• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deklaratat qeveritare të Maqedonisë me motive të ndarjes në baza kombëtare

July 29, 2013 by dgreca

Ka ardhur koha që të fillojë nisma për ndryshimet kushtetuese dhe për modelin e federalizimit në mes të popujve shqiptaro-maqedonas/

Shkruan: Skënder Karaçica/Chikago/

Nuk janë të rastit deklaratat e zyrtarëve të lartë qeveritar të Maqedonisë për temat aktuale politike që kanë të bëjnë me barametrin e ruajtjes së baraspeshës kombëtare karshi me natalitetin(e lartë)të popullit shqiptar në hapësirën e vet etnike.Saherë që flitet për problemet politike dhe për spektrin e gjërë shoqëror-ekonomik të zhvillimit në hapat përspektiv,politika maqedonase del në këndin e vet kombëtar duke harruar se në këto hapësira jeton edhe populli shqiptar,thekson në fillim të qasjes politike SHSHA-ja në Çikago.
Pse kaq shumë frigë nga nataliteti i lartë i shqiptarëve,e pyesin zëvendëskryeministrin Vladimir Peshevski,i cili me deklaratat e tij tregon qartë se politika aktuale maqedonase po përdor standarde të dyfishta kur është në pyetje çështja e popullit shqiptar(jo pakicë )në Maqedoni.Pse këto vija të ndarjes në baza kombëtare dhe pse kaq shumë flitet për rënien e natalitetit maqedonas e friga ndaj rritjes së natalitetit shqiptar?Dhe,kjo tregon më së miri se politika maqedonase e ka aktivizuar propagandën e spekulimeve bashkë me atë greke dhe serbe.Është për të ardhur keq,thekson ky asociacion në Çikago,që përmes deklaratave politike qeveritare i bëhet thirrje diasporës maqedonase që të kthehet në atdhe,ndërsa e kemi anën tjetër të medaljes me ngjyrat e dhimbjes kur shqiptarëve u bëhet gati buleta dhe valixhja e udhëtimit për në meridianet e botës.Thirrja e qeveritare për diasporën maqedonase dhe tonet  e V.Poshevskit tregojnë qartë politikën ashiqare kundër popullit shqiptar që ka mbetur në margjinat e kohës dhe pa mbrojtjen e duhur(jashta)ligjeve kushtetuese,ndonëse akti më i lartë juridik i këtij vendi i dedikohet vetëm ës(lexo:popullit maqedonas)dhe të tjerëve pa përmendur fare përkatësinë kombëtare të popullit shqiptar(40%)sipas të dhënave nga samiti i NATO-s në Çikago.
Nëse vjen në atdhe diaspora maqedonase më shumë për çështje politike dhe të baraspeshës me popullin shqiptar,atëherë duhet të jepet kushtrimi edhe për diasporën shqiptare nëpër botë që kthehet në tokën e vet etnike.Po theksojmë botërisht dhe me argumentin e kohës se tërë ekonomia familjare shqiptare në Maqedoni është ndërtuar me paranë e gyrbetit dhe,si thuhet me bukën me shtatë kore nëpër botë,pa investuar asnjë cent nga politika ekonomike e investimit të shtetit maqedonas,thuhet zëshëm në qasjen politike të asociacionit politiko-kombëtar të diasporës në Amerikë.Në rrugëtimin e tërë spektrit politik në Maqedoni kemi vënë re paraqitjen e dy politikave,në njërën anë pushteti i Nikolla Gruevskit i mbeshtetur në ligjet e Kushtetutës mbi tovolinë dhe të pushtetit(të pashkruar)për shqiptarët në anën tjetër që përmes (rregullave)politike të lojës (BDI-PDSH)bëjnë garën se kush do të zë më i pari dyert e qeverisë së Maqedonisë(!).
Ka ardhur koha që fillojë nisma për ndryshimet e Kushtetutës së Maqedonisë dhe të krijimit të modelit të federalizimit që do të ishte mundësia më e mirë e politikës demokratike të barazisë shqiptaro-maqedonase në këtë vend me ligjet e vjetra të kohës së ish-Jugosllavisë dhe me kahet e vlerave të demokracsë të brishtë.Por politika i ka rregullat e veta,të cilën duhet të luajnë partitë politike shqiptare dhe ofertës se palës maqedonase për fillimin e këtyre nismave të përmendura më lartë ti përgjigjemi me ofërtën tonë,e cila do të duhej të mishte e qartë,e studiuar mirë dhe,pse jo,edhe më e guximshme,duke vënë në plan të parë interesin dhe barazinë kombëtare shqiptaro-maqedonase.Në qasjen tonë nuk duhet harruar kurrsesi as konteksti ndërkombëtar,ai që quhet strategji politike globale,por as fakti se qendrimet e sotme mund të ndryshojnë nesër,ashtu siç pat ndryshuar qendrimi i BE-së dhe SHBA-ve ndaj ish federatës jugosllave.E gjithë kjo që e thamë më lartë do të ndihmojë stabilizimin e Maqedonisë dhe do të ndal lojën politike të pansllavizimit në Ballkan karshi popullit shqiptar me gjoja ndryshimin e emrit,që si thonë fjalët profetike të Laokoontit(I kam frigë grekët edhe kur bëjnë dhurata).Në kontestin shqiptaro-maqedonas,fjalët e plakut të urtë trojan tingëllojnë aktuale si të ishin shqiptaur sot e jo mijëra vjet më parë,thotë në fund të qasjeve politike SHSHA-ja në Çikago.

Filed Under: Featured Tagged With: Deklarata e qeverise, maqedonse, me motive te ndarjes, ne baza kombetare

LETER NENES

July 25, 2013 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/

Loti   si proces kimik është pa ngjyrë , mirëpo unë do ta gjykojë ai është produkt i shpirtit . Poradeci i madhi , oh i miri Lasgush duke shkruar për vesën dhe lotin thotë:I mburrej vesa lotit me një të shkrepur djelli / Përdhe ndaj baltësirës ty fat’i zi të flaku :/ S’më shëmbëllen ti mua që jam një bijë qjelli, /Që jam e motr’ e erës dhe shoq’ e çdo zambaku. /Dhe loti tha : ” Vërtet! Më lindi dhimbj’ e zezë, //Dhe dal nga syr’ i vuar i zemrës njerëzore :/Po kur se ti prej qjellit pikon vetëm përdhezë, /Un’ ik nga balt’ e rëndë drejt kaltërsish qiellore…

Loti më shkau . Llazar Gusho ka qëndisur për atë Perëndi bukurinë e lotit . Dhe si e thotë Llazari : S’më shëmbëllen ti mua që jam një bijë qjelli dhe duke treguar se është motër e erës dhe shoqe e çdo zambaku , e lindur vërtetë nga dhimbja e zezë …..Mirëpo lotimi im kishte një arsye krejt dhe ndryshe nga poezia .Loti për nenën. Nga dhembshuria për nënën . Nga malli, për nënën . Po lexoja shkujdesur një poezi të poetes dhe krijueses  Iliriana Sulkuqit :” Letër nënës me internet”, që siç duket ajo është një proces i prodhuar pas rileximit të poezisë :Letër Nënës ” të Eseninit ” . Në të vërtetë burimi i lotëve dhe ndjeshmëria lindi pikërisht kur mora si pikë referimi këtë poezi por të përkthyer nga mjeshtri shqiptar . E mora sepse është brilante .Është pikë vese shkuar vesës . Esenini nuk  ka shkruar vargje  , ka gdhendur vargje . E shkruara edhe mund të humbas por e gdhendura mbetet edhe pse kanë ardhur e ikur  situata dhe kthjellime historike apo ndijime shpirtërore . Në të vërtetë do të shqyrtojmë atë këngë himn për nënën që përjeton nën dalldinë e zërit ëmbëltor  të Eseninit . Gjalle je, ti moj nënokja ime?/Gjalle jam edhe unë… te përshëndes/Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje/Izben tende deri ne mëngjes. Mora vesh se ti je merakosur/Atje larg për mua përsëri/Se ti shpesh del rrugës e brengosur/Mbështjellë me te vjetrin shall te zi. /Kur e kaltër mbrëmja bie pranë,/Te fanitet ty gjithmonë sikur/Diku mua larg ne një mejhane/Një i dehur thikën po ma ngul./Kot ti nene rri me gjak te ngrire/Ky nuk është veç vegim i zi/S’jam aq vagabond i pamëshirë/Sa te vdes pa te shikuar ty./Unë i ëmbël jam prapë si me pare/Ëndërroj kur fushat larg vërej/Qe se shpejti nga këto mejhane
/Ne shtëpinë e vogël prapë te kthej./Do te kthej ahere kur te mbushet/Kopshti ynë i bardhe me blerim/Vetëm ti si tete vjet me pare/Mos me zgjo herët ne agim./Mos m’i zgjo ti ëndrrat qe m’u zverdhen/Mos kujto atë qe vate e shkoi…/Se ne bote humbjet edhe lodhjet/Herët i provon nene moj./Mos mu lut t’i falem zotit prape!/Tek e shkuara nuk ka me kthim/Vetëm ti je gazi im i vetëm/Ti e vetmja paqe e shpirtit tim./Pra ti flaki brengat nena ime/Mos u trishto për mua përsëri/Dhe mos dil aq shpesh tek rruga e madhe/Mbështjelle me te vjetrin shall te zi.

Ca muaj më parë M . Haxhiaj gazetare dhe krijuese  hodhi diku një ese , që ishte frymëzim i drejtpërdrejtë i „letër nënës“ të Eseninit  , ndërsa Iliriana  Sulkuqi poete dhe krijuese  aktualisht me banim në Neë Jork në 24 maj 2007 shkruan letrën për nënë e saj gjendur  diku ne mesvedi në qytetin e kalasë , Elbasanit . Letra e Ilirianës është e bardhë me ca germa të zeza  , në një zarf elektronik dërguar me yahoo jo më me postë . Nuk shkojnë më plakat e mëhallës tonë në postë për të pyetur  nëse u ka  ardhur ndonjë telegram nga djali ushtar . Nuk mbrijnë më telegrame . Posta e mëhallës tonë atje në Goronecë është shkretinë . Shumë nga ato shamizezat që  bënin këmbë nuk janë . Kanë shkuar që kurrë në Gjohelmin tonë   dhe kjo është varreza e madhe në perëndim të fshatit . Vijnë vashat e tyre. Qajnë , rënkojnë : O nënëzeza  ku rri , ku fle . Baltën ke shtroje . Na thoshin nënëzezat: djemo do vijë një kohë , që letrat do ti dërgojnë si qëmoti  me pëllumbat  e ajrit . Në shtatë qiej larg nesh . Yahoo duhet të jetë zbërthyer ndoshta  nga ëndrrat  e plakave të mëhallës tonë . Mirëpo meraku i tyre si nënë ishte i shumëfishtë . Zëri i nënës është thirrje për shpirtrat për tu treguar rrugët nga shkohet për në botën e mirë . Nënën e zgjon nga gjumi ëndrra për djalin . Ku është ç’bëhet në këtë dreq moti me dëborë , dhe me  krisma vetëtimash . Ku je djali i nënës, malli më ka marrë . Pra ç’bëhet djali udhëve të botës , të kurbetit , dhe të dreq rrëmetit . Këtu më bie më mëndje Esenin kur shprehet : Kur e kaltër mbrëmja bie pranë,/Te fanitet ty gjithmonë sikur/Diku mua larg ne një mejhane/Një i dehur thikën po ma ngul.

Dhe po sjell sa për kujtesën :Në kohën  e regjimit të shkuar tregojnë raste kur nënat të  varfrat , shamizeza ngriheshin nga gjumi  netëve të trembura për djemtë e tyre . Ku je bir i nënës se malli më ka marrë . Madje më tregonin atje në jug një nënë i ishte fanitur në ëndërr vrasjen e të birit në kufi .U ngrit pa feksur . Dhe lotët prush i mbuluan fytyrën . Çfarë ke nëno ?e pyetën vajzëria. – -_Kam parë tim birë sikur u rrëzua nga shkëmbi . Fli se është meraku i nënës, mirëpo në të zbardhur korrieri solli gjëmën . Ky Esenin sikur të ishte lindur diku në katundet tona atje në jug , përshkruan pikërisht atë rast kur i biri ikën larg dhe nëna ndjen dhimbje, e pagjuma nënë, i fanitej sikur të birit në një mejhane një i dehur thikën po i ngulë  .Ngjarje të lindura nga jeta . Cuditshmëria , që është shfaqur pas  këtyre çasteve , është vërtetë kaq prekëse . Merak nëne , për birin e saj shtohej më shumë kur largësitë ishin  errësira të largëta .

Tani dua të marrë poezinë e Ilirianës për ti hedhur një shikim shkujdesur .“E dashur nëna ime /e dhembshura pa fjalë/ëndërr përtej ëndrrës/,mall më shumë se mall. Fjalët për nënën kanë një të goditur ndryshe . Gjuha vete ku dhëmbë . Vargu është i çiltër .Është i mbushur plotë frymëzim , që të prek dhe të tronditë njëkohësisht . Për fatin e njerëzve të shtëpisë, që sa larg gjendeshin, kaq male për tu kapërcyer. Mirëpo në vend telit, apo fonogramit , që nuk ekzistonin ëndrra ishte një lajmëtare çuditërisht e shpejtë, që përcillte mesazhet me zë e figura . Dërgohet mesazh që ka brenda veç fjalë shpirti .

„E dashur nënë“ . Kështu nisnin dikur dhe nisin miliona letra ,mesazhe interneti në të gjithë botën ndonëse gjuha e në të cilën e shkruajnë  ngjet si  një lëmsh i ngatërruar në globin tonë .Besojë se kjo fjalë e qëmoçme me gjerësi ,thellësi. Ndërkohë që,thellësia është pafundësi ka ngjizje qiellore . Sepse ajo transmetohet ashtu e paprekur  me atë konstrukt ndër brezni që njeri – tjetrin nuk kanë pasur rastin ta takojnë ndonjëherë. Një  pyetje si luzmë më mundon prej kohe : A ka mundësi që ajo fjali e pandryshuar përsëritet ndër shqiptarë që nga ardhja e tyre në jetën e globit tonë ? Kodi i paperëndishëm , ku ruhen besnikërisht fatet tona ka dhënë edhe këtë formulë që jeton në jetë të jetëve njerëzore . Po të qe ndryshe udhëkalimi i saj“ do të kishte humbur shekujve pas mjegullinave .

Nuk ka arsye të bësh portrete nënash  .Dhembshuria  për fëmijën është e mpiksur që kur zë fill konstrukti i saj me eshtra dhe gjak . Kështu janë sjell nga Perëndia . Kështu i ka njohur  ndër kohëra tek raca jonë , historia . Dhembshuria  e saj prek  ndër pejzat më të holla . Po shqyrtojmë një seri mënyrash , që kanë një lidhje gjaku me dhembshurin e nënës . Dhembshuria e saj nuk është e lindur në insikte por një energji e pashueshme dhe e pazhbëshme e ardhur nga pjesa e sipërme ,atje ku ngjizet energjia . Ajo vjen , bëhet e fortë në kapërcim të viteve tek seksi femëror .  Dhe i është dhënë vetëm asaj . I është lënë vetëm asaj , si zotërim energjie më tepër . Në libra të shkollës dhe nëpër mijëra botime shqiptare për nënën  ka shumë poezi  , mirëpo jo të gjitha kanë atë forcë atë ndenje , që prek sepse mediokriteti është si puna e djallit  në letra duke mbushur faqe të tëra , me format A4 , të pavlera krijime . Sikurse njihet edhe fakti që në këtë copë trualli vargëzimi për nënën ka qenë i mbarsur dhe i shumë i mbarë . Në këtë tragë Iliriana ka përshkruar poezinë e saj .Duke tjerrur vargëzimin e dytë  ku poetja thotë :Nënë e shtrenjta ime /krrusur pas një shalli/tjerrur e përtjerrur /si dhuratë prej mallit .

Mirëpo po ti referohemi poezisë më sak vargjeve  perlë të Eseninit gjejmë diçka që kanë përafërsi dhe një  nyje lidhëse që mbete ai shalli : Mora vesh se ti je merakosur/Atje larg për mua përsëri/Se ti shpesh del rrugës e brengosur/Mbështjellë me te vjetrin shall te zi. Ajo që na ngrohë është frymëzimi esenian ai , që ngjitë edhe copën e hekurt me forcën e mushkërive .Është në të vërtetë burim frymëzimi hyjnor një pikë takimi . Shenjtori pas të cilit godisnin brigjet është Esenin . Prej andej rrjedh muza poetike . Është një fakt i pamohueshëm , që shekujt e mëparshëm kanë njohur shenjtorë të letrave, ata që kishin bazë frymën e shenjtë ,që sillnin poezi si produkt i një kosto jo të vogël shpirtërore dhe në të vërtetë udhëhiqnin religjione të tëra besimtarësh me fjalën e Perëndisë ku Drita. Kahu i saj,agimi i paperëndueshëm është dhe mbetet fryma e Zotit të botëve . Nëpër tragën e Esenit poetja ka gjetur poezinë e saj . Duhet kuptuar si një ndikim më mirë .Duke folur për këtë strofë të poetes Sulkuqi  shprehet për nënë se ajo nuk duhet të marri me vete shallin e lotuar dhe kur ajo të vijë moj zemër përmbi mbi ujëra notuar . Shalli në të vërtetë nuk është se përmban mistere  por është një mbulesë e thjeshtë por treguese për femrat , që i përdorin ato dhe ndërsa tek poetët rus shprehen qartazi se ai është i zi tipar dallues për dimrat e ftohtë me ngricë, dëborë e murlanë në vendet e ftohta  po tek vendlindja e poetes ku rri e pret nëna e saj është ndryshe . Nuk ka ngjyrën e zezë, atë të trishtimit  të mellanit të zi të lajmit kobzezë veshur  e mbështjellë me të por ai është në të vërtetë shall i squllur nga lotët e nënës së shtrenjtë . Lotimi është i përhershëm për krijesën e saj , që rri diku larg shtatë male kaptuar e dete gjithaq. Është largësia mall pa u takur ndoshta  pa u parë,  pa prekur flokët e thinjur të nënëzezës e merakosur, e brengosur për vajzën e saj . Lotët më në fund kanë bërë një monument shkruan një poete tjetër ,dalëngadalë kristalizohen ,ngurtësohen  deri sa betonohen kështu ngrihet monumenti i madh i lotëve . Mirëpo ato të pështjellë në shall leshi tjerrur e endur me duart e thara janë dhe mbeten edhe malli i poetes në mëndje . Nuk ka si tretet ai mall përvëluar . As në qiell . Nga lotimi mbetet gjitherës  veç dhimbja . Si duhet të mbrijë duke kapërcyer oqeane ujërash plotë e dhimbjesh njerëzore apo më thjeshtë duke notuar ardhje si engjëjt përmbi dete duke trokitur në dritare . „Unë erdha ,ja ku jam …si gonxhe ruan pikën e vesës së trëndafilit.

Ndërsa varianti i shallit është i përmendur edhe tek Pushkini kur thotë vështroj si i çmendur shallin e zi ……Esenini në pjesën e cituar .Mirëpo duke gjykuar për  shalli i zi mos është në të vërtetë një ogur i zi , një lloj paralajmërimi për diçka që ka ndodhur ose mund të ndodhi . Është një kujtim i mbetur i mos tretur ,që rron brenda shpirti ,që ka fjetur gjumin dunicë ,befasisht zgjohet pra lëvizi shpirti dhe ndër mëndje sjell shenjën treguese që vashëza mbante atëherë, ishte i zi  shalli mbuluar nga trishtimi . Kaq kanë mjaftuar që rrathët e kujtesës rritur në lartësi, zgjatur në gjatësi,  në thellësi ,zjarrmi të zgjojnë . Kështu mund të ketë ngjarë tek Pushkini .Ndërsa Pushkin përshkruan një kujtim për një vegim dashuror Esenin është më pranë një realiteti tjetër si përshkrimi , që i bënë nënës

Mos u trishto për mua përsëri/Dhe mos dil aq shpesh tek rruga e madhe/Mbështjellë me te vjetrin shall te zi.

Te Iliriana kuptimi i shallit nuk sjell zjarrmi apo një kujtim dashuror . Kur poetja do të shprehet se në takimin  e tyre thotë :Mos ma merr me vete/shallin kripë grisur/bëhem beb legjende/që rilind papritur . Është i grisur shalli nga kripëzimi i lotëve . Por nëse nuk e sjell atje mbetet piedestali i lotëve , gjurma , që nëna ka lënë me vetëdije për mallin e bijës së saj . U gris nga malli, nga lotimi nga dhimbja për të parë të bijën e larguar ,  nëna e malluar . Duke kërkuar riardhjen në jetë me një bebe legjendë , që do të shprehet kështu :” Jam e vogël përpara teje nënë dhe do të mbeten kështu sa frymë të më ketë dhënë Zoti . Me atë shall do të rimbulohem do të ndjejë erën e saj ,shijen  e kripës dhe do të kuptojë se është i nënës ,  i mallit ,i dashurisë prindërore që nuk vdes. Ardhja në jetë asnjëherë nuk përsëritet .Nuk mundet më që nga mitra të rivish sërish . Poetja këtë e di  dhe e shpreh me fjalët se do më ishte fat . Por fatet tona janë të parathëna dhe  të “arkivuara” atje . Nëpër miliona dosje qëndrojnë . Nuk cingërisen . Dhe ska kush ti grisë . Deri sa avitet dita kur në mitrën e femrës të shkojë fryma e Zotit .

Duke folur për poezinë :”Letër nënës në internet” mund të shprehemi se është një ndër arritjet poetike e cila mund të përfaqësoj poetët shqiptarë në antologjitë poetike apo libra shkolle.(Ne Foto-Poetja Iliriana Sulkuqi ne rinine e saj)

 

Filed Under: Featured Tagged With: Gezim Llojdia, iliriana Sulkuqi, leter nenes

Edukimi i brezave përmes mendimit të Mid’hat Frashërit

July 25, 2013 by dgreca

Nga Uran BUTKA/

Mid’hat Frashëri, ka qenë dhe është edukator jo vetëm i një kohe apo i një brezi të caktuar, por edukator prore i një kombi të tërë.

Së pari, gjithë vepra e tij madhore është njëherësh edhe edukuese, madje këtë karakter ajo e ka parësor. Ajo edukon ndjenjat dhe tiparet njerëzore më të mira si dashurinë e përpjekjen për atdheun, lirinë, gjuhën shqipe, librin, humanizmin, fisnikërinë, trimërinë, solidaritetin, dëshirën e merakun për punën, për të vërtetën, sinqeritetin, thjeshtësinë, altruizmin, shërbestarinë, këmbënguljen, tolerancën, respektin reciprok, indipendencën, durimin e të tjera.Qysh në moshën 17 vjeç gjejmë të shprehur tek ai mendimin filozofik për identitetin shqiptar, boshti ku mbështillet e mbahet universi dhe qenia shqiptare. “Qe një koh’ e vjetër, kur shqiptarët besonin e u faleshin yjevet, diellit, hënës, drurëve, shkëmbinjëvet. Që ahere shqiptarët quheshin: shqipëtarë.

Pastaj zunë të besonin që çdo gjë në jetë ka një perëndi…Këta njerëz prapë quheshin: shqipëtarë

Shqipëtarët ishin të tërë të krishterë, gjersa erdhi turku; pas kësaj, disa u bënë muhamedanë… Shqipëtarë të krishterë a muhamedanë, hapni sytë, jemi vëllezër!

Feja është ndrruar, por kurdoherë kemi qenë shqiptarë dhe ashtu duhet të jemi”.

E para, për M.Fashërun: të qenët shqiptar. E dyta: të qenët komb.

Sipas mendimit të tij, nuk mund të jetë një komb i lirë dhe i përparuar, pa qenë i ditur dhe i ndërgjegjësuar.

Ideja e lirisë te Mid’hat Frashëri i ri merr një kuptim e trajtim, që nuk ka ndryshim nga formulimi i sotmë. “Liria është që të mos të të trazojë njeri ty dhe ti të mos trazosh të tjerët”, shkruan ai. Sipas tij, meqë jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e jetën e atyre që së bashku formojnë kombin, atëherë, së pari, liria e çdonjërit sigurohet nga liria e gjithë kombit, së dyti, liria e çdonjërit mbaron atje ku trazohet liria e tjetrit.

Në moshën 18-vjeçare, Mid’hat Frashëri përktheu nga frëngjishtja dhe botoi në shqip “Gyjom Telli” të Lamartinit. Pse pikërisht zgjodhi këtë vepër për ta shqipëruar? Edhe kjo nuk është e rastit. Mit’hati e adhuronte Lamartinin si poet. Por veprën e tij “Gyjom Tell” e zgjodhi ta përkthente në gjuhën e shqiptarëve, sepse këta kishin nevojë për modele liberatorësh si Teli, ngaqë ishin ende nën robërinë e Turqisë. Kjo dëshmon për shpirtin liridashës të djaloshit Mid’hat Frashëri, i cili u bë qysh në rini zëdhënës i ndërgjegjes dhe i veprimit kombëtar shqiptar. “Shqipëtarë, – bën thirrje ai më 1899, – të kemi bashkim, të duam njëri-tjetrin, të zgjohemi, të punojmë me vullnet dhe ahere do të jemi të lirë, të lumtur dhe fatbardhë. Përndryshe, do të humbasim si komb.

Rritur në një mjedis kulturor e qytetar, midis njerëzve më të shquar e më të ditur të kohës, por edhe midis librave, Mid’hati u lidh më shumë se me njerëzit, me librat, që u bënë miqtë e tij më të mirë e të përhershëm. Dëshira e pakufishme për librin që u kthye në një dashuri e në një kujdes atëror si edhe në një përpjekje e në një sakrificë për të qëmtuar e mbledhur këtë pasuri të paçmuar të mendjes njerëzore e mandej për t’ua lënë trashëgim brezave që vijnë, e ka fillesën që në fëmijërinë e Mid’hatit. Ishte 17-vjeç kur themeloi bibliotekën e tij personale me emrin “Lumo Skëndo” (1897); atë e pasuroi dhe e rriti çdo ditë të jetës së tij. Kur shkroi “Testamentin” (1929), ai la trashëgim kulturës shqiptare (Institutit Albanologjik) rreth 40.000 vëllime, nga të cilët pjesa më e madhe ruhet dhe shërbehet në Bibliotekën Kombëtare, përfshirë edhe autorët e vjetër të letërsisë shqipe.

Mid’hati vijoi përpjekjet rilindase për ndriçim mendor e shpirtëror të shqiptarëve si kusht i domosdoshëm i çlirimit dhe i rrojtjes së pavarur të tyre. Në themel të këtyre, M.Frashëri vendos gjuhën shqipe. Motivi i tij në këtë kohë bëhet “Gjuha është rrojtja a vdekja e kombit”. Gjuha jonë është e bukur, e pasur, është shprehje e qenies sonë, e ekzistencës sonë. Sipas M.Frashërit lufta për gjuhën është një formë tjetër e luftës për të rrojtur.

Nuk është rastësi që M.Frashëri ishte kryetar i Kongresit të Manastirit, alfabetit të gjuhës shqipe. Këtë hap të parë për të njësuar alfabetin, – mendon Mid’hat Frashëri, – duhet ta pasojmë me akte të tjerë qytetarie, për t’u bërë vërtet një popull i kulturuar dhe një komb i civilizuar. Një nga këto akte themelore është të shkruarit, të botuarit dhe të përhapurit e librave shqip, sidomos të përdorurit e tyre në shkollat e para shqipe.

Lumo Skendo nuk është vetëm i fjalës, por edhe i veprës rilindëse. Ai i përvishet vetë kësaj pune themeltare. Harton dhe boton tekste për shkollat shqipe, libra diturakë, gazeta e revista kulturore.

“Programi dhe qëllimi ynë është që ta bëjmë një revistë të dobishme, pak a shumë për të gjithë këndonjësit, për nxënësit, studentët, mësonjësit, si dhe për amatorët e këndimit dhe të nxanit, të japim një landë të këndshme për një ushqim moral për çdo intelektual” – thotë Lumo Skendo për angazhimet e revistës “Diturija”.

Lumo Skendo e shikon shpresën e shpëtimit dhe të përparimit të Shqipërisë e të kombit tek qytetaria, që vjen nga puna, nga kamja, nga dituria, nga kultura. “Po e shohim se tani fuqi e njeriut më s’është vetëm te fuqi e grushtit, si në kohë të shkuara, po te qytetarija… Armët e sotme s’janë sëpata dhe kopaçeja, po qytetarija, puna, dituritë, begatija”

Qytetarinë e formon përparimi ekonomik i vendit, përmirësimi i kushteve të jetës, begatia, mentaliteti më i përparuar, psikologjia dhe qëndrimi qytetar larg individualizmit primitiv, si edhe virtytet e tjera.

Mid’hati, si filozof, e koncepton kombin si një bashkësi gjaku, gjuhe dhe territori, por edhe si një konstitucion shpirtëror. Vullneti e përpjekjet e përbashkëta, trimëria e therorizmi, vijnë pas ndërgjegjësimit shpirtëror, ndriçimit kulturor e formësimit moral të një populli. “Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë të madhe. Trimëria e shqiptarëve nuk e shpëtoi dot as Nishin, as Vranjën, as Leskovecnë, që i rrëmbeu Serbia, as Tivarin e Ulqinin që i gllabëroi Mali i Zi, as Çamërinë që e mori Greqia. Shqiptarit aq sa i duhet buka, i duhet dituria e nacionalizma. Për të rrojtur si komb, duhet të luftojmë për t’u bërë e për t’u njohur si komb”.

Këtë tezë ai e zhvilloi plotësisht më pas, kur u shtrua problemi i mëvetësimit të shtetit shqiptar. Ai shndërrohet në një Adam Smith të Shqipërisë. Mit’hati i kuptonte kohët e reja që do të vinin dhe u paraprinte atyre si profet. “Adam Smithi ka të drejtë, thotë ai, që kamja është të punuarit. Por të punuarit është jo vetëm kamja, por edhe shpëtimi, përparimi dhe fatbardhësia e shqiptarit dhe e Shqipërisë, shton Mid’hat Frashëri.

Mid’hati bëhet formuluesi dhe misionari i frymës dhe i lëvizjes së shqiptarizmit që kish lindur si forcë shpirtërore dhe ideore në kohën e Rilindjes “Shqiptarizma filloi të bëhet një farë feje, një besim, jo individual, si me thanë i posaçmë për çdo fis, por një fe e përbashkët, një fe e vetme, ose më mirë akoma feja vetë: njerëz që s’kishin parë kurrë shoku-shokun, të panjohur dhe të padëgjuar gjer dje, gjenin një lithkë dhe një vëllazërim në fenë dhe në besimin e ri, zbulonin se ishin adaptë, më mirë të themi, vëllezër, në kuptimin që ka në disa shoqëri fetaro-politiko-shoqërore…” Që kjo lëvizje të lëshonte rrënjë, të ngjizej e të bëhej dominante, duhej kohë, duheshin përpjekje të mëdha të të gjithëve. Mid’hati iu përvesh kësaj pune gjigante.

“Një komb që ka shpresën të fortë dhe që ka vullnet për të ecur përpara, është i zoti që të sigurojë rrojtjen e tij kombëtare dhe politike të pavarur.”

Këto ide dhe të tjera, janë shprehje e mendimit më të përparuar shqiptar, por edhe europian, që mbart figura madhore e Mid’hat Frashërit. Ai i kuptonte kohët e reja që po vinin dhe u paraprinte atyre si profet.

Protagonist i shpalljes së indipendencës dhe ministër i disa qeverive të periudhës së Pavarësisë, ai u përpoq për themelimin e një shteti shqiptar sipas principeve perëndimore. Me gjithë turbullirat e luftërat që ndodhën, M. Frashëri qysh në fillim të shekullit që shkoi, shtroi dhe mbrojti tezën se shqiptarët janë të aftë të bëjnë shtet. “Duhet vullnet për bashkimin e tyre përpara rrezikut çbërjes së identitetit kombëtar, duhet ndërgjegjësim, punë dhe qytetari”, thotë M. Frashëri. “Një komb, një vend në skaj të Europës moderne, përbën një anakronizmë, një kundërshtim me të”, shkruan ai. “Duhet të na mbushet mendja se një Shqipëri gjysmë e qytetëruar, gjysmë në dritë e gjysmë në errësirë, nuk rron dot dhe shumë kohë… Qytetërimi vjen nga zhvillimi politik, ekonomik, arsimor e kulturor në një Shqipëri të lirë e demokratike.

M.Frashëri priret nga një përpjekje titanike për një jetë mendore të re, për një jetë politike të re, për një jetë shoqërore të re, për një jetë kulturore dhe arsimore të re, për një jetë kombëtare të re, për një horizont të ri”.

Qysh në vitin 1912, ai formulon e mbron tezën se, shpëtimi i Shqipërisë do t’i vijë me anë të vetes sonë. “Më duket se çdo gjë ndreqet, kur të ndreqemi ne vetë. Çdo të lige i priten krahët, kur të ndreqim të metat tona, çdo të keqeje të huaj i priten këmbët kur të bëhemi ne të zotët të mbrojmë të drejtat tona… Atëherë do ta bëjmë botën të na respektojë e ndikojë”. Si njeri me kulturë dhe principe demokratike, Frashëri mendon se, vendet e varfëra dhe larg qytetërimit duhet të përfitojnë nga përparimi ekonomik dhe qytetërimi europian. Por, ai është për të marrë anët pozitive, shembullin e mirë e të përshtatshëm për Shqipërinë, dhe jo për një nënshtrim të verbër. “Disa i kthejnë sytë nga perëndon dielli, jo për të parë një dritë të re, po një errësirë të bukur!”- shkruan ai në mënyrë të figurshme.

Mid’hati është për një zhvillim kapitalist të natyrshëm, me evolucion dhe në mënyrë demokratike, me përsosje të vazhdueshme, për një shtet me karakter shoqnor, siç shprehet ai. Është kundër revolucionit, përmbysjes me armë, kundër rrëmbimit e shtetëzimit të pasurive Ai shprehet kategorikisht kundër sistemit komunist të Rusisë, ku njerëzit kanë gjetur vdekjen dhe shpërbërjen. Zhvillimet në Shqipëri i lidh me rendin demokratik, ku “drejtimi dhe rregulli vijnë nga zbatimi dhe respektimi i ligjit, përkundër anarkisë dhe arbitraritetit”. “Para së gjithash e quaj të nevojshme t’ju them se do të ishte gabim të mendohet që ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri, i shkruan ai konsullit Iden të Anglisë. Është një mendësi e mjerueshme të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë dhe dëshirën për ndarjen e tokave, me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t’u bërë bolshevik e leninist”. Mid’hati është për një sistem demokratik të përafërt me atë të Anglisë, ku “pronarët dhe bujqit bashkëpunojnë për fitimin e përbashkët”.

Ai është për një politikë të urtë dhe ekuilibriste të qendrës, larg ekstremizmit të marrë dhe larg konservatorizmit të verbër: “Në këtë degë të jetës shoqërore problemi më i rëndë do të ishte të mbajturit e një mase të urtë, pa dashur njeriu të bjerë marrëzisht në aparencat e një ekstremizme të marrë, as edhe ta lëshojë veten e tij në mefshtësinë patologjike të një konservatorizme të verbër, përtace dhe egoiste”, shkruan ai.

“Për mua ka vetëm një mënyrë, që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me lëvizjen demokratike”, i shkruan po në atë kohë Idenit.

Mid’hati është për një shtet ligjor, për drejtimin nga institucionet që të mos mblidhet pushteti në një dorë të vetme. “A nuk besoni se duhet të përpiqemi të krijojmë një frymë rregulli dhe solidariteti, të shpëtojmë brezin tonë dhe kombin, përkurdoherë nga nihilizma dhe bolshevizma marlet, të meta që mjerisht i pëlqejnë karakterit tonë të ashpër?” – i drejtohet ai Kostë Çekrezit në SHBA, dhjetor 1925.

Duke shtjelluar teorinë për shtetin e së drejtës dhe marrëdhëniet e tij me individin, M.Frashëri, si europian, është për respektimin e ligjit në një vend të lirë. “Shqiptarin e prishi mosbindja dhe jo bindja, shkruan ai. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit”. Ai kërkon që, shqiptari të çlirohet nga “të qepurit pas qeverisë”, të bëhet sa më i pavarur, së pari, moralisht dhe ekonomikisht. …Përparimi i një kombi varet nga përmirësimi dhe naltësimi i çdo individi, që formon këtë komb”, shkruan ai. Pra, individin, individualizmën, sistemin e vlerave, ai e vë në themel të përparimit. Indipendenca morale dhe ekonomike e individit është e lidhur me rrojtjen politike të një kombi të lirë. Por, ai si idealist objektiv i mëshon më tepër vlerave, sidomos të inteligjencës, elitës, që udhëheq. “Në më thënçin arkimedët e rinj se pika e mbështetjes është paraja, do të përgjigjem: jo vetëm pika e mbështetjes, por edhe maniveli që mund ta kthejë botën, s’është veç inteligjencia”, shkruan ai.

Mid’hati që e njihte jetën politike të Shqipërisë dhe të Europës, madje prej andej u këshillon deputetëve shqiptarë një politikë të urtë ekuilibriste të qendrës, e cila i shërben më mirë Shqipërisë, pa ekstremizma të marra dhe pa konservatorizma të verbëta. “Në Parlament kombi do të bëjë stërvitjen e tij politike, gjithë duke shfaqur zotësinë për një edukatë të tillë. Provim i vështirë, pa dyshim, sadoqë kuvendet, pleqësitë, gjyqet kanë qenë prej institucioneve më të vjetra të vendit. Në këtë degë të jetës shoqërore, problemi më i rëndë është të mbajturit e një mase të urtë, pa dashur njeriu të bjerë marrëzisht në aparencat tërheqëse të një ekstremizme të marrë, as edhe ta lëshojë veten e tij në mefshtësinë patologjike të një konservatorizme të verbër, përtace dhe egoiste”.

Mid’hati gjakon për tolerancën, mirëkuptimin dhe dialogun, si mjete demokratike e humane. Ai është kundër mendësisë dhe praktikës totalitare që kundërshtari politik të konsiderohet armik dhe të luftohet si i tillë për t’u eliminuar siç ndodhi me fashizmin dhe komunizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me sistemin komunist të pasluftës. Për çështje madhore, siç ishin ato të luftës çlirimtare apo të zgjedhjeve politike, M.Frashëri inicion dhe bën kompromisin si një mundësi apo një zgjidhje e mundshme. Shembull i qartë për këtë është Kuvendi i Mukjes, ku u arrit një marrëveshje me përmasa kombëtare ndërmjet Ballit Kombëtar dhe Frontit Nacionalçlirimtar, mbi bazën e tolerancës e të kompromisit për një luftë të përbashkët kundër pushtuesve, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike.

Së dyti, vepra e Mid’hat Frashërit dhe vlera edukative e saj, përputhen plotësisht me jetën dhe moralin e tij personal. Do të sjell vetëm një shembull.

Mid’hat Frashëri dha dorëheqjen nga qeveria e Ismail Qemalit më 30 mars 1913, duke themeluar kështu institucionin e dorëheqjes në shtetin shqiptar. Ai shkoi në Elbasan, këtë radhë, në detyrën e thjeshtë, por të shenjtë të mësuesit të shkollës fillore (1913-1914), duke dhënë shembullin e shërbestarit. Nga ky moment u lidh ngushtë me mësuesinë, e nderoi atë dhe figurën e arsimtarit. “Edhe tani kam bindjen, i shkruan ai një mësuesi elbasanas, se karriera e mësuesisë është ajo, nuk them vetëm më e mira, por edhe më kënaqësiprurësja. Eshtë një detyrë modeste, pa bujë, fort e lodhshme, por që të jep një prehje shpirti, se çdo ditë, çdo muaj, çdo mot shohim me sytë tanë pemën që po rritim me aqë mundime”.

Më 20 janar 1914, Mid’hati u bën thirrje qytetarëve mësimdashës të Elbasanit, që, në shenjë mirënjohjeje për shërbimet që i ka bërë kombit shqiptar, miss Edith Durhamit, t’i blinin një stilograf të florinjtë. Që të kishte përfaqësim sa më të gjerë kjo shenjë nderimi, Mid’hat Frashëri kishte menduar që çdo atdhetar do të paguante veçse 5 qindarka, kështu të blihej me ndihmën e sa më shumë shqiptarëve. Kështu, ai edukonte solidaritetin dhe demokracinë e gjerë. Këtë stilograf prej ari ia dhuroi miss Durhamit, një përfaqësi e qytetit të Elbasanit, e përbërë nga Mid’hat Frashëri, Gligor Cilka, Dr.Ruzhdi Beu dhe Taqi Buda, kur ajo zbriti në Vlorë në muajin gusht, 1914. Mid’hati ishte kujdesur që edhe mbishkrimi i dhuratës të ishte sa më përfaqësues: “Zonjës Edith Durham, shqiptarët mirënjohës, 1914”. Kështu M.Frashëri vlerësonte dhe edukonte mirënjënjojtjen e respektin.

Së treti, duke u nisur nga hulumtimet e studimet e mirëfillta pedagogjike, Mid’hati është edhe një edukator profesionist.

Ai shkruan një sërë punimesh të mirëfillta pedagogjike, ndër të cilët studimi “Për të formuar karakterin”.

Karakterin e një individi apo të një populli Mid’hati e kushtëzon me rrethanat historike, shpirtërore, morale, kulturore dhe mjedisi gjeografik e mënyra e jetesës. Ndryshimin e karakterit (përmirësimin) e lidh me ndryshimin e këtyre kushteve që rrjedhin nga idetë e reja. Elita e një kombi, thotë ai, këtë detyrë parësore ka: Të formojë një opinion tjetër më të përparuar që të bëhet një hap përpara në qytetari dhe në formim të karakterit. Edukata e familjes dhe e shoqërisë, si edhe arsimimi, kultura, janë mjetet më të forta të formësimit të karakterit. Mid’hat Frashëri është idhtar i teorisë së mirësimit, si rrjedhojë më së shumti i ndryshimit të ideve, opinioneve, njëmendësive.

Qysh formohet karakteri? – pyet retorikisht Lumo Skëndo dhe përgjigjet: “Për të formuar karakterin, duhet, më parë se çdo gjë, të dimë të mirat dhe të metat e subjektit tonë, të djalit, të gruas, të burrit ose të popullit. Karakteri formohet me të shtuar të mirat, me të ushqyer virtytet, duke zmadhuar cilësitë dhe, nga ana tjetër, duke pakësuar, lehtësuar dhe zhdukur të metat… Është ajo vepër e përmirësimit, seleksionit moral…Vetëm vullneti i gjatë, mund që të sigurojë seleksionin, të arrijë qëllimin e mirësimit dhe të naltësimit”.

Lumo Skëndo e shtron kështu problemin:

A është karakteri çështje race, trashëgimie, temperamenti, rrjedhur prej klimës, vendit, mënyrës së jetesës, apo mpleksje e faktorëve moralë që dependojnë prej vullnetit dhe dëshirës sonë? A kemi ne në dorë të ndryshojmë gjë, të japim një shtytkë sipas nevojave tona, të ndërtojmë e të mirësojmë apo duhet të deklarohemi robër të mundur përpara fuqive të verbëta, përpara fatit, të pafuqishëm për të ndrequr dhe për të shëruar?

Dhe jep këtë zgjidhje:

Nëse pranojmë pikpamjen e dytë, në qoftë se bindemi që çdo send është i kotë dhe që s’duhet të përpiqemi për mirësim, atëherë nuk na mbetet tjetër, veçse të kryqëzojmë krahët përpara fatalitetit të mortjes. Duhet të pranojmë teorinë e mirësimit të njeriut, veprimin e vullnetit, të kushtëzimeve morale, efektin jo vetëm të përmirësimit të individit, por, edhe më tepër akoma, të shoqërisë, mbi forcën e ideve transformuese. Atëherë mund të mendojmë se si të ndryshojmë kushtet, qysh të krijojmë konditat e mira, qysh të bëjmë që të lindin shtytkat dhe veprimet mirëbërëse, për ta bërë natyrën njerëzore të jetë më e dobishme, pra, për veten e saj, që të jetë në harmoni me nevojat e jetës.

Sipas Lumo Skëndos, shqiptari ka shumë virtyte, po ka dhe shumë të meta. Ai zbërthen virtytet, por ndalet edhe tek të metat, si: karakteri i ashpër, kryelartësia (vetëkapërdisja, mosdurimi i kritikës), mosrespektimi i ligjit (pak i dhënë pas anarkisë), mospëlqimi i të punuarit, rendja pas nëpunësllëkut, sedra e madhe, kotësia etj. “Mjerisht, gjejmë shpeshherë te shqiptari edhe një kotësi të marrë: fryhet si misëroku me erë, dhe në ruzullim nuk sheh veçse vetëhen e tij…. Veçse Lumo Skëndo është për një ambicie që e çon përpara individin dhe kombin dhe jo për ambicionin që është motër e vëlla me kotësinë. “Kemi nevojë që të zgjojmë ambicion kombiar, një lidhkë solidariteti për çdo send që i takon kombit, racës, Shqipërisë. Këtë ndjenjë mund ta ngjallim, duke e bindur nxënësin se, vetëm duke u nderuar kombi, duke u lëvduar Shqipëria, duke qenë me famë dhe me zë të mirë çdo send që i përket Arbërisë, vetëm atëherë edhe çdo shqiptar, çdo njeri mund që të jetë i lëvduar dhe i nderuar si person; me një fjalë, duhet, që të vërë në shërbim të Shqipërisë gjithë ambicionin dhe aktivitetin e tij, që të marrë edhe vetë pjesën më të madhe dhe më të pëlqyer”. Ai i sheh zakonet, të mira apo të liga, të krijuara historikisht, por edhe rastësisht, të ngulitura në kanune, por edhe në opinione të rastit. “Zakonet, adetet, mënyrat e rrojtjes trashëgohen dhe respektohen vullnetarisht, jo me pahir, po me dashje. Thonë, se zakoni është më i fortë se ligji: Ligji inspirohet me fuqi. Kurse zakoni pranohet, duke dashur, shpesh herë edhe duke qenë i keq, i pakëndshëm dhe pa asnjë dobi për atë që i bindet. Pse, pra, i shtrohemi një tiranie dhe nuk na shkon mendja që të përndërkrehemi, ta rrëzojmë poshtë? Cila është fuqia që na shtrëngon? Duhet të dimë mekanizmin e zakonit, qysh lind dhe si vepron, që të mundim të jemi të zotër ta ndryshojmë, ta mirësojmë ose të krijojmë një të ri.

Filozofi Frashëri është idhtar i teorisë se, mirësimi apo ndryshimi i karakterit dhe i zakoneve, si rrjedhim edhe i marrëdhënieve shoqërore, vijnë nga ndryshimi i ideve, opinioneve, njëmendësive. Çdo ndryshim, sipas Lumo Skëndos, qoftë në jetën politike, ekonomike, shoqërore e morale, paraprihet e induktohet nga idetë, mendimet, opinionet e reja, progresive apo regresive. “Njëmendësia mund të nxjerrë në shesh një gjë të mirë, si edhe një gjë të dëmshme, thotë ai. Edhe në punën e bujkut, në atë të blegtorit që kërkon përmirësimin e racës, edhe në atë të politikanit apo edukatorit që kërkon mirësimin e njeriut, vetëm idetë e reja, sjellin ndryshime. Pa mendim, asgjë nuk lëviz përpara. Është fjala këtu për teorinë e ndryshimit ose të mirësimit, siç e quan Lumo Skëndo. Sa për ndikimin e ambientit, të kushteve materiale tek njeriu, apo shoqëria, ai nuk e mohon aspak këtë. Për shembull, kur flet për temperamentin e ashpër apo karakterin individualist të malësorit tonë, Lumo Skëndo e lidh këtë edhe me kushtet gjeografike të Shqipërisë dhe të mjedisit tepër të veçuar e të ashpër ku ai rron. “Mbase kjo është një e metë e rrjedhur prej çukave dhe maleve të Shqipërisë, – thotë Mid’hat Frashëri. Po, kushtet materiale kanë të bëjnë më tepër me konservimin, me qëndrueshmërinë e sendeve e të fenomeneve. Ato na mbajnë verbërisht robër të tyre. Kështu, për të zmbrapsur individualizmin primitiv të malësorëve, mendon Lumo Skëndo, duhet t’i mësojmë njerëzit të vijnë në pjekje me shoku-shokun për të zhvilluar cilësitë e shoqërimit dhe të solidaritetit. Kjo sigurohet me idetë e reja të lëvizjes së lirë të njerëzve, por edhe të ndryshimit të kushteve materiale, qoftë edhe ato gjeografike (mbledhjes së shtëpive të shpërndara në qendra të përbashkëta banimi, ndërtimi i infrastrukturës lëvizëse etj.)

Kushtet materiale që ndikojnë në formimin e karakterit, ai i përmbledh në faktorin “kohë”: “Pa ndihmën e kohës dhe të këmbënguljes, asgjë nuk bëhet në këtë botë”, shkruan ai.

Ndryshe nga rilindësit dhe mjaft bashkëkohës, Mid’hati jo vetëm zbulon plagët, diagnostikon sëmundjet, por edhe gjen ilaçin, shpëtimin, zgjidhjen.

Sipas M.Frashërit zhvillimi ekonomiko-social sjell zgjerimin e lirive dhe ndryshimin e karakterit e të zakoneve, por ai parapëlqen të qëndrojë në planet psikologjiko-moralë, për të dhënë rolin transformues të ideve në shoqëri. Po kjo është njëra anë e medaljes, – mendon Lumo Skëndo, ndofta po aq e rëndësishme, është plazmimi i tyre, mbruajtja e njerëzve, sidomos e të rinjve me ide të reja, përpjekjet e tyre për t’i vënë në jetë ato. Në këtë rrafsh, rol ka puna e intelektualit, veçanërisht puna e mësuesve, si mëkonjësit e diturisë, e të resë, e përparimit. “Për edukimin moral të popullit tonë, rolin kryesor e ka mësuesi, thotë Lumo Skendo. Detyra e tij është nga më të rëndat, por edhe ajo më e shenjta. Është një detyrë pa shkëlqim, pa kënaqësi materiale: gazin e ka në prehjen morale që ndjen mësonjësi, duke parë çdo mot djemt’ e vegjël që rriten dhe hyjnë në tufë të njerëzisë”. Misioni i tij është të mbjellë tek ndërgjegja e çdo nxënësi farët e ideve përmirësuese, ideve të reja që do të ndryshojnë jetën.

Detyra e edukatorit duhet të plotësohet me detyrën e çdo shqiptari, sidomos të brezave që vijnë:

“Për miqësinë që kemi bashkë, i dashuri im mik, tani dua prej teje një therori të vogël: të më shogrosh pesë minuta, çdo mbrëmje, pa të zënë gjumi. Dua që në këto pesë minuta të bësh një pyetje me vetëhen, të bësh një hetim në shpirt dhe zemrën tënde: Ç’të mirë bëre? Ç’të keqe punove? Kërko, rrëmo, shiko dhe vër re: do të gjesh edhe të mirat, edhe të metat. Përpiqu të shtosh të parat dhe të pakësosh të fundit, për kënaqësinë tënde, jo nga frika e ndokujt, as nga ndonjë shtrëngim, sprovo këtë ushtrim dhe, besomë mua, do të jetë një fuqi për frymën tënde. Pastaj, bëj këtë therori edhe në një shkallë më të gjerë: pyet vetëhen tënde, ç’të mirë i prure kombit dhe Shqipërisë, me ç’mënyrë u bëre i dobishëm për ta, nga ç’rasje dite të fitosh dhe cilat rasje të tjera të shpëtuan prej dore? Ç’dëm munde t’i prapsësh shoqërisë dhe ç’fitim u bëre i zoti t’i sjellësh? Ç’nder dhe ç’lumturi përpjekja jote u pruri vëllezërve që të rrethojnë dhe tokës që të ka ushqyer.

Pesë minuta për vetëhen tënde dhe pesë minuta të tjera për Shqipërinë, dëgjomë mua, nuk janë një therori e madhe”.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: edukator per Kombin, Mit'hat Frasheri, Uran Butka

JA STRUKTURA E QEVERISE RAMA

July 24, 2013 by dgreca

Kryeministri i ardhshëm Edi Rama ka paraqur sot strukturën e re të qeverisë së majtë. Rama u shpreh se kjo do të jetë një qeveri e re e bazuar mbi bazën e qeverisë ekzistuese por me mjaftë shkurtime. Të gjitha Ministritë nuk do të ndryshojnë në kompetenca por do të bëhen reforma të thella strukturore të brendëshme. “ Qeveria e re do të jetë një strukturë e ndërtuar mbi bazën e një analize mbi strukturën ekzistuese , që përbën një trup me shumë parazitë dhe që kërkon shkurtime. Qeveria është ndërtuar mbi bazën e prioriteteve të vendit, duke u konsultuar edhe nga strukturat e qeverive të reja në Bashkimin Europian. Do të ketë në fokus përgjegjesi mes sektoreve dhe për të krijuar kushte për një bashkëpunimsa më të mirë mes tyre. Do ristrukturojmë në mënyrë të plotë organikën e kryeministrisë, do të bëjmë shkurtim të kësaj organike, si dhe do të krijojmë një raport të drejtë dhe efikas, mes kabinetit të kryeministrit dhe degëve të ministrive,”u shpreh Rama. “Ministria e Financave nuk ndryshon në kompetenca por do të ketë reformë të brendëshme strukturore. Ministria e Brendëshme nuk ndryshon në kompetenca por do të ketë reformë të brendëshme strukturore Ministria e Mbrojtjes nuk ndryshon në kompetenca por do të ketë reformë të brendëshme strukturore Ministria e Jashtme nuk ndryshon në kompetenca por do të ketë reformë të brendëshme strukturore Do të krijohet Ministria e Integrimit Europian e cila do të marrë një forëm të re, në funksion të detyrave që do të ketë qeveria e re për integrimin në BE. Ministria e Drejtësisë nuk ndryshon në kompetenca por do të ketë reformë të brendëshme strukturore Ministria e Ekonomisë do të ndahet në dy ministri, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarjes dhe në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. Ministria e Punës do të ndahet në dy ministri, në Ministrinë e Transportit dhe Zhvillimin e Infrastrukturës dhe Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Ministria e Bujqësisë do të kthehet në Ministrinë e Bujqësisë Administrimit Ruraral dhe Ujrave Ministria e Arsimit do të bashkohet me Ministrinë e Sportit Ministria e Shëndetësisë nuk ndryshon në kompetenca por do të ketë reformë të brendëshme strukturore Fidel Ylli: Gati të lë mandatin për postin e Ministrit të Sportit Ndërkohë deputeti i PS-së Fidel Ylli është shprehur i gatshëm të lërë mandatin për postin e ministrit të Sportit. Sipas tij, një ministri më vete për sportin është një luks i madh por është edhe e domosdoshme. “Jam gati të lë mandatin për postin e Ministrit të Sportit. Kemi programin e duhur për sportin, investimet në këtë fushë, ulin shpenzimet për shëndetësinë. Misioni im është t’i shërbej zonës zgjedhore dhe Partisë Socialiste. Do të bëjmë ndryshime rrënjësore në sport, duke filluar me bazën ligjore” është shprehur Fidel Ylli.

Filed Under: Featured Tagged With: e qeverise Rama, Ja struktura

Uashington, konferencë për projektin TAP

July 19, 2013 by dgreca

Për Shqipërinë, ky projekt parashikohet të jetë një ndër investimet më të mëdha të huaja deri tani, me vlerë prej rreth 1 miliard euro.

Nga Ilir Ikonomi /Zeri i Amerikes/

Përfaqësues diplomatikë të vendeve që do të përfitojnë nga projekti TAP, gasjellësi që do të furnizojë Evropën me gazin azerbajxhanas, thanë në Uashington se ky projekt i hap një të ardhme të rëndësishme sigurisë energjitike dhe zhvillimit. Ata i bënë komentet në një konferencë për shtyp:Përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Azerbajxhanit në Uashington thanë se shpresojnë që projekti TAP të vihet në jetë sa më shpejt në këtë rajon të uritur për zhvillim.

Për Shqipërinë, ky projekt parashikohet të jetë një ndër investimet më të mëdha të huaja deri tani, me vlerë prej rreth 1 miliard euro.
Ambasadori i Shqipërisë, Gilbert Galanxhi tha se sot për sot Shqipëria varet nga trillet e natyrës për nevojat e saj energjitike:
“Nëse bie shi ose borë, ne kemi energji, përndryshe nuk kemi. Prandaj ky projekt është shumë i rëndësishëm për diversikimin e burimeve të energjisë, sepse tani ne kemi një mjet të sigurtë për zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri,” tha zoti Galanxhi.
Gjatë fazës së ndërtimit, TAP-i do të hapë vende pune në Shqipëri dhe do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës.
Zoti Galanxhi tha se për këtë arsye projekti gjeti miratim të përgjithshëm në Shqipëri, pa dallime partiake:
“Duhet të theksoj sot se qeveria shqiptare i dha mbështetje të plotë politike projektit. Jo vetëm qeveria por edhe opozita e asaj kohe, e cila do të jetë shumicë qeverisëse në shtator. Pra, marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, dhe më pas marrëveshja e nënshkruar me TAP-in, u miratua njëzëri në parlament.”
Gazsjellësi Transadriatik, ose Korridori Jugor i Gazit, vendos një lidhje të drejtpërdrejtë mes tregut azerbajxhanas dhe atij evropian të gazit. Më 28 qershor të këtij viti, konsorciumi Shah Deniz zgjodhi TAP-in për furnizimin e klientëve në Greqi, Itali dhe Evropën Juglindore.
Për sa i përket Shqipërisë, ajo shpreson të ketë përfitim të ndjeshëm, sepse gazjellësi do të përshkojë territorin e saj, duke filluar nga Bilishti në kufirin me Greqinë dhe duke kaluar në veri të Fierit me një shtrirje prej 209 kilometrash deri në Adriatik, në zonën e Semanit, për të përfunduar në Itali.
Projekti TAP i jep një shtytje përpara aspiratave për integrim evropian të Shqipërisë, e cila shpreson që brenda këtij viti të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, furnizimi i vendit me gaz i përket fazës së dytë të projektit, sepse Shqipërisë i duhet fillimisht të zhvillojë tregun e saj të gazit.
Në kushtet e vështirësive me të cilat përballen vendet e Evropës juglindore, sidomos Greqia, projekti TAP është parë si nxitës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, prandaj miratimi i tij është bërë me shpejtësi dhe nuk ka hasur pengesa në asnjërin prej vendeve të interesuara. Secili prej këtyre vendeve shikon përfitime.
“Për Greqinë, TAP-i do të jetë katalizator për të krijuar vende të reja pune, për të shtuar të ardhurat dhe begatinë. Ky projekt është gjithnjë e më i rëndësishëm, në kushtet e gjendjes së vështirë financiare të vendi,” tha Kristos Panagopulos, ambasador i Greqisë në Uashington.
Edhe Italia e ka pritur me entusiazëm projektin, i cili do të hyjë në territorin e saj përmes Detit Adriatik.
“Ky projekt forcon pozitën e Italisë si pikë nevralgjike për energjinë në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye qeveria italiane është mjaft e angazhuar për të ndjekur nga afër të gjitha fazat e zbatimit,” u shpreh Lorenzo Galanti këshilltar i ambasadës së Italisë.
Italia është tregu i tretë më i madh i gazit në Evropë dhe sot për sot varet shumë nga Afrika e Veriut për furnizimin me energji.
TAP-i ka mbështetjen si të Bashkimit Evropian ashtu edhe të Shteteve të Bashkuara.
Ndërtimi i Gazjellësit është planifikuar të fillojë në vitin 2014 dhe pritet të zgjasë katër vjet.

Filed Under: Featured Tagged With: Galanxhi, Ilir Ikonomi, Ne Washington, TAP

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 866
  • 867
  • 868
  • 869
  • 870
  • …
  • 901
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. promovon romanin “Brenga” të Dr. Pashko Camaj 
  • ASOCIACIONI SI ENTITET PARA-SHTETËROR APO VETËMENAXHIMI SI GARANCI E RUAJTJES SË RENDIT KUSHTETUES NË KOSOVË
  • Luana Bajrami, aktorja nga Kosova feston 25 vjetorin me Oscar dhe hyn në Histori
  • Çfarë e bën mashkullin burrë?
  • Pse Hoxhë Hasan Tahsini ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll
  • Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
  • Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por stresi i jep krahë: Pse biem pre e gënjeshtrave?
  • Shuhet lahutari rugovas Rrustem Bajrami-Imeraliaj, 1932-2026
  • PËKUSHTIM XHEVAT KORҪËS
  • Shqiptarët në Philadelphia festuan Ditën e Verës
  • RAKETAT SUPERSONIKE TË SERBISË: SINJAL ALARMI PËR SIGURINË NË BALLKAN
  • MONOGRAFI E RËNDËSISË SË VEÇANTË
  • BALLKANI PERËNDIMOR NDËRMJET ARKITEKTURËS SË PAQES DHE RREZIKUT TË RIFORMATIMIT GJEOPOLITIK
  • Zgjidhja e mençur angleze e Shekullit XIX – Krijimi i Pullës Postare
  • Love Bombing si dukuri digjitale

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT