• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

June 16, 2023 by s p

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.”

FIODOR DOSTOJEVSKI

Nga Eugjen Merlika (Vijon nga numuri i kaluar) 

Ja çfarë ka shkruajtur për Markun shkrimtari e poeti i madh Ernest Koliqi, në një shkrim të vitit 1971, me rastin e një të katërtit të shekullit të ndërrimit jetë të tij, me titull tejet kuptimplotë, “Mark Gjomarkaj, theror i traditës”:

“…..Të moçmit na lanë fjalë se dielli me shoshë nuk mbulohet. E dijmë mirfilli  se herët a vonë, në çastin që vjen stina historike,vlerat e njimendta dalin në dritë duke i dhënë secilit protagonist në fushë të përparimit dhe të lartësimit të lartë kombtar vendin përkatës sipas meritave. Por kjo nuk do të na ndalojë të shfaqim një ndiesi keqardhjeje për padrejtësitë si të njerëzve ashtu dhe të fatit përballë disa fatosave tek të cilët spikatën vetitë eprore të gjakut tonë.

Nji ndër ta është dhe Mark Gjomarkaj.

Markun e njoha kur ishte student 24 vjeçar në Romë. Më bëri përshtypje që prej takimit të parë pjekuria e mëndjes së tij, një pjekuri ku me zgjuarsi natyrore plot vetëdije për pozitën e veçantë krahinore në shoqërinë shqiptare, shartohej pamja e gjërë realiste e problemeve të kohës dhe kuptimi i nevojës për t’u inkuadruar me qëllime e drejtime në jetën e përgjithëshme kombëtare. Kapidani i ri, me moshë e me mendësi, ashtu m’u duk dhe ashtu e tregoi veten dhe më vonë, Mark Gjomarkaj.

I rysun prej një mërgimi politik 5 vjeçar që më kishte dhënë mundësinë për të njohur e për t’u miqësuar me persona e personalitete të ndryshme nga mbarë Shqipëria, u përpoqa kur u bëmë miq të ngushtë, me i folë Markut për nacionalistët tonë të spikatur. Në shpjegimin tim ai pëlqeu mbi të tjerët si njeri politik me ide të qarta e të prera, Mustafa Krujën, të cilit i a kishte dëgjuar emrin…..”

Ka një përputhje pothuajse të plotë të opinioneve të dy shkrimtarëve të sipërpërmendur mbi personalitetin e Mark Gjomarkajt. Është një dukuri që vërteton dëshminë e tyre se i përgjigjet së vërtetës. Marku shkoi në Itali për të studjuar Drejtësi, në traditën më të mirë të profesionit shekullor të familjes. Mbas pak kohe Italia e pushtoi Shqipërinë dhe dërgata e Shkodrës në parlamentin shqiptar, në të cilën bënte pjesë edhe Kapidan Gjoni, babai i Markut, qe ajo që kundërshtoi më shumë formën e re të marrëdhënieve me Vëndin fqinjë. Në këtë kundërshti pikërisht Kapidan Gjoni pati rolin e parë. Por pushtimi i Shqipërisë ishte edhe pragu i luftës së Dytë botërore, e juristi i ri, kapidan Marku, shpresonte në sendërtimin e ëndërrës së madhe të bashkimit të shqiptarëve në një Shtet të vetëm. Kështu ai përqafoi vijën politike të Mustafa Krujës, e pranoi të bënte pjesë në qeverinë e tij, duke marrë postin e zv.ministrit të Brëndëshëm, mbasi atë të ministrit e mbante vetë kryeministri. Ishte ministria më e rëndësishme në kabinet, sepse duhej të ruante barazpeshat e detyruara ndërmjet mëtimeve të pushtuesve e kërkesave të shqiptarëve. Marku ishte ministri më i ri në moshë i një kabineti që shquhej për cilësinë e lartë profesionale dhe integritetin moral të gjithë pjestarëve të tij.

Pak muaj mbas betimit si zv. Ministër, i ngarkuar nga kryeministri Kruja, u angazhua në shpëtimin e 320 familjeve hebrenje, duke u shpërngulur nga Kosova në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, z. Engjëll Çoba e ndonjë tjetër pëfaqësues të  qeverisë, shkuan në Kosovë e në fshehtësi shpërngulën në Shqipëri hebrenjtë e vendosur në Kosovë mbas ribashkimit të trojeve, të cilët ishin shënuar në dokumentet e Legatës gjermane në Beograd. Këto familje hebrenje u pajisën me dokumente zyrtare letërnjoftimesh me emra shqiptarë, siç ishte rënë në ujdi ndërmjet Mëkëmbësit Jakomoni e kryeministrit Kruja.

Miqësia me Mustafa Krujën erdhi duke u forcuar gjithënjë e më shumë, duke vërtetuar fjalët e Koliqit në lidhje me bindjet e Markut mbi politikanët shqiptarë. Më 12 korrik 1942 Mark Gjomarkaj ishte në Bari të Italisë, në ceremoninë e martesës së birit të parë të kryeministrit, Petritit, me vajzën e gazetarit kolonjar Sotir Gjika, Elenën. N’atë ceremoni ai nënëshkroi në regjistrin e Bashkisë, si dëshmitar nga ana e djalit, së bashku me Shuk Gurakuqin, ndërsa dëshmitarë të vajzës ishin Gjovalin Kamsi e Kostandin Kotte. Mustafai i zgjodhi dëshmitarët ndërmjet miqve e antarëve të kabinetit e Marku ishte më i riu prej tyre, dy vite më i madh se vetë dhëndërri.

Ai qëndroi në atë qeveri deri në fund e dha dorëheqjen, së bashku me të gjithë ministrat e tjerë kur Mustafa Kruja vendosi të ndërpresë detyrën e tij së bashku me veprimtarinë politike, si pasojë e mos pranimit nga ana e autoriteteve italiane, për të hetuar e marrë masat përkatëse ndaj vrasësve të Qazim Koculit, komisar i lartë i qeverisë për Vlorën, i ngarkuar me një mision të fshehtë nga kryeministri, mik e bashkëpuntor i tij.   

Marku u tërhoq në Shkodër e në Oroshin e tij. Ai tashmë , megjithëse vetëm 30 vjeçar kishte familjen e tij, të përbërë nga një shejtëreshë, që ishte bashkëshortja e tre fëmijë të vegjël, dy vajza, Kristina e Çelestina dhe djali, Gjoni. Por gjëndja në Shqipëri keqësohej dita ditës. Marku e kuptonte se e ardhmja e saj vihej në rrezik nga një përfundim i luftës, në të cilën mund të dilte fitues Fronti Nac-Çl. Me partinë komuniste në qëndër, të drejtuar nga jugosllavët e me mbështetjen e aleatëve që kishin vendosur të mos njihnin kufijtë e krijuar nga lufta e që përkrahnin ardhjen e komunistëve në pushtet.

Shkruan Kol Bib Mirakaj në librin e tij të kujtimeve “Vetvrasja e një Kombi : “Që në verë të 1942-shit, në ndeshje me forcat e Milicisë sonë në Mal të Zi, nji të vramit malazez i kje gjetë në trup nji dokument që përcaktonte masakrimin e Shqiptarëve të Kosovës dhe okupimin e Shkodrës…. 

Plani “Mihajloviq” ishte aq i kjartë e i tmerrshëm ndër synimet e tij për shfarosjen e të gjithë shqiptarëve, sa çdo shqiptar me ndërgjegje përgjegjësie para kombit e historisë, duhej prej atij çasti me drejtue veprimin e vet drejt forcimit ushtarak të Vendit, që mund t’arrihej vetëm në harmoni me “okupatorin” e jo me sabotime dhe provokime.”  

Kjo frazë e fundit e Mirakajt përmbledh në vetvete, me pak fjalë, tragjedinë e vërtetë të problemit shqiptar gjatë luftës së Dytë botërore. Ai, copëzimi i bashkësisë, me njohjen e të drejtave sërbe, greke, maqedonase e malazeze lakmisë grabitqare të fqinjëve, duke mos mbajtur parasysh asnjë nga arsyet historike, gjeografike, etnike të popullsisë shqiptare mbi trojet e tyre, të rrëmbyer padrejtësisht e barbarisht në një periudhë kalimtare, kur Turqia ishte në perëndimin e fuqisë së saj perandorake e Shqipëria ishte një bebe e sapo lindur, shkaktuan padrejtësinë më të madhe që pësoi populli shqiptar në shekullin e atomit. Fatkeqësisht, aleatët perëndimorë, në bashkëpunim me Rusinë, që përcaktuan këtë padrejtësi, madje atë katrahurë të shqiptarëve, nëpërmjet konferencave të Londrës e të Parisit, shpallën vendimin e tyre edhe gjatë luftës, për të ngulur këmbë n’ata qëndrime, të cilat shkaktuan zëmërim të ligjshëm tek shqiptarët. Kundërshtarët e tyre, pjesëmarrësit e Boshtit, u a kthyen atyre të drejtën e bashkimit të atdheut. Prandaj pjesa më atdhetare e tyre e quajti parësore këtë gjë e nuk vendosi të luftojë kundër ushtrive të tyre, edhe se ishin pushtuese.

Historia e fituesve duhet t’a kuptojë qëndrimin e asaj klase politike shqiptare, që qe e vetmja në Evropën e luftës së Dytë botërore që nuk i u nënështrua politikës antisemite kriminale të Gjermanisë e Italisë e i vunë Vëndit të tyre një kurorë dafinash të fituesve moralë, edhe se praktikisht të mundur. Ai qëndrim nuk ishte në dobi të diktaturave, madje synonte një Shqipërin në sintoni me vlerat më të spikatura të traditës arbërore, por edhe të demokracive të Perëndimit, por një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë e jo të ndarë në të gjithë fqinjët e saj.  Lufta e vendimet e saj sollën në Shqipëri Shtetin e rindarë me fqinjët, e një diktaturë më të keqe se ajo e pushtuesve gjatë luftës. Nuk ka asnjë lloj arsye njerëzore, që të mos u japë të drejtë atyre drejtuesve shqiptarë, ndërmjet të cilëve edhe Mark Gjomarkaj, pavarësisht fundit të tyre dhe përfundimit të tyre.

Oficerët e misioneve angleze dhe amerikane, në vetvete e kuptonin se nuk ishte në dobi të tyre e të Shqipërisë një qeveri komuniste e mbas luftës, se lëvizja kombëtariste duhej të përkrahej krahas asaj komuniste. Por e para mbetej në hijen e së dytës sepse për të dytën problemi kombëtar nuk kishte asnjë farë rëndësie, mbasi ata ishin ngritur për të luftuar për atdheun e Stalinit e të komunizmit ndërkombëtar. Veç asaj shenjat e ndryshimit të epërsisë luftarake vinin nga Rusia e Stalini kërkonte pjesën e tij nga fitorja e mundëshme. Marku e kuptonte se e vetmja shpresë që mbetej ishte ajo e asgjësimit të lëvizjes komuniste e afirmimit të një lëvizjeje të bashkuar kombëtariste që duhej të përbënte një forcë të konsiderueshme edhe në sytë e anglo-amerikanëve. Prandaj ai i dha përparësi krijimit të një fuqie ushtarake me besnikët e krahinës së tij e përpjekjeve për të gjetur një gjuhë të përbashkët me Lëvizjen e Legalitetit të Abaz Kupit e Ballin Kombëtar të Mithat Frashërit, të cilët, mbas prishjes së marrëveshjes së Mukjes e kishin kuptuar se mbas luftës nuk do të kishte asnjë mundësi pjesëmarrjeje në qeverisje me partinë komuniste. Këto përpjekje synonin t’i dilnin përpara një rreziku që, me gjasë, i kërcënohej Shqipërisë së bashkuar nga zhvillimi i luftës.

Një strategji e tillë, që të mbante parasysh interesin madhor të Shqipërisë, ruajtjen e kufijve të vitit 1941, ishte bërë urdhërues për të gjithë atdhetarët kombëtaristë, edhe se ndërmjet tyre kishte ndryshime herë herë të theksuar pikëpamjesh e vlerësimesh të gjëndjes në Shqipëri e jashtë saj, në marrëdhëniet me botën që n’a rrethontee në të cilën bënin pjesë. Shumllojshmëria e mendimeve, e vlerësimeve dhe interesave përcaktoi një gjëndje pasigurie që çonte në mos veprime e pritjeje që nuk qenë aspak të dobishme për strategjinë kombëtare. Politikani atdhetar Kol Bib Mirakaj, ish ministër i partisë fashiste në pjesën e dytë të kabinetit të Mustafa Krujës, më vonë titullar i dikasterit të Punëve të Brëndëshme në qeverinë e dytë të Eqerem bej Vlorës, në librin e tij me kujtime “Vetvrasja e një Kombi”, ndoshta vepra më e saktë e më e plotë, përsa i përket vërtetësisë historike, e shkruar mbi periudhën e luftë së Dytë botërore, tregon mbi bisedën që ka zhvilluar me Benito Mussolinin  në Romë, më 23 prill 1943, në prani të zotërinjve Hilmi Leka, Vasil Alarupi e Hysref Frashëri, në të cilën ka shtjelluar me guxim qytetar e largpamësi politike problemet që shtroheshin para Shqipërisë n’atë çast e në t’adhmen, madje duke hamendësuar edhe një humbje të luftës nga Italia dhe Gjermania. Ja disa nga pikat e shtruara nga Mirakaj në marrëdhëniet ndërmjet Italisë e Shqipërisë:

“1.Asht ba gozhdë e ngulun e shqetsim i përgjithshëm në mendje të Shqiptarëve:  Frika e kolonializimit, që si rrjedhim do të sillte shkombtarizimin e ngadalshëm tek ne.

Populli shqiptar duhet të sigurohet për tash e për t’ardhmen nga synimi i kolonializimit, t’i hiqet ky preokupim.

2.Asht nevojë imperative dhe e ngutshme me rikrijue ushtrinë shqiptare ashtu si e keni premtue Ju, me komandë të veten, me flamurin e vet kombtar dhe me divizione të veta, dhe njiherit me përgatitë planin e mobilizimit të përgjithshëm, qi të mund të përballojmë për kohën e nevojshme rrezikun që U tregova. 

3.Italia, ka detyrë ta venë në gjendje Popullin shqiptar të mbrohet nga rreziku i shuemjes nga faqja e Dheut. Ma interes ka Italia të jetë populli Shqiptar  mik në bregun kundruell Adriatikut, se sa i shuem e i zëvendësuem nga anmiq të fortë e të papajtueshëm t’Italisë.

4.Asht nevojë e domosdoshme që kjo kolonë e pestë e sllavizmit të zhduket rrajsisht, para se të mundet me krye krimin që synon dhe që i asht ngarkue nga Kremlini.

5.Në kët raport, U kam ba edhe nji propozim që mund të prekë sensibilitetin: pushimin e funksionit të P.F.SH. dhe zëvendësimin e saj me Lëvizjen e Birëve të Shqipes…

Nji lëvizje kombtare për të kenë i sigurtë suksesi i saj, duhet të ketë zanë fill nga ndijesitë e tradicioni i Popullit. Ju vetë e keni thanë se fashizmi nuk asht për eksportim, pra nuk mund të kopjohet integralisht, siç ban komunizmi. Tentativa e disa jerarkëve me e kopjue në Shqipni,  e ka sjellë në negativitet.”

            Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

June 14, 2023 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.” – FIODOR DOSTOJEVSKI

Këto fjalë të shkrimtarit gjenial rus, njërit ndër më shquarit, në mos më I shquari në studimin e në zbërthimin psikologjik të natyrës njerëzore, duket sikur janë shkruar enkas për jetën dhe veprën e një shqiptari me Sh të madhe, që u flijua në malet e Mirditës së tij legjendare, për idealet e Shqipërisë e të Shqiptarizmit në moshën në të cilën dymijë vite më parë u vu në kryq Jezu Krishti, për të shpëtuar njerëzimin nga mëkatet e tij në gjyqin e fundit. 

Sot mbushen plot 77 vite qe u ngjit në amshim shpirti i Komandantit Mark Gjomarkaj që mbeti “theror” i idealit te tij në krye të detyrës për të kundershtuar me çdo mjet te mundshëm rënien e Shqipërisë nën thundrën e regjimit komunist mbas luftës së Dytë botërore.

Kjo e fundit qe një varg provash për vetë shqiptarët. Pushtimi italian i Shqipërisë shkaktoi dhimbje e zhgënjime edhe n’atë pjesë njerëzish që i kishin parë marrëdhëniet me Italinë si një rrugë të drejtë për të hyrë në Perëndim, mbas gati pesë qindvjetorësh të sundimit të perandorisë osmane në Shqipëri. Por pushtimi ushtarak i 7 prillit 1939 tregoi se ajo rrugë nuk ishte e lehtë dhe kishte çmimet e saj. Ndoshta një nga çmimet më të larta për t’u paguar ishte, veç lirisë së rrëmbyer, copëzimi i ideve, projekteve e mendimeve që lindi ndërmjet shqiptarëve para gjëndjes së krijuar.  

Tre vitet e para të pushtimit shënuan një farë “qetësie”, në të cilët shqiptarët pothuajse e ndjenë pak peshën e luftës. Mbreti Zog kishte lënë autoritetin e tij politik në Vënd. Opozita kundër-zogiste ishte kthyer në atdhe e kishte filluar veprimtarinë esaj në organizimin e forcave të reja politike. Lufta kundër pushtuesve nuk kishte marrë ende format e saj zyrtare, sepse qëndresa e armatosur, mbas ditëve të para të prillit 1939, ishte zbehur, e përfaqësuar vetëm nga grupe të vogla mbretërorësh.

Kultura ishte ajo pjesë e superstrukturës që shënonte arritje të dobishme nën ndikimin e Institutit të Studimeve Shqiptare, që kishte mbledhur në gjirin e tij forcat më të shëndosha intelektuale të Vëndit, madje edhe të studjuesve italianë dhe arbëreshë. Komunistët, të ndarë në disa grupe, në sajë të traktatit Ribentrop – Molotov shijonin kohë “qetësie”, duke pritur krijimin e proletariatit për të zhvilluar revolucionin , simbas mësimeve që vinin nga Ndërkombëtarja komuniste dhe nga Kremlini.

Gjëndja ekonomike e popullsisë ishte përmirësuar, mbasi ishte krijuar një farë bollëku nga një prirje e qeverisë italiane për të bindur shqiptarët se “Bashkimi i kurorave” ishte një dobi për ta, e që mbeti në kujtesën e përfytyresën shqiptare, edhe mbas shumë vitesh si “koha e Italisë”. Kjo gjëndje palëvizshmërie e përgjithëshme ndryshoi papritmas në prill 1941, me bashkimin e trojeve me popullsi shqiptare, të mbetura jashtë Shtetit shqiptar në Konferencën e Londrës më 1913. Kjo ngjarje e re elektrizonte gjithë popullin shqiptar brënda e jashtë Shqipërisë zyrtare. Ishte një ngjarje madhore, që kurorëzoi ëndërrat e shqiptarëve për bashkimin kombëtar e krijoi mundësi për të ngritur institucionet e shkollat në gjuhën shqipe në Kosovë e në trojet shqiptare në Maqedoni e në pjesë të Malit të Zi e zonat e Liqejve. Sidomos të rëndësishme qenë hapjet e shkollave, të cilat edhe më vonë, me rikthimin e atyre trevave në zotërim të Jugosllavisë, si pasojë e nënështrimit të fituesve të luftës politikës jugosllave, mbetën të hapura e përcaktuan shkollimin në gjuhën amtare të fëmijëve shqiptarë. Si pasojë e veprimtarisë së palodhur të dy ministrave atdhetarë të atëhershëm të arsimit, prof. Ernest Koliqit e dr. Xhevat Korçës, u vunë në shërbim të shkollave në “Tokat e lirueme” qindra mësues nga “Dheu amë”, me zellin më të madh për t’i shërbyer idealeve kombëtare. 

Vera e atij viti shënoi thyerjen e traktatit të mos sulmimit ndërmjet Gjermanisë e Bashkimit Sovjetik, që pati pasojat e saj edhe në Shqipëri, si në të gjithë Evropën, në të cilën filloi të organizohej qëndresa e të majtëve, të drejtuar nga partitë komuniste. Kështu edhe në Shqipëri, grupet komuniste të Korçës, të Shkodrës e të Tiranës, vendosën të krijonin partinë komuniste, nën mbikqyrjen dhe drejtimin e Miladin Popoviçit e të Dushan Mugoshës, të dërguar të partisë komuniste jugosllave, edhe se në Mërgatën shqiptare kishte mjaft elementë komunistë që kishin qënë në Bashkimin Sovjetik mbas vitit 1927.  

Ngjarjet e vitit 1941 polarizuan mendimin politik shqiptar në disa drejtime e krijuan të çara në të, përsa i përkiste qëndrimeve të ndryshme ndaj pushtuesve italianë. Klasa politike kundër-zogiste, që në mërgatën 15-vjeçare ishte organizuar në Bashkimin Kombëtar e në grupin e Zarës, në ata vite përbënin pjesën kombëtariste të politikës, së bashku me Lëvizjen e Legalitetit. Ndërsa Bashkimi Kombëtar krijoi Ballin Kombëtar, grupi i Zarës, i drejtuar nga Mustafa Kruja që, në dhjetor 1941 u bë kryeministër, bashkëpunonte me italianët, në perspektivën e ruajtjes së Tokave të Lirueme, që quhej si arritja më e rëndësishme për interesat shqiptare.

Tashmë çështja e pushtimit ishte parë se, në kuadrin e luftës do të kishte përfundimin e tij jo më në Shqipëri, por në frontet e tjera të mëdha, si ai i Rusisë apo i Evropës Perëndimore. Për Shqipërinë ishte e rëndësishme të fuqizohej Shteti, në kufijtë e tij të rinj e synimi madhor ishte që ai të ruante atë gjëndje kur të mbaronte lufta, cilido të ishte fituesi.

Që nga viti 1943, qëndresa kundër italiane filloi të merrte formën e saj të organizuar. Në të bënin pjesë veç partisë komuniste edhe Lëvizja e Legalitetit e Balli Kombëtar. Që nga konferenca e Pezës më 16 shtator 1942, e deri në mbledhjen e Mukjes (1,2, e 3 gusht 1943) u krijua ideja e luftës së përbashkët kundër pushtimit italian më parë, e atij gjerman që nga vjeshta 1943, me kapitullimin e Italisë zëvendësoi këtë të fundit.

Konferenca e Mukjes, në të cilën morën pjesë Fronti Nacional-Çlirimtar me përfaqësuesit  dhe Balli Kombëtar, me një përfaqësi të zgjedhur në nivel të lartë, vendosi bashkërendimin e veprimeve luftarake të qëndresës. Në të u bisedua edhe çështja kombëtare, për të cilën Legaliteti e Balli Kombëtar kërkuan një zotim të përgjithshëm për të ruajtur bashkimin e trojeve shqiptare edhe mbas luftës. Por në atë rast ky problem, më i rëndësishmi që vihej para shqiptarëve, e që kërkonte zotimin e gjithë spektrit politik, pavarësisht nga qëndrimi kundrejt pushtimit italian, nuk gjeti një zgjidhje të vendosur e u shty për më vonë. Kështu edhe marrëveshja e firmosur nga palët pasqyroi atë pavendosmëri. Por vetë fakti i bisedës mbi problemin  bëri që të dëguarit e PKJ, që drejtonin Frontin Nac.- Çl., mbas pak ditësh të firmosjes së marrëveshjes t’a hidhnin atë në kosh, duke bërë të qartë se mbarimi i luftës nuk do të kishte asnjë tjetër parti në drejtimin e Shqipërisë, veç partisë komuniste në udhëheqje të Frontit.

Më 8 shtator 1943 Italia kapitulloi. Gjermania e zëvendësoi menjëherë me trupat e saj zbrazësirën politike duke i bërë të ditur shqiptarëve se ajo nuk kishte asnjë projekt pushtimi për Shqipërinë, por nuk do të lejonte hapjen e një fronti të aleatëve në Ballkan. Në këtë mënyrë gjermanët i linin mundësi më të mëdha politikës shqiptare të organizohej për qeverisjen e Vëndit.

Më 18 tetor 1943 u hap “Kuvendi Kombëtar”, i zgjedhur me vota të lira nga të gjitha viset me popullsi shqiptare, të bashkuara nën administrimin e Tiranës. Kjo asamble, e vetmja në gjithë historinë bashkëkohore shqiptare, që përfaqësonte edhe se jo krejtësisht Shqipërinë etnike u gjuajt me top nga ushtria partizane, si për të vërtetuar se për Frontin Nac.-Çl. Ishte më jetike mbështetja e Jugosllavisë se sa Shteti i bashkuar shqiptar.

Në këta çaste, tejet të rëndësishme për qëndrueshmërinë e vetqeverisjes shqiptare shquhet ndihmesa e Mark Gjomarkajt, si garant i zhvillimeve normale të punimeve t’asaj Asambleje kombëtare, me prurjen e treqind mirditësve t’armatosur në roje të institucioneve, duke filluar nga ndërtesa e parlamentit të vetëm të Shtetit shqiptar të bashkuar. Kush ishte Mark Gjomarkaj, të cilin shumë vite më vonë, në një tubim me rastin e krijimit të Bllokut Kombëtar Indipendent, që përkonte me çerek shekullin e vdekjes së tij, më 14 qershor 1971, profesor Ernest Koliqi do t’a përcaktonte “theror i traditës”?

Ai ishte më i madhi i nëntë bijve e bijave të Gjon Markagjonit, pinjollit të më të vjetrës shtëpi princore të aristokracisë shqiptare, prejardhja e së cilës zhytet thellë në humbëtirat e kohëve, në shekullin lavdiplotë të Gjergj Kastriotit e të Nikollë e Lek Dukagjinit, nga të cilët mendohet se është zanafilla e familjes Gjomarkaj. Një gjë është e sigurtë historikisht: në shekuj pjestarët e asaj familjeje, që ka drejtuar Mirditën e pashkelur nga ushtria otomane, kanë qënë gjyqtarët e njohur zyrtarisht jo vetëm në krahinën e tyre, por edhe në gjithë Malësinë veriore shqiptare. Ky nder dhe detyrë të zbatuar prej përfaqësuesve të kësaj familjeje dëshmon jo vetëm për autoritetin e ligjshëm që ajo gëzonte në botën shqiptare, kryesisht veriore, por edhe për aftësinë e pjekurinë e trashëguar që ata kanë treguar në ushtrimin e ofiqit më të lartë të shoqërisë. Përfaqësuesit e asaj dere mbanin titullin “kapedan” e ashtu janë të njohur në historinë e Vëndit tonë, deri në ardhjen e regjimit komunist, që ktheu në hi traditat më të çmuara të kombit e bartësit e tyre.  

Për figurën e Markut kanë shkruar, veç të tjerëve, dy nga përfaqësuesit më në zë të politikës dhe kulturës shqiptare. Profesor Ernest Koliqi dhe atdhetari Tahir Kolgjini, që e kanë njohur nga afër. Ja disa fragmente të shkrimeve të tyre. Po filloj me një artikull të të dytit, të botuar nga gazeta “Lajmëtari i të Mërguemit”, organ mujor i Bllokut Kombëtar Indipendent, që dilte në Romë, në numurin e tij të korrikut 1976, në rastin e 30 vjetorit të largimit nga jeta të shtetarit mirditor:

“…. Të gjithë shqiptarët, qi kanë flijue jetën e tyne për nji Shqipní të lirë Etnike, duhet t’i kujtojmë shpesh e me nderime. Duhet t’i kujtojmë  me qëllim qi të jemi mirënjoftësa ndaj tyne dhe, në këtë mënyrë, t’inkurajojmë pjesën nacionaliste përgjithësisht. Veç kësaj, na duhet me i kujtue dhe për arsye qi historiani i ardhshëm  të ketë burime të vërteta në përshkrimin e ngjarjeve të botës shqiptare gjatë kacafytjes së dytë botërore. E kemi për detyrë…..

Sidomos për Markun, sido qi të jetë shkrue, ato nuk janë të mjaftueshme për personalitetin e tij të vlefshëm. Janë shumë pak. Prandej edhe un, tue u mundue me tregue dishka për këtë HERO dhe tue e kujtue me nji nderim të thellë, po due me dalun përpara lexuesve të mij të dashtun.

Ishte periudha e Shqipnís Mbretnore, atëherë kur e njofta Markun për herë të parë në Tiranë. Vjeti nuk më kujtohet. Do të shkonte për të vazhdue mësimet n’Italí. Rastësisht u përshndeta me tê dhe me disa shokë, qi kishin ardhë me e përcjellun. I hateshëm dhe i pastër në trup; krrik (shik) në veshje dhe i zvillatun e simpatik në ftyrë. Më tërhoq vrejtjen zgjimi dhe sjellja e tij fisnike. Me qëllim qi të përbâj nji mendim, fillova me tê disa bisedime të ndryshme. Përgjigjet e tij ishin të qarta dhe me vênd e mâ tepër në dialektet t’ona. Qysh atëherë, mbeta shum i kënaqun, tue m’u forcue shpresa për ktê student të ri, si djalosh i nji derës së mirë, do të mbërrîjë në gjêndje me i shërbyem Shqipnís në kohën e ardhëshme. 

Ai qe nji student shqiptar vërtetë idealist. Mâ vonë e shoh si Nënministër i Punëve të Mbrêndshme në Tiranë, kur erdhi në fuqi qeveria e kryesueme prej të ndiemit Mustafa Krujës në fillim të vjetit 1942…..

Kur ishte fjala për shqiptarë e për Shqipní, atê nuk e lakonte kurrgjâ në ket botë. As vdekja nuk i bânte përshtypje. Mâ vonë, me dorëheqjen e qeveris së Mustafa Krujës, ai, nji herë, kaloi në jetën private. Mbasandej, me kapitullimin e Italís në vjeshtën e vjetit 1943, mori pjesë në Kuvêndin Kombtar në Tiranë. Në kët kohë, elementi komunist, tue përfitue nga mungesa e autoritetit, e kishte mârrun frênin në dhamb dhe bânte atentate djathtas e majtas, tue vramë nacionalistë të shquem , me qëllim qi të mbjellte terrorin në popull dhe në qeverí.

Pikërisht në kët kohë të rrezikshme, Mark Gjomarkaj me treqind miq e dashamirë, qi i kishte sjellun prej Mirdite, i siguroi mbrojtjen parlamentit, tue e ruejtun nga çdo msýmje, ose kërcnim. Në këtë nmëyrë ai, legjislaturën e asaj kohe e vuni në gjêndje  me punue me qetësi e me gjak të ftoftë….”

Shkrimtari kombëtarist Tahir Kolgjini, me një stil të përkorët  i ka lënë historiografisë shqiptare, nëpërmjet atij shkrimi, jo vetëm një dëshmi të vyer të atij HEROI të kombit, por edhe një portret të përkryer të një djaloshi që, pa mbushur ende të tridhjetat, kishte fituar shtatin e burrit të Shtetit dhe shërbyesit të zellshëm e të vyer të Kombit, në disa nga çastet më të vështira e më të brishta të qënies së tij.

Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika

Dita e Lirisë së Kosovës – 12 Qershori 1999, festohet 24 vjetori

June 12, 2023 by s p

-Në 12 Qershor 1999 – Ditën e Lirisë  së Kosovës raportoja drejtpërdrejë nga kolona e tankeve të para të NATO-s që prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës hynin në Kosovë, duke filluar nga ora 05 e 17 minuta të përcjella nga helikopterët Apaçë/

 -Liria Kosovës po i vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe që bënin spastrim etnik, masakra e gjenocid kundër shqiptarëve/

-Viti 2005 – Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova për 12 Qershorin – Ditën e Lirisë: Dita më e madhe në historinë e re të Kosovës…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI 

-12 Qershor 2023, plot 8 vjet shkrimesh-raportimesh  nga Kosova për Gazetën DIELLI të Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA/

PRISHTINË, Qershor  2023/ Kosova feston Ditën e Lirisë dhe Paqes – 12 Qershorin.

Para 24 viteve Kosovës nisi t’i ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 Qershorin historik 1999, kur prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët Apaçë nisën të hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Lajmin e madh për gjithë shqiptarët e botën e raportoja drejt Tiranës për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të focës ushtarake më të madhe planetare, e cila të nesërmen merrte në kontroll edhe kryeqytetin, Prishtinën, ndërsa  duke kaluar kufirin nga Shqipëria nëpër Morin-Vërmicë shkonte edhe drejt Prizrenit…

 Uturima e fortë e helikopterëve Apaçë dhe e kolonës së gjatë të tankeve të NATO-s, që hyri në Kosovë në mëngjesin e hershëm të 12 Qershorit 1999 nuk kishte kend ta zgjonte në qytezën kosovare Hani i Elezit, mu në pikën e kufirit me Maqedoninë. Forca më e madhe e botës, NATO, kalonte nëpër qytezën fantazmë, të mbetur pa banorët e dëbuar, të boshatisur nga jeta, të djegur e bërë shkrum nga gjenocidi e spastrimi etnik i forcave okupatore të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.

Me përshkrimin e kësaj pamje të tmerrshme të Kosovës së mbetur pa njerëzit e saj, por edhe me gëzimin më të madh se në atë mëngjes plot shkërqim të diellit që po lindëte kishte ardhë ajo dita e ora e madhe e ëndërrave – Dita e Lirisë së Kosovës, po vazhdoja të japë me telefon raportin e nisur në orën 05 e 17 minuta, me kryelajmin më të madh në botë:  “Taknet e para të NATO-s hynë në Kosovë, në këtë orë të lume, në këtë mëngjes të 12 Qershorit 1999, në këtë ditë të madhe historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët…”

Më shumë se lajm ishte një shpërthim ndjenjash, që në reportazhin e asaj dite mundohesha t’i tregojë edhe me këto fjalë: “Çlirimi i Kosovës nuk është ëndërr, është më shumë se gëzim, po ndodhë…”

Me një ndjenjë krenarie erdhën pastaj pëshëndetjet për NATO-n në Kosovë nga një grup i luftëtarëve të lirisë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili doli të presë e përshëndes forcen aleate. Ishin me uniformat dhe simbolet e ushtrisë me shqipnjën dykrenare, e të paarmatosur.

Uniforma të tjera dhe ushtarë të tjerë nën armë, pjesëtarë të forcave serbe, u gjetën ca më vonë në një tunel, tek në ikje minonin për t’ia mbyllë rrugën NATO-s. Ata u çarmatosën dhe u detyruan vet t’i heqin minat, dhe marshi i NATO-s vazhdoi pas një ndalje e vonese te tuneli.

Një ndalje e gjatë e kolonës, më se katër orë, ishte te Ura e Kashanit mbi lumen Lepenc në Grykën e Kaçanikut. Njësitet britanike të xhenios, ushtarë nga Nepali dhe Anglia , brenda asaj kohe zhvilluan operacionin për mënjanimin e rreziqeve të mundshme nga minat dhe për t’u siguruar se mbi urë do të mund të kalojnë tanket dhe makineritë e tjera të renda luftarake. Testimi i urës u bë edhe me zbarkimin e helikopterëve mbi të, fillimisht helikopterë më të lehtë e në numër më të vogël, e pastaj githënjë e më të rëndë e në numër më të madh…

Kishte kaluar ora 15 e pasditës dhe ura po kalohej…

 Kishte edhe rreziqe e pengesa të tjera në terrene të luftës së sapopërfunduar. “Asnjë hap jashtë asfalti”, ishte urdhëri për gazetarët që ishim në kolonën e NATO-s. Mina të vendosura nga forcat serbe mund të kishte kudo.

Në Grykën e Kaçanikut forcat serbe kishin lënë prapa edhe shumë grafite në faqe shkëmbinjësh. Për grafitin serb “Kosova është zemra e Serbisë” si një antigrafit ishte komenti i  një gazetari: “E si mund të jetë zemra jashtë trupit?!”. “Serbia deri në Durrës” ishte një nga grafitet që shkonin në të pamundurën e edhe shumë më larg: “Serbia deri në Tokio”,  “Serbia deri në Sidnei”, që pretendonin se edhe Japonia dhe Australia qenkan Serbi. Gazetarët nga gjithë bota, me të cilët në kolonën e tankeve të para të NATO-s në Kosovë isha bashkë me korrespondentin nga Shkupi të gazetës shqiptare tradicionale të Kosovës Rilindja, Bedri Sadiku, ato grafite i shikonin si një çmenduri serbe dhe qeshnin, fotografonin, filmonin, raportonin…

Për të hyrë me NATO-n në Kosovë “të akredituar deri natën e 11/12 Qershorit,  diku pas mesnate,  ishin më shumë se 1500 gazetarë nga gjithë bota”, ka shkruar Bedriu në gazetën historike Rilindja, për të cilën ka shkruar-raportuar e fotografuar në 12 Qershor 1999, kur kishim fatin historik të hyjmë në Kosovë me NATO-n që sillte lirinë…

Përtej grafiteve të përçudshme serbe, si një përgjigje dhe realitet se çka është Kosova u shfaq imazhi i Flamurit Kombëtar Shqiptar i ngritur si fluturim shqiponje dykrenare e si në majën më të lartë të festimeve në gjithë botën në qytetin e Kaçanikut, ku në 7 Shtator 1990 ishte shpallur Republika e Kosovës dhe miratuar Kushtetuta e saj në një mbledhje historike të Kuvendit të Kosovës, në kushte të rënda dhe plot rreziqe okupimi, e që pasonte Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990 të miratuar para dyerve të mbyllura të ndërtesës së Kuvendit kosovar në Prishtinë nën shtetrrethim edhe me tanke e snajperë të forcave okupatore të Serbisë.

 Një pjesë e forcave të NATO-s u ndal në Kaçanik, ndërsa kolona vazhdoi rrugën drejt Fushës së Pajtimit dhe qytetit të Ferizajt, në orët e pasditës…

 Ora 16. Mbi qytetin e Ferizajt shiheshin re tymi. Për të pritur e përshendetur NATO-n me lulet që i vënin mbi tanke e shtronin rrugën, dhe me brohoritjet “NATO, NATO”, “Kosova, Kosova”, “NATO-Kosova e Lirë”, kishin dalë ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur në Ferizaj. Ata kishin dalë përkundër kërcënimeve e shumë rreziqeve se ende forcat serbe nuk kishin ikur. “Forcat serbe edhe sot po e djegin Ferizajn, duan ta djegin të tërin në largim e sipër”, tregonin banorët shqiptarë.

 Në një cep të rrugës ishin ndalur ushtarakë të NATO-s dhe fëmijëve u shpërndanin bombone – ëmbëlsira. Fëmijtë ishin tërë gëzim. Një vajzë 10-vjeçare, shumë smpatike, po shtrëngonte ëmbëlsirën në grusht te zemra dhe thërriste shumë e lumtur: “Do ta ruaj tërë jetën për kujtim”. Për ta ruajtur, veç një herë e afroi te buzët bombonin ajo vajzë që muaj të tërë as s’kishte parë ëmbëlsira e kishte vujtur edhe nga uria në mungesë të bukës. Vajza tregonte se ajo është Shega Asllani dhe se është nxënëse shembullore e klasës së katërt të tetëvjeçares. Një e afërme e saj, Bardha Asllani, me gazetarët spanjollë fliste spanisht, ndërsa për të shprehur falenderimin e madh të gjithë fëmijët përreth brohorisinin për Solanën, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, për Presidentin Amerikan Clinton, Kryeministrin Britanik Bler…

Pas ndonjë ore edhe fushat rreth Lipjanit u mbushen tanke të NATO-s, të cilat para mbrëmjes arrijnë deri afër Prishtinës, por hyrja në kryeqytet mbetet për të nesërmen…

Me gazetarët që nuk u pritej u nisëm për në Prishtinë edhe pse rreziku ishte i madh para se të hynin forcat e NATO-s. Ishte edhe festë lajmi që e jepja drejt Tiranës se po hyja në Prishtinë dhe afër ishin forcat e NATO-s që do hynin…

Po kthehesha në Prishtinë, para mbrëmjes së 12 Qershorit, duke kujtuar edhe largimin drejt kufirit jugor të Kosovës pasi në mbrëmjen e 24 Marsit 1999  në kushte të pamundshme të ndërprerjes së linjave telefonike dhe dritave, me lidhje satelitore që e mundësoi vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, nga banesa plot edhe me refugjatë në qytetin në luftë e në shtetrrethim, derisa shkallëve të ndërtesës në lagjen Ulpiana dëgjoheshin rrapllimat e zërat e forcave serbe, kisha raportuar  nga Prishtina në Tiranë për goditjet e para të aviacionit të NATO-s e të nesërmën në mëngjes për “qytetin fantazmë” e masakrat e reja të forcave serbe në shtëpitë e shqiptarëve gjatë natës…

Atë parambrëmje të 12 Qershorit 1999 në qendër të kryeqytetit, te Hotel Grandi, shihej se rreziku ishte edhe më i madh se që ishte paramenduar. Në të gjitha anët kishte të shtëna armësh. Kudo kishte policë, ushtarë, paramilitarë serbë, të gjithë të armatosur, shumë prej tyre edhe të dehur…

 Edhe në atë situatë, mes shumë rreziqesh, po bëja një raportim edhe për gazetën Rilindja, e cila pas ndalimit nga forcat serbe në Kosovë vazhdonte të dalë në Zvicër, Shqipëri…Nuk dola fare nga automjeti që u ndal para hotelit, dolën vetëm gazetarët nga bota.

 Paramilitarët serbë i ndoqën gazetarët ende pa hyrë në hotel, dhe nëpër një rrëbesh shiu që largoi njerëzit nga rruga po largoheshim me shpejtësi me automjetin ku ishim…

Po ku të shkonim, ku ta kalonim natën, kur ende nuk mund të shkoja në banesën time ku kishin hyrë forcat serbe…

Shkojmë drejt adresës së telefonatës së 6 Majit 1999 nga Prishtina, që u bë lajm…“Ai lajm na dha shpresë shpëtimi”, u shprehën me falënderim të ngujuarit atje, që na dhanë çelësin e një banese të boshatisur.

Në lajmin e 6 Majit 1999, natyrisht, në rrethanat që ndodheshin të ngujuarit në Prishtinë, mes forcave kriminale, nuk përmenda burimin, telefonatën nga posta e re e Prishtinës që ishte bërë mes rreziqesh, po duke iu referuar “burimeve” tregova çka po ndodhëte, që “bota ta marrë vesh”.

“Shqiptarët në Prishtinë – mburojë e gjallë”, ishte titulli i lajmit që kisha raportuar nga Kufiri jugor i Kosovës në 6 Maj 1999, ku theksoja: “Shumë banorë të Prishtinës po mbahen peng dhe
po përdoren nga serbët si mburojë e gjallë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë dhe banesat pranë vendeve ku janë fshehur
armë dhe mjete të mekanizuara ushtarake si dhe nëper objekte që
mund të bombardohen nga NATO-ja”…

Në kryeqytetin e Kosovës edhe gjatë gjithë natës së 12-13 Qershorit 1999 breshëritë e armëve serbe vazhdonin dhe plumbat qorr binin mbi kulmin e banesës së boshatisur, ku u strehuam. Nata e fundit e forcave serbe në Prishtinë ishte plot tmerre dhe ankthe, kishte shqiptarë të vranë në shtëpitë e tyre, edhe shumë djegie e plaçkitje.

Në mëngjesin e 13 Qershorit 1999 qielli mbi Prishtinë mbulohej nga helikopterët e NATO-s, ndërsa kolona e tankeve dhe makinerive tjera ushtarake shihej tek zbriste nga kodrina e Veternikut dhe mbushte sheshet dhe rrugët e Prishtinës. “NATO po e merr kontrollin në Prishtinë dhe po detyron forcat serbe të largohen…” Lajmi që po raportoja për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë dhe drejtpërdrejtë i lidhur edhe me Radio Televizionin Shqiptar po shkonte nga Prishtina në Tiranë me telefonin me lidhje zvicerane satelitore, sepse lidhjet tjera telefonike ishin të pamundura. Telefonin që më mundësonte raportimet – lidhjet me Tiranën  ma kishin sjellë familjarë nga Zvicëra – djali Guri Jashari derisa isha në Maqedoni refugjat lufte.  

Në Prishtinën e shkatërruar ndihej erë shkrumi e shtëpive e obekteve tjera të djegura. Nga forcat serbe ishin djegur edhe selia e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe selia e Presidencës së Kosovës. Dyqanet dhe klubet të gjitha ishin të mbyllura dhe të plaçkitura. Hotel Grandi ishte i hapur, por ende jo për shqiptarët. Thuhej se bodrumet e hotelit ishin shndërruar në qendër turturash për shqiparët e rrëmbyer e të arrestuar nga forcat serbe.

Vetëm edhe një lokal-klub tjetër i vogël përball hotelit ishte i hapur. Ai ishte i mbushur plot me njerëzit që pinin kafenë e parë në Prishtinën e lirë. Në Kosovë, edhe në Prishtinë, ku po ndodhte liria…

Pas një nate që e përshkruaja “plot rreziqe dhe e tensionuar, me të shtëna të shumta armësh të serbëve dhe me provokacione kundër shqiptarëve dhe forcave paqësore”,  vazhdoja raportimet nga Prishtina: “Kosova qysh dje dhe sot është e lirë në shumë pjesë të saj. Kurrë nuk janë parë njerëz më të gëzuar se dje e sot me hyrjen triumfale të forcave të NATO-s në Kosovë dhe kryeqytetin e saj, Prishtinë. Në Prishtinë qysh sot, NATO po vendos kontrolle…”

Pasditen e 13 Qershorit 1999, bashkë me korrespondentin e Zërit të Amerikës,  Isak Ramadani, e gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri, që erdhën në Prishtinë duke sjellë edhe numrin special të gazetës tradicionale kosovare Rilindja të botuar atje me raportimet për ngjarjen historike të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë,  kalova edhe një herë rrugën nga kishin hyrë forcat e para të NATO-s një ditë më parë. Edhe gazeta Rilindja, të cilën e shpërndanim në Kosovën që po çlirohej,  në ballinë kishte te kryetitulli orën që kisha raportuar: “Dje në orën 5.17 – Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”.

Edhe editoriali “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”, shkruar nga Blerim Reka, ishte i botuar në faqen e parë të gazetës Rilindja, me foto nga ngjarja historike e ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s, e ku shkruhej edhe: “Qeveria e përkohshme e Kosovës punon për kthimin e popullsisë.-Kryeministri Hashim Thaçi vizitoi Austrinë”.  

Dhe, vazhdoja raportimin: “Sot duket krejt e çliruar pjesa e Kosovës nga kufiri me Maqedoninë, përgjatë rrugës që të çon në Han të Elezit, Kaçanik, Ferizaj, Lipjan e deri në kryeqytet. Në Kaçanik, Han të Elezit dhe në lokalite të tjera takuam dhe ushtarë të UÇK-së që kthenin jetën dhe rregullin.
Flamuri shqiptar – flamuri i lirisë valonte në kulmin e ndërtesës 12-katëshe në qendër të qytetit të Kaçanikut, mbi kulmin e shkollës tetëvjeçare ‘Jusuf Gërvalla’ në fshatin Nikaj dhe lokalitete të tjera.

Në vendkalimin kufitar në Bllacë ndërmjet Kosovës dhe Maqednisë sot nuk ka më flamuj serbë, të cilët janë hequr. Në kufi figurojnë marinsat amerikanë”.

Në qytetin e Kaçanikut, në jug të Kosovës, ushtarët e Ushtirisë Çlirimtare të Kosovës ishin vendosur në ndërtesën e Stacionit të Policisë, prej nga kishin ikur forcat serbe…

Kështu ishte 24 vite më parë…

 Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 Marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, mbi 6 mijë të zhdukur,  shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër një milion të dëbuar – shumica  drejt Shqipërisë…

Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400  fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…

Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 Qershor e  hyri në fuqi në 11 Qershor 1999.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 Qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, gjeneral britanik, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 Qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.

Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  poashtu para 15 viteve në 9 Prill, më pak se dy maj pas 17 Shkurtit historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara…

MIRËNJOHJE DHE FALËNDERIM PËRJETSHËM PËR MIRËPRITJEN E PËRKUJDESJEN VËLLAZËRORE SHQIPTARE PËR TË DËBUARIT NGA KOSOVA – REFUGJATË TË LUFTËS SË PËRFUNDUAR NË PRANVERËN E LIRISË TË VITIT 1999

Si korrespondent në Prishtinë i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, në vitin 1999 të kohës së luftës, të dëbimit të mëse 1 milion shqiptarëve nga Kosova, për rreth dy muaj “selia” e raportimeve të mia ishte kufiri jugor i Kosovës, si dhe Tetova e fshati i afërt Dobrosht – shtëpia e familjes së Mesut Veselit, ku më parë kishin mbërritur njerëz të familjes sime të dëbuar nga forcat serbe… Raportoja edhe nga Shkupi e vende tjera në Maqedoni.

 Akreditimi mu dha nga Ministria e Informatave e Maqedonisë të njëjtën ditë të kërkesës dërguar me telefax nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në 5 Prill 1999. Ishte mëngjesi i ditës sime të parë refugjat jashtë kampit të Bllacës, ku pas qëndrimit disaditësh natën kisha kaluar kufirin…

Mirënjohje dhe falënderim të përjetshëm për mirëpritjen e përkujdesjen vëllazërore shqiptare për të dëbuarit nga Kosova refugjatë të luftës së përfunduar në pranverën e lirisë të vitit 1999.

VITI 2005 – MESAZHI I FUNDIT I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA PËR 12 QERSHORIN, DITËN E LIRISË SË KOSOVËS

PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 12 Qershorit, Ditës së Lirisë të Kosovës, u ka drejtuar qytetarëve të Kosovës një mesazh urimi me këtë përmbajtje:


Me rastin e 12 Qershorit, 6 vjetorit të Ditës së hyrjes të trupave të NATO-s në Kosovë, që është Ditë e Lirisë së vendit tonë, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta.


Dita e 12 Qershorit, pra Dita e Lirisë së Kosovës, është një ditë e madhe që e siguroi qenien tonë nacionale e njerëzore dhe të ardhmen më të lumtur për të gjithë ne.


Në këtë Ditë feste, urime të përzemërta i shprehim Komandantit të KFOR it, Gjeneralit Iv dë Kermabon dhe ushtarëve të Tij.


Njëherësh urime të sinqerta i shprehim UNMIK-ut dhe OSBE-së.


Urime të sinqerta po ashtu u shprehim përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e vendit tonë, në Prishtinë.
Dhashtë Zoti që 12 Qershorin e ardhshëm, Ditën e Lirisë, ta festojmë me njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

 12 QERSHOR 2005 – PRESIDENTI RUGOVA: 12 QERSHORI MBETET DITA MË E MADHE NË HISTORINË E RE TË KOSOVËS

PRISHTINË, 12 Qershor 2005/ Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në mbrëmjen e 12 Qershorit 2005 në Prishtinë shtroi një darkë solemne për nder të Ditës së Lirisë – 6 vjetorit të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë. Të ftuar ishin përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë.


Në këtë solemnitet Presidenti Rugova deklaroi se Kosova është e lirë falë ndihmës së NATO-s. Ai gjithashtu u shprehu mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përpjekjet e bërë për lirinë dhe pavarësinë.


“Kjo do të jetë dita më e madhe në historinë e re të vendit tonë, sepse me të u kurorëzua liria e kombit tonë, që ishte ëndërr dhe përpjekje e shumë gjeneratave”, theksoi në fillim të fjalës së tij Presidenti Rugova.


Duke folur për periudhën e pasluftës, Presdenti Rugova vlerësoi se gjatë këtyre gjashtë vjetëve Kosova ka pasur një progress të madh në të gjitha fushat e jetës, të cilin e ka arritur “me NATO/KFOR-in, që ka bërë dhe po bën sigurinë e Kosovës, si dhe bashkë me UNMIK-un e me OSBE-në në planin civil”.


Ndërsa, duke folur për momentin aktual, ai tha se institucionet po punojnë në përmbushjen e standardeve prioritare dhe në vlerësimin e progresit, që do të krijonte mundësi për pavarësinë e vendit tonë simbas rrugës ndërkombëtare.


“Por, siç e dini, unë insistoj në njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës nga SHBA dhe BE sa më shpejtë. Kështu Kosova si vend i pavarur e demokratik është e vendosur për integrim në BE e në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. Kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës e të botës dhe do të krijonte sigurinë e të ardhmes së të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ritheksoi edhe me këtë rast Presidenti Rugova.


Në vazhdim të fjalës së tij, Presisdenti Rugova lavdëroi punën e paqeruajtësve në Kosovë, duke thënë se “NATO/KFOR-i për gjashtë vjet ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit për të gjithë qytetarët. Kështu KFOR-i mbetet forcë e dashur dhe e nderuar nga i gjithë populli i Kosovës”.


Ai u shprehu mirënjohje ushtarëve të KFOR-it, që në kryrje të detyrave humbën jetën e tyre.
“Në këtë ditë i përkujtojmë të gjithë ata që ranë për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

 Njëherësh i shprehim mirënjohje popullit të Kosovës dhe luftëtarëve të UÇK-së për përpjekjet e bëra për lirinë dhe pavarësinë e tonë”, theksoi Presidenti Rugova, duke përshëndetur me këtë rast Presidentin Bush, Kryeministrin Bler, Presidentin Shirak, Kancelarin Shrëder dhe Kryeministrin Berluskoni, që përkrahin Kosovën.

Poashtu ai përkujtoi me pietet të lartë Papa Gjon Palin II që ka ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe përshëndeti Atit e Shenjtë Benedikti XVI, me dëshirë që të lutet për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë.


Presidenti Rugova e luti gjeneralin Kermabon që t’ua përcjellë ushtarëve të KFOR-it urimet e tij të përzemërta dhe të popullit të Kosovës për Ditën e Lirisë së Kosovës, 12 Qershorin, Ditën e NATO-s në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it Iv de Kermabon theksoi se përkushtimi i NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit mbetet i njëjtë si përpara gjashtë viteve, kur u vendosëm në Kosovë.


“Është e rëndësishme të përkujtojmë se KFOR-i nuk vepron i vetëm. Puna që ne bëjmë me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe liderët vendorë mbetet esenciale për ndërtimin e paqes. Pra, partneriteti ynë nuk është vetëm ndërmjet KFOR-it dhe UNMIK-ut, por përshinë edhe partnerët tanë vendorë dhe mbështetja e tyre është esenciale”, tha Kermabon.


Ndërsa Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë Filip Goldberg duke folur në emër të përfaqësive diplomatike në Prishtinë theksoi se ata ndihen krenarë për atë që bënë më 1999.


“Ne jemi shumë krenarë për atë që bëmë në vitin 1999 dhe duam të mbetemi të tillë për atë që do të ndodhë më 2005, 2006 dhe 2007, që do të thotë një Kosovë e cila do të reflektojë vlera demokratike në respektim të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh etnitë apo besimin. Janë këto vlera që ne i sollëm më 1999”, theksoi Goldberg.


Në këtë darkë solemne Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova dekoroi ushtarët e KFOR-it me Medaljen e Sigurisë.

12 QERSHOR 2019: KOSOVA 20 VJET LIRI, NË FESTËN E MADHE AMERIKA -CLINTON , ALBRIGHT, PALMER…

 Në 12 Qershor 2019 kam raportuar për Gazetën DIELLI, mes tjerash: Festë të madhe sot ka Kosova për 20 vjetorin e lirisë, është festë e gjithë shqiptarëve, urime e përgëzime vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të botës së lirë e demokratike. Presidenti Amerikan Bill Clinton dhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeline Albright, nga koha e luftës dhe e fitores së paqes e lirisë në Kosovë, si dhe zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit Amerikan, Mattheë Palmer, ishin sot dhe mbajtën fjalime në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në Sheshin “Skëndërbeu” në Prishtinë. Mes shumë pjesëmarrësve ishe edhe ish-komandanti i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Wesley Clark, i cili ka drejtuar ndërhyrjen shpëtimtare-humanitare në kohën e luftës në Kosovë. Në festimin madhështor ishin drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike dhe diaspora.

Më Prishtinë sot bëhet edhe përurimi i Bustit të Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj, afër American School of Kosova – te Newborn.

Pjesë e festës, mbrëmjen e djeshme u mbajt koncerti i Filarmonisë së Kosovës, në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Kosova po feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

12 QERSHOR 2023, 8 VJET SHKRIMESH-RAPORTIMESH  NGA KOSOVA PËR GAZETËN DIELLI NË AMERIKË

  Në 12 Qershor 2023 bëhen tetë vjet dhe nis viti i nëntë  i shkrimeve – raportimeve që bëj si korrespondent nga Kosova i Gazetës DIELLI që e njoha nga historia e kombit dhe shtypit shqiptar. E që edhe shumë vite para 12 Qershorit 2015 botonte shkrimet e mia që i merrte nga Agjencia Shtetërore Zyrtare e Lajmeve e Shqipërisë e në shtypin shqiptar.

Raportimet për DIELLIN i nisa pikërisht në Ditën e Lirisë, në përvjetorin e 16-të të hyrjes së NATO-s në Kosovë, me një reportazh për ngjarjen historike, ku në 12 Qershor 1999 isha gazetar i akredituar në kolonën e tankeve të para të forcës ushtarake më të madhe planetare që kishte nisur misionin shpëtimtar e paqerujtës…

Me shumë respekt e vlerësim për gazetën më të  herëshme shqiptare, DIELLI, që në 15 Shkurt 2023 festoi 114 vjetorin, e themeluar nga personalitetet e mëdha të kombit Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA, për të gjithë shqiptarët në SHBA që aq shumë kontribuan për Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet tjera etnike. Falënderime e mirënjohje të përgjithëmonëshme…

 Uroj që gazeta e VATRËS së shqiptarëve në Amerikë të mos shuhet kurrë e të shëndrisë gjithmonë ashtu si DIELLI, emrin e të cilit e ka…

Edhe në Ditën e Lirisë së Kosovës – 12 Qershor 2023 uroj Federaten Mbarë-Shqiptare të Amerikës VATRA për festën e saj të 111 vjetorit.

Uroj Kryetarin e VATRËS Elmi Berisha, Kryesinë, Këshillin dhe të gjithë VATRANËT, Shqiptarët në Amerikë…

Me shumë respekt,

Behlul Jashari

Filed Under: Histori

THE LINDSAY DAILY POST (1922) / “SHTRETËRIT, SKEMA E RE E TAKSIMIT NË SHQIPËRI” — INTERVISTA ME KOLË THAÇIN, MINISTRIN E FINANCAVE

June 10, 2023 by s p


Kolë Thaçi (1886 – 1941)
Kolë Thaçi (1886 – 1941)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Qershor 2023

“The Lindsay Daily Post” ka botuar, të enjten e 1 qershorit 1922, në faqen n°7, një shkrim në lidhje me planifikimin e skemës së re të taksimit asokohe në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

E dhjeta biblike burimi i të ardhurave të Shqipërisë

Burimi : The Lindsay Daily Post, e enjte, 1 qershor 1922, faqe n°7
Burimi : The Lindsay Daily Post, e enjte, 1 qershor 1922, faqe n°7

Tiranë, Shqipëri, 6 maj. (Associated Press) — E dhjeta biblike është burimi kryesor i të ardhurave të Shqipërisë dhe deri tani ka qenë një politikë “takse e vetme”. Një politikë e re fiskale po prezantohet dhe në mesin e shumë artikujve të propozuar për taksim janë shtretërit, pasi në vendin e tyre primitiv një shtrat konsiderohet si një luks.

Origjina e së dhjetës këtu mund të gjurmohet tek turqit, të cilët me shekuj e kanë mbledhur atë nga populli i Shqipërisë. Duke qenë një metodë e thjeshtë takse dhe një rrethanë me të cilën ishin mësuar të gjithë banorët, ajo u miratua nga qeveria e re e Pavarur si një mjet të ardhurash. Megjithatë, qeveria e re nuk e ka gjetur atë një lloj takse shumë produktive për shkak të aftësisë me të cilën tatimpaguesit mund të fshehin të ardhurat e tyre. Aq të aftë janë banorët në shmangien e një pjese të madhe të së dhjetës, saqë tani po vihen në zbatim metodat e taksimit.

“E dhjeta është ende burimi ynë kryesor i të ardhurave,” tha Kolë Thaçi, Ministër i Financave të Shqipërisë, për korrespondentin e Associated Press. “Ne varemi prej saj për shpenzimet aktuale të qeverisë, por zbulojmë se nuk prodhon mjaftueshëm kthim për të mbajtur taksat tona në këmbë. Tashmë po planifikojmë një skemë të re taksimi. Është propozuar të vendoset një taksë për shtretërit, sepse për ne shtrati nuk është një domosdoshmëri absolute. Populli ynë është mësuar me shekuj të flejë në dysheme dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot e kësaj dite. Sot shohim që shtretërit po futen gradualisht nga ata që kanë mundësi, ndaj ne propozojmë që të vendoset një taksë për këta shtretër si një artikull luksi.”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

90 VJET NGA VRSJA E HASAN PRISHTINËS    

June 10, 2023 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë/

   

Vjena ishte vendstrehimi dhe aktiviteti politik i Hasan Prishtinës për disa vite nga jeta e tij. 

Përkujtim me rastin e 90 vjetorit të vrasjes së tij. 

Hasan Prishtina qëndroi herë pas herë në Vjenë së bashku me gruas së tij, Igballen. me ndërprerje duke filluar nga prilli i vitit 1913, kur shpëton nga burgu i Kalemegdanit në Beograd.  Ein Bild, das Menschliches Gesicht, Porträt, Person, Krawatte enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Ai e donte jetën aktive në shërbim të çështjes kombëtare, për çka territori i Austro-Hungarisë ishte më i volitshëm se sa vendlindja e pushtuar nga ushtritë armike serbe, bullgare e malazeze. Vjena ishte në atë kohë qendër e refugjatëve  politik shqiptarë,  të cilët  kishin themeluar  grupin politik në Vjenë me emrin ,,Indipendent”, me të cilët Hasan Prishtina takohet. Në kontaktet me Hasan Prishtinën u shqua familja e ushtarakut të lartë Modestus Urban dhe gruaja e tij Marie Urban, me të cilën kishin në pronësi ëmbëltoren në Vjenë, ku ajo punonte. Vjena është vendi ku Hasan Prishtina përjetoj shumë kundërthënie e peripeci nga jeta e tij aspak e lehtë.  
Ein Bild, das Text, Zeitung, Kleidung, Mann enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Mysafir shqiptarë në Vjenë: Nga e djathta në të majtë: Ismail Qemal Beu, President Provizosr i Qeverisë Shqiptare; Qazim Kemal Beu, djali i madh i tij dhe Hasan Beu Prishtina, prijës i njohur shqiptar.  Wiener Bilder, 

15 qershor 1913

Në vitin 1931 ai i shkroi nga Vjena  sekretarit të përgjithshëm te Shoqatës së Kombeve, Enrik Drunandit në Romë, ku pika e parë i kushtohet shkollave shqipe: ”Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private”. Çështjen e arsimit të popullit shqiptar ai e shtronte  më parësoret në shoqëri. Nga ana tjetër Hasan Prishtina prej rilindësit të kohës Josif Bageri,  konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Kurse,  Hil Mosi, i cili ishte përfaqësues i  qendrës kulturore shqiptare “Dija” në  Vjenë, i fton bashkatdhetarët të merrnin “për shembull ndershmërinë e deputet të Prishtinës,  i cili pasurinë e tij e përdor për lulëzimin e kombit, e kështu pasi që do vdesim një herë, emri i juaj do të rrojë i pa vdekur, gjersa të rroj Shqipëria”. H:\DCIM\101_FUJI\DSCF1408.JPG

Banesa ku banonte Hasan Prishtina me familje në Vjenë. Rruga: Radetzkystraße 25-27, 1030 Wien (tetor 2007)

Largpamësia e Hasan Prishtinës u pa me qëndrimin e tij: “Arsimi është shpirti i një kombi” Duke e ditur gjendjen e mjerueshme të popullit shqiptar analfabet ai u angazhua me të gjitha forcat në themelimin e shkollave shqipe dhe arsimimin e shqiptarëve kudo që ndodhën. Dhe, ishte i veçantë në fushën e arsimit kombëtar. ”Kontributi i tij për zhvillimin e arsimit kombëtar është i madh dhe nuk mund të gjendet krahasim, jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në historinë e popujve tjerë”(Shkruan M. Pirraku, historian). Ai me këmbëngulësinë, oratorinë dhe pastërtinë si deputet i Prishtinës në Parlamentin Turk, bëri që të aktualizohet arsimi i shqiptarëve në gjuhën shqipe. Me financimin e tij privat ai hap shumë shkolla dhe i ndihmoj shumë nga ato që ishin themeluar më parë. Duke e ditur se Vjena ishte qendër e kulturës, vend fillimi i albanologjisë, mbajti lidhje të vazhdueshme me intelektual që vepronin aty. Në përpjekjet e tij për hapjen e shkollave shqipe, Hasan Prishtina do shprehej: “Arsimi është shpirti i kombit”, andaj e ndihmoi gjithkund ku ishte nevoja. Shembuj të tillë janë pjesë e përditshmërisë së tij.  Pasi vet e  themeloi orkestrën frymore në Vushtrri, me mjetet e tij materiale, ai dërgoi në Vjenë për të blerë instrumentet muzikore Izet Badivukun, Latif Agë Fonden dhe Abit Novolanin.

”Hasan Prishtina, çështjen e arsimit të popullit e shtronte  më parësoret të shtetit. Në këtë ishte shumë konkret dhe praktik duke u nisur nga vetja. Ai ndanë 5% nga të ardhurat e tij për arsim. Kjo shumë ishte e lartë dhe e siguronte mbajtjen e dhjetë shkollave në Kosovë dhe 60 nxënës nga Kosova në Normalen e Elbasanit”. 

Gazeta, Ora e Shqipnisë shkruan rreth patriotit  Hasan Prishtina në artikullin e saj me titull: 

  Gazeta e kohës “Ora e Shqipnisë”  në Vjenë me 23 prill 1928 shkruan artikullin me titull:  Kuburja e tiranvet e gjoksi i patriotvet!Ein Bild, das Zeitung, Text, Zeitungspapier, Nachrichten enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Artikull kushtua kolosit të kombit Hasan Prishtinës në  

“Ora e Shqipnisë“ Nr. 3 e datës 23 prill 1928, me titull:

“Koburja e tinavet e gjoksi i patriotvet!”

Artikulli jep të dhëna rreth gjendjes në atdhe nën sundimin e satrapit Ahmet Zogu ku ndiqen e vriten personalitet kombëtare që dhanë shumë për lirinë e vendit. Mes tyre i madhi Hasan Prishtina.  “… kur Presidenti i soçem i Shqipërisë pinte salep ndër hallvaxhitë e Stambolles  e turqit e ri nën maskën e reformave filluen me martirizuar popullin shqiptar me tepër se sulltani I vjetër, Hasan Prishtina, ishte i pari shqiptar që në parlamentin e Turqisë  çoj zanin e tha: “Mekenëse terorizma vazhdon e se nuk u epen të drejtat politike shqiptarvet, unë kam me kenë i pari që kam me marrë në dorë flamurin e revoluconit  kundër qeverisë së turqvet të rin”…

,,Ai ishte personaliteti më kryesor dhe më me autoritet në vendosjen e alfabetit.  Në Parlamentin Turk, rreth formë së alfabetit,  do përgjigjet: “Ç’duhet bërë do ta bëjmë, sepse qëllimi ynë është vetëm për fitim të atdheut… .Hasan Prishtina u printe ithtarëve për alfabetin latin. Për këtë sahanlëpirësit e kuzhinës turko-arabe, që për alfabet e merrnin atë arab, Hasanin e quanin spiun të Vjenës. nga rilindësit e kohës siç ishte Josif Bageri, Hasan Prishtina,  konsiderohej shpëtimtari i çështjes shqiptare. Lufta e tij njihej edhe jashtë tokave etnike shqiptare, qe nga Amerika e largët. 

Hasan Prishtina në Vjenë e ndihmon materialisht botimin e revistës “Djalëria” dhe  një grup studentësh shqiptar të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe materiale.  U ndihmon atyre duke ua hequr të gjitha shpenzimet dhe ishte interesuar për t’ua zgjedhur problemet e shkollimit në tersi” . Akti i tij i shkrimit të testamentit të fundit kur ishte i rrethuar nga tradhtarët e kombit të dërguar nga Zogu, Mbreti i  Pulës, me të cilën tërë pasurinë e tij qe disponoi, qe nga Stambolli, Selaniku, Shkupi, Prishtina, Tirana, Vushtrria, ia lente shkollës kombëtare, tregon se ai ishte apostull i shenjtë i shkollës kombëtare. Kudo që ai shkoi shndriti me punën e tij, qëndrimin e tij prej burri e patrioti, edhe në Vjenë. 

       Sot me krenari nderohet emri i tij nga të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Emri i tij nderon institucione, rrugë dhe vepra tjera duke frymëzuar brezat e kombit. Ai e kuptoj ndër të parët se dija e një kombi është arma më e fuqishme e tij dhe shkriu të gjithë pasurinë e tij për shkollën, kulturën dhe lirinë e kombit. Lavdi veprës madhore të Heroit të Kombit, Hasan Prishtina!  

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • 136
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT