• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GADISHULLI BALLKANIK  

December 7, 2025 by s p

Termi apo nocioni “Ballkan” është i ngjyrosur me kuptime negative, si: dhunë, mosdurim fetar dhe etnik, prapambetje e përgjithshme, korrupsion dhe ndarje. Në gjuhën angleze, fjala balkanisation (ballkanizim) ka kuptimin e copëzimit dhe të intolerancës midis fraksioneve brenda ndonjë grupi.

*   *   *

Gadishulli Ballkanik është emërtim i rajonit gjeografik dhe politik të Evropës. Varësisht nga autorët, në veriperëndim ai kufizohet me  Gjirin e Kvarnerit, Gjiri i Triestes ose me ndonjë vend tjetër në detin Adriatik. Në lindje kufizohet  me grykën e Danubit në Detin e Zi ose deri në portin e Odesës në Ukrainën e sotme. Duke pasur parasysh gjerësinë dhe pasigurinë e vendndodhjes së kufijve të rajonit të përcaktuar kështu ndaj pjesës tjetër të Evropës kontinentale, nga pikëpamja e profesionit gjeografik nuk është mirë të flitet për një “gadishull”.

I pari që e përmendi historinë e “Gadishullit Ballkanik” ishte natyralisti gjerman Johan August Zene (Johann August Zeune, 12 maj 1778 –14 nëntor 1853), i cili në vitin 1808 sugjeroi të flitet për një gadishull, të kufizuar në veri me Malet Ballkanike që shtrihen në territorin e Bullgarisë së sotme paralelisht me lumin Danub. Zene shkroi gabimisht se malet shtriheshin deri në detin Adriatik. Mendimi i tij më vonë u hodh poshtë njëzëri nga ekspertët gjeologjikë dhe gjeografikë. Megjithëkëtë, gjatë shekullit XIX termi “Ballkan” u përdor si një përcaktim gjeopolitik që përfshinte pjesën evropiane të Perandorisë Osmane, kufijtë shtetërorë të së cilës gjatë atij shekulli u tërhoqën gradualisht drejt jugut. 

Gjeografi serb, themelues i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, Jovan Cvijiq (1865–1927) është një prej krijuesve të konceptit të Gadishullit Ballkanik në fillim të shekullit XX. Interpretimet e tij ishin në përputhje me pretendimet territoriale të Serbisë të fillimit të shekullit XX. Ai propozoi që edhe Sllovenia të konsiderohej pjesë e Ballkanit. Kufijtë perëndimorë gjeopolitikë të Ballkanit ai i identifikoi me hapësirën etnike të banuar nga “serbo-kroatët”. Aty i përfshiu edhe sllovenët. Duke qenë se ky është një koncept gjeopolitik dhe jo gjeografik, pas ndërprerjes së pranisë së konsiderueshme turke në këto hapësira gjeografike, për zonat e “Gadishullit Ballkanik” përdoret përgjithësisht termi “Evropa Juglindore”. Kjo zonë, varësisht nga burimet, përfshin edhe pjesë të Rumanisë e të Moldavisë dhe Qipron.  Por, ndonjëherë e përjashton Slloveninë, Kroacinë dhe Greqinë. 

Termi “Gadishulli Ballkanik” u përdor në hartografi në shekullin XX, por në atë kohë  nuk përfshinte zona të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të Kroacisë. 

Rajoni e ka marrë emrin sipas malit Ballkan të cilin bullgarët e quajnë Mal i Vjetër. Fjala „ballkan“ në turqisht do të thotë mal. “Mal i Vjetër” i bullgarishtes, në gjuhën turke do të përkthehej si „Koxha Ballkan“.

Realizimi i plotë i idesë gjeopolitike të “Ballkanit” dukej i arritshëm në vitet 1940. Së pari, nën patronazhin britanik, në vitin 1941, qeveritë në mërgim të Mbretërisë së Jugosllavisë dhe të Greqisë ranë dakord për krijimin e një konfederate ballkanike. Ideja britanike ishte që kjo konfederatë të përfshinte edhe Shqipërinë, Bullgarinë dhe Rumaninë. Sipas disa historianëve, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, autoritetet komuniste të Jugosllavisë, të Shqipërisë dhe të Bullgarisë iu afruan realizimit të një ideje të tillë. Ata planifikonin të zgjeronin federatën jugosllave duke bashkuar Bullgarinë dhe Shqipërinë si republika të reja. Po qe se do të ishte e mundur, krijimit të një federate të madhe ballkanike do t’i bashkohej edhe Greqia. Lufta civile greke u zhvillua  në vitin 1940 e këndej. Komunistët, të mbështetur nga shtetet komuniste fqinje, u përpoqën që atë vend ta vinin nën kontrollin e vet. 

Planet për bashkimin e Ballkanit ranë në ujë kur BRSS pushoi së mbështeturi një ide të tillë në kohën e Rezolutës së Informbyrosë në vitin 1948. Pas kësaj, synimet e jugosllavëve për bashkim me Bullgarinë dhe Shqipërinë pushuan. 

*   *   *

Për shkak të përkufizimit të gadishullit, shumë ekspertë e mohojnë ekzistimin e Ballkanit si një zonë gjeografike. Sipas disa studiuesve, përkufizimi gjeografik i Ballkanit bazohet në vargmalet që përfshijnë Dinaridet, Malet Ballkanike, Rodopet, malin Sharr dhe malin Pind. Ky përkufizimi e përjashton Slloveninë, përjashton pjesë të Kroacisë dhe të Rumanisë, pjesët veriore të Serbisë, veriun e largët të Bullgarisë dhe Greqinë jugore.

Ndonjëherë, e tërë masa tokësore quhet „Gadishull Ballkanik“ për arsye se në jug, në jugperëndim dhe në juglindje rrethohet nga deti Adriatik, nga deti Jon, nga Deti Egje, nga deti Marmara dhe nga Deti i Zi. Edhe pse nuk kemi të bëjmë me gadishull të mirëfilltë, ky emërtim shpesh përdoret për rajonin e gjerë. 

*   *   *

Kufijtë veriorë dhe perëndimorë të Ballkanit janë të diskutueshëm. Fushat e Danubit dhe të Panonisë shpesh nuk konsiderohen pjesë e Ballkanit. Ka të tillë që besojnë se pjesët në veri të lumit Sava dhe të lumit Danub, siç janë Sllovenia dhe pjesa më e madhe e Rumanisë,  nuk janë pjesë e Ballkanit.

Ballkani nuk paraqet tërësi për shkak të vargmaleve por për shkak të historisë së përbashkët dhe shpesh të dhunshme të popujve të tij. Kjo histori është shënuar kryesisht nga shekuj nënshtrimi ndaj Perandorisë Osmane ose luftërash kundër saj, si dhe konfliktesh të ndërsjella në shekullin XX. Ballkani më shpesh përdoret si një term politik sesa gjeografik ku përfshihen vendet, kulturat e të cilave kanë qenë të ndërthurura ndër shekuj me kulturën dhe me politikën osmane.

Termi apo nocioni “Ballkan” është i ngjyrosur me kuptime negative, si: dhunë, mosdurim fetar dhe etnik, prapambetje e përgjithshme, korrupsion dhe ndarje. Në gjuhën angleze, fjala balkanisation (ballkanizim) ka kuptimin e copëzimit dhe të intolerancës midis fraksioneve brenda ndonjë grupi. 

Për këtë arsye, kjo fjalë nuk përdoret shpesh në rajonet periferike dhe nganjëherë konsiderohet përçmuese. Për Ballkanin ekziston edhe një term më neutral siç është “Evropa Juglindore”. Ky nuk është një term gjeografik për arsye se nuk e përfshin Rumaninë. Ky term përdoret gjithnjë e më shumë për të për të mjegulluar përfshirjen e vendeve të caktuara në Ballkan. Për shembull, një nismë e Bashkimit Evropian e vitit 1999 quhet Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore. Në vitin 2003 gazeta online Balkan Times u riemërua në Southeast European Times.   

*   *   *

Ka vende që janë vendosur në Gadishullin Ballkanik sipas vijës Danub-Sava-Kupa

Me tërë sipërfaqen e tyre, pa ishujt, ndodhen në Ballkan vendet, si: Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Vetëm pjesërisht në Ballkan ndodhen vendet, si: Serbia 60%, Turqia (Trakia lindore), Rumania 9% e zonës midis Detit të Zi dhe Danubit, Kroacia me pjesën më të madhe (në jug të lumit Sava).

Natyra dhe burimet – Pjesa më e madhe e rajonit është e mbuluar nga vargmalet. Vargmale kryesore janë Dinaridet në Bosnje dhe Hercegovinë që vazhdojnë në masivin Sharr-Pind në Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi. Bullgaria e ka Malin Ballkan dhe Rodopet në kufi me Greqinë. Maja më e lartë është Musala në Bullgari, me lartësi 2925 m.

Në detin Adriatik dhe në detin Egje klima është mesdhetare. Në brigjet e Detit të Zi klima është oqeanike e lagësht dhe nëntropikale, ndërsa në brendësi është mesatarisht kontinentale. Veriu i gadishullit dhe malet kanë dimra të ftohtë dhe me dëborë si dhe verë të nxehtë dhe të thatë. Në jug, dimrat janë më të butë.

*   *   *

Në jug dhe në bregdet rriten dru halorë. Në brendësi ka pyje tipike të Evropës Qendrore (lisi dhe ahu, në male rriten pishat dhe bredhi). Kufiri i shtrirjes së pyjeve është 1800 deri në 2000 m.

Toka në Ballkan është përgjithësisht e varfër, përveç fushave ku bari natyror, toka pjellore dhe verat e nxehta janë të përshtatshme për t’u shfrytëzuar si tokë e punueshme. Në pjesën më të madhe të gadishullit, bujqësia është e dobët për shkak të maleve, verave të nxehta dhe tokës së varfër e cila është e përshtatshme vetëm për disa kultura bujqësore, siç janë ulliri dhe rrushi.

Burimet e energjisë janë të rralla. Ka qymyr sidomos në Bullgari, në Kosovë, në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Depozitat e linjitit janë më të përhapura. Nafta është e rrallë, ndonëse në Shqipëri dhe në Serbi ka depozita të vogla. Gjithashtu nuk ka shumë gaz natyror. Ka një numër të madh hidrocentralesh.

Prej lëndëve të para, ka sasi të konsiderueshme metalesh. Hekuri është i rrallë, por disa vende të rajonit kanë sasi të konsiderueshme bakri, zinku, kallaji, kromi, mangani, magnezi dhe boksiti. Disa metale eksportohen.

E kaluara dhe e tashmja – Një hartë gjeografike të Kroacisë turke, të Bosnjës dhe Hercegovinës turke dhe të rajoneve të tjera deri në Stamboll, në hartën e pushtimeve osmane në Evropë e ka punuar në vitin 1827 hartografi amerikan Entoni Finlej (Anthony Finley, 25 gusht 1784 – 9 qershor 1836). 

  Ballkani është rrugë tokësore e drejtë midis Evropës Perëndimore dhe Azisë Jugperëndimore (Azia e Vogël dhe Lindja e Afërt). Prandaj gjithmonë ka pasur rëndësi strategjike të madhe. 

Dikur pjesa më e madhe e Ballkanit politikisht ka qenë e bashkuar nën Bizantin, pastaj edhe nën Perandorinë Osmane, kurse qendra e të dy perandorive ka qenë në Anatoli, e cila sot bie në pjesën aziatike të Turqisë. 

Edhe pse nën Bizantin u takonte pjesëve më të përparuara të Evropës, 550 vitet e fundit Ballkani ka qenë pjesa më e pazhvilluar e kontinentit, për arsye se politika dhe tregtia evropiane i është kthyer oqeanit Atlantik, kurse Perandoria Osmane ka qenë relativisht e izoluar prej rrjedhave ekonomike dhe politike kryesore. 

Vendet ballkanike nisën të fitojnë pavarësi në shekullin XIX, kështu që Lidhja Ballkanike e viteve 1912-1913, në Luftërat Ballkanike e dëboi Turqinë deri në kufijtë e tashëm të saj.         

Lufta e Parë Botërore shpërtheu në vitin 1914 për shkak të vrasjes në Sarajevë të  trashëgimtarit të fronit Franc Ferdinad (Franz Ferdinand Carl Ludwig Joseph Maria of Austria; 18 dhjetor 1863 – 28 qershor 1914). Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe të Luftës së Dytë Botërore, ndikim të fuqishëm në Ballkan ushtruan edhe Bashkimi Sovjetik dhe komunizmi. 

Gjatë Luftës së Ftohtë(, shumica e vendeve të Ballkanit ishin nën diktatura komuniste dhe ishin anëtare të Paktit të Varshavës. Megjithëkëtë, Jugosllavia në vitin 1948 dhe Shqipëria në vitin 1961, u ndanë nga Bashkimi Sovjetik dhe u përpoqën të distancoheshin. Jugosllavia u përpoq të afrohej me Perëndimin. Themeloi edhe Lëvizjen e të Painkuadruarve (e të Paangazhuarve). Shqipëria në fillim iu drejtua Kinës, kurse më vonë i prishi marrëdhëniet me Pekinin. Të vetmet vende jokomuniste të Ballkanit ishin Greqia dhe Turqia të cilat atëherë, siç janë edhe sot, ishin anëtare të NATO-s.

Shënim: Lufta e Ftohtë ishte konflikt politik midis aleancës së NATO-s të udhëhequr nga ShBA-ja dhe Traktatit të Varshavës, të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Filloi në vitin 1945 dhe u mbyll në vitin 1991.      

*   *   *

Rajoni u prek rëndë nga luftërat në ish-Jugosllavi që shpërthyen në fillim të viteve 1990. Këto luftëra çuan në ndërhyrjet e NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë dhe në Maqedoni. Ndërkohë, të gjitha vendet e Ballkanit vendosën marrëdhënie të mira me BE-në dhe me SHBA-në. Shikuar në përgjithësi, çështja shqiptare në Ballkan ende është pjesërisht e hapur. Shqiptarët synojnë bashkimin e trojeve historike dhe krijimin e Shqipërisë etnike. 

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian – Greqia ka qenë anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 1981. Bullgaria dhe Rumania u bashkuan në vitin 2007, kurse Kroacia – në vitin 2013. Maqedonia është bërë kandidate zyrtare, por bisedimet po ecin shumë ngadalë dhe nuk dihet se kur do të pranohet. Turqia aplikoi për anëtarësim qysh në vitin 1963, por deri në vitin 2016 nuk arriti të bëhet anëtare. Duke marrë parasysh lëvizjet e ngadalshme, përkatësisht inekzistente, edhe gjatë nuk do të mund të anëtarësohet. Edhe pse janë lidhur marrëveshje doganore të caktuara. Edhe vende të tjera kanë shprehur dëshirën të hyjnë në BE, por ende nuk dihet se kur do ta arrijnë këtë.     

Qëndrimet e popullit dhe të elitës politike në Kroaci mbi (mos)përkatësinë Ballkanit – Historia e kohëve të fundit e Kroacisë u shënua së pari nga shembja e Austro-Hungarisë si një kuadër shtetëror i Evropës Qendrore dhe pranimi i saj në Jugosllavinë e vjetër dhe në Jugosllavinë e re, shtete me një karakter “ballkanik” të qartë. Pas përpjekjeve për të zgjidhur çështjen kombëtare brenda kornizës jugosllave përmes Banovinës së Kroacisë dhe Republikës Socialiste të Kroacisë, trazirat gjeopolitike në Evropë në vitet 1940 çuan në krijimin e Shtetit të Pavarur të Kroacisë që ekzistoi vetëm pak kohë dhe në rrethana tragjike. Elitat kroate e shfrytëzuan më mirë paqëndrueshmërinë gjeopolitike të shkaktuar nga rënia e murit të Berlinit, nga shpërbërja e BRSS-së dhe nga ngjarje të tjera gjeopolitike dramatike në Evropë në vitet 1990. Pasoi “Lufta për atdhe” e viteve 1991-1995. Kroatët arritën ta shkëpusnin përgjithmonë Republikën e Kroacisë nga Jugosllavia, pra “nga Ballkani”. Megjithëkëtë, gjurmët dhe arsyet për lidhjen me rajonin e Evropës Juglindore pjesërisht ende ekzistojnë. Në vitin 2021 u tha se    kufijtë kulturorë të kroatëve shtrihen në Evropën Qendrore, në “Ballkan” dhe në Mesdhe. Popullsia identifikohet më lehtë me rrethin kulturor dhe qytetërues mesdhetar, pastaj në një masë disi më të vogël me Ballkanin, domethënë me “rrethin kulturor dhe qytetërues të Evropës Juglindore” dhe vetëm pas kësaj, me Evropën Qendrore. dilema të ngjashme lidhur me identifikimin e përkatësisë rretheve kulturore dhe qytetëruese vërehen edhe te popujt e vendeve të tjera post-socialiste të Evropës.  

Integrimi i tregtisë së jashtme të “Ballkanit Perëndimor” brenda kornizës së CEFTA-s – Pas rënies së bllokut Lindor, Bashkimi Evropian mbështeti integrimin e ndërsjellë ekonomik të vendeve deri vonë socialiste në Evropë, brenda kornizës së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Pasi shumica e vendeve anëtare të CEFTA-s u bënë anëtare të plota të Bashkimit Evropian, pas vitit 2013, Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mbetën brenda kornizës së CEFTA-s. Me fjalë të tjera, u krijua një zonë e tregtisë së lirë, kryesisht me “karakter ballkanik”. Në vitin 2022, tregtia e jashtme e Republikës së Kroacisë realizohej kryesisht me Italinë, Slloveninë, Hungarinë, Gjermaninë dhe Austrinë. Shkëmbimi tregtar i Kroacisë me vendet e CEFTA-s dhe me vendet anëtare të BE-së që i përkasin “Ballkanit”, arrin më pak se 20%. 

Popuj të Ballkanit – Popuj kryesorë të rajonit janë: shqiptarët, grekët, malazezët, maqedonasit, serbët, bullgarët, boshnjakët, kroatët, turqit.

Fetë kryesore të rajonit janë: krishterimi (ortodoksia) dhe islami, që u përhap gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. 

Ortodoksia është e përhapur në Bullgari, në Mali të Zi, në Greqi, në Rumani, në Serbi, në Maqedoni, në Shqipëri. 

Feja islame është e përhapur në Turqi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëria, në Serbi, në Bullgari.    

Katolicizmi është i përhapur në Kroaci dhe në Slloveni. Serbët e Kroacisë i përkasin fesë ortodokse. Në Kroaci ka edhe shqiptarë katolikë që kanë vajtur aty nga Kosova si dhe shqiptarë të fesë islame, që kanë vajtur aty kryesisht nga Maqedonia. Një numër boshnjakesh (myslimanë) janë vendosur në Kroaci dhe në Slloveni.      

Vendet me një përzierje të theksuar të feve:

– Bosnja dhe Hercegovina: feja islame, islame, feja ortodokse dhe feja katolike;

– Qiproja (ishull): feja ortodokse dhe feja islame. Grekët janë kryesisht ortodoksë (70-72% e ishullit); turqit janë kryesisht myslimanë (28–30% e ishullit);

– Maqedonia e Veriut: Maqedonasit janë kryesisht ortodoksë, shqiptarët në Maqedoni janë kryesisht myslimanë. Në Maqedoni ka pasur dhe vazhdon të ketë shqiptarë katolikë. Në rajonin e Rekës që ndodhet midis Gostivarit dhe Mavrovës, kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë shqiptarë të fesë ortodokse. Aty ka lindur poeti, publicisti dhe veprimtari i Rilindjes Kombëtare Josif Bageri (Nistrovë të Rekës, sot Maqedoni e Veriut, 1868 – Prishtinë, 1915)

– Kosova ka një popullsi shumicë absolute shqiptare. Pjesa më e madhe i përkasin fesë islame, por ka edhe një përqindje të konsiderueshme shqiptarësh katolikë. Serbët e Kosovës janë të fesë ortodokse.  

Siç u pa edhe më lartë, rreth 30 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut janë shqiptarë. Greqia veriore dhe Bullgaria jugperëndimore kanë një pakicë maqedonase. Trakia (provincë në Greqinë lindore) ka një pakicë myslimane. Greqia ka një bashkësi shqiptare e cila përbëhet kryesisht nga shqiptarë që emigruan në vitin 1990 e këndej dhe një komunitet ortodoks të quajtur arvanitë që janë vendosur në Greqi gjatë Mesjetës. Shqipëria jugore ka një pakicë ortodokse greke në zonën e Epirit të veriut. 

Në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) jetojnë shqiptarë. Janë të fesë islame. Në Sanxhak të Serbisë jetojnë boshnjakë (myslimanë), kurse në Vojvodinë jetojnë hungarezë katolikë. Në Vojvodinë ka edhe malazezë. Kuptohet, ata i përkasin fesë ortodokse.  Boshnjakë (myslimanë) jetojnë edhe në Mal të Zi. Në veri të Rumanisë ka hungarezë katolikë. Në Rumani dhe në Bullgari ka turq. 

Sikundër shihet, Ballkani është përzierje gjuhësh, përkatësish etnike, kulturash, traditash, zakonesh, dokesh, adetesh, ushqimesh, veshjesh, vallesh, këngësh popullore, lojërash popullore, instrumentesh dhe veglash muzikore, psikologji, mendësi, vese, virtyte, vlera, etj. Popujt kanë marrë nga njëri-tjetri dhe i kanë dhënë vlera njëri-tjetrit. Ballkani në paqe dhe në luftë, fuçi baruti. Mitet dhe legjendat e lashta ballkanike, Ismail Kadareja ia përçoi Perëndimit, si asnjë artist tjetër.    

Duke u përfshirë në familjen e botës demokratike, Ballkani do t’i jepte fund Bellum omnium in omnes.      

Xhelal Zejneli

Filed Under: Histori

Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990

December 6, 2025 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Fenomeni i arratisjeve gjatë periudhës komuniste përbën një nga plagët më të thella të shoqërisë shqiptare.

Dokumentet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të përpiluar në fundin e vitit 1990, tregojnë përmasat reale të këtij fenomeni, të akumuluar për 46 vjet me radhë. Shifrat e përmbledhura më poshtë përfaqësojnë një panoramë të qartë mbi numrin e të arratisurve, shpërndarjen gjeografike dhe dinamiken e largimeve sipas viteve.

1. Gjendja e elementit të arratisur deri më 31 tetor 1990

Sipas të dhënave zyrtare, deri më 31 tetor 1990 janë arratisur 9.220 persona, të shoqëruar nga 4.472 familjarë (gra, fëmijë dhe të afërm). Këto shifra përfaqësojnë vetëm rastet e evidentuara nga organet shtetërore, ndërsa numri real mendohet të jetë edhe më i lartë.

Arratisja, e ndëshkuar ashpër nga ligji dhe e konsideruar krim politik, ishte zgjidhja e fundit për mijëra shqiptarë që kërkonin të shpëtonin nga izolimi, ndjekja politike, varfëria dhe mungesa e lirive themelore.

2. Shpërndarja sipas rretheve

Shifrat tregojnë se fenomeni i arratisjeve ishte i pranishëm në të gjithë vendin, por disa zona shfaqnin nivel shumë më të lartë se të tjerat. Në krye të listës qëndrojnë:

• Gjirokastra – 1.399 persona

• Kukësi – 777 persona

• Shkodra – 924 persona

• Saranda – 859 persona

• Vlora – 435 persona

• Dibra – 520 persona

• Tirana – 333 persona

• Korça – 729 persona

Këto shifra reflektojnë edhe faktorë gjeografikë: afërsia me kufijtë tokësorë apo detarë lehtësonte tentativat për arratisje, ndërsa zonat malore e bënin kapjen më të vështirë. Në të njëjtën kohë, rrethe si Gjirokastra e Saranda flasin për tentativat e shumta drejt kufirit jugor dhe atij detar.

Rrethe më të vogla, por me shifra të dukshme si Puka (184), Tropoja (402), Mirdita (71) dhe Librazhdi (53), tregojnë se arratisja nuk ishte fenomen i izoluar vetëm në zonat kufitare, por një problem i përgjithshëm kombëtar.

3. Shpërndarja sipas viteve (1944–1990)

Dinamika e arratisjeve pasqyron evoluimin e regjimit komunist dhe krizave të tij të brendshme. Nga viti 1944 deri më 1990, dokumenti i shfrytëzuar nga ana jonë paraqet shpërndarjen e tyre vjetore.

Periudha 1944–1955: valë e madhe arratisjesh

Vitet e para pas luftës, veçanërisht 1945–1950, shënojnë numrat më të lartë, me kulmin në:

• 1945 – 1.279 persona

• 1949 – 871 persona

• 1950 – 529 persona

Këto valë lidhen me përplasjet politike, ekzekutimet, dënimet dhe konsolidimin e regjimit totalitar.

Periudha 1956–1975: stabilizim i përkohshëm i kufirit

Nga mesi i viteve ’50 deri në mesin e viteve ’70 shifrat bien ndjeshëm. Shumica e viteve variojnë nga 50 deri në 90 persona, me disa përjashtime.

Kjo periudhë lidhet me përforcimin ekstrem të kufirit, ndërtimin e klonit, rojeve kufitare, kodifikimin e dënimeve të rënda dhe klimën e terrorit shtetëror.

Periudha 1976–1990: rritje e ngadaltë dhe shpërthimi final

Nga fundi i viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80 ka një rritje graduale:

• 1983 – 36 persona

• 1984 – 59 persona

• 1985 – 49 persona

• 1987 – 80 persona

• 1989 – 69 persona

• 1990 (deri më 31 tetor) – 510 persona

Viti 1990 përfaqëson shpërthimin e madh të arratisjeve, i lidhur me krizën politike të regjimit, lëvizjet demokratike, rënien e vendeve socialiste dhe incidentet e famshme të ambasadave dhe kufirit detar.

Përfundim

Shifrat e paraqitura tregojnë qartë se arratisja ishte një fenomen i përhapur, i vazhdueshëm dhe i lidhur ngushtë me represionin politik, izolimin dhe varfërinë e Shqipërisë komuniste. Duke filluar me valët e mëdha të viteve të para të regjimit, vazhduar me periudhat më të mbyllura, dhe duke kulmuar në vitin 1990, arratisjet përbëjnë një tregues historik të fuqishëm të krizave të brendshme të diktaturës dhe të dëshirës së shqiptarëve për t’i shpëtuar sistemit totalitar.

Filed Under: Histori

FLAMURI I SKËNDERBEUT

December 4, 2025 by s p

Shpendi Topollaj/

Me rastin e 582 vjetorit – Nuk besoj se ka shqiptar që të mos ketë njohuritë e duhura për veprën e pavdekshme të heroit tonë legjendar Gjergj Kastrioti, Skënderbeut. Gati 25 vjet rezistencë dhe fitore ndaj fuqisë më të madhe të kohës, Perandorisë turke, jo vetëm që i dhanë lavdi historisë tonë kombëtare, por i bënë një shërbim të madh edhe vetë qytetërimit dhe krishterimit evropian, aq sa mendja më e fuqishme, Voltaire ta quante heroin më të madh të kohës. Por janë edhe disa ngjarje të tjera që e bëjnë Skënderbeun si figurën më të ndritur të të gjitha kohrave, si 28 Nëntori i vitit 1443 dhe 2 Marsi i vitit 1444, ku repsektivisht, ai ngriti flamurin tonë në Krujë dhe bashkoi princat shqiptarë në Kuvendin e Lezhës.

Babai i tij, Gjon Kastrioti, i mbetur pa përkrahje, si nga jashtë, ashtu dhe nga brenda për shkak të përçarjes, u detyrua të bëjë një marrëveshje me turqit dhe në këtë kuadër, dërgoi te sulltan Mahmeti I – rë, katër djemtë e tij, Reposhin, Stanishin, Kostandinin dhe më të voglin, Gjergjin. Ishte viti 1413 dhe duke qenë peng në Adrianopojë, nën kujdesin e Selimesë dhe interesimin e vetë sulltanit, u rrit dhe u edukua heroi ynë i ardhshëm. Ai u kulturua nga mësues të shquar shqiptarë dhe turq, mësoi gjashtë gjuhë të huaja, mori njohuritë e nevojshme për historinë, gjeografinë, matematikën, oratorinë dhe sidomos për artin e luftimit. Vetë i kushtoi një rëndësi të veçantë kalitjes së tij fizike dhe u dallua në të gjitha demonstrimet dhe luftimet që zhvilloi qysh nga mosha 16 vjeçare në Azinë e Vogël. I mençur, i thjeshtë, i dashur dhe i drejtë, ai fitoi zemrat e të gjithë atyre që i qenë besuar për t`i komanduar.

Qenë cilësitë e tij të rralla, ku spikaste trimëria, guximi dhe inisiativa, si dhe fitoret e një pas njëshme, arsyet përse sulltan Murati e mbiquajti Skënderbe. Kur Gjon Kastrioti vdiq më 1432, sulltani dërgoi në Krujë Sevali Pashën dhe jo një nga Kastriotët, sikurse kishte premtuar. Duke parë këtë, egërsinë dhe plaçkitjen që ky po u bënte shqiptarëve, pakënaqësinë që ata kishin ndaj pushtuesve, por edhe qëndrimin kriminal ndaj tre vëllezërve të tij, te Skënderbeu u zgjua shpirti i revoltës dhe atdhedashurisë, prandaj ai la ndeshjen me Janosh Huniadin dhe në krye të një grushti shqiptarësh, pasi ndaloi në Dibër, ku shpalli se tani e tutje kishte si qëllim të shpëtonte vendin e tij të lindjes, e mbajti vrapin në Krujë, ku ju paraqit Pashait turk me fermanin e sulltanit, shkruar nga myhyrdari Reis efendi, që qyteti t`i dorëzohej atij.

Ishte 28 Nëntori i vitit 1443 kur ai, në moshën 37 vjeçare, ngriti për t`u valëvitur në përjetësi madhështor e plot dinjitet, flamurin tonë kombëtar, çka gëzoi e frymëzoi të madh e të vogël. Me atë Flamur në krye, “Mbreti i Epirit dhe Arbërisë” sikurse njihej dhe kishte zgjedhur të quhej, edhe ushtria shqiptare e komanduar prej tij, shkroi faqe të tëra lavdie, duke korrur fitore ndaj ushtrive prej 150 mijë ushtarësh të Muratit të II – të dhe asaj prej 200.000 ushtarësh të Mehmetit të II – të, pa folur për fitoret e Italisë, çka bënë që vetë Papa Piu II – të, ta priste me nderimet më të mëdha dhe mbarë bota, ta vlerësonte si një nga kapedanët më të mëdhenj të historisë, duke e quajtur heroin më të madh të kohës tonë. Për Skënderbeun janë shkruar pa fund libra, janë bërë piktura, janë gdhendur skulptura dhe u është dhënë emri shesheve të qyteteve të ndryshme këtu dhe nëpër botë.

Ka gjithashtu edhe krijime muzikore kushtuar madhështisë së tij, ku ajo më e rëndësishmja është opera me tri akte “Scanderbeg” në italisht nga kompozitori virtuoz Antonio Lucio Vivaldi, me libret të Antonio Salvit e cila u dha si premierë në 22 qershor 1718 në Teatro della Pergola në Firenze. Por ai ka hyrë thellë në mendjet dhe zemrat tona, dhe vepra e tij e ngritjes së Flamurit kombëtar në Krujë, do të kujtohet në jetë të jetëve, qysh kurse atë ditë të shenjtë, e zgjodhi Plaku i Vlorës Ismail Qemali, për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.

Filed Under: Histori

Në Garanë inaugurohet shtatorja e Gjergj Kastrioti Skënderbeu

December 3, 2025 by s p

Hazir Mehmeti/

“Ne kujtojmë për të nderuar, por edhe për të mësuar” (I. Ramajli)

Një manifestimi festiv madhështor, me rastin e Ditës së Flamurit në fshatin Garanë të komunës së Kërçovës. Me këtë rast u inaugurua shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu në praninë e shumë qytetarëve shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, mërgata dhe arbëreshë nga Kalabria shoqëruar edhe nga pasardhësi u Gjergj Kastriotit, Loris Castriota Skanderbeg.

“Kur jemi bashkë, Skënderbeu zbret nga qielli”, kjo thënie nga kënga arbëreshe, u jetësua sot në Garanë. Në këtë ambient festiv ishin të pranishëm qytetarë shqiptare, mes tyre mërgimtarë vendesh të ndryshme, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë me Musa Jupollin, kryetar (Francë), Rexhep Rifati, (Zvicër), Mentor Thaqi (Gjermani), Hazir Mehmeti, (Austri). Të bashkuar bija e bijtë e Garanës dhe Kërçovës që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicër e vendor sollën në sheshin e fshatit Gjegj Kastriotin- Skënderbeun në statujë madhështore bronzi.

Gjergji solemnisht solli urimin për Ditën e Flamurit, solli shpresë dhe porosinë e tij shekujve: “Qëndroni të bashkuar, kështu edhe pa mua do të fitoni… Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush.” Garana, fshati i bukur mes kodrave, sot bëri historinë e re, si fshati i parë shqiptar që ka shtatoren e Heroit Kombëtar, Gjegj Kastrioti – Skënderbeu. Kjo shtatore e punuar me mjeshtri nga skulptori Fiqiri Kasa, sjell kujtimin e përjetshëm në luftën e tij për shtetin e Arbrit, sjell krenarinë kombëtare brezave që vijnë.

Kjo ditë do të kujtohet gjeneratave si ditë e madhe për Garanën por edhe për kombin. Do kujtohet për secilin që e përjetoi ambientin e përurimit të statujës nga Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Ali Ahmeti. Ai në fjalimin e tij dha porosi të çarta mbi detyrimet kombëtare që ka secili në rrugën e progresit kombëtar, në mbrojtjen e lirisë së mohuar shekujve nga pushtuesit sllav, detyrim në kujtimin e gjakut të derdhur për liri shekujve, veçan të dëshmorëve të luftës së fundit e cila krijoi mundësi të ardhjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në mes të shqiptarëve të zhuritur për liri.

Monumenti i Skënderbeut në bronz është tri metra e lartë, kurse bazamenti i tij tri metra duke dhënë pamje madhor me lartësi të plotë gjashtë metra. Skulptori i cili e realizoi me shumë mjeshtri Fiqiri Kasa, u përjetësua në artin e tij shekujve. “Ne kujtojmë për të nderuar, por edhe për të mësuar” (Ilaz Ramajli).

Nga Dr. med. Faik Elezi, kryetar i Shoqatës “Garana – Zvicër” mësuam, se kemi të bëjmë me projekt kompleks në hapësirën publike të fshatit. Solidariteti i bashkëvendësve bëri që me sukses të realizohen statuja e Gjergjit dhe objekte për rreth siç është ndërtesa e re moderne e Bashkisë në vargun e veprave të reja nisur nga lapidari kushtuar shekullit të pavarësisë së Shqipërisë. Ambienti festiv u pasurua me flamurin e aktivistit patriot nga Shkodra Irfan Domnori i cili është kudo e kurdo me flamurin dhe veshjen kombëtare që e karakterizon.

Programi festiv i Ditës së Pavarësisë ishe i pasuruar me aktivitete muzikore dhe një akademi të shkurtër kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ideuar dhe drejtuar nga Profesor Sadik Emroja. Me kumtesa rasti u paraqiten: Akademik Frashër Demaj, Akademik Ilmi Veliu, Dr. Faik Elezi, Agim Pepaj dhe Hazir Mehmeti. Fjalë përshëndetëse mbajtën Loris Castriota Skanderbegh Nuovo, pasardhës i Skënderbeut: “Duam t’u tregojmë maqedonasve që jemi autoktonë dhe kemi historinë tonë.” Paola Napolitano, soliste dhe aktiviste arbëreshe dhe pjesëmarrës nga trevat shqiptare dhe mërgata, Rexhep Rifati, profesor, Gjergj Prenkoçaj, veprimtar i dalluar nga Zvicër; Dr. Ornela Radovicka, drejtuese e Bibliotekës dhe Arkivit “At Antonio Belushi”, Frasnitë; Musa Jupolli, Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, Mentor Thaqi, sekretar i LKSHM etj.

Takimi me Kurtish Kurtishin një mikpritës shumë i përzemërt në Goranë do mbetet gjatë në kujtesën tonë. Ky aktivitet historik tregon se shqiptarët vazhdojnë të promovojnë dhe ruajnë identitetin e tyre kombëtar brezave që vijnë. Do ta pasurojnë lirinë e tyre dhe ruajnë brezave si të shenjtë. Urime Garanë! Urime shqiptari kudo që frymoni!

Filed Under: Histori

“Fake news osman“ – Ismail Qemali, në Egjipt dhe oferta princit “pёr fronit shqiptar“

November 30, 2025 by s p

Nga Rafael Floqi/

Në fillim të shekullit XX, Perandoria Osmane po përballej me sfida të thella: territoriale, politike dhe morale. Shumë historianë e kanë quajtur këtë periudhë si fundi i epokës së stabilitetit perandorak, duke e identifikuar Perandorinë si “i sëmuri i Europës”. Në këtë kuadër, figura e Ismail Kemal Vlora (1897–1903) shfaqet si një nga intelektualët më të rëndësishëm shqiptarë të kohës, i cili përpiqej të krijonte lidhje ndërkombëtare për kauzën shqiptare, duke sfiduar direkt autoritetin e Sulltan Abdülhamid II.

1. Arratisja dhe Arsyet Politike

Në maj 1900, Ismail Qemali u caktua guvernator i Tripolit nga Abdülhamid II. Sipas dokumenteve osmane, kjo emërim u perceptua si një mënyrë për ta larguar Qemalin nga qendra politike e Perandorisë, duke e konsideruar një “internim politik të lehtë”. Megjithatë, I Qemali nuk pranoi të nënshkruhej ndaj këtij vendimi. Ai u arratis në Greqi, ku qëndroi në Athinë dhe u përfshi në aktivitete politike për të mbështetur kauzën shqiptare, duke kërkuar edhe mbështetje ndërkombëtare.

Arkivat osmane tregojnë se Ismail Qemali kishte filluar të ndërtonte lidhje me Greqinë për një Shqipëri të pavarur, duke përmendur “vëllazërinë greko-shqiptare” në disa memorandume të botuara dhe duke u përpjekur të themelonte një Union Greko-Shqiptar. Po ashtu, ai kontaktoi komunitetin e krishterë shqiptar në Janinë, duke synuar një konsensus mes krishterëve dhe myslimanëve për kauzën shqiptare. Megjithatë, Ferid Pasha, kushëri dhe Grande Vizier, u përpoq ta minimizonte rrezikun që Qemali mund të përbënte për interesat osmane, duke e konsideruar atë “një figurë të parëndësishme”.

2. Botimet dhe aktiviteti publik në Evropë

Pas arratisjes, Ismail Qemali u përfshi në botime gazetare dhe publicistike. Në Bruksel, ai botoi gazetën Albania, së bashku me Faik Bej Konicën. Konflikti me Konicën e detyroi më vonë të botojë Le Salut de l’Albanie në tre gjuhë: shqip, turqisht dhe greqisht. Botimet shërbyen si instrument për të komunikuar idetë e tij mbi pavarësinë shqiptare dhe reformimin e Perandorisë Osmane. Shkrimet e tij trajtojnë kryesisht çështjen e zgjimit të ndërgjegjjes kombëtare shqiptare në prag të rrëzimit të Perandorisë Osmane.

Kësaj periudhe i përket edhe një libër i shkruar nga Ismail Qemali. Ai u botua në osmanisht në vitin 1900, dhe u përkthye në frëngjisht, anglisht dhe arabisht një vit më vonë, çka tregon ndikimin e tij të rëndësishëm. Vlera e këtij botimi theksohet edhe në një letër të ambasadorit britanik në Kostandinopojë, Sir Nicholas R. O’Conor, dërguar kryeministrit Lord Salisbury. Një version i shkurtuar në anglisht u botua gjithashtu në “The Fortnightly Review”, një nga periodikët më të rëndësishëm britanikë të kohës.

Në botimet e tij, I .Qemali theksonte rëndësinë e ndërhyrjes së Britanisë së Madhe. Ai e shihte Britaninë si fuqinë më të madhe koloniale dhe shembullin e administrimit modern, duke argumentuar se një mandat britanik mbi territoret osmane do të sillte civilizim dhe progres, në kontrast me fuqitë rivale që shpesh përfaqësonin regres dhe shfrytëzim.

3. Egjipti dhe Shoqata “Şafak”

Në vitin 1901, diaspora shqiptare në Egjipt e ftoi Ismail Kemalin në Kajro. Kolonia shqiptare në Egjipt, e vendosur kryesisht në Kajro dhe Aleksandri, përbënte një komunitet të ngushtë dhe mjaft të organizuar, i përbërë nga ish-ushtarakë, administratorë dhe tregtarë shqiptarë që kishin shërbyer nën Perandorinë Osmane. Ky komunitet luante një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe kulturore të diasporës shqiptare, duke mbështetur iniciativat për autonomi dhe pavarësi të Shqipërisë. Në fillim të shekullit XX, koloninë e karakterizonte një aktivitet intelektual i lartë, ku zhvilloheshin diskutime mbi politikën osmane, reformat evropiane dhe mundësitë e mbështetjes ndërkombëtare, veçanërisht nga Britania e Madhe.

Në Egjipt, ai themeloi shoqatën “Şafak”, një organizatë që përfshinte shqiptarë, armenë dhe disa xhonturq. Mbështetja e Khedivit Abbas Hilmi II ishte e rëndësishme, pasi lejonte Qemalin të zhvillonte aktivitetin politik në një territor që, megjithëse formaliteti i tij i nënshtrimit ndaj Portës ishte i qartë, praktikisht vepronte në ndikim britanik. Fjala “Şafak” vjen nga turqishtja dhe do të thotë “Agim”.

Khedivi Abbas Hilmi II u paraqit si një figurë intrigante dhe e paqëndrueshme: ndihmonte aktivitete që nuk e kërcënonin drejtpërdrejt autoritetin e tij, por shpesh lejonte përdorimin e pozicionit të tij si fasadë për lojëra politike ndërkombëtare. Khedivi nuk ishte iniciator i intrigave, por figura e tij shërbente si mburojë politike. Ai ofronte një nivel mbrojtjeje dhe legjitimiteti ndaj Qemalit, duke i lejuar këtij të ndërtonte rrjetin e tij. Megjithatë, raportet arkivore e paraqesin Khedivin si të paqëndrueshëm dhe të manipulueshëm: “Ambicioz pa ambicie, i manipulueshëm nga kushdo që i flet me autoritet”, thuhet në raportin britanik të Kajros. Kjo e bën figurën e tij të errët, por gjithsesi të rëndësishme për kuptimin e rrjetit politik të I. Qemalit.

Në një raport të vitit 1901, një zyrtar osman shkruante: “Egjypti është strehë e komplotistëve; Vlora atje gjen mbështetje, para dhe aleatë.” Një tjetër dokument e cilëson Ismail Qemalin si: “abuzim i britanikëve dhe helm i racave të pakënaqura të Perandorisë.”

Khedivi Abbas Hilmi II ishte i lindur në Kajro më 1874 dhe ishte trashëgimtari i fundit i Egjiptit dhe Sudanit nga dinastia e Muhamed Aliut. Ai kishte origjinë shqiptare, pasi familja e tij, e themeluar nga Muhamed Ali Pasha nga Kavalla, vinte nga Shqipëria. Megjithëse ishte rritur në ambientin egjiptian dhe ishte pjesë e elitës osmane, rrënjët etnike të dinastisë mbetën shqiptare. Khedivi Abbas Hilmi II Pasha, përkundër rolit të tij dytësor, ishte një instrument i rëndësishëm për platformën operative të Qemalit, duke ofruar një fasadë legjitimiteti dhe mbrojtjeje të pjesshme.

4. “Oferta e Fronit shqiptar”

Mehmet Ali Pasha, vëllai i Khedivit, më vonë denoncoi Ismail Qemalin për ofertën e pretenduar të fronit shqiptar, gjë që solli aktgjykimin e Qemalit në mungesë nga gjykata osmane dhe konfiskimin e të gjitha të drejtave civile dhe pronave të tij. Një nga episodet më të diskutueshme është pretendimi se Ismail Qemali i kishte ofruar fronin shqiptar Mehmet Ali Pashës, vëllait të Khedivit. Denoncimi u përdor nga Pallati për të justifikuar gjykimin e I. Qemalit në mungesë dhe për të eklipsuar reputacionin e tij politik. Historianë modernë dhe burime britanike argumentojnë se ky skenar ishte i ekzagjeruar dhe shpesh i trilluar për qëllime politike, duke reflektuar tensionin midis interesave osmane dhe aspiratave të Qemalit për autonomi shqiptare.

Për pallatin osman, ky denoncim ishte shumë i rëndësishëm, sepse: Tregonte se Ismail Qemali po përpiqej të ndërtonte aleanca ndërkombëtare, duke përfshirë edhe figura të familjes sunduese të Egjiptit. Shqipëria shihej nga Stambolli si një krahinë strategjike, dhe çdo tentativë për t’i dhënë një princ të huaj ishte një akt i hapur rebelimi. Përfshirja e britanikëve (të cilët kishin influencë të plotë në Egjipt) ishte një element që i frikësonte shumë autoritetet osmane.

Si rezultat, Ismail Qemali u akuzua për tradhti të lartë, u gjykua në mungesë në Stamboll dhe u dënua me vdekje. Vendimi parashikonte jo vetëm ekzekutimin e tij, por edhe humbjen e të gjitha të drejtave civile, gradave, nderimeve dhe pasurive. Pas këtij vendimi, dokumentet osmane filluan ta përshkruajnë vazhdimisht me etiketime si “müfsid” ( komplotist), “arratisuri i rrezikshëm Ismail Qemal Vlora dhe banda e tij” apo edhe “vegël e intrigave britanike”.

5. Lidhja me xhonturqit dhe tentativat “për grusht shteti”

Ismail Qemali kishte kontakte të ngushta me Xhonturqit e arratisur në Evropë. Në Paris, Komiteti i Bashkimit dhe Përparimit diskutoi situatën e Perandorisë dhe plane për grusht shteti. Grupi i Qemalit synonte të përdorte Tripolin si bazë për marshimin drejt Stambollit dhe për të shpallur ndryshime politike, përfshirë mbrojtjen e një sistemi më liberal. Megjithatë, guvernatori i Tripolit, Rexhep Pasha, e ndryshoi qëndrimin në momentin vendimtar, duke bllokuar realizimin e planit.

Në shkrimet dhe memorandume e tij, I. Qemali shfaqej si reformist liberal dhe mbështetës i një monarkie kushtetuese. Ai argumentonte për një ndërhyrje të Britanisë në çështjet osmane, duke e shikuar si mundësi për të sjellë liri, rend dhe progres. Kjo poziciononte I. Qemalin në një vijë ideologjike pro-britanike, ndryshe nga minoritetet e tjera dhe disa Xhonturq që ishin më skeptikë ndaj ndërhyrjes direkte të fuqive të huaja.

Ismail Qemal Bej Vlora përbën një nga rastet më interesante të historisë osmane dhe shqiptare të fillimit të shekullit XX. Ai kombinon vizionin politik, aktivitetin ndërkombëtar dhe kapacitetin organizativ, duke shfrytëzuar situatën e pasigurt të Perandorisë Osmane dhe statusin e paqartë të Egjiptit.

Arratisja e I. Qemalit, botimet ndërkombëtare, përpjekjet për grusht, pretendimet e fronit shqiptar dhe lidhjet me Britaninë formojnë një rrjet të ndërlikuar politik dhe diplomatik, që tregon kompleksitetin e marrëdhënieve të kohës dhe sfidat e një intelektuali reformist në një perandori në krizë.

6. Ideja e fronit shqiptar pas Pavarësisë

Edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ideja e një princi mysliman nuk u braktis plotësisht. Shumë intelektualë dhe politikanë shqiptarë, duke përfshirë Ismail Qemalin, mendonin se një mbret mysliman do të mund të shërbente si garanci për stabilitetin politik dhe ruajtjen e lidhjeve me fuqitë e jashtme, sidomos me Perandorinë Osmane dhe fuqitë e mëdha evropiane. Kjo linjë politike synonte të shmangte përplasjet fetare në vend dhe të siguronte njohje ndërkombëtare për shtetin e ri shqiptar.

Disa burime evropiane dhe raportet e arkivave osmane tregojnë se ideja e fronit mysliman u diskutua edhe gjatë periudhës së negociatave të formimit të institucioneve të shtetit shqiptar. Edhe pse nuk u realizua, koncepti ilustron vizionin pragmatik të I. Qemalit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij, të cilët synonin të lidhin legjitimitetin e një institucioni monarkik me nevojat e stabilitetit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

*Ahmed Bedevi Kuran, Osmanlı İmparatorluğunda İnkılap Hareketleri ve Milli Mücadele, ed. by Ali Berktay (Istanbul: Türkiye İş Bankası Kültür Yayınları, 2012), 306.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT