• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

L’ÉCONOMISTE FRANÇAIS (1917) / ITALIA SHPALL PAVARËSINË E SHQIPËRISË NË GJIROKASTËR

December 19, 2021 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Dhjetor 2021


“L’Économiste français” ka botuar, të shtunën e 9 qershorit 1917, në faqen n°16, një shkrim në lidhje me shpalljen asokohe të pavarësisë së Shqipërisë në Gjirokastër nga qeveria italiane, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : Romë, 6 qershor. — Qeveria italiane sapo ka shpallur pavarësinë e Shqipërisë me aktin e mëposhtëm të datës 3 qershor në Gjirokastër :
“Të gjithë popullatës shqiptare.
Sot 3 qershor 1917, në përvjetorin e lumtur të lirive statutore italiane, ne, lejtënant-gjeneral Giacinto Ferrero, komandant i organit të pushtimit (sundimit) italian në Shqipëri, me urdhër të qeverisë së mbretit Viktor Emanuel II shpallim solemnisht unitetin dhe pavarësinë e gjithë Shqipërisë nën kujdesin dhe mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë.Me këtë akt, ju, shqiptarët, do të keni institucione, milici, gjykata dhe shkolla të lira të drejtuara nga qytetarët shqiptarë. Ju do të jeni në gjendje të administroni pronat tuaja dhe produktin e punës suaj, për përfitimin tuaj dhe për mirëqenien gjithnjë e më të madhe të vendit tuaj.Shqiptarë, kudo që jeni, ose tashmë të lirë në trojet tuaja, ose të arratisur në botë, ose ende të nënshtruar ndaj sundimit të huaj plot premtime, por në të vërtetë të dhunshëm dhe grabitës, ju që, nga një racë shumë e lashtë dhe fisnike, keni kujtime dhe traditat shekullore qe ju lidhin me qyteterimin romak e venecian, ju qe njihni bashkësinë e interesave italo-shqiptare mbi detin që njëkohësisht na ndan dhe bashkon, bashkohuni të gjithë, ju njerëz të vullnetit të mirë që keni besim në fatet e atdheut tuaj të dashur. Vraponi të gjithë nën hijen e flamurit italian dhe atij shqiptar, të betoheni për besim të përjetshëm në atë që sapo është shpallur sot në emër të qeverisë italiane për Shqipërinë e pavarur me miqësinë dhe nën mbrojtjen e Italisë.”

Filed Under: Histori

LE GAULOIS (1927) / ÇFARË MENDONTE FRANCESCO CRISPI PËR SHQIPËRINË ?

December 18, 2021 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Dhjetor 2021


“Le Gaulois” ka botuar, të premten e 18 shkurtit 1927, në faqen n°4, një shkrim në lidhje me marrëdhënien speciale të Francesco Crispi-t me Shqipërinë, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : Është e natyrshme që gazetat përpiqen të shpjegojnë dhe justifikojnë qëndrimin e Italisë ndaj Shqipërisë. Thonë se interesi që ka qeveria e Romës për situatën dhe fatin e ardhshëm të vendit të shqiptarëve (Skipétars) nuk daton nga dita e djeshme dhe citojnë fjalët e thëna më shumë se një herë nga Crispi, fjalë që përcaktojnë sigurisht linjën që Italia duhet të ndjekë në çështjen shqiptare.Crispi u interesua për fatin e Shqipërisë edhe për një arsye tjetër, atë personale. Diktatori i parë italian i kohëve moderne, sepse edhe Crispi ishte diktator, por i një lloji të ndryshëm nga z. Musolini dhe diktatura e të cilit u shemb pas fatkeqësisë në Adoua (Abisini – Etiopie), ishte me origjinë shqiptare dhe me sa duket mburrej për këtë. Familja e tij kishte emigruar në shekullin e pesëmbëdhjetë nga Shqipëria dhe ishte vendosur në Siçili. Duke folur për Shqipërinë, Crispi një herë tha këto fjalë :“Ne kemi për detyrë të shmangim, ose të paktën të ruhemi nga çdo ndikim i huaj në këtë vend. Paprekshmëria e Shqipërisë duhet të vihet në krye të politikës sonë të jashtme. Neglizhimi i kësaj pike do të ishte ngritja e një pengese të pakapërcyeshme për të ardhmen tonë në Adriatik.”Në ditarin e tij, Shqipëria përmendet në një bisedë që ka pasur më 26 tetor me Domenico Farini-n, asokohe President i Senatit :“Në 1887, tha Crispi, ne ishim kundër që Austria të merrte Bosnjën dhe Hercegovinën. E parashtrova këtë mendim, në emër të qeverisë italiane, ndaj Derby-t dhe Bismarck-ut. Këta, në një marrëveshje që më bëri përshtypje të mrekullueshme, u përgjigjën : “Merreni Shqipërinë”. Sigurisht, unë u përgjigja : “Çfarë të bëjmë me të?” Dhe Derby shtoi : “Është gjithmonë një garanci”. Dhe Bismarck-u shprehu këtë mendim : “Nëse nuk ju pëlqen Shqipëria, merrni një tokë tjetër turke në Adriatik.”Crispi vazhdon në ditarin e tij: “Më ishte i qartë kuptimi i fjalëve të dy shtetarëve, të cilët kishin motivuar refuzimin tim për t’i dhënë Austrisë Bosnje-Hercegovinën nga pikëpamja e mbrojtjes ushtarake të Italisë. Kufijtë tanë lindorë janë të hapur ndaj pushtimit të armikut dhe nëse ne përforcojmë Austrinë me territor të ri, do të përballojmë dëmin.”***Duke komentuar këtë deklaratë dhe opinionin e shprehur nga Derby dhe Bismarck-u, gazetat italiane thonë se nëse Crispi nuk e kishte realisht në programin e tij politik aneksimin e Shqipërisë në Itali, ai nuk do të pranonte që territori të binte nën dominimin e një fuqie tjetër. Në një nga shkrimet e tij të datës 1 maj 1900, ai shprehu idenë e tij për këtë temë :“Kohët e fundit, tha ai, pohohet me shumë lehtësi se diplomacia vjeneze po mediton për pushtimin e Shqipërisë. Ky pohim është më i veçanti. Shqipëria nuk është sllave; është një komb me personalitetin e tij, me një gjuhë dhe zakone që të kujtojnë origjinën e tij pellazge. Në këto kushte, do të kuptonte se duke pranuar një zotim të gjatë dhe të lashtë, do të pranohej që Shqipëria të shpallte pavarësinë e saj, por do të ishte një gabim shumë i rëndë ta inkorporoje atë në vendet sllave të Evropës. Pranimi për aneksimin e Shqipërisë në Austri nuk do të ishte një avantazh për këtë perandori, dhe do të ishte një dëm i pallogaritshëm për Italinë, e cila do të shihte kështu fshirjen dhe përgjithmonë të çdo gjurmë të influencës së saj mbi Adriatik.”Dhe z. Crispi shton :“Një ofendim i tillë ndaj arsyeve tona, të drejtave tona, të mbështetura në një traditë të lavdishme, nuk do të ndodhë. Miqësia e ngushtë dhe e përzemërt, e kultivuar gjatë pesë shekujve, e sjell Shqipërinë shumë më afër nesh sesa me Perandorinë Austriake, ku aneksimi i saj vetëm sa do të rriste mosmarrëveshjet racore dhe konfuzionin e gjuhëve.”***Pas Crispi-t, ishin Markezi i San Giuliano-s dhe Konti Guicciardini ata që u kujdesën shumë për Shqipërinë. Këta dy ministra – të keqkuptuar nga kryetarët e këshillit të asaj kohe që nuk kuptonin asgjë nga politika e jashtme – (flet kështu l’Idea Colaniale) bënë çmos për të rinovuar marrëdhëniet e dikurshme me Shqipërinë dhe për të vazhduar programin e Crispi-t. Gazetat italiane shtojnë se këta dy ministra me Crispi-n ishin pararendësit e depërtimit italian në Shqipëri, promotorët dhe vazhduesit e politikës shqiptare që Italia inauguroi në 1890 dhe që zoti Mussolini po zbaton sot duke miratuar paralajmërimin tradicional : “Mbani sytë nga Shqipëria”.
Robert Charlet

Filed Under: Histori

LIKUIDIMI I PARISË SË SHESTANIT

December 16, 2021 by s p

Dosja: Krimet e komunizmit

(75-vjetori i vrasjës së Lekë Macit Përkolaj)

Si në asnjë zonë e banuar me popullsi shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore(1941-1944), zona e  Shestanit në veri-perëndim të Krajës  kishte status neutral e udhëhequr nga Komiteti i Shestanit, në mbrojtje të popullsisë vendase, me qeverisje lokale, por me të përfunduar lufta e vendosjës së pushtetit të komunistëve, paria e zonës u burgos dhe u dënua me pushkatim duke i trajtuar ata  si armiq të pushtetit dhe të ideologjisë komuniste 

Nail  Draga

Ndër personalitetet më të njohura në Shestan në shek.XX, bën pjesë  Lekë Maci Përkolaj(1890-1046), i cili  ka lindur në vitin 1890 në Ndrekaj(sllavisht Karanikiq) në Shestanin Poshtë, në veri-perëndim të Krajës. Në sajë të kushteve të pavolitshme sociale, si shumë bashkëmoshatar të tij, mori rrugën e emigrimit në moshën 18 vjeçare, duke u vendosur në Stambollë, ku ma parë këtu ishte vendosur vëllau i tij Kola. Duhet cekur se në këtë kohë vendi me i preferuar për emigrimin e shqiptarëve  ishte Stambolla, vend ku ishin vendosur më parë edhe shumë banorë nga Shestani e tërë krahina e Krajës. Pas një kohe filloi të punojë në ambasadën e Francës  në Stambollë. Por, pas pesë viteve sa punoj aty Leka, në sajë të transferimit të ambasaorit francez në Tiranë(Shqipëri) ai e mori Lekën me vete, duke qenë pjesë e stafit të ambasadës. Leka dallohej me punë e korrektësi në shërbim, ndërsa përveç gjuhës shqipe e serbishte njihte edhe gjuhën franceze e ate spanjolle. Këtu punoi deri në vitin 1939, koha kur filloi Lufta e Dytë Botërore,kur Gjermania e pushtoi Francën, ndërsa ambasadori francez u largua nga Tirana dhe u vendos në Egjipt. Aty i ofroi mundësi edhe Lekës të jenë së bashku, por Leka e refuzoi sepse kishte vendosur të ishte pranë familjes dhe në vitin 1940, pas shumë viteve u rikthy në vendlindje në Shestan(Krajë).

Zona neutrale dhe Komiteti i Shestanit

Pas sulmit të Gjermanisë ndaj Mbretërisë së Jugosllavisë në prill 1941 dhe shkatërrimit të saj, populli i Shestanit në sajë të përvojës së hidhur nga e kaluara prej çetnikëve malazezo-serbë të njohur si “bjellashi” nga viti 1918-1929  të cilët vranë, djegën dhe  plaçkitën  popullsinë vendase vendosën të organizohen në vetëmbrojtje,  me qëllim që mos të përsëriten vuajtjet e tyre ma herët.

Pikërisht nga përvoja e hidhur  nga e kaluara populli i Shestanit, por edhe nga Muriqi e Ljarja në një tubim vendosën të shkojnë në Shkodër për të prezantuar shqetësimet e tyre, ku pushteti iu dha armë për mbrojtje e po ashtu u mbeshet idea për formimin e Zonës Neutrale të Shestanit, që u formu në fillim të vitit 1942, ku kryetar i së cilës u zgjodh Lekë Maci Përkolaj. Në kuadër të Komitetit të Shestanit çdo katund kishte përfaqësuesin e vet: 1.Lekë Përkolaj, kryetar, 2.Jakov Vresku, prif-sekretar, 3.Gjon Gjokmarkaj(Bardhaj-Gurrzë), 4.Maci Nikpalaj(Pecaj), 5.Gjon Malaj(Gjuraç), 6.Haxhi Murati(Muriq), 7.Isuf Osmani(Bes) dhe 8.Lekë Nilaj(Ljare). 

Kemi të bëjmë me periudhën 1941-1944, kohë e cila dëshmoi se statusi i zonës neutrale ka qenë pozitiv për Shestatin me qeverisje autonome lokale, sepse qytetarët nuk kanë qenë të rrezikuar nga gjendja e luftës e cila ishte në viset tjera, pa prani të fashistëve apo të partizanëve ku populli lëvizte lirishëm, kanë shkuar për tregti në Shkodër, e Tivar për furnizime me ushqime e çështje të tjera të nevojshme. Për të parën herë u hapën shkollat në gjuhën shqipe, në Dedaj mësues ishte Gjergj Vata ndërsa në Muriq Qazim Kraja. Ishte koha e  lirisë  së munguar dhe të  shpalosjës së identitetit kombëtar shqiptar.

C:\Users\123456\Desktop\Dokument për Krajën, Memorandumi i parisë së famullisë së Ljarës e Shestanit 1941\Komiteti i Shestanit dokumente\12A.jpg

Vula e Komitetit  dhe nënshkrimi i kryetarit Lekë Përkolaj

Në rrethan të tilla shoqërore, me 10 prill 1942 një delegacion i Komitetit të Shestanit shkon për vizitë në Tiranë të ministri i Punëve të Brendshme Maliq Bushati  dhe i paraqesin  Memorandumin nga paria dhe kleri i Famullisë së Ljarës dhe Shestanit i nënshkruar nga 13 persona që ishin paria e këtyre fshatrave. Kemi të bëjmë me kërkesa të ligjshme të popullsisë shqiptare të kësaj zone, të drejta të mohuara nga viti 1878, kur kjo zonë në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit iu dhurua Malit të Zi. Në këtë Memorandum prej tetë pikash  në mes tjerash kërkohet edhe bashkimi me Shqipërinë(VI). 

Ndonëse gjatë Luftës së Dytë Botërore nga komunistët për të përfituar mbeshteje popullore  kundër pushtuesëve theksohej se si të  përfundoj  lufta do të lejohet deklarimi i lirë i qytetarëve se me cilin vend do të bashkohën. Madje një ide e tillë garantohej  edhe nga  Karta e Atlantikut,  por realiteti dëshmoj të kundërtën sepse të gjithë ata që kërkonin realizimin e idesë së tillë akuzoheshin  dhe janë ndjekur si armiq të pushtetit komunist. 

Burgosja dhe dënimi

Se pushtetit të ri i pëngonin  personat me autoritët e në veçanti paria e Komitetit të Shestanit  u dëshmu   me 29.6.1945,  ku OZN-a arrestoi fillimisht kryetarin e Komitetit, Lekë Perkoliqin, e dy shestanas tjerë prej Gjuraçit , Vuk Pjetër Malaj dhe Gjon Zef Malaj anëtar të Komitetit dhe i dërguan në burgun e Cetinës. Ndërsa  pas disa ditësh OZN-a përsëri  në Shestan  arrestoi dhe i dërgoi në burgun e Cetinës edhe katër shestanas të tjerë. Të gjithë këta u mbajtën në qeli e u torturuan plot katër muaj, duke u munduar t’i bëjnë të pranonin se kanë punuar për shkëputjen e Shestanit nga Jugosllavia dhe bashkimin e tij me Shqipërinë.

Ndonëse pushteti i ri ishe civil dhe udhëhiqej nga komunistët, realisht drejtohej nga policia politike, përkatësisht sigurimi i shtetit OZNA(UDBA). Ishte pikërisht UDBA e cila kishte përgatitur aktpadinë për prokurorin publik të qarkut kundër Lekë Macit Përkolaj dhe të akuzuarëve të tjerë(nr.197/133, 31.X.1945). Pas dëgjimit të të pandehurve dhe shumë dëshmitarëve të rrejshëm, në mesin e të cilëve shquhej shqiptari Vasi Pjetrit Macit, gjegjësisht Vasilije Llukiq, i cili veten nuk e konsideronte shqiptar, më 26 maj 1946 Gjykata Popullore e Rrethit në Cetinë shpalli aktgjykimin me të cilin Lekë Perkolaj, Gjon dhe Vuk Malaj u dënuan me vdekje,  ndërsa Kolë Nrekoviqi me 20 vjet burg, Palë Margjonoviqi me një vit burg, Pjetër Gjokgjuriqi me 18 muaj burg, ndërsa Gjon Vuçetiqi u lirua nga aktakuza.

Populli ishte në mbrojtje të Lekës

Duke marrë parasysh se kishte të drejtë në ankesë në këtë aktvendim, djali i Lekës Zefi për të paraqitur ankesën mbledh  280 nënshkrime nga shestanas, ljaras e muriqas e shestanas që jetojshin në Tivar dhe përgatitet për ta dërguar në  gjyq në Cetinë e ata me tutje në Gjykatën Supreme në Beograd. Por, një ditë para se  Zefi  të shkojë në Cetinë,  nga komiteti i Tivarit  e ftojnë dhe e kërcënojnë se ke vepruar gabim sepse nuk duhet të mbrohet një trathtar i popullit. Ishte ky një kërcënim, ku me pas ia morën lutjen, por, Zefi kishte pasur kopje të lutjës dhe një ditë më pas shkon në gjyq në Cetinë, duke i treguar gjyqtarit për ngjarjën e ndodhur. Nga gjyqi i Cetinës lutja është dërguar në Beograd, e ata më pas e kanë dërguar në Komitet të Tivarit  për të vërtetuar nënshkrimet e qytetarëve. Me të ardhë kërkesa nga Beogradi, nga komiteti i Tivarit angazhohen nga UDBA, dhe bashkëpuntorët e tyre vendas, duke friguar popullin dhe kërkuar nënshkrimin nga ana e tyre për të dënuar Lekën, ku arritën të mbledhin vetëm 20 nënshkrime(!?). Ishte kjo një dëshmi se populli ishte në mbrojtje të Lekës, se ai nuk kishte bërë krime por ka mbrojtë popullin si në Shestan dhe me gjerë. Por, gabimi i tij  ishte se ka qenë shqiptar, demokrat e  antikomunist dhe ndikoi në zgjimin e vetëdijës kombëtare shqiptare  në këtë zonë, që ishte e pa pranueshme për pushtetin e ri.  

Dhe nga një gjyq i tillë politik i dirigjuar nga OZNA në bashkëpunim me pushtetin komunist të instaluar, gjyqi la në fuqi vendimin për vdekje të cilin e realizoi me 16.9.1946, duke i pushkatuar të tre në Cetinë  në vendin Bjellashka Papratina. Ishte ky vendi i kobshëm për shqiptarët sepse dy ditë më parë aty ishte pushkatuar dom Nikollë Tusha, prifti i kishës së Shën Zefit në Ulqin.

Rivarrimi pas 56 viteve 

Ndonëse ka pasur nisma edhe më parë në lidhje mbi  rivarrimin e Lekë Macit në vendlindje,  deri më rënien e sistemit komunist ishte e pamundur! Por, në sajë të kërkesës së familjarëve me së fundit pas 56 viteve, pikërisht në vjeshtë të vitit 2002, u realizua rivarrimi në vendlindje në varrezat e kishës së Tuçilës në Gjuraç! 

Pasojat për popullsinë e Shestanit.

Vendosja e pushtetit të komunistëve në këtë  mjedis dëshmoi  se populli u ballafaqu me një realitet të ri të  imponuar. Shkolla shqipe e hapur në vitin 1941-44 u mbyll, duke u hapur në gjuhën serbe, njëjtë si në kohën e mbretnisë jugosllave. Se propaganda politike ishte kundër identitetit të shqiptarëve  u dëshmu edhe në sajë të regjistrimit të popullsisë të mbajtur më 1948. Të dhënat e publikuara se në Shestan nga  popullsia e përgjithshme prej 1461 banorëve si shqiptar    janë deklaruar vetëm 6 persona, ndërsa të tjerët  malazez, është dëshmi e politikës shkombëtarizuese, kundër  shqiptarëve në Mal të Zi e dirigjuar nga pushteti komunist! Dhe një politikë e tillë me pas pati efektet e veta negative  sepse popullsia shqiptare u asimilu në heshtje  duke u deklaruar si malazeze apo kroate kryesisht në Tivar.

Pikërisht duke marrë parasysh një qendrim të tillë të pushtetit deri më tash nuk kemi dëgjuar se ndonjë person nga Shestani është shkolluar  apo  ka bërë emër në profesionin e tij. Ndërsa e kundërta ka ndodhë me shqiptarët në pjesën tjetër të Krajës, ku është zhvilluar arsimi në gjuhën shqipe. Nuk ka dilemë se  eliminimi i parisë së Komitetit të Shestanit kishte këtë mision, ku pushteti ia ka arritur qëllimit, ku të dhënat e prezantuara në vitet më pas e dëshmojnë një konstatim të tillë! 

Përfundim 

Gjatë LDB(1941-1944) Shestani ishte me status të veçantë  që  drejtohej nga Komiteti i zonës neutrale duke qenë rast i veçantë, në viset shqiptare. Roli i tij ishte mbrojtja e popullsisë vendore nga sulmet e ndryshme serbo-malazeze e cila nga e kaluara ka pasur përvojë të hidhur nga viti 1918-1929, si dhe mos lejimin e pranisë së çetnikëve e partizanëve në këtë mjedis. Pikërisht ky status dhe qeverisja autonome nuk është pritur mirë nga komunistët të cilët këtu nuk kanë pasur mbështetjen e tyre ideologjike. Andaj pas përfundimit të luftës u realizua plani djallëzor i tyre për të eliminuar udhëheqësit e Komitetit të Shestanit, ku pasi i burgosën iu organizuan procesin gjyqësor politik duke i dënuar me pushkatim si armiq të pushtetit komunist. Eliminimi i parisë së Shestanit pati pasoja të mëdha për popullsinë vendore  që u dëshmu  sidomos në procesin e asimilimit  kombëtar.     (Dhjetor 2021)

C:\Users\123456\Desktop\img038.jpg

Lekë Maci Përkolaj(1890-1946)

Filed Under: Histori

Dorëshkrimi i vitit 1652 gati në 2022, vjetërsia e gjuhës shqipe dhe përdorimi i termit shqiptar

December 15, 2021 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj

Një dorëshkrim i vitit 1652, me autor Fra Giacinto nga Sospello e Francës, në atë kohë Vikar Apostolik i Albanisë”, i cili do të vijë në formën e një libri vitin që vjen, dëshmon se sa e vjetër është gjuha shqipe. Studiuesi Mark Palnikaj bën të ditur lajmin ekskluzivisht për gazetën “Dielli”. Libri është shkruar në gjuhën italiane afro 380 vjet më parë, dhe në të janë gjetur dy fjali në gjuhën shqipe me germa latine, me alfabetin e përdorur nga Buzuku dhe Bogdani. Përpos vjetërsisë së gjuhës shqipe, ky dokument ka edhe një rëndësi tjetër, ku autori francez banorët e vendit ku ai ishte i caktuar si Vikar Apostolik i Vatikanit, nuk i quan arbër, por shqiptar. Është thënë se termi shqiptar është përdorur i shkruar për herë të parë në fjalorin me titull “Dittionario Italiano – Albanese” nga Françesko Maria da Leçe në vitin 1702, por dorëshkrimi dëshmon të kundërtën. Libri është i ndarë në gjashtë kapituj, ku gjenden të dhëna historike me rëndësi të jashtëzakonshme, për historinë e Shqipërisë, për zakonet, traditat, kushtet sociale dhe problemet e asaj kohe. Libri është përfunduar në qytetin e Kotorrit në vitin 1652, por i shkruar rreth pesëmbëdhjet vite më pare se viti 1652. Më poshtë do të gjeni intervistën e plotë me studiuesin Mark Palnikaj.

Fjalitë në gjuhën shqipe

Në faqen 189 të tij, janë të shkruara edhe dy rreshta në gjuhë shqipe me këtë përmbajtje:

“otune mose astè maa baam turco, maa paara Mordie….”.

“Zotyne mos e dhashtë me u bam turk, ma para Mordie”, ku me fjalën mordie sinjifikon vdekjen.

Dhe më poshtë shkruhet:

“Ah bregdis Chauuri iȣȣ schiepatar anst per pertembytunè…..”

“Ah bregdis Kaurri ju shqiptarët asht për përtembytune”, pra shqiptarët ishin për t’u vrarë.

Ky shkrim, foton e të cilit po e publikojmë më poshtë, është shkruar nga një francez, që frëngjishten e kishte gjuhën e nënës dhe librin me përjashtime të vogla me disa shtesa në gjuhë latine, e ka shkruar në gjuhën italiane. Prandaj është e pritshme që ky autor, të mos e shkruajë me korrektësi gjuhën shqipe, qoftë edhe të asaj kohe. Sipas dokumentit, të cilin po e publikojmë në origjinal, në rreshtin e parë, lexohet qartazi viti 1639.

Rëndësia e këtij dokumenti është fakti që ai në shkrimin e tij, banorët e vendit ku ai ishte i caktuar si Vikar Apostolik i Vatikanit, nuk i quan arbër ose me ndonjë emër tjetër, por shqiptar.

Studiuesja e njohur për studime për shkrimet e vjetra shqipe, Profesore Anila Omari, ishte e para që reagoi menjëherë pas publikimit të dokumentit nga ana ime dhe vuri në dukje rëndësinë e këtij dokumenti për studimet mbi gjuhën shqipe të shkruar dhe për dokumentimin 63 vjet para Da Leçes të përdorimit të emrit “shqiptar”.

Dorëshkrime, shek XVII

Para gjysmës së parë të shek XVII, pra deri në vitin 1650, kemi fare pak dorëshkrime në gjuhën shqipe, në ato dorëshkrime që njihen deri sot, te asnjëri nuk shkruhet fjala “Shqiptar”.

Autori i shkrimit, Fra Giacinto nga Sospello e Francës, në atë kohë Vikar Apostolik i Albanisë”, siç e quan ai veten në faqen Cr (C recto), në fjalën përmbyllëse të shkruar me datën 12 qershor 1652 në qytetin e Kotorrit, librin e tij me 513 faqe dorëshkrim, na e paraqet si një historik të 16 misioneve të kryera nga ai për rreth pesëmbëdhjet vjet, nga viti 1634 deri në vitin 1649.

Mbetet disi e pashpjegueshme që në faqen 506 , e cila, sipas radhitjes është faqja e fundit e dorëshkrimit, mbas një shkrimi liturgjik prej 8 faqesh në gjuhën latine të shkruar në dy kolona, shënohet viti 1644 dhe firma e Padre Paulos nga Mantova dhe si vend i shkrimit shënohet famullia e Perastit në Mal të Zi. Në pjesën e përparme të dorëshkrimit dallohet qartas që janë shtuar dy fletë me 4 faqe të shkruara në formën e një dedikimi ku shënohet si vend i shkrimit Kotorri dhe si datë 12 qershori i vitit 1652.

Biografia e misionarëve

Në kapitullin e gjashtë dhe të fundit, ai na paraqet një biografi të shkurtër të të gjithë misionarëve të asaj periudhe, rreth 38 të tillë nga vende të ndryshme jashtë territorit të Arbërisë, kryesisht nga provincat nga Veriu i Italisë së sotme. Informacionet që jepen të shkruara në këtë libër, japin të dhëna me shumë rëndësi për studimin e historisë së trevave që ai ka përshkruar me detaje gjatë ekspeditave të tij, nga Veriu në Gug të vendit tone.

Pushtuesit turq

Duke folur për dhunën e jashtëzakonshme që ushtronin pushtuesit turq për ndryshimin e besimit të besimtarëve në trojet tona, ai na ka dhënë në faqen 189 të librit të tij katër rreshta të shkruar në gjuhën shqipe me germat që ai kishte në përdorim, duke e folur gjuhën tonë ashtu si ai ka mundur ta shqiptojë. Është e njohur vështërsia e shkruarjes dhe e shprehjes nga të huajt në gjuhën shqipe, sepse sllavët dhe latinët, gjuhët e tyre i shkruajnë me më pak karaktere sesa ne. Ata kanë nga 27 shkronja, kurse gjuha shqipe ka 36. Germat dhe tingujt që mungojnë në gjuhën e tyre, kur shkruajnë ose lexojnë fjalë të gjuhës tonë, ata ose nuk mund t’i shqiptojnë, ose i tjetërsojnë duke u munduar t’i riprodhojnë per lexuesit e tyre. Karakteret dhe fonemat, ata i tjetërsojnë duke e vështërsuar kuptimin e asaj që ata shkruajnë në gjuhën shqipe.

Në rastin tonë, autori deri diku ka qenë korrekt me shkrimin në gjuhë shqipe dhe puna e tij meriton të lavdërohet, nëse marrim parasysh kushtet kur u shkrua ky shkrim.

Me gjithë këtë vështirësi, rëndësia e këtyre shkrimeve, gjetja, publikimi dhe studimi i tyre, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për studimin e gjuhës shqipe nga studiuesit e fushës.

Besoj se me gjetjen dhe publikimin e këtij dokumenti, të kem sjellë një ndihmesë sado të vogël në këtë fushë.

Filed Under: Histori

Kush e zhduku Memorialin e Kukesit?

December 14, 2021 by s p

Rexhep Shahu/


Askush, asnje media e Tiranes nuk reagoi pse e zhduken memorialin ne nderim te viktimave serbe ne Kukes dhe u be keshtu deshira serbe…Ky memorial, kjo Murane, ky gur varri u ngrit tre vjet me pare ne qytetin e Kukesit ne kujtim te mbi 2 mije kuksianeve te masakruar nga ushtria serbe ne nentor 1913. U inagurua ne Kukes me 14 dhjetor 2018. Para pak ditesh u shemb, u rrafshua, u zhduk nga administrata aktuale e bashkise Kukes. Anash memorialit eshte deshmitari, siper te cilit eshte e shkruar nje pllake te cilen mund ta lexoni. Jane fragmente shqip anglisht nga shkrimi i tmerrshem Masakrimi ne Lume i shkruar nga serbi me i madh proshqiptar Dimitrije Tuceviq ne ato dite te krimeve serbe.Patriotat e medhej e zhduken kete shenje, kete gur varri, kete kujtese. Kjo gje, i intereson shume Serbise e cila nuk deshiron te kete gjurme te krimeve serbe ndaj shqiptareve pasi ajo don te shfaqet si viktime. Krimet serbe ne Lume jane holokausti i pare ne Europe i njohur e deshmuar e shkruar nga autore boterore. Asnje shqiptar mik i serbeve nuk i zhduk dot ato krime edhe pse e zhdukin nje memorial i cili tashme eshte ne memorie e ne kujtese, ne fotografi e ne histori.Vaso Cubrilloviqi akademiku serb qe ka bere dekalogun apo traktatet e shfarosjes e zhdukjes se shqiptareve, librin Shperngulja e shqiptareve, te cilen e kam botuar une per here te pare, thote ne liber se ne Tirane Serbia punet i zgjidh me pare. Ndoshta edhe heshtjen e politikes ne Tirane per zhdukjen e Memorialit ne kujtim te mbi 2 mije viktimave serbe ne Kukes serbet e kane blere me pare. Po heshtja e mediave te Tiranes eshte uleritese.Une jam ne nje fare mase propozues e inicues i ndertimit te asaj vepre. Luftova qe te ndertohej dhe u ndertua. Nuk mbaj pergjegjesi per krimet qe ndodhin, nuk kam fuqi ti ndaloj krimet e shemtuara si shembja e Memorialit, por kam fuqi ta bej te pavdekshme ne libra ate memorial dhe krimin e shembjes e te zhdukjes se tij. Edhe heshtjen e mediave te Tiranes.Kukesi eshte pasaporta morale e shqiptareve, familja kuksiane se pari e beri te njohur Shqiperine ne bote me shume se cdo gje. Ne kohen e luftes per Kosoven Kukesi u be me i famshem se Uashingtoni, do te thoshte Sadako Ogata. Dy emra nga bota shqiptare njohu bota, Kosova dhe Kukesi. Shembeni kete madheshti nese keni koqe ju jarana te serbeve.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 235
  • 236
  • 237
  • 238
  • 239
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT