• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pasoja të rrezikshme për të nesërmen e Shqipërisë

February 3, 2018 by dgreca

*MARREDHËNIET SHQIPËRI-GREQI, NË UDHËKRYQET E HISTORISË/

*Në vitin 1936, Fuqitë e Mëdha kanë vendosur që, gjerësia e detit territorial për Greqinë, të jetë 6 milje. T’i jepet Greqisë 12 milje det, do të thotë që ajo të zotërojë tërësisht Kanalin e Otrantos, me gjithë rezervat e mëdha të naftës dhe gazit, që janë zbuluar në pejsën që i takon Shqipërisë, madje t’i afrohet Ksamilit e Sarandës fare te dera, gjë që duket e pabesueshme ose çmenduri qeveritare./

Ditmir Kotzias

Shekulli XXI u duk sikur do ta zgjidhte përfundimisht çështjen shqiptare. Dhe duhet pranuar që janë hedhur hapa të mëdhenj përpara. Më kryesori ndër ta është Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në saj të mbështetjes së fuqishme nga SHBA dhe disa shteteve europiane. Pas shumë përpjekjesh, duke filluar nga viti 2001 dhe më pas me Marrëveshjen e Ohrit, u legalizua Universiteti, dhe vitin e fundit në parlamentin e Maqedonisë u miratua ligji për njohjen e gjuhës shqipe, gjuhë zyrtare, krahas asaj maqedonase. Megjithë përpjekjet e presidentit dhe opozitës së atij vendi, për të mos pranuar një ligj të tillë, kemi bindjen se nuk do të ketë kthim pas. Por kjo nuk mjafton. Për shkak të politikës së dobët të zhvilluar prej shqiptarëve dhe vatrave jo miqësore që vazhdojnë të jenë gjallë në Europë, është venë në diskutim Mitrovica dhe po shtrohet për diskutim ndarja e saj. Ka tendenca për t’iu nënshtruar vijës së demarkacionit me Malin e Zi, e cila është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare që lidhen me përcaktimin e kufijve midis shteteve. Edhe më keq akoma po zhvillohen marrëdhëniet me Greqinë. Dhe ja sepse.

Kohët e fundit janë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë, midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku është diskutuar për disa çështje që mbajnë pezull marrëdhëniet dypalëshe. Kërkesa e Tiranës zyrtare për të patur marrëdhënie të mira me shtetin grek është normale dhe e domosdoshme. Pa marrëdhënie të mira me shtetin grek, progresi ekonomik dhe integrimi do të ishte më i vështirë. Mirëpo, nëse qeveria shqiptare e kërkon këtë miqësi duke pranuar pretendime absurde të qeverisë greke, ka pasoja të rrezikshme për të nesërmen e Shqipërisë. Shqipëria dëshiron të shkojë në Europë, për të cilën i duhet ndihma e Greqisë dhe vendeve të tjera, por, në radhë të parë, do të shkojë si një komb me dinjitet, si shqiptar, dhe nuk do të shkojmë, siç na propozohet, duke dhënë pjesë të territorit. Mirëpo, pas takimit të Kretës erdhi ai i Korçës, për rezultatet e të cilit mungon informacioni. Nëse qeveria greke është shfaqur më transparente me publikun, qeveria shqiptare i ka mbajtur bisedimet në tërësi të fshehta. Por nga ato që janë pohuar prej të dy palëve, nuk rezulton asgjë e dobishme për Shqipërinë. Delegacioni shqiptar pranoi të bënte lëshime të mëdha në favor të Greqisë, pasi morën premtime për t’u mbështetur nga Athina në marrjen e statusit të kandidatit për në Bashkimin Europian, si dhe heqjen e ligjit të luftës. Po çështë ky ligj lufte që mban pezull marrëdhëniet dypalëshe?  

Qeveria greke, me vendimin nr. 2636/40, të muajit nëntor 1940, si dhe me dekretin e Mbretërisë së Greqisë, nënshkruar më datë 10 dhjetor 1940, e cilësoi Shqipërinë vend armik, me të cilin Greqia ishte në luftë. Ky vendim vinte si kundërpërgjigje e “dekretit mbretëror shqiptar”, nr. 194, datë 9 qershor 1940-XVI-II, në nënin nr. 1 të të cilit thuhej: “Mbretëria e Shqipënisë njifet e hymne në luftë me ato shtete me të cilat mbretnija e Italisë ka me qënë në luftë”. Në fakt, ky dekret ishte i Viktor Emanuelit III, i cili qe shpallur mbret i Italisë dhe Shqipërisë. Kjo u realizua me anë të mëkëmbësit të mbretit italian në Tiranë, Francesco Jakomoni, i cili e detyroi qeverinë kukull të Vërlacit të miratonte ligjin në fjalë, më 9 qershor 1940. Mirëpo ky ligj nuk mund të penalizojë popullin shqiptar, pasi Shqipëria ishte nën pushtim dhe qeveria e Tiranës dirigjohej nga Roma. Këtë e dinin mirë edhe krerë të politikës së Athinës, por atyre u interesonte ta rendisnin Shqipërinë në krahun e agresorëve fashistë, pasi në këtë mënyrë realizonin më me lehtësi qëllimin e tyre ekspansionist.

Ka 78 vjet që luhet me një ligj të tillë. Loja ka për synim realizimin e qëllimeve djallëzore në dëm të Shqipërisë. Me pushtimin e Greqisë nga Gjermania, në mesin e vitit 1943, kryeministri grek Jorgos Xolagoklus e hoqi ligjin e luftës me Shqipërinë, sepse kërkonte paqe në kufijtë e saj. Por qeveria helene që mori pushtetin në vitin 1945, e rivendosi sërish. Kabineti i qeverisë së Andrea Papandreut, në të cilën qe ministër edhe Karolio Papulias, më 28 gusht të vitit 1987, e shfuqizoi sërish atë ligj. Qeveria shqiptare besoi. Në muajin mars të vitit 1996 u nënshkrua Pakti i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë për fqinjësi të mirë. Tashmë vazhdon të thuhet se ligji nuk është hqur. Në rrethanat e krijuara shtrohen disa pyetje: Si mundet të nënshkruhet pakti i miqësisë midis dy vendeve, kur njëra palë është me duar në xhepa dhe tjetra me mitraloz në dorë? Pse qeveria shqiptare nuk e ka shtuar këtë çështje në NATO? Si mund të rrinë dy shtete fqinjë anëtarë të NATO-s, kur janë në gjendje lufte? A pranon BE të anëtarësoi në radhët e veta dy vende që janë shpallur armiq dhe vazhdojnë të jenë në gjendje lufte? Përse nuk është shtruar me forcë kjo çështje në Bruksel? A e dinë qeveritarët tanë që Greqia ka patur dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Shqpërisë?

Athina tallet duke karikuar herë pas here ligjin famkeq që kërcënon sovranitetin e Shqipërisë, por edhe Tirana nuk e ka denoncuar me forcë mbajtjen ndezur të gjendjes së luftës nga politika e Athinës. Edhe nëse ai miratohet, prej tij përfitojnë një numër i kufizuar shqiptarësh, pronat e të cilëve, sipas qeverisë greke, kapin vlerën rreth 13 milionë euro. Ndërsa për çamët e ndjekur nga vendlindja, ka një tjetër ligj që i konsideron të shtetëzuara pronat e tyre, pasi janë cilësuar bashkëpunëtorë me gjermanët. Nëse nga pala shqiptare nuk do të pranohej të nënshkruheshin një sërë marrëveshjes me Athinën, ligji në fjalë do të ishte hequr vite më parë, pasi do të futeshin në lojë edhe aktorë të tjerë. Shprehjet e politikanëve tanë se, nuk ka çfarë na duhen kufijtë dhe së çdo gjë “e di Europa” apo “tashmë do të shkojmë në Europë e kufijtë do të shuhen”, “kemi NATO e SHBA”, e të tjera, janë vetëm në dëm të shqiptarëve. BE dhe SHBA nuk do të pajtoheshin kurrë me Athinën, nëse do ta dinin që Greqia nuk e njeh “de jure” kufirin e miratuar nga Fuqitë e Mëdha, në vitin 1924, pra Protokollin e Firences. Madje Athina refuzon edhe sot e kësaj dite nënshkrimin e tyre. BE mbase nuk do të miratonte as uzurpimin e kishës orthodokse shqiptare, ku janë shkelur me të dyja këmbët parimet e shenjta, kanonet e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, të vendosura që në vitin 1921, nëse politika shqiptare do të shprehej në një zë.

Qeveria shqiptare pranoi të zgjerohen varrezat greke në Këlcyrë e Bularat, madje mori përsipër të gjejë edhe varret e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës Italo-Greke. Ajo që tërheq vëmendjen është dhënia e tyre të statusit historic, që nënkupton rënien e ushtarëve për trojet shqiptare, apo për trojet e tyre, gjë e cila mund të shoqërohet me pasoja në të ardhmen. Në fushën e luftimeve, gjatë muajve nëntor 1940 – prill 1941, mbetën të vrarë rreth 17 mijë ushtarë italianë dhe grekë për interest e tyre, duke e kthyer Shqipërinë në shesh beteje, jashtë vullnetit të saj. Italia i tërhoqi trupat e të rënëve, për t’u prehur në vendlindjen e tyre, ndërsa Greqia nuk i luajti nga vendi, pasi Athina zyrtare vazhdon ta quaj Jugun e Shqipërisë pronë të saj. Ne nuk jemi kundër gjetjes së eshtrave të ushtarëve grekë, pasi nderimi ndaj të rënëve është kulturë dhe detyrim qytetar. Por nuk e shohim me vend grumbullimin e tyre nëpër manastire të ndërtuara në tokën shqiptare. Greqia mund t’i tërheq eshtrat e tyre në vendin e vet. Në fakt, jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, por e lidh rënien e ushtarëve me kisha e manastire, pas të cilëve fshihet diçka e kobshme për interest kombëtare shqiptare.

Lind pyetja: Përse përbëjnë problem serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët, pranimi i varrezave greke në Këlcyrë e më gjerë? Nuk do të kishte asnjë shqetësim, nëse bëhej fjalë për një shtet fqinj që nuk ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, apo nëse Athina do t’i njihte kufijtë e saj. Por e vërteta është ndryshe dhe gjërat duhen thënë siç janë. Greqia vazhdon ta quaj jugun e Shqipërisë tokë greke.

Qeveria shqiptare nuk duhet të harrojë përpjekjet e bëra nga shteti fqinj, për të përfshirë brenda kufirit grek, dy prefekturat shqiptare që përfaqësojnë trojet e ndodhura në jug dhe juglindje të Shqipërisë, prefekturën e Korçës dhe atë të Gjirokastrës. Politika greke e ka kërkuar këtë territor, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe i shtoi përpjekjet në vitet 1870 -1880, në kuadër të Traktatit të Paqes së Shën Stefanit (3 mars 1878) e më pas në Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878) për t’i rinisur gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës 1912-1913, por edhe më pas, në Konferencën e Paqes së Versajës 1919-1920 dhe atë të Parisit të vitit 1946. E njëjta gjë vazhdon edhe sot, kur ajo e ka shtrirë minioritetin deri në afërsi të qytetit të Vlorës. Greqia i bën presion qeverisë shqiptare se nuk do ta votojë për në BE, nëse nuk i hapet rruga për të plotësuar objektivat e hershme, në funksion të helenizmit të Shqipërisë së Jugut.

Dhe të mos harrojmë! Në kushtetutën helene thuhet se ushtari grek varroset në tokën e vet. Lind pyetja: Mos edhe tokën ku janë ngritur këto varreza, Athina e quan greke? Patjetër që po. Qeveria greke, në pranverën e vitit 1943, i kërkoi komandës gjermane t’i jepte lejen për të mbajtur të pushtuar jugun e Shqipërisë, në këmbim të lenies së lirë të trupave të tyre, por gjermanët nuk pranuan. Karrolio Papulas, vite më parë, kur vizitoi Shqipërinë, gjatë një takimi në Fier, pyetjes së një gazetari grek se çdo të bëhet me eshtrat e Shën Kozmait, u përgjigj: Lereni të prehet në tokën e vet!

Varrezat greke përbëjnë problem, sepse ato janë kthyer që sot në qendër pelegrinazhi, që organizohet nën kujdesin e politikës greke, e cila e ka intensifikuar punën për helenizimin e Jugut të Shqipërisë. Për këtë flasin qartë kishat e ndërtuara në tërë jugun e vendit, jo me karakteristika të kishës shqiptare, por me karakteristika të kishës greke, ku është zbatuar e njëjta arkitekturë dhe objekte të tilla janë ngritur me shumicë në një linjë, që është vija imagjinare e Vorio-Epirit, e përcaktuar në vitet 1912 – 1913 nga Venizellos. Ato gjenden që nga derdhja e Vjosës dhe vijojnë në fshatra, qytete, madje edhe aty ku nuk ka fare ortodoksë, siç është p.sh. Memaliaj, në Këlcyrë e në vazhdimësi deri në Korçë. Pra vihet re një koncentrim objektesh fetare, të cilat synojnë, me sa duket, të zëvendësojnë piramidat e kufirit, që grekët nuk i njohin në vendin e tyre të ligjshëm, në kufirin e njohur në vitin 1913 dhe rizyrtarizuar në vitin 1924 nga Protokolli i Firences.

Pra, në këtë hulli, ne kemi edhe fenomene të tjera të çuditshme, të cilat i zbuloi skandali i njohur i eshtrave të ushtarëve grekë në Kosinë të Përmetit dhe më gjerë, të cilat rezultuan se ishin eshtra të banorëve shqiptarë. Në zhvarrimin e eshtrave u vu re prania e përfaqësuesve të shtetit grek dhe të Kishës së ashtuquajtur Autoqefale Shqiptare, e cila drejtohet po nga grekë.

Kjo tregon që këtu kemi një problem vërtetë të madh, ku shteti shqiptar i ka braktisur qytetarët e vet, dhe aty po funksionojnë pushtete të fshehta, pushtete ilegjitime, siç është ai i konsullit apo pushteti i Janullatosit, i cili bën si të dojë, ndërton varreza dhe memorialë pa patur leje, i paraqet si memorialë grekë etj. Të gjitha këto janë vepra dhe akte të palejueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe janë tepër të rrezikshme, jo vetëm për paqen e harmoninë në këto zona, që janë të pastra shqiptare, por janë akoma më të rrezikshme kur në këto zona ka vërtet minoritet grek, si në Gjirokastër e Delvinë, kur ngrihen struktura paralele, të cilat nuk identifikohen me shtetin shqiptar, duke avancuar në objektivin e krijimit të një zone ekstraterritoriale, para të cilave ndonjëherë vërehet dhe heshtje apo gjunjëzim i politikës shqiptare.

Këto veprime mund të demaskoheshin me lehtësi, nëse do të kishte vullnet dhe vendosmëri nga klasa politike shqiptare, nëse ajo do të bashkohej kur bëhej fjalë për çështje madhore të Shqipërisë. Në fakt, të dy krahët e politikës, për të fituar kredibilitet pushteti me anë të anëtarësimit të Shqipërinë në NATO apo në BE, kanë preferuar të dhurojnë pjesë të territorit shqiptar, njëlloj sikur të jepnin dhuratë një tablo pikture. Ata harrojnë që interesat e larta të kombit shkojnë tej interesave partiake, madje edhe tej integrimit të Shqipërisë në BE.

Tashmë u deklarua sërish rishikimi i kufirit detar me Greqinë. Ministria e Jashtme e Shqipërisë e ka mbajtur të fshehtë të vërtetën e këtyre bisedimeve. Sipas deklaratës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në takimet e zhvilluara, përveç varrezave, pala shqiptare ka pranuar të kalojë në favor të Greqisë rreth 12 milje nga territori shqiptar në Detin Jon. Ministri Bushati pranoi që do të bëhen negociata, por sipas tij, marrëveshja për rishikimin e çështjes së kufirit detar do të jetë më e mirë se ajo e nënshkruar nga qeveria e djathtë. Mirëpo kjo frazë nuk thotë asgjë. Shqipëria nëse nuk është në gjendje të përballet me ekipin e specializuar grek të kufirit, duhet të kërkojë ndihmë ndërkombëtare. Në vitin 1936, Fuqitë e Mëdha kanë vendosur që, gjerësia e detit territorial për Greqinë, të jetë 6 milje. T’i jepet Greqisë 12 milje det, do të thotë që ajo të zotërojë tërësisht Kanalin e Otrantos, me gjithë rezervat e mëdha të naftës dhe gazit, që janë zbuluar në pejsën që i takon Shqipërisë, madje t’i afrohet Ksamilit e Sarandës fare te dera, gjë që duket e pabesueshme ose çmenduri qeveritare. Por edhe sikur të mos jetë 12 milje, por më pak, sërish është e gabuar dhe pala shqiptare nuk mund të marrë përsipër të negociojë me qeverinë greke, pa patur të pranishëm ekspertë ndërkombëtarë për këtë çështje, phesë e të cilit të jenë patjetër edhe eskpertë italianë, pasi Italia është pjesë e Otrantos.

Nëse kryhet ky akt, kemi të bëjmë me tradhëti të hapur ndaj interesave kombëtare shqiptare. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 15 prill 2010, e dënoi këtë veprim të kryer nga qeveria e mëparshme, ku Shqipëria humbiste 300 kilometra katrore sipërfaqe detare, dhe e ka quajtur antikushtetuese marrëveshjen e nënshkruar prej saj. Në këto rrethana, nevojitet tërheqja me çdo kusht e qeverisë shqiptare nga një akt i tillë, në të kundërt duhet të pranojmë që Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut është zëvendësuar me Vitin e Hamza Kastriotit.

Shqetësuese është mungesa e reciprocitetit. Kryeministri Rama u shpreh se në marëdhënie me Greqinë e çdo vend tjetër, duhet të mbahet parasysh reciprociteti. Është i pari kryeministër që e ka shprehur publikisht një gjë të tillë. Por nuk mjafton e thëna. Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, por dhe në atë të Greqisë, theksohet që në marrëdhëniet me shtetet e tjera, parimi i reciprocitetit është parim bazë. Ky parim me rëndësi në marrëdhënie midis shteteve është shkelur me të dyja këmbët. Politika pranon vendosjen e varrezave të ushtarëve grek në të gjithë vijën që Athina e quan “Vorio-Epir”, por asnjë politikan nuk ka kërkuar reciprocitet, që varreza të tilla të ngrihen dhe në Greqi, ku janë vrarë e masakruar dhjetra mijë shqiptarë të krahinës së Çamërisë edhe më gjerë. Numri i të vrarëve zë fill që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të vijuar me kohën kur zhvillonte punimet Konferenca e Londrës 1913, masakrat e vitit 1914, vrasjet dhe dëbimet në vitet 1918-1924, si dhe ato gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po këta të rënë për idealin e tyre dhe të kombit, a nuk duhen nderuar duke ngritur varreza në qendrat e tyre të vendlindjes, që është Greqia? Duket se shteti shqiptar nuk ka qenë i aftë ta detyrojë Athinën të zbatojë reciprocitetin në marrëdhëniet midis dy shteteve.

Nuk mund të ketë reciprocitet midis dy vendeve, kur Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Këshillit të Evropës për njohjen dhe mbrojtjen e minoritetit, ndërsa Greqia nuk e ka nënshkruar një konventë të tillë. Kjo tingëllon vërtet ironike dhe sarkastike. Athina insiston dhe këmbëngul pranë qeverisë shqiptare që të zgjerohen të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, duke kërkuar dhe gjëra që shkojnë përtej një kërkese reale dhe të pranueshme, në një kohë që Athina zyrtare nuk pranon as të përmendësh fjalën Çamëri në bisedime dypalëshe, le pastaj të diskutosh si partner për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi të madh, pa të cilin nuk mund të ketë mirëkuptim dypalësh.

Tirana e njeh minoritetin grek në Shqipëri, që nga koha kur ai është vendosur këtu. Edhe në periudhën e komunizmit janë respektuar të drejtat e tij, madje që nga viti 1921, kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Është njohur për ta e drejta e arsimimit, besimit, e organizimit etj. Athina i kërkon Tiranës të mos interesohet për popullsinë shqiptare të përfaqësuar nga arvanitët apo çamët, të cilët numërojnë mbi 300 mijë vetë që e kanë ruajtur gjuhën shqipe, pa folur për më shumë 800 mijë shqiptarë të tjerë, që kanë shkuar pas vitit 1990 dhe jetojnë në territorin grek. Me këtë mendësi, Greqia nuk lejon hapjen e shkollave shqipe, kur janë dhjetëra mijëra fëmijë që kanë nevojë për librin shqip, për mësimin e gjuhës amtare.

 

Një tjetër problem është çështja came. Teorikisht Greqia herë pranon dhe herë kundërshton trajtimin e kësaj teme në marrëdhëniet dypalëshe. Pas vitit 1992, këtë problem e ka shtruar Serreqi, ministr i Jashtëm i asaj kohe. Atëherë pala greke nuk guxoi të deklaronte mosnjohjen e kësaj çështje. Këto 27 vite të demokracisë, në vend që të avancohej në zgjidhjen e këtij problemi, nga politika shqiptare është pranuar diktati grek dhe çështja në fjalë është shuar.

Edi Rama e rizgjoi problemin çam dhe nëse do të tregohet konseguent, do t’i sjell dobi, jo vetëm Shqipërisë, por të dy vendeve. Politika shqiptare duhet të vihet në lëvizje nga shoqata “Çamëria”, si dhe nga partia “Bashkimi Demokrat për Integrim”, të cilat nevojitet të jenë më agresive në parashtrimin e problemit çam në kancelaritë evropiane dhe botërore. Është në të drejtën e tyre që ta paraqesin problemin me forcën e duhur. Nëse ata heshtin, problemi nuk do të zgjidhet kurrë. Bota ka nevojë të shohë shqetësimin e vet çamëve, ta prekë atë, ta jetojë këtë shqetësim dhe pastaj të interesohet dhe të mësojë më shumë për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare, gjë e cila është një e drejtë e ligjshme e çamëve. Natyrisht kjo kërkon durim, guxim e përgjegjësi.

Çështja po debatohet edhe në media. Do të dëshironim që intelektualë të shquar shqiptar, në vend që të merren me debate të pafrytshme, mbi çështje tepër të koklavitura, duhet të merren me probleme që kanë të bëjnë me mbijetesën në aspektin ekzistencial të vet kombit, për t’i thënë ndal një ofensive, e cila kërkon të realizojë planet e mykura të megalidesë në shekullin e 21-të. Kjo ndodh sepse politika shqiptare e ka bërë të vetën përgjunjësinë, kompleksin e inferioritetit para të huajve, të cilët luajnë rol të fuqishëm edhe në opinionin e brendshëm shqiptar. Kjo ndodh edhe për shkak të korrupsionit politik. Flitet vazhdimisht për korrupsion, duke e nënkuptuar atë thjesht me terma financiarë, me para, me blerje të institucioneve apo zyrtarëve, por këtu ne kemi të bëjmë me korrupsion politik. Për interesa të çastit, për një mbështetje politike apo kapjen e një karrigeje, bëhen lëshime që dëmtojnë Shqipërinë.

Politika është për të mbrojtur në radhë të parë interesat e vendit, dhe nga momenti që këto interesa shiten për të patur një mik më shumë, apo për të patur një mbështetje politike më shumë në konfliktin e brendshëm ndërpartiak, atëherë ajo bëhet e neveritshme.

Në vendin tonë, nëse trajton çështje të interesit kombëtar, menjëherë etiketohesh “nacionalist”. Në fakt, të mbrosh interesat kombëtare nuk do të thotë që je “nacionalist”, por qe je patriot, që do vendin tend, i cili pa dashurinë e njerëzve që e popullojnë, nuk mund të mbijetojë. Eshtë vështirë të gjeshë politikanë në vendet fqinjë që, kur diskutohen çështje madhore të kombit të tyre, të mos bashkohen. Te ne ndodh e kundërta, sepse politika shqiptare ndihet e përulur para të huajve. Shpesh mbahen sytë nga përfaqësuesit e trupit diplomatik, çfarë thotë njëri ambasador e çfarë mendimi shprej tjetri, si e gjykojnë ata një sjellje politike apo një tjetër, duke harruar që diplomatët në fjalë, nuk janë këtu për të zgjidhur problemet e shqiptarëve, por në radhë të parë për të mbrojtur interesat e kombit të tyre, të aleancave të veta, mbase dhe ta drejtojnë ujin në mullirin e tyre, aty ku u pëlqen të bluajnë.

Në këtë kuadër, besojmë se ka ardhur koha për t’u venë në lëvizje shoqëria civile, të thotë fjalën e vet për çdo çështje me rëndësi kombëtare, ta imponojë qeverinë të verë në plan të parë interest kombëtare dhe jo ato të kolltukut dhe xhepit të individit, madje as të partisë që përfaqson. Nëse qeveritë do të vazhdojnë në linjën e tyre, duke kryer veprime që cënojnë ionteresat madhore të kombit, shoqëria civile duhet të vihet në krye të popullit dhe ta detyrojë qeverinë të largohet, për të ardhur në krye njerëzit që e duan Shqipërinë.

 

UNITETI GLOBAL ALBAN

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE

Filed Under: Featured Tagged With: Greqi -Shqiperi, Nuri Dragoi, Pasojat e rrezikshme

Kalendar/ SHBA-PAVARËSIA E KOSOVËS-10 VJET

February 2, 2018 by dgreca

-Para 11 viteve, SHBA falënderonin Ahtisaarin për Propozimin për Kosovën/

1 Klinton Rugova

-Kosova para 11 viteve mori Propozimin Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së/

1 Rugova 1

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për bisedimet e udhëhequra nga Ahtisaari: I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia/

1 Behluli Rugova

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTIN Ë, 2 Shkurt 2018/ Sot u bënë 11 vjet nga 2 Shkurti 2007, kur iu prezantua palëve Propozimi Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së.

Paketa Ahtisaari u pasua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, para 10 viteve, në 17 Shkurtin historik 2008.

Po në 2 Shkurt 2007, në një Deklaratë të Zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës falënderonin të Dërguarin Special të OKB-së Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës.Kjo ishte Deklarata e dërguar atëherë nga Zyra e SHBA-ve në Prishtinë:

2 shkurt 2007

 DEKLARATË E ZËDHËNËSIT TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT SEAN MCCORMACK LIDHUR ME PREZANTIMIN E PROPOZIMIT PËR STATUSIN E KOSOVËS PALËVE

Shtetet e Bashkuara falënderojnë të Dërguarin Special të KB-ve Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës. Ky Propozim për Marrëveshje, që është rezultat i negociatave të zhvilluara për më tepër se një vit, është i drejtë dhe i balancuar. Ky është një draft për një Kosovë stabile, prosperuese dhe shumetnike. Dispozitat e gjera të Propozimit për Marrëveshje të cilat mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve do të ndihmojnë për të përparuar zhvillimin demokratik të Kosovës.

 Me prezantimin e këtij Propozimi për Marrëveshje, bërë palëve me 2 shkurt, procesi i statusit të Kosovës po hyn tani në fazën e tij përfundimtare. Ne bëjmë thirrje në udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë që të angazhohen konstruktivisht me të Dërguarin Special Ahtisaari në një fazë konsultimesh me qëllim të finalizimit të Marrëveshjes. Ne inkurajojmë të Dërguarin Special Ahtisaari që të kompletojë punën e tij së shpejti, ashtu që Kosova dhe rajoni përfundimisht të mund të kenë qartësi lidhur me të ardhmen. Qëllimi ynë mbetet një rezultat që e përparon stabilitetin rajonal, që promovon shumetnicitetin dhe që është i pranueshëm për popullin e Kosovës.

February 2, 2007

STATEMENT FROM THE STATE DEPARTMENT SPOKESMAN SEANMCCORMACK ON THE PRESENTATION OF KOSOVO STATUS PROPOSAL TO THE PARTIES

The United States thanks UN Special Envoy Martti Ahtisaari for his efforts to produce a Comprehensive Proposal for a Kosovo Status Settlement.  This Settlement Proposal, the product of over a year of negotiations, is fair and balanced.  It is a blueprint for a stable, prosperous and multi-ethnic Kosovo.  The Settlement Proposal’s broad provisions to protect the rights of all citizens will help advance Kosovo’s democratic development.

With the presentation of this Settlement Proposal to the parties on February 2, the Kosovo status process is now entering its concluding phase.  We call on leaders in Belgrade and Pristina to engage constructively with Special Envoy Ahtisaari in a period of consultations to finalize the Settlement.  We encourage Special Envoy Ahtisaari to complete his work soon so that Kosovo and the region can finally have clarity about the future.  Our goal remains an outcome that advances regional stability, promotes multi-ethnicity and is acceptable to the people of Kosovo.

6 TETOR 2005-RUGOVA PËR BISEDIMET E UDHËHEQURA NGA AHTISAARI: I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

 1 Ahtisaari-Sejdiu

 10 DHJETOR 2008–PRESIDENTI SEJDIU URON MARTTI AHTISAARI ME MIRNJOHJE TË POSAÇME PËR UDHËHEQJEN E PROCESIT TË BISEDIMEVE PËR PAVARËSINË E KOSOVËS

PRISHTINË, 10 dhjetor 2008/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i dërgoi sot një telegram urimi fituesit të sivjetshëm të Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ku i shprehet posaçërisht mirënjohe për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që ka treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e Kosovës.Në telegramin e urimit të presidentit Sejdiu dërguar nobelistit Ahtissari thuhet:

I nderuari President Ahtisaari,

Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës për mirënjohjen më se të merituar që pranuat sot – Çmimin Nobel për Paqe!

 Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart vendimin e Komitetit të Lartë të Mbretërisë Norvegjeze të Nobelit për t’ju shpërblyer Ju me këtë çmim kaq prestigjioz. Kjo mirënjohje është satisfaksion i madh për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në botë, të cilët janë të përkushtuar për promovimin e paqes, të drejtësisë dhe të pajtimit në mes popujve. Ne ju jemi posaçërisht mirënjohës për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që keni treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e vendit tonë.

Siç edhe jemi zotuar gjatë atij procesi të gjatë e të vështirë, Republika e Kosovës do të jetë një shembull i respektimit të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, race a besimi. Po ashtu, vendi ynë do të bashkëpunojë thellë me vendet e rajonit, në mënyrë që sa më parë të integrohemi në strukturat euroatlantike, në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Realizimi i këtij synimi madhor do të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe do të hapë perspektivën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e kësaj pjese të Evropës Juglindore.

 Duke ju shprehur edhe një herë mirënjohjen për punën e madhe që keni bërë për paqen kudo në botë dhe të ardhmen më të ndritshme të njerëzimit, ju lutem, z. President Ahtisaari, pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë!

 Miqësisht,

 Dr. Fatmir Sejdiu,

President i Republikës së Kosovës

Filed Under: Featured Tagged With: E KOSOVËS-10 VJET, Kalendar, SHBA-PAVARËSIA

SKËNDERBEU – PRINCI I VIRTYTEVE

February 1, 2018 by dgreca

….DHE NJË  LUTJE PËR ATË…/

 2 Visari flet27332046_333557560476554_5254893417476582163_n1 Visari Ne Presid27369078_1983614291654198_7023838851295990741_o27459479_333557440476566_4970273349353244220_n27503546_333557153809928_5896631874113549805_o

Në manifestimet tre ditore në Michigan në nderim të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, në Vitin Mbarë Kombëtar të Tij, në Jubileun e 550 vjetorit, shkrimtari Visar Zhiti, ndërkohë dhe ministër këshilltar i Ambasadës së Shqipërisë në Washington, vuri kurorën me lule te shtatorja e Skënderbeut në emër të Ambasadës, ku ndër të tjera tha se për Skënderbeun nuk është vetëm ky vit që shqiptarët e përkujtojnë, por të gjitha vitet, shekujt, gjithë pavdekësia e Tij.

27072642_333557360476574_6018971461846745817_n27500921_1983601294988831_3045747566756579872_o1 a drita pershendet 11 diploma Kujtimi

Në darkën solemne, koncertuale, ku përshëndetën pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare e nga diaspora, Visar Zhiti, pasi përshëndeti në emër të Ambasadores, znj. Floreta Faber, improvizoi një aspekt tjetër dhe ndryshe, atë të “Skënderbeut qytetar”, që gjatë bisedave më pas e zgjeroi emocionalisht dhe e mbylli me një lutje të bukur, që po i botojmë:

…erdhëm të dëgjojmë dhe të flasim për Skënderbeun këtu, ku po shpalosen nga vlerat siperane të Tij si udhëheqës i popullit dhe mbrojtës i Europës, ndërkaq këtu pamë nga vlerat e bijve dhe bijave të tij, të diasporës së mrekullueshme shqiptaro-amerikane në Michigan, përbashkimin e komunitetit, të të gjitha shoqatave dhe besimeve fetare, aq sa m’u duk si një tjetër kuvend Skënderbean, ku u përzien kohëra, kujtesa kolektive, bëmat historike, datat, emblemat, por dhe poezia e kënga, nën hijen e Flamujve tanë, me ngjyrat mahnitëse të kostumeve tona popullore.

Dhe më lindi befas dëshira të flas dhe për “Skënderbeun qytetar”, për virtytet e Tij, nga që këtu ka shumë të rinj, sepse Skënderbeu është dhe institucion i lirisë, i dijes dhe i paqes, jo vetem i luftës, i luftës për mbrojtjen e atdheut, sepse sic thoshte dhe Shën Gjon Pali II, Papa Vojtila, miku i madh i shqiptarëve: “Nuk na duhet një demokraci pa virtyte”.

Skenderbeu ishte dhe tejet i virtytshëm, Ai e thoshte dhe vetë: “unë nuk jam rob i fatit, por i virtytit.”. Shkëlqyer! Një Skënderbe mendimtar, elegant, me poezi të fshehtë brenda, orator i rrallë, le të kujtojmë fjalimet e tij në Krujë “lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush” apo në Romë, ku foli atje me nocione si të sotmet: “Ne jemi shpata dhe mburoja e Europës” – tha në sheshin para shtëpisë së tij në “Palazzo Skanderbeg”.

Komunikues  brilant, Skenderbeu ishte i drejtëpërdrejtë, le të rilexojmë nga letrat e Tij drejtuar miqve dhe aleatëve në Vatikan e Napoli, apo në Venetik a kundërshtarëve në Konstandinapojë, Sulltanit vetë. Është po Ai Skënderbe, sovran zemërgjerë, i drejtë si Solomon, i sakrificave deri në martirizim dhe ka po atë timber të shqiponjës dykrenore.

Po nxitoj të rëndis disa cilësi të Fisnikut të Madh: kryepunëtor, i zellshëm, kurajoz i mahnitshëm, trim, i besës, dinak për mirë, duhej, i zgjuar si populli, elitar, i kulturuar, fliste disa gjuhë, se sic na tha në simpozium dhe historiani P. Xhufi, që ambasadori i Milanos në Vatikan dëshmonte se “Skënderbeu e flet italishten si ne”, Ai dinte dhe latinisht, arabisht, etj.

Skënderbeu ishte i hijshëm, e donin grate, tërhoqi vëmendjen e Rembrandit a të shkollës së tij me një portret gjithë hije dhe dritë, që kërkohet nga interpoli sot, se u është grabitur pasardhësve të tij në një kështjellë të tyren në Itali.

Bashkëshort gjithë dasghuri dhe baba i urtë, testamental. E përsëris, e donte paqen, lufta e tij prandaj bëhej në fund të fundit, ja, na e tregon “ulliri”, Ai e cmonte pemën ilirike të ullirit, jo vetëm si vlerë ekonomike, por dhe si një  si symbol i paqes, se të rinjve që martoheshin u kërkonte të mbillnin rrënjë ulliri. Pajë  për të  gjithë .“Lufton luftën dhe fiton” – fillon poema e poetit të madh amerikan Longfellow, në shqipërimin e Kryevatranit, imzot Noli.

Vallet dhe këngët sonte më kujtojnë një fakt të bukur sa më s’ka,  Skënderbeu ka ftuar në Lezhë muzikantë, na e ka zbuluar studiuesi arbëresh M. Mandala. Sipas tij, e thotë muzikologu Italian Cavallini, po përmend emra, që ta besoni, “që trombetisti venecian, i quajtur Xorxi, u ftua nga Skënderbeu në oborrin e tij mbretëror për të luajtur muzikë flamengoje”, që atëhere ishte muzikë avanguardiste në Europë dhe që ai kishte marrë nga “Princi shqiptar një shumë të madhe parash si kurrë më pare”.

Skënderbeu mecenat arti – shkruan një studiuese.

Sa bukur! Kur Shqipëria e vogël luftonte me një perandori, nga më të fortat dhe Arka e Shtetit nuk ishte dhe aq plot. Skënderbeu vizionar, Skënderbeu i së ardhmes, se do të vinin kohëra kur vriteshin poetë e burgoseshin.

Jo rastësisht po ridel këto ditë dhe një portret i hershëm, vizatuar nga të huajt, “Skënderbeu me libër në dorë”. A nuk kishte Ai mik dhe me shkrimtarin Marin Barleti? Patjetër që Ai e dinte thënien e Muhamedit, që boja me të cilën shkruajnë fëmijët, është më e shtrenjtë se gjaku i dëshmorëve”. Po që është dhe një libër i rëndësishëm konstitucional për Shqipërinë “Kanuni i Skënderbeut”? Pra Ai udhëzonte se si të administrohej dhe paqja.

Dhe u bë  “Yll i Karvanit” për popullin e tij në shekuj. Dhe jo vetëm kaq. Mbrojtës i qytetërimit Perëndimor. Si tha një kongresmen amerikan, që pa Skënderbeun dhe Amerika mbase do të kishte ndryshe.

Prej virtyteve vijnë të gjithsa këto…

Dhe meqënëse sot morëm pjesë në  një meshë, më vjen të lutem tani para jush.

GJERGJI YNË, QË JE NË QIELL

Gjergji ynë, që je në Qiell,

Atë i Kombit tënd dhe Bir i popullit tënd,

u shenjtëroftë emri yt,

ardhtë mbretëria jote,

u bëftë vullnesa jote

nga Qielli në tokën, kudo ku ka shqiptarë,

të bashkuar të jemi, se kështu bëhemi më të fortë,

që të fitojë e mira.

Porositë e tua si bukën e përditëshme na i jep sot,

Të duam AtDheun dhe njëri-tjetrin dhe punën

dhe virtytet t’i bëjmë tonat. Na i fal fajet tona

dhe mos lejo faje të të tjerëve mbi ne.

Me shpatën tënde të godasim urrejtjen,

me mburojën tënde të mbrojmë dashurinë,

kali yt të bëhet Pegasi i muzave

dhe mos na lërë të biem në tundimet

e egoizmit dhe korrupsionit dhe na liro nga i keqi

brenda vetes e përreth nesh,

me ndihmën e Zotit, o Zot!

Kurora paqeje me lule shpirti të vëmë mbi veprat e njeriut

ja ashtu si sot në statujën tënde në Michigan,

dhe bekime bashkatdhetarëve të tu kudo e përgjithmonë!

Amen!

 

Filed Under: Featured Tagged With: SKËNDERBEU – PRINCI I VIRTYTEVE, Visar Zhiti

MYSAFIRË TEK KUJTIM QAFA NË DETROIT

January 31, 2018 by dgreca

1 diploma Kujtimi            Paraditen e 28 Janarit 2018, takimin e parë Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, z. Dritan Mishto me bashkëpunëtorët, e filloi me një vizitë në shtëpinë e veprimtarit të njohur, e vatranit veteran,z. Kujtim Qafa, i vlerësuar me “AWARD OF MERIT” nga Federata Vatra në darkën e paspunimeve të Kuvendit të Qershorit 2017.

1 dalipi grup Kujt

 Edhe pse dega e Vatrës në Michigan u riorganizua përgjatë Janarit të vitit 2012, ku Kujtim Qafa u zgjodh anëtar i Kryesisë së degës dhe anëtar i Këshillit të Qendrës, ai prej kohësh ishte vatran.

1 a ok Kujtimi tav

Ndërsa ecnim nga hoteli ku kishim fjetë drejt shtëpisë së Kujtimit në Shelby Township, sjell ndërmend njohjen me Kujtimin në një lokal në Lydig Ave. në Bronks. Isha me z. Zef Balën dhe Dritan Haxhinë atë kohë. Kujtimi pat sjellë një shkrim, që në Vatër u konsideru”delikat” dhe nuk u botua në Dielli. Kujtimi natyrisht që nuk u zemrua, përkundrazi ishte ndër të parët që kontribuoi për ringjalljen e Diellit, që atë kohë kishte 2 vjet e gjysëm pa dalë dhe une sapo e kisha marre drejtimin. Kujtimi ishte i pari që dha kontributin e vet.

1 Kujtimi

Në gazetën Dielli me 23 mars 2010 pata botuar këtë lajm:”Vatrani Kujtim Qafa me banim në Detroit, i njohur për shpirtin antikomunist e demokratik, ka mbajtur premtimin duke dhuruar  shumën prej $1,200.00 për gazetën më të vjetër të shqiptarëve-Diellin e Vatrës.(Shumë qenë zotuar atë kohë, por jo të gjithë e mbajtën fjalën.)

        Z. Kujtim Qafa njihet si një ndër veprimtarët më të dalluar në Michigan. Ai përherë i ka qëndruar pranë Federatës  Vatra dhe ka kontribuar nëpër fushatat që janë organizuar. Kontributi që dha këtë herë për gazetën”Dielli” është shprehje e bujarisë së tij. E falenderojmë me mirënjohje të thellë.”…

             Tash Kujtimi për shkak të sëmundjes nuk mund të dalë lirshëm, por miqtë e vet vatranë nuk e kanë braktisur. Ai na pret tek dera me buzëqeshjen e vet karakteristike.

-Mirë se Ju ka pru Zoti!- dhe na përqafon me radhë.

 Tryeza është e shtruar, rakia dhe mezet  janë gati.

Kryetari Mishto e pyet për shëndetin. Kujtimi plot kurajo thotë se ndjehet mirë.

          Alfonsi e kalon situatën e parë me humor. Ia njohin mirë kodet njëri tjetrit. Djali i Kujtimit, Adriani, i qeshur, na përshëndet shqip dhe na mbush gotat. Zef Balaj sjell në kujtesë kohën e shkuar. Në bisedë përfshihen të tërë të pranishmit: edhe Mondi Rakaj, edhe Dr. Eduard Grishaj.

– Kryetar, ne punuam me shpirt për Vatrën, tot Kujtimi- ju të rinjët që e keni marrë tash duhet ta çoni më tej. Dhe unë kam besim se ju si diplomat e jurist,e keni përgatitjen për ta ngritë Vatrën, që t’i dëgjohet zëri edhe në Washington, edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë e Shkup, edhe ne Luginën e Preshevës. Urimet e  mia për punën që po bëni. Më informojnë vatranët për aktivitetin tuaj në qendër, por edhe Dielli mi sjell lajmet.

 Një orë pas nesh arrijnë mysafirë të tjerë: Prof. Romeo Gurakuqi me djalin Jon, si dhe vatrani veteran Julian Çefa. Kujtimi pas përshëndetjes vijon bisedën: Sjell në kujtesë festimet e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në prill të vitit 1968, ku ai ishte pjesmarrës aktiv. Në veprimtaritë përkujtimore të  Romës- 1968-ës mori pjesë edhe Vatra e Bostonit, ku gjaku i arbërit u bashkua me shqiptarët e Amerikës, thotë Kujtimi.

– Çfarë rastësie, thotë Kujtimi duke qeshur- unë isha në festimet e 500 vjetorit në Romë, dhe sonte, pas 50 vitesh, do të vij patjetër në darkën përmbyllse të përkujtimeve të 550 vjetorit.

Në bisedë ndërhyn z. Julian Çefa:- Takimet e 500 vjetorit në Romë në 24-25-26 prill 1968 dhe Simpoziumi shkencor në Palermo në tetor 1968, hapën rrugën e bashkëpunimit mes Vatrës dhe arbëreshëve. Një vit më pas ishte radha e Vatrës që të ftonte arbëreshët. Dhe ata erdhën plot 120 veta.Qëndruan 10 ditë.  Cfarë gëzimi? Kam qenë vetë pjesmarrës në takimet e Nju Jork-ut, thotë Çefa.

Pas dy orësh bisedë u larguam nga shtëpia e Kujtimit për t’u takuar në darkën solemne, ku Kujtimi u nderua me mirënjohje për aktivitetin e gjithanshëm në Komunitet, veçanërisht atij sportiv.(Per me suhle fotografi shkoni ne Fb -d greca)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, dritan Mishto, Mysafire, ne shtepinee Kujtim Qafes

KRYETARI I VATRËS, TAKIME NË DETROIT

January 31, 2018 by dgreca

  • Z. Dritan Mishto në Darkën Solemne:Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, lindi pikërisht si mësim nga mesazhet e Veprës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Bashkim i shqiptarëve, bashkim i organizatave;- vazhdoi dhe do të jetë përherë në ballë të çështjeve që shtron sot koha për të gjithë shqiptarët./*

1 a drita pershendet 1

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z. Dritan Mishto i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë së Vatrës z. Zef Balaj dhe Editori i Diellit, Dalip Greca, ishin të ftuar në veprimtaritë e organizuara nga Komuniteti shqiptar në Michigan, ku dega e Vatrës në Michigan ishte bashkëorganizatore.
Kryetari i Vatrës, z. Dritan Mishto, u drejtoi një përshëndetje të ngrohtë pjesmarrësve të shumtë, organizatorëve të Veprimtarive kushtuar 550 vjetorit të përkujtimit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbe, ligjërusve në Simpozium,- gjatë darkës madhështore që u shtrua të Dielën me 28 Janar 2018 në kishën e Shën Palit.
Në përshëndetjen e Tij z. Mishto ndër të tjera tha:
Të dashur motra dhe vëllezër;
Kam nderin e veçantë, që në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, të falenderoj secilin prej jush për punën e mrekullueshme, përkushtimin e madh që keni për të mbrojtur dhe për të rritur më tej identitetin tonë Kombëtar këtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, lindi pikërisht si mësim nga mesazhet e Veprës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Bashkim i shqiptarëve, bashkim i organizatave;- vazhdoi dhe do të jetë përherë në ballë të çështjeve që shtron sot koha për të gjithë shqiptarët.
Nëse Heroi Ynë kombëtar, sot do të ishte gjallë, ai patjetër do t’u kërkonte shqiptarëve që t’i hidhnin sytë nga Amerika, si shpëtimtarja e Kombit të Gjergjit. Prandaj, përballë shqetësimeve që ka sot shoqëria shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, e kudo ku jetojnë shqiptarët, ne duhet të ngrihemi dhe të jemi bashkë , Federata Vatra, por dhe shoqatate tjera, të jenë në këmbë, atje ku do të na kërkojë çështja dhe zhvillimet e Kombit shqiptar.
Ju falenderoj me zemër dhe ndjehem shumë prekur, nga ky organizim i shkëlqyer.
Përulem ,në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, përpara secilit prej jush, që gjeni kohë t’u mësoni fëmijëve gjuhën e bukur shqipe, t’u përcillni dashurinë për traditat shqiptare, të mbani gjallë në familjet tuaja identitin shqiptar.
Faleminderit të gjithëve!
Kryetari i Vatrës gjatë qëndrimit në Detroit u takua dhe bisedoi me klerikët e nderuar dom Ndue Gjergji i Kishës Zoja Pajtore dhe Dom Fred Kalaj të Kishës së Shën Palit, me akademikë e studiues, që mbajtën ligjërata në Simpoziumin kushtuar Heroit Kombëtar, me Shoqatën “Kosova” kryetarin e saj Mikel Dema, me shoqatën “Malësia e Madhe”-kryetarin Tony Vulaj, me Bashkësinë Shqiptare në Kanada, me Presidentin Ramazan Kellezi dhe presidenten e Nderit dr. Ruki Konda etj.
Ndërsa gjatë ditës së Hënë me 29 Janar, Kryetari i Vatrës, i shoqëruar nga anëtari i këshillit të Vatrës z. Alfons Grishaj, drejtori i Muzeve të Shkodrës dr. Eduard Grishaj, ligjërues në Simpoziumin kushtuar 550 vjetorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu, anëtari i kryesisë së Vatrës Zef Balaj dhe editori i diellit Dalip Greca, u takuan me Konsullin e Nderit në Michigan z. Ekrem Bardha.

  • Per me shume fotografi shkoni ne Facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Kryetari i Vatres, takime ne Detroit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 446
  • 447
  • 448
  • 449
  • 450
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT