• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tabloja “Lord Bajroni me truprojën e tij suliote”

June 22, 2023 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Lord Bajroni, përfaqëson një dukuri të veçantë në qytetërimin perëndimor. Heroi Bajronian që ai krijoi paraqet jo vetëm klithmën e ndryllur prej shekujsh për liri individuale e kolektive por edhe pikëllimin e madh të shekullit për mos përmbushjen e këtyre të drejtave themelore. Fundi i shekullit të XIX dhe fillimi i shekullit të XIX ka një veçanti që shfaqet për herë të parë në mendimin europian që nga Roma e lashtë. Natyra, forca dhe bukuria e saj zevëndëson arsyen dhe racionalitetin e shekullit të XVII. Mirëpo natyra te Bajroni nuk është si të Wordsworth që përdëllohet e mahnitet nga lulet narcis apo zambakët e ujit por është një aspekt i rëndësishëm që përmbush dhe realizon ëndrrat e heronjve të vet. Kështu p.sh në poemën i “Burgosuri i Shilonit” , heroi kryesor harron vuajtjet e veta vetëm sepse përmes hekurave të dritares së burgut shikon panoramën e maleve të Zvicrës dhe bukurinë e liqenit. Këto karekteristika të veçanta të artit dhe personalitetit të tij bënë të mundur që qysh në gjallje të tij , Bajroni të krijonte një audiencë të gjerë dhe pasues të shumtë. Një pjesë e madhe e bashkëkohësve të tij pavarësisht profesionit që kishin iu bashkangjitën idesë së tij për ringjalljen e Greqisë dhe krijimin e Komitetit për lirinë e Greqisë. Mes personaliteteve të shumtë kulturorë që morrën pjesë në këtë komitet, ishte dhe William Parry me profesionin inxhinier dhe që e shoqëroi Bajronin deri në Mesolongj. Një vit pas vdekjes së Bajronit ai botoi librin “Ditët e fundit të Bajronit”, ku përshkruan momentet e fundit të Bajronit dhe jetën e 600 luftëtarëve suliotë që e shoqëronin atë. Në atë kohë Mesolongji ishte një qytet fare i vogël dhe i varfër me 3000 banorë. Ishte i papastër i pa sistemuar plot mjerim , i ndërtuar mbi baltë e pellgje i rrethuar nga këneta të cilat mund të quhen brezi i vdekjes. Banesa ku zuri vend Bajroni ishte fare e thjeshtë megjiatë ajo u bë shtabi i kryengritjes për disa muaj.(Afrim Karagjozi. Bajroni. Plejad:2009, fq 261). Mirëpo përveç përshkrimeve shumë të rëndësishme dhe autentike për momentet fundit të Bajronit në librin “Ditët e fundit të Bajronit”të William Parry (London: Printeted for Knight and Lacey, 1825), janë botuar dhe tre ilustrime nga piktori i njohur dhe ilustruesi i talentuar Robert Seymur (1798 – 20 April 1836). William Parry ishte shoqëruesi i Bajronit në përpjekjen e tij për të formuar një batalion kryengritësish suliotë në revoltën greke ndaj Perandorisë Osmane në 1824.

Ai njihet si ilustrues i disa kryeveprave të letërsisë angleze dhe botërore si “Klubi Pikuik” i Dikensit apo dhe ilustrimet e disa kryeveprave të tjera botërore. Tabloja e parë titullohet “Largimi i Bajronit nga Tepelena me truprojën e nderit të Ali Pashë Tepelenës (1825) ose “Lord Bajroni me truprojën e tij suliote”. Tabloja është imagjinare dhe në rastin kur mendohet se është largimi i Bajronit nga Tepelena çuditërisht tabloja korrospondon me panoramën e pikturuar. Në tablo shquan rrjedha e lumit të Vjosës, dhe duket se është porta kryesore e quajtur porta e pashait. Nuk ka mundësi që të jetë Mesolongji, pasi ai është një port i vogël kurse panorama e pikturuar pasqyron terren malor. Shpesh herë ilustruesit e mëvonshëm të veprave të romantikëve dhe udhëtarëve vepronin mbi skica të hartuara nga udhëtarë më të hershëm që kishin vizituar vendet për të cilat bëhej fjalë. Në skicë janë pasqyruar katër topa topa dhe dhe dy ushtarë. Njëri nga ta tregon me dorë , kurse tjetri pi duhan me një pipë të gjatë. Ata janë të veshur ndoshta si artilierë, pasi nuk kanë rroba tradicionale shqiptare të identifikuara lehtë nga fustanella. Prania e artilierisë në skicë dëshmon për një element të rëndësishëm të ushtrisë së Ali Pashë Tepelenës. Ali Pashë Tepelena mund të blinte dhe të importonte nga shtete të ndryshme evropiane armatime, municione dhe pajisje të ndryshme ushtarake të shumta. Në pashallëkun e Janinës u zhvillua arma e artilerisë, xhenios, si dhe e zbulimit. Ushtria zotëronte një park artilerie me 500 gryka zjarri. Ali Pasha ngriti edhe një uzinë ku në 1807 u prodhua mortaja e parë me cilësinë e mortajave bashkëkohore që prodhoheshin në Evropë.(Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Ushtria e Ali Pashë Tepelenës. Gazeta Telegraf. 25 Janar, 2017).

Bajroni i takoi suliotët gjatë udhëtimit të tij të parë në Shqipëri e Greqi në 1809 dhe gjatë udhëtimit të tij të dytë në Greqi në 1823-1824. Ai i admiroi aftësitë ushtarake të shqiptarëve dhe shkroi me simpati për ta. Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më vodhën gjësendë, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”Po kështu në shënimet e poemës “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj ai shkruan për një moment kur qëndron në një vendpushim dhe suliotët i marrin këngës dhe valles rreth zjarrit. Bajroni përshkruan një vendqendrim në Lutraki në Greqi, ku ai i shoqëruar nga 50 trupa shqiptarësh dhe arvanitësh po udhëtonte drejt Tripolicës për të takuar Veli Pashën, djalin e Ali Pashë Tepelenës. Aty rreth zjarrit dhe natën pasi hëngrën dhe pinë verë, shoqëruesit shqiptarë u ngritën dhe ia morrën valles. Bajroni në shënime shkruan : “Nata ishte e errët, por në flakëritjen e zjarrit të kapte syri një korije, ca shkëmbinj dhe një liqen, të cilët tok me pamjen e egër të valltarëve të ngjante me një tablo që mund të kishte qenë piktura më e bukur e ndonjë piktori të tipit të autorit të Misterit të Udalfit”. …Dhe ndërsa e mërmërisnin këtë këngë, vinin rrotull zjarrit, uleshin në gjunjë, hidheshin lart dhe vini rrotull, kurse kori përsëriste fjalët.Fëshfërima monotone e valëve mbi guralecë në buzë të detit, ku ishim ndarë në grupe, mbushte menjëherë intervalet e heshtjes së këngëve me butësi dhe thyente monotoninë e tingujve. Më vonë, piktorët H.Waren dhe W.Finden që realizuan ilustrimet e poemës “Shtegtimet e Childe Harold” në 1830, realizuan këtë gravurë të luftërarëve shqiptarë duke vallëzuar. Ata e quajtën “Vallja Suliote” duke dëshmuar se edhe pas kaq vitesh imazhi romantik i suliotëve ende gjallonte në artin europian. Në ditarin e vet në 10 tetor të vitit 1823 , Bajroni në Mesolongj shkruante për sulitotët se : Suliotët, këtu e gjetkë që janë, më kanë në zemër ose, së paku kanë krijuar një lloj miqësie të re me mua(meqë u kam ndihmuar si atyre edhe familjeve të tyre , mesa munda sipas rrethanave), prandaj është afër mendjes se kanë dëshirë të madhe që të bëhem kryeprijësi i tyre(nëse mund ta them kështu). Tani për tani s’do ta doja diçka të tillë , meqë ka mjaft përçarje dhe prijës. Por në qoftë nevoja, pse jo? Suliotët njihen sot për sot si luftëtarët më të mirë dhe besnikë, kështu që, ka të ngjarë që të jem i detyruar ose të kem dëshirë, ose nevojë, që ta kem përkrahjen e burrave të tillë , me ndihmën e të cilëve, siç ma thotë mendja, do të mund të bëhej diçka si në Greqi ashtu dhe jashtë saj(meqë kudo ka mjaft padrejtësi për të zhdukur).(Abdullah Karjagdiu, Bajroni dhe shqiptarët, fq 128, tezë e doktoraturës). Siç shikohet koncepti i lirisë te Bajroni nuk ishte i lidhur ngushtë vetëm me lirinë e Greqisë por ai mendonte për një liri universale për parimet e së cilës duhej luftuar kudo në Europë. Sulitoët, për të cilët ai shkruante në ditarin e vet më 28 shtator 1823 në Qefaloni se ishin një kastë ushtarake e të krishterëve ortodoksë shqiptarë (H.Spender. Byron and Greece, fq 226), i shikonte si detashment të lirisë romantike që po mbizotëronte gjithandej nëpër Europë.

Tabloja “Largimi i Bajronit nga Tepelena me truprojën e nderit të Ali Pashë Tepelenës (1825) ose “Lord Bajroni me truprojën e tij suliote” edhe pse është realizuar një vit më vonë se vdekja e Bajronit, dëshmon për ndikimin e madh që pati vepra “Shtegtimet e Childe Haroldit” dhe përshkrimi i shqiptarëve në mendimin evropian të kohës.

Bibliografia:

1- Abdullah Karjagdiu, Bajroni dhe shqiptarët. (tezë e doktoraturës)

2- Byron . Shënimet e Childe Harold. Tiranë 1973, përkthyer nga Skënder Luarasi.

3- H.Spender. Byron and Greece, 1924.

4- Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Ushtria e Ali Pashë Tepelenës. Gazeta Telegraf. 25 Janar, 2017.

5- William Parry . “Ditët e fundit të Bajronit”. London: Printeted for Knight and Lacey, 1825

Filed Under: Histori Tagged With: Dorian Koci

Jeronim De Rada – pararadhësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare (1814-1903)

June 21, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI/

Prejardhja dhe jeta 

“Stërgjyshët e mi qenë mbase pinjoj të Pietro Antonio Radës nga Arbëria” shkruan Jeronim De Rada në Autobiografi.

Jeronim De Rada është poet dhe autor/publicist shumë i njohur. U lind në Makia të Kalabrisë mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të  asaj kohës…

Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Rada nisi një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare. Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat lashtësia e kombit shqiptar (“Antichità della nazione albanase”, 1864) dhe Rapsodi të një poeme arbëreshe (“Rapsodie d’un poema albanese”, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare.

 Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes kombëtare i dha me revistën “Flamuri Arbrit”, që botoi në vitet 1883-1885. Në “Testamentin politik” (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve.

Në veprimtarinë gjuhësore të De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari (1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro (Kongreset gjuhësore arbëreshe). 

Dha me vetmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq.

De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare; ai është i pari që shkroi vepra me frymë kombëtare. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë dhe kudo shqiptarë bashkëkohës ishte i madh;. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara veprat e tij kryesore. Mban titullin “Mësues i Popullit”

Vepra dhe vlerat

Biografia e tij numëron deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjera për nga gjinia, por tek të gjitha me damarin e krijimtarisë, me ndjenja të thella dhe burimore të patriotizmit të lartë, për t’i shfaqur kështu si “fragmente zemre”; ose “copëza zemre” , si armë në  fushë-betejë për të sfiduar armiqtë e  Shqiptarëve dhe të Shqipërisë, me një fjalë: për të qenë vetvetja!. 

Edhe atëherë kur për disa njerëz apo rrethana kishte ide shumë të errëta dhe të paqarta, mos të themi të dyshimta,  Jeronim De Rada ishte dhe mbetet tejet i shquar dhe shumë i dalluar, unik, si “pionier” i etnicitetit arbëror dhe shqiptar:

  • si vazhdimësi e etnicitetit të më hershëm ilir dhe arbëror,  së pari nëpërmjet lashtësisë dhe autoktonisë, pra,  gjuhës, traditës, kulturës dhe qytetërimit tonë, pastaj edhe religjionit antik të krishterë prej Shën Palit dhe nxënësve të tij e deri në ditët tona; 
  • më pastaj kujtimeve të gjalla dhe shumë të fuqishme, frymëzuese kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit –   Skënderbeut dhe idealeve të tija për  rifitimit të lirisë dhe  pavarësisë, e, mbi të gjitha, rikthimi në qytetërimin e humbur apo edhe më qartë, të rrënjët  e lashta dhe të gjithmonë të gjalla. Thelbi i misionit dhe meritave të tija të pamohueshme janë këto: Jeronim  De Rada pas Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, imzot Pjetër Bogdanit, është vigani i historisë, kulturës dhe qytetërimit tonë ilir – arbëror dhe shqiptar, së pari për Arbëreshët e Italisë, pastaj edhe për të gjithë shqiptarët, në trojet e dikurshme etnike apo gjetiu. Kjo strategji dhe metodologji që t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, lashtësisë dhe autoktonisë, burimeve dhe frymëzimeve është gjithnjë e rëndësishme  dhe tejet aktuale.

Qortimi i tij profetik: O Shqiptarë, perandoria turko – otomane është një “cofëtinë” e madhe, e cila po mbaron, por nëse ne e lidhin fatin tonë me ata, atëherë ne do të hyjmë për së gjalli në varr me ata!!!

Atë Zef Valentini,  thotë se Jeronim De Rada e “nxori” prej varrit të robërisë dhe rrezikut të asgjësimit gjuhën, traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë të lashtë dhe aktual.

Me rastin e marrjes së çmimit “Jeronim de Rada” më 15 nëntor 2014,   për jetën dhe veprimtarinë e tij Ismail Kadareja thotë “…jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin evropian që letërsia shqipe ishte duke e humbur…De Rada ishte poet i madh dhe profet i së ardhmes”.

Ishte studiues i mirëfilltë dhe hulumtues i palodhshëm, gjithnjë në kërkim të mënyrës dhe formave të reja gjuhësore dhe përmbajtësore. Ajo çka mund të themi me siguri është fakti se me  shkrimet dhe poemat e tij ai s’ndihej kurrë plotësisht i kënaqur, pavarësisht se ishte i ndërgjegjshëm se bëhej fjalë për diçka të madhe. Ja pse shumica prej tyre, edhe pse të ripunuara shpesh, mbetën për të në gjendjen e tentativave të pakënaqura asnjëherë.

DISA POROSI JETËSORE TË JERONIM DE RADËS:

De Rada thoshte: “Në një shoqëri të organizuar, për të mirë, për kombin, për shtetin, njeriu ndihmon dhe ndihmohet nga të tjerët, në një rreth ku lulëzon dija dhe nderi”, duke theksuar se: “Ky organizim niset nga individi dhe shkon nëpër shkollat, në familje dhe arrin deri në shtet”. Prandaj, sipas Jeronim De Radës: “Shteti është organizëm që udhëhiqet nga ligjet (drejtësia), si shtresë e parë e jetës shoqërore, shtresë që shkon tej jetës së brendshme dhe individuale të njeriut”. Ai në mes të tjerash thoshte: “E mira dhe e keqja  janë si jeta dhe vdekja, janë dy skaje stabile ndërmjet të cilave lëviz dhe paraqitet bota trupore dhe ajo shpirtërore”.

De Rada së shpejti u nxitë që të botojë synimet, kërkesat, dëshirat, planet, aspiratat e kahershme të popullit tonë, si dhe të kohës përmes revistës “Fiamuri Arbërit” apo “La Bandiera Albanese”. Përmes kësaj reviste mujore mund të thuhet se ka origjinën zanafilla e shtypit shqiptar.  Ai përmes saj i bëri të njohur Evropës se ekziston një popull shqiptar me histori të lashtë dhe të lavdishme, martire, një gjuhë dhe tradita të forta, si parakusht që të  mund të aspironte pa frikë lirinë dhe pavarësinë e vendit të vetë, pra, edhe shtet-formimin si garanci e ruajtjes dhe zhvillimit të autoktonisë dhe lashtësisë, por edhe si përballje të suksesshme me batica dhe zbatica aktuale.

 Gazeta “L’Albanese d’Italia” qe një tribunë e fuqishme që kërkonte ringjalljen e atdheut të robëruar dhe pavarësinë e tij, ai merr përsipër të organizojë dy Kongrese Linguistike Arbëreshe, një më 1895, dhe një në 1897.

Jeronim de Rada e arriti kulmin e krijimtarisë së tij në vitin 1866 kur botoi në Firence “Këngët e Milosaos”. Ky libër përmban rapsoditë më të bukura shqiptare, të cilat autori i kishte mbledhur në kolonitë shqiptare të Kalabrisë dhe të Napolit. Këto këngë i patën sjellë me vete të shpërngulurit (arbëreshët) dhe u transmetuan gojë më gojë nga brezi në brez për katër shekuj. Pa të gjithë kjo begati dhe trashëgimi do të rrezikohej përgjithmonë. 

Jeronim de Rada ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo–shqiptar – arbëresh , themelues  dhe në një mënyrë edhe paraardhësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.  Aktivitetet e tij publicistike, letrare dhe politike, ishin thelbësore, jo vetëm për ndërgjegjësimin rreth minoritetit Arbëresh në Itali, por edhe për vendosjen e themeleve të një letërsie kombëtare shqiptare, me këtë, kuptohet edhe të vetëdijes dhe ndjenjës së përkatësisë së përbashkët gjithë-shqiptare.  Veprat e tij, në të cilat mbizotëron dashuria e zjarrtë për prejardhjen e tij, janë një dëshmi e mbijetesës së identitetit shqiptar, i vënë përballë sfidave të shumta gjatë historisë. 

Në vitin e revolucioneve në Evropë, 1848, De Rada themeloi gazetën Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), ku u përfshinë artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, me karakter ‘politik, moral e letrar’ e me një tirazh prej 3200 kopjesh ishte i pari periodik në gjuhën shqipe i botuar ndokund.

Emri i Jeronim  De Radës si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare u bë i njohur dhe u përhap në mesin e shekullit XIX. Ai mbajti letërkëmbim me figura të tilla udhëheqëse të lëvizjes së Rilindjes si Thimi Mitko, Zef Jubani, Sami Frashëri, shkrimtaren rumune me prejardhje shqiptare Dora d’Istria, si dhe me studiues dhe shkrimtarë të huaj të interesuar për Shqipërinë.

I mërzitur nga ngjarjet e vitit 1848, De Rada e la botimin e gazetës Shqiptari i Italisë (L’Albanese d’Italia), iku nga Napoli dhe u kthye në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Atje arriti të përfshijë gjuhën shqipe në programin mësimor, por më 1853, për shkak të bindjeve politike liberale, u pushua nga puna.

Më 1850 u martua me Madalena Melikion (Maddalena Melicchio) nga Kajberici (Cavallerizo) me të cilën pati katër fëmijë: Gjyzepe, Mikelangjelo, Rodrigo, Etore. Që të katër vdiqën sa qe gjallë poeti. Këto ishin vite të vështira  dhe tejet të pikëllueshme për De Radën. Më vonë i vdiqën gruaja dhe vëllezërit, ndërsa ai jetoi i vetmuar në fshatin e tij malor të Kalabrisë, pa ndonjë burim të ardhurash, pra, në vetmi dhe në varfëri. 

Në një çast dëshpërimi, asgjëson të gjithë përmbledhjen e këngëve popullore që i kishte mbledhur me dëshirë të flaktë vit pas viti. Më 1868 mori detyrën e drejtorit të shkollës së mesme të Garopolit në Koriliano Kalabro, detyrë kjo që do ta mbante për dhjetë vjet. Gjatë kësaj periudhe u shtypën një numër veprash të tjera të tij, pjesa më e madhe në italisht.

I vetmuar dhe i varfër, gjysmë i verbuar e në prag të urisë, De Rada vdiq në vendlindje në malësinë e Kalabrisë më 28 shkurt 1903 – një fund tragjik ky për një figurë të madhe të kulturës shqiptare. Mirëpo vepra e tij nuk do të vdesë kurrë

“Skënderbeu i pafaan”, një nga kryeveprat e De Radës, të cilën e mbajti në duar një kohë të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar që kishte frymëzuar veprën e De Radës. Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi, poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit, dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse.

Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet në luftë çlirimtare të pashoqe, t’i takonte, afronte dhe bashkonte principatat arbërore – shqiptare për formimin e shtetit të vogël që i bëri ballë për 25 vite perandorisë së madhe turko-otomane. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e shqiptarëve. Skënderbeu i pafat është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut të asaj kohe.

De Rada mbetet poeti që hodhi themelet e letërsisë me të vërtetë artistike arbëreshe, dhe dha një ndihmesë të madhe për tërë letërsinë  tonë kombëtare. Ai qe i pari që ngriti në art epokën e lavdishme të Skënderbeut. Duke pasqyruar “Motin e madh”, kohën e “Skënderbeut”. De Rada hodhi kushtrimin për luftë të armatosur kundër zgjedhës osmane. Ai është njëkohësisht i pari që çeli traditën e mbështëtjes së letërsisë arbëreshe në poezinë popullore. De Rada qe edhe lëvruesi i parë i poemës epiko-lirike, i novelës në vargje dhe i poemës epike. Gjithashtu ai ka meritën që lëvroi deri diku poemën shoqërore, ndonëse nuk i kuptonte deri në fund kontradikatat klasore. Poeti ka simpati për njerëzit e thjeshtë, pasqyron me dhembje mjerimin dhe shfrytëzimin, ka besim të madh te njeriu dhe te mundësitë e tij, megjithatë deri diku ndikohet nga fatalizmi dhe misticizmi, që vende-vende ia dëmtojnë krijimtarinë nga ana ideore, madje edhe estetike dhe letrare. 

Në thelb vepra e De Radës i përket romantizmit përparimtar, një romantizmi veçanërisht origjinal, që nuk i këndon vetëm të jashtëzakonshmes, por zbulon edhe poezinë e së zakonshmes. De Rada është mjeshtër i stilit të përmbledhur dhe tepër shprehës, i përdorimit të figuracionit, që dallohet për freski dhe ndikim të fortë emocional. Gjuha me të cilën shprehet De Rada, është e pasur, por disi e errët, ndoshta edhe e “tkurrur”. 

Shumë dorëshkrime dhe letërshkëmbime janë humbur, por De Rada kishte lidhje me njerëz të shquar të kohës së tij. Po i përmendi vetëm disa: Dora D’Istria, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Pal Dodaj, Bernardo Belotta dhe shumë të tjerë. Letra me përbajtje atdhedashurie dhe porosi kombëtare, por edhe letrare, u kishte drejtuar: Vaso Pashë Shkodranit, Zef Jubani dhe tjerëve.

Si përbyllje: Jeronim De Rada ishte vegimtar, përparimtar, njohës i mirë i së kaluares, njeri me mend dhe me zemër i angazhuar për kohën dhe hapësirat arbëreshe dhe shqiptare, “profet”, lavërtar dhe kolos për zbulimin, ruajtjen, mbajtjen dhe zhvillimin e “gjakut të shprishur”, që hapi horizonte, përspektiva, rrugërrëfime së pari për Arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë, pastaj edhe më gjerë, për të gjitha viset tona ilire, arbërore dhe shqiptare, dhe si i tillë ka dhënë frymëzim dhe motivim për breze të tëra dhe në vazhdimësi.

Prishtinë – Llapushnik, 18 qershor 2023                                                     Don Lush GJERGJI

Bibliografia për Reronim De Radën:

  1. Marchianò, Michele, L’Albania e l’opera di Girolamo de Rada, Trani, 1902.
  2. Gualtieri, Vittorio, Girolamo de Rada poeta albanese, Palermo: Sandron, 1930.
  3. Kastrati, Jup, Jeronim de Rada | Jeta dhe veprat, Tiranë, 8 nëntor 1987.
  4. Zeqo, Moikom, De Rada | Rishpikja e Arbërisë: sprovë kritike për një lexim të ri. Tiranë, 2014.
  5. Kodra, Klara, Erdhi dita e Arbrit, Erik, 2000.
  6. Opera Omnia, në përkujdesje të Prof. Francesco Altimari, 12 vëllime, katedra e albanologjisë, Kozencë, 2005 – 2018.

Botime përkujtimore: 

Shêjzat VIII, 1964, 7-10: 217-460.

Studime 21/2014: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Në 200 – vjetorin e lindjes së Jeronim De Radës. Tryezë shkencore, 21 nëntor 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: De Rada

Shqiptari Antoni Lukasz Crutta dhe historia e tij në Poloni*

June 20, 2023 by s p

Në gjuhën shqipe e përshtati:
Haxhi Dulla
Teksti dhe fotot nga: Tamara Jesionowska/

Kanë kaluar 211 vite nga vdekja e tij dhe është koha për të rikthyer kujtimin e tij. Në Lewiczyn, një fshat i vogël pak më shumë se pesëdhjetë kilometra larg Varshavës, më 3 qershor të këtij viti, me iniciativën e Shoqatës Polako-Shqiptare TPA, Shoqatës Polako-Kosovare Kos-Pol, me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, dhe autoritetet e komunës Belsk i Madh, u organizua një ceremoni të vendosjes së luleve dhe ndezjes së qirinjve nën obelisk, në krye me një urnë, të mbuluar me një vello lindore. Obelisku ndodhet në varrezat e kishës. Mbishkrimi ka këtë tekst: Antoni Łukasz Crutta, cili vdiq në 1812, prehet këtu në Lewiczyn, vajza e tij Eliza Bedlińska, e martuar me gjeneral, vdiq në 1799 dhe Wojciech Piotr Bedliński, gjeneral-adjutant i Komisionit Ushtarak të Kurorës dhe këshilltar i Voivodeship Mazowieckie, vdiq në 1822. Mbi epitafin është vendosur saktësisht një epitaf të armëve të Crutts dhe Wieniawa Bedlińskes.
Shpresa Kureta, ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, falënderoi autoritetet dhe banorët e komunës, të cilët bënë shumë përpjekje për përgatitjen e ceremonisë: Monumenti Crutta qëndron në Lewiczyn për gati dyqind vjet, që nga viti 1830. I mbijetoi shumë luftërave, por ishin famullitë dhe famullitarët e njëpasnjëshëm, autoritetet lokale dhe banorët e Lewiczyn që e mbrojtën dhe u kujdesën për të, përçuan histori për shqiptarin e jashtëzakonshëm brez pas brezi. – Ndjej gëzim dhe mirënjohje të jashtëzakonshme dhe personalisht, me gjithë zemër, dua t’ju falënderoj dhe mund t’ju përcjell falënderimet nga njerëzit dhe autoritetet e vendit tim për kujdesin dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për të mbajtur Antoni Crutta-n në kujtim të gjallë. Më lejoni gjithashtu, të dashur miq, të shpall 11 qershorin (d.m.th., ditën e vdekjes së tij) si Ditën e Përkujtimit të Antoni Łukasz Crutt, në të cilën, çdo vit, do të vijë këtu një delegacion shqiptaro-polak i cili në Lewiczyn do të vendosë lule në varrin e Crutta-s dhe do të ndezë një qiri. Do të jetë gjithashtu një mundësi për t’u takuar dhe ideuar me autoritete lokale, historianë dhe banorë të rajonit për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta polako-shqiptare në fushën e kulturës, turizmit dhe ekonomisë dhe Z. Krzysztof Kowalewski, përfaqësues i Zyrës së Komunës, Departamenti i Promovimit.
Dorota Horodyska : Grupi ynë polako-shqiptar përfshin ish-ambasadoren polake në Shqipëri – znj. Irena Tatarzyńska, konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Poloni z. Paweł Michalak, aty është edhe z. Casimir Pulaski në Warka, Dhe së fundi jemi ne – anëtarët e Shoqatës Polako-Kosovare me nënkryetaren Tamara Jesionowska dhe anëtarët e Shoqatës Polako-Shqiptare dhe mua. Dorota Horodyska, presidente e Shoqërisë Polako-Shqiptare, theksoi: sot po takohemi te varri i Antoni Łukasz Crutta – së bashku – polakë dhe shqiptarë për t’i bërë homazhe. Jemi këtu sepse Łukasz Crutta, duke i shërbyer Republikës së Polonisë për vite me radhë, ka theksuar gjithmonë origjinën e tij shqiptare. Komuniteti polako-shqiptar nuk dinte për ekzistencën e Crutta-s për një kohë të gjatë. Ishin vetëm artikujt e historianëve rajonalist që na hapën sytë: Andrzej Roli-Stężycki, mjeku Remigiusz Matyjas, Krzysztof Perzyna, si dhe zëri i një banori të caktuar të Goszczyn.
Dua të shtoj se është diçka e jashtëzakonshme që Antoni Crutta na solli këtu dhe na bashkoi, se këtu, në Lewiczyn, gjetëm një copë Shqipëri. Falë kujtimit tuaj për Crutt, ne, polakë dhe shqiptarë, do të mund të vazhdojmë punën e tij së bashku. Dëshiroj të shpreh gëzimin tonë që me ne janë: Znj. Sekretare e Komunës Renata Ostatek, znj. Maria Walewskaą-Żółcik, drejtore e ekipit komunal të institucioneve arsimore në Belsk Duzy, znj. Ewa Łubińska, kryetare e Komisioni i Arsimit.

SI NGA NJË PËRRALLË ORIENTALE

Siç ka shkruar Andrzej Zygmunt Rola-Stężycki, studiues i historisë së Antoni Łukasz Crutta, një rajonalist, Cyt.: Historia për të është si e marrë nga e famshmja “Përralla nga një mijë e një net”. Çfarë mund ta lidhë Lewiczyn me këtë Orient ekzotik? Dhe përfshin shumë … Antoni Lukasz Crutta lindi në vitin 1727. (…) Ai rridhte nga një familje e vjetër fisnike shqiptare. Krut, i përmendur në foletë e Kakariq Krut dhe Krut Kakariq qysh në vitin 1416 dhe ndodhet në Zadarin e sotëm kroat. Përfaqësuesit e kësaj familjeje katolike u bënë të njohur në luftërat me turqit. Antoni Łukasz ndoshta vinte gjithashtu nga një nga familjet Krut që u vendosën në Venecia. Babai i tij ishte padyshim shqiptar dhe nëna italiane. Ai vetë gjithmonë e ka theksuar kombësinë e tij shqiptare..
Edukimi i mirë, njohja e politikës dhe ekonomisë së vendeve të Evropës Jugore dhe gjuhët orientale të përvetësuara gjatë udhëtimeve dhe shërbimeve të shumta, i mundësuan të ndërmerrte projekte shumë të përgjegjshme të porositura nga të mëdhenjtë dhe të fuqishmit e asaj kohe. Fama e tij u rrit, sepse gjatë periudhës së marrëdhënieve aktive me Orientin – veçanërisht në shekujt 16-18, njerëzit që njihnin gjuhët lindore ishin të domosdoshëm në ruajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare (…). Këta njerëz ishin të nevojshëm si për sundimtarët polakë, ashtu edhe për hetmanët, deputetët dhe tregtarët, të cilët ishin të vetëdijshëm për faktin se njohuritë serioze dhe njohuritë e shkëlqyera të gjuhëve ishin të nevojshme për kontaktet e duhura. Ai erdhi në Poloni në nëntor 1765, duke u vendosur në Varshavë. Në 1765, një rezolutë parlamentare i garantoi atij një pagë prej 600 të Zlotët polake në vit. Crutta dinte shumë gjuhë në mënyrë të përsosur, duke përfshirë: armenisht, turqisht, tatarisht, persisht dhe arabisht. Ai fliste rrjedhshëm latinisht, greqisht, frëngjisht, italisht dhe ndoshta polonisht. Atij iu besua përkthimi në latinisht i shumë veprave të rëndësishme dhe dokumenteve lindore nga arkivat e Republikës së përbashkët Polako-Lituanez dhe u caktua në shumë legacione të rëndësishme, duke përfshirë legatën turke të Numan beut në 1777. Vetëm ai u autorizua të përkthente drejtpërdrejt në mbreti, ministrat, marshalli dhe më parë u raportuan atyre. Ai ishte shumë i respektuar. Duket se falë pjesëmarrjes së tij në negociata, Polonia shpëtoi pjesëmarrja në luftën ruso-turke të ndërmarrë në vitin 1768. Ai i dha favore të mëdha Republikës së Polonisë me punën e tij, u lidh me të dhe e trajtoi atë si atdheun e tij. Republika mirënjohëse e filloi atë në Sejm në Varshavë më 18 dhjetor 1775, duke i dhënë kështu fisnikërinë polake. Më 26 shkurt 1778, atij iu dha titulli i konsulentit të trashëgimisë së huaj. (…) Pas ndarjeve, Crutta u vendos në pasurinë e dhëndrit të tij Wojciech
Piotr Bedliński, stemë Wieniawa – gjeneral-adjutant i Komisionit Ushtarak të Kurorës dhe këshilltar i Voivodeship Mazowieckie, trashëgimtar i Lewiczyn pranë Grójec. Antoni Łukasz Crutta shoqëroi mbretin polak Stanisław August Poniatowski – pas abdikimit të tij – në Grodno. Ai ende merrte rrogën e tij gjatë Kryengritjes së Kościuszko. Vdekja e papritur e vajzës së tij e shkatërroi Cruttën. Ai qëndroi në Lewiczyn deri në fund të jetës së tij, duke jetuar në një shtëpi të vogël të mbuluar me lule, besnik ndaj mënyrës së veshjes së tij orientale. I pëlqente të kallajohej, mbante korrespondencë dhe takoi fqinjët e tij, për të cilët kompozoi një këngë fetare të kënduar ndër vite. Janë vendosur kontakte të mira, kemi dymbëdhjetë muaj kohë për t’i zhvilluar ato në mënyrë krijuese dhe për t’u takuar sërish polako-shqiptar në Lewiczyn.
*Titulli redaksional.

Filed Under: Histori

NJË KUJTIM PËR SAMI FRASHËRIN

June 19, 2023 by s p

Mid’hat Frashëri/

(Me rastin e 119 vjetorit te vdekjes, 18 qershor 1904)

N’Eren-Qoj, një nga fshatrat e bukur të Stambollit nga an’ e Ysqydarit, është një udh’ e gjerë afër stacionit t’udhës së hekurt, një udhë që vete nga deti e gjer në Merdiven-Qoj. Copa e kësaj udhe, q’është m’anë të poshtme të fshatit, është anosur me dy rradhë repe të mëdhenj, që hedhin një hije të hollë mbi pluhurin e trashë, që mbulon rrugën në verë dhe mbi baltën ngjitëse në dimër.

Duke ardhur nga deti dhe duke u ngjitur drejt veriut, udha ka një vajsimë të lehtë; më të dy anët shtëpi të bukura, brenda në kopshte dhe në vreshta, mbajnë ndënjësit e fatshëm të kryeqytetit një gjindje, që do dhe kërkon zbavitjen dhe që nuk lë t’i shkojë as ndonjë rasje për t’i dhënë udhë dëfrimit.

Kjo udhë, si shkon rajet e hekurt, zgjatet, prapë ashtu e gjerë, po drurët e anës zhduken dhe shtëpitë bëhen më të rralla; ca më tutje, duke kthyer pak më të mëngjër, kryqëzohet me një udhë tjetër që vjen nga Koz-Gataku e vete në Gjoz-Tepe. Këtu vendi formon një shesh të lartë; ca më tej, tek kryqëzohen udhët, duket xhamia e Sahrai-Xhedid; më tutje duken ca varre, varre të vjetër dhe të rinj, që gjithë tok, kanë bërë një katër kindje të gjatë.

Nga ky vend ka një pamje të bukur mbi Çamllixhe-në. Nga veriu, përmbi dhe prapa Merdiven-Qojit, unjen pëqinjt’ e gjelbër të bregut kaq të hijshëm dhe të dëgjuar të Çamllixhe-së. Sado që shumë herë kam mbetur i çuditur përpara kësaj bukurie t’atij pëqiri veshur në bar e në drurë dhe stolisur me shtëpi të hijshme, gjithnjë kam gjetur një shije të re n’atë pamje. Po tani mendja jonë s’ka prehjen e duhur për të ndier shijen e kësaj bukurie.

– Këtu, në këta varre kemi dy shqiptarë: Tahsim Hoxha dhe Sami beu. Të parit, për fat të keq nuk dimë, ku i dergjen eshtrat , sa për të dytin, ky çip dhé ia mban të mbeturat e vdirshme, nën këtë pirg balte fle gjumin e përjetshëm, – i them shokut që kam pranë.

Një grusht dhé mbulon një njeri të gjallë, plot vullnet, tërë shpresë dhe dëshirë! Një pushim i thellë tani ka zënë vendin e asaj mendjeje gjithnjë në lëvrim dhe në punë. Rrojti një herë dhe tani më s’është.

***

Më kujtohet gjithnjë një vjershë persisht, që e këndonte Sami beu me një zë të mallëngjyer:

Der gurbet egjër myrq bigjired damen-i men

Aja qi qyned kabr qi duzed qefen-i men

Tabut-i-mera der xhoj-i bylend pyzarid

Ta bad byred buj mera der vatan-i men

Shumë herë këtë vjershë e pasonte një psherëtimë, që Sami beu pothuaj se e kish për vete të tij, aq përshtypje të madhe dhe të veçantë bënte.

Si sot po e shoh: Sami beu, kur shkruante, e kish zakon që rrinte këmbë-kryq mbi një shilte të unjët; përpara mbante një fron t’unjët, ku ishin radhitur të hapura librat; libra dhe harta të hapura kish dhe më të dy anët, më të mëngjër e më të djathtë. Shkruante kurdoherë me një rregull dhe me një durim të çuditshëm, duke u ngritur gjithnjë fort herët në mëngjes.

Nganjëherë në mes të shkrimit ngrinte kokën nga karta, që mbante në dorë, se zakon’ e kish të shkruante pa pështetur kartën gjëkund dhe shkruante pastër, me një shkrim të bukur, pa fare prishje dhe ndreqje ; ahere, syt’ e zinj, që i jepnin aq bukuri fytyrës, i ngrinte, psherëtinte dhe një vjershë i delte nga goja me një zë t’unjët; veç asaj vjershe persisht, shpesh thosh dhe të tjera persisht a arabisht.

Po ish dhe një tjetër, vjershë frëngjisht, për të cilën kish një dashje të posaçme, apo dy vjersha të Viktor Hygoit:

Pourquoi devant mes yeux revenez-vous sans cesse,

O jours de mon enfance et de mon allegresse?

Ç’ishin hidhërimet dhe shpresat e djalërisë, që kujtonte Sami beu? Në ç’shpresa, në ç’projekte pritmi, në ç’ëndërrime të djalërisë kthente sytë dhe shikonte? Ç’ishin këto shpresa që s’ishin mbaruar, që kishin pritur më kot?

Kot kemi bërë shumë herë këto pyetje me veten tonë! Po Sami beu s’i kish të shumta fjalët. Atë që di është se çfarë do që të kishin qenë shpresat, ëndërrimet dhe hidhërimet e tij, ay ish gjithnjë plot durim dhe kurrë s’e njohu dëshpërimin.

Prapë ia shoh të dy syt’ e zinj plot mendime dhe ëmbëlsi, të shkëlqyeshëm, ballët e zbuluar; më të rrallë i dilte ndonjë fjalë hidhërimi nga goja, një psherëtitje e hollë; ahere pandehnja se dëshpërimi ia shtrëngonte zëmrën, po kjo pandehje shuhej shpejt, duke parë durimin me të cilin punonte, shpresat dhe projektet që bënte… Ahere më dukej se kurrë ndonjëherë dëshpërimin nuk ia njohu zëmra dhe mendja. Edhe kështu vajti gjer n’orë të fundit.

Nga një njeri plot mendje dhe punë, tani ky pirg i vogël ka mbetur!

Stamboll, 7 gusht 1910

Marrë nga: Instituti i Studimeve Historike Lumo Skendo

Filed Under: Histori

In memoriam

June 17, 2023 by s p

U nda nga jeta shkrimtari Naum Prifti

#AShSh

#NaumPrifti

Lajmi i hidhur njoftohet nga SHBA, ku shkrimtari jetonte prej afro tri dekadash.

Naum Prifti u shfaq si shkrimtar në të njëjtën kohë me “Brezin 1960”, I.Kadarenë, D. Agollin, F.Arapin e Dh. Qiriazin.

U shqua si prozator, sidomos në nënllojet e shkurtra: tregime e novela, ku la gjurmë të rëndësishme krijuese në historinë e letërsisë.

Disa prej tyre (“Litari i zjarrtë”, “Çezma e floririt”) janë pjesë e fondit më cilësor të tregimit shqiptar.

Shkroi disa drama, të cilat u vunë në skenë nga disa trupa profesioniste teatrore.

Drama “Rrethimi i bardhë” u qortua zyrtarisht për aluzione politike dhe sidomos për mungesë besimi tek veprimi politik.

Pavarësisht këtyre qortimeve, Naum Prifti shkroi rishtas, gjithnjë besnik në këto dy lloje të letërsisë.

Në vitet ’70 e vijim shkroi skenarë për filma artistikë dhe letërsi për fëmijë, si dhe përktheu vepra nga letërsia botërore.

Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet trashëgimtarëve të shkrimtarit, familjarëve, miqve e kolegëve, bashkësisë së shkrimtarëve shqiptarë.

Foto: Roland Tasho

www.akad.gov.al

Filed Under: Histori Tagged With: Naum Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 131
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT