• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ

January 31, 2026 by s p

Bujar Hudhri

Sado paradoksale të duket, mund të them se ideja për të hapur një librari të librit shqip në Amerikë mbase më ka lindur mbi tridhjetë vite të shkuara dhe pikërisht atje, në Amerikë. Si botues i ri, ambasada amerikane në Tiranë më kishte mundësuar një kurs specializimi në Nju-Jork. Kisha fatin e lumtur të mësoja nga puna e çmuar e redaktorëve të Alfred Knopf (pjesë e gjigandit të botimeve “Random House”), të cilët një vit më parë kishin botuar veprën e plotë të autores së tyre, nobelistes së atij viti, Toni Morrison. Pra, ishte një shtëpi botuese e klasit të parë.

Më ka ngelur në mend një episod, i cili përcaktoi përfundimisht profilin tim si botues. Kur po ndahesha nga menaxherja Tracey Cabanis, e pikasi një libër bestseller që e futa në çantë. Ç’do të bësh me të? më tha me një qeshje që m’u pak si tallëse. Do ta botoj në Tiranë, lexuesit vdesin për bestsellerët amerikanë, iu përgjigja. E pashë që u bë serioze dhe u zura paksa ngushtë. Botuesin e vërtetë e bën letërsia e gjuhës së tij. Mos e harro këtë. Dhe më dhuroi krejt veprën e deriatëhershme të nobelistes. (Bestsellerin e botoi një kolegu im pas dy vjetësh dhe shiti mijëra kopje dhe ende vazhdon.)

Qëkurse u ktheva në Shqipëri, deri më sot, letërsia shqipe është shtylla e botimeve “Onufri”. Ndaj, kur erdhi rasti që të bashkëpunoja me Kadarenë, tashmë isha i bindur se cilën rrugë do të ndiqja. Prej asaj kohe, “Onufri” ka botuar autorët më të mirë të letërsisë shqipe, mes të cilëve edhe Martin Camaj. Por, të botosh autorët e gjuhës sate është aq e lehtë. Krahas gëzimit që ti ke në marrëdhëniet me ta, po aq telashe të përplasen nga s’ta merr mendja. Aq e ndërlikuar është marrëdhënia me ta.

Do t’ju tregoj një rast, se sa rëndësi i kushtonte Kadareja lexuesit shqiptar dhe kjo do të thoshte se për ty si botues mund të ketë vetëm kritika. Ndërkohë që Kadareja jetonte në Paris, unë në Elbasan, më vjen një ftesë për të shkuar për specializim si botues po në Amerikë. Më e habitshmja ishte koincidenca se pikërisht ditën që Kadareja do të zbriste në Rinas, unë do të fluturoja për në Amerikë. I them për situatën e ndërlikuar, mundohem t’ia shpjegoj në telefon, ndërsa ai e zgjidhi krejt prerazi: jo. Dhe më kujtoi takimet që kishim planifikuar me lexuesit atë muaj, ndaj ta harroja Amerikën!

I shkrova ambasadës amerikane se, për arsye pune, nuk mund të vij për specializim. Jam i sigurt, mund të jetë e vetmja letër e tillë e shkruar nga një shqiptar ambasadës amerikane. Shumë vite më vonë (2025) do të shkoja në Amerikë. Dhe më kujtohet një thënie e Sami Frashërit, ku thotë pak a shumë: “Thuhet se çdo punë ka kohën e vet, por koha e vërtetë e një pune është kur kjo punë fillon!” Në janar 2024, një ditë me shi si te Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ndërsa ishim ngujuar brenda kështjellës “Juvenilja”, i thashë se tashmë, që kisha mbaruar edhe veprën e tij në shtatë vëllime, do të merrem me një punë të zakonshme, sepse ju s’po shkruani më. Ç’punë? u interesua seriozisht. Po ja, do të shpërndaj dhe do të shes libra nëpër Shqipëri. E pashë që u tensionua befas. E njoh mirë këtë kapërcim në biseda me të, kur nga s’e pret të vijnë rrufe. Ky është një mision i shenjtë, më tha me zë të lartë, sa të tjerët kthyen kokën nga tryeza jonë. E ndjeva atë shikimin e tij zhbirues kur të duket sikur po të rrëshqet toka nën këmbë.

Aksioni im i shpërndarjes dhe shitjes së librave përfundoi pa asnjë rezultat. Tashmë libraritë nuk donin t’u çoje libra në sasi dhe me kredi. Librarët shqiptarë në rrethe porosisin me celular një libër, dy, tre. Isha shumë mbrapa, isha kujtuar vonë. Kështu do të lindte ideja për një librari në Amerikë. Nuk më lejoi Kadareja të shkoja atëherë, sepse duhej të shkoja me libra, me sa dukej. Dhe ia premtova se do ta hapja këtë librari pikërisht në Amerikë, si i vetmi vend ku vërtet shqiptarët janë krenarë që janë shqiptarë. Kisha fatin që shkrimtari Besnik Mustafaj më sugjeroi të botoja një libër me kujtime të një shqiptaro-amerikani. Quhej Pashko R. Camaj.

Nuk e kisha dëgjuar emrin e tij. Mësova se ishte sekretari i përgjithshëm i Vatrës sonë të famshme. Kishte shkruar një libër i mrekullueshëm. Besniku i bëri parathënien dhe në vjeshtën e vitit 2024 e botuam, e promovuam së bashku me autorin në gjashtë shtete ku kishte shqiptarë. Gjatë promovimeve të librit të Pashkos në Nju-Jork, Boston, Miçigan, biseduam për hapjen e një librarie online për shqiptarët në Amerikë. Libra fizikë, jo elektronikë. Ndërkohë ideuam edhe panairin e parë të librit shqip në Amerikë, i cili u realizua me sukses vitin që kaloi (28-30 nëntor). U sollën mijëra libra nga Tirana me anije dhe avion në Nju-Jork. Me shaka i thosha Pashkos: Për herë të parë qysh nga koha e Kristofor Kolombit po eksportojmë libra nga Shqipëria! Pikërisht këta mijëra libra që erdhën për panair (që s’mund të shiteshin të gjithë, sigurisht) janë inventari i librarisë online që e ka emrin “Alblibris”.

Ja çfarë shkruhet në rubrikën “Rreth nesh” të “Alblibris”:

“Alblibris” është një librari online e krijuar posaçërisht për shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ofruar mundësinë të blejnë libra ekskluzivisht në gjuhën shqipe, pavarësisht vendit të botimit. Librat tanë fizikë janë të depozituar në New Jersey (NJ), çka garanton përpunim efikas dhe dërgesa të sigurta brenda SHBA-së.

Emri “Alblibris” bashkon “Alb-”, që përfaqëson identitetin shqiptar dhe “libris”, nga latinishtja – libra. Ky emër pasqyron misionin tonë: të ndërtojmë një urë mes kulturës shqiptare dhe botës së librave.

Ne ofrojmë libra të rinj dhe të përzgjedhur me kujdes, me fokus të veçantë në autorë shqiptarë, botime në gjuhën shqipe dhe tituj me vlerë letrare, akademike dhe kulturore. “Alblibris” synon të jetë më shumë se një librari – një hapësirë ku libri ruan vlerën e tij si dije, kulturë dhe kujtesë.

Pikërisht në ditën e nëntëdhjetëvjetorit të lindjes së Kadaresë, ditën e mërkurë, më 28 janar 2026, në nderim të jetës dhe veprës së tij dhe si një premtim që ia kisha bërë në gjallje të tij, hapëm librarinë online “Alblibris”, me libra fizikë, për të gjithë shqiptarët e Amerikës. Jam i sigurt se na bekon dhe na uron nga lart.

Filed Under: ESSE

Franz Kafka, dhuna e modelimit dhe integriteti i pandryshueshëm i vetvetes

January 29, 2026 by s p

Albert Vataj/

​Në korrespondencën e tij drithëruese, mbledhur te “Letra Felices”, Franz Kafka shtron një nga dilemat më vrasëse të raporteve njerëzore, tentativën insistuese për të tjetërsuar tjetrin. Kafka, ky mjeshtër i zbërthimit të ankthit dhe shndërrimit, na paralajmëron se insistimi për të ndryshuar dikë në imazhin e dëshirave tona nuk është akt dashurie, por një formë e hollë e terrorit psikologjik.

​

​Kafka shkruan me një prerje kirurgjikale se “Duhet t’i marrësh njerëzit ashtu siç janë ose t’i lësh ashtu siç janë. Nuk është e mundur t’i ndryshosh; vetëm mund të prishësh ekuilibrin e tyre.” Kjo fjali mbart një peshë paralajmëruese. Për Kafkën, individi nuk është një objekt plastik që mund të rimodelohet sipas tekave tona. Kur ne tentojmë të “ndreqim” dikë, ne nuk po e përmirësojmë atë, por po godasim qendrën e rëndesës së shpirtit të tij. Rezultati nuk është një njeri “më i mirë”, por një qenie e nxjerrë nga binarët, një integritet i thyer që humbet busullën e vetvetes.

​Thellimi i Kafkës merr përmasa pothuajse biologjike kur ai shpjegon natyrën holistike të njeriut, sipas të cilit”Një qenie njerëzore, në fund të fundit, nuk përbëhet nga pjesë unike, nga të cilat një e vetme copë mund të hiqet dhe të zëvendësohet me diçka tjetër. Përkundrazi, ajo është një e tërë dhe nëse e tërheq njërin skaj të saj, tjetra, ju pëlqen apo jo, fillon të tkurret.”

​Këtu Kafka godet iluzionin tonë se mund të ndryshojmë te tjetri vetëm “atë pjesë që nuk na pëlqen”. Ai na kujton se njeriu është një sistem i ndërlidhur, nëse tenton të zhbësh një dobësi, mund të jesh duke asgjësuar njëkohësisht edhe burimin e forcës së tij. Ky reagim “tkurrës” nuk është thjesht një qëndresë aktive apo kokëfortësi, është një reagim ontologjik. Njeriu tkurret sepse po mbron bërthamën e tij, të vërtetën e tij të vetme, përballë një domosdoshmërie të huaj që kërkon ta tjetërsojë.

​

​Polemikë e Kafkës qëndron te dëshmimi i një të vërtete tragjike, njerëzit nuk mund të jenë “të tjerë”, edhe nëse duan. Dhuna që ushtrohet mbi ta për t’i bërë të përshtatshëm, të bindur apo “idealë”, ndeshet me murin e pamundësisë ekzistenciale.

​Sipas Kafkës, kjo prirje njerëzore për të dominuar formën e tjetrit ka pasoja kërcënuese. Ajo krijon individë që jetojnë nën hije, të huaj ndaj vetes, duke dëshmuar se sa më shumë kërkojmë ta bëjmë tjetrin “tonin”, aq më shumë e detyrojmë atë të pushtojë një zbrazëti ku as ai dhe as ne nuk gjejmë dot paqe.

​Në thelb, mësimi i Kafkës është një thirrje për përulësi. Të pranosh tjetrin në tërësinë e tij të paprekshme është e vetmja mënyrë për të ruajtur shenjtërinë e njeriut. Çdo përpjekje tjetër është thjesht një mënyrë për të thyer një shpirt në emër të një egoizmi që e maskojmë si kujdes.

Filed Under: ESSE

Mbështetja Shqiptare për Hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore

January 28, 2026 by s p

Dr. Iris Halili/

Shqipëria, vendi ku nuk u dorëzua asnjë hebre dhe numri i tyre u shtua nga 200 në 1800!

“Në Shqipëri nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi kundër hebrenjve, sepse Shqipëria është një ndër vendet e pakta në Evropë ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tri besime.” — Herman Bernstein, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri (1930-1933).

Historia e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës zogiste dhe Luftës së Dytë Botërore është një nga kapitujt më unikal dhe më prekës të tolerancës dhe harmonisë fetare shqiptare. Ndërsa shumë vende evropiane institucionalizuan diskriminimin dhe shpesh morën pjesë në përndjekjet antisemitike, shqiptarët jo vetëm që mbrojtën hebrejtë vendas, por ata pritën edhe refugjatët hebrenj të huaj, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.

Me pushtimin italian të Shqipërisë në prill të vitit 1939 dhe pse emigrimi i hebrejve të huaj që jetonin në Shqipëri u bë më i vështirë, sërisht asnjë hebre nuk u detyrua të largohej, dhe kjo në kontrast me shumë vende të tjera ballkanike.

Hebrejtë ndonëse u ndaluan nga aktivitetet politike, sociale dhe kulturore, ata serisht mund të praktikonin ritet e tyre fetare dhe në përgjithësi nuk provuan persekutim të ashpër. Pas kapitullimit italian në shtator 1943 dhe ardhjes së pushtuesve gjerman, autoritetet naziste kërkuan listat e hebrejve në Shqipëri, por kjo kërkesë u refuzua nga autoritetet shqiptare. Ky refuzim ishte vendimtar në mbrojtjen e hebrejve nga arrestimet dhe deportimet masive që po ndodhnin në pjesë të tjera të Europës.

Megjithë rreziqet, familjet shqiptare myslimane, ortodokse dhe katolike strehuan hebrejtë për muaj dhe vite, duke mos dorëzuar asnjë prej tyre tek autoritetet naziste. Nuk dokumentohet asnjë rast i një hebreu të tradhtuar në Shqipëri apo asnjë rast kur një familjeje pritëse të ketë kërkuar shpërblim për mbrojtjen e tyre. Ky fakt tregon qartë se tradita shqiptare e mikpritjes dhe besës ishte thelbësore në shpëtimin e hebrejve.

Sipas dokumentimeve historike, numri i hebrejve në Shqipëri jo vetëm që mbeti i paprekur nga Holokausti, por u rrit ndjeshëm për shkak të ardhjes së refugjatëve hebrenj nga Gjermania, Austria, Polonia, Serbia, Greqia dhe Jugosllavia. Numrat flasin vetë dhe fortë: Në vitin 1941 në Shqipëri numëroheshin /ishin rreth 200 hebrenj, ndërsa deri në fund të luftës numri arriti në rreth 1,800 hebrenj. Kjo përbën padyshim një rast unik në Europën e asaj kohe.

Një kontribut të rëndësishëm luajti këtu edhe Herman Neubacher, ish-kryebashkiak i Vjenës dhe përfaqësues special i Ministrit të Jashtëm gjerman Joachim von Ribbentrop në Shqipëri. Neubacher synonte të ruante “sovranitetin relativ” që kishte Shqipëria nën kushtet e okupimit. Kjo zgjidhje politike shpesh e shmangu çështjejen hebre duke mos e konsideruar atë urgjente.

Ndërkohë, situata për hebrejtë e Kosovës apo “Shqipëria e Re” sikur quhej gjatë luftës ishte më e ndërlikuar. Shumë hebrenj iu drejtuan Kosovës nga Kroacia dhe Serbia. Fillimisht ata u trajtuan mirë, por shumë u kthyen dhe u ekzekutuan në Beograd. Të mos harrojmë që Himleri krijoi në Kosovë Divizionin SS “Skanderbeg” , i cili arrestoi 281 hebrenj dhe i dërgoi ata drejt kampeve të përqendrimit, nga ku vetëm rreth 100 mbijetuan në Bergen-Belsen. Megjithatë, afro 60% e hebrejve të Kosovës gjithashtu mbijetuan periudhën e luftës dhe kjo falë strehimit që i bëri populli i Kosovës.

Motivimet: nga humanizmi te toleranca fetare

Motivacionet e shqiptarëve për të mbrojtur hebrejtë nuk mund të shpjegohen vetëm me mungesë kërcënimi. Ndër elementët vendimtarë ishte tradita shqiptare e mikpritjes dhe besa, e cila vendoste për detyrimin moral dhe shpirtëror për të mbrojtur mysafirët në rrezik. Përtej kësaj, Shqipëria shquhet për harmoni dhe tolerancë fetare të thellë;Sikur do të shkruante ambasadori Amerikan në Shqipëri (1930-1933) Herman Bernstein, “Asnjë shenjë diskriminimi ndaj hebrenjve nuk ekzistonte në Shqipëri”, edhe pse vendi ishte i ndarë në tri fe të mëdha.

Krenarë duhet të shprehemi se historia e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës zogiste dhe Luftës së Dytë Botërore është një dëshmi e jashtëzakonshme e tolerancës dhe humanizmit shqiptar si dhe besës shqiptare. Përmes veprimeve të guximshme dhe sakrificave personale, shqiptarët jo vetëm mbrojtën hebrejtë vendas, por edhe shpëtuan refugjatë të huaj nga persekutimi nazist.

Pjesë e shkëputur e studimit të Autores “Harmonia fetare në Shqipëri” -Dhjetor 2006.

Filed Under: ESSE

Arbërishtja – një gjuhë pa shtet që mbijeton mbi 500 vjet në diasporë

January 27, 2026 by s p

Mihal Ciko

Gazetar/

Pjesa III e trilogjisë mbi gjuhën dhe diasporën shqiptare.

Në dy shkrimet e mëparshme pamë dy realitete të kundërta: Një diasporë shqiptare që po humb gjuhën dhe një diasporë shqiptare e kosovës që e mbron shqipen si vijë mbijetese. Por përpara të dyjave ekziston një dëshmi edhe më e fortë, edhe më e pakundërshtueshme: arbërishtja. Një gjuhë pa shtet, pa administratë, pa mbështetje institucionale moderne, që ka mbijetuar mbi 500 vjet në diasporë.

Kjo nuk është thjesht histori. Është provë.

Një ikje që u shndërrua në themel identiteti

Arbëreshët u larguan nga Arbëria në shekullin XV, pas pushtimit osman. Nuk u shpërndanë si individë, por u vendosën si komunitete të organizuara, kryesisht në Italinë e Jugut. Bashkë me vete morën tri shtylla: gjuhën, fenë dhe kujtesën historike. Që në fillim, arbërishtja nuk u trajtua si mjet komunikimi i përkohshëm. U trajtua si kusht ekzistence. Pa të, komuniteti do të shpërbëhej. Ndryshe nga diaspora moderne shqiptare, arbëreshët e kuptuan herët se integrimi pa gjuhë është zhdukje.

Një gjuhë e “mbyllur” për t’u ruajtur

Arbërishtja u shkëput herët nga zhvillimet e shqipes së mëvonshme. Nuk u standardizua, nuk u modernizua nga shteti, por u ruajt përmes transmetimit gojor, familjes dhe ritualit. Në këtë kuptim, ajo është një fosil i gjallë i shqipes mesjetare: ruan forma arkaike, leksik par-osman dhe struktura që sot nuk ekzistojnë më në shqipen standarde. Por ky “fosilizim” nuk ishte dobësi. Ishte strategji mbijetese. Arbërishtja u ruajt sepse nuk u la të shpërbëhej.

Feja si institucion gjuhësor

Një nga dallimet thelbësore të modelit arbëresh është lidhja e gjuhës me ritin bizantin. Arbërishtja u përdor në liturgji, këngë kishtare dhe rite komunitare, duke fituar status të shenjtë. Kjo i dha gjuhës një mbrojtje që asnjë ligj nuk mund ta garantonte: mbrojtjen simbolike. Kur një gjuhë hyn në sferën e së shenjtës, ajo nuk diskutohet dhe nuk zëvendësohet. Ky është një mësim i rëndë për kohën tonë, ku gjuha shpesh relativizohet dhe justifikohet.

Dygjuhësi pa asimilim

Arbëreshët jetuan për shekuj në kontakt të ngushtë me italishten. Por kjo nuk e zhduku arbërishten. Përkundrazi, krijoi një dygjuhësi funksionale:

Italishtja për shtetin dhe administratën, arbërishtja për identitetin dhe komunitetin. Kjo ndarje e qartë rolesh e shpëtoi gjuhën nga zhvendosja. Ndryshe nga shumë pjesë të diasporës shqiptare sot, ku shqipja humbet pikërisht sepse nuk ka më funksion të qartë.

Filed Under: ESSE

Eleganca në mërgim – gruaja me mantelin e Shqipërisë

January 24, 2026 by s p

Alketa Burimi/

Dielli i Floridës frymon çdo mëngjes si një mik i vjetër — i ngrohtë dhe i heshtur, që zgjon butësisht pa kërkuar asgjë. Në mesditë ndizet më fort, si një pasion që nuk pyet, ndërsa në perëndim flet me shpirtin — me ngjyrat që shkrijnë horizontin dhe me heshtjen që përkulet mbi palma, si një premtim që kthehet çdo mbrëmje. Një spektakël i butë që na thotë natën e mirë me gjuhën e dritës që shkon të pushojë. Ajo kishte mbërritur nga Shqipëria — një vend i vogël në Europë, ku fjala peshon si gur dhe nderi vlen më shumë se pasuria. Këtu, në një tokë të re, gjithçka duhej të niste sërish. Dhe kjo e trazonte — në heshtje. Një valixhe, disa fjalë të huaja dhe një ajër që nuk i përkiste. Ajo mbante brenda një botë të tërë — një univers që priste të zbulohej. Nuk ishte vetëm. Ishte thjesht… ende e pashfaqur.

Në aeroport, kur i thanë “Welcome,” ajo buzëqeshi. Por nuk ishte gati. U ndie e zbrazët për një çast, si një fjalë që nuk gjen kuptim në një fjali të re. Në supermarkete, kërkonte qumështin, por humbiste ndër raftet.

Në klasë, kur përmendnin Shakespeare, ajo ndjente mungesën e Fishtës — poetit që i kishte dhënë zë shpirtit shqiptar. Ky trazim nuk bërtiste, por gërryente nga brenda. Vinte nga një vend ku dritaret hapen përballë diellit, ku mikpritja është ligj i pashkruar dhe rrënjët rrinë thellë, edhe kur fryn largësia. Aty kishte lënë kujtime, një shtëpi që flet pa zë, ëndrra që murmurisin në shqip.

Në çdo çast të vetmisë së saj, ajo ndiente: drita që e rrethonte ishte e re, por e brishtë. Nuk mund ta fshinte dritën që sillte vetë — një dritë e ngrohtë dhe e qetë, që s’kishte nevojë të fliste për të ndriçuar. Por Naples-i e përkëdhelte me qetësinë e vet: perëndime të buta, lagje të gjelbra, ajër që nuk ngutet. Palmat — hijerënda, të heshtura, si roje të një paqeje të brishtë. Lulet, të bukura në mënyrën e tyre të qetë, sikur i thoshin pa fjalë:

“Mos guxo të më këpusësh — më shijo.”

Ky qytet nuk të fton me zhurmë, por me dritë që vjen ngadalë. Dhe ajo filloi të ndiente ngrohtësi — jo zëvendësim, por praninë e diçkaje të re që nuk e fshinte atë që mbante brenda.

Në atë qetësi, ajo e kuptoi:

e mbante Shqipërinë mbi supe — si një mantel të padukshëm, të endur me fije kujtese e krenarie. Një mantel që nuk ngroh trupin, por shpirtin; që nuk rëndon, por mbron.

Në korridoret e qeta të kolegjit, jehona e hapave të saj trazonte një qetësi delikate.

Shikime. Hamendësime.

Pastaj, pa u kërkuar, ndodhi:

“Një grua nga Europa…”

Çfarë e bënte ndryshe?

Ndoshta mënyra si qëndronte.

Eleganca e saj nuk ishte pamje — ishte prani.

Një fustan vere, poshtë gjurit — i thjeshtë, por me klasë.

Sandalet me taka trokisnin lehtë nëpër korridore,

duke thyer heshtjen jo me zhurmë,

por me butësi.

Dhe zëri i saj?

I qetë — si një prani që nuk imponon.

Në klasën e anglishtes, ajo ulej mes të panjohurve —

fytyra të lodhura, por plot gjallëri.

Zëra nga brigjet e Amerikës Latine.

Ata mbanin më shumë se libra —

mbanin peshën e ditës.

Naples ishte i bukur, por i kushtueshëm.

Jeta këtu nuk të përkëdhelte.

Ajo mbeti e heshtur,

e prekur nga ironia e jetës.

Hodhi vështrimin mbi fustanin e saj të çelët,

sandalet e zgjedhura me kujdes.

Nuk kërkonte të binte në sy —

por natyra e saj binte në sy vetë.

Eleganca nuk është pozë.

Është mënyra për të mos humbur veten.

Dhe aty, në atë korridor,

të gjithë ishin për të njëjtin qëllim:

të mësonin anglisht.

Por secili sillte me vete

gjuhën e vet të padukshme.

“Where are you from?”

Ajo u skuq lehtë, por buzëqeshi me qetësi:

“From a small country with a beautiful name — Albania. In Europe.”

Në atë buzëqeshje kishte më shumë se një përgjigje — kishte një qëndresë që nuk mburret, por që qëndron.

Shqipëria nuk ishte vetëm në hartë; ajo rrinte mes rrahjeve të zemrës së saj, si një këngë që nuk harron.

Ditët kaluan. Heshtja u kthye në bisedë.

Një djalë hapi hartën në telefon.

“Where is Albania again?”

Ajo tregoi një pikë pranë Adriatikut, përballë Italisë, dhe nisi të fliste — jo për të bindur, por për të shpalosur një copë shpirt.

Tregoi për byrekun me djathë e spinaq, për verën që pihet me miq, për dasmat që zgjasin tri ditë.

“Albanian table — a place where stories are shared with the heart.”

Pastaj foli për Shqipërinë…

Jugu me riviera që magjepsin, Gjirokastra — qytet i gurit e legjendës; Berati — qytet dritaresh që përqafohen; Vlora, ku deti këndon lirinë; Korça — Parisi i vogël që vishet me art.

Qendra — Tirana që rreh si zemër për të rinjtë, Durrësi, qyteti që sheh nga deti dhe nga koha.

Dhe Veriu… male legjendare, gra me sy të pastër si Valbona — një lumë i kristaltë në Alpet e Veriut të Shqipërisë.

Ata e dëgjonin në heshtje. Pastaj një zë:

“Miss Albania… what are you doing here?”

(Kështu e kishte pagëzuar mësuesja e anglishtes — një zonjë në moshë, avokate me profesion. Kur merrte mungesat, nuk e thërriste me emër, por gjithmonë: Miss Albania.)

Ajo qeshi lehtë dhe tha:

“Gabove… jam thjesht një grua nga Albania — jo Miss Albania. Nuk vij nga ndonjë faqe bukurie.”

Dhe ata qeshnin me mirësi, si dy botë që mësojnë të kuptohen.

Mësimi në Shkollën Shqipe – Naples, Florida

Dhe një ditë, aty, pa e planifikuar, pa ceremoni,

fjala “mësim” mori formë tjetër. Deri atëherë kishte qenë studente — duke u përshtatur me tinguj që ende nuk i përkisnin plotësisht. Por pikërisht në atë proces, e kuptoi se diçka brenda saj po mungonte. Jo gjuha që po mësonte, por gjuha që nuk mund të lihej e heshtur.

Dhe kur e ndjeu këtë mungesë, roli ndryshoi natyrshëm.

Nuk hyri në një klasë si mësuese.

Hyri si dikush që mbante një gjuhë në duar —

të brishtë, të bukur, të rrezikuar nga harresa.

Në Naples, Florida,

mes fëmijësh që flisnin anglisht me shpejtësi

dhe shqipen me ndrojtje, e kuptoi se gjuha nuk më kishte ndjekur rastësisht.

Ajo kishte ardhur me të, sepse kishte nevojë të flitej.

Që kur filloi t’u mësojë fëmijëve shqip,

shpesh i kapnin të qeshurat —

ata gabonin në shqip,

dhe ajo në anglisht.

Te shkronja “Gj”, gjinkalla,

fjala i mungoi.

Atëherë foli me tingull —

dhe fëmijët qeshën pa fund.

Ata e ndienë himnin shqiptar me zemër,

edhe pse nuk e dinin ende në shqip.

S’kishte gëzim më të madh kur shikonte sytë e tyre të ndezur në dritë.

U mësoi fëmijëve shkronjat, por në të vërtetë u mësoi rrënjët.

U thoshte si quhet “nënë”,

si tingëllon “atdhe”,

dhe pse fjala “zemër” nuk përkthehet plotësisht.

Nuk u kërkoi perfeksion.

U kërkoi ndjesi, lidhje, kujtesë.

Në sytë e tyre pa Shqipërinë e nesërme —

jo si territor, por si vazhdimësi.

Të edukosh një fëmijë në gjuhën e tij ështe të mbjellësh rrënjë që nuk i shkul dot

as koha, as largësia.

Dhe kuptoi se manteli që mbante mbi supe

nuk ishte më vetëm i saj.

Ishte trashëgimi.

Epilog – Zëri im në heshtje

Sot, ajo nuk ishte më e huaja. Ishte ajo që gabonte në anglisht dhe qeshte me zemër. Kishte ardhur me një valixhe të lehtë dhe me një shpirt që nuk kishte frikë të ishte vetvetja.

Një ditë, dikush lexoi një pasazh të saj pa e ditur që ishte i imi dhe tha:

“Ka diçka ndryshe këtu… një zë që flet në heshtje.”

Atëherë u bë e qartë: disa gra nuk kërkojnë vëmendje.

Në heshtjen e tyre ka forcë.

Në butësinë e tyre ka dinjitet.

Rrënjët e mia nuk ishin më kujtim, por pjesë e këtij dheu të ri.

Sepse edhe mes të panjohurve, mbeta ajo që isha —

një grua shqiptare që mban Shqipërinë mbi supe.

Naples, Florida — një magji e papritur.

Një copë Shqipëri e fshehur mes palmave.

Një vend ku lulëzova — por me rrënjë nga dheu im.

Sepse edhe në heshtje, një grua që mban Shqipërinë në shpirt, flet me gjithë botën.

Ato janë gjithandej…

> Ajo që mban shallin e nënës në Paris, si kujtim.

Ajo që pastron shkallët në Athinë, por i reciton djalit vargje shqip.

Ajo që fshin pluhurin në Berlin, por jo emrin e vet.

Ajo që kërcen vallen e vetme në kuzhinë në Oslo, si akt krenarie.

Ajo që ka lindur në Bronx, por i dridhen buzët kur dëgjon emrin e gjyshes.

Ajo që shkruan letra çdo natë në shqip, jo për t’ia dërguar dikujt, por për të mos humbur vetveten.

Janë të heshtura, por të pranishme.

Të huaja, por rrënjë të vetes.

Dritë — edhe kur nuk flasin.

Gra shqiptare.

Një atdhe mbi supe.

Pa pasaportë.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT