• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EKSKLUZIVE/ PAVARËSIA  DHE AUSTRO-HUNGARIA

November 12, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri*

“Është folur e flitet se kemi qënë ne që e shtytëm Ismail Qemal benë të vente në Shqipëri dhe të shpallte pavarësinë e atdheut tuaj, po kjo nuk është e vërtetë. Ju e dini që Ismail Qemali shkoi nga Stambolli në Bukuresht, mblodhi atje shqiptarët e Kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe me ta vendosi të shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Pra, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ka qënë iniciativa e vetë Ismail Qemalit. Kjo duhet të dihet…”

  • Konti Leopold Bertold, ish-ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë

Shumë është folur dhe shumë është shkruar lidhur me rolin e Austro-Hungarisë në realizimin e Pavarësisë së Shqipërisë. Vlen të theksojmë që në fillim se mbështetja politike austro-hungareze dhe italiane ishte tepër e rëndësishme në themelimin e shtetit modern shqiptar. Megjithatë, përtej mitizimeve dhe komplekseve ndaj të huajve, të cilat fshehin në rastin më të mirë injorancën dhe në më të keqin dashaligësinë, vlen që të analizojmë me objektivitet ngjarjet dhe faktet historike. Sepse sa më të qartë që të shikojmë të shkuarën tonë, aq më të kthjellët mund të dallojmë në mugëtirë të ardhmen tonë…

Përtej servilizmit klishe, duhet theksuar qysh në krye të herës, se Austro-Hungaria dhe Fuqitë e tjera, të gjendura përballë presionit të pan-sllavizmit në rritje, ishin për ruajtjen e status kuo-së në Ballkan. Ato ishin kundër shkëputjes së popujve të tjerë joturq nga perandoria. Prandaj, patriotët shqiptarë kërkonin fillimisht autonominë nga Perandoria Osmane. Shkëputja e shqiptarëve nga shteti osman, qoftë edhe me rrugë revolucionare, do të ligjëronte ndërhyrjen e shteteve fqinje që në fakt e prisnin këtë moment, siç edhe ndodhi… 

Në këto kushte patriotët shqiptarë po punonin për ngritjen e shkallës së ndërgjegjes kombëtare duke intensifikuar punën për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe hapjen e sa më shumë shkollave në gjuhën amtare. Ismail Qemali, në periudhën që jetoi në Bruksel dhe po punonte për çështjen shqiptare, zhvilloi takime me diplomatë të ndryshëm. I tillë ishte edhe ai me kontin Metsch Khevenhuller, ambasadori austro-hungarez në Bruksel, i cili u përcoll në një raport të dërguar ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë kontit Goluhovski, nga Brukseli, më 6 qershor 1901. Në raport ai pasqyronte bisedën diplomatike të zhvilluar midis tij dhe Ismail Qemalit. 

Në këtë takim Ismail Qemali, i kërkonte drejtpërdrejt konsullit austro hungarez mbështetjen e Austro-Hungarisë, në çuarjen përpara të çështjes shqiptare, duke zgjuar vetëdijen kombëtare shqiptare me anë të lëvrimit të gjuhës shqipe në shkolla. Njëkohësisht, ai kërkonte mbështetjen për të forcuar idenë e autonomisë dhe gradualisht Shqipëria të përgatitet që të qëndrojë vetë në këmbë si shtet i pavarur, në rastin e shkatërrimit eventual të Perandorisë Osmane. 

Në raportet diplomatike të kësaj periudhe pasqyrohet edhe shtimi i kontrolleve ndaj përdorimit të librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Kjo shfaqje e nervozitetit të autoriteteve osmane dhe shqetësimi i madh i tyre, vihet re menjëherë pas arratisjes së Ismail Qemalit nga Stambolli. Autoritet turke e kishin rritur vigjilencën në Shqipëri, pasi Ismail Qemali bënte pjesë te shqiptarët më të shquar që shërbenin në shtetin osman. Gjithashtu, Ismail Qemali kishte shumë pasues në Shqipërinë e Jugut, të cilët e vlerësonin atë si një burrë shteti me kulturë të madhe. Këto fakte i shqetësonin autoritetet osmane. Por ata me reagimin e tyre agresiv ndaj arratisjes së Ismail Qemalit, i veshën atij një aureolë më të shndritshme. 

Në vazhdën e këtyre veprimeve, pallati ngarkoi Esad pashë Toptanin për të mbledhur nënshkrime në Shqipërinë e Jugut dhe atë të Veriut, për një deklaratë kundër Ismail Qemalit. Patriotët shqiptarë dhe e gjithë popullata që ishte e pakënaqur me gjendjen, filluan të ushqenin shpresa dhe ideale të mëdha te figura e Ismail Qemalit. Këto zhvillime e shndërruan atë në personalitetin më të rëndësishëm shqiptar. Për pasojë autoritet osmane u frikësuan dhe u bënë edhe më tepër nervoze. Ata filluan të kryenin kontrolle të shumta në shtëpitë e patriotëve shqiptarë. Ata kryen edhe arrestime të patriotëve shqiptarë në Shqipëri dhe Turqi.

Qysh në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XX, Ismail Qemali pranohej gjithësisht si udhëheqësi i shqiptarëve. Në të njëjtën kohë, edhe pas fitores së Revolucionit Xhonturk (1908), ai shikohej si një prej figurave kryesore otomane. Dy ngjarje të rëndësishme për fatin e Ballkanit do të zhvilloheshin në vitin 1908: aneksimi i plotë i Bosnjë-Hercegovinës nga Austro-Hungaria dhe deklarimi i pavarësisë së Bullgarisë. 

Xhonturqit e kuptuan se, nëse do të ecej në këtë linjë, fundi i sundimit osman do të ishte i shpejtë, ndaj menjëherë ua filluan politikave centralizuese. Në këto momente ekzistonin dy rryma patriotike shqiptare: 1) Krahu kombëtarist i kryesuar nga Ismail Qemali ishte që ky moment të shfrytëzohej dhe shteti osman të njihte zyrtarisht ekzistencën e kombit shqiptar. Njëkohësisht Shqipëria të vetëqeverisej si një entitet politik i mirëpërcaktuar; 2) Krahu i moderuar, i kryesuar nga Mid’hat Frashëri ishte për avancimin e kërkesave kulturore dhe për arsim në gjuhën shqipe. Ndërkohë ata nuk ishin për kërkesa politike. 

Kryengritja e vitit 1910, në Kosovë u mbështet fuqishëm nga deputetët shqiptarë në Parlamentin Osman, ku spikatën Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga dhe Myfit Libohova. Ismail Qemal Vlora gjatë aktivitetit në parlamentin turk, mbrojti me kurajë luftën e shqiptarëve të Kosovës në kryengritjen e vitit 1910, kundër qeverisë xhonturke, e cila po dhunonte të drejtat dhe liritë e tyre. Në fjalimin e tij, ai u kërkonte xhonturqve që të mbanin fjalën e paraardhësve të tyre, e të respektonin traditën shekullore në marrëdhëniet shqiptaro-turke, duke mos u përzier në punët e brendshme të Shqipërisë. Në përshkrimet e politikanëve dhe diplomatëve austriakë, kryengritja në Shqipërinë e Veriut shikohej si vepër personale e Ismail Qemalit. Sipas tyre ai ishte i bindur se herët a vonë Austro Hungaria do të detyrohet t’i ndihmojë shqiptarët në luftën e tyre për liri.

Por, deri në vitet 1910 – 1911, qëndrimi dhe politika zyrtare e Austro Hungarisë ndaj popullit shqiptar, nuk shkonte përtej simpatisë dhe interesit që ai të zhvillohej në kuadër të Perandorisë Osmane dhe në pajtim me interesat shtetërorë turq. Austro-Hungaria i shikonte shqiptarët si një element shumë i rëndësishëm i Perandorisë Osmane. Austro-hungarezët ishin si me shqiptarët ashtu edhe me Turqinë dhe nuk dëshironin të ndërhynin në punët e brendshme të Perandorisë Osmane. 

Ndërkohë Ismail Qemali, me vizionin e tij largpamës, vazhdonte të kërkonte me ngulm mbështetjen e Austro-Hungarisë ndaj çështjes shqiptare, duke parë në horizont shkatërrimin e afërt të Perandorisë Osmane. Aftësitë politike dhe diplomatike të Ismail Qemal Vlorës do të dilnin përsëri në pah, në formulimin e Memorandumit të Greçës, në qershor 1911. Ky dokument ishte mishërim i kërkesave shqiptare për një autonomi të plotë. Ai ruante frymën e dokumenteve themelore politike të gjysmës së dytë të shek. XIX. 

Gjithsesi, ky zhvillim politik në tokat shqiptare i dëshmoi opinionit të gjerë ndërkombëtar se në Ballkan kishte ende një problem të pazgjidhur. Ky memorandum u bë dokumenti politik bazë për çfarëdo lloj hapi politik që do të hidhej më pas. Më në fund, në prag të rënies së Perandorisë Osmane, Austro Hungaria e pa Shqipërinë e pavarur si aleaten e vetme në Ballkan në përpjekjen e saj për t’i vendosur një barrierë pansllavizmit dhe ekspansionit italian. Por, me gjithë rolin e rëndësishëm të Austro Hungarisë, Pavarësia e Shqipërisë nuk u dhurua. Sepse askush nuk fal asgjë në arenën e politikës ndërkombëtare. Përveç mbështetjes politike, nga pikëpamja logjistike kërkesa që austro-hungarezët i plotësuan Ismail Qemalit ishte minimaliste, por e rëndësishme. Ata i vendosën në dispozicion një mjet lundrimi për të mbërritur në brigjet shqiptare. 

Sagës për pavarësinë shqiptare po i vinte fundi. Ismail Qemali dhe delegatët u nisën nga Trieste drejt brigjeve shqiptare, më 19 nëntor me anijen  austriake “Brünn. Në mbrëmjen e 20 nëntorit 1912, nën dritën e hënës vezulluese që po shkëlqente në brigjet shqiptare, pranë Kepit të Rodonit ose Kepit të Skënderbeut, ata zbritën tek anija tjetër austriake “Wurmbrand”, ku kaluan natën para zbritjes në Durrës. Nën yjet e netëve magjike të vjeshtës shqiptare, Providenca hyjnore kishte parashikuar që ata para se të kurorëzonin misionin e tyre të shenjtë në Vlorë, duhet që të bënin një ndalesë të fundit, pikërisht para Kështjellës dhe Kishës së Heroit tonë Kombëtar, në Rodon. Duket se heroi ynë kombëtar dëshironte që t’i jepte mbrojtjen dhe bekimin e tij Ismail Qemalit, në këtë vjeshtë të artë të shqiptarisë…

Ja si e kujton këtë çast një pjesëmarrës në këtë ngjarje, Dhimitër Zografi: “Në të njëjtën ditë me delegatët e Bukureshtit mbërritën në Trieste edhe Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin (që ktheheshin nga vizita në Austro-Hungari; shënim i E.B.). Ata sollën lajmin se Vlora ishte bllokuar nga grekët, ndaj duhej të niseshin menjëherë drejt Durrësit pa u mbyllur ende kjo rrugë. Në dispozicion të delegatëve shqiptarë, Austria kishte vënë vaporin special “Graf Wurmbrandi”. Misioni i tyre do të kishte mbrojtjen e Austrisë dhe  Italisë. Në Trieste blenë armë dhe municione dhe u nisën drejt Shqipërisë. Një vapor tjetër i Austrisë ndiqte gjithçka që ishte duke  ndodhur në Shqipëri…

Në Durrës, Ismail Qemali nuk dëshironte të vonohej aspak. Ai shpjegoi gjendjen aktuale të Shqipërisë. “Turqia i lau duart nga Ballkani,” – u tha ai, – “por që Shqipëria të mos bjerë në një robëri tjetër duhet të ngrejmë flamurin dykrenor kuq e zi, dhe të shpallim vetëqeverimin e Shqipërisë të mirëpritur edhe nga Fuqit e Mëdha…”. Një çast gjithë mbledhja mbeti e hutuar, ajo që dëgjuan nga goja e Ismail Qemalit ishte mes së besueshmes dhe të pabesueshmes. 

Faktikisht, asnjëra nga Fuqitë e Mëdha nuk kishte ndërmend që të na falte Pavarësinë. Nëse ajo nuk do të bëhej në atë moment të fundit, nuk do të mund të realizohej më kurrë. Nëse Ismail Qemal Vlora nuk do të kishte mbledhur patriotët nga mbarë trojet shqiptare atë fund nëntori në Vlorë, me siguri që Shqipëria do të copëtohej njëherë e mirë midis fqinjëve grabitqar. 

Prandaj, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë duhej të bëhej me çdo kusht, gjallë a vdekur. Vetëm në këtë mënyrë Fuqitë e Mëdha do t’i njihnin të drejtat legjitime të shqiptarëve. Sepse nëse ka diçka që historia e njerëzimit na mëson, është fakti që çdo betejë për lirinë njerëzore është fituar me anë të forcës. Pavarësia e Shqipërisë i ka themelet tek lufta shekullore për liri, tek sakrificat dhe gjaku i derdhur ndër shekuj nga shqiptarët. Austro-hungarezët e mbështetën Ismail Qemalin, sepse ishin të vetëdijshëm që ai ishte i vetmi lider që mund t’i përbashkonte shqiptarët në këtë moment historik. Ata u pajtuan me krijimin e Shqipërisë së pavarur, pavarësisht përmasave të saj. Fuqia e perandorisë austro-hungareze ndikoi që çështja shqiptare të gjente një zgjidhje, qoftë kjo edhe e pjesshme. Megjithatë, trojet shqiptare u copëtuan brutalisht, duke lenë jashtë kufirit thuajse gjysmën e popullsisë etnike shqiptare…

Ismail Qemali, jo pa trishtim, do të shprehej: “Në qoftë se shqiptarëve nuk do t’u mjaftojnë forcat për të zmbrapsur sulmin e padrejtë [të fqinjëve], […] , atëherë ata nuk do ta humbin shpresën se kombet e qytetëruara të Europës dhe sidomos Fuqitë e Mëdha, të cilat … do ta njohin drejtësinë e synimeve tona. … Edhe nëse diplomacia nuk do t’i njohë menjëherë të drejtat e shqiptarëve, koha do t’i njohë ato patjetër më vonë.”. 

Në intervistën e dhënë për gazetën më të madhe austriake të kohës “Neue Freie Presse”, në Vjenë më 8 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalosi idetë e tij për politikën që do të ndiqte shteti shqiptar në raport me fqinjët ballkanikë. Ai e krahason pretendimin e Serbisë për të pasur një port në Adriatik, njësoj sikur Zvicra e rrethuar me male, të thoshte se, meqë nuk ka dalje në det, nuk mund të ekzistojë dot në qoftë se nuk i jepet porti i Gjenovës.  

Ismail Qemali deklaron më tej se, Shqipëria e pavarur do të jetë një shtet me rreth dy milionë e gjysmë banorë. Ky shtet duhet të përfshijë të tërë Vilajetin e Shkodrës, pjesën shqiptare të vilajetit të Janinës, pjesën shqiptare të Manastirit, pjesën perëndimore të Manastirit përreth Ohrit, Dibrën, Elbasanin, Korçën, sanxhakun e Pejës me Gjakovën, sanxhakun e Prizrenit, një pjesë të Sanxhakut të Shkupit dhe një pjesë të sanxhakut të Prishtinës. Duke marrë si model “fanarin e lirisë” në botë ShBA-të, Ismail Qemali tha se: “Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani, për arsye të pozitës së tij qendrore, por rol të madh mund të luante edhe Vlora, ku mundtë shkonte hekurudha. Elbasani mund të ishte Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju Jorku ynë.”. 

Për marrëdhëniet me dy Fuqitë, të cilat përkrahnin idenë e shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemali shprehet se dëshironte të kishte marrëdhënie të mira me Austro-Hungarinë dhe me Italinë, në mënyrë që këto dy shtete të mbështesin nevojat tona kulturore dhe ekonomike. “Një vendi të vogël i nevojitet përkrahja e shteteve të mëdha dhe është e qartë se kjo mbështetje te dy vendet aleate të Adriatikut, Austro-Hungaria dhe Italia, do të vijë vetvetiu. Kështu, monarkia e madhe fqinje, mysafir i së cilës jam tani, mund të ketë vetëm përfitime nga një Shqipëri e pavarur,” – përfundon Ismail Qemali. 

Patrioti i shquar gjirokastrit Thoma Papapano na sjell një dëshmi autentike, kur përshkruan në kujtimet e tij një vizitë që zhvilloi një delegacion qeveritar shqiptar në Europë në vitin 1913, për të mbrojtur trojet shqiptare nga copëtimi. Në përbërje të delegacionit ishin disa personalitete shqiptare si Myfid Libohova, Petro Poga, Rauf Fico, Thoma Papapano, Eqrem Vlora, Lame Petri dhe Ajet Libohova. Interesant është përshkrimi që ai i bën takimit të zhvilluar në Vjenë, më datë 21 gusht 1913, me ministrin e Jashtëm austro-hungarez kontin Leopold Berchtold: “…E kur ishim duke dal nga zyra e tij duke e përshëndetur e duke e falënderuar na ndali e na tha: “Është folur e flitet se kemi qënë ne që e shtytëm Ismail Qemal benë të vente në Shqipëri dhe të shpallte pavarësinë e atdheut tuaj, po kjo nuk është e vërtetë. Ju e dini që Ismail Qemali shkoi nga Stambolli në Bukuresht, mblodhi atje shqiptarët e Kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe me ta vendosi të shpallet Pavarësia e Shqipërisë. Pra, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ka qënë inisiativa e vetë Ismail Qemalit. Kjo duhet të dihet…” (AQSH. F. 441, D, 846. Kujtime të Thoma Papapanos, f. 103-111). 

Ky rrëfim përputhet edhe me një tjetër dëshmi autentike, të shkruar te gazeta “Bashkimi i Kombit”, më 11 gusht 1944: “Myfit Libohova mbi disa ngjarje,” – shkruan Ali Asllani – “ish larguar i zemëruar nga Plaku, nuk vinte të merrte pjesë në mbledhje të Këshillit Ministror, por kur u kthye nga Vjena dhe nga Roma që kish vuajtur, ndryshojti sjelljet e tija dhe në mbledhjen e parë të Këshillit erdhi. Atë ditë para se të fillonin bisedimet, duke iu drejtuar Ismail Qemalit tha: “Bej Efendi, të më falni, unë kam pandehur se zotrote erdhe në Shqipëri i shtytur dhe i këshilluar nga dy mbretëritë mbrojtëse, kurse nashti që isha në Vjenë dhe në Romë nga goja kompetente dëgjova dhe mora vesh të vërtetën; pra më epni leje të Ju puth dorën.”. 

Ministri austro-hungarez i Punëve të Jashtme, konti Berchtold (Bertold), më 17 nëntor 1912, kërkoi bashkëpunimin e Italisë lidhur me rregullimin e problemit shqiptar. Në telegramin drejtuar homologut të tij italian, ai bënte me dije interesin e përbashkët që palët kishin në krijimin e një Shqipërie autonome, që duhej të përfshinte në kufijtë e saj të gjitha territoret që banohen ekskluzivisht prej shqiptarëve, ose të paktën, krahina të banuara në shumicë prej tyre. Austro Hungaria nuk e mbështeste daljen e Serbisë në Adriatik, ndërsa në lidhje me kufijtë e Jugut, pranonte t’i jepte Greqisë territorin në jug të lumit Kalamas. 

Rivaliteti midis Austro-Hungarisë dhe Italisë në çështjen shqiptare ndikoi në arritjen e një marrëveshje midis tyre që në vitin 1907. Sipas marrëveshjes të arritur nga ministrat e Jashtëm Erental dhe Titoni, formimi i shtetit shqiptar ishte e vetmja zgjidhje që ju përgjigjej interesave të tyre reciproke në rast pamundësie të ruajtjes së sundimit osman në këtë rajon. Qëndrimi i tyre për ruajten e statuskuosë mbeti i pandryshuar edhe pas fillimit të luftërave ballkanike. Dhe, në fund, Fuqitë e Mëdha do të pajtoheshin me krijimin e një Shqipërie të pavarur, paçka se cilat territore do të përfshiheshin në shtetin e ri… 

Diplomati austriak Alfred Rappaport, i cili ishte njohësi më i mirë i Ballkanit dhe Shqipërisë në ministrinë e jashtme austro-hungareze, shkruan se Shpallja e Pavarësisë nga Ismail Qemali “ka qenë një kusht kryesor për ndryshimin e planeve rrënuese kundrejt Shqipërisë. Ismail Qemali diti të zgjedhë në mënyrë gjeniale vendin dhe kohën për veprën e madhe diplomatike”. “E vetmja punë e mirë gjatë këtyre dy muajve (d.m.th prej shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike deri në hapjen e Konferencës së Londrës),” – thotë Alfred Rappaport – “qe ajo e Ismail Qemalit, d.m.th, shpallja e vetëqeverimit të Atdheut të tij në Vlorë më 28 nëntor. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme kishte një kuptim të thellë diplomatik, sepse diti të zgjidhte kohën më të volitshme për hapin që bëri; kështu që, me shfaqjen e vullnetit të popullit shqiptar u dha në dorë atyre që përpiqeshin për vetëqeverimin e Shqipërisë një argument të shëndoshë për konferencën që do të hapej. Përveç kësaj, ishte një punë me të vërtetë shumë e urtë shpallja e Pavarësisë në një vend të cilin aleatët ballkanikë nuk e kishin pushtuar akoma; sepse për këta nuk ishte gjë e lehtë t’ia mbyllnin gojën Qeverisë së Përkohshme.”.

Në prag të përvjetorit të parë të pavarësisë në tetor 1913, Ismail Qemali, në fjalimin para popullit në Vlorë, ndër të tjera thotë: “Mundet se q’atëhere e gjer më sot qeveria nuk i bëri disa gjera që duheshin bërë, apo bëri ligsht disa të tjera; po të jeni të siguruar se punoi ashtu duke mos mundur të sillej ndryshe. Një punë me vleftë të madhe s’munt t’i mohohet qeverrisë sonë, të mbajturit lart e flamurit të lirisë. Asht kjo një punë me rëndësi? Po s’ka dyshim! Veç kësaj duhet të vini re përpjekjet që bani qeverrija për të mos lanë të vobektin të vuajë.

Kur Europa ish duke vendosur fatin t’ënë, na rronim në këtë qytet të mbyllur, pa pasur asnjë marrëdhanije me botën e jashtme dhe pa ditur se qysh do t’i vente filli çështjes sonë. Kuptohet lehtas, pra, se interesi i math që për ne që të dilnim përjashta e të përpiqeshim për të drejtat t’ona që ishin në rrezik. Gjetëm mënyrën për të dalur, dualëm dhe pik së pari u përpoqëm për hapjen e bllokut, që qarkonte Vlonën e që aq shtërngime i kishte sjellur njerzis së këtyre viseve, sa që me gjith masat e qeverisë, njerëzia druante fort ditën e nesërme. Përjashta e kuptuam qysh edhe kush ishte përpjekur për të mirën e këtij vendi.

Mbasi ishte vendosur që të bahej një Shqipërie, gjendej ahere nën bisedim çashtja e kufijve të jugës sepse nga ana e veriut dhe verilindjes konferenca ua kishte dhanë dënimin e vdekjes së Kosovës edhe Dibrës. S’ka dyshim, ish detyrë e Qeverris, të përpiqej që të mos jes asnjë Shqiptar jashtë Shqipërisë. Por, fatkeqësisht, nuk ishim mjaft të përgatitur dhe megjithë që Austria i mbajti 1 milion ushtarë në këmbë, dhe Italia u përpoq me gjithë mënyrat dhe Anglia desh të na mbrojë por, që të mos kërcasë një luftë europiane, u shtërngua të na bëjë theror.”

Në mbyllje Ismail Qemal Vlora e parashikon se, do të vij dita kur do të ketë drejtësi për çështjen shqiptare dhe deklaron: “Ne kemi besim të patundëm te drejtësia e atyne q’e kanë në dorë fatin e kombit t’onë. Ata do të dinë t’i peshojnë arësyet q’e shtyjnë Malësorin t’onë të rëmbejë pushkën e t’a fitojë me ndihmën e ‘saj atë të drejtë të cilën s’mundi t’a fitojë me urtësi pasi u përpoq dhe e cila duheshe fituar me doemos. Na presim të shohim Europën duke vënë në peshën e ‘saj, drejtësiën, durimin, urtësiën dhe gjakun t’onë të derdhëm bujarisht me nj’anë; dhe m’anën tjetër padrejtësiën, poshtësiën, dhe gjakun e Serbëve të derdhun cubërisht.”

Mit’hat Frashëri, i cili shërbeu në Qeverinë e Vlorës, do të shprehej: “Pa dashur të bënj apologjinë e Ismail Qemal beut, i cili në të tjera pika munt të ketë do të meta, padyshim që ai pati meritën e iniciativës dhe te talentit diplomatik, dhe këto cilësi do t’i sigurojnë për kurdoherë nje vënt në kujtimet mirënjohëse të kompatriotëve të tij dhe të albanofilëve.”.

Ismail Qemal Vlora hodhi themelet e ndërtimit të shtetit modern shqiptarë. Ai konceptoi vijën politike mbi të cilën do të ecte ky shtet. Mbi trashëgiminë e tij u ngritën themelet e institucioneve shtetërore shqiptare. Vizioni i Ismail Qemalit vijon që t’a udhëheq diplomacinë shqiptare.

Doktrina politike e Ismail Qemalit e konceptoi Shqipërinë si një faktor ekuilibri, stabiliteti dhe paqeje në Gadishullin e Ballkanit; një rol të tillë Shqipëria e ka luajtur dhe vijon ta luajë me sukses edhe sot e gjithë ditën në Gadishullin Ilirik. Ismail Qemali theksoi rëndësinë e faktit që për ta realizuar përfundimisht këtë synim, duhet që të respektohen të drejtat kombëtare, pavarësia dhe tërësia territoriale e shtetit të ri shqiptar: “Jemi të bindur se qëndrimi me drejtësi ndaj nesh do të jetë jo vetëm në të mirën tonë, por edhe të atyre që synojnë të përfitojnë në kurrizin tonë. Rindërtimi i bllokut ballkanik dhe garantimi i tij do të jetë një nga faktorët më të frytshëm për paqen në Lindje dhe në botë. Ngrehina e Ballkanit mund të jetë e qëndrueshme vetëm po të forcohet Shqipëria, që përbën shtyllën e katërt mbajtëse të saj.”.

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

AQSH. F. 441, D, 846. Kujtime të Thoma Papapanos, f. 103-111.

Filed Under: Histori

TRAKTATI I LOZANËS MË 1923 DHE PASOJAT E TIJ NË SHQIPËRI DERI ME TANI

November 11, 2024 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Me rastin e 100-vjetorit të Traktatit të Lozanës (24 korrik 1923) u shënuan në vende të ndryshe disa aktivitete shkencore dhe dolën dy libra me peshë në gjuhën angleze. I pari, libri i Michelle Tusaniit “Traktati i fundit: Lozana dhe përfundimi i Luftës së Parë Botërore në Lindjen e Mesme” (New York, 2023) dhe i dyti libri me studime të 17 historianëve evropianë, turq e amerikanë “Të gjithë e donin paqen: Ç’është paqja?: Traktati i Lozanës dhe rendi i ri imperial” (Londër, 2023) që e redaktuan J. Colin dhe Ozan Ozvaçi. Ndërkohë u përgatit në Lindjen e Mesme një libër tjetër i grupit të autorëve që del së shpejti, me një qasje më ndryshe, pasi me Traktatin e Lozanës, Lindja e Mesme mori formën e tashme me ca ndryshime në kufijtë e shteteve të reja që u formuan atje. Me këtë qasje të re përfshihen Çamëria dhe Shqipëria, pasi Traktati i Lozanës përfshinte shkëmbimin e detyrueshëm të popullsisë midis Turqisë dhe Greqisë që kishte pasoja të rënda, pasi me “turqit” u përfshinë të gjithë myslimanët në Greqi, kurse me “grekët” e larguar nga Turqia u përfshinë të gjithë të krishterët ortodoksë grekë e jogrekë.

Çamët – viktimë e dyfishtë

Kuptohet, çamët myslimanë ishin viktimë dy herë si pasojë e këtij traktati, pasi u trajtuan në fillim si “turq” nga qeveritë greke për t’i dërguar në Anadoll, ku tani ende kemi një komunitet çam atje, si dhe çamët ortodoksë u ndanë me dhunë nga vëllezërit që të asimilohen më lehtë në Greqi. Mirëpo, falë Qeverisë shqiptare që protestoi dhe e ngriti këtë çështje në Lidhjen e Kombeve deri në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, pjesa e mbetur e çamëve myslimanë shpëtoi përkohësisht deri më 1940, kur përjetoi më vonë një tragjedi më të madhe.

Siç dihet, Italia fashiste kishte pretendime territoriale në Ballkanin Perëndimor duke përshirë Shqipërinë dhe Greqinë. Kështu, pasi e pushtoi Shqipërinë më 7 prill 1939 duke i mashtruar shqiptarët me idetë për Shqipërinë e Madhe, ajo përgatiti terrenin për pushtimin e Greqisë më 28 tetor 1940 duke rekrutuar dy batalione prej vullnetarëve çamë për “çlirimin e Çamërisë”. Mirëpo, pas betejave të para, ushtria italiane u detyrua të tërhiqet pasi ushtria greke depërtoi nga lindja dhe iu afrua Korçës.

Me depërtimin e ushtrive gjermane-bullgare-italiane në Ballkan më 6 prill 1941, Italia shtroi kontrollin ushtarak në pjesë të madhe të Greqisë, shumicën e Kosovës dhe Maqedoninë perëndimore. Ndonëse e shpalli bashkimin e Kosovës dhe Maqedonisë perëndimore me Shqipërinë, Çamëria mbeti në kuadër të Greqisë, por tani me një administratë të posaçme për çamët. Mirëpo, me dorëzimin e Italisë në shtator 1943, rezistenca greke me orientim të majtë (ELAS) përparoi në lindje edhe në pjesën qendrore të Greqisë, kurse në veriperëndim u përqendrua krahu nacionalist (EDES) në krye me gjeneralin Napoleon Zerva, i cili filloi një fushatë të pamëshirshme kundër çamëve myslimanë si “kolaboracionistë me pushtuesit”. Kështu, forcat e tij kryenin krime masive kundër çamëve gjatë vitit 1944 dhe deri në qershor1945, që u cilësuan më vonë si “gjenocid”.

Gjendja mizore në Shqipëri

Si pasojë, çamët pasi vuajtën nga konfiskimi i pronave të tyre, tani mezi arritën të kalojnë kufirin dhe të strehohen në Shqipëri nëpër çadra në disa kampe. Siç dihet, gjendja në Shqipëri ishte mizore në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kështu që Tirana kërkoi ndihmë nga UNRRA (Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë e Rehabilitim) që ndau pak mjete për çamët. Ndonëse regjimi i komunist në atë kohë (1945-1947) ngriti fatin e çamëve në konferencat dhe organizatat botërore, më 1948 hoqi dorë nga përkrahja e rezistencës greke (ELAS) dhe u zu në luftë kundër revizionizmit pasi Stalini u pajtua me fatin e Greqisë si vend në bllokun perëndimor, me çka u krye lufta civile në Greqi, 1946-1949.

Qytetarë të rendit të dytë

Në këto rrethana të reja, regjimi komunist ndryshoi qëndrimin ndaj refugjatëve çamë në Shqipëri (mbi 20 mijë) dhe më 1953 nxori një vendim jokushtetues për dhënien e nënshtetësisë shqiptare të gjithë çamëve, pra pa ndonjë kërkesë prej tyre dhe pa botuar vendimin në Gazetën zyrtare ashtu siç kërkohej. Ndonëse me nënshtetësinë shqiptare, tani çamët duhet të trajtoheshin njësoj me të tjerët, çamët ndiheshin si qytetarë të rendit të dytë.
Siç dihet, regjimi komunist përjetoi një krizë më 1977 me ndryshimet politike në Kinë dhe ndërprerjen e ndihmave kineze për shkak të kritikave të Tiranës kundër kursit të ri kinez. Mirëpo, më 1981, Partia Socialiste në Greqi (PASOK) fitoi në zgjedhje dhe mbeti në pushtet deri më 1989, gjë që hapi një shteg të ri për Tiranën dhe e nxiti Enver Hoxhën ta botojë më 1985 librin e tij “Dy popuj miq”. Në shenjë përmirësimi të marrëdhënieve, Qeveria greke e anuloi “Ligjin e luftës” më 1987, por u pa më vonë se për këtë duhej edhe aprovimi i parlamentit grek që e nxori këtë ligj më 1940, gjë që nuk u bë kurrë.

Pranvera shqiptare më 1990

Kthesa e vërtetë ndodhi me Pranverën shqiptare më 1990, kur elita çame u mblodh duke shpallur themelimin e shoqërisë “Çamëria” më 10 janar 1991 dhe me regjistrimin e parë të çamëve në Shqipëri që zbuloi numrin e tyre: 204,255 veta. Prania e çamëve në parlamentin e parë me shumicë demokratike bëri që ky parlament ta shpallë 24 qershorin si ditë përkujtimi të “gjenocidit kundër çamëve në Çamëri prej shovinizmit grek”. Ndërkohë u themeluan dy parti çame që u bashkuan më 2011 në Partinë e Drejtësisë, Integrimit dhe Unitetit në krye me Shpëtim Idrizin. Në ato vite, çështja çame filloi të ndërkombëtarizohet në forma të ndryshme, varësisht prej qeverive në pushtet.

Kështu, me Qeverinë e parë demokratike më 1992 u bënë për herë të parë përpjekje serioze për ta prekur esencën e problemit: kthimi i çamëve ose kthimi/kompensimi i pronave të tyre. Kështu, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Papulias, në mars 1995 të dyja palët u pajtuan ta formojnë një komision për ta shqyrtuar mundësinë e kompensimit të pronave. Ky orientim i ri u shpreh në Traktatin e Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë më 21 mars 1996, në të cilin Tirana insistoi të futet aty neni (15) i cili thotë se “secila nga palët do të përballojë mundësinë e heqjes, brenda kuadrit të saj ligjor, të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë shtetasit e njërës palë në territorin e palës tjetër”. Mirëpo, pas ndryshimit të kursit politik, ky traktat “vdiq” më 31 janar 2023 pas që asnjë palë nuk e shprehu dëshirën për vazhdimin e tij.

Viti i parë i 100-vjetorit të ri

“Vdekja” e Traktatit të Miqësisë midis Shqipërisë dhe Greqisë ndodhi mu një ditë pas 100-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të parë të Lozanës më 30 janar 1923 për shkëmbimin e popullsisë, i cili u fut në traktatin final të nënshkruar më 24 korrik 1923.
Megjithatë, si çdo vit, më 27 qershor 2024, Kuvendi i Shqipërisë filloi seancën me një minutë heshtje për viktimat e “gjenocidit të Çamërisë”, i cili sivjet përkoi më 80-vjetorin e kësaj tragjedie. Me këtë rast, kryetari i partisë PDIU Shpëtim Idrizi tha: “Gjenocidi nuk ka moshë. Memoria e një kombi është më e madhe sesa e një njeriu. Jam këtu për ta sqaruar dhe për ta thënë më me forcë, masakrat ndaj të parëve tanë nuk i falim dhe nuk i harrojmë”
Megjithatë, z. Idrizi tani në fillim të shekullit të ri të golgotës së çamëve, duket më realist pas shumë përpjekjeve që bëri në Shqipëri për hir të kësaj kauze. Kështu, në një takim me të në Tiranë më 5 shtator 2024, ai tani pret më shumë nga e drejta ndërkombëtare në Hagë dhe normat evropiane të të drejtave të njeriut në Strasburg. Ai ka të drejtë pasi Shqipëria është kandidate për Bashkimin Evropian, dhe kryeministri Edi Rama shpreson se deri më 2030 do të bëhet anëtare e plotë, ku mund të shtrohet kjo çështje edhe në Parlamentin Evropian si një paradoks në Evropë. Aq më tepër, është tani në pyetje se si u pranua Greqia në Bashkimin Evropian kur është në një gjendje lufte me një vend fqinj?

Në të vërtetë, siç sqaron këtu avokati dhe ish-zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë Halil Hyseni në një shkrim analitik (“Panorama”, Tiranë 7 tetor 2024), nuk është këtu fjala për anulimin e Ligjit të luftës të vitit 1940, por për shumë efekte juridike të këtij ligji në dëm të çamëve, përkatësisht për Ligjin e Forcës nr.2636 të vitit 1940 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike” që ende janë në fuqi.

Megjithatë, tani në Shqipëri ka që mendojnë se nuk kemi më fare as ligj të luftës. Kështu avokati dhe shkrimtari Spartak Ngjela deklaroi në një debat para disa ditëve (“Panorama” 4 nëntor 2024) se “Ligji i luftës është hequr. E kanë deklaruar, ka marrë fund. Janë kot broçkulla që nxjerrin antishqiptarët. Shqipëria dhe Greqia janë në NATO, si ka mundësi të jenë në gjendje lufte dy anëtarë të NATO-s, kush e kërcënon njëri-tjetrin?”. Vërtet Ligji i luftës është hequr nga Qeveria më 1987 e jo nga Parlamenti grek që e nxori më 1940, ndaj efektet e tij juridike janë në fuqi sot e kësaj dite.
Këtë kontrast e shpjegon mirë deputeti i PS-së, Petro Koçi në një debat tjetër të njëjtën ditë (“Panorama”, Tiranë, 4 nëntor 2024). Kështu, deputeti pranon në fillim se “është e vërtetë se në Greqi ka antishqiptarizëm të organizuar”, por në fund pranon se “ne e konsiderojmë Greqinë një partner strategjik”. Ndoshta kjo shpjegon më se miri se pse “vdiq” Traktati i Miqësisë midis Shqipërisë e Greqisë më 30 janar 2024 ,i cili me nënin (15) mbante njëfarë shpresë për çamët në Shqipëri.

Filed Under: Histori

ST. LOUIS POST-DISPATCH (1913) / “NËSE ROOSEVELT-I DËSHIRON TË BËHET MBRET I SHQIPËRISË, NE DO TA VENDOSIM ATË PËRPARA TË GJITHË KANDIDATËVE TË TJERË TË PËRMENDUR” — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME ISMAIL QEMALIN NË HOTELIN “CECIL”, NË LONDËR

November 10, 2024 by s p


Qeveria e përkohshme e Shqipërisë në Romë (Foto : Scavalli Veccia) — Burimi : L’Illustrazione Italiana, 13 prill 1913, faqe n°348
Qeveria e përkohshme e Shqipërisë në Romë (Foto : Scavalli Veccia) — Burimi : L’Illustrazione Italiana, 13 prill 1913, faqe n°348

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Nëntor 2024

“St. Louis Post-Dispatch” ka botuar, të dielën e 11 majit 1913, në faqen n°8, intervistën ekskluzive me Ismail Qemalin në hotelin Cecil, në Londër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Theodore Roosevelt mund të jetë mbret (i Shqipërisë) nëse kërkon punë

Burimi : St. Louis Post-Dispatch, e diel, 11 maj 1913, faqe n°8
Burimi : St. Louis Post-Dispatch, e diel, 11 maj 1913, faqe n°8

“Ai thjesht duhet të na afrohet,” deklaron lideri i kombit në kërkim të një monarku të fortë.

“Vendi im ka nevojë për një njeri”

Shpresojmë që ish-presidenti amerikan të përfitojë nga kjo hapje.

Kabllo speciale për The Post-Dispatch dhe New York World.

Copyright, 1913, nga Press Pub. Co. (New York World.)

Londër, 10 maj. — The Post-Dispatch dhe New York World janë në gjendje t’i ofrojnë fronin e Shqipërisë Theodore Roosevelt-it. Negociatat janë çuar tashmë deri në atë pikë sa koloneli duhet vetëm të nënkuptojë gatishmërinë e tij për të pranuar dhe kurora është e tij.

“Nëse Roosevelt-i dëshiron të bëhet mbret i Shqipërisë, ne do ta vendosim atë përpara të gjithë kandidatëve të tjerë të përmendur. Personalisht, do ta votoja me siguri.”

“Roosevelt-i është një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm në botë, duke qenë për nga natyra në një nivel më të lartë se princat e thjeshtë.”

Këtë e deklaroi sot me forcë Ismail Qemali, presidenti i përkohshëm i Shqipërisë dhe kreu i delegacionit të popullit shqiptar përgjegjës për gjetjen e një lideri të pranueshëm për ta nga konferenca e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha. Qemali i shoqëroi fjalët e tij me gjeste dramatike, sikur ta kishte vendosur me vendosmëri Roosevelt-in në fron.

Audienca e korrespondentit të The Post-Dispatch dhe The World me Qemalin u zhvillua në Hotelin Cecil, ku ai po qëndron, i shoqëruar nga bashkëdelegatët Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit dhe Noga, Konica dhe “Deletgus”. Ata e përshëndetën korrespondentin e The Post-Dispatch me përzemërsi dhe mirësjellje të theksuar. Qemali është një zotëri flokëbardhë, mjekërbardhë, me të folur të ngadaltë, dinjitoz dhe sjellje oborrtare (mbretërore). Djali i tij, i cili është me të, është një djalë i shkurtër, esmer, rreth 30 vjeç, vigjilent dhe i gjallë. Gurakuqi është më i gjati i delegacionit, me mbi gjashtë këmbë. Ai është i zgjuar dhe i fortë, me një çehre të bronztë dhe mustaqe të zeza të trasha. Noga është një diplomat, i butë, i lëmuar dhe i rezervuar. Konica dhe “Deletgus” janë ushtarakë në dukje, me tipare të zbehta dhe trupa të thurur mirë.

I interesuar për sugjerim.

Të gjithë ata shprehën interesin më të madh dhe u befasuan dukshëm nga sugjerimi i The Post-Dispatch në lidhje me Roosevelt-in. Ismail Qemali tha duke buzëqeshur me kënaqësi :

“Kjo është me të vërtetë një ide amerikane, por përse duhet të kujdeset Roosevelt-i për t’u bërë sundimtar i Shqipërisë kur ai tashmë është pothuajse një Mbret në vendin e tij ?”

Korrespondenti shpjegoi se perspektiva e mbretërimit shqiptar dukej më e prekshme. Qemali u gudulis nga risia e sugjerimit, të cilin ai e pranoi si kompliment për vendin e tij. Anëtarët e tjerë të grupit u ulën me padurim përpara në karriget e tyre, me ankth të mos humbisnin asnjë fjalë nga biseda, e cila u zhvillua në frëngjisht, pasi delegatët flisnin pak anglisht. Korrespondenti sugjeroi disa nga kualifikimet e veçanta të Roosevelt-it për këtë pozicion. Për shembull, ai do të ishte plotësisht i pamposhtur nga ndikimet evropiane. Qemali u pajtua, duke thënë :

“Ajo që thoni është e vërtetë. Roosevelt-i do të ishte i lirë nga ndikimi dinastik, i tillë që mund të binte mbi të emëruarit e tjerë, të cilët mund të kenë interesat e tyre për të mbrojtur.”

Korrespondenti vuri në dukje se Roosevelt-i kishte një forcë të madhe karakteri dhe nuk do të duronte asgjë të pakuptimtë nga jashtë, duke qenë si vetë shqiptarët, një luftëtar i lindur. Kësaj Qemali iu përgjigj :

“Kjo është e vërtetë. Roosevelt-i është një njeri i madh, i guximshëm dhe i drejtë; ai zotëron pikërisht karakterin e përshtatshëm për mbretin tonë.”

Doli nga populli.

Korrespondenti dha më pas emra monarkësh të ardhur nga njerëz që kishin arritur famë të pavdekshme, ndaj të cilëve Qemali ngriti supet si për të thënë se nuk ishte i aftë të kundërshtonte të padiskutueshmen. Ai shtoi :

“Unë pajtohem që Roosevelt-i është një njeri i jashtëzakonshëm, i aftë për të përballuar një situatë të jashtëzakonshme dhe se ai është njeriu që i duhet vendit tim në këtë moment, kur ne kemi nevojë për një burrë të fortë. Roosevelt-it i mbetet vetëm të na afrohet. Unë nuk e propozoj atë, por nëse ai do të propozojë veten, kjo është çështje tjetër. Ju ma keni sugjeruar emrin e tij dhe përgjigja ime është, pse jo ?”

“Nuk ka njeri më të përshtatshëm se ai për t’u ngjitur në fronin tonë. Unë ju them, nëse Roosevelt-i sugjeron veten, ne do ta vendosim atë përballë të gjithë të tjerëve. Nuk ka asnjë formë të veçantë etiketimi që duhet respektuar në paraqitjen e kandidaturës së tij, sepse në krizën që po përballet Shqipëria nuk mund të bëjmë asnjë ceremoni se si mund të na paraqitet emri i Roosevelt-it.”

Korrespondenti vuri në dukje se Roosevelt-i nuk ishte një njeri që të qëndronte në ceremoni, nëse donte diçka. Ai nuk ishte skllav i mirësjelljes më shumë se shqiptarët. Qemali vazhdoi :

“Roosevelt-i është një gjuetar i madh dhe njerëzit tanë janë të famshëm për entuziastët e tyre të gjuetisë, kështu që kjo lidhje simpatie na bashkon.”

Ismail Qemali shtoi me entuziazëm : “Nëse ai pranon të prezantohet, unë do të shkoj ta marr. Unë dëshiroj shumë të vizitoj Shtetet e Bashkuara.”

Deri te Roosevelt-i i ri.

Pastaj dyshimi i çastit dukej se e pushtoi Ismail Qemalin, i cili pyeti : “Unë e di që Roosevelt-it i përshtatet karakteri, trajnimi dhe aftësia dhe se ai mund të përshtatej me çdo rrethanë, megjithëse historia ka treguar se princat e importuar rrallë kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë në mënyrë të kënaqshme, por a do të kishte para të mjaftueshme ? Unë kurrë nuk kam dëgjuar se ai është një nga milionerët amerikanë. Do t’i duheshin mijëra e mijëra dollarë për të mbajtur një oborr mbretëror, qoftë edhe në Shqipëri. Kjo është një pikë që, për fat të keq, duhet ta kemi parasysh në zgjedhjen e një mbreti.”

Korrespondenti guxoi të sugjeronte se Partia Republikane, nga mirënjohja ndaj shërbimeve të kaluara të Roosevelt-it, pa dyshim do të ishte e gatshme ta subvenciononte atë për sa kohë që ai të qëndronte në Shqipëri. Qemali replikoj :

“Ah, kjo është mirë. Sugjerimi juaj na intereson thellësisht. Shpresoj se Roosevelt-i do të përfitojë nga mundësia që po i ofrojmë përmes The Post-Dispatch për t’u bërë lider i vendit tonë.”

Qemali nuk ishte në gjendje të thoshte se sa do të qëndrojë delegacioni në Londër, por ndoshta do të qëndrojë për të paktën dhjetë ditë. Aktualisht ata janë në pritje të çështjes së konferencës së ambasadorëve. Lëvizja tjetër qëndron tek Roosevelt-i.

Filed Under: Histori

Princi i Maleve Kreshnike të Malësisë, Smajl Martini Ivezaj i Grudës

November 8, 2024 by s p

Nga Gjon Frani Ivezaj, historian/

Shqiptarët me stoicizëm i kanë rezistuar stuhive të përbindshme të hordhive pushtuese, që kanë synuar nënshtrimin e maleve dhe banorëve kreshnikë autoktonë ilir-arbërorë. Nga burimet historike, mësojmë se luftrat ose kryengritjet më të njohura të Grudës janë ato që janë zhvilluar gjatë periudhës së viteve 1565-1575, 1883 etj. Por nga ana e tjetër, nuk duhet harruar edhe Kryengritja liridashëse të shekujve të mëvonshëm, në të cilën kulmon ajo e vitit 1911, ku malësorët nënshkruan historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Vendosmëria e shqiptarëve malësorë për të qëndruar deri në fund alarmuan si Fuqitë e Mëdha të kohës ashtu edhe Perandorisë Otomane, që ishte në fazën e kalbërizmit dhe tjetërsimit të plotë në brëndësi të saj.

Populli ynë ka luftuar për të mbrojtur kombin, gjuhën, traditat, zakonet, fenë, kulturën, dëshmitë e vijimsisë së artit dhe kulturës etnike. Nga ana e tjetër më të gjithë mjetet dhe format e saj, pushtuesit shumëshekullorë otoman, kanë synuar jetëgjatësine e sundimit të përjetshëm, duke u munduar hap mbas hapi të asimilojnë kombin tonë. Ata e kanë filluar me shkatërrimin e qyteteve të hershme dhe të lashtë në kulturë, duke u munduar të bënin turqizimin e tyre. Me qëllim që të largonte rrezikun e shpërthimit të Kryengritjes antiosmane në Malësi, Porta e Lartë shpalli në verën e vitit 1875 se nuk do ti përseriste më ekspeditat ushtarake për vendosjen e pushtetit të saj në krahinat e panënshtruara asaj. Por ky vendim, me të cilin Perandoria Otomane vuloste fundin e periudhës së Tanzimatit në trojet shqiptare, nuk e ndryshoi gjendjen e mjerueshme të Malësisë. Por kur interesat e atdheut kërkonin flijimin dhe pushkën engrehur për Shqipëri, fatosat e lirisë të Malësisë menjëherë u rreshtuan në betejat e përgjashme kundër çdo pushtuesi të trojeve tona dhe ndër shekuj ishin mmburojë e herkut e atdhedashurisë. Gjithënjë ushtria otomane është përpjekur për të shuar zjarrin e luftës për liri të popullit shqiptar dhe në vecanti tek malësorët kreshnikë. Më konkretisht në Grudë, sipas burimeve historike me ardhjen e Vuksan Gelës, krijohet një emër shumë më i njohur i Grudën kreshnike. Trimëria, besa dhe burrëria u bënë pjesë e jetës së kësaj krahinë famëmadhe, duke ripërtërirë edhe më shumë këto vlera të pasurisë shqiptare. Gruda u bë epiqendra e luftrave për liri dhe pavarësi, duke shkruar me zjarrin e pukshkës historinë e lavdishme të krahinës dhe vetë Shqipërisë askohe.

Pasardhësit e kësaj dere të njohur për trimëri dhe patriotizem qe shkruan histori me gryken e pushkes ishin prijësit e idealeve të lirisë kundër kolonizatorëve turq, si: Precë Vuksani dhe Bacë Vuksani që ishin nga gjaku dhe themelet e Vuksan Gelës së famshëm në histori. Ata mbetën një shpatë e fortë e mprehtë kundër hordhive barbare turke, duke i prirë malësorëve në shumë luftra dhe beteja të përgjashme në mbrotje të trojeve etnike shqiptare. Prijësi i Grudës Prec Vuksani, sipas dëshmive historike të Imzot Simonit, ishte gjithnjë në krye të betejave përkrah trimave të tjerë malësorë. Historiani tregon se si ky prijës legjendarë në vitin 1790 ishte tmerre i ushtrive turke, tek luftonte ballë për ballë dhe trup me trup me forcat turke. Mbas shumë përpjekjeve e luftrave, Precë Vuksani ra dëshmor në mbrojtje të trojeve tona në Kalanë e Rozafatit të Shkodrës. Gjaku i tij u bë dritë dhe burim frymëzimi në luftrat e tjera të njëpasnjëshme, që do të bënin malësorët e Grudës dhe gjithë Malësisë kundër ushtrive turke.

Historiani Imzot Simoni  (PP013, fq. 20), e përshkruan figurativisht dhimbjen dhe trimërinë e këtij prijësi të dashur në të gjithë Malësinë.

Ndër të tjera ai vargëzon si një rapsod popullorë:

“Kur ra gjaku i ktij fatosi,

N’kalan e Rozafatit

U dridh toka e ra termeku

Ushtuen malet e l’kundet deti…”

Edhe pse vdekja heroike tronditi gjithë Malësinë, flamuri shqiptar nuk ra në tokë, por ishte vëllai i tij Bacë Vuksani ai që do të vijonte dhe mbante lart ne dore flamurin e Gjergj Kastriotit me nder e lavdi shembullore. Ai mori pjesë në shumë beteja, si në luftën e Lezhës kundër ushtrisë otomane turke, në luftën e përgjakshme të Shkodrës, Vranës etj. Ai në luftimet trup me trup me ushtrinë turke, ra heroikisht në fushën e betejës në Kalanë e Spuzhit të vitit 1797. Prej derës së trimave të shtëpisë së Precë Vuksanit lidën edhe më vonë figura më legjendare të maleve kreshnike të Malësisë. Prej kësaj votre heroike lindi parardhësi legjendar Smajl Martini Ivezaj i Grudës heroike.

Qysh në fëmijëri ai u ushqye nga prindërit e tij fisnik me dashruinë për tokat shqiptare, respektin dhe traditat e të parëve të derës kreshnike. Ai i dëgjonte dhe mbante në kujtesë të gjithë ngjarjet historike të lavdishme të treguar në odat e burrave nga të gjithë antarët e familjes së tij, miqtë dhe personalitetet e shquara të kombit shqiptar, që kanë bujtur dhe ishin miq e kësaj dere bujare dhe fisnike.

Kështu burimet historike tregojnë se Smajl Martini Ivezaj ishte qysh në moshën 18-vjecare një prijës trim i malësorëve të Grudës, duke mbajtur me nder dhe lavdi emrin e bajraktarit të Grudës e mirënjohur në histori dhe krahinën e Malësisë. Smajli mori pjesë në shumë luftra clirimtare kundër pushtuesve turq. Të tilla janë luftrat në Shkodër, lufta e Vranës, lufta në Shipshanikut dhe rrethinat e kalasë së Deciqit, lufta e Bukovikut që u bë në Rugovë të Kosovës, në luftën e Plavës dhe Gucisë, luftën e Pejës, kryengritje e përgjashme në tokën e Maqedonisë kundër Sadri Aga Pashës etj., etj. Ai iste në ballë të kryengritjeve liridashëse.

Fatosat e lirisë gjatë shekujve kanë luftuar burrërisht për ti bërë ballë forcave turke të armatosura deri në dhëmb. Shqiptarët luftuan të shtyrë nga ideja kombëtare, gjë që bëri të mundur që opinioni europian të shikojë dhe ndryshoj mendim për shqiptarët, që po i bënin ballë ekspeditave ndëshmimore të ushtrive mizore turke. Fitoret e shqiptarëve kundër ushtrive turke patën jehonë të madhe në shtypin ndërkombëtar. Ata forcuan edhe më tej bindjen se shqiptarët malësorë ishin të zotë të mbronin vetë trojet e tyre pa ndihmën e askujt, mbasi ata ushqeheshin nga dashuria për atdheun e tyre, që ishte dhe mbeti motivi më frymëzues i të gjithë malësorëve. Kështu Fuqitë e Mëdha, Perandoria Otomane u detyruan pas përpjekjeve pa rezultat të hiqnin dorë nga vendimi i Kongresit të Berlinit në lidhje me tokat shqiptare, çka shënon një fitore të re të diplomacisë që korrën shqiptarët në arenën ndërkombëtare. Këta fatosa të lirisë ishin luftëtarët më të shquar, njerëz bujar, shtëpia të njohur në gjithë Malësinë, shquheshin për urtësi, njerëz të besës dhe nderit, mikpritësa dhe zemërmirë. Ata u mësuan edhe fëmijëve nipërve, mbesave dhe gjeneratave të tjera që erdhën mbas shembullit të tyre heroik historinë e lavdishme të Malësisë kreshnike të shkruar me zjarin e pushkës së lirisë. Smajl Martini Ivezaj (Bajraktar i Grudës), njeri ndër luftetarët më të mëdhenj që pati Malësia, i cili luftoi krejt jetën kundër turqve, rreth vitit 1883 arrestohet në Shkodër nga turqit dhe për dënim e syrgjynojnë në Diari Bekir, ku nuk u kthye kurrë më dhe as nuk i dihet vorri.

Smajlit i mbetën dy djem në betejat kundra pushtuesve të huaj.

Shqiptarët u lidhën më shumë se kurrë mes vedit në mbrotje të trojeve etnike shqiptare, vatrave të trashëguar brez mbas brezi nga të parët e tyre.

Kjo derë zëmadhe, ka nxjerrë trima si heronj kombëtarë, duke kulmuar me Tringën e famshme legjendare, Sokol Bacin e pamposhtur në luftra e beteja të përgjakshme për liri e pavarësi, Smajl Martinin Ivezaj e mirënjohur në të gjithë Malëisinë për besë, urti, trimëri dhe pushkë e ngrehur për Shqipëri, ashtu sikurse edhe Dedë Nikë Ivezaj Bajraktarin e Grudës, Zef Martinin Ivezaj etj., heroina kombëtare shqiptare Tringa e Smajlit, që ishin dhe mbetën ndera e historisë së lavdishme të Malësisë dhe e gjithë Shqipërisë gjatë shekullit XVII, XVIII, XIX dhe XX.

Udhëheqësit malësorë duke qënë të parët në frontin e luftës treguan gatishmëri pë rtë mobilizuar forca të ndryshme nga krahinat e malësive dhe fiseve të njohura, sipas zakonitu zotuan të mobilizonin të gjithë burrat e aftë për armë në mbrojtje të tokave amtare. Porta e Lartë asnjëherë nuk u pajtua më këtë gjendje gatishmërie për luftë të malësorëve kundër ushtrive të tyre pushtuese. Tringa është vajza e tij sokoleshë, pra Tringa e Smajlit ose Tringa e Grudës e cila krah për krah me burra luftoj gjithnjë pa u trembur me armë në dorë kundra armikut, që kishte zaptuar trojet tona shqiptare, që gjithnjë janë larë me gjakun e shenjtë të martirëve të lirisë. Precë Vuksani dhe Bacë Vuksani ishin princat e Grudës, të cilët heroikisht luftonin kundër ushtrisë mizore otomane turke. Simbas një Ipeshkvit të Vnecias Toni Assgazino, që shkruante për qëndresën e banorëve vendas malësorë gjatë luftrave liridashëse të vitit 1780, ndër të tjera ai përmend me shumë respekt edhe bajraktarët e Grudës: Bacë Vuksanin Ivezaj dhe Precë Vuksanin Ivezaj, që u dalluan në mbrojtje heroike të kalasë së Rozafatit në qytetit antik të Shkodrës. Ne vitin 1835 Smajl Martini Ivezaj i vuri gjoksin me heroizëm të paparë mbrojtjes së Kalasë dhe Kishës rrëzë kalasë që njihet edhe sot me emrin “Zoja e Shkodrës”. Edhe pse ajo kishë ishte pothuajse tërësisht e shkatërruar nga invazioni turk, sipas autorit të sipërcituar, Smajl Martini Ivezaj, ishte një trim i spikatur, duke u dallua për shpirtin atdhetar në mbrotje të tokave, objekteve të kultit kristian autokton dhe monumenteve të kulturës të trashëguar brez mbas mbrezi.

Vetë historiania Gradizhinia në vitin 1836-1837 përshkruan luftrat kreshnike të malësorëve të Malësisë, ku në ballë të betejave ishte Smajl Martni Ivezaj bajraktari i Grudës. Ai u dallua për guximin dhe trimërinë në përleshjet e përgjakshme kundër hordhive barbare turke që prej shekuj mbanin të pushtuar tokat shqiptare. Malësia e Madhe deri me 1576 mbante lidhje të mira dhe të ngushta me Venedikun. Janë të njohura përsonat historik që mbanin qëndrime të tilla dhe mbeshtetëshin në Venedik si Anaro Hoti, Vuksa Gela, Vuksa Gjeca. Poashtu, deri me atëherë Malësia mbante lidhje edhe me Dinastitë e Ballshajve dhe Cernovekaseve të etnosit shqiptarë. Vendimi i padrejtë Stambollit ngriti sërisht në këmbë malësorët liridashës. Plava e Gucia u bënë arenë e përleshjeve për liri dhe pavarësi kombëtare. Meqenëse Plava dhe Gucia bënin pjesë ne vilajetin e Kosovës, barrën e drejtimit të organizmit të luftës liridashëse për mbrojtjen e tyre e mori përsipër Komiteti Ndërkrahinor i Prizrenit, i cili nga ana e vet formoi një shtab ushtarak të posaçëm me në krye Ali pashë Gucinë.

Nga ana e vet Porta e Lartë u kërkoi Fufive të Mëdha të dërgonte në Plavë e Guci një komision ndërkombëtar për t’u bindur mbi vështirësitë që ajo gjente tek shqiptarët e egërsuar nga padrejtësitë e Kongresit të Berlinit. Porta e Lartë provoi por pa dobi që të binte zemërimin e ligjshëm të malësorëve, duke i detyruar që të hiqnin dorë nga qëndresa e mëtejshme duke u premtuar familjeve shqiptare kompensim toke ne vende të tjera, a thua se Shqipëria ishte çiflik i sulltanëve të Stambollit, që mund ti shisnin dhe shpërndanin si të donin ata. Por shqiptarët nuk u lëkundën nga vendimi i tyre kombëtar mëse i drejtë. Kryeprifti i Grudës dhe i gjithë Malësisë Imzot Karlo Della Mirandella, do të organizojë në brigjet e lumit Cem besëlidhje në mes maleve dhe do të hapi shkollën e parë në gjuhën shqipe në Priftë të Grudës. Edhe pse Porta e Lartë dëshironte të asgjesonte institucionet e kultit kristian në trojet tona, Vuksan Gela me bijtë e tij i vunë gjoksin mbrotjes së vlerave materiale dhe shpirtërore etnike shqiptare të lënë trashëgim nga të parët tanë.

Turqit nga ana e tyre bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të ndaluar gjatë shekujve të kolonizimit të tyre çdo nismë e aksion kulturorë dhe përparimtarë të gjuhës dhe traditave etnike shqiptare. Malësorët ishin të besimit katolik deri me ardhjen e turqve, atëherë fillon me dhumë dhe përmes takses së gjizes përhapja e besimit islam, që u shoqërua me dhunë, vrasje, masakrime, syrgjenime të besimtarëve aktoktonë të ritit katolikë, që nuk e pranuan konvertimin e fesë katolike të të parëve të tyre.

Kishat katolike shqiptare kryesore që ishin dhe janë edhe sot vlera dhe monumente kulturore dhe fetare tradicionale të malësorëve janë: Kisha e Grudës (më e vjetra) Kisha e Shën Mhillit në Dinoshë, Kisha në Arzë, Kisha në Brigje të Hotit, Kisha në Triepsh, Kisha në Selcë, Kisha në Bajzë, Kisha në Tuz etj. Me 1880-1881 në Vrane, Gruda do të fitoj e përsëri dallohet luftëtari i lirisë Smajl Martini, që ishte bajraktar i nderuar i Grudës. Në luftën e përgjashme që Smajl Martini Ivezaj bëri në Shkodër, ai kishte pranë vetës edhe bij të tjerë trima të malësisë. Ndër të tjerë mund të përmendim: Mat Hasani Ivezaj, Pllumb Gjeka Kalaj, Prelë Marashi Ivezaj, Tomë Kolë Gjoni Sinishtaj, Prek Gjoruka Ivezaj, Smak Deda Ivezaj etj., etj., prej fiseve të Grudës kreshnike, të cilët luftuan të udhëhequr nga kryetrimi legjendar Smajl Martini dhe bajraktarë të tjerë, si: Dedë Nikë Bajraktari Ivezaj, Zef Prelë Marashi Ivezaj, Tom Zoli Ivezaj, Pjetër Nika Ivezaj, Major Dodë Nikollë Zefi Ivezaj, etj. Etj., prej fiseve të Grudës që treguan heroizëm shembullorë në mbrotje te tokave shqiptare. Me 1883 dhe 1886 gjyqi ushtarak i sulltanit do të dënojë një numër të madhë të krerëve të Hotit dhe Grudës për shkak se po prishnin synimet grabiqare të Perandorinë Turke. Me i njohuri nga të dënuarit ishte luftëtari trim antiturk Smajl Martini Ivezaj që do të internohet me krerët e Grudës në Diari-Bekir Turqi. Rapsodi popullor për trimërinë dhe dhimbjen që ndjenin trojet tona për udhëheqësin e shquar Smajl Martinin Ivezaj, ndër të tjera do të vargëzojë kështu:

“Po vijn shqypet per hava

N’oborrin e Smajlit paskan ra

Sa shpejt Smajli n’kamb asht cua

Kan nis shqypet me lot me lotua

A je Smajlo princi i Malcis

Shpata e Shkodres e e Shqypnis

Kem ardh Princo me tu ankua:

Pse nuk mundena token shqiptare me flutrua?!

Sa shpejt Smajli asht ngushtua

Edhe shtypeve ua drejtua:

Po ua nap besen e Zotit

E pasha gjakun e Kastriotit:

Sa te jetë gjall Smajli n’Malci

Nuk la anadoll t’Turkis

As nuk nuk la sllav t’Serbis

Per me shkel tokat e Shqypnis.”

Disa nga krerët e Malësisë do të marrin pjesë edhe në Lidhjen e Prizrenit në Qershor 1878. Të tillë ishin: Smajl Martini Ivezaj, Dedë Gjon Luli, Baca Kurti etj.

Me vendimin e Xhibales (komisionit turk për Malësi), sipas Arqipeshkvit shkodran me mission shpirtëror në Athinë të Greqisë historianit Pjetër Arben Teodori (ACC.PO, fq. 117), në vitin 1856 Malësia e Madhe ndahet në dy pjesë: Triepshi dhe Koja do të hyjnë me Cetinë, kurse pjesa tjetër e Malësisë: Hoti, Gruda, Kelmendi, Kastrati dhe Shkreli mbetën nën ndikimin e vezirave te Shkodrës. Prijësi i malësorëve apo bajraktari i mirënjohur për besë burrëri, luftra dhe urtësi në kuvendet e burrave Smajl Martini Ivezaj, kur filloi kuvendi duke parë synimet mashtruese të përfaqsusve turq për coptimin e Malësisë atëherë në shenjë proteste doli menjeherë nga mbledhja, duke u shprehur se: “Nuk kishte qenë dhe s’do të jetë kurrë për copëtimin e trojeve tona të shtrenjta të lënë trashëgim nga të parët tanë.”

Revulucionin e xhonturqeve në vitin 1908, malësorët do ta perkrahin, duke shpresuar se ai do të sjellë demokracinë, jetë e lirë, perparim, realizimin e të drejtave nacionale-etnike, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe etj., por nuk ndodhi ashtu. Turqit, nëpër mes misionarëve të tyrë e tradhtuan “reformën xhonturke” dhe malësorët për të realizuar të drejtat e veta, sikurse do të shprehet Faik Konica, “filluan luftën kundër shumë ujqëve”, jo të sigurt se ushtarakisht do të fitojnë, por do të terhjekin vëmendjen e Europës, dhe mbas themelimit të Komitetit Nacional Shqiptarë në Podgoricë në shkurt 1911, në krye të së cilit vëndoset trimi i vendosur Sokol Baci Ivezaj dhe Kolë Sokol Baci Ivezaj (sekretar) dhe bashkëpunëtorët e shquar, si: Dedë Gjon Luli Dedvukaj, Nikollë Soga, Luigj Gurakuqi etj. Kryetari i Komiteti Sokol Baci Ivezaj për s’afërmi bashkëpunonte me patriotët e nderuar të kombit shqiptar, si: Patër Gjergj Fishtën, Dom Ndre Mjeden, Imzot Jak Serreqi, Patër Bona Gjeçaj, Isa Boletinin, Ismail Qemali, Dodë Brajçin, Mehmet Shpendin etj.

Filed Under: Histori

“Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare”

November 6, 2024 by s p

Elez Osmani, Prishtinë-New York, 2024/

Nëse, një parathënie e një libri e shkruar nga autori, ka për qëllim të tërheqë vëmendjen lexuesit, duke ofruar informacion në lidhje me përvojën krijuese, njohuritë që ofron, ose frymëzimin që i ka dhënë tema që ka trajtuar, si dhe kontekstin historik të materialit që ka shfrytëzuar për hartimin e veprës, më duhet të them që në fillim, se nuk i kisha as parapërgatitjen fillestar për hartimin e kësaj vepre. Nuk e kisha as si ide. Mirëpo, nëse një parathënie shkruhet nga autori, që të tregojë rrugën që ka ndjekur për hartimin e saj, atëherë mund të them, se jo kot, rasti është mbret i botës, kanë thënë të mençurit. Falë kësaj rastësie, sot kam nëpër duar një material të tërë, kryesisht një letërkëmbim madhështor, por edhe krijimtari origjinale, të njërit nga atdhetarët që kanë lënë gjumë për historinë e popullit shqiptar. Fjala është për veprën e gjithanshme të Vasil Germenjit.

Një ditë, derisa banoja në Brox të Nju Jorkut, më telefonon Muharrem Krreku, i cili ishte nga Juniku, por që banonte dhe punonte si kontraktor në Long Island të NY. Nga ana tjetër e telefonit, më thotë :”O dajë, jam duke e meremetuar një bodrum të një shtëpie, këtu në Long Island. Pronarja e shtëpisë më thotë, se çdo mbeturinë ta gjuaj në kontejner. Duke punuar, po shohë disa letra, gazeta, libra të vjetër, të gjitha në gjuhën shqipe, Janë disa kuti të mbushura me materiale të ndryshme. Çka të bëj? A janë me interes që të ruhen’’?

Pasi e dëgjova, i them shkurt: ‘‘Mos i hedh’’! Pastaj vazhdova, ‘‘nëse nuk t’i zë makina, mund të vijë edhe unë e t’i marrim’’. ‘‘Jo, më thotë, mos u merakos se e kam kamionin e vogël me vete dhe kam mjaft vend. Në mbrëmje t’i sjellë në shtëpi’’. Të gjitha ato materiale m’i solli në Bronx. Në ndërkohë, i paketova në kuti të plastikës, kurse pas një kohe, i ngarkova në makinën time, të cilën po e dërgoja në Kosovë. Kështu, të gjitha ato materiale shkrimore, nga porti i Nju Xhersit, me anije i nisa për në portin e Durrësit. Pas një muaj, anija kishte mbërritur në Durrës. I mora dhe i vendosa në shtëpinë time, në Prishtinë. Në pushimet e verës, kur u ktheva në Kosovë, fillova t’i shfletojë, t’i kontrollojë, në mënyrë që të njihesha me lëndën e atyre shkrimeve. Në këtë mënyrë, e kuptova se ai ishte “arkivi” i Vasil Germenjit. Unë, në të vërtetë, as që e dija se kush ishte Vasil Germenji. Ndoshta e kisha dëgjuar vetëm si emër. Pasi kisha shfletuar mjaft shkrime nga ai material, kisha marrë njohuritë e përgjithshme nga tërë ajo lëndë shkrimore, e thirra në telefon Z. Idriz Lamaj, ish- gazetar i ‘‘Zërit të Amerikës’’, por edhe njohës i mirë i mërgatës shqiptare të asaj periudhe. I fola për çka bëhej fjalë. Sa mund ta përfytyroja përmes bisedës, Idrizi ishte gëzua shumë nga kjo gjetje e rastësishme. I erdhi aq shumë mirë, që kishte shpëtuar, së paku një pjesë e atyre shkrimeve nga tërësia e dokumentacionit të Vasil Gërmenjit, me të cilin, më thoshte se kishin punuar një kohë bashkë. Por, po ashtu, nga ato që i tregoja, ishte i befasuar me faktin se si kishin përfunduar “shkrimet “ dhe puna tij në Long Island, kur dihej se Vasil Germenji kishte vdekur në Florida!

Në fillim e pyeta: ‘‘Është një përkthim nga gjuha frënge, nga Vasil Germenji me titull “Gjashtë muaj histori e Shqipërisë”, si thua ke njohuri se a është botuar’’? Pas pak më thotë, ‘‘Nuk më kujtohet, por po do të interesohem çka mund të gjejë’’. Në ndërkohë i them që të mos merrej fare me atë punë, ngase ‘‘materialin’’ do të ta kthejë që të merresh ti me të, sepse, jo vetëm e njeh mirë këtë materie, por edhe keni punuar bashkë, si dhe keni zhvilluar të njëjtën veprimtari.

Idrizi me thotë shkurt: ‘‘Unë nuk kam mundësi fizike që të merrem me te. Përvishu punës për ta ndriçuar figurën e Vasil Germenjit. Do të më kesh për krahë. Do ta kesh ndihmën time të vazhdueshme. Pasi ke punuar në Programin Dokumentar të TVP-së, ke përvojë si hartohen dokumentarët, andaj jam i bindur se tërë atë dokumentacion do ta sistemosh mirë’’. Idrizi me ”lëshoi në det dhe më tha, noto’’.

I hyra punës. Fillimisht në ndarjen e gazetave dhe të revistave, sigurisht numrat që ishin, pastaj fillova sistemimin e letrave të shumta nga tërësia e letërkëmbimit të tij. Pastaj bëra radhitjen e shkrimeve, të komenteve dhe të raporteve të ndryshme të tij, të shkruar në gjuhën shqipe, në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge.

Duke u marrë me gjithë atë krijimtari të Vasil Germenjit, ndava mendjen që në këtë botim të përfshihen këto përmbajtje:

1. Punime të shkruara për Vasil Gërmenjin,

2. Shkrime autoriale, disa nga ato shkrime të tij,

3. Poezitë e tij, të shkruara dhe te radhitura në një fletore xhepi,

4. Pjesë nga ditari i tij, si dhe

6. “Gjashtë muaj histori e Shqipërisë” Perkthimi i Shënimve te gjeneralit Descoin

5. Letërkëmbimin e tij vetëm në gjuhën shqipe, me personalitete te ndryshme të kohës kur kanë vepruar. *

Letërkëmbimi i tij ishte pjesa me e vështirë që të redaktohej. Ishin letra të shumta që mbërrinin deri në njëmijë faqe, si të dërguara personave të ndryshëm, por edhe të marra nga ata. Ishin të shkruara kaherë, në shumë vende të dëmtuara nga dhëmbi i kohës, kurse shumë nga ato ishin të shkruara me dorë. Do të thotë, kishte vështirësi që të radhiteshin. Një ditë, duke biseduar me ish kolegun Sabit Jahën, redaktor i shumë botimeve, ia tregova edhe hallin tim. Më tha se do të krijonte kontakt me një punëtore që ishte e angazhuar në Akademinë e Shkencave dhe të e Arteve të Kosovës, e cila merrej edhe me këtë punë. Ndoshta ka mundësi të merret me këtë punë. I tregova se janë shumë dorëshkrime, por të vështira që të radhiten. Pas një kohe biseduam me zonjën Mirëlinda Latifi, e cila pranoi të merrej me këtë punë, të cilën e ka kryer me sukses, për çka e falënderoj me shumë respekt.

Në tërësi, materialin e rishkruar dhe të përpunuar ia dorëzova sërish , z. Idriz Lama, që ta kontrollonte dhe ta redaktonte, por edhe ta plotësonte me ndonjë të dhënë nga “arkivi” i tij, nga publikimet e tij që mund t’i kujtoheshin. Studiuesi i zellshëm, Idriz Lama, këtë punë e ka bërë me kënaqësi të veçantë, edhe pse i lodhur nga mosha, por edhe nga shëndeti i lig. Disa ditë kemi punuar edhe në shtëpinë e tij, ku bashkëshortja e tij, zonja e nderuar Alma, na ka pritur, na ka nderuar dhe na ka respektuar ashtu si i kishte hije një zonje mikpritëse dhe shumë bujare. Në asnjë rast, nuk e kishte mërzi, që ia mbushnim shtëpinë me letra e dosje të ndryshme, por na shpesh edhe na jepte kurajë për punën që bënim. *

Ky libër, lexuesit shqiptar do t’i japë informacion shtesë dhe të ndryshëm mbi historinë tonë. Lexuesi do ta kuptojë një pjesë të historisë sonë, që nuk e kemi ditur dhe që nuk na e kanë mësuar, edhe përkundër faktit se personazhi kryesor i këtij libri, si dhe personazhet e tjerë, me të cilët ka bashkëvepruar janë pjesë e qenies sonë kombëtare. Të gjitha këto figura të historisë sonë, mjerisht të anatemuar, të ndarë, të izoluar nga procesi i përgjithshëm i zhvillimeve historike në jetën tonë kombëtare.

Prandaj, në këtë libër, ka informacione mbi personazhet, shkruhet dhe flitet për shumë ngjarje që kanë ndodhur para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, por edhe pas saj, kurse pjesëmarrëse kryesore ishte Mërgata shqiptare, e cila me angazhimin e saj, me punën e palodhshme në shërbim të kombit, ka zënë vendin e merituar në elitën ndërkombëtare në tërësinë e proceseve kundër komuniste, andaj edhe janë pjesë e historisë se përgjithshme botërore.

Në anën tjetër, përveç fakteve historike lidhur me veprimtarinë madhore të mërgatës sonë, në libër ka edhe informacione të shumta dhe të ndryshme, që shpalohen përmes këtij letërkëmbimi. Ky letërkëmbim vinte dhe shkonte nga shumë shtete të botës, nga aty ku secilin nga këta mërgimtarë e kishin përplasur dallgët e jetës. Prandaj, këto letra, në një mënyrë, përmbushin rrjedhën e rrëfimit të ngjarjeve historike.

Kam bërë përpjekje që lexuesit ta kuptojë se nuk jemi bërës të historisë, por ne jemi pjellë e historisë, kurse historia është e rëndësishme, edhe për faktin se edhe ne, një ditë, do të kthehemi në të kaluarën.

Të mësuarit dhe të kuptuarit e ngjarjeve që kanë ndodhur në historinë tonë, lexuesit i ndihmon të ketë edhe një aspekt tjetër të informacionit për atë që ka ndodhur dje, si dhe për ngjarjet që ndodhin aktualisht, por mbase edhe të ngjarjeve që do të ndodhin në të ardhmen!

Përmbajta që është përfshirë në këtë libër është një mundësi më shumë, që lexuesi të njihet edhe me anën tjetër të rrjedhës së ngjarjeve historike, të zhvillimeve të ndryshme në jetën tonë historike, në mënyrën e bërjes politikë, por edhe në zhvillimet e përgjithshme shoqërore. Pra, jepet një pasqyrë e të gjitha atyre ngjarjeve që janë zhvilluar jashtë hapësirave të ndryshme shtetërore ku jetojnë shqiptarët e sotëm.

* Vlenë te theksohet se në shtëpin e tij ne Bronx, Z.Idrizi,ruan dokumentcionin te shumtë,me me vlerë të kësaj natyre,ndonëse një pjesë i ka dhuruar “Vatrës” , Arkivitit te Kosovës ,dhe publicistëve dhe studjuesve të ndryshem.

* Materialin e mbetur do ja dorëzoj Arkivit të Kosovës.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT