Edhe pse sot bëhen 30 vjet nga shkuarja e tij në botën e amshuar, emri dhe vepra e Sejdi Didës kujtohen e vazhdojnë të studiohen. Studimet e tij janë bërë referime të shumë studiuesve gjithandej trojeve tona. Kjo tregon vlerën e një studiuesi dhe intelektuali të mirëfilltë, që la gjurmë në jetë e veprimtari edukativo-shkencore. Sejdi Dida u lind në Krumë të rrethit Hasit më, 16 korrik 1942 në gjirin e një familje të varfër me tradita patriotike, e cila merrej me bujqësi e blegtori. Vitet e hershme të jetës së tij do t’ia mbështjellë mjerimi i tejskajshem. Në vitin 1949, në moshën 7 vjeçare, Sejdiu filloi mësimet në shkollën e vendlindjes në Krumë. Zgjuarsia, mprehtësia, shkathtësia dhe etja për dije e kulturë spikaten që në fillim te malësori i vogël. Varfëria dhe vuajtjet e burrëruan para kohe, kështu në vitet 1953-1956 mbaroi shkollën 7-vjeçare me rezultate të shkëlqyera. Edhe pse ende i ri, shikimi i tij kërkonte horizonte të reja. Për Sejdiun fillon e shpaloset një botë plot me ëndrra, edhe pse i kapërthyer nga një jetë e varfër ekonomike e familjare, asgjë s’mund t’a pengonte në zgjerimin e kulturës dhe botës së tij. Në vitin 1956-1957 fillon studimet në shkollën 2-vjeçare në Shkodër.
Zemërbardhësia e zgjuarsia ia siguruan mes shokësh, vendin e djaloshit të mirëpritur ku do të inkurajonin në punën e tij pasionante e të frytshme. Në vitin 1956 Sejdiu emërohet mësues në Shipshan – Tropojë. Sa shumë e kishte ëndërruar këtë ditë fatbardhë e fatlume! Larg familjes, larg të afërmve te një 16-vjeçar mes vocërrakëve malësorë, mendjekthjelltë e fjalëzjarrtë, i dashur e shumë komunikues, shpejt bëri për vete jo vetëm fëmijët arsimdashës të Shipshanit e Babinës, por edhe të rriturit në oda e kuvende burrash. Tek i kujtonte vitet e qëndrimit në Shipshan, shprehej: “Tropoja burrnon trima e njerëz të mençur. Sa shumë më merr malli të shkoj mes atyre malësorëve! Sa dëshirë kam të takohem me nxënësit e mi të Shipshanit, të çmallem me ta. Në Janar të vitit 1961 transferohet nga Tropoja, me përshtypje shumë të mira. Tashmë më i pjekur, më i përgatitur dhe me energjik duhet të përballojë vlerësimin që rrethi i tij i beson si drejtor në shkollën 7- vjeçare Krumë. Sejdiut, 19- vjeçar, i mbërthyer nga serioziteti, i duhet të mbartë mbi shpatulla problemet e arsimit në Has, në arsimimin e djemve dhe vajzave hasjane, përgatitjen pedagogjike e shkencore të kuadrit mësimdhënës, menjanimin e shmangien e mjaft fenomeneve negative në arsim.
Frytet e punës serioze nuk vonojnë. Gjithkund në shkollë, rrugë, shoqëri e oda burrash flitej me admirim për të. Edhe me të moshuarit i thërrisnin mësues. Këtë dashamirësi Sejdiu e ruajti dhe e forcoi më tej. Në vitin 1963, si rezultat i punës pasionante, fillon punën në seksionin e arsimit të Rrethit të Kukësit, në detyrën e inspektorit. Këtu ai do të njihej më mirë me jetën e kulturën e zonave të rrethit. Në thellësi të ndërgjegjjes ndjen nevojën e arsimimit të mëtejshëm. Në këto rrethana regjistrohet për të vazhduar studimet në Institutin 2-vjeçar pedagogjik në Shkodër, dega Gjuhë-Histori të cilat i përfundon në vitin 1965. Në vitet 1965-1967 emërohet drejtor në shkollën e Shalqinit, aty buzë valeve të Drinit të Bardhë do t’u mësojë fëmijëve të fshatarëve historinë e gjuhën e bukur shqipe si dhe do t’u flasë për ndarjen e padrejtë të Kosovës nga Shqipëria. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Korçë, 1969, emërohet drejtor në shkollën 8-vjeçare Golaj, ku qëndroi për 7 vjet. Në këtë kohë filloi mbledhjen e fjalëve të urta popullore, fjalëve dhe të shprehjeve të reja. Më 1976 emërohet mëuses në shkollën e mesme “Skënderbeu” Krumë. Pas këtij shtegëtimi të lodhshëm, po të këndshëm gjithsesi, nga alpet e Tropojës deri rrëzë Pashtrikut hapi një epokë të re për studimin e kulturës dhe traditës hasjane. Megjithatë, kurdoherë, Sejdiu, nën emblemën e një gjuhtari të mirëfilltë, promovoi kulturën e një folkloristi dhe etongrafi pasionant dhe të përgatitur. Dhjetra e qindra – faqe të ditarit të tij i përkushtohen mbledhjes dhe shpjegimit të fjalëve krahinore që përdoreshin në Qarkun e Kukësit( Has, Tropojë e Kukës) dhe qe një ndër kontribuesit me vlerë të fjalorit të gjuhës shqipe, riteve, zakoneve, traditave dhe të historisë hasjane. Artikujt më të botuar në gazetën lokale apo në ato shkencore, flasin më së miri për këtë. Sejdiu u bë i pranishëm me kumtesat e tij në supoziumet shkencore me shumë interes, ku tregonin interesat e tij shkencore.
Mbledhja e fjalës dhe shprehjes së rrallë shqipe nga burimi popullor, qenë bërë për një kohë të gjatë deviza e punës së tij. Kriteri shkencor në mbledhjen dhe zbërthimin e tyre dhanë mundësi botimi në revisten “Gjuha Jonë”, “Nëntori” dhe “Etja”. Këtë punë sistematike do ta vazhdojë tashmë me skema, skeda edhe gjate viteve 1984-1992, ku punon si mësues në shkollën 8-vjeçare Krumë. Sejdiu për vite të tëra ishte pjesë e një kryesie për pajtimim e gjaqeve në krahinën e Hasit. Në shtator të vitit 1992 emërohet drejtor i muzeut Has. Bashkëqytetarët, kolegët dhe nxënësit e tij e mirëpritën këtë emërim, duke qenë të bindur se traditat hasjane do të evidentoheshin më mirë dhe do të viheshin në shërbim të edukimit estetik e atdhetar të brezave të rinj. Muzeu do të krijonte mundësinë edhe të vjeljes së mjaft fakteve edhe nga Hasi përtej kufirit. Bashkëpunimi me revisten “Etja” i dha mundësi hasjanëve të lidhnin shumë fjalë të shkëputura nga koha. Sejdiu vdiq në moshën 51 vjeçare, në kulmin e veprimtarisë së tij pedagogjike e shkencore, duke lënë në mes të udhës, tërë planet e tij për studimin e traditave popullore dhe historike të zonës së Hasit që ai e donte aq shumë.
Pas vdekjes, Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, e dekoron me urdhrin e argjend “Naim Frasheri” Sejdi Didën së bashku me një sërë figurash të shquara të kombit.
Pas vdekjes u botua një pjesë e librit me dorëshkrimet e tij, duke u mundësuar nga bija e tij Valdete Cenalia (Dida). Në nder të tij dhe të kontributit të dhënë për arsimin, me vendim të këshillit bashkiak Krumë, u vendos që shkolla e re që ishte ndërtuar në Krumë t’i vihej emri “Sejdi Dida”. Nderim dhe respekt kujtimit të tij ndër breza studentësh, krijuesish e studiuesish. …(VASEDI)