• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Thaçi në SHBA

September 23, 2018 by dgreca

-Kryeson delegacionin shtetëror në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Presidenti Thaçi, bashkë me Zonjën e Parë, Lumnije Thaçi, do të marrin pjesë në pritjen e përvitshme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump/1 Presidenti Taci SHBAPRISHTINË, 23 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do t’i prijë delegacionit kosovar në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Presidenti Thaçi, bashkë me Zonjën e Parë, Lumnije Thaçi, do të marrin pjesë në pritjen e përvitshme të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe Zonjës së Parë, Melania Trump.Gjatë qëndrimit në Nju Jork, presidenti Thaçi do të zhvillojë takime me homologë nga shtete të ndryshme të botës, për të thelluar bashkëpunimin bilateral dhe rritur numrin e njohjeve shtetërore dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për çdo vjet mbledhë përfaqësuesit e të gjitha shteteve të botës dhe organizatave ndërkombëtare.Delegacioni i Kosovës, gjatë qëndrimit në Nju Jork, do të ketë takime të shumta bilaterale me liderë botërorë, përkatësisht me presidentë, kryeministra dhe kryediplomatë të shteteve të ndryshme./b.j/

 

Filed Under: Featured Tagged With: kryeson delegacionin, ne SHBA, Presidenti Thaçi

Marrëveshje Kosovë – Serbi para pranverës 2019 ?!

September 20, 2018 by dgreca

 

Adebahr: BE dëshiron marrëveshje Kosovë – Serbi para pranverës së vitit të ardhshëm/


Diplomatët botëror në Forumin Evropian Alpbach në Austri
Diplomatët botëror në Forumin Evropian Alpbach në Austri/

Nga Kestrin Kumnova/RFL/

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve territoriale përfshin edhe vende tjera dhe jo vetëm Kosovën dhe Serbinë prandaj duhet dëgjuar se çfarë mendojnë ata për këtë çështje, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Cornelius Adebahr, ekspert i politikës së jashtme të BE-së, pranë Qendrës për Hulumtime Politike, Carnegie Europe.

Sipas tij, Bashkimi Evropian pret që një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet para pranverës së vitit të ardhshëm, përderisa thekson se gatishmëria për njohje e pesë vendeve të BE-së varet nga vlerësimi i tyre për marrëveshjen mes dy vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian tashmë ka vënë disa afate siç është viti 2025 për integrimin e disa vendeve të Ballkanit Perëndimor, megjithatë ekzistojnë ndasi në kuadër të BE-së për këtë çështje. Së fundi, presidenti i Sllovenisë Borut Pahor tha se integrimi duhet të shtyhet për shkak të problemeve me BREX-it. Edhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron nuk ka shfaqur entuziazëm për anëtarësim të shpejtë të këtyre vendeve. Si mund të reflektojë kjo në Ballkanin Perëndimor?

Cornelius Adebahr: Nuk ekzistojnë afate për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por vetëm kritere ekonomike dhe politike. Këto duhet të plotësohen nga vendet kandidate dhe nuk është ndonjë fshehtësi që këto kritere janë bërë më të ashpra që nga zgjerimi “Big Bang” i vitit 2004, ashtu siç rregulloret e BE-së janë bërë më komplekse.

Pra, pikërisht pse apetitet për anëtarësime të reja janë të ulëta në disa vende anëtare, dhe menaxhimi i daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja është një presion dhe shqetësim kryesor, është qenësore që vendet aspiruese të zbatojnë kushtet e nevojshme. Në fund të fundit reformimi i sistemit të tyre politik dhe ekonomik karshi standardeve të BE-së është në interesin e tyre, pavarësisht se kur mund të anëtarësohen në BE.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni ju përparimin që kanë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE?

Cornelius Adebahr: Përparimi ka qenë i ngadalshëm në shumicën e vendeve dhe shumë më i ngadalshëm në të tjerat. Janë raportet e rregullta të Komisionit Evropian që japin më shumë detaje në këtë drejtim dhe tashmë është fshirë fjala “progres” nga titujt e këtyre raporteve.

Rusia, Turqia dhe Kina drejt Ballkanit Perëndimor

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, tha para Parlamentit Evropian se aktorë tjerë mund të shtrijnë ndikimin në Ballkanin Perëndimor nëse BE-ja e lë atë pas dore. Nga kush rrezikohet Ballkani sipas jush në rast se vazhdojnë shtyrjet e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE?

Cornelius Adebahr
Cornelius Adebahr

Cornelius Adebahr: E përsëris, nuk është Bashkimi Evropian ai që shtyn afate të anëtarësimeve të mundshme të vendeve të rajonit, por janë pikërisht këto vende që nuk janë ende të gatshme për anëtarësim. Të theksojmë se BE-ja është e vetëdijshme se Rusia, Turqia dhe Kina janë vende që në nivele të ndryshme, kanë bërë oferta për Ballkanin Perëndimor që duken atraktive për politikanë ose qytetarë apo për të dy bashkë.

Megjithatë, asnjë nga këta aktorë nuk mund të ofrojë perspektivë të një mbështetje afatgjate përmes anëtarësimit, dhe as ndihmë financiare të krahasueshme. Pra “të mos neglizhohet Ballkani” është njëri aspekt, dhe tjetri aspekt është të pranosh vendet të reja anëtare para kohe që në fakt është veprim i pamatur.

Radio Evropa e Lirë: Shtetet perëndimore kanë shprehur shqetësim me rritjen e ndikimit turk në rajonin e Ballkanit. Tregtia mes Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë ka shënuar rritje prej 430 milionë dollarë në vitin 2002 në 3 miliardë dollarë gjatë vitit 2016. Cili është interesi kryesor i Turqisë, por edhe i Rusisë dhe Kinës për shtrirje të ndikimit në Ballkan sipas jush?

Cornelius Adebahr: Rritja e tregtisë është e mirë për rajonin, e cila padyshim nuk duhet të mbështetet vetëm në të bërit biznes me Bashkimin Evropian. Megjithatë, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së duhet të përvetësojnë rregullat e qasjes në treg, transparencën, sundimin e ligjit dhe kështu me rradhë. Kjo do të ndihmonte në të bërit e dallimit midis biznesit të mirë dhe të keq pavarësisht se nga cili vend vjen.

Radio Evropa e Lirë: Me 30 shtator në Maqedoni mbahet referendum për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Ditëve të fundit kemi parë vizita shumë të larta të përfaqësuesve të BE-së, SHBA-së dhe NATO-s në këtë shtet për t’i dhënë shtytje votës pozitive në këtë referendum. Sa ka rëndësi ky referendum për rajonin?

Cornelius Adebahr : Zgjidhja e “çështjes së emrit” përmes kompromisit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë do të dërgonte një sinjal të fuqishëm në tërë rajonin, do të zhbllokonte rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian dhe NATO dhe gjithashtu do të shërbente si shembull i zgjidhjes së negociuar të mosmarrëveshjeve. Dështimi i këtij procesi, qoftë në referendumin e këtij muaji ose në ratifikimin më vonë nga ana e Athinës, do të ishte një kthim i madh mbrapa. Kjo është arsyeja pse aktorë evropianë po i japin mbështetje të tillë kompromisit.

Të konsultohen edhe vendet e rajonit për ndryshim të kufijve

Radio Evropa e Lirë: Një proces tjetër i rëndësishëm në Ballkan janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve. Së fundi ka dalë në sipërfaqe edhe ideja e ndryshimit të kufijve si zgjidhje afatgjate. Cili është vlerësimi juaj?

Cornelius Adebahr: Siç është rasti me çështjen e emrit (Shkup-Athinë), nëse të dyja vendet i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes kompromisit, kjo do të duhej, në parim të gjente mbështetje. Megjithatë bën dallim nëse po bëni përpjekje për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për emrin, që kryesisht shqetëson vetëm dy vende, apo nëse po provoni të zgjidhni mosmarrëveshje territoriale që i përfshin edhe vendet tjera. Përgjatë historisë së ish-Jugosllavisë dhe po ashtu nga luftërat e viteve 90-ta, kjo çështje nuk është shqetësuese vetëm për Kosovën dhe Serbinë.

“Ndërrimi i pozicionit të SHBA-ve e ka ndryshuar situatën”

Radio Evropa e Lirë: Mirëpo, jo të gjithë e përkrahin një ide të tillë. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk kanë vija të kuqe përderisa Gjermania, por edhe Mbretëria e Bashkuar janë shprehur hapur kundër ndryshimit të kufijve? Si e vlerësoni këtë?

Cornelius Adebahr: Deri vonë ka ekzistuar një konsensus ndërkombëtar për të mos ndryshuar kufijtë ekzistues. Ndërrimi i pozicionit të SHBA-ve e ka ndryshuar situatën. Megjithatë pas argumentit tim të mëparshëm duhet të them se nuk është vetëm çështje se çfarë mendojnë fuqitë perëndimore, por gjithashtu se si vendet fqinje që nga – Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria dhe deri të Bullgaria dhe Greqia – i shohin rezultatet e mundshme të këtij procesi.

Radio Evropa e Lirë: Kur prisni që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare? A i siguron ajo Kosovës njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe anëtarësim në OKB, siç po shpresojnë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës?

Cornelius Adebahr: Për arsye të kuptueshme, autoritetet e BE-së do të dëshironin të shihnin një përfundim para pranverës së ardhshme, kur mbaron mandati i tanishëm i Komisionit Evropian. Kjo pasi tranzicioni pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian konsumon shume kohë dhe energji.

Plus që Brukseli do të dëshironte disa lajme të mira pas largimit të Britanisë së Madhe nga blloku në fund të marsit të vitit 2019. Gatishmëria e pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën varet se si ata e vlerësojnë marrëveshjen e arritur, bazuar në shqetësimet e tyre të brendshme. Pra ne mund ta rrisim listën e vendeve mendimet e të cilave duhet të dëgjohen, siç janë këto pesë vende.

Filed Under: Featured Tagged With: Marrëveshje Kosovë - Serbi, para pranverës 2019 ?!

VAÇE ZELA, IKONA E KËNGËS SHQIPTARE

September 20, 2018 by dgreca

1342a596a2ddbdee63b141e0e33dbd01bb853e6e9ecVaçe-ZelaVace-Zela-IBNAngjarjet-1316vaczla0

ESSE NGA LUAN ÇIPI/

Vaçe Zela, u lind në qytetin e Lushnjës më 7 prill 1939, dhe vdiq më 6 shkurt 2014, në  Bazel të Zvicrës.“Zëri i Artë i Shqipërisë”, “Ikona e Shenjtë e Këngës Shqiptare”, “Mbretëresha e Këngës Shqiptare”, “Ylli Polar që vërtitet i vetëm në Galaktikën e Këngës së Lehtë Shqiptare”, “Gjigantja e Skenës Shqiptare”. Këto janë vetëm disa nga epitetet për këtë simbol tashmë të kthyer në legjendë.Vaçe Zela është këngëtare shumë e njohur, ikona e paarritshme e skenës shqiptare, artiste popullore dhe këngëtare me famë  botërore. Ajo, si këngëtare  u zbulua rastësisht në moshë të re në qytetin e Lushnjë. Kishte një zë brilant, të ëmbël, tingëllues e me një timbër të veçantë kumbues, me diapazon të gjerë e intonacion perfekt. Këngët e saj popullore mbeten në vite, të kënduara dhe të preferuara nga publiku. Vaçe Zela mbetet Zëri i jashtëzakonshëm që mbushte me energji, shpresë dhe optimizëm skenat shqiptare edhe pse të pluhurosura e të grisura nga ngarkesat pushtuese e diktatoriale.Ajo, mori pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio dhe më vonë në televizion, që prej organizimit të parë, në vitin 1962 dhe deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e përhershme shumë vjeçare  e çmimit të ekselencës.Vaçe Zela ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar shumë këngë pjesë e muzikës së filmave.Në ka një artist, që emri i tij në dekada të identifikohet me festivalet e këngës, pa asnjë dyshim, ai është emri i Vaçe Zelës. Ajo ishte dhe do mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë të lehtë. Vaçe Zela u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare, për më se dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i paarritur për të gjitha kohët.

Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo lajmëroj se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm 23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja, se isha e pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton këngëtarja nga festivali i parë.

Sot duket paradoksale, por Vaçen fillimisht kishte zëra që nuk donin ta pranonin në festival. Ishte frika se do bënte dallime të dukshme me këngëtarët e tjerë, dhe se duke kënduar do t’i zhvleftësonte.

Festivalet rrodhën njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë triumfuese me zërin e saj brilant, duke i spostuar me meritë të tjerët.

Këngët të bukura si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës dhe kanë hyrë në çdo familje shqiptare .

Fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, asaj iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Është “Mjeshtre e Madhe e Punës” dhe u nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit Shqiptar” më 24 dhjetor 2002 nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Siç ka thënë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare të qytetit të Lushnjës. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në muzikë por kishte prirje edhe në pikturë e teatër.

Ishte dhjetë vjeç kur nisi të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin amatorë të muzikës qytetare popullore myzeqare.

Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do ti mahniste të tjerët me zërin e saj, ndërsa ajo vetë, këndonte krejt e lirë dhe e shkujdesur. Tregojnë bashkëkohorët, se Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit myzeqar. Duke e parë talentin e lindur, të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, dhe as prindërit e saj nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen për ta shkëputur nga pasioni i saj. Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar dëshirën e saj të zjarrtë, po nuk qe e thënë. Ata, nuk ia dhanë të drejtën për t’u pranuar në atë shkollë. Më pas do t’i kthehej edhe një herë Tiranës, për të provuar shansin dhe nisi studimet në shkollën “Qemal Stafa”. Aty nisi të mësojë edhe kitarën, e cila më pas u bë pjesë e pandarë e jetës dhe e suksesit të saj.

Një mikja e Vaçes, Violeta Librazhdi, shoqe e shkollës dhe e gjithë jetës së këngëtares së madhe, ka botuar një libër të posaçëm, kushtuar këngëtares, ku shkruan: “Kujtoj ditët kur për herë të parë pashë Vaçen me një kitarë në duar, me të cilën ajo këndoi gjatë në dhomën e saj, këngë që nuk mundej t’i këndonte dot në skenë. Ishin këngë spanjolle, italiane e amerikane që i kishte mësuar “vjedhurazi” duke i dëgjuar me vëmendje në radiot. Pas dritares së shtëpisë ishin mbledhur me dhjetëra njerëz dhe dëgjonin vajzën që këndonte aq ëmbël. Vonë e kishin kuptuar se të tjerët ishin ngulur pas dritares. Ne nisëm të qeshnim, ndërsa njerëzit duartrokisnin pa pushim. Pak kohë pas këtij “koncerti” të thjeshtë, në rrugët e Tiranës do të ngjiteshin afishet “Këndon Vaçe Zela”…e kështu pas kësaj shfaqej çdo herë në skenat e Tiranës e jashtë saj”. Kjo kitarë, në momentin e duhur, ishte dhe një faktor suplementar, me të cilën ajo fitoi dhe të drejtën e studimit në degën e dramës, pa u larguar asnjëherë nga pasioni për këngën. Kitara e Vaçe Zelës zë një vend të veçantë edhe në studion e ish të përndjekurit politik  Gëzim Çelës. Kësaj vegle muzikore, dëshmi e peripecive të shumta të kaluara në jetë, por dhe shpirtmadhësisë së këngëtares sonë të famshme Vaçe Zela, ish-i burgosuri politik , që e përdori në burg si dhuratë nga ajo,i ka kushtuar një tregim të titulluar “Kitara”, Kitara e varur në mur merr sërish jetë e bëhet e gjallë në duart e ish të burgosurit politik, të cilit tingujt e muzikës, i rikthejnë në mendje qindra kujtime të gëzuara apo të hidhura nga vendet e vuajtjes së dënimit, shokët e tij të burgjeve, por, mbi të gjitha, i kujtojnë solidaritetin njerëzor, e cila është një ndër pasuritë më të çmuara për çdokënd.

Vaçe Zela, pasi kish kënduar si amatore në Lushnje e Tiranë, e nisi karrierën e saj si këngëtare profesioniste fillimisht në Estradën e Ushtrisë, më pas, arriti kulmet e lavdisë, në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Këngët e bukura të vendlindjes gjetën te Vaçja një interpretuese të madhe. Kudo ku dha shfaqje, në qytete e fshatra, apo edhe jashtë shtetit, ajo u mirëprit për zërin e bukur dhe të veçantë e tepër melodioz. Jo më kot u quajt “Bilbili i Myzeqesë”, por shumë shpejt u bë bilbili i kombit, i gjithë Shqipërisë dhe Kosovës, sepse këndoi me të njëjtën dashuri e pasion këngën e të gjitha krahinave të vendit.

Në çdo sukses të bujshëm e të merituar që ka pasur Ansambli i Këngëve dhe Valleve popullore jashtë shtetit, nën drejtimin artistik të muzikantit e kompozitorit te madh, Tish Daija, si në Francë, Greqi, Itali, Turqi, Kinë, Zvicër e gjetkë, këngëtarja e shquar Vaçe Zela ishte faktor i rëndësishëm që gjithnjë e më shumë, bëri për vete një publik mjaft të gjerë dhe sidomos specialistët më të shquar të kohës. Shtypi i këtyre vendeve e ka vlerësuar mjaft lart, zërin e mrekullueshëm të këngëtares se madhe. Kalimi nga muzika popullore në muzikën e lehtë qe i natyrshëm për Vaçen dhe i domosdoshëm për kohën.  Kjo, për zërin e saj  të ëmbël, me diapazon të gjerë e timbër të veçantë ishte fare e lehtë, ndërsa për kohën dhe zhvillimin, ishte nje domosdoshmëri. Kështu repertori i saj u bë shumë i pasur dhe u zgjerua dukshëm, duke përfshirë me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë, si pjesë e muzikës së filmave.

Kjo karrierë e lavdishme, u ndërpre në vitin 1991, vit që shënon edhe ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje. 

Vaçe Zela, është konsideruar nga të gjithë brezat, si meteori qiellor i fatit që i ra për pjesë Shqipërisë. Atëherë kur Shqipëria kishte vetëm  varfëri ekstreme dhe prapambetje, këngët e Vaçe Zelës i kënduan dritës dhe shpresës.

Ajo kishte repertor shumë të gjerë e të larmishëm si rrallë këngëtare të famshme në botë. Vaçe Zela kishte aftësi të jashtëzakonshme për ta përvetësuar dhe riprodhuar çdo melodi, qoftë edhe me njëherë të dëgjuar nga radioja. Ajo kishte aftësinë për ta bërë këngën të prekshme për çdo mjedis dhe arrinte të ruante besnikërinë ndaj nuancave origjinale fine, qofshin ato dhe nga tradita e popujve të tjerë.

Qenë këto vite kur njerëzit edhe pse në vështirësi ekonomike, nuk i diferenconin dot artistët e tyre, që ishin thuajse në një nivel jetese. Sipas rrëfimit të mikes së saj biografe: “këngëtaren, italianët e kërkonin ta blinin me shifra marramendëse, ndërkohë që shteti e trajtonte pa diferenca shpërblimi të theksuara e pa trajtimin special për një artiste të nivelit botëror. Po ajo,  nuk pranoj të shkonte me ta, po preferoj të rinte pa kushte speciale, në shpërblim për mirënjohje, te populli i saj, qoftë dhe në varfëri e mjerim.  Njerëzit e donin Vaçe Zelën. Afishet kudo reklamonin emrin e saj, ndërsa biletat shiteshin shpejt.. 

Është për t’u ndalur te viti 1993, kur këngëtari nga Kosova, Naim Krasniqi, do të këndonte në skenën e festivalit shqiptar të 32-të të këngës, një këngë kushtuar këngëtares së madhe. Kënga mbante titulli “Jetën ma dhurove” dhe vargjet e saj ishin vërtet emocionuese: Na fale shpirtin e njomë, këngën na fale/ Nga skena jehonte aj’ zá në fush’ e male/ Ooo Vaçe Zela k’saj toke të plaguar/Jetë i dhurove, e mbajte të zgjuar.” Që nga festivali i 19-të, kur këndoi dhe si përherë shkëlqeu dhe u vlerësua me çmimin e parë për këngën “Shoqet tona ilegale”, Vaçe Zela i kishte munguar skenës së festivale. Dhe publiku kishte mall për të, për praninë e saj. E ja tani, ajo sërish, pas 3 vjetësh, ndodhej në një sallë festivali, vërtet si spektatore, por ishte aty. U mallëngjye, nuk e priste t’i bëhej një nder i tillë. Një këngë kushtuar asaj. U mallëngjye edhe krejt publiku në sallë. Ovacionet për këngëtaren nuk pushonin. Ndërkohë që dridhërima zemre përjetonin miliona shqiptarë nëpër botë që ndiqnin nga ekranet festivalin e këngës. Prania e Vaçe Zelës në një festival, qoftë edhe me një këngë kushtuar asaj, kur ajo prej vitesh, që nga festivali i parë kishte qenë zonjë e festivaleve dhe këngës shqiptare, mjaftonte si fakt që shqiptarët ta ndienin edhe një herë praninë e “mbretëreshës”.

Rasti i fundit i pranisë së saj në atmosferën e festivalit ishte viti 1999. Festivali i 38-të i këngës. E ftuan nga Zvicra si kryetare e jurisë, ku jetonte prej vitesh dhe kurohej për sëmundjen e sa. Megjithëse mjekët e këshilluan të mos udhëtonte ajo nuk donte të humbiste emocionet e festivalit. Po aty e nderuan me çmimin “Mjeshtre e Madhe e Punës”. 

Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mori emrin e saj.

Vaçe Zela është përfshirë në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.

Në Paris është krahasuar me Edith Piaf, ndërsa në Itali me këngëtaren e madhe, Mina.

Çmimet në adresë të artistes janë të panumërta. “Artiste e merituar”, në vitin 1973, “Artiste e Popullit”, në 1977, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare Nderi e Lushnjës”, deri te çmimi më i lartë, “Nderi Kombit”.

Këngët e saj këndohen vazhdimisht nga brezat e rinj të këngëtarëve, por janë të pakrahasueshëm gjithsesi me atë vokal, që vetëm Vaçe e kishte.

Artistja thoshte se ndihej mirë sa herë që në Shqipëri dikush kujtohet dhe vlerëson punën e saj. Ishte e emocionuar gjithmonë edhe pse në të shumtën e rasteve çmimet i janë dhënë në mungesë të saj.

Çmime të rëndësishme këngëtarja ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Vaçe Zela është nderuar me “Diskun e Artë” nga Amerika për “kontribut në shoqëri në vitin ‘97”, është zgjedhur “Gruaja e vitit ’97-’98” në Cambridge të Anglisë, “Mikrofoni i Artë” nga Ministria e Kulturës e Kosovës, etj.

I fundit çmim për Vaçe Zelën është “Çmimi i madh special për legjendën e këngës”, në 45-vjetorin e Festivalit në RTSH. Ky vlerësim iu bë këngëtares së njohur shqiptare në natën Gala, të organizuar në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit vetëm pak ditë përpara se të niste Festivali në Radio Televizion, i cili numëron një numër rekord prej 20 festivalesh. Çmimi i është akorduar këngëtares për kontributin e veçantë të dhënë për muzikën shqiptare dhe për pjesëmarrjet e veçanta qysh në vitet e para të organizimit të këtij festivali, në të cilin artistja ka rrëmbyer edhe mjaft çmime.

Me zërin e saj mahnitës e të papërsëritshëm për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e saj të pavdekësisë, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë atdheut.

Vaçe Zela mbetet “zëri i jashtëzakonshëm” që mbushte me energji skenat shqiptare, duke u bërë idhulli i shumë brezave.

Vaçe Zela i dhuroi publikut shqiptar si edhe Historisë së Muzikës Shqiptare zërin e saj të artë. Një kulm që nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa artistike.

Që nga viti 2002 Vaçe Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.

Një histori e bukur në jetën e Vaçes së Madhe është dhe historia e dashurisë, fejesës dhe martesës së saj,  plot mirëkuptim e harmoni. Vaçe Zela u martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata lindën  vajzën  e tyre te dashur e të mbarë, Irma.  Lindja e vajzë e lumturoi edhe më shumë çiftin simpatik që pas këtaj e kaluan mbarë jetën mes përkushtimit ndaj këngës dhe familjes.

Kjo ka qenë jeta e artistes së madhe, një jetë e bukur dhe e mbushur me emocion, deri para 10 vitesh kur ajo do të sëmurej rëndë. Ishte nisur për të vizituar vajzën e saj Irma që jetonte në Zvicër, kur nuk është ndjerë mirë dhe pikërisht në këtë kohë u nis kalvari i saj i dhembjes. Dy operacione të njëpasnjëshëm, mjekime të përditshme, kohë e tërë e shkuar nëpër spitale, përmirësime apo kthime prapa. 

Atje në Zvicër ajo jetoi për një kohë. Historinë se si doli në Bazel të Zvicrës këngëtarja e tregon në një libër.

Ishte Irma, i vetmi fëmijë i këngëtares, e para që vajti në Bazel dhe më pas morri atje edhe familjen. “Në qytetin Bazel të Zvicrës, në një banesë pesëdhomëshe, në katin e parë, qetë e dinjitetshëm, ajo luftoi sëmundjen për ta mbijetuar me jetën: larg këngës, larg skenës, që për të paraqiste vend të shenjtë, larg admiruesve të pasionuar pas zërit të saj, të cilëve sot u mungon figura e këngëtares, dhe larg, shumë larg, duartrokitjeve të pafund, e vetmja pasuri që i dhuroi populli” shkruan Sanije Gashi në librin “Ecje nëpër kujtesë” – derisa kujton Vaçen në vitin 2012-të.

Pjetri dhe Irma, bashkëshorti dhe vajza e saj, ishin njerëzit që i qëndruan pranë këngëtares, në momentet kur shëndeti i saj ishte dobësuar.

Vaçe Zela ndahet nga jeta në moshën 74–vjeçare pas një sëmundje të gjatë në Basel të Zvicrës. Me dëshirën e saj, artistja e madhe shqiptare Vaçe Zela u mbart e prehet në Atdhe.

Qeveria Shqiptare ndërmori të gjitha masat dhe e solli trupit të pajetë nga Bazeli i Zvicrës. Ajo u kujdes të kapërcente një mori procedurash burokratike, me të cilat do të ishte përballur çdo qytetar i thjeshtë. Po kështu, mori përsipër edhe shpenzimet e gjithë këtij procesi.

Pritja e parë këngëtares iu bë në Aeroportin e Prishtinës nga Autoritete kosovare, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe familjarë të saj, për t’u shoqëruar më pas për në Tiranë, ku ajo kishte kërkuar që të prehej. 

Ministria e Kulturës, e cila organizoi ceremoninë mortore për nder të këngëtares Vaçe Zela, vendosi që homazhet për artisten të organizohen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku ajo ngriti karrierën e saj. Skena mori një pamje mortore, por ruajti skenografia e shfaqjes së momentit në baletin “Zhizel”.

Lamtumira  dhe homazhet e  fundit iu dha në varrezat e Sharrës, ku ajo prehet, përjetësisht me gjithë madhështinë e pavdekësisë së saj.

Kanë thënë për   VAÇE ZELËN:

Dritero Agolli, shkrimtar : “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”

Nexhmije Pagarusha, këngëtare : “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela

.”Osman Mula, regjisor : ”Vaçe Zela ishte një këngëtare e madhe me zemër të madhe. Krijoi një botë të sajën. Ajo qëndroi me të dyja këmbët në tapetin e këngës shqiptare, si këngëtarja e krahasuar me një simfoni pambarim të së ardhmes. Vaçe Zela ishte një këngëtare e fuqishme, në vokalin e së cilës morën jetë shumë zhanre këngësh. Dhe në secilin syresh ajo dha maksimumin.”

Prof. Tish Daija, kompozitor : “Vaçe Zela ishte tepër skrupuloze. Përzgjedhjen e këngës e ngriti në kult, përtej të zakonshmes, në mënyrë që t’i jepte mundësi zërit dhe vetes për interpretime të shkëlqyera. Zërin, këngën si karakter ajo i shihte të lidhura ngushtë mes tyre. Vaçe Zela ka pasur një vokal të shkëlqyer. Ngjyrimet e zërit i ka përftuar në maksimum. I ka përdorur me inteligjencë të gjitha veçoritë e zërit, duke i vënë në veprim kur dhe si duhet, me vibrime të shkëlqyera. .. Me këngët që këndoi, popullore dhe të muzikës së lehtë, ajo krijoi stilin e vet, të cilin e imituan të tjerët me kalimin e kohës. Mbeti gjithmonë një këngëtare e veçantë.”

Gjokë Beci, poet: “Nëse ka përkthim togfjalëshi “KRENARI KOMBËTARE SHQIPTARE” ai pa dyshim do të ishte VAÇE ZELA.”

Avni Mula, kompozitor e këngëtar : “Vaçja kishte një inteligjencë natyrale. Ia ka bërë “hyzmetin” këngës në të gjitha vështrimet. Dhe, gjithmonë ia ka arritur qëllimit. Vaçja ishte edhe njeri i sakrificës. E vendosur në atë që kërkonte të bënte. Madje, ishte kurajoze, trime. Për këto cilësi çdo këngëtar duhet t’ia ketë zili. Në shpirt ishte thellësisht humane, demokrate në mendime. Edhe si njeri ishte e drejtë, e dashur. Me kontributin që i solli këngës shqiptare, Vaçja mbeti një artiste e madhe, një patriote e vërtetë”.”

Këngëtari Sherif Merdani Na mësoi si të dashurojmë këngën. Është një humbje aq e madhe sa nuk e krahasoj as me 100 politikanë. E kam njohur kur kam qenë në Lushnjë, këndonte në estradën e Lushnjës, me shokun tim u njoh që iu bë dhe bashkëshorti i saj. Ishte Mina e Shqipërisë. Një dhuratë nga Zoti.

Kompozitori Robert Radoja: Është  humbje e madhe. Ndarja nga jeta e Vaçe Zelës është  humbje e madhe. Ajo dha shembullin e papërsëritshëm. “Është e para që e ngriti në piedestal muzikën tonë të re.  Është ndarje e madhe por njerëzit që bëjnë epoka kthehen në legjenda.

Agim Krajka kompozitor:  Vaçe Zela është e pazëvendësueshme. “Vaçe Zela të emociononte, ishte një artiste në çdo qelizë të trupit të saj. Është humbje tmerrësisht e madhe, Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij. Ajo, “ishte një vajzë jashtëzakonisht korrekte”.

Zijà Saraçi, kantautor : “Vaçja erdhi në skenën Shqiptare si një reze e lehtë, si një shi pranveror me të gjitha perkusionet e saj natyrore, ajo kaloi si një meteor mbi qiellin tonë, duke lënë pas një tis të hollë emocionesh të paharruara, emocione të cilat i dhanë ndriçimin e munguar shpirtrave. Ajo krijoi shkollën, iku dhe hipi në “Piedestal”, për të mbetur një legjendë e paharruar në kujtesën tonë kolektive…”

Limoz Dizdari, kompozitor: ”Kërkesat e Vaçes në rrafshin muzikor ishin estetikisht të pakontestueshme. Vaçja ishte një këngëtare me zë të veçantë. Kjo veçanti kishte të bënte me gjithë formimin e saj biologjik e intelektual. Shijet e saj të natyrshme, shumë të kultivuara, ishin të domosdoshme për ta bërë këngën estetikisht të arritur. Në rast se realizoheshin këto kërkesa, ti do të ishe i sigurt për suksesin e këngës. Në të kundërt, Vaçja nuk pranonte ta këndonte këngën.”

Nora Çashku, pedagoge e pianos : “Vaçe Zela ka qenë piedestal në skenë. Edhe si njeri, edhe si aktore. Vaçja ishte një zog në skenë. Ndokush mund ta ketë quajtur edhe të panënshtruar ose, në një farë mënyre, “rebele”. Falë talentit, ajo i është bindur zërit të brendshëm për të mos u nënshtruar kur ishte për t’i shkuar deri në fund fjalës në poezinë e këngës dhe ngjeshjes së frazës në melodinë e saj. Vaçe Zela ishte njeri i brishtë. Për mua ajo mbetet njeriu që solli emancipimin në skenë për shumë dekada. Fakti që nuk doli një e dytë mes shumë këngëtarëve, tregon që akoma s’është paraqitur në skenën tonë një talent i tillë.”

Prof. Zana Shuteriqi, muzikologe : “Nuk bëj pjesë midis atyre që e njohin Vaçe Zelën nga afër, por midis mijëra shqiptarëve të tjerë që u pushtuan prej saj gjatë një periudhe 40-vjeçare. Kjo njohje për së largu është ndër të paktat arsye përse Vaçja tek ne u shndërrua në një mit. Arsyet e tjera janë të shumta, cilësisht të rralla për një brez të tërë që dijshëm apo vetëdijshëm i realizon kërkesat e komunikimit ngjeshur pas trupit të një radioje. Vaçja mendoj se mishëronte në atë kohë përfytyrimin më konkret të asaj çka ne kërkonim si në eter. Këndoi gjithçka dhe kudo la vulën e një personaliteti të papërsëritshëm, që komunikoi me tërë arsenalin e mundshëm të ndjenjave, prej të cilave do të veçoja atë çka përbën thelbin e shpirtit të saj: dhimbjen njerëzore. Vaçja kështu hyri midis shqiptarëve me dhuntinë, me gjeninë e artistëve të mëdhenj, që kanë privilegjin të bëjnë epokë dhe që për këtë arsye janë të pazëvendësueshëm në identitetin e vet.”

Prof.Dr.Adriatik Kallulli, kritik letrar, shok klase : “Të njohësh nga afër artistët më të shquar të kombit tënd, është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve. Qenë vite kur vendi mezi e siguronte kafshatën e gojës dhe rrobën e varfër të trupit. Jeta kishte fare pak gëzime dhe një këngëtare e vërtetë në klasën tënde, ishte një pasuri njerëzore e madhe dhe e rrallë, një grimcë gëzimi që të falte shoqja jote, një shoqe fisnike dhe humane që vinte tek kënga shpirtin e saj të madh, një shoqe e veçantë që lëndohej për të gjitha plagët e atdheut dhe të njerëzve dhe intuitivisht e ndjente se melodia dhe tingujt mund të bëheshin një balsam për shpirtrat e shqetësuar. Artistja Vaçe, më së miri dëshmon atë që pat thënë Mikelanxhelo “Ruajeni atë zjarr që ndjeni brenda vetes, se ai jeni vetë ju.”

Ferdinand Deda, dirigjent : ”Ishte fat për ne njerëzit e artit, të kishim mes nesh një këngëtare si Vaçe Zela, për vokalin e saj të shkëlqyer në të gjitha komponentët. Kishte një forcë të madhe interpretative, që lidhej me shkallën e lartë të frymëzimit artistik. Përdorte një mjeshtëri të veçantë të kënduari, ku gjenin vend ngjyrime të shumta. Ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft i dashur, por edhe e ashpër kur s’i përfilleshin kërkesat. Ishte tejkaluese në realizimin e qëllimit artistik për të çuar tek auditori pikërisht ato emocione që ngërthente kënga. Talenti, inteligjenca muzikore dhe intuita, kur unë drejtoja këngën e saj më krijonin një gjendje të tillë emocionale, sa nuk më vjen zor ta them, se më drithërohej trupi. Me Vaçen ishte kënaqësi të punoje.”

Leka Bungo, regjisor: “Vaçja për mua dhe për të gjithë, ka qenë një artiste që ka bërë epokë. Ka qenë e madhe që kur ishte e vogël. Një këngëtare e madhe dhe një aktore e zonja. Interpretimi i saj ka qenë kupola e interpretimit.”

Mimoza Ahmeti, shkrimtare: “Personalisht për mua Vaçe Zela është burim zanor ekspresional i natyrës. Kësaj i shtoj edhe interpretimin e dlirë shpirtëror të këngëtares. Edhe pas kaq vitesh, kur dëgjoj Vaçe Zelën, ndiej po atë kënaqësi të veçantë, të palëkundshme, që vetëm ajo dhe zëri i saj të shkakton.”

Prof.Dr.Fatmir Hysi: “Ajo mbetet një shenjë e qartë e identiteti dhe kulturës shqiptare të kohës dhe për dekada të tëra do të jetë një pikë e rëndësishme referimi për nivelet e larta të kësaj kulture.”

Luan Zhegu, kantautor: ”Vaçja ishte e lindur si talent. Me punë u bë një këngëtare e veçantë në llojin e vet, një zë brilant. Ajo shpalosi prirjen e saj në një kohë kur mungonin mjetet auditive moderne. Vaçja këndoi gjithmonë “dal vivo”. Kjo mënyrë e të kënduarit i jepte vokalit të saj një amplitudë të madhe. Ishte e vendosur në përzgjedhjen e këngëve, në kërkesat artistike. Madje e sertë dhe në konflikt me “drejtuesit”, sa herë që ata nuk e kuptonin. Kishte nuhatje të dukshme për skenën, si vend i shenjtë. Vetveten, shikuesit i kishte mbi të gjitha. Kjo bëri që vokali i Vaçe Zelës të lartësohej në përmasat që kërkoi.”

Shqipe Zani, pedagoge e kantos: “Zëri i saj, brenda një shtrirje prej një oktavë e gjysmë, arrinte të shprehte një larushi të pafund jonesh e frazash me të cilat ajo mbështillte, si me një tis të hollë fluid vokali, ide, mendime të pafund, kaq të prekshme për dëgjuesin. Vaçja punonte si qëndistari me fjalën, frazën, përputhjen mes tyre. Mund të them pa mëdyshje që Vaçja kishte një interpretim brilant.”

Pavlina Nikaj, këngëtare: “Vaçja kishte një vokal të përsosur, për rrjedhojë edhe një interpretim të veçantë, perfekt, të cilin e vishte me një botë të madhe emocionale. Në agjendën e saj kishte një repertor të pasur, madje të larmishëm, që mund t’ia kishte zili çdo këngëtar: këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë; ka kënduar baladën, romancën, në fillimet saj edhe këngën e huaj. Dhe, në të gjitha këto është treguar një mjeshtre e vërtetë. Si njeri, Vaçja ishte e dashur, vlerësuese përkundrejt simotrave të saj këngëtare, të cilat i respektonte. Si këngëtare ajo arriti një kulm. Për të gjitha këto cilësi, unë, si këngëtare e kam adhuruar Vaçen.”

Visar Zhiti, poet: ”Lushnja ishte qyteti i të ardhurve, i të përndjekurve dhe i të internuarve. Po të parafrazonim Pol Elyarin, Lushnja u bë kryeqytet i dhimbjes. Në këtë mjedis të dhimbjes rritet edhe Vaçja. Ajo me zërin e saj sikur u dha zë… të pazëve ! Ishte mahnitëse. U bë Afërdita e këngës moderne shqiptare duke mos iu ndarë kurrë rrufetë e frikshme zeusiane. Zëri i saj mund të quhet pjesë e lirisë së munguar.”

Prof. Dr. Aleksandër Peçi, kompozitor: “E dashur Vaçe, u çmallëm shumë duke ju parë, duke ju dëgjuar, duke kënduar e duke folur në atë mënyrën tuaj mjaft të ëmbël dhe emocionuese që ju ka karakterizuar gjithmonë. Ju thatë se ju mban gjallë dashuria jonë, ne themi se na jep jetë zëri juaj magjik, i papërsëritshëm, gjithçka që ju i dhatë këtij vendi e këtij populli.”

Lirim Deda, poet: “Ne vërtetë jemi një vend, ku ka thesare të gjithfarëllojshme nën e mbitokësore, por më i çmuar dhe më i përveçëm është thesari ynë shpirtëror e kulturor. Përse u dashka që të mos udhëtojë nëpër shpirtrat e kombeve të tjerë një filigran i florinjtë mëmëdhetar si Vaçe Zela, që pashëmbëllsisht me askënd tjetër dëfton shqiptarizmin si më shqiptarja në këngë e melodi.”

Ardit Gjebrea, kantautor: “Filloi kënga dhe unë u gozhdova i shtangur në kolltukun e platesë së Operas, duke ndjekur madhështinë e interpretimit të artistes sonë të madhe. Në një moment kulminant të këngës ndjeva që trupin ma përshkuan mornica dhe ishte hera e parë, që më ndodhte një gjë e tillë. Isha i magjepsur dhe në fund të këngës duartrokisja me gjithë fuqitë e mia dhe trupi vazhdonte të drithërohej nga emocionet që më kishte ngjallur zëri dhe çdo lëvizje e saj. Nuk mund ta harroj kurrë atë emocion dhe mbaj mend edhe vendin ku isha ulur atë natë, ku provova një emocion si të isha në dashurinë time të parë.”

Liliana Çavolli, këngëtare: “Zëri dhe interpretimi i Vaçe Zelës pasqyrojnë shpirtin, fisnikërinë, madje mund të them edhe karakterin e popullit tonë. Vaçe Zela është një institucion më vete.”

Dr. Sytki Bushati, mjek, mik i familjes: “Vaçja sikur lindi për të bashkuar në këngë tokësoren me hyjnoren. Gjithçka në harmoni. Kjo është Vaçja për mua dhe për të gjithë ata që e kanë njohur. Nuk di pse më erdhën në kujtesë ato vargjet e poetit popullor shkodran: “Perëndia të goditi, kusur nuk të pat lanë.”

Rikard Ljarja, aktor e regjisor: “Vaçe Zelën e kam njohur në vitin 1961. Kemi qenë bashkëstudentë në shkollën për aktorë. Kemi qenë në një klasë. Vaçja ka qenë një tip i jashtëzakonshëm sepse ishte e formuar si artiste në atë moment që erdhi në kursin tonë. Kanë kaluar vite, vite, vite… Ajo nuk arriti të bëhej aktore sepse Zoti a natyra, i kishte dhënë një dhunti të jashtëzakonshme, një zë vërtet të jashtëzakonshëm. Po nuk është thjesht çështja e zërit. Vaçja kishte potencën fizike, mençurinë edhe zërin, dhe këto të gjitha i përdori në mënyrë të shkëlqyer dhe arriti të bëhej një figurë mbarëkombëtare e këngës. Ajo nuk ishte thjesht një këngëtare, vërtet nuk ishte thjesht këngëtare! Asaj i këndonte shpirti, i këndonte syri, floku, lëkura, gjestikulacioni. Ajo ishte gjithçka. Këto fenomene të natyrës lindin shumë rrallë. I qëlloi epoka e saj. Epoka e saj ka lënë gjurmë kaq të thella në kujtesën e gjithë shqiptarëve, të gjithë brezave, edhe të atyre që do vijnë më vonë. Unë do ta quaja fenomeni Vaçe Zela. Për shqiptarët kudo që janë ajo ishte “the voice“.

Inva Mula, këngtare: Kam pasur fat të të njoh që kur isha fare e vogël dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty. Ti, Va e dashur, ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë. Të falënderoj dhe do të jem mirënjohëse, Diva jonë absolute.

Mirush Kabashi, aktor: “Gjithmonë më tingëllon zëri i saj me një këngë të huaj që titullohej “Esperanca”. Pikërisht, kjo shpresë që Vaçja nuk e sillte nëpërmes përmbajtjes së këngës, por nëpërmjet interpretimit të këngës, nëpërmjet asaj të veçante të këngës së saj, ishte ajo që e bënte atë fenomen, që e bënte aq të kërkuar, që do ta bëjë atë gjithmonë si një ndër yjet më të mëdha të artit tonë, sepse Vaçja gjatë gjithë karrierës së saj artistike ngjalli te njerëzit vetëm ndjenjën e shpresës, po ndjenjën e shpresës në një sistem diktatorial. Ky është një atribut që vetëm një artiste e madhe e përmasave të Vaçe Zelës mund ta ngjallte.”

Nirvana Pistulli, poete: “Vaçja është një idhull, është një emër që nuk harrohet, është një zë që nuk mund të zëvendësohet, është një melodi e përjetshme, është një lule plot dritë në një kohë të zymtë, ushqim për shpirtra të etur. Ajo nuk i përket vetvetes, ajo i përket gjithë kombit.”

Nexhat A. Agolli, shkrimtar, autor i monografisë “Vaçe Zela – magjia e këngës shqiptare”: “Vaçe Zela ishte një yllësi që ndriçoi mendjen muzikore shqiptare për afër dyzet vjet radhazi me zërin e saj të ngrohtë dhe të gjithëpushtetshëm. Dy zëra në kohë të ndryshme të fenomenit Vaçe: në të parën adoleshente dhe, në të dytën, madhore. Mes tyre një periudhë e gjatë, e shtrirë në kohë dhe në hapësirë mes dy caqeve nga ku nisi dhe arriti zenitin këngëtarja jonë e shquar. Një lëvizje drejtvizore, e ngjashme me të atë Tokës rreth vetes dhe Diellit, por me një trajektore më të gjatë, do të thoja kozmike. Në kufirin e kësaj trajektoreje ne përjetuam zërin e saj të mahnitshëm.”

Besnik Dizdari, gazetar: “Kur flet për Vaçe Zelën të del përpara një rrugë gjigante dhe vihesh në vështirësi për të gjetur fjalët e duhura, për të përmbledhur rrufeshëm një jetë të tillë. Unë them vetëm kaq: Brezi ynë u rrit me këngën e Vaçes. Në shpirtin tonë të trazuar zëri i saj i rrallë, melodia që buron prej tij, përshkohet si një lloj elektrizimi që sjell vetëm forcë. Është një forcë shpirtërore që blaton një lloj rinimi të pashpjegueshëm, që ishte krejt në kundërshtim me atë realitet! Është e çuditshme se si ndodhte, që edhe atëherë kur përmbajtja e këngës nuk sinkronizohej me zërin e magjishëm dhe me melodiozitetin që buronte prej tij, ne emocionoheshim deri në skaj. Çuditërisht ndjeheshim më të fortë dhe nostalgjia që falte zëri shndërrohej në një optimizëm që sa vështirë ishte ta gjeje në Shqipërinë e asokohe. Ky është shërbimi i madh atdhetar i Vaçe Zeles ndaj shqiptarëve. Në të vërtetë, Vaçja na fal humanizëm, të cilin ne nuk ia kthyem me kurrgjë më tepër përveç se me duartrokitjet që thonë se janë shumë për artistin. Ndoshta…”

Hasan Huta, poet: “Moj Vaçe Zela e pavdekshme. Je pjesë e shpirtit të këtij populli, por veçanërisht e imja si artist, si krijues. Nuk mund ta konceptoj personalitetin tim pa atë timbrin e zërit tënd që oshtinte në qiejt e kohës duke më bërë të identifikohesha me atë klithmë pothuajse hyjnore për të qenë edhe vetë pjesë e magjisë së artit. Ashtu si energjia kozmike që përshkon materien e ngurtë edhe zëri i shpirtit tënd e përshkonte tejembanë sistemin inert të kohës duke ndriçuar si një vetëtimë në qiellin e errët shpirtin e njeriut shqiptar. Të uroj nga zemra shëndet dhe ndërgjegjësim të të qenit e pavdekshme jo vetëm për kombin tonë por për zërin njerëzor në përgjithësi.”

Violeta Librazhdi, mësuese, shoqe fëmijërie, autore e librit biografik “E papërsëritshmja Vaçe Zela”: “Kënga e saj çante muret e Teatrit të Operas dhe Baletit, kaptonte rrufeshëm fusha, bregore e male dhe futej në çdo shtëpi shqiptari brenda e jashtë kufirit. Njerëzit e thjeshtë ndoshta nuk e dinë se sa çmime të para ka marrë Vaçja. Por ato dinë më shumë, dinë që Vaçe Zela është një bijë e denjë e popullit të saj, që kudo dhe kurdoherë ka në zemër e në mendje Shqipërinë e shqiptarët. E kjo është mjaft për ta. Prandaj ajo meriton ngrohtësinë, dashurinë dhe urimin e thënë thjesht: “Të këndoftë zemra, të lumtë goja o Vaçja jonë e shtrenjtë!” Kjo është arsyeja që ne, shoqet e shokët e saj, kur mblidhemi bashkë ndër festa edhe kur ajo s’është, ngremë një gotë për të dhe na duket fort e goditur sentenca e latinëve “Shkëlqen me mungesën e saj”

 

Për këtë jetëshkrim  janë marrë të dhëna nga interneti: Wikipedie, Nexhat Agolli, Violeta Librazhdi, Sanie Gushi, Gëzim Çela, etj.

 

Tiranë, më 20.08. 2018

 

Filed Under: Featured Tagged With: E KËNGËS SHQIPTARE, ikona, Luan Cipi, Vace Zela

NJË MYSAFIRE NGA LONDRA NË SELINË E VATRËS

September 20, 2018 by dgreca

-Enxhi Vladi eshte analiste financash dhe punon per nje kompani per menaxhim asetesh, e cila quhet Pine Bridge Investments Europe Ltd.-/

42232678_2245172658844996_4938182349868236800_n42161693_2245170188845243_6772593797164433408_n42220400_2245171232178472_6471899120977051648_n42195919_2245171668845095_8556092032118947840_n

Pasditen e së Mërkurës me 19Shtator 2018 selinë e Vatrës e vizitoi një mysafire nga Londra, Enxhi Vladi, e cila shoqërohej nga studiuesi Agron Alibali.
Enxhi ka emigruar ne Angli qe ne moshen 5 vjeçare. Tash ajo eshte analiste financash per nje kompani per menaxhim asetesh, e cila quhet Pine Bridge Investments Europe Ltd.
Mysafirja u takua në Vatër me nënkryetarin Agim Rexhaj, anëtarin e Kryesisë Marjan Cubi, editorin e Diellit Dalip Greca dhe gazetarin televiziv Ilir Buçpapaj.
Editoi i Diellit e ka njohur mysafiren me rrugëtimin historik 106 vjecar të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe gazetën”Dielli” e fundmja dhe e vetmja gazetë e kohës së Rilindjes, që vijon të botohet në print që prej 109 vitesh (numri i parë doli me 15 shkurt 1909) dhe ka një publikim të rregullt online.
Editori duke përshkruar rrugëtimin e Vatrës, u fokusua në shërbimet kryesore të Vatrës: Fushatën e saj për Shpëtim Kombëtar, që startoi me 3 qershor 1917, Huanë Kombetare të vitit 1921, Organizimin dhe financimin e shërbimit diplomatik në qendrat kryesore të Europës dhe në Washington në mungesën e shtetit shqiptar për vitet 1916-1920, në dërgimin në Shqipëri të Trupave vullnetare të Vatrës dhe të Bandës muzikore VATRA, dërgimin e mijëra librave për shkollat shqipe etj etj…
Mysafirja Enxhi Vladi tha për Diellin se edhe pse vjen për të parën herë në Vatër, ajo kishte informacion të mjaftueshëm për Vatrën edhe për faktin se gjyshi i saj nga babai ,Thanas Papa, kishte lindë në Nju Jork më 1915, ndërkohë që ati i gjyshit kishte emigruar në SHBA më 1910 dhe ishte bërë pjesë e Vatrës që më 1912.
Mysafirja vizitoi edhe bibliotekën dhe arkivin e Vatrës.
Enxhi Vladi shkroi në librin e vizitorëve se ishte privilegj për të që ishte në Vatër.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Enxhi Vladi, NË SELINË E VATRËS, NJË MYSAFIRE NGA LONDRA

Sukses i Oficerit të FSK në SHBA

September 19, 2018 by dgreca

-Kapiteni i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Fatmir Lami, shpallet më i miri në Universitetin Ushtarak për Logjistikë në Fort Lee,  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

1. -Kapiteni i FSK-së Fatmir Lami okFORT LEE, 18 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/Oficeri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, kapiteni Fatmir Lami, pjesëtar i Batalionit të Logjistikës në BMO-së, ka marrë pjesë, nga data 28 shkurt 2018 e deri më 14 shtator 2018, në Kursin e Karrierës për Kapiten për Logjistikë, (LOGC3) 18-004, në Universitetin Ushtarak të Logjistikës (Army Logistics University) në Fort Lee, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë kurs kanë marrë pjesë oficerë të ushtrive nga Kosova, Japonia, Egjipti, Brazili, Greqia, Jordania, Turqia, Arabia Saudite, Estonia dhe Letonia. Në mesin e përfaqësuesve të këtyre vendeve, kapiteni i FSK-së, Fatmir Lami shpallet oficeri më i mirë ndërkombëtar në  mesin e 13 oficerëve pjesëmarrës nga këto shtete të botës, ndërsa në nivel  të përgjithshëm prej 119 pjesëmarrësve, Fatmiri zuri vendin e shtatë.

Edhe ky sukses tregon se pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës janë shumë të përkushtuar dhe me motivim të lartë. Kudo ku ata po  marrin pjesë,  si në trajnime apo  stërvitje ushtarake nëpër  universitete ushtarake  jashtë vendit, po tregohen më të mirët, qoftë në gara  individuale, qoftë  në ato kolektive.

Kapiteni Fatmir Lami  ka diplomuar më 12 shtator në Universitetin Ushtarak për Logjistikë në Fort Lee, SHBA.  Ai u shpreh se është i gatshëm  që përvojën  e fituar në SHBA ta zbatojë në praktikë në Logjistikën e FSK-së./b.j/

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Sukses i Oficerit, të FSK në SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 391
  • 392
  • 393
  • 394
  • 395
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT