• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DENISA CINGARE: VOGËLUSHJA, ME VJERSHAT DHE SKICAT E PARA…

August 12, 2014 by dgreca

Nga Murat Gecaj/
1.Që në fillim, dëshiroj t’u tregoj lexuesve të këtyre radhëve, se është rasti i parë, që po shkruaj për një të afërme timen, megjithëse numri i krijueseve, për të cilat jam shprehur në këta 3-4 vitet e fundit, në shtyp a internet, është mbi 80. Por, e veçanta tjetër, siç po e shihni në foton bashkëngjitur, është se kjo “poete e shkrimtare”, është më e vogla në moshë, për të cilën kam shkruar, gjatë kësaj kohe.
Për ta shuar kurreshtjen tuaj, po u tregoj se kjo vogëlushe krijuese e ka emrin Denisa Cingare dhe banon me familjen në fshatin Bardhaj, të rrethit Shkodër. Sivjet ajo mbaroi aty klasën e shtatë, me mësuese letërsie Mirën dhe është vetëm 13-vjeçare. Përveç takimeve të mëhershme me Denisën, p.sh. në Porto-Romano, ku jetojnë gjyshja Dilë e dajot e saj, ne u takuam bashkë e bëmë foto, gjatë një vizite, atje në shtëpinë e saj, në nëntor të vitit 2012.
Dua të sqaroj këtu se asnjëherë nuk e kam ditur, që ajo shkruan vjersha ose skica letrare. Ndërsa këtë “sekret” ma zbuloi mami i saj dhe mbesa ime, Vera, kur u takuam në qytetin e Shkodrës, mbi një muaj më parë. “Xhaxhi, meqenëse Denisa ka shkuar te gjyshja,-më tha Vera,-ajo ma ka lënë porosi që ta dorëzoj këtë fletetore të saj. Siç do ta shohësh, me shkrimin e vet, në të janë disa vjersha e skica tës thjeshta”. Sigurisht, i shpreha asaj kënaqësinë time, për këtë befasi të këndshme dhe, ja, po i them pak fjalë më poshtë, duke e shfletuar bashkë fletoren e saj shkollore.
2.Tashmë, zakonisht është e natyrshme që krijuesit, që në hapat e parë, t’i shprehin ndjenjat dhe menidmet e tyre përmes vargjeve. Këtë gjë e vërejmë edhe te kjo vogëlushe. Janë gjithësej 41vjersha, me tematikë të larmishme. Është e natyrshme se ajo ka prekur tema, që lidhen më ngusht me jetën e saj, pra me njerëzit e familjes, por edhe që janë disi më të largëta për të.
Vjersha e parë, që ndodhet në këtë fletore (se ajo mund të ketë dhe të tjera dorëshkrim, si këto), e ka titullin “Nëna”. Aty Denisa shprehet me sinqeritin e moshës: “Nënë! Gjëja më e bukur në jetë,/ nënë, gjëja më e vërtetë./ Këshillat e nënës dëgjoji ti,/ që të keshë në jetë plot lumturi”. Por i ka kushtuar vargje shpirti edhe motrës, Xhulianës, që është më e madhe se ajo dhe tani e martuar, në Itali:”Si një pikë uji,/ shëndrit fytyra jote;/ ti, për mua, je bukuria e kësaj bote./ Si rreze dielli shëndrisin flokët e tua,/ si një engjëll je ti, për mua…”.Vargje i ka thuruar edhe lindjes së vajzës së xhazhait, me emrin e bukur, Dorela: “Sytë m’u mbushën me lotë,/ se një kusherirë e imja,/ kishte lindur sot…”. Por, edhe në përgjithësi, ka shkruar për familjen e saj: “Çdo gjë në këtë botë,/ pa familjen është e kotë./Ajo është gjëja më e çmuar,/ që njeriu ka përjetuar”.
E rritur dhe e edukuar në një mjedis me tradita të çmuara, Denisa nuk harron që t’i thurë vjersha Atdheut, Flamurit tonë Kombëtar, Nënë Terezës etj. Ja, si shprehet ajo, me ndjenja krenarie: “Shqipëri, moj Shqipëri,/ ty të don çdo njeri,/ nënë e babë dhe fëmijë”. E, në një tjetër: “Unë e dua shumë Atdheun tim,/ sepse më falë lumturi e gëzim”. Ndërsa më tej: “Jam krenare/ për Flamurin tim Shqiptar./Kuqezi janë ngjyrat e tij…”.
Objekt i vjershave të Denisës është edhe natyra, me bukuritë e larushinë e saj. Këtë e ka shprehur me ndjenja fëminore, në poezitë: ”Natyra”, “Pranvera”, “Dielli”, “Hëna”, “Yjet”, “Lulet”, “Trëndafili”, “Gjethet” etj. Megjithëse në moshë të vogël, ajo gjen rastin që në vargje të tregojë ëndrra e dëshira të saj, te “Jeta”, “Kam dëshirë”, “Shoqëria” etj. Në një vjershë tjetër thotë: “Sa do doja,/diellin ta prek;/ sa do doja/ në hënë të jem./ Sa do doja/ të fluturoja,/ botën lart ta shikoja”.
Natyrshëm, kjo poete e vogël shkruan edhe për jetën e përditëshme, kryesisht atë shkollore. Këtë e pasqyron te “Shkolla”, “Libri” etj. Ja, disa radhë: “Libri është i dobishëm,/ kur atë e vlerëson,/ por ai bëhet më i bukur,/ kur ti atë e lexon”.
3.Numri i skicave ose tregimeve, siç i quan Denisa, është më i vogël se ai i vjershave, pra në fletore janë gjithësej 12 të tilla. Ashtu si në vjershat e saj, tematika e tyre është e ndryshme, por më tëpër vërehet ajo shoqërore. Duke pasqyruar marrëdhëniet, në miqësitë e shoqëritë e veta, trajton lidhjet e sinqerta, që duhet të jenë ndërmjet shoqeve dhe godet cilësi të tilla negative, si cmirën, fyerjen, gënjeshtrën, vetëizolimin etj. Të tilla janë skicat:“Shoqëria dhe urrejtja”,“Gënjeshtra dhe premtimi”,’Telashet e Desjanës” etj.
Por Denisa ka trajtuar edhe tema, disi më të guximshme, sigurisht e ndikuar nga leximi i librave, familjarët ose mësuesja e letërsisë. Për këtë flasin skicat: “Zbulimi i thesarit”, “Ishulli” e “Gara me motor”, por dhe “Këngëtarja Besjana”, “Shkrimtarja Ana”, “Ëndrrat e një vajze”, “Jetimorja dhe Elona” etj.
…Sigurisht, duke i lexuar skicat dhe vjershat e kësaj autoreje të vogël, në to vërehet naiviteti fëminor, cektësia në trajtimin e temës, mungesa e rimës ose pasuria e ngushtë e fjalorit apo e shprehjeve etj. Megjithatë, duhet përshëndetur guximi i saj për t’i shprehur ndjenjat e mendimet e moshës, si në vargje dhe skica të thjeshta. Prandaj, po e nxitim atë, me këto radhë dhe e urojmë Denisa Cingaren për arritje sa më të larta, si në përvetësimin e diturive në shkollë, por dhe shpresojmë që ajo ta vazhdojë udhën e bukur të krijimtarisë letrare!
Tiranë, 12 gusht 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: DENISA CINGARE:, DHE SKICAT E PARA…, ME VJERSHAT, Murat Gecaj, VOGËLUSHJA

MJESHTRI I FOTOGRAFISË ARTISTIKE, ALEX SELIMAJ,DRITË E PASTËR E KOHËS

August 12, 2014 by dgreca

Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.
Mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj i Nokshiqit të Plavës, tashma edhe shqiptaro-amerikan njujorkez, i përket të tretës epokë të udhës të fotografisë shqiptare që daton pas ramjes të Murit të Berlinit, saktësisht, sipas Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, fillton prej nga viti 1991. E gjithë krijimtaria e tij me “dritëshkronja” ka një hark triumfi nga Plavë-Gucia në Nju Jork, krejt dritë, plot rrezatim. Edhe vet jeta e Alex Selimaj prej artisti emblematik, veprimtari kombëtar e qytetari dinjitar është e ndame më dysh në segmente kohore motmotesh pothuaj të njëjtë në mes vendlindjes e mërgimit. Po tashti Alex-i (Aliu) duket se është rikthye pa limit nga Amerika në trevën e vet etnike. Aty, në qytetin e Gucisë, po e ringren moderne kullen e të parëve të vet. Ka ble truall për gjallnim oxhaku e tradite skej rrugës së madhe të Nokshiqit. Po e pasuron fototekën e tij me albume të reja nga vise të vendlindjes. Po e (bashk)ideon mundësinë e hapjes të një bar-restoranti edhe me galeri të pasur me foto historike e të ditës. Ka hap një kurs për mësimin e karatesë fëmijëve në qytetin e Plavës. Etj., etj. Ai gjen kohë për të gjitha këto tue i krye tetana në lartësitë e talentit të vet. Ai, kësisoj, me të tilla përkushtime, përjetime e realitetime ka pse me i prit’ mëngjeset, me iu gëzue diellnimit spektrues të ecunisë e lartësive të tij.
Thënia amerikane “Një foto vlen sa një mijë fjalë” në krijimtarinë e mjeshtrit të madh të fotografisë artistike nokshiqasit, Alex Selimaj, merr kuptim plotor e lartnim përditësor, ka vlerë risore e visarore, gjen vertikalitet e horizontalitet, flet për kontributet e atributet e tij (ndër)kombëtare. Fjalën po e çangi: kush don me dit’ ma tepër e ma mirë për një pjesë sado të pakët nga fototeka e tij e madhe, plot art e dritë, le t’i kqyrin disa nga websajtet e tij: www.alexselimaj.com, www.plaveguci.us (faqehapur edhe në facebook), etj.

Natyrisht, fotot e tij artistike nga Manhattani – “kryeqëndra e botës”, nga Nju Jorku i selisë së OKB-së, nga Uashingtoni i Shtëpisë së Bardhë e i Senatit e Kongresit Amerikan, etj. si ato: Statuja e Lirisë me sfond yjet e natës, vjeshta me mozaikun gjethepërtokë apo dimri me fijatje bore në Central Park të Nju Jorkut, Ura e Brooklynit dhe e Manhatanit, etj. na e paraqitin madhështinë e bukurinë e Amerikës, mike e madhe strategjike e jetike e shqiptarëve.
Sigurisht, fotot e tij artistike me bukuri të rralla natyrore nga Plavë-Gucia janë një ftesë e hapur për turistë shqiptarë e të huaj për të ardhë në kit’ trevë në çdo stinë të vitit. Duket se në kit’ shekullin e ri, veçmas kohët e fundit, mjeshtri Alex Selimaj është ndër të parët e të paktit, (për të mos thanë i vetmi) që e promovon gjithanshmërisht e gjithkah bukuritë e magjishme turistike të vendlindjes së tij në sytë e botës.

Fjala vjen: Vuthajt, si bajrak i dikurshëm apo bashkësi lokale e sotme, si njësi gjeo-fizike territoriale me vrri e bjeshkët truplidhuna e majelarta, me Synin e Sheun e Skavkaçit, me Krojet e Vuthajve, me Gërlen ujëvarore (e dyta në botë me ujërrjedhje të tillë nëntokësore), liqenin e “fshehur” të Shtarës, ringritjen e kalasë së rrënuar të Ali Pashë Gucisë; me një funksionim gjithëvjetor të Qëndres Kulturore e Sportive tek Beglleku, me gjithato vila e kulla të bukura e moderne si kulla e vllaznëve Ahmet e Bashkim Ulaj, vila e Avdyl Dedushajt, kullat e Rexhep e Isa Qosajt, etj., Memoriali i Isuf Kamer Çelajt, ai i martirëve Çung e Isuf Dedushaj, etj., është pothuaj ma e bukur se lugina e Valbonës. Veçse me i ndryshim: lugina e Vuthajt në tanësinë e vet nuk është aq e hapët sa ajo e Valbonës. Përndryshe: Valbona e Vuthajt janë nën një bajrak shqiptar i ndamë rreth njëqind vjet ma herët në dy shtete. Gjithashtu, në Vuthaj ka edhe një mangësi: nuk ‘a pa gati kurrnjiherë me sy e shpirt, me pikësynim perspektiv e përkushtim total, si vend i turizmit alpin edhe gjatë verës e dimrit, i një turizmi të dyfishtë – i gjelbër e i kaltër. Edhe liqeni i Plavës më duket se është ma i bukur se ai i Shkodres, e ma thotë mendja deri në tepri se ia kalon edhe atij të Ohrit, veçse po e shëmtojnë me aneksime e ndertime do’ soj Turkoviçësh malazezianë në të shmajtë e për faj edhe të shqiptarëve e boshnjakëve po e flliqanojnë mbetjet gjithqyshe nga ndotjet mjedisore në skeje e deltina të prurjeve ujore sheu e lumi, që shpesh herë dalin përmbytës prej shtratit të vet.
Gjithkush i sheh në faqe interneti apo gjetkë fotot e mjeshtrit Alex Selimaj me pamje fokusuese e befasuese nga këto madhështi bukurie natyrore të Vuthajt, liqenit të Plavës, etj. e deri në Vermosh të Kelmendit i kënaqet syni, i mbushet mendja e ia don zemra me ardhë nga çdo cep i botës në këto vise të mrekullueshme.

2.
Jeta, ma së shpeshti e ma së forti, është imazh. Ka i’herë edhe imazh me shkëlqim të rremë. Me raste edhe nji imazh i sforcuar, i mangët. Jo rrallë ky imazh, i thirrun si reklamë, merr trajtat e tregtisë, e shpirtnon atë me ose pa të drejtë. Krejt ndryshe nget me mjeshtrin e fotografisë artistike Alex Selimaj. Ai me fotot e tij na e jep një imazh real për të qesh sytë e rrit shpirtin tonë, nji imazh jetësor të realiteteve pamore deri në shfaqje të (pa)dukshme të tyre.
Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Bajram Selimaj është i Vërteti me fotot e tij. Këndi i shikimit për secilën foto është mjaft i gjetur për syrin e tij e objektin e tij fokusues. Në çdo rast është i ndryshëm si në kohë fizike e në pozicion gjeografik.
Thellësia e pamjes në fotot e Alex Selimajt është deri në kufij të pazakontë, tue na zdrit përballë edhe psikologjinë e karakterin e personazheve të galerisë së tij fotografike.
Fotot e Alex Selimaj kanë temperament, mbajnë temperaturën e autorit, mjedisit, tematikës, kohës.
Alex Selimaj i ka pothuaj të gjitha fotot të ndjeshme. Pikturë e gjallë. Flakadojnë frymëzim edhe për poetët, edhe për çobanin. Japin emocione. Mbartin kënaqësi të shumëfishtë. Sjellin çlodhje të qetë. Krijojnë atmosferë të mirë.
I veçanti, mjeshtri Alex Selimaj, si rrallëkush, me fotot e tij hyn pastër tek flatrimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar në “Logu i Bjeshkëve” në Kelmend; tek guri i kullës malësore të Bruno Selimajt në Guci, etj.; tek gjethja e lisit në degë apo tokramje në lartësi të Ropojanit, tek lulja në ujët e liqenit të Plavës; tek lahuta e Januz Delajt në skenën “Alpet Shqiptare, Vuthaj, 2014”; tek peendja e xhubletës në ritmiken e valltares; tek dritërimi i Plavës natën; tek balluket e kalit të shalës në kullosë; tek damarët e gurtë të Majës së Vajzës, etj.
I përkushtuari mjeshtër, Alex Selimaj, e kap foton në ecje, në lartësi, në largësi, tue mat me sy profesionisti e pasion shpirtëror. Në të gjitha format e mënyrat, në çdo stinë të vitit, në çdo orë të ditës e natës kur shkrep aparatin fotografik artno’ foto të mira, të rralla, të pazakonta, të pastra, me dritë.

3.
Alex Selimaj, ky mjeshtër i fotografisë artistike, talent e fenomen artistik i heshtur, me sa di, ka një ide me ecuri mbi dyvjeçare për me e botue nji album me pamjet e jashtëzakonshme nga luginat e Gucisë, e Plavës, e Jasenicës, e Gërbajës, e Komoranit, nga Alpet Shqiptare, nga Bjeshkët e Bekuara. Aty, në faqe të tij, njëmendësisht, mund të hyjnë edhe ngjarje e figura historike të Plavë-Gucisë, tue nistue me gjurmë e gjetje arkeologjike të antikitetit ilir e të mesjetës së vonë, me Luftën e Nokshiqit, Masakrën e Previsë, etj. Ky album mund të pagëzohet “Plavë-Gucia” e të jetësohet për Plavë-Gucinë e Shqiptarinë, për të sotmen e ardhmërinë.
Një ekspozitë fotografike lëvizëse e Alex Selimaj për Plavë-Gucinë e lavdive e bukurive mund të ishte tejet e mirëpritur edhe në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Edhe në Shkodër, Pejë, Prishtinë. Edhe në Podgoricë e Çetinë. Edhe në Shkup e Preshevë. Edhe në Nju Jork. Kudo tjetër.
Dy institucione përkatëse në Malin e Zi: si Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve dhe Ministria për Të Drejtat e Njeriut e Pakicave, munden sigurisht e duhet pashmangshërisht ta kenë projekt të tyre, tekefundja për vitin e ardhshëm, botimin e një Albumi Fotografik apo një Ekspozite Fotografike të mjeshtrit të fotografisë artistike Alex Selimaj. Për këto projekte i plotëson kushtet, po nuk është nga ato personalitete shqiptare që të kushtëzohet nga askush. Ai ka lind e u rrit burrnisht në qytetin e Gucisë deri më 1989 kur emigroi me hapin e së ardhmes në Amerikë dhe tashti, prapë, është rikthye krejt triumf. Ky talent jo vetëm i arteve është edhe shtetas i Malit të Zi. Kështu, kësisoj, nëse nuk i jepet financim për këto dy projekte mjeshtrit Alex Selimaj do të thotë se Mali i Zi nuk e ka kapërcye ofertën e mendësinë shovene të pushtimit e aneksimit të trojeve e asimilit të shqiptarëve etnik nga Krajl Nikolla, që asokohe, në kryevjetin 1879, i shkruante Kongresit antishqiptar të Berlinit që nuk më duhen gja shkrepat e shkreta të Kuçit para pllajave të bukura të Plavë-Gucisë (!)

Artisti talent rrallë Alex Selimaj është një emër që i bën nder kohës, një emër që i nderon rremagenin e Selimajt të Nokshiqit të historisë, krahinën etno-historike-turistike të Plavë-Gucisë, Shqiptarinë kombëtare në Ballkan e në botë. Ai ka botue gjithato foto në gazeta e revista amerikane si “Toch Magazine”, “Teen Magazine”, “Sky Magazine”, “Travel Magazine”, “Neë York Daily Neës”, etj. dhe në ato shqiptare si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Zvicër, Amerikë, etj. si dhe foto dokumentare ilustruese në disa libra të kohëve të fundit.

4.
Sivjet, 175 vjet nga liçensimi prej Akademisë së Shkencave të Francës (1839) i shpikjes fillestare e plotore të fotografisë nga dy francezët Niepce-Daguerre, përndryshe, edhe 155 vjet pas çeljes ma të pares studio fotografike shqiptare ”Marubi” në Shkodër, shenjojmë se Alex Selimaj, pamëdyshje, është një ndër 200 fotografët shqiptarë ma të shquar në tre shekujt e fundit kalendarik të udhës së fotografisë shqiptare. Sigurisht, kjo nuk është e pakët. Në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës, Sanxhak-Tregu i Ri, Greqi, Itali, Amerikë, etj. janë me mijëra fotografë profesional e amatorë.
Ky përcaktim klasifikimi për mjeshtrin Alex Selimaj nuk është apriori apo i rastit, po nji konkluzion i para disa muajve nga një vështrim analitik i udhës së fotografisë shqiptare në tre epokat e saj në tre shekujt e fundit, i personaliteteve të shumta të saj. Këtu, veç tjerash, kam parasysh edhe veprën madhore dorëshkrimore të historianit elitar Shpëtim Sala “Enciklopedi e fotografisë shqiptare 1858-1939”, ku pasqyrohen 500 fotografë shqiptarë profesionistë, shetitës, me studio fotografike nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan e kudo në botë. Gjithashtu kam parasysh botime të studiuesve Qerim Vrioni, të mikut tim – mjeshtrit Besim Fusha, të Ilia Terpinit – Artist i Merituar, etj.
Në periudhën e parë të saj (1858-1944) kemi dinastinë Marubi-Kodheli në Shkodër me Pjetër Marubin (1834-1903) nga Piaçensa e Italisë sëbashku me dy vllaznit zadrimorë si jetëshkurtëri Matia Kodheli (1862-1881) e punëgjati Mikel Kodheli (1870-1940) i mbiquajtur Marubi (Kel Marubi) e Gegë K. Kodheli-Marubi (1909-1984); dy vllaznit fotografë e kineastë Manaqi të pagëzuem si “Lymierët e Ballkanit” si Milto (1882-1964) e Janaqi (1880-1940) që çelën më 1898 studio fotografike në Janinë; Familja Zengo – ndër të cilët prifti ikonografik Jani nga Dardha e Korçës, Kol Idromeno (edhe piktor), Petro Dhimitër-Fotografi, Vani Burda – autor i portretit të Ismail Qemalit, vllaznëve Frashëri, etj., Kristaq Sotiri, Shan Pici, Ymer Bali, vëllezrit Ristani, Rakip Veseli, etj. Në periudhën e dytë (1945-1990) kemi fotografët Mehmet Kallfa, Jani Ristani, Pleurat Sulo, Zamir Miraka, Besim Fusha, Nikolin Pici, Petrit Kumi, Piro Naçe, Niko Xhufka e dhjetra të tjerë.

5.
Mjeshtri i fotografisë artistike, shqiptaro-amerikani Alex Selimaj, është personalitet i disa rekordeve të mëdha, i denjë për të hyrë në enciklopedi shqiptare të kohës, për t’iu jetësuar emri në breza.
Alex Selimaj është njeri i thjeshtë e pikërisht në atë thjeshtësi i rrinë madhështia e emrit dhe e veprës. Atij i qesh syri në aparatin fotografik e në biseda shoqërore me miqtë. Ai është i lexueshëm e i kuptueshëm si vet fotot e tij tejet të veçanta.

Natyrisht pa i dhanë hapët e duke qënë sa ma të saktë, në koft se do të anketonim apo klasifikonim “100 mjeshtrit e fotografisë shqiptare të shek. XXI”, patjetër që emri i mjeshtrit Alex Selimaj do të ishte në dhjetshet e para. Emri i tij i nderuar zenë vend nderi. Puna e tij meritore e kap kit’ meritë elitare. Unë, me bindje të plotë do të thoja se disa nga fotot e tij artistike nga Plavë-Gucia me rrethina, nga Nju Jorku, etj. më përngjasojnë me pikturat e Rembrandtit, Da Viçit, Kol Idromenos etj., po e di se nuk i ka për qejf krahasime të tilla. As ma pak e as ma shumë: Alex Selimaj është vet Alex Selimaj. Ai është vetvetja në realitet e në perspektivë. Mjeshtri Alex Selimaj është një emër i ri e me lartësi në historikun treshekullor të fotografisë mbarëkombëtare shqiptare.

Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në trojet etnike shqiptare nën Malin e Zi atëherit për Alex Selimaj nuk vjen në pyetje as vendi i tretë e as i dyti, po vetëm i pari. Ai është tashma në krye të vendit e të rendit, aq sa meritor edhe përkushtimor.

Në koft se flasim për mjeshtër të fotografisë në Amerikë, ndër shqiptaro-amerikanët e tre shekujve të fundit, doemos Alex Selimaj hyn në dhjetshën e parë, ndër të parët.

Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj e ka stolis me fotot e tij të formateve të mëdha krejt Manifestimin e madh Shqiptar të vitit 2013, përndryshe: Paradën Shqiptare në Nju Jork, organizatore e së cilës ishte Kisha Zoja e Shkodrës në Hartsdale N.Y. me mbështetjen e shoqërisë civile shqiptare në Amerikë, ndër të cilët edhe Fondacioni Plavë-Guci, etj. Makinat e markave e tonazheve të ndryshme ishin veshur me fotot e Alex Selimaj, në të cilat ekspozoheshin foto nga të gjitha trevat shqiptare, etj. Ishte një ekspozitë e hapur në natyrë, në kryeqëndren e botës, në Nju Jorkin që ka ma shumë shqiptarë se çdo shtet tjetër i Amerikës.
I pari i prejkohshëm e ndoshta i përhershëm është Gjon Mili (1904-1984) prej Korçe, i shkuem në Amerikë në vitin 1923, mik i Konicës, për 15 vite fotoreporter i revistës “Life” të Nju Jorkut, i cili përdori për herë të parë fleshin elektronik dhe dritën stroboskopike të shpikura nga prof. Harold Exherton (Edgertton), etj. I dyti, pa mëdyshje, vjen Dhimitër Mborja me fotot e tij nga koha e luftës, të cilat kanë zanë vend rreth 45 mijë foto e diapozitiva në Qëndren Muzeale “Douglas MacArthur” në Norflok dhe në Japoni janë botue dy albume fotografike të tij. Kristaq Sotiri qëndroi në Amerikë mbi dy dekada (1900-1923) ku e mësoi profesionin e fotografit e me talentin e tij ndër vite edhe në Shqipëri krijoi një fototekë më 12 mijë xhama fotografik të cilat ruhen në studion me emrin e tij në Korçë. Në kapërcyell të shek. XXI ka ba emër të madh edhe shqiptaro-amerikani njujorkez Fadil Berisha me origjinë nga Tropoja, i cili ka një spektër të shumanshëm veprimtarie e një galeri tejet të pasur me personazhe emblematike si Bill Klinton, Donald Trump, etj. Në historik hyjnë edhe Perikli Kaçauni, fotografi dardhar që jetoi në Boston të Amerikës, i cila ka lanë trashëgimi të paktën 80 pllaka xhami të fototekës së tij, fotografët George Tamas, Sadri Kortoçi nga Gashi i Gurit të Malësisë së Gjakovës, etj.
Sigurisht, në tre shekujt e fundit, pas mjeshtërve shqiptaro-amerikanë të fotografisë si Mili, Mborja, Sotiri e Berisha, vjen i pesti në rradhë medalioniane Alex Selimaj, një emër që ban historinë e tij në lartësim përditësor në enciklopedinë e fotografisë shqiptare, që kontribuon pa cak si artist atdhetar në lidhjet kulturore shqiptaro-amerikane në dy anët e Atlantikut, që ia rrit vlerat visore vendlindjes e kombit të vet amë.

6.
Qytetari i Gucisë e i Nju Jorkut, mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj, është një nga gjashtë vllaznit e familjes së madhe të fisme e të ndritshme shqiptaro-amerikane Selimaj. Secili ma i mirë se tjetri, të nderuar nga/për të gjithë si Bruno, Nino, Dino, Bali, Besimi, Alex-i. Të gjithë sëbashku shquhen si veprimtarë kombëtarë tue nis tek ma i pari, flamurtari, biznesmeni shqiptaro-amerikan Bruno Selimaj, që ka dhanë kontribute deri në kufij të jashtëzakonshmes për Kosovën e Shqiptarinë, ndaj ACABS në Tiranë i ka akordue Çmimin e madh “Konica”, një çmim me të cilin janë nderue edhe presidentë shtetesh të botës euro-atlantike.
Alex Selimaj është djalosh e personalitet nokshiqas, i visit ligjendar ku u zhvillua Lufta legjendare e Nokshiqit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880), e cila ishte ma e famshme se ajo e Termopileve. Në kit’ Luftën e madhe të Nokshiqit të historisë u luftue kundër 7 krajlive të kohës që në Kongresin e Berlinit kërkonin t’ia jepnin Plavë-Gucinë principatës së Malit të Zi. Në Luftën e Nokshiqit u ngrit për herë të parë në betejë luftarake Flamuri Kombëtar Shqiptar. Lufta e Nokshiqit ishte Parathania e Pavarësisë së Pambyllun të Vlorës të 1912-tës. Nokshiqi nuk pati vetëm luftëra me trimni e heronj me lavdi, po edhe njerëz të shquar të artit e të kulturës mbarëkombëtare shqiptare. Akademiku Esad Mekuli (1916-1993) ishte kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili ka në fondin kombëtar dhjetra vepra me studime, artikuj, poezi, përkthime, etj. U burgos tri herë nga rregjimi sllav jugosllav. Përpos këtij personaliteti formatmadh, vjen në piedestal të kohës një tjetër fuqi e madhe intelektuale prof. Hasan Mekuli (1929-2013), ish pedagog i Universitetit të Prishtinës, ish kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryeredaktor i revistës “Jeta e Re”, studiues e kritik letrar, etj. Në Beograd, në një mbledhje zyrtare, kur ende pati kundërshti për çiljen e Universitetit të Prishtinës u ngrit e bani deklaratën e jehonshme: “Unë dij t’i mbathi opingat kaçake, ende i ruaj ato në tavane kullash…”.

Alex Selimaj është djalosh kombëtar në gene e veprimtari të prejkohshme e të përditshme. Ashtu, disi të pabujshme e fort të dukshme. Ai, për dy vite mandatore (2011-2013), ishte kryetar i zgjedhur i Fondacionit Plavë-Guci me seli në Nju Jork, një institucion kombëtar, humanitar, kulturor, një nga ma aktivët e cilësorët në të gjithë historinë e shoqërisë civile mbarëshqiptare. Tashti kryetar aktual i këtij Fondacioni është Esad Gjonbalaj, me mandat dyvjeçar në përmbyllje. Sigurisht, Alex Selimajt, mjafton t’ia përmendësh kit’ funksion si president i FPG dhe e kie cek e neltë një nga piedestalet e punës së tij. Ai gjatë ushtrimit të kësaj detyre fisnike ishte punëdrejt e bajemirë. Si gjithnjë në hapa të jetës së tij.

Veprimtari kombëtar Alex Selimaj ecë me kohën, i prin asaj. Shembulli ma i plotë e krejt i qartë është pasioni e frytet e punës së tij informatike moderne. E ka dixhitalizue prej vitesh veprimtarinë e FPG duke e hap websajtin tematik e funksional www.fondacioniplaveguci.com. Përveç websajtet që ia cekëm krye shkrimit, para një dekade, kah vitet 2000, e ka çil ndër të parët një websajt krejt të veçantë: www.Kosovasovrane.com, në të cilën flet haptë e flaktë për historinë e kulturën e lashtë e të re shqiptare, e ilustron me harta të hershme e me foto, me dokumenta arkivore e publike, etj.. Kjo i ka dhanë ndihmesë të vyer e të pashlyer Kosovës, Çështjes Kombëtare Shqiptare në Ballkan e në Botë.
Këto ditë gushti takohena për herë të parë ndërveti në qytetin e Gucisë me personalitetin shumëdimensional Alex Selimaj e djalin e tij Jetonin, një trashgimtar i denjë i derës së Selimajve të Nokshiqit. Alex-i ka ardhë në takim miqësor e pune me laptopin e tij, ku i shohim fotot e tij mjeshtërore, të cilat m’i shoqëron me këngë me za të ulët e kur hesht kanga ritmon me dorë apo kambën e tij. E ndjen në shpirt artin e tij. E shfaq sy nesh në një nga klubet e Gucisë. Ai më zbulon edhe një tjetër pasion të tij që nuk e kam ditë kryeherët: kangën. I bie edhe çiftelisë. Ai nuk më thotë gja rreth kësaj vlere të tij, po nuk muj e mshef pasi e pashë në foto e nëse nuk gaboj, diku tjetër edhe në video. Shumkush më thotë se a kanë antar i parë i Shoqërisë Kulturore “Maja e Karafilit” në Plavë-Guci, e cila sëbashku me Shoqatën “Alpet Shqiptare” të Ahmet Gjonbalajt e organizojnë veprimtarinë e përvitshme të 1 gushtit në Vuthaj, e cila ka për nismëtar e kryefjalë Tahir Gjonbalajn, një nga personalitetet e kurorës të krenarisë së krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë.
Pasi e kaluam një paradite gushti tue ndejt bashkë në qytetin e Gucisë Alex Selimaj u largue drejt Nokshiqit, tek trualli i ri i blemë anës rrugës së madhe, ku nuk e di se çka ka me ndërtue, po biznesmeni kombëtar, Shaban Mehaj i Hotit të Plavës më thotë se djemtë e derës së Bajram Selimajt të Nokshiqit janë punëmirë, puna nuk iu ik duarsh, i rrijnë asaj në kambë në çdo situatë. Pak pa u nda me Alex-in foli me dikë në telefon celular për një shkrim rreth mafioziteteve të Podgoricës zyrtare në grabitjen e re të pronave të shqiptarëve të Dolit e të krejt Plavë-Gucisë nepërmjet marifeteve shovene të kadastrimit, tue ua marrë tokat shqiptarëve mërgimtarë që s’janë aty të pranishëm kur kryhen matjet kadastrale,etj. E, me u ndreq ky akt tinzar qeveritar duhen vite bredhjesh nëpër gjyqet malazeze nga Plavë-Gucia në Podgoricë. Ai më sugjeron që edhe unë ta kap penën e ngrej zërin për kit’ çështje me randësi jetike e etnike. Të nesërmen Alex-i ka një tjetër rrugë: ka me shkue në Vermosh (Kelmend) afër Gucisë në veprimtarinë tejet e veçantë “Logu i Bjeshkëve”, ku përzgjidhet “Mis Kelmendi”, etj. Pasnesër Alexi ka me i prit mjeshtrit ndërtimtarë me punue në rikonstruksionin e kullës së tij të Selimaje, një kullë alpine me elementë modern në qytetin e Gucisë. Ku ka me shkue Alex Selimaj pastjetrit…?! Unë e di: atje ku e thërret arti i fotografisë, veprimtaritë shoqërore-kulturore-sportive, ndërtimtaria, albumi me fotografi, kanga, interesat e kombit shqiptar. Ky personalitet ngado ecë në udhët e tij e të kohës është një dritë e pastër e kombit.

Guci, 10 gusht 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: ALEX SELIMAJ, drite, E PASTËR E KOHËS, MJESHTRI I FOTOGRAFISË ARTISTIKE, Ramiz Lushaj

Dashuria është një veprim të cilin ne nuk dimë ta ushtrojmë

August 11, 2014 by dgreca

Nga Aida Dismondy/
Thuhet se e mira dhe e keqja jetojnë brenda njeriut dhe cilëndo që të ushqejmë ajo do të rritet. Si shoqëri, kemi ushqyer më shumë të keqen e kemi harruar ç’do me thënë të jetosh me të mirën. Madje këtë ushqim të së keqes e kemi bërë me revansh, me shfrenim. Kemi ushqyer gjuhën e urrejtjes ndaj vetes e mes vetes, kemi mësu gjuhën e hakmarrjes, gjuhën e te dashurit dikë der diku, der te caku ku ata nuk na lëndojnë pastaj me të na lënduar, cënuar jemi gati me marrë thikën, sopatën, pushkën, pistoletën, gurin ç’ka na del përpara e ma ja heq qafën qafirit a qafires.
Ne kemi mësu e dimë përmendsh der në qelizë si me urrejt atë çfarë është ndryshe nga ne, qoftë ky i gjinisë tjetër, i krahinës tjetër. Ne jemi gati me e ba copash motrën, vllain, gruan, nanën, babën veç për nji fjalë goje, për copë toke, për copë qiell, për copë uji, për fe, për Islam, për dreq e për shejtan. Ne jemi të shpejtë me gjyku po të paaftë për të dëgju, jemi të shpejtë me vra po të paaftë me dasht. Dhe kur shikojmë pastaj përqark kasaphanën që kemi ba mes vete e ndër vete kthehemi e themi na kanë mallku prandaj s’po shofim hajër, të miren. E mallkimi i atij që na ka mallku po bahet realitet.
Por, në fakt si shqiptare i vetmi mallkim që qendron nder ne e mbi kokët tona është se ne nuk kemi mësu me respektu veten, me respektu tjetrin, me respektu jetën që është në secilin prej nesh. Ne nuk kemi mësu ta duam njeriun që qëndron përballë nesh sepse kemi frikë pasi diçka prej njeriut që qëndron përballë nesh ajo gjëja që është ndryshe nga ne do të asgjesojë ekzistencën tonë aty për aty me gjithçka. Ne nuk jemi të sigurtë në vete, nuk e njohim veten tonë ndaj kemi frike nga tjetri. Ne dyshojmë në vete prandaj dyshojmë tjetrin. Gjithkush na e ka me të hedhme, gjithkush na do me na fut thikën pas shpine. Ne kemi mbet me mentalitetin e njeriut të shpellës që nuk ka mësu akoma të pushojë të mendojë, por vepron me
instinkt: “Unë dhemb-Unë sulmoj, unë vras.”
Dhe nuk kemi faj aspak pse sillemi keshtu, s’kemi pasur këend që të na mësojë si me dasht. Kemi përqafu Lekën, Biblën, Kuranin, dreqin, shejtanin, kemi harru njeriun.
Një grua e mençur që doli në mes nesh e i mësoi botes se ç’ka do me thanë me dashtë atë grua nuk e duam ta degjojmë se e para, ështe grua e dyta, “toka po hapet po e dëgjuam e do përfundojmë në ferr (xhenet – për ata që preferojne arabishten)
po mësuam nga mençuria e saj sepse ajo është e krishtere”. Në fakt hapu dhe të futemi prej idiotësisë e makutërisë sonë prej budallallëkut tonë.
përçudnuar që në një anë hypin në podium me na prediku dashurinë e Zotit e nga ana tjetër na shtyjnë në fyt si shukat që iu shtyhen gjelave të detit gjuhën e urrejtjes.
Ata na meësojnë se Zoti asht Zot i dashnisë e i paqes po na thonë që ky Zot/ (Allah : përsëri për ata që preferojnë arabishten) na thotë me urry vllaun, me vra vajzën, me vra gruan, me e ba femrën përgjegjëse për epshet e burrave dhe kërkojnë këtë të mbulohet, por kurrëkund nuk i mësojnë mashkullit të ketë vet-kontroll, supozojnë se mashkulli e ka të drejtë me vepru me instinkt po jo me llogjikë. Këta udhëheqës të kopesë sonë njerëzore e shoqërore na mesojnë se Zoti do të të doje ty po bëre punën Jemi bë si kope dhensh që udhehiqen nga barinj të molepsur, të e Zotit ndërkohe harrojnë të na mesojnë se Zoti na do pavarësisht se ti e bën apo nuk e ben punën e Zotit. Pse? Sepse është Zot i paqes e i dashurisë. Ata harrojnë t’i mësojnë kopesë së tyre se në Kuran 3:31 thuhet “Në qoftë se ti e do Zotin, Zoti do të të dojë dhe do të të falë çdo mëkat.” ( Për ju që doni arabishten “ Në qoftë se e doni Allahun, Allahu do t’ju dojë dhe do t’ju falë çdo gjynah”) Fjala kyçe për ata që dinë të lexojnë këtu është “Në qofte se”. Pra, Zoti nuk e ka bë me kusht me e dashtë Atë, por na ka bë me vullnet të lirë që të zgjedhim ta duam e nëse zgjedhim ta duam atëherë ai do të na dojë e do të na falë. Kjo nuk do të thotë se nuk na ka dasht dhe pa e dasht ne atë. Perkundrazi, të mos na kishte dasht nuk do na kishte prit për ditën kur ta donim ne atë. E nuk kërkon me vënë kend në detyrën e policit të na e shtyjë dashurinë e Zotit/ Allahut me forcë në tru. Por udheheqësit tanë ata që pretendojnë të flasin gjuhën e dashurisë së Zotit e kanë pas ma kollaj me na prediku gjuhën e tyre njerëzore të urrejtjes, të dashurisë me kushte. Të du der sa ti nuk ban diçka që më lëndon mu, të du dersa ti shkon mbas avazit tim, përndryshe të pështyj, të shkel, të vras, te pres.
E tani që kopeja po pret koka tash po habiten si po ndodh kjo se feja nuk mëson dhunë. Te mos çuditemi pse vrasim, pse presim, pse po vrasim brenda vetes pse po vrasim në Siri, në Irak, ne Kosovë, aspak të mos na vijë cudi. Ata që vrasin e
presin janë veç produkt i urrejtjes sonë si shoqëri janë çfarë ne kemi rrit mes vete prej urrejtjes sonë, prej dritshkurtësisë sonë.
Ne kurrë si shoqëri nuk do bajmë përpara nëse ne si shoqëri nuk braktisim urrejtjen e të fillojmë të mësojmë çfarë do me thanë me dasht, me dashtë njeriun edhe pse ai mendon ndryshe nga ne, nga ti, nga unë, ç’ka do me thanë me dashtë njeriun dhe pse ai është i gjinisë tjetër, dhe pse jeta e tij nuk përputhet me jetën që ban ti, dhe pse lekura e tij asht ndryshe nga ajo që të mbulon ty. Ne nuk kemi për të ec përpara pa mësuar të degjojmë për të kuptuar e mësuar, e jo për të degju veç si tjetri na lëndoi në sedër e kështu prej sedrës sonë të shkojme e t’ia marrim jetën. Ne nuk do ecim përpara po nuk mësuam të respektojmë jetën e çdo njeriu si dhuratë që na është dhënë me të drejtë për të na u marrë veç nga Ai që na e dha apo kur të na vije ora me ik kësaj bote. Shkurt, ne nuk do bahemi nëse nuk mësojmë me dashtë e me falë njeriun.
Do të na marrë kohë me fillu me fol një gjuhë të re sepse kemi shekuj që flasim veç me gjuhën e vrasjes, e të urrejtjes e syut për sy, por po nuk filluam mallkimi që ia kemi vanë vetes mbi kokë do të haje veç kokën tonë e të fëmijëve tane. Të mesojme me dashtë me fillu të ushqejmë e të rrisim të mirën.

© Aida Dismondy 11 Gusht, 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Aida Dismondy, Dashuria është një veprim të cilin ne, nuk dimë, ta ushtrojmë

“Onufri “ i Shyqeri Nimanit

August 11, 2014 by dgreca

Nga Fahri XHARRA/
“O shërbestar i Perëndisë… lutu dhe për mua mëkatarin dhe të paditurin, Onufër!’ – varg i Onufrit, protopapë i Neokastrës… Ne ende nuk e njohim Onufrin, (Moikom Zeqo në dy esse parathënëse për Onufrin ka çelur një vijë drite për atë fenomen me emrin Onufër, njëkohshëm me Rilindjen Europiane)… Ende e mbajmë Onufrin në këtë dhomëz arkitekturshëm varfër, por ç’rëndësi ka, Onufri nuk është aty vetëm për kohët e mbrapshta shqiptare, Onufri është aty për gjithëkohen e shpirtit. (Luljeta Dano )
Ishte kjo një shfryerje nga moskënaqësia e individit,kur sheh me hidhërim se si mbyllim të mëdhenjt e kombit dhe të historisë në dhomëz dhe iu “zëmë frymën”.
Duke e lexuar këtë “ revoltë” të mikeshës sime Luljeta Dano , mu kujtua Kosova e
vitit 1987 , kur ne ende guxonim të shkruajmë, mendojmë dhe të lexojmë shqip .
Sa të mëdhenj që ishim, sepse çdo gjë e bukur nga e kaluara jonë na motivonte për atdhe- dashuri dhe çdo gjëje të bukur të historisë sonë i jepnim rëndësi duke iu lënë brezave një porosi “ Mos e harroni , vetvetën “ . Në kuadër të kësaj mbamendjeje është edhe monografia e prof. Shyqeri Nimanit “ Onufri dhe piktorë të tjerë mesjetarë shqiptarë “( Botim i vitit 1987, Rilindja dhe Galeria e Arteve , Prishtinë) . Monument i gjallë i të kaluarës sonë të lavdishme !
Në atë kohë informatat na ishin të cunguara , pak dinim dhe çdo botim me përmbatje historike dhe artistike shqiptare na gjallonte ndjenjat e dashurisë ndaj kombit dhe të krenarisë sonë kombëtare. Thuase e dinim se do të vjen një kohë ( 1990-1999) e errësirës , ku në skenën publike paraqiten sharlatanët , maskarenjtë dhe përfituesit.
Ishte “ Onufri “ i prof. Shyqeri Nimanit , i cili na përkujtoi shumë gjëra të harruara me qëllim, dhe shumë gjëra që duhej ti dinim; që ne shqiptarët ishim bartësit e kulturës në Ballkan dhe autorët e historisë së kësaj pjeseje të madhe të Europës.
“ Onufri i ardhur nga qyteti shumë i shkelqyer Berati “ këshu e fillon spjegimin e tij Shyqeri Nimani ,për kolosin shqiptar beratas të artit të pikturimit kishtar . Mbetem të mahnitur. A kishim ne , kësi njerzë të mëdhenj që i japin vulën shqiptare ortodoksisë ? “Pelegrinazhi im artistik, gjegjësisht udhëtimi im me qëllim studius në Kasori dhe Agia Oros më solli një njohuri të rëndësishme dhe kënaqësi të jashtzakonshme…. Itenerari im së pari shpiente në Kostur (Kastoria). Ky qytet i bukur i cili ngrihet mbi një shpat shkëmbor buzë liqenit me emër të njejtë, është njëri nga lokalitete më të rendësishme të Greqisë Veriore me monumente bizantine e postbizantine si dhe me ndërtime të vjetra, archontica. Në mesin e një konglomerati faltoresh, gjithsejt 38 sosh gjënden edhe dy kisha të rëndësishme të cilat janë me interes për historinë dhe kulturën shqiptare : Agios Athansaios tiu Mouzaki ( Shën Athanasi i Muzakajve) dhe Agioi Apostoloi.,…”
Kisha e Muzakajve u ndërtua nga vëllezërit shqiptar Stoias dhe Theodor Muzaka , më 1384- 1385 ….
Dhe pastaj prof. Nimani e vazhdon përshkrimin ne detaje të kishave të përmendura, pershkrim nga syri i një specialisti. ….dhe vazhdon përshkrimi i detajuar për Kodrën e Shenjt.
Kur flasim për “Onufrin” , nuk guxojmë të harrojmë edhe një “ imtësi “ interesante dhe shumë të vlerëshme që e lexoj në librin e Shyqeri Nimanit :” Në mes tjerash e gjejmë edhe gjeniun e arktikturës së shek.20-të , Le Corbusier ( 1887-1965) , i cili frymëzohet nga shtëpia shqiptare në Strugë për të projektuar një shtëpi familjare në Wiesenhof afër Shtutgartit , më 1927. Europa na e kishte lakminë !.
Po i sjelli disa prafrazime onufriane: “Onufri , i kapluar nga ethet e arta të shqetësimeve po kërkonte frymëzimin për figurën qendrore të vizionit të tij ikonografik Po shfletonte kronikat e kartat , maanuskriptet e kodikët e strukur sa në punishten e tij artistke të Kishës së Shën Kollit në Shpat të Elbasanit, e sa në bibliotekat e kishave të Kalasë së Beratit. Kush mund të ishte shembëllesa më frymëzuese , më e denjë dhe më flakëruese e kompozicionit të tij madhështor? E ndiente se atë duhej kërkuar në retrospektivën historike kronologjike të popullit të vet të lashtë: në mbretërit dhe mbretëreshat ilire Agronin, Teutën , Gentin…. apo në fisin ilir të dasaretëve të Antiptreas- stërgjyshërve të beratasve “ .Ndërkohë i silleshin ndërmend të dhënat antike mbi ilirët nga Homeri, Herodoti, Diodor Sikelioti ,jul qesari , Tit Livi e Pompon Mela. Pastaj i studjonte me kujdes kronikat e periudheve të pricipatave fhe pricëve të shquar shqipëtar: Topiajve, Balshajve, Shpatajve , Arianitëve Muzakajve Zenebishëve , Dukagjinëve , Katriotëve…. Ishte Gjergji i Kastriotëve i quajtur Skënderbe i cili duhej venë në piedestalin ngashnjyes piktural. ai Capitaneus generalis- Komandant i Lidhjes Shqiptare të Kuvendit të Lezhës me ushtrinë dhe garden e tij të pathyeshme- Pretoria cohors . lavdia e të cilit sot e gjithnjë ndritë mbi Europë “ .. Pra një libër i vitit 1987 , në Kosovë.
Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.
Dhe : “Edhe Mitropolit i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Ignati shprehet i shqetësuar për gjendjen në Kosovë, duke mos nguruar ta quajë shtetin e ri, Jeruzalemin e Serbisë.“Tani po e shoh këtë gjendje në Kosovë. Po ndihem i shqetësuar. Ne ortodoksët shqiptarë, kemi ushqyer ndjenja të përbashkëta me popullin dhe kishën serbe gjatë bombardimit, ja edhe tani këtu në Kosovë. Por në të njëjtën kohë ndiej një gëzim dhe kënaqësi të madhe këtu në Patrikanë dhe në Kosovë. Kjo e mirë është për serbët dhe Kishën e tyre, e di dhe po e ndiej Jerusalemin tuaj” u shpreh Mitropoliti Ignati në Pejë . Fjalët nuk harrohen, fjalët e pa matura vrasin..!
Një beratas kishte shkruar :Mitropoliti i Beratit është arvanitas, e flet shqipen e vjetër shumë bukur por duhet ta ket mësuar edhe të renë mirë. …Mendoj që të mos te ngutemi, serbët njihen për shpifje. Për ndryshe, Injacit i duhet këshilla e beratasve të urtë që të mos bjere në gjendje të pakëndshme për ate vetë dhe ne beratasve, pavarësisht nëse jemi myslimanë apo ortodoksë. Nderime! “
Onufrit , udhëtimet, shtegtimet e shumta po ia zgjeronin horizontet për ide të kristalizuara.Përftyrimert rrënqethëse i ringjalleshin kur shkonte nëpër Via Egnatia, që nga Dyrrahi nëpër Apolloni e Thesalini shpiente për Bizant …. kur gjëndej në trojet e përgjakshme të arbërorëve……
:

Filed Under: ESSE Tagged With: Fahri Xharra, i Shyqeri Nimanit, Onufri

VLORA DHE KOSOVA

August 10, 2014 by dgreca

Nga Reshat Kripa/* Gjakovë, 9 gusht 2014/
Dua të filloj këtë kumtesë me një pjesë të letrës që atdhetari, dhe personaliteti i shquar vlonjat, Ago Shero Agaj, e shkroi disa muaj para se të mbyllte sytë:
“O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram, dhe pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjegj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë.”
Ishte dhimbja e thellë që Plaku i Vlorës ndjente për ndarjen e atdheut. Sot, në gjashtëvjetorin e realizimit të ëndrrës shekullore të bijve më të mirë të këtij kombi, shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, dua të them disa fjalë për dy nga bijtë më të shquar të qytetit tonë që kanë kontribuar në arritjen e kësaj dite, që ne përkujtojmë sot. Kanë qenë të shumtë ata burra që morën rrugën e Kosovës për të kontribuar në shkëputjen e saj nga thundra serbe. Por unë sot, për mungesë kohe, do të flas vetëm për dy prej tyre: Ago Agajn dhe Kudret Kokoshin.
Ago Agaj ishte një nacionalist i kulluar, që në rini të tij ëndërronte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ëndërr për të cilën luftoi gjithë jetën. Këtë ia përforcoi edhe më shumë qëndrimi në Kosovë me cilësinë e Prefektit të Mitrovicës. Duke përfituar nga ky rast ai e shfrytëzoi për të vizituar dhe njohur hollësisht këtë vend që e quante “Djepi i Shqiptarizmës”. Atje ai njohu Prizrenin e Lidhjes Shqiptare, Gjakovën e Abdulla Pashë Drenit që zgjodhi vdekjen përpara humbjes së nderit, Plavën dhe Gucinë historike të Ali Pashë Gucisë, Cernalevën dhe Kaçanikun ku shkelqeu heroizmi legjendar i Isa Boletinit dhe Idriz Seferit, mençurine e devotshmërinë deri në vdekje të Hasan Prishtinës, Rugovën e viganëve kokë mbështjelle, si i quajti ai, Drenicën heroike të Azem Galicës. Njohu monumente të lashta të kulturës dhe historisë të atyre trevave, si tyrben e famshme të Ghazi Mestan Pashajt që përpara betejës iu lut Zotit që më parë t’i jepte fitoren dhe pastaj vdekjen si dhe Fushë-Kosovën ku Milloshi legjendar goditi për vdekje Sulltan Muratin e parë. Kështu ai u bë “Kosovari nga Vlora” . U rrit me dashurinë për Kosovën, u burrërua duke punuar për të, dha shpirtin me brengën se a do të vinte dita që ky vend të bashkohej me atdheun nanë? Atij i dhimbte zemra për gjakun e derdhur, për lotët, djersën e atyre që shpëtuan nga vdekja. Ai ishte i mendimit se një Shqipërie të bashkuar nuk do mund t’i kanosej asnjë rrezik pushtimi nga të huajt, se gjokset e pesë ose gjashtë milion shqipëtarëve do të dijnë t’i bëjnë ballë kujtdo. Por ai ishte në pritje të një burri, të një Skënderbeu të ri që do ta kryente këtë bashkim. Ago Agaj shkruante:
“Ai që do të kurorëzojë këtë bashkim do të realizojë themelet e hedhura në Vlorë më 1912 dhe 1920. Ai do të jetë Burri më i madh i historisë shqipëtare.”
Më 17 prill 1941, Mbretëria e Jugosllavisë u pushtua dhe u coptua. Atëherë Xhafer Deva bëri përpjekje të organizonte administratën e Mitrovicës, e cila ruante statusin e “Autonomisë” nën juridiksionin gjerman, me nëpunës kryesisht shqiptarë. Për këtë kërkoi ndihmë nga Tirana. Ndër të parët që erdhën ishte Ago Agaj që u emëruar Prefekt i Mitrovicës. Ai filloi menjëherë shqiptarizimin e administratës. Kryetar gjyqi caktoi Shefqet Shkupin, prokuror Kudret Kokoshin, Komandant xhandërmarie Bajazit Boletinin, djalin e Isa Boletinit e të tjerë. Kishte vetëm disa ditë që kishte mbërritur në Mitrovicë, kur u bë dëshmitar i gjykimit të tre shqiptarëve që akuzoheshin se gjoja kishin vrarë disa ushtarë gjermanë. Duke dëgjuar gjyqin vuri re se përkthyesi nuk përkthente mirë, duke i çoroditur gjykatësit. Atëherë foli gjermanisht:
“Zotnia nuk po përkthen mirë!”
Gjyqtarët e dëgjuan dhe e pyetën se kush ishte. Ai u tregoi dhe shpjegoi gjithçka. Iu lutën që të përkthente ai. Me oratorinë e tij bëri të mundur lirimin e tre shqiptarëve. Në qershor të vitit 1944 u mbajt mbledhja e dytë e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Mbledhja e parë ishte mbajtur më 16 shtator 1943. Ago Agaj ishte delegat i saj. Në këtë mbledhje u zgjodh Komiteti Qendror i Lidhjes së Dytë të Prizrenit me këtë përbërje:Bedri Pejani, kryetar (i dënuar nga gjyqi partizan), Musa Shehzade, nënkryetar (i pushkatuar), Nexhip Basha, Sylejman Akshia, Esat Berisha (i pushkatuar), Mahmut Basha, Rexhë Meta, Ekrem Jegeni, doktor Agolli, Asllan Bolentini dhe Isa Çavolli antarë. Qëllimi i formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ishin përpjekjet e nacionalistëve kosovarë dhe shqiptarëve të atdheut mëmë, për të penguar tradhtinë e komunistëve që bënin pazare për t’ia rikthyer përsëri Kosovën martire padronëve të tyre, serbomëdhenjve. Ago Agaj i ka kushtuar Kosovës dy nga librat e tij: “Milloshi, heroi i Kosovës” dhe “Xhafer Deva – jeta dhe veprimtaria”. Ndërsa në të parën vë në pah kombësinë shqiptare të heroit që vrau sulltan Muratin, në të dytën, siç kuptohet edhe nga titulli, bënë një analizë të hollësishme të atdhetarit dhe antikomunistit të shquar kosovar dhe gjithë Shqipërisë. Ja si shkruan Mexhit Yvejsi për të:
”Isha duke lexuar në bibliotekën e teqesë kur erdhi Baba Rexhebi e më tha me përzemërsi: “Mexhid, të lutem, lëre librin pakëz, eja me mua”. Më muarr për dore dhe zbritëm në kuzhinën e teqesë, ku Ago Agaj ishte duke pirë kafe me Dervish Arshiun e Baba Bajramin, dhe më tha: “Ja, ky është z.Aga Agaj, kosovar nga Vlora”! Të gjithë qeshëm…Atëherë iu drejtue z.Ago duke i thanë: “Ky djalë është Mexhid Yvejsi, nga Gjakova, vendlindja e Baba Bajramit…” Në fillim nuk e kuptova, as që kisha idenë se si mund të quhet një vlonjat kosovar…!Por, brenda ditës, në muhabet e sipër, mësova aq shumë prej tij, sa nuk e përmbledhë anjë enciklopedi…!Në mbrëmje, z.Aga Agaj më dha dorëshkrimin e librit :“Miloshi Heroi i Kosovës” duke më thënë: “Lexojeni e pastaj bisedojmë!” E lexova brenda natës, nuk fjeta tërë natën! Një libër i vogël, por me vlerë të madhe…Të nesërmen ia dorëzova, duke i thënë: “Marsh’Allah! Të ’lumshin duert”! Atëherë, z.Ago më thotë: “Lum qofsh! A keni mundësi me më ndihmue rreth librit, para se ta botoj? Më duhen disa fotografi nga vendi i ngjarjes, ku u zhvillue Beteja e Kosovës”..? “Kjo punë u krye”, – iu përgjigja! U gëzue shumë e më përqafoi fortë! Brenda muajit më erdhën nga Amserdami mbi tridhjetë fotografi në një zarfë, që i kishte fotografue një shokë i imi , atëherë student i drejtësisë në Universitetin e Prishtinës,
Ndërsa më poshtë Mexhit Yvejsi Vazhdon:
Ndërrojmë temën e bisedës. Ago Agaj ka dëshirë t’i rikthehet Kosovës. Si zor të ketë tjetër dëshmitar të gjallë që mund të përshkruajë gjendjen e kësaj treve nën pushtimin gjerman, apo luftërat e Shaban Polluzhës kundër çetnikëve të Drazha Mihajlloviçit. Bashkëbiseduesi ynë ka marrë pjesë vetë në luftë dhe i ka parë me sy tmerret e saj. Ka qenë në krye të administratës së Mitrovicës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Xhafer Devës Desha me këtë rast që edhe juve t’ju rrëfej për trimëritë e kosovarëve kundër serbëve, sidomos të Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Burra të mirë e trima kanë qenë. Kemi luftuar bashkë. Kur unë isha prefekt i Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjermanët erdhën në Kosovë, këta patriotë më erdhën në ndihmë, se Mitrovica nuk mund ta bënte vetë luftën. Ja, edhe këtu i ke në libër, – tha Agaj duke më zgjatur librin “Xhafer Deva – Jeta dhe veprimtaria”. Gjithë veprimtarinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, ai e ka përshkruar me një stil të ngrohtë në disa faqe libri. “Në vjetin 1924, në mbarim të udhëtimit t’im të parë rreth e rrotull, mal më mal e grykë më grykë të Shqipërisë, dolla dhe në majë të malit të Bishtrikut prej ku me dylbi kundrova me mall Kosovën”, fillon shkrimi i tij dhe vazhdon: “Dashurinë për këtë vend m’a kishte mbjellë në shpirt kur isha pothuaj hala fëmijë, Kolë Margjini që m’u bë si vëllaj i math në Vjenë dhe më vonë do të bëhej profesor – martir i shqipëtarizmës në Prizren, viktimë e sllavokomunizmës. Ai dhe Dervish Hima më tregonin dhe trimëritë e luanit të Dardanisë, Isa Boletinit, që ahere ish bërë legjendë e gjallë në tërë Evropën”. Kështu i lindi dashuria Ago Agajt për Kosovën. Kur ajo u bashkua me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë, pjesa më veriore e saj, prefektura e Mitrovicës, kishte mbetur si provincë autonome nën Serbinë. Kjo provincë përfshinte dhe tri nënprefektura: Vushtrrinë, Podujevën dhe Pazarin e Ri me popullsi shumicë shqiptare. Shkaku që ajo ishte shkëputur nga Kosova qenë minierat e pasura të Trepçës, për të cilat Gjermania, sidomos gjatë luftës, kishte nevojë të madhe dhe nuk mund t’i linte në dorën e Italisë që sundonte Shqipërinë bashkë me Kosovën, pas bashkimit të tyre. Autoritetet gjermane, të nxitura energjikisht nga Xhafer Deva, i kishin akorduar kësaj province shqiptare që drejtohej nga Ferhat Draga, Rexhep Mitrovica e Bedri Pejani, një autonomi, e cila ekzistonte në kartë, por nuk ishte vënë asnjëherë në zbatim për shumë arsye. Një nga shkaqet ishte mungesa e elementit shqiptar të përgatitur për administratë. Ago Agaj me një grup specialistësh vullnetarë nga Shqipëria si, veterinerë, doktorë, mësues, nëpunësa finance etj., vendosën të shkonin atje për të ndihmuar në organizimin e prefekturës.
Më 24 dhjetor 1994 në Clearëater të shtetit Florida në Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pushoi së rrahuri zemra e Ago Agajt. U zhvillua një ceremoni funebre madhështore. U mblodhën shqipëtarët nga të gjitha anët e Amerikës, ashtu si ishin mbledhur më 1949 kur përcillnin në banesën e fundit Mit-hat Frashërin, ashtu si kishin ardhur sa herë pushonte së rrahuri zemra e ndonjërit prej atyre që jetën ia kishin kushtuar kombit, por që kombi i kishte harruar në dhe të huaj. Më lejoni që, për të përfunduar me këtë figurë të shquar, të lexoj pak fjalë nga letra që citova në fillim, shkruar disa muaj para se të ndërronte jetë:
“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës time. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë nga kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetëmilionësh dhe askush nga fqinjët keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshëron. Në rast se Kosova, mos e dhëntë zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqet rrezik edhe për Shqipërinë. Pra unë, kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën!” /////////////////
Një figurë tjetër e madhe e qytetit që ka kontribuar në rrugën e gjatë të pavarësisë së Kosovës është edhe ajo juristit, poetit dhe përkthyesit brilant Kudret Kokoshi. Ai i përkiste një familje të njohur qytetare vlonjate, me tradita dhe kontribut të shkëlqyer në tastierën e historisë kombëtare shqiptare., duke arritur majën më të lartë me përfaqësuesin më në zë të saj, firmëtarin e aktit të pavarësisë më 1912, njërin nga udhëheqësit e Luftës së Vlorës më 1920, nacionalistin e shquar, mbyllur sytë i dënuar nga komunistët, në burgun e Vlorës më 1946, Qazim Kokoshin. Kalvari i familjes Kokoshi do të vazhdonte dhe më gjatë. Dy të pushkatuar nga diktatura, Abdyli dhe Metua. Një i rënë në luftën me okupatorët italianë, Astriti. Shtatë të dënuar politikë Kudreti, Engjëlli, Burimi, Fatoshi, Hasani, Seiti dhe Dinushi, të gjithë me mbi dhjetë vjet burg Si shumë shqiptarë nacionalistë të tjerë, Kudret Kokoshi mendonte se një Shqipëri e coptuar dhe e ndarë, pa Kosovën dhe Çamërinë, nuk do të ishte në gjendje t’i bënte ballë synimeve shoviniste të fqinjve grabitqarë që prisnin rastin më të vogël për të gllabëruar këtë komb, i cili nuk e kish ulur kokën as në çastet më të vështira të historisë. Kështu pranoi pa hezitim propozimin e “Apostullit të shqiptarizmës”, Mitat Frashërit, për të shkuar në Kosovë, sipas kërkesës së Prefektit të Mitrovicës, Ago Agaj. Emërohet Kryeprokuror i Shtetit. Para vetes i dalin shumë detyra të vështira. Duhej organizuar sistemi i drejtësisë me kuadro shqiptare, që deri në atë kohë mungonin krejt. U end nga qyteti në qytet për të realizuar këtë qëllim. Rezultatet filluan të shfaqen shpejt. Drejtësia kosovare filloi të hyjë në një etapë të re. Fryma shqiptare mbizotëronte kudo. Ndihmoi pa u lodhur shqiptarët e asaj krahine në zgjidhjen e problemeve gjyqësore. Bëri të mundur shfuqizimin e disa vendimeve të padrejta dhënë në dëm të tyre. Organizoi takime midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre që kishin ardhur me punë nga Shqipëria, ku diskutoi për të ardhshmen e kësaj krahine dhe të gjithë Shqipërisë. Më 28 nëntor 1942 ishte në ballë të demostratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren, ku plagoset nga milicia italiane. Ishte ndërhyrja e një oficeri kosovar të xhandërmarisë shqiptare që e shpëtoi nga vdekja, duke e hequr nga kthetrat e milicisë që, megjithse i plagosur, vazhdonin ta qëllonin me kondakët e pushkëve të tyre. Pa ndjenja dhe me plagë në kokë, ky kosovar atdhetar e mori dhe e shoqëroi deri në spitalin e Tiranës ku edhe u operua. Gushti i vitit 1943 e gjeti në Mukje, si pjesëmarrës i konferencës historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, por që komunistët i kthyen në vendime të tradhtisë së madhe. Zëri i atdheut e ftoi përsëri Kudretin. Në mars 1944 shkoi në Kosovë, ku vazhdon veprimtarinë e tij intensive. Ishte i palodhur kur fjala ishte për atdheun dhe ai me fjalën atdhe nënkuptonte edhe Kosovën. Pas pak kohe arrestohet nga gestapoja dhe u internua në kampet e shfarrosjes në Prishtinë dhe në kufirin Austro-Hungarez.U lirua pas dëbimit të gjermanëve nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. I lodhur, i dobët i zhveshur, i sëmurë dhe me shumë mundime arrin në qytetin e Gracit, ku fal njohjes së gjuhës latine, mundi të fitonte besimin e drejtoreshës së spitalit, e cila e shtroi dhe e kuroi. Bashkë me të ndodhej dhe biri i industrialistit të shquar frances, pronarit të uzinës së makinave “Renault”, me të cilin kishte lidhur miqësi të madhe. Ai e ftoi që të shkonin të dy në Francë, por Kudreti nuk pranoi. Atë vazhdonte ta thërriste zëri i atdheut. Ndaj mori rrugën e kthimit. Rrugës u spiunua nga agjentët e UDB-së. E arrestuan dhe të lidhur ia dorëzuan Shefqet Peçit në kufirin shqiptar. Kështu filloi Kalvari i gjatë i burgut komunist që do të vazhdonte për 20 vjet, por që s’do ta mposhte kurrë karakterin e tij burrëror. Kudret Kokoshi vdiq më 26 maj të vitit 1991, kur sapo kishte filluar të linde demokracia e re, por iku me po atë besim që kishte në rininë e tij kur shkruante:
“Unë po vdes, oh. le të vdes, Vetëm shqipja le të rrojë!”
Personalisht u njoha me të shumë vonë, pasi doli nga burgu. Por personalitetin e tij e kisha njohur qysh kur isha fëmijë, kur im atë, mik i familjes së tyre, e quante “më të diturin e Kokoshajve”, kur ime motër, mësuese letërsie, më lexonte fshehurazi vargjet e tij. Por më tepër e njoha në ato vite burgu, kur duke u endur nga njëri kamp në tjetrin, megjithëse nuk pata fatin ta takoja asnjëherë personalisht, emrin e tij e gjeja gjithmonë përpara. Për të më fliste Isuf Hysenbegasi dhe Xhevdet Kapështica, Patër Mëshkalla dhe Gjon Shllaku, Avdurrahman Kreshpa dhe Tahir Hoxha, Engjëll Kokoshi, dhe Meçan Hoxha Vargjet e tij i kishin mësuar përmendësh pothuajse të gjithë moshatarët e mi. Ato na jepnin forcë dhe shpresë për të ardhmen.
Nuk do ta harroj kurrë atë natë shtatori të vitit 1955 në kampin-burg të Bulqizës. Me nismën e mikut të tij, doktor Isuf Hysenbegasit, organizuam fshehurazi një pasdite përkujtimore kushtuar tridhjetepesë vjetorit të luftës së Vlorës. Në atë pasdite nuk pati fjalime dhe kumtesa. Nuk pati kokteje dhe darka. Në vend të koktejit ishte çaji i ftohtë pa sheqer, dhe në vend të kumtesave ishin vargjet e poetit. U deklamuan “Toto Bolena”, “Epopeja”, “Luftëtarit të Kombit”, “Vegimi epik”, “Vlorës”, “Këngën më të bukur këndoj”, “Spartaku”, “Neroni”, “Nënës” dhe “Gruas shqiptare”. Mua më caktuan të recitoja poezinë “Një ditë vjeshte”:

Unë pashë një ditë vjeshte, një flamur bër çika-çika
Një flamur me shkab’ të zezë, që qe prer me njëmijë thika.
Një flamur me bojë gjaku, që valonte pa pushuar
I përcjell nga disa burra, që të gjith duke kënduar.
E përcillnin njëmijë trima, me shkopinj e krrabë në dorë,
Kryet lidhur, gjokset thyer… un i pashë një ditë në Vlorë
Ata luftëtar legjende, ata lajmëtar lirie,
Që i dhanë fluturim shqiponjës, pas pesë shekuj robërie!
Oh, thanë zemrat, oh, sa bukur përmbi Vlorë shkaba valon!
Unë pashë një ditë vjeshte, epopen e kombit tonë!

Natyrisht, atë natë përfunduam të gjithë në qeli.
Kështu ai u rrit në imagjinatën time rinore si një Ante që merrte forcë nga toka qe e kishte lindur, si një Promete që sfidonte diktaturën, si një Danko që shkulte zemrën e tij për t’i ndriçuar rrugën popullit të vetë.
Lidhur me sa thashë më lart, prisja vlerësimin e këtyre figurave të nacionalizmit nga autoritetet përkatëse shqiptare. Për këtë Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, qysh në vitin 2012 i drejtoi Presidentit të Republikës, propozimin për dekorimin e tyre me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, por kërkesa ra në vesh të shurdhër. Një kërkesë të tillë përsëriti edhe ish Ministri i Kulturës së Shqipërisë, ish i dënuari politik, poeti i mirënjohur Visar Zhiti në vitin 2013, por, përsëri, veshët ishin të shurdhër. Në të kundërt, çuditërisht, me këtë titull u nderuan ata që Kosovën martire ua dorëzuan pushtuesve serb. Si shembull sjell këtu dekorimin me titullin “Nderi i Kombit”, të njerit nga përgjegjësit e masakrës së Tivarit, “hallvaxhiut”, komandantit te njësiteve guerile që urdhëronte vrasjen e nacionalistët të shquar vlonjatë gjatë periudhës së luftës, ish gjeneralit komunist, Rahman Perllaku. Përse? Po mundën le të përgjigjen.

Më 17 shkurt 2008 pata fatin të isha në Kosovë, për të kremtuar së bashku me vëllezërit tanë ditën e shenjtë të pavarësisë. Kudo shihja fytyra të ngazëllyera nga lumturia. Shihja burra të moshuar që qanin. Qanin nga gëzimi, por qanin edhe nga dhimbja për mijra të rënët gjatë rrugës së gjatë të pavarësisë. Një parullë e madhe e vendosur në çdo skaj të Prishtinës shkruante:
“Bacë, u kry!”
Kosova kujtonte bijtë e saj të rënë në luftën për liri dhe pavarësi. Bashkë me ta edhe unë kujtoja bijtë e Shqipërisë etnike të rënë në luftën e gjatë për liri dhe pavarësi. Në ato ditë të paharruara m’u duk vetja sikur isha në Vlorën time të vitit 1912, përkrah Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, përkrah Mit-hat Frashërit dhe Rexhep Mitrovicës si dhe gjithë atyre burrave të shquar që bënë të mundur krijimin e shtetit shqiptar.
Ju faleminderit!
*Kumtesë mbajtur në sesionin XII shkencor,organizuar nga shoqata “Trojet e Arbërit”, me temë: “Ripushtimi jugosllav i Kosovës e i viseve të tjera (1944) dhe qëndresa shqiptare”, në Gjakovë më 09.08.2014./

Filed Under: ESSE Tagged With: reshat kripa, VLORA DHE KOSOVA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 561
  • 562
  • 563
  • 564
  • 565
  • …
  • 613
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT