• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AGIMI I LIRISË…

September 30, 2021 by s p

Shukrije Ramadani bashkëshortja e Heroit të Kosovës Komandant Agim Ramadanit, në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli – Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, dhënë Editorit Sokol Paja, rrëfen pas në kohë jetën e heroit të Kosovës Agim Ramadanit, fëmijërinë, familjen, pasionet, pengjet, pëndjekjen dhe represionin prej serbëve, rënien heroike dhe betejën e sotme të UÇK për drejtësi.

FËMIJËRIA E AGIM RAMADANIT

Ka lindur më datën 3 maj të vitit 1963 në Zhegër të Gjilanit. Zhegra është një fshat i bukur pitoresk me kodra e pllaja të bukura. Grykë e mrekullueshme e Karadakut, e cila gjithmonë ka qenë krenare për mikpritje, bujari e trimëri. Si fëmijë ishte i njohur në fshatin e tij me mbi 5000 banorë për zgjuarsinë e tij në shkollë dhe humorin e lehtë që e paraqiste përmes parodive para publikut në orët e shpeshta letrare. Ishte vazhdimisht kryetar apo zëvendës-kryetar shkolle, udhëheqës i Klubit Letrar dhe i Klubit të Artistëve të rinj dhe shkolla mburrej me çmimet e para, të cilat vazhdimisht i fitonte Agimi.

SHUKRIJA DHE AGIMI, NJË DASHURI QË NË BANKAT E SHKOLLËS

Ishim bashkërisht në të njëjtën gjeneratë në shkollën fillore ‘’Bashkimi”, që sot mban me krenari emrin e Agim Ramadanit. Deri në klasën e tetë e kisha kundërshtarin më të madh, ngaqë ishte më i fortë se unë në shumë drejtime. Kur ai ishte kryetar shkolle, unë duhet te kënaqesha me titullin zëvendës Kryetare apo e kundërta. Në çdo pjesë teatrale luante sherrin apo kundërshtarin tim. Se di kur u dashuruam, por duhet të ketë qenë diku pas përfundimit të shkollës së mesme. Kishim filluar të ëndërronim dhe planifikonim bashkë për të shkuar dhe studiuar në Akademi Ushtarake në Kroaci. Po ëndërronim se si ti futeshim armikut nga brenda. Për fatin tim jo të mirë unë nuk arrita që t’i bashkohem Agimit, pasi që asokohe u dënova si kundërshtare e pushtetit për pjesëmarrjen në demonstratat e vitit 1981.

LARGIMI NË KROACI PËR STUDIME

Kjo bëri që nuk mu lejua të studioja bashkërisht me të në Kroaci. Pushteti na kishte prishur planet e përbashkëta, por asnjëherë nuk na theu në dashurinë tonë për njëri-tjetrin. Në kryeqytetin e Kroacisë, Agimi kishte kaluar nëpër shumë vështirësi, vuajtje dhe pengesa që vetëm e vetëm mos ta përfundonte Akademinë. Ata kishin shkuar aq larg saqë ia ndaluan martesën me mua, ngaqë unë isha shpallur irredentiste, nacionaliste e çka jo tjetër. Letrat e shumta që i ne i dërgonim njëri-tjetrit për të përmbushur mallin e pritjes më duhej t’ia shkruaj me adresën e një serbe në gjuhën serbe që t’i lejonin t’i merrte. Ishte vërtetë pushtet i egër, por duket se me egërsisë e tij na bënte më të forte dhe më këmbëngulës për ta luftuar në çdo hap. Jo rastësisht thuhet se ajo që nuk të vret të bën edhe më të fortë. Sapo diplomoi në ditën e dytë të diplomimit u martuam ashtu siç i kishim premtuar njëri-tjetrit dhe jeta filloi me sfidat e reja të punës ku kundërshtarët nuk harronin t’ia rëndonin çdo hap. Por, ai ishte më i fortë, më i zgjuar dhe më i vendosur se ata. Ngaqë e dinte se vetëm duke ua njohur dobësitë dhe duke përfituar nga njohuritë e shumta mund t’i mundnim në fushën ku ata ishin më të fortë, në armatë e armatim. Për 5 vite me radhë sa jetuam në Kroaci ku na lindën dy djemtë Jetoni dhe Edoni, ai përgatiti, mbështeti dhe aftësoi grupe të rinjsh, të cilët e ndjenin veten të rrezikuar nga pushteti dhe mbështetjen e vetme e gjenin te oficerët e guximshëm, të cilët ishin të paktë në ish Armatën Jugosllave. Ditën fundit, që iku nga ushtria ai me vete mori 5 djemtë e fundit shqiptarë, që kishin mbetur në armatë, i shpërndau në shtëpitë e tyre në Kosovë, me urdhrin që vetëm të njoftonin familjet që ishin gjallë dhe të nesërmen të gjithë të largoheshin nga Kosova bashkë me ne dhe dy fëmijët tanë.

LARGIMI FAMILJARISHT DREJTË ZVICRËS

Në fund të dhjetorit 1990 ikëm për në Zvicër, ku na u bashkuan edhe 3 ushtarët e tij dhe që nga ajo ditë ende jetoj në Zvicër, bashkë me djemtë Jetonin, Edonin dhe vajzën Lorinën, e cila është e martuar tani dhe ka vajzën e saj Emën dhe me fëmijët e Jetonit; nipin Agimin e Kolosin dhe mbesën Katanën. As në Zvicër nuk e patëm lehtë në fillim. Ishim vendosur në qendra refugjatësh, ku ishin grumbulluar mijëra të rinj dhe familje nga Kosova, të cilët kishin ikur nga represioni serb. Por, me kohë e morëm veten, u punësuam të dytë dhe krijuam qerdhen tonë të ngrohtë pas shumë peripecish e sulmesh mbi Agimin. Dora e zgjatur serbe kujdesej për mos rehatinë tonë edhe në Zvicër. Kështu që në vitin 1995 na dogjën shtëpinë ku jetonim me 3 familje tjera, por fati Agimi qëlloi në shtëpi bashkë me djalin e vogël dhe arriti t’i shpëtonte të gjithë banorët, të cilët u ngujuan brenda nga paniku dhe zjarri i madh që kaploi shtëpinë menjëherë. Unë isha në fshatin afër ku punoja si mësuese për fëmijët tanë në gjuhën shqipe dhe policia na propozoi të gjenim banim tjetër, por as në vendbanimin tjetër se patëm lehtë. Rreth një vit më pas në postën tonë na arriti një paketë e vogël, që mu duk e dyshimtë dhe në vend se ta hapja thirra policinë, të cilët alarmuan tërë bllokun ku jetonim dhe për dy vite s’kisha të drejtë te hapja letrat e as pakot pa praninë e policisë.

UNË DO TË SHKOJ ATJE KU MË THËRRET GJAKU I FËMIJËVE DHE I NJERËZVE TË PAFAJSHËM QË VRITEN, VETËM PSE JANË SHQIPTARË

Këto bënin që Agimi të stërvitej vazhdimisht dhe të ishte i gatshëm për luftë në çdo moment dhe nga momenti kur Familja Jashari u flijua heroikisht, ai më nuk priti as kërkesë e as urdhër nga udhëheqja e Kosovës dhe Komandanti i Përgjithshëm, por para kolegëve të tij oficerë deklaroi: “Unë do të shkoj atje ku më thërret gjaku i fëmijëve dhe i njerëzve të pafajshëm që vriten, vetëm pse janë shqiptarë”. Iu bashkua luftës dhe me 23 mars, 1998 dhe ra në Altarin e Lirisë më 11 prill, 1999. Për aksionet e shumta dhe suksesin e tyre mund t’ju flasin ata që përjetuan udhëheqjen e Agimit dhe mbrojtjen e tij në kohë lufte. Por, fakt është që sa ishte Agimi gjallë nga aksionet e shumta që udhëhoqi asnjëherë nuk iu vra asnjë ushtarë, ngaqë prioritet kishte mbrojtjen dhe sigurinë e çdo ushtari të tij. Ata i konsideronte si fëmijët e tij. Amaneti i vetëm që më la si në shaka, sa ishte në Zvicër për të rekrutuar të rinjtë tanë për në luftë, më luti “se në rast se më ndodh gjë, të lutem mos mi rëndo shokët‘‘. Dhe kjo më ndihmoi të qëndroja krenare para tyre kur shkova në Koshare pasi më thanë se ishte plagosur, gjë që s’ishte e vërtetë ngaqë ai kishte vdekur në vend nga plumbi i snajperës, e cila e kishte tejshkuar nga krahu në zemër.

DERISA TË MOS MBETET KËMBË ARMIKU NË ATDHEUN TONË…

Kur Komandant, Rrustem Berisha, deshi të mi dorëzonte armët e Agimit e luta që armët e Agimit të mos pushonin deri të mos mbetej këmbë armiku në atdheun tonë dhe armën e krahut të Agimit ia dorëzova atij, ndërsa armën e dorës shokut të tij, Xhafer Gashit. Ajo që ka qenë më e vështira gjatë kësaj kohe sa kam qëndruar në luftën e Koshares, ku kam bartur uniformën e Agimit dhe armët e tij, ishte gënjeshtra që më duhej tu thonim ushtarëve se Agimi ishte gjallë dhe për momentin ishte i zanun në frontin tjetër. Kjo ishte e domosdoshme ngaqë armiku kërkonte dobësimin e radhëve të UÇK-së, duke shpërndarë frikë e mosbesim. Ushtarët ishin të lidhur me Agimin, ngaqë ai u printe në çdo betejë dhe sfida që vet t’i bindja se Agimi ishte gjallë ishte sfidë e rëndë emocionale, por edhe gënjeshtër që më ndihmonte ta kaloja dhimbjen më lehtë. Nga njëra anë ngaqë s‘doja ta pranoja realitetin dhe nga ana tjetër ngaqë sa mendonin se ai ishte gjallë jetonte vërtetë si udhëheqës i tyre. Gjatë asaj kohe në telefonin satelitorë veterani, Sali Qeku, e thirrte vazhdimisht, ngaqë ende se dinte se çka kishte ndodhur dhe Xhaferi ma ofroi mua telefonin me lutjen t’i përgjigjesha. Kur u përgjigja unë veterani i habitur me pyeti pse isha aty. Përgjigja ime ishte e shkurtë, ‘‘Ti e din ku asht Agimi jam edhe unë‘‘. Ai e kishte kuptuar se Agimi nuk ishte më dhe pas një jave edhe ai iu bashkua në Altarin e Lirisë.

JETA PA AGIM RAMADANIN, KRENARI, DHIMBJE, TRISHTIM…

Jeta ime pa Agimin nuk ishte e lehtë. Humba shokun e fëmijërisë, dashurinë e vetme, me të cilën u rrita dhe trishtimi vazhdon të jetë pjesë e përditshmërisë, njëjtë si krenaria e mburrja që kisha një shok trim të pa zëvendësueshëm. Vazhdoj të sillem njëjtë me të në zemër, duke u përpjekur çdo moment për të plotësuar një dëshirë të tij të pa realizuar, një udhëtim të mbetur peng, një ekspozitë të dëshiruar për ta parë apo realizuar diku, e mijëra dëshira të mbetura peng, që e kam vështirë t’i plotësoj, mbi të gjitha ai deshi lumturinë time dhe të fëmijëve të tij dhe të gjithë fëmijëve të Kosovës, për të cilët u flijua. Uroj që gjeneratat e reja të marrin mësim nga dashuria deri në flijim për atdheun. Fëmijët tanë tani janë rritur dhe e kam shumë më lehtë, kam mbështetjen e tyre të vazhdueshme si të Jetonit, Edonit dhe Lorinës, e cila ka lindur në Zvicër dhe ka qenë misi i babit. Sa i përket përkujtimeve dhe nderimit nga shteti i Kosovës mendoj se nuk është bërë mjaft as për Agimin tim e as për mijëra Agim të tjerë që na sollën lirinë. Ngaqë përkujtimi në datat e caktuara shihet si mundësi për paraqitje të vlerave personale e për shumicën është i bezdisshëm dhe i panevojshëm tani pas 23 vitesh. Po sillemi sikur lufta ka qenë e panevojshme dhe heronjtë e viktimat e luftës kanë shkuar më kot për gjeneratat që s’duan të njohin pjesën tonë të vuajtjeve, sfidave dhe ëndrrave të këputura në gjysmë për ardhmërinë e tyre të lirë. Por, çdo popull që harron historinë e vet është i detyruar ta rikujtojë përmes përsëritjes. Kështu të pakën thuhet dhe unë shpresoj shumë dhe lutem që kjo të mos na ndodhë kurrë! Miqtë e Agimit, vazhdojnë të mbesin miqtë tanë t’i përkrahim dhe mbështesim si na përkrahën dhe mbështetën ata gjatë dhe pas luftës.

LUFTA E UÇK NDAJ OKUPATORIT SERB E DREJTË DHE E NDERSHME

Lufta e UÇK-së ishte luftë mbrojtëse e një populli që me decenie të tëra u pengua qëllimshëm në arsimim, edukim, siguri, ekonomi e shëndetësi. Po mos të ishte e tillë nuk do të mund të gëzonte përkrahjen e aleatëve si NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Djemtë e vajzat, që iu përgjigjen kësaj mbrojtje ishin gjaku më i pastër i kombit që synoi lirinë dhe në bashkëpunim me forcat aleate po e gëzojmë sot. Të gjykosh për luftën, e cila ishte e domosdoshme në mbrojtje të një populli që po shfarosej në mënyrën më bizare, është jo e logjikshme, por të gjykosh për vepra të padrejta personale është e drejtë edhe detyrë e çdo gjykate.

KUSH ISHTE AGIM RAMADANI (3 MAJ 1963 – 11 PRILL 1999)

Heroi i Kosovës Agim Ramadani i njohur në luftë si komandant “Katana’ ishte komandant i Brigadës 138, komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, në Koshare. Ishte strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur. Ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ra dëshmorë më 11 Prill 1999 në Koshare. Ai dhe vepra e tij do të kujtohet dhe nderohet përjetë.

Filed Under: Featured Tagged With: Agim Ramadani

DORËSHKRIMI AUTOGRAF I HUMANISTIT SHQIPTAR – GJON GAZULI – MBI ASTROLABIN DHE YJËSITË QIELLORE NGA SHEKULLI XV

September 30, 2021 by s p

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Numri i humanistëve shqiptarë që bënë emër të nderuar, në Europën mesjtare nuk është i vogël. – Ndër më të dalluarit është Gjon Gazuli. – U shqua si prift i devotshëm në Urdhërin e Domenikanëve, duke pasur pozita drejtuese, si profesor i matematikës në Universitetin e Padovës, si diplomat i Raguzës, i mbretit hungarez Sigismundit dhe heroit shqiptar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. – Kishte raporte e bashkëpunoi me emrat më të nderuar të humanizmit e renesancës. – Shkroi shumë vepra, po me sa dihet deri me sot asnjëra nga ato nuk u botua. – Dorëshkrimet e veprave të Gjon Gazulit dalëngadalë, pas shumë hulumtimesh, kërkimesh shkencore, ballafaqimesh e analizash po dalin në dritë. – Si 

kontribut për këtë humanist të nderuar shqiptar është edhe botimi i dorëshrkimit të veprës së tij 

autograf nga Arkivi i Dubrovnikut.

Studiues të shumtë janë marrë me studimet për origjinën, kulturën, traditën, gjuhën, religjionin dhe gjithçka tjetër që ka të bëjmë me shqiptarët dhe trojet e tyre etnike. Thellësia dhe serioziteti i këtyre studimeve, në disa raste, edhe sot e kësaj dite është i patejkaluar dhe një nga pikat më të refuara në fushën e albanologjisë, burimologjisë dhe historisë kombëtare shqiptare. Debatet e shumta, të mirfillta me bazë shkencore, botimet e korpuseve të dokumeteve, analizat studimore dhe librat e shumtë, të botuar që nga zbulimi i shtypëshkronjës së Gutenbergut e deri sot, janë një nga dëshmit më të forta, për një interes të veçantë që kishin të huajt, për popullin shqiptar, fatin dhe rolin e tij gjatë furtunës shekullore mesjetare, por edhe gjate zhvillimeve të vrullshme të rilindjes dhe të iluminizmit evropian dhe atij shqiptar.

Nuk mbeten prapa botimeve të shumta dhe voluminoze as dorëshkrimet e shumta, të pa botuara, të autorëve të ndryshëm apo ato anonime, që për temë bosht kishin popullin shqiptar dhe trojet etnike të tij. Zbulimet e këtyre dorëshkrimeve, janë një thesar i vërtetë, ngase pasurojnë shumë herë zbrazëtirat e krijuara në epoka të caktuara kohore ose plotësojnë e saktësojnë njohuritë që kemi deri tani për ngjarje, personalitete dhe data të rëndësishme historike. 

Arkivi Historik i Dubrovnikut, në Dubrovnik krahas Bibliotekës dhe Arkivit të Vëllëzërve të Vegjël-Minoritë [Male Braće], Bibliotekës dhe Arkivit të Domenikanëve, Bibliotekës Shkencore të Dubrovnikut, Bibliotekës e Arkivit të Jezuitëve etj., ruan shumë dorëshkrime me vlera të veçanta për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat deri me sot nuk janë botuar. Në fonde të ndryshme të këtij Arkivi, kemi arritur të konsultojmë autorë të njohur, por edhe anonim, një numër të konsideruar dorëshkrimesh nga shekuj të ndryshëm, vlera e të cilave është tepër e çmuar.

Raguza në mesjetë ishte njëra ndër qendrat kryesore të shkencës dhe kulturës europiane në përgjithësi, ndërsa kishte primatin në shkencat ekzakte: matematikë e astronomi. Një kontribut të veçantë për një gjendje të tillë ka dhënë edhe humanisti shqiptar, Gjon Gazuli. Dorëshkrimet e tij autografë, janë të rralla, të shpërndara nëpër biblioteka e arkiva europiane, po kanë një vlerë shumë rëndësishme për të kuptuar dhe ndjekur rolin dhe vendin që kishte astronomia në Raguzë dhe në Europë. Në këtë drejtim, vend parësor ka dorëshkrimi autograf, i Gjon Gazulit nga Arkivi Historik i Dubrovnikut, në Dubrovnik, që sot ruhet në signaturën: Fondi: Bassegli-Gozze, Rukopisi, nr. 32, f. 271-281. 

Ky dorëshkrim është i mbuluar me vell misteri. Për të me saktësi dimë që është shkruar në Dubrovnik, me një kaligrafi të mrekullueshme kursiv gotik, të shekullit XV, karakteristikë për dorëshkrimet që u shkruan në Raguzë, por edhe më gjerë. Nuk na është e njohur se si ky dorëshkrim qëndroi për rreth pesë shekuj, më saktë për 485 vjet në familjen fisnike dubrovnikase Gucetiq, as si arriti në arkivin e njohur të kësaj familje dhe në cilat rrethana dhe kushte. Sipas procesverbaleve të ruajtura në Arkivin Historik të Dubrovnikut, sot dimë se në vitin 1950, pas vdekjes së pinjollit të fundit të kësaj familje, fisnikut Vit Gucetiqit, së bashku me shumë dorëshkrime, dokumente, inkunabula, libra të rrallë (rare) dhe eksponate të tjera me vlera të paçmueshme, edhe ky dorëshkrim i Gjon Gazulit, kaloi në pronësi të Akivit Historik të Dubrovnikut, në Dubrovnik. (Sot i vendosur në Fondi: Bassegli-Gozze, Rukopisi, nr. 32, f. 271-281).

Edhe pse në një institucion “për ruajtjen e memories shkencore” siç është arkivi, ky dorëshkrim edhe për rreth 11 vite mbeti nën pluhurin e harresës, derisa ra në dorë të studiuesit të njohur kroat: Mirko Drazhen Grmek, në vitin 1961, i cili ka meritën kryesore për njoftimin e botës shkencore, për ekzistimin e këtij dorëshkrimi si dhe për informacionet themelore bazë mbi të. 

M. G. Grmek, fillimisht hodhi idenë se ky dorëshkrim mund të ishte i Gjon Gazulit (M. D. Grmek, L’raport, 1961), po pa u thelluar në analizë shkencore, pa ofruar fakte konkrete bindëse dhe të qëndrueshme për këtë pohim të tij. Në një studim të dytë me bashkautor Žarko Daić, që u botua në vitin 1976, ky autori thelloi më tej dijet për Gjon Gazulit dhe veprimtarinë e tij shkencore, por gjithnjë brenda kornizave të një studimi të kufizuar për revistë shkencore, jo monografie apo studimi më gjithpërfshirës. Edhe pse tashmë i njohur, ky dorëshrkim ende vuan nga misteri i harresës, mosintersimi për studimin e tij, nga të gjitha aspektet, paleografike, diplomatike, filigranes etj., por edhe nga mungesa e një editimi kritik dhe përkthimi të tërësishëm.

Në një fletë të veçantë është një shënim me stilolaps me ngjyrë blu, nga viti 1950: “Debati për ndërtimin dhe përdorimin e astrolabit. Një shkrim i bukur gotik i shekullit XV. Duke gjykuar sipas shenjave te filigranes të cilat vërehen në letrën e dorëshkrimit, letra është prodhim italian nga viti 1460. Dorëshkrimi nuk ka titull dhe askund nuk është shënuar emri i autorit të tij. Në bazë të disa të dhënave të tjera, sipas gjitha gjasave, pothuajse është e sigurtë, që dorëshkrimin e ka përgatitur domenikani, astronomi dhe matermatikani me emër, Gjon Gazuli. Dorëshkrimi ka arritur në Arkivin Shtetëror të Dubrovnikut në vitin 1950, pas vdekjes së pronarit të tij të fundit, Vit Gozze.”

Dorëshkrimi në gjendjen e sotme ka 11 fletë përkatësisht 22 faqe të papaginuara as në kohën e krijimit të tij, e as më vonë kur është bërë pjesë e Arkivit të Dubrovnikut. Nga studimi i origjinalit vërehet se 11 fletët që ne kemi në dorë kanë qenë pjesë e një dorëshkrimi më të vëllimshëm. Kjo gjë vërtetohet nga “kurrizi” i dorëshkrimit, ku kanë mbetur ende disa “pjesë” të lidhjes së vjetër, pastaj qepja me dorë me një fije peri të veçantë të kohës, etj., (shih ilustrimin për këtë).

Dorëshkrimi është i shkruar me një kaligrafi të bukur të shkrimit miuskul gotik të pjesës së dytë të shekullit XV dhe është i lehtë për t´u lexuar për paleografët. Ngjyrat e përdorura për dorëshkrim janë: ngjyra kafe (që dominon në 9 fletë /18 faqe/ dhe pjesërisht në dy faqet e tjera) dhe ngjyra e kuqe në dy faqe, përkatësisht në faqet 8 e 9 të dorëshkrimit. (Për të pasur më të lehtë studiuesit, paleografët, historianët, astronomët dhe të interesuarit e tjerë, ne po i bëjmë citimet në vijueshmëri të f. 1 deri me 21, e jo sipas fletëve, që në ndonjë rast, për ata që nuk e njohin lëndën, mund të sjellë edhe ngatërrim).

Dorëshkrimi është shkruar në letër cilësore gjysëm karton, prodhim italian i vitit 1460, e prodhuar në qytetet italiane të Ferrarës, Firencës dhe Venedikut (Për këtë shih më shumë katalogune filigranes të C. M. Briquest, 1923, v. II, nr. 7465 dhe 7468). Kjo gjë vërtetohet nga shenjat e ujit (filigranes) të cilat vërehen në f. 4 dhe f. 20, ilustrimin e të cilave po e botojmë këtu. Dimesnionet e letrës së dorëshkrimit janë: 22,1 x 33.4 cm. Teskti është i tëri në gjuhën latine dhe është shkruar sipas një shablloni të përgatitur që më parë brenda dimensioneve: 17.6 x 28.7cm, përkatësisht margjinat boshe horizontalisht majtas janë 2 cm, ndërsa dajthtas 2.5 cm, kurse vertikalisht, lart margina boshe është 1,5 cm, ndërsa poshtë është 3.2 cm, i shtrirë në 46 rreshta brenda një faqeje.

Dorëshkrimi nuk është i dekoruar me iniciale të veçanta, por vendi i tyre është bosh, sepse ato duhej t´i punonte një specialist i posaçëm, iluminator i inicialeve, me ngjyra dhe elemente të ndryshme dekorative nga bota bimore, shtazore apo figura të ndryshme të shquara të peronalitteve të kohës apo figura ilustruese që kishin lidhje me dorëshkrimin.

Dorëshkrimi përbëhet nga tre njësi. Dy të parat janë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën, ndërsa njësia e tretë, është e veçantë dhe nuk ka të bëjë fare me dy të parat. Asnjëra nga tre njësitë nuk ka titull apo nëntitull dallues (sikurse as dorëshkrimi), por dallimin e tyre e kemi bërë pas një studimi të përgjithshëm të tekstit të dorëshkrimit si dhe propozimit të ndarjes që fillimisht ka bërë edhe M. D. Grmek (1976). 

Tërsia e parë fillon në f. 1 e vazhdon deri në f. 5. Ajo nis me fjalët: “Antequam astralabij utilitates accedamus necessaria est nobis terminorum sive nominum instrumenti expositio” dhe mund të kishte titullin: “Përdorimi i astrolabit…” që bën fjalë kryesisht për astrolabin dhe përdorim e tij në kohën kur u shkrua studimi nga Gjon Gazuli. 

Tërësia e dytë është në f. 5 (12 rreshtat e fundit të f. 5) dhe vazhdon deri në f. 10, duke filluar me fjalët: “Astralabium componere respice tabulam aptam in cuius medie quere centrum quod vecetur(e!) super quo describe circulum secundum exigentiam tabule maiorem quam poteris…” dhe mund të kishte titullin: “Ndërtimi i astrolabit” dhe bën fjalë për mënyrën e ndërtimit të astrolabit dhe funskionimin e tij. 

Tërësia e tretë e dorëshkrimit fillon në f. 11 për të vazhduar deri në f. 21. Kjo tërësi mund të kishte titullin: “Studim mbi gjurmët dhe lëvizjet e planeteve” dhe fillon me tekstin: “Circulus dicitur ecentricus vel egresse cuspidis vel egredientur centri qui non habet centrum cum mundo.” Si duket kjo pjesë është shkëputur nga një studim shumë më i gjërë dhe i hollësishëm i Gjon Gazulit gjurmët e të cilët ne i gjejmë sot në dy biblioteka: në Krakov dhe Vjenë. 

Një informacion me shumë vlerë për krijimtarinë e Gjon Gazulit gjejmë në kodikun e bibliotekës së Jagiellonskiej në Krakov të Polonisë, me titull: “Theorica novae planetarum”, me autor Georgius de Peuerbach (1423-1461), që sot ruhet në signaturë: Rps 599, f. 1r-43r, ku ai sjell vizatime nga vepra në dorëshkrim e Gazulit për problemet astrologjike të “shtëpive qiellore” dhe sipas të gjitha gjasave edhe tërëisa e tretë e dorëshkrimit të Gjon Gazulit që ruhet në Arkivin e Dubronvikut është e përfshirë e tëra në këtë dorëshkrim të Peuerbach-it. Ky dorëshkrim është nga shek. XV, përkatësisht nga viti 1454, sipas një shënimi që është shënuar në faqen e fundit të vetë kodikut. Kjo datë ka shumë rëndësi, sepse nëse Georgius de Peuerbach-i ka shfrytëzuar dorëshkrimin e Gazulit në vitin 1454, mund të nxjerrim një përfundim se ky dorëshkrim është shkruar para këtij viti dhe se dorëshkrimi që ne kemi shfrytëzuar në Arkivin e Dubrovnikut e që është nga viti 1460, është kopje e dorëshkrimit të vitti 1454 ose bocet i përgaditur për botim. 

Një kopje tjetër e dorëshkrimit të Peuerbach-it ruhet në Vjenë, në Österreichische Nationalbibliothek, në signaturën: Cod. 5203. Ky kodik është i shkruar në letër gjysëm kartoni të fortë, ka dimesnione 21×14.6cm /dimensionet e tekstit: 13.4 x 7cm/ dhe është autograf origjinal. Ai ka gjithsej 48 fletë (1r-48v) dhe në f. 43r-v është një shenim i shkurtër për Gjon Gazulin, në 32 rreshta. Ky kodik sipas shënimit që ka në faqen e fundit, 48v, është shkruar më 30 gusht 1454.

Gjithnji duke mbetur rreth vitit 1460, kemi një dokument tjetër shumë të çmuar për veprimtarinë shkencore të Gazulit, përkatësisht letrën e Jan Çesmiçkit (Janus Pannonius, njëri prej  poetëve më njohur të shekullit të XV), që ia dërgoi Gjon Gazulit në vitin 1460 dhe në të cilën ai e falënderon Gazulin pë dorëshkrimin që i kishte dërguar dhe që Çesmiçki e kishte marrë. 

Për shkak të rëndësisë historike që ka, po edhe për të përforcuar pohime që bëmë më sipër, ne e sjellim atë të përkthyer në shqip: “Ju, jo vetëm që keni përmbushur shpresën që ne kemi pasur në Ju, por keni avancuar (shkuar) shumë më larg. Librin që na keni dërguar, na ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë. Ai është plot me njohuri dhe oratori, dhe leximi i tij ishte kënaqësi, ashtu siç ishte i dobishëm studimi i tij. E pranojmë se kemi gjetur zgjidhje për disa gjëra e pohime të pasqaruara sa duhet deri me tani të astrologëve të lashtë, të cilat para shumë kohësh kemi dëshiruar t’i kuptojmë drejt. Për këtë shkak seriozisht ju nxisim që të vazhdoni të shkruani dhe të kompletoni përfundimisht punët e filluara, të cilat do të jenë shumë të domosdoshme për dijetarët, po ashtu edhe për reputacionin tuaj, kështu që do përmbushni dëshirën tonë, prapa së cilës qëndrojmë me shumë forcë. Ju lutemi shumë, përveç kësaj, që të na vini në dispozicion sferat e armiluara të Ptolemeut dhe pajisjet e tjera që ju përmendni në veprën tuaj. Ju ato i përgatitni atje me shpenzimet tona, sepse këtu në Mbretërinë Hungareze nuk kemi asnjë zejtar i cili do ishte i zoti në këto punë. Të gjitha shpenzimet do t’jua kompensojmë në mënyrë efikase në qytetin tuaj ose në një vend tjetër të përshtatshëm për ju.” (Për këtë dokument shih edhe: F. Banfi, 1939, M. D. Grmek, Z. Dadic, 1976).

Dëshmitë për famën shkencore dhe për krijimtarinë e Gjon Gazulit e veprat e tij janë të shpërndara gjithandej. Në Biblioteca Apostolica Vaticana, në Vatikan, në fondin e dorëshkrimeve ruhet një kodik, i cili ka të dhëna me mjaft interes për astronomin shqiptar. Kodiku ruhet në këtë signaturë: Mss. Codicus Palatinus 1375. Informacioni për Gjon Gazulin është në f. 268v. E sjellim në vijim sipas origjinalit në latinisht: “Hec figuratio ostendit equationem domorum quam posuit Campanus quem etiam seguutus est magister Johannes Gazulus Rausiensis in tractatus suo de directionibus et fit hec equatio tali modo inter circulos qui uadunt per uerticem capitis qui dicuntur azimut est unus medius qui extenditur per ortum et occasum equinoctialis hunc circulum subdiuidunt in 12 partes equales et per illas diuisiones ymaginantur extendi sex magnos circulos in ambabus intersectionibus meridiani cum orizonte concurrentes: inter quos circulos meridianus et orizon sunt principales. Hij sex circuli semper sunt fixi et eqaualia spatia celi unaquaque domus continet. Sex etiam domus tote et integre sunt super terram et sex integre sub terra sunt vquod non fit secundum primam equationem erroneam ubi domus 12 sunt  diuise ab oriente sicque omens 12 secundum aliquam partem sunt super terram et econtrarium secundum alteram sunt sub tgerra quod est contra omnium uetustissimorum astrologorum oppinionem.” Pra edhe këtu, sikurse në dorëshkrimin e Kodikut të Krakovit, bëhet fjalë për studimet e Gazulit, metodat dhe punën e  tij në fushën e astronomisë. Dorëshkrimi i BAV-it, përmban informacione të vlefshme për Gazulin, pra nuk është autograf i tij. Scribes i kodikut të BAV është humanisti i njohur i fund shek. XV, Johannes de Hasfurth, i cili ka kopjuar nga dorëshkrimet e Gjon Gazulit “tabelat astronomike” dhe “mundësitë e ndarjes së qiejve” rreth vitit 1488, kur ishte në Krakov. Përveç BAV-it, edhe Bibliotheque Nationale de Paris zotëron një kodik tjetër me signaturë: Mss. Lat. 10265, nga shek. XV, ku kemi të përshkruara punimet e Gjon Gazulit dhe të dhënat numerike për “shtëpitë qiellore” dhe astrolabin. (Me këtë rast falenderojmë publikisht prof. Aleksandër Meksin, që na ka sjellë riprodhimet e këtij kodiku, me të dhënat për G. Gazulin nga Parisi).

Kush ishte Gjon Gazuli?

Gjon Gazuli është njëri ndër humanistët më të shquar të mesjetës shqiptare. Ka lindur në fillim të shekullit XV në Dubrovnik dhe vdiq më 19 shkurt të vitit 1465 po në Dubrovnik. Familja e tij ishte me origjinë nga Gjadri i Zadrimës. Nga burimet dokumentare të ruajtura në Arkivin Historik të Dubrovnikut, veçanërisht nga fondi Testamenta Notariae, kemi mundur të ndjekim qëndrimin e familjes Gazuli që nga fillim shek. XIV në Raguzë e deri në fund-shekullin XVI. 

Gjon Gazuli studioi në Raguzë, për të vazhduar pastaj në Padovë. Në vitin 1428 mbaroi studimet për teologji dhe filozofi në Padova, studime këto që i kishte filluar në vitin 1422, ndërsa më 31 janar të vitit 1430 doktoroi në filozofi e teologji. Kur kthehet në Dubrovnik emërohet prior i Kuvendit Domenikan në Raguzë, dhe menjëherë angazhohet në misione të shumta diplomatike nga raguzanët. Nga viti 1439 emërohet profesor në katedrën e matematikës pranë Universitetit të Padovës. Po ashtu kishte njohje personale me Gjergj Kastriotin Skenderbeun, për llogari të të cilët më shumë se një herë bëri punën e ambasadorit. Emri dhe fama që kishte e bënë të jetë i ftuar në rrethet e larta shkencore-humaniste të kohës. U ftua edhe nga mbreti hungarez, Korvini, po për arsye jo shumë të qarta nuk shkoi. Edhe dy vëllëzërit e tij Pali e Andrea i shërbyen Gj. K. Skenderbeut në misione të ndryshme diplomatike. Pali ishte edhe rektor i Gjimnazit publik të Raguzës.

Në Arkivin e Dubrovnikut, dokumente, të dhëna dhe informacione të drejtëprëdrejta apo të tërthorta për Gazulin ruhen në këto fonde: Acta Consilii Maioris; Acta Consilii Minoris; Acta Consilii Rogatorum; Debita Notariae; Distributiones Testamentorum; Diversa Notariae;  Diversa Cancellariae; Liber Curiae Archiepiscopalis Ragusinae, an. 1464-1471; Letterae et commissiones Levantis; Miscellanea, saec. XV. Testi, Litterae, Varia, supplicationes; Serija XIV Chiese e Monasteri; Seria XXI, 2, Memoriea; Testamenta Notariae; etj.

Në burimet arkivore, mbiemrin e Gjon Gazulit e gjejmë në forma të ndryshme, varësisht nga gjuha në të cilën shkruhej psh.: Gasolo, Gasolus, Gassolus, Gaxuli, Gaxulus, Gazola, Gazolus, Gazul, Gazulić, Gazulus, Gazzulus, ndërsa emrin në formën: Johannes, Giovanni, Ivan dhe në shqip Gjin (sic!) e Gjon. Autorët shqiptarë që kanë shkruar për Gazulin deri me sot janë të paktë, mund të përmendim vetëm: J. Drançollin e M. Zeqon dhe ndonjë tjetër, po pa sjellë ndonjë risi, informacion apo studim që vlen të citohet.

Filed Under: Featured Tagged With: Gjon Gazulli, Musa Ahmeti

Kurti: Aleksandar Vuçiq është problemi, jo Kosova

September 29, 2021 by s p

Gazeta Express

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për televizionin kroat HRT ku ka folur për ngjarjet në veri të Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë, bashkimin kombëtar dhe qëndrimin e trupave amerikane të KFOR-it në Kosovë.

Ai ka thënë se nuk qëndron problemi në Kosovë, por në Serbi, teksa ka thënë se kriza në pikat kufitare 1 dhe 31 janë iniciuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne ende kemi probleme me Serbinë, Kosova nuk është problem. Problemi është Serbia, veçanërisht presidenti i atij vendi që mendon dhe flet si në vitet 90 të shekullit të kaluar. Kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë në krizë jo për shkak të serbëve, por për shkak të Presidentit të Serbisë. Më shumë se 11 mijë automjete nga Serbia morën targat e përkohshme të Republikës së Kosovës pa asnjë problem. – Ata bashkëpunuan me policinë tonë dhe institucionet tona. Njerëzit në barrikada paguhen nga Serbia”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka thënë se personat që kanë nisur bllokadën në veri kanë të kaluar kriminale dhe anë pjesë e grupeve ekstreme që morën pjesë në grushtin e shtetit në Mal të Zi disa vite më parë.

“Disa prej tyre kanë një dosje të aktiviteteve kriminale në të kaluarën, ata kanë pikëpamje ekstreme për politikën dhe botën. Disa prej tyre gjithashtu morën pjesë në një përpjekje për grusht shteti në Malin e Zi pesë vjet më parë”, shtoi Kurti, transmeton Gazeta Express.

Kurti ka komentuar edhe ardhjen e ambasadorit rus në kufi me Kosovën dhe sulmi ndaj institucioneve të Kosovës në veri.

“Ju e sillni Ministrin e Mbrojtjes në kufi me Kosovën, së bashku me Ambasadorin Rus në Serbi dhe Atasheun e Mbrojtjes të Federatës Ruse në Beograd. Në të njëjtën ditë ata i vunë zjarrin një ndërtese në Zubin Potok. Gjithashtu, MiG-29 po sillet rreth Kosovës, helikopterë dhe automjete të blinduara të prodhuara nga Rusia … Pra, ata erdhën me një arsenal ushtarak në kufijtë e vendit tonë. Forcat tona speciale janë atje, si në Brnjak ashtu edhe në Jarinje. Të mos harrojmë, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 18 shkurt 2008, ata dogjën pikat kufitare Jarinje dhe Brnjak”, shtoi Kurti.

Kurti ka folur edhe për politikën e brendshme të Serbisë, duke thënë se atje ekziston vetëm një parti dhe se Kisha Ortodokse Serbe është po ashtu parti politike duke thënë se nuk ka pluralizëm demokratik.

“Keni një parti. Ajo parti është edhe shteti. Ky shtet është gjithashtu një kishë. Ajo kishë është gjithashtu një parti. Nuk ka pluralizëm atje, ata po shtiren me demokraci kinse po mbajnë zgjedhje”

Kurti shtoi se është i hapur për dialog dhe se për këtë i ka shprehur gatishmërinë edhe kryetares së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Kurti është pyetur edhe për bashkimin kombëtar dhe se si do të votonte në një referendum eventual.

“Ne jemi dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, por nuk jemi dy kombe. Ne jemi një komb. Kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë, ne kurrë nuk mund të harrojmë se nuk është kufiri shqiptar apo kufiri i Kosovës. Është kufiri jugosllav, serb dhe në atë kuptim ne duam që Prishtina dhe Tirana të bashkëpunojnë sa më ngushtë, të integrohen dhe të ndihmojnë njëri –tjetrin”

Në fund është pyetur nëse mendon se trupat amerikane, pjesë e KFOR-it do të largohen nga Kosova.

“Unë nuk mendoj se ata do të tërhiqen. Kosova duhet të përfshihet në Partneritetin për Paqe. Imagjinoni, që nga viti 2006, ka qenë Serbia që merr armë nga Rusia, Bjellorusia dhe Kina, dhe jo Kosova”, ka thënë Kurti, transmeton Gazeta Express.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti

LIRIA E SHTYPIT – KJO “FERRË” NË SY TË POLITIKANËVE SHQIPTARË

September 29, 2021 by s p

 Nga Frank Shkreli

See the source imageKy ishte titulli i një shkrimi mbi lirinë e shtypit në Shqipëri që kam shkruar në vitin 2015, si një reagim i imi ndaj deklaratave të zyrtarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë në atë kohë Frank Shkreli/ Liria e shtypit, kjo “ferrë“në sy të politikanëve shqiptarë | Gazeta Telegraf, drejtuar medias shqiptare, ose “Kënetës mediatike” shqiptare, siç preferonte ta cilësonte Kryeminsitri Rama në atë kohë. Gjatë viteve, fjala e lirë dhe liria e shtypit kanë qenë dhe janë subjekte të preferuara për tu trajtuar, sidomos, përballë sulmeve dhe kritikave nga pushtetarët shqiptarë. Raste të tilla reagimesh anti-media, gjatë viteve, ku liria e shtypit dhe fjala e lirë duket se konsiderohen si pengesa kryesore e pushtetarëve shqiptarë, ka pasur dhe ka mjaft, sidomos në Tiranë.  Mbizotëron një atmosferë ku gazetarët dhe shtypi konsiderohen të rrezikshëm, veprimtaria e të cilëve duhet frenuar dhe kontrolluar — në sytë e politikanëve shqiptarë të të gjitha ngjyrave, pa përjashtim.  Janë shumë raste për të përmendur kur dhe sa herë janë bërë përpjekje dhe janë marrë masa efektive të kontrollit qeveritar ndaj medias gjatë këtyre 30-viteve “pluralizëm”, për të kontrolluar dhe penguar edhe ashtu gjysëm lirinë e veprimtarisë së medias në Shqipëri, duke shkaktuar në këtë mënyrë, edhe përhapjen e vet-censurës nga gazetarët e frikësuar se nëqoftse nuk i përshtaten vijës zyrtare mund të humabsin edhe punën, si rrjedhim i trysnisë zyrtare, kërcënimeve dhe frikësimeve të dala nga qarqet politike dhe mbështetsve të tyre, ndaj punës së përditshme të gazetarëve.  

Nuk besoj të ketë patur ndonjë subjekt tjetër me rëndësi publike – siç është liria e shtypit — që ka pësuar aq shumë ndryshime gjatë viteve dhe propozime ligjore me qëllim kufizimin e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias. Sikur liria e të shprehurit dhe liria e medias — në mbrojtje të interesit publik, siç ndodhë në çdo vend normal që e quan veten “demokratik” – është rreziku më i madh që i kanoset sot shoqërisë shqiptare dhe interesave kombëtare.

Duket sikur qëllimi për të penguar lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri është një detyrë me orar të plotë për një ose më shumë persona. Vërtetë, gjatë viteve janë shënuar shumë raste ndërhyrjeje nga qeveria shqiptare kundër lirisë së fjalës dhe të medias në përgjithësi, por kësaj radhe më ra në sy propozimi më i fundit i Kryeministrit Rama – që në fillim të mandatit të tretë – gjëja më me rëndësi në sytë e qeverisë Rama-3, na qenka krijimi i asaj që ata e quajnë Agjensia për Media dhe Informim.  Jo, more jo, sot për sot nuk ka sfidë me të madhe se kontrollimi i medias dhe i fjalës së lirë as ndonjë plan më të rëndësishëm, si për shembull për të zbutur deri dikur zbrazjen e vendit, ndërkohë që rinia shqiptare dhe më të përgatiturit e vendit, po largohen masivisht, problemet ekonomike dhe shoqërore dhe shumë e shumë probleme të tjera me të cilat përballet sot Shqipëria dhe Kombi shqiptar. Por, për klasën politike në Tiranë, është pikërisht për ta, ajo “ferra në sy”: liria e shtypit dhe media e lirë që i ka të gjitha fajet për gjëndjen e krijuar ekonomike, politike dhe shoqërore në vend dhe si e tillë informacioni duhet të kufizohet dhe shpërndarja e informimit të përqendrohet në duart e qeverisë. 

Si përfundim, kufizimi i lirisë së fjalës dhe lirisë së medias për të shkuar përpara pa kokëçarje nga media — krijimi i Agjensisë për Media dhe Informim – është përparësi kombëtare dhe duhej miratuar, pa vonesë, në mbledhjen e parë të qeverisë Rama-3. Aq i rëndësishëm e serioz ishte ky propozim, përparësi numër një në krahasim me hallet e tjera të shqiptarëve!  Sipas vet Kryeministrit dhe zëdhënsve të tij, miratimi i këtij enti do bëhet me një ligj të ngjashëm me atë gjerman. Gjithmonë ruajuni dhe  të kini kujdes kur politikanët shqiptarë, në përpjekje për të bindur dike për meritën e propozimit të tyre — krahasojnë diçka që duan të miratojnë me ndonjë shembull nga vendet demokratike – kështu e bejnë gjermanët, amerikanët, italianët e tjerë, thonë ata.  Kësaj radhe, mos u shqetësoni na thonë mbështetsit e këtij propozimi, duke na siguruar se Agjensia Shqiptare për Media dhe Informim e propozuar nga Kryeminisitri Rama është, kryesisht, në përputhje me modelin gjerman dhe si e tillë duhet të pranohet nga të gjithë. Si mund të gabojmë me krijimin e një agjencie alla gjermane!?    Ja si e shpjegoi Z. Rama krijesën e tij të re, Agjencinë Shqiptare për Media dhe Informim, në një intervistë për Zerin e Amerikës javën që kaloi.  i pyetur se si do iu përgjigjej kritikëve të themelimit të këti enti qeveritar.  Zoti Rama u përgjigj kështu:  

 “Ky është një reagim që vjen me siguri nga mosnjohja dhe moskuptimi i rolit dhe i misionit të kësaj agjencie. Agjencia është ndërtuar mbi modele të konsoliduara në vende shumë të zhvilluara demokratike. Republika Federale e Gjermanisë e ka identikisht të tillë dhe, në fakt, prej shembullit të saj ne kemi krijuar këtë agjenci. Ata e quajnë Zyra për Mediat dhe Informimin e Qeverisë, ne e kemi Agjencia për Median dhe Informimin pranë Këshillit të Ministrave. Po kështu edhe Italia, po kështu edhe vende të tjera. Dhe kjo agjenci nuk ka lidhje fare as me propagandën as me kontrollin, por ka lidhje me një rritje të kapacitetit të qeverisë për të ndërvepruar me opinionin publik dhe me burimet e informacionit, në mënyrë që të garantojmë që informacioni, që kërkohet nga qeveria, të jetë sa më i shpejtë dhe njëkohësisht sa më integral në funksion të mediave dhe, nga ana tjetër, që qeveria të jetë në vijimësi e informuar dhe natyrisht e vetëdijshme deri në fund për opinionet e qytetarëve, për opinionet e mediave dhe opinionet në mjedisin pluralist shqiptar,” është shprehur Shefi i qeverisë shqiptare.

Sikurë, shoqëria shqiptare ka nevojë për një sistem më integral në funksion të mediave siç pretendon Kryeministri Rama. Sidoqoftë, nëse dikush mendon se me krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, vërtetë, do të avancohet liria e fjalës dhe veprimtaria e shtypit të lirë, asnjanës, gjithpërfshirës dhe objektiv në Shqipëri, atëherë siç thonë këtu në Nju Jork, unë kam një urë t’ua shes juve: urën e Bruklinit.  Të jeni të sigurt se ashtu siç ka ndodhur këto tre dekada “post-komunizëm”, kjo krijesë e re për kufizimin lirisë së fjalës do ta lejë Shqipërinë, sa i përket lirisë së shtypit, aty ku është tash 30-vjet, e karakterizuar si një vend “gjysëm i lirë”, nga organizatat ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe nga disa shtete perëndimore.

Por nëqoftse prisni ndonjë kundërshtim ndaj kësaj nisme anti-demokratike të kryeministrit prej opozitës në Parlamentin e ri të Shqipërisë, mos u entuziazmoni shumë se shënjat nuk janë të mira as nga ajo palë, sa i përket lirisë së fjalës dhe medias së lirë. Këto ditë lexova në median shqiptare në lidhje me një debat brenda grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të jep përshtypjen se opozita e re nuk do të mbrojë lirinë e fjalës në Kuvend dhe as nuk do të kundërshtojë krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim, kur ti paraqitet Kuvendit për miratim.  Sipas medias, edhe aty u fol me fraza anti-liriës së fjalës për deputetët, si për “koordinim” mesazhesh, “dakordësi me zyrën e shtypit”, leje nga lartë për dhenje intervistash nga deputetët dhe të tjera fraza të tilla që nuk flasin mirë për një grup opozitar nga i cili mund të prisnin shqiptarët mbrojtjen e lirinë e fjalës, as për të veten as për të tjerë.  Shpesh e kam thenë, nëqoftse nuk ka liri brenda partisë as vendi nuk gëzon liri. Dy partitë aktuale më të mëdha të vendit e pasqyrojnë këtë fakt, si më mirë nuk ka, për fat të keq të shqiptarëve.

Bazuar në përvojën e së kaluarës, edhe ndërkombtarët, siç është OSBE-ja apo diplomatët perëndimorë në Tiranë, kanë dështuar, mizorisht, në misjonin e tyre për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.  Vura re në fillim të këtij muaji se Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po shënon, siç shprehet ajo, përparime të mëtejshme në përpjekjet e saj në ndihmë të Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) për ngritjen e një qendre trajnimesh për gazetarët e rinj të transmetuesit publik dhe studentët e gazetarisë.  Në shikim të parë, kjo duket një ndërmarrje fisnike nga ana e OSBE-ës, por ky nuk është problemi kryesor me të cilin përballet sot shtypi dhe gazetaria në Shqipëri. Shqipëria ka mjaft gazetarë të zotët që nuk kanë aq nevojë për trajnim se sa kanë nevojë për liri të plotë veprimi, jashtë dhe larg influencave dhe kontrolleve e pengesave qeveritare ndaj profesionit të tyre, siç duket të jetë kjo krijesa e re e Kryeministrit shqiptar e quajtur Agjencia Shqiptare për Media e Informim.

 Për lirinë e shtypit duhet folur haptazi dhe shpesh, si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose “gjysmë të lirë”, siç karakterizohet Shqipëria – për 30-vjet tani — nga shumë organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe qeveri perëndimore. Liria e shtypit, pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet nga të gjithë, por sidomos nga qeveria dhe entet shtetërore, me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët pjesë të këtyre vendeve që ndajnë këto vlera të përbashkëta e universale. Kultivimi, mbrojtja dhe i zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe me të drejtat universale të njeriut është dhe mbetet në interesin kombëtar të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Për të sigurar këtë angazhim edhe të Shqipërisë si një vend anëtar i organizatave ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e fjalës, nuk është i nevojshëm themelimi i ndonjë agjencie të re qeveritare, me pretendimin se gjoja kjo agjenci do të jetë në fundkison të lirisë së medias. Nuk është e tillë!  Ashtu siç bënte dikur regjimi komunist kur merrte me forcë pronat e shqiptarëve dhe i shtëtëzonte për qëllime të veta, ashtu edhe ky veprim është i njëjtë në thelb — megjithse në një fushë tjetër, fushën e lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë – por më në fund është një shtetëzim i mënyrës së përhapjes së lajmeve dhe të lirisë së shqiptarëve, në përgjithësi!

Frank Shkreli

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Liria e shtypit

Për SHBA-të, sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm

September 29, 2021 by s p

-Presidentja Osmani u takua me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-ve, Nicholas J. Giacobbe/

PRISHTINË, 28 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/ 

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, z. Nicholas J. Giacobbe, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit në vend pas vendimit për reciprocitet të targave me Serbinë.

Sipas Presidentes Osmani Serbia po tenton ta destabilizojë situatën, gjë që sipas saj është në vazhdën e përpjekjeve  ruso-serbe për zhbërjen e të arriturave të SHBA-ve, BE-së, dhe NATO-së në Kosovë dhe rajon.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se vendimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me targa është i ligjshëm. Ajo vuri theksin te fakti se zbatimi i kësaj mase nga institucionet tona është në përputhje të plotë me Marrëveshjen e dakorduar në Bruksel, por e cila nuk është zbatuar nga ana e Serbisë.

Presidentja Osmani e bëri të qartë po ashtu që Kosova në asnjë moment nuk ka qëllim të eskalojë situatën. Në veçanti, ajo potencoi se përkushtimi kryesor i institucioneve të vendit është mirëmbajtja e rendit dhe ligjit si dhe mbrojtja e secilit qytetarë në Republikën tonë. Duke folur për procesin e dialogut, Presidentja Omani konfirmoi se Kosova mbetet e përkushtuar për vazhdimin e tij dhe ritheksoi rëndësinë e  trajtimit të barabartë të palëve të përfshira në të.

Ndërsa, z. Giacobbe potencoi se për SHBA-të, sovraniteti i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, duke shtuar se dialogu është mënyra e duhur për të vazhduar tutje.

Filed Under: Featured Tagged With: Nicholas J. Giacobbe, Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 75
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT