• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AT ANTON HARAPI: “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”

February 18, 2016 by dgreca

(70-vjetori i pushkatimit të At Anton Harapit(1946) dhe 100-vjetori i rënjes së Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit, 1915)

Nga Frank Shkreli/

Shkurti shënon 70-vjetorin e pushkatimit nga regjimi komunist të At Anton Harapit, njërit prej atdhetarëve dhe dijetarëve më të dalluar të kombit shqiptar.  70-vjetë më parë, At Anton Harapi dënohet me pushkatim nga “gjyqi i popullit”, si “armik” dhe “tradhëtar”, trupi i vdekur i të cilit u hodh diku në afërsi të Tiranës, ndërkohë që as pas 70-vjetësh nuk i dihet as varri i tij.  Hapni dosjet! Ashtuqë në këtë 70-vjetor të pushkatimit të këtij personaliteti të shquar të kombit, të zbulohet se ku është varrosur, jo vetëm Anton Harapi, por edhe patriotë të tjerë të kombit, eshtërave të të cilëve u janë humbur gjurmët nga regjimi komunist. Të zbulohet varri i tij dhe varret e shënjta të të gjithë atyre që u pushkatuan nga regjimi enverist i nxitur, për zhdukjen e patriotëve dhe intelektualëve më të dalluar të kombit shqiptar, nga sllavo-komunistët armiqët historikë të shqiptarëve.  Ishte amaneti i tij që, “Eshtënët e mi në tokën e Parëvet të jenë testamendi em.”  Por, ai nuk dinte se, për regjimin komunist nuk mjaftonte që ai si kundërshtar tij të pushkatohej, por duhej që edhe eshtërat t’i treteshin.

At Anton Harapit i kishte falë Perendia shumë dhunti morale dhe talente të shumëta në fusha të ndryshme që e dallonin atë. Ndër të tjera, ai njihej edhe si orator i spikatur jo vetëm në Shkodër por edhe anë e mbanë Shqipërisë.

Ishte viti 1915 kur ushtria malazeze kaloi kufirin dhe pushtoi Shkodrën. Ushtria sllavo-malazeze u detyrua të zhvillonte luftime me malësorët shqiptarë. Ndër të tjerë, atyre iu ishin bashkuar në mbrojtje të trojeve shqiptare nga pushtuesit serbo-malazez edhe patriotët e kombit, Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli.  Pushtuesit sllavë organizuan menjëherë vrasjet, ndjekjet dhe internimet kundër patriotëve shqiptarë, duke vrarë, Isa Boletinin, Ded Gjo Lulin, Mehmet Shpendin, por edhe Çerçiz Topullin e Mustafa Qullin, të cilët thuhet se kishin shkuar në Shkodër për t’iu bashkuar lëvizjes për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimi sllav.  Për një periudhë prej 20-vjetësh thuhet se eshtërat e Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nuk kishin varrë të tyre në fshatin Shtoj të Shkodrës, por zbulohen në vitin 1936. Eshtrat e dy dëshmorve dërgohen në Gjirokastër, por jo më parë se Shkodra tu jepte këtyre patriotëve një lamtumirë madhështore dhe me fjalime prekëse nga ndër të tjerë, edhe At Anton Harapi.  Fjalimi i At Anton Harapit para mijëra qytetarëve të Shkodrës me rastin e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit për në vendilindje më 1936, është cilësuar si një fjalim klasik, i pa krahasueshëm me ndonjë tjetër në historinë e oratorisë shqiptare.  Në kujtim të 100-vjetorit të rënjes së dëshmorëve Çerçiz Topulli dhe Mustafa Qulli, vrarë nga forcat serbo-malazeze (1915) dhe duke shënuar 70-vjetorin e pushkatimit të At Anton Harapit shkurtin e vitit 1946 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ia vlenë të kujtohemi se çfarë burrash dhe çfarë  atdhetarësh kishte dikurë kombi shqiptar.

Fjalimi i At Anton Harapti në ceremoninë e përcjelljes së eshtërave të Çerçiz Topullit dhe Mustafa Qullit nga Shkodra në vendlindjen e tyre:

 “DY LOTË E NJË BETIM

Ndalnju! Ku veni, o burra ?!…
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.
Doni t’a leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari patë t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshem e rritet shtatin, atje prej kah Shqipnija u qiti edhe u ndriti !
Le të lëvdohen po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s’do të gezohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët për atdhe.

Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrëshme, por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo shqiptarësh, jeni kreshnikë, jeni burrat shqipëtarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë sot me gëzim u përcjell Shkodra, lama e nana e kreshnikisë s’uej .
Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puthun në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmuem të dy krahët, permallshem pa u derdhun dy pika lotesh, lote gezimi e pikllimi, mbi eshtënt t’uej.
Eshtën të pamort, u falem ! Të pavdekshëm, po, pse ndër veme t’ueja rueni një visar të çmueshëm, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër ne deri sa të jetë Shqipnija.
E udha e mbarë u qoftë !
Veç, o burra, që vdekun, flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, dhe, lëshonje një za, at zanin t’uej kumbues si të luajvet, diftoni djelmënisë shqiptare shka ua ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshem.
Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnesët e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri që në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen themeluesat e atdheut.
Kemi pse te jemi e të mbahemi Shqiptarë, deri sa të shënjta të ruhen besë e burrni.
Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani një urim Shqipnisë; m’i ndillni të mbarë e perparim, pagjë e ngadhnim.

 Por dhe nje namë, si rrufeja, m’i a lëshoni kulshedres së re, rrymvet dërrmuese, që po e brejnë jetën shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatërrojnë: lëvdohen për dashuni, e na qesin mëninë e fitmen, duen te na mesojnë e po na zhburrnojnë.

 Heu! Ata mos qofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër vehte, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familja e historia.
Nuk po u pyes kush jeni e kah po veni. Kudo shkojshi, të bardhë qofshi ; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk me duhet gja kush u vrau, por knaqëm, kah marr me mend atë per shka ju ratë preja e dorës mizore. Nuk marr parasysh ç’ krahine ishit e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dejt t’uej gjaku shqiptar.

Ju mësytë Shkodrën për strehe atdhetarije, për lamë veprimi, për strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqësi iu priti e iu dha nderimin që ju përkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, ndër të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lulë e tjerë sokola.

Eh, moj Shkodër, moj mizore ! Si s’u ngine ma njiherë me gjak ? Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangën vdekjes e shemtimit?
Shka asht në ty, që dukesh si të ngadhnojshesh ma fort mbi vdekje se sa në jetë, si të gezojshesh ma fort për të mbetun se për të gjallë? Me shka ma mund do të shuhet ajo etja e jote, që tashma sot të rreshkë e të përvlon?…

Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and përkunde burrat e maleve, ashtu në prehën t’and mblodhe, ne votren t’ande rreshtove kreshniket e kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpëtimin; në therori, fitimin; në burrni, forcën. Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmone për piri.
Zotnijë të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali ma. Keni udhë të gjatë. Mirrni kto visare të çmueshme, e shkoni. Por para se të niseni, ejani këtu, e mbi këta eshtën, shëmbull ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijme dorën shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e të krishtenë, e me besën e burravet, me besën Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajtë Shqiptarit të pa prekun një Zot të vertetë, një atdhe të lumtun, për të bamë Shqipninë e re, të fortë e të madhnueshme, të denjë për Skenderbeun.

T’i diftojmë, po, botës, se Shqiptaret janë njimend burra; se mund te jemi Toskë e Gegë, muhamedanë e të krishtenë, e njiheri Shqiptarë të njimendët.
Zoti i vërtetë e Atdheu le të na bashkojnë, Zoti e Atdheu të na mbajnë;
Me Zot e me Atdhe të lumnojmë ! “   
 (Teksti i fjalimit ishte botuar në revistën e françeskanëve shqiptarë, ” Hylli i Drites”, Shkoder 1936.)
At Anton Harapi nuk ishte as “tradhëtar” as “armik i popullit” dhe as një “Klerik që shiti atdheun”, siç e akuzonte jo vetëm regjimi anti-kombëtar i Enver Hoxhës, por edhe apologjetët e tij edhe sot e kësaj dite — por ishte dhe mbetet një atdhetar i cili me besimin në Zotin dhe me dashurinë për kombin e vet, edhe sot në këtë 70-vjetor të pushkatimit të tij, i fton Shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre aktual – duke u bërë thirrje, ashtu siç u kërkoi shqiptarëve të kohës së tij në fjalimin që mbajti si anëtar i parlamentit shqiptar në vitin 1944:   “T’a bajmë monumentin kombëtar – Bashkimin e Shqiptarëve.”

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: At Anton Harapi, bashkimi i shqiptareve, Frank shkreli, Monumenti Kombetar

Kosova në ditëfeste për 8 vjetorin e Pavarësisë …edhe Protestë

February 17, 2016 by dgreca

Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 17 Shkurt 2016/ Kosova po feston sot ditën e  8 vjetorit të Pavarësisë së shpallur në 17 shkurtin histotik 2008, të njohur deri tash nga 111 shtete të OKB-së dhe që nga orët e para tregim suksi i përbashkët i kosovarëve e aleatëve, i mbështjtjes së botës së lirë e demokratike, për të cilën përjetshëm është falënderuese dhe mirënjohëse.

“Secili qytetar i Republikës së Kosovës, do t’i jetë përgjithmonë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Austrisë dhe të gjitha shteteve tjera të Bashkimit Evropian e vendeve tjera që e mbështetën dhe po e mbështesin në rrugëtimin e saj. Kjo mbështetje është garanci se Kosova ka të ardhmen e saj”, është shprehur kryeministri Isa Mustafa në pritjen zyrtare për korin diplomatik dhe përfaqësuesit e institucioneve, me rastin e tetë vjetorit të Pavarësisë, të organizuar së bashku me presidenten e Republikës, Atifete Jahjaga.

Presidentja e Shtetit të ri evropian, është shprehur se, “padyshim, Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë reflektimi, por, mbi të gjitha ajo është ditë feste, ditë gëzimi kur kthejmë kokën prapa dhe ndihemi krenarë për të arriturën tonë më të madhe këtë shekull, bërjen e Kosovës shtet”. 

“E ndajmë këtë ditë me më të dashurit tanë për të festuar dashurinë tonë më të madhe – dashurinë tonë për Kosovën, këtë ëndërr brezash që ne kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetësojmë”, është shprehur Jahjaga.

Përfaqësuesit institucionalë e politikë kosovarë si dhe të pranisë ndërkombëtare gjatë ditës së sotme të festimeve ishin së bashku edhe në parakalimin e kuadrateve të FSK-së dhe njësive të Policisë së Kosovës. 

Në kryeqytet, Prishtinë, pak pas orës 10:00 nisi parakalimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njësive të Policisë së kosovare. Parakalimi, mes mijëra njerëzve në festë, ku ishin edhe liderët shtetërorë e politikë të Kosovës e përfaqësues të pranisë ndërkombëtare, u përcoll edhe me aktivitete të tjera akrobatike të kadetëve në shesh si dhe nga bendi muzikor i FSK-së. Manifestimi nisi me Himnin Shtetëror të Kosovës dhe me një fjalë të Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga, e cila theksoi se “Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe një paqe e fituar”. Kryeministri Isa Mustafa, poashtu foli në hapje të parakalimit festiv duke theksuar se, “kjo ditë është kurorëzim i aspiratës për liri, pavarësi e demokraci”.

Po nga ora 10:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” hapi ekspozitën e librit “Kosova në Udhën e Pavarësisë”.

Homazhe, në orën 11:00, në Prishtinë, iu bëne Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, ndërsa në orën 12:00 Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të rënëve të tjerë të familjes Jashari në Prekaz.

 Në orën 12:00, Ansambli Shota defiloi në Prishtinë  në sheshet Zahir Pajaziti, Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova.

Në ora 20:00, Baleti Kombëtar i Kosovës në Teatrin Kombëtar shfaq baletin “Dasma” me regji e koreografi të Mehmet Ballkan.

Organizime të festës së 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka edhe nëpër komuna, mes të cilave në qytetin e Mitrovicës, në ambientet e Muzeut, sot do të hapet ekspozita “103 telegrame”, lidhur me Pavarësinë e Shqipërisë nga viti 1912 deri në vitin 1914. Ekspozita hapet në mesditë pas nënshkrimit të Protokollit për binjakëzim të Muzeut të Mitrovicës me Muzeun e Vlorës.

Tradicionalisht, në çdo 17 shkurt ka edhe koncerte dhe njerëzit në festë mbushin sheshet e rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë, ndërkohë që sot po mban mot pranvere në dimër.

Në këtë ditë feste në Kosovë ka edhe orë proteste opozitare nga 14:00 në Prishtinë. Opozita e bashkuar, e cila kërkon edhe shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme ka paralajmëruar se “protesta e 17 shkurit, do të jetë ndër më të mëdhatë të organizuara deri me tash”.

Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës  ishin 8 mijë.  Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. “Protesta e 17 shkurtit do të jetë qytetare dhe paqësore”, paralajmëron opozita.

*Foto: Prishtine 17 Shkurt 2016. Foto nga Behlul Jashari, Gazeta Dielli/

Filed Under: ESSE Tagged With: Behlul Jashari, Kosova në ditëfeste për 8 vjetorin e Pavarësisë ...edhe Protestë

Shqipëria dhe shqiptarët në penën e Konicës

February 16, 2016 by dgreca

* Botohet me rastin e Vitit te Faik KONICES(2016) Shpalle nga Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA”/
NGA ANTON ÇEFA/
“Malli i Atdheut, pa shpresa të shoh Shqipërinë, më japin një forcë më të madhe për të punuar. E, çdo gjë në daltë, sido që në vafshin punët, unë, me ndihmë të shokëve të vërtetë, s’i kam për të hedhur armët/ .”- Faik Konitza, (Albania, Tetor 1899)./
“Unë parandjej: në agimin e të nesërmes një Shqipëri të lulëzuar demokratike dhe intelektuale, ku do të jetojë një rini kërshëriplotë e dhënë pas artit, bukurisë dhe punës. Këta shqiptarë të rinjë do të gjykojnë me një drejtësi të çiltër përçapjet tona, përplot me gabime, po të zjarrta sinqerisht. Ata do të shqyrtojnë, me të gjitha burimet dokumentare dhe kritike atë që ishte gjuha jonë dje dhe atë që do të bëhet gjuha jonë nesër, gjuha në të cilën ata do t’i shprehin mendimet dhe ëndërrat e tyre, dhe bukurinë e vitalitetin e kësaj gjuhe do ta hulumtojnë dhe do ta dinë ta shkoqisin.”
“ . . . Edhe një ndjenjë tjetër, atë që me gjithë dëshirë do ta quaja ‘afsh kombëtar’ d. m. th. një vullnet i domosdoshëm për ta ndier e përjetuar e ka pllakosur rininë shqiptare kohë më parë. Së këndejmi shpresojmë se ky afsh kombëtar, kjo flakë, të përhapet, të mos shuhet dhe të përforcohet akoma më tepër. Ta duash Shqipërinë, nuk do të jetë më si dikur një sport, po do të jetë vullnet për gëzimin e jetës.”
* “Shqipëria është e lindur nga idealistët, e shpëtuar nga rastet, e vrarë nga politikanët.”
*“Historia e Shqipërisë gjithmonë është trajtuar mbi bazën e pohimeve subjektive e të anshme që kanë bërë armiqtë e saj. Një paraqitje e ndryshme nga një autor shqiptar detyrimisht do t’i trazojë disa shprehi të caktuara të të menduarit dhe disa opinione të gatshme për çështjet në diskutim.”
Faik Konica
* “Për të gjitha ngjarjet që kanë kaluar ne kemi vetëm njërën anë të të ashtuquajturit informacion, e më konkretisht, kemi atë të armiqve të Shqipërisë, kurse varianti shqiptar mungon tërësisht.”
*“E vlen të vihet në pah se askush në këtë galeri vezhguesish (është fjala për ata që kanë vizituar vendin tonë, A. Ç.), me sa duket nuk e ka gjetur karakteristikën më kryesore të shqiptarëve, e pikërisht atë pa njohjen e së cilës historia e tyre do të mbetej një mister, pra individualizmin e tyre.”
* “Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, kështu që nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdoqoftë në kundërshtim me vullnetin e vet.”
*“Ndërsa popujt e tjerë i kanë përqendruar energjitë e tyre për të nxjerrë para, për të grumbulluar sende të bukura ose për të kaluar kohën këndshëm me rrugë të ndryshme, këta njerëz të thjeshtë e të ashpër (është fjala për shqiptarët, A. Ç.) kanë pasur vetëm një qëllim në jetë dhe e kanë aritur disa herë me çmimin e vdekjes së njerëzve të familjes së tyre: të jenë individualisht të lirë kundër ardhësve.”
* “Megjithëqë shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist e prandaj nuk pranon t’i nënshtrohet ndikimit të askujt kundër vullnetit të vet, ai përsëri beson fort te prejardhja dhe te e drejta e precedencës, si dhe te gjithçka lidhet me ide të tilla.”
*“Standardi etik i shqiptarit është besa, pra fjala e dhënë. Pavarësisht nga rrethanat, kur një shqiptar jep fjalën, ajo nuk mund të shkelet dhe nuk ka nevojë për asnjë lloj marrëveshjeje të shkruar.”
* “Fyerja më e rëndë në Shqipëri është ta quash dikë të pabesë.”
* “Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë . . . kanë luftuar në ushtritë e Francës, të Spanjës, të Perandorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, kanë lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata kanë qenë luftëtarë të ndershëm, që nuk besonin në përvjedhjen nga beteja, siç ishte zakoni i shumicës së mercenarëve.”
* “Një e metë që zakonisht nuk gjendet në karakterin e shqiptarit është provokimi.”
* “Shqiptarët nuk janë aq të prirur për fjalë të shumta”
* “Unë besoj se dihet gjithkund që shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera, dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë që nuk ka pasur luftëra fetare. Për këtë arsye disa kanë folur shpesh për ‘skepticizmin’ shqiptar.”
* “Dy kategori shqiptarësh munt të jenë idealistë: E para, Shqiptarët që janë të zotërit të mendojnë, që shohin ç’është Shqipëria dhe kuptojnë ç’munt t’ish, që vënë re me hidhërim padrejtësinë, që i bëhet popullit tonë, dhe dinë edhe krojin e asaj padrejtësie edhe të vetëmen mënyrë për të thanë për gjithënjë atë krua. E dyta, kategori, janë Shqiparët të shtypur brez pas brezi, zemëra e të cilëve u qanë për ditë më të bukura dhe munt t’u lartësojë mendjen gjer në kuptim të një ideali kombtar, i vetëm i zoti t’i japë çdo djali të kombit vendin e tij në diell. Tani, Zotërinj, ju pyes te cila nga këto kategori munt të hyjnë mëmëdhetarët e shentëruar të cilët sot e hothne maskën dhe u çfaqnë siç janë ?”
*“Është e rëndësishme të vëmë në dukje këtu dallimin mes nesh dhe grekëve lidhur me idealin ku synon secili popull për sjelljen e tij. “Fyerja më e rëndë në Shqipëri është ta quash dikë i pabesë”, çka lidhet me karakterin e njeriut; ndërsa: në Greqinë e sotme, fyerja më e rëndë për një njeri është ta quash analfabet dhe të trashë, pra ideali i fqinjëve jugorë është zgjuarësia, një atribut i hises mendore të psikës njerëzore. Nuk është e nevojshme të dallojmë këtu, në ç’kahe rëndon kandari i dinjitetit njerëzor: nga karakteri human etik apo nga një cilësi e të menduarit.”
* “Ana fisnike e shqiptarit është e panjohur për grekun.”
* “Banorët e bajrakëve (malësorët e Veriut, A. Ç.) janë më të sjellshëm dhe më me dinjitet se gjithë shqiptarët e tjerë.”
* “Një anë tjetër e karakterit shqiptar është përkushtimi i thellë i një njeriu ndaj prindërve dhe familjes. Kjo ndjenjë e natyrshme si kudo gjetkë, merr një formë më të mprehtë në Shqipëri, ku familja është një njësi shoqërore, që në një shkallë të gjerë zë vendin e shtetit në mendimin e njerëzve. Fëmijët rriten me traditat pak a shumë patriarkale për të respektuar më të mëdhenjtë, e mbi të gjithë, babanë, fjala e të cilit është ligj brenda caqeve të familjes. . .”
*“Në raportin dërguar Luigjit XII, Mbretit të Francës, të datës 27 qershor 1510, nga Seneschal-i i Madh i Normandisë, që ishte një nga gjeneralët që komandonte forcat ushtarake në Itali, gjejmë një krahasim mahnitës mes etikës së sllavëve dhe asaj të shqiptarëve. ‘Sllavët’ shkruan Seneschal-i i Madh, ‘janë mizorë në luftë, sepse ata i vrasin të gjithë ata që mundin dhe nuk mbajnë të burgosur. . . . Sa për shqiptarët, ata kanë treguar një sjellje krejtësisht të ndryshme dhe i kanë trajtuar me dashamirësi robët.”
* “Në kohët moderne vetëm shqiptarët, nga të gjithë kombet e Evropës Juglindore njihen që i kanë qëndruar besnikë traditës kalorsiake të kursimit të armikut të mundur.”
* “Në kronikat mesjetare franceze, na tregon Konica, del shprehja ‘krenar si shqiptar’. Duke polemizuar me Tozerin, i cili, ndër të tjera, shkruan: ‘Është kënaqësi të vesh re përzierjen kureshtare të krenarisë me varfërinë që dukej qartë tek disa nga këta burra. Mund t’i shihnit duke u krekosur . . . sikur ishin zotërinj tepër të hollë, saqë nuk begenisnin t’u hudhnin sytë kalimtarëve si ju, e megjithatë gjithçka e tyre flet për mjerimin më të madh … Konica argumenton: ‘Ajo që është një gjëzë për Tozerin, është fare e qartë për çdo shqiptar. Krenaria është një gjendje e mendjes pavarësisht nga pasuria ose rrethanat, dhe djemtë që ka parë Tozeri i përkasin një tipi të njohur mjaft mirë. Brez pas brezi ata me shpatë ose me pistoletë në dorë kanë ruajtur pavarësinë e tyre kundër kufizimeve qeveritare të Turqisë. Ata ia kanë dalë të kundërshtojnë pagimin e taksave, i janë kundërvënë rekrutimit ushtarak, kanë mbrojtur doket e ligjët e kanunit dhe në mënyrën e tyre e kanë ndier veten njërëz të lirë. .”

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: ANTON ÇEF, në penën e Konicës, Shqipëria dhe shqiptarët

LIRIKAT E PAPËRSËRITSHME TË SKËNDER RUSIT

February 16, 2016 by dgreca

Ese nga Xhevair Lleshi/
S’ka dyshim se sot më tepër se kurrë njeriu e ka kthyer fytyrën nga harresa, jo se i pëlqen atij posaçërisht, por sepse kjo është kthyer në modë. Qoftë kushdo ky njeri, edhe poet. Mirëpo disa prej poetëve nuk janë harruar asnjëherë dhe nuk mund të harrohen kurrë, sido që vetë harresa është një mrekulli e jetës. Nuk është harruar asnjë ditë, asnjë orë, asnjë çast edhe Skënder Rusi. Poezitë, lirikat e tij të mrekullueshme përveçse në libra gjezdisin gjithë botën edhe në facebook. E lexojnë dhe e duan të gjithë. E ai më vjen çdo çast pranë nga Korça e tij e bukur në Tiranë (ashtu sikundër shkoj edhe unë tek ai), me fletët e printuara në dorë dhe më lexon lirikat e mbrëmshme, ndonëse dora e zëri i dridhen ngapak. Të bën për vete Skënderi edhe me pamjen emocionuese të Sergej Eseninit, po edhe me inteligjencën e Pushkinit. Është poet i të gjithë emrave të mëdhenj, po mbi të gjitha bën përshtypje vetë emri i tij tingëllues. Sigurisht mbiemri i tij s’ka të bëjë aspak me rusët. Me Devollin po, me baltën, me ujërat e kulluar, me barin, ma ajrin e xigluar. Por, sido që të jetë, është miku im i mirë, dhe mos harroni një lirik i jashtëzakonshëm, dhuratë nga gjenia poetike e shekujve.
Mund të ishte emëruar mësues në fshatrat e Devollit e të Korçës, mund ta gjeje edhe sot atje, por ai i flaku tej shkumësin, fletorkat e hartimeve, rregullat e drejtshkrimit dhe iu qas teatrit, duke mbetur bashkë me lirikat e tij përjetësisht. Më pas erdhi edhe një tjetër vend i shenjtë: biblioteka, një ngushëllim letrar, që i vlente jo vetëm atij, por të gjithëve. Dhe jo më kot u bë biblioteka më e pasur në Shqipëri, pas Bibliotekës Kombëtare. Dhe me të erdhën panaire libri dhe zuri rrënjë një projekt krejt i veçantë, idealist: Netët poetike të Korçës, që mbledh poetë nga Ballkani dhe Diaspora, poetë edhe nga shumë vende të tjera. Atëherë lirika u bë shpirt i tij, jeta e parë, e dytë, e tretë. Aty, me lirikat e tij të mrekullueshme është çdo çast, herë troket si Migjen, herë me parqet e bukura të Korçës, herë me gjimnazistet e bukura dhe studentet që pëshpëritin lirikën e jetës së tyre, pastaj rri nën qershinë aq delikate e intime, që i troket te dritarja. Ngushëllimi i tij në ca çaste poetike të pazbërthyeshme bëhet shpejt një mik, kushdoqoftë ai, (vetëm fjala mik i krijon asociacion të çuditshëm dhe e hedh menjëherë në vargun melodioz, duke pikuar pjalmin e mjaltit të tij të pakrahasueshëm), aty janë në delir personazhet pa emër, bukuritë e thella dhe shpirtrat e njomë, të cilët i mban mënd përmendësh dhe t’i reciton me zërin këngëzues. Lirizmi dhe emocioni i thjeshtë njerëzor i vargjeve të tij ecën krejt ndryshe nga rryma poetike përkrah, që vjen natyrshëm e me aromë malesh e pyjesh, dëbore të dendur duke ngacmuar fort edhe fantazinë e kujtdo që i mban nën jastëk a mbi tavolinë lirikat e tij.
Që student u lidh një trio e mrekullueshme poetike që vinte si satelit pranë një ylli poetik si Frederik Reshpja në Shkodër: Visar Zhiti, Skënder Rusi dhe Simon Vrusho, po edhe mjaft poetë të tjerë. U krijua qielli poetik i Institutit në Shkodër dhe yjet u përhapën në qiellin poetik të Shqipërisë. Mund ta dëgjoje që ato vite zërin e ngrohtë poetik të Skënder Rusit, mërmërimën e gurgullimtë të rimës, psherëtimat dhe ngasjet e ndryshme lirike që bëheshin puthje, vajza të bukura, zjarr i ardhangët, limaksje e qetë dhe elegancë e mrekullueshme si mjegullnajë thjesht poetike. Asgjë nuk dramatizohet në krijimin e tij, veç shijes së lartë e që të krijon mbresën e një nostalgjie të çuditshme, përjetimin e dikujt tjetër, po që bëhet patjetër jotja.
Hera-herës të krijohet përshtypja e përshkallëzimit poetik dhe e një figuracioni enigmatik, ndoshta një prozë realiste poetike plot gjetje të imta befasuese, që zbulohen me finesë të rrallë, situata plot brengë e mall, prova të qarta besnikërie, ulërima të befta dhe të mbushura me një inat shfarosës, të cilat shpesh përputhen edhe me shijet e mia. Pastaj malet. Deti. E panjohura. Njerëz të thjeshtë, të njohur, puthjet në dyert e apartamenteve, vajza të bukura korçare, djem që sjellin aromë tjetër nga jashtë, që pastaj shkojnë dhe vendosen diku mes vetes së tyre…
Ç’përshtypje të lë lirika e Skënder Rusit? Moderne? E thjeshtë? Ngacmuese? Diçka që të rrëmben? Aromë mali apo deti?… Dhe ja: Sot jam ai që s’dua të jem,/Përfytyroni një pyll me asnjë ketër!/Jua kisha harruar edhe emrat njerëzve,/Ose nuk më pëlqente t’iu thërrisja
në emër!/Disa më duken tmerrësisht të vegjël,/Akoma më të vegjël më duken
të mëdhenjtë!/Unë një herë bëhem dimër me ta,/Një herë vjeshtë!/Seç mban këtu brenda kjo kokëza ime,/Lumë që rrjedh e kërkon detin!/Sot ndjehem i vetëm, përtej çdo vetmie,
As dorën nuk e dhashë të ma prekin!/Është dita që unë i kam braktisur të gjithë,/Në këtë qytet me sharlatanë tepër!/Tani do të shkoj të gjej dashuritë,/Në atë pyll ku s’ka asnjë ketër!
Mos i rëndon diçka që ende s’e dimë si mallkim? Çfarë mendon ky poet i brishtë dhe s’arrija të kuptoj se si i burojnë vetvetiu vargjet dhe si shkruhen aq shpejt në tastierën poetike të laptopit të tij? A e mban veten ky njeri për poet të shquar, si mjaft të tjerë të njohur e të panjohur? A e di ai se është tejet i kërkuar nga lexuesi? Në bibliotekën e qytetit të tij a vijnë të rinj (djem e vajza) dhe para tij, të emocionuar i recitojnë lirikat e ëmbla? A i mbeten në duart e djersitura prej ankthit poetik a prej përdorimit të librave dhe të lirikave, diçka mes ndrojtjes dhe hallit? A e lëndojnë atë fraza dashurie? A e trembin gjetjet befasuese poetike, figurat e mëdha e njëherit të thjeshta?… Nuk e di as vetë se si më burojnë dhjetëra e dhjetëra pyetje, duke i rrokëzuar së brendshmi lirikat e tij.
Vështrimi i tij mbeti kurdoherë i kthjellët. Sytë vazhdimisht të qeshur. Një njeri që shpesh herë harrohet dhe i ikën vetes, si të thuash arratisej nga vetja, dhe asnjëherë nuk e di përse. Shkruan ngadalë, me kërcime të krahut që ka lindur duke u dridhur (shkak për këtë dridhje të mallkuar janë lirikat!), si për ta sfiduar më fort veten, që gjithnjë kërkon të thotë vetëm të vërteta, gjërat që i njeh mirë, dhe shkruan veç për të tjerët që janë shumë të thjeshtë, punëtorë, mbresa të thella, pyje, dete, vesë, mjegull, dritë, net, joshje… Dhe vargjet e lirikave të tij burojnë ujë të kulluar, kristale, yjësi me ndriçim kozmik, drurë të veçantë pylli, aroma pa fund, shpirtra të gjallë që flasin dhe këndojnë, aq pranë qiellit, aq të firuar në frymë, aq të dhënë pas pasionit. Lirika që nuk shtiren. Kjo është e rëndësishme për lirikën. Poeti gjen kështu edhe lexues, vajza që e dashurojnë tmerrësisht… Dhe, ndërkohë, ai asnjëherë nuk i ka punët mirë me veten dhe kjo natyrisht s’është gjë e këndshme. Unë jam poet, thotë duke belbëzuar. Kam ardhur në këtë botë ja, për këto vargje. I shkruaj pasi i kam thënë mijëra herë me vete. I këndoj, duke u ngjitur melodi që më burojnë vetiu. E çuditshme? Eh, sigurisht, një herë e kam të lehtë, një herë tjetër shumë të vështirë. Xhev, unë udhëtoj në det të trazuar, poshtë kam ajsbergun tim. Edhe kur jam në Korçë udhëtoj në këtë det. Madje edhe kur fluturoj. Bëj kujdes? Jo, kurrë. Madje nuk arrij dot ta zotëroj as kujdesin vetë. As që e kam fshehur ndonjëherë poetin nga qenia ime. Shpirti i poetit është xhungël. Asgjë tjetër nuk më ka interesuar jashtë lirikës, asgjë tjetër nuk më ndez si ajo. Nuk udhëtoj nëpër pyje të tjerë, se ndjej poshtë ajsbergun tim lirik. Nuk më duan si poet? Punë e madhe. Mua më botojnë, më japin honorare, me mua psherëtijnë, këndojnë, se unë nuk jam poet i erotikës, por i shpirtit dhe mbi të gjitha i shpirtit të gëzuar, i dashurisë, i gazit dhe i dalldisë, i frymëzimit të thellë dhe natyrisht edhe i mëkëmbjes shpirtërore, e cila ta them hapur më josh pa masë. Por këtë e provon ai që vjen i lënduar, ai që jeton edhe me elegjinë. Herë-herë më kujtohet im atë, dashuria e tij e pamasë (U futa në ëndrrën e tim eti), fshati, mali dhe kur ndodhem pranë tij më kujtohet gjithnjë ajo që bëri me mua Simon Vrusho: erdhi deri afër fshatit seç pa a seç ndjeu ai dhe hunda e tij e di dhe më tha të ktheheshim në Korçë. E pashë, më tha. Tani e di se ç’është! Po të kishte bërë si gjithë të tjerët, nuk do të më mbetej në mendje… Jam i trishtuar, thua? Si jo. Por trishtimin e mbys me lirikën time e jo me duart e mia. Ty po ta them hapur, po ama dukem i qetë, i gëzuar, apo jo? Ja, ty si të dukem?
Eh, Skënder! Më lodhe, më tremb kjo lodhje që më krijon. E dinë të gjithë se ti ke një grua të bukur, mësuese letërsie në Korçë, që nuk të ndahet, madje të sjell edhe te shtëpia botuese në Tiranë, që të kontrollon me mënd, që të do fort dhe të mban si ujët e pakët duke të shoqëruar me ato parandjenjat instinktive të gruas, sepse ti i ke dhuruar mijëra fjalë të bukura, magjinë e lirikës, ndoshta prandaj dhe ka frikë për ty. Në sytë e saj, cepave të vështrimit ngacmues, ku kalon butësisht krenaria, mollëzave të rrumbullakosura ku fshihet një mbresë ngacmuese dielli, buzëve që kuqëlojnë edhe pse pa të kuq, por që hedhin shtat dhimbshëm rrudha trishtuese që fsheh një vuajtje të pazakontë. E di që duheni mrekullisht e marrëzisht dhe lundroni mbi një ajsberg, që me siguri thur plane të fshehta për t’ju goditur tinëzisht. Por mos harroni se mbi këtë ajsberg lundrojmë të gjithë. Por ama gruaja e bukur e ka hallin se bashkë me ta lundron edhe lirika e pazakontë e poetit të saj të rrallë. Racë në zhdukje poezia dhe lirika, racë në zhdukje edhe poetët…
Ja, kjo gjendje flinte tek unë deri ditën që më solle lirikat e tua të fundit, ditën e fundit të shtatorit. Më mbeti mëndja deri sa të kthehesha nga Franca, për një kohë fatmirësisht jo fort të gjatë, që t’i shihja, t’i lexoja, t’i përjetoja thellë, duke bashkuar dy tronditje njëherësh: tënden dhe timen dhe ia arrita ditës që të mbetem pa gjumë bashkë me ty dhe të belbëzoja vargje të magjishëm pafundësisht. Poeti nuk fshihet dot nga buja, nuk i fshihet dot shpirtit të poezisë së tij, nuk i fshihet dot edhe gruas së dashuruar, e cila detyrohet sigurisht nga rrethanat aspak të lakmuara për t’i bërë atentat të përditshëm lirikave të tij, ashtu siç bën edhe poeti me bukurinë e saj dhe asnjëherë tenton të mos bjerë në sy, por që sigurisht duket prej së largu.
Sa herë ndodhemi vetëm, më thotë: Do ta pimë një gotë, Xhev? Kam raki mani të Boboshticës zjerë dy herë! I ka mbetur kjo puna e gotës ngaqë në socializëm poetët gjenin prehje te rakia. Pastaj poetët vinin te manat e Boboshticës pët t’u dehur dhe për të thurur vargje. Mirëpo binin si mizat në grackën e mjaltit. Dhe mbeteshin aty. Dhe Korça bashkë me Boboshticën mbeteshin gjithnjë pa lirikat e poetëve. Skënderi, teksa i them kështu qesh. Por s’mund ta harrojë këtë fakt dhe thur lirikën e duhur, ku nuk lë pas dore as plakat e as pleqtë, as puthjet gazmore dhe as trimëritë boshe të njerëzve të kënduar. Vetmia, mërzia, pikëllimi, pengesat. Sa i hijshëm bëhet kur dëgjon, flet fare pak, asnjëherë nuk shan, i fsheh me guxim brengat e tij dhe tallet plot gojën me sëmundjen. E di kush ma mposhti? – pyet. Lirika e fundit që sapo shkrova. Kam dy ditë që merrem me këtë lirikë dhe nesër besoj do ta hedh në letër. Një javë mjafton për një lirikë? Sa javë mund të jetojë një poet?…
Sikur t’i bënin film lirikat e Skënder Rusit? Ç’filma do të dilnin vallë? Ja, përfytyrojeni këtë lirikë si në një film: Do të më duhet të rri edhe ca, /(Kam ende për të thënë shumë gjëra) /Ndonjëherë koha është vetëm një çast, /Edhe të duash, s’i thua dot të tëra! /Ndonjëherë,
koha jam vetë unë,/Që hapin, jo si të tjerët e hedh! /Ngado që shkoj ma bën me sy një rrugë,
/Ku asnjëherë s’më ka pëlqyer të ec! /Do më duhet të rri edhe ca, /Ju thashë, s’i kam thënë ende të gjitha! /Vetëm atëhere kur nisim e flasim përçart, /Duhet pranuar ikja!…
Vërtet mund të bëhet një film me poezinë time? Duket gjë fort e vështirë, sepse Xhevahir Spahiut do t’i qenë bërë mijëra filma! Pa le Dritëroit! Por megjithatë tingëllon e bukur.
As që më shkon ndonjëherë mëndja te fataliteti i poetit. Ndërsa tek fati fatal i lirikës po. Se ajo ecën në binarë paralel me elegjinë. Dhe s’ka faj. Aty ka shumë dashuri, shpikje, shtesa, intimitet, dekor romantik… Pastaj këngët e bukura që thuren me lirikat dhe duket sikur i këndon Elvis Presli. Pastaj Danubi blu. Qeshje poetike, qeshje me një vajzë krahaqafë, askush nuk përmbahet dot gjëkundi, as Skënder Rusi jo. Mbrëmje magjike në pyll në netët poetike korçare, duke kënduar, duke qeshur, duke u puthur e duke thithur gjer në themel pjalmin e mjaltit. Emocione të forta. Të qeshura të papërmbajtura. Jetë. Ja. Kjo është lirika e këtij njeriu që i përjeton krejt ndryshe e madje të përmbysura gjithë realitetet e kësaj bote. Po ku e gjen fuqinë vallë? Ku buron frymëzimi i tij? Ah, të kishim mundësi dhe t’i gjenim. Me siguri do të mrekulloheshim. Por hë për hë le të magjepsemi me lirikat e tij të papërsëritshme…

Filed Under: ESSE Tagged With: LIRIKAT E PAPËRSËRITSHME, TË SKËNDER RUSIT, Xhevair Lleshi

IM NIP DHE KOSOVA E PAVARUR

February 15, 2016 by dgreca

Emocione që më vijnë e nuk mund t’i mbajë për vete…/
Nga Abdurahim Ashiku/
E diele, 17 shkurt 2008 ! Athina është nën pushtetin e dëborës dhe akullit. Bora ka kap edhe bregun e detit, edhe ishujt, deri në jugun ekstrem të gjeografisë së saj, brigjet jugore të Kretës…
Unë jam ngrirë përpara ekranit ku sinjali, pasi ngjitet lart e lart në qiell, vjen e ulet i qartë në xhamin e kristaltë. Shtyp butonat duke e kaluar sinjalin herë në njërin stacion e herë në tjetrin, herë në Shqipëri e herë në Kosovë, herë në stacionet e vendit ku jetoj e herë në stacionin më prestigjioz të botës, CNN. Kërkoj Kosovën, kërkoj Prishtinën, kërkoj Thaçin e legjendës së UÇK –së, kërkoj Krasniqin zëdhënës të saj, kërkoj Sejdiun e gandistin ballkanik Rugova…
I gjej. Më vijnë ndryshe.
Thaçi nuk është më ai i Rambujesë, ai që udhëtonte nga kështjella mesjetare franceze në drejtim të kështjellës shekullore të qëndresës shqiptare, maleve të Drenicës së Azem Galicës e kullës së bërë shoshë nga plumbat të Adem Jasharit, për tu dhënë e marrë qetësi luftëtarëve të lirisë…
Zëri i Krasniqit nuk ka më tingullin e zërit të luftës e të luftëtarëve të UÇK –së, nuk bie erë baruti e plagësh të rënda të një populli që shkulej me gjithçka nga trojet e veta shekullore…
Edhe Sejdiu më vjen ndryshe. Nuk vjen më me zërin e Rugovës që kërkonte paqe kur vendin e kishte mbuluar tymi i armëve dhe pluhuri i zinxhirëve të tankeve…
Njeri pas tjetrit ngjiten në tribunë, me dinjitetin e njerëzve që kanë marrë mbi shpatulla nderin dhe përgjegjësinë e shpalljes së një akti të madh, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës…
E përjetova tërë ditën këtë ngjarje të madhe. E përjetova me emocion dhe krenari. Kufijtë e shqiptarëve shkuan atje ku e kishin vendin. Shqiptarët, për herë të parë, pas një shekulli e ndjenë se shtylla e tyre kurrizore po merrte formën e saj natyrore, se malet përmes të cilëve e kishin ndarë ishin bashkuar. Bashkimi i maleve të ndarë nga tërmetet njerëzore është diçka e madhe, diçka që i bën sfidë kohëve. Shqiptarët e Kosovës i bashkuan malet. I bashkuan jo me lutje, por me pushkë. Nuk i bashkuan vetëm. I bashkuan me ndihmën e dy aleatëve të mëdhenj, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian…
Nuk kam derdhur ndonjëherë lot gëzimi sa kam derdhur atë ditë…
Nuk do t’i shkruaja këto radhë në qoftë se një zë i largët, një zë fëminor, nuk do të më ngucte. Këtë thjesht se lotët e mia të gëzimit nuk ishin vetëm të miat, ishin vetëm disa pika që atë ditë derdheshin në detin e madh të emocioneve mbarëshqiptare.
Ishte im nip, Gurjoni që në vjeshtë mbush katër vjet jetë. Ishte zëri i tij fëminor “Gëzuar gjysh !“ dhe Kosova Republikë !“ që m’i përzjenë emocionet. Atë fjalën “Republikë“ nuk e përtypte dot, edhe pse vajza ime Erblina i vinte në ndihmë.
Gurjonit i duhet kohë ta kuptojë çastin e sotëm, përjetimin e gjyshit dhe të gjithë “gjyshërve shqiptarë“ për momentin historik. Do ta kuptojë kur të rritet dhe të shkojë në shkollë, kur të mësojë gjeografinë e botës ku jeton, kur mësuesi do t’i thotë se Kosova është shteti më i ri i Evropës së Bashkuar…
Në kohën dhe shoqërinë që ai do të jetojë, historia e stërgjyshit të tij, Haki Shehut që një natë shtatori të vjeshtës së parë të vitit më të mbrapshtë të historisë shqiptare, vitit 1913, do të kalonte Drinin e Zi në koshat e kalit së bashku me motrat e vëllezërit duke lënë vatrën e vet në zemrën shqiptare, Dibrën e Madhe, do t’i duket si një përrallë…
Gurjoni, edhe në këtë moshë, teksa shihte flamuj e njerëz të gëzueshëm, teksa dëgjonte fjalën e madhe të ditës “Gëzuar !” e “Kosova, Kosova !“, gëzohej dhe kërcente, gëzohej dhe shqiptonte fjalët e reja, gëzohej dhe mësonte historinë e re të shtetit më të ri në botë, histori që niste atë ditë, më 17 shkurt 2008…

Filed Under: ESSE Tagged With: A po e mallkon, Abdurrahim Ashiku, dhe Kosova, e pavarur, IM NIP, më heshtje ?!, populli, veten

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 387
  • 388
  • 389
  • 390
  • 391
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT