• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA- DY VJET PA IKONËN E KELMENDIT MARASH MRNAÇAJ

October 10, 2021 by s p

NGA DALIP GRECA

Si sot, dy vjet të shkuara, ndërroi jetë një nga ikonat e Kelmendit, Marash Mrnaçaj. Ishte paraditja e së Enjtes të 10 tetorit 2019, kur zemra e lodhur e Marashit pushoi së rrahuri në White Plaince Hospital.Familja e dashur që e pat rrethuar me aq shumë dashuri gjatë të gjithë jetës, edhe në ato çaste ishte pranë tij. Në sytë e tyre u shua njeriu që e kishte udhëheqë me zotësinë e një kapiteni të sprovuar familjen e tij, që e kishte drejtuar me mençuri anijen në dallgët e rrezikshme të jetës. Nuk ishte e lehtë t’i prije familjes së madhe të kapërcente kufirin në kohën e diktaturës,me pleq e fëmijë të vegjël, së bashku me bagëtitë, në një natë me terr e stuhi bore. Po me zotsinë e një kapiteni ai e voziti anijen(familjen) nëpër Ish Jugosllavi, Itali, derisa e ankoroi në portet e Lirisë amerikane. Të gjitha betejat jetësore Marashi i fitoi me zotsi dhe familja e tij e madhe ndjehet krenare për kapitenin e saj, edhe pas vdekjes.

Sot në Kishën Katolike Shqiptare ’Zoja e Shkodrës’ në Hartsdale, Nju Jork, do të mbahet meshë për shpirtin e Marashit, ndërkohë që familja do të shkojë në varrezat Gate of Haeven në Westchester, ku prehet Marashi dhe pjestarët e tjerë të familjes së Mrnaçajve.

Edhe vitin e kaluar me 10 tetor 2020, një vit pas ikjes nga jeta toksore, Marash Mrnaçaj u përkujtua me nderim e respekt të thellë nga familja e madhe dhe miqtë. Edhe pas ikjes së tij, familja e madhe ( Mrnaçajt e kalojnë numrin 100 e pjestarëve), ndjehet e bashkuar rreth simbolit të tyre,kapitenit të tyre, ikonës së Kelmendit,njeriut që sfidoi dhe u kthye në simbol qëndrushmërie. Dera e Shtëpisë së Mrnaçajve është përherë e hapur për miqtë falë frymës së dashurisë njerëzore që u përcolli ai fëmijëve, mbesave dhe nipërve. Mësimet e Marashit mbeten jetësore, njerëzore, përcillnin besim dhe shpresë.

Duke pasë pranë vetes gjysmën e Tij, një bashkshorte si Mrija, Shtëpia e Mrnaçajve mbetet derë e hapur Kelmendase në Nju Jork.Marashi i edukoi pasardhësit e vet me frymën e besimit,miqësisë, respektit për veten dhe të tjerët, i edukoi me frymën e dashurisë, Lutjes e Besimit në Zot!

Filozofia e tij jetësore mbështetej në porosi të tilla si: Kembengul dhe mos u dorëzo asnjëhere!Nëse do të arrish diçka ,puno shumë dhe kurrë mos u dorëzo!

          Shembull ishte ai vetë, kurrë nuk u dorëzua-Qëndroi stoik, i patundur nga shtërngatat jetsore, si malet nga vinte, edhe kur jeta ndodhej e rrezikuar buzë honeve që mund ta përpinin atë dhe familjen, ai sërish ia dilte.

  Marashi ishte një njeri me karakter të forte, që e kishte sfiduar vdekjen shumë herë gjatë jetës se tij.E kishte sfiduar vdekjen duke besuar fort tek jeta.Kurrë nuk qe dorëzuar, as kur i arrestuan e burgosën vëllanë Nikollën,-që i kaloi dy dekada në burg dhe gjithë familjen të internuar kampeve të vdekjes; as kur humbi jetën, në emër të idealeve, i biri, Nika(I kthyer në simbol të Ditës së Lirisë Shqiptare në Nju Jork).

 Ka shumë sfida në jetën e Marash Mrnaçajt, që ai i kapërceu me zotsi. Sfida me e rrezikshme ishte ajo e arratisjes pas burgosjes të vëllait Nikollës. Arratisja u bë në një mot të ashpër me acar, erë dhe borë. Ishte 21 dhjetori i vitit 1959. U arratisën burra e gra, pleq, fëmijë e bagëti-dele, lopë e mushka. Edhe sot Mrija e ka të vështirë të heqë nga kujtesa imazhet e akullta të asaj nate me terr, të ftohtë të acartë, bore mbi një metër, kur ajo shtërngonte fëmijët në gjoks dhe i ngrohte me frymën e saj prej nënë. Prindërit e Marashit që ishin në moshë të thyer dhe fëmijët e vegjël, e kishin të vështirë ta përballonin atë rrugëtim, gati ishin ngrirë nga stuhia. Ndoshta ata, fëmijët dhe pleqtë, ishin ëngjëjt që i shpëtuan edhe të rriturit atë natë dimri. Guximi i Marashit, besimi në Zot, u dha fuqi të gjithëve që ta kapërcenin kufirin, edhe pse u endën për shumë kohë nëpër terr e borë, në një rrugë që normalisht nuk mbante më shumë se 1 orë nga shtëpia e tyre, ndërsa ata e përshkuan për 22 orë nga që edhe mjegulla e terrin ua pengonin orientimin. Disa here u kthyen në pikën e nisjes.

Sfidë tjetër ishte sigurimi i jetesës në Titograd, ku e vendosën me familjen. Marashi punoi fort, siguroi jetesën dhe e ndërtoi vetë shtëpinë, falë forcës së krahëve, pa i hyrë në borxh kujt.

Marashi ishte si ai timonieri i mirë, që falë zotsisë, arrinë ta nxjerrë anijen në breg edhe në shtërngatë. Pas tetë vitesh në Ish Jugosllavi, arriti të emigrojë në Itali dhe që andej më 1967 në krye të familjes mbërriti në Amerikën e ëndrrave, ku u ankorua anija e fatit të tij.

       Pa shumë shkollë, pa e ditur gjuhën angleze, me guxim iu fut biznesit dhe sërish sfidoi duke shënuar sukses. Ai u kthye në një biznesmen të suksesshëm me ndërtesat e veta, që i gëzon dhe i administron familja edhe sot.Por suksesi më i madh i Marashit ishte edukimi i fëmijëve, përcjellja e dashurisë dhe respektit për njeri-tjetrin, për mikun,fqinjin, dashuria dhe besimi i patundur në Zot. Jo vetëm fëmijët e Marashit, por dhe fëmijët e fëmijëve, e donin me shpirt, edhe sot betohen ‘për kokën e tatës’. Ai ishte gjithçka për ata, një gjysh frymëzues, një ikonë e gjallë. 

Edhe sot, familja Mrnacaj nuk mungon në asnjë prej ngjarjeve të komunitetit, në ngjarje të gëzuara apo në morte, ajo përcjell respekt dhe fisnikëri të trashëguar nga Marashi.

Tek i pyesja gjatë përvjetorit të parë të pasvdekjes, mbesat dhe nipat- Si e kujtoni gjyshin Marash? Përgjigja që marr është kjo : Tata (kështu e thërrisnin) ishte gjithçka për ne. Ne mezi prisnim të takoheshim me atë gjat fundjavëve.
Citoj të bijën, Verën: Mëngjesin e 10 Tetorit 2019,Zoti e mori pranë vetes babain për t’ju bashkuar pjesës tjeter të familjes në parajsë. Me ne fund ai u lirua nga dhimbjet dhe vuajtjet,duke u preh në paqe bashkë me prindërit, vëllezërit dhe djalin e tij Nikën e dashur…Tani po na shikojnë të gjithë nga parajsa. Im atë nuk u dorëzua asnjëherë deri ne fund….Për të gruaja, fëmijet dhe më vonë nipërit dhe mbesat ishin krenaria dhe gëzimi më i madh në jetë.Babai im erdhi në këte vend me mendimin për të punuar shumë,për të bëre një jetë të ndershme në mënyre që të mos i detyrohej askujt një ditë…dhe ashtu bëri.Siç e dimë te gjithë,historia e jetës së tij flet vetë…Ishte shumë e vështire për të të gjente kohën e lirë por çdo moment që kalonte me ne ishte shumë i veçantë.E diela ishte padiskutim dita jonë,një dite që i dedikohej vetëm familjes.
Tata thoshte gjithmonë që të punosh të dielën është e ndaluar, është dita e Zotit,e familjes dhe miqëve për të qendruar sëbashku.
Ai ishte një gjysh i përkushtuar dhe krenar deri në ditën e fundit të jetës.

Marashi pati fatin t’i shikonte nipërit e tij (shpirtrat e tates) tek rriteshin dhe që ishin shumë krenar që e kishin në jetën e tyre.Dhimbja qe ne perjetuam me ikjen e tij nuk ka kaluar,por ne e dimë dhe e pranojmë qe ai është në një vend shumë më të mirë…Nëse secili nga ju do te mbyllte sytë për një moment dhe të kujtonte tim atë,jam shumë e sigurtë që me të keni ndier dashuri,siguri,respekt,kënaqësi dhe krenari…Ne si fëmijet e tij ndihemi të bekuar që kishim një baba model dhe një shembull shumë të mire per secilin nga ne. Ne mësonim jo vetëm nga fjalët e tij por edhe nga veprat.
Ai ishte një njeri që bëri çfare tha dhe fjala e tij ishte e pathyeshme.Babai im na dha mesime shume të vyera per jeten qe kur ishim të vegjël:
-I pari dhe më i rendesishmi: Besimi, lutja dhe dashuria për zotin.Ne ndjekim meshën çdo te dielë dhe themi rruzarën si familje.
‘’Respekti’’ është dinjitet,siç thoshte ai,’’respekto veten dhe të tjerët’’.
‘’Je i dashur me të tjerët’’ nuk humbet asgjë të jesh i sjellshëm.
‘’Këmbëngul dhe mos u dorëzo asnjëhere.Nëse  do të arrish diçka ,puno shumë dhe kurrë mos u dorëzo.Ai thoshte gjithmonë që asgjë në këtë jetë nuk është falas, edhe nëse është,do ta paguash dyfish ose më shumë më vonë]….Dhe mësimi më i madh që na dha në jetë ishte sesi të kemi besim dhe të mos gabojmë me Zotin…Babai im Ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe fjalet nuk mjaftojnë për të folur për të. Ai ishte një i krishterë i përkushtuar,që për të shpëtuar nga një vend komunist dhe duke rrezikuar jeten e tij dhe të familjes, na bëri të besojmë sesa të fortë e kishte besimin.
Një bashkëshort i përkushtuar,që thoshte shumë herë që Kur të largohej një ditë ,i vetmi peng i tij ishte që po linte gruan pas.Nëna ime ishte gjysma që plotësonte tim atë.Ai ishte burri,babai,gjyshi dhe miku që nëse ti kishe nevojë ai do gjendej gjithmonë aty! Jemi krenar për Atin tone fisnik!-përfundon Vera.

         Familja Mrnaçaj edhe pas vdekjes së Marashit përcjell mesazhe për komunitetin shqiptar, mesazhe dashurie e respekti. Një vit më pare tek po përcillja një kronikë të shkurtër për TV Albanian Culture  në Nju Jork me rastin e përvjetorit të ikjes nga jeta, thashë se nëse At Gjergj Fishta do të ishte gjallë, patjetër  Marash Mrnaçaj do të ishte personazh i “Lahutës së Malcisë” dhe se aty do të këndoheshin e hymnizoheshin bëmat e tij dhe të familjes së tij.

Marash Mrnacaj ishte dhe një vatran i mirë, mbështetës familjar i Vatrës. Edhe sot familja e tij mbetet vatrane, e përkushtuar ndaj Kombit!

I përjetshëm kujtimi i Marash Mrnaçaj!

Nju Jork, 10 tetor 2021

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Marash Mrnaçaj

KARL GEGA, GJENIU AUSTRIAK ME RRËNJË SHQIPTARE

October 10, 2021 by s p

Hazir MEHMETI, Vjenë    

Që në nisjen e trenit nga Vjena për në qytetin e bukur të Grazit, çdo gjë e ndërtuar të kujtonte gjeniun me rrënjë shqiptare me pavdekësinë e veprës së tij madhore, ku ndër të shkëlqyerat mbeti hekurudha me urën madhështore të Semeringut e cila pushtoj lartësitë e maleve drejt Adriatikut. Urat, tunelet dhe gjithë vepra madhore është një mrekulli kohe dhe krenari e zhvillimit njerëzor në gjithë globin. Me emrin e Karl Geges krenohet e gjithë shkenca botërore, e në veçanti kombi austriak ku jetoi dhe shprehu talentin e tij dhe ai shqiptar nga e kishte origjinën e tij.    Për këtë gjeni u shkruan dhjetëra e qindra vepra nga më të ndryshmet, ku jo rrallë u spekulua mbi origjinën e tij, por falë hulumtimeve nga studiues europian, bashkangjitur dhe ata  shqiptarë, u nxor saktësisht gjeneza e argumentuar e familjes Gega.   Studiuesit nga universiteti i Venecias Dr. Alvin Saraçit dhe arkitektit Flamur Ahmeti, organizuan për herë të parë nga shqiptarët, simpozium në Bashkinë e nëntë  të Vjenës më 24 qershor 2005 ku përfundimisht zbardhet origjina shqiptare me fakte e Karl Geges. Më parë prejardhja e tij u trajtuar ne mënyre hipotetike duke e nxjerrë si austriak apo italian. 

Kryetari i Austrisë, Franz Jonas, para gjysmës shekullit do deklaron: “Simeringu është një kryevepër e mendjes njerëzore, qe për te gjitha kohët do te mbetet e lidhur me jetën e Gheges”.  Në aktivitetin përkujtues të veprës së Karl Gegës, Dr.Willibald Rosner, drejtor aktivi në St.Pölten do shprehet:  “Carl Ritter Von Ghega ka rrënjë shqiptare, u lind në Venedik si pjesë e bregdetit Mesdhetar, hapësirë me një kulturë të lartë e të zhvilluar. Nga Venediku  e vazhdoi  jetën dhe veprën e tij si qytetar austriak në Austri. Këtu gjeti mundësinë e shprehjes së dijes së tij gjeniale dhe në këtë kuptim  është me vlerë përkujtimi i rrënjëve të tij, mësimi mbi jetën dhe veprën e Carl Ritter Von Gheges” 

 Rrënja…

 Karl Gega (1802-1860) U lind nga prindërit shqiptar në Venedik. Babai i tij kishte qenë një oficer marinarine i lidhur shumë me detin, kurse Karli tregoi një dashuri të madhe për matematikë, më e madhe se sa për detin: Ishte inxhinier austriak me origjinë shqiptare. Karl Gega ndërtoi  hekurudhën e Simeringut, prej Gloggnitz deri në Mürzzuschlag..  Pas vizitës së tij në rrethin e ushtarakëve, ai në moshën 15 vjeçar regjistrohet në Universitetin e Padovës, ku pas një viti diplomon duke e fituar titullin akademik Inxhinier, kurse një vit më vonë edhe titullin e  Arkitektit.  Një vit më vonë, pra në moshën 17 vjeçare e arrin titullin, Doktor i Matematikës. 

Dr. Alvin Saraçi e argumenton gjenezën e Gegëve mbi bazën e dokumenteve origjinale te gjetura ne bibliotekën e Muzeut Correr te Venecias, te pabotuara më parë, hartuar ne vitin 1835 nga Giovanni Battista Ghega, prift në Kishen e San-Markos dhe kushëri i parë (djalë i xhaxhait) i Karl Gheges. “Stërgjyshërit e Karl Gheges dhe Giovanni Battista Gheges ishin vendosur ne Perast, pranë Kotorrit në Mal te Zi, pasi u larguan nga Shqipëria, e cila ra plotësisht nën sundimin turk me mposhtjen edhe te Shkodrës me 1479. Prej me shume se tre shekujsh ata kishin shërbyer si oficere marine dhe zyrtarë te lartë te Republikës se Venedikut. Një dokument i 3 tetorit 1739 mund te konsiderohet si dokumenti i pare e gjetur deri tani, qe dokumenton linjën e Ghegeve, qe fillon me Giorgio(Gjergj) Ghegen dhe vazhdon me te birin e tij Cristoforo (Kristofor), qe del si oficer marine ne Venedik, por edhe si pjesëmarrës ne luftën Veneciane te Thesalise kundër turqve, ku mbetet i plagosur dhe humbë një krah”.Cristoforo pati një djalë me emrin Gasparo (Gaspër), i cili ne vazhdën e traditës familjare u be oficer marine duke arritur gradën e kolonelit. Gaspari pati tre fëmije: Antonion (Anton), Giovanniantonion dhe Angelan. Antonio Ghega eshte babai i Karl Geges, kurse Giovanniantonio është i ati i Giovanni Battista Gheges, prift ne Kishen e San-Markos.

        Në vitin 1842, Gega u emërua udhëheqës planifikimi për të gjithë jugun e shtetit Austro-Hungarez, ku  Semeringu mbetet  kryevepër në kontinent. Pas mbarimit të saj në vitin 1854, ai fitoi titullin Rihter, (Kalorës) dhe do quhet Karl Rihter Gega.  Në kalendarin e figurave historike, Karl Ritter Von Ghega renditet ndër njëqind figurat më të mëdha në historinë e kombit austriak, krahas Mozartit, Froidit, Maria Therzes, Franz Jozefit, Kafkes etj

     Emri i Karl Gegës dhe Aleksandër Moisiut tani janë ura lidhëse mes dy popujve tanë, këtë e thanë figura të njohura nga të dy kombet.   Sipas hulumtimeve të bëra në trevat shqiptare rreth Karl Gegës, 80 përqind e shqiptarëve nuk dinë fare për te, kjo vjen nga fakti se shumë pak u mësua, shkrua dhe u fol për këtë gjeni me gjak shqiptari. Shqiptarët kanë nevojë të njohin rrënjët e tyre shekujve, sukseset e tyre gjeniale njëri nga të cilët pa dyshim është Karl Gega. 

Filed Under: Histori Tagged With: Hazir Mehmeti, Karl Gega

Foto-Kujtime nga vizita e delegacionit të parë të Shteteve të Bashkuara në Shqipërinë komuniste

October 9, 2021 by s p

Frank Shkreli

Disa foto-kujtime nga vizita e delegacionit të parë të Shteteve të Bashkuara në Shqipërinë komuniste, Mars/Prill, 1991. 30-vjetë me vonë Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Ndërsa të tjerë politikanë janë shprehur se komunizmi ka pasur edhe “shumë të mira”. Madje edhe një ish-kandidat për kryetar të Partisë (së “dajthtë”) Demokratike ka thenë para disa muajsh se Partia Demokratike duhet të distancohet nga qendrimi “anti-komunist“ i saj. Ndonëse këto foto nuk tregojnë gjëndjen e  mjerueshme që pamë me sytë tonë 30-vjet më parë, anë e mbanë Shqipërisë, nga këto foto mund të arrihet në një përfundim duke dhenë një farë ideje për jetën e përditshme me 1991, kur mendonim se komunizmi po jepte shpirt.

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shreli

LINDI PËR TË MOS U HARRUAR KURRË

October 8, 2021 by s p


Shpetim Axhami

Me 8 Tetor 1885 lindi Ahmet bej Zogu.Politikan i nivelit lartë, shtetar e i vendosur, largpamës e i zgjuar e mbi të gjitha atdhetar e patriot për kombin e vet, që edhe çdo komb tjetër do ta kishte fat e krenari të drejtohej prej Tij.Formimi i shtetit të parë modern shqiptarë merr kuptim të plotë, e pronohet kjo nga të gjithë, vetëm me burrështetasin Ahmet bej Zogu!Mbreti Zog I mbetet drejtuesi i shtetit i cili që pas shpalljes pavarësisë i dha dinjitet dhe krenari çdo shqiptari dhe vetë Kombit Shqiptar.Ahmet Zogu e ka shkruar vetë historine e Tij, duke berë që koha e qeverisjes, sidomos si mbret i shqiptarëve, të mbetet koha më lavdishme e historisë tonë kombêtare.Është kjo arsyeja kryesore që historia dhe shteti Shqiptar pas viteve të pluralizmit e në vazhdimësi i ka dhënë e po i jep me të drejtë vlerësimet e duhura të merituara.Neve na takon të shkruajmë drejt historinë dhe të kontribojmë qê filozofia zogiste në një ditë sa më të shpejtë të bëhet realitet nën një sistem qeverisës Mbretëri Kushtetuese Parlamentare.Shkurtimisht veprimtaria e Tij politike dhe ajo si drejtues shteti si…Perfaqësues i krahinave Mat, Dibër dhe Mirditë në Shpalljen e Pavarsisë më 1912 në Vlorë.Pjesmarrës e drejtues në luftra të ndryshme për mbrotjen e trojeve shqiptare prej pushtuesve.Thirrja prej Tij e Kongresit të Elbasanit në vitin 1916.Roli përcaktues në jetësimin e vendimeve të Kongresit të Lushnjes m 1920 ku zgjidhet dhe Ministër i Brendshëm.Zgjedhja si deputet ne vitin 1921.Zgjedhja kryeministër më 1922.Kthimi i “ Triumfit Legalitetit” më 1924 pas Grusht Shtetit të Qershorit 1924, ku legjitimiteti fitoj mbi rebelizmin dhe perendimi mbi bolshevizmin.Rizgjedhje Kryeministër e Ministër i Brendshëm më 1925 dhe po këtë vit zgjedhja si president i parë i Shqipërisë.E më ne fund me datë 1 Shtator shpallja e Shqipërisë mbretër dhe e Ahmet Zogut mbret i shqiptarëve….….vërtetojnë më së miri se kush ishte dhe çfarë vlerash kishte Ahmet Zogu.Duhet theksuar se Ahmet Zogun nuk vlerësohet nga historia e nga gjithë shqiptarët vetëm për çfarë pozicionesh politike dhe si drejtues shtet pati, por kryesisht vlerësimi i Tij është i merituar për atë se çfarë bëri si burrshtetas për kombin e vet duke i kthyer fiset në komb e kombin në shtet nën moton“ATDHEU MBI TË GJITHA”LAVDI VEPRES SË MBRETIT ZOG I.

Filed Under: Histori Tagged With: Shpetim Axhami

EVA QERIMI, NJË VIZITORE E VEÇANTË NGA PRISHTINA NË VATËR

October 4, 2021 by s p

Dielli

Eva Qerimi, themeluesja e qendrës Prishtina Language Center, njëkohësisht edhe autorja e librave Gjuha Shqipe, niveli A1 & A 2, vizitoi Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ajo u shpreh shumë e emocionuar për këtë vizitë në selinë qëndrore të Vatrës dhe shumë krenare për rolin që Vatra dhe Dielli kanë luajtur në historinë e kombit shqiptar. Eva Qerimi u prit në Vatër nga Editori i Diellit Sokol Paja i cili i shpjegoi imtësisht rolin dhe etapat në të cilat ka kaluar Dielli dhe Vatra që nga krijimi e deri në ditët e sotme, sfidat me të cilat ndeshen përditë dhe synimet për Vatrën dhe Diellin e shekullit të 21-të. Eva Qerimi ka studiuar në Universitetin e Prishtinës për Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në nivel universitar dhe pasuniversitar. Ajo drejton Qendren e Gjuhëve të huaja Prishtina Language Center ku ofron një program me dhjetë gjuhë të huaja, duke pasur fokusin më të madh gjuhën shqipe për të huajt që jetojnë e punojnë në Kosovë. Qendra me seli në Prishtinë, është themeluar në vitin 2012 dhe ka për qëllim kryesor promovimin e gjuhës shqipe në veçanti dhe kulturën shqiptare në përgjithesi. Mësimi ose përvetësimi i gjuhës shqipe ofrohet për të gjitha nivelet dhe për të gjitha grupmoshat. Interesimi më i madh vjen si nga të huajtë, ashtu edhe nga shqiptarë e diasporës, tregoi Eva Qerimi për Diellin e Vatrës. Së fundmi, bibliotekës së qendrës Prishtina Language Center, degës së shqipes, u janë shtuar edhe librat e rinj të gjuhës shqipe, niveli A 1 dhe A 2, pas të cilëve pritet të vijnë edhe dy nivelet e radhës, ato B1 dhe B2, shpjegoi Eva Qerimi gjatë vizitës së saj në Vatër. Ajo i dhuroi Bibliotekës së Vatrës 2 nga librat e saj të cilët mund të përdoren nga mësuesit dhe nxënësit e shkollave shqipe në diasporën shqiptare të Amerikës.

Filed Under: Histori Tagged With: Eva Qerimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 244
  • 245
  • 246
  • 247
  • 248
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT