• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FIGURA E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT NË DISKURSIN E PAVARËSISË: KUJTESA HISTORIKE SI MJET LEGJITIMIMI*

November 28, 2025 by s p

Ledia DUSHKU

Instituti i Historisë/ASHSH/

Në historinë moderne shqiptare, pak figura janë aq të pranishme dhe domethënëse sa ajo e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Që nga fundi i shekullit XIX e deri më sot, ai nuk është parë vetëm si simbol i qëndresës ndaj Perandorisë Osmane, por edhe si një pikë referimi qendrore në procesin e ndërtimit të identitetit kombëtar dhe në përpjekjet e shqiptarëve për t’u pozicionuar si pjesë organike e qytetërimit europian.

Përdorimi në diskursin publik i figurave historike që kanë shenjuar periudha të rëndësishme është pjesë qenësore e formësimit të kujtesës kolektive dhe e konsolidimit të shtetit kombëtar. Figura e Skënderbeut, Heroit të vetëm Kombëtar të shqiptarëve, mori një rol të veçantë në këtë proces. Veçanërisht në fundin e shekullit XIX, rilindësit shqiptarë, në kuadrin e asaj që mund të quhet inxhinieri identitare, e mitizuan figurën e tij përmes rikrijimit të kujtesës kolektive mbi luftërat e tij kundër osmanëve. Kjo kishte një synim të dyfishtë: forcimin e vetëdijes kombëtare brenda vendit dhe ndërtimin e një narrative që nxirrte në pah kontributin historik të shqiptarëve në mbrojtjen e qytetërimit europian, një kontribut që përkthehej në kërkesën legjitime për mbështetje ndërkombëtare në rrugën drejt mëvetësisë nga Perandoria Osmane.

Në këtë kontekst, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 shënoi një moment kulmor, ku historia nuk shërbeu vetëm për të frymëzuar, por edhe për të legjitimuar. Në këtë periudhë vendimtare, figura e Skënderbeut u bë pjesë qendrore e diskursit politik që Qeveria e Përkohshme e Vlorës, nën drejtimin e Ismail Qemal Vlorës, ndërtoi me kujdes, si për të bindur botën, ashtu edhe për të forcuar ndërgjegjen e shqiptarëve. Nëpërmjet këtij diskursi u artikulua qartë ideja se Shqipëria nuk ishte thjesht një entitet i ri, por një komb me rrënjë të lashta europiane, i cili meritonte shtetin e vet të pavarur.

Ky shkrim shqyrton pikërisht mënyrën se si kjo qeveri përdori figurën e Skënderbeut dhe perceptimin për Perandorinë Osmane si pjesë të një strategjie të gjerë politike, diplomatike dhe qytetëruese. Duke analizuar dallimet ndërmjet ligjërimit të jashtëm dhe atij të brendshëm, shtrohet pyetja themelore: si ndihmoi kujtesa historike për të ndërtuar të ardhmen politike të Shqipërisë?

Figura e Skënderbeut dhe perceptimi për turqit osmanë në ligjërimin e qeverisë së Ismail Qemal Vlorës

“Tash ç’udhë të qeverrimit Shqipëria, si mbretërië do të mbajë? Atë të Turqiës a po atë të shteteve Evropianë? Jemi të bindur krejt që Shqipëria do të mbajë të dytën, d.m.th. atë të shteteve evropianë”.

Kjo ishte pyetja që i bëhej lexuesit të gazetës Përlindja e Shqipëniës, organi zyrtar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe përgjigjja që i jepej për drejtimin e Shqipërisë pas Shpalljes së Pavarësisë. Ligjërimi i elitës politike dhe intelektuale shqiptare fill pas këtij momenti, në vijimësi të Rilindjes Kombëtare zhvillohet në kuadrin e procesit të modernizimit të shtetit sipas modelit të shteteve evropiane. I inkuadruar në këtë proces vijon të jetë edhe diskursi që ka të bëjë me figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe perceptimi për turqit osmanë. Sakaq evidentohet një qasje dalluese në mënyrën se si këta trajtohen në ligjërimin e jashtëm dhe atë të brendshëm* të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Perceptimi për turqit osmanë nuk shfaqej unik në ligjërim; ai ishte fluid, duke marrë tone të ndryshme në varësi të qëndrimit që Fuqitë e Mëdha mbanin ndaj çështjes shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Fluide shfaqej edhe pesha që ligjërimi i brendshëm dhe ai i jashtëm zinte në esencën e përgjithshme ligjëruese të qeverisë shqiptare. Prej dhjetorit 1912 deri në maj 1913, kur Fuqitë e Mëdha në Londër i qëndruan vendimit për autonominë e Shqipërisë nën suzerenitetin e Sulltanit, vëmendjen kryesore e mori ligjërimi i jashtëm. Qëllimi final i qeverisë së Vlorës ishte bindja e Të Mëdhenjve se shqiptarët e meritonin shtetin e tyre të pavarur. Në maj, Fuqitë e Mëdha ndryshuan qëndrim, duke rënë dakord të ndërpritnin çdo lidhje të Perandorisë Osmane me shtetin shqiptar dhe të merrnin vetë në dorë të ardhmen e tij.

Vendimin përfundimtar ata e shprehën më 29 korrik 1913. Fuqitë e Mëdha njohën formimin e shtetin shqiptar “si principatë autonome, sovrane dhe të trashëgueshme, nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha…”, me një princ të huaj në krye dhe ruajtën ndikimin e tyre në Shqipëri nëpërmjet krijimit të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Gjatë kësaj periudhe (maj-korrik 1913) në ligjërimin e Qeverisë së Përkohshme shqiptare vihet re një baraspeshë në raportin midis ligjërimit të jashtëm dhe atij të brendshëm. Duke filluar nga gushti i 1913-ës peshën kryesore e mori ligjërimi i brendshëm.

Tipare të ligjërimit të jashtëm

Në ligjërimin e jashtëm perceptimi për turqit osmanë ruante ngjyra diplomatike dhe institucionale, karakteristikë kjo dalluese edhe në të folurën e mëhershme të kryetarit të saj, Ismail Qemal Vlorës. Si pjesë e elitës politike e diplomatike osmane, me lidhje të vazhdueshme dhe intensive me shtetarë perëndimorë, esenca ligjëruese në publicistikën e I. Qemalit shfaqte tone të moderuara, përgjithësisht të ftohta dhe asnjanëse. Ndonëse përballja mes Lindjes dhe Perëndimit ishte e pranishme, ajo artikulohej pa ngjyresa fetare dhe pa prezencën e notave të ashpra. Sa i përket Shqipërisë, orientimi nga Perëndimi nuk artikulohej hapur në ligjërimin e tij, por nënkuptohej me ëndrrën e saj, rendjen drejt “idealit të lirisë dhe të pavarësisë”. Sikurse për Perandorinë Osmane, edhe përparimi i saj duhej bërë me mbështetjen e Evropës.

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në ligjërimin e jashtëm të Ismail Qemal Vlorës dhe qeverisë që ai drejtonte nuk anashkalohej gjuha diplomatike dhe ajo institucionale. Kujdesi për të mbajtur një qëndrim të ekuilibruar me Perandorinë Osmane ishte tipar dallues i tij.

Në memorandumin dërguar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 2 janar 1913, fakti se Shqipëria “nuk ka qenë në gjendje të ndjekë kombet perëndimore në zhvillimin e tyre të mrekulluarshëm në rrugën e përparimit dhe të qytetërimit”, paraqitej qartë që në faqen e parë, por shkaqet e kësaj prapambetjeje nuk artikuloheshin haptazi. Ato rrumbullakoseshin me shprehje të tilla si: “kushtet jo të përshtatshme që e kanë rrethuar” apo “ka vuajtur shumë nën zgjedhën e të huajve”, pa i akuzuar turqit osmanë si shkaktarë të prapambetjes. Duke dashur të evitonte acarimin me to, në kushtet kur Fuqitë e Mëdha kishin vendosur që Shqipëria të ishte autonome, në memorandum ishte shmangur me kujdes përdorimi i figurës së Skënderbeut dhe i luftërave të tij, por pa anashkaluar përkufizimin e identitetit kombëtar shqiptar si i kundërt me Lindjen dhe trajtimin e shqiptarëve si të ndryshëm nga turqit, pavarësisht se në shumicë ata ishin myslimanë.

Tipare të ligjërimit të brendshëm

Në raportet brenda shtetit, ligjërimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës mori përsipër misionin qytetërues ndaj shoqërisë, pakicave apo kategorive të caktuara periferike (fshatarë, malësorë etj), perceptimi dhe mënyra e jetesës së të cilave nuk i përshtatej vizionit që elita, në këtë rast qeveria, kishte mbi shtetin dhe shoqërinë. Bëhet fjalë për atë që studiuesi i qytetërimeve Ferdinand Braudel e konsideron si “punë e vetes mbi veten”. “Shqipëria u bë po duhen bërë shqiptarët”, shprehej Kristo Floqi në shkrimin e tij tek Përlindja e Shqipëniës e datës 20 gusht 1913.

Edhe pse pjesa dërrmuese e intelektualëve shqiptarë të kohës ishin pjesë e kontekstit osman të reformimit të shtetit, ata u përpoqën në vazhdimësi të ndaheshin nga e kaluara, duke i diferencuar sa më shumë shqiptarët nga turqit osmanë, pavarësisht se në shumicë ata i përkisnin të njëjtës fe. Argumentimi, që përdorej në këtë rast ishte i njëjtë me atë që kishin përdorur më herët Rilindësit Shqiptarë. Ai lidhej me qenien e turqve osmanë një popull aziatik, për të cilin, konsideroheshin të huaja përparimi, dituria dhe qytetërimi. Në antitezë me ta, kombi shqiptar ishte evropian, në rrënjë dhe në thelb të tij. Si i tillë, ai mund të përparonte me shpejtësi “si të gjithë kombet e qytetëruara dhe të liruara midis shteteve të Evropës”, veçanërisht tashmë me shkëputjen nga Perandoria Osmane.

Në dallim nga ligjërimi i jashtëm, gjuha e përdorur ishte e drejtpërdrejtë dhe pa doreza diplomatike. Sundimi i gjatë osman cilësohej hapur si shkaku kryesor i prapambetjes së shqiptarëve dhe i largësisë së tyre nga qytetërimi evropian. Perandoria Osmane ishte e keqja, barbarja, aziatikja, tiranikja që i kishte mbajtur shqiptarët në padije, në varfëri, mjerim e prapambetje.

Figura e Skënderbeut si pjesë e ligjërimit të brendshëm

Më 28 nëntor 1912, në momentin e vetëvendosjes së shqiptarëve dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar, figura e Gjergj Kastriotit mbartte sa motivimin për aktin e lartë po aq sa edhe mesazhin e ringjalljes së shtetit shqiptar. “Flamuri lavdiplotë”, të cilin Ismail Qemal Vlora e personifikonte me emrin e Skënderbeut, ishte ngritur mes brohoritjeve të shumta, atë pasdite të së enjtes së fundit të vjeshtë së tretë. Në përjetimet e tij, Ati Themelues e konsideronte një çast të paharrueshëm; “Ndjeva duart si më dridheshin emocionesh shprese e krenarie, kur po ngulitja në ballkonin e shtëpisë sime të hershme flamurin e Sovranit të fundit kombëtar të Shqipërisë. Dukej sikur shpirti i heroit të pavdekshëm ndriti atë çast si një dritë e shenjtë përmbi kokat e njerëzve”.

Për sociologun Enis Sulstarova ndjesia se shpirti i Skënderbeut ishte i pranishëm në mesin e delegatëve dhe të popullit të Vlorës, mund të kuptohet si një shembull të asaj që filozofi dhe historiani Hans Blumenberge quan präfiguration/ parapërfytyrim. Ideja e parapërfytyrimit rrjedh nga tradita biblike, sipas së cilës ngjarjet e përshkruara në Dhiatën e Vjetër duket sikur parathonë ngjarjet që do të ndodhin më vonë dhe që janë përshkruar në Dhiatën e Re. Blumenbergu në studimin e tij për rolin e miteve në politikë, shkruan se parapërfytyrimi është një mënyrë për t’i dhënë legjitimitet një vendimi, me anë të ndjelljes së një ngjarjeje historike, që duket sikur i paraprin atij. Risia, hovi drejt së panjohurës, vijon arsyetimin Sulstarova, paraqitet si një përsëritje e një ngjarjeje, apo vijim i një procesi të nisur kohë më parë. Ajo që do të vijë është tashmë e paracaktuar. Historia pajiset kështu me një rregullsi të brendshme dhe nuk duket si rrënimtare tekanjoze e projekteve njerëzore. Në këtë kontekst, 28 nëntori i vitit 1912 ishte parathënë shumë kohë më parë, më 28 nëntor 1443. Flamuri i Shqipërisë së lirë ishte po ai që kishte ngritur Gjergj Kastrioti në Krujë, çka e bënte këtë të fundit “të gjallë” në mesin shqiptarëve të mbledhur në Vlorë.

Njëkohësisht në ligjërimin e brendshëm, figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut risillej në vëmendje, edhe në kuadrin e përballjes mes dy botëve dhe paraqitjes së shqiptarëve si të kundërt të turqve osmanë. Veprimtaria e tij, e fokusuar tek mbrojtja e Evropës në momentin e saj më të vështirë, është një tjetër aspekt, që zë vend pa drojë në ligjërimin e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme. Në fjalimin historik të 28 nëntorit 1912, me patos të pazakontë për të, por të kërkuar nga momenti, ai e konsideronte Shqipërinë e periudhës së Skënderbeut si porta e hekurt e Evropës. Ja si i drejtohej Ismail Qemal Vlora, shqiptarëve të ekzaltuar:

“Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë që hoqi e voi të zezat e ullirit 500 vjet me radhë ndënë sundimin turk, … kjo Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri që kur i kërcënohej rreziku Evropës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pasë Turqia”.

Në faqet e Përlindjes së Shqipëniës, shkrimet apo poezitë që i kushtohen Gjergj Kastriotit Skënderbeut i përkasin autorëve të besimeve të ndryshme fetare. Si pjesë e diskursit të tyre, kryesisht përdorej emri Skënderbe dhe jo Gjergj Kastrioti. Vetëm në një rast, identifikuar në shkrimin e Kostë Çekrezit ku përdoreshin të dyja, në të gjithë artikujt e tjerë, termi mbizotërues është ai i Skënderbeut. Shpeshherë emri i tij shkruhej me germa kapitale, duke e dalluar nga të tjerët. Në kuadrin e një analize që synon të zbulojë arsyet e këtij përdorimi, si konstatim i parë mund të themi se në kujtesën e shqiptarëve emri “Skënderbe” personifikonte liderin, ushtarakun, shtetarin dhe përbashkuesin në aspektin etnik, përtej larmisë fetare. Ai e tejkalonte kështu figurën e Gjergjit fëmi, i larguar që herët nga vendlindja, për të cilin shqiptarët dinin shumë pak. Për Stavro Skëndin, shqiptarët që nuk patën trashëguar “lavdinë që kish Greqia” ose shkëlqimin e mbretërive mesjetare të serbëve dhe të bullgarëve, shihnin tek Skënderbeu heroin e tyre të përbashkët kombëtar. Myslimanët duke përdorur emrin Skënderbe, harronin që ai kishte luftuar kundër turqve si një i krishterë. Atyre u mjaftonte të dinin se Skënderbeu qe shqiptar prej gjaku dhe se kishte mbrojtur atdheun. Emri i tij gjithashtu, vijonte Skëndo, ndihmonte për ta harruar fenë e origjinës, mbasi ai njihej jo me emrin e krishterë Gjergj, por me emrin Skënderbeu, emër i qartë mysliman.

Pjesë bazike e diskursit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës mbetej evidentimi i kundërshtimit që shqiptarët ndër shekuj i kishin bërë sundimit osman. Në dallim nga ligjërimi i jashtëm, këtu nuk ngurrohej të përdorej figura e Skënderbeut, me theks të fortë në paraqitjen e aspektit luftarak, duke anashkaluar përtej realitetit historik, karakterin negociues apo diplomatik të veprimtarisë së tij. Mendojmë se mitizimi i aspektit luftarak bëhej në funksion të përçimit të mesazhit se shqiptarët nuk e kishin dhuratë shtetin e tyre, ata e meritonin sepse kishin luftuar dhe derdhur gjak për të. Në përligjje të këtij konstatimi sjellim në vëmendje fjalët e Kostë Çekrezit, sipas të cilit Shqipëria “morri vendin që i kish parëshikuarë me gjakun e tij të shtrejtë dhe të shenjtë përpara pesëqind vjet në fushat e luftës, Mbret i saj i çkëlqyerë”.

Nënvizimi i luftërave të Skënderbeut, krahas rezistencës së shqiptarëve, përçonte edhe karakterin e mbrojtjes së Evropës dhe qytetërimit evropian nga “turqit barbarë”, çka si rrjedhojë nënkuptonte se shqiptarët e meritonin, më shumë se kushdo tjetër për të qenë pjesë e familjes evropiane. Në kuadrin e një vetëmburrjeje kombëtare, metaforikisht Skënderbeu cilësohej si “burri i dheut”, “mbrojtësi i vlerë”, “i pa-vdekuri trimi kombëtar…, që për shumë kohë, pengoj të vajturit përpara të Asianëve pushtues që erthnë të shuajnë dritat qytetënore të Evropës…”.

Njëkohësisht ai ishte “mbreti” që kishte lëshuar “shtizat e ziarrta, shtizat e flakta e të arta mbi Shqipëniën, shtizat e liriës, të qytetërimit e të arësimit Evropian”. Në funksion të transmetimit të aftësive shtetformuese, Skënderbeu ishte sovrani i dikurshëm i shqiptarëve, përçuesi i qytetërimit evropian dhe njëkohësisht përcaktuesi i vendit të tyre në Evropë. “Shqipëria u zgjna, – shprehej Kostë Çekrezi, – dhe morri vendin e saj që meritonte në rieshtën e Shtetëve Evropianë”. Në vijim, Skënderbeu përcaktohej si “Ati i Kombit”, krijuesi me tipare hyjnore që “vëzhgon për së lartri fatin e Shqipniës s’onë …” emri i të cilit do të lavdërohej përjetë dhe puna e tij do të ishte për shqiptarët shembulli i gjallë për mbrojtjen e Atdheut të tyre të shtrenjtë.

Përfundime

Në një mënyrë të përgjithshme, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në diskursin e Qeverisë së Përkohshme dhe veçanërisht në fjalën dhe vizionin e Ismail Qemal Vlorës, u identifikua si simboli i lavdisë historike, i sovranitetit të dikurshëm dhe i aspiratës për shtetësi. Ai mishëroi jo vetëm guximin dhe qëndresën e një epoke, por edhe idealin bashkues të një kombi, që po synonte të ngjizej në një shtet modern e europian. Në ligjërimin e brendshëm, figura e Skënderbeut u përdor me forcë mobilizuese për të konsoliduar ndërgjegjen kombëtare, ndërsa në komunikimin diplomatik me jashtë, ajo u ruajt me kujdes për të shmangur tensione të panevojshme, por pa u lënë kurrë jashtë skemës së legjitimitetit historik.

Figura e rikthyer e Skënderbeut nuk ishte thjesht një kujtim i së kaluarës heroike, por një instrument i vetëdijshëm legjitimimi, një urë midis historisë dhe politikës moderne. Ajo dëshmoi se kombi shqiptar kishte rrënjë europiane, vlera qytetëruese dhe një të drejtë të natyrshme për pavarësi. Përmes këtij diskursi të ndërtuar me kujdes, shqiptarët jo vetëm që u ndanë nga trashëgimia osmane, por në mënyrë të qëllimshme u vendosën në mënyrë brenda matricës kulturore dhe historike të Europës.

Në këtë mënyrë, historia u bë argument, kujtesa u bë projekt dhe Skënderbeu u kthye në themelin simbolik të Shqipërisë së re. Risjellja në vëmendje e figurës së tij, skaliti në faqet e gazetës Përlindja e Shqipëniës dhe njëkohësisht në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve portretin e Heroit Kombëtar, që pavarësisht emrit të tij mysliman, mbartte identitetin e tyre evropian. Mesazhi që vjen nga ajo periudhë mbetet aktual: identiteti nuk është vetëm trashëgimi pasive, por zgjedhje aktive dhe ndërtim i vazhdueshëm: për shqiptarët, ky ndërtim filloi që nga dita kur flamuri i Skënderbeut u ngrit sërish në Vlorë, më 28 nëntor 1912.

* Autorja ka trajtuar më parë pjesë të kësaj teme në revistën “Studime Historike” (nr. 3-4/2021), ndërsa ky version është përpunuar posaçërisht për lexuesin e gazetës “Dielli”

* Termi “ligjërim i jashtëm” në këtë prezantim përdoret në kuptimin e ligjërimit që Qeveria e Përkohshme shqiptare dhe kryetarit i saj Ismail Qemal Vlora përdorte jashtë shtetit, në raport me Fuqitë e Mëdha dhe Perandorinë Osmane. Ndërsa “ligjërim i brendshëm” ka parasysh diskursin e përdorur brenda shtetit, midis vetë shqiptarëve.

Filed Under: Histori

28 Nëntori – Festa e Flamurit – Historia e shqiponjës dykrenore

November 28, 2025 by s p

Nga Dr. Bledar Kurti/

Në Nenin 14 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë thuhet: Flamuri kombëtar është i kuq me një shqiponjë të zezë dykrenore në mes. Por, në zemrën e shqiptarëve, për shekuj me radhë, ka rrahur një simbol i vetëm… një shqiponjë e zezë me dy koka, e vendosur mbi një fushë të kuqe të ndezur. Flamuri shqiptar. Një flamur që ka udhëtuar nëpër kohë, midis betejave, pushtimeve, rilindjes dhe shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar.

Por rrënjët e simbolit tonë kuq e zi janë shumë më të thella sesa 1912-ta. Ato shkojnë deri në mesjetë, deri te epoka e Gjergj Kastriotit. Ndërkohë që shqiponja me dy koka është një simbol shumë më i hershëm si në kulturat e botës ashtu edhe 6 shekuj para Krishtit në trevat ilire, siç është shqiponja me dy koka e gjetur në mburojën e një luftëtari ilir.

Shqiponja ishte simbol i Perandorisë Romake. Alba. Me këtë emër romakët emëruan Skocinë dhe Shqipërinë. Me ardhjen e Kostantinit të Madh në fillim të shekullit të IV dhe ndarjen administrative të Perandorisë Romake në dy qendra, Roma dhe Kostandinopoja, Stambolli i sotëm, shqiponja me dy koka mori kuptimin e dy qendrave të pushtetit me një trup të vetëm, duke u përdorur më pas nga perandorë të Europës Lindore dhe Perëndimore. Por pa fushën e kuqe. Fusha e kuqe e flaktë është e mbetet shqiptare.

Flamuri i kuq me shqiponjën dykrenore u bë simbol i identitetit luftarak në shekullin XV kur Gjergj Kastrioti e ngriti mbi shtizat e ushtrisë së tij. Pikturat dhe kronikat e kohës përshkruajnë flamurin e Gjergj Kastriotit: një shqiponjë dykrenare e zezë, e stilizuar ndryshe nga ajo e sotmja, më e mprehtë në linja, më heraldike, shpesh e shoqëruar me elemente të tjerë si ylli ose helmetat e arta.

Në disa miniatura të kohës shihet flamuri i kuq i ushtrisë arbërore që valëvitej në kështjellat e Krujës, Petrelës e Lezhës. Krahasimi mes shqiponjës së Gjergj Kastriotit dhe asaj të flamurit të sotëm na tregon diçka të rëndësishme: simboli ka evoluar, por mesazhi ka mbetur i njëjtë. Në flamurin modern linjat janë më të rregullta, më simetrike dhe të standardizuara, ndërsa shqiponja e Heroit tonë Kombëtar ishte më e egër, më luftarake, më e lidhur me heraldikën e kohës. Megjithatë, të dyja mbajnë të njëjtin shpirt: krenarinë, qëndresën dhe identitetin shqiptar.

Në disa kodekse heraldike perëndimore shfaqen simbole të fisnikëve arbër, ku shqiponja dykrenare paraqitet si shenjë e familjeve të rëndësishme të Arbërisë. Këto burime tregojnë se Evropa mesjetare e njihte Shqipërinë si vend të princërve luftëtarë, të lidhur me simbolikën e shqiponjës. Në kronikat bizantine dhe ato veneciane të shekullit XIV e XV flamuri me shqiponjën dykrenare i atribuohet disa principatave shqiptare, çka tregon rrënjët e hershme të këtij simboli si shenjë e identitetit politik të Arbërisë.

Në artin mesjetar shqiptar, shqiponja shfaqet jo vetëm në flamujt e betejave, por edhe në stemat e familjeve të mëdha fisnike, në piktura kishtare, në objekte rituale e në mburoja. Në Kisha, në Onufrin e shekullit XVI, në afresket e Beratit dhe Gjirokastrës, motivi i shqiponjës gjendet i gdhendur me kujdes, si simbol i një populli që kërkonte të ruante identitetin e vet kulturor e politik.

Flamuri shqiptar dallohet qartë te disa kryevepra të artit evropian, si p.sh. kryevepra “Kryqëzimi” (1501) e mjeshtrit të Rilindjes italiane Michele da Verona. Në këtë tablo, flamuri ynë kuq e zi valëvitet i vetëm e krenar përbri Krishtit të kryqëzuar. Flamuri arbëror kuq e zi dallohet edhe në afreske të tjera mesjetare në Evropë.

Këto dëshmi artistike janë urat që lidhin flamurin e sotëm me të kaluarën. Ato tregojnë se, edhe në periudha të vështira pushtimi, simboli i shqiponjës nuk u zhduk. Ai vazhdoi të jetonte, fshehur në art, në veshje, në pajisje ceremoniale… duke pritur momentin e ringritjes.

Për më shumë se pesë shekuj flamuri ynë kuq e zi ka qenë në zemrën, traditën, historinë dhe ekzistencën e arbëreshëve, të cilët e kanë ruajtur të gjallë në çdo mjedis, veshje, e simbole në shtëpi, dyer, shkrime, etj.

Në shekullin XIX, me Rilindjen Kombëtare, flamuri i Gjergj Kastriotit u rikthye fuqishëm. Patriotët shqiptarë e përdorën si simbol të bashkimit. Në kolonitë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes dhe SHBA-së, flamuri i kuq me shqiponjën e zezë u bë shenjë identitare e lëvizjes për liri. Shoqëri si “Vatra”, “Drita”, “Lidhja e Prizrenit” e ngritën kudo.

�Edhe pse stilizimet ndryshonin paksa, ngjyrat dhe shqiponja dykrenore mbetën të pandryshuara. Kjo dëshmon se shqiptarët i ruajtën besnikërisht elementet themelore të flamurit të Gjergj Kastriotit, duke e bërë atë simbol të përbashkët kombëtar.

Dhe erdhi dita e shumëpritur: 28 nëntor 1912, Vlorë. Në një shtëpi dykatëshe, të bardhë, pranë detit, delegatët shqiptarë u mblodhën për të shpallur shtetin e pavarur. Ismail Qemali doli në ballkon dhe ngriti flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare. Ishte një çast solemn, i mbushur me emocion. Flamuri nuk ishte një krijim i ri. Ishte vazhdimësia e atij të Gjergj Kastriotit, e atij që jetoi në art, në legjenda dhe në zemrat e shqiptarëve përgjatë pesë shekujve pushtimi osman.

Në historinë e popullit shqiptar, pak simbole janë kaq të fuqishme dhe të përjetshme sa flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenare. Ai ka udhëtuar përmes shekujve, nga koha e principatave arbërore, te epoka e Gjergj Kastriotit, te Rilindja Kombëtare dhe shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, duke u kthyer në një prej stemave më të lashta e më të njohura në Ballkanin mesjetar.

Ne duhet ta nderojmë flamurin tonë dhe të kujtojmë ata që sakrifikuan për të. Flamuri nuk është vetëm një simbol. Ai është kujtesa jonë kolektive. Ai përfaqëson gjakun, sakrificat dhe ëndrrat e mijëra shqiptarëve që luftuan në epoka të ndryshme. Ne kujtojmë e nderojmë luftëtarët e Gjergj Kastriotit që mbronin Arbërinë, kapedanët dhe heronjtë kundër pushtimeve, rilindasit që punuan për gjuhën, kulturën dhe identitetin, patriotët që ngritën flamurin në Vlorë, luftëtarët dhe martirët e Luftës së Kosovës dhe të gjithë ata që dhanë jetën për liri e dinjitet kombëtar.

Ne e nderojmë flamurin sepse është dëshmia se ky popull, përballë të gjitha stuhive historike, mbijetoi, qëndroi dhe ringrihet gjithmonë. Duke nderuar flamurin, ne nderojmë të rënët, kujtojmë sakrificat e tyre dhe ruajmë të gjallë amanetin që na lanë: të jemi të bashkuar, të lirë dhe krenarë për identitetin tonë.

Flamuri ynë kuq e zi nuk është vetëm një shenjë kombëtare. Ai është shpirt, gjak dhe histori e një kombi që nuk u përkul kurrë.

Filed Under: Histori

Jeronim De Rada dhe folklori arbëresh

November 27, 2025 by s p

Prof.As.Dr. Jonela Spaho/

Folklori arbëresh si një pjesë e pasur dhe mjaft e rëndësishme e kulurës sonë artistike gojore, paraqet një rëndësi të madhe studimi si përsa i përket vjetërsisë, fondit të përbashkët me poezinë popullore shqiptare, tematikës, gjuhës si dhe shumë këngëve që të parët tanë i bartën me vete kur u mërguan dhe i ruajtën me shumë dashuri, ndërkohë që tek ne, për shkak të pushtimit turk një pjesë e tyre, sidomos ato që kanë të bëjnë me periudhën para luftrave të Skënderbeut dhe ato të kohës së tij janë zhdukur. Kjo poezi popullore e bartur nga atdheu i të parëve në trojet e reja dhe në kushtet e një gjuhe dhe kulture të re, mbeti e gjallë në zemrat e shqiptarëve, si jehonë e periudhave të hershme. Këngët e arbëreshëve paraqesin një interes të madh studimi sidomos përsa i përket atmosferës së lashtë mesjetare që gjallon në to, pasqyrimit të jetës shqiptare në periudhën feudale, dokeve dhe zakoneve, që dëshmojnë për një popull me kulturë gjuhë e shpirt solid dhe shumë të pasur. Siç shprehet dhe studiuesi J. Kastrati: ”Egzistenca e rapsodive arbëreshe na ndihmon që ta plotësojmë kuadrin tematik të baladave shqiptare me subjekte që mungojnë në truallin e atdheut, si dhe të rindërtojmë ndonjë tip të hershëm për ato variante që te ne kanë pësuar ndryshime të rëndësishme.”

Interesimi për mbledhjen e folklorit te arbëreshët e Italisë është i hershëm dhe këtë e dëshmon dorëshkrimi më i vjetër, ai i Kieutit, që i përket vitit 1737, ndërsa më pas njerëz të shquar e me vizion si Nikoll Filja, Gavril Dara plaku, Françesko Avati, Santori, Kamarda, etj, të cilët nën ndikimin e romantizmit europian dhe nga dashuriia për vendin e të parëve, si dhe për t’i treguar botës vlerat shpirtërore të shqiptarëve, krijuan një traditë të çmuar që më pas do të influenconte dhe shumë folkloristë e patriotë shqiptarë. ”Nga fundi i shekullit të VIII, tek arbëreshët nisi një lulëzim i folkloristikës në drejtim të kërkimeve të letërisë gojore, duke kërkuar e botuar poema, ballada, përralla, duke gjurmuar elemente të një mitologjie kombëtare, me të cilat beheshin përpjekje për të pasqyruar epokën e ndritur të së kaluarës”

Nëse flasim për folklorin arbërsh si dhe mbledhësit e parë të tij natyrisht mendja na shkon së pari te Jeronim De Rada dhe puna plot pasion dhe përkushtim e tij për evidentimin e vlerave artistike shpirtërore të popullit tonë, nëpërmjet punës plot këmbëngulje që bëri ai për mbledhjen, strukturimin dhe botimin e poezisë popullore arbëreshe.

Sipas të dhënave jetshkrimore mbi De Radën, del se pasioni i tij për folklorin daton hershëm, që në gjysmën e parë të shekullit të 19-të(1888), kur ishtë 19 vjet. Kolegji i Shën Adrianit ku studioi dhe mësoi për kulturën dhe letërsinë në përgjithësi, natyrisht, lindën tek ai dëshirën për të evidentuar kulturën shqiptare. Në vendlindjen e tij, në Maki. ai mblodhi këngët e para kryesisht nga gra të moshuara, që i kishin ruajtur me fanatizëm ato. Shtysa e parë për mbledhjen e këtyre këngëve, siç pohon vetë De Rada, i erdhi prej një letre nga Rafael Valentini (kryetar i pushtetit ekzekutiv të kryengritësve të Kalabrisë), i cili i kërkonte të mblidhte këngë popullore të kolonive arbëreshe: ”Atëhere unë shkova në Shën Kozmo, te gjyshja ime, nëna e nënës dhe atje, një plakë e ndershme Tortolishtja, më dha të parat dhe midis syresh atë të Dedi Skurës të Milo Shinit të Rada Vanit. Pastaj u ngjita në Shën Mitër te krushka Oricia, nga shtëpia e Strigarëve e motçme mbi nëntëdhjet vjeç dhe prandaj s’mbante shumë mend. Ajo më mësoi këngën”Ra turku po ku ra! e të tjera përgjysëm”.

Mbledhja vazhdoi me këngë të marra drejtpërdrejt nga goja e vajzave dhe grave në fshat, ndërsa dorëshkrimi që i dha Kamarda, me 15 këngë të gjetura në kolegjin shqiptar të Palermos, ishte shumë i rëndësishëm. Më pas, filologu gjerman Herman Kestner duke i cilësuar këngët shqiptare si më të mirat, krahasuar me ato të popujve të tjerë, e nxiti atë për botimin e këtyre këngëve. Në kohën kur De Rada detyrohet të lërë Napolin, për shkak të përndjekjes si rezultat i pjesëmarrjes aktive në kryengritjet kundër regjimit të Burbonëve, dorëshkrimi humbi.

Edhe pse kaloi shumë fatkeqësi dhe rrethana fatale në jetë, pasioni i tij për mbledhjen dhe botimin e folklorit nuk iu mpak, ndaj me tu kthyer në vendlindje iu vu punës për mbledhjen dhe botimin e këtyre këngëve. Mblodhi atë kohë këngë në katundin e Shën Sofisë, disa kishin mbetur në dorëshkrimet e tij, disa kënga të mbledhura nga Santori, këngët që nëna dhe mëndesha i këndonte në fëmijëri, etj. dhe kështu bëri gati për botim përmbledhjen më të rëndësishme folklorike të botuar deri atëhere ”Rapsodi e një poemi arbëresh”, më 1866, në Firence, nën kujdesin e Nikollë Jenos. De Rada, i ndërgjegjshëm se puna për mbledhjen e folklorit duhet të vazhdonte dhe se kishte akoma punë për të bërë dhe këngë të tjera prisnin të mblidheshin shkruan; ”Por duhet të jenë edhe të tjera në vendet tona që ende s’janë harruar, prandaj unë lus të gjithë ndihmonjësit e kësaj të përkoshmeje që t’i mbledhin kudo që të kenë mbetur të pavëna re; kështu që puna ime të plotësohet nga duart e tyre; sepse ky është një trashëgim i shkëlqyer që na përket të gjithëve”

Vlen të ndalemi pak te titulli që De Rada i vuri përmbledhjes së tij folklorike; “Rapsodi e një poemi arbëresh”.

De Rada e vuri këtë fjalë, rapsodi, duke u udhëhequr nga mendimi romantik se të gjitha këto këngë janë fragmente të shkëputura nga një poemë e madhe kombëtare që u sfumua shumë prej kohës. Kjo ishte një ide e hershme romantike e aplikuar nga shkrimtari sentimentalist Xheims Makferson, i cili poemat e tij “Fingal” dhe “Temor”, i paraqiti si pjesë të mbledhura nga bardi mesjetar Osian. Kjo ide e tij pati një influencë të madhe duke themeluar një shkollë më vete në shkencën e folkloristikës. Natyrisht që De Rada e botoi veprën e tij shumë më vonë se Makfersoni poemat e tij, por për qëllime patriotike dhe i ndikuar nga një iluzioni i hershëm i tij, ai mendonte se gjithë këngët popullore ishin copëza të një epopeje të madhe kombëtare. Këtë ide ai u përpoq ta shprehte dhe me strukturimin e përmbledhjes, të cilin e ndan në tre kapituj; 20 këngët e kapitullit të parë, sipas hartuesit të parathënies së përmbledhjes, Nikoll Koronei, pasqyrojnë jetën e popullit shqiptar në liri, 20 këngët e kapitullit të dytë pasqyrojnë luftimet e ashpra kundër pushtuesve turq, humbjet dhe fitoret dhe 32 këngët e kapitullit të tretë paraqesin elegjinë e dhëmbur të fatkeqësive që pllakosnë mbi popullin tonë; vajet, dëshirat, shpresat për rifitimin e lirisë dhe rikthimin në atdhe”.

Sipas De Radës në këto këngë: ”Mbi të gjitha është historia e nostalgjisë për Shqipërinë, së cilës i kushtohet lëvdata që këto rapsodi merituan…Së fundi do të vendos ato këngë që më duket sikur lindën në gjirin e jetës që në të kaluarën e vet sheh ndonjë gjë që e nxjerr në pah në proverb ose në simbole, që pastaj një popull ja jep hua një tjetri”. Mesa shihet nga ky pohim, De Rada është i bindur se këngët e kapitullit të tretë shprehin në vetvete qënësinë shqiptare, thelbin e ekzistencës njerëzore, që është i përbashkët për gjithë njerëzit në çdo vend dhe kohë, për shkak të mesazheve universale që mbartin këngët, sepse ato janë nxjerrë drejtpërdrejt nga shpirti human kolektiv. Sipas Jup Kastratit, De Rada ishte tërhequr nga ideja se në Shqipëri, qysh nga shekulli XV kishte lindur epopeja e cila kishte shkuar duke humbur së bashku me fatet e atdheut, ndaj i quajti këngët rapsodi. Por, me sa duket, De Rada nuk ka pasur saktë parasysh kuptimin e fjalës rapsodi që prej lashtësisë kishte kuptimin e një poezie që recitohej duke kënduar, duke iu shtuar menjëherë pas një vargu një tjetër, më të njëjtën masë dhe metër, por titulli rapsodi ishte shprehje artistike e shpirtit të De Radës dhe nuk i përgjigjej faktit letrar.

Por këngët e paraqitura në vëllimin e tij nuk kanë lidhje organike me njëra-tjetrën, e vetmja lidhje e tyre është pasqyrimi i jetës mesjetare shqiptare, dokeve, zakoneve, ndjenjave, dhimbjeve dashurive, gëzimeve, vuajtjeve dhe shpresave të njerëzve që i përkisnin një populli me shpirt fisnik e të bukur, që dinte të vajtonte lirinë e humbur, ashtu siç dinte të lartësonte trimëritë e heronjve të tij. Pra, këngët janë të pavarura nga njëra-tjetra dhe nuk mund të quhen kurrsesi elemente të një tëre organike. Në parathënien e përmbledhjes, N.Koroneu shkruan: ”Poema pra që u paraqet lexuesve jep një gjë krejt të vetën, fantazinë, larminë, njësinë, historinë e thekshme e të dhembshme të një populli të vogël, por zulmëmadh; i pashkollë, por i qëndrueshëm ndër qëllime, mbrojtës i fortë i lirive të veta, i mundur prej numrit dhe jo prej trimërisë plot me shpresa për një kohë të ardhshme, jo të largët, e sigurisht më të mirë”.

Jeronim De Rada mendonte se nëpërmjet këngëve popullore të krijuara në periudha të ndryshme historike populli ka shënuar jetën e tij historike shoqërore, politike dhe morale duke dëshmuar kështu edhe gjeninë e vet krijuese. Sipas R Qoses, De Rada është udhëhequr nga mendimi se populli ka ditur të këndojë jo vetëm këngë të veçanta për ngjarje të veçanta, por edhe këngë të ndryshme për të njëjtat ngjarje. Dhe prej këtyre këngëve është krijuar eposi popullor, pra epopetë nuk i kanë krijuar vetëm grekët por edhe popuj të tjerë e mes tyre dhe ai i yni.

Mesa duket, prej sa cituam më lart, De Rada ka besuar dhe shpresuar që gjithë këngët e mbledhura të ishin fragment nga epopeja kombëtare. Por edhe ndarja e këngëve në kapituj ka luhatje. Kështu, në kapitullin e parë kemi të përfshirë baladën e vëllait të vdekur, ndërsa në kapitullin e dytë baladën e rinjohjes së burrit me gruan, “Kostandini i vogëlith”. Në kapitullin e dytë ka këngë për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarët e tij, gjithashtu edhe në kapitullin e tretë një numër këngësh lidhen me Skënderbeun, madje këtu gjejmë dhe këngë të lashta legjendare me elemente fantastike si; “Parasten kontesha Kontë”, ose në kapitullin e I kënga “Kur level leve ti vashë”, me elementin e metamorfozës brenda saj. Siç shihet, De Rada nuk ka pasur parasysh në këtë klasifikim as kriterin kronologjik, as atë tematik(këtë të fundit deri në një farë mase)

Më vonë De Rada u qartësua se këto këngë nuk ishin fragmente të një epopeje të madhe dhe në botimin e dytë përmbledhjes së tij i vuri titullin “Rapsodi kombëtare”, (1883-1887), duke qënë, gjithashtu, edhe nën ndikimin e ideve të reja të shkencës folkloristike, të revolucionarizuar nga vëllezërit Grim dhe folkloristë të tjerë.

Një çështje tjetër që meriton të preket në këtë punim është fondi i përbashkët i këngëve të dorshkrimit të Kieutit dhe përmbledhjes së De Radës. Dorshkrimi i Kieutit i përket vitit 1773 dhe është dorëshkrimi më i hershëm i folklorit arbëresh, i cili u botua nga Markianoi më 1908, me titullin “Këngë popullore arbëreshe të Italisë”. Në dorëshkrimin e Kieutit gjenden këngët “Sontenith me dij orë natë”, “Ligjëroi plaku në malt”, “Kostandin i vogëlith”, “Dual e bukura në derë”, “Vashëza çish më mblidh lule”, “Bëri kshijll zonja Elenë”, të cilat gjenden dhe në përmbledhjen e De Radës, njëlloj ose më fare pak ndryshime, si psh ndonjë emër personazhi ose vendi. Ky fond i përbashkët këngësh tregon se ato kanë qënë më të përhapurat, më të njohurat dhe nga më të vjetrat këngë arbëreshe, duke ju referuar gjithashtu dhe sfondit të lashtë historik që ato paraqesin. Ndoshta këngë të dorëshkrimit të Kiutit mund të jenë përfshirë dhe në dorshkrimin që i dha Kamarda me 15 këngë që i kishte gjetur në kolegjin shqiptar të Palermos dhe që ishin në dialektin sicilian(sipas De radës), ndërkohë që dorëshkrimi i Kieutit, megjithëse u gjend në një katund arbëresh të gadishulit italian, në të vërtetë është me prejardhje nga Sicilia. Kështu duhet të mbahen, po me të njëjtën zanafillë edhe këngët popullore që përfshihen në të. Fakt ky që tregon se një pjesë e këngëve të dorëshkrimit që janë përfshirë në përmbledhjen e De Radës të jenë marrë prej tij.

Gjithësesi, De Rada paraqiti një material të gjerë, i cili synon t’u përmbahet parimeve të shkencës folkloristike për mbledhjen e materialit, të cilat së pari konsistojnë në besnikërinë ndaj origjinalit.

Ngjashmëria e këngëve të dorëshkrimit të Kieutit me ato të De Radës na bindin se De Rada i ka qëndruar në të shumtën e rasteve besnik origjinalit, megjithëse në disa këngë vihet re dhe dukuria e kontaminimit, pra bashkimi i dy subjekeve te ndryshme në një këngë si te “Hajin bukë si dy vllezër”. Ideja revolucionare e shkollës romantike me në krye vëllezërit Grim, të cilët deklaruan për përmbledhjen e tyre me përralla: “ Ne u kemi dhënë përallave substancën ashtu si i kemi mbledhur. Kuptohet nga ana tjetër se mënyra e të thenit dhe të treguarit të hollësirave na takon kryesisht neve”, ka të ngjarë të ketë influencuar edhe mbi konceptet e De Radës, për folklorin. Nga ana tjetër, ngjashmëria në strukturë, metrikë, varg, figuracion e “Këngëve të Milosaos” me këngët popullore, nuk e përjashton mundësinë e vënies dorë mbi materialin. Vetë De Rada, në lidhje më këngët që mori prej Anton Santorit deklaron se: “…më duhej t’u hiqja pjesët e shëmtuara duke u ndihmuar nga shembulla të tjerë që kisha edhe prej disa pjesëve që më kujtoheshin se u këndonte te djepi zonja mëmë vëllezërve të mi”

Një veçori tjetër që e shquan De Radën si folklorist është shija përzgjedhëse e materialit të tij folklorik: ”Paraqitja e burrave dhe grave që kanë qenë dikur, shpirtrat bujarë të të cilëve i përfytyrojmë në veprime e në biseda, na bëjnë për vete e na shtyjnë të marrim shembull dhe t’u përngjajmë. Nga kjo pikëpamje, shpirtrat e njërit apo tjetrit poet që krijuan këto figura të frymëzuara u pasqyruan në vargje të pavdekura që mbetën si dielli për kombin tonë. Këtu në Itali ku jemi të shpërndarë, prej këtyre këngëve edukohen familjet tona të largëta e të veçuara prej qyteteve të cilat kanë qenë të lumtura dhe fisnike”.

Këngët që ka përzgjedhur De Rada zbulojnë doke e zakone të bukura, flasin për gra, vajza, burra e të rinj me sjellje fisnike. Rapsoditë e para kanë një ndjenjë të hollë lirizmi që shpaloset përmes një peizazhi të mrekullueshëm ku vajzat dhe djemtë gëzojnë rininë dhe ndjenjën e tyre, iu gëzohen stinëve të vitit, bukurive të natyrës, vallëzojnë, këndojnë, nderojnë prindërit, duan atdheun etj. Kjo është pasqyrimi i një epoke para pushtimit osman, në periudhën bizantine, kur u themeluan principatat e para shqiptare. Besa, nderi, mikpritja, dashuria për motrën vëllanë, nënën e babanë, bujaria shpirtërore, admirimi dhe dashuria për të bukurën fizike dhe shpirtërore, zgjuarsia e heronjve dhe trimëria e tyre, janë elementet që spikasin më së shumti në këngë.

Motivi erotik zë vend të dukshëm në këtë përmbledhje. Në një pjesë këngësh jepët bukuria fizike e femrës shqiptare, veshjet e saj, duke shpalosur dhe thesare të kulturës etnografike, jepet bota shpirtërore e të rinjve, të cilët janë gati të bëjnë gjithçka për realizimin e dashurisë së tyre edhe pse familja dhe paragjykimet i pengojnë, si në rastin e këngë “Kur level leve ti vashë”, ku tregohet se si trimi dashuron vajzën, por familja nuk e lejon. Djali e rrëmben vajzën, por rrugës del i vëllai me të tjerë dhe i vrasin dy të rinjtë. Kënga mbaron me legjendën e metamorfozës: ”Kur u butësua vera, / trimi u bë një qipar, / vasha u bë një dhri e bardhë, / e u përkrah te qiparizi”, simbolikë kjo që tregon vazhdimin e dashurisë sublime edhe pas vdekjes. Dashuria bashkëshortore është në qendër të çdo kënge me këtë temë. Tipike është kënga që tregon për trimin që dylufton me turkun. Trimi vë bast vashën, ndërsa turku vë bast turkeshën e tij. Trimi e fiton ndeshjen dhe ia sjell turkeshën vajzës që t’i përkundte djalin në djep, apo te balada e “Kostandinit të vogëlith”, që e mbajti fjalën e dhënë dhe u ribashkua me të shoqen. Kjo këngë është shumë e përhapur ne arbëreshë, madje është ndër të vetmet balada që vallëzohet në dasma, sepse ka në qendër motivin e besnikërisë bashkshortore.

Në shumë këngë shohin figura femërore po aq te guximshme sa burrat që janë gati të bëjnë gjithçka për të shpëtuar bashkëshortët e tyre nga rreziku që u kanoset, madje rivalizojnë hapur me të keqen si te kënga: ”Parasten Kontesha Kontnë’. Konti nuk i bindet nënës konteshës që të mos gjuajë në malin e kuçedrës, por i nxitur nga nusja ai shkon pikërisht në malin e kuçedrës për të gjuajtur. Kuçedra e zë dhe kërkon ta hajë, por konti i lutet që ta lërë sa të shkojë te e ëma t’i kërkojë uratën. Por nusja e tij shkon te kuçedra, e cila mahnitet nga forca e saj dhe e pyet se cila është dhe vajza i përgjigjet: “ Vetë jam vetim e qiejve, / që bie maleve e fushave, / mbi kreninë e ligësinë”.

Natyrisht, cikli më i rëndësishëm si për nga përmbajtja, vlera historike dhe realizimi artistik janë këngët kushtuar Skënderbeut në këtë përmbledhje. Falë përkushtimit të De Radës kemi në epikën tonë historike rreth 10 këngë për Skënderbeun dhe luftëtarët e tij, këngë të cilat hedhin dritë mbi ekzistencën e një epike të tërë mbi këtë hero dhe luftarat e tij të lavdishme. Këto këngë, për shkak të pushtimit të gjatë turk dhe arsye të tjera kanë humbur tek ne. Ato prekin momente kyçe nga jeta e Skëndebeut si luftërat e tij, martesën, amanetin që le dhe vdekjen. Janë këngë epike të përshkruara tejendanë nga një notë e ndjeshme lirike, plot figura të skalitura me shumë mjeshtëri, dhe me simbolika të fuqishme .

Një pjesë e mirë e këngëve kanë në përgjithësi karakter baladesk (kapitulli I), çka tregon, sipas Z.Sakos, se De Rada e konsideronte baladën si një gjini të hershme mesjetare. Ato të pjesës së dytë ruajnë karakteristikat e baladave, por kanë një ton me të theksuar liriko- erotik, gjë që ndihet dhe në këngët e kapitullit të tretë.

Se sa e çmonte poezinë popullore dhe sa thellë e ka njohur De Rada atë, na e tregon më së miri vepra e tij, e cila është një model i realizuar i këngëve popullore qoftë me figuracionin dhe metrikën e saj ashtu dhe konceptet etike dhe estetike popullore, si dhe me patriotizmin e kulluar që përshkon fund e krye veprën e tij jo vetëm atë artistike.

Botimi i rapsodive të De Radës ishte një kontribut i shquar në shkencën e folkloristikës shqiptare ende të paformuar mirë. Jo vetëm personalitete të jetës shqiptare të asaj kohe, por edhe albanologë të huaj e vlerësuan veprën, e cila hidhte dritë mbi ekzistencën e një kulture të lashtë e të begatë shqiptare. Botimi i Rapsodive popullarizoi epokën e Skënderbeut, që u bë tema e parapëlqyer e letërsisë arbëreshe. Sipas dijetarit Gaetano Pettrota, Rapsoditë u bënë si një libër i shenjtë për shqiptarët, të cilit i drejtohej kushdo që trajtonte çështje të historisë letërsisë e gjuhës së popullit shqiptar.

Përmes studimit të holësishëm dhe veçanërisht në linjë krahasimtare të këngëve popullore arbëreshe me ato të folklorit tonë, dalin në pah të vërteta me rëndësi kulturore, historike, shoqërore, psikologjike etj. Siç shprehet dhe Z. Sako: “Me rapsoditë arbëreshe ai i dha Shqipërisë dhe popullit tonë një visar të mendimit dhe të fjalës artistike shqipe”.

Mbetet detyrë e fokloristëve shqiptarë t’i çojnë më përpara kërkimet në fushën e historisë së fokloristikës sonë, duke e marrë veprën e De Radës si një gur themeltar në historinë e kësaj shkence tek ne. Së fundmi do ta mbyllim me një pohim të vetë De Radës: ” Ne nuk kemi dijeni për ndonjë vepër më të lashtë ne gjuhën shqipe, përveç Rapsodive tradicionale, që kemi marrë zakon t’ia atribuojmë shekullit XV, pse pikërisht në atë kohë, duke braktisur atdheun ne i sollëm me vete edhe pse pjesa më e madhe e tyre na kujton po atë kohë, që është për ne e lumtur dhe e mjerë”.

Filed Under: Histori

Dora e Vehbi Agollit bashkë me dorën e Ismail Qemalit ngritën Flamurin e Pavarësisë në Vlorë

November 27, 2025 by s p

Prof.as.dr. Bernard Zotaj/

Vehbi Dibra (Agolli) lindi në Dibër të Madhe më 24 mars 1867, në një familje të njohur për tradita të spikatura fetare, kulturore dhe atdhetare. Babai i tij, Ahmet Efendi Agolli, pas përfundimit të studimeve për teologji islame në Stamboll, shërbeu për një kohë të gjatë si Myfti i Dibrës. Në të njëjtën rrugë do të ecte edhe i biri, Vehbiu, i cili pas mësimeve në vendlindje, vijoi studimet e larta në Stamboll për teologji islame.

Që në fëmijëri, ai u rrit me ndjenja të forta kombëtare. Në shtëpinë e familjes së tij, gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878–1880), bujtuan atdhetarë të njohur si Iliaz Pashë Dibra, Abdyl Frashëri, Hoxhë Muglica, Hajdin Draga e të tjerë. Aty ai dëgjoi për herë të parë diskutimet për lirinë e Shqipërisë dhe kundërshtimin e hapur ndaj Traktatit të Shën Stefanit dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit, që synonin copëtimin e trojeve shqiptare.

Me këto mbresa atdhetarie, Vehbi Dibra ndoqi studimet në Stamboll, ku u njoh dhe bashkëpunoi me personalitete të mëdha të Rilindjes Kombëtare si Sami e Naim Frashëri, Hasan Tasini, Murat Toptani, Hamdi Ohri dhe Shahin Kolonja. Në vitin 1892, në moshën 25-vjeçare, u emërua Myfti i Dibrës, duke zëvendësuar të atin. Ai zotëronte disa gjuhë të huaja: persishten, turqishten, arabishten dhe frëngjishten.

Kontributi në Kongreset Kombëtare

Vehbi Dibra luajti një rol të rëndësishëm në Kongreset e Manastirit (1908, 1910), duke mbështetur Dervish Himën, Nikollë Kaçorrin dhe alfabetin e gjuhës shqipe me gërma latine. Një tjetër kontribut i shquar i tij ishte në Kongresin e Dibrës të vitit 1909, ku u zgjodh kryetar. Shtypi i kohës shkruante: “Për meritat e rralla që kishte, u zgjodh kryetar dhe me zotësi bëri që Kongresi të përfundonte me sukses shumë çështje delikate, si ajo e mësimit të gjuhës shqipe”.

Në këtë kongres bashkëpunoi ngushtë me Sotir Pecin, Dervish Himën, Loni Logorin, Fehim Zavalanin, Hafez Sabri Korçën dhe Abdy Ypin. Ndër deklaratat e tij më të njohura ishte ajo për gjuhën shqipe:

“Gjuha shqipe është gjuhë e vjetër dhe ajo ka alfabetin e saj. Nuk mund të ndalohet, sepse është gjuha e një kombi të lashtë të Europës – kombit shqiptar që vjen nga Iliria!”

Në krye të kryengritjeve për liri

Gjatë viteve 1908–1912, Vehbi Dibra u përfshi aktivisht në kryengritjet antiosmane. Në bashkëpunim me Elez Jusufin, Qazim Likën, Mustafa Litën dhe Hysen Dacin, ai drejtoi shoqërinë patriotike “Bashkimi”, duke organizuar qëndresën në Dibër. Në mars të vitit 1912, bashkë me Mersin Demën, organizoi në Homesh “Kuvendin e Dheut”, ku morën pjesë përfaqësues nga e gjithë Dibra. Në këtë kuvend u vendos:

“Tash do të bëjmë kryengritje, jo vetëm për gjuhën tonë, por për të ngritur Flamurin Kuqezi!”

Ai ishte ndër udhëheqësit e luftimeve kundër forcave xhonturke më 24 mars 1912 në Çidhnë të Dibrës së Poshtme dhe një nga organizatorët e Kuvendit të “Plepit të Egër”, ku u kërkua autonomia e Shqipërisë. Në bashkëpunim me Hasan Prishtinën dhe krerët e Kosovës, hartoi Memorandumin me 14 pika drejtuar Portës së Lartë, duke deklaruar:

“Nuk lëshojmë armët pa u siguruar se janë pranuar kërkesat e shqiptarëve!”

Në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë

Më 22 nëntor 1912, Ismail Qemali e fton Vehbi Dibrën si përfaqësues të Dibrës në Kuvendin e Vlorës.

Sipas “Zanit të Naltë”:

“Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) mori pjesë aktive në punimet e Kuvendit Kombëtar. Ai ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Ismail Qemalit. Dora e tij, bashkë me dorën e Ismail Qemalit, ngritën flamurin e pavarësisë në Vlorë. Goja e tij e ëmbël e bekoi për herë të parë këtë vepër të shenjtë. Flamuri ynë do të valojë përherë, sepse u bekuar nga një fetar i vërtetë.”

Në mbledhjen e 4 dhjetorit 1912, u zgjodh Kryetar i Senatit Shqiptar. Si figurë e respektuar dhe me ndikim, ai dha ndihmesë në ngritjen e flamurit në qytete të tjera si Lushnjë, Elbasan, Fier dhe Dibër, duke ndihmuar në organizimin e administratës së Qeverisë së Vlorës.

Në mungesë të Ismail Qemalit, shpesh e zëvendësonte në punët shtetërore dhe në përfaqësimin e Shqipërisë përpara diplomacisë evropiane.

Udhëheqës i Komunitetit Mysliman Shqiptar

Me vendim të Qeverisë së Vlorës, Vehbi Dibra u ngarkua me krijimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke e shkëputur atë nga varësia e klerit osman. Ai ishte ndër të parët që hodhi themelet e institucioneve fetare shqiptare të pavarura.

Në vitin 1923, me nismën e tij, u hap medreseja e parë shqiptare dhe u themeluan revistat “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”. Në gazetën “Demokratia” të vitit 1929, artikulli “Fjala e Kryemyftiut” e përshkruante kështu:

“Fjalë të urta, të matura dhe plot mençuri. Kryemyftiu tha se libri ynë i shenjtë na urdhëron për forcimin e vëllazërisë midis myslimanëve e të krishterëve.”

Edhe pse ishte në krye të Komunitetit Mysliman, ai bashkëpunoi ngushtë me Kishën Ortodokse Autoqefale dhe me komunitetet katolike e bektashiane, duke promovuar harmoninë fetare si themel të identitetit shqiptar.

Vitet e fundit dhe trashëgimia

Në vitin 1932 shkoi për Haxhillëk në Arabi, ndërsa në vitin 1936 mori pjesë në takimin e haxhilerëve të Mesdheut në Egjipt, ku u nderua me dekoratën “Për ligjërimin dhe oratorinë teologjike”.

Në vitet e fundit të jetës bashkëpunoi me intelektualë të rinj dibranë si Haki Sharofi, Jashar Erebara, Ismet Dibra, Muharrem Mullani dhe Haki Stërmilli.

Vehbi Dibra u nda nga jeta në Tiranë më 24 mars 1937. Kryetari i Kishës Autoqefale Shqiptare, Visarion Xhuvani, do ta përshkruante kështu:

“Haxhi Vehbi Efendi Dibra do të mbetet i paharruar në historinë e Shqipërisë së re. Ishte i pari kryetar i fesë myslimane shqiptare, që gëzonte respektin dhe simpatinë e të gjithëve – si të krishterëve, ashtu edhe të myslimanëve. Kohët në të cilat jetoi ishin të vështira, por ai dinte të qëndronte i patundur dhe i drejtë, i udhëhequr nga dashuria për Atdheun dhe nga urtësia e fesë.”

Filed Under: Histori

In Memoriam – 101 vjetori i lindjes së Peter Priftit

November 25, 2025 by s p

Julika Prifti/

Sot është 101 vjetori i lindjes së Peter R. Priftit (24 nëntor 1924-17gusht 2010) anëtari i respektuar i diasporës shqiptare në Amerikë, një model i rrallë i përkushtimit atdhetar dhe akademik ndaj Albanologjisë, studimeve të shkencat politike dhe gjithë kulturës shqiptare, “vendin e të cilit nuk e zuri asnjeri tjetër,” siç e ka përcaktuar drejt i përhirshmi At Artur Liolini (1943-2023).

Ai u lind në Revohë të Kolonjës, një fshat i vogël pranë malit të Gramozit, ku kaloi edhe 15 vitet e para te jetës se tij e ku për herë të parë u ushqye me dashurinë për dituri e për shkollim. Peteri mbërriti në Filadelfia, pranë babait e vëllait të tij më të madh Apostolit, në vitin 1940. Brenda javës, filloi studimet në gjimnaz edhe pse nuk dinte asnjë fjalë anglisht. Dashuria për dije ishte më e fortë se çdo pengesë që i dilte përpara. Dhe gjatë gjithë jetës ishte dashuria e tij më e madhe dhe më e fortë. Ai u ambientua shpejt me qytetin e madh e filloi të shijonte eksperienca të reja që nga muzeumet, shfaqjet, biblioteka e qytetit e me radhë.

Ndryshe nga tradita e familjeve shqiptare të emigruara në Amerikë, ai nuk deshi të punonte në restorantin e të atit por vijoi studimet në kolegj dhe më pas ato pasuniversitare. Për fatin e tij të mirë, i ati nuk e pengoi në rrugën e zgjedhur. Pas diplomimit nga Pennsylvania State, ai vazhdoi studimet për titullin Master në Filozofi në University of Pennsylvania (1955).

Në fund të viteve 50 shkrimet e tij në gazetat shqiptare dhe periodikë shkencorë tërhoqën vëmendjen e intelektualëve të Bostonit e të vetë Fan Nolit. Aty filloi angazhimin si Editor i ri i “Diellit” bashkë me Qerim Panaritin. Pas një vit pune në detyrën e Sekretarit, ai krijoi lidhje të ngushta me Fan Nolin, i cili i propozoi të dorëzohej prifti, duke nënkuptuar se një ditë mund ta zëvendësonte atë vetë. Peteri e refuzoi kategorikisht sepse ai nuk e shihte veten si prift. Në këtë kohë ai bën një intervistë me Nolin që mbetet nga bisedat më interesante dhe informative për intelektualët.

Nga viti 1961 deri në 1976 Peter është hulumtues shkencor në një qendrën prestigjioze të studimeve MIT. Rezultat i këtyre viteve është publikimi nga MIT i librit të tij të parë “Socialist Albania Since 1944”.

Vlerësimet për këtë libër u shkruan në te gjitha gazetat më të mëdha të Amerikës dhe të botës, që u cilësia si bibla e studiuesve të huaj të interesuar për çështjet shqiptare, sepse ai ishte i vetmi studiues serioz që dinte mirë të dyja gjuhet, shqip dhe anglisht. Por botimi u bë pengesë për të vizituar atdheun dhe për të mos u takuar kurrë më me gjyshen e mamanë e tij pas vitit 1962 kur erdhi për herë të parë pas 22 vitesh në Shqipëri.

Gjatë kohës së qëndrimit në Boston, ai ishte promotori i një konference treditore të gjuhës dhe kulturës shqipe dhe nismave të tjera të mësimdhënies së gjuhës shqipe, diçka që e konsideronte si një nga detyrat kryesore ndaj rinisë së mërguar shqiptare.

Një post pune në Universitetin e San Diegos në Kaliforni në Katedrën e gjuhës shqipe e plotësoi dëshirën e tij të hershme. Së bashku me Profesor Newmark dhe Philip Hubbard dhe me materiale nga Prof. Isa Zymberi u botua libri Reading in Albanian (1979) Spoken Albanian (1980) që u plotësuan më tej me botimet “Standard Albanian / A Reference Grammar for Students” publikuar nga Stanford Univeresity Press , Stanford, California 1982 dhe të tjera.

Në lëminë e gjuhësisë, Peter Prifti pati një polemikë të fortë me mikun e tij të ngushtë Arshi Pipa për tezën e njësimit të shqipes. Në letërkëmbimin e tyre dallohen respekti i ndërsjellët dhe qartësia e argumentimit të ideve dhe qëndrimeve të tij.

Kontributi i Peter Prifti në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës është i shumëdokumentuar duke filluar nga letrat dhe artikujt ne shtypin shqiptar dhe amerikan për demonstratën e studenteve në Prishtinë në vitin 1968. Peter Prifti është i pari që përgatiti peticione për lirimin nga burgjet serbe të Adem Demaçit. Shkrimet dhe kërkesat për kongresmenë e senatorë, për redaksitë e gazetave, revistave dhe librave me keqinterpretime e gabime gjeografike, politike, gjuhësore , datash e të tjera përbëjnë një kapitull më vete e shumë interesant të veprës se tij shkencore dhe përkushtimit ndaj së vërtetës për shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën.

Në fondin e Peter Priftit janë të dallueshme përkthimet e tij të pashoqe te poemave “ Bagëti e Bujqësi”, “ Anës Lumenjve”, “O moj Shqypni “, “Vallja e Vdekjes”, etj . Përkthimi magjik i tij i bëjnë të mahnitshme në anglisht sa edhe në shqip. Përkthimet në prozë përfshijnë Midis Mirditës në Dimër, Cikua dhe Beni, Çezma e Floririt, Diary of a Wounded Heart etj.

Për të shprehur vendin e Peterit në historinë e diasporës, shkëputa fjalët e At Arthur Liolin, Kancelar i Peshkopatës Ortodokse shqiptare në Amerikë dhe Dekan i Kryekishës së Shën Gjergjit në Boston, USA, në letrën e datës 21 gusht 1998 drejtuar të vëllait Naum Prifti:

“ Për mua, Peteri ka qenë një idhull që nga koha kur isha student në moshën e njomë. Me gjakftohtësinë e tij shkencore, largpamësinë e tij historike, aftësinë e tij si shkrimtar dhe dashurinë e tij si atdhetar, mbështeteshim në të për këshilla. Largimi i tij nga Bostoni na varfëroi shumë, dhe mbetet edhe sot një vend që nuk e zuri asnjeri tjetër.

Ishte Peteri që në një intervistë me Nolin, zbuloi mejtimin e Nolit që Kremtorja (Libri i Kishës), ishte vepra e tij që kërkoi më shumë energji dhe forcë mendore mbi të gjithë përkthimet e Peshkopit; si poet, si përkthyes, si gjuhëtar, si muzikant, si fetar. Kjo gjë vërteton Nolin jo vetëm si patriot që përdori kishën për qëllime atdhetare, (siç mendojnë disa), por se vërtet Zoti e vuri Nolin në shërbimin e Tij! Juaji At Arthuri

Akademiku Agron Fico (1934-2020) e cilësonte Peter Priftin si “një dukuri intelektuale, publike e shoqërore, që u rrit në mjedisin demokratik të Amerikës, në mjedisin e Fan Nolit dhe nolianëve të Vatrës dhe më gjerë.” Në vijim të nderimit ndaj tij vjen veprimtaria kushtuar disa dimensioneve të veçanta të Peter Prifti nën kujdesin e Akademisë Shkencore të Shqipërisë në datën 17 dhjetor 2025 https://akad.gov.al/

Foto nga arkivi i familjes: Festimi i 75 vjetorit të lindjes së Peter Priftit, Bruno Ristorante 1999

Foto Elias Mitchell, Imzot Noli, Andon Athanasi, Peter Prifti

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT