• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Themeluesi”, dokumente dhe fakte të reja

November 18, 2024 by s p

Botimi i tretë i Evarist Beqirit, vjen në prag të përvjetorit të Pavarësisë.

Dokumente dhe fakte të reja për Ismail Qemalin përfshihen në botimin e tretë të librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit” me autor Evarist Beqiri. Botimi i tretë pritet të dalë në prag të përvjetorit të Pavarësisë dhe sjell për lexuesit disa risi ndër të cilat; foton e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900, fotografi të bashkëshortes së tij Kleoniqi Surmeli Vlora, si edhe të Ismail Qemalit. Veçojmë këtu foton e realizuar në Paris, në Kongresin e Xhonturqve, në fillim të vitit 1902.
Foto e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900. Në regjistër pasqyrohen gjeneralitetet e Ismail Qemalit dhe të tre bijëve të tij, që e shoqëruan në azilin e tij politik vullnetar. Ky dokument ka rëndësi të posaçme në saktësimin njëherë e përgjithmonë të ditëlindjes së Ismail Qemalit, më 24 janar 1844. Por, kuptimplotë është edhe mënyra e regjistrimit të vendlindjes së tij: Vlorë, Shqipëri. Një tjetër fakt domethënës ky për shqiptarizmën e tij të kulluar. Ismail Qemali gjatë jetës së tij në Bruksel në vitet 1900-1908, realizoi një veprimtari të jashtëzakonshme patriotike, që shërbeu si një gur themeli në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Njëkohësisht albumi fotografik është pasuruar me artikullin e “The New York Times” dhe dokumente nga dosja e klasifikuar e arkivit të Perandorisë Britanike për arratisjen e bujshme të Ismail Qemalit nga Kostandinopoja, në 1 maj 1900. Fashikulli titullohet: “Historia e kërcënimit të jetës së Ismail Qemal Beut nga Sulltani i Turqisë dhe arratisja e tij me një anije që valëviste flamurin anglez”. Ai përmban 8 faqe me dokumente të klasifikuara “Konfidenciale”. Ai hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it.
Sir N. R. O’Conor në letrën e dërguar thekson faktin që: “Ismail Qemal beu është një patriot i sinqertë dhe i zellshëm me pikëpamje të ndriçuara dhe liberale. Ai nuk është as revolucionar, as i përzier me Partinë e Xhonturqve. Ai gëzon reputacion të madh, dhe konsiderohet nga të gjithë si një njeri me karakter dhe integritet të jashtëzakonshëm. Ai ka ruajtur ndershmërinë në mes të korrupsionit; ai e ka shfrytëzuar pozicionin dhe influencën e tij si anëtar i Këshillit të Shtetit për të mbrojtur të shtypurit dhe për të ruajtur drejtësinë dhe moralin. Megjithëse vetë është një mysliman, ai ka mbrojtur në çdo rast privilegjet e popullatës së krishterë. Ai admirohet nga myslimanët, midis të cilëve ai ka një peshë dhe influencë të konsiderueshme; ai e ka shfaqur veten si një mik i sinqertë i Anglisë, duke bërë gjithçka që kishte në dorë për të mbajtur marrëdhënie miqësore midis dy vendeve…Në mbyllje ambasadori përmend faktin që nuk duhej injoruar një personazh me një influencë kaq të madhe, si edhe rëndësinë e librit të sapo shkruar nga Ismail Qemali, me titullin “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”.
Pjesë e fashikullit janë edhe katër letra të shkurtra por shumë interesante të Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një frëngjishte të përsosur dhe me një gjuhë të rafinuar diplomatike. Tre prej këtyre letrave janë drejtuar ambasadorit britanik në Kostandinopojë Sir N.R. O’Conor dhe një diplomatit Adam Block. Nga leximi i këtyre letrave të tërheq vëmendjen fraza:“MON crime c‘est mon patriotisme” (“Krimi IM është patriotizmi im”)… Gjithashtu, aty del në pah edhe forca e tij karakterit, që është edhe vetë thelbi i lidershipit. Sepse karakteri ndikon tek suksesi më tepër sesa të gjitha aftësitë e tjera. Kjo shprehet qartësisht tek vendosmëria e Ismail Qemalit për t’i qëndruar deri në fund vendimit që kishte marr, pavarësisht pasojave të tij: “Duke u larguar, unë mbështetem vetëm në lirinë time të veprimit dhe do të jem aq i fortë sa të mund të jetoj përmes punës sime.”.
Autori Evarist Beqiri thekson se pak ka ndryshuar në përmbatje, « Por nga ana tjetër, ky botim i tretë vjen si një domosdoshmëri në pasurimin e librit me disa materiale, me të cilat jam njohur kohët e fundit. Një falënderim i veçantë për Darling dhe Qamil Vlorën, stërnipërit e Ismail Qemal Vlorës, për vendosjen në dispozicion të fotografive dhe dokumenteve nga arkivi i familjes Vlora.»
Botimi i parë i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit” doli në vitin 2022, botimi i dytë në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar tre promovime në tre kryeqytetet e shqiptarisë: në Tiranë, në Vlorën e flamurit dhe në Prishtinë. Njëkohësisht autori ka realizuar një sërë takimesh me lexuesit, në universitete dhe librari brenda dhe jashtë vendit.
Gjithashtu, në prag të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, autori ka planifikuar disa aktivitete kulturore. Më 19 nëntor, ora 13, autori do të zhvillojë një leksion i hapur në Fakultetin e Drejtësisë, UT, me temë “Lidershipi i Ismail Qemalit dhe Aktet Themeluese të Shtetit Shqiptar”. Më 20 nëntor, ora 11, do të zhvillohet një bashkëbisedim me lexuesit pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL). Dhe më 26 nëntor, autori zhvillon një tjetër bashkëbisedim me lexuesit, në Bruksel, në Shqip Ville/Maison Culturelle Belgo- Albanaise.

Filed Under: Histori

KUR DËNOHEJ ME VARJE MARTIRI DOM GJON GAZULLI…

November 17, 2024 by s p

Frano Kulli/

Të shtunën e kësaj jave, me 16 nëntor, në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër u mbajt Mesha e Shenjtë dhe Riti i Lumnimit të martirëve At Luigj Palaj dhe dom Gjon Gazulli. 38 martirëve shqiptarë të Kishës Universale katolike, që 8 vite më parë patën stolisur bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në vigjiljen e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, u shtohen edhe dy martirët e ri, shpallur si të tillë nga Ati i Shenjtë, më 20 qershor, 2024. 1) Dom Gjon Gazulli u dënua me vdekje nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”, më 2 janar 1927. U var në sheshin e Fushës së Druve të Shkodrës. Në ora 2 të natës, me datë 05 mars 1927. Ishte 34 vjeç. Ai, që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës, bashkëpunëtor i Gurakuqit e kundërshtar i Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër malësi. Fjalët e tij të fundit, të përcjella nga një dëshmitar okular kanë qenë: “Po vdes i pafajshëm. Rrnoftë Krishti, Mbreti ynë! Rrnoftë Kisha Katolike, Nana jonë! Rrnoftë Papa, Ati ynë! Rrnoftë Shqipnia dhe shqiptarët e vërtetë!”… E varën tek “Fusha e Druve” në Shkoder. 2) Hollësitë e fundit tragjik të Dom Gjon Gazullit, gjinden në revistën gjermane Korrespondenz des Priestergebetsvereines im theologischen konvikte zu Innsbruck (Letërkëmbimi i Shoqatës së klerikeve të Seminarit të Insbrukut), Innsbruk ,nr. 4, korrik 1931, fq. 65. Aty është sjellë tekstualisht dëshmia e togerit të gjykatës Xhemal Dibra i cili është i pranishëm në ekzekutimin e këtij martiri… ” U thirrën për të asistuar në sakramentet e fundit, të Nderuarit fretër Atë Çiprian Nika dhe Atë Martin Gjoka. Ishte ora 11, para mesnatës. Rrugët e Shkodrës ishin plot me njerëz, sepse ishte festa e Bajramit. Dhashë urdhër që famullitari (Dom Gazulli) të çohej në oborr, sepse me të donte të fliste ipeshkvi. Gazullin e zgjuan dhe, pasi u vesh zbriti poshtë. Këtu pa atë që po ndodhte.

Një frat françeskan i rrinte përpara me Sakramentet. Dënimi me vdekje që u ishte dhënë të tjerëve para tij, i linte të kuptonte se çfarë donte të thoshte e gjithë kjo. Frati mbeti pa fjalë, ndërsa famullitarit, Gazullit nuk i ndryshoi ngjyra e fytyrës aspak. Këtë e dallova mirë. Kapi doren e Atit dhe i tha: “Atë Martin, tani do të dëgjosh rrëfimin tim!” Atë Martini i luti ushtarët e mbledhur aty rrotull që të largoheshin dhe, meqenëse nuk po largoheshin, Ati i tha: -Dom Gjon rrëfehu në latinisht ose në italisht!- Jo Atë- u përgjigj Gazulli- rrëfimin e fundit dua që ta bëj në gjuhën shqipe. Dua që ta dëgjojnë të gjithë !

Dhe kështu u rrëfye në praninë tonë. Ne myslimanët nuk i kuptojmë këto gjëra, po nuk dëgjuam të dilte prej buzëve të tija asnjë mëkat. Pastaj atë Martini i dha një copë bukë të bardhë, rrumbullake, që e mori me devocion të madh… Pastaj u hap dera e burgut dhe u nisëm. Ushtarët rrinin përpara, prapa dhe anash tij… Pasi bëmë një copë rrugë në këmbë, arritëm në vendin e vdekjes, në Fushën e Druve. Aty gjindej shtylla, në të cilën do të varej. Unë, sipas praktikës i dhashë mundësinë të fliste. Thoni fjalën e fundit, i thashë. Në atë moment e çoi zërin më shumë dhe tha: ” Po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti Mbret…Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë ! “. Atëhere lexova dënimin me vdekje. I dhanë të vishte një këmishë të bardhë. Magjypi i vuri litarin në fyt dhe i hoqi stolin poshtë këmbëve. Kishte vdekur ! Ishte 5 marsi 1927.

3) Dom Gjon Gazulli ishte pinjoll i denjë i Gazullorëve, origjina e mëherëshme e të cilëve, siç deri më tani kumtohet është ky fshat i Zadrimës, qarkon me fill të argjendtë rreth gjashtë shekuj histori tonën. Histori që rrënjëzon mbrenda përmbrenda një krahine, mbrenda përmbrenda një fshati, madje në të njëjtin komunitet me lidhje të njohura gjaku, pra të të njëjtit fis. Daniel Gazulli (1944-2012) njëri prej pinjollëve të vonë që e ka sjellë përmbledhtasi historinë e gazullorëve na lë të shkruar kumtin se: Mbiemri Gazulli, ashtu si dhe më parë vazhdon të mbahet dhe sot e kësaj dite si mbiemër në disa fshatra të Zonës së Ulët të Shkodrës. Gazujt përmenden së pari më 1301 në “Liber Reformationis” (Libri i Reformave) të Raguzës, më pas në Kadastrën Veneciane të një shekulli më vonë 1416, ku dalin 4 shtëpi me mbiemrin Gazulli në një katund të Bregut të Bunës. Histori që fillon qysh në epokën e ndritur të Kastriotit. Një kontribut elitar në fushë të dijes e prosperitetit idenditar, me rezonim ndëreuropian e më përtej.

Po shënjimi i lavdishëm i Gazullorëve në histori fillon me Gjon Gázullin (1400-1465). Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës europiane të shekullit të XV, periudha më në shej e kohës: e humanizmit dhe Rilindjes Europiane. Astronom me famë europiane e diplomat i shquar i Gjergj Kastriot Skenderbeut. Në këto fusha shkëlqeu porse veprimtaria e tij, është mjaft më e gjërë: në astronomi, matematikë, fizikë, filozofi, diplomaci, arte; ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet. Gàzulli studjoi në Raguzë, (Dubrovniku i sotëm) e mandej, në vitin 1422 shkon në Padova ku kryen studimet universitare më 1428. Mbas dy vjetësh mbron atje doktoraten në një moment solemn, në të cilin shkruhet se:moren pjesë shumë arbneshë të Italisë. Po një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, nga vitet 14331439. Këtu ai u emnue nga Këshilli i të Urtëve (Raguza ishte Republikë e pavarun) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u bë astronom në zë në mbarë Europën sa, mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre dergue Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike. Diplomati.

Mision i parë diplomatik i dokumentuar i Gàzullit është udhëtimi i tij për në Romë, që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (parardhësin e Korvinit) me rastin e kunorzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, simbas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besue ma të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë. Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e fill mbas pak në Slloveni. Në ato vite bashkpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësue shumë.

Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në atdhe, me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj. Duke qenë i përpimë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emnon në vend të tij Pal Gàzullin, të vëllain, që cilësohet ndër dokumenta (lat.)“magister, prudens et literatus vir”(mësues, njeri i urtë dhe i ditur), çka do të thotë se kishte krye edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”(mësues Gjon Gazulli). (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëllai tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Gjergj Kastriotit, Skenderbeu).

Përposë Gjonit, Pal Gàzullit, ambasador edhe ky i Kastriotit pranë Republikës së Raguzës, në vitet 1452-1459 dhe Rektor i Shkollave të asaj Republike gjithashtu, Imzot Ndue Gàzullit, doktor në filozofi, Arqipeshkëv i Shkupit (1702-1753), Abatit të Mirditës Ndre Gazulli (shek XVII), më pas Ipeshkëv i Zadrimës e kështu me radhë, deri në ardhjen në pushtet të komunistave, ka pasë gjithmonë një pinjoll të familjes që do të shkonte për studime në Universitetet e Europës; katolike dhe laike…Kurse në fillim të shekullit XX, ishin tre vëllazën njëherësh, lauruar në Universitetet katolike të Europës; Gjoni (1893 – 1927), Nikolla (1895 – 1946) dhe Stefani (1896 – 1964)… 4) Ndërsa vëllai i Dom Gjonit, dom Nikollë Gazulli, edhe ai i i burgosur, iu shpëton torturave dhe vdekjes nga Ahmet Zogu, por nuk i shpëtoi dot pushkatimit në vitin 1946 nga Enver Hoxha. Edhe qeveria komuniste e nisi gjyqin special me akuzat për armë në kishë. Strategji e njëjtë në dy kohë të ndryshme, e cila shkroi fatin tragjik të dy vëllezërve meshtarë. Edhe dom Nikolla u pushkatua pas një gjyqi special politik në 1946-n. Ai, autori i “Fjalori i fjalëve të rralla të përdoruna në veri të Shqipnis” i njohur si “Fjalori i Gazullit” dhe “Fjalori toponomastik”…

Filed Under: Histori

Kontributi i Atë Shtjefën Gjeçovit për ndriçimin e vrasjes së Atë Luigj Palajt

November 16, 2024 by s p

Enver Sulaj/

“Diftesat, mbi xanjen, mundime e dekë t’Atë Luz Paliqit, O.F.M. i cili kje mbytë me 7 të Marcit 1913 e shti në nji gropë në katunit të Janoshit, shi aty ku e njomi tokën me gjak të vet!” Ky është titulli i dorëshkrimit të Atë Shtjefën Gjeçovit, për sivëllain françeskan- Atë Luigj Palajn, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe ka 82 faqe.Trembëdhjetë vjet pas martirizimit të Atë Luigj Palajt, në vitin 1926 Atë Shtjefën Gjeçovi ishte nisur drejt Kosovës, për të hulumtuar rastin tragjik të 13 vjetëve më parë, kur ky atdhetar i devotshëm qe bërë barriera e parë kundër asimilimit dhe shkombëtarizimit të shqiptarëve të rajonit të Dukagjinit, që dokumentohet përmes dëshmive të shumta. Atëbotë, qarqet politike e pushtuese malazeze nuk po kursenin askënd, as shqiptarët katolikë, e as ata myslimanë, bile as prijësit fetarë, siç ishte Atë Palaj, i cili, megjithatë paralajmërimet që i ishin bërë nga bashkëkombësit e tij për rrezikun që i kanosej nga forcat malazeze, ishte shprehur i vendosur në qëndrimin e tij. Me shumë kujdes dhe si një kronist i vërtetë, Atë Shtjefën Gjeçovi gjatë qëndrimit në Gllogjan, Pejë, Gjakovë e Zym, interviston persona të ndryshëm, të cilët në një formë apo në një tjetër kishin njohuri mbi vrasjen e Atë Luigj Palajt. Në një dëshmi, shkruar nga vetë Gjeçovi, lexojmë: “Sot, me 4 të Vjeshtë dytit 1926, Mëhill Marku i shpis së Kocit në Gllogjan më diftoj se nja dhetë ditë perpara se mbyten Atë Luzin, kishte shkue te shpia e Uk Gjonit dhe e kishte këshillue qi mos të shkote nder Shkje, se ata janë ba si qej te terbue, e mnojshin me i ba ndonji sherr. M’at rasë qe se çë kuvend kishte ba Atë Luzi me Mëhillin, sikurse më diftoj vetë Mëhilli n’orën 8 perpara mjesditet mbas Meshet, e tuj pi kafe në pjekëtore të çelës së Gllogjanit. Ky Mëhilli njeri i fjeshtë, njeri i pershpirtshem, e jeta e ti jetë baritore.

Mëhilli: Zotni, mos shko me u pa nder ata Shkje e mos të bajën ndonji dredhi e me të damtue!

Atë Luzi: Mëhill, a je bari gjajet ti?

Mëhilli: Po, Zotni!

Atë Luzi: Po me ba me pa ti se uku po i turret tufës s’ate, shka ban ti?

Mëhilli: Rroki pushken edhe i vëhem në shpinë ukut, per me e turitë a me e vra qi mos të m’a damtoje tufen!

Atë Luzi: Mirë fole, Mëhill, ti i del zot tufës s’ate me pushkë, e une do t’i dal zot tufës s’eme qi janë katolikët, me fjalë të Zotit e me këshille! Uku ka hi veç mbrenda vathit t’em, e ka fillue me m’a damtue tufen. Mue më duhet, pra, me i ra mrapa tufës s’eme e me i turitë ujqt me kercnime të rrebëta me anë të Zotit. -Une nuk ja kam kujdesin këti mishit t’em, i cilli, a sod, a nesër do të bahet gjell krymbash.-“ Por, malzezët po e ndiqnin këmba-këmbës Atë Luigjin. Pasi i kishin rënë në gjurmë, e kishin burgosur për ta dërguar më pas në burgun e Gjakovës. Këtu po fillonte rruga e Kalvarit për të, por edhe e bashkatdhetarëve të tij, të cilët vuajtën bashkë me të deri në frymën e fundit. Në një dëshmi tjetër, jepen të dhëna interesante lidhur me torturat që i ishin bërë dhe dashurinë ndërvëllazërore e ndërfetare të shqiptarëve, të cilët po vuanin bashkë, sepse edhe fronti i rezistencës ishte i përbashkët.

“Prej goje të Rexhep Sylës, musliman prej Maznikut (në nahijet të Pejës)…, sikur i kishte pasë rrëfye Hasan Kocit vetë, përmbas mundimit t’Atë Luzit. Ky Rexhepi ka kenë lidhë krah për krah me Atë Luzin prej Gjakovet deri në Janosh. Rrethi i të lidhunve ka kenë 60 vetësh. Si mbërrine në Janosh, Atë Luzin e liruen prej krahit të Rexhepit tuj ja lidhë duert permbrapa, e Rexhepin e quen nder rreshta të pare, e atë e lidhen vetë të tretin. Permbas mundimesh e grushtimesh me druna pushkësh, ku edhe tuj e therë lehtas me bajoneta, Atë Luzin e shmangne prej udhet edhe e vranë aty. Kur ishin tuj e therë e permbasi krisën pushkë, kishte pas britë tri herë rresht: ”Kofët per hater të Krishtit!” ”Kofët per hater të Krishtit!” ”Kofët per hater të Krishtit!” Këto fjalë i kishte pas përsërit shpesh herë edhe per të gjatë t’udhës. Ashtu më diftoi Hasan Koci e Rexhepi këtij. “Ditët e fundit të jetës së Atë Palajt, ashtu siç dalin nga ky dorëshkrim i Gjeçovit, por edhe dëshmive që ofron revista famëmadhe Hylli i Dritës, janë vuajtje si të Jezu Krishtit, me mundime çnjerëzore, drejtuar mbi korpin e tij, i cili kishte qëndruar edhe në dhê i paprishur për nëntë javë, siç e pohojnë dëshmitë. “Prej gojet të Zenun Sokolit prej Gllogjanit, musliman me fis i Berishas. Me 25-IX-1926 nji mbramje kah ora 7, ishe ndejë n’atë në qelë te Gllogjanit, kur u beh me kalue do kohë me mue Zenun Sokoli, e nder tjera kuvende qi bamë, m’u dha edhe e pveta mos kishte me më diftue gja mbi mundime e dekë t’Atë Luzit? Ky më përgjegji: “Zotni, une jam musliman, por po të kallxoj me të drejtë të shpirtit, se Atë Luzin e kan pasë mbytë shkjet per Fe e vetem pse s’dasht me i ra mbohë Besimit Katolik e me u ba Shkja. Edhe po të tham, Zotni se nji gojet e zanit Katolikë e muslimanë ka njimi herë në ditë ja urojnë shpirtin Atë Luzit tuj thanë: -Dritë i baftë shpirti ati Frati, se deka e ti e gjaku i ti e ka pshtue robnin e Metohis e të Kosovës mbarë! Mos të ishte ai, na kurrnji i gjallë së patëm për të mbetë, e aj qi donte të jikte gjallë, do të mbaronte me u ba Shkja! Deka e Atë Luzit kje pështimi i Katolikve e i muslimajve të këtynve krahinave.” Dëshmitarët që flasin para Atë Gjeçovit betohen para dëshmisë së tyre, ndërkaq metoda e hulumtimit dhe përshkrimi i kufomës së Atë Luigjit, është gati si e një patologu profesionist, deri aty sa përshkruhen imtësisht edhe plagët dhe shenjat e dhunës mbi trupin e tij. “Gjakovë, në Kapele të Shna Ndout. Sot me dy të Vjeshtëtretit 1926 n’oren 11 ¾ para mjesditet, erdh te une Smail (Mark) Sadrija i Janoshit, me fis prej Merturit të Gurit, i cilli kje grishë prej mejet, per me e pëvetë sa punë mbi mundime e dekë të t’Atë Luz Paliqit.

Pa fillue të flasë goja e këtij plakut 70 e ma vjeç, sytë e tij folen tuj ju mbushë me lot sa ja permenda emnin e Atë Luzit, e qi pa ngjat ju perfulluene lot neper mollëza te perhupuna prej pleqniet, e tuj ju dridhë mjekrra e buzët prej vajit, më tha: “Zotni, na urojëm qi Krishti, per të cillin s’ju dhimbt jeta Atë Luzit, e ka marrë shpirtin e tij në Lumëni të vet! Zotëni, sikurse aj qindroi ngulët në Fe të lume, ashtu e ka pasë trimnue popullin, jo veç në burg të Gjakovës, sikurse e kanë dishmue katolikët e muslimajt qi paten kenë me të në burg, por edhe per të gjatë udhës, deri qi e grine shkjet u ka pas thanë: ”Vëllazen, hiqni keq, por mos ndërroni Fe!”- Kur i nepshin mund të burg të Gjakovës, edhe i thojshin shkjet qi të bahet shkja, Atë Luzi u pergjegjte: ”Une kam Zotin t’em Krishtin, e xëvësin e tij në tokë, qi sundon Kishen katolike. Une si Meshtar katolik, urdhnit të tij i rri mbëkambë e vetem atij i ndigjoj. Jam Meshtar i Krishtit e së kanë nevojë të thirrem Pop!”

Më tej, Gjeçovi, në dëshminë e tij shkruan: “Ky… plak i ndershëm, i cili i kishte pas mbëledhë trutë e Atë Luzit me gjymsen e epër të rrashtes të shkapaderdh prej armës gjaksore të Malazesëve, m’a vërtetoi me besë e fe se: Trupi i Atë Luzit i shtimun në gropë shi afer ku e paten vra shkjet, pa farë mbëlojet e shtrojet pertokë e thotë sypri e përfundmi, mbas tri javësh, (I kje qil vorri prej një komisionit ushtarak të Malit të Zi e prap shti në atë gropë e mbas 9 javësh kjen nxjerrë e que në Zymp e shti në dhe në Bëtyq-Zymp).ashtu veq në këmishë tlinta e pantoll me kollqikë në kambë, kur e xueren per me e que në Gjakovë e mandej në Zymb, as ishte ken prishë e as marrë far ere e marrë një hije aq të bardhë, qi kundruall trupit të tij të bekuem ky muer… më duket i zi!” Këto fjalë, pra, m’i dishmoi goja e lotët e Smail (Mark) Sadrisë, i cilli e krei kallzimin me këto fjalë: “Deka e Atë Luzit e suell pështimin e këtij popullit. Gjaku i Atë Luzit na peshtoi prej rrenimit të plotë!” Gjeçovi kishte qëndruar në Zym, më 16-XI-1926, ku kishte urdhëruar që të hapej varri dhe ta shikonte edhe një herë trupin e Atë Luzit. “Mbrenda vorrit hini Atë Leka e z. Noz Seba. E permbasi u thaçë (une ishe në buz të vorrit tuj shikjue) qi të shikjojshin a e kishte kryqin n’parzem e nuk ja gjeten, u thaçë qi të m’a xjerrin kocin ma të hollin të dorës së djathët (at koc qi asht ndermjet të brrylit e të dorës, e nji nye gishtit të dorës së djathët. Mbasi e largue me llomin e mishit, i xueren këta kocij qi ju lypa.-

Oroe: Kocin e dorës une e mora me vedi, e të gishtit, e ndali Atë Leka.

Përveç dëshmive të shumta, të mbledhura me shumë kujdes në vendbanime të ndryshme, në këtë dorëshkrim gjenden edhe një këngë për Atë Luigj Palajn dhe një krijim poetik, tingëllimë, e shkruar nga famullitari i atëhershëm i Becit, dom Gjon Bisaku, i cili ia shton përshkrimit të kryqit me kërkesë të Atë Shtjefën Gjeçovit. Më lejoni ta përmbyll këtë kumtesë të shkurtër, me disa vlerësime. Këtë dorëshkrim të Atë Gjeçovit e shquan:

-Përkushtimi: ai ka ecur në këmbë në relacionin Gjakovë- Zym, ashtu si edhe nga Peja në drejtim të Gllogjanit, por edhe në vendbanime tjera;

-Dashuria për atdheun, fenë e kombin e tij, pa e dalluar për kah religjioni, sepse, ashtu si qenë bashkë në ato ditë vuajtjeje e mundimesh në udhën e kryqit, të cilën e bënë bashkë, sepse s’kishin rrugë tjetër;

-Stili i të shkruarit: i kujdesshëm, konciz, i saktë, me trajta sintaksore e leksikore, model edhe për shkruesit e sotëm;

-Metodologjia e mbledhjes së dëshmive dhe autenticiteti i tyre: ofrohen emra, mbiemra, fise, profesione, vendbanime;

-Dija e thellë shkencore, ndonjëherë edhe e juristit, etnologut, folkoristit, patologut etj.;

-Kur bën përshkrime të imëta, del zjarrmia dhe emocioni i shkruesit, që shihet në kaligrafinë e tij, që e transmeton gjendjen emocionale e tensionin shpirtëror.

Dëshmitë e Gjeçovit janë të një rëndësie të shumëfishtë: historike, para së gjithash, por edhe të një intelektuali me përgatitje të lartë e me vetëdije kombëtare, që po bënte të pamundurën, në luftë me harresën, ashtu siç kishte bërë më vonë Atë Zef Pllumi, duke i dhënë vetes misionin për të jetuar e për të dëshmuar.

Duket të jetë ky një betim i brendshëm i meshtarëve shqiptarë, të cilët të udhëhequr nga parime të larta hyjnore e kombëtare, i kishin vënë vetes për detyrë të hidhnin në letër dëshmitë tragjike, për t’ia mbyllur gojën harresës, për të shënuar vuajtjet e grigjës së tyre, por edhe të vdekjes së njëpasnjëshme.

Këto përpjekje, sot dalin të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse mësimi i historisë duhet të jetë leksioni më i mirë i dijes dhe përgatitjes njerëzore. Por, ne si komb, duket se kemi problem me harresën, ashtu siç kemi probleme edhe me rrugën e drejtë, e cila na mjegullohet nga lakmia e ëndja e ligë, që dëmton palcën tonë kombëtare e qenien e shqiptarit të përvuajtur, i cili, siç e dëshmon vuajtja e Patër Luigjit, nuk bën kompromis me atdheun. Ndoshta për koincidencë, ndoshta edhe të lidhura fuqimisht me njëra- tjetrën, por duket se edhe vetë vrasja e Gjeçovit është në linjën e vdekjeve tragjike të meshtarëve shqiptarë, të cilët nuk pranuan të gjunjëzoheshin kurrë, ndonëse fati i tyre mbetet i mbështjellë me vellon e mistereve të pasqaruara sa duhet.

Ashtu siç kishin në jetë ideale të përbashkëta, Atë Shtjefën Gjeçovi e Atë Luigj Palaj prehen bashkë në tokën e bekuar të Zymit, në muranën e rindërtuar së fundmi, për të shprehur adhurimin e përjetshëm të shqiptarëve, që përulen e luten, që shpirti i tyre të jetë dritë shprese e shpëtimi, për ne e brezat që do të vijnë.

Filed Under: Histori

Ç’FITUAM NGA KONGRESI I MANASTIRIT?

November 15, 2024 by s p

Marrë nga: Mid’hat Abdyl Frashëri/

Tre muaj më parë, kur u lajmërua se do të mbahet në Manastir një kongres për abecenë e shqipes, shumë njerëz, mbase më të shumtët e shqiptarëve, thanë se kombi ynë s’kish arrirë në atë shkallë sa për të bërë një mbledhje të tillë për një çështje me kaq rëndësi. Edhe kështu, ajo e re e një kongresi u prit pak me ftohtësi.

Po ja se si u gënjyen, a më mirë u gënjyem, se gjithë ajo frikë na doli për të mirë dhe për gaz.

Mund të themi se pemët e kongresit janë të shumta dhe të ndryshme.

Qëllim i parë i kongresit ishte bashkimi në një abece dhe të marrët fund i ngatërrimit. Në kongres, tërë delegatët menduan me një urtësi të madhe jo dëshirat dhe anësitë e veta, po të mirën e kombit.

Pa mbledhur kongresin kishim frikë se çdo delegat do të mbronte abecenë, që përdor shoqëria, nga e cila është dërguar dhe trembeshim fort se këtu do të ndahej pa mbaruar gjë.

Tani gjithë kjo frikë na duket si një ëndërr e ligë, një ëndërr e zezë, që e përhapi drita e kongresit.

Kongresi u godit fort mirë, se pemët e tij na kënaqën të gjithëve.

Tani, pra, themi se shkrimi i gjuhës sonë u rregullua, themi se abeceja u njësua; tani do të mbledhim gjithë fuqinë, për të shkruar dhe për të përparuar gjuhën, pa humbur kohën në zihje e në grindje të abeceve. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën, libra shkollarë, diturakë dhe letrarë…

Ky bashkim i abeceve, kjo ndarje nga një çështje bizantine, që na nxinte faqen gjer më sot, është pema e parë e kongresit.

Po ka edhe një pemë tjetër, që është mbase më e madhe dhe më e bukur.

Edhe kjo pemë është bashkimi i shqiptarëve.

Vërtet gjer më sot kombi ynë s’ishte bashkuar, për të bërë një punë të duhur për vendin.

Ishte,pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftërinj.

Ahere kuptuam se vërtet paska një komb dhe se vërtet ky komb qenka i gjallë!

Dhëntë pra zoti dhe ky kongres qoftë si themel i një bashkimi të përjetshëm, si agim i një jete të re, i një jete urtësie e vëllazerie.

Oh, tani që i pamë shqiptarët bashkë, tani shpresën e kemi të fortë, tani zemrën e kemi të ngrohtë.

Tani dimë që qenkemi edhe ne të zotë për urtësi dhe për bashkim. Një vëllazëri në mes të mendjeve dhe të zemrave tona u rrënjos; dhe ato rrënjë do të na japin gjithnjë fuqi të re.

Mbledhja e Manastirit, sikundër na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu dhe botës u tregoi qenien dhe rrojtjen e një kombi shqiptar. Bota, që na pandehte se s’jemi të zotë për asnjë vepër qytetarie, ajo botë, ndër të edhe armiqtë tanë, kuptoi tani që shqiptarët s’qenkan ashtu si i pandehnin, s’qenkan aq “të egër” sa thuhej.

Ky kongres, kjo shenjë e parë që dhamë për qytetari, na shtoi nder përpara syve tanë dhe përpara syve të botës. Le të tregohemi, pra, gjithnjë të zotë, që të mbajmë dhe ta shtojmë këtë nder.

Lumo Skëndo (Mid’hat Abdyl Frashëri)

*Botuar në gazetën “Lirija”, Selanik 1908

Foto nga revista “Diturija” e marsit 1909

(Sipas përshkrimit të Mid’hat Frashërit në faqe 41)

…………………..

Në fytyrë të parë shohim këta veta: 1. Midhat Frashëri (Lumo Skëndo) delegat i Klubit të Selanikut dhe i Klubit të Janinës; kryetar i zgjedhur i Kongresit; dreqtonjës** i së përkohëshmes s’ënë dhe i gazetës Lirija.

2. Gjegj Fishta delegat i Shoqërisë Bashkimi në Shkodër; auktor i Lahut’ e Malsisë, Anzat e Parnasit dhe të tjera libra e vjersha; dreqtonjës i një shkolle shqipe në Shkodër.

3. Emzot Kaçorri, delegat i Durrësit dhe ndihmës i arqipeshkut të këtij qyteti.

4. Dom Nre Mjeda, delegat i Shoqërisë Agim në Shkodër, kryetar i kësaj shoqërie dhe auktor i libravet shkollare të kësaj shoqërie; vjershëtor.

5. G. D. Qiriaz Manastiri, delegat i Manastirit, nënkryetar i Kongresit dhe auktor i Hristomathi.

6. Fehim be Zavalani, delegat’ i Manastirit, kryetar i Klubit të Manastirit.

7. Dimitri Mole, delegat i Filibesë.

8. Nyzhet Vrioni, delegat’ i Beratit.

9. Rok Berisha Gjakova, delegat’ i Shkupit.

10. Bajo Topulli Gjirokastra, deputet’ i Gjirokastrës, luftëtar i lirisë.

11. Thoma Abrami, delegat’ i Korçës, dreqtonjës i së përkohshes Besa që ka dalë në Kairo.

12. Sotir Peci Dardha, delegat i Shqiptarëvet n’Amerikë dhe të Bukureshtit, dreqtonjës i gazetës Kombi në Boston.

13. Luigji Gurakuqi Shkodra, delegat’ i këtij qyteti; auktor dhe vjershëtor nën pseudonimin Lekë Gruda. 14. Shahin Kolonja, delegat i Kolonjës; dreqtonjës i gazetës Drita që dilte në Sofje; deputet i Korçës.

15. Ahil Eftim Korça, delegat i Konstancës.

16. Adam Shkaba Statobërdha, delegat i Sofjes.

17. Dimitri Buda Elbasani, delegat’ i këti qyteti.

18. Matea Logoreci Shkodra, delegat’ i shoqërisë Agim i këti qyteti.

19. Aziz, delegat i Starovës.

20. Shevqet Frashëri, delegat’ i Korçës.

21. Simeon Shuteriqi Elbasani, delegat i këti qyteti dhe shkronjës i klubit t’Elbasanit.

22. Leonidha Naçi Korça, delegat’ i Vlorës.

23. Zejnel Glina, delegat’ i Leskoviqit.

24. Sami Pojani, delegat’ i Korçës, dreqtonjës i gazetës Korça.

25. Refik Toptani, delegat’ i Tiranës.

26. Mihal Gramenua, delegat’ i Korçës, luftëtar’ i lirisë, auktori dhe vjershëtor’ i Vdekj’ e Piros dhe Mallkim i gjuhës shqipe.

Burri q’është në mes të zotit R. Toptani dhe të zotit M. Grameno është Çeço Topulli, luftëtar’ i lirisë. Më të mëngjër**** të Gramenos është Muhtari nga shokët e Çeços, dhe më të mëngjër të Muhtarit është kavas’ i klubit*** të Manastirit. Më të mëngjër të zotit Ahil Eftim është Xhelal be Poda, dhe ay q’është në mes të zotërinjvet Simeon Shuteriqi dhe Zeinel Glina është zoti Selman nga Elbasani.

Në këtë fytyrë të delegatëve mungojnë zotërinjtë: Hil Mosi, delegat’ i Shkodrës, G. Cilka, delegat i Korçës; Hafez Ibrahimi dhe Emin beu delegatët e Shkupit; Rauf beu, delegat’ i Gjinokastrës, dhe Selahedin beu nga Prizreni, delegat i Manastirit.

………………………..

**drejtues, ndreqës [shënim i administratorit të faqes]

***shoqërues, shërbëtor [shënim i administratorit të faqes]

****në të majtën [shënim i administratorit të faqes]

#HistoriaPaRetushime

#TëNjohimHistorinëTonë

Filed Under: Histori

LUFTA E NACIONALDEMOKRATES SHQIPTARE (NDSH) KUNDËR RIPUSHTIMIT JUGOSLLAV DHE PËR BASHKIM SHQIPTAR

November 14, 2024 by s p

(Forcat nacionaliste shqiptare nga radhët e Lidhjes së Dytë të Prizrenit si dhe ato të Ballit Kombëtar iu kundërvunë ripushtimit të Kosovës dhe të Maqedonisë nga partizanët jugosllavë dhe ata shqiptarë. KJo veprimtari u lidh me “Shtabin Suprem Ushtarak” në Anamoravë si dhe mbajtjen e Kongresit themelues të Nacionaldemokrates Shqiptare NDSH në Tanushë të Kopilaçës dhe bartja e qendrës së lëvizjes në Shkup.)

Jusuf BUXHOVI

Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH) 1945-1947 lindi në rrethanat dramatike nëpër të cilat po kalonte bota shqiptare në prak të përfundimit të luftës antifashiste, me ç’rast ajo u ballafaqua me sfidat ekzistenciale, të cilat i vinin në njërën anë nga raporti i forcave të luftës, ku e majta dilte fituese dhe me këtë përcaktonte edhe sistemin shoqëror mbi baza ideologjike, dhe në tjetrën nga sferat e interesit të fuqive të mëdha me të cilat Jugosllavia si shtet ruante integritetin territorial të para shkatërrimit, gjë që edhe realitetin shoqëror dhe politik shqiptar të viteve të përbashkëta (1941-1945) e kthente në gjendjen e ndarjes që ia kishte përcaktuar Konferenca e Londrës dhe konfirmuar ajo e Paqes në Paris.

Në këto rrethana bota shqiptare ndodhej e ndarë në dy shtete, ndërsa e bashkuar ideologjikisht në sferën lindore. Kjo e dyta e kthente në kthetrat sllavokomuniste me pasoja të rënda dhe të paparashikuara. Sepse, ripushtimi i Kosovës dhe viset e tjera shqiptare, që për disa vite kishin jetuar në rrethanat e një bashkimi, u lidh me terrorin shtetëror. Filloi qërimi i hesapeve me inteligjencën shqiptare, patriotët si dhe forcat tjera, që luftonin për një ardhmëri të përbashkët, demokratike dhe perëndimore. Ishte kjo një luftë me të cilën synohej rrënimi i gjithëmbarshëm i vetëdijes historike të Shqiptarëve si popull i lashtë, që i kishte takuar qytetërimit perëndimor dhe hapësirës së tij.

Duke mos u pajtuar me këtë gjendje me të cilën atyre u rrënohej qenia si popull dhe qytetërim, forcat nacionaliste shqiptare, të cilat kishin qenë të lidhura me shtetin e bashkuar shqiptar, pa marrë parasysh se në çfarë rrethanash ishte krijuar ai, duke e konsideruar atë si të drejtë që u takonte kurdoherë për të cilën duhej luftuar pareshtur, iu kishin kundërvënë ripushtimit partizan të Kosovës dhe të viseve shqiptare në Maqedoni, e me këtë edhe vendosjes së komunizmit qysh në çastet e para të largimit të ushtrisë gjermane dhe paralajmërimit të futjes së forcave partizane shqiptare dhe jugosllave ngaqë e dinin fare mirë se çfarë po i përgatitej atyre dhe Shqipërisë.

Kështu, Ushtria Shqiptare dhe forcat e tjera patriotike në kuadër të Forcave të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të cilat edhe deri më atëherë vëmendjen kryesore e kishin përqendruar në mbrojtjen e vendit nga pushtimet sllavo-komuniste, ndonëse të shkapërderdhura, kishin bërë luftimet e para me partizanët jugosllavë që depërtonin nga verilindja (Presheva dhe Karadaku) dhe juglindja (Maqedonia). Ngjashëm ishte vepruar edhe në Pollogun e Maqedonisë (nga Shkupi, Kërçova e deri në Dibër), kur forcat nacionalliste kishin rikthyer hapësirën që deri më atëherë e mbanin të pushtuar forcat bullgare, të cilat, kishin vazhduar me terrorin kundër popullatës shqiptare.

Luftimet e para zhvillohen në Anamoravë dhe Luginën e Preshevës në tetor të vitit 1944 për të vazhduar edhe gjatë nëntorit dhe dhjetorit, kur një pjesë e rëndësishme e forcave të shkëputura patriotike, bashkohen rreth frontit të përbashkët të rezistencës kombëtare. Në Anamoravë “Shtabi Suprem” nën drejtimin e Adem Gllavicës, mori përsipër drejtimin e luftimeve në Gjilan, Ferizaj dhe pjesët e tjera të Anamoravës. Ky zhvillim, nga prilli i vitit 1945, krijoi fizionominë e në një lëvizje të rezistencës kombëtare nën platformën politike të “Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila tashmë e kishte shpallur hapur luftën për një Shqipëri të bashkuar, të lirë dhe demokratike.

Andaj, nuk ishte e rastit që ideja për një organizim të përbashkët politiko-ushtarak, që do të udhëhiqte lëvizjen e rezistencës shqiptare, të vinte njëherësh nga Shkupi dhe Anamorava, ngaqë pikërisht këtyre pjesëve, krahas ndarjes Kosovë-Shqipëri në përputhje me atë që kishte sjellë Konferenca e Londrës, e Parisit e që e kishte konfirmuar ato ditë edhe Jalta, Shqiptarëve në përbërje të Jugosllavisë “së re e demokratike”, u vinte edhe një ndarje tjetër: nën Maqedoninë dhe nën Serbinë. Ndarja në republikat simotra shfaqej edhe më e rëndë, ngaqë ajo prekte themelet e etnisë shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore, e cila nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej kishte qenë qendër shpir-tërore dhe politike e Shqiptarëve në luftë për pavarësi kombëtare, ku Prizreni dhe Shkupi njësoj kishin ushqyer idetë e bashkimit shqiptar dhe të shtetësisë së tij. Në rrethanat e reja, Prizreni kthehej në qendër të një province (obllasti) nën Serbi, ndërsa Shkupi, qyteti më i madh shqiptar nga antikiteti, mesjeta dhe gjatë kohës së Perandorisë Osmane qendër e Vilajetit të Kosovës ku edhe kishte qenë epiqendra e zhvillimeve historike (1878-1912) që kishin sjellur pavarësinë e Shqipërisë, kthehej në qendër të shtetësisë të një kombi politikisht të formuar (Maqedonas), me detyrë që ta shuante identitetin shqiptar nga aty me anën e metodave të dhunës politike dhe shtetërore (privimi nga arsimi kombëtar, heqja gjuhës shqipe në administratë, stimulimi i emigrimit për në Turqi, sforcimi i turqishtes e të tjera) deri në shuarje të tyre fizike në të.

Si reagim ndaj kësaj gjendjeje, kur në Kosovë, Karadak dhe pjesët e tjera të Maqedonisë Perëndimore forcat patriotike nga radhët e Divizionit IV shqiptar dhe ato të Ballit Kombëtar po luftonin kundër njësive partizane dhe terrorit të tyre, në Shkup, i cili pas kapitullimit të forcave bullgare dhe larimit të atyre gjermane, për disa kohë kishte qenë në duart e ballistëve shqiptarë, gjatë muajit mars të vitit 1945, u shfaq “Organizata Nacional Demokratike Shqiptare”, e cila, luftës së filluar kundër ripushtimit jugosllav dhe për bashkimit shqiptar duhej t’i jepte një platformë të qartë politike. NDSH u themelua në shtëpinë e Hysniqemal Ejupit, në të cilën morën pjesë: Azem, Marana, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Hysniqemal Ejupi, Nebi Jonuzi dhe Nuredin Ibrahimi. Sipas organizatorëve, NDSH, në rrethanat e ripushtimit sllavo-komunist të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe ndarjes së saj midis Maqedonisë dhe Serbisë, si synim kryesor kishte bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera me shumicë shqiptare me Shqipërinë.

Që kjo të sendërtohet, NDSH dhe drejtuesit e saj u zotuan sa më shpejtë të vendosin lidhje me nacionalistët shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët ishin të shumtë por pa një qendër drejtuese.

Në kuvendin themelues, po ashtu, u tha se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet ngritjes nacionale te Shqiptarët, me çka do të zgjerohet dëshira dhe vullneti i tyre për bashkim kombëtar.

Themelimi i NDSH-së dhe programi i saj kombëtar nuk mbeti i pavërejtur. Nacionalistët shqiptarë, të cilët e kishin gjithnjë e më të qartë se pushteti popullor komunist po zhvillonte një veprimtari të hapur kundër Shqiptarëve dhe qenies së tyre, filluan t’i bashkohen asaj, veçmas pas copëtimit të hapësirës së tyre në shumë pjesë (Kosovë, Maqedoni, Luginë të Preshevës). Bie në sy se krahas nacionalistëve të devotshëm që nuk pajtoheshin me ripushtimin sllavo-komunist dhe ndarjen që sillte ai, do të jenë ish partizanë, pastaj prefektë komunash dhe të tjerë të përfshirë në radhët e nacionalçlirimtares, por të zhgënjyer nga mashtrime e saj, që do t’i bashkohen organizatës. I tillë ishte Rexhep Dauti nga Tanusha, i cili ishte komandant policie në Tanushë, Mulla Hajdar Kurteshi nga Kumanova – ish komisar politik i aradheve ushtarake të Sylë Hotlës, Mehmet Bushi, oficer – ushtarak dhe oficer në Tetovë e Gostivar, Jetish Vishi nga Vitia e Gjilanit e shumë të tjerë nga Maqedonia Perëndimore, Anamorava dhe Karadaku i Shkupit.

Masivizimi i shpejtë i ONDSH-së në Maqedoni si dhe ndërlidhja me Kosovën bëri që pjesët e ndryshme të rezistencës kombëtare në Kosovë dhe Maqedoni të ndërlidheshin ushtarakisht dhe politikisht, në mënyrë që lufta e tyre të jetë sa më e suksesshme. Kështu, në gusht të vitit 1945, “Shtabi Suprem i Kosovës” i drejtuar nga Adem Gllavica ftoi një takim të përfaqësuesve të njësive të kryengritësve shqiptarë dhe të organizatave të NDSH-së. Takimi u mbajt në Tanushë të Kopilaçës, më 15-16 gusht, midis Moravës së Epërme e Karadakut të Shkupit.

Komiteti i NDSH-së Shkupit, i cili ditë më parë edhe nga Hysen Tërpeza kisht marrë një ftesë për kongresin e përbashkët, për në Tanushë të Kopilaçës nisi Qemal Skënderin, Mexhid Zymberin, Rexhep Dautin dhe Xhemal Fazli Ferën.

Krahas përfaqësuesve të Shkupit në këtë tubim ishin edhe: Hysen Tërpeza, Adem Gllavica, prof. Ibrashim Kelmendi, Luan Gashi, Tefik Tanisheci, Hasan Kabashi – Vitia, Din Hoxha nga Kaçaniku, Qazim Sefa nga Llugaxhia, Qazim Soba, Hajriz Kajolli e të tjerë. Mbledhja mbajt në shtëpinë e Zylbehar Beqiri Ajvazi.

Hysen Tërpeza, bëri të ditur për lidhjet e vendosura me Komitetet e NDSH-së në Gjilan, Prishtinë, Prizren dhe së fundit edhe me atë të Shkupit. Në Kongres folën edhe Adem Gllavica, Luan Gashi dhe prof. Ibrahim Kelmendi, të cilët shpalosën platformën mbi të cilën duhej të zhvillohej veprimtaria kombëtare, qëllimi i së cilës është kundërshtimi i vendosjes së diktaturës sllavo-komuniste, mospranimi i copëtimit të trojeve shqiptare si dhe lufta për bashki-min shqiptar në një shtet demokratik dhe të lirë.

Kongresi emëroi Shtabin e Përgjithshëm të luftës me në krye Hysen Tërpezën në përbërje të të cilit ishin edhe Luan Gashi, Bajrush Xhakli (komandant i batalionit të dytë në malet e Presedelit), Rexhep Okllapi (komandant i batalonit të tretë në malet e Keçekollës), Shaban Haliti (komandant i batalonit të katërt), Syl Hasip Hotla (komandant i batalonit të pestë për Kumanovë e rrethinë) dhe Din Hoxha (komandant i batalionit të gjashtë). Në Shtabin e luftës ishte edhe Adem Gllavica i ngarkuar për propagandë. U vendos që prof. Ibrahim Klemendi të delegohet për propagandë në Shkup, ku NDSH do ta kishte selinë, kurse Luan Gashi do të kryente të njëjtat detyra në pjesët midis Suharekës dhe Prizrenit. Kongresi caktoi edhe komandantët e katër zonave operative.

Në fund, Kongresi doli me udhëheqjen e re të NDSH-së në krye me patriotin Halim Orana nga Gjilani. Qemal Skënderi u zgjodh zëvendëskryetar dhe Azem Marana sekretar i organizatës. Anëtarë të KQ të NDSH-së u zgjodhën: Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tërshana.

Kongresi miratoi disa dokumente si “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare” me pesë pika:

1. Liri dhe pavarësi të plotë me të drejta vetëqeverimi në bazë të vullnetit të shfaqur lirisht;

2. Nën tokat shqiptare kuptohet krejt vendet, ku banojnë Shqip-tarët, në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendit dhe nga kush është pushtuar;

3. Lëvizja nuk ka qëndrim armiqësor kundër asnjë populli fqinjë, as kundër partive politike, vetëm insiston në mënyrë kulturore dhe me armë do të përpiqet t’i arrijë idealet shekullore të kombit shqiptar që të jetë i lirë dhe vetë sundues në shtet të vet me kufij etnik;

4. Mbasi të vendosën kufijtë etnik, pa marrë parasysh kushtet tjera të kufijve siç janë ato: strategjik, ekonomik, politik, etj… në mënyrë miqësore do të shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, duke i tërhequr Shqiptarët që do të mbesin jashtë kufijve në vend të atyre që do të shpërngulen dhe do të përcillen jashtë;

5. Në kohë paqeje, Lëvizja nuk do të pushojë, por do të vazhdojë si shërbim roje të drejtave të popullit shqiptar, si të atyre të brendshme, ashtu edhe të atyre të jashtme, ndërkombëtar t’ua organizua për regjim me të vërtet demokratik dhe për relacione miqësore me popujt fqinjë ballkanik.

Pas përfundimit të punimeve të Kongresit, të gjithë të deleguarit në qendrat e veta iu rrekën punëve për themelimin e komiteteve vendore të NDSH-së, të cilat duhej të marrin përsipër realizimin e vendimeve të marra në Kongres. Komitetet vendore të NDSH-së u themeluan në të gjitha rrethet e vendit, të cilat ishin të lidhura me Komitetin Qendror të NDSH-së në Shkup.

Shema organizative që e lidhur me qendrën në Shkup kishte arsye praktike, por edhe strategjike, me anën e të cilave synohej që të ndërlidhej puna e lëvizjes me karakterin e saj kombëtar, ku Shkupi si qendër kundërshtonte jo vetëm ndarjen që u ishte bërë Shqiptarëve në dy pjesë (Serbi – Kosova dhe Maqedonia Perëndimore në Maqedoni), por edhe demonstronte unitetin politik dhe shpirtëror në përputhje me të drejtën historike dhe etnike të tyre.

Kongresi i bashkimit në Tanushë të Kopilaçës si dhe platforma politike që u aprovua aty për veprim ushtarak dhe politik në të gjitha pjesët drejt sendërtimit të synimeve të përcaktuara: bashkimi kombëtar si dhe lufta kundër komunizmit krijoi një atmosferë mobilizimi te grupet e shkapërderdhura, por njëherësh ngriti gatishmërinë e pushtetit komunist jugosllav dhe atij shqiptar “në luftë të pakompromis kundër reaksionit” dhe “shërbëtorëve të tyre”, që rëndom identifikoheshin si “kuislingë”, meqë kështu fshiheshin aspiratat dhe qëllimet e njëmendta siç ishte bashkimi kombëtar dhe lufta kundër komunizmit. Kështu, në Maqedoni dhe Kosovë, pushteti ushtarak, i cili nga fillimi kishte goditur pamëshirshëm gjithçka shqiptare, kishte filluar operacionet e gjera në ndjekje të pjesëtarëve të NDSH-së dhe të strukturave të tyre politike dhe ushtarake, që përhapeshin në të gjitha anët. Kreu i NDSH-së në Shkup, konkretisht prof. Ibrahim Kelmendi do t’i kundërpërgjigjet me hapjen e degëve të organizatës në të gjitha qytetet e vendit si dhe të shtrirjes së nëndegëve të tyre në thellësi si dhe me venien e lidhjeve me përfaqësuesit e huaj në Maqedoni, ku me interes shfaqeshin ata anglezë dhe të Turqisë.

Lidhjet e para me përfaqësuesin e konsullatës britanike në Shkup si dhe me atë turk u vunë me anën e një letre që u ishte drejtuar diplomatëve anglezë dhe atyre turq, ku njoftoheshin me qëndrimin e Shqiptarëve të Maqedonisë dhe të Kosovës rreth bashkimit me Shqipërinë dhe se për këtë arsye “mijëra shqiptarë janë duke luftuar me shpresë të madhe se do të kenë përkrahjen e Perëndimit, posaçërisht nga faktori anglo-amerikan”.

Krahas këtij njoftimi të përgjithshëm, konsullit turk i ishte bashkangjitur edhe një njoftim tjetër në të cilin i bëhej me dije për veprimet përçarëse të pushtetit jugosllav, me anën e të cilave popullsia turke, jo vetëm që po mbështet politikën jugosllave ndaj Shqiptarëve, por disa aktivistë të saj janë vënë në shërbim të verbët të saj duke bërë çmos që ata të deklarohen turq.

Profesor Ibrahim Kelmendi kërkon nga konsulli turk që të shqyrtojë seriozisht këtë çështje dhe të ndikojë te eksponentët e pushtetit jugosllavë të heqin dorë nga kjo politikë, e cila mund të jetë e dëmshme për të dy popujt.

Por, në vlugun e këtyre aktiviteteve politike, që po ndërmerrte prof. Ibrahim Kelmendi nga Shkupi për masivizimin e NDSH-së, gjë që kjo edhe do të shfaqet me suksese të konsiderueshme, hetohet rënia e aktivitetit ushtarak si dhe tërheqja nga veprimtaria e kundërvënies së armatosur regjimit komunist jugosllav në përputhje me vendimet e Kongresit të Tanushës, kur edhe ishte themeluar Shtabi Suprem Ushtarak bashkë me zonat operative. Kjo kishte ndodhur pasi që Hysen Tërpeza komandant i Shtabit të Përgjithshëm në përputhje me një vendim që kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm në fillim të tetorit në Tanushë, me anën e një letre, njoftonte qendrën e Shkupit për tërheqjen e Shtabit Ushtarak drejt Greqisë. Në këtë letër kërkohej nga prof. Kelmendi që të jepej pëlqimi i qendrës së NDSH-së për këtë veprim, i cili arsyetohej me qëndrimin që ishte marrë nga kërkesa që ushtarakëve (Adem Gllavicës dhe bashkëpunëtorëve të tij) u ishte drejtuar nga Mit’had Frashëri dhe Muharrem Bajraktari që ata të kalonin në Greqi për të hyrë në shërbim të planeve globale anglo-amerikane për destabilizimin dhe rrënimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi, kurse “çështja e çlirimit dhe e bashkimit të tokave shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia do të vijë si pasojë e ndryshimeve të sistemit në dy vendet fqinje, Shqipërisë dhe Jugosllavisë”.

Qendra e NDSH-së në Shkup nuk do të pajtohet me këtë vendim. Komiteti Qendror i saj do të reagojë me qëndrimin se do të luftohet deri në përmbushjen e idealeve kombëtare. Ngjashëm reagoi edhe Mulla Idrizi nga Gjilani, i cili me disa njësi ndodhej në pjesët e thella të malësisë së Karadakut. Ai kërkonte që të hiqej dorë nga arratia, sepse “nuk ka me shkue gjatë”.

Edhe përkundër thirrjes së KQ të NDSH-së si dhe të Mulla Idrizit dhe disa patriotëve të tjerë që gjendeshin nëpër njësitë guerile dhe luftonin për aq sa mundeshin, forcat kryesore ushtarake të drejtuara nga Shtabi i Përgjithshëm, nga tetorit i vitit 1945 e deri në dhjetor, mori rrugën e vështirë dhe të rrezikshme të tërheqjes për në Greqi, rrugë kjo të cilën shumë prej tyre nuk do ta arrijnë, ngaqë do të jenë forcat jugosllave që do t’u vihen pas dhe hap pas hapi do t’i ndjekin duke u sjellë humbje të rënda, me ç’rast disa njësi do të shuhen fare.

Nëpër të tilla pusi do të vritet edhe Mefail Shehu – Zajazi, i cili mori rrugën për në Greqi me mbi 100 luftëtarë, por ra në një pritë partizane bashkë me shumë luftëtarë, të cilët ishin duke pritur që të bashkoheshin me njësitë tjera që kishin marrë këtë rrugë.

I fundit që do të niset për në Greqi ishte grupi i Hysen Tërpezës dhe Hasan Kabashit. Këtë rrugë ata e morën nga gjysma e nëntorit. Atyre iu bashkuan edhe grupe të tjera që vepronin në Zhegoc, Kopilaçë të Ferizajt dhe Kaçanik.

Me largimin e njësive kryesore ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm për në Greqi bashkë me ushtarakët e rëndësishëm që i drejtonin ato (fjala është për oficerë të shkolluar), filloi të bjerë edhe intensiteti i rezistencës së armatosur ndaj regjimit sllavo-komunist, i cili kishte filluar të vendosej në Kosovë dhe në Maqedoni në përputhje me realitetet e Jugosllavisë komuniste, realitet ky që etninë e deriatëhershme shqiptare të shkëputur nga trungu i saj në vitin 1912, tash e ndante në dy pjesë: në atë brenda republikës së Maqedonisë si pjesë e federatës jugosllave dhe në krahinën “provincën” e Kosovës nën Serbi. Kjo ndarje, bëhej edhe më e rëndë për Shqiptarët ngaqë Shkupi, qytet antik dhe kryeqendër e Vilajetit të Kosovës bashkë me Tetovën, Gostivarin dhe pjesët e tjera të Pollogut, shkëpute-shin nga Kosova, qendër kjo graviteti e botës shqip-tare nga Kriza Lindore e këndej, me çka në rrethanat e reja që të dy pjesët margjinalizoheshin së tepërmi, që si do të shihet, për Beogradin dhe Shkupin diktatura komuniste do t’iu ofrojë mundësi të shumta që të vazhdohet politika e tyre të njohur antishqiptare e pasqyruar nëpërmes asimilimit dhe e shpërnguljes së tyre për në Turqi.

Por, si do të shihet, edhe përkundër largimit të krahut ushtarak në Greqi dhe Gjermani, NDSH-ja nuk do të pushojë veprimtarinë e filluar. Degët e saj të shkapërderdhura në Kosovë dhe Maqedoni do të vazhdojnë të ruajnë frymën e rezistencës kombëtare qoftë me veprimtari politike, qoftë edhe me përdorimin e luftës guerile në disa pjesë të vendit, e cila do të jetë e pranishme edhe gjatë dy viteve të ardhshme përkundër përgjigjes së ashpër që do ta marrë nga regjimi komunist, i cili krahas pushkatimit të militantëve, mbushi burgjet me gjithë ata intelektualë shqiptarë që nuk ishin të gatshëm të bëheshin pjesë e mashtrimit të ri ideologjik nën parullat e vëllazërim-bashkimit.

(Shkëputje nga “Kosova 1912-1945”, faqe 399-406)

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 100
  • 101
  • 102
  • 103
  • 104
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT