• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

January 13, 2026 by s p

Dr. Bledar Kurti/

…. Një shembull i shkëlqyer i frymës së harmonisë njerëzore gjendet në Shqipëri, një vend i vogël me një trashëgimi të jashtëzakonshme tolerance fetare. Në një botë shpesh të ndarë përgjatë vijave fetare, të cilat kanë shkaktuar përçarje, Shqipëria ka qenë prej kohësh shtëpia e njerëzve që jetojnë krah për krah në respekt të ndërsjellë. Kjo bashkëjetesë nuk është thjesht institucionale; është e ndërthurur në jetën e përditshme dhe identiteti fetar nuk është përdorur si armë për përfitime politike.

Kjo harmoni nuk lindi rastësisht. Ajo është e rrënjosur në një etos kulturor që vendos dinjitetin njerëzor mbi ndarjen, shpesh e shprehur përmes konceptit tradicional të besës, një angazhim ndaj nderit, besimit dhe mbrojtjes së tjetrit.

Gjatë disa prej momenteve më të errëta të Evropës, kjo frymë i udhëhoqi shqiptarët të mbronin njerëzit e persekutuar, pavarësisht besimit. Sot, shembulli i Shqipërisë i ofron botës një mësim të fuqishëm: se pluralizmi mund të jetohet, e jo vetëm të shpallet.

Përvoja shqiptare tregon se luftimi i radikalizimit dhe ekstremizmit nuk arrihet vetëm përmes masave të sigurisë, por përmes kohezionit shoqëror dhe qartësisë morale. Kur njerëzit ndihen të respektuar në identitetin e tyre dhe të lidhur me të tjerët, ideologjitë ekstremiste humbasin forcën e tyre.

Bota ka nevojë urgjente për diplomatë të sentimentit ndër kombe: mendimtarë që refuzojnë cinizmin, qytetarë që zgjedhin dialogun mbi heshtjen, kultura që shtrijnë dorën në vend të grushtit. Duke lidhur zemrat, si dhe politikat, dhe duke mësuar nga shembuj si tradita e gjallë e tolerancës në Shqipëri, mund të imagjinojmë një të ardhme ku kombet jo vetëm bashkëjetojnë, por bashkëpunojnë në harmoni dhe prosperitet të përbashkët. Kështu ne zgjedhim një paqe që mund të zgjasë për dekada me rradhë ….

https://www.corriereitalico.it/the-diplomacy-of…

Filed Under: ESSE

Mjerimi ynë shoqëror një përmbytje vështirë e tërheqshme

January 8, 2026 by s p

Aleksandër Çipa/

Mjerimi shoqëror bëhet shumë më i madh dhe me kosto të paparashikuara kur bashkëjeton me mjerimin masiv mendor, me mjerimin estetik dhe sidomos anti të cilësishëm të shumicës absolute të shoqërisë.

Mjerimi shoqëror ka vlerën dramatike dhe pse jo edhe tragjike, kur zëvendëson aftësinë e të menduarit shoqëror me patologjinë e agresivitetin parashoqëror të opinionit kaotik. Mjerimi shoqëror është pranë katastrofës kur e zëvendëson logjikën me urrejtjen dhe përbaltjen masive.

Kjo është e pashmangshme, sidomos kur ndodh të ngjasë ndaj atyre që dëshmojnë jo vetëm aftësinë e të menduarit të thellë, por që i ofrojnë realitetit të mjerë social e politik të shoqërisë sonë periferike, produkt mendor të peshuar dhe testuar, të vlerësueshëm nga elita dhe shoqëri si dhe opinione të tjera, në nivel ndërkombëtar. Shoqëria jonë e sotme ka rënë në lakun e dëbimit të mendimit dhe të ndëshkimit të atyre që kanë aftësi dhe produkt mendimesh e idesh.

Turma masive, anonime dhe llumtare e hapësirës së pakufishme virtuale, po e kthen verbin publik në Shqipërinë e sotme, në një “plumb qor” dhe në një spërkatëse fekalike që po mbulon edhe krimin edhe drejtësinë, edhe kriminelin edhe drejtësinë, edhe të vërtetat edhe rrenat.

Në kënetë ekzistojnë shumë specie, por në llum nuk mbesin specie( përjashto ngjalat)..! Si shoqëri po rënohemi drejt këtij realiteti të ndërmjetëm. Mendimi që na vjen nga jashtë,(edhe kur peshon), nuk ka mundësi as të dëgjohet, as të peshohet, as të çmohet e as të ndihmojë…Jemi në kohën kur e kemi zhbërë totalisht, brenda mendjeve pa mendje, atë distikun vatran të Nolit apo Konicës “… mbahu Nënë mos ki frikë”…!, ndonëse iluzivisht si parashoqërorë deklamohemi si proamerikanë me një duzinë pamjesh, brendish dhe tipologjish antropomendore…. Tamam si periferikët e vetëndierë egocentristë.

Filed Under: ESSE

Franz Kafka, në një pasqyrim të çeliktë për të bërë portretin e një metamorfoze të pambarimtë

January 7, 2026 by s p

Që nga viti 2014, vizitorët e Pragës, qytetit të rrugicave barok, hijes mesjetare dhe kujtesës së pambarimtë, ndalen befas përballë një koke gjigante prej çeliku shkëlqyes që lëviz, thyhet, ribëhet, zhduket për t’u rindërtuar sërish në një proces të pambarimtë metamorfoze. Fare pranë stacionit të metrosë Národní, instalacioni kinetik i David Černý-t duket sikur shpalos në çelik pështjellimin e brendshëm të atij që, me një trup të brishtë dhe një shpirt të ngarkuar, arriti të kthejë ankthin në letërsi universale, Franz Kafka.

Skulptura, e përbërë nga 42 blloqe inoksi të rrotulluara në mënyrë të pavarur, ka sipërfaqe reflektuese dhe peshon rreth 45 tonë. Por pesha reale e saj është simbolike: ajo mbart mbi vete gjithë dramën e një subjekti që kërkon të kuptojë veten, duke u copëzuar ndërkohë. Koka që shpërbëhet dhe ribëhet është metafora e një egoje të pasigurt, të turbulluar, që përpiqet të gjejë formë në një botë që nuk ofron qartësi.

Nuk është rastësi që kjo vepër ngrihet pikërisht në Pragë. Kafka është një prej autorëve që e kanë ngritur qytetin në një dimension mitik, ndërsa Praga, në mënyrë reciproke, e ka përkufizuar jehonën e shkrimtarit. Ai punoi në këtë zonë, në zemër të një qendre sipërmarrjeje dhe kulture që, që në fillim të shekullit XX, ishte laborator i modernitetit evropian. Në këtë klimë burokratike, shpesh absurde, Kafka do të mbrujë përvojën e tij letrare: njeriu përballë strukturave që e tejkalojnë, që nuk flasin, por urdhërojnë; një botë ku ligji ekziston, por kuptimi mungon.

Černý, duke bashkuar artin me teknikën dhe duke u mbështetur në inxhinierë mekanikë e ekspertë robotike, arrin të japë formë vizuale pikërisht këtij tensioni. Lëvizjet ritmike, të ftohta, mekanike, krijojnë një lojë hipnotizuese që gjeneron një lloj tjetërsimi te shikuesi. Ai sheh një fytyrë të njohur dhe, në të njëjtën kohë, e humbet atë. Ky është, në thelb, mekanizmi i letërsisë kafkiane: lexuesi e njeh botën, por gradualisht kupton se ajo nuk i përgjigjet logjikës njerëzore.

Nëse mendojmë veprën “Metamorfoza”, ku Gregor Samsa zgjohet si insekt, skulptura e Černý-t bëhet pasqyrë e këtij transformimi të dhimbshëm. Koka e Kafkës, që rrotullohet e copëtohet, është trupi i Gregorit që nuk i përket më vetes. Por njëkohësisht, ajo është vetë Kafka, shkrimtari që e ndiente veten i huaj në familje, në punë, në dashuri, i mbërthyer mes detyrimit dhe dëshirës për liri.

Në “Procesi”, protagonisti përballet me një gjykim të paqartë, me një strukturë ligjore që as nuk shpjegon, as nuk mëshiron. Skulptura, me mekanikën e ftohtë që e drejton, e vizualizon këtë dominim të sistemit mbi individin. Shpirti i njeriut përpiqet të formësohet, por është gjithnjë nën lëvizje të jashtme, i manipuluar nga rrethana që nuk i kontrollon. Kjo është ajo që Kafka e shndërroi në poezi të ankthit modern.

Në “Kështjella”, kërkimi i pafund për hyrjen në një botë ku autoriteti është i padukshëm, shndërrohet në metaforën e një jete të jetuar në prag. Edhe skulptura funksionon në këtë kufi: ajo premton stabilitet kur fytyra formohet për një çast, por menjëherë pas, gjithçka shpërbëhet. Çdo moment duket si premtim për qartësi, e megjithatë përfundon si iluzion.

Në këtë kuptim, Černý nuk i bën thjesht homazh një shkrimtari të madh. Ai ofron një lexim bashkëkohor të psikikës njerëzore: të fragmentuar, të pasigurt, të ekspozuar ndaj presioneve të shoqërisë teknologjike dhe burokratike. Vepra e tij flet për tjetërsimin e njeriut modern, për identitetin që nuk është më një qenie e pandryshueshme, por një proces i vazhdueshëm riformësimi.

Portreti në çelik i Franz Kafkës është, pra, një metamorfozë e përhershme. Ai nuk është monument tradicional që ngrin në kohë kujtimin e autorit. Përkundrazi, është kujtesë e gjallë se Kafka mbetet aktual sepse vazhdon të na flasë për frikërat tona më intime: humbjen e kontrollit, shtypjen nga strukturat që nuk i kuptojmë, ndjesinë se jeta zhvillohet nën një logjikë të pashpjegueshme.

Prandaj, kur koka rrotullohet, ribëhet dhe na shikon për një çast, kemi ndjesinë se ajo nuk është vetëm Kafka. Në atë reflektim prej çeliku shfaqemi edhe ne, me dyshimet tona, me fragmentet tona, me metamorfozat tona të pambarimta. Skulptura, si dhe vetë letërsia e tij, na detyron të shohim të vërtetën e padurueshme, se identiteti nuk është një statujë, por një proces i pandalur i përballjes me veten dhe botën.

Metamorfoza, tek Kafka, nuk është veç një shndërrim i trupit apo i fatit; ajo është çarja brenda njeriut, ku frika dhe vetëdija takohen si dy pasqyra që nuk pushojnë së reflektuari njëra–tjetrën. Në këtë rrëshqitje të ngadalshme nga e njohura drejt së panjohurës, njeriu zbret në thellësitë e vetes dhe kupton se asgjë nuk është e qëndrueshme: as identiteti, as rendi, as siguritë që kemi menduar se na mbajnë gjallë. Kafka e kthen këtë ankth në formë estetike, duke na treguar se njeriu është gjithmonë në prag, gjithmonë në një udhëkryq ku bota dhe vetja nuk përputhen.

Kur kjo metamorfozë ngjizet në një vepër arti, ajo fiton përjetësi. Shndërrohet në një trup të ri, që lëviz, thyhet, ribëhet dhe vazhdon të flasë përtej kohës së autorit. Arti nuk e shëron çarjen, por e bën të dukshme: na e kthen si një pasqyrë të madhe ku shohim jo vetëm Kafkën, por edhe veten tonë, të fragmentuar, të pasigurt, të etur për kuptim. Kështu, metamorfoza nuk mbetet më thjesht motiv letrar; ajo bëhet ritëm i përhershëm i ekzistencës, një frymëmarrje e çelikut dhe shpirtit, ku ne kuptojmë se përjetësia nuk është ngurtësi, por lëvizje pa fund.

Albert Vataj

Filed Under: ESSE

5 janari i vitit 1991 është dita e Fjalës së Lirë

January 5, 2026 by s p

Bujar Leskaj/

35 vite më parë u botua numri i parë i gazetës Rilindja Demokratike.

35 vite më parë qindra, mijëra shqiptarë të uritur për të vërtetën e fjalën e lirë morën në duar e lexuan me një frymë gazetën e parë opozitare në historinë e shtypit shqiptar, pas gjysmë shekulli diktaturë, diktaturë që dënonte fjalën, mendimin dhe veprimin e lirë!

Rilindja Demokratike u krijua me iniciativë të Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike dhe nga një grup gazetarësh, studentësh e intelektualësh, të cilët guxuan e hodhën në letër fjalën e mendimin e lirë, duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në emancipimin e popullit shqiptar, përçimin e kulturës demokratike, etj.

Sot është dita të kujtojmë e të mirënjohjen dhe nderimin më të lartë për të gjithë ata gazetarë, studentë, intelektualë e bashkëpunëtorë të Rilindjes Demokratike, të cilët me guximin dhe përkushtimin e tyre jo vetëm e krijuan gazetën e fjalës së lirë, të interesit kombëtar, por i hapën rrugë shtypit të lirë e pluralist shqiptar.

Misioni i RD vazhdon!…

Gëzuar!

Filed Under: ESSE

Fishta, orakull i shqiptarizmit në kohët moderne

December 31, 2025 by s p

Ligjërimi historik mbi trajtimin e së shkuarës osmane të Ballkanit është shndërruar shpesh në një ligjërim historiko-letrar, i cili pasqyron jo vetëm zhvillimet historike e kulturore të marrëdhënieve të popullsive ballkanike me Perandorinë Osmane, por edhe identifikimin e prototipeve letrare që kanë ushtruar një ndikim të rëndësishëm në veprat e mëvonshme të letërsive përkatëse. Zhanri i romanit historik dhe i poemës epike historike duket se është forma letrare që i përshtatet më së miri përfshirjes së historisë së rajonit dhe artikulimit të ligjërimit historik në letërsi.

Në fillim të shekullit XIX, kombet ende nuk kishin një histori të mirëfilltë të shkruar. Edhe ato që kishin identifikuar tashmë paraardhësit e tyre, zotëronin vetëm disa kapituj të mangët, thelbi i të cilëve mbetej ende për t’u ndërtuar. Ky proces, i cili në Europë nis me romanet historike të Walter Scott-it, nuk mund të mos ndikonte edhe shkrimtarët e Ballkanit, veçanërisht në çastin kur ata përfshihen në proceset e shtetformimit të shteteve të tyre kombëtare.

Shkrimtarët ballkanikë, shpesh në mënyrë të pavetëdijshme, duke përshkruar përjetimet e tyre rreth së shkuarës osmane të vendeve përkatëse, krijuan një lloj epopeje historike që lidh të shkuarën me të tashmen kombëtare. Në këtë kontekst, romani dhe poema historike shërbyen si modele narrative për përpunimet e para “shkencore” të historive kombëtare, por edhe si vektorë të fuqishëm për përhapjen e një vizioni të ri mbi të kaluarën.

Në Shqipëri, poeti Gjergj Fishta krijoi “Lahutën e Malcisë”, një poemë epike monumentale mbi konfliktet shqiptaro-sllave dhe shqiptaro-osmane, të shtrira në më shumë se gjysmë shekulli histori.

Fishta ndërtoi një Shqipëri heroike, me heronj që, si në antikitet, ndihmohen nga “mirat” dhe “orët”, me mallkime e ofshama larg idealizmit kalorsiak, por therëse dhe thellësisht realiste. Vargjet e tij, me rrokullimën ritmike dhe fuqinë e rimës, na rikujtojnë bëmat dhe personazhet e Eposit të Kreshnikëve. Autenticiteti i poezisë së Fishtës rizbulohet sa herë që e rilexon duke e kthyer atë në një zë profetik në në nënvedijen tonë – një orakull të shqiptarizmit në kohët moderne.

© Dorian Koçi

Tablo: Gjergj Fishta nga Pashk Përvathi

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 617
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT