• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JAVA KULTURORE NE SHBA U MBYLL NE VATER

July 8, 2018 by dgreca

 

Te “Vatra”, u përmbyllën aktivitetet e “Javës kulturore shqiptare në SHBA”/3arben Skender

Nju Jork, 7 korrik 2018 –Me prezantimin në Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, në selinë e saj në Nju Jork,  u përmbyllën aktivitetet e “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, të organizuara nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë.

Të pranishmëve në fillim iu drejtuan nënkryetari i Federatës“Vatra”, Agim Rexhaj, dhe kryetari Dritan Mishto, të cilët u dëshiruan mirëseardhje mysafirëve në Vatrën përbashkuese të të gjithë shqiptarëve në Amerikën e Nolit dhe Konicës.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se shqiptarët në SHBA kanë fat të madh që, përkundër dallimeve të ndryshme fetare e krahinore, gjejnë edhe një vatër shqiptare që është mbi të gjitha ato dallime. “Vatra është metaforë e vargut të Pashko Vasës “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kur vijmë këtu, të gjithë ne shkrihemi në identitetin e përbashkët të Vatrës dhe gjejmë prehje nga dallimet që mund t’i kemi gjithkund tjetër. Vetëm në Vatër ne ndjehemi tamam shqiptarë pa asnjë përcaktor tjetër. Dhe, kur kësaj ia shtojmë faktin se themelues të Vatrës ishin patriotët që edhe sot kanë mbetur të patejkaluar në përmasat e tyre, s’do mend se të shkelësh në hapat e tyre kjo është edhe privilegj, por edhe përgjegjësi”, u shpreh Asani.

Më tej fjalën e mori edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Edmond Brahimaj, si dhe kreu i komunitetit bektashian të Maqedonisë, Arben Sulejmani, të cilët prezantuan rrugëtimin e komunitetit të tyre me gjithë peripecitë e natyrave të ndryshme.

Më pas u promovua edhe libri: “The light of guidance” nga autori Arben Sulejmani, si dhe u prezantua foto ekspozita: “480 vjetori i Teqesë Harabati Baba” dhe dokumentari: “Rrugëtimi 12 vjeçar bektashian”.

Drejtori i Institutit, “Vatrës” ia dhuroi të gjitha botimet e fundit të Institutit të cilat u promovuan më parë në qendra të ndryshme.

Në kuadër të “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, Instituti prezantoi nëpër disa institucione të rëndësishme të diasporës shqiptare amerikane në Nju Jork dhe Nju Xhersi, duke promovur libra dhe ekspozita dokumentare, të cilat zgjuan interesim të madh brenda komunitetit dhe jashtë tij.

Delegacioni i Institutit, i përbërë nga Skender Asani, Zeqirija Ibrahimi dhe Sevdail Demiri, në kuadër të kësaj vizite realizuan edhe takime të rëndësishme në SHBA, në mesin e të cilëve edhe me kryetarin e Lidhjes Shqiptare-Amerikane, Xhozef Diogardi.

Filed Under: Featured Tagged With: Instituti i Trashegimise, Kulture, Vater

KRYEGJYSHI BOTEROR, TE SHTUNEN NE VATER

July 6, 2018 by dgreca

KRYEGJYSHI BOTEROR, KRYESHENJTERIA E TIJ HAXHI DEDE EDMOND BRAHIMAJ TE SHTUNEN NE VATER/

36794345_413917319107244_8281595793148739584_o

Të Shtunën me 7 Korrik 2018, duke filluar nga Ora 10.00 AM në Selinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës do të organizohte përmbyllja e Javës të veprimtarive kulturore-Historike, Javë që nisi me 1 Korrik 2018 në Qendrën Kulturore”Nëna Terezë” pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”.

Në veprimtarinë që organizohet në Vatër përvec drejtorit Dr. Skënder Asani, Profesor Arben Sulejmani e të tjerë, do të jetë i pranishëm edhe Kryegjyshi Botëror, Kryeshenjtëria e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
Kryeshenjtëria e Tij ishet pjese e 100 Vjetorit te Themelimit te Federates Panshqiptare et Amerikes”VATRA”, vizitoi Seline e Vatres, mori pjese ne Konfernecen Shkencore”VATRA, 100 Vjet ne Sherbim te Kombit” si dhe ne darken madheshtore me 29 Prill 2012.
Gjatë kësaj veprimtari qe Organizohet te Shtunen, do të bëhen:
1- Prezentimi i rugetimit 12 vjeçar deri në fitoren e të Drejtave të komunitetit Bektashi në Maqedoni, e finalizuar ne Gjykaten Nderkombetare per te Drejtat e Njeriut ne Strasbourg.
-Shpalosja e Librit te Arben Sulejmanit “The light of Guidance”.
-Foto ekspozite 480 vjetori i Teqes Harabati Baba dhe nje Dokumentar-Prezentimi I rugetimit 12 vjeçar deri ne fitore te te drejtave te komunitetit Bektashi ne Maqedoni, ne gjykaten Nderkombetare per te drejtat e njeriut ne Strasbourg.
-Shpalosja e Librit te Arben Sulejmanit “The light of guidance”.
-Foto ekspozite 480 vjetori i Teqes Harabati Baba dhe nje Dokumentar.

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, do ye vizitoje Vatren, Kryegjyshi boteror

Zhvendosja e afreskut të Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano

July 6, 2018 by dgreca

5 Klajd1(Viti 1467: Sulltan Murati II, do të shprehej: Kush do të më ndalojë t’i shfaros të krishterët shqiptarë?Ata kanë humbur shpatën dhe mburojën (Gjergj Kastriotin) e tyre)/

ok klajd-kapinovaNga  Klajd Kapinova/ Në qytetin e lashtë të Shkodrës, prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës së Bekuar, e cila ndodhet edhe sot në Gjenacan të Italisë.

1 Klajdi

Historia e saj, është vetë historia e katoliçizmit ndër shqiptarë, i cili, me vdekjen e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit.

Gjatë gjashtë shekujve të robërisë të kohës së barbarisë dhe persekutimit sistematik të shqiptarëve katolik të Shkodrës nga Perandoria Islame Osmane, një pjesë e madhe e banorëve autokton, në saj të dhunës me motive të pastra fetare do të detyrohej të ndërronte fe, kurse një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mundimshme të mërgimit, në dheun latin e gjetkë.

afresku

Ndër kohë vetëm një pakicë e popullsisë autoktone të krishterë shqiptare, do të mbetej besnike, duke vuajtur kalvarin e mundimshëm për shekuj e shekuj me radhë.

1 Kisha

Shqiptarët emigruan kryesisht në Itali. Valët më të fuqishme të emigracionit gjatë kësaj periudhe për arsye politike dhe gjenocidi osman islamik ishin në fund të shek. XIV, 1415 1417 gjatë pushtimit të disa kështjellave të viseve bregdetare, me 1466 1467 gjatë Rrethimit të II dhe III të Krujës, pas vdekjes së kryetrimit të Arbërisë Gjergj Gjon Kastriotit (1468), pas rënies së Krujës, të Shkodrës (1478-1479) etj.
Rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe xhihadiste islame e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, Figurja e Zojës së Shkodrës, u shkëput nga muri i Shenjtorës rrëzë kështjellës Rozafa, për të mos u dhunuar nga hordhitë islame anadollake.
Zoja e bekuar e qytetit e mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna – u ndalua në Gjenacan, afër Romës në Itali.
Gojëdhëna tregon edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Ata sapo arritën në Romë, figurja në fjalë u zhduk nga sytë e tyre.
Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta.
Në histori kjo ka mbetur e shënuar si data 25 prill 1467. Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja e Këshillit të Mirë, Pajtorja e Shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan.
Kjo figurë, nderohej në kishën dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa më e vjetra në Shqipëri, e cila në këmbët e saj prej shekujve ka pritur per me qindra dhe mijëra besimtarë të krishterë dhe të besimeve të tjera.
Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura komuniste ateiste enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret: “O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.
E kur kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët: “Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.
Kjo figurë murale e Zojës së Shkodrës  e quajtur ndryshe si Drita e Shqypmiis, u zhvendos mrekullisht nga kisha bri kalasë së Shkodrës për në Gjenacano në vitin 1467. Për fat të mirë, Ajo u shpall figurë mrekullibërëse nga Papa Pali II (1464-1471), duke u vlerësuar si një ngjarje me përmasa botërore.
Historia e figurës së Zojës së Bekuar, rikthen si kujtesë lashtësinë e Arbërisë, dhe në veçanti në qytetin antik të Shkodrës, e cili me Dioklenë, ishin qytete të rëndësishme ilire, të cilat luanin një rol shumë të madh në rrafshin gjeopolitik, të zhvillimit kulturor e pagëzimor në kohën romake.
Historikisht dihet se Shkodra, ishte një nyje e lidhjeve në mes Lindjes dhe Perëndimit, si vijimësi e rëndësishme në periudhën veneciane.
Prifti franceskan Barleti, ndër të tjera shkruan, se në qyteti dhe përreth e qark, që më parë kanë funksionuar kishat në kala: Kisha katedrale e shën Shtjefnit, e shën Nikollës, e shën Gjergjit përreth kalasë, shën Aponalit, shën Teodorit, shêjtes Krygjë, shën Pjetrit e shën Palit dhe shën Vlashit.
Pikërisht, përhapja e rregulltarëve në Mesjetë në këtë zonë, si: Bendediktinët, Dominikanët, Françeskanët, Karmelitanet etj., tërhiqte me vete, pos të tjerave, nderimin e madh që kishin ndaj Nënës së Krishtit, të lumes Mari, e cila në krishterim ka një rol tejet të rëndësishëm, sikurse perëndesha Vesta që kishte për Pellazgët e më vonë për Ilirët pagane, shkruan ndër të tjera studiuesi bashkohorë dr. dom Nikë Ukgjini.
Arbëria u pushtua nga Perandoria Osmane në vitin 1434. Në krye të ekspeditave të përgjakshme kundër arbërorëve ishte venë vetë fanatiku islamik sulltan Murati II. Qëllimi i Perandorisë ishte nënshtrimi i vendeve të krishtera të Ballkanit dhe islamizimi i domosdoshëm tyre përmes shpatës, masakrave dhe kuranit.
Ngjarjet që kanë lidhje me zhvendosjen e afreskut të Zojës së Këshillit të Mirë për në Gjenecano, ishte fushata e egër xhihadiste islamizuese e asimiluese e ndërmarrë në Arbërinë e Mesme dhe Veriore nga sulltan Mehmeti II, në vitin 1466-1467.
Duke dëgjuar për sëmundjen e Gjergj Kastriotit, në fillim të vitit 1467, sulltan Murati do të shprehej: “Kush do të më ndalojë t’i shfaros të krishterët shqiptarë? Ata kanë humbur shpatën dhe mburojën e tyre.”
Kërcënimet e sulltanit pasuan ngjarjet e pranverës të vitit 1467, si: Rrethimi i Dytë i Krujës, Lezhës, Drishtit, Shkodrës dhe pushtimi i Danjës.
Me këto djegie, perdhunime, barbarizma, tortura e vrasje kolektive të shqiptarëve nga Mehmeti II, populli ynë ishte trullosur dhe u mendua së mbërriti dita e gjykimit të Hyjit, ku e gjithë Shqipëria do të përfshihej në shfarosje.
Hakmarrja turke i bëri arbërorët, që të parashikonin jo vetëm humbjen e menjëhershme të pasurive, konvertimin me dhunë gjak, dhe kuran, por edhe shtypjen më brutale, shfarosjen e plotë të shumë qyteteve e fshatrave, shfarosjen e besimit dhe të qytetërimit.
Duke mos parë asnjë rreze shprese nga këta njerëz, populli iu drejtua qiellit: mbushte tempujt e shenjtë, shumëfishonte lutjet publike, mbante kreshmë të rreptë dhe i lartësonte Hyjit premtime të çdo lloji, që ta ndalte fatkeqësinë e zemërimit të tij.
Mes këtyre mërgimtarëve dalloheshin për mëshirën e tyre dy vëllezër katolikë, të pikëlluar thellë për fatet e ardhshme të atdheut të tyre.
Njëri prej tyre ishte familja De Sklavis, dhe shqiptari tjetër, me mbiemër Gjergji. Nëse i referohemi aspektit teologjik, afresku i Zojës në mënyrë të mrekullueshme ishte shkëputur nga muri, duke u paraprirë dy rojeve, Gjergjit dhe Sklavis, kishte kaluar detin e Adriatikut dhe kishte zënë vend afër Romës në Gjenacano, më 25 prill, 1467.
Zëri i një shfaqjeje të mrekullueshme të Virgjëreshës në Gjenacano vjen deri në Romë, dhe papa Pali II, në vitin 1467, ngriti një komision, i cili në bazë të studimeve të kryera, shprehet se, Figura e Zojës është mrekullibërëse.
Këtë figurë, si të tillë, e kanë konsideruar edhe papë të tjerë në vazhdim: Siksto IV, 1475; Urbani VIII, 1630; Benedikti XIV, 1753; Pio IX, 1854; Leoni XIII 1883; Gjoni XXII 1959; e deri tek papa Gjon Pali i II, më 25 prill 1993, me rastin e ardhje së tij në Shqipëri.
Pas ikjes së saj, kohë të errëta mbërritën dhe banorët mjerimin që i pushtoi pas shpërnguljes së Zojës së Shkodrës, do e përjetësonin në vargje, “Qysh at ditë që na u largove, t’tana t’zezat na kan ra”.
550 vite më parë, afresku i Zojës së Shkodrës u shpërngul nga qyteti që po binte nën pushtimin xhihadist islam osman dhe u vendos në Genacano pranë Romës, në një kishë të etërve agostinianë.
Në 550 vite, legjendat për të, mrekullitë e saj e kanë rrethuar Figurën e Zojës me një vel mistik dhe i kanë shtuar asaj më shumë misterin. Në shekuj, besimtarë të shumtë kanë bërë pelegrinazhe.
Megjithatë, gjithçka nisi një ditë prilli të vitit 1467, në kishën rrëzë kodrës, ku ngrihet ende sot shtatlartë kështjella Rozafa. Mbi atë imazh që iku në kohë rrebeshi, në shekuj me radhë janë krijuar riprodhime të figurës së Zojës së Shkodrës.
Ndërsa Këshilli i IV i Peshkopëve Shqiptarë, i mbajtur në vitin 1895, e shpalli Zojën e Shkodrës si Pajtore të Shqipërisë.
Pas më shumë se 600 vjetëve, studimet që i janë bërë në Romë kanë treguar se Figura ose Fugurja e Zojës (në të folmen e Shkodrës) është më e madhe se ç’dihej në përmasa. Imazhi i plotë i afreskut u zbulua nga studiuesit bashkëkohrë, gjatë konferencës shkencore ndërkombëtare kushtuar Asaj, në Tiranë në vitin 2018.
Historia e afreskut të Zojës së Këshillit të Mirë, është një histori mes legjendës së mrekullisë dhe historisë së përshpirtërisë. Shpërnguljes së Zojës së Këshillit të Mirë, është një histori sa fatkeqe aq edhe frymëzuese, sa e ngjashme me historinë kombëtare aq edhe e veçantë, sa është legjendë aq është edhe historike.
Duke u mbështetur në legjendën, që është transmetuar brfez mbas brezi dhe sipas një tradite të shenjtë, ajo u largua nga kisha që e strehonte, duke shpëtuar kështu për mrekulli nga pushtimi turk i vitit 1467.
Në vitin 1467, fillon pushtimi i Shqipërisë, nga fuqita e Perandorisë Osmane. Kjo përkon me vdekjen apo kalimin në amshim të Atletit të Krishtit, siç është quajtur kampioni i mrekullueshëm i krishtërimit të kohës së tij, Heroi ynë Kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti.
Të krishterët ikën gjithnjë e më në very mes malëve dhe jashtë vendit të shqiponjave, për t’i bërë ballë pushtimit osman. Në këtë situatë të vështirë për popullin shqiptar, piktura e Zojës së Shkodrës, u shkëput për mrekulli nga muri dhe e mbajtur nga engjëjt u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit, mbi detin Adriatik, për në Itali. Në këtë largim e ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjergji dhe De Sclavisi.
Pelegrinazhet në Genazzano u bënë të shpeshta, sa që Papa Pali II dërgoi atje dy ipeshkvij që të merrnin një informacion mbi situatën, siç rezulton nga një biografi e shkruar në vitin 1478 pranë Arkivit të Vatikanit.
Në vitin e “ardhjes” së Zojës, siç e përshkruajnë gjenacanasit faktin, u redaktua nga një noter “kodi i mrekullive”, që përshkruan 161 mrekulli të ndodhura në kapele në periudhën 25 prill deri më 14 gusht të vitit 1467, vlerëson studiuesi dr. dom Nikë Ukgjini.
Figurja e Zojës, është e pikturuar mbi një copë suvaje muri katrore, me teknikën e afreskut. Është e lartë 45 centimetra dhe e gjërë 40 centimetra. Duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar pa flokë.
Thuhet se është pikturuar kështu, mbasi në Shqipëri aso kohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin flokët. Koha kur u krijua kjo vepër arti dhe autori i saj nuk dihen me siguri.
Kjo figure, pra, nderohej në kishëzën dy herë të rrenuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi.
Duke marrë parasysh se Zoja e Këshillit të Mirë, e njohur si Zoja e Shkodrës, është edhe Pajtorja e Shqiptarëve, Misioni Katolik në Luzern të Zvicrës dhe kisha katolike Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York, vendosën që ta zgjedhin si Pajtore të veten, duke i kushtuar të gjitha familjet nën mbrojtjen e Saj.
Në këtë aspekt, kisha e jonë në New York, me në krye Të Përndershmin dom Pjetër Popaj dhe ndihmësin e tij dom Viktor Deda, falë edhe bashkëpunimit të mirë me besimtarët, vazhdon të jetë oazë pranë së cilës ata organizohen në aktivitete fetare e kulturore, duke shuar sado pak etjen dhe mallin për vendlindje, mbi të gjitha duke ushqyer jetën shpirtërore në gjuhën e vet amtare.
Kuvendi i III i Arbrit (1895) propozoi si mbrojtëse e pajtore të Shqipërisë Virgjërën Nënë të Këshillit të Mirë, e njohur përgjithësisht si Zoja e Shkodrës.
Ky vendim u mor njëzëri dhe iu parashtrua Atit të Shenjtë, Papës Leoni XXIII, prej të cilit u mor pëlqimi dhe me 26 prilli u shpall si ditë kremte për dioqezat e Shqipërisë.
Vetëm pas shpalljes së Pavarësisë prej zgjedhës turke (28 nëntor 1912) mundi të niste rindërtimi i Shenjtërores së kushtuar Zojë së Shkodrës. Punimet nisën pikërisht në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore.
Më 23-26 prill 1917 u kremtua me madhështi 450 vjetori i shpërnguljes prej Shkodrës i Figurës së Shenjtë.
Toka mbi të cilën gjendeshin gërmadhat e shenjtërores së lashtë, i dhurohej prej Komandës së Lartë të Korparmatës XIX austriake, Arqipeshkvisë së Shkodrës.
Për ta ligjëruar këtë akt, u hartua një dokument pronësie që, më 7 korrik 1917 iu dorëzua arqipeshkvit të Shkodrës, Imz. Jak Serreqit. Pastaj më 31 korrik u bekua guri i parë.
Në vitin 1944 erdhën kohë të errëta për kishën dhe kombin shqiptar. Shteti komunist, marksist-leninist ateist, u sul me furi kundër gjithçkaje që përfaqësonte katolicizmin në Shqipëri.
Me kthimin e ligjshmërisë në Shqipëri, me shembjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë aq të pritur, filloi një punë e vazhdueshme dhe e dendur për të rindërtuar gjithçka që mund të shpëtohej. Do të rilindte kështu edhe Shenjtërorja e Zojës së Shkodrës.

Figura e Zojës së Shkodrës në New York

Festa e “Zojës së Shkodrës” ose e njohur si “Nana e Këshillit të Mirë”, mbledh cdo vit besimtarët bashkëatdhetarë në një mbrëmje festive të organizuar nga kisha katolike Zoja e Shkodrës, për të përkujtuar 27 prillin si Dita e Pajtores së famullisë të kishës katolike me të njëjtin emër në Hartsdale New York.
Qendra Katolike Shqiptaro-Amerikane Zoja e Këshillit të Mirë, është themeluar nga i ndjeri mons. Zef Oroshi (1915-1989) më 1969 në Qendrën Katolike shqiptare shën Pjetri e Pali themeluar nga mons. Zef Oroshi dhe dom Lazër Shëldija.
Në vitin 1973, si rezultat i bashkimit të këtyre dy qendrave u formua ajo që sot quhet krenaria e të gjithë besimtarëve katolikë shqiptaro-amerikanë kisha e Zojës së Shkodrës në New York.
Qendra Katolike shqiptaro-amerikane “Zoja e Këshillit të Mirë”, është themeluar me formimin e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane me 16 qershor të vitit 1962, me nismëtarët e përkushtuar meshtarët shqiptarë dr. mons. Zef Oroshi dhe prof. dr. at Andrew Nargaj, të mbështetur nga një grup të vogël besimtarë katolikë shqiptarë të porsa ardhë nga kampet Italisë dhe Austrisë. Kurse Lidhja Katolike u formua në një mbledhje të mbajtur në kishën katolike sllovene të Shën Qiricit në Manhattan New York. Ky tubim inkurajoi të gjithë besimtarët dhe barinjtë shpirtërorë që të fillojnë kishën e parë katolike shqiptare në ShBA dhe në përkujtim të Zojës së Shkodrës.
Që prej vitit 1973 tradicionalisht filloi të përkujtohet edhe festa e pajtores së famullisë Nana e Këshillit të Mirë ose Zoja e Shkodrës, e cila si një nënë e kujdeshme i ka mbrojtur e i ruan gjithnjë të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë në vendlindje dhe diasporë…
Që nga ajo kohë e deri më sot festa e shoqëruar me darkë të madhe, ka 30 vjet që festohet në New York nga të gjithë besimtarët katolikë të kishës shqiptaro-amerikane.
Ata vijnë nga shumë shtete të Amerikës për të gëzuar së bashku me ish-famullinë e parë të kishës shqiptaro-amerikane.
Figura e Zojës së Shkodrës, që është e realizuar në pikturë edhe në kupolën e kishës me të njëjtin emër, ka një histori të hershme.
Ajo ka qenë e vendosur në lterin e kishës në qytetin e vjetër të Shkodrës dhe nderohej me një devotshmëri të posaçme, sikurse një engjëll i gjallë.
Shtegtarët shkodranë po i luteshin Zojës së Shkodrës për ndërmjetësinë e Saj dhe se si figura në një mënyrë të mrekullueshme shkëputet nga muri i kishës së Shkodrës, duke kaluar brigje, kodra e lumenj dhe më pas detin Adriatik dhe u vendosën në Itali.
Që prej vitit 1467, kur iku nga Shkodra, figura origjinale e “Zojës së Shkodrës” sot pushon në Bazilikën e Gjenacanit disa kilometër afër Romës.
Në atë kohë ushtria pushtuese otomane e rrethoi kalanë “Rozafa” në Shkodër, ku figura gjendej.
Shqiptarët i bënë rezistencë ushtrisë otomane, por edhe përballë rezistencës qyteti ra nën sundimin e pushtuesve. Forcat turke praktikonin shkatërrimin e kishave dhe qytetërimin e populli të arbërit. Ata për dy javë e kthyen kishën kushtuar shën Shtjefnit protomartir në xhami, por që më vonë u rikthye besimtarëve të mëparshëm katolikë.
Sot gërmadhat e kishës gjenden në mënyrë fragmentare si rrënoja me disa faqe muri në kalanë 2400-vjeçare Rozafa. Qyteti zhvendoset nga kodra rreth kalasë në drejtim të zonës fushore, ku edhe vendoset popullsia e krishterë qytetëse.
Për qytetarët shkodranë dita e 7 prillit e vitit 1858 është një nga ditët që ka mbetur e gdhendur në kujtesën e historisë.
Vetë fjala aq e njohur në Kisha e Madhe siç e thërrasin ende sot të gjithë, kishte si synim të rëndësishëm që në gjirin e saj të jenë të pranishëm sa më shumë besimtarë të përkushtuar me lutje të përshpirtme. Nga arkitektët italianë ndërtues, ishte menduar që Kisha të zënte mbi 7500 besimtarë…
Edhe pse u largua prej Shkodre prania e saj si nënë mbrojtëse ishte gjithnjë për të gjithë shqiptarët. Ajo i ruajti dhe ndihmoi popullin shqiptar gjatë shumë çasteve të vështira, që të mbajnë gjallë fenë e shenjtë katolike.
Termeti i vitit 1905 dhe bombardimi i qytetit më 1913, shkatërruan vetëm një pjesë të vogël të qytetit dhe objektet kishtare. Edhe gjatë regjimit të ashpër komunist është përdorur një barbarizëm i madh ndaj fesë dhe meshtarëve të popullit shqiptar.
Në pjesën ballor të kishës në lter ka qenë figura e Zojës së Shkodrës, e cila u ripikturua më 1958 nga një sërë piktorësh të njohur të qytetit të krishterë dhe muslimanë.
Më 1995 meshtari dom Ndoc Noga, me një grup piktorësh të rinj të talentuar si Jozef Martini, Zef Paci, Adrian Paci i rikthyen buzëqeshjen besimtarëve të devotshëm katolikë, kur ato ripikturuan “Zojën e Shkodrës” në kupolën e Kishës katedrale të shën Shtjefnit…
Në dekadën e fundit Zoja e Shkodrës e adhuruar nga të gjithë besimtarët katolikë kthei lirinë e besimit popullit tonë, ku u ngritën dhe u rihapën kishat e reja. Pas vizitës së Papa Gjon Pali II në kishën Zoja e Shkodrës në Shkodër
Të gjithë ata që kanë patur rastin të udhëtojnë për vizitën si turistë në hyrje të qytetit të Shkodrës, kanë verën re një kishë të re të ndërtuar më 1995. Kjo kishë është rrënuar me themel dhe lëndë plasëse nga sistemi ateist, duke zhdukur dhe vrarë me dhe pa gjyq një pjesë të madhe të klerikëve katolike që kanë shërbyer edhe në këtë kishë.
Skicë idea e ndërtimit të kishës për herë të parë është bërë nga poeti kombëtar at Gjergj Fishta (1870-1940), që është pjesë e 25 punimeve që ruhen në Kuvendin Françeskan në Gjuhadol Shkodër.
Më 25 prill 1993, Ati i Shenjtë papa Gjon Pali II bekoi gurthemelin e ndërtimit të kishës së re si dhe shuguroi katër ipeshkjëvij të rinj të hierarkisë së re të kishës katolike pranë katedrales shën Shtjefni.
Papa solli dhe i dhuroi Katedrales së Madhe në Shkodër një kopje të figurës së Zojës së Shkodrës, që sot gjendet në Gjenacan afër Romës.
Si përputhje historike të përkushtimit shpirtëror edhe ipeshkëvijtë e shuguruar të ndjerët imzot Frano Illia, imzot Robert Ashta dhe Shkëlqësinë e Tij imzot Zef Simoni ipeshkëv ndihmës i arqipeshkëvisë metropolitane të Shkodrës dhe Shkëlqësinë e Tij imzot Rrok Mirdita arqipeshkëv në arqipershkëvinë Durrës-Tiranë (sot Tiranë-Durrës), kanë pasur figurën e Zojës së Shkodrës.

Filed Under: Featured Tagged With: AFRESKU, Klajd Kapinova, Zhvendosja, Zoja e Keshillit te Mire

PRIZREN-DOKUFEST SHPALL PROGRAMIN, 100 FILMA GARUES

July 6, 2018 by dgreca

2 Prizren-Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë/1 DokuGazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/4 Prizren

PRIZREN, 6 Korrik 2018/  DokuFest ka shpallur sot programin e filmave garues për edicionin e 17-të, i cili do të mbahet nga data 03 – 11 gusht në Prizren, Kosovë.7 Priz

Festivali do të shfaqë 100 filma në gjashtë kategoritë garuese të tij e që përfaqësojnë 40 shtete – përfshirë dhjetë premiera botërore, katër premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Të gjithë filmat tjerë që shfaqen në festival do të kenë premierën kosovare.3 Prizren

Organizatorët deklaruan sot në Prizren se, filma dokumentarë të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale është çka e karakterizon përzgjedhjen e këtij edicioni. Një numër i filmëbërësve do të rikthehen të prezantojnë filmat e tyre për herë të dytë ose tretë në festival, ndërsa programi përfshinë edhe filmëbërës të rinjë, puna e të cilëve prezantohet nëpër seksionet garuese.

Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World si dhe programin e kuruar për temën qendrore të festivalit ‘Reflektimi’.

“Të guximshëm dhe avanturistikë, kështu do t’i etiketoja shumë prej filmave dhe regjisorëve pas tyre”, tha Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i festivalit.

“DokuFest vazhdon të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë dhe ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmëbërërit e ri dhe mjeshtërat e kinemasë”, shtoi ai.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

 

PROGRAMET GARUESE:

GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMBËTAR

GARA E FILMAVE TË SHKURTËR

GARA E DOKUMENTARËVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT

GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT

GARA KOMBËTARE 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 100 Filma, Behlul Jashari, Doku, Prizren

TONIN MIRAKAJ- NE VEND TE KARTOLINES PER DITELINDJE

July 5, 2018 by dgreca

tony.IMG okme antonio belushin.IMGMe rugoven ne NY 1989.IMG_000828 nent 1994.IMG10 shtator 72.IMGme meksin.IMG_0008'94 me liolin.IMG

Vatra, një “pasuri” e çmushme, që gjenerata e re duhet ta çojë më të konsoliduar në shekullin e dytë./

dalip & Tonin

NGA DALIP GRECA*/

Tonin Mirakaj e ka nisë veprimtarinë në Federatën Vatra që në vitin 1961, pesë vite pasi kishte lënë vendlindjen. Me 20 shtator 1956 familjarisht ishin larguar nga Shqipëria për të fituar lirinë, por sapo shkelën në Jugosllavi, e ndjenë se kishin rënë nga shiu në breshër.Sistemet e qeverisjes dhe shtypjes të drejtave njerëzore, ngjasonin si vëllezërit siamezë. Gjithësesi azilkërkuesit shqiptar përfitonin në atë kohë nga që mes dy shteteve vazhdonin mosmarrëveshjet ideologjike. Sipas z. Tonin Mirakaj egzistonte edhe një tjetër faktor i favorshëm për emigrantët azilkërkues:Jugosllavia si nënshkruese e traktatit të Kombeve të Bashkuara për tëdrejtat njerëzore, duhej të pranonte refugjatë politik, për të cilët edhe merrte ndihma të konsiderueshme nga Komisariati i Lartë i Refugjatve në Gjenevë.Natyrisht që këto ndihma kontrolloheshin nga shërbimi sekret i shtetit, UDB-a, që fuste në rrjetën e saj refugjatët shqiptar.Gjuetia e UDB niste me ata që ishin të njohur, nëse nuk pranonin të futeshin në agjenturën e shërbimit sekret për t’u përdorur kundër Shqipërisë, atëherë futeshin në lsitën e armiqëve të Jugosllavisë dhe asgjësoheshin.

Në fund tëvitit 1959, Toninin me vëlla e motra i dërguan në kampin e refugjatëve të Gerovës në Kroaci.Kalimi nga Kroacia për në Perëndim ishte një aventurë më vete, që nisi në gusht 1960. Zgjodhën mesnatën dhe së bashku me një mik të familjes lanë kampin në terr dhe u arratisën.Aventura zgjati plot katër ditë e net, duke zgjedhur rrugë të parrahura, shtigjeve të maleve të Kroacisë dhe Sllovenisë, arritën në Itali.

Mbërritjen e tyre në aeroportin “Idle Wild” të New York-ut dhe historinë që sillnin me vete e ka përshkruar Gazeta”Daily News” e datës 25 shkurt 1961.

Tonini pat fatin qëtëtakonte dhe të bashkëpunonte me disa nga përfaqësuesit historik të diasporës, që kishte ardhur në ShBApas Luftës së II Botërore. Ai kujton se si njohu atdhetarë të tillësi :Miko Kokolari, nje patriot i vërtetë, dhe një ndër udhëheqsit e Vatrës. Profesor Nexhat Peshkëpia, editor i gazetës “Shqiptari i Lirë”, Prof. Rexhep Krasniqi, kryetar i Komitetit Shqipëria e lirë, Ing.Vasil Gërmenji, përfaqësues i Shqipërisë, në organizatën e kombeve të robëruara,A.C.E.N. ( Assembly of European Captive Nations), Kostandin Vangjel, sekretar i komitetit dhe të tjerë.

Në majin e vitit 1961, ai kujton se  kishte shkruar një tregim dheia dërgoi gazetës “Shqiptari i Lirë”. Pas pak ditësh mori një telefonate nga Prof. Peshkëpia, icili e ftoi për një takim në zyrën e tij, që ishte në14 East 34th Street, në Manhattan,N/Y.Profesori e priti me dashamirësi.Takimi i ka mbetë në kujtesë.Tregimi i shkruar nga Tonini“Kokrrat e Misrit” u botua në qershor të vitit 1961. Nexhatit i kishte pëlqyer tregimi, dhe e inkurajoi.U botuan disa tregime e shkrime dhe bashkëpunimi me “Shqiptari i Lirë” vazhdoi deri në vitin 1991, kur u mbyll.

Tonini kujton se me kërkesën e Kryetarit të Komitetit Shqipëria e Lirë, prof. Rexhep Krasniqit dhe bashkëpunëtorve të tij, ai kryesoi kremtimin e 28 Nëntorit të vitit 1970, ku morën pjesë me qindra shqiptarë dhe amerikanë, si dhe përfaqësues të 9 shteteve të Europës Lindore, antarë të A.C.E N.it. E ka përcjellë këtë ngjarje gazeta Shqiptari i Lirë, Nëntor-dhjetor 1970.Por kur dhe nëç’rrethana shkoi Tonini në Vatër?

Profesor Nexhat Peshkëpia, që në takimin e parëe pat këshilluar qëtëzgjidhte një një shoqëri kulturale, siç ishte Federata“Vatra” dhe jo partitë politike qe kishin grindje.

Nëfund të bisedës, Prof. Peshkëpia i kishte dhene Kanunoren.E lexoi menjëherë.Pikat 1,2, 5 dhe 28, e binden se kjo ishte shoqeria, ku duhej të shkonte.U anëtarësua në verën e vitit 1961, 51 vite të shkuara.

Tonini sjell ndërmend disa “coffee houses” në zonën ku banonte,të cilat frekuentoheshin nga shqiptarët e vjetër, që nuk i kishin në sy të mirë emigrantët politik.Mendoninse Shqipëria ishte e lirë, me qeveri shqiptare, dhe emigrantët e pas luftës i cilësonin reaksionarë. Ishte vështirë të merrje përkrahje prej tyre.Bëntepërjashtim  Miko Kokolari, i cili përpiqej të balanconte marrdhëniet mes të vjetërve dhe emigrantëve politik. Me kalimin e kohës, kjo situatë ndryshoi. Miko e kishte zyrën në Revington Street,dhe aty u vinte në ndihmë emigranteve të rinj dhe të vjetër, pa dallim.Aty, gjendej gazeta Dielli, si edhe lajmërime të tjera për aktivitete në komunitet.

Tonini u anëtarësua në degën e Vatres # 29, N.Y.dhe N.J., e cila  bënte dy mbledhje në vit.Njëra ishte për të zgjedhur delegatët për në kuvend, që ishte i përmotshëm, dhe mbahej në Boston. E dyta mbas kuvendit, ku bisedohej për vendimet, që ishin marrë në kuvend, dhe zgjidhej udhëheqja e re e degës.Këto mbledhje, bëheshin në sallën e kulturës, pranë kishës Orthodokse të Shënkollit në 48th street, ndërmjet 10 dhe 11th avenue, në Manhattan.Në mbledhjen e parë që mori pjesë si Vatran, ndjeu një gëzim të veçantë.Në atë mbledhje kishte ardhë Hirësia e Tij Peshkop Fan S. Noli.Ishte hera e parë që e takonte.

Në kuvendin vjetor të vitit 1970-71, Tonin Mirakaj ishte një ndër delegatët e degës #29, N.Y. dhe N.J.

Kujton udhëtimin nga Nju Jorku së bashku me Muharrem Babameto, Agim Karagjozi, dhe HajdarTonuzin.Ishte kuvendi i parë që merrte pjesë dhe u takua edhe me Anthony Athanas, Barny Kirka,Gregory Chiriako, Kristo Thanas,Rev. Arthur Liolin. U njoh me delegatë nga shtete të ndryshme.Nga Detroit me ing. Ahmet Dervishi, dhe Fehmi Kokolari, nga Toronto, u njoh me Ibrahim

Kullën e të tjerë. U familjarizua me punimet e kuvendit vjetor, dhe zbatimin e kanunores, si edhe me kulturën dhe pjekurinë e vatranve të vjetër si Ramadan Ali Arza, Florence Pano, Nik Kreshpani, Pauline dhe Peter Lukas,Harry Stoja e të tjerë.Të gjithë kishin një dashuri të zjarrtë për Vatrën dhe Atdheun. Kjo shprehej në diskutimet në Kuvend.Përmes jetës në Vatër fitoi pjekurinë e një aktivisti që mori përsipër edhe organizimin e drejtimin e veprimtarive.

Tonin Mirakaj ka qenëanëtar  i bordit,i zgjedhur në disa kuvende, ka qenë zv/kryetar më 1980, 1981, 1982, ndërkohë që kryetar ishte Dr. Andrea Elia, dhe 1984-85 me kryetar Harry Stoja. Po ashtu ai është zgjedhur kryetar i Deges # 29 New York dhe New Jersey, 1978-79, me N/kryetar ing.Mahmut Tsungu, sekretarRasim Sina, arkëtar Zef P. Deda, dhe anëtare Nexhmije Zaimi,Ramiz Dani, Zef Perndoca e te tjere.Kakryer edhe detyrën eakëtarit tëkësaj dege me 1976-77, kur ishte kryetare zonja Nexhmije Zaimi.Detyrën e arkëtarit të degese ka kryer edhe më 1977-78,kur ishte kryetar Selahedin Velaj.

Ndër veprimtaritë ai veçon Seminarin  e vitit 1972,kushtuar 100 vjetorit të lindjes të At Gjergj Fishtës, ku ishte bashkorganizator me Muharrem Babameto, që u organizua nëWaldorf Astoria Hotel, ne New York. Po ashtu në kuvendin vjetor të vitit 1978, u zgjodh kryetar i kuvendit tëFederatës Vatra, mbajtë në Hilton Hotel, New York, duke patur si sekretar  Rasim Sina, dhe reporter Gjeto Sinishtaj. Në vitin 1979, ishte sekretar i kuvendit te Vatres, mbajtur ne Anthony’s Pier 4, ne Boston, Mass.Ndërkohë që në vitin 1982,Tonin Mirakaj ishte një ndër organizuesit e  seminarit të 100 vjetorit të lindjes së Fan S. Nolit, mbajtë në  New York Hilton Hotel.Ai qe përgjegjës për mbledhjen e ndihmave për shpenzimet e rastit, dhe botimin e librit “Flamurtar i Kombit”, me autoreditorin e Diellit, Edward Licho.

Kronika e pjesmarrjes së tij në veprimtaritë e Vatrës është e pasur: Me 6 nëntor 1983 ishte folësi kryesor në drekën organizuar nga Vatra, për nder të editorit tëgazetës Dielli,z.Xhevat Kallajxhi, mbajtë në Anthony’s Pier 4, në Boston.Fjalimi gjendet në Dielli,March 16,1984.

Në vitin 1984,Mirakaj ishte sekretar i kuvendit të Vatrës,që u mbajt në Detroit, Michigan, ku u kremtua edhe 75 vjetori i gazetës Dielli, ndërsa nëkremtimet e 28 nëntorit 1994, kryesoi kremtimet e festës së Flamurit, që u mbajt në New York Hilton, organizuar nga Vatra, në bashkëpunim me komunitetin shqiptar.

Tonin Mirakaj ka kryer edhe detyrën e sekretarit për  Vatra’s Permanent Fund, me kryetar ing. Agim Karagjozin.Po ashtu ishte anëtar i  Vatra’s “Konstitutional Revision Committee”, bashkë me profesor Sami Repishti, Harry Stoja, Agim Karagjozi e të tjerë si dhebashkorganizator me ing. Agim Karagjozin i transferimit të eshtrave të Faik Konicës, në Atdhe, 1995.

  1. Miraka ka punuar me disa kryetarë të Vatrës, si me Kristo Thanas,Nik Kreshpani, Barny Kirka,Gregory Chiriako, Ahmet Dervishi, dr. Andrea Elia, Harry Stoja, Arshi Pipa dhe ing.Agim Karagjozi. Ai pohon se tëgjithë kishin një dashuri të zjarrtë për Vatrën.Ka qenë në strukturat udhëheqëse nga viti 1970,deri më 1997. Ai veçon Anthony Athanas dhe Prof. Arshi Pipa.
  2. Mirakaj mendon se shkruhet e flitet shumë për 50 vitet e para të jetës së Vatrës,dhe fare pak ose aspak, për 50 vitet e dyta, përpjekjet dhe dedikimin e shumë vatranëve,për ta mbajtë dhe forcuar Vatrën.Nga kontribuesit udhëheqës të gjysmës së dytë të shekullit, ai veçon Peter Chikos,Kristo Thanas, Barny Kirka, Ramadan Ali Arza, Ing. Ahmet Dervishi, Dr. Andrea Elia, Pauline Lukas, Anthony Athanas. Nga aktivistët në degën # 29, New York dhe New Jersey, veçon Miko Kokolari, Vahit Çika,Muharrem Babameto, Nexhmije Zaimi,Petraq Ktona,Ing. Mahmut Tsungu e të tjerë.Nuk harron të përmend edhe editorët e Diellit Dr.Athanas Gega, Refat Gurazezi, dhe Xhevat Kallajxhiu.Të gjithë këta në Botën e Amshuar. Nga ata që ende janë në këtë Botë, çmon punën e ing Agim Karagjozit,Hajdar Tonuzit, prof. Sami Repishti, Selahedin Velaj, vëllezerit Seidi dhe Sabit Bitici, Zef Pernoca, kryetarit të tanishëm, Dr. Gjon Buçaj,Anton Çefa,Esat Bilali e të tjerë, të gjithëvatrane të “Dimrit dhe të Beharit”.

Vatrani gjysëmshekullor, mendon se Vatra ka meritën se ka ditur që të ruajë marrdhënie të shkëlqyera me bashkësitë fetare në Amerikë, veçanërisht në festën e Flamurit, aplikon rotacionin në lutjen fetare.Levizja kombetare e shqiptarve te Amerikes e ka bazen te Kisha Orthodokse dhe Vatra, qe u formua 3 vjet mbas Kishes.Të dyja mbështetën njëra tjetrën në mbrojtjen e interesave kombëtare. Keto institucione, paten ne fillim udheheqes te perbashket, qe kordinonin perpjekjet per te bashkuar mergaten shqiptare.Udheheqes te shquar, largpames, patriotë të

vertete dhe intelektualë te persosur si Fan S.Noli, Faik Konica,Llambi Çikozi, Kristo Kirka e shume te tjereorganizuan mitingje nder qytete e shtete, ku banonin shqiptare, dhe shumë shpejt themeluan Vatrën dhe degët e saj duke bashkuar në federatë më shumë se 5 mijë shqiptarë.

Për Mirakën shembull i veprimtarive të Vatrës mbetet kremtimi i 60 vjetorit te gazetes ‘Dielli’, ne Nëndor te vitit 1969, mesha ne Kathedralen e Shen Patrikut, ne Manhattan, New York,me celebrant kryesor Eminencen e TijTerence Cardinal Cooke, dhe pjesemarrje te mijra shqiptarëve, duke qene të pranishëm klerikë te tri besimeve, Katolik, Orthodoks dhe Musliman.Pati gjithashtu nje grup klerikesh dhe besimtaresh arbereshte ritit Bizantin,ardhur nga Italia.

Duke qenë një veprimtar aktiv, z. Mirakaj, ka qenë pjesë e pritjeve dhe përcjelljeve të personaliteteve nga trojet shqiptare. Ai veçon dr. Ibrahim Rugovën, që u ftua në ShBA në tetor 1989, nga Kisha katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”, që organizoi  në Fordham University seminarin për 300 vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit. I ndjeri I.Rugova ishte nder folesit e seminarit, i ftuar nga komisioni organizator, që e kryesonte Tonin Mirakaj.Ai kujton se kaluan një javë bashkë nën shoqërimin e jë rrethi miqësh si: Dom Rrok Mirdites, Dom P.Popaj, Gjek Gjonlekaj, Fran Shala, Vellezerit Bitiçi,Simon Simolacaj,indieri Pretash Curanaj, etj.

Dr. Rugova kishte informacion të gjërë për Vatrën dhe konsideratë të lartë.Në përshëndetjen përpara ligjëratës mbi Bogdanin, ndër të tjera tha: “Nisma e kishës katolike shqiptare për tëshënuar  këtë jubile, është nismë e mirë…Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur e vazhdon traditën e Vatrës së Bostonit,ecila me decenie veproi në planin kulturor e kombëtar”.

Mirakaj kujton porosinë e Rugovës: “ Forcojeni Vatrën, se u duhet shqiptarëve”.

– E ndiej veten tëlumtur, që isha një ndër personat kryesor,që bënë të mundur, ardhjen e parë të dr. Rugovës në Amerikë, thotë Mirakaj.

Po ashtu ai kujton pritjen e dr. Berishës me 16 Qershor 1992, si presidenti i  parë i Shqiperisë demokratike:”I beme nje pritje madheshtore, me pjesemarrjene 2000 bashkatdhetarve në Hilton Hotel, në New York.Mbrëmja u kryesu nga z.Seidi Bityçi, fjalën përshëndetse e mbajti Profesor Sami Repishti.Komisioni përgatitës pati Co-Chairman z. Sokol Neçaj dhe Tonin Mirakën.

Ndër personalitetet e botës shqiptare, Miraka kujton me shumë dashuri, profesor Martin Camaj, icili kishte respekt dhe konsideratë tëveçantë  për Vatrën.Sa herë që vinte në Amerikë, e kishte mysafir në shtëpinë e tij.

Po ashtu kujton edhe takimin me presidentin Rexhep Mejdani në New York, ku Tonini ishte i ftuar së bashku me bashkëshorten në darkën e shtruar ne Roosevelt hotel me 2 Maj 2000.Ai thotë se presidenti la përshtypje të mirë me vizion intelektual.

Me një respekt të veçantë ai kujton Nexhmije Zajmin, zonjën e Vatrës, e cila pat studiuar ne Wellesley College, ku edhe botoj librin “Doughter of the Eagle”. Mori pjesë në disa mandate, në këshilla të degës # 29, NY dhe NJ, si edhe në bordin e Federatës, me qendër në Boston.Në kuvendin e  vitit 1977 u zgjodh nënkryetare e Vatres, me kryetar ingj. Ahmet Dervishin.Ne NY ajo kishte nje rreth aktivistesh me te cilet kishte nje bashkepunim shumë të mirë si: Petraq Ktona, Agim Karagjozi, Hamdi Oruchi, Selahedin Velaj, Zef Pernoca,Tonin Mirakaj etj.Kur i vinte ndonje mysafir nga larg, Nexhi i therriste miqet e saje per “Wine and cheese”, ku bisedohej gjithmone, ne nje atmosfere te kendshme miqsore. Ajo, banonte ne 120 East 79th street, dhe Tonini me familje ne 81 street dhe 5th Ave. Kjo afersi i bente vizitat me te shpeshta.Ai kujton një rast kur në shtëpinë e saj takuan të Hasan Dostin. Biseda kishte zgjatur 4 orë.

Tonin Mirakaj ndjehet i gëzuar që perjetoi atmosferën e 100 vjetorit të Vatrës, pasi është anëtar i saj për 51 vite dhe uron federatën për shekullin e dytë të jetës së saj.

Mesazhi i tij, është mesazh urimi për të gjithë vatranët, që nuk kursyen mundin e tyre për të ndihmuar federatën, me të cilën mburren shqiptarët e Amerikës, veçanërisht vatranët. Shqiptarët e Amerikes, këshillon ai, duhet t’i japin përkrahje asaj. Brezi  ri  po trashëgon një “pasuri” të çmushme, që duhet ta çojë më të konsoliduar në shekullin e dytë.

* Ribotohet me rastin e Ditëlindjes. Happy Birthday Tonin! Edhe shumë vite të gëzuara z. Mirakaj!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, ditelindje, kartoline, Tonin Mirakaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 411
  • 412
  • 413
  • 414
  • 415
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT