• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mbi “saktesine” e prof. Bejkos dhe te tjereve

March 10, 2017 by dgreca

1 poetet e pushkatur

Ne Foto:Poetet e pushkatuar Vilson Blloshmi e Genc Leka/

NGA RAMIZ GJINI/Nju Jork/

Na mbyti kjo “saktesia” me te cilen thuhen te pavertetat, perqeshen reagimet, intrigohen zhvillimet; “saktesia”, qe del nga mendjet e aberruara, te shitura e te perbaltura; “saktesia” qe buron nga profesori, kryetari, deputeti, shefi, poeti, bosi, eksperti, djalli e laneti, por kurre nga NJERIU. Na mbyti “saktesia” me te cilen thuret e shthuret gjithe jeta shqiptare, as mish, as peshk.

Foli edhe profesori Sadik Bejko, i cili ka shkruar dhe botuar edhe nje liber per poetet martire, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka te pushkatuar gjate regjimit komunist. Edhe prof. Bejko na del i “sakte” ne te gjitha ato qe ka shkruar e qe vazhdon te shkruaje. Eshte “saktesia” e tij personale, nje “saktesi” e latuar prej profesori dhe poeti, pra, latim prej ustai. Me duhet te perseris, o profesor Bejko, nje reagim timin ne lidhje me kete “saktesine” tende ne reagim, por edhe te gjithe atyre qe mendojne “sakte” si ju; “Saktesine” e Dianes ne ekspertizen e saj, “saktesine” e prokuroreve dhe gjykatesve si dhe “saktesine” e krejt atij sistemi monster, ku nen hijen e tij u prishen pothuajse te gjithe, dhe bashke me te gjithe, keq me vjen ta them, por jeni deri diku edhe Ju, e pse jo, ndoshta edhe Une. Pra edhe Diana na del shume e “sakte” ne ato qe ka shkruar. Madje edhe prokurori edhe gjykatesit, kane qene shume te “sakte” ne perpilimin e shkresave te tyre per t’i cuar drejte vdekjes dy djem nenash ne lule te moshes. Prandaj fli rehat ne ate krah, profesor. Kane vepruar te gjithe sinkron, ne menyre te perpikte. Dhe po ta rropasim mendimin tuaj ne kontekstin e kohes, na del qe edhe Vilsoni dhe Genci, ishin shume te sakte si “armiq te pushtetit popullor”. Tani, nje pyetje, ju lutem: a ishte ai regjim, nje regjim i pushtetit popullor? Nese po, i bie qe ata t’i kishte vrare vete populli. Pra, kjo eshte ajo “saktesia” qe na paraqisni ju e shume te tjere ne kete histori krimi. “Saktesia” me te cilen shkruani nje liber mbi keta martire dhe perpiqeni ta beni te pranueshem, pa prekur asnje emer konkret te zhytur koke e kembe ne kete krim; sepse helbete, kohet kane ndryshuar, pore disa nga ata kriminele, vazhdojme t’i kemi neper kembe. Madje edhe tani pas kaq shume vitesh, duan serish t’i kemi frike. Sepse frika profesor, eshte instikt, ajo zgjohet e kthehet tek une e ti ne cdo rrethane. Lum si ai qe ka kurajon ta vrase ate. Ta vrase pavaresishte nga cdo cmim. Ju perpiqeni te vini ne dyshim dhe te perbaltni aktin njerezor dhe kurajon qytetare te poetit, Agron Tufa, te cilit, vertet mund t’i keni dhene mesim, por qe une, personalisht, nuk mendoj te kete nxene shume prej jush per tu quajt nxenesi juaj. Agron Tufa ka dite te zgjedhe ku me marre, pa llogaritur ate qe ia ka dhene me shumice vete Zoti: talentin. Perse nuk merreni me problemin (me shume moral se sa ligjor), qe shtron poeti Tufa, por merreni me tarafet, qe lidhen me projekte e sterprojekte – salsice qe pushteti u a var per qafe servileve dhe komformisteve?

Perqasja juaj, sipas se ciles shkrimtarja Culi nuk ka vrare njeriun, por poezine e tij, dhe se nuk e ka dite se po i nxjerr ne prite dy djelmoshat, ben qe te na e rreshtoni edhe ate ne krah te viktimave. Medemek, Diana Culi u nis per mire, por e mori me qafe edhe ate regjimi, sepse nuk ishte ne dieni cfare i priste djemte e nenave. Dhe cila? Nje shkrimtare e formuar dhe gjithashtu shume e informuar. Tani, a mundej qe shkrimtarja, intelektualja dhe qytetarja Diana Culi, te bente nje shkrim – analize letrare,(jo dhe aq te sakte) me qellimin e mire per t’i shpetuar nga burgu dhe pushkatimi? Pra, po e theksoj, nje shkrim analize dhe jo ekspertize, ne te cilen mblidhen provat e nje krimi, e ku vete ajo qe thirrur si eksperte. Une mendoj se mund ta bente, por nuk deshi ta bente. Perse nuk deshi ta bente? Sepse si bije e nje punonjesi te larte te sigurimit te shtetit, ishte edhe ajo nje ingranazh i makines kriminale, qe bluante jete njerezish te pafajshem. Dhe e fundit, qe ju sugjeroj, profesor, eshte: kur te pini kafen e radhes me Diana Culin, i thuaj qe Shqiperia ka sot njerez, te cilet mendojne qe ajo ka bere nje krim, prej te cilit, nuk mendoj se ka gjasa te shkoje ne burg, por e sigurte eshte, qe nuk do te mund ta pastroje kurre shpirtin. Dhe kjo eshte shume e sakte profesor Bejko.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Diana Culi, Ramiz gjini, Sadik Bejko

Dritëhijet e Njeriut

September 18, 2015 by dgreca

(Shënime për librin me tregime “Rrëfime në hije” të Ramiz Gjinit)/

Nga Agim Baçi/

Një lëvizje dore, aq sa për të pulitur sytë. Por më pas, e gjithë qenia jote, mjafton të rrotullohet rreth atij çasti. Të tilla vijnë tregimet e Ramiz Gjinit, si një shigjetë, drejt e te Njeriu, i cili më pas duhet t’i bëjë vend brenda vetes gjithë atyre çasteve që e kërkojnë atë kudoqoftë ai. Gjini ka ndezur “kandilin letrar”, duke sjellë disa tregime që të mbajnë gjatë në melodinë e tyre, sepse e gjithë muzika kërkon shpirtin njerëzor, kërkon atë çfarë na shkakton lëvizjet tona të brendshme për të njohur vetveten, që na tërheq e na ndal përballë vetes dhe përballë tjetrit.“Ne kishim të gjithë një kokë së bashku dhe e donim njëri-tjetrin ashtu siç e donte secili veten. Mendimet na puqeshin mrekullisht dhe flisnim të njëjtat gjëra njëherësh. Madje, ne shikonim të njëjtat ëndrra, dhe, kur ndodhte që i rrëfenim mëngjeseve, korrigjonim njëri-tjetrin për detaje të vogla që na shpëtonin pa i kallzuar. Ne i tregonim ato edhe pse e dinim, që të gjithë bashkë kishim parë të njëjtën ëndërr. E bënim këtë, thjeshtë, sepse ashtu na pëlqente. (Shkëputur nga tregimi “Isaku, vëllaçkoja ynë i vogël”, përmbledhja “Rrëfime në hije”, f. 9)

Stuhia dhe fëshfëritja qëndrojnë bashkë, në një frymë, duke ardhur përmes një stili elegant, ku asgjë nuk qëndron tepër, e ku duket se fundi e fillimi janë thjesht për të ndalur takimin me tregimin e radhës, por jo për meditimin që ai nis të krijojë në kokën tonë. Ka humor e ironi, por në asnjë çast dorëzim për jetën. Kur Lef Kuka, personazhi i tregimit “Frika”, nis e kupton se mospërballja në çastin e duhur kish shënuar vdekjen e tij më parë se të mbyllë sytë, është vonë. E për çfarë na duhet guximi nëse nuk mundëm ta përdornim atëherë kur ajo na u kërkua? Veçse të mbyllim sytë e të pranojmë që ajo, vdekja tjetër, e trupit, të vijë sa më parë, ashtu siç lutet personazhi i tij që pas mosguximit pa se kishte ikur nga kjo botë. Pas tij, personazhe të tjerë vijnë e trokasin në imagjinatë, për të ndërtuar njeriun, atë që s’ka rëndësi se ku jeton – në Tiranë, Nju Jork, Nju Dehli, Toldeo, apo në një fshat të Dibrës ku Elbaroza (personazh i tregimit “Dërgesa e Zotit”) mbetet hija e asaj apo atij që kemi dashur të qëndrojë krah nesh pafundësisht.

Mes së pamundurës për të ikur për më tej dhe së shkuarës mbeten gjithnjë labirinthe që kërkojnë përgjigje. Luis Medina, një personazh i përsëritur, është ai që kërkon ta ndalë kohën përmes dashurisë. E di që ajo është e vetmja kohë që mundet të mbetet ashtu siç e kemi dashur dhe e vetmja që na pranon ndonjëherë siç jemi kur trokasim në derën e saj.

“Tashmë që gjallnimi më ka lënë dhe drita e jetës ka ngelur si ajo xixa që sapo ka filluar t’i dalë fjolla e hollë e tymit, kam nisur t’i mas gjërat me një logjikë universale; ngase vdekja nuk më erdhi në kohën e duhur, ia kam kthyer asaj shpinën me zemërim e shpërfillje të plotë. Me aq frymë sa më ka mbetur, kam nisur çapitjen rrugës nga kam ardhur duke shkelur nëpër kohë gjurmëve që kam lënë”. (Shkëputur nga tregimi “Posta që sjell era”, përmbledhja “Rrëfime në hije”, f.20)

Loja me vdekjen, kujtesën, dashurinë, frikën, vijnë përmes një loje që të sjell ndërmend tregimtarët e ashtit, ata që kanë ditur edhe ta lexojnë por edhe ta porosisin “rrugën e njeriut”. Një vetëironi me një finesë Gjini e ndërton me shkrimtarin, në tregimin “Kur heronjtë flenë”, duke sjellë përballjen me botën “përmes shkopit kokës” – një metaforë e gjithë realitetit, të cilit duhet t’ia gjejmë anën që e rrok njerëzoren, atë që duhet të themi me zë të lartë për të tjerët e që ta mbajmë mend për veten.

“Ana Luigji”, personazh i tregimit me të njëjtin titull, sjell fytyrën që lë frika ndaj asaj që kemi paragjykuar, që ka lënë shenjën e së keqes e që na merr frymën edhe kur kërkojnë të na thonë se “ishte thjesht shaka”. Ndërkohë që dashuria vjen e “nxjerr të shkuarën e paharruar”, si një mace e zezë,  te tregimi “Gruaja e huaj”. Më pas “Ara e pakorrur”, “Shpirti i shtëpisë së vjetër”, “Lule në varrezë”, “Plagë lulezonje” vijnë e plotësojnë atë grafikë të rëndësishme mes botëve, duke e kërkuar atë që na duhet, që nuk fshihet as pas qepallës së mbyllur e as pas kohës së grisur në kalendarët e varur në mure.

Këto e një galeri personazhesh e skenash që të mbeten në mendje, për stilin dhe finesën, e sjellin Gjinin përmes 19 tregimeve me një forcë të jashtëzakonshme në mrekullinë e prozës së shkurtër. Aspak për të mbetur “rrëfime në hije”.

 

Filed Under: ESSE, LETERSI Tagged With: Agim Baçi, Dritehijet e njeriut, Ramiz gjini

VDEKJA E SHKRIMTARIT

July 16, 2013 by dgreca

Nga Ramiz GJINI*/

Papritur e pakujtuar, u hap dera dhe në apartamentin e shkrimtarit Nurçe, hyri pa ftuar një burrë i panjohur, të cilit, qe vështirë t’ia përcaktoje moshën. Kishte veshur një bluzë të palarë hidrauliku, në ngjyrë blu të errët, në të cilën mungonin dy kopsa. Në vendet ku më parë kishin qenë kopsat, vareshin penj të zinj. Në kokë, ai mbante një kapele të shtrembër, me strehëzën e pisët ngase e kishte kapur shpesh me dorë gjatë punës. Në ballë të kapeles qe shkruar: Xhenazehania Azraili me të bijtë. Në njërën dorë, ai kishte një kuti metalike të mbyllur si ato që mbajnë ngaherë hidraulikët. Kurse nën sqetull, shtrëngonte një regjistër tre herë më të madh se regjistri i nëpunësit të zyrës së gjendjes civile, Mazllum Qederi. Ky regjistër qe tërë zhul, mu si ato fletoret ku mbajnë shënime teneqepunuesit. Nisur nga shtresat e zhulit që gjendeshin në kapakun e këtij regjistri, mund të nxirrje konkluzionin, që kishte mijëra vjet i përdorur.

Ky burrë i panjohur, që mbiu papritur në shtëpinë e shkrimtarit Nurçe, qe ëngjëlli Azrail, për të cilin ish-sekretari i partisë së brigadës së madhe të plehut, hoxhë Rrahimi, u thoshte besimtarëve se kishte fituar para Zotit tenderin për t’u marrë shpirtin të gjallëve të kësaj bote. Sipas hoxhës, Azraili vinte në këtë botë me anije kozmike, të cilën e parkonte në ndonjë taracë pallati ku, siç shprehej ai, “kishte shumë të paanëtarësuar në fe”. Dhe me të vërtetë, vetëm pesë minuta para se Azraili të hynte brenda, qe dëgjuar të vinte nga lart një zhurmim i lehtë disku në rrotullim.

Engjëlli Azrail eci drejt Nurçes, ndaloi para tij, hapi regjistrin e thirri:

– Nuri Tarrota!

– Këtu! – u prezantua Nurçja.

Deshi të ngrihej në këmbë, siç pati bërë kur ishte nxënës shkolle dhe ish-mësuesi kujdestar, Alem Dermeku lexonte emrat në regjistër për të marrë mungesat, por u habit kur kuptoi që nuk mundi të lëvizte fare nga vendi.

Qetë-qetë, mu si një usta i përngeshëm, ëngjëlli Azrail u ul në gjunjë, i buzëqeshi njëherë, pastaj vështroi orën e markës “Rroskop”, që mbante në dorë dhe mërmëriti nëpër dhëmbë i alarmuar: “O-bo-booo, qenkam vonë”.

Hapi kutinë metalike dhe me shumë nxitim, ai nxori prej aty një shufër të gjatë teli të ndryshkur, me majën e përdredhur si një turjelë. Këtë tel, ai ia futi Nurçes në vrimën e majtë të hundës, e shtyu ngadalë brenda dhe pyeti:

– A po të dhemb ndopak, o bablok?

– Jo, more xhani im, – tha Nurçja. – Nuk më dhemb, hiç.

Engjëlli Azrail i tha të hapte gojën dhe ai e hapi sa një çorap. Duke ia ndriçuar me një elektrik dore, Azraili u përpoq të shikonte thellë gurmazit, gjithnjë me njërën dorë tek hunda, për t’u mbrojtur nga era e rëndë e gojës së Nurçes.

Nurçja e kuptoi, ndaj zuri të ankohej e të thoshte se i kishte dhëmballët e kalbura dhe se dentisti Gjelosh Brryli, i kishte kërkuar shumë para për t’i mbushur.

– Tani edhe dentistët, na u bënë dallgaukë të mëdhenj, – tha duke u ankuar ai. Dhe shtoi, që një ditë, kishte vajtur tek dentisti Gjelosh Brryli për të shkulur një dhëmballë të prishur, por Gjeloshi, në vend që t’i shkulte të prishurën, i kishte shkulur një të shëndoshë. E kishte bërë këtë thjeshtë, që Nurçja të shkonte sërish e të paguante përsëdyti.

Engjëlli Azrail, u duk sikur nuk e dëgjoi fare çfarë tha Nurçja. Ai e futi telin akoma më thellë e sërish pyeti:

– Po tani, të dhemb?

– Hiç fare, – tha Nurçja. – Vetëm se, po më vjen një si… teshtimë.

– Nxirri teshtimat, – tha engjëlli Azrail.

Ngadalë e me kujdes, engjëlli e nxori telin nga hunda e Nurçes, e ndërsa priste, u kujtua dhe i hodhi sërish një sy orës së markës “Rroskop”.

– Ap-çhu, ap-çhu, ap-çhu, – teshtiu tre herë radhazi Nurçja.

– Shëndet, bablok! – tha engjëlli Azrail teksa i zgjaste një pecetë që të fshinte hundët.

Shkrimtari Nurçe e falënderoi, fshiu hundët me pecetë, u rehatua në karrige e tha:

– Tani ndjehem më mirë, o shoku Azrail, më i çliruar.

– Ja, edhe pak dhe mbaruam, – tha me dashamirësi engjëlli Azrail. Ia futi sërish telin në vrimë të hundës dhe nisi ta përdridhte me shumë kujdes.

Si e përdrodhi, ai e tërhoqi ngadalë dhe nxori jashtë një si lëmsh të vogël drite: shpirtin e shkrimtarit Nurçe.

– Me shëndet, – tha engjëlli Azrail.

Nurçja nuk pati kohë ta falënderonte, sepse u rrëzua nga karrigia e u plandos me fytyrë për dyshemeje, i neveritur nga kjo botë dhe me një shprehje habije në fytyrë.

Ato çaste, koha qe kthyer shumë vite prapa. Çuditërisht, Nurçja e gjeti veten në një nga dhomat e shtëpisë së tij të vjetër në fshatin e lindjes. Jashtë frynte një erë e marrë, që vinte e futej plasave e vrimave me një vajtim trishtues. Qelqet e dritareve dridheshin e kërkëllinin; kurse ca hejdhëza bloze të tharë, zbrisnin nga oxhaku e futeshin në dhomë si frulliza e një bore të zezë.

Nurçja i vogël qëndronte para së ëmës në këmbët e tij të njoma, njësoj siç pati qëndruar para shtatëdhjetë vjetësh, me atë ngurrimin e pafajshëm, që kanë të vegjëlit për të hedhur hapin e parë në jetë. Ai dëgjoi t’i vinte në vesh hingëllima vajtuese e kalit, që shpesh i ati e harronte me ditë të tëra lidhur në djerrinën e Gjon Kukës.

E ëma, kishte veshur të njëjtin fustan basme në ngjyrë të zezë e me pikëla të bardha, të cilin Nurçja ia pati zhubrosur me duart e tij të vogla gjatë përpjekjeve për t’u ngritur në këmbë. Gjatë gjithë jetës në çaste vetmie dhe mërzie të thellë, imazhi i atij fustani dhe jehonat e hingëllimave vajtuese të kalit, ia patën shkundur kujtesën për t’i zgjuar një mall të trishtë e përvëlues fëmijërie, një mall që i diktonte të merrte nxitimthi rrugën për në fshat, te plangu atënor ku preheshin në varr prindërit e tij.

Teksa e vështronte me sytë e mbushur plot dashuri, e ëma i zgjati duart dhe me një zë të butë, të ngrohtë e përkëdhelës, e ftoi:

– Hajde xhan i nënës, hidhe hapin.

– Ma-ma, – belbëzoi ai.

Zëri i tij u përzie me hingëllimat vajtuese të kalit, si dhe me zhaurimën e mistershme të një bote tjetër të panjohur, që e priste jashtë.

Vetëm një çast iu desh të kuptonte që jeta e tij, – që tashmë para saj, kishte rënë e qe mbyllur përgjithmonë një qepen i rëndë, – kishte qenë e shkurtër vetëm dy hapa, aq sa i duhet një fëmije njëvjeçar për t’u hedhur në krahët e nënës. Dhe se për shtatëdhjetë vite rresht, ai qe rritur vetëm sa për shtatë ditë.

Engjëlli Azrail, mërmëriti përtueshëm një si “ja edhe kjo punë mbaroi, o bablok” dhe teksa fuste ngadalë shpirtin e Nurçes në një shishe nga ato që ndihmësinfermieret u japin pacientëve për t’i mbushur me shurrë, nisi të këndonte me hundë:

Hë – hë – hë – hë.

Hë- hëëë…

Hë – hë – hë – hë.

Hë – hëëë…

Ishte e njëjta këngë, që këndonte rëndom shejtani Braçka.

– Kurrë nuk ma kishte marrë mendja, që ti, o ëngjëlli Azrail, do ta kishe dorën kaq të lehtë, – mërmëriti i kënaqur shpirti i Nurçes.

Por engjëlli i veshur me bluzë hidrauliku, ngase e kishte taposur shishen dhe për më tepër, po këndonte me hundë as që e dëgjoi atë zë.

Në letrën, që ishte ngjitur në shishe, ai shkruajti: Nuri Tarrota. Pastaj hapi regjistrin e të gjallëve, që të fshinte emrin e të ndjerit. Mirëpo stepi kur pa që krejt padashje kishte bërë një gabim, të cilin nuk kishte si e korrigjonte: pati ngatërruar adresën dhe personin, të cilit duhej t’i merrte shpirtin. Në vend që të merrte shpirtin e Zav Tarrotës, kishte marrë atë të Nuri Tarrotës. Megjithatë, si u mendua një çast ndoshta për të qenë në rregull para Zotit, ai ia hoqi shishes etiketën ku pati shkruar emrin “Nuri Tarrota” dhe i ngjiti një tjetër letër, në të cilën shkruajti: “Zav Tarrota”.

Në fakt, për të dërguarin e Zotit kjo ndodhi aksidentale, nuk ishte ndonjë hata e madhe, sepse konsiderohej nder t’i merrje shpirtin një të gjalli dhe t’ia dërgoje atë në qiell. Kështu, Azraili, si pa edhe njëherë orën e markës “Rroskop”, që mbante në dorë, e ndërpreu këngën hundore, mërmëriti i alarmuar “Bo-booo, në këtë orë duhej të isha në Dodonë”, mori ç’kishte dhe doli jashtë.

Iku nxitimthi, pa ndonjë brerje të madhe ndërgjegjje dhe pa u vënë re nga e shoqja e tij, Lemja që ato çaste kishte kthyer shpinën dhe vazhdonte të hante copën e dytë të kungullit.

Teksa ngjiste shkallët, që të shpinin në taracën ku kishte parkuar anijen e tij kozmike, engjëllit Azrail i doli përpara shejtani Iblis…

Nuk dihet, nga frika apo respekti, engjëlli Azrail, i bëri shejtanit Iblis një kompliment për brirët. I tha që i kishte të bukur, të mprehtë në majë dhe se i jepnin një pamje krenare, që e bënin të dukej si ndonjë shef policie rajoni.

– Si po të shkon puna? – pyeti shejtani Iblis, ndërsa nuk ia shqiste vështrimin kutisë metalike, që ëngjëlli Azrail mbante në dorë.

– Ja, ashtu, si e di vetë, – tha ëngjëlli. – Ngela varra-vinga lart e poshtë, po dërrmohem me këtë punë të mërzitshme e pa ndonjë interes.

– Përse pa interes?

– Sepse pazari i shitjes së shpirtërave ka rënë shumë.

– Sa shpirtëra ke vjelë sot në Biboll?

– Numrin ekzakt s’e mbaj mend, por duhet të jenë me qindra.

– Të gjallë, apo të vdekur?

– Edhe të gjallë, edhe të vdekur.

– A bëjmë një pazar bashkë? – pyeti shejtani Iblis.

– Urdhëro e fol, – tha engjëlli Azrail.

– M’i shit mua ca shpirtëra të gjallë.

– Për çfarë i do?

– Po ja… Ti e di… Më pëlqen të engledisëm me ta. T’i tall e t’i përqesh, t’i zhyti në tortura, thjeshtë, t’i mundoj.

Engjëlli Azrail, deshi të dinte sa paguante shejtani Iblis për një shpirt.

– Pesë lekë për secilin, – u përgjigj tjetri duke rrotulluar ato sytë e tij të kuq si gjaku. – Këta të Bibollit nuk vlejnë më shumë.

Engjëllit Azrail, nuk i pëlqeu pazari. U shtyp e u përtyp njëherë nën vete, pastaj tha:

– Për pesë lekë shpirtin, nuk kam interes t’i shes; sepse, që ta dish ti, o byrazer, ata shejtanët e politikës, më paguajnë më tepër. Madje, nëse i shes gjatë fushatës së zgjedhjeve elektorale, m’i blejnë edhe për dhjetë lekë copën.

– Nuk kanë faj ata, – tha shejtani Iblis. – Kam faj unë, që u mësova zanatin. Megjithatë, ja, po e ngre një çikëz ofertën. Po ta paguaj me shtatë lekë shpirtin, veçse me kusht që të më lësh t’i zgjedh vetë.

– Jam dakort t’i zgjedhësh vetë, por më jep nëntë lek për shpirt, – tha engjëlli Azrail. – Me shtatë s’t’i lë dot…

– Le të merremi vesh, – nisi të fliste shejtani Iblis, tashmë me një zë të ëmbël e gjithë familjaritet. – Kuptohet, që është malli yt dhe s’ta merr kush me zor, por të mos prishemi në pazar për hiç gjë. Unë po e ngre edhe pak pazarin, por edhe ti të ulesh një çikëz. A e lëmë për tetë lek shpirtin?

– Për një lekë, o shejtani Iblis? Për një lekë…?

– Një lekë-një lekë… Aq sa u ngrita unë, ulu edhe ti…

– Sa shpirtëra do të blesh? Sepse po bleve pak, nuk kam interes…

– Me tetë, t’i blej nja dhjetë, – tha i vendosur shejtani Iblis.

– Bli njëzetë dhe t’i kam dhënë, – ia pat ëngjëlli Azrail.

– Ja, po marr pesëmbëdhjetë.

– I gëzofsh, – tha Azraili. Dhe i vuri përpara kutinë metalike, të mbushur plot me shpirtëra.

Shejtani Iblis filloi të zgjidhte shpirtërat që deshte, duke i marrë e futur një nga një në torbën e tij. Kjo torbë ngjante me ato, që druvarët u varin kuajve në qafë kur u japin tagjinë.

Engjëlli Azrail vuri re që shejtani Iblis ishte mjeshtër për të zgjedhur.

Të parin ai zgjodhi shpirtin e një burri qimekuq të quajtur Hashim, që jetonte duke dhënë lekë me kamatë e që pas dy vjetësh do të vriste babain e vet për t’i marrë shpejt pasurinë. Pas tij, ai zgjodhi dy shpirtëra doganjerësh spordhjakë, që ishin bërë milionerë e që sapo kishte filluar t’i brente në stomak kanceri. Pastaj zgjodhi dy shpirtëra hoxhallarësh të pashkolluar, që gënjenin miletin. Njëri, qe shpirti i një hoxhe nga Dodona, që largonte xhinde, shëronte të sëmurë dhe shkruante nuska për t’u dalë fati lëneshave. Kurse tjetri, qe shpirti i të bekuarit hoxhë Rrahimi, ish-sekretarë i partisë në brigadën e madhe të plehut.

– Këtë shpirt do ta dekompozoj për së gjalli, do ta bëj torfë kënete, – tha shejtani Iblis teksa po e fuste brenda në torbë.

Ai mori gjithashtu, edhe shpirtin e një gruaje të plakur, që në të ri të saj e kishte pas ndarë i shoqi për shkak të fushatave të kurvërimit e që tani në pleqëri i hante për dashnor të ri.

– Në vrimën e zezë mes shalëve të kësaj rruspive plakë, – tha i kënaqur shejtani Iblis, – kam ndërmend të kultivoj gjarpërinj, zhapinj dhe salamandra.

Nëntë shpirtërat e tjerë qenë nga soj i politikanëve, që flisnin në emër të popullit ndërsa ushqeheshin e vinin pasuri të madhe me gjakun e tij.

– Këta mendjemëdhenjë, që hiqen si mbretër e që kurrë nuk e bëjnë një të mirë, – tha shejtani Iblis teksa i fuste një nga një në torbën e tij, – do t’i zhys me kokë poshtë në një brrakë gjaku e do t’i bëj të shqyejnë me dhëmbë njëri-tjetrin.

Engjëlli Azrail, po përpiqej t’i mbushte mendjen shejtanit Iblis, që të blinte me të njëjtin çmim edhe ndonjë shpirt tjetër. Atëherë, shejtani Iblis deshi që ëngjëlli Azrail t’i krijonte mundësinë që të blinte shpirtin e autorit të këtyre radhëve, por ëngjëlli Azrail i tha:

– Vetëm atë shpirt mos ma kërko, sepse nuk mund ta shes kurrën e kurrës. E shikon se si, teksa shkruan, digjet me flakë të zjarrta si ari, pa kurrfarë tymi? Kam urdhër prej vetë Zotit, që kur ta marr, ta dërgoj se s’bën drejt e në parajsë.

– Po unë të paguaj dyfish, – këmbënguli shejtani.

– Nuk bëhet kjo që thua ti dhe mos e diskuto, – tha i vendosur engjëlli Azrail.

– Katërfish.

– Të thashë jo dhe jo.

– Njëqindfish.

– Ore, t’i qenke shumë i trashë, nuk merrke vesh fare! – u habit e u inatos njëherësh engjëlli Azrail. – Ky shpirt nuk mund të shitet e blihet sepse nuk ka çmim. Pastaj, si mund të dal unë kundër urdhërit të Zotit?!

Ato çaste, që nga apartamenti i shkrimtarit Nurçe, u dëgjua një kujë grash. Pastaj një zë burri pyeti: “Ç’është ky tel i përdredhur e me grremç në majë pranë kufomës? Mos ndoshta këtu ka ndodhur një krim”?

Engjëlli Azrail, hodhi vështrimin brenda kutisë dhe kuptoi, që kishte pas harruar ta merrte telin me majë të përdredhur, me të cilin i nxorri nga hundët shpirtin Nurçes.

E mbylli kutinë dhe u nis të merrte telin.

– Kthehem shpejt, – i tha ai shejtanit Iblis teksa zbriste nxitimthi shkallët.

Shejtani Iblis përfitoi nga rasti; hapi shpejt kutinë, mori aty shpirtin e Nurçes, e futi në torbën e tij dhe ia mbathi me të katra.

Kur engjëlli Azrail u kthye, dëgjoi t’i vinte nga larg një e qarë fëmije, kurse shejtani Iblis nuk ndodhej aty.

Vetëm kur po fuste telin brenda kutisë, ai vuri re që shpirti i Nurçes mungonte.

– A ia q… nënën, – shau ndyrë engjëlli Azrail. – Ma vodhi katili një shpirt!

Dhe iku duke folur me vete gjithë inat.( Fragment nga romani i  Ramiz Gjinit “Bibollasit”, fitues i cmimit “Pena e Arte )

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bibollasit, fragment, Ramiz gjini

Artikujt e fundit

  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”
  • VATRA PROMOVOI “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999”
  • VATRA MORI PJESË NË PROMOVIMIN “ALBUM” TË NOLIT DHE NDEROI AT ARTHUR LIOLIN
  • VATRA VIZITË NDERIMI TE VARRI I NOLIT DHE MEMORIALI I KONICËS
  • VATRA BOSTON RIORGANIZOHET
  • Kristian Prenga, një fitore spektakolare në New York
  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT