• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJERGJ HANI, 16 VJEÇARI QË SFIDOI REGJIMIN KOMUNIST DUKE TENTUAR ARRATISJEN I VETËM

August 14, 2021 by s p

Gjergj Tomor Hani, i persekutuar, i përndjekur, i burgosur dhe i dënuar prej regjimit komunist shqiptar, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, arrestimin, vuajtjet, dhunën, torturat, përgjimet, hetuesinë dhe qëndresën në burgjet komuniste të shqiptarëve të pafajshëm. Me Gjergj Hanin bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

PERSEKUTIMI I FAMILJES SË GJERGJ HANIT, GJYSHI U DËNUA 101 VITE BURG

Quhem Gjergj Tomor Hani, i datëlindjes 13/05/1969. Lindur dhe rritur në Durrës në një familje antikomuniste. Gjyshi nga babai, Eqerem Hani kishte mbaruar shkollën teknike amerikane që asokohe drejtohej nga Harry Fultz. Pas lufte, meqënëse ishte njohës i mirë i gjuhës anglëze punoi si përkthyes pranë misionit amerikano-britanik të U.N.R.A-s. Pas prishjes së marrëdhënievë diplomatike me Britaninë e Madhe dhe me SH.B.A-në, fakti që kishte punuar si përkthyes pranë këtij misioni, u përdor si akuzë ndaj tij për ta dënuar si agjent në shërbim të anglo-amerikanëve. U dënua me 101 vite burg, dhe u dërgua për të vuajtur dënimin në kampin që punonte për tharjen e kënetës së Maliqit. Gjyshja, nëna e babait kishte një vëlla dhe një djalë xhaxhai të pushkatuar nga komunistët menjëherë pas çlirimit, si dhe një vëlla tjetër që u arrestua në vitin 1975 më akuzat e sabotazhit dhe agjitacion e propagandës, dhe u dënua më 25 vite heqje lirie. Edhe ky vëlla i gjyshes vdiq në burg në pranverën e vitit 1990, në një “aksident” në punë tejet të dyshimtë. Pra kjo ishtë klima politikë në të cilën u linda dhe u rrita.

ARRATISJA PREJ NJË REGJIMI QË DUKEJ SE NUK DO BINTE KURRË

Vdekja e diktatorit Hoxha më gjeti nxënës në vitin e dytë gjimnaz. Natyrisht që si shumë nga ata që prisnin e dëshironin rënien e komunizmit, edhe unë, e lidhja në mënyrë të pashmangshme rënien e rëgjimit me vdekjen e diktatorit, gjë e cila nuk ndodhi, dhe sot kuptoj së kjo pritshmëri ishte tejet naive. Menjëherë pas vdekjes së Hoxhës, u vu re një shtim i represionit nga organet e sigurimit të shtetit, që natyrisht i druheshin ndonjë përmbysje të papritur të sistemit që mund të vinte si pasojë e vdekjes së atij që përfaqësonte e ishte de facto mishërimi total e totalitar i atij regjimi. Duke parë masat represive, që të krijonin përshtypjen e soliditetit e qëndrueshmërisë së regjimit, e mungesës së dukshme të vullnetit për të ndryshuar, mu krijua bindja së ky regjim nuk do të binte kurrë në Shqipëri, dhe vendosa pa asnjë mëdyshje së unë nuk do ta kaloja jetën duke pritur të ndodhte ajo që për mua në atë kohë kishte shumë pak gjasa të ndodhte, në mos ishte e pamundur. Pra vëndosa të tentoja arratisjen. Për të shmangur ndonjë dekonspirim të mundshëm të tentativës simë, evitova ta bisedoja më njëri vëndimin tim, e duke qenë tërësisht e bindur në atë që kisha vëndosur të bëja nuk e ndjeva të nëvojeshme të kisha shokë. Duke e ditur fare mirë së ishtë shumë e vështirë ti afrohëshe zonave kufitare fillova të kërkoj një mënyrë dhe një vënd, ku të ishte e mundur ti afrohësha sa më shumë kufirit pa rënë në sy, dhe vëndi më i përshtatshëm mu duk zona e Pogradecit, meqënëse treni asokohë ndalonte në Gur-Kuq.

NJË 16 VJEÇAR QË SFIDOI REGJIMIN DUKE TENTUAR ARRATISJEN I VETËM

Më 27 Maj 1985, rreth një muaj pas vdekjes së Hoxhës tentova të kaloj kufirin në afërsi të fshatit Lin. Për një fatalitet që mund të shmangej u kapa nga një ushtar i kufirit rrëth 80 m pa dalë matanë. Kapja ime asokohe bëri një bujë të madhe, pasi u konsiderua si një këmbanë e rrëzikshme alarmi për organet e sigurimit dhe të partisë. Me sa mora vësh më vonë, sekretari i parë i rrethit Durrës, që në atë kohë ishte Muho Asllani, thirri një mbledhje urgjente në komitetin e partisë, e duke ulërirë i pyeste të pranishmit në mbledhje së si ishte e mundur që një 16 vjeçar të tëntonte të arratisej i vetëm. Gjatë periudhës së hetuesisë që u zhvillua në birrucat e Degës së Punëve të Brëndshme Durrës hetuesi u përpoq të mësonte nga unë se me kë kisha biseduar, e kush më kishte shtyrë të ndërmerrja një veprim të tillë? Këmbëngulën gjatë që të më bënin të pohoja së kishte qenë familja ajo që më kishte ushqyer ide të tilla, pasi nga hetimet e tyre në rrethin shoqëror të shkollës, natyrisht që nuk kishim mësuar asgjë, pasi kisha qenë shumë i kujdesshëm në bisedat dhe sjelljen time, madje mund të konsiderohesha një nxënës shumë i mirë. Pa dyshim që mohova çdo përfshirje të familjes sime në aktin e kryer, dhe për këtë isha në të vërtetën e në të drejtën time, pasi nuk kisha biseduar me askënd. Meqënëse tentativë e arratisjes konsiderohej si Tradhëti ndaj Atdheut, ky “krim” gjykohej nga gjykata ushtarake, dhe ditën e gjygjit u përballa më Spartak Brahon, që asokohë ishte gjyqtar ushtarak pranë gjykatës së Durrësit. Gjygji u bë me dyer të mbyllura, dhe merrte pjesë vetëm disa familjarë dhe një përfaqësi e trupit pedagogjik të shkollavë të qytetit.

DËNIMI I TË MITURVE, SHQIPËRIA KOMUNISTE SHKELTE KONVENTËN PËR TË DREJTAT E NJERIUT DHE TË MITURVE

U dënova më 10 vjet heqjë lirie që për arsye të moshës së mitur u përgjysmuan në 5 vjet. U dërgova për të vuajtur dënimin në repartin e riedukimit 311 Qaf-Bar në Tuc të Pukës. Ndonëse në bazë të Konventave Ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut dhe të miturve, (të cilat ishin njohur e firmosur edhe nga Shqipëria e Hoxhës,) një i mitur nuk mund të dërgohej në një kamp punë, pra në shkelje të atyre konventavë që vetë komunistët kishin njohur e firmosur, unë u dërgova pikërisht në një kamp pune, ku fiks një vit më parë kishte ndodhur një revoltë e të burgosurve, rrevoltë e cila u shtyp me dhunë e me gjak. Le të imagjinoni klimën e terrorit që gjeta në kamp! Sapo zbritëm nga autoburgu, pas 8 orëve rrugë të mundimshme, të lidhur siç ishim dy e nga dy, ndërkohë që një zinxhir i gjatë përshkonte të gjitha prangat tona si një rruzarë e dhimbjes, që bënte të pamundur edhe lëvizjen më të vogël, pa i shkaktuar dhimbje vehtes dhe shokut që kishe në krah. Autoburgu ishtë një rreth ferri më vehte që i paraprinte rrethit të kampit. Ishte një kazan llamarine, një vrimë e errët e pa ajër montuar në telajon e një kamioni IFA. Orët e atij rrugëtimi, mes diellit që digjte pa mëshirë, mungesës së oksigjenit, e të vjellave të shkaktuara nga tronditjet e rrugëvë të pashtruara, dukeshin pa fund, ashtu siç pa fund ishte zbritja në rrethin e nënte të ferrit të kuq, ku për shumë kënd, vdekja mund të konsiderohej “kapak floriri”. Tashmë jeta më ka mësuar që rastësitë nuk egzistojnë, ndaj jam i bindur që u dërgova në Qaf-Bari më synimin e qartë për ti shtuar ndëshkim ndëshkimit, e dhimbje të tjera dhimbjes. Në Janar të vitit 1986 u lirova, pasi përfitova nga amnistia e shpallur atë vit me rastin e përvjetorit të shpalljes së republikës.

LIRIA QË ZGJATI SHUMË PAK…

Menjëherë pas lirimit, me të mbërritur në Durrës, u paraqita në Degën e Punëve të Brëndshme dhe dorëzova fletën e lirimit. Kjo ishte një praktikë e detyrueshme për çdo të burgosur politik, i cili që nga ai moment vihej nën vëzhgimin e policisë politike, apo sigurimit, siç quhesh rëndom asokohe. Familja kërkoi që unë të vazhdoja shkollën, por natyrisht një kërkesë e tillë nuk u pranua, dhe më dërguan të punoja në ndërmarrjen e komunale-shërbimit, në brigadën e kanalizimeve. Ajo brigadë ishte e përbërë nga ish të burgosur ordinerë, dhe merrej më zhbllokimin e kanaleve, apo hapjen e kanaleve të rëja nëpër qytet. Natyrisht që u dërgova të punoja pikërisht aty, jo pa qëllim! Të punojë me kazëm e lopatë në mes të qytetit, i llangosur prej baltës e pluhurit, bënte pjesë në “dekorin” e poshtërimit, depërsonalizimit e vuajtjes që regjimi u rezervonte të gjithë atyre që bënin pjesë në listat e tij të zëza, ndërkohë që prisnin radhën për tu kthyer sërish aty, prej nga kishin dalë rastësisht, o si pasojë e një fataliteti të padëshiruar për regjimin, gjë e cila ndodhi edhe më mua. Kësaj radhe u siguruan që të mos dilja më. Më lanë të mbushja 18 vjet, më qëllim që të mërrja dënimin e plotë, dhe në Korrik të ’87 më arrëstuan sërish më akuzën e: Përgatitje për Arratisje, dhe Agjitacion e Propagandë. Natyrisht që ishte një proces krejtësisht i montuar e i sajuar më ndihmën e dëshmitarëvë të manipuluar nga trysnia e frikës që ngjallte Sigurimi i Shtetit nëpërmjet shërbëtorëvë të tij të zellshëm. Pas një muaji hëtuesi u largua hetuesi Zamir Stefani dhe çështjën time e mori Agim Ferizaj, i cili asokohë ishte z.shef i hetuesisë së rrethit Durrës më specifikën e krimeve politike.

TORTURË DHE PRESION NDAJ FAMILJES

Ndërkohë familjes sime nuk i pranonin ushqimet dhe ndërresat që më sillte, ndërsa mua më thoshin se familja më kishte mohuar si armik i partisë e popullit i cili isha. Natyrisht që tashmë kisha një eksperiencë të mjaftueshme për të kuptuar këtë lojë naive të sigurimit për të më kundërvënë ndaj familjës, që kështu të më nxisnin të flisja kundër tim eti e xhaxhallarëvë të mi. U thashë së nëse më kishin mohuar mirë kishin bërë, pasi ata kishin jetët e tyre e unë timen. Pas 6 muajsh hetuesi më nxorën në gjygj dhe më dënuan me 11 vjet heqjë lirie e më pas më çuan sërish në Qaf-Bari. Ndërkohë babanë tim të ndjerë, e kishin hequr nga puna me arsyetimin se Kantieri Detar Durrës ishtë zonë kufitare, e aty nuk mund të punonte më babai i një armiku konseguent e të betuar siç isha unë. Nëse herën e parë nuk e dija se ç’ishte Qaf-Bari, tashmë edhe pse e dija uroja të më çonin sërish atje, pasi njihja ambientin e kisha njohur njerëz të mirë, dhe e konsideroj vehten me shumë fat që kam patur nderin të ndaj me ta ato vite të vështira të jetës sime.

TË BURGOSURIT E DIKTATURËS, HERONJ DHE NJERËZ TË LARTË

Në burg kam njohur Nuredin Sula, njeri më botë e ndershmëri civile e intelektuale si pak-kush. Kam njohur Artan Geco, një djalë që vinte nga bota universitare, e me një dialektikë sokratianë mendimi, që kërkonte e vinte në pah kontradiktat në çdo bisedë. Kam njohur Valer Dyrzi, një djalë që vinte nga sallonet e mira të Tiranës, artist me botë e më shpirt prej njeriu të lirë. Kam njohur Lutfi Këlmendin e Sejfulla Teta, njerëz kurajozë që nuk e ulën kokën kurrë, të cilët kishin kurajon të mos e gëlltisnin gjuhën, por të thoshin atë që mendonin sy me sy me Ludovik Cali-n, shefin e policisë së kampit, xhelatin e Qaf-Barit. Kam njohur Beqir Caushin, që theu rrethimin e tentoi të fitonte lirinë e mohuar në emër të popullit. Sot këta njërëz jetojnë jetët e tyre pa zhurmë e pa bujë, por nëse ka diçka të mirë brënda meje, pa dyshim që aty janë edhe gjurmët e tyre.

FERRI I BURGUT…

Natyrisht që lexuesit dhe ju miku im prisni që unë t’ju rrëfej se si ishte ferri i burgut komunist! Se si ishim të detyruar me dhunë, uri, dhe nga nevoja e shumë prej nesh që të ndihmonin familjet e tyre, që të punonin si Sizifi nëpër ato galeri ferri që kullonin acid! Së si ne rriheshim, dënoheshim me birucë në palcë të dimrit, apo si ktheheshim edhe një turn tjetër për të bërë normën nga e para! Se si ishim të detyruar të dëgjonim për orë të tëra njërin prej nesh që na lëxonte veprat e “ndritura” të Hoxhës që do të na riedukonin, apo si prisnim zbathur në dëborë që policia të dilte nga ambientet e ngrohura për të na kontrolluar! Them se nuk ja vlen! Nuk ja vlen pasi penë shumë më të mira se e imja e kanë përshkruar me detajë atë rrealitet të dhimbshëm! Nuk ja vlen pasi rrëfimi i dhimbjes lakuriq e si fakt në vetvehte, nuk shtron pyetje! E shumta që mund të bëjë, është të ngjallë mëshirë, e në këndvështrimin tim mëshirën nga përçmimi e ndan vëtëm një hap. Ne nuk këmi nevojë të rrëfejmë! Rrëfënjat ngjasojnë me mitet e nuk varën nga objektiviteti i historisë si shkëncë, por i subjektivizmit të individit që i prodhon.

NEVOJA PËR TË VËRTETËN DHE NJË ANALIZË HISTORIKE

Ne kemi nevojë për një analizë historike që nuk mund të ndodhë pa u shkruar ajo! Kemi nëvojë për një analizë të bazuar në fakte, shifra, që shkojnë përtej ndodhive personale që mund të dëformohen nga faktori kohë, këndvështrimi personal, konfliktet e brëndshme mbi çka vërtetë ka ndodhur e çfarë duhet të ndodhte! Ne nuk këmi nëvojë për rrëfenja makabre që mund të gudulisin kuriozitete të sëmura! Ne kemi nevojë për të vërtetën, e në këndvështrimin tim, them se e tërë çështja këtu ngëc! Ngëc në raportin tonë konfliktual me të vërtetën! Shiko miku im, e vërteta nuk është kurrë e bukur, e nëse has ndonjë të tillë nuk është ajo! E vërteta është brutale, e shëmtuar, indiferente, dhe për rrjëdhojë e pamëshirshme, e që të përballesh me të duhen këllqe, kurajo përtej së imagjinueshmes e mbi të gjitha vetëdijë e kthjellët! Cilësi këto që mund ti gjësh vëtëm tek një njeri i lirë! Shpesh dëgjojmë të na thonë se ne shqipëtarët kemi luftuar gjithmonë për liri! A është kështu!? Ne ndoshta kemi luftuar, por edhe kur e kemi bërë, këmi luftuar për çlirim e jo për liri, pasi liria është një rrugë e brëndshme që njëriu mund ta bëjë edhe mes telave gjëmbaçë të një burgu.

PAS NË KOHË…

E shkuara dhe e sotmja shqiptare shkrihen natyrshëm në distopinë e tyre! Shkrihen natyrshëm pasi na thonë se demokracia është system politik, ndërkohë që zgjedhjet e fundit në Amerikë e hodhën poshtë katërcipërisht një teori të tillë! Jo miku im, demokracia nuk është system, është shkallë evolucioni të çdo individi që përbën një shoqëri të caktuar, e kur ky evolucion ndalet, të njëjtën gjë bën edhe dëmokracia! Aq më tëpër kur bëhët fjalë për një model të importuar, e jo të gjenëruar e të aplikuar si nevojë e brëndshme e një shoqërie! Shiko miku im! Ne ngatërrojmë lëvizjën e lirë me lirinë, tregun e lirë më lirinë, fjalën, shpifjen, trillimin e lirë me lirinë, e nuk arrijmë të kuptojmë se liria përmbledhur në një koncept të thjeshtë, qëndron në faktin se: Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të ta bëjnë ty. Ne kërkojmë të dimë së si ndodhin fenomenet shoqërore e jo përse ndodhin, e ndaj nuk arrijmë të shohim dritën e diellit dje dhe sot! Dje ku konflikti social, apo lufta e klasave e shtrirë në kohë – hapsirë kulminonte në materializmin dialektik, dhe sot, ku materializmi financiar i shtrirë në kohë – hapsirë kulminon në konfliktet sociale, në arrogancën e pushtetarëve, në injorancën e masave. Rrealiteti shqiptar sot është një rrealitet i përçudnuar, distopik, produkt i projeksioneve mentale të atyre që e përbëjnë, e klasa politike nuk bën tjetër veç kalëron verbërinë e turmës duke shtuar distopinë e përceptimeve. Me një fjalë miku im, ne pashmangshmërisht i nënshtrohemi teoremës se: “Kush kontrollon të tashmën, kontrollon të shkuarën! E kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen”. 

Filed Under: Featured Tagged With: Gjergj Hani, regjimi komunist, Sokol Paja

The United Nations issues “Mother Teresa” commemorative stamps on August 12

August 13, 2021 by s p

Source: https://min.news/en/collect/f041a0e462355e1a9c7d06e2d90299bd.html

Philatelic News (JiCang.vip), the United Nations Postal Service will issue a New York version of regular stamps on August 12, 2021 to commemorate Mother Teresa. This is the fifth stamp of the great man series issued by the United Nations Postal Service. This series of stamps is still created by the engraver Martin Mock, so it maintains a unified style! At the age of eighteen, she went to India and devoted herself to helping the poor. She became an Indian citizen in 1948 and founded the Missionary Sisters of Charity in Calcutta in 1950 (also known as Boji), which serves the poor and the dying of the city, and thus acts to attract the world. Attention. For 45 years, she served the poor, the sick, orphans, and the dying, while instructing charity missionaries to expand their services to India and other countries, opening shelters, and providing care and assistance to the poorest and homeless. Shelter service. Mother Teresa’s work has been recognized and praised all over the world, and she has received numerous awards and honors. In 1979, Mother Teresa won the Nobel Peace Prize for her “work and achievements to eliminate poverty and hardship that threatened peace”. The general stamps of the United Nations Characters series began to be issued in 2018. The first group is “Nelson Mandela”, the second group is “Kofi Annan”, the third group is “Mahatma Gandhi”, and the fourth group is “Florence. Nightingale, the fifth group “Mother Teresa”.

Filed Under: Featured Tagged With: Mother Teresa, Stamps, United Nations

AMERIKA DHE DEMOKRACIA SHQIPTARE

August 13, 2021 by s p

Nga Andon Andoni

Shpesh kam menduar se ngjarjet, situatat, bëmat dhe zhgjëmat e një grupi njerëzish, shoqërie, por dhe kombesh, shkojnë dhe përsëritën si në ato rrathët ciklikë përgjatë historisë.

Koha është ajo që i ridimensionon dhe vendos se në cilin kah tësaj do të mbeten “të inventarizuara”: në atë të zhvillimeve pozitive dhe progresit, apo në atë tëpengimit dhe regresit të përkohshëm? Por ngjashmëritë, nganjëherë janë troditëse si ngjashmëri. Duke sjellë në vëmendje Amerikën dhe ndihmesën e saj të gjatë, ndaj vendit tonë, po sjell për lexuesin, një kohë historike të marrëdhënieve të saj me ne dhe një elite shqiptarësh, më saktë me tri personalitete si dikur më 1919, dhe sot pas njëqint vitesh më 2019. Në 2 shtator, 1919, tri burrat e mirënjohur në kontributin mëmëdhetar, për të njohur Shqipërinë e drobitur, si vend i pavarur të dalë nga Lufta e ParëBotërore,(edhe sot, në plot fusha të jetës, si për shembull në atë të emigrimit masiv, vendi ynë si i dalë nga Luftrat duket); T. Erikson, miku i madh i Shqipërisë, Kostë Çekrezi, botonjës dhe përfaqsues i Vatrës pranë Qeverisë Amerikane, dhe Kristo Dako, Kryetar i Partisë Popullore, për herë të parë, në historinë e kombit, priten në Senatin Amerikan për t’u dëgjuar[1]. Asnjëherë nuk ishte formuar një Komitet apostafat për çështjen shqiptare, ndaj ky i shtatorit të 1919 ka hyrë në histori si dëgjesa e shqiptarëve përpara Senatit Amerikan (Komitetit të Politikës së Jashtme). Atë se ç’ka ndodhi me dëgjesën e tyre, në Senat, do t’i spjegojmë më poshtë sipas dokumenteve të kohës dhe situatave politike dhe gjeopolitikës që përfshinte edhe vendin tonë të vogël, por tani pas 100 e ca vitesh, në mënyrë kaq të ngjashmë, sërish tri burrat e politikës së sotme, bëjnë përpjekje të kenë akses mbi një “dëgjesë” të tillë pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili, për hir të së vërtetës, ka mbajtur një qëndrim imponues të thukët, që më implementimin,(ide, drafte, fonde dhe logjistike, burime njerezore) e Reformës nëDrejtësi si guri i themelit për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza gjithëdimensionesh e demokracisë dhe shtetit ligjor dhe deri tek shpalljet nongrata për politikanët tanë. Dihet që meangazhimin ndaj reformës në Drejtësi, prej më se pese vitesh, Amerika është ulur këmbëkryq, në të mirë të shqiptarëve. Ndryshimi i vetëm me atë kohë të 1919-tës,është se tashmë këtyre“Tri burrave të sotëm”, ështëAmerika që po ju qaset dhe Jo ata asaj, (së paku në dukje)dhe “të treve”, në mënyra thuajse krejt të ndryshme, Njërit, Të gjatit, është duke i dhënë votëbesim e mbështetje të hapur, siç do donin të ndodhte para 100 viteve; T. Eriksoni, Dako dhe Çekrezi! Burrit të opozitës, duke veçuar popullin opozitar dhe Partine Demokratike,(apo burravesiç përfshijnë disa edhe ish kryetarin e saj themelues), Amerika ia ka mbyllur derën apo ia ka përplasur disa herë mbi fytyrë, duke e lënë të zhgënjyer dhe me kokë mënjanë, paçka deklaratave publike se “e kemi mik të madh dhe strategjik, Amerikën”. Kjo përfaqësi, ka mbetur e zhgënjyer. Elektorati i saj, po se po. Kauza “për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, të pa vjedhura dhe të pa financuara nga paratë e krimit, u bë kaq e shpërlarë dhe bajate pas humbjeve tënjë pas njëshmeelektorale duke mos pranuar fare pluhur mbi veshë,të kujton fabulën e La Fontenit të dhelprës me rrushin. Një kërkesë që, duke pasur parasysh, mbështetjen Amerikane, Gjermane dhe mëgjerë ndaj Pushtetit, dhe situatën e demokracisë së brishte në vend, (duam s’duam ne)do ishte siç ndodhi edhe pas këtyre zgjedhjeve me njëmijë probleme(sipas OSBE-ODIR) serish një vërë në ujë.Për analogji, po hedh më poshtë edhe kërkesat e Çekrezit(në rolin e opozitarit të dikurshëm) në Senat para 100 e dy vitesh. Foli për zgjedhje edhe ai. Për të drejtën e votës…Si një njeri i lirë dhe që besonte tek demokracia e votës, ai iu drejtua senatit me këto fjalë: Ne duam që e drejta e votës (plebescite) të përhapet në Shqipëri në maksimumin e fuqisë. Njerëzit të jenë të lirë të flasin për veten. Ne jemi gati të jetojmë me verdiktin e tyre pavarësisht nëse na favorizon ose jo në kauzën tonë. A mos po kërkojmë shumë? Ende Konferenca e Paqes nuk duket të jetë e gatshme të pranojë këtë të drejtë elementare të shqiptarëve… Fatkeqësisht, Shqipëria nuk është e mbështetur nga asnjë fuqi e Madhe. Kjo është arsyeja që ne e kemi pritur me kaq mirënjohje lajmin e mundësisë së dëgjimit përpara këtij komiteti, i cili në sytë tanë, duket i paanëshëm. Çfarë presim nga ju është të mbështesni të drejtën e votës (plebescite) në çdo territor shqiptar. …Zoti Kryetar dhe anëtarë të nderuar! Tre milionë njerëz shqiptarë e vlerësojnë lirinë mbi çdo gjë tjetër dhe kanë luftuar për të ndër shekuj. Tani i kanë sytë nga ju, si mundësinë e fundit, për t’i mundësuar atyre të ushtrojnë të drejtën elementare të vetë-shprehjes, që i takon qenieve humane. A nuk i kanë edhe sot e gjithë ditën shqiptarët sytë nga Amerika për t’iu mbrojtur të drejtën e votës dhe lirisë? Kur, si para 100 e ca vitesh, Evropa, “ende nuk paska qënë fort e gatshme për një mbështetje të tillë ndaj nesh”?!….

Gazeta “Albania” për pritjen e T. Erikson, K. Çekrezit dhe K. Dakos në Senatin Amerikan

Por le të kthehemi edhe njëherë tek Senati Amerikan në atë fillim shtatori 1919. Eriksoni ia kushtoi fjalën e tij paraqitjes së shqiptarëve ashtu siç i kishte njohur: “Tek shqiptarët gjen virtyte të cilat do ishin të dëshirueshme për shumë popuj të përparuar. Propaganda sistematike i ka paraqitur ata si armiq të qytetërimit dhe plaçkitës, por kjo është një gënjeshtër… Ata janë inteligjentë, fisnikë, punëtorë, mikpritës… besnikë deri në vdekje. Të tillë popull kam njohur unë dhe jam krenar që sot po e përfaqësoj këtu”[2]. E, pra, a ka ende një fije virtuti, fisnikërije, inteligjence, etj prej kësaj klase politike të përfaqsuar nga këta Tri burrat e sotmë, për t’i hapur udhë dialogut, mirkuptimit, besnikërisë ndaj popullit dhe Shqipërisë, që të hyjnë në udhën e prosperitetit, punës dhe përparimit? Jehona e 2 shtatorit 1919, kur delegatët shqiptarë paraqitën mendimet e tyre përpara Komitetit për politikë të Jashtme të Senatit Amerikan, u përhap si valët e detit tek të gjithë shqiptarët. Të tre liderët: Erikson, Çekrezi dhe Dako shikoheshin me admirim dhe respekt të veçantë brenda dhe jashtë Amerikës.(Thua të kenë admirimedhe sot shqiptarëtndaj Tri burrave tanë?!)Megjithatë më e rëndësishmja mbetej deklarata e Eriksonit, duke pasur parasysh se ai ishte misionar amerikan në Shqipëri. Fjalët e tij: “dhe unë  jam krenar që po i përfaqësoj këtu shqiptarët”[3] u bënë lapidar për çdo zemër shqiptare. Burri i Tretë i sotëm, duket se është në lojën, e kungulleshkës, “e ka kush e ka” dhe më së shumti bën plotësime. Dhe deklaratat e tij, në emër të kushtetutës, ligjit, kapërcimet pindarike të herë pas hershme dhe pozita e tij e rrëgjuar së brendshmi,edhe pas përgjigjeve Veneciane që s’pinë ujë askund, sot për sot, vetëm sa qëndrojnë si plotëza foljorë, sa për t’u regjistruar!? Nuk do më vinte mirë ta përqasja me Dakon, por ngjashmëria është preçize. “Dako bëri një deklaratë plotësuese, e cila u regjistrua në procesverbalin e mbledhjes së Senatit.”. A ka sot, pas njëqint vitesh, peshën e duhur, Amerika dhe misionarët e saj në fuqizimin e demokracisë shqiptare, të troshitur në këto tridhjet vite tranzicioni? Pyetja është kaq e thjeshtë dhe kaq inspiruese sa që, çdo shqiptar brënda dhe jashtë vendit, mbete me sytë nga Amerika. 100 vite me parë, kushte nuk ishin dhe aq të favorshme, pasi sipas Çekrezit qëiraportonte Delegacionit Qeveritar në Paris se “në Senat nuk kishte patur interes për çështjen tonë[4]. Madje ai arrinte në përfundimin se “mund edhe t’i shkaktohej dëm çështjes, duke u nisur gjithnjë nga pozicioni që mbante atë kohë Senati i SHBA-së, me që aktiviteti i tij ishte kundër presidentit Willson, kur ndërkohë ndihma dhe mbështetja ndaj Shqipërisë mund të pritej vetëm prej Qeverisë Amerikane”. Presidenti Willson, në këtë kohë kishte humbur shumicën në Kongres, ndaj “çështja jonë mund të kthehet në një çështje partish dhe në vend që të vinim vetulla do nxirrnim sytë.” Sot gjithcka duket në favorin tonë, me mbështetjen Amerikane, pavarësish emrave te ambasadoreve që vijnë tek rruga e Elbasanit. Mbetet të kemi sytë vetëm tek Tri Burrat tanë dhe sjellja e tyre. Sa do jenë ata të zot të shkelin në udhën e çelur para 100 vitesh, në raport më Amerikën, me Evropën, me demokracinë dhe me vetë popullin shqiptar të lodhur dhe të drobitur nga udha e gjatëe tranzicionit… Le të shpresojmë.


[1] Nasho Jorgaqi, “Jeta e Fan S Nolit”, Ombra GVG, Tiranë 2005, f. 369

[2] U.S.Senate, 66 Congress, I-st session, Hearing before the Committee on Foreign Relations, Sen, doc, no 106 Washington, 1919, f. 971-1011

[3] Haris Silajxhiç, “Shqipëria dhe ShBA në arkivat e Uashingtonit,  Dituria, 1999, f. 99

[4] Beqir Meta, Federata Panshqiptare “Vatra”, Globus R, Tiranë 2002, f. 252, cituar AQSH Fondi MPJ, viti 1919, dos. 19, f. 62-65: Letër e K. Çekrezit drejtuar L. Bumçit, Washington DC, 3.11.1919

Filed Under: Featured Tagged With: amerika, Andon Andoni

Joli Agolli Paparisto, një koreografe shqiptare e suksesshme në SHBA

August 12, 2021 by s p

Intervistoi: Eneida Jaçaj

Do të mbahet mend gjatë në kujtesën e shqiptarëve me frazën e famshme: “Joli, shoqja e kursit”, në filmin “Edhe kështu, edhe ashtu” të Bujar Kapexhiut. Vajza simpatike, çapkëne, hipur mbi motorr, vazhdon ende të mbajë edhe sot atë energjinë rinore të pashtershme. Joli Agolli Paparisto, në rolin e saj episodik, ishte vetvetja dhe shëmbëlltyra e femrës së pavarur, me karakter të fortë, e aftë për t’u mbështetur te vetja në arritjen e pikësynimeve dhe gjithë objektivave.

Joli ishte ndër të parat femra, të viteve 80’-90,’ që qarkullonte me motorr nëpër rrugët e Tiranës, duke thyer mentalitetin e kohës dhe duke i hapur rrugë lirisë dhe pavarësisë së femrës. Për ata që ende nuk e njohin, vizioni për Jolin është shumë më i gjerë, dhe nuk do të mbetet vetëm në atë rol episodik, megjithëse e evidenton në veçantinë e tij. Ajo është një artiste, koreografe, balerinë, producente, drejtuese. Në kohën kur karriera e saj si balerinë po fillonte të merrte hov në Shqipëri, Jolit iu desh të largohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Miçigan, ku jeton dhe vepron prej 24 vitesh. Ashtu si çdo shqiptar i suksesshëm, Joli Agolli Paparisto, përpos vështirësive të fillimit të emigrimit, e gjeti veten në profesionin e saj si koreografe. Dashuria për artin, të bukurën, e bëri Jolin të njohur dhe të realizuar, edhe në komunitetin shqiptar jo vetëm të Miçiganit, por edhe më gjerë. Ajo është themeluese dhe udhëheqëse e grupit të njohur artistik “Gjergj Kastrioti” në Miçigan. Nëpërmjet koncerteve folklorike, valleve, në diasporë promovohen vlerat dhe traditat tona kulturore, ruhet gjuha dhe dinjiteti i kombit tonë, si derivat i asaj që të parët kanë bërë për atdheun. Joli rrëfen sfidat e saj të emigrimit, duke dhënë një mesazh të qartë se, koka nuk duhet kthyer mbrapa, por duhet të lufosh fort derisa të gjesh veten në një vend kaq sfidues, por edhe i mundësive, si Amerika. Së fundmi, ajo moderon emisionin “Për kafe me Jolin dhe Benin” me aktorin e njohur të humorit, Arben Dervishi, ku promovohen jo vetëm shqiptarët e suksesshëm, por të gjithë ata që kanë diçka për të thënë për publikun shqiptar të diasporës dhe Shqipërisë. Joli është bashkëshortja e Gjergj Paparistos dhe nwnw e dy fwmjwve,  Giorgia dhe Mark.

-Ju jetoni prej 24 vitesh në Miçigan të Shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për t’ua sjellë në kujtesë publikut shqiptar, por për të të njohur edhe brezat më të rinj, ju do të mbaheni mend si ajo vajza simpatike, çapkëne, hipur në motor, me frazën: “Joli, shoqja e kursit”, te filmi “Edhe kështu, edhe ashtu”. Por, profesioni juaj është koreografe dhe rridhni gjithashtu nga një familje artistësh. Si e mbani mend largimin tuaj drejt SHBA-së? Sa e vështirë ka qenë për ju integrimi në shoqërinë amerikane? 

Largimi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë një nga sfidat e mia më të mëdha që kam kaluar. Isha vetëm 27 vjeçe, ishte viti 1998, më duhej të bëja bashkimin familjar. Për këdo, Amerika ishte një ëndërr, por çuditërisht për mua nuk ishte një ëndërr. Unë kisha filluar një karrierë shumë të bukur në Shqipëri; isha në fillimet e mia si koreografe, balerinë, kryesisht në kërcimet moderne. Punoja për Fondacionin Soros si drejtoreshë e shkollave artistike, një program që filloi të bëhej me shumë emër në Shqipëri, që vazhdon të jetë edhe sot. Ardhja në Amerikë ishte trishtim për mua, sepse do të filloja gjithçka nga zero. Pa anglishte, pa njohje, dhe më e vështira ishte të filloje në profesionin tënd. Fillova punë në restorant, puna është nder, por pata një vuajtje shpirtërore, pasi puna e artistit është talent, nuk është një punë që ti e zgjedh. Qaja pafund, dhe më dukej sikur ishte fundi i botës. Midis profesionit dhe familjes, unë zgjodha familjen. Erdha dhe fillova një jetë të re me shumë trishtim, por fitova edhe diçka tjetër; forcën për t’ia rifillur nga e para, pasi dashuria për profesionin është shumë e fortë, dhe për këtë duhet të luftosh. Pas një viti u akomodova në profesionin tim duke dhënë mësim baleti, duke krijuar një grup të vogël valltarësh në komunitetin shqiptar, në Kishën e Shën Palit. 

-Pasioni për koreografinë nuk ju rreshti as jashtë kufijve të Shqipërisë. Ju jeni drejtuese e grupit artistik “Gjergj Kastrioti” në Miçigan, ku u mësoni brezave të rinj kulturën dhe traditat tona shqiptare nëpërmjet valleve. Është një përpjekje për t’u lavdëruar, pasi mban gjallë dhe promovon vlerat dhe traditat kulturore shqiptare te brezat e rinj, që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Si lindi kjo nismë dhe sa e vështirë ka qenë për ta konkretizuar?

Angazhimi në komunitetin shqiptar, që fatmirësisht në Miçigan ishte goxha i formuar, por edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në rritje, për mua ishte një plus. Dëshira dhe pasioni që kishin fëmijët e emigrantëve, kryesisht të malësorëve që vinin nga Mali i Zi, për të mbajtur gjallë kulturën përkoi shumë me dëshirën për të mbajtur vallen popullore shqiptare. Asokohe pata një propozim nga Juljan Marku së bashku me priftin e asaj kohe të Kishës së Shën Palit dhe, gjithashtu një mik i imi, rapsodi Frank Gjoka. Ky ishte bashkëpunimi im me Kishën e Shën Palit. Ishte me sakrifica pasi isha një njeri i panjohur që po futesha në komunitet. Njeriu duhet ta provojë veten më përpara që të marrë suksesin. Dëshira dhe pasioni i prindërve dhe fëmijëve, për të mbajtur gjallë kulturën dhe traditat e vendit, e bëri shumë të lehtë këtë punë. Puna në Kishën e Shën Palit, krijimi i shkollës së valles dhe ansamblit “Gjergj Kastrioti” është sot krenari personale e imja dhe një krenari e gjithë komunitetit shqiptar këtu. Këta fëmijë i janë dedikuar shkollës që fillon nga shtatori deri në qershor, i janë dedikuar performancave në komunitet, performancave që bëhen në të gjithë trevat e Shqipërisë, ku ka festivale folklorike, gjithashtu në botën amerikane, të cilët kanë një interes të madh për të parë kulturat e vendeve të ndryshme. 

-Ju jeni edhe producente e disa eventeve artistike dhe gjithashtu zhvilloni një emision me aktorin e humorit, Arben Dervishi. Çfarë mund të na thoni më tepër lidhur me këto aktivitete artistike?

Të qënit producente e disa aktiviteteve dhe shou-ve, dhe prodhimit më të fundit në diasporë “Për kafe me Benin dhe Jolin”, është një iniciativë e bukur që ka nisur për disa arsye. Arsyeja kryesore i mbetet gjithmonë dëshirës për të bërë art. Arsyeja tjetër është se komuniteti shqiptar është rritur shumë. Duke parë shqiptarët e suksesshëm që kanë kontribuar aq shumë në vendin tonë, nga qytetet në të cilat ato vinin, sot i gjen këtu në Amerikë të realizuar, disa të tjerë akoma nuk janë realizuar për arsye personale, unë mendova që si komunitet i bashkuar t’i evidentojmë këta njerëz. “Kafe me Benin dhe Jolin” është një krijimtari që ka ardhur si pasojë e ekzistencës së dy artistëve, unë dhe Ben Dervishi dhe, duke vënë re se Shqipëria kishte filluar të flistë për diasporën, mendova: kush më shumë se sa ne i njeh shqiptarët e Amerikës, kush më mirë sesa ne njeh veten?! I thashë Dervishit se ka ardhur koha që ne të evidentojmë veten, të evidentojmë këdo që ekziston këtu dhe gjithë shqiptarët të shohin se çfarë ndodh në këtë komunitet kaq të madh që kemi ne në Miçigan. 

-A organizohen në Miçigan spektakle të shpeshta me këngë e valle shqiptare? Sa të ndërgjegjësuar janë shqiptarët e Miçiganit për ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare?

Miçigani është i shqur për aktivitete artistike. Zhvillohen koncerte madhështore dhe të mirëfillta, pasi vinë artistë nga Shqipëria, përmes një programi “Shqipëria etnike”, të cilët sjellin shqiptarë nga çdo trevë. Njerëzit vinë dhe shijojnë muzikën dhe artin e bukur, dhe njohin nga afër ata këngëtarë që kanë kaq shumë emër në Shqipëri, të cilët neve na duken aq larg; ata vinë performojnë për ne dhe ne shijojmë muzikën e tyre. Janë edhe artistët lokalë të cilët janë të angazhuar në aktivitete, në koncerte, në festa familjare. Miçigani është i mbushur me festa, dhe ne disa herë në vit të paktën do të mblidhemi dhe do të kënaqemi të kërcejmë dhe këndojmë atë muzikë aq të bukur, që na kënaq shpirtin! Festivali shqiptaro-amerikan që zhvillohet çdo verë në qendrën e Detroit, është një festival që i kalon përmasat e një koncerti të zakonshëm, pret dhe përcjell artistë dhe grupe vallesh folklorike në të gjitha shtetet e Amerikës dhe jashtë. 

-Sa e vështirë ka qenë për ju të ushtroni profesionin tuaj në SHBA, krahasuar me Shqipërinë? 

Nuk ka qenë e lehtë për mua për ta ushtruar si profesion. Koreografia në vetvete kërkon një punë maksimale që duhet të krijosh, dhe krijimtaria është diçka që ti nuk e kurdis, por ti duhet të ndjesh për ta bërë. Mua më ka ndihmuar bota e madhe e shqiptarëve, dëshira dhe pasionet e tyre. Sot e kam më të lehtë! Sot mund ta them me plot gojën që profesioni i koreografes është një profesion që më jep lehtësira. Është një kombinim që më është dashur të bëj mes mamasë dhe gruas së karrierës. Besoj se i kam arritur të dyja dhe besoj se i kam bërë mirë. Kur njeriu vë dëshirën, pasionin dhe gjithçka që ka brenda vetes dhe kur është i rrethar me njerëz që të besojnë, atëherë vëshitrësinë e profesionit  e bën të realizueshëm dhe të mundur.

-Jo vetëm këngët dhe vallet janë pjesë e folklorit tonë të pasur kulturor, por edhe gjuha. A bëhen përpjekje për ruajtjen e gjuhës shqipe të brezat e rinj?

Ruajtja e gjuhës shqipe është një faktor tjetër, është një cilësi tjetër që vlen për t’u përmendur. Në komunitetin tonë ka disa shkolla shqipe. Do të veçoja shkollën shqipe në Kishën e Shën Palit, shkollën shqipe në qendrën e Ballkanit, shkollën shqipe në xhami, ku fëmijët e shqiptarëe shkojnë dhe mësojnë gjuhën shqipe. Shqiptarët e duan gjuhën dhe aq më tepër kur janë larg Shqipërisë. Duke ruajtur gjuhën dhe zakonet, artin dhe kulturën kemi ruajtur kombin, atë komb që shumë njerëz kanë sakrifikuar për ta mbajur atje ku është.

-Pas kaq vitesh në emigrim, çfarë ka ndryshuar për mirë apo për keq në Shqipëri?

Shqipëria ndryshon me hapa galopante, është një vend ku ti gjen gjithçka; indivdi është aq shumë ambicioz, përqafon çdo gjë të bukur dhe të re. Për mua, Shqipëria është e mrekullueshme, është një vend ku ti merr më të mirat si nga ana e turizmt, ushqimit, modës, muzikës. Ne, Shqipërinë e duam shumë dhe çdo gjë që ëshë aty është e bukur në syrin tonë dhe në shpirtin tonë.

-A keni një mesazh për ata që shkelin për herë në Amerikë, si të realizohen profesionalisht?

Amerika është e madhe, Amerika është e vështirë, Amerika është një sfidë e jashtëzakonshme! Por nëse vjen këtu, duhet ta dashurosh me ndryshimet e veta, me diferencat e veta dhe me vështirësitë e veta. Vetëm duke e dashuruar, do të kuptosh të mirat që ky vend ka, pasi është vendi i mundësive. Është një vend ku realizohen ëndrrat, vetëm të kesh dëshirën, të punosh fort dhe të mos ankohesh. Mos ta kthesh kokën mbrapa dhe të mendosh se kush ke qenë, por mbaje kokën përpara dhe krijo atë njeriun e ri! Dashurinë për Shqipërinë mos ta harrosh, ta trashëgosh në breza dhe do të ndihesh një shqiptaro-amerikan i plotësuar. 

Filed Under: Featured Tagged With: Eneida Jacaj, Joli Agolli Paparisto, Koreografia

KAUZAT SHQIPTARE – PARA DHE PAS HASAN PRISHTINËS

August 12, 2021 by s p

Nga Behlul Jashari/

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e “100 vjetorit – Hasan Prishtina Kryeministër i Shqipërisë”, në Shkup u mbajt sot tribuna tematike “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

Photo by: – Wikimedia Commons

Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë organizim, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti përcolli mesazhin për të qëndruar pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, pasi vetëm kur të jemi të lidhur fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar. Mesazhi i plotë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti: “Miq të dashur, shkupjanë, shqiptarë nga të gjitha anët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Të nderuar përfaqësues të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Ju falënderoj për ftesën që më keni bërë, si organizatorë të tribunës me temën “Kauzat shqiptare para dhe pas Hasan Prishtinës”. Në të njëjtën kohë ju kërkoj falje që nuk munda të marr pjesë sot fizikisht në këtë aktivitet që mbahet me rastin e Vitit të Hasan Prishtinës, në nderim të 100 vjetorit, prej kur kjo figurë markante e historisë sonë, ishte kryeministër i Shqipërisë. Nuk munda të vij për shkak të angazhimeve të shumta e diskutimeve të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës, por me zemër do të doja të isha pranë jush. Pas pak ditësh do të jem sigurisht aty, si pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të Bulevardit “Hasan Prishtina” në Shkup. Po të isha aty, sigurisht do të kishim diskutuar gjatë mbi kontributin e Shkupit e të shqiptarëve të Maqedonisë në çështjen kombëtare. Nga gratë tona nder i Kombit, Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe Gonxhe Bojaxhiu, Nëna Terezë, nga kryengritjet e hershme të Dervish Carës qysh në 1844, e deri te çlirimi i Shkupit nga Hasan Prishtina, Bajram Daklani, Bajram Curri, Isa Boletini, Mehmet Deralla, Idriz Seferi etj. Do të flisnim edhe për zhvillimet e thellimet e mendimit strategjik shqiptar, nga Ukshin Hoti e deri te Arbën Xhaferri. Por këto të gjitha do t’i diskutojmë në raste të tjera. Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar. Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin. Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik. Ju përshëndes të gjithëve dhe uroj punime të mbara në sesionet e tribunës, me respekt të thellë për organizatorët, bashkëpunëtorët shkencorë e gjithë pjesëmarrësit” përfundoi fjalën e tij Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: Albin Kurti, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • 98
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT