• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

UDHËTIM SHQIPTAR / KUKSI

December 29, 2019 by dgreca

Behlul Jashari/

UDHËTIM SHQIPTAR/

Nga kryeqyteti i Lidhjes Shqiptare/

Nuk mund të shkohet në Kuks/

As pas udhëtimit të gjatë shekullor/

Sa mur i lartë sa udhë e gjatë/

Ndanë gjysëmtokat e Atdheut/

Nga Prizreni deri në Prishtinë

Pritave policore shkohet si nëpër kufij

Trafiku i tankeve mbushë zhurmë

Edhe kryeqytetin e Kosovës

E qiellit nxijnë avionët e luftës

As nëpër tokë as nëpër qiell

Nuk ka udhë të hapur për Tiranë

Kufijtë e hekurtë hapin varre

Përtej Kaçaniku kufiri për në Shkup

Përtej Ulqini kufiri për në Shkodër

Sa keq na e prenë hartën shqiptare

Edhe Dibrën nga Dibra e ndanë

Pogradeci matanë, Struga në këtë anë

Nga një nënë u nda tërë Çamëria

Preshevën as me Kosovë s’e lanë

Një ditë a do të shkojë në Tiranë

Pa pasaportë pa vizë pa frikë

Dhe nëpër Kuks deri në Prizren

Me zambak do kthehem në Prishtinë

Ta shohë TVSH-në pa antenë satelitore

KUKSI

Kuksi vjen në mesditë (vinte)

Me tranzistor

Në shtëpinë time në Strofc

Më flet tinëz që mos ta dëgjojë

Veshi që përgjon

E ruaj si syrin nga syri i keq

Vjen me shumë pengesa e gërhamë

Si ti kish njëmijë prita

Nëpër Sharr e Qyqavicë

***

SHËNIM NË FUNDVITIN 2019 – TË 20 VJETORIT TË LIRISË SË KOSOVËS: Këto vargje në një copë letre janë nga dorëshkrimet e viteve të para luftës e të luftës, të shpëtuara të fshehura në mur në banesën time në Prishtinë të uzurpuar gjatë luftës nga forcat serbe, si dhe të tjerat dorëshkrime që janë gjetur mes blozës, hirit e rrënojave në shtëpinë në Strofc gjysëm të djegura apo krejt të djegura nga zjarri i luftës në Kosovë të përfunduar në Qershorin e vitit 1999.

Janë vargje të kohës së okupimit të Kosovës, të kufirit të hekurtë mes shqiptarëve, të ndalimit e pengimit edhe me zhurmues të valëve të Televizionit Shqiptar (TVSH) e edhe të Radio Kuksit që vinte “me shumë pengesa e gërhamë” dhe e dëgjonim në një radio të vogël-tranzistor…
***

LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

1.Behlul Jashari në Tiranë te tryeza e mbledhjes së Qeverive Shqipëri-Kosove, 23 Mars 2015/

2- Vargjet në dorëshkrim.

3. Në Dobrosin të Luginës së Preshevës në kohe lufte atje duke shkruar raportin për Gazetën Rilindja: Gazetarët Behlul Jashari me llaptopin me të cilin ka raportuar nga lufta në Kosovë, Bedri Sadiku dhe Ilmi Musliu

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Udhetim Shqiptar

KRISHTLINDJA SIMBAS FEDORIT

December 29, 2019 by dgreca

Nga ALESSANDRO D’AVENIA/ Perktheu: Eugjen Merlika/

Shën Pjetërburg, Krishtlindje 1875. Në klubin e artistëve zhvillohet një festë e shkëlqyer Krishtlindjeje, gjatë së cilës shumë të pranishëm përpiqen të vihen në dukje e të duken më të bukur e më të zgjuar. Një njeri që rrinte mënjanë, duke parë me vërejtje skenën dhe fytyrat e të ftuarvet, vinte re se të gjithë zbaviten por që në  realitet asnjëri nuk është vërtetë i kënaqur, atëherë vendos t’i heqë maskën lojës. “Fatkeqësia qëndron në atë që ju nuk e dini sa të bukur jeni. Secili prej jush mund t’i bënte të lumtur të gjithë të tjerët e t’i tërhiqte ata me vete. Kjo fuqi është tek secili, por aq thellësisht e fshehur, sa që është bërë e pabesueshme”. Ai që foli në mënyrë aq djegëse është Fedor Dostojevski që e tregon ndodhinë në Ditarin e një shkrimtari, që përmbledh shkrimet e rubrikës me të njëjtin emër të mbajtur në të përjavëshmen “Qytetari”. Për Dostojevskin, vëzhgues tepër të mprehtë, episodi tregon se njeriu pushon së besuari në praninë e diçkaje që kalon rrethin e ndiesive brënda e jashtë vetes, bëhet i pasigurtë e fillon të përçmojë veten dhe të tjerët. Faktit të kronikës shkrimtari i ve pas një tregim.

            Në natën e Krishtlindjes në një bodrum të akullt, një fëmijë gjashtë vjeç, i ngrirë dhe i uritur, përpiqet më kot të zgjojë t’ëmën. Atëherë del në rrugët me borë të Pjetërburgut me disa lecka në trup: kush e takon bën sikur nuk e sheh për të mos u marrë me të. Ai futet në një shtëpi plot me njerëz që festonin, por përzehet me një lëmoshë të zbehtë të një monedhe që i bie nga duart sepse gishtat ishin të ngrirë. Merr zemër duke parë një vetrinë plot me lodra, por goditet dhe ndiqet nga një djalë i keq. Shpëton dhe fshihet mbas një turre drush. Mbas pak kohe nuk ka më ftohtë dhe ndien një zë të çuditshëm që i thotë: “Hajde në festën time të Krishtlindjes, fëmijë”. Kështu gjëndet në një vënd të nxehtë, plot dritë e shumë fëmijë: për t’a pritur është nëna e qeshur. Të nesërmen, mbas druve të zotët gjejnë kufomën e fëmijës.

            Mbaron këtu tregimi Fëmija në festën e Krishtlindjes tek Jezui, dhe festa në të cilën vogëlushi u gjend është përjetësia. Dostojevski thotë se është frymëzuar nga një ndodhi e vërtetë, por përsa i përket fundit shton: “Përsa i përket festës së Jezuit a mund të ndodhte kjo apo jo? Pikërisht për këtë jam një romancier, për të shpikur”. Tregimi i fëmijës është kyçi për të kuptuar se çfarë nuk besojnë më artistët e festës: në Zotin dhe shfaqjen e tij. Shkrimtari ishte i bindur se ajo e Krishtit ishte një histori që përsëritet në të gjitha jetët njerëzore, në fakt në çdo kryevepër të tij ve në skenë një fragment ungjillor që është çelësi i leximit: pa Lazrin nuk kuptohet Krim e Ndëshkim, pa dasmën e Kanës Vëllezërit Karamazov, pa të tërbuarin e liruar Djajtë… Ishte i bindur sepse kishte sprovuar shumë herë ndërhyrjen e Zotit në konkretësinë e jetës së tij: dënimi me vdekje dhe falja në çastin e fundit; puna e detyrueshme në Siberi dhe leximi përmendësh i të vetmit libër në dispozicion, Ungjillit; sëmundja, kriza ekonomike dhe krijuese, takimi shpëtimtar me gruan e ardhëshme, Anën. Për të prania e Zotit në jetën e çdo njeriu, sado e fshehtë dhe e papranuar, është e vazhdueshme dhe e paprerë. Fëmija i bodrumit, një nga të shumtit që vdisnin nga uria dhe të ftohtit në qytet, është Fëmija i Betlemit: ai endet me pak lecka (pelenat) nëpër rrugët e qytetit-botë në kërkim të njerëzve që duan t’a mirëpresin, për ata vdes (turra e druve) në kryq, por ringjallet në festën e përjetëshme. Për Dostjevskin Zoti kalon pranë nesh në mënyra të panumurta, por kryesisht në krijesat e brishta si fëmijët, nga vuajtjet e të cilëve ishte i sfilitur, sikurse tregojnë faqet e humnerta të romaneve të tij. Brishtësia është veshja njerëzore me të cilën Zoti bëhet i gjallë brënda e jashtë nesh: nuk është kurrë një e vërtetë verbuese, por një psherëtimë, një ftesë, një rast, një dritë e heshtur… Nuk do t’ishim të lirë po të mos ishte kështu, dhe ai që nuk është i lirë nuk mund të dashurojë.

            Të ftuarit në festë “argëtohen por asnjëri nuk është i kënaqur”, sepse kanë pushuar së besuari Atit që i don pa rezerva: kush nuk ndihet i dashuruar ashtu siç është, ka vështirësi të dojë vehten e të tjerët. E shoh çdo ditë: të rinjtë me prindër që i bëjnë të ndihen të dashuruar janë më të qetë, e përballojnë jetën si një aventurë të lodhëshme por premtuese; kanë shpatullat dhe zemrën të mbuluar. Dostojevski beson me ngulm se Zoti kalon pranë secilit prej nesh, me veshje jo që bien në sy, duke kërkuar prej nesh të bashkëpunojmë me të. Ju uroj t’a njihni, të dashur lexues, me fjalët që Dostojevski i shkruante një burri të pasigurtë nëse duhej të ndihmonte apo jo një grua fajtore për vrasjen e fëmijës. “Mos e humbisni çastin në të cilin Zoti bën lëvizjen e tij”. Kështu Krishtlindja do të ndodhë tek ne e nëpërmjet nesh. Urime!

            Corriere della Sera, 23 dhjetor 2019         E përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, Fedori, Krishtlindja

POPULLSIA E ULQINIT NË VITIN 1919

December 26, 2019 by dgreca

-Diskursi Demografik/

Dokumenti për popullsinë e Ulqinit në vitin 1919, që po botohet për herë të parë  paraqet të dhënat nga Komiteti i Mbrojtjës Kombëtare të  Ulqinit  nënshkruar nga Zejnel Gjyli, dërguar Konferencës së Paqës në Paris, duke dëshmuar për  numrin e vendbanimeve, popullsisë, familjet dhe strukturën kombëtare të popullsisë, që janë të dhëna me interes shoqëror e demografik  për Ulqinin dhe rrethinën e tij, sepse  kanë qenë të panjohura  deri më tash për opinionin e gjerë.

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris i ka zhvilluar punimet Konferenca e Paqës(1919-1920), ku janë marrë vendime për popujt e vendëve përkatëse sepse është përcaktuar statusi  i shtetëve në hartën politike të Europës. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë delegacione të ndryshme të vendëve përkatëse, të përfaqësuar nga qeveritarët e kohës apo individë të tjerë, duke paraqitur kërkesat e ndryshme për qytetët, viset apo vendet përkatëse. Një veprim i tillë ishte i ligjshëm sepse mendohej se do të përmirsohej padrejtësia e definuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1912/13). Me një qasje të tillë ka marrë pjesë edhe delegacioni i Shqipërisë në kryesinë e Turhan Pashë Përmetit.

Por, në sajë të një dokumenti të datës 5 mars  të vitit 1919, f.209,  nga ana e Komitetit të Mbrojtjës Kombëtare të Ulqinit (Poue le Comite de la Defense Nationale de Ulqini), nënshkruar nga kryetari Zejnel Gjyli, ofrohen të dhëna  statistikore me interes për popullsinë dhe vendbanimet e këtij regjioni.

Popullsia dhe struktura kombëtare

Në sajë të dhënave të publikuara del së popullsia e përgjithshme ishte 8190 banorë, ndërsa sipas strukturës kombëtare shqiptarë ishin  6590 banorë apo 80.46%, ndërsa 1600 ishin më përkatësi sllave apo 19.53%. Ndërsa sipas vendbanimeve me i populluar ishte Ulqini me 4861 banorë, ku nga aspekti kombëtar shqiptar ishin 3500 banorë apo  72 %, ndërsa sllavë 1361 banorë apo  28 %. Të dhënat e tilla dëshmojnë se popullsia sllave (pas vitit 1880) ka qenë e vendosur kryesisht në zonën urbane, ndërsa në zonën rurale, pjesëmarrja e tyre ka qenë simbolike, ku në tërësi ishin 239 banorë, apo 14.93% nga popullsia e përgjithshme,  përkatësisht në 8 vendbanime rurale.

Kur bëhët fjalë për strukturën kombëtare të popullsisë në Ulqin në vitin 1919, theksojmë me këtë rast se ndryshimi homogjen i popullsisë shqiptare në Ulqin është realizuar pas vitit 1880, kur nga presioni i Fuqive të Mëdha, Perandoria Osmane ia dorëzoj Ulqinin Malit të Zi.

Ishte koha e koncepteve hegjemoniste sepse ndryshimi i strukturës  nacionale të shqiptarëve ishte mision shtetëror i Mali të Zi, ku u realizu në praktikë kolonizimi me popullsi sllave. Kështu në sajë të dhënave nga viti 1881 e deri në vitin 1892, në Ulqin janë vendosur  rreth 400 familje sllave. Ndërsa në të njëjtën kohë nga Ulqini kanë emigruar rreth 413 familje ulqinake, duke u vendosur kryesisht në Shkodër e Durrës në Shqipëri. Por, të dhënat për strukturën kombëtare të popullsisë në Ulqin dëshmojnë së në  këtë regjion me gjithë angazhimin nga  pushteti i kohës  për  kolonizimin e këtij mjedisi  popullsia shqiptare ishte dominuese..

Vendbanimet

Në sajë të të dhënave të të dhënave të publikuara  del se Ulqinin dhe rrethinën e tij në vitin 1919 e kanë përbërë  17 vendbanime, të cilët ishin: Ulqini, Bratica, Salçi, Krruçi, Pistulli, Kollomza, Zogaj, Shën Gjergji, Qurkaj, Reçi, Shtoji, Sutjela, Gorana, Pelinku, Mali i Brisë, Mozhura e Krytha.

Nga këto të dhëna del se në kuadër të Ulqinit(mendohët rrethinës së tij) del së ishin edhe dy vendbanime të cilët në kohën tonë nuk janë në kuadër të Ulqinit, e ato janë Gorana dhe Pelinku, që janë në kuadër të komunës së Tivarit. Këto dy vendbanime ishin në kuadër të Ulqinit duke marrë si kriter përbërjen kombëtare të popullsisë si dhe raportët shoqërore në të kaluarën. Të dhënat për  vendbanimet  përkatëse  dhe shpërndarjën  e tyre territoriale dëshmon për  zonën  gravituese, e cila edhe pas 100 vitëve pothuaj është identike, me disa ndryshime minimale në aspektin hapësinor.

Familjet

Sipas të dhënave të prezantuara gjithsej ishin  1560 familje ku sipas përkatësisë kombëtare  nga to 1225 familje ishin më përkatësi shqiptare(78.52%) e 335 me përkatësi sllave(21.47%). Ndërsa sipas vendbanimeve më së shumti familje kishin Ulqini me 880 e nga to 650 shqiptare(78.31%) e 230 sllave(26.13%) si qendër i këtij regjoni, ku më pas nga vendbanimet rurale më numër më të madh të familjeve ishin: Shtoji me 121 familje, Gorana 80, Bratica 65, Shën Gjergji 52, Zogaj 52 etj.

Me interes janë të dhënat për madhësinë e familjeve dhe dallimet në këtë aspekt sipas përkatësisë kombëtare. Nga gjithsej 1225 familjeve shqiptare me  popullsi të  përgjithshme me  6530 banorë, del se një familje mesatarisht kishte 5.37 anëtar, ndërsa për familjet sllave mesatarja e tillë ishte prej 4.77 anëtar, ndërsa në nivel regjioni mesatarja e familjeve  ishte 5.25 anëtar, duke dëshmuar se kanë ekzistuar familje të vogla, që për kohën paraqet çështje për hulumtim të veçantë socio-gjeografik.

Objektët e kultit

Në tabelën e prezentuar  jepen të dhëna për objektët e kultit, sipas vendbanimeve përkatëse. Numri më i madh është i objektëve të konfesionit të përkatësisë islame e ato gjithsej ishin 15 xhami, ku nga to  8 ishin  në qytetin e Ulqinit ndërsa  7 në vendbanimet rurale(Krruç, Pistull, Kollomzë, Zogaj, Qurkaj, Goranë e Krythë).

Ndërsa objektit e kultit kristian gjithsej ishin 7 kisha, e to në Ulqin 2 kisha katolike dhe 3 në rrethinë(Shtoj, Braticë e Salç), si dhe 2 kisha ortodokse në Ulqin.

Përfundim

Nga të dhënat e publikuara del së Komiteti i Mbrojtjës Kombëtare të Ulqinit ka prezantuar të dhëna me interes  shoqëror  duke dëshmuar qasje serioze për çështjet  demografike në kohën përkatëse. Ndonëse të dhënat e tilla nuk  janë nga ndonjë regjistrim zyrtar i popullsisë, ata ofrojnë pasqyren reale të kohës më të gjitha informatat e publikuara. Andaj të dhënat e tilla duhet të përdorën si referencë e domosdoshme  kur do të trajtohen  çështjet demografike  për Ulqinin dhe rrethinën e tij, dhe si të tilla duhet të jenë pjesë e diskursit demografik në statistikën e popullsisë në këtë  mjedis.

Ndërsa mbetët  obligim profesional për studiuesit  tanë që të vazhdojnë  hulumtimet në  dokumentacionin arkivor nga Konferenca e Paqës në Paris(1919-1920), me mundësi prezantimi të çështjeve tjera të panjohura deri më tash për Ulqinin në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi.

(Dhjetor 2019)

Filed Under: Histori Tagged With: Diskursi Demografik

DUKE SHFLETUAR DOSJEN E SIGURIMIT PER MONS. ZEF OROSHI

December 21, 2019 by dgreca

DEMONSTRATA E SHQIPTAREVE TË SHBA NË SELINË E OKB PËR PUSHKATIMIN E DOM SHTJEFEN KURTIT DHE MONS.DR.ZEF OROSHI SI KERCENIM PER PUSHTETIN KOMUNIST/

Nga Leonora Laçi/

Dhe roli i Mons. Zef Oroshit në organizimin e demonstratës, afrimin e komunitetit shqiptar rreth tij, pesha që zinte fjala e tij në komunitet.

Gjetja e dosjes së Mons.Zef Oroshit pikërisht në këtë prag jubile të meshës së parë në kishën e parë katolike shqiptare në SHBA, nga ai vet. Këto artikuj me dokumente do kenë në qendër të tyre evidentimin e aktivitetit të tij deri që mbylli sytë.

Por si filloi e gjitha kjo, fal nxitjes dhe mbështetjes nga biografi i Mons.Zef Oroshit, publicistit  nga ShBA z.Tomë Mrijaj, i cili duke mos qenë fizikisht në Shqipëri më kërkoi që të merresha personalisht me këtë çështje. Nuk është hera e parë që kam bërë kerkesa për dosje të ndryshme nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit, dhe si studiuese kam pasur përparësi në këtë drejtim. 

Ca muaj pas kërkesës mu konfirmua që dosja ishte gjetur dhe ishte në proces digjitalizimi. Ky vit për veprimtarinë e Mons. Zef Oroshit ishte mjaft i rendësishëm, iu botuan në një libër artikujt e tij në revistën Shejzat dhe Jeta Katholike, nën titullin “Log Kuvendit- në Trinomin Fe- Atdhe-Përparim botuar nga Shtëpia Botuese Volaj, nga publicisti Tomë Mrijaj dhe tashmë  vjen pjesë-pjesë dosja e tij.

Kjo dosje formulare nr 2552/3, nga fondi i të arratisurve është deklasifikuar në maj të 2019, me numër total fletësh 302 por të digjitalizuara janë 488 faqe, përmban materiale të ndryshme si korrespondenca të tij me familjen, letra që mesa duket nuk kanë shkuar kurrë në adresë të tyre, përmbanë informata, relacione rreth aktivietit të tij në SHBA.  Edhe pse ai ishte në Amerikë sërisht shihej si element i rrezikshëm për pushtetin dhe ndiqej. Unë përzgjodha disa letra që përshkruajnë mësë miri punën e pandalur të tij në komunitet, veprimtaria e tij shtohej por me këtë shtoheshin dhe vuajtjet e familjes së tij në kampe internimi.

Ky artikull do të pasohet dhe nga të tjerë për të evidentuar veprimtarinë e Mons. dr. Zef Oroshit në SHBA.

Janë 6 faqe faksimile që secila evidenton një copëz të aktivitetit të palodhur të  Mons.dr.Zef Oroshit në dobi të komunitetit shqiptar në SHBA. Këto dokumente vënë  në pah aktivitetin që ai po zhvillonte në komunitetin shqiptar për mbledhjen e fondeve për të krijuar një kishë katolike shqiptare. Demonstratat që organizonte për të treguar fytyren e vërtetë të komunizmit shqiptar, po ashtu evidentohet kredibiliteti që ai kishte si figurë e rëndësishme në komunitetin shqiptar por jo vetëm. Vatikani i dha titullin Monsinjor pikërisht në valen e veprimtarive të pandalura që ai po zhvillonte. Vuri në dobi të komunitetit të gjitha vlerat intelektuale, shpalosi vlerat e një shqiptari të mirë, shfrytëzoi njohjet që pati për të ndihmuar shqiptarët të stabilizoheshin në SHBA, afroi komunitetin pranë një vatre të ngrohtë siç ishte kisha katolike shqiptare, mbajti gjallë frymën kombëtare, doket e zakonet.

 (Faqe 115)

 5480

 Teper sekret

 Date 4/9/64

Mbi priftin Zef Oroshi;

Zef Oroshi qe kur ka shkuar ne Nju York po zhvillon nje aktivitet te dukshem sidomos ne te arratisurit katolik.

Ai organizon mbledhje te shpeshta, meshon ne kishe dhe zhvillon propagande kunder vendit tone. Ai ka perkrahjen e Komitetit “Shqiperia e Lire” ketu ne pjesen me te madhe te mbledhjeve qe zhvillon, ne to mer pjese dhe Rexhep Krasniqi. Pervec kesaj Zefi shpesh edhe ne seline e Komitetit, Zefi u eshte lutur te arratisurve qe te marrin pjese ne mbledhjet qe organizon ai, por se keta i kane thene se jane shume te zene, ju duhet te punojne mjaft per te siguruar jetesen dhe per kete nuk kane mundesi te marrin  pjese ne to.

Burimi 315

R.I.Date 1/7/64

N/Tog.B.Mehmetaj

Radiogram

Faqe 140.

Misioni yne prane OKB me tel nr.414 dt 1.4.1973 njofton se me daten 1.4.1973, para nderteses se misionit u organizua nje demostrate nga t’arratisurit shqiptar, me pjesemarrjen e 150 vetave. Demostrata zgjati rreth nje ore. Demostruesit mbanin pankarta dhe hidhnin parulla te zakonshme kunder pushtetit, shperndanin nje premorie te “Komitetit Shqiperia e Lire” drejtuar OKB, presekucionit fetar ne Shqiperi.

Ne kete demostrate merrnin pjese kryesisht t’arratisur nga krahinat e veriut, ndermjet te cileve ndodhesh edhe prifti i kishes katolike Dom Zef Oroshi.

Gjithashtu njoftohet me ne gjithe kesaj jave ne gazeten “Tajmes” dhe gazetat tjera botuen nje lajm me burim “Asosajti Press” nga Vjena mbi vrasjen e nje prifti katolike Shtjefen Kurti ne Shqiperi per pagezimin ilegalisht te nje femije”.

Misioni eshte njoftuar sot nga nji person i pa njohur per organizimin e demostrates dhe morem masat perkatese te gadishmerise. Nuk pati ndonje incident. Para nderteses ndodheshin dy makina te policise.

Shoku Jonuz shenon Deges III-te

Ti kerkojme Nju Yorkut te na konkretizoje personat kryesor qe kane organizuar e marre pjese.

Te nxjerrim (Dega) kush nga veriu jane aktiv, se i njohim ne, se mundet se shoket e K/Zbulimit te marrin masa ne njerezit e tyre ketu. A ka njeriu ketu prifti Dom Zef Oroshi

-Te udhezojme ti fotografojme demostratat ose ti filmojme.

-Te hapen fjale se do te punojne njerzit e tyre ne Shqiperi.

U dhane e u nxuar ne kater kopje, per fash.demostrative, Dom Z.Oroshin, Kishen Katolike dhe K.Shqiperia e Lire

Oficeri Drejtimit

Mark Tusha

3.4.1973

INFORMACION

(Faqe 156)

Dom Zef Oroshi punon aktivishte ne drejtim te emigracionit shqiptar dhe kosovar me qellim qe te beje sa me shume perkrahes te kishes katolike, per te grumbulluar mjete financiare qe ti perdore ato per veprimtari propagandistike dhe subversive kunder RPSH. Ne kete drejtim cfrytezon ne maksimum shqiptaret qe shkojne rishtazi nga Kosova e viset e tjera shqiptare ne Jugosllavi per ne Amerike, duke siguruar atyre pune, strehim dhe ndihma financiare.

Muajit e fundit Dom Zef Oroshi ka sjelle ne SHBA nga Ulqini priftin kosovar Dom Prenken, qe ta aktivizoje ne drejtim te kosovarve. Vec se siper, kisha katolike po gjene mbeshtetje e propagandohet me te madhe nga “Radio e Ballit agrar”, qe ne cdo emisjon jep lajme e materjale per Vatikanin.

Dhene “501”

Sipas telit nr.355 dt 16.9.72

Nxjerre  ne 6 kopje prej M.Zike 22.9.73

Shoku Jonuz bene kete shenim: Deges III e II-te

Te nxirren ato per Vatikanin dhe ndofta eshte koha te bejne nje informacion me mendimin per demaskimim ne shtyp

Dt.21.9.73

P.op.M.Zike”

Marre S.COMO

Dhene 504

(faqe 162)

Date 12.2.1974

Raport

Ne janar te ketij viti “Lidhja katolike shqiptaro-amerikane” ne SHBA me rastin e hapjes se zyres se kishes ne Nju York organizoi nje mbremje, ku merrnin pjese me shume se 300 te arratisur te grupeve te ndryshme te emigracionit reaksionar, duke perjashtuar ata te “legalitetit” dhe te “ballit agrar”. Ne kete mbremje merrte pjese edhe nji antar i kongresit amerikan Mario Bioxhi, i qendres elektorale te Bronxit. Mbremjen e kryesonte prifti Rrok Mirdita, qe ka ardhur me Daniel Gjecaj, por ka mbetur akoma ne Amerike. Aktivitetet e tilla te lidhjes jane vazhdim i fushates kunder RPSH per ceshjet e fese. Ne kete mbremje Dom Zef Oroshi foli kunder regjimit ne Shqiperi, duke thene “akoma nuk i kane provuar komunistet armet tona” dhe vuri ne dukje se “ do te vazhdojne fushaten propagandistike kunder RPSH”. Duke ju referuar demaskimit, qe atij ju be vitin e kaluar nga ne, Dom Zefi foli se “eshte nder per te qe Tirana flet ne radio” dhe se “ai do ta vazhdoje luften sic ka vazhduar ne malet e Shqiperise”.

Burimi cfaqi mendimin se fushata propagandistike per ceshtjen e fese nuk duhet konsideruar e mbaruar, perkundrazi kjo vazhdon te zhvillohet sistematikisht dhe ajo mund te vazhdoje aktivitetet si edhe vitin e kaluar. Ai shton se Dom Oroshi ka ndermend te hapi edhe nje kishe tjeter ne Amerike, me qense se kjo qe kane eshte e vogel dhe shqiptaret jane shume te shperndare. Ne kete institucione pervec te arratisurve marrin pjese shume shqiptar te ardhur nga Jugosllavia per pune ne Amerike. Ne kete mbremje foli edhe Mario Bioxhi dhe me rastin e 28 nentorit ai i shtyer nga Zef Oroshi mbajti nje fjalim ne kongresin amerikan, per te fituar votat e shqiptareve te Bronxit. Nga permbajtja e fjalimit te tij duket se ai nuk ka dijeni per vendin tone

U nxuerre ne 5 kopje prej M.Zikes me 22 shkurt 1974

Dhene nga “504”

Marre nga P.OP.S.COMO

Sekret

(Faqe 165)

INFORMATE

Ne takimin e dates 17 maj burimi njoftoi sa vijon; Te shtunen e adhshme Keshilli i Kishes Katolike, ne bashkepunim me Lidhjen Katolike, do te organizoje ne hotelin Mc Alpin ne Nju York, nje mbremje me rastin e gradimit te Zef Oroshit nga ana e Vatikanit.

Nga bisedat qe kishte patur burimi me Zef Oroshin, ne kete mbramje do te merrnin pjese nje numer i madh te arratisurish nga krahina te veriut, anetare te Kishes Katolike ketu (ne Nju York), si dhe shume te ftuar. Midis tyre do te ishte edhe Mario Biaxhi, senator nga rajoni i Bronksit ne Nju York.

Zef Oroshi i kishte thene burimit se ne kete mbremje ishte ftuar edhe peshkop Stefan Lasko i Kishes Ortodokse Shqiptare, por ay (Zefi) nuk kishte marre akoma pergjigje nese Stefan Lasko do te merrte pjese ose jo ne mbremje.

Njxerre nga Nr. 94. B.Date 17.51974 ne kater kopje, per Lidhjen Katolike, Kishen Katolike, Zef Oroshin dhe Stefan Laskon nga P.Operativ Bashkim Spahiu, me daten 17.6.974.

Filed Under: Histori Tagged With: Leonora-Laci- Dosja-Zef Oroshi

DY PERVJETORET E AT’ JUSTIN RROTA O.F.M.

December 21, 2019 by dgreca

AT J.RROTA (1889 – 1964)/

Shkruan: Fritz RADOVANI/

At Justin RROTA sivjet ka dy pervjetor: Asht le me 1889, e ka vdekë me 21 Dhjetor 1964.

Në 1902 hyni në kolegjin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder. Me kenë se në 1907 kje keqsue me shndet, nuk mujti me vazhdue studimet teologjike në Vienë. U pat kthye në Shkoder dhe Rrubik, ku perfundoi studimet dhe u shugurue me 11 Gusht 1911 në Kishen Françeskane të Gjuhadolit në Shkoder. U emnue professor i gjuhës tek Françeskanët.

Në 1919 kje dergue mësues i gjuhës në Troshan, ku la kujtime të perjetshme si mësues dhe dijetar i zhvillimit të Gjuhës Shqipe, edhe pse vazhdonin me mungue tekstet.

Atje Ai nuk u mjaftue me gjuhen tonë, po u mësonte klasave të nalta edhe latinisht.

Në vitin 1921 ishte nisiator i hapjes së Shkolles Françeskane në Shkoder, jo vetem per Freten po, per qytetarët e Shkodres pa kufizime besimi. Aty doli dhe aftësia e At Justinit per studimet gramatikore dhe problemet tjera gjuhsore të shqipes per Gegë e Toskë dhe Arbreshë, gja që u vlersue nga studjuesit shqiptarë dhe të huej, tue fillue nga Gurakuqi, Don Ndre Mjedja, Sotir Peci, Prof. Jockli, Lambertz, Petrotta etj.

Në vitin 1942 botoi librin e parë “Sintaksi i Gjuhës Shqipe”. Kje marrë me studimin dhe pergatitjen e tekstit të Don Gjon Buzukut “Meshari”. Fotokopjen e kerkoi nga Vatikani.

At Justini mërrijti me sjellë në Shqipni të gjitha studimet e të huejve per gjuhen tonë.

Me vullnet të hekurt Ai u ba auktoritet nder çashtje gjuhsore të Shqipes.

Prej vitit 1925 fatkeqsisht At Justini u paralizue në anen e djathtë pa u permirsue kurr.

Nder veprat ma kryesore, mbasi mjaft u vodhën nga “studjuesit” socialista, janë këta:

  1. Brumi i shqipes (Leksikologjija)
  2. Tingujt e shqipes (Fonetika)
  3. Trajtat e shqipes (Morfologjija)
  4. Fjala e shqipes (Sintaksa)
  5. Të përmbâmt e fjalëvet (Etimologjija)
  6. Lavruesët e Shqipes (Albanologjija).

Nder studimet tjera kryesore janë: 1. Epizode burrnijet  2. Rreth votret – Pjese I, II, III.

3. Ditët e mbrame të Turqísë në Shkodër.4. Epigrammata, Epitaphia etj. 5. Sintaksa e Gjuhës latine. 6. Per historinë e alfabetit shqyp.

At Justin Rrota nuk mund të mendohet vetem gramatolog e shkrimtár i shkëputun prej idealit, qi ndoq e per te cilin u flijue. Ai kje Françeskan i vertetë dhe model fisnikije.

Me 21 Dhjetor 1964 Provinca Françeskane e Shkodres njoftoi vdekjen e At Justinit.

Funeralin e drejtoi Imz. E. Çoba dhe Don Mark Hasi deri në Rrëmaji… Po, kujtimet e Tij rinia shkodrane e asaj kohë, i ruejti të daltueme në mendje dhe në zemer…

            Melbourne, 20 Dhjetor 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: At Justin Rrota, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 246
  • 247
  • 248
  • 249
  • 250
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT