ishin pothuaj moshatarë.
Po, asokohe, Sali Tahir Bajraktari, ky malësor i ri, vinte në kryeqytet me një qytetërim të avancuar prej kohësh. Lartësisht, në dy shekuj.
Të parët e tij, Din Bajram Bajraktari e Bek Din Bajraktari, prej se nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Tahir Bek Bajraktari në Kryengritjen e Pavarësisë të 1912-tës në Shkupin dardan udhëtonin me trena, pasi Kosova ishte me linja hekurudhore. E, prej atëherit bota malësore e alpinëve dardanë modern ishte e madhe, kishte “kryeqëndrat” e veta të qytetërimit, si e thoshin ma të vjetrit në shprehjet e përveçme: “nga Shkodra në Shkup”, “nga Gjakova në Pejë”, “në Plavë e Guci”. Aty, nëpër Kasaj të Shipshanit, bash për skej kullës së Bajraktarit të Shipshanit, kalonte rruga antike ardiano-dardane, e prej nga vitet monarkiste të Kohës së Zogut kishte dhe një rrugë për të lëvizë dhe me makinë për me ra dekteri në qytetin e Gjakovës me rrethina.
Sali Tahir Bajraktari vinte në kryeqytetin e Shqipërisë Londineze nga Dera e Kulla e Bajrakut të njohur të Shipshanit, e cila kishte nxjerrë figura atdhetare me përmasa rajonale e deri kombëtare si Din Bajram Bajraktari, Bek Din Bajraktari, Tahir Din Bajraktari, Rrustem Tahir Bajraktari e të tjerë, të cilët luftuan atdhetarisht e trimnisht me bajrak, me mendttari, me gjak e me plagë kundër serbëve, malazezëve, turqëve, austro-hungarezëve, si para e gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në Dy Luftërat Ballkanike, në Luftën e Parë Botërore.
Ndonëse asokohe po binte gradualisht fuqia e bajrakut si instituticion, Sali Tahir Bajraktari ia ndiente peshën e genit e të traditës bajrakut të tij, po nuk ia ndjente aq shumë nevojën në realitetet jetësore e shkollore në kryeqytetin e Shqipërisë, pavarësisht se ishte larg kullës e trevës së tij. Kjo për faktin se Sali Tahir Bajraktari i Shipshanit dhe po të mos e kishte mbiemrin “Bajraktari”, ai ishte vet një bajrak i gjallë i kohës së tij shkollore.
Sali Tahir Bajraktari në shkollën teknike në Tiranë ishte në kulmin e rritës së vet nga shtati fizik listar alpin e nga mendja e tij me fuqi krejt genetike e bile disi magjishme.
Ky shkollar malësor, si e thonë të tjerët, kishte një zgjuarsi natyrore të lakmueshme, demonstronte një shkathtësi të admirueshme.
Me thanë të vërtetën e cilësojnë si fort të pashëm. Si ai ma. Një Sali Bajraktar.
Me thanë të drejtën ishte i dhanun pas mësimeve, veçmas në shkencat ekzakte dhe i dallueshëm në praktikat mësimore. I kapte mësimet qyshce në klasë, por dhe rrinte ultas e ngultas për me nxanë dije. E kishte merak të madh mos me mbetë pas të tjerëve dhe nuk e donte veten me e ulë kryet para “profesorëve” të tij mjaft të zotë.
E, në koftë se atëherë do të ishte shpik kompjuteri, pa më dyshje, do t’i thoshin Sali Tahir Bajraktarit “kompjutër” në simbolikë, në përngjasi dijetare memoriale.
Duket se këta të Derës së Bajraktarit të fisit tim të Shipshanit e kanë pasë për gen ndër brezni, diçka krejt genetike, për me kanë “kompjuter” të tillë, çka iu shprehet njëjtësisht dhe ndër degëzimet e tyne, tek shumë e në shumësi nipash e mbesash si dje dhe sot. E, iu priftë e Mbara, e iu ndrittë e Mira me i pasë shembuj e shembullime të tilla dijetare dhe në ditë-vitet e shekujt e ardhshëm.
E, unë, e kam njoft nga afër Besnik Sali Bajraktarin, një nga mendjet “kompjuter” të kësaj dere bajraktarësh, të kësaj kulle dijetarësh genetik, i cili si dhe të tjerët e genit të gjakut e tamblit të tij të trungut me degëzime, ia thotë matematikës si bilbili kangës. Po ky Besniku dhe diçka ma tepër: është shahist i kalibrit të madh që ka dalë në duele me kampion bote dhe prej kohësh është i zgjedhur nënkryetar i Federatës Shqiptare të Shahut, për ma tepër: pjesmarrës e përfaqësues i Shqipërisë dhe në disa kongrese ndërkombëtare.
Pra, këta të “Derës së Bajraktarit” e kanë shahun “meny” të ditës dhe të jetës së vet familjare e publike.
E njof dhe ndryshe Besnik Sali Bajraktarin, atëhere kur ai ishte krejt i ri e “me cene” në biografi politike të motmoteve moniste, atëherit kur ishin të internuem për së treti familjarisht e fatkeqësisht në Brisë, në fshatin ma të largët dhe ma reliev thyer shkëmbor në krejt rrethin e Tropojës. I internuan në vitin 1976 nga Kasajt në Brisë. Për pesë vjet, po ngaqë ishin të punës së madhe e të mirë dhe me sjellje morale e shoqërore të lartë, ngaqë ishin të vlerësuar nga brisianët mërturas, i kryen mbi tre vjet internim, po kësaj here, nuk mujtën, ma saktë: nuk i lejuan shtetërisht e politikisht me u kthye në fshatin e lindjes, në trollin e tyre. Kësokohe, i riu Besnik Bajraktari, tregoi një rast tejet unik, plot me sakrifica e sfida për shkollimin e tij, pasi shkonte nga Brisa e Tropojës, e kalonte Qafën e Agrit, dh e binte deri në Breg-Lumi të Shkodrës me e ndjek shkollën e mesme bujqësore, që atëherit kishte për drejtor Mahir Domin, profesorin e nderuar të Universitetit të Shkodrës. Tri orë bante me shkue deri në Breg-Lumi dhe tre orë e gjysmë me u kthye për nelt në Brisë. Udhëtonte dhe në kohë me reshje e trashësi bore sa që gjunjtë në rrehe ia kapnin telat e linjës telefonike dhe në gjithato herë kur kthehej mbrëmjeve i jehonin rrugës ulërimat e ujqërve të maleve përrreth. E, Besniku i tejkalonte të gjitha, shkëlqente në mësime, në sjellje, në dukjen e tij, në udhët e tij…
Sali Tahir Bajraktari i Shipshanit, një nga të veçantit nxënës të shkollës teknike të Tiranës, ishte mjaft i lidhun me shoqërinë. Ai nuk të linte në udhë po të tha “mik” dhe ishte e vështirë me i dalë para në udhë edhe po ta kishe “armik”. Ai, pa fol me tepri, njihej si malësor tipik alpin për nga traditat, karakteri e fiziku i tij, por ndokush dhe e krahasonte me Kreshnikët e Eposit të Veriut.
Në shkollën teknike të Tiranës (e cila dhe sot mban emrin e saj të parë “Harry Fultz”) u njoft nga afër e mirësisht, në kushte e rrethana të caktuara, me nxanës “harryfultz”. Me Mehmet Shehun e “Luftës së Spanjës” dhe kryeministrin e mavonshëm të Shqipërisë Socialiste. Me Fadil Hoxhën që u ba personazhi politik ma kryesor i Kosovës në vitet e Luftës Partizane, në krye të LKJ të Kosovës, në drejtimin disa dekador të Kosovës (KSA në kuadrin e RSFJ). Me Mustafa Gjinishin – një nga luftëtarët e prijtarët e shquar; njëri nga shtatë antarët e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, një nga antarët e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL të Shqipëris (10 korrik 1943), sekretar i mbledhjes të Konferencës së Mukjes, etj.. Me Perlat Rexhepin e Vlorës që shkroi “Epopenë e Tre Heronjëve të Shkodrës”. Me gjirokastrin Abedin Çiçi, Mjeshtër i Madh, njeriu me punë e shpirt dritë, që i trokiti në derë dhe kur Salihi ishte në internimin e dytë klasor ideo-politik ndëshkimor në Fier.
E, më rrëfen shumkush, se A. Çiçin e ka njoft në praktikat mësimore të agronomisë në Fidanishten e Laprakës. Apo ma saktë, qysh atëherë i madhi A. Çiçi shihte tek Sali Tahir Bajraktari një nga njerëzit ma të shquar të trevës së tij, Malësisë së Gjakovës, e ma shumë e ma mirë – një burrështetas të kohës së ardhme. Sali Tahir Bajraktari me Mehmet Shehun, ma i madh në moshë, ishte njoft në verën e vitit 1936 kur, ky i fundit, punonte përkohor si traktorist në fermën e shkollës teknike të Tiranës.
Sali Tahir Bajraktarit, këto njohje me figura të tilla, kjo shoqëri në dyert e “Harry Fultz”-it, këto lidhje në kryeqytetin e Tiranës, kjo kohë aktive shkollore, ia rritën ma shumë personalitetin e tij, ia shtuan veprimtarinë e tij, e brumosën ma tej e ma fort atë. Qysh atëherit, këto e të tjera veçanti të tij, e kthyen Sali Tahir Bajraktarin e Shipshanit në një personazh publik.
E njifte dhe vet Mbreti Zog si dhe disa ministra të Qeverisë së Tij, jo vetëm se ai vinte nga një derë e njohur e bajraktarëve të Shipshanit të Malësisë së Gjakovës, por dhe nga që ai, Sali Tahir Bajraktari, po rritej ndër vite si një bajrak i kohës, në kohë, për kohën.
Kulla e tij bajraktare në Kasaj të Tropojës, veçmas pas vdekjes së Tahir Bek Bajraktarit, si dhe shteti monarkik në Tiranë për të mbajtur lidhjen e vet me këtë derë e me këtë krahinë luftarake të Shipshanit, e kishin një mendim e projektim me e çue Sali Tahir Bajraktarin me studime për jashtë shtetit, por…jeta nganjëherë nuk është aq e bukur apo e vështirë siç shfaqet në andrra e në sy-pamje të parë.
E premtja e zezë e 7 prillit 1939, ma fort e ma qartë se astenjiherë tjetër, e shfaqi lartësisht e botënisht të riun Sali Tahir Bajraktari si një nacionalist të shquar, si një patriot të madh.
Ua thashë kryhere se Sali Tahir Bajraktari ishte trup lisnar, e përngjasonte me ata “kreshnikët e Alpeve”, me personazhe të Eposit të Kreshnikëve, për të cilët “Harryfultzit” kishin njohje dhe nga vepra “Visaret e Kombit”: Vëll. II (1937) dhe Vëll. IV (1939), etj.
Ai, Sali Tahir Bajraktari, energjinë e tij fizike dhe shpirtërore shpesh herë e kthente në një fuqi të madhe, si më 7 prill 1939 kur ai i theu forcërisht me levë hekuri dyert e magazinës ushtarake të shkollës. Hynë aty. U armatosën me armë.
Misioni i shenjtë i mbrojtjes kombëtare të Atdheut të vet i nisi për udhë drejt Durrësit. Mirëpo në Shijak, ura mbi Erzen ishte minosur dhe rruga ishte e pakalueshme për ma andej drejt Portit Detar, ku pushka kushtrimtare jehonte mes flakëve të luftës mbrojtëse atdhetare. Aty erdhën lajme jo të mira nga fronti i luftës. Heroi përballës Mujo Ulqinaku ishte vrarë në krye të detyrës ushtarake luftarake. Qëndresa shqiptare ishte thyer në det e në tokë. Ushtria fashiste italiane po marshonte me hapat: me zjarr e hekur, me flakë e gjak në pushtimin e gjithkahshëm të Shqipërisë.
Nxënësit luftëtarë të shkollës teknike të Tiranës i kthyen nga rruga luftarake e nisur drejt frontit të luftës. Ata u detyruan të ikin prej andej, nga Shijaku, të arratisen drejt Maqedonisë. Atje i futën në një kamp në Gostivar.
Pas disa ditësh Sali Tahir Bajraktarin e çuan në Tropojë, në fshatin e tij të lindjes, në Kasaj të Shipshanit. Aty qëndroi pak kohë, pasi iu doli “falja” atyre që ishin qëndrestarët antifashistë të 7 prillit 1939 dhe, nga që ishte maturantë, atij si dhe të tjerëve, iu dha e drejta për të kryer provimet e diplomimit. Ai u rikthye në Tropojë i diplomuar “agronom”, detyrë të cilën e zotëronte mjaft mirë, aq sa dhe vet puna e bujqësisë ia kishte nevojën atij, profesionit të tij, veçmas në dekadat e para të pasçlimit e të internimeve të tij në Lushnje, Fier, Tepelenë.
Sali Tahir Bajraktari, i diplomuar në shkollën teknike të Tiranës, i rikthyer në Tropojë, filloi punë për nji kohë të shkurtër si përkthyes i italishtes në minierën e kromit në Kam të Bytyçit të Tropojës. Ai u largua prej andej dhe kontribuoi në profesionin e tij të agronomit, në pronat e familjes së tij të madhe, në truallin e bajrakut të tij.
Pas kapitullimit të Jugosllavisë në prill 1941, ky shtet federal monarkist u copëtua nën ndikimin italo-gjerman. Me Dekret Mëkambësor, nr. 133, datë 3 dhjetor 1941, në Qeverinë e Tiranës u krijua Ministria e Tokave të Lirueme dhe Prefektura e Kosovës me qendër në Prizren përbahej nga disa komuna administrative me territore e popullsi të ndryshme.
Një ndër to ishte dhe komuna e Becit, ku Sali Tahir Bajraktari emërohet sekretar i saj dhe, tevona, me largimin e kryetarit, e kreu zyrtarisht dhe këtë funksionin shtetëror.
Në disa dokumenta arkivore gjenden “Raport mbi sjelljet e autoriteteve serbe kundra shqiptarëve gjatë kohës së sundimit të tyne në rajonin e komunës së Becit”, “Raport mbi djegjet e shkatërrueme prej serbëve në kohën e shkatërrimit të tyne”, etj.
Në dokumentin e parë na tërhjek gjuha e të shkruarit, kultura e të trajtuarit të çështjeve qyshce në kryefjalë, në fillesë. Aty thuhet tekstualisht: “Në ditët e para e fatëzeza që zbritën serbët e malazezët në këto vende, ata u dukën të butë, të sjellshëm dhe sikur të dishim çka don me thanë Qeverim drejtësie. Po sikur thotë një fjalë e vjetër “Ujku qimen e ndrron e vesin s’e harron”, ashtu dhe pushtuesit e Kosovës nuk shkojnë shumë pa i dhanë ngjyrë tjetër sundimit të tyre. Pikësëparit jugosllavët kërkuan dorëzimin e armëve dhe të çdo lande që kanë lidhje me mjete lufte. Shqiptarët e këtushëm, mbas shumë e shumë vuajtjeve shtazore pa kurrfarë mëshire e njerëzie, banë dorëzimin që kërkohesh. Edhe sot kur kujtohen për këtë veprim bahen sit ë mahnitun. Megjithëse çdo armë e municion ishte dorëzue, gjindarmërija jugosllave nuk mbetesh kurr e mjaftueshme, kërkonte rishtas me sasi të shumta tue përdorë çdo mjet barbarizmi që mund të kujtojë historija…”.
Në dokumentin e dytë shohim përgjegjësinë e lartë zyrtare në trajtimin me emra e mbiemra dhe me fakte të dëmeve të shkaktuara nga serbët në fshatin Bec, si, konkretisht: Çel Shabani dhe Mus Zeneli nga 12.000 franga shqiptare secili; Ukë Myrta, Rexhep Sejdia, Dervish Bajrushi, Isuf Musa, Palush Marku, Demush Shabani, Man Halili nga 10.000 franga shqiptare secili, etj., etj.
Komuna e Becit, e drejtuar nga Sali Tahir Bajraktari, u kthye në një bazë të randësishme të Luftës Nacionalçlirimtare në këtë trevë e për Rrafshin e Dukagjinit. Kati i parë i saj i ngjante një spitali partizan, ku shëroheshin të sëmurët nga të ftohtit e nga plagët e luftës. Atyre iu shërbente si një “mjeke popullore” dhe e shoqja e tij, Fatimja e derës (oxhakut) së fisme të Bajram Hazir Rrogamit të Tropojës.
Në arkivën time, në një dosje, kam disa faqe me kujtime të veteranit Ali Zenun Qelia i Shipshanit. Ai tregon se si me njësitin e tij partizan shkoi në komunën e Becit dhe e mori aty Xheladin Hanën – Hero i Popullit, i cili ishte i plagosur dhe e kishin mjekuar e ia kishin shpëtuar jetën Sali Tahir Bajraktari me të shoqen e tij. Ata e morën prej aty dhe e çue në fshatin Valbonë. Atëherë, në vitet e komunizmit, janë kanë interesuar veçanarisht Ali Z. Qelia dhe im atë, Ali Lushaj, që Bek Din Bajraktari i vrarë në luftë me sllavët të shpallej “Dëshmor i Atdheut”, që ky akti ndaj Xheladin Hanës të përmendej si vlerë e luftës partizane dhe të ekspozohej në stenda të muzeut krahinor apo të rrethit. Kjo çështje shkoi për shqyrtesë deri tek sekretari i parë i KP të rrethit, po gjithçka mbeti në pikënisje, pa u krye atë ditë e sot. E kjo është fjala e parë publike e shkruar për këtë akt të lartë të familjes Bajraktari të Shipshanit, të vet Sali Tahir Bajraktarit e të vet Fatime Rrogamit-Bajraktari, bashkëshortes së tij dinjitare, e ditur, e përkushtuar, një malësore tipike e kohëve të vështira të luftës e të monizmit.
Pas Tahir Bek Bajraktarit, në linjë genetike, bajraku i takonte Rrustem Tahir Bajraktarit, vllaut të madh të Sali Tahir Bajraktarit. Ai e mbajti nja shtatë vite. Deri në hapin e fjalën e fundit të tij. Ishte fort i ditun e mjaft i lidhur me fshatin e tij, krahinën e tij, bajrakun e tij. I kishin hije për mirë: fjala me peshë në kuvende, pushka trimnore në beteja e pamja bukurnore e burrnore. Dinte artin e luftës. Bante art tradite në komunikimin me njerëzit e fisit e të Nënprefekturës, me të Rrafshit të Dukagjinit. Fliste edhe në gjuhët e huaja: në italisht, në serbisht…
Asokohe Rrustem Tahir Bajraktari nuk kishte shumë nevojë për Bajrakun e Shipshanit, po për emrin e veprimtarinë atdhetare, ditunore e prijtare të tij kishte nevojë vet bajraku i Shipshanit. Dukej si i lindun për t’i prirë bajrakut të vet.
Përgjatë historisë, bajraku i Shipshanit, sikurse dhe të tjerët në Malësinë e Gjakovës, ishin mjaft të lidhur me krahinën e Plavë-Gucisë, me tre bajrakët e saj, me viset e saj. Vet dera e Bajraktarit të Shipshanit kishte krijuar lidhje farefisnore me këtë trevë epike, që Lufta e saj e Nokshiqit e viteve 1879-1880 ishte Parathënie e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës të Ismail Qemalit, apo siç thonë vargjet: Si dy male i rrijnë Historisë / Nokshiqi e Vlora e Pavarësisë”…/
Aty nga fundviti 1942 banda çetnike sllave e Marko Vaçeliqit mësyni tek Stanet e Hotit, në Lipovicë, duke kërcenue e për të pushtue krejt Plavë-Gucinë. Kur në pranverën e vitit 1943 sulmuan çetnikët e Pavle Gjurishtit, komandant i formacioneve çetnike në Malin e Zi, atëherë u muar vendimi popullor institucional për me ngritë kompani vullnetare në Plavë-Guci për ta mbrojt atë nga sulmet e Çetinës e të Beogradit e deri të Moskës. Prapë në shtator 1943 çetnikët e kërcenuan krahinën për pushtim, donin të hynin në qytetin e Plavës “për të likujduar komunistët”, por në bisedime me Shemsi Ferrin, Shaban Bej Rexhepagajn e Hajro Shahmanin u detyruan me u zmbraps deri në kufijtë e 1912-‘13-tës.
Në fillim të nëntorit 1943 repartet çetnike të Veliçko Bojoviqit e sulmuan krahinën legjendare të Plavë-Gucisë. U lëshua kushtrimi luftarak. Në këtë luftë mori pjesë dhe një formacion ushtarak vullnetar i Shipshanit, i prirë nga bajraktari i fisit, nga Rrustem Tahir Bajraktari. Ai e mbante flamurin (bajrakun) në ballë të betejës.
Në një nga ditët e kësaj lufte sa lokale dhe (ndër)kombëtare, tue u kthye hypur në kali shale për në qytetin e Plavës e kapin dhimbje të forta të zemrës dhe ai bie përtokë. Pësoi dëmtime frakturore jo të lehta e shtypje të randa, çka e banë me e nxanë shtratin e lëngesës e të shpresës për shpëtim. Ai qëndroi tek një familje me mbiemrin Beshkoviq në Plavë, me sa duket të origjinës shqiptare, të cilët u përkujdesën për Rrustem Tahir Bajraktarin si për djalin e vet për me ia mjekue plagët, me ia shërue dhimbjet, me e ngritë në kambë si një luftëtar prijtar i zoti.
Kur lajmi i shkoi në vesh Sali Tahir Bajraktarit u nis nga komuna e Becit e shkoi në krahinën e Plavë-Gucisë, tek vllau i tij. Ai e mori Flamurin e Bajrakut të Shipshanit për me e çue tek kulla e vet në Kasaj. Thonë se një ditë Sali Tahir Bajraktari shkoi në një përpjekje luftarake me çetnikët sllavë. E mbante Flamurin e Bajrakut.
Ishte beteja e fundit që valvitej Flamuri i Bajrakut të Shipshanit.
Sali Tahir Bajraktari ishte i fundit bajraktar i Shipshanit që printe në një luftë me bajrakun e fisit në dorë.
Pas asaj lufte në Plavë-Guci, Sali Tahir Bajraktari u kthye në shtëpinë e tij, bashkë me vllaun e vet, Rrustem Tahir Bajraktarin dhe me Flamurin e Bajrakut të Shipshanit. Thonë se Rrustemi qëndroi një apo ma shumë ditë në kullën e tij në Kasaj dhe ndrroi jetë ende pa i mbush tridhjetë pranverat e moshës së tij.
Ai mbeti në historinë që ende nuk është shkruar plotërisht, saktësiht, lartësisht për jetën e veprimtarinë e tij e të bajrakut të vet, të Dinastisë Bajraktari të fisit të Shipshanit.
Sali Tahir Bajraktarit ishte nxënës në shkollën teknike amerikane “Harry Fultz”, një vit pas shtetëzimit të saj nga Zogu, po gjithë jetën e tij në komunizëm e përndoqi me trajtesa e mbingarkesa politike fakti se ishte një “Harry Fultz”.
Përkundrazi ai një thanie të njohur të Harry Fultz “Përpiqu të bësh Shqipërinë vend për të cilin vlen të jetosh” e kishte moto të veten, pavarësisht se dhe për shërbesa të larta kombëtare e qytetare ndaj vendit të vet dhe nuk i mori shpërblesat e merituara. Përkundrazi: e internuan tre herë, atë vet dhe familjen e tij të madhe. Të parën herë, në vitet 1953-’55 në Lushnje-Tepelenë-Lushnje. Të dytën herë, në vitet 1959 deri më 1970, në Fier, në NB “Çlirimi”. Të tretën herë, më 1976 në Brisë. Pas internimit të fundit nuk u kthyen ma në vendlindjen e vet, në Kasaj të Shipshanit, përveçse kur Sali Tahir Bajraktarin e çuan për ta varrosur në vendlindjen e tij trojenike. Aty ku lindi dhe u rrit si bajraktar, si luftëtar, si dijetar, si shtetar, si shqiptar.
Sali Tahir Bajraktari në jetën e vet i pati dy martesa me çika nga dyer të mëdha, të njoftuna ndër Shqiptari për pushkë e mendje, për traditat, vlerat e virtytet e tyre. E para martesë ishte me Xhevahiren e derës së Sahit Hoxhës të Fletit të Pukës. E dyta martesë ishte me Fatimen e derës së Bajram Hazirit të Rrogamit. I pati 12 fëmijë: Drita, Mustafa, Tahiri, Bedrija, Nexhmija, Makbulja, Besniku, Bahria, Zarifja, Vojsava, Fiqireti, Afërdita, të cilët gëzojnë një emër të mirë, i qëndruan kohës me vështirësi e krenari, me sakrifica e dinjitet. U rritën vet të mirë e rritën fëmijë të mirë. Me gene të trollit, në brezni. Me i rritë këta fëmijë atij i duhej shpesh herë të tregohej e të çertifikohej “rebel” i kohës me të gjithë ata kurthaçi që nuk ia donin të mirën, që donin me ia klucë të keqen, që e sulmonin për zotësitë, që e ndiqnin me “cenet” e biografisë, etj. Atij, në internime nga Brisa në Fier-Lushnje-Tepelenë, në veprat e mëdha të dritës si në Fierzë, në qytetin alpin të Bajramcurrit, etj. për me i ruajt fëmijët e vet, familjen e vet, i duhej të sillej si Shqiponja në Folenë e Vet…
Sali Tahir Bajraktarin vërtet nuk e lanë të rritej i madh me pushtet e në shtet, po as nuk mujtën me e ba “të vogël” në kullën e vet, në udhën e vet. Atë nuk e lanë apo nuk ia mundësuan me i demonstruar vlerat e tij të rralla në lartësitë e kohënave sado të vështira, por as nuk mundën për me ia hup genet në rrjedhat e brezave të tij degëshumë. Ai po rritej i madh që në rininë e tij në shkollën teknike të Tiranës, po dhe kur u ba i madh në moshë e me thinja dukej e ndjehej sikur të ishte djalosh i ri.
Sot, lisnaja e tij në vargavijë genetike, dhe deri me nipër e mbesa të derës kombëtare Bajraktari, janë të njohur për mirë: juristi e shahisti Besnik Sali Bajraktari, djemtë e Tahir Sali Bajraktarit, vllaznit Mulaj të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, vllaznit Ponari të firmës “Kassel”, të Fondacionit “Kastriot Kadri Ponari” etj. Këta, të gjithë, janë si notat e pentagramit, apo ndryshe: secili me instrumentin e vet, me hapin e tij, përndryshe: janë një ansambël vlerash e arritjesh bashkëkohore.
Faktikisht, nipat e mbesat e Sali Tahir Bajraktarit janë genemirë në truallin e kullat e tyre, por kanë një nderim e kumtim të veçantë për dajën e tyre, për Dinastinë Bajraktari të Shipshanit, prej se nga Din Bajram Bajraktari, Bek Din Bajraktari, Tahir Bek Bajraktari, Rrustem Tahir Bajraktari e të tjerët të mavonshmit, si Mustafë Sali Bajraktari, martir i demokracisë prej vitit 1976, “Qytetar Nderi” i Tropojës, emrin e të cilit prej 26 majit 2016 do ta mbajë Sheshi kryesor i kësaj njësie administrative të madhe, ish nënprefekturë, ish qendër rrethi e komune, etj. apo si e ceki në disa shkrime të mijat “kryeqyteti” edhe i krahinës time të Shipshanit ndër dekada të shekujve të fundit.
“BAJRAM CURR, O BAJRAM CURR, EMRI YT S’ HARROHET KURRË!…”
Nderim, në përvjetorin e vrasjes/
Nga: Prof. MURAT GECAJ/
1.Sado vite që të kalojnë, brez pas brezi, do të nderohet e kujtohet biri i paharruar i Kosovës dhe i mbarë Shqipërisë, “Heroi i Popullit” Bajram Curri. Sepse, ashtu si shumë atdhetarë e luftëtarë tjerë tanë trima, jetën e shkriu për lirinë, pavarësinë dhe përparimin e mbarë trojeve tona amtare.
Lindi në një karrocë, në vitin 1862, në fshatin Krushtë e Madhe të Kosovës, gjatë rrugës për në qytetin e Prizrenit. Pushtuesit osmanë po i internonin familjen, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), si hakmarrje ndaj qendresës antiosmane të babait të tij, Shaqir Currit. Erdhi në jetë “i burgosur”, por kurrë burgun nuk e pa me sy as e lidhi do kush ndonjëherë, veç nëna në djep edhe pse armiqtë tërë jetën e ndoqën kamba-këmbës. Se ishte trim e trimëri merrte përherë nga populli ynë, për të cilin nuk kurseu asgjë, as jetën e tij.
Rasti e ka sjellë që, gjatë jetës, jam njohur nga afër me bashkëshorten e tij, kreshniken Dervishe ose “Ajkunën”, siç e quante vetë Bajram Curri. Por kam njohur nga afër dhe bijat e tij, nënë Feriden, në Tiranë e nënë Hajrinë dhe mbesat, Valdetin e Mimozën, në Shkodër. Kur shkoja për ndonjë arsye shërbimi në këtë qytet të lashtë, gjeja kohë e kthehesha në banesën e tyre mikpritëse. Deri para disa viteve, kur u nda nga kjo jetë, aty jetonte e moshuar dhe nënë Hajria. Sigurisht, temë e bisedave tona ishte dhe babai i saj, “Heroi i Popullit” Bajram Curri.
Në vijim të këtyre lidhjeve, jemi takuar në Tiranë ose më ka marrë në telefon, nga Shkodra edhe mbesa e B.Currit, Mimoza Kraja. Ajo kishte një merak dhe amanet të nënë Hajrisë: “Mos e harroni asnjëherë gjyshin tuaj dhe kujtojeni me nderim çdo përvjetor të rënies së tij”.
Siç tregonin bashkëkohësit, që në rininë e tij, Bajram Curri, i cili e kishte prejardhjen nga fshati Curraj i Epërm i Nikaj-Mërturit, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), u dallua për zgjuarësi dhe gjallëri. Bashkëmoshatarët dhe ata, që e njohën nga afër, tregonin se qyshë 10-12 vjeç i pëlqente të stërvitej me kalë dhe të godiste shenjën me gurë e më vonë me armë. I edukuar me ndjenjat atdhetare në gjirin e familjes, urrejtja për pushtuesit dhe çdo lloj armiku, iu kthye në nevojë jetësore.
Megjithëse provoi disa fatkeqësi familjare, Bajrami nuk e dha veten. Përkundrazi, gjeti forca për të punuar e luftuar më shumë për Atdheun. Nënë Feride Bajram Curri më tregonte: “Babës i vdiqën dy vëllezër, djem e vajza, por nuk u ligështua. Përkundrazi, u jepte forcë e zemër njerëzve, kur kishin halle. Më shumë kujdesej për të tjerët, se sa për vete. Baba ka patur muhabet të mirë, të shtruar dhe kurrë nuk rrinte pa shokë e dashamirë. Asnjeherë nuk ishte me nerva të ngritura në jetën familjare e shoqërore dhe nuk dëshironte t’i dëgjonte të tjerët të bënin shamatë. Ishte shakaxhi dhe i pëlqenin kënga e muzika popullore. Zërin e kishte të bukur, melodioz; mendjen të hollë dhe ishte shumë zemërgjerë”.
Siç dihet, Bajram Curri nuk pati shkollë, por ishte mjaft i zgjuar nga natyra dhe arsimdashës. Me kujdesin e tij, u çelën shkolla shqipe në: Gjakovë (më 1915), në Malësinë e Gjakovës dhe në Has e Lumë etj., në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Me dhjetëra djem kosovarë i dërgoi për të vazhduar mësimet në Shkup, Kolgecaj e Krumë, në Tiranë dhe Elbasan. Duke vlerësuar lart ndihmesën e tij në këtë fushë, në Kongresin e Arsimtarëve të Tiranës (më 1924), atë e zgjodhën kryetar nderi etj. Siç e fikësuan studentët shqiptarë në një fotografi, tashmë të njohur, Bacë Bajrami pati si moto të jetës së tij: “Një për të gjithë, të gjithë për një”.
3.Qyshë në rini, Bajram Curri doli në ballë të qendresës popullore kundër pushtuesve otomanë. Në Malësinë e Gjakovës ai mblodhi rreth vetes një çetë me luftëtarë të vendosur dhe u ndesh me ushtrinë e Mustafa pashës, duke i penguar që ta nënshtronin atë krahinë liridashëse dhe të mblidhnin rekrutë e taksa të shumta. Kjo veprimtari i shqetësoi pushtuesit, prandaj u përpoqën që ta afronin atë me mënyra të ndryshme e duke i bërë lajka. Por atdhetari i madh nuk e ndërroi asnjeherë mendjen, pra qendroi i vendosur në luftën e tij të drejtë.
Kryengritjet e mëdha antisomane të viteve 1910-1912 ngritën peshë zemrat e qindra e mijëra luftëtarëve, në Kosovë e kudo në Shqipëri. Veçanërisht, është e njohur veprimtaria e Bajram Currit gjatë kësaj periudhe, në krye të forcave kryengritëse të krahinave veriore, si Gash, Krasniqe, Bytyç, Nikaj-Mërtur, Shalë etj. Një qendresë e pashoqe malësorët u bënë pushtuesve në Qafën e Morinës dhe në prita të tjera, kur sulmoi ushtria e gjaneralit gjakatar Durgut Pasha. Ndërsa në Qafën e Prushit (ku të parët tanë farkëtonin armët kundër pushtuesve,-siç pohonte Akademiku Eqrem Çabej) armiqtë lanë shumë të vrarë e të plagosur. Bacë Bajrami i udhëhoqi me guxim luftimet për mbrojtjen e trojeve shqiptare edhe kundër pushtuesve serbo-malazezë. Veprimtaria e tij luftarake u bë e njohur kudo, ku flitej shqipja, por dhe ndërmjet armiqëve. Janë mjaft domethënesë fjalët e B. Currit, sipas bashkëluftëtarit të tij, atdhetarit Hasan Prishtina: “Asht nji detyrë e shenjtë për me luftue kundra çdo anmiku dhe mos me pasë aspak pushkë. Lufta na u ka ba detyrë. Pra, duhet t’u dalim zot të drejtave tona dhe të shpëtojmëë prej robnisë”. Synim të jetës së vet, B.Curri kishte dhe edukimin e brezit të ri me virtytet më të larta të shqiptarizmit. Kështu, bashkëkohësit tregojnë se u drejtohej kështu të rinjëve: “Merrni vesh, djemtë e mij: -Kur një djalë shqiptar nuk ka besë e nder, kur nuk e do vatanin e vet dhe nuk vdes për të, ai nuk është shqiptar, ai është më e fundit vrimë e kavallit (fyellit)”.
Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Bajram Curri e priti me gëzim të madh. Por përsëri nuk e rreshti luftën e tij të vendosur kundër armiqëve, ndaj synimeve të serbomëdhenjve dhe të shteteve të tjera shoviniste fqinje. Mbështeti fuqimisht qeverinë e Ismail Qemalit, në Vlorë dhe më pas atë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, e cila e emëroi Ministër Paportofol dhe komandant të Forcave Kombëtare. Duke e përshëndetur këtë gjë, përfaqësues të popullit i shkruanin ato ditë:” E gjendmja e një burri me shpirt të thjeshtë, kombëtar, na jep një shpresë të madhe për Shqipërinë”. Ndërsa në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924, Bajram Curri luajti rol vendimtar. Ai udhëhoqi afër 2.000 forca kryengritëse, të cilët hynë me fitore në Tiranë.
Por edhe pas dështimit të këtij Revolucioni, B.Curri e vazhdoi qendresën e vendosur në malet e Veriut të Shqipërisë, në mbrojtje të idealeve demokratike. Atje gjeti strehë të sigurtë dhe përkrahje të gjithanshme nga malësorët trima e liridashës. Kudo la mbresa të pashlyera dhe te secili gjeti besnikë për kokë. Prandaj nuk është e rastit që, sa e sa familje atdhetare e bujare në Malësinë e Gjakovës, Dukagjin, Has, Lumë, Pukë, Dibër a gjetiu, e kujtojnë atë edhe sot e kësaj dite si mik e bashkëluftëtar të paharruar të shtëpive të tyre. Janë të njohura familjet në Malësinë e Gjakovës (Tropojë) e më gjerë, ku ai u strehua e gjeti mbështetje të fortë, si te Sali Mani i Bujanit, Shend Balia i Margegajve, Dulë Alia i Dragobisë, Gjonajt e Geghysenit, Qarrët e Hasit etj.
Në vitet ’60-të e ’70-të të shekullit të kaluar, babai im më tregonte për “kreshnikun Curr”: “Bajrami ishte burrë i pashëm, trupmadh, si lisi me rrema. Ta fitonte zemrën me thjeshtësi, urtësi e dashuri. Fliste me cilindo, bile edhe me fëmijët e gratë e moshuara. Ta dinte nderën e ishte mikpritës. Këtë gjë e kam provuar tek ai edhe vetë unë…”.
Armiqtë e gjurmonin ta kapnin të gjallë atë, por nuk ia arritën dot qëllimit. Mjaft shtëpi malësorësh u bastisën, në atë dimër të egër të fillim-vitit 1925. Por nuk treguan asgjë për vendndodhjen e tij. Sapo përmendim këto fjalë, menjëherë na bien ndërmend vargjet-lapidar të një elegjie të njohur: “Thon’ u shtri e thonë u vra,/ po ti s’ vdiqe, or Baba,/ as te Shkëmb’ i Dragobisë,/ as te zemër’ e djalërisë…”. I shkroi me dhimbje e pasion Fan Noli, në përkujtim të “tribunit të vegjëlisë”, B.Curri.
Po si kishte ndodhur ajo epope legjendare? Siç thamë, armiqtë e ndiqnin Bajram Currin. Ai gjeti strehë në Alpet e Shqipërisë, bashkë me luftëtarët e vetë besnikë. Shpella e Dragobisë u bë istikam i sigurtë për të, deri sa e rrethuan nga të gjitha anët. Atëherë, ai gjeti një shteg kalimi e u nis drejt një vatre mikpritëse të atij fshati. Por, papritmas, u ndesh në forcat armike. Ata qëllonin, por nuk donin ta vrisnin. Se kryeministri serb Pashiq,”hajni”, në bashkëpunim me tradhtarët vendës, kishin venë shuma të mëdha, 10 mijë franga ari, si shpërblim për atë, që do ta kapte të gjallë Kryetrimin. Lufta u bë e ashpër ndërmjet Bajram Currit, me pak veta dhe kundërshtarëve, që shkonin në front luftimi.
Ishte 29 marsi i vitit 1925. Fillim pranëvere. Bjeshkët kreshnike gjëmuan nga armët e paulura të “Dragoit të Dragobisë”. Por zogjtë e malit përhapën lajmin tragjik, “ma të idhtë se zana”, se, më në fund, kishte rënë “lisi me rrema”. Ushtimën e tij e përhapën me dhimbje të pazakontë valët e Valbonës ujëkaltër dhe Alpet e mbuluara me borë të përhershme. Ndërsa rapsodi popullor e përjetësoi atë, me vargje të dhimbshme e kranare: “Bajram Curr, o Bajram Curr,/ emri yt s’ harrohet kurrë!/Të kujton gjithnjë Shqipëria,/ s’të harron përjetë Kosova…”. Shumë epitete e fjalë nderimi e vlerësimi i kanë bërë Bacë Bajramit, duke e quajtur: “Fatosi i lirisë së Shqipërisë”, “Dragoi i Dragobisë”, “Babai i vegjëlisë”, “Shqiponja e maleve shqiptare” etj. Emri i tij është përjetësuar në shumë shkolla e rrugë, në Shqipëri e në Kosovë dhe në qytetin alpin “Bajram Curri”.
Trupi vigan i Bajram Currit u mbulua me flamurin e lavdisë shqiptare; ai u kthye në simbol lirie e në Përmendore të bardhë, e cila përherë i fton brezat për atdhetarizëm, guxim e trimëri.
Tiranë, 29 mars 2016
Mjerë Shqipëria për këta ekzemplarë!
Refleksion/
Nga Reshat Kripa/
Ulur këtu në qoshen time rri dhe meditoj. Meditoj për jetën time. Meditoj për të kaluarën dhe të ardhmen time dhe çuditërisht nuk, shoh ndonjë diferencë të madhe ndërmjet tyre. Para syve më del e kaluara ime që rrjedh nga një familje që gjatë luftës për liri më shumë ishte rreshtuar me atë që quhej Lëvizja Nacionalçlirimtare se sa çdo lëvizje tjetër e asaj kohe. Kështu dy motrat e mia Drita Kripa, që më vonë do të merrte mbiemrin Pelingu dhe Fatushe Kripa vepronin me njësitet guerile të Frontit Nacionalçlirimtar duke shpërndarë trakte kundër pushtuesve në kryeqytet. Dy djemtë e hallës, Bardhyl dhe Petrit Emiri ishin në rradhët e partizanëve. Po ashtu tezja ime Zyhra Radhima ishte themeluese e organizatës së gruas komuniste në Vlorë dhe dy kushurinjtë e nënës time ishin Shyqyri Alimerko, Hero i Popullit dhe Sinan Gjoni, themelues i Partisë Komuniste për Vlorën që në vitin 1946 u ekzekutua nga diktatori.
I vetmi ndryshim që mund ta quajmë të tillë, ishte se im atë ishte një tregëtar i ndershëm që me djersën e ballit kishte mundur të ndërtonte një fabrikë vaji me të cilën mbante familjen. Kështu që erdhi dita dhe të gjitha kontributet e dhëna në favor të lëvizjes komuniste të fshiheshin me zero dhe familja e jonë të etiketohej me termin “borgjez” dhe në mënyrë ta pakuptueshme të dëbohej nga Tirana për “arsye politike” dhe të degdiseshim në qytetin tonë të lindjes, në Vlorë, ku filluan të na trajtonin si armiq. Përse erdhi kjo? Edhe sot e kësaj dite unë nuk di t’i jap përgjigje.
Një gjë e tillë bëri që im vëlla, Besnik Kripa në moshën 17 vjeçare, në vitin 1950, së bashku me dy shokë të tij, të ngrihesh kundër të ashtuquajturit pushtet popullor dhe të shpërndante trakte antikomuniste. Një vit më vonë edhe unë, së bashku me dy shokë të mi, të moshës 15 vjeçare, të zhvillonim të njejtin veprim. Pasojat ishin Besniku i dënuar me 15 vjet burg, ndërsa unë me 5 vjet. Qysh nga ai çast unë e kisha hedhur poshtë gjithçka kishin bërë pjestarët e familjes time në favor te regjimit, pasi e konsideroja si një veprim të pamatur dhe aspak të drejtë. Ndaj u shpalla kundër tij.
Atëherë, në këto kushte, ndodhi përmbysja e madhe. Gjatë periudhës së burgut mësova se historia nuk ishte ashtu siç ma kishin mësuar por krejt ndryshe. Mësova se kishte edhe një histori tjetër, të kundërt me të parën, që më intrigonte së tepërmi pasi, në këtë histori shikoja Shqipërinë e vërtetë, Shqipërinë e madhe ku përfshiheshin Kosova dhe Çamëria si dhe të gjitha viset ku flitej shqip dhe kjo ndjenjë kombëtare u ngulit në zemrën time për të mos u shkulur kurrë.
Vitet kaluan dhe, së fundi, kuçedra e kuqe që kishte zaptuar vendin, e theu qafën. Prisja që të zbatoheshin parimet që më kishin mësuar ata burra me të cilët kalova vitet e tmerrshme të sistemit totalitar. Prisja që në skenën politike shqiptare të dilnin edhe ato figura të ndritura të historisë shqiptare që sistemi totalitar i kishte lënë qëllimisht në hije. Por vura re se kjo nuk ndodhi. Në tastjerën e politikës shqiptare filluan të lartësoheshin po ato figura që ishin nderuar dhe mbinderuar në të kaluarën. Edhe kur bëhej fjalë për ndonjë figurë të re, që nuk ishte përmendur deri atëherë, flitej me zë të ultë që as nuk dëgjohej.
Një miku im, shkrimtar dhe poet që, si unë, vetëm pas ndryshimeve demokratike ka filluar të shkruajë, ka botuar edhe disa shkrime kushtuar personave të ndaluar nga sistemi i kaluar duke i vlerësuar ata. Një ditë, duke biseduar me të, kur i thashë se përse nuk shkruan edhe për figurën e njerit nga liderët e nacionalizmit shqiptar, të madhit Mit-hat Frashëri, tha:
- Unë mund të shkruaj për këdo por për Mit-hat Frashërin jo.
Mbeta i habitur. Përse? Nuk e pyeta më gjatë. Kjo është një e drejtë e tij. Por të mos
shkruash për një personalitet që ka lënë gjurmë në historinë e këtyij kombi, si Kongresi i Manastirit, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare, Konferenca e Paqes në Paris e të tjera dhe të përqëndrohesh në periudhën e Luftës së Dytë Botërore ku figura e tij mbeti, si gjthmonë, e papërlyer por që u nxi nga propaganda komuniste, nuk më duket normale. Më gjeni një dokument ku përlyhet figura e tij dhe unë do t’ju jap të drejtë. Unë do t’ju thoja se, në rast se figura e tij paskësh qenë e përlyer me pushtuesit, atëherë si u pranua dhe u ulën me të në tavolinë komunistët në Konferencën e Mukjes?
Të nderuar qytetarë të Shqipërisë! Përpara se të shfaqni mendim për periudhën e Luftës së Dytë
Botërore, ktheheni veten në ato vite dhe gjykoni sikur të jeni ende në atë kohë. Për herë të parë në historinë e saj Shqipëria ishte kthyer në kufijtë e saj natyralë. Kush e ktheu në këto kufij? Nuk ka rëndësi. Mjafton që u kthye. Atëherë ata burra të rrallë a nuk do ta quanin këtë vënien në vend të një
padrejtësie që komuniteti ndërkombëtar i kishte bërë Shqipërisë në Konferencën e Londrës? Por ishte tradhëtia e drejtuesve të lëvizjes komuniste që dërguan në Kosovë batalionet partizane për t’ia dorëzuar atë vullnetarisht autoriteteve serbe dhe nuk mjaftoi kjo, por duhej derdhur edhe gjaku i mbi 4000 kosovarëve dhe shqiptarëve në masakrën e Tivarit që të realizohej kjo dëshirë makabre a atyre që nuk kishin atdhe. Për fatin e keq të këtij kombi shkaktarët e vërtetë të këtij holokausti do të ishin një figurë e urryer e elitës komunsite, ish komisar i forcave partizane në Kosovë, që për ironi do të bëhej Presidetnt i Republikës pas përmbysjes dhe një atentatori të paskrupull të njësiteve guerrile në Vlorë, që ishte emëruar komandant i këtyre forcave në Kosovën martire.
Këto gjëra meditoja me veten time. Meditoja sepse kohët e fundit ka shpërthyer një fushatë e shfrenuar e atyre që kërkojnë të rehabilitojnë sistemin e përmbysur. Qarkullon fjala “Shokë” e harruar pas viteve 90-të. Qarkullon portreti i diktatorit nën hundën e qeveritarëve. Qarkullojnë filmat e realizmit socialist ku çdo partizan ishte një hero dhe çdo ballist, legalist apo përfaqësues feje ishte një tradhëtar. Duan ta rehabilitojnë por jo që ta kthejnë atë. Ky mund t’ju duket si një paradoks. Keni të drejtë por ai është realiteti i sotëm. Për ata çakenj sistemi sotëm është burimi i mbipasurimit të tyre. Sot nuk ka më ideale, nuk ka parime. Sot ka vetëm anarshistë dhe karrieristë që përpiqen për realizimin e parimeve obskurantiste të tyre dhe për këtë janë gati të bëjnë pakt edhe me djallin.Mjerë Shqipëria për këta ekzemplarë!
Sulltan Nevruzi-: Një ditë e re për Teqenë e Baba Rexhepit në kohën e injorancës
Nga prof . Emeritus, Frances Trix e Universitit të Indianës/*
Festa e Sulltan Nevruzit është një nga festat kryesore të bektashinjve shqiptarë, Si për çdo vjet edhe këtë vit në kremtimin e kësaj feste në teqenë bektashiane të Baba Rexhepit, të drejtuar tanimë nga dervishi i ri dhe i përkushtuar Eliton Pashaj dhe nën kryesinë e kryetarit të Këshillit të Teqesë z.Ekrem Bardha, në sallën e mbushur plot e për plot, u mbajt më 27 mars 2016, dreka e rastit, ku krahas z. Bardha, foli dervishi Eliton Pashaj i cili kujtoi me mjaft emocion, ndër të tjera, edhe kalimin në jetën tjetër të baba Arshiut, si edhe iman Shuaip Gërguri pranë qendrës Islamike në Michigan i cili foli për figurën e iman Aliut si një figurë bashkuese në islam, por mjaft interesant ishte fjalimi i nxënëses së Baba Rexhepit prof . emeritus, Frances Trix, e cila me fjalën e saj para besimtarëve të pranishëm në Teqenë bektashiane të Baba Rexhepit, bëri një ndriçim sa teologjik aq dhe aktual të kuptimit kësaj feste në ditët e sotme. Ku krahas rritjes të terrorizmit islamik të frymëzuar nga ISIS, ka dhe një frymë ati-islamike në SHBA dhe në botë që në përgjithësi të shkaktuar nga mosnjohja e islamit të mirëfilltë si një besim paqësor. Shkrimi jep një ndihmesë në kuptimin e festës së Sulltan Nevruzit për bektashinjtë sot Amerikë E falënderoj atë që me lutjen time ma përcolli këtë kumtesë të cilën e përktheva për shtypin e komunitetit.
Rafael Floqi /
***
Ndjehem mirë që ndodhem në Teqen bektashiane në Taylor, Michigan, për këtë festë dhe për t’u parë ju të gjithëve këtu. Ne duhet të vijnë së bashku për ta mbajtur Teqen fortë në kujtesën e baballarëve tanë që janë me ne, sikurse edhe të atyre që kanë kaluar nga kjo jetë.
Duke pasur parasysh mësimet e Baba Rexhebit, mësuesin tim, për të kuptuar pse kjo festë është e rëndësishme për ne. Festat janë mësimet që të gjithë ne duhet të përsëriten çdo vit. Dhe çdo vit ne mund të mësojmë diçka më shumë prej tyre.
Sot unë do të theksoj tre kuptimet e Nevruzit: kuptimin e tij më të hershëm, kuptimin e tij të veçantë në islam, dhe kuptimin e tij për të bektashinjtë sot në Amerikë.
Së pari, çfarë është kuptimi më i hershëm i Nevruzit?
Nevruz do të thotë “ditë të re” në persisht, dhe Sulltan Nevruz do të thotë “mbreti i ditëve të reja.” Kjo është një festë e lashtë përkujton ditën e parë të pranverës.
Vini re se ajo vjen në të njëjtën kohë çdo vit, ndryshe nga festat e tjera muslimane. Ajo vjen kur jeta e re, në natyrë po afrohet, mbin bari i ri dhe dalin gjethet. Me të gjitha ndërlikimet në jetën tonë të përditshme, ne duhet të jetë të rikujtojmë, se edhe ne jemi pjesë e rikrijimit të vazhdueshëm. Ne duhet të jemi mirënjohës për këtë.
Ata prej nesh që kanë parë anëtarët e familjes kthehen tek Perëndia vitin e kaluar – në Teqenë tonë mendoj se këtu e Baba Arshiu, dhe zoti Xhelo Pasho i cili u nda nga jeta këtë javë, dhe të tjerë – duhet të na kujtojmë bekimet e jetës së re, si dhe…
Së dyti, Se çfarë është kuptimi Islam i Nevruzit?
Ajo është ditëlindja e Imam Aliut. Ne të gjithë e dimë se Imam Aliu ishte dhëndri i Profetit, burri i Fatimes, dhe babai i Hasanit dhe Hysenin. Por shumë njerëz harrojnë se Imam Aliu ishte i pari mashkull që i besoi mesazhit të Profetit Muhamed, alu es-selam. (Personi i parë që të besojnë në mesazhin e tij ishte sigurisht Khadije, gruaja e tij.)
Imam Aliu ishte i guximshëm dhe të mbrojtur Profetin në betejë. Ai ishte i njohur si Shah-i Merdan, “Mbreti sypatrembur.” Ne mund ta quajmë atë “Brave heart ” Por pwr mw tepër, Imam Aliu ka lindur në vitin 600 në tokwn e shenjtë të Qabesw. Kur profeti po lante fëmijën, Ali, ai tha: “Unë po të laj në ditw lindjen tende, dhe ti do të më lash në ditënvdekjen sime.” Në të vërtetë Imam Aliu ishte ai që e lau Pejgamberin në ditën e vdekjen e tij në vitin 632.
Aq e afërt ishte Imam Aliu me Profetin sa kuptimet e fshehura të Kur’anit që bektashinjtë dhe sufitë tjerë e shohin, si bazë për të kuptuarit Islamin vijnë përmes Imam Aliut. Pra, kur ne sot festojmë Nevruzin, festojmë jetën e re, jo vetëm jetë e re në natyrë, por edhe një jetë të re në frymën që Imam Aliu na ka sjellë.
Së fundi, Cila është domethënia e Nevruzit për bektashinjve në Amerikë, sot?
Ne jetojmë në kohën e injorancës së madhe, me shpifje kundër emigrantëve, me shpifje kundër Islamit. Si mund të përgjigjemi këtyre shpifjeve kundër myslimanëve në Amerikë sot? Le të diskutojmë në vazhdimësi rreth të kësaj. Ne duhet të mbështetemi fort në besimet tona dhe traditat tona.
Sa për sulmet e fundit në Evropë, guximi i vërtetë, nuk është duke shpërthyer bomba valixhe në aeroporte apo teatro. Kur’ani na mëson se Perëndia përcakton orën dhe minutat e vdekjes sonë. Shumica e amerikanëve nuk e kuptojnë që udhëheqësit myslimanë i kanë dënuar sulmet terroriste ndaj civilëve dhe sulmet vetëvrasëse si anti-Islame.Për më tepër, shumica e amerikanëve nuk e kuptojnë se armiqtë kryesorë të ISIS janë muslimanët e tjerë. Unë mund t’ju them me siguri se në qoftë se bektashinjtë do të ndodheshin në Siri tani, Zoti mos e dhashtë, ISIS do t’i kishte vrarë burrat, dhe rrëmbyer e marrë si skllevër gratë dhe fëmijët.
Mesazhet 700-vjeçare bektashiane të respektit, tolerancës, dhe rritja e jetës shpirtërore është drejtpërdrejt në kundërshtim me mesazhin e ndarjes, intolerancës, dhe ngurtësisë të ISIS-it.
Me festën të Nevruzit, të lindjes së jetës së re dhe Imam Aliut, do t’i bëjnë të çmendur ata.
Pra, le të jemi të fortë në këtë Sulltan Nevruzit. Kjo është festë jonë e jetës së re e krijimit, në natyrë dhe në Teqen tonë. Le ta shtojmë dashurinë për Imam Aliut që shpresa dhe fryma jonë të rritet. Dhe mund të jetë edhe atje rritja në të kuptuarit e bektashizmit që ne mund të përhapet këtë njohuri tek fqinjët tanë amerikanë, në mënyrë që ata të kenë më pak frikë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 373
- 374
- 375
- 376
- 377
- …
- 607
- Next Page »