• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në GJND para 11 viteve: Kosova fituese përballë Serbisë

July 22, 2021 by s p

Kalandar-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Korrik 2021/ Para 11 vitesh, në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës  së Pavrësisë së Kosovës  në 17 Shkurt 2008  “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.

“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.

Atëherë, para 11 vitesh, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.

“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.

“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.

“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: Histori Tagged With: GJND, kosova, pavaresia

JELEKU I FAIK KONICËS, NJË RELIKE E ÇMUAR NË FAMILJEN PANI PREJ 70 VITESH

July 21, 2021 by dgreca

  -Për afro 70 vjet, jeleku u ruajt nga familja dardhare, Pani. Sot ndodhet në Boston, në shtëpinë e Andrea Panit- /

Nga Fuat Memelli- Boston/

Ishte një befasi për mua, kur para disa ditësh gjatë një vizite në shtëpinë e Andrea Panit në Boston, djalë i të ndjerit Sotir Pani që u nda nga jeta këtë vit prej kovitit, Andrea më tregoi jelekun e Faik Konicës. Ky jelek është një dëshmi e rrallë e kësaj figure të shquar të kombit shqiptar, që është ruajtur nga familja e Sotir Panit. Jeleku është në gjendje të mirë, vetëm ndonjë kopsë është shkëputur. Andrea më tregoi historinë e këtij jeleku.

Kur vdiq Konica në Uashington, më 15 dhjetor të vitit 1942, një nga miqtë e ngushtë që iu ndodh pranë, ishte edhe dardhari Vasil Pani, i cili jetonte në Boston. Vasili ishte një veprimtar i shquar i Vatrës dhe disa vjet ka qënë kryetar i saj. Faiku rrallë afronte njeri, por te Vasili ai vlerësonte njeriun besnik dhe patriot. Vasili ishte edhe djali i patriotit tjetër dardhar, Josif Panit, i cili ka jetuar në Boston, të cilin Faiku e njihte mirë dhe e vlerësonte shumë. Miqësinë e Faikut dhe Vasilit, e dëshmon edhe një foto e rrallë që Faiku i ka dhnë atij me dedikim. Këtë foto që e kishte Sotir Pani ia tregoi gazetarit Kolec Traboini  dhe ai e publikoi. Është fotua me republikë që tashmë ndodhet kudo. Por le të kthehemi te jeleku. Duke qënë mik i afërt i Konicës, Vasili u kujdes për bibliotekën e tij të cilën e sistemoi në një magazinë, por që fat i tyre nuk  dihet dhe ka mbetur tek-tuk vetëm ndonjë kopje. Robat vetiake të Faikut, Vasil i dërgoi te shtëpia e tij në Dardhë për t’i ruajtur. Por, në vitin 1947 ndrroi jetë pa pritur dhe nuk u kujdes dot për to. Një pjesë e tyre u përdorën nga familja e tij në Dardhë dhe u dëmtuan nga koha, ndërsa jelekun Soitiri e ruajti me fanatizëm. Kur ardhi në Amerikë në vitin 1996, krahas fotografive e dokumentave të ndryshme, krahas flamurit shqiptar, xixunit e kitarës, solli edhe jelekun e Konicës. E ruajti atë me kujdes deri sa ndrroi jetë në fillim të këtij viti . I kishte lënë porosi edhe djemve të tij, Andreas e Vaskës që ta ruanin me kujdes. Dhe ata e ruajnë jo vetëm se është i Faik Konicës, por e kanë amanet edhe nga babai i tyre, Sotiri, bir i një familje patriotësh dhe veprimtar i shquar i shqiptarëve të Bostonit.

Duke biseduar me Andrean në shtëpinë e të cilit ruhet jeleku, ai thotë se e ka vendin në Muzeun Historik Kombëtar. Dhe vërtet, aty në stendat e atij muzeu, duhet të zerë vend kjo relike e rrallë e Faik Konicës, e këtij personaliteti të shquar të kulturës, letërsisë e jetës politike shqiptare, e këtij intelektuali të dimensioneve europiane. Shpresojmë se Muzeu Historik Kombëtar, do interesohet për këtë relike të çmuar të Faik Konicës, njërit prej bijve më të shquar të kombit shqiptar.

Korrik, 2021

Filed Under: Histori Tagged With: Familja Pani, Fuat Memelli

Papa Klementi XI në tekste kushtimi të bashkëkohësve të vet

July 19, 2021 by s p

Prof.As.Dr Evalda PACI

Pontifikati i Klementit XI me të drejtë mund të cilësohet si periudhë e papnisë së një personaliteti erudit, të dhanë mbas bibliofilisë, kulturës së librit e të artit, kultivimit të dijeve sublime që orientojnë individin ndaj njohjeve më të thella të mundshme, por dhe ndaj trajtimit ezegjetik të çështjeve të doktrinës e të teologjisë së krishterë në nivele të larta brendësimi. Të dhëna të shumta biografike dhe enciklopedike rezultojnë mbi personalitetin e Papës Klementi XI, vëmendja ndaj të cilit reflektohet në një dokumentacion të pasur të kohës së vet, por më tej, dhe në forma kujtese që koha i ka përforcuar ndjeshëm dhe bindshëm. Që në  fillesat e këtij pontifikati, Klementi XI,  i cilësuar jo rrallë prej bashkëkohësve edhe si papë shqiptar, dha shenja konkrete të interesimit (me gjasë, paraekzistues) për ripërtëritjen e jetës kishtare e ringritjen e objekteve të kultit në dheun tonë. Vitet 1702-1703 do të jenë veçanërisht frytdhënëse në pikëpamje iniciativash, konstituimesh dhe aktesh të shkruara nga ana e tij, që gjinden të cituara e të shtjelluara gjerësisht në vëllime madhore dokumentare të kohës.

Në të vërtetë, një nevojë e mirëfilltë e rimëkëmbjes së një sërë institucionesh e bënte të domosdoshme thirrjen e një koncili kishtar kombëtar, i cili do të mbetet i ndërmendur në trajtesat historike të asaj periudhe për vetë krucialitetin me të cilin lidhej mbajtja e tij, por dhe për ndërlidhjen e natyrshme që vetë protagonistët kryesorë që qenë pjesëmarrës në të bënin me rolin e papës së zgjedhur prej pak vitesh, Klementit XI. Kritika e kohës, recensimet në një vështrim të thelluar mbi dekretet e këtij koncili bëjnë të mundur të receptohet një artikulim i qartë mbi gjithë këtë ngjarje dhe objektivat e realizimit të saj. Do të rezultojnë analiza të hollësishme mbi organizimin dhe bashkërendimin e një eventi të tillë, që nuk është i vetmi për atë periudhë për arealin evropian dhe vendet e Lindjes, ndërkohë që dhe dekretet e nenet përkatëse gjejnë të njëjtën vëmendje, dhe pse kritike në pikënisje. Vetë ndërmendjet nga ana e Zmaievich-it të ndarjeve administrative kishtare të kohës dhe nënvizimi i nevojës për t’i bashkuar me përfaqësi në një koncil mbarëkombëtar si ai i vitit 1703 do të përbëjnë një mesazh të qartë të rëndësisë së mbajtjes së këtij të fundit në atë moment dhe në atë seli që nuk mungon të citohet në relacionet e përgatitura prej këtij të fundit në të njëjtën periudhë kohore. Parapërgatitja e një ngjarjeje të tillë, pas gjase e shumëpritur për një sërë arsyesh e rrethanash që vijonin të ishin eminente, të konceptuar në një vështrim gjithëpërfshirës nga ana e Zmaievich-it receptohet qartë nëse ndjekim njëfarë itinerari që nuk mungon në parashtresat që u prijnë akteve e dekreteve të një koncili të tillë. Në vështrime konsultuese të një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me veprimtarinë baritore e papnore të Klementit XI bie në sy një reverencialitet i theksuar ndaj tij që arsyetohet në vështrimin tonë dhe me një sërë procedesh e mënyra të shprehuri që në tekstet kishtare, por dhe zyrtare të asaj kohe përdoreshin në lidhje me figura të një rangu të caktuar hierarkik. I kemi ndeshur në shfaqje më modeste dhe në tekstet introduktive të veprave të letërsisë së vjetër shqipe, në të cilat kemi analizuar qoftë toposet që na kanë orientuar ndaj modelesh të ngjashme në botime të së njëjtës kohë, qoftë dhe tiparet origjinale që kanë të bëjnë me vetë prirjen e autorëve për të nënvizuar aspekte të veçanta të përpilimit të veprës së tyre. Edhe aktet e Koncilit të Arbënit, pikërisht atij të vitit 1703 mbartin tipare të një botimi autorial, dhe pse në sythe e krerë të caktuar mund t’u gjurmohen përkime e elemente të përbashkëta me të tjera përpilime, të ndërtuara mbi shpjegime e shtjellime aktesh e dekretesh. Cilësimet dhe përveçimet që i dedikohen Klementit XI gjinden të dëshmuara në një sërë dokumentimesh shkrimore, ndër të cilat do të duhet të ndërmendnim vetë paragrafet në të cilat Zmajevick ka ndërtuar parashtresat e akteve të botimit të një ngjarjeje aq me rëndësi për historinë tonë si ai i Koncilit kombëtar të Arbënit, cilësuar si Concilium Provintiale sive Nationale Albanum. Vetë variantet përkatëse të këtyre kushtimeve do të mund të gjurmohen edhe në ribotime të mëvona, në veçanti në ato të shekullit XIX e që përveç ndryshimeve me elemente të përveçme ndaj botimit të vitit 1706, rimbartin ndjeshëm gjurmë të së njëjtës frymë celebrative ndaj figurës pontifikale të Klementit XI.[1]

Ribotimet në fjalë në të vërtetë mund të konsiderohen si një rimarrje në një kohë të mëvonë të aktualizimit të koncilit të vitit 1703, ndërkohë që vetë interesimi i përpiluesit dhe i porositësve të kësaj ndërmarrjeje kishte të bënte me rinënvizimin e rëndësisë që duhet të kishte akoma në ato vite mbajtja e tij. Përposë këtyre elementeve të domosdoshme krahasimi, duhet nënvizuar që janë pikërisht tekstet introduktive të akteve që përbëjnë dëshmi të qarta të njohjes së rolit të Klementit XI në lidhje me aktualizimin e Koncilit, fakt ky i përsëritur ndjeshëm në përpilimet që mbajnë autorësinë e Zmaievich-it. Variantet në të cilat mbërrijmë t’i gjurmojmë konsideratat e Vizitatorit në proces të ligjërimit në Sinod janë gjithashtu dhe mundësi për të vënë në dukje  zgjedhje të ndryshme nga ana e shqipëruesit, që janë për më tepër veçori konstitutive në brendësimin e teksteve në fjalë. Qëmtimet filologjike në këtë rasë nuk mund të jenë vërejtje të thjeshta ndaj trajtash e ndërtimesh që mund të argumentohen dhe me diferencime të kohës që ndan botimet në fjalë, por ndërkohë duhet dhe të vënë në dukje sa me rëndësi shfaqen sintagma të caktuara që kanë të bëjnë me siglime territoriale, apo ndonjë emërtesë tjetër që duhet të sjellë më së miri referimin ndaj origjinalit në gjuhën latine. Në veçanti, në Prefationën ndaj lexuesit të përpiluar prej D.Egnell Radojës e që mban datën 10 maj të vitit 1867, lexohet qartë nënvizimi i rëndësisë që vijonte të kishte koncili, rëndësi që reflektohet në breve dhe enciklika të papëve që e pasuan Klementin, cilësuar pikërisht në këto rreshta (të Radojës) si Papë Shqyptari Clementi i Gnimdhetii. Prefationa në fjalë i drejtohet në këtë rasë Imzot Carol Pooten-it (1807-1886), aso kohe Arqipeshkëv i Tivarit e i Shkodrës, i cili me sa duket dhe në lidhje me një argument të tillë kishte treguar kujdes dhe për më tepër kishte kërkuar angazhimin e Radojës në ndërmarrjen e shqipërimit në një variant të tij të akteve të këtij koncili. Miratimi i Pooten-it ndaj punës së Radojës me këto tekste dokumentohet qartë krahas atyre të Logorezzit dhe Bruschit (të lëshuara përkatësisht në maj të vitit 1867), të përpiluara në formë zyrtare në gjuhën latine. Tekstet e Radojës sigurisht janë pasqyrë zhvillimesh të mëvona jo vetëm gjuhësore, por dhe të vetë formimit të tij, të dëshmuar dhe në variante doktrinare pak a shumë të së njëjtës kohë me sprovat me vlerë të D. Nnre Logorezzit, fakt që dëshmohet dhe në dokumentime shkrimore në lidhje me ndihmesat e secilit në këtë drejtim. Kontributet në sjelljen në shqip të dekreteve, por dhe të teksteve hyrëse të akteve të Koncilit të vitit 1703 janë një perspektivë me interes në pikëpamje të gjurmimit tekstor që mund të kryhet në lidhje me pjesë përbërëse të krejt veprës, por dhe një grishje e përsëritur për të riparë dhe variantin origjinal në gjuhën latine, në të cilin mund të rigjejmë prirje të veçanta në hartimin e letrave hyrëse, ligjërimeve të Vizitatorit Apostolik si epror në drejtimin e tij, por dhe një terminologji të tërë që falë vetë objektivave të kësaj ngjarjeje, ngërthen një arsenal të plotë emërtesash e ndërtimesh teknike. Kushtimi i Zmajevich-it ndaj Papës Klementi XI përbën jo vetëm një ekspoze të një fryme nderimi ndaj figurës së këtij të fundit, por dhe një paraqitje më se të kuptueshme të fakteve që atij i duhet të vërë në dukje duke qenë pikërisht në atë moment në një rol me rëndësi, atë të Vizitatorit Apostolik. Me gjithë notat dedikatore që janë më se të natyrshme në materiale dokumentare të kësaj natyre, vetëdija e Vizitatorit për gjendjen e mjerueshme të objekteve të kultit, popullsisë së viseve që ka vizituar dhe barinjve të saj bashkëndahet natyrshëm me destinatarin në fjalë, Papën Klementi XI. Natyra e tekstit, nëse i referohemi variantit të konsultuar në gjuhën latine mbart tipare të një modeli kushtimi, por ndërkohë përmban fakte që domosdoshmërisht do të duhej t’i gjenim në një letër të tillë, që ruan dhe elemente të një brendie relatore. Letra që Zmaievich i drejton Papës Klementi XI përbën një model referimi në kuptimin e prirjes së autorit për të ndërthurur me nota erudicioni deskriptivitetin që ia kërkon vetë cilësia e funksionit që i është ngarkuar, ndërkohë që aftësive të tij prej relatori do të duhet t’i njohim dhe ndërfutjen e citimeve nga tekste themelore biblike në gjuhën latine, aq më tepër nëse bëhet fjalë për një frazë sintetike që do ta gjejmë më parë dhe në Prefationën e veprës së Pjetër Bogdanit, pikërisht në Të primitë e Cuneus Prophetarum (Patavii, 1685).[2] E njëjta frymë ndihet në tekstet pasuese  me natyrë dokumentare e zyrtare që Vizitatori Apostolik paraqet në lidhje me Kuvendin e vitit 1703, në veçanti në të quajturat Litterae indictionis, që përbëjnë një udhërrëfyes të qartë të ecurisë dhe bashkërendimit të mbajtjes së tij, përpiluar në Kurbin, pikërisht në ditët e para të dhjetorit 1702. Variantet e këtij teksti, por dhe përpilimeve të tjera që mbajnë autorësinë e Zmaievich-it, të introduktuara në mënyra jo të njëjta shprehjeje në pikëpamje të shqipëruesve a përgatitësve për botim sjellin në vështrimin tonë dhe qasje ndaj konceptesh e termash që duhet të ishin më të unifikuara në kuptimin e referencialitetit që paraqesin. Në ndonjë tekst tjetër në vijim, pikërisht në atë me titull Ad Synodum cohortatio, në të cilin shtjellohen qartë një sërë ndjesish që vetë mbajtja e një koncili të tillë do të mund të frymëzonte te vetë organizatorët e saj, do të rigjejmë të evidentuar të njëjtën vetëdije nga ana e Zmaievich, i cili ka përshkuar një itinerar të posaçëm në funksion dhe paraprirje të një eventi të tillë. Tekstet e Zmaievichit mbartin qartësisht idenë e mbështetjes pontifikale të Kuvendit, bashkë me çdo rrethanë tjetër që bashkëshoqëron kuadrin e zhvillimit të këtij të fundit. Një ngjarje si Koncili i vitit 1703 do të përfshijë dioqeza e famulli, hierarkë e barinj të kishës së Arbënit dhe do të reflektojë jehonën e vet në aspektet më të rëndësishme të jetës kishtare në vend. Çështjet e konsiderimit dhe respektimit të sakramendeve, mirëmbajtjes së monumenteve dhe objekteve të kultit, por dhe elementeve të tjera që bashkëshoqërojnë ritualitetin zakonor pothuaj të humbur në kontekstin kishtar të asaj kohe, ato të përgatitjes gjuhësore e kulturore të meshtarëve si ushtrues të praktikës liturgjike të krishterë, përdorimi i ritualit dhe i breviarit romak, integriteti territorial i dioqezave dhe saktësimi i kufijve të tyre, qartësimi i marrëdhënieve në hierarkinë kishtare të viseve arbërore kanë të gjitha njohjen dhe vëmendjen e një dore e një mendjeje që me vetëdije të plotë i risjell të gjitha këto problematika në një parashtrim në rang koncili a sinodi mbarëkombëtar.[3] Të mos harrojmë dhe dekretet përkatëse që nuk lënë jashtë vëmendjes reflektimin e direktivave të Koncilit të Trentit në një eveniment të tillë, ndërkohë që vetë koncilet pasuese që do të mbahen në viset tona vite më vonë, do të jenë në disa pikëpamje vijuese të kësaj ngjarjeje.

Me të drejtë, jehona e mbajtjes së Koncilit të vitit 1703 gëzoi dhe vijon të ketë një vëmendje të përqendruar nga ana e studiuesve, për vetë momentin krucial që po kalonte kisha e Arbënit, por dhe për impaktin më se të konfirmuar që i dha interesimi i qartë nga ana e Papës Klementi XI. Sa i përket Koncilit të Trentit, aq herë i ndërmendur në artikujt dhe krerët e akteve përkatëse të Kuvendit të vitit 1703, duhet rithënë që dhe falë orientimeve të Klementit XI dhe ipeshkvinjve të dioqezave të caktuara, një vëmendje e tillë mund të gjindet e dokumentuar dhe në koncile të tjera, të zhvilluara përgjatë pontifikatit të këtij të fundit, siç paraqitet dhe rasti i atij të mbajtur në Poloni (Zamoseium) në vitin 1720, me një ilustrim të qartë të rikonfirmuar qoftë ndaj rolit të Papës sonë, aq dhe nevojës për të ridimensionuar vështrimet mbi aktet e dekretet tridentine.[4] Roli i papës Klementi XI në konsolidimin e institucioneve kishtare njihet si i tillë dhe në lidhje me lokalitete më të largëta në të cilat vepronte kisha e Romës. Nëse konsultohet dokumentacioni përkatës i asaj kohe që evidenton për më tepër dhe ecurinë e veprimtarisë pontifikale të Klementit papë vit pas viti, do të jetë më se i qartë gjithë bashkërendimi i akteve konkrete të tij në pikëpamje të ungjillëzimit dhe forcimit të rolit të Kishës së Romës në Evropë, por dhe më tej, në vise e juridiksione më të largëta. Vëmendja ndaj teksteve kishtare që për më tepër janë objekt dhe instrument i një pune të përditshme të meshtarit është një element që duhet marrë në konsideratë dhe në këtë trajtesë tonën në lidhje me kontekstin historik e social që bëri të mundur të nënvizohet rëndësia e rolit të këtij të fundit në zhvillimet e viteve 1702-1703 në viset tona, që përkojnë dhe me fillimet e pontifikatit të tij. Referimi i vazhdueshëm dhe në pikëpamje termash specifikë ndaj këtyre instrumenteve themelore në praktikën e liturgjisë së përditshme dëshmon interesimin e qartë që përmes libërthave e doracakëve të konkretizohej edukimi ndaj besimit, ndërkohë që një orientim i tillë nënvizohet fort dhe në lidhje me meshtarët dhe barinjtë e popullsive të krishtera. Akte të tjera mjaft të rëndësishme që janë dhe dëshmi e një vëmendjeje të qartë ndaj çështjeve themelore të teologjisë së krishterë dhe receptimit të saj në tekstet biblike e më në veçanti në ato të shkruara në gjuhët e vendeve të tjera janë një kornizë e domosdoshme që duhet marrë në konsideratë dhe në rasë të trajtimit të rolit që Klementi XI pati në lidhje me mbajtjen, ecurinë dhe konkludimin e Koncilit të vitit 1703.[5] Aktet e Koncilit të vitit 1703, që panë për herë të parë dritën e botimit pothuaj tre vjet më vonë mbas mbajtjes së këtij të fundit kanë për ne dhe një tjetër vlerë referenciale, pikërisht atë të daljes nga shtypi nga Tipografia e Kongregacionit, fakt ky që pasuron një kuadër përpilimesh që lidhen veçanërisht me historikun e botimeve të kësaj natyre. Një panoramë e tillë gjeti inicim në Dicionarin latinisht-shqip të Frang Bardhit (1635), për të pasur më tej një vijimësi që do të shënohet nga vepërza dhe vepra, ndër të cilat mbizotërojnë variantet doktrinare, të ndërmendura dhe në aktet e sipërcituara të këtij koncili. Një figurë komplekse si ajo e Klementit XI prej shumë vitesh ka gjetur hapësira të konsiderueshme trajtimi në vështrimin dhe vëmendjen e studiuesve të historisë së kishës e të institucioneve kishtare, por jo më pak të studiuesve të historisë së besimit, të artit kishtar e jo vetëm, të historisë së mendimit filozofik e më tej, vëmendjen e gjurmuesve të varianteve të kësombllave e të ekzemplarëve të librave të vlefshëm që me siguri nuk mungonin as në dispozicionin e familjes Albani, prej së cilës pati lindur dhe ky personalitet i ardhshëm (Giovanni Francesco Albani). Një trashëgimi e pamatë kulturore, por dhe një arsenal vlerash njerëzore që bëri të mundur të konkretizoheshin prej këtij prelati vepra dhe ngjarje të një rëndësie themelore dhe për viset tona rijetuan falë tij dhe gjithë zhvillimeve të periudhës gjatë së cilës ky i fundit ushtroi veprimtarinë e tij shumëdimensionale, kulturore, fetare dhe shoqërore.


[1] Shih në veçanti kreun me titull Botime të tjera të tekstit të Koncilit shqiptar në Demiraj B., Concilii provintiaali o Cuvendi J Arbënit, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, f.18-22.

[2] Populli emi u bā rob, perse s’pat dijen./Propterea captivus ductus est populus meus, quia non habuit scientiam. Një frazë e tillë nga Isaia profet (5, 13-15) rimerret shpesh dhe në studime të natyrës ezegjetike të kryera gjatë Gjashtëqindës, siç rezulton në disa botime të kësaj periudhe.

[3] Në të vërtetë, një fakt i tillë nënvizohet ndjeshëm në çdo trajtesë që ka objekt të vetin koncilin e sipërcituar, qoftë dhe duke marrë në konsideratë konkretizimin  e rolit që i është deleguar në këtë rasë Vizitatorit Apostolik të Arbënit.

[4] Në korpuse të posaçme dokumentare receptimi në një frymë pozitive i Koncilit të vitit 1703, cilësuar dhe si Concile d’Albanie apo Albanense lidhet qartë dhe me vetë impaktin që ka veprimtaria e Zmaievich-it, e artikuluar qartë në aktet e botuara në vitin 1706. Shih gjithashtu dhe Guérin P., Les Conciles généraux et particuliers, Tome troisième (1327-1868), Paris, 1869, f.679.

[5] Në veçanti në lidhje me Kuvendin e Arbënit (1703) dhe domosdoshmërinë e bashkimit në të të një sërë hierarkësh të kishës arbërore nënvizohet përherë një vëmendje e tillë, e cituar në mënyrë të qartë dhe në letrat hyrëse me të cilat Vizitatori Apostolik i Arbënisë, Visk Zmaievick, aso kohe dhe Arqipeshkëv i Tivarit e i Dioklesë paraprin shtjellimin e akteve të këtij kuvendi.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: Prof.As.Dr Evalda Paci, Vatikani

Arkitekt Sinani, shqiptari i shquar nga Sinanajt e Tepelenës

July 17, 2021 by s p

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Koha dhe politika kanë qenë të egra dhe të padrejta me shqiptarët në tërësi dhe me njerëzit e vlerave kombëtare në veçanti. Karriera e lavdishme e Arkitekt Sinanit numëron rreth 400 vepra që nga Meka, në Krime e deri në Vjenë. Ishte njeriu që i ndryshoi faqen Stambollit me ndërtime teologjike, urbane dhe ushtarake… Është ndërtues i xhamisë në qendër të Vlorës dhe i Kalasë së Aulonës së lashtë, rrënojat e së cilës sot janë varrosur nën pallatin para stadiumit “Flamurtari”. Ky artefakt historik, lëngon nën pallat për shkak të pangopësisë dhe antikombtarizmit autentik pellazgo-Iliro-shqiptar, pasi me mënyra barbare po zhdukin identitetin kombëtar. Ndërtuesit dolën me pretendimin se ishin pronar të truallit, ku janë rrënojat e kalasë së Vlorës.. Madje paraqitën dokumente pronësie (tapitë). Kjo është çudia më e madhe. Pasi xhamia e Muradijes  në Vlorë, në fillim të shek.XVI është ndërtuar në formën e një tyrbeje. Kurse në vitin 1542, u rindërtua nga Arkitekt Sinani me urdhër të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, i cili vizitoi Vlorën. Me gurë të sjellë nga bregdeti shkëmbor i Vlorës, ndërtoi dhe Kalanë e Aulonës në lagjen Skelë, pranë portit detar(sot para stadiumit “Flamurtari”). Ndër veprat e tij vlen të përmenden 40 çezmat që i çuan ujë gjithë Stambollit, kurse kryearkitekt Sinani vdiq i etur për një pikë ujë. Nxënësi i tij, Mehmet Sedefqari, nga Elbasani ishte projektues dhe ndërtues i xhamisë Blu, në Stamboll. Ai projektoi veprën e kultit Taxh Mahall në Agra të Indisë, të cilën e ndërtoi bashkë me ndihmësin e tij, Ahmetin. Kjo njihet si  një nga shtatë mrekullitë e botës për Mesjetën. Edhe arkitekt Kasemi ishte shqiptar, bashkë me tre të tjerët, kanë lënë emër në arkitekturën osmane. Madje dhe sot në Stamboll thonë “Kalldrëmet shqiptare”, ose “sokakët e arnautve” se ishin arkitektët shqiptarë, ata që shtruan me pllaka guri të gdhendur rrugët e Stambollit. Le të shohim më hollësisht, se cili ishte Arkitekt Sinani. Mimar Sinani apo Arkitekt Sinani, lindi më, 29 maj, 1489 dhe ndërroi jetë më, 17 korrik, 1588 në Stamboll,Turqi.  Qysh në moshën 17-18 vjeç Sinani u radhit në repartet e Jeniçerëve të Perandorisë Osmane. Gjatë betejave si ushtar i Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, ai njohu arkitekturën e vendeve të ndryshme, si:Egjipt, Persi, Siri, Rodos, Moldavi, Bullgari, Itali Vjenë etj. Për prejardhjen e tij, flitet shumë. Thonë se ai është armen, grek, turk etj. Të gjithë krenohen me të, ndaj duan të njihet si bir i tyre, por e vërteta qëndron ndryshe.Janë faktet ato që flasin ndryshe. Ai e ka prejardhjen nga fshati Sinanaj (Tepelenë). Historia, ne shqiptarëve, na përmend shpesh. Herë na ka lartësuar dhe herë-herë na ka fshikulluar për kokat që ka nxjerrë ky truall në shërbim të kombeve të tjera. Me të drejtë shkrimtari Kim Mehmeti thotë:“Ne jemi një popull i vetmuar”.Mund të shtojmë se ne jemi një “popull i grabitur”, dhe historia na ka grabitur dhe mohuar ata që i kemi pjellë vetë. Nga të parët që na është vjedhur, është Arkitekt Sinani, një prej arkitektëve që në shekullin  XVI mëkëmbi dhe civilizoi arkitekurën orientale. Na është vjedhur Sami Frashëri, Aleksandër Moisiu, Karl Gega…e sa e sa të tjerë”.  Por le të kthehemi 430 vjet pas, kur jetoi një nga kolosët më të mëdhenj të arkitekturës botërore, Mimar (arkitekt) Sinani. Arkitekti i madh i quajtur “Mikelanxheloja i Orientit”, sipas studiuesit Denis Sharp, Sinani lindi në një familje ortodokse greke. Këtu nis edhe enigma e origjinës së tij, i cili nga burime të tjere,(Henry Maththwes) e quan bir të një familjeje kristiane që kishte përzgjedhur masonizmin. Historianët turq thonë se Sinani, vinte nga një familje turke dhe aktualisht trajtohet si një arkitekt turko-osmanlli.

Preardhja e tij e diskutuar shqiptare,është ajo që fiton edhe më shumë vlerë, pasi sipas burimeve historike turke, ai ka qenë mik i ngushtë me komandantin legjendar osman Sokullu Mehmet Pashën, i cili rridhte nga një familje nga Bosnja (dhe që më parë quhej Sokoloviç).

Poeti ynë i njohur dhe studiuesi, Akademik Xhevahir Spahiu shprehet:  “për hir të së vërtetës duhet kërkuar dhe gjetur prejardhja e Arkitekt Sinanit, sepse kur bëjmë shkencë duhen gjetur edhe rrënjët gnoseologjike. Për Sinanin ka rreth 1000 libra, sipas të cilëve prejardhja e tij ngatërrohet më shumë. Ai tregohet si turk, bullgar, boshnjak etj, ndërsa grekët kanë predikuar me të madhe se ai ka qenë grek. Vetëm burimet gjermane nxjerrin origjinën shqiptare të Sinanit. Sipas Xhevahir Spahiut një përpjekje kanë bërë edhe dy studiuesit, Gjergj Frashëri dhe Sul Domi. Studiuesit e nxjerrin Sinanin me origjinë nga Qesarati i Tepelenës. Kundrejt Qesaratit, përtej Vjosës, ndodhet pikërisht fshati Sinanaj, që sipas studiuesve të mësipërm ka qenë pronë e arkitekt Sinanit. Në Shqipëri me emrin e tij është e lidhur edhe xhamia Muradie, në qendër të Vlorës dhe me kështjellën, rrënojat e së cilës ndodhen në vendin ku aktualisht gjendet stadium.i “Flamurtari”. Ndërtimi i xhamisë dhe kështjellës në Vlorë përqasen me ardhjen e Sinanit dhe ushtrisë turke në Vlorë (sipas Evlija Çelebiut), në mezin e shekullit të 16-të. Poeti Spahiu parashton edhe një fakt të rëndësishëm në lidhje me prejardhjen e Sinanit. “E pra nga ishte Sinani? Nëse ai bëri Sulejmanien e famshme në Stamboll dhe ishte kryearkitekti i Perandorisë Osmane, pasardhësi i tij në këtë post ka qenë pikërisht Mehmet Sedefqari, një arkitekt nga Elbasani, autori i Xhamisë Blu po në Stamboll. Prejadhja e Sedefqarit nuk dyshohet në Turqi. Po mbas elbasanasit? Erdhi një tjetër kryearkitekt tanimë nga mali i Tomorrit, arkitekt Kasëmi. Në vakëfnamenë e tij (testamenti), ai do thotë shprehimisht : “Unë jam nga Grëmshi i Tomorricës”. Kështu pra u krijua një traditë ndërtimi arkitekturor në perandori nga arkitektët shqiptarë. Sipas Gjergj Frashërit,:“prej arkitekt Kasëmit është zbuluar një xhami dhe hamam në fshatin e tij të lindjes”. Kështu përfundon ligjëratën e tij poeti Xhevahir Spahiu, në lidhje me tre kryearkitektët gjenialë shqiptarë të perandorisë multietnike osmane. Një fakt që e mbështet prejardhjen shqiptare të tre kryearkitektëve, është edhe termi “kalldrëmet shqiptare”, që përdoret edhe sot në Turqi, dhe që simbolizon mjeshtërinë shqiptare për ndërtimin dhe ustallarë (mjeshtrat) shqiptarë, dhe për kalldrëmet e bukura që stolisnin dikur qytetet tona. 

Karriera artistike e Arkitekt Sinanit:

Si arkitekt Mimari, nisi të njihet pas ndërtimit të urës mbi Lumin Prut në Moldavi më 1538. Këtë urë, Sinani e projektoi dhe e ndërtoi brenda 13 ditëve që t’i shërbente Ushtrisë së Sulltan Sulejmanit(të ashtëquajturit “Kanuni” ose “Ligjvënësi”) i cili merrte pjesë në fushatën e Kara Budanit. Që nga kjo betejë Sulltan Sulejmani e mbante Sinanin afër dhe pak më vonë e emëroi kryeartitekt të perandorisë osmane. Kultura evropiane, Sinanin e ka  krahasuar me Mikelanxhelon dhe e thërrisnin “Mikelanxheloja i Orientit”. Sinani si kryarkitekt, punoi edhe gjatë kohës së sundimit të Selimit II dhe Muratit III. Pra ka punuar me 3 perandorë.

  Projektet e tij dhe që i zbatoi vetë apo nën drejtimin e tij ndahen ne tri grupime:

a-Ndërtimet e Kultit,

b-Ndërtimet Ushtarake,

c-Ndërtimet Civile.

      Gjatë karrierës së tij në disa dekada, arkitekti  projektoi objekte të mëdha që me kohë shërbyen si simbole të perandorisë si: Xhamia Shehzade Mehmetit (djali i vdekur i Sulltan Sulejmanit), xhamia Sulejmanie në Stamboll si edhe Selimijen në Edrene. Për shërbimet e larta ndaj perandorisë osmane,  mori titullin “Koxha Sinan” që do të thotë, Sinani i Madh.

Nga arktitektet e kohës moderne, të ditëve tona, ai vlerësohet si mjeshtër në përdorimin e gurit dhe për akustikën e objekteve.

       Historia e arkitekturës e ka ndarë aktivitetin e tij në tri periudha:

1-Faza e çirakllëkut(ndihmës arkitekt), ku hynë Xhamia e Shehzade Mehmetit në Stamboll.

2-Faza e kallfës(mjeshtrit)gjatë së cilës ndërtoi Sulejmanien Madhështore,në Stamboll në 7 vite, kushtuar Sulltan Sulejmanit.

3-Faza e ustallëkut ose Krye-mjeshtërit, Sinani ndërtoi Selimijen në Edrene, kur mbretëronte Selimi i Dytë.

    Arkitekt Sinani ka meritën e ndërtimit të ujësjellësit“40“çezmat (Kërkçeshme) në Stamboll. Ai që çoi ujin në gjithë Stambollin, vdiq me buzë e shpirt të tharë për një pikë ujë.

Sinani ndertoi 92 xhami,52 mesxhide (xhami të vogla),55 medrese, 7 daryl-kurra(shkolla për kuran), 20 tyrbe, 17 imarete (vende ku shpërndahet ushqim për të varfërit),13 daryshifa (spitale), 6 rrugë uji, 10 ura, 20 karvansaraje (hotele), 36 saraje, 8 bodrume, 48 hamëme (banja avulli) dhe gjithsej bëjnë 384 vepra. Në Shqipërinë Otomane të asaj kohe, Arkitekt Sinani ka ndërtuar xhaminë Muradie -Vlorë, xhaminë e Plumbit- Shkodër dhe kalanë e Vlorës te stadiumi “Flamurtari”, sot nën pallatin e ndërtuar në ditët tona.

Vepra e Mimar Sinani, arkitekti i bërë copash Ballkanit…
     Ishte djalë i ri kur Sinani hyri në radhët e jeniçerëve, ku luftoi për vite të tëra. Gjatë betejave në shtete të ndryshme si në Egjipt, Irak, Rodos, Krime, Beograd, e deri në Vjenë, ai njohu arkitekturën e tyre dhe mësoi autodidact, duke mbajtur shënime. Më pas lundroi në Korfuz dhe Pulje të Italisë. Viti 1538 shënoi një kthesë në jetën e tij. Projektimi e ndërtimi i urës në Moldavi, në 13 ditë, ndikoi te sulltani, i cili e vlerësoi shumë. Ndaj kërkoi që ai të qëndronte pranë tij.      Qysh aty nisi karriera e lavdishme e Sinanit, i cili ndërtoi rreth 400 vepra që nga Meka, në Krime e deri në Vjenë. Me punë dhe talent të pakrahasueshëm, Sulltani e emëroi kryearkitekt të oborrit perandorak. Sinani ia ndryshoi faqen Stambollit. Xhaminë Sulejmanie( Stamboll)  e projekoi dhe e ndërtoi në 7 vite. Për shërbimet u quajt Koxha Sinan (Sinani i Madh). Ai  njihej për thjeshtësinë dhe vullnetin  për punë. Arkitektët evropianë, e kanë quajtur:

“ jashtëtokësor”, ose “kulmi i punës me gurë”. Ai merret si një nga shembujt e mjeshtërisë më të mirë të akustikës deri në atë kohë. Me punën e tij kolosale ai u shërbeu 3 sulltanëve. Jo vetëm ishte i zgjuar, por dhe me dinjitet, gjë që e bënte të veçantë personalitetin e tij.  Si njeri me karakter të papërkulur,ai përherë mbronte tezën, njohuritë dhe punën e tij. Ndaj ishte i pabindur dhe në mosmarrëveshje me 3 sulltanët për të cilët punoi. Për shkak të dhuntive të tij gjeniale, afërsisë me sulltanin, privilegjeve që gëzonte, shkaktuan zili në oborrin perandorak.  Ishin shumë smirëzinjtë që shpifnin kundër tij. Arritën deri sa i çuan fjalë sulltanit se, Sinani bënte qejf në xhaminë e Shehzade Mehmetit, kushtuar djalit të vdekur të Sulejmanit. Sulltan i Madhërishëm shkoi në xhami dhe e gjen mjeshtrin në mes të xhamisë ulur këmbëkryq duke pirë nargjile (lloj duhani turk që pihet me një llullë të gjatë). Ai turret drejt Sinanit, i cili me qetësi ngrihet në këmbë. “Për këtë të paguaj unë ty?“,-pyeti Kanuni ndërsa ai iu përgjigj:“Dëgjo! Ai i fryn nargjiles së tij, ndërsa shushurima e saj shpërndahet nëpër gjithë xhaminë,”- me shumë takt e mençuri ai i tregoi sulltanit se po maste akustikën e xhamisë, ku zëri dëgjohej në çdo kënd të saj. Dihej se mikrofonat dolën në kohët moderne. Sulltan Sulejmani vërtetoi sesa pa vend ishin thashethemet kundër Sinanit. Një fushatë kundër tij nisi edhe kur atij iu dha urdhëri të dizenjonte dhe të zbatonte projektin e quajtur “40 çezmat”(Kërkçeshme),që do t`i sillte ujë gjithë Stambollit. Ziliqarët i fryn sulltanit në vesh se. I shtyrë nga thashethemet, Kanuni përsëri i kërkoi sqarime Sinanit, i cili e qartësoi dhe së fundi e solli ujin në Stamboll. Ky projekt i synuar që nga Perandori Bizantin, Justiniani, në shek. VI pas.Kr. Sulejmani i thotë arkitekt Sinanit të kërkojë ç`të dojë për shërbimin e tij dhe për ujin që shoi etjen e kryeqytetit perandorak.

“-Madhëri, punën time Ju e paguani me para dhe unë s`kam të drejtë të kërkoj asgjë”, – iu përgjigj  Sinani.

–Nëse ti nuk ke dëshirë të zgjedhësh diçka, atëherë është dëshira ime, ajo, që do të të ofrojë diçka,”- tha sulltani, dëshira e të cilit nuk mund të thyhej.

-Madhëri, dëshira juaj u plotësoftë! Do doja që nga ujësjellësi i Stambollit, të më vinte një çezmë edhe në konakun tim”.

–Qoftë e thënë dhe e bërë!”- Sulejmani dha urdhër me gojë që të bëhet, por nuk e dha me shkrim si dokument zyrtar. Kryearkitekti deri në moshën 97 vjeç,  piu ujë nga çezma e tij. Ankesat e njerëzve të këqij, të mësuar me thashetheme, shkuan deri tek sulltani.

Në këtë kohë në fronin perandorak ishte Murati i Tretë, nipi i Sulejmanit. Këshillëtarët e sulltanit u ankuan duke shpifur se Sinani merrte ujë në rrugë jo të ligjshme. Në moshë të madhe, kryearkitekti 97 vjeç, u gjykua para parisë së Stambollit dhe u shpall fajtor për çezmën që kishte në konak. Me gjithë kundërshtinë e mjeshtrit se çezmën e kishte dhuratë nga Sulltani i Madhërishëm, Murati i tretë nuk e besoi dhe urdhëroi t’i pritej uji.  I moshuar,i fyer publikisht, dilte më rrallë nga shtëpia, çezma e mëhallës (lagjes) ishte shumë larg, mjeshtri nisi të vuante nga etja. Sa ditë kalonin gjendja e tij rëndohej, deri sa zuri shtratin. Një natë korriku të vitit 1490, ndërsa lutej për një pikë ujë, sa për të shuar zjarrin që e digjte, përpëlitej në shtratin e vdekjes pa ia ofruar askush. Arkitekt Sinani, që shoi etjen e një qyteti, dha shpirt i zhuritur nga etja për një pikë ujë mes harrimit dhe mosmirënjohjes njerëzore.

Filed Under: Histori Tagged With: Arkitekt Sinani, arkitektura, tepelena

NOSH MERNAÇAJ DHUROI LIBRIN E TIJ “TË RRITESH NË SHQIPËRINË KOMUNISTE” PËR BIBLIOTEKËN E VATRËS

July 17, 2021 by s p

Anëtari i Vatrës Nosh Mernaçaj i dhuroi sot më 17 Korrik 2021 Bibliotekës Shkencore të Vatrës librin e tij “Të Rritesh në Shqipërinë Komuniste”. Në takimin e dhurimit z.Mernaçaj u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja dhe nënkryetari i Vatrës z.Ervin Dine. Të tre së bashku diskutuan mbi rëndësinë e ruajtes së dëshmive dhe kujtimeve që vijnë nga periudha e komunizmit si një mënyrë për të ekspozuar krimin, persekutimin dhe vuajtjet e padrejta që shumë shqiptarë kaluan përgjatë diktaturës totalitare. Libri “Growing Up in Communist Albania” është një libër kujtimesh nga ana e autorit Mernaçaj i cili është lindur dhe rritur në Shqipëri në kohën e regjimit komunist dhe përqëndrohet në historinë e familjes së tij tejet të persekutuar, por në të njëjtën kohë e merr këtë histori dhe e trajton në kontekstin e gjerë të jetës në Shqipërinë diktatoriale.

Duke trajtuar ngjarje të përveçme të karaktareve të ndërtuara mjeshtërisht në libër, autori jep një përshkrim të gjerë e të gjallë të jetës në Shqipërinë komuniste sidomos të mënyrës së persekutimit dhe përndjekjes së kundërshtarëve të regjimit komunist. Fillimi i librit është një përshkrim i ardhjes së komunizmit në pushtet dhe pastaj si autori lindi dhe u rrit në regjimin diktatorial. Në fund, libri ndalet pak edhe te rrëzimi i regjimit komunist, duke trajtuar disa ngjarje të përveçme, gjithmonë në kontekstin e përgjithshëm historik dhe ideologjik. Në këtë libër autori ka bërë disa analiza të ngjarjeve dhe metodave të ndjekura nga regjimi dhe ka kërkuar të japë shpjegime në disa raste. Libri “Të Rritesh në Shqipërinë Komuniste” është bazuar në ngjarje të vërteta, personazhe të vërtetë por nuk synon të trajtohet si histori e mirëfilltë por si një histori në morinë e historive të persekutimit të civilëve të pafajshëm në Shqipërinë diktatoriale. (S.PAJA)

Filed Under: Histori Tagged With: Nosh Mernaçaj, Shqiperia Komuniste, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 224
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • …
  • 709
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Aty ku historia nuk lexohet, por përjetohet…
  • Pafajësia kolektive…
  • Diaspora shqiptare në botë: Nga “Të ndërtojmë Amerikën” tek “Të ndërtojmë Shqipërinë”
  • Noli dhe Konica në dritën e “Diellit”
  • Personalitete kombëtare në New York nderuan jetën dhe veprën e Eliot Engel
  • Shtypi shqiptar në vitet e fundit të sundimit osman
  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT