• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

….SHKO E PUNO NDËRMJET ATYRE QË PO VDESIN

September 8, 2016 by dgreca

MË SHIKON E MË THOTË : MOS SHKRUAJ MË, POR NDËRMJET ATYRE QË PO VDESIN/

Shkruar nga Tiziano Terzani/

(Po botojmë  pjesë nga artikulli i shkruar për “Corriere della Sera” nga Tiziano Terzani më 1996, mbasi kishte kaluar dy javë në Kalkutë me Nënë Terezën, duke e ndjekur në zhvendosjet e saj ndërmjet të varfërvet.)/

1-eugjen-merlika         PERKTHEU PER DIELLIN: EUGJEN MERLIKA/

Kalkutë Sapo kisha fikur regjistruesin e po e falënderonja për kohën që më kishte kushtuar, kur ajo, duke më parë ngultas me sytë e saj të kaltërt, të skuqur nga mosha, më pyeti : “Po pse gjithë këto pyetje ?”. “Sepse dua të shkruaj për juve, Nënë”. “Mos shkruaj për mua. Shhkruaj për Atë…..”, tha duke ngritur sytë drejt qiellit. Pastaj u ndalua, mori duartë e mija në mes duarve të saj të mëdha, topolake e pak shëmtake e, sikur të donte të më besonte një të fshehtë të madhe, vazhdoi : “….. madje pusho së shkruari dhe shko e puno në qendrat tona…. shko e puno pak  në shtëpinë e atyre që po vdesin”. Nënë Tereza ishte e gjitha aty.

(….) Desha të krijonja një ide timen për veprën e saj dhe, duke ditur se për të kuptuar Nënë Terezën, duhej kuptuar Kaligath-i, fillova që aty për të ribërë në etapa të mëdha rrugën e saj të jashtzakonëshme. Që në hyrje njeriu mund të bllokohet i pështirosur. “Shtëpi për të braktisurit në fill të jetës” thotë një tabelë e çngjyrosur përmbi derë. (….) Kaligath-i është në rrethinën e jugut të Kalkutës, është një qytet, në vetvete dëshpërues e tragjik, sa që duket herë herë i vënë nga Zoti mbi faqen e Tokës, për të vërtetuar se Ai nuk ekziston (….) Këtu më 1952, Nënë Tereza, mbasi kishte lënë urdhërin e Loretos, me të cilin kishte arritur në Hindi që më 1928, filloi të kujdeset për ata fatkeqë të cilët, të braktisur liheshin të vdisnin nëpër rrugë. (…..)

“Një herë më rastisi të merrnja një burrë të mbuluar nga krimbat – më tregonte – M’u deshën orë të tëra për t’a larë e për t’i hequr krimbat një nga një prej mishit. Së fundi  tha : “Kam jetuar si një shtazë rrugëve, por tani vdes si një engjëll” e, duke vdekur më dha një buzëqeshje shumë të bukur. Kjo është puna e jonë : dashuri në veprim. Thjeshtë.”

(….) Dhe a nuk është një mrekulli që kjo grua, e cila filloi misionin e saj me pesë rupie në xhep, të ketë ngritur në këmbë një perandori me afër 600 shtëpi në 122 Vende të botës ? A nuk është një mrekulli që ajo të ketë mobilizuar një ushtri prej më shumë se 4.000 murgeshash e murgjish e që e mbarështon këtë “shumëkombëshe” pa kompiuter  nga një zyrëz në katin e parë të Shtëpisë Nënë ku, simbas rregullit të varfërisë të kongregacionit, nuk ka një radio, një televizor, një aparat freskues ajri, as dhe një ventilator, por vetëm dy makina të vjetra shkrimi ?

“Një bejleg botës bashkëkohore, Nënë ? Si zgjedhja për t’i dhënë më shumë rëndësi dashurisë se barnave ? Lutjeve më shumë se ilaçeve kundër dhimbjes ?”, e pyeta.

“Po, nuk jemi infermiere, nuk jemi ndihmëse shoqërore, jemi murgesha. Qëndrat tona nuk janë spitale ku gjindja kurohet, janë shtëpi ku njerëzit që askush nuk i don gjejnë dashuri”.

“Një herë juve, Nënë, keni thënë se nëse do të kishte ende zgjedhje mes Kishës e Galileut, Ju do t’ishit përsëri në anën e Kishës. Por a nuk është ky një mospranim i shkencës që është sot feja e madhe e Perëndimit ?” e pyeta.

“Atëherë përse Perëndimi i le të vdesin njerëzit rrugëve ? Përse ? Përse na takon neve në Washington, në New York, në të gjitha këto qytete të mëdha, të hapim vënde për t’i dhënë me ngrënë të varfërvet. U japim ushqim, veshje, strehim, por mbi të gjitha u japim dashuri, sepse të ndihesh i refuzuar nga të gjithë, i padashur është më keq se të kesh uri e të ftohtë. Kjo është sot sëmundja e madhe e botës, edhe e asaj perëndimore”.

Flasim për dështimin e për faktin që Nënë Tereza e ka përcaktuar si “kërcënimin më të madh paqes në botën e sotme”. “…. është e keqja, e keqja. Dështimi është e keqja”, më ndërpret. “Nëse një grua ësht’e aftë të vrasë birin e saj çfarë na pengon neve të theremi me njëri tjetrin ? Asgjë!”.

“Po a nuk ju duket se në  një Vend si Hindia problemi i shtimit të popullsisë është një nga shkaqet e varfërisë e të vuajtjes që ju kërkoni të lehtësoni ? ngul këmbë. Nënë Tereza nuk dëgjon “arsye”. Thotë që jeta është e shenjtë, që nuk na takon neve të vendosim e që një çift i martuar, nëse nuk don fëmijë, mund të zbatojë metodat “natyrore” të planifikimit familjar.

Sa i përket varfërisë, shpjegimi i saj në këtë çast më duket më bindës se ai i shumë ekonomistëve dhe ekspertëve të zhvillimit : “ Zoti na ka krijuar neve dhe ne kemi krijuar varfërinë. Problemi do të zgjidhet kur ne të heqim dorë nga makutëria jonë”.

Më sjell ndër mënd Gandhin. (….) A thua edhe mesazhi i Nënë Terezës do të mbarojë si ai i Gandhit, i harruar mbas ikjes së saj ?

“E ardhmja nuk është çështje e imja”, m’u përgjigj.

“As edhe ajo e Urdhërit tuaj ?”

“Jo. Ai do të marrë masa. Ai më zgjodhi mua e në të njëjtën mënyrë do të zgjedhë dikë që të vazhdojë punën “.

I kujtoj një ëndërr që ajo vetë e ka treguar. Nënë Tereza i paraqitet Shën Pjetrit dhe ai, i ndalur tek dera, i thotë : “Ik, ik. Ky nuk është një vend për ty. Në Parajsë nuk ka të shkretë e të strehuar në baraka”. “Atëherë po e mbush këtë vend me atë gjinde, kështu do të kem edhe un të drejtë të vij”, i u përgjigj Nënë Tereza.

“Tani besoni se keni çuar mjaft prej tyre, për të fituar atë të drejtë, Nënë ? A ndjeheni pranë?”, e pyeta.

“Pres të më thërresë”.

“A nuk keni frikë nga vdekja ?”

“Jo, përse duhet të kem frikë ? Kam parë shumë njerëz të vdesin dhe askush për rreth meje ka vdekur keq”.

Ishte bërë vonë dhe këmbana kishte rënë dy herë për të thirrur në faltoren e katit të parë murgeshat dhe vullnetarët që mblidheshin për të thënë lutjen e mbrëmjes dhe Ajo donte të zinte vendin e saj, në gjunjë mbi një copë thesi. Duke e parë atë herë të fundit, ndërmjet gjindes së saj, më dukej se shqetësimet e shumë “arsyetuesve” që kanë për “Misionaret e Mëshirës” ishin të kota. Nëse puna që ajo dhe murgeshat bëjnë nuk është “e tyre”, por e “Atij”, ajo punë nuk mund veçse të vazhdojë. Të besuarit është ai që vlen.

“Corriere della Sera”, 5 shtator 2016

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Eugjen Merlika, MË THOTË : MOS SHKRUAJ MË, Tiziano Terzani

KONSULLATA E KOSOVËS SHËNOI SHËNJTËRIMIN E NËNË TEREZËS

September 8, 2016 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

2-ok-amb-sahatcija

1-al-fadil-grup

1-amnb-agim

1-artisti-kendon

1-ilir-tuga-xhevNew York, 7 Shtator 2016- Mbrëmjen e së Mërkurës me 7 Shtator 2016, në mjediset e Konsullatës së Republikës së Kosovës, që ndodhet në 42 Street, në Nju Jork, nën drejtimin e Konsulles së Përgjithshme, ambasadores Teuta Sahatcija, u organizua një ekspozitë historike që përshkonte rrugëtimin e Nënë Terezës ndër vite, mesazhet e saj, Letërkëmbimi, raporetet e saj  me të varfërit, të sëmurët, të pastrehët, me Paqen dhe me jetën. Sic tha në fjalën e saj përshëndetëse ambasadorja Teuta Sahatcija, projekti i ekspozuar është fryt i hulumtimit të një numri historianësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, të cilët e mblodhën materialin e ekspozuar, dokumentet, eksponatet e rralla, nëpër shumë arkiva të vendeve të ndryshme.

Veprimtarinë e organizuar e nderoi me pjesmarrjen e Tij dhe një fjalë përshëndetse mjaft të duartrokitur  Nuncio Apostolik i Misionit te Vatikanit ne Kombet e Bashkuara Bernardito Auza, si dhe Ambasadorë të shteteve të ndryshme në OKB, profesorë të Universiteteve në NY, gazetarë ,përfaqësues të Institucioneve fetare, si dhe përfaqësues nga diaspora shqiptare në SHBA.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, u përfaqësua në këtë veprimtari me nënkryetarin e saj, z. Agim Rexhaj.

Veprimtarinë që shënoi zyrtarisht nderimin e shënjtërimit të Nënë Terezës nga Konsullata e përgjithshme e Kosovës, e ka moderuar konsulli Fatmir Zajmi.

Ambasadorja Teuta Sahatcija u ka uruar mirëseardhjen mysafirëve dhe ka vlerësuar figurën e Nënë Terezës dhe mesazhet që ajo ka dhënë gjatë jetës së saj, si dhe është ndalur në motivin e organizimit të kësaj veprimatrie, ku ndërthurej Ekspoziat me dokumente, rrugëtimin jetësor e historik të Nënë Terezës , mesazhet, përkushtimin deri në vetmohim.

Nunsi Apostolik i Misionit te Vatikanit ne Kombet e Bashkuara Bernardito Auza, ka përshëndetur organizatorët e kësaj veprimtarie, pjesmarrësit dhe ka vlerësuar veprën e Nënës Terezë dhe është ndalë në Shënjëtrimin e Shenjtes Tereza e Klakutës, e cila, sic cilësoi ai, e ka deklaruar vetë në të gjallët e saj, publikisht gjatë ceremonies së marrjes të Cmimit Nobel për Paqe, se me gjak, është shqiptare.

Për jetën dhe veprën e Nënë Terezës ka folë edhe Qazim Doda.

Vlerat e  veprimtarisë i ka shtuar progarmi artistik. Xhevat Limani ka recituar ne Shqip dhe anglisht fragment nga poema”I Want to come back to Albania”, i shoqeruar mjeshtrisht ne Klarinete nga Igli Tuga. Hymni i Nene Terezes eshte intepretuar me emocion nga Riad Ymeri i shoqeruar ne Piano nga Elona Muca.

Veprimtaria që shënoi shënjtërimin e Nënë Terezës, u mbyll me një kokteil I organizuar nag Konsullata.

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: dalip greca, Konsullaat e Kosoves, Konsulle Pergjithshme, shenjterimi i nene Terezes, Teutha Sahtacija

POLITIKA E JASHTME DHE FUSHATA PËR PRESIDENT TË SHBA

September 8, 2016 by dgreca

 

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/

Deri tani,  politika e jashtme dhe roli i Amerikës në botë nuk ka dominuar aq sa duhet debatin politik të fushatës presidenciale midis kandidates së Partisë Demokrate Hillary Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump.  Por ka giasë se javët e fundit të kësaj fushate për president të dominohen nga çështje me rëndësi të politikës së jashtëme, por edhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht në punët botërore gjatë pothuaj 100-viteve të fundit.

Zakonisht, gjendja ekonomike në vend dhe programet e kandidatëve për përmirësimin e saj, ato pra që cilësohen si “çështje të kuletës” (pocketbook issues), janë çështjet që vendosin se cili kandidat do fitojë në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare në nëntor, me fjalë të tjera cili është kandidati më i mirë që do të përmirsojë jetën ekonomike të familjeve amerikane.  Por duke marrë parasysh se megjithëse rritja e ekonomisë amerikane nuk është në nivelin që duhej të ishte, prapë se prapë ka shenja që tregojnë se ekonomia nuk është në krizë.  Sidomos kur të merret parasysh fakti se papunësia ndodhet në një nivel të ultë prej 4.9 për qind, në krahasim me katër vjet më parë kur papunësia ishte mbi 8 për qind. Rroga ndoshta nuk janë në nivelin e dëshirueshë, por të pakën njerzit mund të gjejnë punë po të duan.  Niveli i papunësisë midis 5 dhe 6 për qind, konsiderohet si normale këtu në Shtetet e Bashkuara.  Në këtë moment pra, duket se ekonomia nuk është një çështje me rëndësi dërmuese që do të shtyjë votuesin të votojë për njërin ose për tjetrin kandidat, por do të jenë një numër çështjesh përballë të cilave gjëndet Amerika, përfshirë politikën e jashtme, politikën mbrojtëse dhe të sigurirmit kombëtarsi dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. Do të jetë vlerësimi i votuesve amerikanë se cili ndër kandidatët do të jetë më i zoti dhe cili prej tyre ka përvojën dhe parimet dhe vendosmërinë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit në fushën ndërkombëtare përballë sfidave të tanishme dhe të ardhëshme gjatë mandatit katër  vjeçar.

Dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, kur votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e tyre për katër vjetët e ardhëshme, bota duket se është në një gjëndje kaotike.  Presidenti/tja e ardhëshëme e Shteteve të Bashkuara, që në ditën e parë të mandatit do të përballet me një botë aspak stabile.  Vërejtësit e çështjeve ndërkombëtare paralajmërojnë re të zeza në horizontin ekonomik dhe politiko-ushtarak ndërkombëtar gjatë viteve në vijim.  Gjëndja në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë lamsh e rrëmujë, pa ndonjl shpresë zgjidhjeje në një të ardhme të afërt.  Flirtimet e fundit të dy autokratëve evropianë presidentit turk, Erdogan me presidentin rus Putin, janë shkak shqetësimesh serioze për NATO-n në përgjithësi dhe për implikimet e këtij flirtimi për krahun jug-lindor të aleancës perëndimore, në veçanti.   Shqetësues dhe me rrjedha të pa-parashikueshme është edhe vendimi i votuesve britanikë për të dalur nga Bashkimi Europian, si edhe rritja e tensioneve politike dhe ushtarake në Azi midis Kinës dhe fqinjve të saj dhe rritja e tensioneve politike në Europën Lindore si rrjedhim i politikave agresive të Rusisë së Vladimir Putinit.  Përfshirë Korea  e Veriut dhe Iranin nuklear, janë vetëm disa prej çështjeve të menjëhershme me të cilat do të përballet udhëheqsi i ardhëshëm amerikan, përveç krizave të pa parashikueshme botërore të viteve të ardhëshme.   Historikisht, ka ndodhur që presidentë të ndryshëm amerikanë — republikanë dhe demokratë — të kenë shpenzuar më shumë kohë duke u marrë me krizat dhe konfliktet ndërkombëtare se sa me punët e mbrendshme dhe me nevojat e përditshme të qytetarëve amerikanë.

Kandidati republikan Donald Trump sheh një hapje në këtë mes që ai po përpiqet ta shfrytëzojë në vazhdim të fushatës së tij, duke paraqitur politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama — pjesë e të cilës ishte edhe Hillary Clinton si Sekretare Amerikane e Shtetit — si të dështuar.

Por problemi i Trump-it është mos përvoja e tij në fushën e politikës së jashtme dhe asaj ushtarake. Ai është i pa sprovuar në këtë fushë, ndërsa kritikët e tij janë të shqetësuar në lidhje me temparamentin e tij në marrëdhëniet me të huajt.   Donald Trump, nëqoftse siguron fitoren në nëntor – do të jetë presidenti i parë në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, pa kurrfarë përvoje në fushën e politikës së jashtme dhe ushtarake, madje pa asnjë përvojë as në ndonjë administratë qeveritare.  Duke marrë parasyshë rëndësinë e politikës së jashtme si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, një shumicë amerikanësh – përfshirë këtu edhe një numër ish-zyrtarësh republikanë të diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare — janë shpallur kundër kandidaturës së Z. Trump, të shqetësuar pikërisht për mungesën e përvojës së tij në këtë fushë.

Ndërsa Hillary Clinton konsiderohet se ka më shumë përvojë në fushën e diplomacisë, falë shërbimit të saj si Sekretare amerikane e Shtetit dhe senatore – skandali me e-mailat e saja ka bërë që jo vetëm kundërshtari i saj politik për president Trump, por edhe vërejtës të tjerë të kritikojnë ashpër përvojën e saj në fushën e diplomacisë, duke thënë se mos kujdesi i saj në përdorimin e komunikimeve të fshehta përbën, sipas tyre, një rrezik ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.  Pse u shlyen dhe çfarë fshihej në to është një pyetje që po shkakton kokëçarje për Zonjën Klinton si dhe probleme në lidhje me besueshmërinë ndaj  në përgjithësi, në radhët e votuesve amerikanë, përfshirë edhe vetë demokratët.

Është e pamundur të parashikohet se cilin prej kandidatëve, Hillary Klinton apo Donald Trump, do të zgjedhin votuesit amerikanë në fillim të nëntorit.  Por mbetet për tu pa nëse çështjet e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme amerikane do të jenë çështjet kryesore ose faktori kryesor që votuesit amerikanë do të përdorin për të vendosur se për cilin kandidat për president do të votojnë më 8 nëntor, 2016.  Por një gjë është e sigurt. Duke marrë parasyshë statusin që gëzojnë sot Shtetet e Bashkuara si fuqia numër një në botë, zgjedhja e cilit do prej tyre — për mirë ose për keq – dhe politika e tyre e jashtme që eventualisht do të ndjekin,  do të ketë pasoja të thella jo vetëm për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, por për mbarë botën.  Le të shpresojmë që kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të jenë të vetdijshëm të këtij fakti.

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Frank shkreli, Fushata, Politika e jashtme, presidentet

NËNË TEREZA NË NJË SHKOLLË AMERIKANE NË NJU JORK

September 7, 2016 by dgreca

” MEGJITHATË” …./

1-ilir-harshova-600x400NGA ILIR HASHORVA/

… Kur takohesh me Nënë Terezën, nuk mund të mos ndiesh inferioritet-  Indira Gandi/

Këtu e trembëdhjetë vjet të shkuara, pata bërë shkrimin e mëposhtëm për Nënë Terezën i cili, duke parë drejtimin e shtrembër moral që ka marrë shoqëria jonë sot, më duket më aktual se atëherë.Ne ceremoninë që u zhvillua në shkollën  e mesme “Teodor Ruzvelt” në Jankes, në Nju Jork, me rastin e mbarimit të vitit shkollor në vitin 2002, shkollë prej së cilës mbaroi  vajza ime, mora pjesë edhe unë si prind. Gjatë asaj ceremonie, e cila u zhvillua e bukur dhe serioze, diku nga mesi i programit, një prej drejtueseve, pasi thirri një nxënëse në skenë, filloi të recitonte: “Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë”, dhe nxënësja, e thirrur pranë saj, vazhdoi: “Ji i ndershëm dhe i sinqertë, megjithatë”. “Të kujt janë këto mendime?”, pyeti drejtuesja. “të Nënë Terezës” iu përgjigj nxënësja. “Pa dyshim”, tha drejtuesja. Dhe, më pas, ato, së bashku, recituan të gjithë poemën e shkurtër të Nënë Terezës, “MEGJITHATË” e cila u duartrokit nxehtësisht. Poema ishte vërtet  një koncentrat mendimi e urtësie i shkallës më të lartë. Ajo përmblidhej në tetë rreshta dhe kishte të bënte me sjelljen e njeriut të mirë në një botë të keqe.

Nuk e kisha dëgjuar më parë atë poemë, ndonëse dija vargje të tjera të ngjashme, apo gjerdane maksimash, po të Nënë Terezës, me titull “JETA” dhe që në Tiranë i kisha vendosur në xhamin e bibliotekës sime të punës.

Pasi  dëgjova atë mbasdite poemën e Nënë Terezës, u interesova të mësoja diçka më shumë për të. Dhe ja se çfarë mësova:

Origjinën ato vargje duhet ta kenë nga feja e lashtë indiane Xhain, e cila është një fe, ndonëse jo shumë e përhapur (për shkak të rregullave shumë të forta që i imponon besimtarit), me parime shumë interesante, ndërmjet të cilave edhe parimin e  Ahimsa-s, që do të thotë “pa dhunë”, dhe që ka frymëzuar lëvizje të mëdha botërore të shekullit që lamë pas, duke përfshirë atë të Gandit në Indi dhe të Martin Luter Kingut në Amerikë. Në citatet që jepen për të njëjtin subjekt nga ajo fe, përveç vargjeve të ngjashme me ato që përmbahen në poemën e Nënë Terezës, janë edhe  dy vargje të tjera që nuk ndodhen në thëniet e saj. Ato janë: ” Njeriu më i lartë me idetë më të shquara, goditet nga njeriu më i ulët me idetë më të errëta – Përpiqu të bëhesh i lartë, megjithatë” si dhe  “Në qoftë se mendon ndryshe, mund të kritikohesh nga të tjerët – Përpiqu të mendosh ndryshe, megjithatë”. Mundësinë  më të madhe të prejardhjes ato vargje duket se e kanë pikërisht nga kjo fe, por Nënë Tereza u dha atyre një përhapje dhe njohje universale.

Në vitin 1966 një nga udhëheqësit kryesor të studentëve amerikanë, Kent Keith, shkroi një pamflet për udhëheqës të tjerë të studentëve të asaj kohe të cilin e quajti “Revolucioni i qetë”. Në këtë pamflet u paraqitën disa maksima që u quajtën  “Urdhëresa paradoksale “. Janë gati të njëjta me ato të Nënë Terezës. Në vitin 2001 ato u riparaqitën në librin e tij “Urdhëresa paradoksale: të gjeturit e kuptimit personal në një botë të çmendur “. Në këtë libër tetë mendime janë si të Nënë Terezës, një është personal dhe një është si ai i fesë Xhain.

Fillimisht Nënë Tereza ato vargje i kishte vendosur në një mur të shtëpisë së të vegjëlve jetimë, Shishu Bhaven, në Kalkuta, por sot ato vargje gjenden të vendosura kudo nëpër botë: në mure, në zyra, në dyer frigoriferi, në dollapë, kudo. Ndikimi i tyre në edukimin moral të njerëzve, duket se është shumë i fuqishëm. Uein Daier (Waine Dyer) i quan ato vargje ” “Plani me tetë pika për dendotizim” i Nënë Terezës.

Më poshtë është poemthi i Nënë Terezës, “MEGJITHATË`”

MEGJITHATË

 Njerëzit janë të paarsyeshëm, të palogjikë dhe egoistë                                                

Duai ata, MEGJITHATË

 Kur bën mirë, të tjerët të akuzojnë se nise nga egoizmi                                                              Bëj mirë, MEGJITHATË                                                                                           Në sukses fiton miq të rremë dhe armiq të vërtetë                                               

Përparo, MEGJITHATË

Të mirën që bën sot, do të ta harrojnë nesër

Bëj mirë, MEGJITHATË 

Ndershmëria dhe sinqeriteti të bëjnë të brishtë

Ji i ndershëm dhe i sinqertë, MEGJITHATË

 Atë që ndërton me vite, mund të ta shkatërrojnë brenda natës

Ndërto, MEGJITHATË 

Njerëzit duan ndihmë, por mund të të godasin, po t’i ndihmosh

Ndihmoi njerëzit, MEGJITHATË

Jepi botës më të mirën që ke dhe ajo do të të thyejë dhëmbët

Jepi botës më të mirën që ke, MEGJITHATË

Nuk duhet që Nënë Tereza të na shërbejë vetëm si një zbukurim të cilin e demonstrojmë sa herë që duam t’u tregojmë të huajve se ajo është jona. Ajo duhet bërë pjesë e kulturës dhe shpirtit tonë. Nuk mjafton  të shqetësohemi, kur nga indiferenca jonë, Nënë Terezën na i marrin të tjerët. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur harrojmë t’i përkujtojmë asaj ditëlindjen apo përvjetorin e vdekjes. Nuk mjafton të shqetësohemi, kur kujtohemi që asaj nuk i është ngritur një bust a një përmendore për të qenë, ashtu siç e meriton, në atdheun e saj, në Shqipëri, pikërisht sepse ai vend u tregua aq i padrejtë dhe aq mizor ndaj saj.

Nuk di nëse mendimet e Nënë Terezës, apo moralistëve dhe humanistëve të tjerë të ngjashëm me të, mësohen apo jo në shkollat tona, por, në qoftë se nuk mësohen, apo nuk mësohen siç duhet, aty duhen kërkuar edhe rrënjët e një pjese të shkaqeve të gjendjes së mjeruar morale të popullit tonë sot.

            Nënë Tereza dhe moralistët dhe humanistët e tjerë, të cilët nuk janë vetëm shpirtra të mëdhenj, por edhe mendje të ndritura, duhen futur urgjentisht kudo: në kopshte fëmijësh, në shkolla, në universitete, në spitale, në burgje, në gjykata, në politikë, në pushtet, në ministri, në kryeministri e kudo. Dhe, po të bëhet kjo, me siguri Shqipëria do të ndryshojë dhe do të ndryshojë për mirë; po qe se s’bëhet kjo, të tjerat janë formalitete të karakterit hipokrit. 

Nju Jork, korrik 2003                                     

Ilir Hashorva

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Ilir Harshova, Megjithate, Nene Tereza, Nju Jork, shkolle amerikane

Një memorial për internimet e diktaturës komuniste shqiptare në Lushnje

September 7, 2016 by dgreca

1 Dine
                                                                            Dine Dine
1 simoni flet
                                                                                          Simon Mirakaj
1 Butka Uran
                                                                                            Uran Butka
1 Memoriali me ekmbeMemoriali i ish-të përndjekurve politik në Lushnje, ngrihet në përkujtim të 32 mijë personave, që u dënuan pa u gjykuar…..për të kaluar gjithë jetën e tyre në kampet e interrnimit/
1Grup me simon
1 Memoriali pa zbulu
1Ne pritjen
1 Lista Cano
2 Liste
3 Lista Lamce
4 Lista Sela
1 Bilal
                                                                                           Bilal Kurt Kola
1Tushe flet
                                                                            Fatos Tushe
14 Tabela
1 tri gra
Nga Beqir SINA – New York/
LUSHNJE : Një ditë mbas Shejtërimit të Nëna Terezes – në Vatikan, përurohet memoriali kombëtar i internim – dëbimeve në qytetin myzeqar të Lushnjës
Një memorial i pari i këtij lloji në kujtim të familjeve që u persekutuan nga regjimi komunist, përgjatë rregjimit të Enver Hoxhës
Ai është ngritur, thanë disa ish të internuar nga kampi i interrnimit në Savër, në hyrje të qytetit të Lushnjes.
Ata thanë se tashmë, mbas 26 vjet që u rrëzua regjimi komunist, familjet e internuara gjatë regjimit komunist në 14 kampet e interrnimit në qytetin e Lushnjes, përjetësohen në një memorial.
Simbas, Shpëtim Turanit, i cili ka lindur në kampin e internimit në Savër – Lushnje, dhe kaloi me familjen e tij mbi 30 vjet në atë kamp,  tha ceremonia e inagurimit , të Memorialit, u bë të hënën më datë 5 Shtator në ora10:00 të paradites.
Duke folur nga Roma, me Shpëtim Turanin, ai tregon se ky Memorail është vendosur tek fillimi lulishtes, se rrugës në formë Y-je, rruga që shkon nga drejtimi stadiumit për në qendër të qytetit.
Mbiemrat e familjareve te shenuar ne kete memorial jane deshmi qe flasin per histori te dhimbshme dhe simbol i qendreses ndaj diktatures komuniste.
Memoriali eshte kater meter e gjysem i larte, dhe ne te jane shkruar mbiemrat e familjeve te internuara.
Kembet e zbathura tregojne vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificen e perjetuar te ketyre familjeve.  Në rrethin e Lushnjes, u internuan mbi 30 mijë familje nga e gjithe Shqipëria, të vendosura në 14 kampe përqëndrimi.
“Memoriali, është projektuar nga Fatos Kola – dhe është 4.5 m i larte, ku në mes të tij të skalitur, duken disa persona me këmbë zbathur, simbol i vujtjeve të tmerrshme,  dhe në kater faqet në pllaka mermeri të zeza , janë të shkruar mbiemrat e familjeve , që trajtohen me këtë status, si ish të interrnuar në 8 kampet e interrnimit në Lushnje” .
Zoti Turani, shtonë se inisiatorë të vendosjes së këtij Memoriali,  ishte Insituti  i të Perndjekurve Politikë. Ndërsa, Bashkia e qytetit të Lushnjes dha miratimin për vendin e vednosjes së Memorialit.I cili është i mbeshtetur nga Ministria e Punës Mirqenies e Rinisë, zotit Blendi Klosi.
Ndërkohë, tha ai zbulimin e Memorialit kushtuar ish të interrnuarve në kampet e interrnimit në qytetin e Lushnjes, e zbuloi nji i lindur në kampet e interrnimit Drejtori i Insitutit të të Përndjekurve Politikë, zoti Bilal Kola – djali Kurt Kolës, ish i burgosur politik, dhe Ministri i Punës-Mirqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi.
Ceremoninë e inagurimit të këtij Memoriali, pas egzekutimit të Himnit tonë kombëtar, e hapi me fjalën e rastit, zoti Bilal Kola, ndërsa ka përshëndetur edhe Fatos Tushe  – Kryetar i Bashkisë Lushnje, ish i burgosuri politik dhe ish i internuari Dine Dine, historiani i njohur Uran Butka, ish i interrnuari Simon Miraka, dhe e mbylli ministri Blendi Klosi.
Simbas, Shpëtim Turanit, sinteza e fjalës së secilit ishte, të mos harrohet e kaluara e kësaj shtresë,: “Është, një obligim moral në përkujtes – tha ai që u materializua në obelisk, për të përjetësuar atë që kanë vuajtur,  të gjitha këto familje, dhe ky obelisk le të jetë edhe një detyrim i qeverisë, ta nxisë atë se do të vazhdojë dëmshpërblimin me ish të burgosurit politik dhe ish të interrnuarave në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh ish i interrnuari Shpëtim Tuarni
“Boshllëku në shpirtë, shkruan në statusin e saj në facebook, nji nga ish ttë intërrnuarat në Savër të Lushnjes, së bashku me familjen e saj nga Dibra, Bedrie Kaba, që kisha para se të nisesha në Lushnje , ankthi i udhëtimit , që më priste u venit, sapo këmba më shkeli tek ai endi që thirrej “Plasmasi” dhe mora rrugën me vëllan drejtë në vendin ku do bëhej inagurimi ., Pra, tek kryqëzimi i rrugës që njëra shkon drejtë Gjimnazit, dhe tjetra drejteë qëndrës. Dhe, tashmë çdo kush që do kaloj do shoh monumentin kushtuar të gjithë atyre njerëzeve të internuar burgosur e vrarë.  Ndoshta, do ndalet dhe do e sodis me çudi se si gjithë ata njerëz janë futur “në një katror” që veç këmbët zbathur poshtë, u duken, e në faqe të katrorit ndodhet nje dritare tepër e vogël për të futur dritën e paktë e për të thithur pak ajër nga bota e lirë, nga ne, të mbyllur ja ashtu siç paraqitet në atë monument . Nje ide reale tepër e dhimbshme, që gjithkush kur vetëm e sheh atë monument e kupton se çfarë bëri regjimi komunist. Tashmë, fjongoja e kuqe hiqet dhe ti e sheh mes emocjonesh edhe loton për kohën , që na  i mori rinin por edhe ëndrrat ………………” shkruan Bedrie Kaba.
Memoriali kombëtar i ngritur në hyrje të qytetit të Lushnjes, përmbledh përkujtimin e Internim-Dëbimeve të viteve 1954-1991.
Pas prezantimit të memorialit, ministri Klosi në fjalën e tij para të pranishmëve vuri theksin tek rëndësia e aktiviteteve të tilla përkujtimore, dhe tha se në Tiranë, dhe disa vende të tjera kua ka pasur kampe interrnimi dhe burgjet politike do të ngrihen Obeliske dhe Memoriale.
Memoriali, që u vendos në qytetin e Lushnjes, kujton vendin ku u internuan afro 90 për qind të gjithë të internuarve politikë në shkallë vendi, tha Zëri i Amerikës.
Në emisionin e saj “Ditatri”, sot, Zëri i Amerikës, duke përcjellur një kronikë nga Lushnja, me korespondetin e saj Ilirian Agolli, tha se :” Edhe pse ishte në mes të Shqipërisë, Lushnja, u caktua si zonë internim dëbimesh për shkak të kënetave, ku duhej të vuanin e të punonin kundërshtarët e regjimit komunist për afro 4 dekada”.
Simbas, Zërit të Amerikës, Instituti për Integrimin e të Përndjekurve Politikë, përfaqësues të shoqatave të tyre dhe të qeverisë u bashkuan dje në Lushnje në përurimin e një memoriali kushtuar vuajtjeve në kampet e internimit gjatë regjimit komunist.
Lushnja, Myzeqeja dhe krahina kënetore përreth tyre është një prej zonave ku diktatura komuniste internoi numrin më të madh të kundërshtarëve politikë, që nga moshat më të shkruara e deri tek foshnjat e sapolindura, tha Zëri i Amerikës.
Duke shtuar se Lushnja kishte 14 qendra internimi, ku jetuan me mundime dhe punë të rënda në bujqësi mijëra të dënuar politikë dhe familjet e tyre.
Internimi dhe dëbimi i kundërshtarët politikë ishte gjatë afro 45 vjetësh një nga veprimtaritë kryesore dhe periodike të diktaturës komuniste.
Diktatura nuk kurseu askënd, që dyshohej sadopak se mendonte ndryshe nga udhëheqja e partisë shtet.
Diktatura internoi në Lushnje për 35 vjet rreth 90 për qind të kundërshtarëve politikë antikomunistë.
Krahas qindra burgimeve dhe pushkatimeve me gjyq e pa gjyq, diktatura internoi mbi 33 mijë persona të të gjithë moshave për shkak të mosbindjes së tyre ndaj regjimit komunist dhe prej faktit të thjeshtë që ata u përkitnin familjeve antikomuniste, përfundojë Zëri i Amerikës.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Beqir Sina, ne Lushnje, Nje memorial per te internuarit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 570
  • 571
  • 572
  • 573
  • 574
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT