• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Makondon e Myzeqesë

July 23, 2015 by dgreca

(Prindërve të Maria Shollës)/
Nga Ilir Levonja/
Drama, fatkeqësia juaj ka filluar sot, e do të vijojë në ditët në vazhdim, të zbulohet pak e nga pak. Me kërshërinë e syve të shtypit. Ndofta dhe shumë e shumë njerëz, bëjnë pyetjen si është e mundur? Kaq të varfër vërtetë? Kaq të mjeruar? Kaq injorantë? Kaq të pazotë? Sa lënë fëmijët nëpër kisha dhe ikin më këmbë për ditë e ditë me radhë? Kaq blozë fare paskan qënë, sa as pesë lekë për pasaportat nuk kishin? Vërtetë deri këtu janë katandisur shqiptarët? Vërtetë punoje tokat e fshatit me pesëmijë lekë dita? Pastaj me atë ndjesinë e kopetentit për gjithçka. Do thonë, o po pse pjellin? Kur nuk i ushqejnë dot? Po, pjellin…, jo lindin. Ne vdesim për ta denigruar tjetrin. Dhe kënaqësinë më të madhe e kemi kur e krahasojmë me kafshën. Ndjejmë kënaqësi kafshërore. Fërkojmë barkun.
Dhe ju që rrëfeheni. Kujtoni se po prekni teletat e kështjellës shtetërore. Kështjellës shoqërore. Dhimbjen e nënave të tjera që shqyhen protestave të partive. Dhimbjen e burrave që vriten në emër të iks lideri. Duke sheshuar githçka në synim politik, të krahut. Të partisë etj. Të interesit të oborrit personal. Me strategjinë e kafshës kur kufizon territorin që preferon të dominojë.
Ju rrëfeni. Jepni intervista. Dhe të gjitha nënat të kuptuan ty. Që e le vetëm gocën tënde atje në lumë. Dhe tani na qan. E ndjenë dhimbjen tënde. Janë veshur me të zeza. Burrat, po pinë cigare. Po diskutojnë. Ky është shtet muti. Këta burra që të vrasin për partinë. Të tjerë që kanë ca lekë a valutë të palosur në xhep. Thonë, prapë avazin e mendjeplotit, po dhe ata paskan qënë rreckë fare… punonin për pesë mijë lekë. Dhe në vesh, u pyesin. A keni nevojë për ndonjë lek? Se keni hall? Jo për gjë. Vulëhumburit ju. A nuk e kuptoni. Më shumë fiton duke u marrë me llafe se sa duke punuar. Qoftë edhe me një, dy apo pesëmijë lekë.
Ju jepni intervista. Në këtë stinë temperaturash të larta. Lotët tuaj apo mizerja juaj është habi. A e di përse. Pasi në këto njëzetë e pesë vite, Shqipëria është ngucur drejt qëndrave. Dhe nuk e di më. Ose nuk beson se akoma ekzistojnë provincat. Se ekzistojnë Makondot e realizmit magjik. Çfarë është Makondo? Një fshat, ku një i ”mënçur” u shiste të gjore akull për diamant.
Jo, shqiptarët nuk besojnë se ekzistojnë provincat. Megjithëse, atyre fshatrave, blejnë mish të gjallë për Italinë dhe dritat e kuqe të Greqisë. Ato provinca ku mund të mbjellësh hashash, kanabis sativa, kërp etj. Ku mund të ulësh për qejfin tënd, fluturak vocërrak.
Nga ana tjetër, këto Makondo mbajnë si pika e ujit të pakët, ndonjë gjeneral të liruar. I cili, në këto Makondot tona, u shet sapunin për djath, ju mjeranëve. Një shitës me listë. Me shiritin ceremonial të shtetit. Kuq e zi. Ju vë në radhë. Ju jep thërrimet. U kon me kafshata. Dhe u cakton edhe pesëmijëlekshat për punë me bel arash. Sot, në kohën e bujqësisë me tezga dheu. Me kate. Me skela. Me pemë hekuri dekorative, ku nëpër degë varen kovat me material shkume deti, plot perime. Ju punoni arat me bel. Sot kur mekanizimi i bujqësisë ka arritur pikun e zhvillimit.
Të mirë prindër. Ju jeni zogj që keni dhe jetoni në një kafaz. U mbushet mendja të fluturoni, por hekurat u thyejnë krahët. Emri i Grevenesë, vendi, ai lumi. Madje edhe kënga qeraxhiu i Grevenesë, u tundojnë shpirtrat. Do u tundojnë tërë jetën. Maria është një humbje e pazevendësueshme. Shpirtrat fisnik dhe të gëzuar ikin. Ajo ishte e tillë. Këtë e dëshmon detaji i ditarit. A e dini, të mbash ditar është prova e sinqeritetit. Eshtë libri më i vështirë për t’u shkruar. Maria e bëri. Ndaj është humbje e madhe. Ne kemi vetëm fillimin e tij. Por sa të tilla në këtë tranzicion shekullor shqiptar. Sa shumë kanë vdekur andej, maleve dhe lumenjëve të Greqisë. Sa shumë janë shfytyruar dhe sa shumë janë dhunuar. Sa shumë zogj, nga një atdhe kafaz? Kjo është një histori më vete. Që për fatin tonë të mbrapsht, do harrohet shumë shpejt. Eshtë harruar.
Eshtë vdekje ta thuash, por ka qytetarë që nderojnë ”heronjtë” e partive, ndërsa harrojnë humbjet shpirtit të tyre, fëmijën, djalin, vajzën etj…, maleve me borë. Për pak para, për pak jetë më të mirë. Përpos zhbërjes shpirtërore, ndjehuni gjysmë triumfatorë për shkak të përpjekjes për një jetë larg asaj shqiptares. Ku anëtarësimi në parti, të bën me një thes mielli më shumë. Me një vend pune të pasiguruar. Me një armik shoqëror…, duke filluar nga motra apo vëllai, fqinji etj. Ku të bën pronar tokash të lëna me qera. Qytetarë burrash shteti që shahen nga nënat. Që u përdorin ju si model të injorancës kur duan të fyejnë njëri-tjetrin. Por kjo nuk është ajo që na duhet sot. Të kërkosh të ikësh sot, në një vend të pashpresë. Eshtë shpresë. Mos urreni Greqinë, mos urreni lumenjtë, Grevenanë etj. Ua dha këtë short të keq. Vendi amë, i lumtur me arritjet e shumimit të palmave.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, Në Makondon e Myzeqesë

TRE VJET PA ALI PODRIMJEN, ME POEZINE E TIJ PERJETESISHT

July 23, 2015 by dgreca

NGA SADIK ELSHANI-FILADELFIA/*
Me 21 korrik, tri vite me pare, Ali Podrimja u nda nga kjo bote kur po merrte pjese ne nje festival te poezise qe po zhvillohej ne France. Edhe ketu, sikurse edhe herave te tjera ne vende te ndryshme te botes, kishte shkuar per t’ia paraqitur botes vlerat tona shpirterore e kulturore. Ishte ne mesin e poeteve, ne gjirin e poezise – aty ku ishte gjithmone, aty ku gjithmone ndihej mire. Zemra e tij qe gjithmone rrahu per Kosoven, pushoi se rrahuri larg Kosoves se tij te dashur. E ndiejme mungesen e tij, vdekja e tij eshte nje humbje e madhe per letrersine, kulturen dhe kombin tone ne pergjithesi. Por poetet, njerezit e medhenj nuk vdesin kurre, jeta e tyre eshte vepra e tyre dhe ato vepra do te jetojne ne shekuj, sa te rroje njerezimi. Ali Podrimja u nda nga kjo bote, por me vargjet e tij, me vepren e tij, ne krahet e poezise u ngrit lart ne qiellin e perjetesise prej nga do te ndricoje si nje yll qe nuk do te shuhet kurre. Ali Podrimja eshte diamanti i kurores se poezise moderne shqiptare.
Ali Podrimja, si shume bashkemoshatare te brezit te tij, e arriten moshen e pjekurise, u burreruan para kohe. E tille ishte koha. vitet e pesedhjeta te shekullit te kaluar ishin vitet vendimtare per formimin shpirteror e intelektual te poetit. Me 1957 botoi poezine e tij te pare ne revisten letrare “Jeta e re” qe botohej ne Prishtine, me kryeredaktor, Esad Mekulin – babain e poezise shqiptare te Kosoves. Ishin vitet kur shqiptaret e Kosoves po perjetonin njerin nga terroret me te egra shteterore jugosllave, kohen e aksioniot per mbledhjen e armeve dhe trysnine, dhunen qe po ushtrohej ndaj tyre per t’i lene trojet e tyre dhe per t’u shperngulur ne Turqi. Poeti i ri i perjetonte vete keto ngjarje te hidhura dhe e ndjeu nevojen qe te qendroje i paperkulur, duke mos u dorezuar kurre perpara te ligave dhe te zezave qe regjimi serb ushtronte panderprere ndaj popullsise shqiptare te Kosoves dhe trojeve tjera shqiptare ne ish Jugosllavi. Ky ishte misioni i tij fisnik qe manifestohet dhe e pershkon tere krijimtarine e tij letrare e publicistike, angazhimet e tij shoqerore e atdhetare. Ai e ndjeu thelle nevojen per te shprehur krenarine kombetare, revolten dhe shqetesimet e tij per fatin e popullit shqiptar. Kjo me se miri shprehet ne poezine e tij “Metafora e jetes sime” dhe ne shume poezi te tjera:
“Nese s flas
jeta ime s’ka qetesi
fjala ime behu Une
heshtja te te mos shtype
ne gure mulliri
nese s’flas
jeta ime s’ka qetesi
fjala ime behu Une
plaga ime
le te marre
fryme thelle.”
Ali Podrimja eshte autor i me shume se dhjete vellimesh me poezi te fuqishme dhe mbahet sot nga kritika si perfaqesuesi me tipik i poezise shqiptare, si dhe poet me me emer te madh edhe ne shkalle nderkombetare. Eshte poeti me i perkthyer shqiptar dhe shkrimtari i dyte me i perkthyer, pas Ismail Kadarese. Ali podrimja eshte nder poetet me te shquar shqiptare te lirikes atdhetare (patriotike). Kjo poezi pershkohet nga ndjenja te thella e te pastra atdhedashurie dhe nuk shprehet me parulla, thirrma e brohoritje bombastike, por me fjale e shprehje te zgjedhura, te shpalosura me nje mjeshteri te rralle artistike, me nje figuracion shume te pasur qe perforcon thellesine e mendimit te tij. Vargu i tij tashme shume i njohur, “Kosova eshte gjaku im qe nuk falet”, eshte kredoja, uni i poetit. Ky varg u be burim frymezimi, u be thirrje per te gjithe shqiptaret e ndershem e atdhetare qe u perpoqen dhe luftuan me pushke e me pene per lirine dhe pavaresine e Kosoves
Ne vitin 1982 ai botoi permbledhjen mjeshterore, “Lum Lumi”, e cila eshte e vetmja e llojit te vet ne letersine shqipe dhe shenon nje kthese ne poezine e sotme kosovare e gjithshqiptare. Jane keto vargje intime familjare te poetit qe shpreh dhimbjen dhe pikellimin per djalin qe i vdiq. Eshte dhimbja e prindit poet, eshte dhimbja e poetit prind. Prandaj, jane keto vargje shume te ndjeshme,shume te dhimbshme qe burojne nga thellesia e zemres dhe artistikisht jane shume te persosura, shume origjinale.
Ali Podrimja eshte poet i kursyer qe me mjeshteri e perdor cdo fjale. Ne vargjet e tij nuk ka fjale e shprehje te teperta e ta pavenda, prandaj edhe poezia e tij tingellion bukur. Cdo fjale pozicionohet ne vendin e duhur dhe eshte e sakte, si notat ne kompozimet e Mocartit. Vargu i tij eshte mjaft shprehes me figuracion te pasur ku domonojne metafora, miti e simboli. Ai e ka cliruar poezine shqipe nga disa rregulla te ngurta metrike, sic eshte vargu i thurur, apo nga permbajtja si, fryma apologjike, brohoritese e letersise se realizmit socialist. Por ai sjell disa risi dhe vendos parime te reja krijuese, sic eshte vargu i lire, shqiptimi metaforik, gjuha e alegorise dhe ironuise – mjete keto efikase per te depertuar dhe per te shprehur edhe zonat me te ndjeshme, me te fshehta te natyres njerezore.
Pervec poezise ai ka botuar edhe dy libra ne proze dhe ka botuar mjaft shkrime eseistike e publicistike. Me shkrimet e tij publicistike dhe me veprimtarite tjera artistike, kulturore e shoqerore, ai ka qene mjaft i angazhuar per te afirmuar ceshtjen e Kosoves dhe arritjen e pavaresise se saj. Ne keto shkrime ai trajtonte, shqyrtonte ceshtjet dhe problemet madhore te kombit, duke i paraqitur nga nje nivel i larte intelektual e njerezor, e jo duke u bere pre, apo peng i politikes se dites. Ne shkrimet e tij nuk ka anime, tone ideologjike e politike – ai nuk ishte me kete, apo ate dhe kunder ketij, apo atij. Ai gjithmone ishte me kombin dhe tere jeten punoi per te miren e kombit – tere krijimtarine e tij e vuri ne sherbim te ceshtjeve madhore te kombit tone. Ai gjithmone ka qene kunder atyre qe popullit tone i shkaktuan dhimbje te thella, madje u munduan edhe ta zhduknin nga faqja e dheut.
Kam patur fatin e mire qe ta takoja poetin. Kur studioja ne Universitetin e Beogradit (me vone kam kaluar ne Universitetin e Zagrebit), Shoqata Letraro – Muzikore, “Perpjekja”, e studenteve shqiptare qe studionin ne Universitetin e Beogradit, ne pranvere te vitit 1977 organizoi nje mbremje letrare me shkrimtaret nga Kosova dhe ne ate grup ishte edhe Ali Podrimja. Ne ate takim shkrimtaret nga Kosova lexuan krijimet e tyre dhe disa nga ne studentet qe merreshim me krijimtari letrare, po ashtu lexuam krijimet tona. Pastaj u organizua nje koktej i bukur per nder te mysafireve tane dhe patem rastin qe te bisedonim nga afer me njeri – tjetrin. Ali Podrimja me pyeti se prej nga isha dhe me tha se i kishin pelqyer poezite e mia. Pastaj biseduam edhe per shume gjera te tjera aktuale, per hallet e Kosoves, per rolin tone per zhvillimin e gjithmbarshem te Kosoves, etj. Bisedonim hapur. pa kurrefare rezervash, sikur te njiheshim me vite te tera. Aty e pashe nga afer guximin atdhetar e intelektual te Ali Podrimjes, njeriun e vendosur te cedshtjes sone kombetare, urrejtjen e tij per regjimin e atehershem jugosllasv. Te tilla ishin vargjet e tij, sepse buronin nga zemra e nje krijuesi, nje njeriu me shpirt te paster, nje intelektuali shume te guximshem. Njeriu dhe poeti Ali Podrimja ishin nje.
Poetin tani nuk e kemi me ne mesin tone, ai tani eshte ne boten e lavdise se perjetshme, prehet i qete ne krahet e poezise, prane Lumit te tij te dashur, ne dheun e shtrenjte te Kosoves se lire.
Ali podrimja dhe vepra e tij nuk do te harrohen kurre! I perjetshem qofte kujtimi i tij!
Filadelfia, 21 korrik, 2015
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: pa Podrimjen, Sadik Elshani, tre vjet

AliPodrimja,3 vjet pas vdekjes

July 22, 2015 by dgreca

Nga Gani Qarri/
Më 21 korrik të këtij viti,shënohet trevjetori i vdekjes së papritur të poetit të madh e të mirënjohur shqiptar dhe ndërkombëtar, AliPodrimja.
Mendohet se ai vdiq dy-tre ditë më herët,por pas kërkimesh të gjithanshme, trupi i tij i pajetë, mundi të gjendej vetëm më 21 korrik të vitit 2012,rreth katër kilometra larg qytetit të Lodeve në Francë, ku përfaqësonte Kosovën në festivalin e poezisë të njohur si “Zërat e Mesdheut” (Voux de la Mediteran) në të cilin marrin pjesë shumë poet nga vendet ballkanike dhe ato evropiane.
Nga kolegët pjesëmarrës e më gjerë, për hir të respektit që ata kishin për poetin tonë, dhe misionit të veçantë që ai pati si përfaqësues i shtetit më të ri në këtë festival, shuarja e papritur e tij, u himnizua edhe si vdekje poetike.
AliPodrimja u lind më 28 gusht të vitit 1942, në Gjakovë. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm (gjimnazin) i mbaroi në vendlindje, kurse studimet, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i përfundoi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Pas diplomimit, ai punësohet në të përditshmen e atëhershme të vetme ne gjuhën shqipe “Rilindja”, si drejtues i rubrikës për kulturë, detyrë të cilën do ta kryente nga viti 1966 deri më 1976, kohë kur do të kalonte në edicionin e botimeve , të po kësaj gazete.
Shkrimet e tij datojnë që nga vitet e gjimnazit, kurse poezinë e parë me titull “Arabja” ai e publikoi në vitin 1957, në revistën “Jeta e re”.
Botimi i kësaj poezie ,ndikoi te mbështetësi i pasionuar i poetëve të rinj, krijuesi i mirënjohurEsadMekuli, i cili frymëzoi dhe ndihmoi AliPodrimjen ne formimin e tij si poet i së ardhmes.
Po kjo revistë, në vitin 1961, botoi edhe librin “Thirrje” të këtij poeti, i cili ishte po ashtu libri parë i tij.
Në vitin 1966, AliPodrimja pranohet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,nga viti 1976,anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe PEN-it, shqiptar, kurse nga viti 2000 edhe anëtar i rregullt i ASHAK-s.
Gjendja e rëndë politike në vitet e 60-ta, për shqiptarët nën okupim dhe fatkeqësia familjare si vdekja e të birit Lumit, sipas kritikëve, ndikuan që ai të nxirrte në dritë librin më të arrirë të tij, “Lum Lumi”! i cili ende vlerësohet lartë kudo.
AliPodrimja,është autor i mbi dhjetë vëllimeve poetike dhe konsiderohet si njëri nga përfaqësuesit më të denjë të poezisë kombëtare dhe asaj me renome ndërkombëtare.
Veprat kryesore poetike të AliPodrimjes, janë:
1. “Thirrje” 1961
2.“Shamijat e përshëndetjeve” 1963
3. “Dhimbë e bukur” 1967
4. “Sampo” 1969
5. “Torzo” 1971
6. “Lum , lumi” 1982, e cila njihet edhe si kryevepra e Podrimjes, etj,.
Kurse në prozë ai botoi veprat:

”Burgu i hapur” 1998
1. “Harakiri” 1999 etj.

Ali Podrimja,ishte autor i disa zhanreve shkrimore, si poezi, prozë, ese dhe tregime, të cilat u shpërblyen me shumë çmime letrare.
Krijimet e AliPodrimjes, përveç nivelit gjithëkombëtar, u bënë të njohura edhe jashtë gjeografisë etnike shqiptare, duke u përkthyer dhe mirëpritur në shumë gjuhë dhe shtete të Botës. Ndaj,vdekja e tij, ishte një humbje e madhe jo vetëm për letërsinë shqipe por edhe atë ndërkombëtare.

Filed Under: ESSE Tagged With: 3 vjet pas, Ali Podrimja, Gani Qarri

Unë djali i antifashistit përballë fashizmit të ministrit të Jashtëm grek

July 22, 2015 by dgreca

Shqiptarët e Çamërisë kërkojnë respektimin e të drejtave të njeriut nga Greqia/
Nga Hyqmet Zane/
“Nëse flasim për të drejtat e njeriut, çdo vend përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara kanë vend për përmirësim.”, është shprehur Sekretari i Shtetit, John Kerry, duke lënë të hapur mendimin se si mund të përmirësohen të drejtat e njeriut në rajonin tonë të Ballkanit, kru hapur dhe në mënyrën më shantazhuese minitri i fundit grek i punëve të jashtme, akuzoi në mënyrë fashiste popullatën çame si “kriminelë”. A mund të flitet për të drejtat e njeriut përballë një gjuhe të tillë që të kujton modelet e kriminelëve të genocideve antinjerëzore. Do të doja t’i drejtohesha këtij burri shteti të Shteteve të Bashkuara, John Kerry, kur dëgjon një ministër të jashtëm të një qeverie të NATO-s që flet ndaj një popullate që gjtiashtu janë në NATO, se si do të ndjehej dhe si do i përgjigjej. E pyes zotërinë e tij, a quhem fashist e kriminel unë djali i një ish të internuari në kampet e shfarosjes masive në Dakao të Gjermanisë si antifashist apo ministri I jashtëm grek është një fashuist i kohëve moderne që kërkon të vrasë si kriminelët një popullatë të tërë të pafajshme edhe pas 71 vjetësh?
Është kjo arsyeja që bëj prezent një problem që ka lidhje me familjen time, po aq sa edhe me mijëra çamë të tjerë në Shqipëri, në Greqi, në SHBA, në Turqi, në Itali e në çdo vend tjetër ku shkuan shqiptarët e Çamërisë dhe që kërkon mendimin e një përfaqësuesi të një shteti që në themelet e tij ka liritë dhe të drejtat e njeriut dhe që ka ngritur një shtet të vërtetë demokratik, shembull botëror.
Si kudo tjetër në Europë e në veçanërisht në rajonin e Ballkanit po ndjekim me vëmendje realitetet e pazakonta që po ndodhin në Greqi dhe mënyrën e reagimit të qeveritarëve dhe qytetarëve grekë që hapur po flet për një lloj abuzimi të gjatë me paratë e taksapaguesve europianë, por që askush nuk i ka cilësuar hajdutë dhe aq më tepër kriminelë e të tjera.dystandartizimi i sjelljes së qeveritarëve grekë me fqinjët dhe me europianët është një sjellje që buron nga klashtësia e një popullate që ekzistencëne vet e ka mbështetur tek abuzimi me fqinjët e me të tjerët.
Përdorimi i kartës antishqiptare për ekstremizëm dhe fashizëm që përdori ministri i jashtëm i Athinës zyrtare këto ditë, është hapur një shantazh, veçanërisht për çamët, si vazhdim i genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë në forma të tjera, por në thelb agresiv dhe antidemokratik. Fjalori i përdorur në mënyrë të herëpaskershme edhe nga përfaqësuesit e qeverisë greke ndaj shtetit shqiptar në tërësi dhe veçanërisht ndaj nënkryetarit të zgjedhur të parlamentit shqiptar, njehërazi kryetar i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, është një arsye më shumë për të thënë se ata që i fryjnë urave të zjarrit të nacionalizmit ekstrem me tone fashiste, ata janë grekët. Kështu kanë qenë jetë e mot me shqiptarët.
Me gjithë tendencën tolerante të manifestuar gjatë gjithë kohës së bashkëjetesës me grekët nga ana e çamëve, vlen për të thënë se diplomacia greke e përdor helenizimin si shpatë antishqiptare dhe antiçame duke rrëzuar çdo mirëkuptim për të realizuar kërkesat e fqinjësisë dhe miqësisë që janë nënshkruar në traktate të ndryshme bilaterale.
Le të kthehemi tek realitetet që përjetojmë here pas here në rajonin tonë të Ballkanit.
Lajmin e para do kohësh se Greqia po i kërkon qeverisë gjermane dëmshpërblimin për të vrarët e Luftës II Botërore, është një fakt dhe një e drejtë e tyre në mbrojtje të jetës së shtetasve të vet. Edhe pse këtë e kushtëzon me borxhet që shteti Gjerman i ka dhënë Greqisë, përsëri them se shtë një çështje e tyre dhe deri këtu nuk kam asnjë koment, mejgihtëse rrjedha e ngjarjeve mori atë drejtim që është tragjike për një shtet dhe një popull të tërë.
Ajo që më shqetëson mua si shtetas shqiptar është fakti se unë jam djali i një ish të internuari në kampin famëkeq të shfarosjes në masë në Dakao të Gjermanisë. Babai im i ndjeri, Nuri Emin Zane, shtetas grek me kombësi shqiptare nga Filati i Çamërisë, u kap në Janinë në fund të marsit 1944 dhe, më pas, u internua dhe u kthye në atdhe në fund të gushtit 1945. U kthye të shkonte në shtëpinë e tij në Filat të Çamërisë në Greqi, por nuk u lejua nga autoritetet greke me pretekstin se popullsia çame ishte përzënë nga shtëpitë e tyre sepse ishin bashkëpunëtorë me gjermanët gjatë kohës së Luftës !?!?
Me gjithë absurdin që kuptohet, se im atë ishte antinazifashist dhe përse nuk duhej lejuar të shkonte në shtëpinë e tij, mbi bazën e të drejtës ndërkombëtare, edhe im atë ka të drejtën të përfitojë nga reperacionet e luftës, ashtu si edhe disa pjesëtarë të komunitetit çam që gjithashtu ishin të internuar në këto kampe përqëndrimi si në Itali e në Gjermani, Osman Zenel Taka, Hajri Hasan Fetahu, Merzan Emin Jonuzi e të tjerë. Dy prej këtyre ish të internuarve, Nuri Emin Zane dhe Hajri Hasan Fetahu janë dekoruar më 2005 nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin “Në shenjë vlerësimi të lartë dhe respekti të përhershëm për kontributin e dhënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë, në Krahinën e Çamërisë dhe për rezistencën e vuajtjet, si i internuar në kampin e përqëndrimit të Dakaos”.
Do të doja të dija se si i mendojnë këto realitete tashmë pas 71 vjetësh personalitetet e larta të SHBA, por edhe atyre europianë që si do të ndjehen kur dëgjojnë një ministër të jashtëm partner të tyre që akuzon kriminel e fashit edhe antifashistët. Se mosgjetja e asnjëp prgjigje për ministrin e jashtëm grek nga zyrtarët e lartë të qeverisë shqitpare, por as nga analistë dhe mëdiat që vetëm e dhanë, nuk ka asnjë notë proteste për atë fjalor antidemokratik që nuk i ndihmon fqinjësisë në një rajon si Ballkani.
Ndoshta do të pyesni se cili është motivi që ju drejtohem këtyre perosnlaiteteve ndërkombëtarë. Po, e vërtetë! Kanë kaluar 70 vjet nga përfundimi i Luftës II Botërore dhe grekët kujtohen që të kërkojnë dëmshpërblime, ndërsa detyrimet që grekët kanë ndaj shtetasve shqiptarë, jo vetëm atyre të Çamërisë, ata kërkojnë t’i mohojnë. Bile shkojnë deri aty sa nuk na lejojnë në kufi për të vizituar shtëpitë tona, në një kohë kur pronat e shqiptarëve janë të mbetura pa të zotët e tyre. Shumë prej shqiptarëve që kanë jetuar në Greqi, me shtetësi greke dhe kombësi shqiptare, janë sot shtetas amerikanë, të cilët gjithashtu janë të mohuar për të kërkuar pasuritë e tyre. Për hir të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës njerëzore, unë kërkoj në mënyrë miqësore gjithë këtyre peronaliteteve që vajtojnë krimet e genocidit në Sebrenicë për të më krijuar mundësinë që edhe pjestarët e komunitetit çam që luftuan në Luftën II Botërore të jenë pjesë e vlerësimit objektiv, ashtu siç Greqia kërkon për shtetasit e vet.
Tashmë kaluan edhe 71 vjet nga ai genocid antishqiptar dhe antinjerëzor që grekët u bënën banorëve të Çamërisë pas atij 27 qershori 1944. Të gjithë, edhe shtetarët, edhe qeveriatërt, edhe diplomatët e huaj në Tiranë, edhe vetë ndërkombëtarët amerikanë dhe europianë janë të mirëinformuar dhe kjo është një çështje edhe drejtësie për një shtet si Shtetet e Bahskuara dhe vetë Europa që ka hetuur gjatë jo më për shkeljen flagrante të tëd rejtave të njeriut, por që është një genocid i pastër dhe që nuk konfirmohet, aq më tepër që ka edhe një Rezolutë të miratuar nga Parlamenti Shqiptar për këtë çështje. Ata dinë shumë e shumë ngjarje të tjera që kanë ndodhur në këtë vend, por mosndëshkimi i një qëdnrimi kriminal i një shteti që sillet me shumë standarte të ndryshme në raportet me shqiptarët, aq më tepër me një shtet që është pejsë e NATO-s, krijon precedentët e këqij të sjelles së përhershme të një shteti të ashtuquajtur demokratik me një shtet që kërkon ndërtimin e demokracisë.
Në praktikën e qëndrimeve që ka mbajtur shteti amerikan ndaj padrejtësive, genocideve dhe terrorizmit, e gjej të udhës të di se cili do të jetë qëndrimi i ambasadorit amerikan të sotëm si përfaqsues i këtij shteti të se drejtës të gjej të vërtetën e moslejimit dhe mos respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut nga një shtet që më dhunon prej 71 vjetësh.
Ndihma ndërkombëtare është një vlerë jo vetëm për mua peesonalisht dhe familjen time si antifashiste që akuzohem sot në 2015 si “kriminel” , por edhe për të gjithë komunitetin çam që ndodhet në Shqipëri, të cilëve u janë mohuar dhënia e të drejtave njerëzore, u janë mohuar rikthimi në vendlindjen dhe vendbanimin e tyre si dhe u janë mohuar të gjitha të drejtat shtetërore sipas kartave ndërkombëtare nga Greqia që gjithnjë pretendon për minoritetin e saj në Shqipëri. Ky minoritet as nuk është dhunuar (dhe jo më të bëhet fjalë për genocid), as nuk është dëbuar nga tokat që u kanë zaptuar vendasve shqiptarë dhe që u janë dhënë të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore në Shqipëri. Për këto fakte kam shkuar shumë, kam edhe një libër të botuar për genocidin greko-serb ndaj shqiptarëve në një shekull.

Filed Under: ESSE Tagged With: djali i antifashistit, fashizmi i Ministrit, Hyqmet Zane, te Jashtem Grek

Nga lufta e reformave tek Maria e Ardenicës

July 22, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/
Që ta rilindësh atë vend Kryeministër, do ishte mire që statuti yt I fb. Herët sot në mëngjes , të hapej me bllokun e shënimeve të Maries nga Ardenica. Një familje pa drita. Pa të ardhura. Pa shpresë jete. Pa dashuri për të vazhduar aty. Aty ku u ngrit. Në Ardenicë. Në vendin me kodra që shohin fushën dhe buzën e detit. Në vendin e shenjtë. Aty ku vuri kurorë edhe Skënderi ynë. Gjergji i Kastriotëve. Një familje e degdisur, me djem nën mëshirën e kishave. Me një vajzë që luante me ëndrrat e saja. Që ishin poezia dhe Gjermania. Dhe që andej nga Bavaria, buzë Renit a buzë Spresë. Të shkruante për bukuritë e vendit të saj. Por nuk arriti. Nuk arriti se nuk kishte tavolinë, drita, ujë për tu larë. Ku në vendin tënd. Në vendin tonë. Dhe vendi i pashpresë Greqia, dukej si shpresë. Shpresë e bregut për ta hedhur në Gjermani. Shpresë e udhës përmes tokës. Ku mund të shkohet akoma në këmbë. Një familje, që sado e varfër, sado e papunë, sado e pa ditur. Prapë diçka e mënxyrtë ia mbesh duarve, pamundësinë për të patur tetëmbëdhjetëmijë lekë për tri pasaporta. Një pamundësi që ka emrin skamje. Jo varfëri. Dhe zgjidhja është folklori. Karvani…, shtegtimi. Rrugëtimi më këmbë. 
Çfarë është një reformë. Po e lë për pak arsimin. Sikur ato drita që digjni duke u zënë gjithë natën. T’ia kishit shpënë Maries. Ajo sot do ishte gjallë. Sikur ato romuze, fyerje, përdalje, pëprballje prej egoistash, që derdhi ditë e natë. T’i mbysnit lumenjëve tanë, gjoleve, apo tenderave familjare. Maria dhe qindra Marie të tjera, nuk do mbyteshin. Nuk do bëheshin prostituta. Nuk do vrisnin veten nga depresioni. Nuk do akuzoheshin e përgojoheshin edhe pse pa jetë. Për lezbike, gej etj. Edhe pse viktima të depresionit shoqëror. Edhe pse kufoma. Kufoma nën zinë e prindërve. Sikur ta kuptonit vetëm një here, se reforma më e madhe është jo kur I prek rrudhat një burri, babai, gruaje apo nëne të shtrydhur nga jeta. Për hir të votes që ju të ruani dietat e shtrenjta. Por kur qan me ata, qanë si ata, vdes si ata. Dhe njeh dhimbjen njerëzore.
Që ta rilindim atë vend qytetarë, do ishte mire jo të debatonit me Edin, por të bashkoheni me humbjen e familjes. Triumfi si dhe dështimi, janë pjesë e sl njëjtës familje. Ashtu siç bëjmë kur mburremi. Ashtu të bëjmë edhe kur turpërohemi. 
Maria është një këngë e pakënduar. Eshtë një vjershë e pa shkruar. Eshtë një libër i parealizuar. Reforma që kurrë nuk u bë.
Skamja jonë. 
Që ta rilindim atë vend qytetarë, mos u zini me njëri-tjetrin për prindërit. Për atë që u duket e pabesueshme se si një vajzë nuk ka di not.Edhe pse buzët detit. E ka thënë Noli, anës detit i palarë/ anës dritës i paparë. Dhe vdiq nën entuziazmin e lirisë mes ujrave të lumit. E bindur se mësoi notin. Eshtë gjëm. Gjëm dhe mjerë prindit që i ra për pjesë.

Filed Under: ESSE Tagged With: e Ardenicës, Ilir Levonja, Nga lufta e reformave, tek Maria

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 453
  • 454
  • 455
  • 456
  • 457
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT