• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ZAKONIKU” I DUSHANIT – GURTHEMEL I MASHTRIMEVE TË HISTORIOGRAFISË SERBE!

October 29, 2025 by s p

– С. Новаковиђ: “Законик Стефана Душана, цара српског 1349-1354”,Београд, 1870 (Kanuni i Stefan Dushanit, perandor serb 1349-1354)

Jusuf Buxhovi/

Hagjiografia (literaturë kishtare), paraqet fundamentin e historiografisë serbe, mbi të cilin mbështeten dy nga mashtrimet më të mëdha të saj: shtetin mesjetar serb, gjoja nga mesjeta, i lidhur me dinastinë rasiane dhe Nemanjajt si dhe autoqefalinë e kishës ortodokse serbe nga shekulli XIII, kur dihet po ashtu se ka qenë vetëm një autonomi e përkohshme nga peshkopata e Ohrit (1204-1257),ndërsa autoqefalinë Kisha Ortodokse serbe do ta fitojë tetë shekuj më vonë, në vitin 1922! Në kuadër të këtyre botimeve, të rishkruara dhe të plotësuara në shekujt XVIII-XIX bien në sy: “Sveti Sava – Sabrana Dela” të botuara nga T. Jovanoviq, Beograd 1998, “Stevan Prvovenčani – Sabrana dela”, nga Georgievski-Jovanović, pastaj “Živopis Svetog Save” nga Teodosije Hilan-darski si dhe vepra e Konstantin Filozofit “Povest slovina – Žitije despota Srefana Lararevića“, Beograd 1989, me ç’rast, jo vetëm nga historiani i njohur I. Ruvarac dhe të tjerë, pranohet që ato janë të sajuara në Odesë në shekullin XVIII sipas disa rrëfimeve të priftërinjve të atjeshëm!

Ngjashëm ndodh edhe me veprën “emblematike” të S. Novakoviqi “Zakonik Stefana Dušana, cara srpskog 1349-1354” – (Kanuni i Stefan Dushanit, perandorit serb 1349-1354), Beograd 1870, në parathënien e së cilës, autori pranon se kanuni mesjetar nuk ekziston, por ai është arnuar nga rrëfimet në shekullin XIX në Prizren dhe rrethinë si dhe nga disa tekste nga kishat në Vllahi dhe Rusi (Petergurg), të cilat i ka ndërlidhë Shafariku në Vjenë më 1859.

Mënyra si është ngritur kjo vepër deri te shkalla e „testamentit“ shtetëror dhe juridik të „Perandorisë serbe“ së Stefan Dushanit në shërbim të krijimit të platformës ideologjike dhe politike të shtetit mesjetar serb për nevoja politike në shekullin XIX, që do t’i paraprijnë atij në hartën politike të Evropës të pranuar në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, përkthimi në disa gjuhë dhe shpërndarja nëpër qendrat kryesore evropiane, tregon më së miri për ndërlidhjen e shumë faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm në konstruktimin e tij me anën e sajimit të dokumenteve të shkapërderdhura pa kredibilitet shkencor. Kjo formë e arnimit të „dokumenteve“ të „strukur“ nëpër kisha dhe biblioteka „të harruara“ pasqyrohet më së miri në veprën e Novakoviqit.

Autori, megjithatë, duke dëshiruar që të tregojë “për vjetërsinë” e kësaj vepre, që e ka të qartë se mungon, mbështetet mbi disa shtresime të sajimeve dhe përpunimeve të teksteve që kanë për qëllim „nxjerrjen në dritë“ të „dokumenteve autentike“ me anën e ndërtimit „të pjesëve të humbura“! Siç është thënë edhe më herët, bazë e kësaj pune kanë shërbyer punëtoritë e kishave të ndryshme, në radhë të parë atyre në Hilandar, dhe të tjerave në Rusi (Odesë) për t’i distribuuar dokumentet e përpunuara dhe të retushuara në Vjenë, te shkolla e njohur e sllavistëve, prej nga pastaj „dokumentet meritore“ janë trajtuar nga studiuesit e ndryshëm për t’u krijuar „dosjet“ si „Monumenta slavica“ e të tjera, me të cilat janë ushqyer historitë e serbëve, të bullgarëve, të rusëve me „dokumente autentike“.

Autori i „Zakonikut“, në parathënie, zbulon teknologjinë dhe infrastrukturën e përpunimit dhe të falsifikimit të dokumenteve kur merret me „historikun“ e Zakonikut, që doemos lidhet me Vjenën dhe punën e studiuesve të atjeshëm, në radhë të parë të atyre sllavë ose serbë. Kështu, pikënisja e „Zakonikut“ fillon te J. Rajiq, më 1859 te botimi „Istorie slovenskoh narodie“, për t’u bartur pastaj te Mikloshiqi, i cili do ta paraqesë në gjuhën gjermane „Lex Stepani Dušani“, Vjenë 1856, prej nga pastaj do t’i bjerë në dorë P.J. Schafarikut, i cili do ta përfshijë në librin „Pomatky drevnioh pismenietvi Jihostovanie“, në Pragë, 1860. Schafariku, tekstin nuk e dha në mënyrë integrale, meqë ai nuk ekzistonte, por e parashtroi në 9 dorëshkrime të ndryshme me pretendimin se ato „janë pjesëza të zbuluara në manastire të ndryshme (Ravanicë, Rudnik, Kazan e të tjera) gjoja nga ato të viti 1350 e deri në vitin 1700, e ku vend të rëndësishëm zë teksti nga Petërburgu i N. Nadežnjev, që njihet nga manastiri Bistrica i Vllahisë. Këto tekste, as gjuhësisht e as përmbajtësisht, nuk formojnë tërësinë e një kanuni, gjë që e pranon edhe Shafariku.

Por, Novakoviqi, në botimin e tij, copëzat e Shafarikut i ndërlidh me dy tekste „autentike“, nga shekulli XIX. Njëri nga Struga, i mbledhur nga një prift rus. Dhe tjetri nga Prizreni, po ashtu i mbledhur nga një prift i quajtur Sime. Tekstin nga Prizreni, gjoja nga shekulli XV, në Beograd e dërgoi mësuesi nga Smedereva, Nikolla Maslin, prej nga ai i përpunuar në Vjenë, iu dorëzua Novakoviqit që ta nxjerrë në dritë. Natyrisht se Novakoviqi u përpoq që „kredibilitetin“ dokumentues të veprës ta pasqyrojë me tekstet e Schafarikut në sllavishten e vjetër kishtare me atë serbe. Në parathënie Novakoviqi shpjegon origjinën e teksteve dhe mbledhjen e tyre nga dora në dorë, që sipas tij, plotësojnë Kanunin dhe frymën e tij. Kështu, 165 fletët (listina), vijnë nga 16 mbledhës të ndryshëm, të cilëve nuk u dihen emrat, pos që thuhet se një pjesë e madhe e tyre janë rishkruar nga 6 klerikë dhe dy xhakonë në Prizren.

Meqë botimi i parë i vitit 1870, ishte me shumë shpërputhje dhe si i tillë nuk i plotësonte sa duhet kriteret themelore për t’u marrë seriozisht, Novakoviqi, pasi që të jetë emëruar kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe në viti 1886, paraqitet me versionin e dytë “të plotësuar” të “Kanunit” me disa copëza të “rizbuluara” të versionit të “Kanunit” të Strugës nga shekulli XIV dhe të Prizrenit nga shekulli XV. Aty përfshihen 106 nene, të cilat nuk paraqesin tjetër pos një bartje (kopjim) të drejtpërdrejt të akteve ligjore kishtare të Bizantit (Homokanon), të cilat, ishin në pjesë e të drejtës romake-bizantine në përputhje me kodin e Justinianit, por që rregullonin çështjet pronësor në raportet e kishës me Perandorinë, ku ajo ishte pjesëmarrëse në administrimin e pronave kishtare dhe atyre vendore. Këtyre neneve nga kodi bizantin do t’i shtohen edhe pjesët tjera, ku amputohen raportet me ritet kishtare (me katolikët) e ku shfaqen edhe disa dekrete me të cilat përcaktohen sjelljet e kishave, e ku nuk mungojnë edhe regjistrat rreth pasqyrës demografike të popullatës ku, krahas popullatës shumicë “serbe”, si pakicë, shfaqen “katunët arbanase” (arbanaski katuni) dhe “katunët vllehe” (vlaski katuni).

Nuk është për t’u habitur skenari i “pasqyrës demografike” të popullatë së “Perandorisë së Dushanit”, ku asokohe nuk ka pasë përkatësi kombëtare pos kishtare: e ritit ortodoks ( me gjuhën e liturgjisë kishtare sllaviste e vjetër dhe greqishte) dhe e ritit latin (me gjuhën e liturgjisë kishtare latinishte)! Por, është për t’u habitur, që ky konstrukt antihistorik dhe antishkencor, i sajuar nga kisha ortodokse serbe dhe historiografia serbe e shekullit XIX për qëllime hegjemoniste, është pranuar “si e vërtetë shkencore” dhe thuajse u ka shërbye që të gjitha disajnimeve të raporteve gjoja kombëtare në shtetin e imagjinuar mesjetar serb, ku ka pasë edhe disa “katune arbanase” (katolike) dhe vllehe! Kështu, ky diktat i falsifikuar i të ashtuquajturit “shtet mesjetar serb”, në saje të “verifikimit” nga historianët, linguistët, etnografët e shkollës së sllavistëve të njohur të Vjenës, është pranuar te një pjesë e mirë e historiografisë botërore edhe nga historianë të vonshëm, siç është N. Malkomi dhe O.J. Shmitt. Madje, N. Malkomi, në librin “Kosova – një histori e shkurtër”, krahas pranimit të Stefan Dushanit “perandor serb” dhe të autoqefalisë së kishës ortodokse serbe nga mesjeta (shekulli XIII), pak a shumë, pranon edhe tezën “e arnautashve” (serbëve të islamizuar në shekujt XVI dhe të shqiptarizuar në shekullin XVIII)!

Andaj, institucioneve shkencore akademike në Shqipëri dhe Kosovë, u bie barra që të ndërmarrin hapa të organizuar hulumtues-shkencorë për t’u lirua ngas diktati i falsifikimeve të historiografisë hegjemoniste serbe, veçmas kur ato edhe sot e gjithëditën trajtohen shfaqen si referenca të pashmangshme tek shumë historianë tanë, pa asnjë çasje kritike ndaj tyre. Ndonëse kjo, bazuar në qindra vepra të kësaj natyre të krijuar nga Akademia Serbe e Shkencave gjatë shekullit të fundit, nuk është punë e lehtë, megjithatë hartimi i një platforme të qartë të rishikimit të historisë në përputhje me të vërtetën shkencore, është e domosdoshme.

Filed Under: Histori

Henry Charles Woods – Gazetari dhe diplomati britanik, zëdhënës i flaktë i çështjes shqiptare

October 28, 2025 by s p


Henry Charles Woods – Gazetari dhe diplomati britanik, zëdhënës i flaktë i çështjes shqiptare


Nga NDREK GJINI 

MA, University of Galway, Ireland



Fillimet dhe formimi akademik

Henry Charles Woods lindi më 18 maj 1881 në Danehill, një fshat piktoresk në Sussex, Angli, afër qytetit të Mançesterit. Që në fëmijëri, ai tregoi një interes të jashtëzakonshëm për gjuhët, historinë dhe gjeografinë, duke u dalluar për aftësitë intelektuale dhe kureshtinë e tij. Arsimimin fillor dhe të mesëm e ndoqi në institucione prestigjioze lokale, ku u dallua si nxënës i shkëlqyer. Më pas, u regjistrua në Universitetin e Mançesterit, një nga qendrat kryesore akademike të kohës, ku studioi filozofi dhe arte. Në vitin 1903, ai përfundoi studimet universitare me rezultate të larta, duke marrë dy tituj doktorature: një në filozofi dhe një tjetër në arte.

Në fillim të viteve 1900, Woods u anëtarësua në Shoqërinë Mbretërore Gjeografike (Royal Geographical Society – R.G.S.), një institucion elitar që do të luante një rol të rëndësishëm në formimin e tij si eksplorator dhe studiues. Anëtarësimi i tij në R.G.S. i dha mundësinë të krijonte një rrjet të gjerë kontaktesh dhe të merrte pjesë në diskutime mbi çështje gjeopolitike dhe kulturore të kohës. Kjo bazë e gjerë njohurish dhe lidhjet me figura të rëndësishme akademike e diplomatike i hapën rrugën për një karrierë të larmishme, që përfshinte gazetarinë, diplomacinë dhe studimet akademike.

Nga gazetaria drejt Ballkanit

Karriera profesionale e Woods-it filloi në vitin 1905, kur ai u angazhua si korrespondent special për disa gazeta britanike. Në moshën 24-vjeçare, ai udhëtoi për herë të parë në Perandorinë Osmane, duke raportuar për Foreign Office-in britanik dhe R.G.S.-në mbi zhvillimet politike dhe sociale në Turqi. Në 1906, ai vizitoi përsëri Turqinë dhe Bullgarinë, duke zgjeruar njohuritë e tij për rajonin e Ballkanit. Nga viti 1908 deri në 1924, Woods u bë një figurë qendrore në redaksinë e Manchester Guardian (sot The Guardian), një nga gazetat më prestigjioze të Britanisë së Madhe. Gjatë kësaj periudhe, ai punoi gjithashtu për botime të tjera të njohura si Evening News, The Graphic, Daily Express, Weekly Dispatch dhe The Times, duke u afirmuar si një gazetar i specializuar në politikën ndërkombëtare, me fokus Evropën Lindore dhe Ballkanin.

Si korrespondent, Woods publikoi qindra artikuj dhe analiza, të cilat shquheshin për objektivitetin, thellësinë dhe ndjeshmërinë ndaj çështjeve komplekse gjeopolitike. Në 1911, Foreign Office e dërgoi në territoret shqiptare të Perandorisë Osmane për të hetuar situatën pas shtypjes brutale të kryengritjeve shqiptare kundër xhonturqve. Udhëtimi i tij përfshiu qytete dhe krahina si Manastiri, Korça, Gjirokastra dhe Kosova, ku ai u trondit nga mizoritë e ushtrisë osmane ndaj popullsisë civile. Ai dokumentoi me hollësi dhunën, vuajtjet dhe rezistencën e shqiptarëve, duke u bërë një dëshmitar okular i rëndësishëm i këtyre ngjarjeve.

Gjatë këtij udhëtimi, Woods njohu figura të shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare, përfshirë Themistokli Gërmenjin, Mihal Gramenon, Hasan Bitinckën, Stavre Karolin dhe Teufik Panaritin. Me ndikimin e tij diplomatik dhe bashkëpunimin me filantropin amerikan Charles R. Crane, ai ndihmoi në lirimin e këtyre patriotëve nga burgjet osmane, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e komunitetit shqiptar.

The Danger Zone of Europe

Përshtypjet dhe vëzhgimet nga udhëtimet e tij në Ballkan u përmblodhën në librin The Danger Zone of Europe (1911), një vepër që analizonte tensionet politike dhe shoqërore të rajonit. Në kapitujt kushtuar Shqipërisë, Woods përshkroi me detaje dhunën e ushtrisë osmane dhe përpjekjet e shqiptarëve për vetëvendosje. Ai paralajmëroi se pa një zgjidhje të drejtë për çështjen shqiptare, Ballkani do të mbetej një burim i përhershëm konfliktesh. Libri u prit mirë nga qarqet akademike dhe diplomatike për qartësinë dhe objektivitetin e tij, duke e vendosur Woods-in si një ekspert të njohur të rajonit.

Miqësia me Ismail Qemalin dhe refuzimi diplomatik

Në korrik 1913, pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila krijoi Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit dhe anashkaloi Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, kryeministri i Shqipërisë, i dërgoi një telegram Woods-it, duke i kërkuar të përfaqësonte interesat shqiptare në Londër. Woods e pranoi ofertën me nder dhe entuziazëm, duke e konsideruar një mundësi për të ndihmuar popullin shqiptar. Megjithatë, për shkak të mungesës së miratimit nga qeveria britanike, ai u detyrua të refuzonte. Në letrën e tij të datës 9 gusht 1913, drejtuar Ismail Qemalit, Woods shprehu keqardhjen e tij të thellë dhe e përshkroi popullin shqiptar si “viktimë të padrejtësive të fuqive që vlerësojnë interesat e tyre materiale mbi lirinë e kombeve të shtypura”. Ky qëndrim e bëri atë një figurë të dashur për patriotët shqiptarë dhe forcoi lidhjet e tij me personalitete si Ismail Qemali, Mehmed Konica, Nuredin Bey Vlora dhe Fotion Turtulli.

Udhëtimet në Shqipëri dhe raportimet për Evropën

Në fund të 1913-s dhe fillim të 1914-s, Woods u kthye në Shqipëri si gazetar dhe mik i afërt i qeverisë shqiptare. Ai vizitoi Beogradin, Cetinjen, Durrësin, Korçën, Beratin dhe Vlorën, shpesh në shoqërinë e Ismail Qemalit. Gjatë këtyre udhëtimeve, ai dokumentoi mizoritë greke në krahinat jugore si Korça, Kolonja dhe Gjirokastra, si dhe vuajtjet e refugjatëve shqiptarë të zhvendosur nga konfliktet. Raportet e tij, të publikuara në gazeta prestigjioze londineze dhe të dërguara në Foreign Office, shquheshin për ndershmërinë dhe humanizmin e tyre, duke ndikuar në formimin e opinionit publik britanik.

Në nëntor 1914, si i dërguar special i The Times, Woods qëndroi një javë në Shqipëri dhe botoi artikuj të fuqishëm që denonconin pushtimet e huaja dhe shkeljet ndaj sovranitetit shqiptar. Këto shkrime tronditën qarqet diplomatike në Londër dhe nxitën debate mbi politikën e Fuqive të Mëdha në Ballkan. Ai u largua nga Vlora më 14 nëntor 1914 me anije, duke lënë pas një trashëgimi të raportimeve të vlefshme.

Botimet mbi çështjen shqiptare

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Woods shërbeu si korrespondent luftë dhe diplomat për gazeta si Weekly Dispatch dhe Evening News. Në këtë periudhë, ai botoi disa vepra të rëndësishme që e bënë atë një figurë të njohur në qarqet akademike dhe diplomatike. Ndër to përfshihen: War and Diplomacy in the Balkans (1915), një analizë e politikës dhe konflikteve në rajon; Communications in the Balkans (1917), një përmbledhje raportesh dhe shënimesh historike; Albania and the Albanians (1918), ku e paraqet Shqipërinë si një faktor kyç për stabilitetin ballkanik; dhe The Cradle of the War (1918), që shqyrton shkaqet e konfliktit global dhe rolin e Ballkanit.

Në 1917, Woods u ftua nga Federata Pan-Shqiptare “Vatra” dhe gazeta Dielli në Shtetet e Bashkuara. Në mitingun e 29 dhjetorit në Lawrence Hall, Boston, ai u nderua si “miku më i madh i shqiptarëve në Londër”. Po atë vit, ai organizoi një darkë madhështore në Londër për delegatin shqiptar Mehmed Konica, të zbukuruar me flamuj shqiptarë të sjellë nga etnografia e njohur Edith Durham. Në këtë darkë morën pjesë mbi 40 personalitete të shquara britanike dhe shqiptare.

Rikthimi në Shqipëri dhe vitet e fundit

Pas 13 vitesh, Woods u kthye në Shqipëri më 21 prill 1927, duke mbërritur në Korçë nga Selaniku dhe Sofja. Gjatë qëndrimit të tij tre-ditor, ai vizitoi Tiranën dhe Shkodrën për të vlerësuar situatën politike dhe kërcënimin jugosllav ndaj kufijve veriorë. Në Tiranë, intervistoi kolonelin britanik W.F. Stirling dhe takoi figura si presidenti Ahmet Zogu, diplomatët Mehdi dhe Mit’hat Frashëri, si dhe zonjën Carnarvon, një mbështetëse e çështjes shqiptare. Ky udhëtim i fundit e frymëzoi të shkruante një libër të ri, botuar në tetor 1928, pak para shpalljes së Mbretërisë Shqiptare, ku përshkroi përparimet e Shqipërisë republikane dhe sfidat e saj.

Woods vazhdoi të shkruante dhe të mbante ligjërata në institucione britanike, përfshirë R.G.S.-në, deri në vitet e fundit të jetës. Ai ndërroi jetë në Londër më 1939, në moshën 58-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Arkivat e tij, përfshirë shënimet e udhëtimeve nga 1905 deri më 1925 dhe më tej, ruhen në arkivat e R.G.S.-së dhe mbeten një burim i çmuar për studiuesit.

Trashëgimia intelektuale dhe humanitare

Henry Charles Woods mbetet një nga figurat më të nderuara të publicistikës dhe diplomacisë britanike për Ballkanin. Me artikujt, librat dhe ndërhyrjet e tij diplomatike, ai ndihmoi në ndërgjegjësimin e opinionit perëndimor për padrejtësitë ndaj popullit shqiptar dhe potencialin e Shqipërisë për stabilitet rajonal. Si një zë i rrallë i ndërgjegjes evropiane, ai pa te shqiptarët një simbol të rezistencës për liri dhe dinjitet në një kohë të trazuar të shekullit XX. Miqësia e tij me patriotët shqiptarë dhe angazhimi i tij i palëkundur për çështjen e tyre e bëjnë atë një figurë të paharrueshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-britanike.

Filed Under: Histori

SKËNDER MUÇO, MARTIRI I ÇËSHTJES KOMBËTARE

October 27, 2025 by s p

Rreth veprës së Enver Memishaj “Dr. Skënder Muço, kontributi i tij politik dhe patriotik”, 

(I mohuar nga komunistët) Tiranë 2025. Botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Në vitin 1994, Skënder Muços, ju dha dekorata më e lartë e Republikës së Shqipërisë:  “Urdhëri i Flamurit Kombëtar të Klasit I” , me këtë motivacion: “Për merita të shquara në luftën për bashkimin dhe lartësimin e Kombit, për Unitetin Kombëtar, Lirinë dhe përparimin e Atdheut”.

Nga Laureta Petoshati  

Në morinë e veprave studimore, që kanë të bëjnë me historinë, studiuesi Enver Memishaj, që shpesh boton si Enver Lepenica, dekoruar “Mjeshtër i Madh”, para pak kohësh botoi monografinë “Dr. Skënder Muço, kontributi i tij politik dhe patriotik”.Libri ka një parathënie nga dr. Bujar Leskaj dhe recensa dr. Dorian Koçi. C:\Users\User\Downloads\496449861_122224486040204313_8130010513431666761_n.jpg

Studimi mjaft serioz  e me vlera dhe i bazuar në dokumenta autentike, arshiva, gazeta, libra e dëshmi mbi avokat dr. Skënder Muçon, por dhe bashkëluftëtarët e tij, pasqyron portretin më të mirë të këtij patrioti e luftëtari antifashist, të kësaj figure shumë të rëndësishme në historinë shqiptare dhe me rol mjaft domethënës në fushën patriotike, politike dhe rezistencën ndaj pushtuesve nazistë dhe fashistë. 

Në këtë monografi, si drita e diellit, kuptojmë se kush ishte dr. Skënder Muço, roli i tij si avokat gjatë periudhës së Zogut dhe mbi të gjitha në kohë të Luftës Antifashiste  ishte shumë më i gjerë se profesioni në vetvete, sepse ai e vuri dijen, guximin dhe profesionin në shërbim të lirisë dhe pavarësisë kombëtare.

Ai u bë mbrojtës i të drejtave dhe lirive njerëzore. Si avokat i formuar në perëndim dhe konkretisht në Bolonjë, Skënder Muço përdori njohuritë e tij juridike për të kundërshtuar padrejtësitë dhe për të mbrojtur idealet e lirisë dhe të drejtësisë në Shqipëri, gjë që e tregoi në vitin 1932, kur u arrestua dhe u dënua me vdekje si pjesëtar i organizatës politike anti Zogiste, “Lëvizja e Fshehtë e Vlorës”.

Zoti Memishaj ka ditur të hedhë dritë për avokat, doktor Skënder Muçun si politikan, aktivist dhe udhëheqës i rëndësishëm në Luftën Antifashiste, kundër fashizmit e nazizmit. Në libër me anë të dokumenteve tregohet se ai që më 7 prill 1939, ditën e pushtimitai u bë  pjesë e Lëvizjes Antifashiste me demonstratat kundër pushtimit fashist në krah të prof. Isuf Luzaj dhe arsimtarëve të shkollës Tregtare dhe më pas falë aktivitetit antifashist doli në udhëheqje të Luftës Antifashiste.  

Zoti Memishaj ka provuar me anë të dokumenteve historik se Skënder Muçua dhe Hysni Lepenica ishin bashkëthemelues të organizatës nacionaliste Ballit Kombëtar dhe pas Konferencës së Mukjes një nga udhëheqësit e kësaj organizate. 

Skënder Muço dhe Hysni Lepenica themeloi më 25 gusht 1939, Komitetin Qarkor të Ballit Kombëtar të Vlorës , organ ky që udhëhoqi Luftën Antifashiste, në Vlorë. 

Autori i librit tregon mbi bazën e dokumenteve se Skënder Muçua dhe Hysni Lepenicës në shtator të vitit 1942 krijuan çetën e parë antifashiste në qarkun e Vlorës dhe e emëtuan “Shqiponja”.

Si një personalitet me vizion Skënder Muçua dhe major Azis Çami do të marrin pjesë në Konferencën e Pezës, dhe për këtë arsye Azis Çamo do të arrestohet e burgoset deri në prill të vitit 1943. Në Konferencën e Pezës dhe në atë të Mukjes ai vërtetë përfaqësonte Ballin Kombëtar, por në vetëvete ai ushtroi rolin e një avokati populli, duke u përfshirë drejtpërdrejt në luftën për çlirim të të gjitha trojeve shqiptare. 

Autori i librit z. Memishaj nëpërmjet dokumenteve ka përshkruar se Skënder Muçua ishte në lëvizje në tokën shqiptare dhe mori pjesë, foli si orator i klasit parë dhe dha ndikimin e tij në Lëvizjen Antifashiste. 

Prof. Abas Ermenji, diplomuar në Paris shkruan për Skënder Muçon: “Ish nga të parët që e kuptoi natyrën tiranike të lëvizjes komuniste, dhe mendoi se ajo lubi duhej shtypur me armë”

Kështu si një politikan vizionar për t’i bërë konkruencë Partisë Komuniste ai së bashku me Musine Kokalarin, Isuf Luzin, Xhevit Mëhilliin e patriot të tjerë themeloi më 2 tetor 1943

Partinë Socialdemokrate.

Në një kapitull të veçantë autori ka trajtuar bashkëpunimin e Ballit Kombëtar me misonet aleate anglo-amerikane, ku Skënder Muçua ishte i deleguar i Ballit Kombëtar, personalisht nga Mid’hat Frashëri, pranë këtyre misioneve. 

Ai do të këmbëngule pranë misioneve dhe do të hartoi një Projekt Marrëveshja, që iu dorëzua misionit aleat në Gjirin e Gramës në Dukat duke vënë në provë sinqeritetin e këtyre të fundit dhe të shumë shteteve anëtare brenda aleancës. Në Gjirin e Gramës në atë kohë me Antoni Kueil (Anthony Quayle) ishte dhe serbo-amerikani Nik Kukiç, i njohur me pseudonimin “Galba”, që kryente detyrën e radio-operatorit. Në këto misione kishte edhe agjentë të dyfishtë, që përpiqeshin në interes të vendit të tyre dhe nuk pyesnin nëse vriteshin, apo digjeshin shqiptarët. 

Më 20 mars të vitit 1944 me një anije që drejtohej nga një kapiten serb vjen misioni i katërt aleat që udhëhiqej nga togeri 26 vjeçar Xhejm Hadsën (James Hudson) me emrin e koduar “Bill”. Në këtë mision ai shoqërohej nga togeri shqiptaro-amerikan Tom Stefan me emrin e koduar “Art” dhe nënoficeri shqiptaro-amerikan, minoritar grek, Kosta Ruci. Pak ditë më vonë, pikërisht aty, më 25 mars 1944, avokati Skënder Muço do të takohej me Antoni Kueil-in. Do të ishte mbi të gjitha ky takim që do të na kujtonte shprehjen e Ismail Qemalit se “Fati i popujve të vegjël, kalon nepërmjet, dyerve të tragjedive të mëdha”, sepse këtu me anë të marrëveshjes së shkruar në bazë të ligjeve ndërkombëtare të kohës, ai tregoi haptaz muret e padukshme brenda kësaj aleance që kishte bashkuar armiq të përjetshëm si amerikanët me rusët dhe serbët e grekët me shqiptarët. 

Bernd J. Fisher shkruan: “Më 21 nëntor 1943, një pamflet i Ballit Kombëtar, me shumë gjasë i shkruar nga Skënder Muço, sulmonte ashpër gjermanët dhe bashkëpuntorët shqiptarë si armiq barbarë. Skënder Muço kryetar i Ballit Kombëtar për krahinën e Vlorës dhe anëtar i këshillit të tij, u tregua i gatshëm të luftonte nën urdhërat e drejtpërdrejta të britanikëve, në rast se Londra do të ndihmonte për vënien nën kontroll të partizanëve”.( Bernd J. Fisher “Shqipëria gjatë luftës 1939-1945”, Tiranë 2000, f. 253)

Kërkesat e Skënder Muços në Projek Marrëveshjen e hartuar kërcënonin interesat serbe, greke dhe ato ruse të pansllavizmit mbi territorin shqiptar. Kështu që mendohet se një nga variantet se kush e spiunoi Skënder Muçon te Gestapua gjermane janë agjentët e dyfishte në misionet aleate.

Arrestimi tij më 10 gusht 1944 dhe pushkatimi i tij nga Gestapua gjermane më 12 gusht 1944 së bashku me dy bashkëluftëtarët e tij dr.Yzeir Ismaili dhe Zako Mezini , në afërsi të fshatit Bubullimë të Lushnjës, e bën atë martir i çështjes kombëtare, simbol të sakrificës së një intelektuali dhe avokati që vendosi atdheun përpara jetës personale. 

Rëndësia 

e këtij libri qëndron në faktin se sjell të gjallë një patriot, një politikan dhe udhëheqës të rëndësishëm të Luftës Antifashiste, për të cilin regjimi komunist kishte hedhur shumë baltë.

Shtëpinë ia dogjën fashistët, pasurinë që i mbeti, bagëtinë ia grabitën komunistët, sakrifikoi për atdheun të vetmen pasuri që i kish mbetur: jetën e tij, nga nazistët gjermanë.

Ky libër nuk duhet lexuar thjesht si monografi, pasi i kalon kufijtë e kësaj gjinie, aurori ka sjellë edhe 150 faqe me dokumente historike që botohen për herë të parë e ndriçojnë jo vetëm figurën e Skënder Muços, por edhe ngjarjet e Luftës Antifashiste

Z. Enver Memihsaj – Lepenica ka përshkruar mbi bazën e dokumenteve historike sesi Skënder Muçua u luftua sa qe gjallë, u sulmua edhe pas rënies si dëshmor i atdheut, u shpronësua dhe familja u persekutua, nga komunistët, që synonin pushtetin me ndihmën e serbëve. 

Shërbimet e shquara Skënder Muço i solli vendit të tij si përfaqësues politik dhe ideologjik i një force demokratike si Partia Socialdemokrate që ai krijoi dhe doli në udhëheqje të saj. 

Ai ishte zëdhënës i një ideologjie që kërkonte një Shqipëri të pavarur, demokratike dhe shteti ligjor. Ai ishte kundër totalitarizmit,  atij fashist, atij nazist, si edhe atij komunist. 

Heshtja vrastare e regjimit komunist ndaj kësaj figure madhore, lufta e klasave që iu bë familjes, tregon bashkëfajësi në krimin ndaj tij edhe pse u pushkatua nga gjermanët. 

Ky libër është një homazh për këtë intelektual, për këtë mendje të ndritur, që unë do ta quaja avokatin e popullit shqiptar në kohë lufte. 

Skënder Muçua e shkroi vetë me gjakë librin e jetës së tij, jo me pseudonimin Barcallai, por me emrin e tij të vërtetë. Mendoj se Skënder Muçua do të ishte krenar për këtë monografi kushtuar atij vetë dhe do ta falënderonte me shpirt Enver Memishën. 

Për lidhjet e mia familjare, krahinore me të dhe për detyrimin intelektual ndaj kësaj figure, faleminderit dhe prej meje, i nderuar Enver Memishaj.

                                                                   *     *     *

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, me vendimin nr. 355 datë 8.8.1994, ka shpallur dëshmorë të Atdheut: Skënder Daut Muçon, Zako Munin Mezinin dhe Yzeir Ismail Alimerko.

Filed Under: Histori

PJETËR BOGDANI – DRITË E MENDIMIT DHE E SHPIRTIT SHQIPTAR

October 25, 2025 by s p

Prof. Besim Muhadri/

Pjetër Bogdani (1625–1689) është ndër figurat më të ndritura të historisë, kulturës dhe shpirtit shqiptar. Sot, në këtë 400-vjetor të lindjes së tij dhe në këtë vend të bekuar të Hasit, ku po i ngrihet shtatorja, ne nderojmë një burrë të madh të fesë, dijes dhe kombit, një emër që lidhi përjetësisht Arbërinë me Evropën e qytetëruar.

Ai lindi në Gur të Hasit më 1625, nga Tade Gjon Bogdani dhe një nënë bijë e Mazrekut të Hasit, pra i afërm i prelatit të njohur Pjetër Mazreku. Emri i vendlindjes së tij, siç shkruan vetë Bogdani, mbetet ende i diskutueshëm në historiografi. Studiuesit e lidhin me disa fshatra të Hasit, Gjonaj, Kishaj, Pogaj, Gjinaj, por gjithnjë brenda kësaj krahine, ku Bogdanët lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën shpirtërore dhe arsimore të popullit tonë. Në këtë dritë, ka studiues, ndër ta edhe unë, mendojnë se Guri i Bogdanit mund të jetë Guruzhupi i sotëm, që në gjuhën e popullit ruan kuptimin e “Famullisë së Gurit”, siç përmendet edhe në burimet e hershme.

Kjo hapësirë, pra Hasi i lashtë, ishte djepi ku u rrit e u formua një prej figurave më të mëdha të shqiptarëve, siç është Pjetër Bogdani, të cilin jemi mbledhur për ta përkujtuar dhe nderuar me ngritjen dhe pëurimin e shtatores së tij, mu në qendër të Zymit të Hasit, në krahun e majtë të Shtjefën Gjeçovit, një tjetër atdhetar dhe kolos i dijes dhe i kulturës kombëtare.

Mësimet e para Pjetri i mori nga i ungji, Ndre Bogdani, ipeshkëv i Kosovës, i cili ishte përkujdesur për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe pranë kishave të Hasit dhe Gashit. I dalluar për zgjuarsi, Ndreu e çoi nipin në Kolegjin e Françeskanëve në Çiprovec, e më pas në Romë, ku më 1650 kreu studimet dhe u shugurua meshtar në Bazilikën e Loretos. Ai mori doktoratën në teologji dhe në vitet që pasuan shërbeu me përkushtim në trojet shqiptare, në Gash, në Pult, në Shkodër e në Tivar.

Në vitin 1677, pas një rruge të gjatë shërbimi dhe përndjekjeje, u emërua Arqipeshkv i Shkupit, duke pasuar të ungjin e tij. Ishte koha kur në viset shqiptare përplaseshin dy botë: ajo e errësirës osmane dhe ajo e dritës evropiane. Bogdani zgjodhi dritën, arsimin, gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në Padova, në vitin 1685, botoi kryeveprën “Çeta e Profetëve” (Cuneus Prophetarum), librin që përbën themelin e prozës shqipe. E shkroi në shqip dhe latinisht, e përktheu vetë në italisht, duke e bërë kështu një vepër të përbotshme.

Në këtë libër, Bogdani bashkoi dijen biblike me filozofinë, historinë e kulturën e popullit të vet. Përfshiu toponime, shprehje dhe fjalë të lashta të Hasit, duke ruajtur kështu thesarin gjuhësor të shqipes. Ai u bë mbrojtësi më i hershëm i fjalës shqipe, që në atë kohë rrezikohej nga pushtimi dhe asimilimi.

Në një letër të vitit 1651, dërguar në Propaganda Fide, Pjetër Bogdani kërkonte libra në gjuhën shqipe dhe mësues për shkollat që donte të hapte në Gash e në Shkodër. Ai kërkonte “Doktrina shqipe”, “Gramatikë ilirike” dhe “Fjalorë të gjuhës së popullit”, duke e dëshmuar qartë se arsimi në shqip ishte misioni i tij i parë.

Në shumë letra drejtuar Selisë së Shenjtë, ai kërkon hapjen e shkollave në Barbullush, Rrjoll e Mirditë, për të mësuar fëmijët “në gjuhën e nënës së tyre”.

Në fund të jetës, ai iu bashkua kryengritjes së shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, në krah të gjeneralit Pikolomini, duke udhëhequr me flamur kryqi pesë mijë shqiptarë të krishterë. Por në Prishtinë, gjatë epidemisë së murtajës, u sëmur dhe ndërroi jetë në dhjetor 1689.

Pas tërheqjes së ushtrisë austriake, pushtuesit e zhvarrosën dhe përdhosën trupin e tij, por vepra dhe emri i tij mbetën të pavdekshëm.

Sot, katër shekuj më vonë, ne e kujtojmë Pjetër Bogdanin jo vetëm si klerik të urtë e dijetar të madh, por si një themeltar të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Ai na la mësimin e përjetshëm se:

DIJA, GJUHA DHE FEJA E NDRIÇUAR JANË SHTYLLAT MBI TË CILAT NGRIHET NJË KOMB.

Në këtë ditë solemne, kur shtatorja e tij ngrihet në Zym, aty ku tingëllon ende gjuha e tij dhe frymon shpirti i Hasit, ne përkulemi me nderim para këtij kolosi që ndriçoi shekujt.

Emri i tij është një dritë që nuk shuhet, dhe “Çeta e Profetëve” mbetet dëshmi se fjala shqipe është po aq e lashtë sa edhe vetë dashuria për lirinë.

Lavdi Pjetër Bogdanit, birit të Hasit, dijetarit të Evropës dhe themeluesit të prozës shqipe!

Filed Under: Histori

Pandeli Cale – Dritë e pashuar e kombit shqiptar

October 23, 2025 by s p

Gjon F. Ivezaj /

Në mozaikun e ndritur të historisë sonë kombëtare, ndër figurat që ndriçojnë më fuqishëm me dritën e atdhedashurisë dhe të përkushtimit ndaj çështjes shqiptare qëndron Pandeli Cale, një ndër firmëtarët e Aktit të Pavarësisë dhe themeluesit e shtetit shqiptar. Ai përfaqëson brezin e burrave të Rilindjes që nuk kursyen asgjë për lirinë, dinjitetin dhe përparimin e Shqipërisë.

Pandeli Cale lindi më 28 mars 1879 në Korçë, një qytet që në fund të shekullit XIX ishte bërë qendra shpirtërore dhe kulturore e kombit. Familja e tij, e njohur për ndershmëri e kulturë qytetare, e rriti në frymën e punës, të dijes dhe të dashurisë për vendin. Babai i tij ishte njeri i përkushtuar ndaj arsimit dhe i respektuar në rrethin shoqëror të Korçës, ndërsa nëna e tij, grua e urtë e besimtare, i mbolli në shpirt djalit dashurinë për gjuhën shqipe, besën dhe virtytin e shqiptarit. Ai u rrit në një mjedis ku fjala “Shqipëri” kishte kuptimin më të thellë të përkushtimit ndaj kombit.

Arsimin fillor dhe të mesëm e mori në Korçë, në një kohë kur mësimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar nga pushteti osman. Megjithatë, ai u përfshi herët në rrethet patriotike që punonin fshehtas për përhapjen e arsimit kombëtar. Në moshë të re u dallua për zgjuarsi dhe për pasion të veçantë ndaj historisë e filozofisë. Me ndihmën e familjes dhe të shoqërive atdhetare, Pandeli Cale u nis për studime në Liceun Klasik Francez të Aleksandrisë, në Egjipt, një institucion prestigjioz ku ai përvetësoi dije të gjera në fushat e gjuhës, historisë dhe të filozofisë. Përveç shqipes, ai zotëroi frëngjishten, greqishten dhe turqishten, duke u formuar si një intelektual me horizont të gjerë europian. Gjatë qëndrimit të tij jashtë vendit, ai u lidh me kolonitë shqiptare që vepronin në Aleksandri, Kajro dhe Bukuresht, ku filloi kontaktet e para me veprimtarët e diasporës si Jani Vreto, Pandeli Sotiri e Thimi Mitko, të cilët po punonin për të njëjtin ideal kombëtar.

Pas përfundimit të studimeve, rreth vitit 1904, Pandeli Cale u kthye në Shqipëri i frymëzuar nga idetë e lirisë dhe i vendosur për t’u vënë në shërbim të atdheut. Në Korçë u bashkua me veprimtarë të tjerë të shquar si Themistokli Gërmenji, Mid’hat Frashëri, Kristo Luarasi, Petro Nini Luarasi, duke kontribuar në organizimin e jetës kulturore dhe kombëtare të qytetit. Ai mori pjesë në krijimin e shoqërive patriotike si “Banda e Lirisë” dhe “Lidhja Orthodhokse”, që kishin për qëllim forcimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe përhapjen e ndjenjës kombëtare ndër shqiptarët. Ishte ndër ata që ndihmuan në botimin e librave dhe abetareve shqipe, duke besuar se “liria e kombit fillon nga drita e dijes”.

Në fillim të shekullit XX, Pandeli Cale u përfshi gjithashtu në lëvizjet kombëtare të armatosura për çlirimin e vendit. Ai mori pjesë në përgatitjen e Kryengritjeve të Jugut (1910–1912) dhe bashkërendoi veprimet me çetat patriotike të asaj kohe. Me përpjekje të vazhdueshme ai punoi për bashkimin e shqiptarëve përtej ndarjeve krahinore e fetare, duke thënë shpesh: “Shqipëria s’mund të ngrihet mbi ndarje, por mbi gjakun e përbashkët të bijve të saj.”

Në prag të shpalljes së pavarësisë, figura e tij u njoh në gjithë jugun e vendit si një patriot i vendosur dhe i ditur. Në nëntor 1912, ai u zgjodh delegat i Korçës në Kuvendin e Vlorës, ku më 28 nëntor nënshkroi Aktin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke hyrë përjetësisht në historinë kombëtare. Firmëtar i dokumentit themeltar të shtetit shqiptar, Pandeli Cale ishte ndër ata që nuk e panë pavarësinë si qëllim të fundit, por si fillimin e ndërtimit të një shoqërie të drejtë e të qytetëruar.

Pas shpalljes së pavarësisë, ai u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës, ku dha kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e administratës së re shtetërore dhe në vendosjen e rendit në vend. Në një periudhë të trazuar e plot rreziqe, Pandeli Cale u tregua njeri me vizion, vendosmëri dhe ndershmëri. Ai punoi për krijimin e strukturave të para të policisë, për sigurimin e kufijve dhe për mbrojtjen e pavarësisë së brishtë të shtetit shqiptar nga presionet e jashtme.

Edhe pas shpërbërjes së Qeverisë së Vlorës dhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, ai nuk u tërhoq nga ideali i tij. Mori pjesë në veprimtari diplomatike për njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe në përpjekjet për pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Me kulturën dhe qëndrimin e tij të urtë e fisnik, ai fitoi respektin e bashkëkohësve brenda dhe jashtë vendit.

Përveç kontributit politik, Pandeli Cale mbeti i përkushtuar ndaj arsimit dhe kulturës shqiptare. Ai e konsideronte arsimin si themelin e një kombi të fortë dhe besonte se pa shkollë nuk kishte as liri, as përparim. Ndaj ai punoi për hapjen e shkollave shqipe, për organizimin e mësuesve dhe për botimin e librave që do të ushqenin ndërgjegjen kombëtare. Ai ishte një ndër zërat që kërkoi barazinë mes shqiptarëve pa dallim feje apo krahine, duke u bërë shembull i bashkimit kombëtar.

Jeta e tij, megjithëse e shkurtër, qe një model përkushtimi dhe ndershmërie. Pandeli Cale u nda nga jeta më 5 gusht 1923, në moshë të re, por vepra e tij mbeti e pavdekshme. Kombi shqiptar humbi një nga bijtë e tij më të ndritur, por fitoi një emër që do të jetojë përjetë në historinë kombëtare. Ai nuk kërkoi kurrë pushtet apo lavdi, por punoi në heshtje për idealet e larta të lirisë dhe të përparimit.

Sot, emri i Pandeli Calet përmendet me respekt e nderim në çdo faqe historie. Ai përfaqëson modelin e intelektualit që e pa kombin mbi vetveten, të atdhetarit që punoi me ndershmëri e përulësi, të burrit që jetoi për të tjerët dhe që la pas një trashëgimi të ndritur morale e kombëtare. Vepra e tij mbetet frymëzim për brezat që duan ta shohin Shqipërinë të bashkuar, të ndriçuar dhe të denjë në mesin e kombeve të qytetëruara.

Pandeli Cale është dhe do të mbetet një dritë e pashuar në historinë shqiptare – një simbol i dijes, i ndershmërisë dhe i dashurisë së pafundme për atdheun.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT