Nga Albert Z. ZHOLI/
Burrë e grua kishin mbi një orë që shihnin, të heshtur, akrepat e orës. Ai rrinte i shtrirë, me këmbën e djathtë të prerë deri mbi gju dhe ajo rrinte në karrige, aty pranë. Kur vinte ndonjë zhurmë nga koridori, ata sytë i mbërthenin te dera. Ora shënonte 23-30. Emanuela, fëmija e vetme, ende nuk ishte kthyer. Në dy-tre muajt e fundit, qyshkur babai kish prerë këmbën, ajo kthehej gjithmonë e më vonë. Pas mbarimit të gjimnazit e ndaloi vazhdimin e shkollës, por edhe punë nuk po kërkonte. Nëna e kish parë disa herë me një rom-grek, një mustaqelli të zi, këmishëlëshuar e gjithmonë në shregullt, siç duken të gjithë romët e botës. Ulërima e motorit “JAMAHA” para shtëpisë dhe ajo pamje e romit mbi motor e tërbonin nënën e Emanuelës. Disa herë i kish bërtitur të bijës, por më kot. Kur ora donte edhe tre minuta të shkonte 24 u dëgjua “ulërima” e motorit. Dy-prindrit u lehtësuan disi, në heshtje dhe sytë akoma nuk ia ndanin derës. Dera u hap dhe vajza hyri pa thënë asnjë fjalë. I pa të dy në sy dhe i dha një qeshje buzës së poshtme.
-Pse më shihni sikur do më hani të gjallë?
-Si u flet kështu prindërve?
-Sikur të jem kriminele, ç’ju kam bërë?
-Ende nuk po e kupton? Në shkollë nuk po shkon, në punë-jo, bredh e nuk mblidhesh në shtëpi…
-Dhe shoqërohesh me një njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me ne-vazhdoi nëna.
-Ai ka para dhe më trajton mirë.
-Si të mos të të trajtojë mirë, ku do gjente një vajzë të tillë?!
-Pse të mos gjejë kur ka para. Me para sot blihet shteti e jo një femër.
Ata pane njëri-tjetrin në sy. Nuk mund të kuptonin logjikën e atyre fjalëve. Ajo fliste me siguri të plotë.
-Po ne kemi tjetër moral moj bijë, ne gjithmonë kemi bërë jetë të qetë e të varfër-dhe fërkoi këmbën e cunguar.
-Atëhere ishte ndryshe jeta, ishte tjetër sistem. Nuk kishte as celular, as vetura, as vila, as xhinse, as banane pa le koka-kola.
-Ne robëtohemi në punë për të të siguruar ti jetën. Babai mbeti sakat për tërë jetën-foli nëna duke lotuar.
-Ç’më kini dhënë?!Ju punoni sa për qeranë e shtëpisë e për të ngrenë, pse kjo është jeta?!
-Por aq janë mundësitë tona, me punë të ndershme nuk mund të vesh miliona.
-Dhe unë nuk duroj dot që shoqet e mia ta jetojnë jetën e unë vetëm të shikoj. Kur më lindët nuk e menduat?!
Babait i erdhi dhoma rrotull. Këto fjalë si mund t’i dëgjonte nga goja e vajzës së tij. U ngrit në të ndenjura dhe i bërtiti:
-Turp, turp të kesh! Nuk e meriton të jesh vajza jonë-dhe pështyu në drejtim të saj.
-Turp për juve që nuk jini të zotë t’i siguroni një jetë normale vajzës së vetme,-foli ajo dhe u ngrit – unë s’kam për të shkelur më në këtë shtëpi. Doli. Burrë e grua mbetën me sytë nga dera…
Ajo derë tashme u dukej si nje bunker hermetik.
ROZI THEOHARI (ÇEKU): NA FLET AQ BUKUR, PER “POTPURI DARDHARE”…
Nga: Prof. Murat Gecaj/
publicist e studiues-Tiranë/
1.Megjithëse nuk është aq e rëndësishme për lexuesit e këtyre radhëve, po tregoj se me autoren e librit të ri, “Potpuri dardhare-Kujtimet e mia nga fëmijaria dhe jeta e shkollës”(Tiranë, 2014), jam njohur këtu e 50 vite më parë. Jemi takuar jorrallë në redaksi revistash e gazetash të kohës, me të cilat ne bashkëpunonim. Atëherë, ajo ishte dhe redaktore e revistës “Shëndeti”. Sigurisht, më pas, jeta na hodhi në udhë të ndryshme dhe ka vite që Rozi Theohari (Çeku) jeton në Boston të Amerikës dhe përsëri unë, në Tiranë.
Po edhe po të mos ishin ato, që shkrova më lart, tani ne na lidhë bashkëpunimi në faqet e Internetit, sidomos “Bota e Re” e korçarëve (ku kam hyrë paksa “ilegalisht”, pasi nuk jam nga ai rreth). Sidomos në vitet e fundit, kemi shkëmbyer e vazhdojmë të shkëmbejmë mesazhe miqësore, por dhe të lexojmë shkrime e krijime të njëri-tjetrit. Kështu, para pak ditëve Rozi më shkroi se kishte lënë për mua një libër të saj, te shtëpia botuese “Email”, e mikut tim të kahershëm, Astrit Muça. Dhe ja, tani këtë libër e kam ndër duar dhe dëshiroj ta shfletojmë së bashku, jo me synimin për të bërë një recension të mirëfilltë.
2.
Ky libër ka gjithësej 500 faqe e format të madh. Atë, Rozi ia ka kushtuar nipit “gjysëmshqiptarit të vogël, Jan Sommer, me dëshirën, shpresën dhe urimin që ta mësojë e ta dojë shqipen dhe vendin e origjinës së gjyshes shqiptare”. Por ajo, një emigrante shqiptare e shekullit të 20-të, përtej Oqeanit Atllantik, në hyrje ka shkruar me dhimbje edhe këto radhë: “Nënat dhe gjyshet tona dardhare u thinjën, duke pritur tërë jetën që t’u ktheheshin shëndosh e mirë bashkëshortët, nga Amerika”. Ndërsa aty autorja ka bërë pak sqarime për lexuesit, duke nënvizuar se: “Nën efektin e kësaj klime, ka rrjedhur edhe ai varg ngjarjesh, ku kam qenë e përfshirë edhe unë, në kohën time, me të cilat në mënyrë figurative i kam emërtuar “potpuri dardhare”. Pasqyrimi i tyre mëton të tregojë jo thjesht jetën e një vajze, por edhe vlerat e gjithanshme natyrore, atdhetare, morale e njerëzore të Dardhës, fshatit tonë të dashur.Janë ato vlera, që përbëjnë magjinë e paparsëritshme të atij këndi të bekuar, në prehër të Moravës”.
Tërë ky libër jetëshkrimor (autobiografik) është ndarë në 40 pjesë e në fund shoqërohet me epilogun e “fjalorthin” dhe me disa letra, nga miq e lexues. Gjithashtu, aty janë vendosur mjaft fotografi, si nga jeta e autores Rozi Theohari dhe e familjarëve tjerë ose miqëve të saj. Faqe pas faqeje, duke sjellë në kujtesë jetën e vet e të familjarëve të sotëm dhe të paraardhëseve, shkruan me frymëzim e pasion, me nderim e krenari të ligjëshme, për çdo gjë të bukur e të mahnitshme të vendit të saj, Dardhës së njohur të Korçës. Se ajo është e ndikuar fuqishëm edhe nga malli e nostalgjia e një emigranteje, tanimë, në një moshë disi të shkuar. Prandaj flet me dhimbje, si për emigracionin e kaluar dhe për atë të ditëve të sotme, duke nënvizuar vargjet e një poezie: “Zgjohen mëngjset e mërgimit,/ me mallin për erën e Moravës…”. Ishte viti 1890, kur u vendosën në Boston e gjetkë në Amerikë, dardharët e parë, si Misto Millona e Dhamo Çeku…Vetë Rozi shkruan me mjaft nostalgji për fshatin e vendlindjes së vet, Dardhën dhe për paraardhësit, deri sa ndalet në ato radhë, kur tregon se aty “u lind një vajzë syzezë”.
Në kujtimet e fëmijërisë kanë mbetur mjaft ngjarje, për të cilat rrëfen Rozi, pas kaq vitesh. Ishin ato vite pushtimsh të huaja e lufte për liri, të cilat sollën edhe shumë dhimbje, lotë e tragjedi për familjet shqiptare. Pastaj përshkruan periudhën e paslufts, gjithashtu e mbushur me ngjarje dhe mjaft probleme jetësore. Ashtu si të gjithë fëmijët, ajo e ruan të pashlyer në kujtesë gjyshen e vet Katerinë, nënën e “babain kapitalist” dhe të afërm tjerë të saj. Dhe erdhi koha, kur ajo e nisi me dëshirë jetën shkollore, në atë vatër drite e diturie, e cila quhej “idhulli i fshatit”. Ato ngjarje të bukura e të paharruara, ndër të cilat ishte dhe takimi me profesorin Spiro Konda, autorja i ka gërshetuar mjeshtërisht me festat e stinëve të vitit dhe ato në shkollë, me fejesa e dasma familjare etj.
Një jetë e re për Rozin ishte fillimi i mësimeve në Gjimnazin “Q.Stafa”të Tiranës, në vjeshtën e vitit 1954. Një ndër kujtimet e paharruara për të, ishte njohja dhe miqësia me këngëtaren e ardhshme, Vaçe Zelën. Pjesë e tyre është dhe fletorja, me kujtimet e viteve në atë shkollë të mesme, por dhe më tej, në Institutin e Lartë Ekonomik, ku u shqua në veprimtaritë me rininë. Sigurisht, jeta e kryeqytetit ishte e mbushur me shumë ngjarje, të cilat ajo i përshkruan me dëshirë e pasion. Megjithatë, kurrë nuk do ta harronte Dardhën e saj të dashur, ku do të kthehej përsëri e përsëri edhe kur, shumë vite më vonë, do të nisej që nga Bostoni i largët, përtej Oqeanit Atllantik…
3.
Në mbyllje të këtij shkrimi të thjeshtë informues, dëshiroj të tregoj diçka përmbledhurazi për autoren e këtij libri, Rozi Theohari (Çeku). Ka nisur të shkuajë, në poezi e prozë dhe të botojë në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, në gazetat e revistat e kohës, si “Drita”, “Hosteni”, “Shqiptarja e Re”, “Fatosi” etj. E prirur në fushën e humorit dhe satirës, botoi disa libra në poezi, si: “Telashe nga emancipimi”(1969), “Në mungesë të gruas sime”(1973) e “Shoku Ndriçim hapi kasafortën”(1977); novelat “Pa diagnozë”(1978) e “Teto Kalina”(1990). Ndërsa në vitin 1987, shkroi skenarin e filmit të njohur, “Familja ime”. Me dëshirë ka shkruar edhe për të vegjëlit, “Ne shkuam pranë babait”-tregime (1971) e “Lule, lule kuqëlon”-vjersha(1978).
Por e pasur është edhe krijimtaria letrare e Rozit, pas vitit 1994, kur emigroi familjarisht në Amerikë. Në Tiranë, kishte studiuar për ekonomi e letërsi dhe atje përfundoi degën “Artet Liberale”, në Lynn-Mass. Duke iu përkushtuar krijimtarisë letrare, shkroi e botoi disa libra të tjerë, në poezi e prozë dhe shqip e anglisht, duke e çuar numrin e tyre në 18, me librin “Kur çelin magnolet, në Boston”, të cilit iu dha Çmimi “Fan Noli”(2012).Por me çmime janë vlerësuar edhe libra të tjerë të mëparshëm, si “Mbi thinja fryn erë”, me Çmimin “Pena e Artë”(2005) etj. Dëshmi e vlerës së librave të kësaj autoreje është fakti, se gjashtë libra të saj ndodhen në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.
Krijuesja e pasionuar Rozi Theohari është dhe një veprimtare e njohur, ndërmjet Bashkësisë Shqiptare në Amerikë; bën pjesë në disa klube të shkrimtarëve amerikanë; shkruan në gazetat shqip-anglisht, “Illyria” e “Dielli”etj. Me këtë rast, e përshëndesim dhe e urojmë përzemërsisht për librin e ri, për të cilin folëm shkurtimisht më lart, si dhe për tërë krijimtarinë e saj të pasur dhe interesante, letrare e publicistike, duke i dëshiruar: Shëndet të mirë, botime të tjera, gëzime dhe lumturi, si për veten e familjen!
Tiranë, gusht 2014
Megalomania kjo korsi e gabuar e rrugës njerëzore
Nga Oralda Lahe/
Njeriu nga natyra është egoist por më e keqja mbetet megalomania. Nuk mund të bëhemi moralistë jemi në një varkë të gjithë. Fatkeqësisht ndjeshmëria më shumë seç duhet të bën të vuash. Njeriu i brishtë, i egër, tinzar, i moralshëm, i pamoralshëm, krenar, i urtë. Ja që ekziston nuk mund ta mohojmë por veset, eh si t’i ndryshojmë. Njerëzit nga vetë natyra priren të kenë ego por kur ajo bëhet pjesë e megalomanisë është e dëmshme. Përpjekja për të realizuar qëllime, dëshira të çon në korsinë e gabuar gjë që dëmton. Në profesionet që kemi apo nga e thënë ndryshe në jetë përballemi me natyra të shumta njerëzore. Nuk besoj se nuk keni takuar të paktën një person të tillë pa përmendur emra por duke u ndalur tek vesi që e shoqëron fenomenin. Çudërisht ky i fund lind bashkë me natyrën njerëzore por dukja më tepër merr një tjetër përcaktim. Të jesh i zoti, i vlerësuar në jetë dhe profesion nuk është asapk e lehtë. Kërkon punë dhe zotësi të bësh sikur je i tillë është thjesht megalomania. Të jesh i vlerësuar nuk nevojitet mburrja apo disa ide që bluhen në kokat tona. Mund të jetë një moment i delirit por është e pafalshme të bëhet lajtmotiv i ditës apo jetës së përditshme. Pushteti i fjalës ka rëndësië por kur ka vetëm mburrje atëherë ka zhvlerësim të saj. Megalomania nuk është asgjë tjetër veçse një ves që shoqëron personat e të gjitha shtresave sociale. Dëshira për të bërë më të mirën mbetet një përpjekje e cila kërkon një mundim të madh drejt rezultatit. Ne njerëzit jemi të tillë, përpiqemi të kemi vlera por gabojmë duke zgjedhur korsinë e gabuar në momentin kur devijojmë nga sjelljet pozitive. Të gjitha veset janë shqetësuese por ekzistojnë dhe nuk mund t’i mohojmë apo zhdukim me anë të fjalëve. Dyzimet e veseve të cilat përbëjnë dhe sinonime në gjuhën shqipe është vështirë t’i ndash, Në këtë diktonomi është vështirë të bësh dallime pasi ndryshimi mbetet vetëm gjuhësor. Në këtë rast nuk na nevojitet niveli dhe analiza gjihësore por vesi i përmendur megalomania. Vetë veset lulëzojnë nuk mund të themi se janë shtuar apo zvogëluar. Janë të pranishme në çdo kohë dhe epokë. Askush nuk i shpëton veseve megjithatë sa të ketë njerëzim do të ekzistojnë. Njerëzit dhe veset bashkëjetojnë nuk shpiken apo largohen. Ekzistojnë kudo me praninë e tyre të shtuar apo disi të zbehur. Tanimë megalomania është një korsi e gabuar e rrugës njerëzore.
Më mirë në birucë, pak bukë – thatë dhe pastaj në Shqipëri…
Nga Albert Z. ZHOLI/
Mora pasaportën te polici i shërbimit dhe u nisa për në shtëpi. Ato dy ditë brenda rajonit të policies më kishin tjetërsuar fare. Koha e verifikimit të dokumentave kishte zgjatur sikur të ishin qindra vetë. Polici që më dha pasaportën, jashtë natyrës së edukates sime, nuk më përshëndeti fare. Doja të fitoja edhe të qindën e sekondës për të qenë jashtë asaj biruce ku ndenja padrejtësisht 48 orë. Sa dola nga porta e policies eca me nxitim pa vënë re se ç’bëhej rreth meje. Desh u përplasa te kthesa e rrugës me një patrullë policie, që kish venë në mes tre djem 20-25 vjeçarë. Njëri prej tyre nuk m’i ndau sytë deri te kthesa. Që ishin shqiptarë nuk kisha mëdyshje, por atë që më shihte nuk e njihja. Me këto mendime mbërrita te stacioni i autobuzëve në “Sintagma.
U ula te stolat e stacionit. Ishte e diel dhe në stacion u gjend vetëm një mesoburrë, i dobët, i parruar e i veshur keq. Shqiptar duhet të jetë-thashë me vete. Hamendja nuk më gënjeu. Në xhepin e këmishës i dilte pasaporta e kuqe, që kish dale jashtë funksionit, por bashkëatdhetari im ndoshta e mbante si relikë apo për ndonjë hall-shqiptari. Rrinte ulur, me shikimin drejt përpara, pa lëvizur as qerpikët.
-Prisni njeri këtu?-e pyeta.
Ai ndenji edhe disa sekonda në atë drejtim pa lëvizur, pastaj me një ngadalsi bezdisëse, foli:
-Jo, pres veten time.
-Më fal por unë nuk lashë të kuptonit se po tallem, ju pyeta njerëzisht.
-Pse unë po tallem?-foli normalisht.
-Por, ja…
-Jo, jo zotëri, nuk po tallem. Po them një të vërtetë: Pres veten time. Nuk e di ku jam, nuk edi kush jam. Ndonjëherë harroj dhe emërin tim. Sa herë kam gjetur punë të rastit, aq emëra të rinj më kanë venë pronarët grekë. Kur harroj kush jam, nxjerr nga xhepi këtë palo pasaportë, që ka dale nga përdorimi. Rrapo Mali më quajnë, he, he(qeshi).
-Punon?
-Kam ditë pa punë. Të kisha punë të vazhdueshme nuk do të kisha kohë të harroja veten time. Papunësia t’i sjell të gjitha: të çburrëron, të verbon, të bën shurdh e ç’nuk të bën… Kam njëzetë e pesë ditë pa punë. Më pushuan se nuk kisha dokumenta. Edhe nga banesa më zbuan se nuk kisha mese të paguaja qeranë. Në Shqipëri, gruaja dhe dy fëmijët presin nga unë, po unë nga kush të pres?!
-Tani ç’do bësh?
-Ç’të bëj? Ditën kërkoj punë te Omonia, natën bredh rrugëve të Athinës të më zerë policia. U dal përpara policëve por ata kthejnë rrugë ose bëjnë sikur nuk më shohin. Më pandejnë për ndonjë drogaxhi. Kësaj ç’i thua. Kur do edhe policët nuk të kapin, kur nuk do, të gjejnë edhe në vrimë të halesë.Mos di ti ndonjë rajon policie?
-Po, tani sapo dola andej. Më mbajtën 48 orë për verifikim dokumentash., – dhe i tregova rajonin.
-Faleminderit, faleminderit shumë, më ke bërë nder. Më mirë në birucë, pak bukë – thatë dhe pastaj në Shqipëri. Të më shohin fëmijtë të paktën, të mos mendojnë ndryshe…
Ipeshkvi i Kosovës Imzot Mark Sopi (1938-2006),një vijues i denjë i traditës për Fe e Atdhe
Nga Tomë Mrijaj*/New York/
Përhapja e krishtërimit në Kosovë, në territorin e Ipeshkvisë Shkup-Prizren, zë fill në kohën apostolike, kur dihen udhëtimet apostolike dhe predikimet e Shën Palit apostull, veçanërisht në qytetet e Evropës Juglindore, përmes rrugëve të njohura të komunikacionit e të tregtisë në botën ilire-romako-greke, siç ishin: Heraklea, Linkestris, Nikea, Stobi, Scupi, Ulpiana…
Në Koncilin Ekumenik të Nicesë (Nicaenum viti 325 mbas Krishtit) i gjejmë ipeshkvijtë e Dardanisë: Budin nga Stobi (Budius Stubiensis – tani Pusto Gradsko) dhe Dakën e Dardanisë (Dacus Dardaniae), metropolit i provincave të Dardanisë deri në Naissus (Nishin e sotëm në Serbi) dhe Veles (në Maqedoni, sikurse shkruan studiuesi Dr. Don Shan Zefi.
Kisha katolike shqiptare në Kosovë, si institucion i organizuar (ndër të parët në Evropë), gjatë shekujve, ka ndikuar, në mënyrë vendimtare, për të ruajtur identitetin tonë kombëtarë, kulturorë dhe fetarë.
Kësisoj nga gjiri i Kishës, kanë dalë klerikë dhe prelatë të merituar kishtarë, shkrimtarë dhe veprimtarë të mëdhenj, të cilët, kanë rrezikuar jetën për t’u çliruar nga zgjedha e huaj, si: Pjetër Budi, Llukë e Pjetër Bogdani, T. Raspasori, G. Krasniqi, Shtjefen Gjeçovi, Gjon Nikollë Kazazi, Don Ndue Bytyçi, Dr. Don Gaspër Gjini etj.
Studiuesi bashkëkohorë Prof. Isak Ahmeti, ndër të tjera vlerëson, se: “Klerikët dhe prelatët e Kosovës, jo vetëm, që përhapën fjalën e Krishtit në gjuhën shqipe, por kur e kërkoj detyra e Atdheut, si: Don Gjon Bisaku, Don Shtjefen Kurti, dhe Don Luigj Gashi e ngritën me ndërgjegje të plotë zërin e tyre të fuqishëm, për të drejtat e shqiptarëve, deri te Lidhja e Kombeve në Gjenevë (5 maj 1930).”
Të freskët nga nëna histori, kemi edhe kujtimin e paharruar të shumë klerikëve të tjerë të tokës së Dardanisë, si: At Lorenc Mazreku O.F.M., Don Anton Zogaj, At Pal Dodaj O.F.M., At Klement Miraj O.F.M., At Bonaventure Gjeçaj O.F.M., Dom Mikel Tarabulluzi, At Luigj Palaj O.F.M., Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi dhe shumë të tjerë, që ende jetojnë dhe veprojnë me përkushtim për Fe e Atdhe, sikurse janë: Don Anton Kçira, Dr. Don Lush Gjergji, Dr. Don Shan Zefi, Dr. Don Nikë Ukgjini, Dr. Don Prekë Lazri etj.
Trualli i begatë, ku lindi e u rrit me dashuri për Fe-Atdhe-Përparim Imzot Mark Sopi
“Nëse Kisha nuk ka fryte, do të thotë se nuk jeton, se nuk ka dashuri; nëse s’ka të rinj, të gatshëm t’i kushtohen plotësisht Zotit, do të thotë se në atë Kishë, ka diçka që s’shkon”.
E Lumja Nënë Tereza (1910-1997)
Treva e Karadakut, ndër shekuj ka nxjerrë martirë të Fesë dhe Atdheut. Studiues dhe hulumtues të shumtë, i kanë kushtuar shumë rëndësi studimeve dhe veprave të shkruara, mbi kalvarin e gjatë të vuajtjeve të shqiptarëve të thjeshtë, por të pathyeshëm, për idealet e tyre të shqiptarisë dhe besimit katolik, në katër katunde të Malësisë së Karadakut, si: Stubllës, Vërnakollës, Binçës dhe Terziajve.
Sot të gjithë e dimë rrugën e mundimshme të popullit shqiptar, i cili, është keqtrajtuar barbarisht nga Perandoria mizore Otomane, duke i dëbuar nga trojet e veta stërgjyshore.
Këtë mbijetësë ndër shekuj të shqiptarëve e dëshmojnë edhe arkivat ndërkombëtare si në: Vienë, Paris, Romë, Vatikan, Stamboll, Selanik, Raguzë, etj., dhe arkivat e Kosovës, në: Prizren, Letnicë, Stubëll etj.
Vetëm nga familja Sopi, kanë dalur kohët e fundit një numër i madh meshtarësh, që ia kanë përkushtuar jetën e tyre Zotit dhe grigjës së Tij.
Hulumtuesi bashkëkohorë Marjan Sebaj Sopi, shkruan: “Kjo bashkësi famullitare, ka dhënë shumë thirrje meshtarake dhe rregulltare. Rrugën e dashurisë dhe flijimit, për të mirë të vëllait dhe motrës e ndjekën njëri mbas tjetrit edhe shumë të tjerë, si i ndjeri Ipeshkvi Imzot Mark Sopi (1938-2006), Don Damjan Kurti (1937-2014), i cili shërbeu në Durrës, Don Franë Sopi (Pejë), Don Viktor Sopi (Ferizaj dhe drejtor i Caritas-it kombëtar të Kosovës), Don Lenc Sopi (Klinë), Don Lush Sopi (Novosellë), Dr. Don Mikel Sopi, Don Marjan Marku (Zvicër), Don Tomë Pjetri (Mali Zi), Don David Andreiq (Kroaci), Don Igzidor Llukiqi (Selezian, Prishtinë), Don Herbert Berisha (Durrës, Shqipëri) At Shtjefen Doda, jezuit (Kroaci).
Po ashtu, nga kjo famulli kanë marrë thirrjen shenjte rreth 30 murgesha, prej të cilave 14 janë “Bijat e Dashurisë Hyjnore”, 3 françeskane, 3 të Shën Filip Nerit, 2 të Shën Vinçencit dhe 2 baziliane, të cilat shërbejnë nëpër të gjitha viset shqiptare dhe në shumë shtete tjera evropiane. Madje edhe jashtë kontinentit si në Amerikë e gjetiu.”
Sipas burimeve të pasura historike, mësojmë se meshtari i parë nga ky fshat, ishte biri i kësaj famullie (Binçë, treva e Karadakut), i persekutuar në Anadoll (Turqi). Të njëjtin persekutim nga otomanët e përjetuan asokohe krahas meshtarit katolik Don Mark Sopi (1838-1888) edhe disa motra nderi nga familja Sopi, të cilat, shërbyen dhe shkrinë jetën e tyre në shërbim të Zotit, anë e mbarë botës.
Nga hulumtimet historike, mësojmë se ato ishin rregulltare të motrave të Shën Vinçencit, si: Motër Juliana Sopi (1866-1891), Motër Suzana Sopi (1868), Motër Dominika Sopi, (1864-1890), Motër Agata Sopi (1875-1924), Motër Elizabeta Sopi (1878-1967), Motër Elizabeta Sopi (1878-1940), Motër Marta (Magdalena) Sopi(1888-1969).
Fatkeqësisht, deri më tani, fati i motrave të nderit, pra jeta dhe veprimtaria e tyre është ende e pazbardhur.
Fëmija i brishtë, që në ditën e pagëzimit do të marrë emërin e dashur Mark, lindi në Binçë, komuna e Vitisë së Kosovës, më 26 shkurt 1938, në një familje të madhe patriarkale, fetare e bujare, pasardhëse e “Martirëve të Karadakut (1846-1848)”.
Është interesant fakti, se ripërtritja e brezave në fe dhe atdhe, ka përputhje dhe përsëritet në familjen Sopi, me të njëjtin emër dhe shërbim plot devocion meshtarak edhe mbas 100 vjetëve. Kështu, paraardhësi i kësaj familje Don Mark Sopi i Parë, lindi në vitin 1838, ndërsa pasardhësi i tij, me të njëjtin emër dhe mbiemër Don Mark Sopi i Ri, do të lind mbas 1 shekulli, në vitin 1938 dhe ka të njëjtin vit lindje me paraardhësin po meshtarë të familjes së madhe Sopi…
Familja e tij, vogëlushin e brishtë Markun, qysh nga fëmijëria dhe më vonë në rini e kishin edukuar dhe frymëzuar nën dritën e atdhedashurisë dhe respektit të thellë për fenë e të parëve krenarë të krishterë.
Pas shkollimit fillestar në Viti, gjimnazin klasik e kreu në Pazin të Kroacisë, pastaj studimet filozofike e teologjike në Zagreb e në Romë.
Don Marku i Ri, shugurohet meshtar më 29 qershor 1968 në Romë (Itali). Ai me gëzim dhe përkushtim thotë meshën e parë në vendlindje (Binçë).
Duke hulumtuar faqet e ndritura të historisë së lavdishme të Kishës katolike në Dardani, shohim se Don Dedë Ramaj (famullitari i Stubllës në Binçë), në fjalën e rastit gjatë drekës përgëzuese të shugrumit të të riut si meshtarë asokohe, kishte thënë:
“Mos harro biri i kujt je! Ju sëpari, jeni i biri Zotit, pastaj i Kishës sonë martire, pasardhës i atyre prelatëve të shquar martir, i bashkësisë famullitare e i familjes tuaj shumë të nderuar…
Duke nderuar të parët tanë, ju keni një shembull të shkëlqyer të meshtarit të parë pararendës nga ky fshat, i cili, barbarisht (për bindjet e tij fetare dhe atdhetare), është persekutuar në Anadoll (Turqi). Kështu, Don Mark Sopi (1838-1888), kishte të nëjtin emër dhe mbiemër, sikurse e mbani ju sot, në nder të pararendësit tuaj. I dashtun Don Mark Sopi i Ri, ju e mbani me nder dhe krenari sot këtë emër të lavdishëm.”
Dhe ashtu ndodhi. Mbas shumë dekadave, do të shohim, se Imzot Sopi e mbajti dhe e vijoi me nder rrugën e lavdishme të Kishës sonë ndër shekuj.
Ai, nisi të punonte me pasion dhe dashuri të veçantë, në përkushtim të grigjës dhe shtëpisë së Zotit, duke e përhapur pa u lodhur Fjalën e Hyjit, në çdo zemër shqiptari.
Don Mark Sopi, për pesë vjet shërbeu si famullitar në Ferizaj dhe njëkohsisht si sekretar i Ipeshkvit Shkup-Prizren Imzot Nikë Prelës (1918-1996).
Mbas themelimit të revistës kulturore-fetare “DRITA” (1970) në Ferizaj, Dom Marku, iu bashkua me zemër intelektualëve të rinj shqiptarë, për rizgjimin e ndërgjegjës së vetëdijës kulturore të popullit shqiptar.
Më vonë, në vitin 1981, në kohën e demonstratave të shqiptarëve në Kosovë, mes miqve dhe shokëve, ngriti zërin në mbrojtje të minatorëve të Trepçës.
Në vitin 1974, ai u emërua famullitar në fshatin Zllakuqan, pranë Kishën së Shën Gjon Pagëzuesit të vendlidjes time në Klinë.
Prej vitit 1974 deri në vitin 1991, në Zllakuqan e në rrethinë, bëri shërbime të shumëfishta, ndër të cilat duhet theksuar organizimin e jetës baritore, ndërtimin e kishave, kapelave, meremetimin e kishës amë në Zllakuqan, përgatitjen për themelimin e dy famullive kishtare të reja: në Klinës dhe Budisalc.
Si aktiv ishte pjesëmarrës e prijës shpirtëror edhe në pajtimet e gjaqeve, gjatë viteve 1990, bamirës dhe i dhembshur, për të mjerë dhe të varfër, këshilltar për të pasigurtët, ngushëllues për të pikëlluarit, udhëheqës për të pavendosurit, me një fjalë vëlla apo gjithçka.
Ajo që bie në sy, është se (në fshatin Zllakuqan), gjatë 17 vjetëve, që ishte famullitar, sikurse me kujtohet mua Imzot Sopi, ishte një meshtar elegant, i hijshëm, fjalëpak e punë shumë, një njeri i thjeshtë, i dashur, bujarë, mikpritës, dëgjonte dhe respektonte mendimin e të gjithëve, pa paragjykime dhe shumë komunikues e fjalë ëmbël, me njerëzit në çdo kohë dhe rrethanë.
Edhe populli pa dallim feje, krahine dhe ideje e ka dashur dhe respektuar gjithnjë si një atdhetar të përkushtuar dhe meshtarë, me një kulturë të gjerë dhe të thellë, për shumë tema dhe çështje të trojeve etnike.
Imzot Sopi, kishte një pasion dhe dhunti të veçantë për publicistikën bashkëkohore, si bashkëpunëtor i zellshëm në shumë organe të shtypit fetarë dhe kulturorë, në të gjithë trojet shqiptare dhe diasporë.
Kudo dhe shpesh, mund të lexosh në larminë e faqeve të gazetave dhe revistave artikuj interesant, me nënshkrimin e tij. E tillë është edhe revista fetaro-kulturore “Drita”, që botohet edhe sot.
Kur ai filloi misionin si meshtarë në Durrës, themeloi dhe drejtoj në qytetin e lashtë bregdetarë të Durrësit revistën kulturore-fetare “Vegime Drite”.
I veçantë me stilin e shkrimeve të tij dhe shumë pikant në temat e larmishme që trajtoi, mbeti Ipeshkëvi ynë edhe në botimin e vëllimeve të bukura narrative, me titull kuptimplotë: “Baca Kolë dhe famullitari” (1995), apo përkujdesi i treguar, në botimin e veprave të autorëve të tjerë, si: “Martirët e Karadakut” (1996), “Koncilët ekumenike” (2000), “Shën Luçia” (2001) etj.
Shkëlqësia e Tij Imzot Mark Sopi, fill pas rënies së diktaturës komuniste më mizore në Shqipëri, sëbashku me Don Damjan Kurtin, shkuan në Durrës si misionar, për të ndihmuar dhe shërbyer në Kishën e përsekutuar egërsisht nga gjenocidi komunisto-ateist, duke qenë më pranë popullit të lodhur nga vuajtjet, për të përcjellë me kujdes, durim dhe dashuri Fjalën Zotit.
Shqipëria, asokohe po dilte nga nata e gjatë e sketerrës komuniste. Për më tepër, atdheu ynë amë, kishte nevoj për gjithçka, por mbi të gjitha për ngrohtësinë e Fjalës së Zotit, duke dëshmuar kështu dashurinë vëllazërore dhe përkushtimin shembullor ndaj misionin të Tij të dyanshëm: atdhetarë dhe meshtarak.
Më 23 nëntor 1995 Imzot Mark Sopi, u emërua Ipeshkëv i Kosovës. Shugurimin ipeshkvnor e merr nga Papa Gjon Pali II, sëbashku me 13 ipeshkvij të tjerë nga mbarë bota.
Këtë post të lartë ai e trashëgoi nga Ipeshkëvi Imzot Nikë Prela. Për shkak të rrethanave, që ekzistonin në atë kohë në Kosovë, Imzot Mark Sopi, është shuguruar në Romë, në janar të vitit 1996, post ky në të cilin ai ka shërbyer për dhjetë vjet me radhë.
Imzot Mark Sopi e mori udhëheqjen e Kishës katolike në Kosovë me seli në Prizren më 18 shkurt 1996 dhe e udhëhoqi me devocion shembullor deri në kalimin e tij në amshim, më 11 janar 2006.
Duhet kujtuar, se Imzot Mark Sopi e drejtoj Kishës katolike të Kosovës, para luftës së vitit 1999 me guxim, duke u ndeshur mes shumë rreziqeve, pasigurie, duke mbrojtur me stoicizëm të gjithë komunitetin katolik dhe popullin shqiptar pa dallim feje, krahine, ideje nga rrebeshet e dhunës çnjerëzore serbo-sllave.
Para, gjatë e pas luftës në Kosovë, Imzot Mark Sopi si bari i grigjës së vet dhe gjithë shqiptarëve pa dallim, të cilët nuk kishin mbrojtje, përkrahje, liri, dinjitet, gjatë dhjetë viteve si kryebari u gjend kudo, ku lypej dhe kërkohej, sidomos në takime me vendorët dhe ndërkombtarët. Ai ishte gjithnjë i gatshëm për të dëgjuar, kërkuar dhe punuar për të mirën e popullit të tij.
Më konkretisht, Imzot Sopi, ishte shumë aktiv për çështjen e Kosovës, në përputhje me idetë dhe qëllimin e mirë të miqve të mëdhenj të popullit tonë.
Kështu administrata e Presidentit George W. Bush, me kohë kishte planifikuar të punoj me diplomacinë e huaj në mënyrë aktive, për dhënien e statusit të Kosovës, ashtu sikurse shkruante edhe gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post” e datës 17 maj 2005.
Për t’u njohur më mirë më problemt e brendshme të shtetit të ri të Kosovës, Mons Sopi, ftohet në Amerikë, sëbashku me biografin e shquar të Të Lumes Nënë Tereza Dr. Don Lush Gjergjin, (në Washington D.C., më 18 Maj 2005, shënimi im T.M.), për të dëshmuar para Kongresit Amerikan.
Ai, do të theksoj:
“Ne, do të bazohemi në realitetin kosovar në veçanti, duke i treguar botës, se ata që duan të njohin të vërtetën tonë, duhej ta dine, se në Kosovë nuk ka vetëm shqiptarë muslimanë, ortodoks serb e malazias, por ka edhe katolikë. Kisha Katolike, ka Ipeshkvinë e vet, meshtarët, murgeshat dhe besimtarët.
Dihet se Atdheu im, ka një popullsi me moshë të re, që arrin deri në 60%, të cilët janë nën moshën 30 vjeçare. Ata kanë nevoj sot për një të ardhme më të mirë dhe të sigurtë. Proceset demokratike në Kosovë, duhet të shpejtohen, duke hartuar ligje, që i vlejnë më së miri vendit tonë.
Pavarësia, është mënyra më e mirë për popullin tim. Ajo nuk kërcënon askend, por do të sjell paqe, për të gjithë Ballkanin. Kjo do të sjellë një kontribut të rëndësishëm, për të gjithë fqinjët dhe rajonin.
Ne, jemi pjesë përbërese e kompleksit Ballkanik dhe pa u shëruar kjo plagë e konflikteve të shteteve tona, me siguri Gadishulli ynë, nuk do të marrë frymë lehtësisht.
Edhe pse në Kosovë, përqindja më e madhe e besimtarëve është islame, kjo asnjëherë nuk na ka penguar dje dhe sot dhe se nuk do të na pengojë as në të ardhmen, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta, mbasi jemi një popull, me një gjak dhe gjuhë, kemi një histori, një traditë etj., por edhe synimet i kemi të njëjta.
Ne, si Kishë Katolike, me meshtarët dhe murgeshat sëbashku, me popullin pa dallim feje dhe krahine, kemi hapur dyert e kishave dhe kuvendeve, ku, kemi strehuar, ushqyer, mjekuar etj., duke i ardhur në ndihmë çdo ditë njerëzve në nevoj.
Ne e kemi ndarë vuajtjen me popullin martir të Kosovës.”
Ndodhesha në vendlindje, për të marrë pjesë si kordinator dhe kumtues, në Simpoziumin e radhës “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike” në Kosovë.
Asokohe Imzot Sopi, më fton të takohemi në zyrën e tij. Zakonisht, në udhëtimet e mia të shpeshta në vendlindje, jam takuar gjithnjë me Imzot Sopin dhe kemi shkëmbyer biseda, me tematikë të ndryshme për Kosovën. E njëjta gjë, ka ndodhur edhe kur Ipeshkvi i Kosovës Mons Sopi, ka ardhur në New York, si mik i veçantë në shtëpinë time.
Ky ishte një takim special nga takimet e tjera. Ai, më ftoi në një bisedë, ku, më pas më tregoi edhe shkakun e ftesës së tij. Gjatë bisedës më tha:
“Sa të mbërrini në Amerikë, ju lutem i thoni Don Anton Kçirës, që brenda mundesive të përgatisë disa takime në Departamentin e Shtetit, me kongresistë dhe senator amerikanë, që e kanë ndihmuar nga afër gjithnjë çështjen shqiptare.
I dashtur Tomë, mendoj, se po bëhet një padrejtësi, duke u munduar të përbaltet lufta dhe krahu ushtarak i popullit të Kosovës, bijtë e së cilës mbrojtën me vendosmëri pragun e derës… Një prej luftëtarëve tanë trima dhe liridashës është Kryeministri dhe komandanti i UÇK-së Ramush Haradinaj…”
Mbas disa kohe, vjen në Amerikë Ipeshkvi i Kosovës Imzot Mark Sopi, i cili, sëbashku me patriotin e palodhur të çështjes kombëtare Don Anton Kçirën takohen me disa nga senator dhe kongresistë amerikanë për çështjen Haradinaj…
Falë punës së madhe dhe të palodhur të Imzot Sopit, Kisha Katolike në Kosovë, u bë gjithnjë më e njohur dhe e pranishme në hapësirat kosovare, sidomos përmes Karitasit, në ndihmë për njerëzit, që ishin goditur nga lufta, duke u ndihmuar në ndërtimin e shtëpive të djegura, shkollave të rrënuara, spitaleve të shkatërruara, rrugëve etj.
Po kështu Ipeshkvi ynë, ishte gjithnjë në kërkim të mundësive të reja, për përfshirjen e Kishës katolike në çështjet shoqërore, kulturore dhe arsimore.
Imzot Sopi, gëzonte autoritet e përkrahje, si në qarqet e larta shtetërore dhe ato kishtare. Ai punoi me përkushtim tërë jetën e tij, për t’i treguar mbarë botës, vlerat dhe vuajtjet e popullit të vet, duke ndihmuar për të mirën e dobinë e kishës dhe popullit shqiptar.
Sot në respekt të misionit të tij dhe dashurisë së madhe për Fe e Atdhe në Kosovë, një grup rinor mban emërin Shoqata Rinore “Imzot Mark Sopi”.
Gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales Katolike “Nënë Tereza” në Prishtinë, më 26 gusht, Presidenti Rugova, tha: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurthemelin e një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptare dhe Nënës së mbarë Njerëzimit: Të Lumturës Nënë Tereza, që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin, duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”.
Gurthemeli i Katedrales u vendos, për nder të 95-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës nga ana e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Washington-it Shkëlqësia e Tij Theodore Edgar McCarrick, në oborrin e gjimnazit.
Katedralja nisi të ndërtohet, në përkujtim të 600-vjetorit të lindjes së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastriotit.
Mons Sopi, ishte një personalitet i madh, që në historinë më të re të Kosovës do të mbahet mend si një burrë i shquar i kombit shqiptar.
E tërë jeta e tij, ishte e përkushtuar Zotit dhe popullit të tij, punoi shumë dhe me përkushtim për Fe e Atdhe, në një kohë shumë të vështirë, apo kohë pa kohë, në të cilën gjindej populli i Kosovës.
Me kontributin dhe punën shumë të suksesëshme, që dha në Ipeshkvinë e Kosovës, të cilën e drejtoi me aftësi dhe përkushtim shembullor dhe për jetësimin e shtetit të ri, Imzot Mark Sopi, u bë personalitet shumë i dashur për të gjithë popullin dhe më gjerë.
Prelati i lartë kishtar shqiptarë, nuk duronte torturat e pushtetit serbë mbi popullin, ku në predikimet e tij në meshë të shenjtë alarmonte institucionet ndërkombëtare, për dhunën sistematike, që ushtronte Serbia mbi Kosovën.
Ai nga Katedralja e Prizrenit, shumë herë u është drejtuar botës së qytetëruar, se shqiptarët nuk ka kush t’i mbroj nga ushtria e egër serbe, që nuk respekton shpirtin e popullit autokton, i cili, është ndër trojet më të vjetra në kontinentin e Evropës.
Mbas një lodhje të gjatë në punët e shumta fetare dhe atdhetare, një ditë pushon se rrahuri zemra e prelatit të lartë të Kishës kaotlike në Kosovë Imzot Mark Sopit.
Kështu më 14 janar Katedralja e Prizrenit dhe oborri i saj ishin mbushur përplot me besimtarë, që kishin ardhur ta përcjellin bariun e mësuesin shpirtërorë për në banesën e përjetshme.
Pas meshës së dritës të gjithë të bashkuar në lutje, për shpirtin e të ndjerit e duke ngushëlluar njëri-tjetrin, u nisën drejt qendrës së qytetit të Prizrenit, për të vazhduar në fshatin e lindjes së tij në Binçë, ku, dhe u bë varrimi i prelatit.
Me rastin e ndërrimit të jetës të Imzot Mark Sopi, një zyrtar i huaj në Kosovë, z. Lari Rosin përveç fjalëve ngushëlluese që i shprehu familjes Sopi dhe Kishës Katolike e mbarë popullit të Kosovës, tha:
“Popull i nderuar ju keni humbur një lider të zgjuar shpirtërorë, dhe ne kemi humbur një këshilltar të zgjuar, për çështjen e Kosovës…
Ne, çmojmë shumë kontributin e tij, që ka dhënë për Kosovën dhe për Kishën Katolike shqiptare, e kryesisht për jetësimin e planit për Katedralen e Kosovës “Nëna Tereza” në Prishtinë.”
Me dashurinë, ndaj popullit dhe me aftësinë e madhe të treguar, Mons Mark Sopi ishte mik i madh i Presidentit Dr. Ibrahim Rugovës, dhe shumë burrave tjerë të njohur ndërkombëtarë.
Ai gjithmonë për zemër, kishte popullin shqiptarë të Kosovës, të cilin e kishte parë nën dhunë e torturime, ku me tërë fuqinë e tij intelektuale e fetare e kishte ndihmuar me shumë sukses, që tani i tërë populli, me një purkushtim të veqantë e respekton kontributin e tij të pamohueshëm dhe e radhitë ndër burrat më të mdhenj të kombit tonë.
Literatura:
1. Tomë Mrijaj, “Mons Dr. Zef oroshi Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe”, Monografi, New York, 2009
2. Luigj Sopi Luzi: “Përkujtojmë Imzot Mark Sopin”.
3. Marjan Sebaj SOPI, “Të ndjekim shembulline këtyre burrave që vet Zoti i ka dërguar në popullin tonë…”
4. Dr. Don Shan Zefi, “Kisha Katolike në Kosovë, një e vërtetë, që nuk mund të mohohet!”.
5. Prof. Isak Ahmeti, “Historia e Kishes katolike shqiptare ne Kosove”.
6. Dr. Don Gjergj Gjergji Gashi, “Martirët e Karadakut 1846-1848”
7. Marjan Sebaj-Sopi, “Binça, oazë e thirrjeve të shenjta!”
* E dergoi per Diellin autori Tom Mrijaj. Dielli po e riboton edhe pse eshte ky shkrim ne website te tjere.
- « Previous Page
- 1
- …
- 558
- 559
- 560
- 561
- 562
- …
- 613
- Next Page »