• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tërmetet politike mes Kievit dhe Moskës me prapavijë shumëshekullore

February 24, 2014 by dgreca

Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët?/

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/

Ukraina dhe Rusia kanë një histori të përbashkët të kahershme. Prandaj jo më kot Kievi shpesh herë quhet si “nëna e qyteteve ruse” dhe vlerësohet si djepi i qytetërimit ortodoks sllavianolindor. Rusia Kieviane (ky shtet kështu është quajtur në Evropën Lindore në shekujt e mesjetës) konsiderohet prej të dy vendeve si pararendësja e tyre historike.Pas dyndjes tataromongole drejt Rusisë Kieviane në vitet 1237-1242, fatet e popullit rus dhe të popullit ukrainas u ndanë nga njëri-tjetri. Sundimi tataromongol vazhdoi dy shekuj me radhë. Në Rusinë verilindore ky sundim vazhdoi deri në vitin 1480, ndërkohë që në tokat e tjera kjo zgjedhë u hoq qafe në shek. XIV, pas fitores së trupave ruse të udhëhequra nga Dmitri Donskoj në betejën e Fushës Kulikovo të vitit 1389.

Ngjarjet tragjike të ditëve të fundit në Kiev, të shoqëruara me shumë viktima dhe të plagosur, e kanë zanafillën te mosnënshkrimi i Marrëveshjes së Asocimit me Bashkimin Evropian prej Presidentit Janukoviç në nëntorin e vitit të kaluar dhe te kthimi i timonit drejt Moskës në çështjet e tregtisë. Por, në të vërtetë, mosnënshkrimi i marrëveshjes në fjalë shërbeu thjesht si pretekst për shpërthimin e krizë politike.

Marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës kanë një parahistori të gjatë, e cila është shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Unë kam një informacion të pasur për natyrën e këtyre marrëdhënieve, të cilat kanë kaluar nëpër një spirale tragjike. Por në këto shënime nuk dëshiroj të shfletoj informacionet personale nga burime të mirfillta ukrainase, në mënyrë që të mos i lë shteg vetes të bëj vlerësime që ndokujt mund t’i tingëllojnë si subjektive.

Prandaj e quajta me vend t’u drejtohem ca shënimeve mjaft interesante të një analisti ukrainas, i cili, duke u mbështetur mbi fakte historike, hedh mjaft dritë mbi arsyet e vërteta se pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët:

“Kohët e fundit, rusët gjithmonë e më shpesh po ankohen për faktin se nëpër faqet e internetit po përplasen me shfaqjet e një urrejtjeje “të pakuptueshme” nga ana e “vëllezërve” ukrainas. Se, demek, ngado që hedhin sytë në faqet e internetit, ata gjithandej lexojnë pikërisht sharjet dhe ofendimet e këtyre “vëllezërve”. Se, që ta merrni vesh, më herët, rusët ushqenin një simpati të madhe ndaj ukrainasve (se gati secili në fisin e vet e ka një të afërm ukrainas), kurse tani pyesin veten në hutim e sipër:

“Cila është arsyeja që ukrainasit na urrejnë kaq shumë?”

I dëgjova sa i dëgjova një copë herë të mirë të gjitha ankesat e tyre, të shoqëruara me lot, dhe pastaj i dhash karar që t’ua shkoqitja mirë e mirë “vëllezërve” tanë se cila është arsyeja që ukrainasit ushqejnë kaq shumë urrejtje ndaj tyre dhe se çfarë duhet bërë që gjithçka të nisë që nga fillimi.

Për fjalë të nderit, mua më habit paksa zemërata e rusëve lidhur me agresionin leksikor dhe me urrejtjen që ukrainasit ushqejnë ndaj tyre. Prandaj po ju drejtohem sikur të isha në një bashkëbisedim me ta:

Tani, që t’i themi gjërat açik, çfarë dëshironi ju? Ju na shisni atë gazin tuaj të qelbur me çmimin më të lartë në Evropë dhe pastaj i hapni sytë kokërdhok se pse ukrainasit ju shajnë nga nëna e nga baba poshtë e përpjetë. Sigurisht që do të shfajësoheni se në këtë mes e ka fajin Putini, se rusët e thjeshtë s’kanë gisht në këtë mesele. Jo more! Po këtë gjel të fryrë kush e zgjodhi president për të tretën herë? Kush e ngre deri në qiell këtë farë burri? Tani atë, sigurisht, nuk e kanë fort qejf, por prapëseprapë në Rusi nuk janë të paktë ata që mendojnë me prapanicë, të cilët i kanë dalë krah carit të mbarë Rusisë në të gjitha nismat e tij, përfshirë këtu edhe politikën që drejtohet kundër Ukrainës.

Por nejse, sikur halli të ishte vetëm te gazi. Por gjelat tuaj të Kremlinit ia kanë bërë trutë dhallë Ukrainës jo aq për atë punën e gazit, sesa për të gjitha gjërat e tjera që kanë të bëjnë me punët tona të brendshme.

Le të marrim qoftë edhe punën e gjuhës. Ç’ju hyn në hesap juve se ç’gjuhë flasin njerëzit në Ukrainë? Si-si? Ju dashkeni që rusët etnikë që jetojnë në Ukrainë të flasin në gjuhën amtare? Jo more! Po ju a ua keni krijuar këtë mundësi ukrainasve etnikë që jetojnë në Rusi? Atëherë çfarë pretendimesh paskeni ndaj nesh? Se që të kërkosh diçka, në fillim duhet të japësh shembullin personal dhe mandej t’u rrokanisësh kokën të tjerëve për të drejtat e veta.

Po ç’thotë historia? Ç’ju hyn në qese juve se cilët janë heronjtë tanë kombëtarë? Ju shikoni historinë tuaj. Heronjtë tanë, së paku, kanë luftuar kryesisht kundër okupatorëve dhe jo kundër popullit të vet. Dhe ç’keni që na qortoni orë e çast për faktin që ne zhvillojmë një politikë antiruse, duke lëvduar ata që kanë luftuar kundër Moskës. Mos ne u kemi akuzuar gjë vallë për faktin që Rusia zhvillon politikë antiukrainase, duke ngritur në qiell Pjetrin e Parë (1672-1725) që e shkoi në thikë Baturinin (kryeqytet i kozakëve të Ukrainës në shek. XVII-XVIII – E.Y.) dhe shkatërroi qendrat administrative usharake, ose duke i thurur lavde careshës Ekaterina (1729-1796) që likuidoi udhëheqësit ushtarakë ukrainas dhe shkatërroi për herë të dytë qendrat administrative ushtarake dhe vendosi në Ukrainë të drejtën e bujkrobërisë?

Po ç’i keni gjithë këto thirrje për bashkim? Ju menduakeni se ky na qenka qëndrim vëllazëror, të bësh thirrje për bashkim, duke mbjellë frikën me këtë rast me gjithfarëlloj komplikacionesh që mund të lindin për udhëheqësit ukrainas në rast se Ukraina nuk jep pëlqimin për aleancë doganore me Rusinë? Jo, këtij nuk i thonë qëndrim vëllazëror, këtij i thonë qëndrim shtazëror! Po ç’janë ato kërcënime për të dhënë një goditje bërthamore kundër Krimesë në rast se Ukraina bëhet anëtare e NATO-s? Ju e quakeni normal një qëndrim të tillë?

Është e natyrshme që dikush do të thotë se politika nuk duhet të ndikojë mbi marrëdhëniet e popujve. Demek, na qenkan politikanët këta me trurin kryq që provokuakan konflikte, kurse populli i thjeshtë laka duart në këtë mes. Me gjithë mend e keni! Juve ju paska mbetur hatëri për faktin që ukrainasit nuk u shprehkan siç duhet për ju nëpër faqet e internetit. Po ju lexoni në fillim se çfarë shkruajnë për ukrainasit në internet bashkatdhetarët tuaj që vuajnë nga mania e madhështisë dhe nga hemoroidet e shovinizmit rusomadh.

Mos ju menduakeni se neve, ukrainasve, na vjen mirë të lexojmë se, demek, qenkemi popull i paqenë, se paskemi tradhtuar “gjirin”, pardon, emrin e vet “rrënjës”, domethënë “rus” dhe lloj-lloj përçartjesh të tjera? Dhe mandej lini mendjen kur ndonjë ukrainas, “pa ndonjë arsye”, ju shan në themel e në çati?

Ju pyesni se çfarë duhet bërë “për ta kthyer gjithçka ashtu siç ka qenë”? E po, sa për sefte, duhet ta pranoni se “siç ka qenë” asnjëherë nuk ka qenë.

Marrëdhëniet e tendosura mes ukrainasve dhe rusëve kanë qenë të përhershme. Ato nuk janë krijuar sot, ato shkojnë larg, e kanë zanafillën që nga kohët e Rusisë Kieviane, kur princët rusë që gjoja i përkisnin së njëjtës etni, thereshin me njëri-tjetrin që si e si të hidhnin në dorë fronin e Kievit.

Megjithatë, nuk kemi ndër mend të futemi thellë në histori. Do ta fillojmë nga viti 1618, kur hetmani  (komandant i trupave kozake, – E.Y.) ynë lavdimadh Sahajdaçni (1582-1622), së bashku me zaporozhasit e vet të lavdishëm, i kalli datën Rusisë dhe për pak sa nuk pushtoi Moskën. Unë mendoj se pikërisht që asokohe rusët i kanë marr zët ukrainasit. Dhe kjo është e kuptueshme: moskovitët asokohe i mbushën pantallonat.

Mandej pasoi beteja në afërsi të Konotopit (qytet i krahinës Sumskaja në verilindje të Ukrainës – E.Y.), kur një tjetër hetman i shquar, Vigovski (1608-1659) u dha dërrmën trupave cariste. Kanë pas qarkulluar llafe asokohe se cari rus kaq keq i paskej mbushur pantallonat, saqë ia kishte mbathur nga Moska, nga frika se mos kozakët do të shkonin për të hedhur në dorë shpirtin e tij mëkatar.

Paskëtaj kanë qenë jo të pakta betejat e ukrainasve në aleancë herë me polakët, herë me turqit, herë me suedezët, herë me gjermanët kundër rusëve. Prandaj nuk pinë ujë hipokrizitë dhe rrëfenjat me përralla për “miqësinë shekullore mes popujve vëllezër”, sepse, në të vërtetë, nuk ka pas ekzistuar kurrfarë miqësie. Sepse ata, me të cilët ju gjoja keni pasur miqësi, nuk kanë qenë ukrainas dhe djalli e merr vesh se kush kanë qenë ata, sepse ukrainasit e vërtetë asnjëherë nuk hynin në marrëdhënie miqësore me ata që iu kanë bërë të liga.

Po, po! Dhe nuk është nevoja të shtrembëroni turinjtë dhe t’i hapni sytë kokërdhok nga qielli. Ju menduakeni se treqind vjet bashkëjetesë në një shtet të vetëm kanë qenë periudhë idilike fund e krye, se, demek, ukrainasit dhe rusët kanë jetuar në paqe dhe në lumturi? Por ne, ukrainasit, nuk jemi të këtij mendimi. Ne e mbajmë mend shumë mirë sesi carët tuaj, bashkë me careshat tuaja, ndalonin përdorimin e gjuhës sonë, se si ata po e shfarosnin vetvetësinë (identitetin) tonë, duke mos lejuar përdorimin e emërtimit “Ukraina” (që do të krahinë kufitare dhe që në fundin e shek XVIII rusët fiilluan ta quanin “Rusia e Vogël” – E.Y.) dhe “ukrainas”, duke i zëvendësuar ato me emërtimet idiote “Rusia e Vogël” dhe “rus i vogël”; se si sundimtarët tuaj i torturonin me armën e urisë stërgjyshërit tanë dhe i vrisnin për të vetmen arsye se ata donin të jetonin të lirë në shtetin e tyre të pavarur.

Çdo ukrainas normal e di dhe e mban mend një gjë të tillë. Kurse ata që i mohojnë të gjitha këto fakte, ata vetëm ukrainas nuk janë.

Prandaj, në qoftë se dëshironi që ukrainasit të mos ju urrejnë më, në qoftë se keni qejf ta ktheni atë që nuk ka pas ekzistuar kurrë, ja se çfarë duhet të bëni: cari juaj i gjithë Rusisë Vovoçka Putin le të vijë në Kiev, të kalojë në Sheshin Meidan (ukrainasit e quajnë Majdan, fjalë kjo me prejardhje nga persishtja që emërton çdolloj mjedisi të hapur, parku apo sheshi në tërësi – E.Y.), të bjerë në gjunjë dhe, në emër të të gjithë popullit rus, t’i kërkojë ndjesë popullit ukrainas… Pastaj le të shporret nga toka jonë e shenjtë. Dhe, në ikje e sipër, le të ndalet në çdo qytet, në çdo fshat dhe të kërkojë ndjesë për të gjitha ato të liga që carët, perandorët dhe sekretarët e përgjithshëm kanë bërë në tokën e Ukrainës!

Dhe po të ndodhë me të vërtetë një gjë e tillë (për çka unë dyshoj shumë), ne, ashtu qoftë, do të fillojmë të miqësohemi me ju dhe do t’i harrojmë fyerjet e vjetra. Atëherë mund të flitet për ndofarë lidhjesh ekonomike (dhe për asgjë më tepër). Por kjo nuk përbën fakt se ne do të japim pëlqimin për gjësend tjetër. Sepse ne kështu jemi si popull: të keqen nuk e kujtojmë, por na duhet ta regjistrojmë. Prandaj mos u sillni shumë ashpër me ne: vlerat evropiane ne i kemi shumë më për zemër sesa ato euroaziatke…” (Citohet sipas: Vadim Gontarenko. “Pse ukrainasit kanë urrejtje për rusët”. Marrë nga faqja e internetit “UAINFO”. 22 shkurt 2014).

Kur mbarova së lexuari këtë analizë interesante të zotit Vadim Gontarenko, menjëherë më erdhi ndër mend një strofë mjaft kuptimplote nga një poezi e poetit të shquar kombëtar ukrainas Taras Shevçenko (1814-1861), të cilin perandori Nikollai I (1796-1855), për përmbajtjen e poemës “Ëndrra”, e pati ndëshkuar rëndë, duke e degdisur në shtepat e humbura të Kazakistanit dhe të Kirkizisë për kryerjen e shërbimit ushtarak:

 

Brune, bëni qejfin tuaj,

Por jo me moskalë*,

Se moskalët janë të huaj,

Kanë për t’ju tallë.

 

Pra, zanafilla e tërmeteve politike mes këtyre dy shteteve është shumë e hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 8 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë. Aq e vërtetë është kjo, saqë “në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar, në Ukrainë shpërtheu një lëvizje e fuqishme me prirje nacionaliste që kishte si qëllim kryesor arritjen e pavarësisë me çdo mjet…Në periudhën fillestare të okupimit, komanda gjermane u mundua ta kthente potencialin nacionalistofetar të Organizatës së Nacionalistëve Ukrainas (ONU) kundër pushtetit sovjetik dhe Ushtrisë së Kuqe… Organizata shpërtheu luftën kundër dy armiqve – kundër Bashkimit Sovjetik dhe kunër Gjermanisë” (Citohet sipas: Valer Jaremenko. “Shpërthimet e  separatizmit ukrainas”. Politiçeskij zhurnall, nr. 12 (63), 4 prill 2005, f. 80).

Pikërisht këto janë arsyet e acarimeve mes këtyre dy vendeve sllave që  vazhdojnë edhe tani. Ndërkohë, Kremlini, për destabilizimin e situatës në Ukrainë, ka kërkuar me kohë të krijojë vatra tensioni, si ato që krijoi në Gjeorgji, duke nxitur Abhazinë dhe Osetinë e Jugut për shkëputje nga Gjeorgjia. Me kalimin e kohës, në mjetet e informimit masiv rus, ka pas qenë krijuar psikoza se edhe Ukraina ka një “Abhazi” dhe një “Oseti të Jugut” brenda vetes. Me “Abhazi” nënkuptohet zona e Transkarpateve dhe me “Oseti të Jugut” nënkuptohet Krimeja (republikë autonome), të cilat, sipas parashikimeve që bëhen, Rusia ka filluar t’i nxisë për shkëputje nga Ukraina.

Kështu, ish-drejtuesi i sekretariatit të presidentit Jushenko, Viktor Baloga, në efirin e programit “E bardha dhe e zeza” të kanalit televiziv TVI, pati deklaruar dikur:“Krimeja mund të ketë fatin e Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut” (Citohet sipas faqes së internetit në gjuhën ruse. 26 prill 2010).

Më 19 prill 2010, partia politike “Ukraina Jonë”, me  rastin e vizitës së presidentit Viktor Janukoviç në Lvov, pranë administratës shtetërore të qarkut organizoi një protestë masive me thirrjen: “Të ndalet sulmi i Moskës”. Në atë protestë morën pjesë edhe parti të tjera atdhetare dhe organizata shoqërore, në bashkëveprim me organizatat studentore të qytetit.

Në faqen e internetit po të datës 19 prill 2010, thuhej gjithashtu: “Në Transkarpate Ukraina ka shkelur mbi sfurkun e Bashkimit Sovjetik”. Madje arrihej deri në një deklaratë më kategorike: “E ardhmja e Ukrainës në Transkarpate është e dështuar”.

Asokohe u botua në shtyp edhe një pikëpamje ekstremiste e udheheqësit çeçen Ramzan Kadirov,  i cili, si vegël e bindur e Kremlinit, në gazetën angleze “The Telegraph” i bënte thirrje Moskës për të marrë masa të skajshme, deri edhe agresion të hapur. Sipas këndvështrimit të tij, Gjeorgjia dhe Ukraina janë ato që i shkaktojnë Rusisë dhembje koke dhe prandaj është e domosdoshme që Rusia ato t’i heqë qafe. Ai deklaronte:

“Kjo është tragjedia personale e Rusisë. Pse u dashka që ne të vuajmë gjithmonë, përderisa mund ta asgjësojmë thjesht fare atë që na pengon? Ne jemi të fuqishëm, ne kemi gjithçka: ushtri, teknologji. Ne duhet të sulmojmë” (Citohet sipas: “Kadirovi i bëri thirrje Rusisë t’i heqë qafe Gjeorgjinë dhe Ukrainën”. Marrë nga faqja e internetit “newsland”. 24 dhjetor 2009).

Kurse me rastin e ngjarjeve të fundit, guvernatori i Harkovit Mihail Dobkin, doli me një propozim që lë të dyshosh se ai është për ndarjen e Ukrainës. Ai “propozon zhvendosjen e institucioneve shtetërore nga Kievi në Harkov” (Citohet sipas: Guvernatori i Harkovit del me propozimin për zhvendosjen e kryeqytetit të Ukrainës në Harkov”. Marrë ma faqja e internetit “avmalgin”. 21 shkurt 2014).

Në një njoftim tjetër thuhet:

“Shtet qendror në Ukrainë pothuajse nuk ka, banorët e pjesës perëndimore korrën fitore, kurse juglindja rri me zemrën pezull, duke u përgatitur gati për rezistencë të armatosur ndaj pushtetit të ri, ndërkohë që parlamenti i Krimesë po diskuton me seriozitet largimin nga juridiksioni i Ukrainës dhe bashkimin e paskëtajshëm me Rusinë” (Citohet sipas: Mihail Belajev. Çështja e Krimesë”. Marrë nga faqja e internetit “belyaev”. 22 shkurt 2014).

Në linjën e arsyetimit për shpërbërjen e Ukrainës, vjen edhe deklarata e kryetarit të partisë komuniste të Federatës Ruse Genadi Zjuganov:

“Genadi Zjuganov deklaroi se Ukraina mund të ketë fatin e Jugosllavisë, duke pasur parasysh shpërbërjen e vendit dhe ndërrimin e dhunshëm të pushtetit” (Citohet sipas: “Zjuganovi në Peterburg: Ukraina mund të ketë fatin e Jugosllavisë”. Marrë nga faqja e internetit  “ИА REGNUM”. 23 shkurt 2013).

Ngjarjet e fundit dëshmuan se presidenti Janukoviç (i zgjedhur në mars të vitit 2010) nuk diti ose nuk deshi të ndërtonte një shtet me orientim kombëtar. Ai, që në fillim, politikën e vet e orientoi drejt Moskës, çka bëri që shumica e popullit ukrainas të vinte duke akumuluar pakënaqësinë e vet ndaj ekipit qeverisës që ai krijoi. Vasaliteti i shpëlarë i presidentit Janukoviç ndaj Kremlinit, çoi jo në rritjen e mirëqenies së popullit, por në varfërimin e tij të pandalshëm. Presidenti u interesua për pasurimin e familjes së vet dhe të të gjithë oligarkëve që silleshin rreth tij. I biri i tij, Aleksandër Janukoviç, arriti të pasurohej në një mënyrë marramendëse gjatë këtyre katër vjetëve. Sipas të dhënave të internetit, pasuria e tij, në prill të vitit 2013, kapte shifrën prej 187 milionë dollarësh, ndërkohë që vetëm brenda gjashtë muajve kapitali  tij u trefishua dhe në nëntor po të vitit 2013, arriti në shifrën prej 510 milionë dollarësh (Citohet sipas: “Kapitali i Janukoviçit, i riu, për gjashtë muaj u trefishua”. Marrë nga faqja e internetit “ZN, UA”. 01 nëntor 2013).

Kuptohet vetvetiu se kur oligarkia ukrainase pasurohej në një mënyrë kaq marramendëse, dikush tjetër do të varfërohej në një mënyrë po kaq marramendëse. Dhe ata që varfëroheshin ishin njerëzit e thjeshtë.

Presidenti Janukoviç, i dhënë pas pasurimit personal, e kishte zhveshur veten tërësisht nga vetëdija kombëtare deri në atë shkallë, saqë në Ukrainë të viheshin re edhe dukuri të përmasave skandaloze. Një informacion që vjen nga faqet e internetit, dëshmon për një dukuri sa të turpshme, aq edhe poshtëruese për dinjitetin kombëtar të popullit ukrainas:

“Në rajonin e Goshanit të krahinës së Rovenskut, vetëm brendas një dite, sipërmarrësit patën nxjerrë 50 kamionë, të ngarkuar me humus. Për një aktivitet të tillë janë në dijeni të gjithë banorët vendas, por nuk janë në dijeni ruajtësit e rendit dhe pushteti lokal. Qeveria e Janukoviçit e transporton humusin jashtë vendit me vullnetin e vet, çka të kujton Hitlerin, i cili humusin e Ukrainës e transportonte me vagona për në Gjermani” (Citohet sipas: “Nga Ukraina transportohet humus për jashtë vendit”. Marrë nga faqja e intenetit “m_kalashnikov”. 28 nëntor 2013).

Por humusi ukrainas transportohet për jashtë vendit edhe nga rajone të tjera. Sipas një specialisti ukrainas të bujqësisë, për rigjenerimin e një shtrese humusi me trashësi 3 cm, duhen 100 vjet. Kurse humusin nga toka e Ukrainës e zhvatin në një thellësi deri në 30 cm.

Një mendësi e tillë antikombëtare e presidentit Janukoviç, domosdo që atë do ta çonte, siç edhe e çoi, drejt një fundi të turpshëm të karrierës së tij politike dhe të formacionit politik që ai përfaqësonte.

          Santa Barbara, Kaliforni

24 shkurt 2014

————————-

*Fjala moskal është nofkë përbuzëse që u qe ngjitur rusëve shekuj më parë në Ukrainë dhe në Bjellorusi.

 

Filed Under: Featured Tagged With: mes Kievit dhe Moskes, Prof. dr. eshref Ymeri, termetet politike

Arvizu: SHBA-të, mbështetje politikës së dyerve të hapura të NATO-s

February 24, 2014 by dgreca

 Ambasadori amerikan në vendin tonë, Alexander Arvizu deklaroi të hënën se SHBA-të janë të palëkundura për të vijuar politikën e dyerve të hapura të NATO-s. Në konferencën ”Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut-SHBA”, ambasadori Arvizu, tha se Karta e Adriatikut kontribuon për një Europë të lirë dhe në paqe.

“Si anëtarë të këtij komunitet ripohojmë përkushtimin tonë të përbashkët politik për të forcuar institucionet demokratike, shoqërinë civile, shtetin ligjor, ekonominë e tregut, për të luftuar korrupsionin dhe krimin dhe për të mbrojtur të drejtat dhe liritë civile për të gjithë individët në rajo”, deklaroi ambasadori amerikan.
Karta e Adriatikut, sipas Arvizu, mbetet kaq e përshtatshme sot sa ç’ka qënë atëhere, ndërsa rajoni vazhdon në rrugën drejt integrimit më të thellë euroatlantik. “SHBA-të besojnë fortësisht se Karta kontribuon për vizionin tonë të përbashkët, për një Europë që është e plotë dhe në paqe”, tha ai.
Arvizu nënvizoi se anëtarët e kësaj Karte janë të përkushtuar për të forcuar përpjekjet e tyre individuale dhe bashkëpunuese për të intensifikuar reformat e brendshme që përmirësojnë sigurinë dhe stabilitetin e tërë rajonit.
Takimi i kartës të së Adriatikut ofron mundësitë për të theksuar atë që anëtarët kanë bërë drejt integrimit auroatlantik. SHBA-të, vijoi Arvizu, fuqimisht synojnë të ndihmojnë vendet në zbatimin e reformave të nevojshme.
Konferenca ”Forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar si garanci e suksesit të Kartës së Adriatikut-SHBA”, e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, nisi të hënën punimet në Tiranë me pjesëmarrjen e delegacioneve nga vendet e rajonit: Bosnja, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Shoqëria Civile(Sipas ATSH)

Filed Under: Featured Tagged With: Arvizu, Karta e Adriatikut, NATO

Ambasada e SHBA-ve në Shkup, përpunimi i vizave për kosovarët brenda ditës

February 24, 2014 by dgreca

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë bëri të ditur sot për një ndryshim procedural në procesimin e vizave në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup që do t’iu mundësojë tani shumicës së banorëve të Kosovës që të marrin vizat e tyre për SHBA në të njëjtën ditë kur mbahet edhe intervista e tyre për vizë.Më parë nga banorët e Kosovës kërkohej që të kenë intervistën e tyre në ambasadën e SHBA-ve në Shkup në një ditë dhe – nëse kërkesa aprovohej – të kthehen ditën e nesërme të punës për të marrë vizën.

Procesi i ri do t’iu mundësojë shumicës së banorëve që kualifikohen për vizë që të njëjtën ta marrin në të njëjtën ditë kur edhe janë intervistuar, edhe pse në ditët kur ka tëpër shumë kërkesa nga disa aplikues ende mund të kërkohet që to vijnë prapë në ditën pasuese të punës.

Aplikuesit të cilëve u është aprovuar viza mund ta maksimizojnë gjasën për procesim po të njëjtën ditë nëse sigurohen që informatat në aplikacionin e tyre elektronik për vizë janë të plota dhe të sakta. Aplikuesit që bëjnë gabime në emrat e tryre, datat e lindjes, apo numrat e pasaportës, nuk do të kualifikohen për procesim po të njëjtën ditë. Ndryshimet procedurale do të prekin vetëm banorët e Republikës së Kosovës dhe nuk do të ndikojnë në shërbimet që Ambasada e SHBA-ve në Shkup ofron tani për të gjithë aplikuesit tjerë për viza

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasada amerikane, kosovaret, Shkup, viza

Thaçi nga Londra: Kosova ka shumë të ofrojë

February 24, 2014 by dgreca

Nga B.Jashari/.- “Kosova ka shumë të ofrojë, theksoi kryeministri Hashim Thaçi nga Londra, ku ndodhet me ftesë të presidentit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Konferencen e 7-të të kryeministrave të vendeve anëtare të BERZH-it.

“Jam pjesëmarrës i Forumit Investiv të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga banka BERZH në Londër. Për herë të parë në histori jemi 7 kryeministra që po flasim në një forum për mundësitë investive në rajon”, shkruajti ai para pak minutave në Facebook.
“Kosova ka shumë të ofrojë në miniera, energjetikë, bujqësi dhe tani pas fillimit të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore, edhe investitorët ndihen më të sigurtë në peisazhin tonë politik dhe ligjor.
Misioni im i ri është të korrim dividenda maksimale ekonomike nga puna që kemi bërë në stabilizim të situatës dhe shtetndërtim të suksesshëm”, thekson kryeministri Thaçi.
Në njoftimin e dërguar mbrëmë nga Kryeministria kosovare bëhej e ditur se, në këtë kuadër, kryeministri Thaçi, në 24 shkurt do të ketë takim me drejtorin e BERZH-it me të cilin do të bisedojë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për hapat që është duke ndërmarrë Qeveria e Kosovës, për rritjen ekonomike si dhe ruajtjen e stabilitetit makrofiskal të ekonomisë kosovare. Në konferencë i pranishëm do të jetë edhe ministri Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, ëilliam Hague, me të cilin kryeministri Thaçi do të ketë një takim në kuadër të konferencës.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Thaci ne Londer

Si e mashtroi Millosheviqi Greqinë?

February 23, 2014 by dgreca

-Si ia premtoi Millosheviqi Micotakisit gjysmen e Maqedonise?/

-Si u ndane tokat shqiptare ne mes Millosheviqit dhe Micotakisit?/

– Pse greket u mashtruan qe jane te nje gjaku me serbet? ../
-Ku shkuan paratë e Hellenic Aid-it ?/

Nga FAHRI XHARRA/

Kombinacionet e çmendura politike të Miloshesheviçit , të cilat ishin të shumta dhe perfide i joshën politikanët grek të kohës së tij që të bijnë në grackën e tij . Se si ata ranë aq lehtë në kurthën millosheviqiane ishin shumë faktorë por më i rëndësishmi : Apetiti. Por të shkojmë radhazi  dhe kjo duke i falëmnderuar analizës  së historianit dhe avokatit arvanit në Greqi, Aristidh Kolës.Aristidh Kola  si i tillë ishte vetë viktimë  e apetiteve grekomëdha.Një libër i mençur dhe me rëndësi të shumfishtë i Aristidh Kolës .” Greqia në kurthin e serbëve të Milosheviçit” na e spjegon të gjithë diplomacinë mashtruese serbe e cila pak a shumë qeverinë dhe popullin Grek e zhveshi nga ” përkatësia ” europiane . Por populli grek, në shumicën e tij nuk mund të mendon ndryshe nga ç´mendon udhëheqësia politike e tij, nga ç´mendon Kisha Ortodokse e tij si dhe nga ç´shkruajnë gazetat dhe flitet në radio e shikohet në televizione.

Populli grek ishte që moti në ankthin e tij të përkatësisë kombëtare nga teoria e Fallmajerit se grekët janë sllavë të helenizuar ! Dhe , mashtrimi serb i bëri ata që ti japin të drejtë të madhe dhe krenari nga zemra që ” ishin”vëllezër të një gjaku me serbët E mirë kjo!

Greqia  ballafaqohej e edhe sot ballafaqohet me disa ” probleme ” që janë fryt i pangopshmërisë së tyre , problemi me Maqedoninë ,problemi ”vorio epirot” si dhe heqja një herë e përgjithmonë

e frikës nga Turqia .Por kryesorja , aty ku  Milosheviqi pati sukses në mashtrim ishte krijimi i Bizantit , pra i konfederatës së përbashkët ortodokse nga Petersburgu e Rusisë e deri në  Lefkosia të Qipros. Micotakisi dhe ”Nea Demokracia” u kënaqën me premtime të  zgjidhjës së problemit të Maqedonisë. PASOK-u dhe Papandreu u  joshën se iu premtoj që mund ti zgjidhë problemet greke me Turqinë; Kishën greke , organizmat fetarë dhe parafetarë si dhe ato ”parashtetërore” si ajo ”vorioepirote” e pati lehtë ti bindi sepse ju ofroi jo vetëm zgjidhjen e problemit vorioepirot, por edhe e solli doktrinën e përbashkët orodokse të popullit grek me atë serb si dhe ndjenjat e përbashkëta antiturke,si dhe formimin e ”harkut antiturk”

 

”Në Greqi është shteti fetar i varur nga Patriarkana , mbrenda territorit grek , me 20 manastire me 336 km2 dhe rreth 2100 banorëdhe me histori interesante(MG)” në Shën Oros .Millosheviqit në vizitat e tij vendimtare (1991,1992) në Greqi , më e rë nësishmja ishte vizita në ”Shtetin e kallogjerëve ” (Shen Oros) ku u shpall mbështetja e popujve të të njejtës fe Greqisë dhe Serbisë kundër turqve ( boshnjakët dhe shqiptarët)

E di kush çka iu premtoi Milosheviçi udhëheqësve poltik grekë , kur që të nesërmen e vizitës së tij të fundit filloi propaganda proserbe dhe antishqiptare nga të gjitha kanalet radiotelevizive dhe shtypi.Si është e mundshme që me njëhere të nderroj opinioni publik grek?Prpagandistët serbë me klerikët grek i ranë disa herë cep më cep Greqisë Filluan hapjet e logarive të bankës për popullin e ” përvuajtur” serb , filluan organizimet e ndihmave humanitare me vagona të tëre për serbët që ”vuanin padretësisht” Demonstrata , mitingje dhe disponim proserb në tërë Greqinë!

Në institutin Gulandri ,profesori i Universitetit të Beogradit ,Ljubomir Maksimoviç (03.12.92) e mbajti sesionin shkencor me titull : ”Etnogjeneza e serbëve në Mesjetë” , ku ndër të tjera aty thuhet: ”Në bazë të fakteve që i përmend, rezulton që u zhvillua një bashk’jetesë e Shtetit dheb e Kishës që aty nga shek.  i 13-të që çoi  në një ideologji që fisi i serbëve kondsiderohej i zgjedhur dhe parpëlqyer nga Perëndia , si lirisht mund të quhej Izraeli i Ri.” , pataj vazhdohet : ” Kjo ide  nuk do të thotë se kemi të bëjmë me filozofinë e Uebermenschit ( Mbinjeriut), por kemi të bëjmë që pozita e serbëve në këtë botë ,është një rast special që në thellësinë e tij e ka një rënd’si të tejsakjshme. Domethënë që prezenca e serbëve në këtë botë, duke filluar që nga dinastitë e dikurshme të tyre ka vetëm vlerë të përkohëshme dhe e gjithë forca e tyre duhen të këthehen thelbësisht drejt vlerave të pafund të Botës së Sipërme” .
Pra Serbët popull hyjnor dhe grekët të etshëm për ”fitore” ranë në grackën më të madhe të historisë së tyre.!

 

Verbëria greke ndaj mashtrimeve të Millosheviçi ishte shumë e thellë , sepse ai që në rastin e parë kur Bullagaria e njofti shtetin e Shkupit (29.11.91) dual rrenacak , por ai menjë hereë e vizitoi Athinën  dhe që ta qetëson qeverinë greke propozoi që të bëhet ndarja e saj në mes të Greqisë dhe Serbisë.

Me 19.03.1992 Millosheviqi e vizitoi Greqinë përsëri  me kodin ” për pushime”. Filloi sulmi mbi Bosnën dhe Gerqia ishte i vetmi vend që ua bekoi serbëve at agresion dhe poltika greke i mashtroi grekët e thjeshtë duke u thënë që serbët janë të rrethuar nga  turqit ( boshnjakët).

Grekët , bekuesit e Serbisë  trumbetonin  çdo  ditë në masmedia :” Në Bosnje myslimanët po i  masakrojnë vëllezërit tanë serbë dhe se europianët e amerikanët po intrigojnë për zhdukjen e paqedashësit Milosheviç dhe lutëtarit trim Karaxhiç”.  Hadje ironi , hajde!

”Personalisht- thotë Aristidh Kola në librin e tij, iu heq kapelën  diplomacisë serbe që në një luftë kaq të ndytë  , kaq agresive e të padrejtë arrijti ta fusë në valle  e të kërcejnë”kallamantiana” valltare si:Papnndreu dhe Micotakisi , dhe Florakisi,Konstatino pullosin dhe Dhamanakisin dhe neofashistët Psarudhakis dhe Papathemelis  dhe Serafimis dhe që atje vallja të kulmonte  çfaqet befasisht si korife i saj Zherinovski (.f.84 A.Kola)” Me të vërtetë që nag çasti kur u shpal prej serbëve se lufta kundër boshnjakëve ishte luftë fetare dhe q’ atje lufton Ortodoksia kundër Islamit  u acaruan aletët fetarë dhe u gjetën aletaë dhe përkrahës nga të dy anët. Serbët e bindën gjithë hirerarkinë fetare dhe të gjithë organizmat fetarë dhe parafetarë në Greqi se me zhdukjën

i jipej goditje e fuqishme mu në zemër Turqisë. Bosna ra në provim që e pranoi si luftë fetare se u kyqën muxhahedinët e të gjitha ngjyrave, Greqia ra në provim se mendoi se me këtë lufte do hjek qafesh një herë e përgjithmonë muslimanët e Ballkani dhe do ta krijon Bizantin pansllav  me seli në Greqi. Kurse me …i jipej goditje e fuqishme mu në zemër Turqisë ! iu shtuan apetitet e Turqisë për gjëja këthimin e Imperatorisë Neootomane në Ballkan dhe kyqjen e saj  në mënyrë indirekte në Luftën e Bosnjës. Një dredhi diplomatike serbe , me shumë të lagur !

 

Kur jemi këtu , Serbia u mundua që edhe Luftën e Kosovës ta paraqes si luftë fetare  ,por falë largëpamësisë së UÇK-ës  , një gjë e till nuk u pranua e as që u pranuan ndihma muxhahedine në luftë.Turqia në luftën ” fetare” të Kosovës e kuptoi lojën serbe dhe ndejti shumë neutrale deri pas përfundimit të saj.

 

Se ç´farë u premtoj Milosheviçi  plotikanëve grekë më 1991 dhe 1992 deri sa i futi në grackë u pa kur para gazetarëve foli për  kufijtë e përbashkët Greko-Serb, thënje cila i entuziasmoi grekët në atë masë që ata veç i përgatitën gërsherët për ndarje të përbashkët të Maqedonisë dhe Shqipërisë

 

Por nuk mund te rri pa e përmendur shkrimin e fundit të gazetës The Economist (Political minefield    Feb 20th 2014) ku shkruan ”Nuk ka javë që mund të kalon në Greqi ,pa pasur skandale dhe akuza për skandale. Kesaj rradhe nga MPJ e Greqisë ; pas një hulumtimi 20 mujor të policisë u gjetën faktet se ku shkuan paratë të keqpërdorura nga  600 OJQ -t greke që  punonin e punojnë jashta kufinjve të saj., kryesisht në Ballkan gjatë viteve 2000- 2008. Shumica e OJQ-ve , ishin themeluar me lejen e  e Z. Jorgo Papandreut (ish ministër i jashtëm i Greqisë ), nën emrin Hellenic Aid , më qëllim të përforcimt të demokracive të reja në Ballkan pas luftës së Kosovës. Kjo ndihmë ishte në shumën prej 600 milon Eurosh  në ndihmë shteteve fqinje. (87mil Euro +30 mil Euro të  zhdukura)

Organizata Iniciativa Ndërkombëtare e Minave , ishte angazhur për çminim në Bosnje , Liban dhe Irak , por asaj i viente era e pa këndshme.Kostas Cevelekos dhe Alex Rondos i kishin devijuar mjetet financiare. Disa nga fondet e akorduare për këtë qëllim kishin shkuar në mbrojtje gjyqësore të Radovan Karaxhiçit , ish liderit serb të Bosnës në Hagë  Por aktivistët e PASOK-ut , që ishin përkrahës të fortë të regjimit të Milosheviqit ,dhe Karaxhiçit  , këta të Zotit Andreas Papandreu iu kishin siguruar ndihma të mëdha financiare atyre edhe gjatë luftës. Këto skandale do ti sjellin probleme PASOK-ut.”

Por bëhët një pyetje a mos ka ende mjete të ”OJQ-ve ”që sot shkojnë për destabilizimin e Shqipërisë?

Ndoshta ,fryma e re europiane që po fryen në Greqi , e ka mbushur mend diplomacinë e tashme Greke se nuk jetohet me armiqësi të përherëshme me shqiptarët ,dhe  se nuk jetohet me ”premtimet ” serbe, se nuk jetohet me mendje të krijimit të Bizantin se duhet harruar gërsherët shoveniste  të Pariarkanës së saj Ortodokse…..

Fahri Xharra

23.02.14, Gjakovë

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Fahri Xharra, Si e mashtroi Millosheviqi Greqinë?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 725
  • 726
  • 727
  • 728
  • 729
  • …
  • 902
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT KATOLIKË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Ndërroi jetë Agim Bardha, “Vatra” e “Dielli” ngushëllojnë familjen patriotike të Ekrem Bardhës për humbjen e vëllait
  • Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë – Magjia e Leximit
  • Shoqëria shqiptare ka nevojë të kujtojë dhe reflektojë…
  • Balshajt dhe Cërnojeviçët në territorin e Zetës së dikurshme…
  • Divorci prindëror dhe funksionimi akademik dhe social në adoleshencën e hershme (moshat 10–15): Një rishikim teorik zhvillimor-ekologjik
  • HOMAZH PËR SHQIPTARËT QË HUMBËN JETËN NË MASAKRAT E TIVARIT DHE DUBROVNIKUT
  • Kush ishin 12 Apostujt?
  • NATO dhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës: Garancia e sigurisë dhe perspektiva strategjike
  • Basorelievi i Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Castello de Monti, Pulia, një prani që tejkalon gurin dhe kohën
  • Noli në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve
  • Një Moment Historik për Komunitetin Shqiptar në Chicago
  • Dom Kelmend Spaqi, in memoriam…
  • “Këngë të përshpirtshme të kolonive shqiptare në Sicili”- Giuseppe Schirò
  • “HEDH NJË KAFKË TE KËMBËT TUAJA”!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT