• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sot, përkujtojmë 76-vjetorin e ndarjes nga jeta të Asdrenit

December 11, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Më 11 dhjetor të vitit 1947 u nda nga jeta në Bukuresht, Aleks Stavre Drenova, Asdreni. Emri artistik Asdreni përdorej nga vetë ai për të firmosur poezitë të cilat publikoheshin në gazetat më të njohura si “Kalendari Kombëtar”, “Albania” dhe “Drita”. Asdreni lindi më 11 prill të vitit 1872 në Drenovë të Korçës. Shkollimin e mesëm e nisi në gjimnazin e qytetit. I mbetur jetim mërgoi në Rumani në 1885, por u rikthye në atdhe në vitet 1889, 1914, 1937. Kreu Akademinë Tregtare të Bukureshtit dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të atjeshëm, të cilin nuk arriti ta përfundonte. Asdreni ka qenë veprimtar i shquar i kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe sekretar i saj për një periudhë mes viteve 1913-1925, ndërsa në periudhën 1922-1934 shërbeu, me disa ndërprerje, si sekretar i Konsullatës Shqiptare të Bukureshtit. Asdreni mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912, në të cilën u vendos të shpallet pavarësia e Shqipërisë. “Betimi mbi flamur” e vjersha të tjera me frymëzim atdhetar luajtën një rol të shënuar në forcimin e ndërgjegjes kombëtare në prag e pas Shpalljes së Pavarësisë dhe në periudhën e konsolidimit të shtetit shqiptar.

Filed Under: Histori

Shtypi amerikan për “KOSOVËN”

December 8, 2023 by s p

“Midwest Book Review” : “KOSOVA – VAZHDIMËSI E MBRETËRISË SË VJETËR TË DARDANISË”

Në vazhdën e interesimit gjithnjë e më të shtuar për “Kosovën” I, II,III (botimi në anglisht) në SHBA, Midwest Book Review (Organizatë për kritikë letrare në rajonin Midwest), në kuadër të bibliotekës “The World Hostory” (Biblioteka: Histori botërore), sjell një vështrim të gjerë për veprën dhe rëndësinë e saj për opinionin amerikan.

Po sjellim një përmbledhje të shkurtër të shkrimit që boton “Midwest Book Review”:

“Seria trivëllimshme “Kosova” nga autori shqiptar Jusuf Buxhovi është vepër gjithpërfshirëse historie e vendit të vogël të Evropës, Kosovës. Duke dhënë një analizë të së kaluarës, nga antika deri në kohët moderne, Buxhovi e shquan Kosovën si vazhdimësi të mbretërisë së vjetër të Dardanisë – tokë e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë historisë. Buxhovi është dukshëm i pandikuar nga animet e akademikëve të brumosur nga regjimi komunist. Si historian, ai përshkruan dhe zbërthen të kaluarën me korrektësi dhe baraspeshë, duke shqyrtuar këndvështrime të ndryshme dhe duke i pranuar argumentet e mirëndërtuara të dijetarëve vendas dhe të huaj. Përfundimisht, me këtë vështrim, Buxhovi e sheh Kosovën ose Dardaninë si pjesë të pandashme të territorit etnik shqiptar, si djep të zhvillimit përparimtar, dhe si vendlindje të individëve të shquar që dhanë ndihmesë për kombin e tyre dhe për qytetërimin perëndimor në tërësi.

Kritika: Vepër mbresëlënëse dhe themelore e mbështetur në punë hulumtuese të përpiktë, dhe me një përkthim të aftë anglisht nga skuadra e Getoar Mjekut, Avni Spahiut dhe Faton Bislimit, tri vëllimet që përbëjnë librin “Kosova” janë të shkruara, organizuara dhe paraqitura jashtëzakonisht mirë. Një ndërmarrje monumentale e shkallës më të lartë, me bashkëredaktorë Diane Tafilajn dhe Jason Frazer-in, “Kosova” e Jusuf Buxhovit është kontribut i rëndësisë kritike për historinë e rajonit dhe një botim thelbësor që bibliotekat akademike ta përfshijnë koleksionin mbi historinë evropiane në përgjithësi dhe në listat e studimeve shtesë mbi historinë shqiptare në veçanti.

Filed Under: Histori

Imzot Lazër Mjeda, Veprimtar i dalluar fetar dhe kombëtar në kohën e rreziqeve (1909 – 1921)

December 7, 2023 by s p

Pa e njohur mirë rrethin, ambientin apo kontekstin jetësor, familjar, shoqëror, kombëtar dhe fetar, moral, s’mund ta njohim as njeriun apo personin. Imzot Lazër Mjeda lindi në Mjedë të Shqipërisë më 6 mars 1869, si biri i Jak Kryeziut dhe Luçie lind. Thaçi – Mjeda, i rritur si jetim së bashku me të vëllain Ndre Mjedën, me mësime dhe studime në kolegjin saverian.

Shugurohet meshtar me 6 gusht 1891 në kapelën e Seminarit në Shkodër. Ka shërbyer në këto famulli: Plan, Pog e Mëgullë në ipeshkvinë e Pultit. Ishte përpilues i disa këngëve – uratave me karakter shpirtëror dhe popullor.

Me 20 janar 1901 shugurohet ipeshkëv i Sapës në moshë shumë të re. Përpos Pultit, ishte ipeshkëv ndihmës i Shkodrës, kryeipeshkëv i Shkupit (1909 – 1921), pastaj kryeipeshkëv i Shkodrës deri në vdekje (1935).

Unë do të përqendrohem në shërbimin e tij arqipeshkvor në Shkup, si fetar zelltar, si në anën fetare, ashtu edhe atë kombëtare dhe kulturore, me shkolla dhe institucione shoqërore.

Ja edhe cilësimi i dr. Don Gaspër Gjinit, historianit tonë të shquar mbi Imzot Lazër Mjedën: “Në dioqezë zhvilloi një veprimtari të madhe baritore: ndërtoi disa kisha dhe themeloi disa famulli të reja. Kujdesej gjithashtu që dioqeza të ketë numër të mjaftueshëm të meshtarëve . Në qarkoret e tij baritore tregon dashuri të madhe për njerëzit që i janë besuar.”

Për rrethanat politike dhe shoqërore ai ka vuajtur shumë së bashku me klerin dhe Popullin e Zotit: rrënimi Perandorisë turke – otomane, Luftërat Ballkanike, formimi i Mbretërisë Serbe, Kroate dhe Sllovene, largimi apo transferimi nga Shkupi në Shkodër…

Në vitin 1914 ishte nënshkruar konkordati mes Selisë së Shenjte dhe Mbretërisë së Serbisë, ku “dioqeza e Shkupit u desh të bëhet sufragane e arqipeshkvisë së Beogradit.“

Pasojat ishin rrënuese: heqja e titullit të arqipeshkvisë në ipeshkvi, ndërtimi i seminarit në Prizren për nxënësit sllavë, përndjekjet e klerit dhe intelektualëve, mbyllja e shkollave shqipe, trysnitë e ndryshme, robëria serbo-sllave…

“Në fushën politike dhe kulturore, Imzot Lazri, punoi fort në ndërtimin e shtetit të ri shqiptar, u kujdes në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe hapjen e shkollave të reja brenda kryedioqezës së Shkupit.”

Mbi rrethanat e transferimit të tij prej Shkupit në Shkodër ka pasur mjaft interpretime edhe qëllimkeqe dhe jo të sakta. Disa kanë shkuar aq larg sa që kanë shkruar se “arqipeshkvi Mjeda ka shkuar pa kurrfarë përshendetje të posaçme, duke e lëshuar arqipeshkvinë për të shkuar në Shqipëri”

“Aq më tepër e njëjta gazetë shkruan se si në gusht të vitit 1923., p. Buković-i „si përfaqësues i klerit të dioqezës së Shkupit në Kongresin Eukaristik, priftërinjët e kanë porositur të ndërmerrte diç që dr. Janez Gnidoveci të vinte për ipeshkëv.”

“Pastaj shkruan I njëjti Buković … “duhet të jetë Slloven dhe misionar dhe shpjegon se Slloveni do ta ketë më lehtë nga aspekti politik, ndërsa misionar për rrethana të veçanta.”

1. LETRA BARITORE PER LAMTUMIRE ARKIQIEÇEZIT T’ SHKUPIT:

Meshtarve t’ndershem e Popullit të dashtun t’Arkidiçezit t’ Shkupit, shrndet e bekim prej Zotit.

Dymdhet vjet janë mushë n’ket muej t’nandorit qi Na për me e çue n’vend fjalën e madhnueshme t’ Shejtit Atë Papë duelme prej Shkodret e erdhëm nder ju. Nuk kje punë e letë për Ne n’at koh me lanë vendin e t’lemit e Selinë e parë t@shypniës për me ardhë në këto vise, ku Feja shejte gjindej nder ngushtime e travaje. Por besimi i ngulët qi prej Zotit drejtohen t’tana të tana punët e rozzolimit, e qi shka t’ma mdllin për t’mirën tonë e premton i Lumi, ky besim Na forcoj zemren me qitë poshtë t’tana arsyenat e shekullit e me ju shtrue krah pa far pritjet asnji barrë qi dora e Zotit na ngarkon. E kjo e shtrume e unjishme vullnesës së Tenzot kjo cok njajo qi Na xuer prej Zotit hirin e fuqishëm me muejt per pak koh e me nji mëmdyerë fort t’letë me me i qirues zemrat e popullit e me hjek[ ç’fare do ndryshku ndërmjet t’ Ti e t’Meshtareve/ E jo veç kaq, por edhe me gjith kohna t’veshtira qi Na u desht me kalue Na ndihmoj Zoti ,e perparue e me ndërtesa t’reja, si me përmirësime t’vjetrave. Lavdi i kjoftë të Lumit! Por shka e kuer kjeme tuj ende giatë e ma mgiatë per me i dhanë shkëlqim shejtes Fe, e me e xe popullin ma fort kah shpirti, pa pritë e pa kujtue Na u këputen t’tana fijet. Ajo fjal e madhnueshme qi prej Shkodret Na prunë ktu, Na udrhnoj persri me kthye m’at gjytet. E asht e ditun, se t’betuem me nigiue, Na do të kryejmë pa kundërshtim urdhnin t’Parit. Por me gjith kte nuk mujtme me e ndalë qi zemra e jonë mos t’ndalë dhimtë, e dhimtë t’fort. E jo per vedi, pse sikurse e dini, nuk jena tuj shkue m’një ma te poshtër as nuk jena tuj dalë per ndonji punë t’pamirë, veç dhimten e ndieme per jue, qi mbas sa vjetëve po Na duhet me ju lanë. Jena ken msue me kja me jue e me jue me gzue; e dashtnija qi kishim me shoqishoj Na nepte fuqi me i ba balle sa t’ vshtirave qi na ranë nder këto vjet. Patme edhe kujtue se ky do të ishte caku ma i mbrami i joni se ktu do ta sosshë jetën; por Zotyn premtoj ndryshej, e kjoftë ba vullndesa et’Lumit. E mbasi ket punë Ne as nuk e lypme, as nuk e dishrueme kurr, duhet me thane se prej Zotit ka rriedhë, e prandej do t’jetë per t’mirë t’dyë palna. Ky mendim do t’ma nep zemer me ju shtrue perankim vullndeses s ‘Zotit. E tesh, ndoshta per t’mbramen herë, po m’hjek zemra me ja uthanun dojë fjalë. O ju Meshtarë qi ju ka vue Zoti me i prie popullit t’Krishten kah rruga e shelbimit, peshonie detyren t’uaj, e kujdesni me e krye. Dunie popullin, si Krishti don shpirtnat t’onë, e kjo dashtni ka me ju msue se si me i ardhë rreth popullit per me e shelbue. E ti popull i kti Arkidieçezit, nderoje e nigioje Meshtariën t’ande, ne daç me pasë bekimin e Zotit. Mos u dajë kurr prej ti, n’daçmos me dalë jashta rruges t’shelbimit. Dunie edhe shoqishojnë jo veçme fjalë, por edhe me vepra, qi t’shofë gjithkush se jeni besimtartë e vertetë t’Lumit J. Krisht. I lum Arkidieçezi ne ecshi mbas ktyne fjalve. – Ne e mbram tuj ju thanë lamtumirë po ju lypim t’falun per gjithshka qi dashtë pa dashtë kena muejt me folë e me ba kundra kuej; por ç’far do sendet qi ka muejt kuej me i ra n’syë e me i dhane shkandull; tuj ju sigurue se kundra kerkuj s kena pasë qellim t’keq por n’pasim reshqitë prej pa dies. Edhe Na juve ç’far do idhnim o fjalet po jau falim unjië, si miqve si anmiqve e kurrfarë ndryshkut kundra kuej s’ka me metë ne zerner t’Onë. T’gjith sa jeni kjoshi lirë e bekue, e Zoti i shpraztë hiret e veta permbi jue.Lutnie Zotin per Ne si Na jena lutë e kena per t’a lutë per jue, e sidomos lutnie Zotin pa da qi t’a çojnë nji Bari t’mirë, si e lypë nevoja e fesë shejte, dobija e shpirtnave t’uej, e lulzimi i atdheut t`onë.Bekimi i t’ Naltit kjofte gjithmonë me jue, e ju forcoftë me mbrie n’lumni t’pasosme.

Ne Perzerend me 27 nanduer 1921. Lazri, Argjipeshvi”

Nga përmbajtja e saj ne mund të nxjerrim një vlerësim tjetër përkitazi me arsyen e largimit të tij nga argjipeshkvia e Shkupit. Largimi i tij, del nga përmbajta e letrës, kishte qenë e përcjell me një dhimbje tejet të madhe, pasi ai e dinte saktësisht se ishte detyruar në gjendje nevoje të madhe ta linte grigjën e vet, dhe sa dashuri të madhe kishte ai ndaj popullit të argjipeshkvisë së Shkupit. Megjithatë këtë ai kishte mbet me shpresë të madhe në meshtarët, ku i porosit ta duan popullin e vet. Detyrimi që ta lëshoj Shkupin ishte e planifikuar e kurdisur mirë, sa “ikja” e tij në heshtje kishte qenë alternativa e vetme dhe më e arsyeshmja. Bile, fillimisht ai ishte i vendosur të rrinte me grigjën e tij në Shkup. Mirëpo kjo do të krijonte një situatë e papërballueshme kundruall zullumit të kurdisur nga pushteti i atëhershëm dhe në kundërshtim me vullnetin e eprorëve të tij.

Për gjendjen në fjalë edhe Vatikani ishte i informuar në detaje, për çka atij jepet detyra e re në argjipeshkvinë metropolitane të Shkodrës. Selia Shenjte ishe në dijeni për rastin e Lazër Mjedës se qeveria serbe nuk e donte aspak, dhe siç duket, Vatikani ishte i obliguar “ta largonte” Lazër Mjedën prej argjipeshkvisë Shkup-Prizren që t`i ikë konflikteve diplomatike në rajon. Atë e emëron argjipeshkëv metropolitan të Shkodrës me dekretin e datës 05.11.1921, kurse zyrtarisht më 3.12.1922 lajmërohet edhe qeveria në Beograd se është e pajtimit me largimin e Mjedës.

Lazër Mjeda kishte pasur shumë besim në Dom Tomë Glasnoviqin – Shala. Kardinal Gaspari kishte lajmëruar qeverinë serbe me 02..04.1922 se Dom Toma dhe Ferdinandi do të administrojnë ipeshkvinë deri në emërimin e ipeshkvit të ri, pra, të imzot Janez Gnidovec nga Sllovenia, që do të jetë ipeshkëv i parë i Shkupit, pasi që i merret titulli argjipeshkvi.

Përpos kësaj letre lamtumirëse arqipeshkvi Mjedja u kujdesua edhe për zëvendësin e vet të përkohshëm dhe si delegat e emëroi Don Tomë Glasnoviçin. Me këtë rast ai u shkruan kështu meshtarëve: “… Mbasi Zotyn neper gojë t’Shejtit Atë Papë Na urdhnoj me i lanë kto vende. Na për mosme metë Arkidioçezi pa prisë, e me prandim t’Selisë Shejte, kena sjellë fort t’ndertin Zotni D. Tomë Glasnoviçin për me ken sundues i Arkidioçezit, deri qi Rroma t’na ndreqin punen ndryshe…”

Shkëlqesia e Tij, Lazër MJEDA, së pari me uratë, shembull dhe fjalë filloi të punojë për mirëqenje dhe ngrohtësi të grigjës së besuar. Pas një kohe të shkurtër mund t`u shihte përparimi shpirtëror, fetar dhe kombëtar i popullit të krishterë.

2. Veprat kryesore të Imzot Lazër Mjedës si arqipeshkëv i Shkupit:

1. I pruri Jezuitët në kryeipeshvki.

2. Themeloi disa famulli të reja në Kosovë ;

3. I dërgoi nxënësit për priftërinj në Shkodër, ndërsa studentet e teologjisë në Innsbruck.

4. Në këtë mënyrë e siguroi ardhmërinë e kryeipeshkvisë së vet sa i përket priftërinjve; ndërsa për të mbajtur brezin e ri priftëror.

5. Ndërtoi një godinë të madhe në Shkup kundruall qelës.

6. La një fond prej 1.000.000 (milion) dinarësh për ndërtimin e seminarit të vogël.

7. Ai kishte raportuar dhe denuncuar krimet serbe, nëpërmjet Vatikanit dhe botës perëndimore, që i kishte shfrytëzuar publicisi prej Vjenës, Leo Freundlich për librin e tij “Golgota e Shqipërisë”.

Deri sa ishte ai kryeipeshkëv nuk i mungonte numri i priftërinjëve, sepse famullitë ishin plotësuar me famullitarët e vet, ndërsa aty-këtu ishin edhe dy dhe tre priftërinjë. Atëherë nuk ishte aspak nevoja për kolekte të hollash, as që ishin më parë taksat e tanishme. Krejt kjo zgjati pas shkuarjës së Shkelqësisë së Tij, argjipeshkvit Lazër MJEDËS. Ai në pastoral kishte angazhuar jezuitët, në Shkup dhe në rrethinë, kështu që arqipeshjvia e Shkupit lulëzonte në anën shpirtërore dhe kulturore. Ishte përkrahës i flakët i shkollave shqipe, pra, njeri me shumë virtyte dhe veti njerëzore, të krishtera dhe kombëtare.

Imzot Lazër Mjeda ka thënë në mënyrën përmbledhëse dhe profetike kështu:

Unë nuk di politikë tjetër, por me ba detyrën tims si shqitpar e si ipeshkëv. Krishti nuk ka bërë kurrë politikë. Ai ka folë qartë.

3. Arqipeshkvi Lazër Mjeda dhe familja Bojaxhiu në Shkup

Arqipeshkvi Imzot Lazër Mjeda kishte një miqësi dhe bashkëpunim të thellë dhe vëllazëror me familjen e Gonxhe Bojaxhiut, më vonë shën Nënës Tereze.

Ja edhe dëshmia konkrete: “Ndikimi i madh në jetën e saj ishte arqipeshkvi i Shkupit, Imzot Lazër Mjeda, që ishte mik i familjes Bojaxhiu, të cilën ai e vizitonte shpesh. Kolë Bojaxhiu, njeri i pasur dhe i mirë, e ndihmote me vetëdëshirë arqipeshkvin, Arqipeshkvi ishte shumë mirënjohës dhe e shprehte këtë mirënjohje duke u lutur për familjen dhe me ndonjë dhuratë të vogël, shpesh në formë të ndonjë libri të mirë, pasi që vëllai i tij, Don Ndre Mjeda ishte një shkrimtar i ri shqiptar (1866 – 1927), të cilin ai e ndihmonte dhe e mbante materialisht dhe shpirtërisht në punën e tij të rëndë krijuese si shkrimtar. Ai (arqipeshkvi vr. ime) shpesh thoshte: “Kolë, Zoti ta shpërbleftë ty dhe familjes tënde, në këtë dhe në atë jetë, për Kishën dhe popullin shqiptar.”

“Gonxhja lexonte shumë, i pëlqenon më së shumti vjershat e Don Ndre Mjedës si dhe të poetëve tjerë shqiptarë. “

Imzot Lazër Mjeda e kishte krezmuar apo përforcuar Gonxhe Bojaxhiun, më vonë Shën Nënën Tereze, me 28 nëntor 1916, ndërsa nun apo kumbar ishte Tade Simon Shiroka.

Shkup – Prishtinë, 5 dhe 6 dhjetor 2023 “Ditët e Imzot Pjetër Bogdanit”

Don Lush Gjergji

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Histori

Sot, përkujtojmë 103-vjetorin e lindjes së historianit Kristo Frashëri

December 4, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Historiani, profesori, akademiku Kristo Frashëri lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920. Në vitin 1927 u riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë. Pasi kreu shkollën e mesme më 1940 u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Gjatë vitit 1942 ai u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Gjatë periudhës 1945-1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, në Insitutin e Lartë Pedagogjik, në vitet 1951-1955. Gjatë viteve 1953-1999 ai punoi në disa institucione të rëndësishme, ku shërbeu si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1997 ai u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku qëndroi deri në vitin 1999. Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë, që nga Antikiteti e deri në kohën e sotme. Ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë Mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, Luftën çlirimtare të Vlorës, jetën dhe veprimtarinë e Abdyl Frashërit, Sami Frashërit etj. Pas vitit 1990 ai ka botuar një sërë punimesh shkencore, si: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (Tiranë, 1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (Tiranë, 2002); “Historia e Tiranës” (Tiranë, 2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (Tiranë, 2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (Tiranë, 2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (Tiranë, 2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (Tiranë, 2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912” (Tiranë, 2008); “Historia e qytetërimit shqiptar” (Tiranë, 2008). Kristo Frashëri si pedagog i historisë së Shqipërisë në Univeristetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka një kontribut të veçantë në përgatitjen e historianëve të rinj. Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016, në Tiranë.

Filed Under: Histori

Përkujtojmë 114-vjetorin e çeljes të së parës shkolle kombëtare pedagogjike në Shqipëri

December 2, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Shkolla Normale e Elbasanit është e para shkollë kombëtare pedagogjike në Shqipëri e themeluar më 1 dhjetor të vitit 1909, në bazë të vendimeve të Kongresit Kombëtar i mbajtur më 2-8 shtator 1909, në Elbasan. Shkolla Normale e Elbasanit, gjatë vitit akademik 1909-1910 numëronte 160 nxënës të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë. Drejtori i parë i saj u caktua z. Luigj Gurakuqi. Si mësues kanë punuar personalitete të arsimit kombëtar si Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Simon Shuteriqi, Kristo Dako, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ahmet Gashi, Mahir Domi, Salih Çeka, Eqrem Çabej, Thanas Floqi etj. Historia e Normales së Elbasanit është e lidhur ngushtë me zhvillimet politike në Shqipëri. Ajo u mbyll gjatë vitit 1912 dhe u çel pas luftrave Ballkanike, më 1913-1914, në kohën e Qeverisë së Vlorës dhe të Princ Vidit. Ajo u mbyll përsëri gjatë Luftës së Parë Botërore dhe u hap në vitin 1921. Nga viti 1921 ajo funksionoi rregullisht deri në vitin 1943, kur një numër i madh nxënësish i braktisën bankat e shkollës për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nga rradhët e normalistëve të Elbasanit ranë 63 dëshmorë.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • 107
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT