Nga B.Jashari/.- “Kosova ka shumë të ofrojë, theksoi kryeministri Hashim Thaçi nga Londra, ku ndodhet me ftesë të presidentit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Konferencen e 7-të të kryeministrave të vendeve anëtare të BERZH-it.
“Jam pjesëmarrës i Forumit Investiv të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga banka BERZH në Londër. Për herë të parë në histori jemi 7 kryeministra që po flasim në një forum për mundësitë investive në rajon”, shkruajti ai para pak minutave në Facebook.
“Kosova ka shumë të ofrojë në miniera, energjetikë, bujqësi dhe tani pas fillimit të normalizimit të marrëdhënieve fqinjësore, edhe investitorët ndihen më të sigurtë në peisazhin tonë politik dhe ligjor.
Misioni im i ri është të korrim dividenda maksimale ekonomike nga puna që kemi bërë në stabilizim të situatës dhe shtetndërtim të suksesshëm”, thekson kryeministri Thaçi.
Në njoftimin e dërguar mbrëmë nga Kryeministria kosovare bëhej e ditur se, në këtë kuadër, kryeministri Thaçi, në 24 shkurt do të ketë takim me drejtorin e BERZH-it me të cilin do të bisedojë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për hapat që është duke ndërmarrë Qeveria e Kosovës, për rritjen ekonomike si dhe ruajtjen e stabilitetit makrofiskal të ekonomisë kosovare. Në konferencë i pranishëm do të jetë edhe ministri Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, ëilliam Hague, me të cilin kryeministri Thaçi do të ketë një takim në kuadër të konferencës.