• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova para 30 viteve Referendum për Shtet Sovran dhe të Pavarur

September 27, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 27 Shtator 2021/ Kosova Shtet Sovran dhe i Pavarur u votua pro 99,87 për qind në Referendumin e mbajtur para 30 viteve, nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

“Kosova filloi Referendumin për Soranitet”, ishte kryetitulli i ballinës së gazetës së përditshme të rezistencës “Bujku” të datës 27 Shtator 1991.

“Republika e Kosovës filloi Referendumin për të nesërmen e vet: Shtet Sovran dhe i Pavarur. Referendumi i parë historik i Kosovës i shprehejes së vullnetit të lirë politik të popullit filloi në kushte e rrethana shumë të rënda që po përjeton Kosova nën pushtetin policor serb, prandaj vota për sovranitet dhe pavarësi  është edhe votë e deklarimit demokratik e paqësor për liri e barazi të plotë  për çka shqiptarët në Kosovë dhe në Jugosllavi edhe para këtij referendumi janë deklaruar fuqishëm me shumë forma të shprehjes  e të manifestimit të vullnetit të lirë”, shkruaja atëherë në 26 Shtator 1991 në kryeartikullin e botuar në numrin e së nesërmes të gazetës “Bujku”.

Legjenda e fotografisë në ballinë ishte: “Deklarim demokratik për ardhmërinë e Kosovës: pamje e Prishtinës”. Aty, po në faqen e parë, në mbititull shkruante: “Udhëzime për mbajtjen e Referendumit”, e në titull theksohej: “Referendumi është legal dhe legjitim”.

Në kryetituj balline gazeta “Bujku” në 28 Shtator 1991 shkruante: “Referendumi për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Manifestim paqësor e demokratik përballë dhunës”, ndërsa në 29 Shtator 1991 konstatonte: “Masivitet i madh në votime për Republikën e Kosovës Shtet Sovran e i Pavarur – Referendumi në Kosovë në përfundim”.

E në numrin e 1 Tetorit 1991 gazeta “Bujku” në mbititull e kryetitull në ballinë shkruante:

“Pas pesë ditësh votimi masiv në Referendumin për Republikën e Kosovës Shtet Sovran dhe të Pavarur  – Referendumi për Kosovën Sovrane u krye me sukses të plotë”. Tituj balline ishin edhe: “Parlamenti i Shqipërisë përkrahu Rezolutën për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur” dhe “Qeveria Amerikane ka kundërshtuar politikën e Serbisë ndaj shqiptarëve”…

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar para 31 viteve në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike kur para dyerve të mbyllura të Kuvendit në shtetrrethim e para snajperëve serbë Kosova me Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 shpallte pavarësinë e saj, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në editorialin e botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumi për Pavarësi i 26 deri 30 Shtator 1991 shënonin kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë e të pavarur.

“Në Referendum dolën 914.802 veta ose 87,01% e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote, prej tyre për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur votuan 99,87%. Kundër kishin votuar 164 veta, ndërsa të pavlefshme ishin 933 fletëvotime”, konstatonte Komisioni Qendror për Zbatimin e Referendumit në raportin përfundimtar.
Gjithnjë sipas rezultateve zyrtare përfundimtare të shpallura nga Komisioni, në votim, për shkaqe dhe arsye të ndryshme, nuk dolën 136.555 votues apo veç 12,99% e qytetarëve të Republikës së Kosovës me të drejtë vote.  Për realizimin e Referendumit pati 1500 vendvotime me 450 njësi votuese.

 Referendumi u mbajt në rrethana të një okupimi të egër të regjimit të Beogradit dhe të një shtetrrethimi ushtarako-policor, ndërsa rezultatet e tij ishin mesazhe të fuqishme dhe të qarta të Kosovës për gjithë botën në një kohë të lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

  “Është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen”,  theksonte  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën e parë ekskluzive për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH), që e kam zhvilluar para 26 viteve, në 22 Shtator 1994, në 3 vjetorin e Referendumit të deklarimit të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit të Kosovës.

Në intervistë, Presidenti  Rugova, i cili vazhdimisht theksonte se “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur” fliste edhe për opcionin e “lidhjeve konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

 Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë,  për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në intervistë para më shumë se çerek shekulli janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova në intervistë…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008…

Pas ditëve të zhvillimit të votimeve masive, gazeta “Bujku” njoftonte rezultatet e referendumit.

Me kryetitullin “Mbi 99 për qind të votuesve për Sovranitetin Shtetëror të Kosovës”, me mbititullin “Kumtesë e Komisionit Qendror për Zbatimin e Referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” dhe me nëntitullin “Prej më se 1 milion votuesve kanë dalë në votime mbi 870 mijë veta ose rreth 85 për qind e numrit të pëgjithshem të qytetarëve me të drejtë vote. Pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve në referendum ishte simbolike”, gazeta kosovare e rezistencës “Bujku” në numrin e 4 Tetorit 1991, në  faqen e parë shkruante:

“Deri më 3.10.1991 Komisionit Qendror të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e referendumit për Republikën e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur i kanë arritur rezultatet e votimeve nga të gjitha komunat e Kosovës, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, nga SHBA-të, Australia e të tjerë. Ende nuk kanë arritur rezultatet e votimeve të qytetarëve të Kosovës që punjnë përkohësisht në disa republika të tjera në Jugosllavi, si edhe nga disa shtete të Evropës Perëndimore, e supozohet se është një numër i madh i votuesve.

Nga përpunimi i rezultateve të votimimeve që kanë arritur mund të konstatohet se në Referendum, prej më tepër se 1 milion votuesve, kanë dalë më shumë se 870.000 votues, ose afër 85 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur janë deklaruar 99,8% të votuesve.

Rezultatet e votimeve dhanë mundësi të konstatohet se në Referendum ka dalë një numër i konsiderueshëm i myslimanëve, turqve, kroatëve, romëve e të tjerë, ndërsa pjesëmarrja e serbëve dhe e malazezve ishte simbolike.

Komisioni Qendror për zbatimin e Referendumit lut të gjitha komisionet, të cilat nuk i kanë dorëzuar ende rezultatet e votimeve, ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të kumtohen rezultatet përfundimtare të Referendumit, thuhet në kumtesën e Komisionit Qendror për zbatimin e referendumit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Gazeta “Bujku”, që shkruante kështu, ishte “edhe gazetë edhe televizor”, si thoja atëherë gjatë ditëve të referendumit, meqë në terrin informativ, kur ishte i okupuar edhe Televizioni i Prishtinës, për ta “kompensuar” mungesën e televizionit botonim edhe shumë fotografi të mëdha nga votimet e atmosfera. Dhe thuaja e gjithë gazeta ishte referendum, me raporte të gjëra e fotografi të ekipeve të gazetarëve e korrespondentëve nga e gjithë Kosova që punonin ditë e natë e me sakrifica.

Në atë kohë gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, e pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale, të parë e të vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja

Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke marrë e botuar informacionet e saj, e kështu u themeluan bashkëpunimet e para të medias Shqipëri-Kosovë.

E pastaj, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë vijuan edhe me raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, ku Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i  Republikës, e që shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit në Kosovë të Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, e edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Para 27 viteve, në 22 Shtator 1994, Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar – të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistën ekskluzive në 3 vjetorin e Referendumit për Pavarësi.

Vendimin për mbajtjen e Referendumit për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur e mori Kuvendi Kosovar në ekzil, në marrëveshje me subjektet politike në Kosovë, në mbledhjen e 22 Shtatorit 1991, mbajtur në Slloveni. Kuvendi i Kosovës kishte dalë në ekzil pasi kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, që u pasuan edhe me zgjedhjet e para shumëpartiake parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992.

Në krye të Kuvendit të Kosovës në kohën e vendimeve e ngjarjeve historike drejt lirisë dhe pavarësisë ishte Ilaz Ramajli, i cili në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar në 20 vjetorin e Referendumit, në 29 Shtator 2011, ka  vlerësuar se Referendumi u organizua shumë mirë, megjithëse mbahej në rrethana të një okupimi të egër të Serbisë në Kosovë.

“Para Referendumit, edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli.

Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive me të drejtë vetoje të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.

“Mbajtja e referendumit dhe rezultatet e tij jo vetëm që mundësuan ndryshimet kushtetuese me të cilat Kosova u shpall shtet sovran e i pavarur dhe u rrumbullaksua korniza kushtetuese e ligjore lidhur me këtë por ishte edhe një mesazh i fortë dhe shumë i qartë për Serbinë dhe gjithë botën se populli i Kosovës më asnjëherë nuk dëshiron të jetë nën kontrollin e të tjerëve, por është përcaktuar fuqishëm që shteti i tyre, Kosova, të jetë shtet sovran dhe i pavarur”, është shprehur Ramajli.

Pas zgjedhjeve të para shumëpartiake parlamentare e presidenciale në Kosovë të 24 majit 1992, të clat pasuan referendumin për pavarësinë, nga Presidenti historik Ibrahim Rugova i zgjedhur atëherë Ilaz Ramajli u emërua ambasadori  i parë i Republikës së Kosovës në Tiranë.  

“Për mua kjo ka qenë një përvojë e re. Detyrën e Përfaqësuesit të zyrës së Republikës së Kosovës në Tiranë e kam pranuar si një privilegj dhe detyrim të marrë me Vendimin e Presidentit të ndjerë Rugova për emërimin tim në këtë pozitë. Konsideroj se Zyra e Republikës së Kosovës në Tiranë ka qenë me një rëndësi të veçantë në rrafshin diplomatik dhe të bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Shqipërisë. Unë kujtoj me kënaqësi kohën sa kam punuar në Shqipëri dhe jam mirënjohës për kontributin e shtetit shqiptar që ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat derisa Kosova është bërë shtet i pavarur e sovran i pranuar ndërkombtarisht. Angazhimi dhe mbështetja e shtetit shqiptar në çështjen e Kosovës ka qenë i pakursyer dhe i plotë”, shprehej Ramajli në intervistë.

 Këshilli Koordinues i Partive Politike të Kosovës kishte marrë vendimin politik për organizimin e Referendumit gjithëpopullor dhe për këtë qëllim u emërua Komisioni Qendror. Kryetar i Komisionit Qendror për Organizimin e Referendumit ishte Ramush Tahiri, përfaqësues i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës.

“Në këtë Komision kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Këshillit Koordinues. LDK në Këshillin Koordinues ka pasë tre përfaqësues, Ibrahim Rugovën si kryetar të Këshillit Koordinues, Fehmi Aganin dhe Ali Aliun. Partia Fshatare është përfaqësuar nga kryetari Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate është përfaqësuar nga Shkëlzen Maliqi, Partia Parlamentare është përfaqësuar nga Veton Surroi dhe Partia Shqiptare Demokristiane ku unë kam qenë përfaqësues”, ka deklaruar Tahiri në një intervistë televizive para dy vitesh.

Ndërsa, Rifat Blaku atëherë anëtar i Komisionit Qendror për mbajtjen e Referendumit vlerësonte se, “një barrë të madhe, por edhe meritë të veçantë për punën për mbarëvajtjen e Referendumit e kishin Këshillat lokale komunale për Referendum”.

 Blaku, në shkrimin ekskluziv në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja – botim special në 90 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 Nëntor 2002, përkujtonte edhe se, rezultatet përfundimtare të Referendumit janë shpallur nga Kuvendi i Kosovës në 18 Tetor 1991, kur është shpallur edhe Qeveria e Kosovës në ekzil.

Pas Referendumit, në 11 Tetor 1991 është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova. “Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi”, siç theksohej në Deklaratën politike, shpreheshin për këto tre opsione:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.”

Tani, pas 30 vitesh nga Referendumi historik për Shtet Sovran dhe të Pavarur, Kosova është e lirë prej mëse 22 vitesh, nga Qershori 1999 i përfundimit të luftës e  hyrjes së forës shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s dhe e pavarur prej mëse 13 vitesh nga 17 Shkurti 2008, e njohur deri tani nga 117 shtete të botës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njohur Shtetin e Kosovës që në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë…

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Referendumi ne Kosove

Rikthim i frikshëm i tankeve Ruse dhe i skenarëve destabilizues në rajon

September 27, 2021 by s p

Gjeneral* Piro Ahmetaj

Së pari, duke ndjekur me indinjatë shtesë, “kërcitjen e zinxirëve të tankeve dhe avionëve Ruse në kufijtë shtetërorë të Kosovës”, sjell qëllimisht në vëmendje «thirrjen ulëritëse» të gazetarit të mirënjohur Çek Julius Fucik: “NJËRËZ jini VIGJILENT”. Ky «mesazh-epitaf», mbetet kambanë aktuale për të zgjuar dhe mbrojtur popujt nga projeket vrastare, si fashizmi apo regjimet barbare të çdo forme tjetër. Profesionalisht, këtë zhvillim e gjej si «përgjigje të vonuar» për disa nga pikëpyetjet strategjike që u kam adresuar publikisht udhëheqesve të Beogradit dhe Rajonit në në 15 vitet e fundit, si p.sh sa bashkëngjitur: ttp://www.panorama.com.al/stop-projekteve-famekeqe-e-mendjeve-te-ndryshkura-gjeneral-piro-ahmetaj-pyetje-per-vucic-pse-po-armatoset-deri-ne-dhembe-serbia/. “Rikthimi te Armët”, sigurisht kënaq ektremistët, krimin e organizuar, oligarkët e pushtetit dhe gardëm e sekserëve të korruptuar por nuk u shërben aspak qytetarëve, as masave të mirëbesimit reciprok dhe as axhendës së integrimit Euroatlantik të vendeve të rajonit. Si e tillë, shërben vetëm si mekanizëm i axhendës së politikanëve zullumqarë, për të mbajtur me çdo mjet/çmim (edhe me gjak) pushtetin, për të vjedhur pasuritë publike si dhe për të vrarë shpresat e bashkëjetesës paqësore mes qytetarëve të ballkanit. Duke e parë kështu, rikthimi i frikshëm te: “tanket, avionët Mig-29, raketat dhe bashkë me to, endrrat Ruse, fryma e urrejtjes ndëretnike, rrënjët e destabilitetit si dhe te konfliktet e përgjakshme”, përçmon kujtimin për 300 mijë të vrarët si dhe vuajtjet dhe sakrificat e papërshkruara të qytetarëve të vendeve te Ballkanit nga makineria kriminale e Millosheviçit! Falni por mos harroni (forget but not forgive) mbetet edhe SOT si “mesazh-EPITAF” jo vetëm për Kosovën e martirizuar, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinē, Slloveninë dhe Shqipërinë që e paguan aq shtrenjtë marrëzinë e Millosheviçit por edhe për USA, NATO-n, BE, UN etj. që kontribuan  aq shumë për paqen e rajonit të mbërthyer nga urrejtja dhe luftrat e përgjakshme. Së dyti, ripërsëris edhe më qartë se përtej statuseve dhe protagonizmit populisto – nacinalist të udhëheqësve pa fuqi/këllqe në Fb: “Mbetet domosdoshmëri kritike dhe përgjegjësi e lartë shtetërore, përgatitja dhe jetësimi i njē Patforme Partneriteti Strategjik midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovēs”. Për më qartë, jetësimi i konceptit “Dy Shtete një Komb” dhe atij “mënçur” mbi sovranitetin, sigurinë dhe mbrojtjen mbarëKombëtare, si dhe zhvillimi i 12 projekteve të përbashkëta, do të duhet  të konfirmohet si përqasja afatmesme e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare“! Thënë këtë, duhet nënvizuar edhe më fortē se kjo “përqasje e vonuar” nuk përben asnjë “kërcënim ndaj Serbisë apo vendeve të tjera të rajonit”! Për më tepër, të gjitha vendet e rajonit, përfshi Serbinë mbeten shumë të mirëpritura të bëhen pjesë e projekteve mbi emergjencat civile (përfshi zjarret, përmbytjet, aksidentet industriale, ambjentaliste)  epidemitë shëndetsore, sigurinë kibernetike, reciprocitetin në dogana, etj ! Po ashtu, jam i bindur që kjo qasje e mënçur, do të inkurajohej dhe mbështetet nga  USA dhe NATO, pasi ka dekada që zbatohet me sukses mes vendeve Balltike (Lituani, Estoni, Letoni); vendeve Skandinave (Norvegji, Finland  Suedi), vendeve të ulëta (Belgjikë, Hollandë, Luxembourg), etj! Së fundmi, përtej heshtjes së gjatë dhe dështimit të frikshëm të politikanëve zullumqarë për rikthimin te forca e armëve, shpresoj qē fuqia e arsyes së mendjeve të hapura të zgjohet, Paqja dhe Integrimi Euroatlantik të triumfojnë si “opsion dhe axhenda të vetme” për rajonin e mbushur me histori dhe udhëheqës gjakatarë! Por, “Paqja, Stabiliteti dhe demokracia funksionale si USA dhe gjithë Europa, nuk janë dhurata të përjetshme” ! Në të kunďërt, ato mbeten kambana alarmi dhe mision i vetëm për të ndenjur “zgjuar”, punuar dhe luftuar fort kundër rikthimit te errësira e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore! Ndërsa në vend të mesazhit përmbullës, ritheksoj edhe mē fortë: “STOP rikthimit te tanket, avionët, raketat Ruse, skenarët e destabilitetit, mendjet e ndryshkura si dhe heshtjes së frikshme të politikanëve zullumqarë në Rajon”!

Gjeneral ® Piro AHMETAJ,

Ekpert i Sigurisë Kombëtare & NATO,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Ish: 

Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh, 

Zëvendës ShShPFA,

Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Filed Under: Featured Tagged With: Piro Ahmetaj

U ZHVILLUA FESTIVALI I 16-TË SHQIPTAR NË WATERBURY, CONNECTICUT

September 26, 2021 by s p

Sokol Paja

Për të 16-tin vit me radhë, qindra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, viset shqiptare dhe shtete kryesore të Amerikës si New York, New Jersey, Philadelphia, Boston, Detroit, Teksas etj morën pjesë për dy netë me radhë në Festivalin Shqiptar në qytetin e Waterbury në Connecticut. Një festival shqiptar i organizuar në mënyrë të shkëlqyer nga organizatorët e Albanian American Muslim Community në Waterbury -Connecticut të cilët mbajnë gjallë kulturën, gjuhën, traditën dhe identitetin kombëtar shqiptar në këtë shtet dhe më gjërë. Muzikë tradicionale shqiptare, ushqim dhe vallëzim shqip, takime vëllazërore, nga shqiptarë nga të tëra anët që ndezën atmosferën e zjarrtë shqiptare nën tingujt e ëmbël dhe bisedat e ngrohta miqësore. Qëllimi i festivalit ishte promovimi i vlerave kombëtare shqiptare në shoqërinë amerikane si dhe kultivimi i kulturës kombëtare shqiptare në brezat e rinj shqiptar. Albana Lame Kryetare e Bordit të Komuniteti Mysliman Shqiptar – Amerikan në Waterbury deklaroi për Diellin e Vatrës se: “Në këtë festival së bashku me vullnetarët ne sollëm muzikën shqip, traditën shqip, ushqimin, shqip, ne sjellim shpirtin tonë shqiptar çdo vit. Të gjithë kanë punuar me përkushtim për të mbajtur gjallë traditën tone kombëtare. Ky vit krahasuar me vitin pandemik, jemi më entuziastë dhe kemi pjesëmarrje masive. Në këtë festival ne njihemi me njëri-tjetrin dhe themelojmë e mbajmë miqësi të reja. Ky festival dy ditor na jep mundësi që të njihemi më shumë me komunitetin tonë. Afrohemi më shumë bashkë. Është diçka fantastike kur sheh që traditën e filluar nga prindërit, sot e vazhdojnë fëmijët. Të gjithë gatuajnë diçka, shërbejnë diçka, ofrojnë diçka, një komunitet që angazhohet në maksimum me qëllim që të kënaqemi të gjithë. Gjithçka është autentike shqiptare. Ky vit na ka sjellë edhe shumë të huaj të cilët janë kureshtarë të njohin traditën tonë, ushqimin tonë e muzikën tonë” u shpreh Albana Lame Kryetare e Bordit të Komuniteti Mysliman Shqiptar – Amerikan në Waterbury. Ky festival ishte një mundësi e mrekullueshme për bizneset që të reklamojnë shërbimet e tyre. Mikëpritja për miqtë si çdo here bëhet nga i “zoti i shtëpisë” Imami Gaz Aga i cili kujdeset profesionalisht dhe personalisht me detaje për të gjithë pjesëmarrësit së bashku me stafin e Komunitetit Mysliman Shqiptar – Amerikan në Waterbury. Imami i Xhamisë “Albanian American Muslim Community”, Imam Gaz Aga, mikëpritës i këtij festivali dhe udhëheqës për festivalin e shkollën shqipe pranë këtij komuniteti në bisedën vëllazërore u shpreh për Diellin e Vatrës mbi rëndësinë e këtij festivali shqip si një mundësi e shkëlqyer në ruajtjen e vlerave kombëtare, trashëgimin brez pas brezi, dashuri ndaj atdheut, gjuhës shqipe, besimit në Zotin e gjithëpushtetshëm dhe respektit për njerëzit.

Filed Under: Featured Tagged With: Gazi Aga, Sokol Paja

VATRA DËNON SULMET DHE DHUNËN SERBE NË VERI TË KOSOVËS

September 26, 2021 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dënon me forcë sulmet, dhunën dhe provokimet serbe në Veri të Kosovës. Kosova është shtet sovran. Çdo akt që cënon sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, Institucionet Demokratike, rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve në Kosovë, lirinë, të drejtën dhe pronën e qytetarëve në Kosovë do të dënohen me ashpërsinë më të madhe dhe refuzohen me përbuzje e neveri. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA u bën thirrje Institucioneve dhe qytetarëve në Kosovë për qetësi, maturi dhe unifikim. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe shqiptaro-amerikanët i bën thirrje Departamentit të Shtetit Amerikan, Kongresit Amerikan, Senatit Amerikan, Kancelarive Perëndimore dhe shteteve që njohën pavarësinë dhe ndihmuan në konsolidimin e shtetin e Kosovës në mbarë botën, që të ndërhyjnë sa më parë për të goditur me ashpërsinë më të thellë barbarizmat serbo-ruse që vënë në rrezik jetën e qytetarëve në Kosovë, Institucionet, integritetin territorial, paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Vatra, Veriu i Kosoves

Presidentja Osmani: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon

September 25, 2021 by s p

Dielli


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmeve të fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia.Presidentja Osmani ka thënë se sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje de Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi. Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Konflikti ne Kosove, Vjosa Osmani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 76
  • 77
  • 78
  • 79
  • 80
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT