• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Zefi i vogël” e vërteta historike…

July 29, 2026 by s p

Prof. dr. Luan Tetaj/

Profesori Lush Culaj i dha vetes edhe një detyrë të vështirë të studimit të veprimtarisë atdhetare të Zefit të Vogël. Megjithatë, përvoja e tij e gjatë dhe librat e shumtë të botuar ia lehtësuan punën. Si një studiues i dalluar me përvojë mbi 30 vjeçare ai ishte i vetëdijshëm se për një studim sa më përmbajtësor duhen konsultuar materiale arkivore, libra, punime, përmbledhje dokumentesh si dhe shtypin e kohës.

Studiuesi Lush Culaj, duke e përgatitur këtë dorëshkrim për veprimtarinë e Zefit të Vogël, bëri përpjekje të suksesshme që ta prezantojë para opinionit shqiptar veprimtarinë sa më të kompletuar të tij. Qëllimi i studiuesit Culaj ishte që opinioni të informohet sa më objektivisht për këtë personalitet, për origjinën dhe të bëmat e tij. Gjithashtu, qëllimi ishte që të ofronte risi, gjëra të panjohura deri më tani. Në fakt, ky edhe është qëllimi i çdo libri shkencor. Për studiuesin Culaj, hulumtimi dhe studimi i personalitetit të Zefit të Vogël nuk mund të ishte i plotë pa shtjellimin e rrethanave shoqëroro-politike paraprake.

Natyrisht që Culaj nuk mund ta anashkalonte edhe kontributin e bashkëluftëtarëve të Zefit atë të Bajram Currit, Bajram Daklanit, Mahmut Zajmit etj., në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 në Kosovë.

Sipas studiuesit Culaj, pika kulmore do të ishte që në zbatim të vendimeve të Kuvendit të Junikut në krye të 200 kryengritësve shqiptarë hyri i pari në Shkup. Vënia në ballë të grupit të parë të kryengritësve për të sulmuar Shkupin, ku gjendej garnizoni i madh ushtarak osman ishte një guxim i rrallë. Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani me grupet e tyre prisnin ballafaqim të ashpër ushtarak. Ata nuk po shkonin në dasëm por në luftë. Fatbardhësisht ushtria osmane në qytet nuk bëri rezistencë, por Zefi i Vogël me bashkëluftëtarët e tij kishin shkuar të luftonin e po të ishte nevoja të vdisnin. Thuhej se kryengritësit u pritën si çlirues në stacionin e trenit nga mijëra qytetarë.

Në kryengritjet e viteve 1908-1912, Zefi i Vogël na del nga dokumentacioni i nduarndurshëm si një ndër udhëheqësit kryesor e në veçanti në kryengritjen e vitit 1912. Profesor Culaj konstaton me të drejtë se kur është fjala për kryengritjen e vitit 1912, për diplomacinë serbe në atë periudhë shqiptarët më të dëmshëm për serbët në Kosovë dhe politikën serbe ishin shqiptarët katolikë. Ndonëse ata ishin numerikisht shumë më të pakët, nuk ka dëshmi se bashkëpunuan me serbët. Edhe Serbia nuk ishte e interesuar të punonte me ta, sepse i quante vegël e Austro-Hungarisë. Në fakt, qoftë përmes ndikimit të arqipeshkvit Lazër Mjeda, qoftë kulturalisht shqiptarët katolikë ishin më afër Austro-Hungarisë, sesa Turqisë dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, armiku më i madh i Serbisë në periudhën në shqyrtim konsiderohej Austro-Hungaria. Zefi i Vogël së bashku me Bajram Daklanin dhe Hasan Hysen Budakovën drejtoi grupin e parë të kryengritësve që çliruan Shkupin më 11 gusht 1912. Culaj gjithashtu konstaton se ndër shumë veprime luftarake që kishte kryer Zefi i Vogël dhe çeta e tij, do të veçoheshin ato të zhvilluara gjatë kryengritjes së madhe shqiptare të vitit 1912. Edhe në kryengritjen e vitit 1919 në Kosovë, Zefi i Vogël ishte udhëheqës çete dhe pjesëmarrës aktiv në kryengritje. Për periudhën e kryengritjeve 1910-1912 jam kompetent të flas më shumë, sepse në librat e mia të botuara Zefi i Vogël në bazë të dokumentacionit më del si njëri ndër udhëheqësit kryesor të kryengritjeve.

Punimi i paraqitur është një përpjekje e Lush Culajt, studiues tashmë i njohur jo vetëm brenda kufijve shtetërorë, për ta trajtuar historinë politike të shqiptarëve në një hark kohor që përfshin periudhën që para Pavarësisë së Shqipërisë deri në vrasjen e Zefit të Vogël. Natyrisht, kontributi i Zefit në këtë periudhë kohore në kryengritjet 1910-1912, 1919 dhe Zonën Neutrale të Junikut ishte i madh. Tek pjesa e vrasjes së Zefit të Vogël, nuk jam marrë ekskluzivisht më këtë çështje, por shtruarja e problemit nga profesor Culaj më bind që ky është njohësi më i mirë i kësaj problematike. Ai me argumentet e shumta ofron dëshmi të pakontestueshme. Ndonëse shkenca mbetet gjithnjë e hapur, Culaj e ka arritur qëllimin plotësisht për t’i hequr damkën e tradhtisë Zefit të Vogël. Ky zaten ishte qëllimi kryesor i autorit që të thuhej e vërteta ashtu si ishte i pëlqen apo nuk i pëlqen dikujt. Zaten për këtë jemi të thirrur edhe si studiues. Temën e Zefit të Vogël e kemi hapur me mikun tim dhe studiuesin Culaj edhe në ndeja miqësore, në të cilat jemi pajtuar që personalitetet tona duhen trajtuar më anët pozitive dhe negative të tyre.

Autori, me këtë vepër, ka bërë një punë të vlefshme studimore për plotësimin e mozaikut në historiografinë shqiptare. Përfundimisht, mund të konstatoj se libri: Zef ( Kolë) Ndoka- Zefi i Vogël, përgatitur me kujdes nga profesori Lush Culaj, është me interes si për lexuesin e rëndomtë, për një publik më të gjerë, ashtu edhe për studiuesit e historisë dhe në mënyrë të veçantë për ata që janë të interesuar për zhvillimet e asokohshme politiko-shoqërore të përpjekjeve në rrafshin kombëtar.

Filed Under: Histori

Gjurmëve të historisë: Shqipëria dhe rajoni në hartografinë e shekullit XIX

July 29, 2026 by s p

​Prof.dr. Pal NIKOLLI/

Harta historike e titulluar “Map of ALBANIA” paraqet një dokument me vlerë të jashtëzakonshme hartografike dhe historike, i cili dokumenton gjeografinë, topografinë dhe organizimin administrativ të trevave shqiptare dhe rajonit përreth gjatë periudhës së Otomanizmit të vonë (kryesisht gjysmës së parë të shekullit XIX). Përmes një stili grafik mjaft të detajuar të gravurës në bakër apo çelik, kjo hartë nuk analizon vetëm kufijtë natyrorë, por sjell një pasqyrë të gjallë të raporteve gjeopolitike, rrugëve tregtare dhe ndarjeve administrative të kohës.

​Shtrirja gjeografike dhe fqinjësia rajonale.

​Në qendër të kësaj harte qëndron Shqipëria me hapësirën e saj natyrore e historike, e cila shtrihet nga malësitë e Malit të Zi dhe Kosovës në veri, deri në Gjirin e Ambrakisë (Artës) dhe ishujt e Detit Jon në jug. Ujërat e Detit Adriatik dhe atij Jon lagin të gjithë bregdetin perëndimor, ku dallohen qartë pikat kryesore detare si Gjiri i Drinit, Kepi i Rodonit, Kepi i Palit, Kepi i Gjuhëzës (Karaburuni), Gjiri i Vlorës, si dhe ishujt e Korfuzit, Paksosit, Lefkadës e Qefalonisë në jugperëndim.

​Relievi, hidrografia dhe ndarja administrative.

​Nga pikëpamja hartografike, relievi është realizuar përmes teknikës së vizimit të dendur (hachures), e cila pasqyron mjaft mirë thyerjen e madhe malore të trevave shqiptare. Në hartë evidentohen qartë vargmalet kryesore, si dhe nyjat hidrografike më të rëndësishme:

– Liqenet: Liqeni i Shkodrës (Lake of Scutari), Liqeni i Ohrit (Lake Ochrida) dhe Liqeni i Janinës (Lake of Joannina).

– ​Lumenjtë: Rrjeti i lumenjve që përshkojnë vendin nga lindja në perëndim, si Buna (Bojana), Drini i Bardhë e i Zi, Mati, Shkumbini, Semani (Apsus), Vjosa (Viosa) dhe Kalamasi (Thyamis).

​Në aspektin politik, legjenda e hartës bën me dije se rajoni pasqyron ndarjen e Pashallëqeve Shqiptare (The division of the Pashaliks). Kjo e vendos krijimin e kësaj harte në epokën kur figurat më të fuqishme lokale, si Ali Pashë Tepelena në jug (Pashallëku i Janinës) dhe Bushatllinjët në veri (Pashallëku i Shkodrës), gëzonin një shkallë të lartë autonomie faktike nga Perandoria Osmane. Përveç qendrave të mëdha si Shkodra (Scutari), Janina, Durrësi, Vlora e Prizreni, në hartë gjejnë vend edhe qytete me rëndësi historike si Kruja (Croia), Elbasani, Berati, Gjirokastra (Argyro Castro), Tepelena, Libohova, Preveza e Parga.

​Itinerari i theksuar: Rruga e udhëtarëve perëndimorë.

​Një element i veçantë që e bën këtë ekzemplar unik është vargu i pikave të verdha të vendosura përgjatë aksit verior-jugor. Këto shenja tregojnë itinerarin e veçantë të një udhëtari apo eksploruesi evropian (siç ishin William Martin Leake, François Pouqueville apo Henry Holland, të cilët vizituan dhe hartografuan rajonin në atë periudhë).

​Udhëtimi përshkon Shqipërinë nga malësitë e Shkodrës e Pukës, kalon përmes Mirditës, zbret në luginën e Shkumbinit pranë Elbasanit, vijon drejt Beratit, përshkon luginën e Vjosës e të Drinosit (Tepelenë, Gjirokastër, Libohovë) dhe përfundon në jug, në Janinë e rrethinat e Gjirit të Artës.

​Mënyra e matjes së distancave në legjendë, jo në milje apo kilometra, por me orë udhëtimi (The figures signify the number of hours), pasqyron më së miri vështirësinë e terrenit malor shqiptar të asaj kohe, ku udhëtimi bëhej kryesisht me kuaj ose në këmbë përgjatë shtigjeve të ngushta.

​Kjo hartë mbetet një dëshmi e çmuar vizuale e historisë shqiptare, duke dokumentuar jo vetëm gjeografinë fizike të rajonit, por edhe rëndësinë gjeopolitike që Shqipëria dhe trevat përreth kishin për vëzhguesit dhe udhëtarët perëndimorë gjatë shekullit të XIX-të.

Filed Under: Histori

Më 28 korrik 1922, Shqipëria u njoh zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nisi marrëdhëniet diplomatike

July 28, 2026 by s p

Akademia e Shkencave e Shqipërisë kujton sot një moment historik të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit: njohjen zyrtare të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1992.

Ky akt ndodhi vetëm pak vite pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, duke shënuar një hap vendimtar për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar në arenën ndërkombëtare. Njohja nga SHBA-të përfaqësonte një mbështetje të fuqishme për sovranitetin e vendit dhe një garanci për rrugëtimin e tij drejt afirmimit ndërkombëtar.

Në dhjetor të vitit 1922, ambasadori i parë amerikan në Shqipëri, Grant-Smith, nisi punën e tij në Tiranë, duke vendosur themelet e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane.

Ky moment u bë simbol i miqësisë dhe partneritetit strategjik që do të zhvillohej më tej ndërmjet dy vendeve, duke shënuar një kthesë të madhe në historinë e shtetit shqiptar, duke hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor me një nga fuqitë më të mëdha botërore.

Që prej asaj kohe, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane kanë qenë të mbështetura mbi vlera të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, duke kontribuar në forcimin e shtetit shqiptar dhe integrimin e tij në botën demokratike.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderon sot kujtimin e këtij akti historik, duke vlerësuar rëndësinë e tij për rrugëtimin e vendit drejt konsolidimit shtetëror dhe integrimit ndërkombëtar.

www.akad.gov.al

Filed Under: Histori

Si Italia sulmonte “Vatrën”: Bostoni që trembte Romën

July 27, 2026 by s p

Të gjitha grupimet shqiptare, pavarësisht konflikteve ndërmjet tyre, mbeteshin të palëkundura: “Për Italinë, në veçanti, tregoheshin të papajtueshëm në çështjen e Vlorës.”

Nga Rafael Floqi

Në vitet 1918–1920, për Italinë, “Vatra” nuk ishte thjesht një shoqatë emigrantësh shqiptarë në Boston. Ajo ishte një qeveri shqiptare pa territor, por me gazetë, diplomatë, financime dhe, mbi të gjitha, me hyrje në politikën amerikane. Pikërisht për këtë arsye Roma e ndiqte me vëmendje veprimtarinë e saj.

Dokumentet e botuara nga Ministria e Jashtme italiane provojnë se diplomacia italiane mblidhte të dhëna për drejtuesit e “Vatrës”, analizonte të kaluarën e tyre politike dhe përpiqej të ndikonte se cilët shqiptarë duhej të përfaqësonin Shqipërinë në Konferencën e Paqes.

Dokumentet italiane zbulojnë vëzhgimin e diasporës shqiptare nga Italia, lidhjet e saj me Washingtonin dhe betejën për shpëtimin e Shqipërisë. Ne librin e botuar me 1921 ‘Çështja e Adriatikut e parë që përtej Atlantikut”, me autor Nicola Zanichelli dalin fakte sesi Italia e mbikëqyrte veprimtarinë e Vatrës.”

Në vitet 1917–1920, Federata Panshqiptare “Vatra” u shndërrua në një nga pengesat më serioze ndaj planeve italiane për kontrollin e Vlorës dhe vendosjen e Shqipërisë nën ndikimin e Romës. Përplasja nuk ishte thjesht një luftë propagandistike ndërmjet një organizate emigrantësh dhe një Fuqie të Madhe. Në qendër të saj qëndronin kontrolli i Adriatikut, Traktati i Fshehtë i Londrës dhe mbijetesa politike e shtetit shqiptar.

Një dokument italian i kohës, në kapitullin “Marrëdhëniet tona me shqiptarët e Amerikës”, na lejon ta shohim këtë konflikt nga këndvështrimi i vetë palës italiane. Teksti është i mbushur me paragjykime dhe cilësime fyese ndaj shqiptarëve, Fan Nolit dhe Vatrës. Por pikërisht nervozizmi i autorit zbulon rëndësinë që Italia i kushtonte veprimtarisë së diasporës shqiptare.

Italianët numëronin anëtarët e Vatrës, ndiqnin zgjedhjet e saj, lexonin “Diellin”, regjistronin votat për memorandumet, raportonin takimet e Nolit, analizonin lidhjet me Crane, Williams, House dhe senatorët amerikanë.

Ky nuk ishte interes i zakonshëm diplomatik. Ishte mbikëqyrja e një kundërshtari politik.

Dokumenti dëshmon se Roma ndiqte me vëmendje mbledhjet, zgjedhjet, memorandumet, telegramet, konfliktet e brendshme dhe lidhjet amerikane të Vatrës. Edhe pse autori përpiqet ta zhvlerësojë veprimtarinë shqiptare, ai pranon pa dashje se diaspora kishte ndërtuar një rrjet të jashtëzakonshëm politik dhe informativ.

Njëqind mijë shqiptarë që bllokuan diplomacinë italiane

Sipas vlerësimit të burimit italian, në Shtetet e Bashkuara jetonin rreth njëqind mijë shqiptarë. Pjesa më e madhe ishte vendosur në New England, por komunitete shqiptare kishte edhe në Michigan, Ohio, Missouri, Indiana, Montana, California dhe Washington.

Autori italian i përshkruante kolonitë shqiptare si: “Ishuj të vegjël etnikë në detin e gjerë të qyteteve amerikane.”

Megjithëse përdor një ton përçmues, ai pranonte se shqiptarët e Amerikës kishin zhvilluar një vetëdije të jashtëzakonshme politike. Sipas tij, ata ishin, pa përjashtim: “Kafshë politike të mirëfillta, edhe kur konkretisht ishin analfabetë.”

Pas këtij formulimi fyes fshihej një pranim i rëndësishëm: emigrantët shqiptarë, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike apo arsimimit, ndiqnin me pasion çështjen kombëtare. Ata dhuronin para, mbanin mbledhje, botonin gazeta, dërgonin telegrame dhe krijonin lidhje me politikanë amerikanë.

Burimi italian vëren me habi se: “Çdo shqiptar, sado i varfër, gjen gjithmonë një dollar për ta dhënë për një qëllim politik.”

Kjo aftësi për të mbledhur fonde dhe për t’i shërbyer çështjes shqiptare e bënte diasporën një faktor politik. Italia nuk po përballej vetëm me një numër të vogël intelektualësh, por me një komunitet të mobilizuar që mund të ushtronte ndikim në Shtetet e Bashkuara.

Rrjeti shqiptar i informacionit

Autoritetet italiane ishin veçanërisht të shqetësuara nga shpejtësia me të cilën shqiptarët shkëmbenin informacion. Dokumenti pranon se kolonitë shqiptare kishin:

“Një shërbim të habitshëm informacioni.”

Më tej, autori e përshkruante këtë si: “Një shqisë të gjashtë, pothuajse si ajo e milingonave, për t’i komunikuar njëra-tjetrës lajmet, për t’u mbledhur në kuvende dhe për të udhëtuar për qëllime politike.”

Ky përshkrim tregon se Italia e ndiqte diasporën shqiptare si një rrjet politik ndërkombëtar. Shqiptarët në Boston, Worcester, New Bedford, Cleveland apo Michigan ishin në kontakt me bashkatdhetarët në Londër, Paris, Bernë, Zyrih, Vjenë, Sofje dhe Shqipëri.

Dokumenti italian shprehte habinë se si: “New Bedfordi, Portlandi ose cilido qytet i vogël i Indianës apo Ohios dinte se çfarë bënin shqiptarët e tjerë në Londër dhe në Paris.”

Këto lidhje e bënin të vështirë që planet për copëtimin e Shqipërisë të mbeteshin të fshehta. Informacioni për marrëveshjet diplomatike, lëvizjet e delegacioneve dhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha qarkullonte shpejt ndërmjet diasporës dhe atdheut.

Sipas dokumentit: “Çdo komitet i vogël dhe çdo gazetushkë lëshonte memorandume, hartonte projekte dhe dërgonte telegrame e kabllograme.”

Telegramet u drejtoheshin ambasadorëve, senatorëve, personaliteteve me ndikim, kryetarëve të shteteve dhe Fuqive ndërluftuese. Me fjalë të tjera, emigrantët shqiptarë kishin ngritur një diplomaci paralele në një kohë kur shteti shqiptar nuk kishte përfaqësim të fuqishëm.

Përse Vlora ishte zemra e konfliktit

Për Italinë, Vlora ishte çelësi strategjik i Adriatikut. Gjiri i Vlorës, Sazani dhe Karaburuni kontrollonin Ngushticën e Otrantos, hyrjen nga Mesdheu në Adriatik.

Traktati i Fshehtë i Londrës, i nënshkruar më 26 prill 1915, i premtonte Italisë Vlorën, Sazanin dhe territore përreth. Shqipëria e mbetur do të kthehej në një shtet të dobët, të varur nga Roma dhe të rrethuar nga fqinjët që kërkonin territoret e saj.

Për Vatrën, Vlora nuk ishte vetëm një port ose bazë detare. Ishte qyteti ku ishte shpallur Pavarësia më 28 nëntor 1912. Humbja e saj do ta zhvlerësonte aktin themelues të shtetit shqiptar.

Burimi italian e pranonte se çështja e Vlorës i jepte Vatrës dhe Nolit një argument të fuqishëm patriotik. Ai e quante atë:

“Çështja e përhershme dhe e debatuar e Vlorës.”

Madje, autori detyrohej të pranonte se të gjitha grupimet shqiptare, pavarësisht konflikteve ndërmjet tyre, mbeteshin të palëkundura: “Për Italinë, në veçanti, tregoheshin të papajtueshëm në çështjen e Vlorës.”

Në një pjesë tjetër ai pohonte: “Është e drejtë të kujtohet se ata e ruajtën gjithmonë, pa ndryshim, rezerva pёr Vlorën dhe qëndruan konsekuentë deri në fund.”

Ky është ndoshta pranimi më i rëndësishëm i dokumentit. Italia mund t’i shfrytëzonte përçarjet ndërmjet Vatrës dhe Partisë Kombëtare Shqiptare, por nuk mund t’i bindte shqiptarët të hiqnin dorë nga Vlora.

Si e ndiqte Italia Vatrën

Dokumenti dëshmon se përfaqësuesit italianë ndiqnin thuajse çdo veprim të Vatrës: mbledhjet, zgjedhjet, memorandumet, diskutimet e brendshme, përplasjet me grupet kundërshtare dhe lidhjet me politikanët amerikanë.

Në korrik 1918, Vatra zhvilloi zgjedhjet për drejtimin e saj. Burimi italian jep hollësi jo vetëm për rezultatin, por edhe për mbledhjet e komisioneve të financave, shtypit, marrëdhënieve politike dhe korrespondencës.

Arbëreshi që ndihmoi në përgjimin e “Vatrës” ishte Giorgio La Piana (Gjergj La Piana), studiues dhe klerik arbëresh, i cili më vonë u bë profesor në Harvard Divinity School.

Sipas materialeve të nxjerra nga arkivat amerikane, gjatë hetimit të vitit 1918 autoritetet amerikane vendosën aparate dëgjimi:

në zyrat e “Vatrës”;

në dyqanin e Kristo Kirkës;

pranë mjediseve të Fan Nolit.

Meqë agjentët amerikanë nuk kuptonin shqip, ata kërkuan përkthyes. Giorgio La Piana ndihmoi në dëgjimin dhe përkthimin e bisedave të regjistruara në shqip. Krahas tij u përdorën edhe aktivisti greko-shqiptar Liolion dhe motrat Qiriazi.

Pra, La Piana nuk ishte agjent zyrtar i shërbimit sekret italian. Më saktë, ai ishte arbëreshi që bashkëpunoi me autoritetet amerikane në mbikëqyrjen e “Vatrës” dhe Fan Nolit. Hetimi ishte nxitur nga akuzat e qarqeve greke dhe italiane se “Vatra” financohej nga Austro-Hungaria—akuzë që synonte ta paraqiste organizatën si të lidhur me një shtet armik të SHBA-së.

Ai dinte madje çfarë dokumentesh ishin diskutuar me dyer të mbyllura. Një prej tyre ishte memorandumi kundër Italisë, i përgatitur me nismën e Fan Nolit dhe me bashkëpunimin e sekretarit Loni Kristo.

Dokumenti italian shkruante: “Ndër letrat dhe komunikimet e diskutuara ishte një memorandum i paraqitur Wilsonit kundër Italisë, me nismën e Nolit.”

Burimi ndiqte edhe polemikat rreth mënyrës se si ishte miratuar memorandumi, numrin e nënshkrimeve dhe votat kundër. Sipas tij, dokumenti mori më pak se dyzet nënshkrime dhe dymbëdhjetë vota kundër nga gjashtëdhjetë votues.

Informacionet italiane shkonin edhe më tej. Autori pohonte se Noli, i kritikuar për veprimin e tij, kishte thënë se ishte këshilluar nga: “Njerëz më të mëdhenj se ai.”

Pastaj paraqiten hamendësime për rolin e George Fred Williamsit, profesorit Monroe, George Herronit dhe kolonelit Edward House. Autori pretendonte se Williamsi mund të kishte qenë këshilltari ose hartuesi i memorandumit, ndërsa profesor Monroe mund ta kishte kërkuar dokumentin për t’ia paraqitur kolonelit House.

Edhe kur këto pohime nuk shoqërohen me prova përfundimtare, ato tregojnë se qarqet italiane kërkonin të zbulonin rrugën që ndiqnin memorandumet shqiptare deri në Shtëpinë e Bardhë.

Noli, Vatra dhe Charles R. Crane

Vatra ishte njohur ligjërisht në Shtetet e Bashkuara si Federata Panshqiptare. Megjithëse kishte rreth pesëqind anëtarë formalë, dokumenti italian pranonte se ajo ishte: “Shumë më e fuqishme nga sa mund të mendohej duke parë numrin e vogël të anëtarëve.”

President nderi i saj ishte Charles R. Crane nga Chicago, një personalitet amerikan me lidhje të gjera politike, diplomatike dhe arsimore. Crane kishte shërbyer në Kinë, ishte dërguar në Rusi në emër të presidentit Wilson më 1917 dhe ishte prej kohësh anëtar i bordit të Robert College në Kostandinopojë.

Për diplomacinë italiane, lidhja e Vatrës me Crane ishte alarmuese. Ajo tregonte se çështja shqiptare mund të arrinte në nivelet e larta të politikës amerikane. I biri i tij Charles Crane punonte ne administratën e Presidentit Wilson.

Një figurë tjetër e rëndësishme ishte George Fred Williams, ish-ministër amerikan në Greqi, i njohur për mbrojtjen e shqiptarëve. Dokumenti italian e quante atë: “Këshilltarin dhe frymëzuesin e fshehtë të veprimeve më të guximshme të Nolit.”

Ky cilësim mund të jetë pjesë e interpretimit polemik të autorit, por dëshmon frikën se Vatra nuk vepronte e izoluar. Ajo kishte krijuar një rrjet amerikan mbështetjeje që përfshinte diplomatë, profesorë, senatorë dhe aktivistë të çështjes shqiptare.

Noli në jahtin presidencial

Një nga episodet më domethënëse të raportuara nga burimi italian lidhet me praninë e Nolit në një udhëtim presidencial në lumin Potomac.

Sipas dokumentit, George Herron kishte shërbyer për një kohë të gjatë si ndërmjetës i Nolit. Më pas thuhet: “Një ditë Noli u shfaq në jahtin presidencial gjatë një udhëtimi në Potomac.”

Prania e tij, sipas autorit, shkaktoi habinë e ambasadorëve të Italisë dhe Britanisë së Madhe, të cilët ndodheshin aty dhe e raportuan menjëherë ngjarjen. Ky episod, pavarësisht mënyrës polemike se si paraqitet, tregon se qarqet diplomatike italiane vrojtonin deri edhe kontaktet shoqërore të Nolit me njerëzit pranë administratës Wilson.

Shqetësimi nuk lidhej vetëm me faktin se Noli mund të takohej me zyrtarë amerikanë. Problemi ishte se ai mund t’u paraqiste drejtpërdrejt çështjen shqiptare njerëzve që ndikonin mbi politikën e presidentit.

Dokumenti pohonte gjithashtu: “Memorandumi iu paraqit Wilsonit nga disa senatorë demokratë.”

Pra, Vatra nuk kufizohej në protesta brenda komunitetit shqiptar. Ajo po përdorte institucionet e demokracisë amerikane për të çuar kërkesat e Shqipërisë deri te presidenti.

Italia lexonte “Diellin” çdo ditë

Gazeta “Dielli” ishte një nga mjetet kryesore të betejës politike të Vatrës. Ajo denonconte Traktatin e Londrës, pretendimet italiane mbi Vlorën dhe çdo projekt për vendosjen e Shqipërisë nën protektoratin e Romës.

Dokumenti italian dëshmon se shkrimet e “Diellit” ndiqeshin rregullisht. Autori ankohej se Italia vazhdonte t’i besonte Vatrës, ndërkohë që: “Çdo ditë në ‘Dielli’, organi i përditshëm i Vatrës, lexoheshin sulmet më të rënda kundër Italisë dhe italianëve.”

Ky pohim tregon se shtypi shqiptar në Amerikë kontrollohej dhe analizohej nga përfaqësuesit italianë. Artikujt nuk konsideroheshin thjesht shprehje të një komuniteti emigrantësh. Ata shiheshin si pjesë e një fushate që mund të ndikonte opinionin publik amerikan.

Italia përpiqej ta paraqiste “Diellin” si një organ të verbër antiitalian. Në thelb, megjithatë, gazeta kundërshtonte politikën territoriale të qeverisë italiane dhe jo popullin italian.

Për Romën, rreziku ishte i qartë: argumentet e “Diellit” mund të bindnin amerikanët se Italia, ndonëse aleate në luftë, po përpiqej të realizonte një projekt kolonial në Shqipëri.

Kol.Castoldi dhe përpjekja për ta kontrolluar Vatrën

Qarqet italiane nuk u mjaftuan vetëm me vëzhgimin. Ato u përpoqën të ndikonin në drejtimin politik të Vatrës.

Koloneli Castoldi, i cili në Ministrinë e Jashtme italiane merrej me çështjet shqiptare, i dërgoi urime Kostë Tromarës pas zgjedhjes së tij si president i Vatrës.

Ky veprim shkaktoi habi te gazeta “Albania”, (2) organ i kombëtarëve që botohej në Zvicër. Ata e interpretuan si provë se Italia po përpiqej të siguronte ndikim mbi drejtimin e Federatës. Ambasadori italian zhvilloi më pas një bisedë me Tromarën. Sipas dokumentit, Tromara u shpreh i gatshëm të shqyrtonte një mirëkuptim italo-shqiptar. Por ambasadori kërkoi që ai të paraqiste me shkrim: “Qëndrimin aktual të Vatrës, kërkesat për përfaqësuesin në Itali dhe vijën që ‘Dielli’ do të ndiqte ndaj Italisë.”

Kjo kërkesë ishte, në thelb, një përpjekje për të zbuluar dhe ndikuar politikën e ardhshme të Federatës dhe të organit të saj.

Përgjigjja e Tromarës nuk ishte ajo që Roma priste. Vatra pranonte se një mirëkuptim italo-shqiptar mund të ishte i dëshirueshëm, por vendoste kushte të rënda:

largimin e Esad Pashës nga kombinimet politike;

hedhjen poshtë të Traktatit të Londrës;

bashkimin e Kosovës dhe Çamërisë me Shqipërinë;

mosprekjen e Vlorës.

Ambasadori italian raportoi në Romë më 8 nëntor 1918: “Ai dikton kushte dhe nuk merr përsipër asnjë angazhim.”

Ky raport tregon se Italia nuk arriti ta shkëpuste Vatrën nga programi i saj kombëtar.

Telegrami drejtuar Wilsonit

Më 29 dhjetor 1918, Vatra organizoi një miting ku folën George Fred Williams dhe Fan Noli. Në këtë mbledhje u vendos të kërkohej mbështetja amerikane kundër politikës italiane.

Më 5 janar 1919 u njoftua se Mehmet Konica, Mid’hat Frashëri, Mihal Turtulli, Fan Noli dhe figura të tjera do të niseshin drejt Konferencës së Paqes në Paris.

Edhe kundërshtarët e Vatrës nuk qëndruan pasivë. Më 11 janar 1919, Kristo Dako, Mihal Grameno dhe Parashqevi Qiriazi i dërguan presidentit Wilson një telegram në emër të 80 mijë shqiptarëve të Amerikës:

“I drejtohemi Njeriut të Madh universal që të ndërhyjë pranë Qeverisë italiane.”

Në telegram kërkohej që Shqipëria të gëzonte: “Pavarësi të plotë, pa asnjë protektorat, brenda kufijve të saj etnografikë dhe natyrorë.”

Dokumenti italian e lidhte këtë telegram me frikën se Wilsoni mund të përpiqej t’i pajtonte Italinë dhe Jugosllavinë në kurriz të Shqipërisë.

Kështu, edhe përçarja e diasporës shqiptare kishte një kufi të pakalueshëm: as Vatra dhe as Partia Kombëtare Shqiptare nuk pranonin dorëzimin e Vlorës.

Apeli në Senatin amerikan

Në qershor 1919, shqiptarët e Amerikës e çuan çështjen përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Një komunikatë e datës 13 qershor 1919 deklaronte: “Shqiptarët nga të gjitha pjesët e botës po bëjnë një përpjekje të fundit dhe të dëshpëruar për ta shpëtuar vendin e tyre.”

Sipas komunikatës, Shqipëria rrezikonte: “Ndarjen ndërmjet Italisë, Greqisë dhe Serbisë.”

Apeli iu paraqit senatorit Henry Cabot Lodge, kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, nga George A. Plimpton, S. Arthur Baldwin dhe Kristo Dako. Teksti iu dërgua me kabllogram edhe presidentit Wilson në Paris.

Ky veprim shpjegon përse Italia e ndiqte kaq nga afër diasporën. Çështja shqiptare kishte kaluar nga mbledhjet e emigrantëve në një komision të fuqishëm të Senatit amerikan.

Italia e kishte kuptuar fuqinë e diasporës shqiptare

Dokumenti italian përpiqet vazhdimisht ta zhvlerësojë veprimtarinë shqiptare duke folur për “utopizëm”, “shovinizëm” dhe ndikime të huaja. Megjithatë, në një çast sinqeriteti, autori pranon:

“Është e vështirë të mbivlerësohet pesha e njëqind mijë shqiptarëve amerikanë.”

Kjo fjali shpjegon pothuajse gjithçka.

Diaspora kishte peshë jo vetëm për shkak të numrit, por për shkak të organizimit, financimit dhe vendndodhjes së saj. Shqiptarët jetonin në një vend që po hynte si faktor vendimtar në politikën botërore.

Ata kishin mundësi t’u shkruanin senatorëve, të botonin në shtypin amerikan, të organizonin peticione, të financonin delegatë dhe t’i drejtoheshin presidentit. Shqipëria mund të ishte e pushtuar, por çështja shqiptare nuk mund të izolohej.

Nga mbikëqyrja te dështimi italian

Italia e vëzhgoi Vatrën, analizoi “Diellin”, ndoqi memorandumet, raportoi takimet e Nolit dhe kërkoi të shfrytëzonte përçarjet brenda diasporës. Ajo u përpoq të siguronte bashkëpunimin e drejtuesve shqiptarë, por pa hequr dorë nga Vlora dhe përfitimet e Traktatit të Londrës.

Këtu qëndronte kontradikta themelore e politikës italiane: Roma kërkonte mirëkuptimin e shqiptarëve, ndërsa njëkohësisht këmbëngulte të mbante qytetin që simbolizonte pavarësinë e tyre.

Vatra nuk e rrëzoi e vetme projektin italian. Vendimtare ishin edhe kundërshtimi i Wilsonit ndaj marrëveshjeve të fshehta, Kongresi i Lushnjës, mobilizimi kombëtar dhe Lufta e Vlorës.

Por Vatra luajti një rol të pazëvendësueshëm: ajo e mbajti çështjen shqiptare të hapur në Shtetet e Bashkuara dhe e shndërroi Vlorën nga një pretendim territorial italian në një provë të parimeve të shpallura nga Wilsoni.

Përfundim

Italia e luftonte Vatrën sepse Vatra godiste në zemër të strategjisë italiane për Adriatikun. Federata kundërshtonte pushtimin e Vlorës, protektoratin italian dhe Traktatin e Fshehtë të Londrës. Ajo kishte gjithashtu atë që Shqipërisë së pushtuar i mungonte: lirinë për të folur, mjete financiare, shtypin, organizimin dhe lidhjet me politikën amerikane.

Italianët numëronin anëtarët e Vatrës, ndiqnin zgjedhjet e saj, lexonin “Diellin”, regjistronin votat për memorandumet, raportonin takimet e Nolit, analizonin lidhjet me Crane, Williams, House dhe senatorët amerikanë. Ky nuk ishte interes i zakonshëm diplomatik. Ishte mbikëqyrja e një kundërshtari politik.

Italia kishte ushtrinë, flotën dhe bazat në Adriatik. Vatra kishte fjalën, diasporën dhe hyrjen në Washington. Në fund, Vlora mbeti shqiptare dhe projekti i copëtimit dështoi.

Për Italinë, Vlora ishte porta e Adriatikut. Për Vatrën, ajo ishte porta e pavarësisë.

Në thelb, Italia nuk e ndiqte “Vatrën” nga kureshtja. Ajo mbronte një projekt gjeopolitik. Sipas Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915, Roma pretendonte Vlorën, ishullin e Sazanit dhe një pozitë kontrolluese mbi Shqipërinë.

“Vatra” i prishte këtë skemë në tri drejtime: e demaskonte në shtypin amerikan, mobilizonte diasporën dhe përpiqej ta kthente çështjen shqiptare në problem moral për presidentin Wilson.

Prandaj emrat e vatranëve regjistroheshin, e kaluara e tyre politike analizohej dhe delegatët e tyre përpiqeshin të zëvendësoheshin. Italia kishte anije përballë Vlorës; “Vatra” kishte gazetën, memorandumin dhe derën e Uashingtonit.

Dhe, në fund, Roma kuptoi se një shoqatë emigrantësh në Boston mund të ishte po aq e rrezikshme për planet e saj sa edhe një ushtri në brigjet e Vlorës.

Filed Under: Histori

Kujtojmë në përvjetorin e lindjes gjuhëtarin austriak dhe albanologun Maximilian Lambertz

July 27, 2026 by s p

Më 27 korrik 1882 lindi Maximilian Lambertz, një gjuhëtar dhe folklorist austriak, një nga personalitetet më të shquara të albanologjisë, i cili ia kushtoi jetën studimeve të gjuhës, folklorit dhe kulturës shqiptare. Lambertz shfaqi interes për shqipen që në fillim të shekullit XX. Pas kontaktit të parë me këtë gjuhë në vitin 1906 në Atikë të Greqisë, ai e ktheu studimin e shqipes në mision jetësor. Puna e tij kërkimore nisi konkretisht më 1913–1914, gjatë një udhëtimi në fshatrat arbëreshe të Italisë, ku mblodhi një fond të pasur të dhënash dialektore dhe folklorike.

Studimi i tij i parë “Albanische Mundarten in Italien” ofroi një hartë të detajuar të ngulimeve arbëreshe dhe hapi një kapitull të ri në dialektologjinë shqiptare. Ai theksoi rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve si dëshmi e shqipes mesjetare. Ky pasion për dialektet shqiptare u shtri në një mori punimesh shkencore, përfshirë edhe një monografi të gjerë mbi dialektet arbëreshe të Molizes.

Lambertz ishte pjesëmarrës aktiv në Komisinë Letrare Shqipe, ku dha kontribut të vyer në formësimin e gjuhës së përbashkët dhe drejtshkrimit të shqipes. Veprat e tij përfshijnë edhe studime të rëndësishme në fushën e sintaksës, si dhe një sërë botimesh për mësimin e gjuhës shqipe, përfshirë një kurs të plotë në tre vëllime dhe një antologji të letërsisë shqiptare me përkthim në gjermanisht.

Në veprën e tij “Studime Arbëreshe”, Lambertz shprehet se ndarja e shqipes në gegërishte dhe toskërishte është më shumë sipërfaqësore sesa thelbësore, duke theksuar: “Vetëm suvaja e dy pjesëve të kësaj ndërtese është e ndryshme.”

Në fushën e folklorit shqiptar, ai la vepra monumentale si “Die Volkspoesie der Albaner” (1917), “Albanien erzählt” (1956) dhe “Die Volksepik der Albaner” (1958), duke përfshirë ciklin epik të kreshnikëve dhe mitologjinë shqiptare.

Për përkthimin e veprave madhore si “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës dhe drama “Toka jonë” e Kolë Jakovës, ai fitoi respekt të gjerë. Pas vdekjes së tij më 26 gusht 1963 në Leipzig, u botua edhe punimi “Mitologjia shqiptare” në veprën kolektive “Wörterbuch der Mythologie”.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në studimet albanologjike, Maximilian Lambertz u dekorua me “Urdhrin e Flamurit” nga shteti shqiptar.

Dorëshkrimet e tij përbëjnë një burim me vlerë për studiuesit e shqipes. Trashëgimia e Lambertzit është jo vetëm shkencore, por edhe kulturore dhe kombëtare një homazh i përjetshëm për pasurinë gjuhësore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

www.akad.gov.al

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 737
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT