• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Daja, “Qytetar nderi” në Gostivar

August 5, 2015 by dgreca

Miku ynë Sadulla Zendeli – Daja, pak kohë më parë, në qershor të këtij viti 2015, festoi 80-vjetorin e tij. Edhe unë jam një ndër ata qindra miq, shokë e të njohur, që e urova në këtë ditë të shënuar, me fjalë zemre e fjalë miku: “Së bashku edhe në 100-vjetorin tënd!”. Ndërsa të tejërt kishin menduar diçka ndryshe, më të bukur e më simbolike, me përmasa më të mëdha:
Shkrimtari Viron Kona, pas një pune disa mujore, pikërisht në këto dit të qershorit të ngrohtë e plot diell, publikon librin monografik: “JU DUA MË SHUMË SE VETEN”, kushtuar mëmëdhetarit, leksikografit dhe poetit Sadulla Zendeli-Daja”. Një libër i denjë për një njeri të rrallë, studjues e shkencëtar, mendimtar e kuvendar, dijetar e filozof, shkrimtar e poet, shqiptar me zemër të madhe.
Ndërsa drejtuesit e Komunës së Gostivarit, së bashku me qytetarët e vendit, organizuan festën e dhënies së titullit “Qytetar nderi”, Dajës, i cili në 50 vjet jetë në Suedi, s`e harroi kurrë vendlindjen, Sërmnovën e Gostivarin. Ky është një nderim i shumëfishtë për mikun tonë, sepse autoritetet e vendit e vendosën birin e tyre në radhën e njerëzve të shquar, të ditur e të ndritur. Të botosh libra e të hartosh katër fjalorë suedisht – shqip, e shqip – suedisht, më i madhi ndër ta është me 35.000 fjalë, nuk është shaka, por një punë shkencore disa vjeçare. Ndaj ky titull është një medalion i artë në kujtesën qytetare e mbarëshqiptare, sepse njëherazi ai u vlerësua si mësues e veprimtar për shqiptari, si mëmëdhetar e qëndrestar për kombin, si personalitet në fushën e letrave dhe studimeve. Cili nuk do ta lakmonte një nder e vlerësim të tillë!? Vështirë e pati Daja të qendrojë e përballojë, pa i`u dridhur qerpiku e përlotur syri, të tilla ndjesi krenarie e mirënjohje, i ndodhur para familjarëve e të afërmve, para miqëve e shokëve, disa të zbardhur nga vitet e shumë të tjerë në lulen e rinisë. Ne mund të shprehim ndjesitë tona, por nuk i afrohemi dot asaj çka provon e ndjen vetë Daja në një ngjarje kaq të madhe në jetën e tij.
Kam kënaqësinë, që për këtë urim të zgjedh fjalët që na vijnë që nga lashtësia, kur Virgjili thotë: “Gjithkush ka kohën e vet për të jetuar. Jeta është për të gjithë e shkurtër dhe e papërsëritshme. Të ngresh lart emrin tënd me vepra, vetëm kjo është arritje e virtytit”.
Vitet do të rrjedhin sepse koha shkon. Vepra dhe emir i tij i përjetsuar u mbetet brezave. “Titulli i nderit” është një stoli e vyer në kurorën e dafinës.
Miku ynë Sadulla Zendeli-Daja meriton më shumë!
Urime!

Kadri Tarelli
Durrës

Filed Under: ESSE Tagged With: Daja, Gostivar, qytetar Nderi, Sadulla Zendeli

IA MBAJNË LART EMRIN BABËS E FISIT TË VET

August 3, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Erdhi me qeshje dritë. me energji rinore. U ul aty, në atë tavolinë skej Rrugës së Dibrës në Tiranë. Më befasoi qyshce në takimin e parë. Ai e donte një pemë gjeanologjike të fisit të tij të Ponarëve në rrethin e Tropojës. E për ma tepër për dhjetë ditë kohë: në “Të dyzetat” e babës së tij, Kadri Qerim Ponari – një njeri i fismë që ndrroi jetë ende i ri, i mbajtun, i fortë.
Kreshniki ishte i qartë, i vendosur, aktiv, pasionant e korrekt në nismën e tij. Djalë 31 vjeçar, i pashëm, i ditun, i shetitun. Prej vitesh jeton, punon e veprimtaron në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër. Ai donte me i njohë brezat e vet Ponari me rrënjë e degë, nga ma i pari i fisit Leka e dekterit tek djali i tij, Ayrtoni i vogël, i bukur e i lumtur. E, çka është ma e veçanta: e donte një njohje të tillë brezash: vertikalisht dhe horizontalisht, me degëzime për çdo derë e individ të fisit të Ponarëve, deri në dekadën e dytë të shek. XXI. Ai dëshironte mos me e harrue kërrkend: as ata që për arsyena të ndryshme nuk kanë lanë trashëgimtarë.
E, tjetra, ma e pazakonta: Kreshniki donte me i pasë degë breznie jo vetëm në linjën e gjakut, po edhe të tamlit (qumështit). Pra, dhe bijat e Ponarëve, me nipa e mbesa, me stërnipa e stërmbesa. Kjo nuk ka ngjarë në traditën etno-historike të Veriut. Po kjo ndodhi tek Kreshniki: ai në degëzimet Halilukaj (Qerim Q. Zenunit, Halit Q. Zenunit, Arif H. Bajramit, Azem Sh. Bajramit…), Hysenukaj, Metibraj, etj. i paraqiti dhe bijat e Ponarëve me brezni të tyne. Kjo tregon kulturën e tij qytetare, emancipimin e tij bashkëkohor. Një tjetër qasje të tij ndaj etno-historisë së fisit e të kohës.

2.
Aty, në krye të saj, e kisha futë një thanie: “Ponarët janë fisi më i vjetër në Malësinë e Gjakovës”. Menjëherë Kreshniki më dveti: a është e vërtetë kjo?! Kur i shpjegova se Krasniqja (dhe fisi Nikaj), Gashi e Bytyçi kur erdhën në brigje të Valbonës, në Lugun e Malësisë, i gjetën aty Ponarët e, përndryshe: prej atyhit u shpërndanë në vendbanimet e sotme të Tropojës, etj. ai u ndje ma i qetë, krejt i sigurtë. Ai donte që çdo fjalë për fisin e tij të ishte fakt, realitet, pa shtesa e nënkuptime. Ai nuk donte asgja të tepërt, të pa merituar e të pa faktuar, për fisin e tij.
Kjo anë e personalitetit të Kreshnik Kadri Qerimit të Ponarëve ishte një tjetër gëzim që më dha njohja me të, si një djalë i kohës, i të ardhmes.

Njohja me Kreshnikin ishte e rekomanduar për mirë nga daja i tij, Besnik Bajraktari, një nga djemtë ma inteligjentë jo vetëm të Tropojës, një jurist i zoti që ka marrë pjesë dhe në kongrese ndërkombëtare, një shahist i rrallë që luajtur dhe me Garry Kasparov – ma i madhi mjeshtër i shahut në të gjitha kohërat. Pra, Kreshniki e ka nanën e tij të shenjtë bash nga dera fisnike e bajraktarit të Shipshanit: e Din Bajram Bajraktarit, e Bekë Din Bajraktarit, e Tahir Bekë Bajraktarit, e Sali Tahir Bajraktarit, të cilët ishin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Kryengritjet e Mëdha të Veriut, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Duket se dhe Kreshniki, ky ponaras i fort i veçantë, ka marrë shumçka dhe nga genet e dajëve të vet. E, për të dyja, le të ndihet krenar i përjetshëm: edhe si djalë ponaras, edhe si nip i derës së Bajraktarit të Shipshanit.

Takimi ma i fundit me Kreshnikun ishte tek fillesa e “Tregut Çam”, kah rruga “Myslym Shyri”, tek një repart pune i specializuar për korniza të llojeve të ndryshme. Aty i kishte përgadit dy korniza me përmasa 60 cm x 80 cm, në të cilat kishte vendos skemën (pemën gjeanologjike) të fisit të Ponarëve. Iu kishte vnue dhe kambalec mbajtës, pasi dy kornizat si ekspoze do t’i vendoste në dy anët e hyrjes në lokalin në Tropojë, ku do të kryenin “Të Dyzetat” për babën e tyne Kadri Qerim Ponari, njeriut emërmirë, shpirtpastër, dinjitar në brezni. Atë ditë, në atë sallë, për kulla e brezni ponarase do të shpërndanin si dhuratë dhe 40 skema (pemë gjeanologjike) të tilla, si nderim, si homazh, si mesazh. Ky ishte një akt tejet i veçantë, që nuk e kam parë në asnjë rast tjetër në jetën time, në brezat tanë, në kohën tonë.

3.
Kastriot Ponari, ma i madhi ndër tre djemtë e Kadri Qerim Ponarit është biznesmen i mbarë, i punës, i fjalës. Është humanist, njerëzor, shoqëror. Me fitime të firmës së tij “Kassel Albania”, me kursimet e tij familjare, ka pak kohë që po punon për hapjen e një rruge 1.9 km të gjatë, 6 metra të gjanë, me standarde të nivelit të lartë: me kanalazime, tubacione të mëdha, etj. Kjo rrugë humaniteti, amaneti, hyjnore niston nga kulla e Qerimit e të çon për tek Varrezat e Ponarëve në Dushaj të Epërm po ecë drejt përfundimit. Në të vërtetë ka qënë një nismë e vet Kadri Qerim Ponarit, ndaj është me vend të mbajnë dhe emrin e tij.

Ai e ka dhe dy sipërmarrje: Pastrimin e Gështenjave të Ponarëve dhe me i hapë pesë puse për ujë në truallin e fshatit të vet, tek Ponarët. Në këtë vendbanim skej Drinit e Valbonës dhe veprës energjitike të Fierzës, ka legjenda e realitete për një kishë katolike të moçme të Dioqezës së Pultit dhe për ujin që vinte prej matanë Drinit, që u shterrë në një kohë, etj.

Kadri Qerim Ponari i ka lanë pesë fëmijë: dy çika e tre djemë. Ma e madhja Majlinda (me dy fëmijë Igli e Erisi). Pastaj vjen Mimoza. I treti është Kastrioti, babë i ri, me katër fëmijë: Kersli, Esteri, Haidi, Klestli. I katërti është Kasmeti, i martuar, e ka një djalë: Rigelsin. Kreshniki është ma i vogli, dhe ky me një djalë: Ayrtonin. E paçin njani-tjetrin kaq mirësisht, si deri më sot. I pastë gjithmonë kaq dinjitarë edhe dera e vet, nana e vet fisnike, fisi i vet emblematik, koha jonë shqiptare
E, me e lidh fillin aty ku e lame, themi se këto nisma si kjo për Skemën (gjeanologjia), Rrugën e re për tek Varrezat e Ponarëve, pesë puset në Dushaj të Epërm, pastrimi i Gështenjave të Ponarëve, e kanë një të veçantë: Ato po marrin udhë e disa sish kryhen për “Të Dyzetat” e babës së tyne, Kadri Qerim Ponari. Si rrallëherë e rrallëkund pesë fëmijët, veçmas Kastrioti e Kreshniku, i kanë ba të tillë homazh nderimi babës së vet në një kohë përkujtimore kaq të afërt: në 40 ditë, e medoemos ndonjë merr ma shumë kohë. I rëndësishëm është humanizmi, mesazhi i tyre.
Kastriot Ponari në faqen e tij në FB e cilëson Rrugën “një nismë e babit” dhe na e jep krejt motivin e humanitetin e ndërtimit e përfundimit të saj: ‘Shkoftë për shpirtin tënd, babi”! Kjo është një arsye tjetër ma shumë që të vlerësohet nga Bashkia e Tropojës emri i Kadri Qerim Ponarit, nisma e tij, këto kontribute humanitare të djemëve të rinj të fisit të moçëm të Ponarëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: BABËS, E FISIT TË VET, IA MBAJNË LART EMRIN, Ramiz Lushaj

Shqipëria si m’u duk

August 2, 2015 by dgreca

Nga Faik Konica/
Njeriu që e shkon kohën me ëndrra të pëlqyera ka frikë të zgjohet. Dëshira që vendi të lulëzojë të bën pak nga pak të ëndërrosh se lulëzon, dhe largimi i gjatë të këllet ca më thellë në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s’ka trup dhe s’ndodhet gjëkundi, veçse në tru të ëndërronjësit. Po le të marrë fund gjumi dhe menjëherë e sheh veten të rrethuar me gjëra të shëmtuara. Të do zemëra të futesh përsëri në gjumë e të kthehesh në botën e lulëzuar nga e cila sapo dole, po më kot! Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet. Kjo pikërisht më ngjau nja gjashtëmbëdhjetë vjet më parë.
I kasha bërë Shqipërisë ca shërbime, dhe dija se këto shërbime ishin të njohura, në mos të çmuara. U ngrita, pra dhe shkova në Shqipëri, i bindur se do të gjeja një botë aq të pëlqyer e të hijshme, sa ajo që u kisha përshkruar të huajve. Zgjimi qe i tmerrshëm dhe qesharak. Pas disa muajsh shëtitjeje në mes turinjsh të thartuar e të parruar, një mëngjes të Vjeshtës së Tretë 1913 mora në Durrës një biletë, e shkruar turqisht e në një stil xhandari, më urdhëronte, “Të thyesh qafën e të shkosh me vaporin që niset sot për në Brindisi, se s’kemi nevojë këtu për njerëz si ty”. (Xhandarët do të ishin habitur shumë, sikur t’u kisha thënë që isha fare në një mendje me ta dhe u jipja plotësisht të drejtë kur thoshin se s’kishin nevojë për mua. Duke qenë se ata dhe unë rrojmë në dy botë shpirtërore të ndara me miliunë male dhe dete njëra nga tjetra, ç’nevojë mund të kishin ata nga unë ose unë nga ata?)
Të tilla plagë s’shërohen plotësisht kurrë dhe në qoftë se mbyllen, lënë për jetë një shenjë në shpirt të njëriut. Po kanë edhe një të mirë: bëhen një mësim për të pastajmen,-dhe ky mësim e bën njerinë më të fortë e më të zotin të durojë të tallurat e fatit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Faik Konica, Shqipëria si m’u duk

Mbi nënvetdijen

August 2, 2015 by dgreca

Nga Arshi PIPA/
Arsyeja është ndërgjegja e fuqizuar në maksimum te vetëndërgjegja.
Unë jo vetëm që ndiej, por e di që ndiej, e di që jam unë që ndiej. Por, jo gjithçka që është e ndërgjegjshme, është edhe e vetëndërgjegjshme. Një bimë e ndien ngacmimin e jashtëm dhe kundërvepron në mënyrën e saj, por kufizohet me aq: nuk arrin të ndiejë edhe si një qendër referimi.
Kafshët më të përparuara vetëm sa e prekin rrëshqitazi vetëndërgjegjen në shkrepëtimat kalimtare të inteligjencës së tyre. Ndërgjegja e tyre, zakonisht, nuk i çon përtej gjendjes që i bën të ndihen organ i species së cilës i përkasin; por ndërgjegja e species është e pamjatueshme për të formuar vetëndergjegjen, e cila është ndërgjegje individuale.
Ndërgjegja lulëzon nga lart në shpirt; nga poshtë, ajo e thellon rrënjët e veta në jetën pa ndërgjegje, në nënvetëdijen dhe në pavetëdijen. Këto dy koncepte të fundit nuk kanë të njëjtën vlerë. Është pavetëdija e gurit që bie, dhe është pavetëdija e njeriut të cilit i bie të fikët. Është pavetëdija e të vdekurit dhe pavetëdija e kafshës në letargji. Ndryshimi bie në sy. Pavetëdija është absolute në njërin rast, por relative në tjetrin, ose, siç thotë Bergson-i, i cili e ka analizuar me shumë mprehtësi çështjen, është nul në rastin e parë, por vetëm e anuluar në rastin e dytë. Ndërgjegja e ndrydhur, sidoqoftë, ruhet, por në një gjendje latente; prandaj duhej të quhej nënvetëdije. Është e pamundur që ndërgjegjja të ruhet e plotë, e pranishme tek individi; nevoja e veprimit bën që ajo të dendësohet në një zonë më të ndriçuar, si te një lloj vatre e zonës së ndërgjegjshme, duke lënë pjesën që mbetet si në një gjysmë errësirë. Por errësira ndeshet vetëm, aty ku mbaron gjysmë-hija, që është kufiri i materies bruto, dhe as aty madje medoemos.
Pavetëdija, doemos, i përket vetëm kësaj të fundit; gjithçka që jeton, kur njeriu pushon së qeni i ndërgjegjshëm, gjendet e zhytur në oqeanin e nënvetëdijes.
Po të jetë e vërtetë se, çdo gjë që kalon, gjithashtu ruhet, njeriu, prodhimi i fundit i evolucionit, duhet ta ketë ruajtur në nënvetëdijen e tij gjithë përvojën e jetës që ka rrjedhur deri tek ai. Gjurmë të pashlyeshme instinkti shtazor dhe mpirje vegjetative gjenden të ngulitura në ndonjë pjesë të trupit të tij. Dhe manifestohen me intervale, rastësisht, gjatë atyre gjendjeve psikike që rrjedhin drejtpërdrejt nga nënvetëdija, siç janë ëndrrat apo gjendjet patologjike. Janë mesazhe të një bote të huaj që dikur ka qenë jona, mesazhe të çuditshme, që na habisin duke mos qenë aktualë dhe të përshtatshëm, por që hedhin dritë në thellësinë e errët ku kanë rrënjët, tendencat dhe afektet themelore.
Po të mendohet tashti se mosha e arsyes është vetëm disa mijëravjeçare, në krahasim me miliona vjet që kur njeriu u shfaq në tokë, nuk është për t’u habitur që arsyeja jonë të influencojë kaq pak te njerëzimi, i sunduar nga vala e pasioneve atavike.
Arsyeja është vetëm lëvozhga, po çfarë thellësie fshihet nën të! Si një bimë ujore, vetëm maja e së cilës lulëzon në sipërfaqe, por që kërcelli i saj laget në thellësi poshtë, gjithnjë e më poshtë, deri te trualli ku shpërndan rrënjët e veta, kështu është edhe për jetën tonë psikike. Mbretëria e nënvetëdijes është e stërmadhe në krahasim me shtresën e ndërgjegjshme dhe e kushtëzon këtë.
***
Nënvetëdija mund të konceptohet sipas një shkalle të dobësimit gradual të lajmërimit shqisor, nga kufijtë e ndërgjegjes te kufiri i pavetëdijes. Nga lart, ajo kufizohet me atë që është forma më e ulët e ndijimit, ndijimi i të prekurit. Një përvojë të kësaj e gjejmë në kontaktin seksual. Këtu, trupi është në kontakt të menjëhershëm me trupin, me trupin si tërësi; është vetëm një përqëndrim i pjesshëm i ndijimit në një pjesë të posaçame të tij, kurse pjesa tjetër është e shpërndarë në të gjithë lëkurën.
Këtu, trupi nuk sheh, nuk dëgjon, vetëm prek. Është jeta e verbër, e shurdhër, memece, që përpiqet të riprodhohet, jeta shtazore më e ulët, karakteristikë e materies organike në fazat e para të evolucionit të vet, që është në kufi me nënvetëdijen e jetës vegjetative. Kalimi, në fakt, nga kjo lloj ndërgjegjeje te mungesa e saj – gjë që ndodh ndonjëherë në kontaktin seksual- është shumë i lehtë.
Mbretëria e nënvetëdijes është karakteristikë e bimës. Instinkti e di atë që bën, madje e di shumë mirë; si mund të vepronte ndryshe ai me kaq përsosmëri?! Po vetë bima, çfarë di? Diçka do të dijë dhe ajo, sigurisht: të ndjekë drejtimin e dritës për hapur gjethet, ashtu si dhe të fusë rrënjët e veta në tokë për të nxjerrë ushqimin. Kështu, ajo e krijon jetën nga lënda organike. Dhe në kohën kur e krijon, duhet të ndiejë edhe ajo diçka, por është një ndjesi e përhapur në të gjithë trupin e saj dhe pa asnjë organ të veçantë ku të përmblidhet dhe të përqendrohet. Bima jeton si në një gjumë të vazhdueshëm, gjatë të cilit nëpërduket ndonjëherë një ëndërr që e shkund nga plogështia. Rrezen e parë të dritës, që vë në lëvizje aktivitetet e saj të fotosintezës, ajo sigurisht që duhet a ndiejë; dhe, a nuk është ndoshta një mënyrë e të ndjerit ajo fëshfërimë e lehtë e gjetheve të saj në përgjigje të puhisë? Edhe ajo i njeh, gjithashtu, në mënyrën e saj, pasionet: kur furtuna përplaset mbi të, ajo i lëviz gjymtyrët e saj. Dhe një ndjenjë jete të brendshme ajo duhet ta ketë, bashkë me reagimin ndaj së jashtmes. Pranvera e zgjon nga gjumi: bulëzimi dhe lulëzimi i degëzave të saj është si një himn gëzimi për jetën. Dikush do të mundë, një artist sigurisht, duke ia vënë veshin rilindjes së saj, të kompozojë një melodi duke dëgjuar tingujt e lehtë që lëshon lëkura e saj kur kriset për të mugulluar. Dhe era delikate, dhe aroma që lëshojnë lulet e frytet e pjekura, a nuk janë, ndoshta, një mënyrë për t’u folur ndijimeve të kafshës dhe të njeriut? Këtë dëshiron bima: përndryshe, përse aq shumë “corrispondenza d’amorosi sensi” (përputhje ndjenjash dashurie, Foscolo)?
Në ëndrrën e vet bima dëshiron zgjimin e ndërgjegjes, ashtu siç dëshiron kafsha inteligjencën, ashtu siç e dëshiron njeriu Zotin. Duke ngulur rrënjët e saj në lëndën bruto, duke ia hapur organet e veta perceptuese ajrit, bima, ky mekanizëm elastik i krijimit jetësor, ia transmeton jetën e vet kafshës dhe njeriut, duke sjellë me vete thelbin e lëndës dhe sekretin e vet të pavetëdijes, që vetëm ajo mund ta ketë në mënyrë të përshtatshme. Kështu, nëpërmjet eksperiencës së bimës, që njeriu e bën të vetën, këtij i jepet mundësia për të prekur kufirin e nënvetëdijes dhe për ta tejkaluar atë.

Filed Under: Editorial, ESSE Tagged With: Arshi Pipa, Mbi nënvetdijen

MËSIMET E GJYQIT MALVY

August 2, 2015 by dgreca

NGA MUSTAFA KRUJA/*
“Dënimi i Malvy-ut âsht’ shuplaka mâ e rânda qi i âsht’ dhânë shpirtit të mirë të partís pararojse pas vrasës se Jaurés-it. Na nuk do të hudhim vaj në zjarm; me gjith’ mënít e mia kundra gjygjtaret, me gjith’ sympathinë qi kam për të denuemin e “Gjykates së Naltë”, nuk do të baj farë gjâje, un’ për vete, për me ndezë idhnimin, atê idhnim qi na ndîejmë kundra gjygjtaret të “Gjykatës së Naltë” e kundra Clemenceau-it auktorit të vërtetë të dënimit : a kemi njêqind mijë herë mâ mëni Gjermanvet, e sod, si më të nesret te vrases së Jaurès-it, na nuk do te kemi tjetër anmik përveçe zaditësit!”.-Gustave Hervé./
Njeriu i arsyeshëm nga çdo ngjasë me rândësí qi sheh e ndëgjon në botë mundohet me tërhekë nji mësim për vete. Shprovimi âsht’ gjithmonë nji kohë e humbun ; por shum’ herë del edhe i dâmshëm e fator (fatal). E bash prandej të mêndshëmit e t’ urtit e motshëm na e kanë lânë me fjalë qi të marrim mësim prej shprovimevet të botës, saku me i bâ shprovimet vetë.
Gjygji i Malvy-ut në Francë, ka njê rândësi të posatshëme. Ay vênd i çudítshëm s’ka prâ kurrë tue i tregue botës, si nëpër shekujt e kaluem ashtu për të gjatë luftës së sodshëme, shêmbllat mâ të shkëlqyëshmit të moralit, t’atdhetarís e të sa e sa vërtyteve të tjera, si edhe ata mâ të vështvishëmit të poshtërsís, të tradhtís e të çdo farë faqesh të zeza qi pak popuj tjerë i njohin në vêndin e tyne. Kush ka këndue me oroe historín frênge e ndjekë me rregull e sy të prehët faktet e armvet të këtyne katër vjetve, do të na japë doemos arsye për sa po flasim.
Në gati të tâna vêndet qi gjinden në luftë gjêjmë shêmblla dënimi për “tradhtí të naltë”. Por “tradhtía e naltë” âsht nji dëftim ligjor qi s’i përgjigjet për herë së vërtetës. Gjermani Liebnecht, shoqalist deri në palsë, me mênd e me shpirt, mblodhi shokët e vet dhe i duel si burrat shesh për shesh nji qeverie qi e gjykonte si njê klikë gjaksorësh të popullit gjerman edhe të gjith’njerzís luftarake. Pra, burri me karakter e me vërtyte kreshnike, nuk u tut aspak me i dalë asaj qeveríe ballë për ballë e me shpatën shoqaliste në dorë. Por sa pare? Sod gjindet në burg, i dënuem me “tradhtí të naltë!”. Njê tjetër shqipe e kombsís italiane, Cesare Battista, deputet i Trentës në Parlamentin austriak, iu rrebelue mbretit të vet, sundimit të tij mbi njê vênd ku gjaku e gjuha ishin italianë, duel nga parlamenti e, me pushkë në dorë, vajti e zûni ledhinat italiane në ballin e luftës ; u zû gjallë dhe ligja austriake bâni detyrën e vet : e dënoi me “tradhti të naltë” dhe e vari!
Casament-i, quejti mâ anmik Britanín e Madhe, qi mban kombin e tij irlandas ka nji shekull nên robní, se Gjermanín me të cilën u lidh kundra asaj. Por posa ra ndër thôjt e ligjës qi e njihte nên urdhën kryengritës të saj e gjeti veten në grykët të mitraljozit!
Oh, ç’lumni e ç’ nderë për ta!
Në Francë, por, në sa dënime qi kanë ngjamë der sod, nuk gjêjmë as nji nga këto tradhtí rrênse qi e bâjnë njeriun me vuejtë e me vdekë në lumni e me nderë. Përkundra, të gjithë ata qi kanë gjetë burgun a varrin pas nji gjygji të rregullshëm, gjer te Malvy-u i mërguem, kanë qênë tradhtorë të vërtetë të kombit e t’ atheut të vet.
Malvy-u për shum’arsye nuk hŷn në radhët t’atyne krijesave të poshtëme. Malvy-u qe, për trí vjet e sa, në kohë lufte, në kryet të mâ të randsíëshmes ministrí, të Ministrís së Punvet të mbrêndshëme, të cilën e ka urdhënue e rregullue pas kriterevet të veta e të partís së tij; e rubas si në Francë partítë kanë pak të vështirë t’a shtypin njêna tjetrën edhe pa faj, por veç t’i gjêjnë ditën, Malvy-u, thonë, sod po merret më qafë vetëm si antar i nji partie politike e cila s’i pëlqen asaj qi ka fuqín në dorë. Ai âsht radikal, domethânë se i afrohet mâ fort se çdo tjetër partí, politikës shoqaliste. Madje nji pjesë e madhe e padisë qi iu bâ ish pse ai qe sjellë tepër i butë me puntorínë, krênët e projtësit e tyne, të cilët formojnë, gati, nji partí me shoqalistët.
Malvy-u, në gjygjin e tij, në Gjykatë të Naltë, pati për vete, jo vetëm tre ish-kryeministra mâ të përmêndëm e sa burra të tjerë të ndëgjuem, por edhe nji tok gjyqtarësh qi formojshin pak mâ mêt se gjymsën e gjykatës. E pra ishte e natyrshme qi nji pjesë e madhe e Francës të ngilte e idhnueme prej dënimit të tij.
Por ç’ka? “Në vênd!… ngulun e sŷt m’anmikun!… bërtet Gustave Hervéi, pioneri i shoqalismës frênge! Nuk âsht sod dita me u hângër vëlla me vëlla! Le të na vrasin, le të na dënojnë, le të na marrin nëpër kâmbë sa të duen e si t’u pëlqejë : shkoftë nâma e mallkimi i atdheut mbi kryet të tyne!”
E nuk mund të flasin e të bâjnë ndryshe njerzit e pjekun atdhetarë të vërtetë.
O!… si na rrënqethet mishi kurë mêndojmë sjellën e disa bashkatdhetarve t’anë qi për me i dalë zot s’díj se kujt, lânë pas kurrizi interesat e të tânë njê kombi, harrojnë atdheun, për të cilin s’kishin për të kursye as jetën e tyne, bërtasin, thërresin, shkunden e përpushen të zêmruem e t’ egërsuem për me i mbushë mênden shekullit se Hasani âsht i drejtë e Huseini i shtrêmbët, Lleshi i zoti e Gjoka pa mênd, Dhimitri atdhetar dhe Mihali tradhtor, plaku âsht Zoti e i riu Djalli!… O, të mjerët na! E pse kështu? A thue pse s’duem Shqipnín? Jo! Se, si thamë mâ nalt, njohim shumë vëllazën të dashun e miq të ndershëm prej ksi fatkëqijsh qi për njê pëllâmbë t’atdheut s’mêndojnë të kursejnë as shpirtin. Po pse pra? Cili âsht shkaku i këtij kobi të madh? Kurrgjâ tjetër përveçse pazotsia me çmue rreziqet e mëdha për atdheun të nji aso farë sjellje. Pazotsia me kuptue se pleqt vdesin, të rijtë plaken e atdheu âsht atdhe e ngel atdhe e qi vetëm e vetëm për atê duhet me e përdorë mênden, shpirtin dhe trupin, gojën dhe pêndën; e jo, kurrë, në nji të këtillë kohe e të këtilla rasa qi na qarkojnë sod, kurrë për me ruejtë e pruejtë njerëz kundra njerëzve!
Jaurès-i ishte “leader” i shoqalistvet të Francës, ndera e gojtarís dhe faqia e bardhë e doktrinës shoqaliste në të tânë botën. Kundrështarët e tij, të politikës së tij, të cilvet u ishin bâ trûtë thjesht tym e barut, i futën nji pushkë, posa kish nisë lufta, se e kujtojshin nji rrezik gjallnín e tij për at rrugë qi dojshin me ndjekë. E ç’bânë atëherë shoqalisma e gjithë puntoria frênge? Detyrën e vet : me dhâmbë të shtrënguet mbyllën gojën, forcuen bashkimin për me shpëtue atdheun prej anmiqvet të përjashtëm.
“Dënimi i Malvyut – thotë Hervéi – âsht shuplaka mâ e rânda, pas vrasës së Jaurès-it, për partín shoqaliste e puntore ; por : shtrëngoni rrjeshtat e sŷt ke anmiku!”.
E na, qi nuk kemi – se s’mund të kemi – partí e doktrina të vërteta, kërkojmë shkak të zîhemi kot njêni me tjetrin, krijojmë partína e krijojmë krênë, u japim këtyne nji rândësí e fuqí hyjnore dhe pastaj u biem në gjûj e u falemi ; bûj e u falemi; bâhemi aqë fanatikë në kët’idhulatrí të re e të çudítshëme, sa deri atdheu na del mêndsh e zêmret. O Zoti i Shqipnís na ço e na ndriço!

*Mak.Gazeta “Kuvendi”, 15 gusht 1918

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 439
  • 440
  • 441
  • 442
  • 443
  • …
  • 607
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT