• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pritje spektakolare për Kryeministrin Albin Kurti në Vatër

May 21, 2022 by s p

Sokol Paja/

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i rezervoi një pritje spektakolare Kryeministrit të Republikës së Kosovës z.Albin Kurti. Përfaqësuesit më në zë e dinjitozë të komunitetit shqiptar në New York e shtetet përreth, vatranë, veprimtarë, media e të ftuar zhvilluan një takim mbresëlënës me Kryeministër Kurtin i cili u shpreh i mahnitur nga pritja madhështore në Vatër. Nën prezantimin e Dr. Pashko Camaj, kryetari i Vatrës Elmi Berisha në fjalën e mirëseardhjes theksoi dhe shpalosi rolin e Vatrës në histori dhe proceset ku Vatra ka pasur një ndihmesë përcaktuese në formimin, ruajtjen dhe forcimin e themeleve të shtetit shqiptar. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti shoqërohej në Vatër nga Ministri i Shëndetësisë Dr. Rifat Latifi, Zv.Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Liza Gashi, Ambasadori i Kosovës në Uashington Ilir Dugolli, Shefi i Kabinetit të Kryeministrit Luan Dalipi, Konsulli i Kosovës në New York Lulzim Krasniqi dhe ekipi i diplomatëve e stafit mbështetës. Në fjalën e tij para komunitetit shqiptar në Vatër, Kryeministri Albin Kurti ndër të tjera tha: ” Këtu është shtëpia ku u vu harta e rrugës që hapi rilindasi i madh, më i riu prej tyre Noli bashkë me Faik Konicën i ndihmuar nga patriot bashkë me të gjitha organizatat e shqiptarëve që veprojnë këtu. Tani e 110 vjet, Vatra juaj, Vatra jonë, e paraprirë nga Dielli e Kombi i dhanë shqiptarëve këtu e veçanërisht në trevat e tyre, vrullin dhe organizimin për liri deri në pavarësi. E njëjta, si rrallë ndonjë organizim tjetër, jehon ende nga arritjet madhështore që janë mbrritur nga ky organizim. Këtë e kemi edhe 113 vjetorin e Diellit, gazetës tonë më të parë, si në ditar e kemi të shkruar të gjithë historinë politike të para pavarësisë së 12_tës, organizimin deri tek arka e shtetit të ri. Veçanërisht në 10 deri 15 vitet e para të krijimit të shtetit shqiptarë, Vatra e shpëtoi, e ndërtoi dhe anëtarësoi shtetin e ri të kërcënuar ngado, mes kombeve si të barabarta, dhe ja siguroi mbështetjen më të lartë ndonjëherë deri në atë kohë, për të drejtën për vetëvendosje të kombit shqiptar. Vatra është në themel të deklarates monumentale të presidentit amerikan Woodrow Wilson, e miqësoi përjetësisht Shqiptarinë e Amerikën dhe e vendosi në nivelin më të lartë cilësinë e kësaj marrëdhënie falë dijes, patriotizmit ekselent, ndershmërisë dhe këmbënguljes së pathyeshme përballë drejtuesve politik e përfaqësueve diplomatikë. Sot Republika e Pavarur e Kosovës e ka pak a shumë moshën e Shqipërisë së asaj kohe. Në arkivin tuaj të vyer dallohet më së miri se çka do të thotë organizimi i këtij lloji dhe ndihma rrëzëllonjëse për ta forcuar Shqiperinë ndërkombtarisht. Sot në këtë vit jubilar të 110 vjetorit të Vatrës, kushdo prej nesh, kudo që ndodhet, ja uron ditën e themelimit dhe jetë të gjatë sa të jetë kombi, për hir të historisë, për hir të nëvojave të mëdha për organizim dhe bashkërendim, për hir të shqiptarëve dhe veçanërisht për hir të Kosovës aktualisht. Natyrshëm jo vetëm unë por kushdo që e njeh veprimtarinë, shpreson dhe beson në forcën, aftësinë e bujarinë tuaj vatranë të nderuar” tha ndër të tjera Kryeministri Kurti. Nën kujdesin e posaçëm të Kryetarit Elmi Berisha, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 110 vjetorit të krijimit të saj nderoi me Mirënjohje Kryeministrin Albin Kurti me motivacion: “Për përfaqësimin dinjitoz shtetëror e kombëtar, për punën e shkëlqyer, kontributin e reformat e thella në shtetin e Kosovës, në ndërtimin e një imazhi të bukur e të fortë, forcimin e jetës pluraliste e Institucionale, Sigurisë Kombëtare dhe Promovimin e Integrimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”. Kryeministri Kurti zhvilloi një bashkëbisedim intensiv dhe shumë interaktiv me komunitetin ku u vu theksi te zhvillimi ekonomik, shteti ligjor, zbatimi i ligjit dhe forcimi i miqësisë me Amerikën. Vatra i shpreh mirënjohjen e veçantë Kryeministrit Kurti për respektin e treguar dhe seriozitetin e një vizite ndër më të suksesshmet në dekadën e fundit në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, elmi bersha, Sokol Paja, Vatra

IN MEMORIAM – DALIP GRECA NDËRROI JETË: HUMBJE E MADHE PËR GAZETARINË SHQIPTARE NË DIASPORË DHE NË ATDHE

May 18, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

Një mik e koleg i dashur dhe i nderuar për mua dhe të gjithë ata që e kanë njohur, u nda papritmas nga kjo jetë. Gazetari i njohur Dalip Greca ndërroi jetë.  Lajmi na tronditi dhe na mjeroi.  Një zi me plot dhimbje mbuloi familjen Greca, pikëlloi kolegë, miq e dashamirë të shumtë të tij, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri. Mik i çmueshëm dhe i përzemërt!  Humbëm një mbështetës të papritueshëm të aktiviteteve kulturore këtu në Amerikë, por mbi të gjitha u thye një shtyllë e fortë e gazetarisë shqiptare në mërgim dhe në mbarë botën shqiptare. 

Më pak se një vit më parë, familja, miqë, shokë e dashamirë të Dalipit – mbi 100-veta – të ftuar nga Vatra historike e shqiptarëve të Amerikës organizoi një darkë në nder të Editorit të Diellit dhe puntorit të palodhëshëm të Vatrës, për të celebruar daljen e tij shumë merituar në pension.

A group of men in suits

Description automatically generated with medium confidence

Foto nga darka e daljes së Dalipit në pension, korrikun e vitit që kaloi, me kolegun dhe mikun tonë të përbashkët, studiuesin Idriz Lamaj, Dalip Greca dhe autori.

Dalip Greca për 12 vjet udhëhoqi me profesionalizëm, korrektësi dhe ndershmëri gazetën Dielli, ndërsa ndikimi i tij në Vatër dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm në orgnizatën më të vjetër të komunitetit shqiptaro-amerikan do të mbetet trashëgimi e tij, sidomos ndihma e tij në ringjalljen e gazetës historike Dielli.  Puna e gazetarëve atdhetarë si Dalipi, nuk njohin bjerrje. Puna e tij për ringjalljen e gazetës Dielli në veçanti dhe të Vatrës në përgjithsi shihet dhe pranohen tanimë edhe nga disa kritkë, si diçka me rëndësi në dobi të komunitetit shqioqtaro-amerikan dhe të interesave të shqiptarëve dhe të Kombit – të cilit Dalipi ia kushtoi jetën, mundin dhe djersën e tij. 

A group of people posing for a photo

Description automatically generated

Foto nga darka e daljes në pension e Dalipit, Korrik, 2021, duke festuar me disa miqë e kolegë të Dalipit

Nderimi në darkën e daljes së Dalipit në pension ishte një mirënjohje e vogël kundrejtë punës së madhe dhe vlerave të çmueshme që Dalip Greca kultivoi dhe transmetoi për 12 vjetë në gazetën Dielli, në veçanti dhe në veprimtarinë e Federatës Pan-Shqiptare Vatra, në përgjithësi, duke u përpjekur t’i këthente ato në misionin origjinal të tyre, të pëcaktuar nga themeluesit Fan Noli e Faik Konica. 

Dalip Greca e kishte në gjak gazetarinë. E kishte pasion dhe e merrte me shumë seriozitet punën e gazetarit dhe të editorit. Me një rast i thashë, more Dalip, mos kemi zgjedhur profesionin e gabuar, se me gazetari as në Amerikë, nuk pasurohemi dot. Buzqeshi pak dhe më tha: Jam gazetar për pothuaj 40-vjet dhe nuk jam penduar fare. Dalipi ishte nga ata gazetarë të përkushtuar ndaj profesiosnit të tij – siç thonë se janë mjekët dhe infermierët të përkushtuar për shpëtimin e jetës së pacientëve – ashtu ishte Dalip Greca i përkushtuar ndaj profesionit të tij – nepërmjet gazetarisë së lirë – si një mjet për të zbuluar të vërtetën – në shërbim të të mirës së përbashkët.  Për këtë, ne që e kemi njohur, jemi të gjithë dëshmitarë dhe krenarë me punën e tij të gazetarit dhe editorit.  Ai ishte aq i pasionuar pas gazetarisë, sa që edhe pas pesionimit, Dalipi nuk u largua nga Dielli, nuk i tha lamtumirë, por premtoi se edhe në pension do të vazhdonte të kontribonte artikuj, analiza, komente dhe shkrime të tjera. Fatkeqësisht, shkuarja e tij në amshim, ia ndërpreu këtë kontribut të mëtejshëm, të premtuar për gazetën Dielli pas daljes në pension – një humbje e madhe kjo për të gjithë lexuesit e gazetës më të vjetër në botë, gjithnjë në ekzistencë. 

Besoj se siç ka thënë para-ardhësi i tij, i Madhi Faik Konica, me rastin e botimit të 1-vjetorit të gazetës Dielli, “Kur bënë një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga ndonjë herë, rri mbi gur dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara, kur sheh se sa eci dhe ç’mbaroj gjer atje…”. 

Jam i sigurt se Dalip Greca në udhëtimin e tij të parakohëshëm për në amshim,  shikon pas dhe krenohet me veten e tij për arritjet dhe sukseset, për tashëgiminë gazetareske dhe letrare që ka lenë pas – trashëgimi për familjen e tij të nderuar dhe të dashur – por edhe për shoqërinë dhe kulturën shqitare në përgjithësi. Dhe i thotë vetes: Job Well Done! Punë e kryer shumë mirë!  Rolin e editorit të Diellit, Dalip Greca e kishte marrë me shumë seriozitet, dinjitet dhe përgjegjësi dhe krenari për ta drejtuar gazetën Dielli në një frymë përbashkuese, por mbi të gjitha, në interes të Vatrës, komunitetit shqiptaro-amerikan dhe në veçanti, me aq sa kishte mundësi në mbrojtje të interdave dhe vlerave kombltare të shqipotarëve – si një pasqyrë të interesave të komunitetit shqiptaro-amerikan por edhe më gjerë.  

Ishte meritë e Dalip Grecës që me një diplomaci dhe urtësinë që e karakterizonte atë si person dhe punën e tij, si pasojë, ai mundi të menaxhonte me aftësi, për 12 vjet, pritëshmëritë e individëve dhe të gupeve të ndryshme brenda dhe jashtë Vatrës, duke pajtuar kërkesat dhe pritshmëritë e diasporës së vjetër me ato të emigrantëve të ri në këtë vend.  Është gjithashtu meritë e Dalipit që gazetën Dielli e ngriti nga një gazetë e komunitetit, në një forum diskutimi të subjekteve të ndryshme me rëndësi dhe karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. 

Nga ky këndveshtrim, dëshiroj të shprehi falënderimet e mia të thella Dalip Grecës i cili për gjithë periudhën që shërbeu si editor i Diellit ai, pa asnjë hezitim dhe pa aasnjë përjashtim, gjithmonë ka botuar të gjitha shkrimet e mia modeste që i kam dërguar gazetës Dielli. Për këtë i jam, përjetësisht, mirënjohës!

Kalimi në amshim i Dalipit dhe zbrazëtia që le pas do të ndihet për një kohë të gjatë në komunitetin shqiptaro-amerikan.  Mungesa e tij do të natyrisht do të jetë shumë më e rendë dhe më e thellë për familjen e tij dhe për farefisin këtu në mërgim dhe në Atdhe.  

Familjes së ngushtë bujare dhe të nderuar të Dalipit këtu në Shtetet e Bashkuara dhe farefisit më të gjerë Greca kudo qofshin ata, u paraqes me zemër dhe mendje të pikëlluar, përdhimbtimet e mia më të thella, duke marrë pjesë në zinë e tyre në këtë moment të vështirë për humbjen e fort të dashurit të tyre, Dalipit, me ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe me ndiesi miqësije vëllazërore!

Frank Shkreli

Takimi im i parë me Dalip Grecën ishte një intervistë kur ai punonte si editor i gazetës shqiptaro-amerikane Illyria, Mars 2005. Ç’prej atëherë kemi mbetur miq e kolegë. Të falënderoj për miqësinë Dalip!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Frank shkreli

Liria e popujve kërkon sakrificë dhe vetëmohim

May 13, 2022 by s p

Lulzim Krasniqi

Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York/


E nderuar znj. Besarta Jashari, e mbijetuar e familjes legjendare, Jashari,E nderuar deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës, znj. Vasfije Krasniqi-Goodman,E nderuar znj. Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Drenas,I nderuar komandant Shehu, E nderuar znj. Vera Mjeku,Zonja dhe zotërinj,Jemi shumë të nderuar me praninë tuaj në këtë pritje, e organizuar për nder të vizitës së zonjave tona të nderuara, Besarta Jasharit, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Kadire Tahirajt.Besarta dhe Vasfija, si askush tjetër në Kosovë, personifikojnë dhembjen, vuajtjet, sakrificën e luftës së dhimbshme të Kosovës. Por, në të njëjtën kohë, janë krenaria jonë. Janë dëshmi se liria e popujve kërkon sakrificë, kërkon vetëmohim.Familja Jashari, me sakrificën e tyre kanë shtyrë kufijtë e atdhedashurisë në pikën e paarritshme për çdo gjeneratë që vjen pas tyre. Besarta është dëshmia e gjallë se ideja për liri është më e fuqishme sesa ideja kriminale për të shuar jetën e të tjerëve.Se ideja për liri triumfon mbi idetë e çmendura që funksionojnë përtej logjikës njerëzore.Ne përkulemi para sakrificës së familjes Jashari, një sakrificë e nevojshme për të mundur frikën, për të triumfuar mbi vdekjen, për të qenë të lirë – të pavarur!Vasfija është dëshmi e guximit të një gruaje të hekurt, e cila sot shërben si frymëzim për të gjitha gratë e tjera për të rrëfyer pa frikë për krimet serbe në Kosovë!Pa sakrificën e tyre, të familjeve të dëshmorëve, pa luftën çlirimtare, pa mbështetjen e shqiptaro-amerikanëve, pa përpjekjet paqësore të viteve të 90-ta, liria dhe pavarësia e Kosovës do të ishin utopike!Një mirënjohje e veçantë edhe për organizatorët e ekspozitës dhe forumit të organizuar nga Center Museum of Tolerance dhe Rally for her justice.Fotografitë e shfaqura në atë ekspozitë të të mbijetuarave të dhunës seksuale, të të mbijetuarave të luftës, nëpër vatrat e luftërave të fundit, në Kosovë e gjetkë, qenë një vështrim i rolit të grave në frontin e brendshëm.Eseja fotografike me një kronologji shumë dekadash e me një shtrirje historike luftërash globale, të cilën e pamë bashkë, përveçqë na prezantoi temat universale, si jetën, vdekjen, mbijetesën dhe kalimin e kohës zbuloi edhe karakterin e gruas që t’i tejkalojë sfidat e luftës, dhe atë, për veten, për familjet, për rrethin dhe për vendin e tyre.Këto tema universale e përshkruajnë më së miri tërësinë psikike e morale të gruas shqiptare. Pa guximin e Vasfijes, kjo temë do të mbetej edhe tabu, por tani ajo shërben si pikë guximi për të gjitha gratë që kanë përjetuar një tragjedi të tillë. Një tragjedi që sot janë duke e shndërruar në forcë, në fitore mbi të keqen!Kjo dhunë e përdorur si armë lufte nuk u bë vetëm për shkatërrim fizik, porse për të na thyer dhe shkatërruar nderin dhe dinjitetin njerëzor!Qe një tendencë për të na zhveshur nga çfarëdo vlere njerëzore, me qëllim që të na nëpërkëmbin, të na turpërojnë e të na izolojnë nga njëri-tjetri. Por, në Kosovë ka triumfuar jeta mbi vdekjen, ka fituar e mira mbi të keqen, ka filluar një jetë e re mbi rrënojat e vjetra.Shembulli më i mirë i kësaj është, pa dyshim, rasti i Besartes nga familja legjendare Jashari.Dëshmitarë jemi edhe të zërit që duhet të vazhdojë të jehojë derisa kryerësit e akteve të dalin para drejtësisë.Bashkë duhet ta luftojmë stigmatizimin e viktimave të dhunës seksuale, të të mbijetuarve të luftës.Lufta ka mbaruar në 1999, porse për të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk ka mbaruar asnjëherë. Shumë prej tyre vazhdojnë të vuajnë në heshtje. Lufta e tyre për drejtësi nuk duhet të zgjasë edhe më shumë. Ato kanë nevojë për përkrahje shoqërore dhe roli i tyre në shoqëri duhet të fuqizohet si pjesë e procesit të zhvillimit të demokracisë në vend. E për këtë, pa dyshim, një rol të rëndësishëm po luan edhe znj. Kadire Tahiraj nga Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, por edhe organizata e shoqata të rëndësishme të Kosovës. Si shoqëri, në mënyrë që të mos arrihen efektet që dhunuesit i kishin për synim, jemi të obliguar, moralisht e kombëtarisht, që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për këtë kategori, që ta rehabilitojmë shpirtërisht e moralisht atë, në familje, në rreth e në institucione. Këtë kategori, e cila na prek mendjen dhe zemrën e të gjithë neve.Faleminderit për vëmendjen tuaj!

Filed Under: Featured Tagged With: Lulzim Krasniqi

PRITJE MADHËSHTORE NË VATËR PËR RAMUSH HARADINAJN, HEROI I REZISTENCËS PËR LIRINË E KOSOVËS

May 8, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 7 Maj 2022 – Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish Kryeministri i Kosovës, deputeti, kryetari i AAK, gjenerali i Luftës për Lirinë e Kosovës, frymëzuesi i shqiptarëve për trimëri e rezistencë ndaj pushtuesit serb, Ramush Haradinaj vizitoi Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA. Me pjesëmarrjen ekskluzive të Konsullit të Kosovës në New York z.Lulzim Krasniqi, patriotëve e veprimtarëve të shquar të komunitetit shqiptar Harry Bajraktari e Rrustem Gecaj, Ramush Haradinaj u prit ngrohtësisht e vëllazërisht prej drejtuesve të Vatrës, vatranëve, miqve, patriotëve, veprimtarëve e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjerë. Në fjalën hyrëse Editori i Diellit u ndal te kontributi i madh i familjes Haradinaj, Jashari e heronjve që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë. Në fjalën e mirëseardhjes, kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA z. Elmi Berisha tha se: “Ndjehemi të nderuar e shumë të respektuar që sot mes nesh është heroi i rezistencës dhe lirisë së Kosovës Ramush Haradinaj. Vatranët dhe Shqiptaro-Amerikanët janë krenarë për ju si hero i gjallë dhe burrështetas”. Në bashkëbisedim me vatranët dhe komunitetin shqiptar, z.Haradinaj u ndal te proceset e vështira dhe rruga e gjatë që e pret shtetin e Kosovës e kombin shqiptar në përballje me sfidat integruese dhe sigurinë në rajon e më gjërë.”Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi duhet të ndjekin një rrugë të përafrimit me Amerikën. Nëse tejkalojmë problemet e brendshme si shtete, nëse zhvillojmë edhe më shumë marrëdhëniet bilaterale me Amerikën, do jemi të mbrojtur dhe të fortë të përballemi me Serbinë dhe Rusinë. Siguria, garancia dhe suksesi i proceseve tona kalojnë nga Uashingtoni. Nëse bashkojmë dijen tonë, fuqinë tonë, energjinë tonë dhe mundësitë tona ne do dalim faqebardhë si shtet e si komb. Kosova është e rreshtuar e do jetë përjetë me Amerikën dhe NATO-n. Nën udhëheqjen e Amerikës, Kosova s’ka qenë kurrë më e fuqishme. Ne duhet ta realizojmë marrëveshjen e njohjes reciproke me Serbinë. Sot është koha më e përshtatshme që ti kërkohet Serbisë që ta njohë Kosovën. Sot më shumë se kurrë ne duhet ta angazhojmë dhe bashkojmë potencialin tonë, miqtë tanë dhe çdo faktor në dobi të shtetit të Kosovës. Kosova nuk do pranojë kurrë “Asociacion” me kompetenca ekzekutive. Të drejtat fetare dhe Kishat Ortodokse në Kosovë i mbrojnë institucionet e Kosovës” tha ndër të tjera z.Ramush Haradinaj në fjalën e tij. Ai u ndal edhe te situata e shqiptarëve në Mal të Zi pas zgjedhjes së Abazoviç si Kryeministër, te rritja e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe u bëri rritje institucioneve që të hapet procesi i pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas fjalës vëllazërore, z.Haradiaj nderoi Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA me medaljonin e nënshkruar prej vetë z.Ramush Haradinaj: “Me besimin në Zot, Atdhe dhe Shtet” për veprimtarinë e jashtëzakonshme në shërbim të çështjes kombëtare.Nën udhëheqjen e Presidentit të Nderit z.Agim Rexhaj, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA me rastin e 110 vjetorit të themelimit e nderoi z.Ramush Haradinaj me Mirënjohje me motivacion: “Për kontributin e shquar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për liri dhe pavarësi, për aftësitë e veçanta drejtuese dhe komanduese në luftë, për rezistencën heroike e trimërinë e jashtëzakonshme në përballje me pushtuesin serb si dhe kontributin e lartë si shtetar i Kosovës së lirë”. Anton Raja e nderoi z.Haradinaj me një medaljon nga Akademia Ushtarake e West Point. Në përfundim të bashkëbisedimit vëllazëror, z.Haradinaj zgjoi tek pjesëmarrësit shumë diskutime rreth temave të nxehta aktuale shtetërore dhe kombëtare. Anëtari i Këshillit të VatrësAsllan Bushati diskutoi për anëtarësim të Kosovës në NATO e BE, gjykatën speciale dhe ditëlindja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit të bëhet festë zyrtare në Kosovë e Shqipëri. Dalip Greca e pyeti z.Haradinaj për asociacionin e komunave serbe, dhe me atë rast, falënderoi patriotin Rrustem Geci për rinovimin e godinës së Vatrës disa vite më parë dhe e ftoi për një tjetër investim. Bashkim Musabelliu e pyeti z.Haradinaj rreth padisë për genocid ndaj Serbisë, Prend Qeta rreth gjykimit të njëanshëm të rezistencës së heronjve të Kosovës nga Gjykata Speciale. Bashkëbisedimi ishte shumë i përzemërt me bashkatdhetarët tanë dhe vazhdoi me këmbime bisedash, foto e falënderime për vizitën e veçantë. Z.Haradinaj në ditët në vazhdim do të vizitojë Departamentin Amerikan të Shtetit ku do takohet me Kongresmenë dhe drejtues të Institucioneve të Sigurisë së Shtetit Amerikan.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

U MBAJT NË KISHËN ZOJA E SHKODRËS NË NEW YORK, SIMPOZIUMI: “25 VJET PA SHËN TEREZËN”

May 5, 2022 by s p

Sokol Paja/

Në Qendrën Kulturore NënaTereza pranë Kishës Zoja e Shkodrës në NeW York u mbajt një Simpozium kushtuar 25 vjetorit të ndarjes nga jeta të Shën Terezës. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës-Vatra, Gazeta Illyria, Qëndra Kulturore Nënë Tereza mikpritën dhjetëra besimtarë, media, aktivistë, veprimtarë, drejtues organizatash e shoqatash shqiptare në New York e më gjerë në një mbrëmje përkujtimi ndaj shenjtores shqiptare Shën Tereza. Nën prezantimin dinjitoz të Dr. Pashko Camaj, Anëtar i Kryesisë së Këshillit të Kishës, referuesit paraqitën fakte nga jeta dhe veprimtaria e Nënë Terezës dhe ndjesi e përkujtime nga takimet personale me Shën Terezën. Në ligjeratën hapëse Dom Pjetër Popaj rrëfeu takimin me Nënë Terezën e Imzot Rrok Mirditën në kohën që sapo ishte shuguruar meshtar. “Zoti e zgjodhi Nënë Terezën për mbarë njerëzimin. Zoti e zgjodhi dritë për njerëzimin. Duke i shërbyer Zotit dhe njëri-tjetrit sidomos njerëzve në nevojë” citoi ndër të tjera Famullitari Popaj. Dom Lush Gjergji në kumtesën e tij u ndal te prezantimi i librit kushtuar Nënë Terezës “E kam në zemër popullin tem shqiptar” libër në gjuhën angleze që përmban me detaje 5 vizitat e Nënë Terezës në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, 7 intervista ekskluzive të Nënë Terezës dhe ndjesitë personale se çfarë ka parë e çfarë ka dëgjuar nga Nënë Tereza Don Lush Gjergji. Librin e parë ia dhuroi Dom Pjetër Popajt dhe e falenderoi për punën  e jashtëzakonshme si Kryebari i grigjës së Zotit në New York e më gjërë. Dom Lush Gjergji referoi për Shën Jeronimin Ilir dhe rëndësinë e tij si dijetar, përkthyes, biblicist etj. Vehbi Bajrami u shpreh në ligjeratën e tij se libri “E kam në zemër popullin tem shqiptar” përfshin veprimtarinë e shenjtores shqiptare, shpirtin, mendjen dhe lidhjen e Nënë Terezës me popullin shqiptar dhe marrëdhënien e ngrohtë me shqiptarët e Amerikës. Z.Bajrami shpjegoi dhe takimet e Nënë Terezës në Bronx dhe objekte të kultit fetar në New York. Gjithashtu z.Bajrami shpjegoi se vëllezërit Gojçaj ndërtuan statujën e pare të Nënë Terezës në Sukryq në Tuz, shtatorja e dytë është ndertuar në Prishtinë, e treta në New York, Detroit etj. Tonin Mirakaj rrëfeu për të gjithë pjesëmarrësit takimin e ngrohtë me Nënë Terezën në New York, përjetimet dhe emocionet e jashtëzakonshme që përshkroi nga takimi me Shën Terezën. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha në referatin e tij “Energjia hyjnore e Nënë Terezës dhe ndikimi te shqiptarët” u ndal te figura e Nënë Terezës si nënë e mbarë botës. “Kombi shqiptar vuri dritë në themelet e qytetërimit perëndimor. Ne i dhamë botës një shenjtore universale, rrezatuese, frymëzuese, krijuese. Ajo la testament për mbarë njerëzimin. Nënë Tereza i dha shkëlqim dhe krenari kombit shqiptar dhe Kishës Katolike në mbarë botën” u shpreh ndër të tjera z.Berisha. Marash Nucullaj paraqiti detaje nga lamtumira e fundit të Nënë Terezës në Indi dhe bisedat më zëvendësen e Nënë Terezës motër Nimalla për lutjet që Nënë Tereza i bënte për popullin e kombin shqiptar. Anton Raja falenderoi pjesëmarrësit dhe sponsorizuesit e dakës së Simpoziumit: Kujtim Funiqi, Pjetër Palushaj, Petrit Grishaj, Prena Bujaj dhe stafin ndihmës të Kishës që punuan me përkushtim që ky simpozium të mbesë i pa harruar në kujtesën e  gjithë të pranishmëve.

Filed Under: Featured Tagged With: Nene Tereza, Sokol Paja, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT