• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA-GREVA PER FJALEN E LIRE

May 27, 2020 by dgreca

SPECIALE-KUJTESA- Gazeta DIELLI/

 Kosova para 27 viteve, grevë urie në kërkim të lirisë e mbrojtje të fjalës shqipe/

-Dita e fillimit të grevës së urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin Rilindja në Prishtine ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim/

-Nga greva u bë edhe një film dokumentar, ku është regjistruar edhe raportimi që bëja me telex nga Prishtina në Tiranë dhe flas për për atë që ndodhte…Në dokumentar shihet: Data 31 Maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…/

-Rilindja, Gazetë që mbajti gjallë frymën kombetare dhe besimin e popullit të Kosovës…/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 27 Maj 2020/ Në Kosovë para 27 viteve, nga 24 Maji deri në  3 Qershor 1993, zhvillohej një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi okupues serb në Kosovë.

Dita e fillimit të grevës ishte pikërisht një vit pas zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare të 24 Majit 1992 në kërkim të vendosjes së pushtetit të Kosovës në Kosovë, kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë i Republikës, në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim.

 Trokëllima e telexit të raportimeve, që nga dita e zgjedhjeve historike i bëja nga Prishtina në Tiranë, hapë një film dokumentar të xhiruar gjatë grevës njëmbëdhjetëditëshe.

Derisa zhvillohet greva e urisë e gazetarëve e shkrimtarëve shqiptarë në Pallatin e Shtypit Rilindja në Prishtinë, flas në dokumentar:  “Këtu është zyra e telexit të Rilindjes. Nga ky telex për çdo ditë dërgojmë raporte, informata për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në Tiranë. Ja, në këto momente jemi duke u përpjekur ta marrim lidhjen…Presim… Lidhjet janë tepër të dobëta…”

Lexoj nga lajmi që sapo kisha dërguar në Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë: “Para mbrëmjes, përfaqësuesi i Misionit të KSBE-së në Kosovë erdhi në Rilindje dhe po bisedon me Këshillin Grevist. Deri tash nuk ka ende asgjë nga ajo që pritej për sot, arritja e marrëveshjes konkrete. Bisedat vazhdojnë, ndërsa vazhdon edhe dita e tetë e grevës së urisë e Adem Demaçit dhe grevistëve të tjerë për mbrojtje të lirisë dhe fjalës shqipe. Qëndrimet serbe që na i prezantoi misionari i KSBE-së janë të papranueshme për Këshillin Grevist dhe për kolektivin e Rilindjes…Tashmë janë vendosur edhe rojet e armatosura civile serbe në portën e Rilindjes…”

KSBE ishte mision  evropian, që tash është OSBE. Emri zyrtar i OSBE-së para vitit 1995 ka qenë Konferenca për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE).

Në atë mbrëmje të 31 Majit 1993, të ditës së tetë të grevës së urisë, dr. Gani Demolli, themelues i shërbimit mjekësor  “Nëna” në kohën e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve edhe nga spitalet, derisa po kujdesej për shëndetin e grevistëve duke qëndruar ditë e natë pranë tyre po bënte me kamerën e tij edhe një film dokumentar dëshmi kohe për rezistencën deri në flijim, për lëvizjen gjithëkombëtare për liri e pavarësi.

“Greva e urisë” është titulli i dokumentarit që u bë derisa ajo po zhvillohej në kundërshtim të regjimit të dhunës serbe, i cili pasi ndaloi gazetën tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqipe në Kosovë, po ia merrte për ta tjetërsuar e shndëruar në ndërmarrjen fantome “Panorama” të instaluar nga Beogradi edhe gjithë pronën, përfshirë pallatin 18 katësh në qendër të Prishtinës.

“Më 20 maj 1993 regjimi serb me dekret të posaçëm ‘Rilindjen’ të vetmen Ndërmarrje Gazetare Botuese në gjuhën shqipe e shendërroi në ‘Panorama’”, shkruhet në fillim të filmit dokumentar.

Në dokumentarin e kohëve të kërkimit të lirisë, “Greva e urisë 1993” në Pallatin e Shtypit Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, në ekran, shfaqen emrat e disa prej shumë grevistëve, që iu bashkuan Adem Demaçit: Ali Podrimja, Zenun Çelaj, Bardh Hamzaj, Nehat Islami, Shaip Beqiri, Idriz Ulaj, Milazim Krasniqi, Abdullah Konushevci, Bajram Kosumi, Vezir Uka, Shkëlzen Stublla,  Halil Matoshi, Blerim Shala, Besim Rexhaj, Gani Gashi, Shpend Vinca, Haqif Mulliqi, Agim Zogaj, Muhamet Ahmeti…Shfaqen pamjet e njerëzve dhe kohëve të rezistencës, të lëvizjes e luftës për Kosovën e lirë e të pavarur.

Në dokumentar për kërkesat e Këshillit Grevist gjatë një konference për shtyp flet kryeredaktori i atëhershëm i revistës letrare “Fjala”, që e botonte Ndërmarrja Rilindja, Milazim Krasniqi. “Ato kërkesa janë në funksion të mbrojtjes së Institucionit të Rilindjes dhe  të shtypit të lirë…”, thekson ai.

Ishte kohë okupimi, shqiptarët ishin dëbuar  kolektivisht nga puna e nga institucionet, nga universiteti, edhe fëmijtë shqiptarë ishin dëbuar nga shkollat e çerdhet, foshnjoret…

“Kjo është dëshmia: Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë… Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, flas në dokumentarin e grevës së urisë në Pallatin Rilindja – lexoj titujt e mëdhenj në ballinën e gazetës së rezistencës  e të lëvizjes dhe luftës për liri e pavarësi “Bujku”, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që sfidonte ndalimin e mbylljen e gazetës shqiptare Rilindja nga forcat okupatore serbe.

Në atë kohë, në dokumentar flas, lexoj edhe titujt e numrit vijues të gazetës që nuk u ndal edhe kur u ndalua: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla”.

Edhe në atë kohë, poeti Ali Podrimja në grevën e urisë në mbrojtje të fjalës shqipe, kishte një përjetim lirie si ëndërr në barrikadimin në Pallatin e Rilindjes. Në dokumentar shihet e degjohet tek këndon-reciton me buzët shkrumb etje e urie vargjet që sapo i krijonte:

“SHIKIMI NGA DRITARJA

Nëse shkojmë mos na vajtoni

Vetëm na këndoni

Se lirinë e përjtuam nga brenda”.

Në dokumentarin për grevën, në rrëfimin e nisur pranë telexit të raportimeve për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në ambientet e grevës së urisë, them edhe këtë: “Grevistët e urisë në Pallatin e Shtypit, të vetmin kontakt me jashtë Pallatin e kanë shikimin në botë nga këto dritare. Ata janë ngujuar qe tetë ditë këtu, janë barrikaduar këtu, për fjalën e lirë shqipe…”

Në filimin dokumentar shihet: Data 31 Maj 1993, ora e mbrëmjes vonë, rraplloj dyerte mbyllura për shqiptarët nga serbët e armatosur, në shtëpinë tonë, të Rilindjes… Dua t’i hap…

E rezistenca,  greva e urisë vazhdonte në Pallatin e Shtypit Rilindja, që nuk mbeti vetëm kështjellë e rezistencës dhe ëndërrave të mëdha: Pas lirisë e pavarsisë u bë ndërtesë qeveritare e shtetit të Kosovës.

Para Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë në 23 Maj 2015 u ngrit dhe u përurua shtatorja e themeluesit të shtetit shqiptar, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë së shpallur në Vlorë para më shumë se 100 viteve, Ismail Qemalit.

Në Nëntor të vitit 2014, në një takim të drejtuesëve të Prishtinës me delegacionin e intelektualeve nga Vlora u patën shpalosur hollësitë e idesë dhe projektit të vendosjes së shtatoreve të Ismail Qemalit në Prishtinë dhe të Hasan Prishtinës në Vlorë.

“Vendosja e shtatores e simbolizon rolin e Ismail Qemalit në pavarësinë e shqiptareve si dhe në zhvillimin e kombit shqiptar”, theksonin organizatorët e ceremonisë në kryeqytetin e Kosovës.

Para  18 viteve, në 12 Shkurt 2002,  Adem Demaçi merrte pjesë në festën e 57-vjetorit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha në atë kohë dhe i kisha bërë ftesë të veçantë.

“Festimi i 57-vjetorit të ‘Rilindjes’” ishte mbititulli e “Gazetë që mbajti gjallë frymën kombetare dhe besimin e popullit të Kosovës” ishte kryetitulli në ballinë, i nxjerrë nga fjala përshendetëse e Adem Demaçit dhe e pjesëmarrësve të tjerë, përfshirë diplomatët e përfaqësive në Prishtinë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë e Shqipërisë. 

Rilindja në numrin festiv të 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë botonte editorialin ekskluziv me titull “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, shkruar enkas nga Ambasadori Amerikan Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në editorial Ambasadori Amerikan Menzis. 

  Adem Demaçi në manifestimin e festës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, mes tjarash, tha:

“Kam nderin dhe fatin që të marrë pjesë në festimin e 57-vjetorit. E di se si ka filluar nxjerrja e gazetës, ka filluar duke sjellë rrotën me dorë. Mustafa Hoxha, Haki Hoxha, Esad Mekuli kanë radhitur me dorë, i kanë nxjerrë gazetat…Falë atyre burrave që punuan në kushte të vështira, Rilindja u shndërrua në tribunë. Përveç materialeve partiake botonte edhe materiale tjera që na shtonin shpresën se një ditë do ta ndjekim sunduesin serb…Rilindja arriti ta luajë një rol që ta mbante të gjallë frymën kombëtare me kuadrot qe arritën nga Normalja e Elbasanit dhe nga shtetet fqinje, Italia e Austria”.

Në monografi kam shkruar, se para 75 viteve, në 12 Shkurt 1945, në Prizren nisi të dalë gazeta shqiptare, tradicionale e Kosovës, Rilindja me angazhimin e intelektualëve të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, e më pas vazhdoi në dalë në kryeqytetin Prishtinë. Gazeta historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga fryma e koha e Konferencës së Bujanit e Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

LIDHJA PËR DOKUMENTARIN E GREVËS SË URISË SË GAZETARËVE E SHKRIMTARËVE SHQIPTARË TË KOSOVËS NGA 24 MAJI DERI NË  3 QERSHOR TË VITIT 1993:

  • Per me shume fotografi shkoni ne Facebook dielli vatra

Filed Under: Histori Tagged With: 27 Vjet Greva, Bell Jashari

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT

May 24, 2020 by dgreca

-Bisedë me z. TASIM RUKO, Kryetar i Degës së Vatrës në Tampa-Clearwater, Florida-/

Nga ana e saj, gazeta Dielli, ka informuar në vazhdimësi vatranët për situatën në SHBA e vendlindje, në Europë e Kanda, kudo ku jetojnë shqiptarët. Intervistat me personalitete, mjekë shqiptarë që punojnë në SHBA dhe Europë, me shkencëtarë, gazetarë, personalitet publike,kanë sjellë relaitetin e rënduar të Pandemisë.Po degët e Vatrës, si kanë funksionuar gjatë kësaj kohe?

        Gazeta ”Dielli” ka nisë një bashkëbisedim me degët e Vatrës nëpër shtete e qytete të ndryshme në SHBA dhe në Kanada, pikërisht për të sjellë zërin e tyre në gazetën e Vatrës. Janë ftuar Kryetarët e degëve përmes Diellit të përcjellin informacione për kohën e koronavirusit. 

  Dega e Vatrës në Tampa-Clearwater udhëhiqet nga z. Tasim Ruko. Ajo dallohet për veprimtari të vazhdushme, cilësore, masive, dhe për suksesin që ka arritë me shkollën shqipe, që prej disa vitesh ka fituar respektin jo vetëm të vatranëve por edhe të komunitetit shqiptar.

Redaksia e Diellit i nisi disa pyetje z. Ruko dhe në një kohë të shpejtë ai ktheu përgjigjet. Shpresojmë që kështu të veprojnë edhe kryetarët e degëve, të cilët i kanë marrë pyetjet e bashkëbisedimit. Ndiqeni bashkëbisedimin me z. Tasim RUKO:

DIELLI:Z. Tasim, Si po e kaloni këtë kohë të Pandemisë? Si është gjendja shëndetsore juaja dhe e familjes? A ka njeri nga rrethi juaj familjar apo miqësor të prekur nga COVID-19?

Tasim Ruko: Faleminderit Zotit, gjendja shendetsore imja dhe e familjes ne kete kohe Pandemie deri tani eshte shume mire. Edhe rrethi im familjar e miqesor,si ketu ne SH.B.A, vendlindje e Evropë gëzojnë shëndet të plotë. 

DIELLI: Si paraqitet situata në Florida në tërësi dhe në veçanti në Tampa-Clearwater?

Tasim RUKO: Situata ne Florida relativisht mendoj se duhet konsideruar jo shumë e rënduar, po të kemi parasysh New York-un, ku jetoni ju. Kohët e fundit është ulur shkalla e infeksionit në Florida, ndërsa jeta e pacientëve të infektuar është nën kontroll mjeksor. Me 24 Maj Florida regjistroi vetëm 4 të vdekur, ndërsa në total kanë humbur jetën rreth 2 mijë e 237 pacientë. Të dielën e 24 majit u njoftuan 740 të infektuar të rinj, ndërsa në total shteti ka raportuar rreth 51 mijë të infektuar. Po vazhdohet t’i tregohet kujdes testimeve. Deri tani janë kryer rreth 873 mijë testime. 

DIELLI: A u morën aty masa kufizuse? Janë të hapura bizneset? 

Tasim RUKO: Fillimisht po, por tani situata po shkon drejt normalizimit. Tampa &  Clearwater,ku ne jetojme, thuajse gradualisht po kalon në jetën normale. Restorantet kane filluar punen, plazhet thuajse jane 100 për qind të hapura. Kërkohet respektimi i rregullave, por deri tash gjithçka duket mirë.Masat kufizuse, fillimisht edhe tek ne ishin të forta në përgjigje të urdhërit të guvernatorit të shtetit, ashtu siç u moren ne te gjithe Shtetin e Florides, por sektorë të tillë si : ndertimi, transporti, shoferët, pizzeritë, Supermarketet, dyqanet ushqimore, ku punojnë shumica e shqiptarëve, nuk e ndërprenë aktivitetin.

DIELLI: U bënë tre muaj që jemi të izoluar, si i keni mbajtë lidhjet me kryesinë e degës dhe me anëtarët e saj?

Tasim RUKO: Kryesia e degës së Vatrës në Tampa-Clearwater gjatë këtyre tre muajëve izolim ka funksionuar në përshtatje me kushtet e izolimit. Kemi mbajtë kontakte të vazhdueshme me njeri-tjetrin, me vatranët por edhe me komunitetin. Në një farë mënyre e kemi përcjellë jetën në komunitet, me gjithë kufizimet e diktuara nga koronavirusi.

DIELLI: A keni pasë mundësi të komunikoni në mënyrë elektronike, me mesazhe, me telefonata me vatranët. Po me qendrën?

Tasim RUKO: Kryesia e degës së Vatrës në Tampa-Clearwater gjatë këtyre tre muajëve izolim ka funksionuar në përshtatje me kushtet e izolimit. Kemi komunikim te vazhdushem me njeri tjetrin, edhe me anëtarët e Vatrës e familjet vatrane, si me telefonata, mesazhe, E-meil etj.

DIELLI: Cila është gjendja reale e degës tuaj. A e keni ruajtë anëtarësinë e kohës së Kuvendit, ka të larguar apo keni shtuar anëtar të rinj?

Tasim RUKO: Gjendja aktuale  e anëtarve te deges së Vatrës në Tampa-Clearwater mbas Kuvendit, eshte shume e mire, nuk kemi askënd të larguar, bile kemi rritur rrethin e simpatizantëve, që kanë  shprehur dëshirën për t’u anëtarësuar në Vater.

Tasim RUKO:Shkolla  Shqipe me emrin e bukur dhe simbolik” Vatra”, si te gjitha shkollat e tjera në sistemin arsimor në  Amerikë, u mbyll, per arsyen e COVID-19, dhe do te hapet perseri sa te fillojë sezioni ri për vitin 2020-2021,që besoj se do te jete Shtatori.Dua t’i falnderoj si trupën mësimore ashtu edhe priindërit e nxënësve.
Për kete vit, kemi nje staf te kualifikuar mesimdhens,patriotë që e duan Kombin ,që po presin me pa durim, hapjen perseri te vitit te ri shkollor, qe te japin kontributin e tyre maksimal per Shkollen Shqipe. Përmend znj.Meri Kodra, qe eshte organizatore kryesore e shkollës shqipe, z. Haki Veliu, z Armand Zacelici, e zonjën Gitjana Gjyshi.

DIELLI: Si është gjendja e bizneseve të vatranëve?
Tasim RUKO: Në përgjithësi, sipas informacioneve që kam, gjendja e bizneseve te vatranëve ne Tampa Bay, Florida eshte e mire deri tani. Te gjithe jane duke i ushtruar aktivitet e tyre.

DIELLI: Z. kryetar, Ju falenderojmë për informacionet që përcollët dhe urojmë degën e Vatrës në Tampa- Clearwater, që sa më shpejt t’u kthehet aktiviteteve normale.
Tasim RUKO: Kënaqësia ishte imja. Suksese Diellit, që gjatë kësaj kohe na ka informuar rregullisht.

Bisedoi:Dalip Greca

>

Filed Under: Histori, Politike Tagged With: Dega e Vatres, Pandemi, Tasim Ruko

KUJTESE-24 MAJI 1992, DITA E ZGJEDHJEVE TË PARA TË KOSOVËS REPUBLIKË

May 24, 2020 by dgreca

SPECIALE E GAZETES DIELLI

24 MAJI 1992, DITA E ZGJEDHJEVE TË PARA TË KOSOVËS REPUBLIKË

-Si sot e diel 24 Maj në vitin 1992 ishte dita kur Republika e Kosovës e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumit të 26-30 Shtatorit 1991 mbajti zgjedhjet e para pluraliste me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind dhe Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i parë/

-Zgjedhjet në Kosovë të para 28 viteve u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësonte se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën/

-Po para 28 viteve, në 24 Majin 1992, raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës në Kosovë të Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë,  për të cilën kam zhvilluar intervistën e parë ekskluzive me Presidentin historik Rugova/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 24 Maj 2020/ Para  28 viteve, si sot e diel 24 Maj në vitin 1992 ishte dita kur Kosova Repoublika e Kosovës e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990 dhe Referendumit të 26-30 Shtatorit 1991, mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, me pjesëmarrje masive mbi 89 përqind, në rrethana të rënda okupimi e shtetrrethimi nga regjimi i dhunës serbe.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind.

Në Kosovë 24 Maji, me simbolikë shtetformuese, shënohet si Dita e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas zgjedhjes në këtë ditë të para 28 viteve  të Presidentit historik Ibrahim Rugova.

Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike  angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Partia e parë e pluralizmit kosovar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte angazhuar edhe për formimin e partive të tjera, në 8 Maj 1992 deklaronte se, “duke qenë se zgjedhjet e 24 Majit, të shpallura nga Kuvendi i Republikës së Kosovës i konsideron jo si luftë të partive politike të Kosovës për pushtet, por si përpjekje e organizuar e masive për të mos pranuar strukturat e pushtetit dhe statusin që po përpiqet të na imponojë Serbia, LDK-ja do të përpiqet që fushata parazgjedhore, organizimi dhe realizimi i zgjedhjeve të zhvillohen në frymë të bashkëpunimit të plotë, në mënyra e forma të ndryshme, në mes të të gjitha partive politike e të subjekteve të tjera politike”.

 “Këshilli Qendror i Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që LDK-ja, si parti politike vetë ose në bashkëpunim me partitë e tjera, të paraqesë kandidatët për deputetë në të 100 njësitë zgjedhore, kurse kryetarin e LDK-së dhe të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, Dr.Ibrahim Rugova, ta kandidojë për kryetar të Republikës së Kosovës”, theksohej në Konkluzionet e Këshillit Qendror të LDK-së për zgjedhjet shumëpartiake në 1992.

Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet në Kosovë theksonte se ato janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar zgjedhor, dhe në vazhdim konstatonte:

“Nga së paku 130 vende për Parlament, 100 janë zgjedhur përmes votimit të drejtpërdrejtë, pra, në bazë të sistemit të shumicës, ndërsa 30 vende janë zgjedhur përmes sistemit proporcional.
Zgjedhjet u mbajtën më 24 Maj të vitit 1992. Vendvotimet ishin të hapura prej orës 7 deri në 19. Kandidatët për deputetë në Parlamentin e Kosovës i paraqitën 22 subjekte politike, të cilat kandiduan 490 kandidatë. 
Lidhja Demokratike e Kosovës paraqiti kandidaturën e Dr.Ibrahim Rugovës për Kryetar. Kandidimi i tij është përkrahur edhe nga partitë e tjera politike shqiptare si dhe nga Partia për Aksion Demokratik dhe nga Partia Popullore Turke. 
Regjistrin zgjedhor të Kosovës e përbënin 853.432 votues, prej të cilëve 762.257 kanë dalë në vendvotime, pra 89.32 përqind të votuesve të regjistruar. Nuk kanë dalë në votime 80.791 votues, ndërsa 10.384 fletëvotime ishin të pavlefshme. 
Në zgjedhjet e drejtpërdrejta kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës fituan 574.755 vota, që do të thotë 76.44 përqind; kandidatët e Partisë Parlamentare të Kosovës morën 36.594 vota, ose 4.86 përqind; kandidatët e Partisë Fshatare të Kosovës 23.682 vota, ose 3.15 përqind; kandidatët e Partisë Shqiptare Demokristiane 23.303 vota ose 3.10 përqind; kandidatët e pavarur (jopartiakë) fituan 24.702 vota ose 3.29 përqind. 
Subjektet e tjera zgjedhore që morën pjesë në këto votime fituan më pak se 1.87 përqind të votave, andaj ata nuk fituan të drejtën për të marrë pjesë në shpërndarjen proporcionale të vendeve në Parlament. 
Shqiptarët, muslimanët, turqit, romët, kroatët dhe një numër i vogël serbësh dhe malazezësh poashtu morën pjesë në zgjedhjet e 24 Majit.

Pasqyra e vendeve në Parlament është si vijon: Lidhja Demokratike e Kosovës  96 deputetë, Partia Parlamentare e Kosovës 13 deputetë, Partia Fshatare e Kosovës  7 deputetë, Partia Shqiptare Demokristiane  7 deputetë, Kandidatët e Pavarur  2 deputetë.

Pjesëtarët e etnitetit musliman, në bazë të përqindjes së popullsisë dhe shpërndarjes proporcionale kanë katër deputetë, ndërsa një kandidat i këtij etniteti fitoi me votimet e drejtpërsëdrejta.
Në përbërjen e re të Parlamentit të Kosovës janë dy deputetë të etnitetit turk, të cilët u zgjodhën si kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 
Në Parlamentin e Kosovës kanë mbetur 14 vende të zbrazëta, të cilat sipas përqindjes së popullsisë së Kosovës dhe shpërndarjes proporcionale të vendeve në Parlament u takojnë pjesëtarëve të etnitetit serb dhe malazez. 
Zgjedhjet për Kryetarin e Kosovës janë mbajtur në Kosovë dhe jashtë saj, në vendet ku shqiptarët nga Kosova janë të punësuar. Në Kosovë për Dr.Ibrahim Rugovën për Kryetar të Kosovës votuan 762.257 votues, (fletëvotime të pavlefshme dhe “kundër” ishin 3.812), ndërsa jashtë Kosovës votuan 105.300 votues. Gjithsej 867.557 votuan për Kryetarin e Republikës së Kosovës. 
Në disa vendvotime policia serbe ndërhyri për të ndërprerë procesin zgjedhor. Në dy sosh policia konsifkoi një pjesë të materialit zgjedhor. 
I tërë materiali zgjedhor i zgjedhjeve të 24 Majit i është dorëzuar Parlamentit të Republikës së Kosovës. 
Zgjedhjet në Kosovë u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Këto zgjedhje i përcollën 82 ekipe gazetarësh apo të agjencive të lajmeve nga mbarë bota. 
Subjektet politike që morën pjesë në zgjedhje, Komisioni Republikan për Zgjedhje (kryetar Tadej Rodiqi), grupet e huaja vëzhguese, si dhe shumë raporte dhe artikuj të gazetarëve të huaj dhe të Kosovës, të cilët përcollën në tërësi procesin e zgjedhjeve, kanë raportuar për korrektësinë e votimeve. 
Kosova ishte vendi i fundit në Evropë ku janë mbajtur zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat populli i Kosovës dëshmoi përcaktimin e tij për liri dhe demokraci”, përfundonte Raporti i Komisionit Qendror për Zgjedhjet Shumëpartiake Presidenciale dhe Parlamentare në Republikën e Kosovës, i prezantuar në Prishtinë në 15 Qershor 1992.

Vëzhguesit e huaj në një konferencë shtypi të mbajtur në shtëpinë e Shoqatës së Shkrimtarëve në Prishtinë, deklaruan përshtypjet e tyre rreth zgjedhjeve të 24 majit në Kosovë.
Dr.Majkëll van Vajt Prag, sekretar i përgjithshëm i UNPO-s (Organizata e Kombeve të Papërfaqësuara në OKB) vlerësoi se zgjedhjet ishin organizuar në mënyrë korrekte dhe me rregullsi. Ai tha se,  gjatë këtyre vëzhgimeve nuk ka hasur në ndonjë parregullsi, derisa veçanërisht e ka impresionuar organizimi i vendvotimeve rezervë. 
Delegacioni i Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, i përbërë nga Konrad Hubers, Pol Berens, Çarls Braun, Debora Xehkobs, Rom Pameir, Maks Primorac, Karl Roads dhe Kevin Tin, theksoi se ishte madhështore pjesëmarrja e votuesve dhe dëshira e tyre për të shfaqur vullnetin politik përmes votimit. “Zgjedhjet janë mbajtur me efikasitet të madh, na ka impresionuar fakti se gjithkund ishin organizuar edhe vendvotimet rezervë, që viheshin në veprim kur policia ndërprente votimin në vendvotimet e para. Policia i ka penguar mjaft votimet edhe duke arrestuar njerëz”, thanë vëzhguesit nga SHBA. Poashtu theksuan se, grupi që vëzhgoi zgjedhjet në Prizren, gjatë kohës që u mor në polici, kishte parë në stacion policor të arrestuar dhe material votues e flamuj të konfiskuar.

Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi se këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën. 
Debora Xehkobs tha se katër anëtarët e delegacionit amerikan, që vizituan Pejën, kanë fituar një përvojë të shkëlqyer nga vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve.

“U mrekulluam nga mjeshtria e shqiptarëve për organizimin e zgjedhjeve”, u shpreh ajo.

Një anëtar tjetër i këtij delegacioni theksoi se ajo që na interesoi dhe mahniti ishte vetorganizimi i njerëzve. “Çdo gjë u bë në mënyrë vullnetare, duke u nisur nga shërbimet dhe punët që janë bërë këtu, e deri te njerëzit që kanë organizuar zgjedhjet në çdo pjesë të Kosovës”, theksoi ai.

Vlerësimet e vëzhduesve dhe gazetarëve nga bota ishin se zgjedhjet ishin të mira, të rregullta dhe fer. “Vëzhguesit dhe gazetarët e huaj i çmojnë shumë edhe mënyrat alternative të organizimit të zgjedhjeve, ngase bota di se çka do të thotë okupimi, prandaj edhe këtu ata e shohin aftësinë e këtij populli që dëshiron të fitojë dhe të jetë i lirë. Ky popull nuk kërkon asgjë tjetër pos shansit për t’u realizuar si popull, e të cilin nuk e ka pasur kurrë”, theksonin raportimet e kohës së zgjedhjeve të para pluraliste të Kosovës.

Po para 28 viteve, në 24 Majin 1992, raportimet për zgjedhjet e para pluraliste kosovare  që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Kosovë.  Raportoja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes së përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me orientim e përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, e që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991 dhe sfidonte ndalimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja dhunshëm me ndërhyrje policore nga regjimi okupues i Beogradit. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me Agjencinë Telegrafike Shqiptare, nga e cila merreshin informacione e botoheshin në gazetën “Bujku” dhe kështu u themeluan bashkëpunimet e para të mediave Shqipëri-Kosovë.

Zyra e telexit – e Agjencisë Telegrafike Shqiptare në Pallatin Rilinda u bë edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Presidenti historik i Kosovës,  Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive, të parën të një presidenti kosovar dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare para 25 viteve, të cilën e cilësonte edhe si një hap në politikën globale të shqiptarëve, si edhe vazhdimisht, falenderonte dhe vlerësonte për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova, në intervistën ku fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Zgjedhjet e dyta parlamentare e presidenciale Kosova i ka mbajtur në kohë lufte në 22 Mars 1998.

Pas luftës së përfunduar në Qershor 1999, Kosova ka mbajtur 7 palë zgjedhje parlamentare, 4 prej tyre pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete anëtare të OKB-së. Kosova e lirë gjatë  21 viteve ka mbajtur edhe 6 palë zgjedhje lokale, gjysmën prej tyre si shtet i pavarur 12 vjet.

VITI 1992 I ZGJDHJES SË DR. IBRAHIM RUGOVËS PRESIDENTIT I PARË I KOSOVËS – KRONOLOGJI: 

1992
Më 24 maj, përkundër kërcënimeve të forcave serbe, mbi 89% të qytetarëve të Kosovës votuan për të zgjedhur Presidentin e Republikës së Kosovës dhe 100 deputetë për Parlamentin e Kosovës. Me shumicë dërrmuese të votave Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, ndërsa partia e tij LDK fitoi shumicën absolute të vendeve në Parlament. Vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia si dhe vëzhguesit e partive që morën pjesë në zgjedhje i vlerësuan ato demokratike dhe të organizuara mirë. Akti i votimit të lirë, pjesëmarrja masive e qytetarëve në votime dhe atmosfera e krijuar, u shndërruan në demonstrim dhe manifestim të vullnetit politik për pavarësi dhe demokraci të Kosovës.
Presidenti Rugova merr një telegram urimi nga Ministri i Jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, i cili, në emër të Gjermanisë, e përgëzon për zgjedhjen e tij President.
Më 15 shtator Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova takohet me ministrin e Jashtëm të Austrisë Alojz Mok nga i cili kërkoi përkrahjen e Austrisë për vendosjen urgjente të misioneve vëzhguese në Kosovë. Alojz Mok nga ana e tij deklaroi se çelësi i zgjidhjes së çështjes së Kosovës gjendet në respektimin e vullnetit politik të popullit të saj.
Më 6 tetor Presidenti Rugova qëndron në Londër me ftesë të Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe, ku takohet me zyrtarë të lartë të Britanisë.
Në muajin tetor Presidenti Rugova qëndron për vizitë zyrtare në Slloveni ku takohet me Presidentin slloven Milan Kuçan dhe kryemi-nistrin Janez Dërnovshek, ku kërkon përkrahje për zgjidhjen e statusit të Kosovës si shtet neutral dhe të pavarur
Më 22 tetor Presidenti Rugova takohet në Sofje me Presidentin e Bullgarisë Zhele Zhelev, i cili përshëndeti rrugën paqësore që ka marrë Dr. Rugova dhe populli i Kosovës për arritjen e qëllimit me mjete politike dhe potencoi se duhet të respektohet vullneti politik i shqiptarëve.
Në Shkup Presidenti Rugova takohet me Presidentin e Maqedonisë Kiro Gligorov. Të dy Presidentët theksuan se janë të vendosur për gjetjen e mënyrave paqësore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të Maqedonisë.
Më 28 nëntor Presidenti Rugova qëndron në Vlorë në festimin e 80-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai realizon takime me Presidentin Berisha dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar.
Në dhjetor, në Bruksel, Presidenti Ibrahim Rugova takohet me sekretarin e shtetit të Amerikës Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje Pesidentit Rugova si lider i popullit shqiptar për kontributin e tij në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari i shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.

MËNGJESI I 24 MAJIT 1992: NJË THIRRJE NGA TIRANA, PAS UDHËTIMIT TË PARË NË SHQIPËRI…

Raportimet nga Kosova për Agjencinë Shtetëtërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë janë raportime që nisën pas një thirrje nga Tirana, para 28 viteve, në mëngjesin e hershëm të një dite historike.

Mëngjesin e 24 Majit 1992 po dëgjoja Radio Tiranën që paralajmëronte angazhimet e përpjekjet që gjatë gjithë kësaj dite të jepnin informacione të mundshme për zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, që do mbaheshin në Kosovë.

Një telefonatë e hershme mëngjesi më erdhi në ato momente pikërisht nga Radio Tirana, në telefonin e banesës në Lagjen Ulpiana në Prishtinë.

Më thirrnin për informacione për zgjedhjet dhe më treguan se numrin e telefonit e kishin marrë nga kolegë të mi në Tiranë, ku isha në 1 Maj dhe këmbyem adresat me disa që i takuam, në ato pak orë qëndrimi në kryeqytetin shqiptar, meqë shumicën e kohës së kufizuar na e mori rruga e gjatë përtej udhëtimit nga Kosova-Prishtina, nëpër Maqedoni.

Një maji 1992 për mua ishte ditë ëndërre, për herë të parë shkoja në Shqipëri. Në Kosovë Shqipërinë e kishim të ndaluar, na ndanin me kufi të hekurt, që ishte “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, si e përshkruaja në një titull reportazhi të botuar edhe në Prishtinë edhe në Tiranë, në 19 mars 1996.

Miq gazetarë shqiptarë nga Maqedonia më kishin njoftuar se atë ditë të parë maji do jetë i hapur kufiri për ta kaluar edhe me letërnjoftim te Dibra, ku bashkë me gazetarin e Rilindjes Bedri Sadiku shkova në mbrëmjen e një dite më parë, dhe pas natës pa gjumë e në festë, ujin e parë të Shqipërisë e piva në Hotel Turizmi në Peshkopi, me ndonjë gotë raki dhe kafenë e mëngjesit…

Pas ca më shumë se tre javësh më vinte telefonata nga Tirana, përmes së cilës dhash informacionet e para për zgjedhjet, që do të kenë qenë raportimi i parë i një gazetari nga Kosova për median në Shqipëri, ndërsa për komunikime tjera ua dhash numrin e telefonit të zyrës në Pallatin e Shtypit Rilindja, në Prishtinë.

U dhanë, pa saktësuar autorsinë, informacionet e mia të para në Radio Tirana dhe kur më telefonuan në zyrë më thanë se do i jepnin me emrin e autorit, po  kishin frikë se për ato raportime që ishin të ndaluara do më arrestonin në ato rrethana okupimi e shtetrrethimi serb.

“Lajmet do i japim me emër-autorësi, që të mos mund të më akuzojnë për ‘veprimtari ilegale armiqësore’”, ju thash dhe shtova: “Problem është vetëm se lidhjet telefonike që më bëni janë shumë të dobëta, të zhurmëshme, ndërsa nga Kosova për në Shqipëri janë të pamundura. Më jepni ndonjë numër telexi…”

Të operoj me telex dija shumë mirë, se derisa isha ushtar në ish-federatën na kishin mësuar madje edhe “si të hyhet në lidhjet e armikut”…

Dhe, me ato mësime, u lidha me miqtë-vëllezërit, kolegët gazetarë e median në Tiranë. Funksionoi lidhja nga Prishtina, nga telexi i Rilindjes, në Tiranë – në telexin e Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmëve të Shqipërisë – ATSH…

Me falënderimet e vlerësimet për raportimet, që doja t’i përmbyllja me shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve, më kishte ardhur në telex nga ATSH  edhe ftesa për të vazhduar me punën e nisur të korrespondentit në Kosovë…Dhe, raportimet vazhduan më shumë se çerek shekulli – nëpër vitet e para luftës e të luftës, të lirisë e të pavarësisë së Kosovës,  në më shumë se gjysmën e këtyre viteve pa pagë – vullnetarisht…

Filed Under: Histori Tagged With: 24 Maj 1992, Bell Jashari, historia, Kosova Republike

DARDANIA (KOSOVA), ALTARI I ARBËRISË 1910- 1941


May 22, 2020 by dgreca

IMZOT LAZER MJEDA, KRYEIPESHKËV 1869-1935 DHE
ARBËRIA NË KOHËN E TIJ/


Dokumente të pabotuara, të mbledhur, të mikrofilmuar dhe të përgaditura për shtyp nga Gjergj Gashi.


            PARATHËNIE
“Nuk do të them pothuajse asgja për vuejtjet e arbërorëve
muhamedanë që në fillim të pushtimit serb, sepse të tregosh torturat e kryeme ndaj tyne, do të duheshin vëllime”. Dok.
Nr. 4.(shënim: 25) “E ndërsa serbve (qeveria) u jep armë e municion,muhamedanët dhe katolikët arbër i torturojnë për t’u nxjerrë ato armë që nuk i kanë….”
Lazer Mjeda -Kryeipeshkëv i Shkupit me d. v. Prizren me 29 gusht 1919

Përgatiti për Diellin: Gjon Kadeli/ Në këto të dhana, përfshihet kryesisht pjesa e popullsisë katolike e Kosovës martire, udhëheqsi shpirtnor i të cilëve ka qenë Kryeipeshkvi i Shkupit. Lazer Mjeda në atë kohë bani nji përmbledhje të masakrave që serbët banë kundër kësaj popullsie, në zonat qe ata banoshin ne Kosove.
Kryeipeshkvi Mjeda bani çdo përpjekje, tuej u shkrue letra
autoriteteve Austriake në Vjenë, të Vatikanit në Rromë e tjera, që tëndërhyjnë për ndaljen e masakrave që serbët po bashin kundër shqiptarëve të Kosovës, por,fatkeqsiht këto përpjekje dështuen.
Në vazhdim vihen në dukje nji pjesë e masakrave të ndryshme që serbët banë prej 1910-1941.
Në Shkup gjatë 18 ditëve të para të operacioneve ushtarake, çdo mbramje hidheshin në lumin Vardar 20-30 vetë dhe e njëjta gja u ba edhe me të plagosunit që ishin në spital. Të gjithë këta ishin të besimit mulsiman.
Në Ujzi të Gjakovës, ku pothuejse të gjithë ishin muslimanë, ushtarët morën burra, gra e fëmijë, i mbyllën nëpër shtëpitë e tyne dhe u vunë zjarmin ku vdiqën 74 vetë, mandej me dinamit shkatrruen shtëpitë.
Në qytetin e Pejës, natën e Bajramit u rrahën të gjithë muslimanët qëndesheshin rrugës, pa përjashtue edhe Myftinë që ishte i vjetër dheudhëheqsi fetar i qytetit. Ditën e Bajramit vranë nji hoxhë, ndërkohë që kthehej në qytet, mbasi kishte shkue me ba nji shërbim fetar në nji
katund.
Në Berishë 6 vetë u vranë, të tjerë për të shpëtue paguen 400 lira turke dhe me i dhanë komandarit (komandantit) 28 deshë.
Në Borodosane dogjën 40 shtëpi, vranë 46 vetë, midis të cilëve edhe gra e fëmijë.
Në Bjelushë u dogjën 36 shtëpi, u vranë 68 vetë tuej përfshi edhe tri gra me fëmijë në gji, plaçkitën çdo gja dhe përdhunuen gratë.
Në Ballobrad u dogjën 28 shtëpi, 18 vetë u vranë, 33 mashkuj dhe 6 gra u therën me bajoneta.
Në Plavë u dogjën 18 shtëpi, 18 mashkuj dhe 4 gra me fëmijë në gji u therën me bajonetë, plaçkitën çdo gja që gjetën.
Në Lojma katundi u dogj, 93 mashkuj dhe të gjitha gratë me fëmijë që u gjetën u vranë.
Në Kolovoz të gjithë banorët u zhdukën dhe vetë katundi u dogj.
Në Nimcë u dogjën 64 shtëpi e 130 mashkuj u vranë.
Në Breki dogjën 65 shtëpi e vranë veç grave e fëmijve edhe 80 burra.
Pebrek, nga ky katund që përbahej prej 112 familje vetëm katër fëmijë,mbetën gjallë.
Shumica e këtyne masakrave tejet barbare kanë ngja nëpër katundet rreth Gjakovës dhe Pejës ku ka banue popullsija e besimit katolik.

Filed Under: Histori Tagged With: Altari i Arberise-Dardania, Gjon kadeli, Ipeshkevi Lazer Mjeda

Vlora më 1912 dhe 1920

May 21, 2020 by dgreca

Me rastin e 100 vjetorit te Luftës së Vlorës, maj 1920-maj 2020/

Nga Mid’hat Frashëri*/

Vlorë, një emër paskëtaj i lidhur me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme.

Dy data 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë, ose më mirë akoma, mblodhi në këtë pjellë shpirtin dhe frymën e përhapur, që fluturonte në erë dhe s’kishte zënë vend përdhe, e forcoi në këtë zall me rërë pastaj e hodhi mbi gjithë Shqipërinë, si një vesë që bie dhe ngjall bimët e vyshkura prej të thatit.

Shumë herë fati i një njeriu, i një kombi, varet prej një të papandehur dhe më kot kërkojmë shkaqet e ngjarjes, pyesim si dhe pse u bë kështu. Ato janë ngjarjet, që rrjedhin befas, papritur, që i kanë rrënjët në faktorë të padukur. Po edhe disa ngjarje të tjera janë drejtësisht fryti i një dëshire dhe i një vullneti, që i bën, që i mejton dhe që i do. Thamë se fati është i verbër. Në kushtet e dyta fati e ka hequr shaminë, që i mbyll sytë dhe sheh, shikon, kupton.

Një mijë e nëntëqind e dymbëdhjeta mund të bëhej edhe gjetkë, në vend që të bëhej në Vlorë, në çdo qytet tjetër, në të parin fshat, edhe në të fundit.

Po një mijë e nëntëqind e njëzeta nuk mund të bëhesh veçse në Vlorë, në këtë baltë, prej këtyre njerëzve.

Dymbëdhjeta hodhi një flakë, se materializoi dëshirën dhe idealin e një kombi, mbaroi një ide, i dha formë mendjes.

Njëzeta i dha gjallim lëndës, e bëri me shpirt formën, e mbërtheu në zemra dhe në mendje.

Mbarimi i Dymbëdhjetës qe pak befas, e papritur, mbase dhe një grimë para kohe. Dhe në gaz e në turbullim të një ngjarjeje të lumtur, që nuk pritet, ndërgjegjja kombiare nuk gjeti kohë të kristalizonte aspiratat e saj, të merrte gjerësinë e fatit, të ndjente dhe të shijonte lumturinë e re. Ishte një ide, një ideal, një dëshirë e qëndruar pak në erë, e pazbritur fare në dhê.

Intervali dymbëdhjetë-njëzet është mbushur me të bëra të këqija dhe të zeza, po mbase jo të palogjikshme. Logjika është e pamëshirë dhe më tepër akoma kur komenton punën që ka rrjedhur, ngjarje të cilave u njohim shtytkat. Kështu që në tetë vjet mjerime, në qoftë se kjo jetë nga nisja dhe  në fund njeh “mjerime”, gjemë një shpjegim. Po të shpjeguarit, edhe me logjikë qoftë, s’e ndalon njeriun nga fatkeqësia dhe nuk ia praps dot as keqardhjen e turpin. Çdo të shpjeguar nuk fal, nuk e lan fajin. Komentimi nuk ecën bashkë me harrimin, mbase bën zgjimin, se në i gjettë shkaqet e një ngjarjeje (dhe ngjarjen fatkeqe njerëzit e quajnë faj dhe turp), sheh dhe mënyrat, mjetet e të prapsurit të së keqes, e të pjellit të ngjarjeve fatbardha.

Të parët dhe të gjykuarit me gjak të ftohtë është një lumturi, por bashkë me të edhe një pafatësi. Është një gëzim shpirti, si edhe një pikëllim zemre. Sido që të jetë, është një qetësi fryme dhe kush ka qetësinë, di të presë, të durojë, të ushqejë shpresën, se fundi i gjykimit është puna. Në debat të ndalimeve, të vështirësive, të veprimeve të zeza, e sheh njeriu se një punë dhe një veprim i lumtur mund dhe prish të palumturin. Puna, aktiviteti, të ushqen shpresën. Si mekaniku që njeh makinën dhe e ndreq, sado e prishur që të duket, ashtu edhe ai që analizon, ai që sheh dhe përkëdhel çarqet e panumërta të kësaj makine, që i themi jetë, e di se me punë, me durim, me palodhje e me papikëllim, sistemi i makinës mund të vihet në lëvizje në drejtimin, që duam.

Duhet një shkaktar, një që të dojë ta ndreqë makinën.

Ky shkaktar u bë Vlora. Shkaktar jo i fatit, befas, pa ditur, pa pandehur, pa dëshirë, po shkaktar i mençur, i ndërgjegjshëm për atë që duan, që dinë ç’bëjnë, që ka përgatitur kushtet, që ka mprehur vullnetin, në durim e në heshtje, të vendosur për fitim a për vdekje, që ka parë çdo rrezik, ka peshuar pse-në dhe si-në e shortet, duke mos kapsitur syrin, me gjak të ftohtë ka hyrë në zjarr dhe ka dalë me fitim në dorë.

Shpesh një punë e vogël, një shkak i vogël pjell një fryt të madh. Këtu kemi një punë të madhe, një shkak të madh, që i jep lindje një pune të madhe.

Edhe kështu njëzeta kurorëzon dymbëdhjetën. Njëzeta e fortë, më trime se e pushtetshme, e merr dymbëdhjetën, e nxjerr nga gjembat dhe greminat, e ngre në këmbë dhe i thotë: EC.

Dymbëdhjeta solli famë në këtë Vlorë. Njëzeta nderoi Vlorën. Vlora nderoi njëzetën.

Njëzeta i tha Shqipërisë: je e lirë, dhe këtë liri ja ke hua vetvetes. Nuk ke miq dhe dashamirë, po ke veten tënde. Dhe kur ke veten tënde, mos ki më frikë. Këtij urdhri, qe e pamundur mos t’i bindet njeriu; Shqipëria u mëkëmb, u forcua, u mbajt dhe eci. Fuqinë, shëndetin, shpirtin dhe gjëllimin e mori nga vullneti i saj.

Nderim, respekt dhe venerim për këtë vend!

Një dëshirë e kaq dhjetë vitesh po shtynte kombin drejt një të ardhmeje të re, drejt një jete të bërë dhe të shpënë për të mbarën, për dobinë, për interesin dhe për shkëlqimin e vendit. Një dritë ishte hedhur mbi udhën që po ecnim dhe ajo dritë rrëfente një udhë të re. Kandili qe ndezur dhe busulla e dëshirës kishte gjetur një pol, herë e ndritur, herë e zbehtë, shpesh herë në rrezik që të shuhej. Busulla e humbiste polin dhe udhëtari e lidhte udhën si anija pa timon, si barka pa vela. Yllit, që rrëfente qëllimin, re të zeza  e mbulonin shkëndijën dhe tallazet e valës bëheshin kanosëse.

Atij kandili i desh hedhur vaj, që të dilte flaka përmbi tymin dhe të ndriste rrugën. Edhe në qoftë se djersa bën pjellor çdo send, këtu djersa u mbyt me gjak dhe u ngjall me vullnet.

Venerim, respekt dhe nderim për ata njerëz!

***

Në këtë qytet të bërë vërtet “shqiptar”, çdo shqiptar ndjen një kryelartësi dhe një mburrje, kërkon të zbulojë shkaqe të reja për lëvdatë, burime për mburrje dhe në çdo çap, që bën zemra, bën një lutje, që ta gjejë këtë qytet më të lavdërueshëm dhe më të lulëzuar se nga çdo tjetër. Në ç’punë hyn ajo therori, ajo burrëri, po qe që një punë e palodhshme s’erdhi t’i jepte çdo ditë një shkëlqim të ri.

Edhe me këtë dëshirë në zemër nxitoj të bëj një vizitë të shpejtë. Tetë vjet jete turbullimi i kanë sjellë pak nderim fizionomisë së qytetit: këtu atje sheh ca shtëpi të reja, disa dyqane të modernizuara, një shesh tregu të rregulluar, një ndërtesë qeverie të mbajtur mirë, një kujdes prej bashkisë në pastrim të rrugëve dhe në ngritje të godinave të rrëzuara.

Mësoj se një kopsht qyteti, një park i vogël po përgatitet në këtë klimë të butë, këtu që rron ulliri, lulëzon limoni dhe portokalli, këtu që eukaliptusi, kaktusi dhe palmat me gjithë shoqet e tyre të vendeve të nxehta, gjejnë një diell mbrojtës dhe gjelbërim prurës, padyshim një park i kujdesur mund të bëhet një model bimësh dhe një kënaqësi për syrin e për shpirtin. Po pse të paralajmërojmë, le të presim mbarimin. S’është me të thënë, është me të bërë.

Ja spitali: mjeku më rrëfen udhën, më bën nderimet si një zot shtëpie, më rrëfen të sëmurët, sallat e operacioneve, depozitat, farmacinë … dhe tekdo një pastërti e kujdes mbretëron, tekdo sheh njeriu shenjën e një dashurie për mjeshtërinë, një dëshirë për shërbim.

Mësoj se flitet për formimin e një muzeu dhe mbrëmë që luajtur një pjesë teatri prej një trupe amatorësh.

Një muze! Të donin, sa lëndë të begatshme mund të mblidhnim! Të kishim dashurinë e së shkuarës dhe të na dhembte pak më tepër për të lënat e stërgjyshërve! Por pa u ngjitur në paranikët tanë të vjetër, pa vajtur në “antikat” e Pojanit dhe të kaq viseve të tjera, balta e të cilave mbulon qytete të moçëm, vetëm plaçkat, kujtimet dhe mbeturinat e këtyre dhjetë viteve të fundit sikur të mbledhim, vetëm për të mos harruarit e viteve 1912 dhe 1920 sikur të kujdesej muzeu i Vlorës, do të bëhej një koleksion prej më të vlefshmëve për ne.

Duke shëtitur mejtohem. Dhjetë vjet. Kujtimi është akoma tepër i ri për t’u harruar. Sa ndryshim, që atëherë e tëhu: n’atë kohë gjindja kishte një ç’interesim për çdo send që prekte punët e shoqërisë. Tani çdo gjë e Shqipërisë e intereson dhe e zgjon. Zgjedhjet e deputetëve, zgjedhjet e bashkisë janë bërë me një zell, që dëften se detyrat qytetare janë kuptuar mirë.

Ndërgjegjja kombëtare kur zgjohet, i jep një fisnikëri njeriut, si çdo dashuri dhe çdo frymë, që fisnikëron punët e të mortmit. 

Por fisnikëria ka dhe detyra të rënda. Është gjë e rrallë dhe fort e madhe që të jesh fisnik, por dhe sa gjë e rëndë që të dish të mbash shkallën e asaj fisnikërie.

Sa barrë e rëndë bie tani mbi supet e kësaj Vlore, nga e cila të gjithë presin mbarimin e punëve të mëdha, zbukurim dhe lulëzim! Zgjimi i ndjenjës kombiare sjell entuziazëm dhe ky hov i zemrës e bën njeriun të përparojë, të naltësohet, të mos qëndrojë pa arritur kulmin e udhës, që ka zënë. 

Dymbëdhjeta nuk zgjoi entuziazëm, nuk tronditi dejet, nuk flaku poshtë këtë atmosferë vdekjeje, që mbështillte çdo njeri të dënuar për prishje. Edhe mbeti në shpirtra e në zemra si gjumë i somnambulit. 

Njëzeta nuk mund që të mos zgjonte entuziazëm. Jo, një punë e tillë nuk mund që të mos njihte detyrat që i ngarkoheshin. Do të qe më i madhi mëkat në botë përgënjeshtrimi i atyre shpresave të mëdha, që zgjoi Dymbëdhjeta. Vlora që bëri një hap kaq të madh dhe të shkëlqyer, nuk mund më të kridhet n’ errësirë.

Edhe sa punë akoma për të mbaruar! Sa çape të tjerë për të hedhur! 

*Ky fragment është nxjerrë nga “Një udhëtim nga Trieste ne Vlorë” 12 tetor 1922, një udhëpërshkrim i Mid’hat Frasherit (Lumo Skendo), njëherësh edhe një meditim historik, filozofik dhe artistik për dy ngjarje madhore te  historisë së Shqipërisë, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ( 28 Nëntor 1912) dhe Luftën e Vlorës ( 21 maj 1920), që solli çlirimin dhe pavarësinë e vërtetë e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj.

Uran Butka

Filed Under: Histori Tagged With: Mit'hat Frasheri, Vlora 1912-20

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 235
  • 236
  • 237
  • 238
  • 239
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT