• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DRITËRO AGOLLI DHE EMIGRANTËT…

October 13, 2015 by dgreca

Në 84 vjetorin e lindjes/
Nga takimet e gazetarit me njeriun e madh të letrave shqipe/
Nga Abdurrahim Ashiku-Athine/
DritëroAgolli, të martën më 13 tetor 2015 mbushi 84 vjet jetë; Jetë e një njeriu që me “Baltën e Devollit” në trastë u ngjit rrugëve të thepisura të jetës, rreshtave partizane për tu bërë pjesë e fitores në Luftën e Madhe Antifashiste të Popujve të Botës, bankave të shkollës që nga Gjirokastra në Leningrad, fushave e maleve të Shqipërisë si gazetar, kalasë së madhe të letërsisë si poet e shkrimtar. Ai, me dashurinë dhe thjeshtësinë e tij karakteristike mbetet mbi të gjitha NJERI…
Me këtë NJERI dua të bisedoj sot nga larg, rrugëtimit tim në takimet me Të në një shtëpi-apartament të thjeshtë në qendër të Tiranës, SHTËPI e cila për mua është dhe do të mbetet Kështjella e Kuvendit Poetik e Njerëzor Shqiptar…
Korrik 1996…
Ishin kohë të vështira, ndoshta më të vështirat e jetës sime. Kishte ndodhë vjedhja më e madhe e vullnetit të popullit, 26 MAJI 1996. Kishte ndodhë rrahja dhe gjakosja më e frikshme e kohës që kalonim, në sheshin “Skënderbe“ përpara syrit të kamerave dhe aparateve fotografike nga e gjithë bota, 28 MAJI 1996. Nuk ka nevojë të bëjë ndonjë koment. Janë dy ditë që flasin dhe do të flasin gjatë në historinë e kohës sonë, dy data që do t’u paraprinin “ DIMRIT TË MADH – 1997 “…
Ditët që pasuan, në atë qosh të hartës gjeografike ku kish bërë rrënjë jeta, i ngjanin një mengeneje që çdo ditë shtrëngohej, i ngjanin një kazme që kërkonte të më shkulte rrënjët…
Një ditë të meskorrikut e ndjeva se po më prisnin rrënjën boshtore të qenies sime. Vendosa dhe ika natën. Në anët tona shprehja “Ikje natën” ka në thelb dhimbjen më të madhe njerëzore, shkuljen nga vendi ku ke parë për herë të parë dritën e diellit me dëshirën ta shohësh edhe për herë të fundit. Për dore kisha djalin që sapo i kishte mbushur të katërmbëdhjetat…
Drita më kapi në Tiranë. Kisha një vizë njëmujore. Më duhej të udhëtoja drejt një vendi që i njihja njeriun e lashtë por nuk i njihja njeriun e ri. Veç kësaj kisha mbi supe edhe barrën e një emri arab që kryeredaktori i gazetës më pat thënë se është i papranueshëm për vendin dhe fenë e atjeshme.
Më duhej një fjalë e ngrohtë, një njeri që të më jepte zemër në aktin e madh të ikjes. I rashë një zileje. Dëgjova një zë të ngrohtë, një mirëseardhje zemre. U ngjita në katin e tretë. Derën e gjeta të hapur. Përballë ishte Sadija. Emrin ma kishte dëgjuar por fytyrën ma shihte për herë të parë. Dy hapa më tej, në këmbë, si një lis rrënjëthellë e degëbardhë nga bora e parë e vjeshtë së dytë, buzëqeshur e krahëhapur ishte Dritëroi. E kisha takuar shumë herë, me nga një gotë raki ballë për ballë e me zemrën njerëzore në dorë. Indriti, djali, e kishte lexuar, e kishte recituar por kaq pranë nuk e kishte parë asnjëherë.
U ulëm në atë sallon të thjeshtë rrethuar me piktura e me libra, në atë sallon që nuk e hiperbolizoj po të them se ka nxënë dhe nxë gjithë vendin, ashtu siç nxë tërë botën zemra e shkrimtarit dhe poetit tonë të madh….
Pimë nga një gotë raki nga ajo që Dritëroi e ka zierë nga mushti i manave jo dy por tri herë në këngët e tij për truallin ku lindi dhe mori vrapin e jetës.
Nuk ndenjëm gjatë. Ikëm duke marrë me vete disa adresa dhe numra telefoni, të Aristidh Kolës në Athinë, të DinoKubatit në Salaminë…kurajën dhe ngrohtësinë njerëzore për të kapërcyer kufirin e një jete në kërkim të një jete tjetër…
… Të nesërmen, më 21 korrik 1996, lamë diellin mbi majën e Dajtit dhe ikëm në dhe të huaj…

13 tetor 1977

…Kaluan muaj. Kaloi edhe “Dimri i Madh“. Kaloi edhe “Pranvera e Mbrapshtë“. U shkatërrua Shqipëria. “Kuota Zero“ shënoi temperaturat më të ulëta në historinë e kombit.
Sa ishte “minimalja absolute“ e dimrit shqiptar? Askush nuk e di, ose më mirë të themi “nuk e thotë“. Dhe as do ta thotë ndonjëherë sado komisione parlamentare e ndërplanetare të formohen…
…Në tetor udhëtova drejt Shqipërisë. Nën frikën e pusive, të pritave, kallashnikovëve. Shqipëria ishte e plagosur. Përpiqej të hiqte fashat e zeza mbi plagët që rridhnin gjak të kuq…
Më 13 tetor 1997 isha në Tiranë. Kisha marrë që nga Athina një shishe të bukur me uzo. E pata menduar që me të në dorë të trokas në derën e DritëroAgollit. Ia kisha një borxh, atë lloj borxhi që të jep këshilla e mirë, fjala e ngrohtë, zemra e çiltër. Ma kishte dhënë një ditë korriku dhe desha t’ia ktheja një ditë tetori. Jo të gjithë, as gjysmën, se borxhi që lidhet me fjalën e ngrohtë dhe këshillën e mirë nuk ka çmim, nuk mund të kthehet kurrë.
…U ngjita në katin e tretë dhe si herën e parë përsëri u gjenda ballë për ballë me Sadijen, njeriun dhe bashkëshorten e mirë në kuptimin absolut të fjalës. Mbi majën e malit të letërsisë shqipe “Dimri i Madh” kishte hedhë shumë borë. Një këmishë rozë e hapur paksa në kopsën e parë, një triko që kishte marrë nga kaltërsia e qiellit, një palë pantallona kafe përbënin veshjen e njeriut që u mat me malet për t’u ngjitur e bërë edhe vetë MAL më vete. Para meje ishte Dritëroi i letrave shqipe, për mua më i madhi, më i thjeshti, më njerëzori….
Nuk kishim zënë ende vend kur ra zilja e dera u hap duke sjellë me vete një këngë devollite, një grup njerëzish të qeshur. Gjashtë ishin, Nga ata vetëm njërin njihja, shokun dhe mikun tim të viteve studentore, gazetarin e njohur FuatMemelli. Ishin përfaqësues të Shoqatës “Devolli“. Kishin ardhur t’i uronin kryetarit të tyre shpirtëror, Dritëroit, përvjetorin e lindjes. Nuk e dija se atë ditë Dritëroi mbushte 66 vjeç. Jetova disa çaste që nuk mund t’i harroj kurrë. Mora pjesë në gazin e tyre, bashkova zërin tim në këngën e bukur devollite, qesha si asnjëherë në takimet me njerëz të zemrës.
Disa ditë më vonë do të udhëtoja përsëri drejt Athinës. Kisha marrë me vete ngrohtësinë shpirtërore të një njeriu që tërë jetën ngrohtësi ka përcjellë dhe përcjell.
Nuk kaloi asnjë muaj dhe në adresën time në Athinë dy fotografi të përcjella nga Fuati do të më përjetonin një ditë të paharruar.. ..

30 prill 2009…

…Kur i bie ziles porta kërcet e zëri i Sadies të fton të ngjitësh shkallët…
Kur ngjitesh në kat dera është e hapur…
Kur bën hapin e parë brenda asaj shtëpie të thjeshtë në modelin e vjetër; përpara, në këmbë, si manat shekullorë të njohur për rakinë devollite, si mal majëborë, përpara ke DritëroAgollin…
Sadia të vë përpara gotën e rakisë dhe filxhanin me kafen e nxehtë…
Me Dritëroin e madh nis kuvendi…
Kërkova në “raftin e kujtesës kompjuterike” dhe nxora prej andej paksa nga floriri i fjalës së tij, biseda për emigrantët dhe emigracionin shqiptar, për Gjuhën Shqipe. Veçova prej tyre disa porosi…

VLERËSIME E POROSI TË DRITËRO AGOLLIT PËR EMIGRANTËT

…Tani mund t’i themi në një kuptim tjetër, Rilindësit e Rinj janë Emigrantët. Ata janë njerëz që janë shkolluar këtu në Shqipëri, por që kanë shkuar atje veçanërisht për arsye ekonomike dhe tek tuk edhe për arsye politike. Ata, nën shembullin e Rilindësve të dikurshëm, kanë zhvilluar një aktivitet të vërtetë në lëmin kulturor, që ju përshkruani me hollësi dhe me ndjenjën e dashurisë, jo vetëm thjesht si sentimentalizëm, por me një ndjenjë përgjegjësie dhe sinqeriteti që këta edhe sot po japin atë ndihmesën në Shqipëri, jo vetëm thjesht në lëmin ekonomik. Me atë punë që bëjnë ata ndihmojnë familjet e tyre, por edhe për të jetuar vetë atje, njëkohësisht ndihmojnë edhe vetë popullin grek. Ata punojnë atje për të rritur edhe ekonominë e grekëve, përndryshe ata nuk do të ishin atje sepse nuk do të kishte ndonjë interes ai vend ku janë shqiptarët për ti mbajtur. Ata derdhin djersën atje dhe ngrenë nivelin ekonomik të vetë Greqisë ku janë. Faktet tregojnë se është rritur niveli ekonomik i Greqisë me ndihmën e shqiptarëve që janë atje. Siç kanë bërë në kohën e revolucionit grek që një pjesë e madhe e shqiptarëve që kanë qenë në Greqi atëherë kur ishin kufijtë “brenda perandorisë” dhe u bënë udhëheqës të Revolucionit grek si Kolokotroni, Xhavella, Boçari, Bubulina, Miauli… Ata u bënë edhe deputetë në parlamentin e parë grek, bile flisnin shqip…
…Nga këta, që janë kaq shumë, dalin edhe njerëz të atillë që përpiqen për të mos u asimiluar, që të mos harrojnë vendin e tyre. Ky libër me titullin “Rilindësit e kohës sonë” ka si qëllim që ata të mbajnë jo vetëm kujtesën e Atdheut por të përpiqen që mbi këtë kujtesë të jetë veprimtaria e sotshme. Këta e pasurojnë kulturën shqiptare. Duke qenë kjo kulturë e formuar e Shqipërisë sonë këto gati njëqind vjet pavarësi, gjatë gjithë kësaj kulture që është formuar, tashti ajo pasurohet edhe nga ata që janë përtej kufijve. I shtohet edhe një rrjedhë tjetër këtij lumi të madh, i shtohet edhe një përrua dhe kjo e bën më të madh këtë lum sepse lumi krijohet nga burimet. Francezët kanë një proverb “Pika – pika bëhet lumi”. Këto janë ato ndihmesat e mëdha që unë do të thosha, që përveç përfitimeve të mëdha nga ato drejtimet e tjera që thashë, kemi edhe këtë të pasurimit të kulturës sonë, që ne shpesh e harrojmë, sepse me që ende Shqipëria nuk ka arrirë në atë shkallë sa të bëhet një vend me një nivel të lartë ekonomik që të jetë e pakët fare varfëria, se akoma këtu ka varfëri. Kjo na bën që ta harrojmë ndonjëherë atë anën tjetër të kontributit kulturor. Atje ka edhe disa autorë, përveç jush që jeni baras me po këta gazetarë që jetojnë këtu dhe publicistë. Përveç jush ka edhe të tjerë, ka poetë, ka prozatorë të cilët prej andej botojnë libra me poezi, botojnë romane, botojnë përmbledhje qoftë edhe të artikujve të tyre, qoftë edhe të shënimeve, të librave historikë. Të gjitha këto, që edhe këtu në librin tuaj përmenden dhe shkruhen me një gjuhë të pastër po edhe me një informacion të gjerë, jo thjesht fjalë pa fakte. Ju mbi këto fakte arsyetoni se gazetaria është arsyetim mbi fakte. Ju këtë e jepni me një profesionalizëm të bashkuar me sinqeritetin, me dashurinë për njerëzit edhe me atdhetarizëm. Këtu është edhe vlera e madhe e këtij libri.
…Ata të mos lodhen kurrë për vendin e tyre duke ndjekur edhe shembullin e atdhetarëve të mëdhenj të Rilindjes, por edhe të sotshëm, dhe të punojnë për gjuhën shqipe, shkollën shqipe dhe kulturën shqipe, , shkollën shqipe dhe kulturën shqipe, për tu zhvilluar më tej edhe atje dhe të ruajnë edhe pastërtinë e gjuhës sonë. Të mos e përziejnë me fjalë të huaja të çdo gjuhe, veçanërisht në këtë globalizëm…
…Thamë që në Greqi janë gjashtëqind apo tetëqind mijë vetë, në Itali janë nja tre-katërqind mijë por edhe në vendet e tjera. Mbi një milionë shqiptarë janë jashtë…
Duhet t’i ndihmojë emigrantët, me hapje shkollash, me libra e mjete mësimore, me gjithçka të nevojshme…
…Rreziku më i madh është humbja e gjuhës nga fëmijët. Ne duhet që në familje të flasim shqip, se ke kohë të flasësh në gjuhën e huaj. Në familje duhet patjetër të flitet gjuha shqipe. Vetë shqiptarët që janë atje të përpiqen që të hapin shkolla…

13 tetor 2015

Edhe NJËQIND DritëroAgolli ! Ky është urimi i emigrantëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: 84 vjetori i lindjes, Abdurrahim Ashiku, Driteri Agolli

13 Tetori – nje date, dy poete vigane: Migjeni dhe Driteroi

October 13, 2015 by dgreca

Reflektim ne ditelindjen e dy poeteve/
Nga Sadik ELSHANI/
Me 13 tetor te vitit 1911 lindi Migjeni, ndersa njezet vite me vone, me 13 tetor te vitit 1931 lindi Dritero Agolli. Eshte kjo nje rastesi e rralle, por ndoshta edhe nuk eshte rastesi, qe dy poete te medhenj te letersise sone te kene lindur ne nje date, kuptohet ne kohe te ndryshme, dhe qe te dy te jene nga me te medhenjte poete te brezit te tyre. Secili ne menyren e vet origjinale e pasuroi dhe i hapi shtigje te reja letersise shqipe. Fatkeqsisht, Migjeni u nda nga jeta ne moshe shume te re, pa i mbushur te njezeteshtatat, por jemi fatlum qe Driteroin ne moshen 84 vjecare ende e kemi ne mesin tone dhe e pacim edhe per shume e shume vite te tjera.
Migjeni pa dyshim eshte njeri nder emrat me te dashur ne tere letersine shqipe, sidomos eshte shume i dashur nga rinia shqiptare. Ai ne tere krijimtarine e tij artistike, si ne poezi, ashtu edhe ne proze, solli dicka te re e te papare gjer atehere ne letrat tona, solli nje stil te ri, nje force te re e te fuqishme shprehese. Me Migjenin fillon nje periudhe e re ne letersine shqipe, ndarja nga tradicionalja dhe romantizmi dhe fillimi i realizmit kritik. Konceptet e reja qe futi Migjeni ne letersine shqipe, teknika, figuracioni, vargu i lire dhe forca shprehese, tematika dhe realizmi me te cilat ai i trajtoi problemet e shoqerise shqiptare te viteve te tridhjeta i hapen letresise shqipe rrugen drejt bashkekohesise, drejt moderrnitetit. Migjeni se bashku me Lasgush Poradecin i dhane letersise shqipe vendin e vet ne letersine dhe kulturen europiane.
Paraqitja e Migjenit ne letersine tone eshte nje dukuri qe rralle shfaqet edhe ne letersine boterore. Me fuqine e tij artistike, Migjeni erdhi si nje meteor ne letersine shqipe dhe vdekja e hershme na e mori si nje meteor, por me krijimtarine e tij mbeti ne qiellin tone letrar nje yll qe do te shkelqeje gjithmone. Dhe sa me shume kohe qe do te kaloje, aq me teper ai do te shkelqeje, sepse ka nje magjepsje me vepren e tij, me jeten e tij te shkurter. Shkoi i ri dhe do te mbetet perhere i ri, i fresket dhe aktual. Kush mund t’i harroje poezite e tij, vargjet: “Perdite perendojne Zotat/ dhe rreshqasin trajtat e tyne neper futyrat tona”, “Pak drite! Pak drite, o shok, o vella!”, “Vjeshte ne natyre dhe vjeshte ne fytyrat tona”, “O, si nuk kam nje grusht te forte!…”, “U vodh kanga nga zemra e kombit”, “Rini, rini, thueja kanges ma te bukur qe di”, e shume e shume te tjere. Kush mund t’i harroje tregimet dhe skicat e tij: “Bukuria qe vret”, “Luli i vocerr”, “A do qymyr zotni”, “Legjenda e misrit”, “Historia e njenes nga ato”, etj. Pastaj eshte ky pseudonimi shume i bukur e shume muzikor: Migjeni. Jane pastaj mendimet dhe pyetjet qe gjithmone ia bejme vetes: “Po c’do te kishte bere Migjeni, c’do te kishte krijuar Migjeni, po c’do te kishte ndodhur me Migjenin sikur te kishte jetuar me shume?” Jane keto disa nga arsyet qe kane ndikuar per ta mbajtur gjalle interesimin dhe magjepsjen tone per Migjenin dhe vepren e tij. Migjeni jetoi, aq sa jetoi dhe beri ate qe beri. Ate qe beri dhe na ka lene trashegim, eshte e shkelqyeshme, e perjetshme dhe gjer me sot e paarritshme, e pakalueshme nga askush ne letersine shqipe. Me 27 vite e mbylli ciklin e jetes se tij, e mbylli krijimtarine e tij brilante.
Edhe Dritero Agolli, se bashku me Ismail Kadarene dhe Fatos Arapin, eshte poeti qe i ka prire brezit te tij. Eshte njeri nder shkrimtaret me te dalluar, me te dashur, me prodhimtar e me me ndikim ne letersine bashkekohore shqipe. Krijimtaria e tij letrare eshte mjaft e pasur ne gjini e lloje te ndryshme krijuese: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenare filmash, reportazhe, etj. Por mbi te gjitha, ai eshte i njohur si poet ne kuptimin e plote te kesaj fjale – mjeshter i vertete i vargut. Qe ne krijimet e tij te para ne poezi, ai u paraqit si nje ze i forte origjinal qe solli nje hov rinor, optimizem e freski ne letersine shqipe. Dritero Agolli krijoi nje model te ri te vjersherimit, si ne problematike, ashtu edhe ne figuracion dhe zhvilloi nje teknike mjeshterore shprehese te ndjenjave, vrojtimeve dhe shqetesimeve te tij. Lidhja e forte me token, natyren, me prejardhjen e tij fshatare e shpuri ne formimin e kredos se tij poetike: “S’jam poet, jam fshatar i jugut”. Vargu i tij kundermon me eren e ugarit nga brazdat e tokes se zeze dhe ne ato vargje shpesh rrjedhe edhe shume raki. Ne vargjet e tij mbisundon bota e gjalle, shenjterimi i natyres, i arave, i bagetise, por edhe dashuria ndaj prinderve, respekti per traditen, te kaluaren heroike dhe shqetesimet e jetes se perditshme.
Me shume mjeshteri e perdor frazeologjine dhe urtesine popullore, duke i gershetuar natyrshem vlerat tradicionale te poezise me menyra e forma te reja te shprehjes poetike. Me vargjet e tij plot frymezim, ai krijoi nje bote te re te tijen – nje bote agolliane, ku thjeshtesia e komunikimit, porosite universale (te pergjithshme) dhe shprehja e hapur e plot ndjenja, jane shtylla te forta ku mbeshtetet poezia e tij. Ngrohtesia njerezore e vargjeve te tij ka bere qe lexuesi qe shijon keto vargje, te njejtesohet (identifikohet) me vete poetin. Ky raport i ndersjelle poet – lexues eshte me teper i theksuar te Dritero Agolli se sa te ndonje poet tjeter ne letersine bashkekohore shqipe.
Kjo fryme poetike eshte mjaft e pranishme edhe ne prozen e tij qe eshte mjaft e suksesshme. Vlen te theksohet, se shumicen e krijimeve te Agollit e pershkon nje fryme e holle e humorit, madje edhe ne situata qe mund te jene shume serioze.
Ne kete date te shenuar te letersise sone, te kujtojme e te nderojme Migjenin tone te dashur, ndersa Driteroit t’i urojme shendet, jete te gjate e te lumtur, pleqeri te qete dhe te na dhuroje edhe shume e shume krijimne te bukura artistike.
Keto pak rreshta jane shkruar vetem per kete qellim dhe nuk metojne asgje me teper.
Gezuar!
Filadelfia, 12 tetor, 2015
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: 13 tetor, dy ditelindje, Migjeni dhe Driteroi, Sadik Elshani

KAPITENI

October 11, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Lorik Cana e mbylli intervistën me fjalët e Samiut (Frashërit)…, ”shqiptarët më së pari duhet të mundin vetveten dhe do fitojnë shumë beteja”. Jo rastësisht ai ka qënë gjithmonë një referues i përkryer i çështjes kombëtare. Dhe e ka mbrojtur përmes një sjellje tepër profesionale. I është referuar pjekurisë së njerëzve që përmes urtësisë të gjejmë vetveten. Dhe kështu është. Dhe kështu ndodhi. Ky kualifikim historik do kishte ndodhur më përpara. Ndofta që më 8 tetor 2015. Por vrulli i ekzaltimit dhe devijimi i misionit të futbollit drejt nacionalizmave dhe furisë politike, u kthye një presion torturues për ta. Pa diskutim ka qënë nata më e vështirë. Ndaj ndodhi dhe ai rezultat që na fyu me shi akull të ftohtë.
Gjithsesi çfarë ndodhi sot është shuplaka më e fortë për politikën historike sidomos pas rënies së Perandorisë Osmane e këtej. Madje dhe fakti real pse ne jetojmë në pesë shtete.
Pikërisht këtij dështimi grindjesh të personalizuara, që nga familjet Vlora, Toptani, Zogu, Qamilët, etj. Revolucionet dhe anti të tillët. Shto edhe dhunën e diktaturës së proletariatit, ku humbën idealet, u shpik dhuna, krimi i tipit sheksiparian. Ekzekutimi i zërit ndryshe, shfarosja që shuajti aq jetë të pafajshme. Shpikja e armikut të klasës. Dhe jo ndofta, por gjëndja shfaronjëse e vetvetes që ia kaloi edhe fushatave pushtuese të Italisë dhe Gjermanisë. Që mire apo keq…, na njohën rreshtnash nëpër varret reale të truallit ilir. Por kjo nuk do ndodhte kurrë për faktin e dashurisë së përjetshme që ne krijojmë në raport me liderin. Jemi gati të varrosim gjithçka, si e si ta mbajmë tjetrin pafundësisht në pushtet. Të mbulojmë çdo krim të shëmtuar me egoizmin e detyrës dhe aspak të ndjesës njerëzore. Edhe pse hiqemi më katolikë se Papa. Edhe tregohemi më myslimanë se Allahu.
Jo më larg se dje, ndoqa një emison të titulluar ”Divorce Albanian Style” të një gazetare nga Bullgaria Adele Peeva. Mbi tërë atë kalvar të sajuar, torturash, barbarish etj. Ndarje që quhen si të sojit shqiptar. Më bëri përshtypje se si dy apo tre prokurorë çështjesh në fjalë. Edhe pas kaq e aq vitesh, nuk kishin kurajon të kërkonin një ndjesë publike. Karshi detyrës, aq më tepër pas mbarimit të saj, pas futjes së kohës në mes, pas një dështimi epokal…, ndjenja e reflektimit është më e prekshme. Më e lehtë për tu dalluar dhe e ndarë me ne njerëzimin qoftë edhe për të pastruar sado pak vrajet shpirtërore. Por çuditërisht që të tre ata, ish persekutorë nuk shfaqën as më të voglën ndjenjë pendese. Kjo edhe kur e vërteta tashmë njihet botërisht, për lojën e shpikjes së armiqve të klasës. Për vrasjet, shkatërrimin, denigrimet …, përmes arrestimeve, burgosjeve apo dënimeve afatgjata të pikërisht shqiptarëve të martuar me gra të huaja. Një absurditet i gjallë që sot ka fytyrën e devotshmërisë. Atëhere duhet ta dime mire të gjithë ne shqiptarët se, Enver Hoxha nuk e bëri vetëm diktaturën. Por bashkë edhe me ne. Që nuk ndjejmë aspak faj, që nuk skuqemi, që nuk dime të kërkojmë falje.
Pikërisht për këtë që nuk arrijmë të mundim veteveten.Loriku është shembulli që mundi vetveten. Kujtoni kohën e batutave dhe denigrimit duke filluar që nga Kosova. Tek ne, me aleancat politike që u përpoqën të përfitonin me anëtarisimin e tij. Siç ishte rasti I Aleancës Kuq e Zi që u kthye në parti politike. Dhe menjëherë Loriku, u çanëtarsua.
Shpesh kthehen në të tilla, shumë prej tyre. Dhe si parti shohin xhepat e vetit, më së pari. Kurse çështja mbetet thjesht demagogji. Këtë po bën Vetvendosja sot në Kosovë. Arriti deri tek gazi lotësjellës në Kuvend. Sepse nuk mundin dot vetveten. Kështu edhe ne, që edhe pse të degjeneruar,i pranojmë. Shqyejmë njëri­tjetrin dhe marrim rezltate të rekordeve botërore. Një komb në pesë shtete.
Megjithatë politika ka filluar më të madhe, që nga minuta e 85 e ndeshjes sot në Armeni.Të postojë foto nga djemtë atje, të postonin ngjyrën e kuqe. Që vet ata e kanë përdhosur. Të mburren me atë që ata e kanë shpërdoruar për kaq vite. Dhe që ata djem nga pesë treva të ndara e bën. Duhet thënë atyre djemve, kapitenit së pari, që të postojnë foto me njerëzit e thjesht, me shqiptarët kudo që janë. Jo me ata kollarexhinjë që na ndanë dhe vazhdojnë të na ndajnë.
Duhet thënë dhe politikanëve, merrni shembullin e djemve të kombëtares. Mundi vetveten.Dhe bëni një shtet që të krenohemi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, Kapiteni

Shqiptarët dhe Emblema e Flamurit të Tyre

October 11, 2015 by dgreca

Nga Aristotel Mici/
Flamuri shqiptar me shqiponjën në mes ka historinë e tij të herëshme, që buron nga vete lashtësia e kombit. Jo rastësisht Eqrem Bej Vlora do të shkruante për atë në kujtime: “Historia e këtij flamuri tretet në mjergullën e kohës”. Simboli emblematik i shqiponjës në fushën e kuqe të flamurit fillon në kohën e vjetër Para Krishtit, vazhdon në Mesjetë edhe mbrrin në kohët e reja moderne. Imazhi i shqiponjës së këtij flamuri nis me një legjendë antike, kurse gjurmët e tij enden që nga librat historikë e deri te dëshmitë materiale, që nga vargjet e poetëve e deri te këngët e trimave kryengritës.
Straboni, duke hetuar për kohën Pellazgo – Ilire, vinte re se ky popull në të vjetrat kohe ishte më i rrepti e më luftëtari e Shqiponja ishte pajtorja më e mirë për të. Atëherë që kur Zeusi nga pellazgo-ilirët nderohej si perëndi, faltoren e vetë e kishte në Dodonën e thesprotëve, pra në Çamëri. “Dhe kështu me kalimin shkallë shkallë të paganizmit në monotheizëm, shqiponja nga simbol fetar u kthye në simbol kombëtar. Aq shumë u përngjit ajo me njeriun vetë sa atij zuri t’ia mënjanonte tërë emërtimet e tjera, duke i lënë emrin e vetë përgjithësues “shqiptar” (biri i shqiponjës)”. Natyrisht, ky është një rrëfim legjendar dhe, si i tillë, mund të jetë i diskutueshëm. Po mos të harrojmë se edhe emri i detit Egje mbështëtet mbi një rrëfim legjendar. Siç na mëson mithi i lashtë, mbreti Egje u mbyt në këtë det, tek pa i pikëlluar velat e zeza të anijes së birit të tij, Tezeut, duke e marrë të birin për të vdekur. Atëherë, sipas mithit të lashtë, emrin e mbretit Egje e mori deti. Edhe kontinenti plak i Evropës e ka marrë emrin nga një e dashur e Zeusit, me emrin Evropa, me të cilën ai pat rënë në dashuri.. Dihen nga të gjithë historianët këto emërtime mitiko – legjendare, po asnjë komentator nuk shprehet kundër.
Ka edhe ndonjë studiues që mendon se shqiponja, edhe pse është simbol, nuk ka qenë ndonjëherë “totem” e gjyshërve tanë në Dheun e Arbërit; dhe, duke mos qenë e tillë, ajo nuk është figurë bindëse për të përligjur idene e hipotezës se etnonimi shqiptar, qoftë në mënyrë hipotetike, mund ta ketë prejardhjen nga emri i shpendit të “shqiponjës” apo” shqipes”.Aq me mosperfillje shihet kjo ide e mundshme, sa nuk futet as në listat e hipotezave, që rrahin të qartësojnë etimologjinë e fjalës shqipe dhe të emrit shqiptar. Kur lexon një arsyetim të tillë, mendja të shkon vetiu te legjenda e “nënës ulkonjë” në Romën e lashtë, tek ajo ujkonja e gdhendur ne skupturë me emrin Lupa Capitolina, e cila, sipas legjendës, ushqeu me qumështin e saj binjakët Romulin dhe Remin. Kjo ujkonjë nuk ka qenë “totem” për fisin Latin të Laciumit. Këtë e dinë latinistët, po megjithatë, ata nuk e hedhin poshtë legjendën e themelimit të Romës nga Romi. Për më tepër, figura e “nënës ujkonjë” demonstrohet me madhështi nësa e sa vepra arti, që nga mozaiku dhe pikturat e Leçes, ne jug të Italisë, e deri te skulpturat, altoreliefet e basoreliefet e Romës antike dhe asaj të sotme, pa përmendur reklamat e panumërta nëpër kutitë e qumshtit. Atëherë lind pyetja pse shqiptarët duhet të jenë kaq shpërfillës ndaj simbolit të tyre shekullor? Kështu të krijohet një lloj çudije, kur atë që na e pohon Straboni si shenjë krenarie, e shmangim ne sot
** *
Po me tepër se hamendja e një legjende, janë faktet e shumta historike dhe arsyet gjuhësore që të sjellin te hipoteza se simboli emblematik i shqiponjës duhet të jetë në themel të idesë për unitetin tonë kombëtar. Nuk ka dyshim se flamuri me fushën e kuqe dhe shqipen dykrenare në mes është simboli ynë më i vjetrër mbarëkombëtar. Me këtë flamur në mendje dhe në zemër ne kudo ndjehemi shqiptar. Gjuha shqipe dhe flamuri na bashkojne e na vëllazërojne kudo që të ndodhemi si te Nëna Shqipëri, si në Kosovë, në Maqedoni, në Preshevë, Bujanovsk, në Mal të Zi, në Itali, në Greqi, në Turqi dhe kudo nëpër kontinente, nga Amerika e deri në Australi. Flamuri dhe gjuha amëtare janë dy hallkat që na lidhin si vëllezër shqiptar të një gjaku.
Qysh në shekullin e dytë Pas Krishtit, biografi i antikitetit, Plutarku, në veprën “Jetë Paralele” tregon për Pirron e Epirit se kur ushtarët po e glorifikonin pas betejës së Heraklesë (280 PK) duke e quajtur atë “Shqiponjë”. Ai iu drejtua atyre dhe u thotë: “Nga ju unë jam shqiponjë; dhe si të mos jem i tillë, kur ju jeni flatrat e mia që me ngrini aq lart!”. Nga ky episod fare qartë duket adhurimi i stërgjyshërve tanë për figurën e shpendit të shqiponjës, e cila gjatë shekujve do të kthehej në simbol emblematik, duke u bërë shënja më dalluese për të gjithë arbëreshët në Dheun e Arbërit. Këtë ide e mbështet edhe Pashko Vasa në artikullin ”Shqypnia dhe Shqyptarët”, të botuar më 1879, kur shkruan: “Që prej fjalëve që i thanë ushtarët Pirros, e prej fjalëve që iu përgjegj Pirroja, na ka mbetur neve emni shqiptarët, e dheut ynë i thonë Shqypni, e gjuhës yne i thonë shqype e Plutarku e dëfton hollë e hollë”.
Kurse Apostulli i Shqiptarizmës, poeti Naim Frashëri, do të thurte vargje tek poema “Dëshira e vërtetë e Shqiptarëve”:
U quajtuajt me këtë emër që moti shqiptari
Nga “shqipja” q’ish i fortë, në luftë më i pari.
E nga që mbante krye në flamur kurdoherë
Shqiponjën, shenjë të trimërisë në vlerë
Dhe në vitin 1886 në kapitullin “Prindërit” tek “Histori e Shqipërisë” po ky Rilindas i madh do të pohonte:”Shpesi që i themi “shqipe” ishte sipas besës zogu i Hyjit dhe shenjë e trimërisë. Andaj e kishin në flamur shqiptarët e vjetër, pa nga shqipja u quajtën shqiptarë”.
Në unison me këtë ide të poetit Naim Frashëri është edhe Prof. Abas Ermenji, i cili në një studim voluminos për vendin e Skëderbeut në histori, shpreh mendimin e vetë për etnonimin shqiptar si edhe për emrin e gjuhës amtare, ku shkruan se: “Në kohën e Skenderbeut dhe përpara tij, Shqiptarët e quanin veten Arbëreshë. Kështu quhen edhe sot Shqiptarët e Italisë së jugës, që e lanë vendin tonë pas asaj epopeje…. Si qëlloi që gjatë sundimit turk, Shqiptarët u quajtën me emrin që kanë sot? Emri Shqiptar dhe gjuha shqipe nuk besohet të kenë asnjë tjetër prejardhje përvec shqipes që përbën simbolin e flamurit të Skenderbeut.
Pas vdekjes së kryetrimit, Shiptarët nuk u nënshtruan me një herë ndën Turqit. Ata vazhduan për shumë kohë përpjekje e kryengritje, qofshin krahinore (në veri e në jugë), qofshin në një lidhje më të gjërë, për t’u cliruar nga zgjedha turke. Këto lëvizje ishin të frymëzuara prej kujtimesh të Skenderbeut dhe të shqipes së tija dykrenore.
Duket se Shqiptarë u quajtën ata që ecnin pas shqipes, ose partizanët e shqipes, që ndiqnin akoma flamiurin e Skenderbeut, domethënë luftën e tija. Ky emër pastaj u përgjithësua dhe përfshiu tërë Shqiptarët pa përjashtim.
Nuk na duket të ketë një shpjegim tjetër më të përshtatshëm mbi kthimin e emërit Arbëreshë në emrin Shqiptarë.”
Nga të parët historianë këtë flamur na e tregon Anonimi i Tivarit, më 1480,(i cituar nga Biemmi), i cili shkruan :”Flamuri i Skënderbeut ishte një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”. Dëshmi të njëjtë për këtë flamur me shqiponjën në mes jep edhe biografi i Skënderbeut, Marin Barleti :“Skënderbeu mbante flamuj të kuq, të qendisur me shqiponja të zeza dykrenare, ky ishte flamuri i fisit të tij”. Ky flamur ishte tipari dallues në të gjitha veprimtaritë luftarake të ushtrisë së Skënderbeut. Flamuri qe bërë pjesë e krenarisë së tyre ndër betejat heroike. Kudo që shkonte ushtria e Skënderbeut për të luftuar, flamurët nuk i ndante nga vetja. Në të njëjtën vepër Marin Barleti tregon se “trimat e Skënderbeut nën komandën e tij kur shkuan në Pulje, për të ndihmuar mbretin Ferdinand të Napolit…mbanin flamurët e kuq me shqiponjën dy krenare në mes.” .
Po gjurmët e këtij flamuri me shqiponjën dy krenare shihen dy shekuj më përpara epokës Skënderbejane. Shenjat e flamurit me shqiponjë duhet t`i kërkojmë qysh me Principatën e Arbërit dhe Despotatin e Epirit. Aty nga fundi i shekullit XII, Progoni (1190-1199) do të sundonte dhe do të qeveriste principatën e Arbërit me gjithë atributet e një prijësi me vulën e flamurin e tij. Dhe më vonë, siç pohohet në “Historinë e Shqipërisë”, në vitin 1336, Principata e Arbërit qe forcuar aq shumë, sa Ludoviku, i Anzhuinëve, i njohu Andrea Muzakës titullin Despot i Arbërisë. Tre dekada më pas, kur Andrea Muzaka II i mundi bullgarët tek Mali i Peristerit në vitin 1372, pozita e despotatit forcohet edhe më tepër. Në ndihmë të këtij mendimi na vjen Princi Gjon Muzaka, i cili, në Memorien e vetë të shkruar më 1510, tregon sesi “Perandori i Konstandinopolit u kënaq shumë që zoti Andrea Muzaka kishte pasur një fitore të tillë, me që kishte larguar nga muret e Adrianopolit armikun e tij të madh…I përmenduri Perandor urdhëroi që t`i jepnin atij stemën, d.m.th., shqiponjën me dy krerë….… i dha edhe një titull despotal… Në të cilin ishte përvijuar me gurë xhevahiri shqiponja që thamë”. Bëhet e qartë nga ky pohim se Muzakajt që pas mezit të shekullit të XIV mbanin titullin e despotit, që jepej nga perandori si edhe flamurin me simbolin e shqiponjës dykrenare.
Me këtë flamur me shqiponjë Andrea Muzaka, në krye të luftëtarëve të tij, do të shkonte në Betejën e Fushë Kosovës më 1389 kundër ushtrisë së Sulltan Murati të Parë. Në atë betejë të prgjakshme, ku, siç shkruan Evlija Çelebiu, “Sulltan Muradi shkoi 700,000 të pafe në teh të shpatës ( nënkupto martirët e rënë nga radhët e forcave të aleancës së princave të Ballkanit). Atje u vra edhe prijësi i sipërpërmendur i principatës së Muzakajve.
Lidhur me lashtësinë e flamurit shqiptar me shqiponjën dykrenare duhen përmendur edhe “Statutet e Shkodrës” të zbuluara kohët e fundit në bibliotekën e Muzeut Correr të Venecias. Këto “Statute” hedhin dritë edhe më shumë në lashtësinë e flamurit kombëtar shqiptar. Statutet e Shkodrës pasqyrojnë një lloj “kushtetute” për banorët e qytetit në shekullin e XIV – XV. Sipas studiuesve ato janë hartuar para vitit 1446. Po ajo që është e rëndësishme të theksojme është fakti se në një faqe të ilustruar të këtyre statuteve gjendet i pikturuar simboli kombëtar: “Shqiponja me dy krerë”. Historiania e Mesjetës, Lucia Nadin, duke komentuar këtë faqe të ilustruar të “Statuteve”, shikon se në këtë pikturë pasqyrohet një stemë heraldike e bërë me kujdes:…një shqiponjë dykrenare e kurorzuar me ar në të dy krerët (…) “aquila bicipite, coronata d’ oro su entrambe le teste”). Kjo studjuese, e nxitur nga zbulimi i këtyre dokumenteve shkruan: “Gjetja e “Statuteve të Shkodrës” rihap një faqe shumë të ndritshme, të harruar të ketij vendi, i njohur vetëm si vendi i Shqiponjave”. Dhe më tej Prof. Nadini, duke analizuar simbolikën e kësaj embleme, shikon se në të, në mënyrë figurative pasqyrohet “shqiponja triumfale, simbol i një autonomie të fuqishme qytetare”
Emblemën e Shqiponjës dykrenare në shekullin e XV e gjejmë jo vetëm në jug të Arbërisë si tek Pricipata e Muzakajve, a po ne Veri si ishte rasti i Statuteve të Shkodrës, po edhe në Arbërinë e Mesme dhe Veri-Lindore si tek principata e Kastriotëve. Në librin “Historia e Shqipërisë”, kur trajtohet kryengritja e Gjon Kastriotit kundër fillimit të pushtimit turk, tregohet edhe stema e principatës së tij, me emblemën e shqiponjës me dy krerë, rreth viteve 1429-1430.
Është për t`u vënë re se ky flamur dhe emblema me shqiponjën dykrenare qenë bërë aq të njohur, jo vetëm midis ushtarëve të Skënderbeut dhe popullit në Arbërinë e asaj kohe, po edhe midis radhëve të turqve osmanllinj. Këtë jehonë të simbolit të shqiponjës në radhën pushtuesve turq na e sjellë në mendje Marin Barleti me veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës”, tek tregon se si Sulltan Mehmeti II, i shoqëruar nga kalorësit e vetë, kur ka parë pozicionet e qytetit të Shkodrës, paska thënë: “Oh ! se ç’ vend të shkëlqyer dhe të lartë paska zgjedhur shqiponja për vete dhe për folenë e zogjëvë te saj”..
Po ky flamur do t`i ngacmonte mendimin edhe baronit francez J.de Lavardin, në vitin 1576, kur do të shkruante: “Në flamurët e tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënderbeu kishte një shqiponjë të zezë me dy krerë. Shqiponjën me dy krerë Skënderbeu do ta mbante te parzmorja, në kraharuar, si edhe në vulën shtetërore.”
Dhe tani do të ishte më me interes të dimë edhe për shtrirjen gjeografike të emblemës së Arbërisë për atë kohë. Dhe kjo kuptohet më mirë po të kemi parasysh lidhjet e krushqive midis familjeve princërore në shekujt e XIV dhe XV. Kështu përshëmbull tre nga vajzat e Gjon Kastriotit u martuan me bujarë nga familjet e njohura princërore, si tek Muzakajt, Aranitët e Topiajt (Hitoria e Shqipërisë- f.252). Po ashtu, siç tregon Gjon Muzaka në “Memoria”, një motër e Gjin Muzakës, Maria, qe martuar me Gjergj Aranitin. E para bijë e tij, Andronika, kur u rrit, u bë gruaja e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut. Kurse Gjon Muzaka e mori nusen e vetë nga dera e Dukagjinëve. I përmendëm këto krushqi për të përfytyruar sadopak lidhjet miqësore, si dhe hartën e aleancave midis familjeve feudale në Arbëri. Dhe në çdo dasëm midis tyre ka lëvizur flamuri me shqiponjën , që i printe krushqit tek kalëronin për çdo festë martese. Deri vonë ka qenë ky zakon. Madje në Kosovë udhëtimi i krushqëve me flamur kombëtrar, kur merrej nusja ishte i gjallë deri në fillim të këtij shekulli të ri. Kjo dukuri zakonore ka rëndësi të kuptohet për anën etnografike të çështjes: se si emblema e shqiponjës dykrenare është futur aq natyrshëm në psikologjinë kombëtare qysh nga thellësia e shekujve. Kështu duhet të pranojmë se shenja më dalluese e shqiptarëve pas gjuhës amëtare ishte dhe është flamuri me këtë emblemë. Pra lufta për flamurin dhe me këtë flamur në ballë, në gjoks dhe në zemër ishte lufta për idenditetin kombëtar.
Një dëshmi tjetër materiale që flet për lashtësinë dhe adhurimin e të parëve tanë për flamurin është edhe epitafi në varrin e Gjon Muzakës, që gjndet në Francavilla të Otrantos: “I plotfuqishmi Jezu, ty të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, Zot i Myzeqesë dhe i Epirit që nga qyteti i Bizantit trashëgoi shqiponjën dykrenare qe e mbante në flamur, i dedikohet kurorë detyrimi në vitin e Krishtit 1510”
I ngjajshëm me këtë fakt duhet përmendur si dëshmi me interes për simbolin kombëtar të Shqiponjës edhe varri i nipit të Skënderbeut, që ndodhet në kishën e Shën Marisë së Napolit, ashtu si e përshkruan edhe Eqrem Bej Vlora: ”Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e Shën Mërisë së Ëngjejve në Napoli është venë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepësh mbi të dy krerët”
Këto dy episode të fundit tregojnë për lidhjen shpirtërore që kishin të parët tanë me simbolin e Shqiponjës. Ata e adhuronin atë në këtë jetë, po edhe deri në amshim. Ashtu ata duken sikur thonë se edhe të vdekur ata janë mbajtës të flamurit, janë mbajtës të shqipes, janë shqiptarë për jetë të jetëve.
*
* *
Po ky flamur me shqiponjën në mes do të ishte simboli i bashkimit të stërgjyshërve tanë edhe për gjatë kohës së qendresës kundër pushtimit turko-osman siç shkruan dhe Pashko Vasa në veprën e tij për kohën e rënies së Shkodres: “Një pjesë e popullsisë, për të mos u nënshtruar gjithësesi, u ngrit e iku në dhe të huaj dhe kërkoi strehim në Itali; një pjësë tjetër mori malet, në majat e të cilave flamuri kombëtar vazhdonte të valvitej krenar dhe i nderuar.”
Kjo lidhje shpirtërore e stërgjyshërve tanë me simbolin e shqiponjës u ka pas tërhequrn vëmendjen shumë studjueve të huaj, të cilët, duke qënë eruditë të shquar, e dinin rolin e emblemave në Mesjetën Evropiane për të emëruar etnitete a po dinasti të ndryshme. Njeri nga këta eruditë që qe iangazhuar me gjuhësinë shqipe është albanologu Maximilian Lambertz . Prof. E. Çabej, duke trajtuar problemin e emrit etnik, shkruan në librin e tij “Shqiptaret midis Perëndimit dhe Lindjes”: ”Oberhummer pranon së fundi mendimin e M.Lambertz-it, ky dijetar, thotë ia kishte spjeguar emrin mjaftë mirë prej shqiponjës, si emër i një totemi nga koha e Skënderbeut”.
Po në atë faqe të veprës së tij Prof. Çabej shenon se ky mendim gjen mbështëtje te një vrojtim i Edith Durham-it… “Shqiptarët quhen kështu pas shqiponjës. Në flamurin e Skënderbeut dhe te stema e Shtetit të ri Shqiptar ndodhet një shqipe.” Me këtë rast theksojmë se Prof. Çabej nuk shpreh mendimin e tij për këtë çështje, po ai as nuk e mhon këtë hipotezë .Përkundrazi, ai lë shkas për diskutim, kur në veprën e tij ka pohuar : Duke përmbledhur ç’kemi thënë na rezulton se emri i ri (shqiptar) na shfaqet si emër familjeje në një kohë kur emri i vjetër i popullit është edhe në lulëzim e sipër. Të dy emrat do të kenë luftuar shekuj me radhë me shoqi-shoqin për përhapjen e vet në popull, gjersa nga fundi i shekullit të XVII emri i ri doli fitues.
Në këtë tragë mundohet të ecë edhe studiusi francez, Robert d’ Angely, i cili, bazuar në gjellitjet e veta për etnonimin “shqiptar” thotë se fjala “shkibetar” nuk do të thotë tjetër gjë, veçse mbajtësi i shqipes( i shqiponjës). Dhe më pastaj ky autor vazhdon ta shtjellojë idenë e tij se fjala “shqiptar u bë e njohur dhe e famëshme për shkak të qendresës së një ushtrie të vogël shqiptare, që ishte bartëse e shqiponjës, e shqipes të princit legjendar Gjergj Kastrioti”.
I impresionuar nga simbolika e flamurit tonë kombëtar, edhe studiuesi dhe diplomati amerikan Xhorxh Fred Uilliams, i cili dallohej për kulturën e tij gjuhësore dhe historike, gjykon e shkruan për popullin tonë në trojet e ish Arbërisë: “Emri i vërtetë i kësaj toke është Shqipëri, dhe i popullit shqiptar, që do të thotë “toka dhe bijtë e shqipes”.
Ndër shekujt e robërisë turke, shumë nga të dhënat dokumentare për flamurin kombëtar të Shqipërisë nuk kishin mbetur fare të izoluara. Në qarqet e dijetarëve dhe historianëve të Evropës, kur është folur e shkruar për luftën e Shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut, është përmendur kohë pas kohe me siguri edhe flamuri tij. Mjafton të kujtojmë rastin interesant të shkrimtarit amerikan Henri W.Longfellou, i cili më 1873, shkroi një poemë për heroin tonë kombëtar të titulluar “Scanderbeg”. Në mënyrë të vaçantë ai përshkruan momentin solemn, që ka të bëjë me ngritjen e flamurit me shqiponjën dykrenare, më 28 Nëntor,1443, që në përkthimin e Fan Nolit lexohet aq bukur:
“Nga kështjella shpejt ka rënë
Flamuri me gjysëm hënë,
Edhe populli shikon
Që në vend të tij valon
Flamuri i Skënderit n’ erë,
Skabë’ e zezë me dy krerë.
Është me rëndësi të vemë re se si poeti amerikan prej mijëra kilometrsh larg arrin të gjejë subjektin e poemës për heroin kombëtar të shqiptarëve dhe të fokusojë poetikisht emblemën tradicionale “Shkabën e zezë me dy krerë”. Kështu, ky rast, kur në kushtet e shekullit XIX, një poet i Botës së Re, matanë Atlantikut, kalon oqeanin me fantazinë e tij, për të hulumtuar një të vërtetë historike lidhur me simbolin tonë kombëtar, nuk ka se si të mos i jepë kënaqësi çdo shqiptari, që ta ndjejë veten krenar për vendin dhe Flamurin e tij të lashtë si simbol mbarëkombëtar.
Mbas Luftës së Dytë Botërore një tjetër autor, Julian Ameri, në librin e tij “Sons of the Eagle” (Bijtë e Shqipes), duke kuptuar adhurimin e shqiptarëve për flamurin e tyre me shqiponjë, do të shkruaj: “Shqiptarët, të cilët pohojnë se vijnë prej ilirëve të vjetër, e quajnë veten “shkipetarë”, fjalë, që po të përkthehet, ka kuptimin “bijtë e shqipes” .
Pak a shumë këtë gjë thotë edhe një autor amerikan, Robert Kaplan në librin “Balkan Ghosts” (Fantazmat e Ballkanit). Duke komentuar për shqiptarët dhe Shqipërinë, ai shkruan se “Atdheu i tyre quhet Shqipëria, që do të thotë “toka e shqiponjës” (Land of the Eagle)

Nga sa u parashtrua duket qartë lidhja e përherëshme shpirtërore e të gjithë shqiptarëve me simbolin e shqiponjës së flamurit. Ja pra, është kjo arsyeja pse dhe shumë studiues të huaj e njësojnë emrin e shqiptarit dhe të Shqipërisë me simbolin e shqiponjës së emblemës së flamurit. Prej gjithë këtyre deklarimeve kuptohet se Flamuri me Shqiponjën dykrenare qe bërë pjesë e ndërgjegjes sonë shqiptare.
Politika asimiluese e sulltanëve gjatë periudhës së errët të sundimit turk bëri që shumë nga traditat tona kulturore te dobësoheshin ose të zhdukeshin. Kështu qe e ndaluar në të gjitha trevat arbërore të përmendej flamuri kombëtar dhe emri i lavdishëm i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Po simbolet kombëtare, si dhe figura e Skënderbeut mbetën të gjalla në mendjen dhe kujtesëne vëllezërve arbëreshë që u vendosën në Itali. Tok me këngët dhe legjendat për kohën e Skënderbeut ata ruajtën dhe flamurin tonë të lashtë. Vlen të përmendet me këtë rast patrioti intelektual Zef Skiroi, i cili, në të përmuajshmen e tij “Arbëri i ri”, do të vendoste rregullisht emblemën tradiciuonale të flamurit me shqiponjë dykrenare, nga 1880 deri 1895. Pak më vonë, mbas vitit 1900 këtë shembull do ta ndiqte edhe F. Konica, i cili edhe ai, kur botoi të përmuajshmen e vetë “Albania”, do të vinte në faqen e parë të kësaj reviste këtë emblemë të Flamurit me simbolin e shqiponjës. Po ky Flamur me këtë emblemë, i ardhur vëllazërisht nga arbëreshët e Italisë, do t’i printe kryengritësit malësorë me në krye Dedë Gjo Lulin, dhe që më 6 prill të vitit 1911 u valëvit në majën e Deçiçit.
Pak kohë më parë, para kësaj ngjarjeje, në pranverën e vitit 1908, poeti i Rilindjes Kombëtare, Asdreni, do t’i jepte korit të kolonisë shqiptare të Bukureshtit poezinë e tij “Betimi mbi Flamur” si tekst për Himnin Kombëtar. Kështu filloi të këndohej Himni i Flamurit, që do të vinte me anë të poetit patriot Hilë Mosit nga Bukureshti në Korçë dhe prej atje do të përhapej gojë më gojë dhe shpejtë e shpejtë nëpër disa anë të Shqiperisë. Dhe, pasi qe kënduar për rreth katër vjet, në fusha dhe male, kënga e Himnit të Flamurit do të futej edhe në Kuvendin mbarëkombëtar të Vlorës, më 28 Nëtor 1912. Atë ditë historike, kur prinjësi i Kuvendit të pavarësisë, Ismail Qemali, do të ngrinte Flamurin, ai do të bekonte edhe Himni e këtij Flamuri, që do të këndohej nga Kuvendarët dhe do të shpallej Himn Kombëtar. Që nga ajo kohë , për më shumë se një shekull, Himni Flamurit ka qënë preludi i i tërë aktiviteteve patriotike, kulturore, artistike e sportive për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Qysh atëherë fjalët e Himit Kombëtar na shungullojnë vesh si një thirrje dhe kushtrim për të qënë të bashkuar si komb rreth simbolit të Flamurit:
Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë’ e një qëllim,
Të gjith’ Atij duke iu betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Bibliografi
1-Çabej, E. “Shqipëtarët midis Perëndimit dhe Lindjes” MÇM, Tiranë, 1994.
2- Ermenji, A. “Vendi që zë Sëkënderbeu në Historinë e Shqipërisë”, btimi II, Tiranë, 1996.
3- Vlora, E. “Kujtime”, Shtëpia e Librit dhe komunikimit, Tiranë, 2001.
4- Shehu, A.. Gazeta “Illyria”, Nëntor,2003.
5- Plutarck’s Lives, vol. III, Boston, 1859.
6 – Vasa, P. “Vepra Letrare” 1, Shtepia Botuese “N. Frashëri”, Tiranë, 1986.
7- Barleti M. “Historia e jetës dhe e vep. të Skenderbeut”, Tiranë 1968.
8- Muzaka, Gj. “Memoria”, Toena, Tiranë, 1996.
9- Nadini, L. “Statuti di Scutari”, Universita di Venecia, 2002.
10 – Barleti, M. “Rrethimi i Shkodrës”, sh. b.“Naim Frashëri”, Tiranë, 1982.
11 Muzaka, K. “Memoria”, Toena, Tiranë, 1996.
12- Vasa, P. “Vepra letrare”, 2, sh. b. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1987
13- Angely, R. D’. “Enigma”, Toena, Tiranë, 1998.
14-Amery, J. “Sons of the Edagle”,London, 1948.
15- Noli, F. “Vjersha te Zgjedhura”, Instituti i studimeve shkollore,Tiranë,1965

Filed Under: ESSE, Histori Tagged With: Aristotel Mici, e Flamurit të Tyre, Shqiptarët dhe Emblema

Dje ishte Ditelindja- Ne Kujtim te Prof. Dr. Aleksander Stipceviqit

October 11, 2015 by dgreca

In Memoriam-Prof. Dr. Aleksandar Stipceviq (10 Tetor 1930 – 30 Gusht 2015)/
Shkruan:Ferhat Ymeri/
Kent, Washington/
Sot behen 85 vjet nga lindja e studiuesit dhe intelektualit te madh arbenesh, kroat e europian, i cili me vepren e vet unike i takon universit intelektual botnor. Vepra e tij eshte aq e pasur, e shumeanshme, dhe ndrituese ne fusha te ilirologjise, bibliografise antike ilire, bibliologjise, historise sociale e kulturore te librit, fatit te librit, dukurise se cenzures ne te gjitha koherat, civilizimet dhe hapesirat e rruzullit.
Profesori i nderuar u mor dhe me interpretime albanologjike, me pune redaktoriale si redaktor kryesor i “Leksikoni Biografik Kroat” (Vellimi Dyte).
Ai ishte nje shkencetar i urte e parimor, i cili i perballoi me guxim te pakopromis trusnite idelogjike e politike te kohes ne Kroaci, duke dale gjithnje faqebardhe e vegimtare i pavaresise se shkences e kultures ndaj kufizimeve te ideologjise e politikes se dites. Mjafton te lexohet ” Rrefimi mbi Leksikonin Biografik Kroat: Tentimi i vrasjes se nje libri.” (226 faqe, Zagreb 1997) per te pare se cfare beteje parimore beri per te mbrojtur parimet shkencore perballe nderhyrjeve zhdanoviste te politikes ne shkence.
Arbereshi fisnik, Profesor Stipceviqi, e filloi karrieren e tij botuese, e cila zgjati gati nje gjysme shekulli, me librin “Arte Degli Illiri” (Milano, 1963), per te vazhduar me ” Gli Illiri” (Milano, 1966), veper e cila perjetoi shume botime ne gjuhen kroate, shqipe, dhe anglishte. Ai vazhdoi me vepren ” Bibliographia Illyrica” (744 faqe, Sarajeve, 1967, me suplemente te botuar e vitet 1974, 1978, dhe 1984);
” Bibliografia e Arkeologjise Antike ne Jugosllavi” (1-2, Sarajeve, 1977, me 1556 faqe);
“Simbolet e Kultit te Iliret”, Sarajeve, 1981, u botua ne shqip me 1983, 1990, dhe 2002);
Nje veper tjeter madhore eshte “Historia e Librit” ( 847 faqe, Zagreb, 1985) veper e cila u perkthye ne shqip,(1998, 2000) arabisht (1993) dhe persisht (1994).
Nje liber i tille nuk ka shembull as ne kulturat me te medha europiane, dhe, me sa di, per nga vellimi dhe cilesia, as ne SHBA. Nje intelektual e vleresoi kete liber si historia sociale e botes dhe njerezimit permes prizmit te librit.
Pastaj pasuan veprat:
“Censura ne Librari” (Zagreb, 1992)
“Mbi Censorin e Perkryer” (Zagreb, 1994; botimi shqip: 2002)
“Interpretime Albanologjike” (Shkup, 1994)
” Si t’i Bishterojme Censorit” ( Zagreb, 1997)
” Rrefimi mbi Leksikoni Bibliografik Kroat: Tentimi i vrasjes se nje libri” ( Zagreb, 1997)
“Fati i Librit” (412 faqe, Lokve, 2000)
Kur njeriu mendon se nje studiuesi i shterren fuqite shendetsore e krijuese pas moshes
70-vjecare, profesor Stipceviqi, nga viti 2004-2008, pra kur ishte ne moshen 74-78 vjec
perjetoi nje renesance te vertete, duke botuar nje veper monumentale:
” Historia Sociale e Librit te Kroatet” (Ne tre vellime, I, II, III me gjithsej 1650 faqe
te formatit enciklopedik, nje veper e papresedan jo vetem ne kulturen kroate, e cila i solli shperblimin e Akademise se Shkencave dhe Arteve te Kroacise per librin me te mire te botuar ne Kroaci ne fushe te filologjise (29 prill 2008).
Bashke me studuiesin Zeqirja Neziri ( si bashkeautor) prof. Stipceviqi botoi dhe librin ” Historia dhe Bibliografia e Arbereshve te Zares” ( Shkup, 1997).
Ai ishte aq shume i misheruar me Zaren dhe Arbereshet sa tere jeten ia kushtoi mbledhjes se kultures materiale dhe shpirtnore e intelektuale te kesaj bashkesie ngashnjyese, e cila historikisht i ka kontibuar shume kultures shqiptare dhe kroate.
Jo rastesisht, Prof. Stipceviqi e kurorezoi veprimtarine e tij botuese me vepren e mrekullueshme ” Kultura Tradicionale e Arbereshve te Zares” ( 452 faqe, 2011).
Pervec punes se shquar akademike ne Fakultetin Filozofik te Univesistetit te Zagrebit, funksioneve udheheqese ne fushe te bibiotekarise si drejtor i Bibliotekes se Akademise Jugoslave te Shkencave dhe Arteve ( tash Akademia Kroate e Shkencave dhe Arteve, profesor Stipceviqi ishte redaktor kryesor, sic u permend me larte, i projektit:
” Leksikoni Bibliografik Kroat” ( Vellimi Dyte) si dhe i disa vellimeve te botuara nga Bashkesia Lokale e Arbeneshit te Zares, midis te cilave dhe vepra e rendesishme : “Fjalori i te Folmes se Arbereshve te Zares” (134 faqe) i autorit Dr. kruno Krstiq, nje arberesh tjeter i shquar, psikolog, intelektual e enciklopedist, i cili ishte ftuar nga autori dhe bardi i letersise kroate Miroslav Krlezha, qe te punoje ne Entin Leksikografik Kroat, nje institucion eminent i shkences e kultures kroate. Duke ju falenderuar ketij fjalori, gjuha arbenishte e Zares, e cila eshte ne shuarje e siper, mund te rimesohet nga te interesuarit e mundshem.
Profesor Aleksander Stipeviqi u varros e varrezat Mirogoj te Zagrebit, aty ku pushojne dhe eshtrat e e fisnikut e te perndritshmit albanolog, Dr. Milan Shufflay, i flijuar per te verteten mbi Shqiperine dhe shqiptaret, jeta e te cilit u keput dhunshem nga “dora e zeze’ serbe ne janar te vitit 1931 ne Zagreb.
Familja e profesor Stipceviq kishte kerkuar qe miqte e tyre ta nnderojne kujtimin e te ndjerit ne qetesi, ndaj dhe une, duke respektuar kerkesen e tyre, nuk shkrova ndonje shkrim publik. E kujtova mendtarin e mikun bujar duke shkruar nje shkrim te shkurter ne anglisht ne: books.google.com mbi librin e “The Illyrians: History and Culture.”
Sot, qe eshte datelindja e njeriut e profesorit te nderuar Stipceviq, nuk munda te heshte me. Ajo qe kam patur rastin te lexoje ne shqip, kujtimin me te bukur e me domethenes per prof. Stipceviqin e ka shkruar Moikom Zeqo, i cili me te drejte e krahason prof. Stipceviqin me Borgesin.
Jam i lumtur, qe ne te gjalle te tij, nga 26 prilli 1976, kur e njohtova ne Zagreb deri ne vitin 2011, kur u takuam per here te fundit, ia kam thene disa here se vepra dhe personaliteti i tij me kujtonte Borges-in. Ai qeshte me ndjenje humori e me dshamiresi. Si intelektual i mirefillte ishte i vetedijshem per vleren e vepres se tij ne kontekst europan e botnor, per gjithje me nje modesti plot hir, e me nje ‘ftohtesi’ prej shkencetari e humanisti, i cili i kupton dobesite e botes, e cila shpesh mbetet prapa ne vleresimin e studuiesve te medhenj.
Shtepia e tij (banesa ne Marulicev Trg 12) ishte vater e vertet e takimit te intelektualeve shqiptare, kroate e nderkombetare. Aty kan qene te mirepritur me bujari e fisnikeri, intelektuale nga te gjitha viset shqiptare e nga diaspora.
Edhe une kam patur rastin fatlum ta takoje profesor Stipceviqin ne shtepine e tij me shume se dyzet here. Kam mesuar shume prej tij dhe kam bashkepunuar me te. Ishte nje humanist i rralle dhe mentor i shkelqyer. Nje personalitet dinamik me energji te pashterrshme. Nuk kam takuar ndonje njeri, i cili ta njoh librin aq mire e aq intimisht, si objekt fizik dhe si bartes e shprehje te civilizimeve njerezore, si profesor Stipceviqi!
Ai ishte i misheruar me librin dhe me shkrimet e te gjitha koherave ne tere rruzullin toksor. Ai ishte nje Aleksander (i madh) i dijes dhe i trashegimise kulturore te njerezimit, nje enciklopedist dhe erudite i vertete. Ndaj, mendoj se nuk eshte e tepruar te krahasohet me Borges-in sepse jane te nje rrace te rralle e te fisme krijuesish unik!
Peshen e rende te punes shkencore dhe pengesat politike te kohes i kapercente me nje humor te rralle e te holle: disa here rastisi ta vizitoja pasi i kishin mberrritur letra nga Shqiperia: nje dite e pyeta: ” kush eshte Leke Shtjefni, ne adresen tuaj?”
Profesor Stipceviqi me tha me buzagas: “Keshtu me ka pagezuar Prof. Dr. Aleks Buda. Qe te mos harroje nga e kam preardhjen.”
Ne janar te ketij viti, duke lexuar ne gazeten DIELLI, mesova lajmin se prof. Stipceviqi ishte i semure. Me te shpejte i postova librin “Prague Winter” te Zonjes Madeleine
Albright, me nenshkrimin e saj: To Prof. Dr. Aleksandar Stipcevic, duke me dhene nenshkrimin e saj me pyeti:
” Kush eshte prof. Stipceviqi?”. I thash se eshte nje autor i shquar kroat me prejardhje shqiptare. Ne liber futa nje leter me tekstin si vijon: (teksti eshte ne tre gjuhet qe i flas sepse ashtu me erdhi frymezimi)
Dragi Profesor Stipceviq ( I dashuri profesor Stipceviq)
Molimo se za Vas oporavak (Lutemi per kendelljen Tuaj)
Volimo te!( Te duam!)
You are a shining light in our life! ( Ti je nje drite rrezatuese ne jeten tone!)
Beskrajno zahvalni za neizmjeran doprinos znanju, ilirologiji, albanologiji, i intelektualnom universumu svijeta.
(Jemi pafundesisht mirenjohes per kontributin tuaj te pamatshem ilirologjise,albanologjise dhe universit intelektual te botes.)
Vase gostoprimtvo i gospodje Andjelke zivi u nasim srcima kao vjecno proljece u Zagrebu.
( Mikpritja juaj dhe e zonjes Andjelka jeton ne zemrat tona si nje pranvere e perjetshme e Zagrebit.)
Za jedan razgovor jende veceri (Nga njje bisede me ju nje mbremje)
1001 nezaboravnih uspomena (bartim 1001 kujtime te paharruara i zahvalnosti
(dhe falenderime
Vis Vitalis Arbanasa i znanosti Vis Vitalis i Arbeneshit dhe i shkences
Arbor Vitae sadasnosti u buducnosti. ( Arbor Vitae i se tashmes dhe te ardhmes)
WE LOVE YOU!
VOLIMO TE!
TE DUAM SHUME
ME DASHURI TE PAFUND!
Ferhat i Ana
(Janar 2015)
Kete vere, gjate vizites se planifikuar ne Kroaci, Shqiperi e kosove,me gruan time, u ndalem enkas ne Zagreb ne fillim te Korrikut dhe e vizituam zonjen Andjelka. profesori i nderuar Stipceviq, mjerisht, nuk ishte ne gjendje te pranonte miq. Me dhimbje, vazhduam viziten ne Zare, ku vizituam te motren e Stipceviqit, zonjen Alma (e lindur me 1933) si dhe bijen e saj Irina, e cila banonte ne rrugen Gjergj Kastroti Skenderbeu, afer kishes se Zonjes se Loretos.
Po vizitoja Arbeneshin per here te pare–aty ku kishin lindur aq krijues te shquar, Josip Rela, Shime Deshpalji, Dr. Kruno Krstiqi, Pal, Valter e Maja Deshpalji, te njohur botnisht si dirigjent, violoncelist e violiniste, respektivisht.
Ne vend te studiuesit e mikut te dashur e te nderuar, Aleksander Stipceviq po shihja vendlindjen e Tij, djepin e feminise se tij, aty ku ne moshen dhjete vjecare (ne v. 1940) kur Zara ishte pjese mbreterise italiane, i zgjuari djalosh arbenesh kishte lexuar romanin “Te Mjeret” te shkrimtarit te madh frncez Victor Hugo, dhe kishte ra ne dashuri me librin e diturine, te cilave ia kushtoi tere jeten e tij e krijuese prej shkencetari, krijuesi, humanisti e njeriu i rralle e te paperseritshem!
Pushofte ne Paqe! Emri i Tij u kujtofte sa te jetoje libri, kurreshtja per te verteten dhe dashuria per njeriun, lirine krijuese e dijen!

Ferhat Ymeri
Kent, Washington
11 Tetor 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: Dr. Aleksandar Stipceviq, Ferhat Ymeri, In Memoriam-Prof.

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 422
  • 423
  • 424
  • 425
  • 426
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT