• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

The joys and the sorrows of a Papal Visit to an (almost) forgotten country

September 19, 2014 by dgreca

By Merita McCormack*/
Soon we will experience the event of the year–if not the century–for Albanians all over the world. For more than twenty years, the Albanian nation seems to have been in the hearts and minds of the Popes. It is amazing that two of the last three popes have made it a priority to visit Albania. Now Pope Francis is about to meet and greet Albanians in their homeland and will reach tens of thousands more around the globe via live streaming. He will be received with true joy and love, as well as with tears and open hearts. The world will witness the spirit of this small, vibrant nation whose roots are in the Balkans and has many sons and daughters around the globe.
This upcoming papal visit is a signal of hope, faith, and love not just to Albanians but to the entire world. It is especially important in current times when we see so much despair, poverty, ideological and political war, marginalization, and the breaking up of families. The very thread of the fabric of society is endangered when abortion is a commodity and when marriage is considered an inconvenience.
Popes have appreciated the resilience of the Albanian nation. Although it has experienced difficult times it has survived. As small as it is, this nation that has suffered and lost so much, has also been blessed. Albanians keep their families together, they thrive in community, they are hospitable and friendly, joyful and hardworking, warriors and entertainers, and above all, many are very godly people. Albania has given the world Mother Teresa , George Kastrioti –Scanderbeg, and many other important people.
When the Ottomans occupied their lands, Albanians stood strong and kept them at bay for a while. Although the occupation seemed to last forever, Albanian kept their identity, spoke their language, sang their songs and ballads, and never forgot God, their creator.
Then communism came, a beast of immeasurable dimensions, and through the iron fist did the unthinkable. Growing up during that period, my generation of Albanians can testify to what happened to many. It is sad that some embraced that ideology. There is still no true reconciliation because of a lack of individual reconciliation between some people and God. Unless that individual reconciliation takes place, all of the fake smiles and fake words, all of the pompous behavior and shiny shows, which are not from God, will fall away.
That is a sorrow that my generation and that of my parents have to this day. Not only because it is a matter of justice (which is due) but also out of love for every Albanian whose eternal destiny might be at risk. This papal visit is an opportunity that should not be missed, either on a personal or a societal level.
In that light, I hope that the joy that the visit, generated by God almighty, and reflected in the loving and humble pontiff and many holy priests, sisters, religious and lay people, will soften the hearts of every one. I hope and pray that this visit stirs in the hearts of people the desire to repent and seek forgiveness, the desire to cleanse the deep wounds caused by vices and sin, and allows them to be blessed with the grace of the Almighty and have hope in divine providence.
May the conversion of hearts take place and the Albanian people seek and embrace the truth, which they can encounter in a practical and special way this Sunday.
As for the Albanian martyrs of the Church, we all should rejoice in them. May their blood, which is joined in the suffering of our Lord and Redeemer, be the offering through which the Albanian nation can hope to be redeemed
Welcome to Albania Pope Francis! You are loved!

*Merita McCormack serves as the President of “ VATRA-Washington DC Regional Chapter”

Filed Under: ESSE Tagged With: Merita Bajraktari McCormack, Pope, September 21, Tirana/Albania

Udhëtim të mbarë në vendin tonë të shqiponjave!

September 19, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/
Në shtypin e përditshëm lexoj fjalën e Papa Françeskut në lidhje me vizitën në Shqipëri. Në këtë fjalë ai theksoi:
“Të dielën e ardhshme, me ndihmën e zotit, do të vizitoj Shqipërinë. Vendosa të vizitoj këtë vend sepse ka vuajtur shumë për shkak të një regjimi ateist të tmerrshëm, ndërsa tani po realizon një bashkëjetesë paqësore midis komponentëve fetarë të ndryshëm. Deri atëherë përshëndes me dashuri popullin shqiptar dhe e falënderoj për përgatitjet e kësaj vizite. U bëj thirrje të gjithëve të më shoqërojnë në lutje, për ndërmjetësimin e Zojës së Këshillit të Mirë. Faleminderit”,

Cilën Shqipëri po vizitoni, i nderuar Papë? Po, i lartmadhërishmi Papë, ju po vizitoni Shqipërinë që ka vuajtur tmerrësisht nga një regjim totalitar i papërshkrueshëm, nga një regjim që masakroi në mënyrën më të egër bashkëqytetarët e tij, një regjim që shembi çdo lloj besimi në Zotin dhe profetët e tij, një regjim që, më së fundi, në sajë të rezistencës gati gjysmë shekullore dhe lëvizjes popullore të fundit të viteve 90-të, u shemb dhe i hapi rrugën vendosjes së rendit demokratik në vend.
Ju do të vini në vendin tonë, i nderuar Papë! Do të vini, por unë, një nga ata që e kanë pësuar, si shumë të tjerë, nga ai regjim, nuk do të jem në pritjen tuaj. Nuk do të jem jo se nuk ju dua apo se nuk ju respektoj. Ju jeni figura më e ndritur e botës demokratike. Do të ishte nderi im të isha i pranishëm në ardhjen tuaj. Por nuk dua të rreshtohem përkrah hipokrizisë së shtetit shqiptar që kërkon të përdorë figurën tuaj në favor të klikës së tij.
Përgatitjet për ardhjen tuaj janë të jashtëzakonshme. Bulevardi kryesor i kryeqytetit është mbushur me fotografitë e martirëve të katolicizmit shqiptar. Po kush ishin vrasësit e tyre? Pikërisht bijtë e atyre që këtë ditë do ju presin juve. Etërit e tyre u vërsulën me egërsi mbi çdo gjë demokratike që vendi kishte krijuar. Po eshtrat e tyre të martirizuara ku ndodhen? Për shumicën prej tyre nuk ka një varr ku njerëzit të përulen para kujtimit të tyre të paharruar. E pra, demagogjia e pushtetarëve është e padurueshme. Hipokrizia e tyre ka arritur majat më të larta.
Nuk jam i parimit që bijtë duhet të paguajnë gjynahet e etërve të tyre. Por, për fat të keq, asnjë prej këtyre bijve nuk ka patur guximin të pranojë gjynahet që kanë kryer prindërit e tyre. Asnjë prej tyre nuk ka patur guximin të pranojë krimet e kryera nga regjimi komunist mbi popullin shqiptar. Ende sot vazhdojnë të shfaqen nën hundët e tyre, nëpër qytetet tona, portretet e diktatorit më të egër të popullit tonë, kriminelit Enver Hoxha, dhe personalitetet e larta të vendit, të pranishme në këto ceremoni, heshtin. Ju kujtojmë këtu kremtimet me rastin e përvjetorit të Konferencës së Pezës dhe të ashtuquajturit përvjetor të “çlirimit” të Gjirokastrës. Si këto ka patur edhe shumë raste të tjera në të kaluarën.
Këtro rrjeshta po jua shkruan një individ që e ka hequr mbi shpinën e tij shtypjen e sistemit totalitar komunist. U ngrita që në moshë fare të njomë kundër këtij sistemi dhe diktatura më burgosi dhe më mohoi të gjithë të drejtat që i takojnë një individi. Por po shoh se sot atdheun tim e sundojnë bijtë e atyre që më syrgjynosën dhe më mohuan edhe të drejtën e të jetuarit. Ndaj, i nderuar Papë, nuk do të jem në ceremoninë e pritjes tuaj, pasi nuk dua të bëhem bashkëpuntor me hipokrizinë e organizatorëve të kësaj pritje.
Ndoshta kjo mund të komentohet si një mendim i një ekstremisti. Por unë do të doja
t’ju thoja se ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumicës së popullit shqiptar, të asaj shumice që i ka hequr mbi shpinën e saj tmerret e sistemit totalitar. Nuk e di nëse ky mesazh do t’ju mbërrijë, pasi edhe po t’jua dërgoj me anën e shërbimit postar nuk besoj se do t’ju arrijë ndër duar, por dua të theksoj se do të vijë dita që sharlatanët e politikës shqiptare do të përmbysen dhe vendin e tyre do ta zenë shqiptarët e vërtetë, ata që mendojnë me të vërtetë për një Shqipëri demokratike.
Qofsh i nderuar, i madhi Papë! Ju uroj udhëtim të mbarë në vendin tonë të shqiponjave. Mirserdhët dhe thirrja juaj për këtë vend të përvuajtur të bjerë në veshin e shqiptarëve të vërtetë.

Filed Under: ESSE Tagged With: në vendin tonë, ReshatKripa, të shqiponjave, UDHËTIM TË MBARË

Nji tjetër Puthje e Shenjtë, për Tokën Arbnore…

September 18, 2014 by dgreca

Refleksion nga Jozef Radi/
*Mbi vizitën e Papa Françeskut të Parë me 21 shtator 2014/
* Ardhsh i Bardhë, Papa Françesk në tokën e Arbërve të Lashtë!/
Në ma pak se 22 vite, mbas puthjes së Papës “legjendë”, Gjon Pali i Dytë, asht Papa Françesku i Parë, i dyti Papë që puth tokën shqiptare, dhe prej atherë shumë gjana kanë ndryshue për mirë ndër shqiptarë…
Sigurisht, kjo ngjarje historike që po afron në kohë të vështira, e ka nji mesazh të randsishëm që do lexue me kujdes, (jo veç prej atyne që besojnë në Zot), e do përcjellë me shpirtgjanësi, duke pasë gjithnji parasysh se Papa asht Bariu Shpirtnor i ma shumë se nji miliard e 200 milion njerzve të shpërndamë në mbarë Botën, pra i ma shumë se nji të pestës së saj… Edhe pse Shqipnia s’asht vend i nji shumice katolike, po asht nji udhkryq i feve dhe besimeve fetare, nji vend ku ende ruhen të gjalla si gjurmat ma të hershme të paganizmit, po edhe kthetrat ma të egra të ateizmit; si shpirti madhështor i Martirëve të Fesë e të Gjuhës Shqipe po edhe barbaria e pashembullt e pushtuesve; si mirkuptimi dhe harmonia fetare ndër njerëz po edhe fryma që nxit përçamje e politikave… të gjitha këto në shpirtin e këtij populli, në dukje i vogël, i tkurrun e pambrojë, po i madh në mbijetesë, në shpirtmadhsi e me shembujt ma të naltë të humanizmit dhe sakrifikimit.
Ardhja e Bariut të Shenjtë, Simbolit të fesë Katolike, në kët kohë të vështirë konfliktesh dhe kërcënimesh për mbarë botën, sigurisht sjell me vedi mesazhe të qarta, pra ka tekst të lexueshëm të plotë e të kthjellët për gjithkend, po njiherit ka shumë edhe nëntekst, edhe shikim në prespektivë, besoj edhe shumë vëmendje, mos me e lanë kët Botë me rrëshqitë edhe ma poshtë në theqafjet tragjike të historisë dhe konflikteve…
Puthja e tokës së Arbërit, prej nji Ati të Shenjtë, nuk asht thjesht nderim për kët vend, po ngrihet si nji vlersim që i bahet krejt historisë dhe traditave të këtij vendi, asht vlerësim për krejt komunitetet e besimeve të tjera në Shqipni, të cilat deri sot e kanë gjetë gjuhën e përbashkët të dashnisë e mirkuptimit të ndërsjelltë, po që duhet ta dëshmojnë edhe ma tej, jo veç në solidaritet me ardhjen e Papa Françeskut të Parë, por duhet që atë çka vetë populli shqiptar e ka kultivue ndër shekuj, e që sot quhet pasuni e njerzimit e shembull harmonie midis feve, t’u lihet e pacënueme brezave që vijnë, dhe jo vetëm atyne, po edhe mbarë botës si nji dëshmi kulmore: se harmonia dhe respektimi i njerzve edhe me besime edhe mbrenda nji familje asht e mundun… e pra ne shqiptarët deri sot e kemi… dhe pa frikë duhet me e quejtë si vlerë e madhe e humanizmi!
S’asht i paqëllimtë fakti pse Papa ka zgjedhë Shqipninë, me përcjellë kët mesazh të vlerave morale, në nji kohë të egër kjo e sotmja, në të cilën po bjerren me shpejtësi vlera njerzore dhe qytetnime. Njeriu i sotëm po shfaqet gjithnji e ma shpesh i pangopun prej fitimit e gryksisë; prej qejfeve e luksit të shfrenuem; prej pushtetit e mashtrimit; prej asgjasë që sa hap e mbyll sytë bahet gjithçka… Kjo e ka vu në dilemë Njeriun, Familjen, Shoqninë, Shtetin, Fenë, Botën Mbarë! E shqiptarët janë të sapodalun prej nji shtypje të pashembullt njerzore dhe fetare; prej nji dhunimi të paprecedent historik dhe ideollogjik; prej padrejtësish cinike të jashtme dhe krimesh të mbrendshme të pandëshkueme kërrkund me ligj; e kur në të njejtën kohë ata i jepnin botës nji Nanë Terezë; e kishin lanë vedin nën kthetrat e nji Diktatori nga ma të egrit e Botës. Në kët çerek shekulli liri, toka e shqiptarëve asht në përpjekje titanike me u çue në kambë e me e gjetë vedin atje ku i takon: midis Qytetnimit.
Sot asht edhe nji Shqipni tjetër, nji Shqipni e shpërndane në krejt botën, e që asht pjesë e Qytetnimi të Madh, sigurisht me vlerat dhe difektet që përcjellin ata njerëz që ikin natën prej Shtypjes ma të Egër… Ata janë pjesë integrale e Botës që ecën përpara, në përpjekje me e kapë kohën e humbun dhe ritmet që Botës i erdhën natyrshëm… Po asht edhe ajo nji Shqipni që ndjen e që vuen, që vuen ndoshta edhe ma shumë at zhgënjim që sjellin politikat që mendojnë veç Pushtetin dhe sundimin dhe aspak Njeriun e humanizmin…
Sigurisht, mikpritse e Papa Françeskut të Parë asht politika e sotme shqiptare, ajo që ndokush e quen edhe vazhduese e së djeshmes, e cila do të përpiqet me e shfrytëzue imazhin e kësaj vizite të përcjellun nga mbarë bota, me sistemue disi tualetin e saj, e me i dhanë siguri vedit për gjithçka ndodh… Unë mbetem i sigurt, se pakon e vlerave morale që Papa Françesku ka me e dëshmue haptas, ma së pari ka me e shkelë në thù krejt ato politika, që po e shtojnë në progres gjeometrik vorfninë dhe keqtrajtimin e Njeriut në mbarë Botën dhe bashkë me vorfninë ata po ndikojnë dukshëm edhe në bjerrjen e vlerave morale e humane! E politika shqiptare e derisotme s’mundet kurrsesi me i bishtnue këtij mesazhi!!!
Edhe komuniteti katolik shqiptar, i cili flamurin e kuq me shqipe e ka të gdhendun në shpirt me shembuj e histori, përgjat rrugës së vet të lavdishme ka dëshmue jo vetëm tolerancë dhe dashuni, po me vetëdije asht flijue në altarin e atdheut duke shndërrue binomin “fe e atdhe” nji fjalë të vetme, duke u murosë me dinjitet e lavdi në themelet e historisë së shtetit shqiptar si garant i bashkjetesës dhe harmonisë, që mbetet çelsi i lavdisë së këtij vendi.
Prandej, Mirseardhja e Papa Françeskut të Parë, s’duhet të jetë thjesht falenderuese e protokollare, po e ndjeme thellë, ajo do të mbesë si nji dëshmi që çdo shqiptar duhet ta mbajë me vedi, pse i përkasim nji qytetnimi të lashtë e fisnik, dhe se asgja barbare as e ka sundue dhe as ka për ta sundue shpirtin tonë, edhe pse pësimet ma tragjike të historisë, ende randojnë mbi ne…
Ardhsh i Bardhë…!
Veç ne shqiptarët e përdorim kët shprehje Papa Françesk, dhe s’e themi thjesht për ardhjen tande si simbol bardhësie, po asht e thanun prej kur s’mbahet mend, qyshse Miku i largët e ka msy ma së pari portën tonë… e sot në kët ditë të Madhe kjo shprehje s’i përket askujt ma shumë se Ju!
Ardhsh i Bardhë, Papa Françesk në tokën e Arbërve të Lashtë!
* E dërgoi për DIELLIN autori. Faleminderit Jozef!

Filed Under: ESSE Tagged With: Jozef Radi, Nji tjetër Puthje e Shenjtë, për Tokën Arbnore...

Mirësevjen At i Shenjtë!

September 18, 2014 by dgreca

Nga Fatmir Lamaj/
Po afrohet ora e madhe kur këmba e Papa Françeskut do të shkelë mbi tokën shqiptare, duke sjellë me vete mesazhin hyjnor për gjithë shqiptarët se Zoti i Madh dhe ne nuk na ka harruar, përkundrazi jemi në vemendjen e tij përderisa përfaqësuesi më i lartë i klerit katolik është i angazhuar direkt në dhënien e këtij mesazhi. Ardhja e Atit të Shenjtë është një ngjarje e madhe për popullin tonë të shumëvuajtur, por gjithashtu edhe një detyrim shpirtëror për vlerësimin që po na bëhet nëpërmjet kësaj vizite për të gjithë ne si shqiptarë. Në zemrën e çdo shqiptari ravijëzohet në mënyrën më të sinqertë një “mirëseardhje” e frymëzuar dhe mbështetur në vlerat më të mira shpirtërore. Duke përjashtuar klasën politike e cila për arsyet e veta pragmatiste kërkon t’a shndërrojë këtë vizitë në një fasadë politike për të nxjerrë në pah ato merita që s’i ka pasur kurrë ndonjëherë, përkundrazi mbetet klasa politike më e korruptuar në Ballkan. Papa Françesku do të vijë në këtë vend për këtë popull aq shumë të përvuajtur nga komunizmi enverist, si modeli më i shëmtuar dhe më gjakatar që ka njohur deri më sot historia e zezë e komunizmit. Ai njëkohësisht duhet të mësojë dhimbshëm se të persekutuarit e djeshëm janë edhe sot pothuaj aq të persekutuar sa edhe dje, dhe persekutorët në vazhdimësi brezash janë po ata të djeshmit, natyrisht me fytyra të reja. Ti do të shikosh o Papë fotografitë e priftërinjve të pushkatuar nga regjimi komunist, por për të gjitha ato krime që ndodhën mbi popullin shqiptar për 50 vjet rrjesht, asnjë kriminel nuk u dënua qoftë edhe një ditë të vetme përkundrazi, bijtë e xhelatëve sot i ke biznesmen e politikanë që akoma vazhdojnë t’i bëjnë gjëmën këtij populli të inkurajuar nga mosndëshkimi i etërve të tyre. Etërit xhelatë ecin sot krenar për krimet e bëra, sepse janë të sigurtë se bijtë e tyre në pushtet të vazhdueshëm, janë garancia absolute e mosndëshkimit fyes për një popull të tërë. Mirësevjen o At i Shenjtë në tokën shqiptare, në këtë tokë me aq shumë halle. Populli shqipëtar njëherazi t’a uron mirëseardhjen… por sërish t’i duhet t’i hedhësh sytë mbas fasadës llamburitëse që do të ofrojnë pushtetarët, për të parë realisht atë që ka ndodhur dhe po ndodh në këtë vend. Ti do të shikosh pallatet e larta dhe natyrisht do të gëzohesh për përparimin “e madh” që ka bërë Shqipëria, por ato pallate i kanë ngritur “kapitalistët e rinj” duke j’u rrëmbyer tokën pronarëve të vjetër me lloj-lloj formash dhe mundësish që i krijoi pushteti neokomunist i pseudodemokracisë i pas viteve ’90. Pronarëve të vërtetë në Shqipëri j’u është marrë prona me dhunën e shtetit e mëshiruar në të gjitha ligjet e miratuara për pronën deri më sot në Shqipëri e sidomos me ligjin (antiligj) 7501. Sot pronarët e vërtetë janë shtresa më e varfër, më e përbuzur dhe më e persekutuar e këtij vendi, ndërsa pushtetarët e djeshëm dhe të sotëm mbeten pa më të voglin dyshim shtresa më e privilegjuar apo më mirë e vetprivilegjuar, e cila i ka dhënë të drejtën vetes të grabisë e rrëmbejë çdo gjë që i del përpara, që ka vlerë materiale dhe monetare. Ata kanë grabitur e po grabisin pa ndrojë gjithçka që ishte dhe është krijuar me mundin, djersën dhe gjakun e një populli të tërë. Ata nën ngasjen e pangopësisë perverse të zullumqarëve pa cak rrëmbyen dhe grabitën dhe pronën më të madhe fizike që kishte shteti shqipëtar, tokën në pronësi të shetit e cila e kalonte masën e 52 % të sasisë së tokës në Shqipëri. Mijëra njerëz janë vrarë në Shqipëri për pronën, e mijëra të tjerë do të vriten akoma në të ardhmen, por kjo nuk i shqetëson fare pushtetlënësit dhe pushtetmbajtësit shqipëtarë ( në qoftë se ata e meritojnë të quhen të tillë ), mjafton që ata të shijojnë pa u shqetësuar pronat e grabitura e të rrëmbyera. O At i Shënjtë ! A nuk është ky paradoksi më makabër i kohës që jetojmë, i pseudodemokracisë shqipëtare që ata që deri dje s’kishin asnjë kacidhe në xhep dhe as një metër tokë të trashëguar nga të parët e tyre, sot janë bërë zotërit e vërtet të këtij populli dhe këtij vëndi? Mirësëvjen o Papë në atdheun e errësirës për të sjellë pak dritë e për të ndriçuar sadopak shtigjet e ngushta ku zvarritet në grahmat e saj të fundit shpresa për pak drejtësi e dinjitet në këtë vënd e për këtë popull. At i Shenjtë, të gjithë shqipëtarët të presin krahëhapur pa dallim feje, por më shumë të presim me gjithë ngrohtësinë e shpirtit ne viktimat e komunizmit, ish të burgosurit politikë, ish pronarët dhe ish të persekutuarit që dhe sot vazhdojnë të jenë sërish viktima të padrejtësive të mëdha që kanë ndodhur e po ndodhin në këtë vënd. At i Shenjtë, ne të persekutuarit politikë të diktaturës komunisto-enveriste e dimë ç’është urrejtja, sepse kemi qënë vet viktima të një urrejtje çnjerëzore dhe pa shkak e cila s’njihte kurrë ndonjëherë kufij e moral, por ne kurrë nuk iu nënshtruam ndonjëherë ngasjes së saj djallëzore duke dhënë mesazhin e madh dhe aq të nevojshëm për kohën se: Duhet të falim deri në dhimbje për mos të krijuar më dhimbje të tjera. Mirësevjen o At! Ju në vizitën tuaj nuk mund ti shmagni dot takimet me parin politike të këtij vëndi e cila ka në përbërjen e saj edhe banditë e kusar, horra e vrastar, të cilët është e natyrshme që nuk e meritojnë bekimin tënd, përvec mallkimet që duhet të marrin si shpërblim i vonuar për atë që kanë bërë e po bëjnë mbi shqipëtarët e aq shumëvuajrur. O At, lutju Zotit për këtë vënd e për këtë popull që mbi errësirën ku dergjet aktualisht, Ai të dërgojë pak dritë për ta zbuar njëherë e përgjithmon errësirën dhe demonët e saj prej tokës së begatë shqipëtare.

Filed Under: ESSE Tagged With: At i Shenjtë, Fatmir Lamaj, Mirësevjen

PAS 50 VITESH, ME PEDAGOGJIKASIT E SHKODRËS

September 17, 2014 by dgreca

Nga FRROK VUKAJ/
Pedagog, studiues – Tiranë/
Se si po më duket…vallëkaq shpejt kalojnë vitet e dekadat?!
Vocërrakë ishim atëherë, 13-14 vjeç e ndonjëri edhe 15, se shkolla 7-vjecare qe hapur me vonesë në fshatin e tyre. Më se 50 vite më parë, në shtatorin e vitit 1963, u mblodhëm një e nga një nga të katër anët e Shqipërisë, shumica nga Veriu i saj. Ashtu të ndrojtur e të padalë nga fshati, me rroba sa për të thënë, me triko leshi, xhaketa doku e pantallona shajaku, ndonjëri pse jo edhe me opinga llastiku e çorape leshi, u mblodhëm në qytetin verior, në djepin e kulturës, me histori 2500 vjeçare, në qytetin historik të Shkodrës.
Befasitë ishin të bukura e mbresëlënëse, por ana tjetër e medaljes na kujton edhe sot pamje tronditëse: varfëri e tejskajshme, kushte jo të mira jetese, komunikim i rrallë me familjet tona të largëta nëpërmes fletëthirrjeve telefonike 2-3 minutëshe në Postë-Telegrafën e vetme të qytetit, motii ftohtë e i lagësht, dimrat e ashpër, komunikacioni problematik pas të cilit shumica do të udhëtonin në këmbë 2-3 e deri në 8 orë neper rrugë të thepisura, dhomat e mëdha e të ftohta të konviktit me krevate marinari, autoklava primitive që na lante rrobat e pas jave thasët që zbrazeshin në shesh, rreshti i gjatë i konviktorëve me ndërresat e pakta në duarpër t’u larë në banjat publike të qytetit e pamje të tjera që edhe sot më ngjethin mishtë.
Megjithëkëtë nuk u tronditëm, as u thyem. Në zemrat tona kishim zjarr e në sytë tanë dritë e jetë që rrëzëllente. Vitet kaluan e ja ku u mblodhëm me 8 Shtator 2014, pas 50 vitesh, ashtu si dikur. Megjithëse flokëthinjur e paksa të kërrusur, e shpupuritëm hirin e para një gjysmë shekulli e në shpuzën e nxehtë pak e nga pak zbuluam edhe ca thëngjij të pashuar.
Po nga u mblodhëm e nga erdhëm në këtë ditë shtatori?
Takimi i parë u bë në Tiranë para disa vitesh, por sot si një magnet, na tërhoqi Shkodra ku kaluam pjesën më të bukur të rinisë e na dha rrugën e mbarë. Kështu ndodhi edhe 2-3 herë të tjera, por sot malli na ka marrë më shumë se herët e tjera. Shkojmë aty ku kaluam 4 vitet e shkollës së mesme e sytë tanë përloten si të ishim fëmijë. Ish Shkolla Pedagogjike nuk është më. Në themelet e saj e në hapësirat rreth e rrotull, është ngritur një park i bukur e në mes tij shatërvani ujëplotë. Na lehtëson kjo pamje se aty ku prodhohet dije për shekuj lind e rilind jeta. Lulishtet e bukura, drurë e pemë gjithfarësh, kalldrëme e zbukurime, pishat e selvitë e gjata.
Pedonalja që zgjatet deri tek Truma, si një ansambël i bukur. Rektorati i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, godina karakteristike e Bashkisë më se 100 vjeçare, Xhamia me 2 minare e rindërtuar në themelet e hershme pasi u shemb nga regjimi i kohës, Biblioteka “Marin Barleti”me fondin shumë të pasur e të rrallë, por me salla të vogla për kërkesat shumë të mëdha që kanë lexuesit e shumtë. Pjaca e rikonstruktuar nga mjeshtrit më në zë e duarartë që kanë ruajtur trashëgiminë shqiptare, por edhe ndikimin e hershëm Venecian, na lehtësojnë atë dhembje për shkollën tonë të hapur qysh me 1917.
Na nxjerr mallin simotra e saj përballë, Gjimnazi 29 a 28 Nëntori, edhe ky i hapur më 1922 (ama ç’na gjeti edhe me këto data?!).
Kanë ardhur nga Kukësi e Tropoja, Durrësi e Elbasani, Tirana e Kurbini, Lezha e Puka. Nuk i lodhi as rruga, as vitet. Të gjithë pensionistë, por secili me një jetë aktive a në ndonjë punë private. Vetëm Pali nga vendlindja e Gjergj Fishtës na rri pak si me mendje të madhe…vazhdon punën shtetërore.”Jam më i ri se ju, o pensionistë..”
-Mburru edhe 2 muaj o Pal e hajde edhe ti tek ne… e plas e qeshura e gallata.
Ndonjërin nuk e kemi parë qysh atëherë, në mbrëmjen e maturës. Ka ardhur Blerta nga Elbasani, ish/zëvendës drejtoresha e shkollës; kosovari nga Shën Vlashi, Bajram Gashi, për shumë vite drejtor i shkollës së mesme të Bashkuar, edhe unë homologu i tij nga thellësitë e Alpeve; SadriPonari, ish mësues për shumë vite e drejtor në një gjimnaz të Tiranës; kompozitori e muzikanti, udhëheqësi artistik i të njohurit ansambël Mirëdita; Gjergj Kola nga Mërturi i Pukës, për disa kohë pas viteve ’90 nëpunës në Ministrinë e Brendshme.
Nuk mund të harroj dhe nuk mund të lë pa përmendur shokun tim të bankës, ZeqirLushaj, pasardhësi i një shtëpie me emër që ka punuar përveç mësuesisë, dikur me Rininë e Frontin në Tiranë e më vonë emigron në Amerikë. Nuk do të ndodhte ndryshe, ai masoviku dhe patriotii kulluar që gjithë jetën ndërtoi ura bashkëpunimi e komunikimi, patjetër se një ditë do të kthehej përgjithmonë në vendlindjen e tij.
Hyra në këtë pyll të dendur mendimesh me një “sëpatë” të vogël në dorë që nuk di ta përdor edhe aq mirë (stilolapsi). Po a mund t’i përmend dhe t’u vlerësoj të gjithëve meritat dhe kontributet e shumta? Kjo është e pamundur.
Por është e pamundur të mos përmendësh shoqet dhe shokët tanë të nderuar, Lejlanë, Biseren, Sanijen, Havanë, Klementinën, tre Dritat, njëra prej të cilave aktore e nderuar (Drita Nikolla), Lukën, rekordmenen e sportit, Qemalin, Lekën, Halilin, Hanin, Eduartin, Skënderin, Hysenin, Shaqirin nga Tropoja që shijon pa da bukuritë e Shkëlzenit e të Valbonës…
Kanë qenë e janë të mrekullueshëm, të thjeshtë e modestë. Prandaj edhe nuk po i përmend të gjithë.
Takimi në Velipojë ishte i bukur e shumë mbresëlënës. Pas përshëndetjeve të para, kafenë e pimë në plazhin e bukur të shoqëruar nga bashkëshorti i Sanijes, Eljaz Salja, dhe ky pedagogjikas, një brez para nesh. Befasitë nuk na ndahen. Bukuritë e pamjet rreth e rrotull janë mbresëlënëse e nuk mund të përshkruhen. Do të veçojmë atë që ka ndodhur kohët e fundit: Velipoja një perlë e natyrës që është zbukuruar shumë edhe nga dora e njeriut. Ndoshta me pak dhimbje, por për një çështje të madhe… hapësira të mëdha të sistemuara e të gjelbëruara, këndi i lojërave, ndërtimet moderne e tradicionale, rrugë të gjera të mirëmbajtura, lokale shërbimi e mbi të gjitha Pedonalja interesante mbi 8 metër e gjerë që përshkon bregun e detit e ndan Plazhin me Qytetin e sa e sa gjera të tjera.
E dini si po më ngjet ajo pedonalja e gjatë? Si shiriti i kryetarit të komunës Pashk Ujka. Ka kryetar që mbajnë këtë post me dekada, pa ndërtuar asnjë vepër, duke vjedhur e shpërdoruar vit pas viti. Unë vetëm emrin ia di e asnjëherë nuk jam takuar me të, por Pashku meriton përgëzimet dhe fjalët më të mira për këto që ka bërë.
Plasin debatet e batutat, kujtimet e nostalgjitë. Flasin e flasin radhë e pa radhë, me etikë e “pa etikë”, por 50 vitet tona flasin shumë e janë një kontribut i madh në fushën e arsimit. Me respekt përmendim e vlerësojmë edhe pedagogët tanë të nderuar, shumë prej tëcilëve nuk jetojnë.
Ngjante Pedagogjikja si një akademi me ato personalitete që dhanë shumë për arsimin shqiptar, disa prej të cilëve vazhduan karrierën e tyre në universitetin “Luigj Gurakuqi”.
Bisedat nuk mbyllen e plas “sherri” me bijën e Elbasanit, kur fillojë të flasë për Normalen e këtij qyteti. Ashtu siç gjuhen penalltitë, ashtu shtohen edhe argumentet njëri pas tjetrit për moshën e këtyre shkollave me emër, për personalitetet, për vitet kur u hapën. Palët sjellin argumente e kundër-argumente. Blerta përmend vitin 1909, por edhe Shkodranët përmendin disi të lëkundur vitin e hapjes së pedagogjikes “Shejnaze Uka”. Mësuesja nga Elbasani përmend personalitet që shërbyen në atë shkollë, Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Sotir Pecin, Sali Çekën, Hafiz Ibrahim Dalliun, Simon Shuteriqin, etj. Nuk mbeten më pas ata që përmendin personalitetet e pedagogjikes në Shkodër, si Gasper Beltoja, Vehbi Bala,Jup Kastrati, Nuri Abdiu, Shefik e Tomor Osmani, Musa Kraja, Fadil Podgorica, Safet Hoxha, Ded Shala etj. që nuk kanë të sosur.
Si pa dashje sytë i drejtojnë tek unë për të saktësuar vitet kur u hapën këto shkolla. Në përfundim përcaktimet janë të sakta: pas Normales së Bukureshtit që u hap me 1892 ku mësuan edhe 15 djemë shqiptarë, Normalja e Elbasanit është e para shkollë brenda vendit që përgatiti mësues (1909), ndërsa ajo e Shkodrës u hap më 1917 për të përballuar urinë e madhe që kishte Veriu për mësues.
Flasim me pasion e bisedat janë gjithëpërfshirëse. Flasim edhe për letërsinë dhe artin. Dikush përmend edhe shkrimtarët e klasës që kanë botuar dhe vazhdojnë të botojnë vepra të arrira artistike e studime shkencore: Kolec Traboini, Zeqir Lushaj, Frrok Vukaj, Bajram Gashi, etj.
Sekush, në një menyrë apo tjetër, ka kontibuar shumë për afër një gjysmë shekulli e ka cfarë të flasë, por qëndrimi i tyre është modest e vepra e tyre nuk do të harrohet… Ajo do të kujtohet gjatë e do të lërë gjurmë në kujtesën e brezave që do të vijnë. Ky takim i ngrohtë, pas vitesh, na ka humbur edhe sensin e kohës.
Orët e pasdites po i afrohen mbrëmjes e ne duhet të përmbyllim edhe këtë takim shumë mbresëlënës, por me një propozim që miratohet njëzëri: takimi tjetër do të bëhet në 50-vjetorin e maturës… Vendin, kohën dhe veprimtaritë do t’i përcaktojë komisioni i ngritur.
Janë rinuar e nuk njohin vite, planifikojnë e propozojnë takime të tjera pas vitesh e pse jo ,ata më të guximshmit, edhe pas dekadash. Uroj të ndodhë ashtu!

Frrok Vukaj

Filed Under: ESSE Tagged With: E SHKODRËS, Frrok Vukaj, ME PEDAGOGJIKASIT, PAS 50 VITESH

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 543
  • 544
  • 545
  • 546
  • 547
  • …
  • 609
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT